Thursday 6 October 2011

Dicka rreth rrenave. 4 kapitujt e pare.

3016 KILOMETRA NEN RRENA

            Rrëfenjë satirike nga

            Pështo Psherëtima

















































            ...ai ishte nisur qorrazi për në një dhe të huaj dhe kur arriti aty e kuptoi se vinte nga një dhe i huaj...




            Kreu i parë, ku tregohet qe Naim Hana arrin në Bredhishtë.




Mjeku Naim Hana kishte vite pa shkelur në qytezën e tij. Shkak  ishte bërë llotaria e emigrimit (disa e quanin shorti ikanak), që i kishte rëne të shoqes dhe nën entusiazmin llotarirënës, kishte mbledhur laçka e plaçka,  kishte hequr  fëmijët nga shkolla jopublike “Dituria Rrethore”dhe ishte degdisur në Karolinën e Veriut. Pasi kishte larë pjata dhe shpërndarë pica, më në fund kishte zënë vend si punëtor mirëmbajtjeje në një shtëpi pushimi pensionistësh, ku punonte pak dhe dëgjonte për ditë historitë e veteranëve të luftës së Vietnamit dhe të një kërcimtareje ekzotike. Gjashtë vjet kishin ikur e tani po kthehej për të mërzënë një trejavorshe në qytezën e tij. Atje ku i kishte dashur dhe e kishin dashur, ku ishte pjellë dhe ndihmuar pjelljet, ku kishte qeshur dhe e kishin qeshur. Malli dhe kureshtja i digjnin përbrenda dhe nje çast i mbështetur në shpinoren e ndenjëses të taksisë, me të cilën po kalonte kufirin ndjeu që sytë po i njomeshin. Ndoshta i vinte nga dy kokët e shqiponjës në uniformën e policit të kufirit, mbi gjoksin e të cilit ishte shkruar me kapitale DINE. Mjeku Hana i mësuar me institucionet e shumta të Amerikës dhe me shkurtimet e emrave të tyre, u mundua të rrokte me mendje se cilin institucion përfaqësonte polici. Në mendje blojti me rradhë: Departamenti i Ndihmës Emergjente, Drejtoria e Inspektimit Nacional Europian deri sa arriti në atë qe ju duk me e saktë, Dega Internacionale e Nderhyrjes Efikase. Por mendimet rrokullisëse ja nderpreu shoferi i taksisë, i cili po i thoshte policit:
            -Na lerë rehat o Dine, se s’kam ku të të gjej peshqesh unë sa here hyj e dal.
U skuq lehtë , i turpëruar me veten, që e kishte harruar kaq shpejt vendin e tij dhe policët me emrin Dine. Gjashtë vjet nuk ishin kushedi se çfarë..
            Pas pak u shfaq mes dritave, Bredhishta e tij e dashur, ajo që e ai e quante me përkëdheli "xhenetllik mes pishave e bredhave". E mbeshteti ballin mbi xhamin e taksisë dhe u mundua të shquante çdo siluetë të njohur të qytezës. Ja minareja, ishfabrika e miellit e kthyer në disko, ndërtesa e policisë Bashkia dhe...papritur shoferi ndroi rrugë dhe sytë e Naimit shkuan nga Bredhishta në bredhat jashtë saj.
            -Pse u ktheve?-e pyeti i çuditur shoferin.
            -Këtej shkohet tani, se hyrja është mbyllur sa të ndërtohet Unaza e Re.
            -Unaza e Re? Po Bredhishta s'ka patur ndonjëherë unazë, nga doli kjo e reja?
            -Eshtë sfida e jetës e kryetar Fikos. Kështu e quajti vjet për fushatën. Kishte edhe parrullën "Për një unazë asfalti rreth Bredhishtës bredhore". Thanë që me këtë e mundi kundërshtarin që kishte parrullën "Edhe një bredh më shumë për Bredhishtën"... Ehhhh...Kanë hyrë në valle ndërtuesit. Para e madhe kjo e unazës. Dhe ai kastraveci i Partisë së Blertë, s'kishte parrullë të saktë...një bredh më shumë!....hiç hiç duhet të kishte vënë një milion më shumë, njëqindmilion më shumë. Kështu mund të ishte sponsorizuar edhe nga ata të druve të zjarrit.- e mbylli ligjëratën e shkurtër me turinj të mbledhur taksisti dhe ndaloi para pallatit ku ishte rritur Naim Hana. Naimi pagoi, mori çantën e madhe të udhëtimit dhe ju drejtua i gëzuar hyrjes C. Ngjiti shkallët dhe trokiti në derën përballë apartamentit të tij.Nga Brenda u dëgjuan disa zëra dhe pas tyre një zë burrëror pyeti:
            -Kush është?
            -Jam Naimi, Naim Hana.
            -Kujt ja hedh këto ti keqbërës? Naimi është në Amerikë.
            -Po unë jam Adhurim...sa erdha me taksi nga kufiri.
