Friday 27 December 2013

Biseda të pakryera me babanë (pjesë)

Unë- Më kujtohet rreth fundit të viteve ’60, kur shihja një fotografi të një grupi burrash e grash të veshur mirë para Pallatit të Kulturës dhe si gjithnjë të pyesja për emrat e tyre, kur të kam pyetur për Boris Plumbin, më ke thënë “është pianisti më i mirë në Shqipëri katrani, por ka ca avaze”. E kuptova, që nuk doje të më thoje më shumë dhe që nuk ishte diçka e lidhur me politikën. Vite më vonë, pasi kemi takuar përzëmërsisht Sokrat Mion diku afër Radios dhe ai gjysëm frëngjisht e gjysëm shqip, tregoi shkurt si po kalonte me “mon heritier”, kuptova se edhe pse përbuzje homoseksualizmin, nuk ishe “i ashpër” me homoseksualët. Ai- Duhet të dallosh dy gjëra thelbësore. E para është që në kohën e rinisë sime, homoseksualizmi konsiderohej si sëmundje dhe më rrallë si një praktikë perverte e njerëzve me “grykësi seksuale”. Borisin e kisha pasur bashkënxënës në Lice dhe edhe pse nuk shkëlqente në mësime dhe nuk rrinte me ne, ishte një njeri i mirë dhe shumë i edukuar. Në kohën që kam mësuar për devijimin e tij seksual, flitej që kishte qënë “viktimë“ e një pedagogu francez të pianos dhe kjo e shtonte keqardhjen, që ndienja për të. Ishte vërtet pianisti më i mirë në Shqipëri dhe po të kishte jetuar në vend tjetër do ishte bërë i famshëm. Gjithashtu Sokrati, ishte njeri shumë i kulturuar dhe i zoti. Ai kishte studiuar në Francë dhe për mua jeta e tij personale nuk më bënte përshtypje. Më tepër dalloja si negative, sjelljen e tij jo për tu admiruar me të vëllanë, profesorin tim të vizatimit, kur të dy punonin në Teatër. Vangjushi ishte mishërimi i artistit të shkëlqyer e të thjeshtë, që rrobtohej në punë për të përgatitur skenografitë e shfaqjeve, qëdrejtoheshin nga i vëllai. E dyta është, që në rast se homoseksualizmi nuk mund të kurohej, për mua dënimi me burg ishte jo vetëm i ashpër por dhe i kotë. Absurditeti më i madh ishte që në atë kohë, pedofilët dënoheshin gati njëlloj me homoseksualët. Ashpërsia ndaj tyre, që ishte shumë më e theksuar pas Luftës së Dytë, rridhte për mendimin tim, nga një trajtim i ashpër që ju bëhej në gjithë vendet komuniste. Edhe pse jo të pëlqyer nga populli, ata ishin pranuar më mirë në shoqërinë shqiptare të kohës së Perandorisë turke dhe në atë të Zogut. Korça ishte një qytet me numurin më të pakët, por duke qënë më “moderni” për kohën, kishte prirje të mos i “persekutonte” edhe pse mund t’i përbuzte. Unë- Ti kishe një lloj përçmimi për qytete si Kavaja e Elbasani, ku si flitej në atë kohë kishte një traditë të këtyre marëdhënieve. A nuk ishin ato qytete më pranë kulturës orientale të Stambollit? Ai- Nuk kisha përçim për to sepse nuk kisha jetuar në to e nuk i njihja mirë. Nëse vërtet si flitej, ato kishin pasur një “kulturë“të ashikëve dhe dylberëve, ajo nuk kishte të bënte me orientalizmin e Perandorisë turke dhe aq më pak me Stambollin. Si të kam thënë më parë, Stambolli ishte në kohën time një nga qytetet më të zhvilluar dhe më të bukur në botë. Elbasani, Kavaja, Durrësi apo edhe Tirana e vjetër nuk kishin asgjë të ngjashme me të. Unë- Në ndryshim me udhëheqjet e larta të BS apo vendeve të tjera satelite, tek ne nuk ka pasur homoseksualë. I vetmi i përfolur pas vdekjes ka qënë Enver Hoxha. A thua kjo përbën anomali? Ai- Në ato dy tre vjet, kur Enveri ka qënë pedagog në Lice, por edhe në vitet e pasluftës, unë nuk kam dëgjuar të flitej për biseksualizmin e tij. Ai njihej si burrë i pashëm, që kishte pasur plot historira dashurie në Korçë dhe menjëherë pas Luftësu martua me një grua të bukur. Për sa u përket të tjerëve, nuk ka përse të konsiderohet anomali mospasja e homoseksualëve në poste të larta. Edhe pse kjo pjesë e popullsisënë atë kohë në Europë ka qënë gjithnjë pranë të Majtës, ndoshta ka qënë rastësi që nuk kanë pasur karrierë të spikatur. Nuk besoj se ka qënë politika e kuadrit që ndiqte Enveri,për të mos pasur të tillë. Për të ishte e mjaftueshme t’i bindeshe verbërisht e t’i shërbeje pushtetit të tij personal. Të tjerat kishin pak rëndësi.