            Nga brenda pasoi heshtja, pastaj u dëgjua një zë femre, më pas një plakë që grindej dhe në fund Adhurimi.
            -Si e kishte mbiemrin plaka tënde para martesës?
"Allah, allah-tha me vehte mjeku Hana-edhe këtu e kanë filluar këtë zakonin që pyesin për emrin e beqarisë të mamasë?"
            -Kokorridhi...Edhe disa çaste të zbrazëta dhe më në fund u hap dera dhe u duk figura e ngjallme e Adhurimit, e shoqja dhe vjehrra Refije. E rrembyen në krahët e tyre dhe nuk e lëshonin së puthuri duke thirrur se ç'ishte ai gëzim aq i papritur në mes të prillit. Mjeku i mallëngjyer dhe me zemër të ngrohur, arriti t'i shpëtonte puthjeve të fundit të Refijes dhe tha me turp:
            -E di që është vonë e më falni, vetëm sa të merja kyçet e apartamentit dhe... nesër besoj se do kemi kohë të rrijmë e të tregojmë.
            -Po ku flemë dot ne sonte...po çështë ai gjumë? Do e gdhijmë...tregona për Artemisin, për Olgerin e Dëfrimin- nuk i hiqte duart nga qafa e shoqja e Adhurimit.
            -Mirë, mirë janë të tërë...do ju tregoj nesër se edhe vonë është dhe i lodhur nga rruga jam.
            -Mirë thotë-u hodh Adhurimi dhe i hoqi duart e të shoqes nga zverku i mjekut-le të flerë sonte pastaj nesër na tregon.Ke ngrënë Naim?
            -Po,po...vetëm të fle dua-shtoi me nxitim dhe i kënaqur rrëmbeu çelësat që i zgjati tjetri- Natën e mirë të gjithëve, faleminderit për të gjitha dhe mirupafshim nesër!-dhe bëri dy hapa prapa për të dalë nga territori i adhuruesve të tij. Dera u mbyll dhe tani nuk mund të shihte më sytë e përlotur të komshijve të dashur. Mori frymë thellë dhe ju drejtua ngadhnjyeshëm derës që kishte hapur me mijra herë, që kur ishte në shkollën fillore dhe e mbante atë çelës të vyer ELZETT, varur në qafë. E futi në vrimë, ndjeu dy rrotullimet e buta me një kërcitje tepër të njohur dhe e uli dorezën duke e shtyrë derën...Grënçç...dera u hap vetëm dy centimetra dhe nuk shkonte më tej, sikur dikush ta mbante nga prapa."C'e pengon vallë?"dhe në mendje i shkuan vetëtimthi gjithë pengimet e viteve të shkuara, nga qilimi i marë borxh në fqinjët për ditën e dëshmorëve, kova me ujë që i kishte vënë i vëllai, kur ishin në shkollën e mesme e deri tek komodina që vinte Artemisi në periudhën e dehjeve të tij kronike. E shtyu duke mëshuar me të gjithë trupin, por dera nuk shkoi më larg se një centimetër më shumë dhe mbeti përfundimisht e palëvizshme. As pesha e trupit të tij, bashkë me gjithë forcën e muskujve nuk mund ta shtynte më tej. Dukej që diçka stërmadhe e pengonte. Nuk mund të ishte bile, as njeri dhe as grup njerëzish. Diçka e panatyrshme, jo e kësaj bote, mbase ndonjë fantazmë e të kaluarës e mbante të patundur atë shteg hyrjeje drejt një kohe të lënë pas.Hoqi dorë nga shtyrja dhe mendoi se si mund të zbulonte nëse xhindet apo vetë xhebraili ishin pas asaj dere."Po të arrij çelsin e dritës së korridorit do e shoh se ç'mund të jetë.Edhe xhindet sikur tremben nga drita...Po sikur të jenë alienët?" Kohët e fundit kishte dëgjuar për shfaqje të shpeshtë të objekteve të paidentifikuara fluturuese në rrethinat e Bredhishtës. Të ishte e vërtetë? Po përse do kishin zgjedhur apartamentin e tij? Apo mos e kishin ndjekur për të studiuar se si sillen ikanakët e Amerikës kur kthehen rishmë në vendin e origjinës? Vendosi të futë dorën në hapjen e ngushtë dhe të provonte në mund të arrinte çelësin. Dora e bufatur, prej periudhës jo të largët të larjes së pjatave në një gjelltore meksikane, përparonte me vështirësi drejt vendit ku gjithmonë kishte qënë çelësi i dritës. Vazhdoi ta shtynte me vështirësi e dhimbje, duke pritur nga çasti në çast, që një gjë e qullët ta mbërthente ose të ndante tre gishtat e përparuar nga pjesa tjetër e dorës. Asgjë . Arriti pjesën plastike dhe vetë butonin dhe e shtypi.Trak!... Përsëri asgjë. e shtyu derën dhe ajo nuk luajti vendit. Xhindet nuk ishin trembur. Shtiri syrin në e hapura e derës dhe bëri prapa i tmerruar.


Kreu i dytë, ku tregohet si flihet në hotelin e Veror Volorekës.

           


Brenda apartamentit kishte ndodhur diçka e papërshkrueshme. Mjeku Hana nuk arrinte të rrokte me mendje nëse vërtet kishin qënë xhindet në një orgji të paparë nga vdekëtaret, apo apartamenti ishte provuar për disa kohë në një laborator trusnie ujore dhe tuneli erërash. Dicka e pazakontë kishte ndodhur kohë më parë, se muret jo vetëm që kishin humbur suvatë prej rëre të NN-ve të kohëve të Bashkësisë joprimitive, por kishin zënë myqe shumëngjyrëshe. Dyshemeja prej druri ishte gufuar krenare dhe nuk linte të hapej dera e hyrjes. Nje mbajtëse librash prej druri, që mbante në korridor për mungesë vendi, ishte zgërlaqur mbi dërrasat e harkuara të ishdyshemesë, ndërsa librat ende të qullur, ngjanin me lule të vyshkura varrezash. Suvatë e rëna nga tavani, sikur i kishin kriposur lulet e vyshkura mbi ishdysheme dhe  gjithë pamjes i mungonte çuditërisht era e rëndë e vdekjes. Kutërbonte vetëm muli. I mësuar mes qindra lindjesh e plot vdekjesh, mjeku Hana e kuptoi që nuk ishte asnjëra syresh. Një forcë natyrale, sa e zakontë aq dhe e pabesë, kishte mykur strehën e tij dhjetravjeçare. Uji. Po nga kishte ardhur? Disa pika që çuditërisht vinin nga lart e nuk ngjiteshin, në këtë pamje surreale, e bënë të dyshonte se uji vinte nga apartamenti i Hodos. I ngjiti me vrap shkallët dhe para derës metalike u step. Atje nuk jetonte më ushtaraku Hodo Velitërna, por dikush që quhej Gogo Gurgullima me gërma gotike. Cili ishte Gurgullima vallë? Nuk kishte dëgjuar njeri me këtë mbiemër të lindur në rrethinat e Bredhishtës. Nga brenda apartamentit dëgjohej një uturimë e mbytyr, sikur diçka lloçkavitej në një vaskë stërmadhe nga ato të galvanizimeve. Ishte një biznes galvanizimesh apo diçka më e mistershme brenda apartamentit ku ushtaraku Hodo kishte rritur katër fëmijët e tij zevzekë? "Po unë nga se kam frikë"-mendoi. Pikërisht këtu ku kam jetuar për 33 vjet?- dhe trokiti në fillim lehtë e pastaj më fort. Pas disa çastesh uturima pushoi dhe nga brenda u dëgjuan disa çapa pllaqurisëse. Dera u hap dhe një burrë trupmadh e me flokë të rëna, i mbuluar vetëm nga një rrobë banje pyeti i çuditur:
-Po ti kush je?
-Unë...jam...ai poshtë- mezi arriti të shqiptonte Naimi.
-Cili poshtë?Ku poshtë?- pyeti përsëri Gogo Gurgullima.
-I aprtamentit poshtë- tha me një frymë i çliruar tjetri.
-Apartamentit poshtë? Ata janë në Amerikë.
-...Ke të drejtë...unë jam nga Amerika...Naim Hana.
-Edhe...ç'kërkon në mes të natës?- pyeti vrazhdë i mbuluari me rrobëbanje.
-Poshtë është bërë nami. Uji më ka shkatërruar apartamentin.
-Edhe ç'farë? C'të të bëj unë?
Mjeku u gëlltit dhe u mendua për disa të dhjeta sekonde se si duhej të sillej me harbutin Gurgullima. "Serenity now!"-kujtoi nga një serial komik që ndiqte në televizion dhe u drejtua paqësisht:
-Mbase është ujë që vjen nga apartamenti juaj.
-Kush tha që vjen nga unë? Ti thua?
-Po vjen nga një vend apo jo?
-Kontrollove djathtas, majtas, poshtë rubinetat tënde, WC-të?
-Jo...po mendova...mendova që mund të vijë prej këtu.
-Mos mendo! Vepro! Kontrolloi të tëra pastaj hajde këtu. Më le pa mbaruar seancën e hidromasazhit- tha prerë Gogo Gurgullima dhe mbylli me forcë derën.
Naim Hana mbeti si i paralizuar në sheshpushimin para apartamentit ku dikur bënin zhurrmë zevzekët e Hodos, e tani bënte seanca hidromasazhi Gurgullima. Ku të shkonte? Nuk mund të shqetësonte të tjerë njerëz majtas djathtas e poshtë, ndaj vendosi të shkonte e të flinte në hotel. Mëngjesi do kthjellonte gjithshka. Ndërkohë uturima kishte rinisur  dhe Gogoja pasi kishte flakur rrobëbanjën, ishte rizhytyr brenda vaskës së madhe, ku e prisnin për ta përqafuar këmbët e depiluara të sekretares së tij Anila.
-Kush ishte Gugu?-pyeti me përkëdheli e sapodiplomuara në Bolonjë për të rejtë Ndërkombëtare.
-Ai poshtë bejbiii-zgjati zanoren e fundit tregëtari Jorgo Gurgullima, që të gjithë e njihnin për Gogo, dhe u mundua të shtrëngohej sa më shumë meskëmbësh të lagura, të drejta e krejt pa qime.
Në fund të shëtitores së vetme të Bredhishtes ndodhej hoteli me tre yje i Veror Volorekës. Naim Hana e dinte vendin, se e kishte parë të ndërtuar para se të largohej nga Shqipëria. Kishte qënë në fillim një me dy kate dhe një çati alpine, që të kujtonte më shumë një shaleje në vendrrëshqitjet me ski të Zvicrës dhe quhej Motel “Verori”.Tani i ishin  shtuar edhe dy kate dhe duraluminet mbulonin tej e mbanë ballkonet. Nuk kishte më çati, po mbi tarracë ishte apartamenti luksoz i të zotit dhe një shkrim i madh me drita “Grand Hotel Voloreka”. Nxitoi të hynte në derën e qelqtë , që hapej e mbyllej vetë, posa ndjente hapat e ndonjë udhëtari të mbetur pa strehë. Në hollin rrethor, binte në sy një skulpturë bronxi me dy kalorës, njëri i gjatë mbi një at të lartë dhe një më i shkurtër, mbi një pelë të ulët dhe barrsë. "Don Kishoti dhe Sanço Pançua"-buzëqeshi Naimi."Po ç'i ka vënë këtu Verori? Ndoshta për të tërhequr turistët spanjollë?" dhe i hodhi sytë në një kolltuk dysh, pranë recepsionit, ,ku gërrhiste një burrë me uniformë. Lëshoi nga dora çantën, për të bërë zhurrmë. Uniformsi hapi njërin sy, pastaj brofi në këmbë dhe thirri:
-Urdhëroni zoti klient!
Naimi e njohu Qani Zekën, nëndrejtorin ushtarak, kur sihte nxënës në shkollën e mesme.