Saturday 21 December 2013

Ignorantus, Ignoranta, Ignorantum

E gjeta edhe një latinishtkë tjetër, edhe pse për të nuk kërkova shumë. E kisha dëgjuar ta përsëriste shpesh këtë shprehje të Molierit, babaj, kur fliste rreth shokëve drejtues të letërsisë e arteve në Korçë. E kam zakon, për t’ju bërë sa më shumë përshtypje miqve të mij të pakët të FB, në fillim gjej titullin latinisht dhe më pas mendohem se ç’mund të them rreth tij. E shoh që dita ditës edhe miqtë firojnë, e për këtë më kanë tërhequr vëmendjen që do më mbyllin llogarinë, nga Komiteti Qendror I Fejsbukut. Ndaj duhet të shkruaj më shumë për të mbajtur ata që kam dhe për të ndjellë ndonjë të ri. M’u duk e përshtatshme që ky titull mund të shkojë me gjendjen e elitës intelektuale në Atdhe. Vërtet po godas pak sis humë lart, se I njoh pak, por nisem nga ajo ç’kam kontrolluar kohë pas kohe në shtypin shqiptar(nuk kam kanale tv të vendit ku “më ka rënë koka”). Në përgjithësi më është dukur e mjerë, por kam gjykuar, që intelektualët e vërtetë, rrinë mënjanë dhe nuk humbin kohë të shkruajnë rreth problemeve kryesore të jetës së përditshme. Së fundmi kam gjetur një mënyrë më të thjeshtë. Lexoj ç’ka shkruan Klodi Stralla dhe komentet rreth shkrimeve të tij. Kam përmendur diku, që Klodi është nga më të kulturuarit që kam njohur. Inteligjent, njohës I disa gjuhëvetë huaja, I formuar në shkencat e sakta dhe mbi to edhe studim të ligjeve e shkencave shoqërore, ai përbën një pikë referimi për të parë se ku është niveli I atyre që kanë në kokë dhe nuk kanë frikë të thonë ato që kanë. E kam pasur zili kur e kam patur mësues për qartësinë dhe thjeshtësinë me të cilën I spjegonte dukuritë apo çështjet që lidheshin me fizikën. Me një bagazh të madh kulturor dhe me vite të tëra përvoje, Klodi mund të bëhet edhe një analist profesionist në Shqipëri. Gjithsesi, nuk mund të ketë analistë apo spjegues pa auditorin e tyre. Edhe Klodi ka të tijin në FB, të një larmie të pazakontë (të paktën për mua). Por kjo e bën më të lehtë të shoh se ç’mendojnë shtresa të ndryshme të shoqërisë shqiptare. Psh. Deri disa javë më parë, shkrimet e tij komentoheshin nga njëfarë Alfred Cako, ballist, botues e përkthyes, për të cilin mësova se kishte qënë dikur edhe