-Më fal që të zgjova profesor Qaniu?...Jam Naim Hana e dua një dhomë për sonte.
-Po ku je o doktor ! Ua s'të njoha fare. Sa ke pa ardhur në Bredhishtë?
-Gjashtë vjet profesor. Po ti kur ke filluar me Verorin, e le kambizmin?
Jam me një firmë rojesh private. Ra dollari dhe s'ka hesap. Tani rri këtu turni i natës...Do të të jap dhomën më të mirë të hotelit. Numur dyqind e dyh.- tha ish-oficer Qaniu dhe mori çelësin nga rafti."nuk paska ndryshuar me numurat mendoi mjeku duke kujtuar kohët e përgatitjeve rreshtore dhe komandat "njih-dyh-njih-dyh" me të cilat qeshnin në shkollë.
-Dhoma ka krevatë copë dyh, televizor copë njih, pult televizori copë njih, kremastarë copë dyh dhe shapka plastike palë dyh. Fli se je i lodhur doktor-dhe Qaniu mbylli derën e dhomës 202 duke e lënë vetë Naim Hanën. Mjeku u ul i dërmuar në shtratin pranë dritares dhe mendoi se sa e çuditshme ishte të përfundonte në një dhomë hoteli në qytetin e tij. Ndezi televizorin dhe në kanalin e parë u dukën pamja e një seksi gojor ndaj menjëherë e ndroi. Në kanalin tjetër kishte një intervistë të së resë të diktatorit të vdekur, rreth ç'nuk ishte, ç'nuk është dhe ç'nuk do bëhej Shqipëria. Mendoi se ishte thuajse e njëjta gjë si në kanalin e parë ndaj e mbylli tv-në dhe shkoi në banjë. I duhej një dush për tu shlodhur pas asaj dite prej 26 orësh. Dita e pazakontë i kujtoi mësuesin e tij të fiskulturës, kur i thoshte njërit prej nxënësve:"Bilbil, ti nga 24 orë që ka dita fle 25. Këtë një orë ku e gjen?". Vetë i kishte gjetur dy orët shtesë në fluturim. Tani donte të flinte të paktën dy orë nga të ditës së re. Hyri në banjë të bënte në dush pa hidromasazh dhe e ktheu deri në fund ujëprursin e kuq. E dinte që pas disa çasteve të ujit të ftohtë, do fillonte nxehja e menjëhershme, që i pëlqente dhe i lehtësonte vërshimin e gjakut damarëve. 15 sekonda, 25, 29 dhe doli i tmerruar nga dushi. Uji jo vetëm që s'ngrohej, por arriti një temperaturë aq të ulët burimore, sa mjeku kujtoi se do kishte një tkurrje të menjëhershme të rropullive, gjë që mund të shkaktonte edhe largim të parakohshëm nga programi i mërzënies, ose edhe nga jeta.  Hapi sytë të kuptonte c'kishte ndodhur dhe pa në mur shënimin që i kishte shpëtuar:Red sucks. U kujtua që Verori i përkiste të djathtës europiane, ndaj hapi ujëprursin blu. Më pas u fut në shtratin larg dritares dhe filloi të gërrhasë...deri sa kënduan gjelat e dytë. Veshi tutat dhe zbriti poshtë. Në sportel ishte djali i madh i Verorit, Liko Voloreka.Naimi pagoi edhe për ditën që posa kishte filluar dhe pasi e përgëzoi pronarin për hotelin e pyeti:
            -Po Don Kishotin e Sançon kush i ka bërë-dhe tregoi me dorë nga skulptura në qendër të hollit. Likua rrudhi ballin dhe u përgjigj gjithë inat:
            -C'Don Kishot o...ai është Verori i hipur mbi Bardhon. Mbi Kuqkën barrsë është plaka.
            Naimi u skuq deri në majë të veshëve nga gafa që kishte bërë dhe duke kërkuar të falur u mundua të spjegojë se për shkak të kapeleve dhe kuajve, nuk i kishte njohur Verorin e gruan e tij të dashur. Shtoi që skulptura i kishte pëlqyer shumë, bile kishte menduar se ishte bërë në Perëndim.
            -Nuk është bërë jashtë shtetit. E ka bërë  vetë Uljanov Sopi, nga nje fotografi e Verorit dhe e mamasë në Teksas. Ishin veshur si kauboj.-tha paksa më i zbutur- Kuqkën e ka paraqitur barrsë për efekt vëllimesh dhe për të dhënë idenë e pjellorisë të sojit tonë.
            Mjeku tundi kokën i bindur. E dinte që Verori kishte gjashtë djem dhe të gjithë kishin ardhur në jetë pa u ndërtuar hoteli. Tani, në grupin skulpturor prej bronxi. ishin pavdekësuar jo vetëm Verori me kuajt, por edhe e shoqja dhe pjelloria e saj. Doli nga hoteli dhe vendosi në xhepin e mëngës së tutës ajfonin, shtypi Vrapmatësin dhe filloi vrapimin rreth unazës së re të Bredhishtës. Ndonëse jo plotësisht në formë, pas dy orëve gjumi të trazuar, mendoi që 3 km do i kishte si përshesh me dhallë, nga ata të fëmijërisë të kufizuar në ushqime.
            Nuk ishte aq mbajtja e trupit në formë, që e bënte Naimin të vraponte çdo ditë. Një arsye e çuditshme, disi e ndërlikuar, midis paradashurisë dhe flirtimit porno e kishte shtyrë të merte vendimin për të hyrë në maratonën e Bostonit vitin e ardhshëm. Ai ndjehej xheloz, për një nga të dashurit e kërcimtares ekzotike 76 vjeçare, historisë e të cilës i dëgjonte çdo ditë. Bostonmarathonsi kishte qënë i preferuari. Ajo kishte patur me të marëdhenie në kohen e Udstokut, gjatë skandalit të Uotergejtit dhe pak javë, kur pilotët amerikanë mbaheshin peng në Iran. Vetëm orët e zgjatura të dashurisë me të, e kishin ndihmuar të mos binte në depresion në ato periudha krizash e përmbysjesh. Kur i kishte njoftuar Debit, se edhe ai do hynte në marathonën e Bostonit, ajo ishte entusiazmuar si kurrë ndonjëherë dhe i kishte dhuruar ajfonin me programin kilometërmatës. Mbështetja prej dy minutash e gjoksit të saj të flashkët, mbi gjoksin e tij, i kishte kujtuar Naimit se ç'gabim të madh kishte bërë, por si Bredhishtar i vendosur dhe kokëshkëmb, ai nuk mund të tërhiqej. Disa muaj stërvitje në natyrë dhe aq. Fundja dhe një kampion i vendit në maratonë, me mbiemrin Memeci, nga Bredhishta pat qënë.












Kreu i tretë, ku tregohet loja e tenisit e Fiko Fufulinës

           

            Pasi kishte plotësuar 4 kilometrat e para, Naimi mendoi se ishte koha të trokiste në derën e Adhurimit dhe të pyeste si kishte ndodhur ajo gjëmë. Ishte ora 5 e mëngjesit, por nuk mund të priste më dhe vrapimi në unazën e shtruar me çakëll e kishte lodhur. Derën e hapi Refija dhe ai gjithë droje hyri në dhomën e ndenies, ku flinte vjehrra e Adhurimit. Pas pak, fqinji i përgjumur u bashkua me ta dhe Naimi i tregoi për ngjarjen e mesnatës.
            -Cudi- ngriti supet ai- vertet po më çudit...si ka mundësi? Pranimja s'ka as tre muaj që ka hyrë dhe i bëri një pastrim gjeneral apartamentit...pehhhhh...
            -E po si të të them Rimi- u gjegj i vënë në siklet mjeku- hyjmë nga ballkoni ta shohim se dera s'hapet. sa kohë ka Gurgullima që bën hidromasazh?
            -Hidromasazh?- ngriti supet Rimi- c'ne hidromasazh? Kush tha qe ben hidromasazh? ndoshta ta ka thene me te qeshur mbreme, se i shkon me mbiemrin Gurgullima -hidromasazh...e shikon si lidhet...hidromasazh- gurgullima- buzeqeshi i lehtesuar.