deputet. Cako gjithashtu shkruan dendur në shtypin shqiptar dhe pavarësisht nga fantazitë e tij komplotiste, me Strallën këmbenin komente të mirëkuptimit intelektual e të respektit reciprok. Sigurisht, kjo dëshmon për frymën tolerante, megjithëse më duket se tolerance nuk vlen në diskutime rreth fushave të mendimit, e sidomos kur tjetri shkruan marrëzira. Më vonë vura re se edhe Klodi ishte një përkrahës I fshehur I teorive komplotiste, por kjo nuk e zbehte opinionin pozitiv që kisha për të. Dora dorës, ndjeva se turma e injorantëve që e duartrokiste në FB për shkrimet e tij, po e tëriqte edhe profesorin tim me vete. Shkrimet jo vetëm po bëheshin tepër subjective e të paskta, por në to mungonte ajo çka është në thelb të Klodit fizikan- njohja e lëndës para se të flasësh. Nën elozhet e komentuesve të dehur apo delirantë, të të shkolluarve që kanë mbyllur librat atë ditë që kanë marrë diplomën, e të korruptuarve që duan të paraqiten të ndershëm, edhe Klodi filloi t’ja “fusë p….kot!”. E megjithatë, një I diplomuar që nuk ka qënë kurrë gazetar e quante me ekzaltim analist të saktë dhe Klodi me modesti I shkruan , “ti je I zanatit”, gazetarit që nuk ka qënë kurrë I tillë. Në shënimin e tij të fundit rreth “fshehjes” së shoqërisë civile, ai shkruan si dikush që jo vetëm nuk njeh objektin për të cilin shkruan, por edhe që nuk njeh aspak shoqërinë në të cilën jeton. Detyrimisht mes turmës që e ndjek do krijohet iluzionet e tipit “Ah të kishim shoqëri civile!”, apo “S’na I kanë fajin vetëm politikanët! Edhe civilja ka pjesën e saj!”. Dhe më tej komentuesit(thuajse të gjithë me diploma universiteti) do debatojnë nëse kemi apo s’kemi apo e kemi fallco shoqërinë civile. Më vinte të klithja “O k…, ju nuk kini një institucion të saktë ku të përplasni kokën e kërkoni shoqëri civile!”. Por kjo do sillte sigurisht mbylljen e menjëhershme të llogarisë nga KQF dhe nuk do zbavitesha dot më në Fb. Po pse nuk del e shet në Pazar një kovë me pleh organik, por humbet kohën duke lexuar komentet e turmës Klodiane në Fb?- mund të më pyesni me të drejtë të dashur miqtë e mij të pakët. “Sepse bie shi dhe çmimi i benzinës është i lartë“- do ju përgjigjesha pa ju gënjyer.

Saturday 14 December 2013

Në fillim ishe B-ja (2)