-Po ku je o Naim Hana, se të kam kërkuar në Karolinën e Jugut dhe të gjej në Bredhishtë!-sapo ishte ulur xhami i errët i një makine japoneze nga ato që në Amerikë i quajnë SUV ose në shqip Makinë me Veçori Sportive dhe u duk fytyra simpatike e Refik Fufulinës.
-Këtu më ke o kryetar-thirri i gëzuar Naim Hana-erdha të çmallem me tërë miqtë.
-Hajde hajde brenda të shikosh se kë kam-tha duke qeshur kryetari i bashkisë së Bredhishtës, duke hapur derën e pasme të makinës. Naim Hana zgjati kokën dhe dalloi flokët e verdha të Elian Ziles, tregëtarit të dëgjuar të bimëve mjekësore. U përqafuan me medicinalistin(kështu i pëlqente ta thërrisnin tregëtari Zilja)sa i lejonin ndenjëset e larta prej lëkure të makinës së kryetarit. E kishte njohur, kur Eliani ishte ndihmësfarmacist në spitalin e Bredhishtës. Tani kishte vite që merej me tregëtimin e salepit, ligavecëve, shalkave të bretkosave dhe mbase edhe me ndopak kanabis, si thoshin ziliqarët e Bredhishtës.
-Jam në Karolinën e Veriut, po nuk prish punë se nuk janë larg-tha Naimi ndërsa kryetari po drejtonte makinën jashtë qytezës. -Nga po shkoni, se s'dua të largohem për shumë kohë?
-Cdo mëngjes, në këtë orë bëjmë një ndeshje tenisi me Zilen. E kam shqepur, le të thotë.
Zilja tundte kokën duke buzëqeshur dhe nuk kuptohej, nëse ishte i gëzuar që shqepej nga Kryetari, apo thjesht se ishte në një makinë me të.
-Kemi bërë një fushë model në gjimnazi me fondet e Tenistëve pa Kufij dhe e përdorim vetëm dora jonë....le që kush do lozë tenis në Bredhishtë...Po ty si të kam? Si e kam zonjën Artemis?...akoma ashtu e bukur me atë gjoksin e gufuar?- vazhdoi Fiko Fufulina dhe u gajsa së qeshuri me hokën e tij. Zilja u gajas në ndenjësen e parë, kurse Naim Hana u skuq i gjithi...- Po jemi shokë o burr i dheut! u hodh menjëherë Fikua, që ndjeu se Hanës nuk i kishte pëlqyer kripa e shakasë...-Artemisin e kam patur si motër, në një gjimnaz." Naim Hana donte t'i thoshte që Bredhishta vetëm një gjimnaz kishte, por nuk foli, që mos dëgjonte edhe njëherë "po jemi shokë o burr' i dheut!".
Kishin arritur pranë rrethimit të fushës së tenisit dhe kryetar Fufulina duke zbritur, u dëgjua te fliste në telefon me zë të lartë:
-Hajde se kam në surprizë të bukur...jo jo...nuk është tavë kormine...nga ato kemi sa të duash...do e shohësh kur të vish në fusha...jo jo nuk është lojtar po do e bëjmë... për dy javë do jetë gati për katërshe...- dhe e mbylli celularin për ta futur në xhepin e pantallonave të bardha. Dukeshin të dy tamam sikur kishin zbritur të luanin në Uimbëëlldon. Edhe fusha, ndonëse jo me bar, ishte e niveluar dhe vizuar bukur. Në njërin fund, priste nje djalkë 6-7 vjec të cilit të dy lojtarët ju drejtuan gjithë dashuri duke i hequr nga një shuplakë përkëdhelëse bythkave dhe thirrur Aleksandri i Madh. I Madhi ju përgjigjej me fërshëllima të gjata bilbili të varur në qafë.
Filluan të luanin pasi këmbyen dy tre topa për "nxemje" dhe pas çdo pike dëgjohej bilbili i aleksandrit, që dukej se zyrtarizonte mbylljen e pikës apo lojëzës. Të dy vraponin vetë t'i mernin topat e tenisit, dhe Naimi kuptoi, që Aleksandri i Madh kishte thjesht rolin e fërshëllyesit. Fikua vraponte në çdo cep të fushës dhe herë herë nxirrte nga një "hu" të fortë, gjë që e bënte ndeshjen akoma më cilësore e të ngjashme me ato të turneve profesioniste ne tv.
-E shikon ç'po i punoj?- thërriste i gëzuar pas ndonjë gjuajtje në qoshe, ndonëse për mjekun Hana, po bëhej e qartë se Zilja luante më mirë. ai lëvizte pak dhe i drejtonte topat nçëpër këndet e fushës, sipas vedndodhjes të Fufulinës.
-Më duket se nuk e ke të lehtë me medicinalistin kryetar- i tha duke buzëqeshur, pasi Fikua kishte filluar të dërsinte pak si herët.
-...pyete pyete, si jemi për këtë muaj...le t athotë vetë...- u hodh Fikua dhe pasi pa që Eliani vazhdonte të buzëqeshte në mënyrë misterioze, vazhdoi-...nuk e kemi as të mjekësoreve tani se ka dy vjet që është bërë ndërtues...dhe vrapoi të ndiqte një top që përfundoi në këmbët e Aleksandrit të Madh. Ky i fundit, nuk kishte harruar të lëshonte fërshëllimën e zgjatur. Ndërkohë, pas rrethimit, u duk mbi biçikletë mjeku Ferid Hoti që u çudit kur pa ndanë fushës mikun e tij Hana.
-Nuk të vinte ndërmend hë qerrata?-u hodh Fikua, që sa kishte bërë një pikë duke pritur, një gjuajtje të lehtë të Ziles.
-Jo kryetar, surpize e papame!-dhe pasi ju hodh ne qafë Naimit, i pëshpërtiti-Fikua vdes për ca shprehje nga të kryeqytetit.
Fufulina u ngref, por i shpëtoi një top i lehtë dhe shau nëpër dhëmbë. Feridi u ul me Hanën dhe filluan të bisedonin për familjet e tyre , po Refiku nuk i la gjatë:
-Këtu de këtu shiko Ferro, se nuk të thirra të bësh llogje po të mësosh ca nga lëvizjet e Nadalit.
"Luajnë tre herë në javë dhe ndonjëherë, më thërresin edhe mua"i pëshpëriti doktor Bregu doktor Hanës"Zilja e le të fitojë shumicën e rasteve.
"E shoh"- itha nënzë Naimi"duket që kanë diferencë. Po pse e le, apo nga që është kretar?"
"Ka hallin e lejeve të ndërtimit. Sivjet po ndërton më shumë nga të gjithë në qytet."
Tinzari Zile, sikur të kishte kuptuar se c'pëshpëshnin dy mjekët, kishte filluar ta hidhte kryetarin lavrak, sa në një qoshe në tjetrën. Fikua gulçonte e po hubiste toruan dhe setin. Megjithatë, dukej që këmbët i mbanin akoma, ndoshta nga përvoja shumëvjeçare si valltar popullor. Në të ritë e tij, kishte shkuar deri në Festivalin Kombëtar si valleheqës i valles më të famshme popullore të zonës. Asaj të Osman Takës. Naimi ende kujtonte përdredhjet e hirshme të Fikos dhe skuqjen deri në rrëzë të veshit të vallembajtësit, i cili me një dorë duhet të përballonte lëvizjet nga më kundërrëndësoret, që kryetari i ardhshëm i Bredhishtës, i bënte nën tingujt e curles dyjare. Vajzat që ishin përreth losnin mendsh për Fikon, dhe ai më vonë do i dedikonte elektoratit femëror, fitoren e dytë në zgjedhjet vendore.
Edhe një fërshëllimë tjetër e Aleksandrit të madh dhe setin e parë e kishte fituar tashmë biznesmeni Zile. Duke ndruar fushat, Refiku duke marrë frymë me vështirësi, tha diçka për ardhjen e naimit, diellin që i binte në sy dhe këpucën e djathtë që i shtrëngonte. U betua për një fitore dërmonjëse në dy setet në vijim. Por dukej që Zilja ishte prekur rëndë në sedrën e ndihmës farmacistit nga dy mjekët, që ndiqnin me mosbesim ndeshjen dhe përbetimet e Fikos, vazhdonte të përdorte me shkathësi raketën e tenisit dhe t'i shpinte topat atje ku donte. Edhe fërshëllimat e aleksandrit të madh dëgjoheshin më të shpeshta e të zgjatura në fushën ku mbretëronin vetëm zhurrmat e goditjes së topit me raketë dhe fishkëllimat mbi asfalt të këpucëve të sportit NIKE të Fikos që nuk epej. Edhe një vërshëllimë e zgjatur bilbili dhe u dëgjua njëra nga këpucët NIKE që u përplas në bythkën e pambrojtur të Aleksandrit të Madh. Në kohën që i madhi ngrihej zgupthi në ajër e bilbili i kishte ikur nga goja e valëvitej i lirë, Fikos i kishin shpëtuar fjalët:
-E se na çave bythën me atë bilbil!...të dy mjekët u ngritën menjëherë të tmerruar e vrapuan t'i ndihnin të voglit, që po binte ngadalë poshtë, në sajë të forcës së rëndesës, që kishte mposhtur tashmë forcën e këmbës muskuloze të Fikos, por pa arritur në vendin ku Aleksandi pritej të binte, Fikua kishte reaguar me shkathësinë që zotëronte dhe e kishte pritur në duart e tij. I përkëdheli kokën Aleksandrit të befasuar nga goditja e tenistit, i fut edhe bilbilin në gojë dhee rivuri në pozicionin fillestar. Asgjë nuk kishte ndodhur. E si të mos votonin Bredhishtarët për këtë kryetar.



