(vijim) Përshtatja me shokët dhe shoqet e reja ishte e shpejtë. Gjysmën e klasës e përbënin nxënësit e Muzikës që kishin 8 vjet bashkë dhe për më tepër ishin të gjithë të hapur dhe me një shpirt disi rebel. Si duket gjatë përpilimit të listave të vitit të parë, Konomi, që na njihte mirë prej 8-vjeçare, kishte seleksionuar shëmbullorët dhe i kishte lënë Elit tërë “ngatërrestarët”. Shpejt, e urta Eli e kuptoi që kishte të bënte me një klasë “të paudhësh” të cilën hjo vetëm ajo, por do e kishin vështirë ta shtronin edhe pedagogët më autoritarë. Shpirti rebel i B-së, që u manifestua vrullshëm gjatë viti të parë, vazhdoi edhe në vitet e mëpasme në sajë të protagonizmit të Kozes, Katit, Dudit, Rozalinas,Gjekes, Qabit, Vironit e të tjerëve. Ishte shpirti i të panënshtruarve, natyra e vërtetë e të gjithë adoleshentëve në botë. Gjithnjë mua dhe Benit na mbeti peng që na hoqën nga ajo klasë. Ndjeheshim gjatë gjithë gjimnazit mirë me ta sepse kishim të njëjtat cilësi(për të mos thënë që ishim “kryetëpaudhë). Si ndodhte çdo fillim viti, në shtator bëmë zgjedhjet e Rinisë dhe si kishim bërë dhe herë tjetër, zgjodhëm në krye Vjollcan, e cila i përkushtohej asaj detyre, të cilës i shmangeshin të tjerët. Nga mesi i vitit bashkë me Benin u penduam dhe bëmë një përpjekje për “grusht shteti”, përpjekje që dështoi me sukses, në sajë të vigjilencës revolucionare të sekretarit të Partisë Andonaq Lubonja dhe sekretares së shkollës Ksena Lalazi. Për ata që nuk e dinë këtë komplot(dhe që janë shumica dërmuese) po them se si dy adoleshentë idiotë, unë dhe Beni në dimrin e 1974-ës, pasi studiuam statutin e BRPSH-së, menduam se mund të kërkonim një mbledhje të organizatës, ku pasi të kritikonim drejtimin e Vjollcas, të vendosnim në vend të saj një udhëheqëse më të moderuar. Profesor Andonaqi e dërmoi përpjekjen duke thënë publikisht frazën e tij të famshme(për ne që e komentonim duke u gajasur): “ A është Mara, një biçim maçok, që bashkë me disa shokë të tij do t’i kundërvihet si bllok pjesës së shëndoshë të organizaës së klasës. Po ne nuk do t’i leme…” Atë vit, morëm mësimin e madh që nuk mund të bësh dot asnjë komplot, nëse nuk ke përkrahjen dhe angazhimin e Partisë ose të organizatave të masave. Klasa e jonë ishte klasa me derën gati nënshkallë dhe ishte një lloj kabineti i thjeshtë i matematikës. Në mure binte në sy thënia e Marksit “Asnjë shkencë nuk mund të quhete përsosur në rast se nuk është në gjendje të përdorë matematikën” dhe mbi dërrasën e zezë nuk kujtoj nëse ishte Ramiz Alia apo ndonjë Biroist tjetër. Deri atë kohë vazhdonin fotot e një antari në çdo klasë. Më vonë, pas spastrimeve të shumta, kur u kuptua që shokët e Birosë nuk kishin garanci, portretet u zëvendësuan të gjitha me ato të sho Enver. (vijon)