Kreu i katërt, ku tregohet si bie në depresion Vasfiu.





Në atë çast, në qoshen e largët të rrethimit u shfaq duke hedhur hapat e gjata, me çizme të mbathura, kushëriri i Naimit nga fshati Klocë, Vasfiu. Nga pas e ndiqte duke ju marrë fryma, e shoqja, Themije Kloca.
            -C’kam marë vesh kushëri! C’ishte kjo hata!- filloi te thërriste Vasfiu, gjë që e detyroi Naimin të vinte gishtin mbi buzë. Fiko Fufulina i hodhi një vështrim të vëngër çiftit që posa kishte arritur pranë fushës së tenisit dhe i bëri shenjë me kokë Naimit, që ishte i lirë të largohej.
            Doktor Hana u përqafua me kushërinjtë dhe nën zë nisi t’i shpjegojë Vasfiut, që nuk ishte ndonjë gjëmë e madhe. Apartamenti do rregullohej së shpejti.
            -Tani të vemë ta rregullojmë!-thirri Vasfiu i vendosur dhe u nis drejt pallatit.Naimi bashkë me Themijen e ndoqën nga pas duke vrapuar. E arritën në dera e Adhurimit dhe te gjithë, sërish ndoqën rrugën dhome ndenie-ballkon-kapercim muri ndarës-ballkon-dhomë ndenie e apartamentit të mjekut, ku Vasfi Kloca mbeti i shtangur me krahët e hapura anash.
            -Vasfi, çke?-pyeti Naimi.
            -Po kjo qënka më shumë se hata…Kjo qënka katastrofë!! Si e kanë katandisur kështu- dhe filloi të shikonte i çakarritur suvatë e rëna dhe dërrasat e bufatura të dyshemesë- Ikë …ikë në Amerikë dhe lemë ta rregulloj unë këtë tragjedi…
            -Po prit mo Vasfi...Si të ikë Naimi, sa ka ardhur dhe s’jemi çmallur akoma-guxoi të theshte Themija.
            -Po nuk e shikon moj edpsëzkë,si është katandisur apartamenti? Po çmallet dot ai në këtë llahtarë?..Ikë kushëri dhe lemë kyçet!
            -Dale bre kusho, se s'nisem dot kështu pa ardhur mirë. Do merakoset edhe Artemisi me fëmijët ,le që duhet edhe të paguaj të ndroj biletën.
            Vasfiu e pa ngultas me sytë e tij jeshile dhe uli tonin.
            -C'ke ndërmend të bësh me këtë apartament? Shite...c'e mban kot!!!
            -Po dale se s'kemi hedhur gurë.Mbase kthehemi një ditë me plakën.
            -C'do bësh në Bredhishtë?!!! Ti ike tani që një e pjellë është një milion, e një abort kushedi se sa e do vish kur të jesh plakur?..Nisu...ik...ik dhe po qe s'e shet shtëpinë, lema mua të ta kumandar.
            -Mirë Vasfi, ty do ta le, po le të shikojmë çdo bëj këto tre javë-e mbylli paqësisht debatin mjeku dhe më pas shtoi-Të gjejmë ndonjë firmë ndërtimi të na bëjë një preventiv e të fillojë nga meremetet, pastaj, kur të ik unë ndiqi ti.
            -Firmë?...çe do këtë firmë...ata të marin tapinë e shtëpisë...të gjej unë ustallarë nga Kloca të ta bëjnë të re....ja t'i mar në telefon-dhe nxorri celularin Nokia e filloi të formojë një numur.
            -Prit o kusho mos u nxito-e ndërpreu Naimi-prit njëherë të shohim se c'mund të na thonë këta të firmave këtu, pastaj, po të jenë shumë të kripur, i bëjmë me ata të Klocës.
            Vasfiu e mbylli i pezmatuar celularin dhe pas disa sekondave heshtje shtoi:
            -Firmë?...s'kemi as Skënder Dojën se ka ikur në Tiranë...Elian Zilja mbetet më i sakti...
            -Do shikoj se mos punon akoma Lirim Soxhuku.Po qe se ai ka dalë në pension do takoj Teuta Barakun. Këtë të fundit e kam asistuar dy herë në lindje të vështira dhe e di që për mua bën të pamundurën.
            -Ti e di-vari buzët Vasfi Kloca dhe mori të kapërcente murin që ndante dy ballkonet -Lirimin mbase e gjen në bilardon e ndërtuesve, kurse për Barakun s'di ç'të të them.
            Naimi me Themijen i shkuan pas dhe u përballën sërish me vjehrren e Adhurimit, e cila nuk i ndante sytë nga fytyra e stërzgjatur e Vasfiut. Ky nuk e shihte po mbante sytë në tepsi të madhe bakëri, të varur si ornament në dhomën e ndenies. Filloi të rrotullonte sytë rreth anëve të tepsisë dhe më pas të njëjtën gjë po bënte edhe me kokë. Refija nuk hezitoi:
            -C'ke Vasfi, përse e rrotullon kokën?- por ai vazhdonte rrotullimin e ngadaltë pa kthyer përgjigje.Edhe mjeku u shqetësua. nuk e kishte parë ndonjëherë të kushëririn në këtë gjendje.
            -Vasfi ulu o xhan!- dhe e zuri për krahu ta shpinte në qoshen ndenjëse të lëkurtë. tjetri e ndoqi pa kundërshtuar dhe sytë i mbante vazhdimisht të ngulura në tepsia e madhe. Themija e ndoqi jo pa shqetësim dhe filloi t'i fërkonte damarët e qafës. Refija nxitoi të mbushte një kupë me raki mani dhe ja vuri para.
            -Nuk i bën mirë rakia-foli e shoqja-i rifilloi depresioni.
            -Kam unë ilace për tansionin- u hodh Refija dhe doli nga dhoma për të marë.
            Mjeku u shqetësua më shumë dhe pyeti:
            -Kur i është shfaqur? S'di të ketë patur depresion?
            -I filloi kur përsëriti Olsi klasën e tetë dhe ka tre vjet që herë e le e herë e ze.
            -Po është vizituar në Tiranë?
            -Po, po...i kanë thënë që duhet të pijë çdo ditë një gotë me lëng lule basani. Ka vënë edhe një medalion nga ato për syrin. Na i kanë sjellië nga Greqia.
            -Po mjekim tjetër nuk i dhanë?-vazhdoi me këmbëngulje Naimi, por e ndërpreu Refija qe hyri në dhomë me nxitim.
            -Të tansionit s'i gjeta, po kam nga këto kundër kapsllëkut dhe këto bëjnë mirë për çdo gjë.
            -Faleminderit Refije-tha mjeku dhe mori disa kokrra për të mos zgjatur debatet e kota.-Tani do shkojmë në spital dhe do shikojmë ç'duhet bërë...Ngrihesh dot Vasfi?
            Kushëriri filloi të ngrihej ngadalë, i ndihmuar nga mjeku dhe e e shoqja dhe dukej krejt i përhumbur. I ndoqi duke u çapitur ngadalë dhe pabëzajtur. Në shkallët u detyruan ta mbanin disa herë mos rrëzohej dhe kur dolën nga pallati hodhën sytë të shihnin ndonjë makinë . Vasfiu po jepte shenja rigjallërimi dhe foli:
            -Apartamenti...mos më largoni nga apartamenti...thërrisni ustallarët.-dhe perëndoi sërish sytë e u mbështet pas Themijes.
            -Ju prish terezia shumë nga shkatërrimet prandaj u bë kështu, e zeza unë.
            -Do i kalojë-u mundua ta qetësonte Naimi dhe i ngriti dorn një makine që po linte garazhin parafabrikat prapa pallatit. Djali i ri në timon ndaloi para tyre dhe nga xhami i hapur pyeti:
            -C'ka zotëria? I sëmurë?
            -Po. Na ndihmon ta shpiem në spital?
            -Hipni- nuk e bëri dy fjalën djaloshi dhe dy kushërinjtë së bashku me Themije Klocën u futën në makinën. që u nis rrëmbimthi drejt spitalit të Bredhishtës. Ndalesa, zbritja dhe gjithe veprimet e mëpasshme ishin të rrufeshme, tamam si i kishin hije një mjeku me përvojë si Hana. Bëhej fjalë për një gjendje jo të lehtë të kushëririt të tij, që ishte shkaktuar për shkak e vetëm për shkak të apartamentit të Naimit. Duhej një ndërhyrje e menjëhershme, që sëmundja të mos prekte Themijen dhe të tjerë të afërm të Hanajve dhe Kokorridhëve, që kishin mbetur në Bredhishtë.
            -Ka ardhur Feridi?- pyeti infermiere Zinan, që shtynte bashkë me të, shtratin lëvizës ku kishin shtrirë Vasfiun dhe njërën dorë  përkëdhelte shpatullat e Naimit.
            -Sa telefoni që po nisej nga gjimnazi. Për tre minuta është këtu. Të fillojmë analizat?
            -Nuk është nevoja për momentin. Të presim doktor Bregun.- dhe sëbashku me Zinan e futën Vasfiun e shtrirë në dhomën e mjekut Ferrid. Themija i fërkonte ballin pa ditur ç'ti bënte tjetër, por ai i mbante sytë mbyllur dhe kur i hapte nuk shihte kënd, vetëm i rrotullonte kokërdhokët në një mënyrë jo të rregullt. Askush nga të pranishmit s'mund të parashikonte në ç'pikë do nguleshin bebëzat e çelura të të sëmurit Kloca.














































No comments:

Post a Comment