Thursday 5 December 2013

Në fillim ishte B-ja

Shkrimi eshte nisur per ne Fb naj ka hollesi dhe komente te karakterit shoqeror te FB-se Nuk besoj se do i shpëtoj dot subjektivizmit apo vënies në qendër të vetvetes(komandoj vetvehten- ishte një shprehje e Dhori Kotmilos me të cilën gajaseshim), sepse ju ndodh të gjithëve, dhe është një mëkat , të cilin ma kini falur edhe më parë të dashur bashkëmoshatarë. Në gjimnaz mezi prisnim të hynim, se dukej që do fillonim jetën e panjohur të të rriturve me dashuriçkat, mbrëmjet e vallzimit, eskursionet jashtë qytetit, pirjen e duhanit dhe alkolit e të tjera gjëra të këndshme , por gjysëm të ndaluara në atë kohë. Nuk mund të bënim më shumë, se ato ishin kufijtë e jetës së gjimnazistëve shqiptarë. Ishte një lloj pragu i rëndësishëm, ku ato dukeshin më normale, edhe pse kishte mes nesh, që kishin filluar duhanin apo të putheshin me të dashurit apo të dashurat e tyre. Thuajse të gjithë, që mbaruam shkollën e Muzikës përfunduam një kat më poshtë në Themistokliu(kështu quhej shkurt shkolla e mesme “Th. Gërmenji”). Vetëm pak vetë shkuan nga Raqi, dhe disa vazhduan shkollat profesionale. E ruajtëm me të gjithë miqësinë e tetëvjeçares. Sikundër bëhej çdo vit, “kontigjentin” e Muzikës e ndanë në dy klasat A dhe B me përjashtim të Klea Miços dhe Irena Xhanes, të cilat për çudi përfunduan në C-ja. Atë vit filluan 5 klasa të para, me nxënës nga Naum Veqilharxhi, 24 Maji, Naim Frashëri, Asdreni, 7 Nëntori dhe nga fshatrat e rrëzës. Në klasa e I-B me mësuese kujdestare Eli Fundon, ishim nga Muzika unë, Beni Kallamata, Fredi Karanxha, Viron Cili, Ilir Joga, Kati Janua, Kozeta Kërënxhi, Dora Botka, Vjollca Koroveshi, Liri Golemi, Luljeta Prela dhe Vera Caci.(uroj mos kem harruar ndonjë). Kishte disa nga Asdreni- Gjergji Leka, Artur Orgocka, Rozalina Kodheli, Adelina Xhanari si dhe nga “Naim Frashëri” Fatmir Sokoli, Egla Vila dhe Qabi Mulla. Të tjerët ishin nga fshatrat(i kujtoj më tepër nga imitimet e Fredi Karanxhës) si Llambi Tollkuçi e Berti Kallçoja nga Polena, Spira Sidheri dhe një vajzë tjetër nga Boboshtica, Valter Muslli dhe Flamur Sala nga Mborja, Kristo Dhima dhe Dhimo Caca nga Floqi, Astrit Koçibelli nga Qatromi dhe Artur Rroshanji nga Bellovoda. Ishte dhe Agron Liçua, që vinte nga “shkolla “Clirimi i Kolonjës”. (vijon)

Tuesday 3 December 2013

3 dhjetor.

Duhet të ketë qënë 3 dhjetori i vitit 1970, kur kam hyrë për herë të parë në një apartament, në të cilin kam hyrë shumë e shumë e herë të tjera në vitet ’70 dhe ’80. Ishte ditlindja e një shoku tim të klasës, me të cilin prej asaj kohe na lidhi një miqësi shumë e ngushtë. E kujtoj mirë atë mbrëmje, se ishte e para herë, që shihja në një shtëpi tjetër, po aq libra sa ç’kisha në shtëpinë time e ndoshta edhe më shumë. Po mbase nuk ishin librat, që na bënë të ishim të pandarë. Shumë herë, nuk jemi në gjendje të kuptojmë përsenë e një lidhjeje të fortë në fëmijëri. Brenda klasës dhe mëhallës kishim shumë shokë, me të cilët kalonim pjesën më të madhe të kohës, por mes tyre veçohen shokë, me të cilët flet për gjithshka dhe që i quajmë shokë të ngushtë. Mu kujtua n këto ditë, ngjarjet e fëmijërisë, jo sepse po afrohej 3 dhjetori, por për një arsye tjetër, gati absurde. Rishfaqja e portretit të Enver Hoxhës. U mundova të kujtoj se kur kisha filluar të kisha dyshimet e para për të dhe pikërisht më shpunë në apartamentin plot libra të shokut tim. Duhet të them, që edhe pse nuk kam dëgjuar atje të flitet kundër Enver Hoxhës, pikërisht në atë ambjent, më liberal se shtëpia ime, kam ndjerë “opozitën” më të fortë ndaj sistemit. Në shtëpi, dëgjoja shpesh kritikat e babajt kundër aparatçikëve deri në nivelet e kryeministrit, por asnjëherë nuk kisha dëgjuar të shahej komunizmi apo Enveri. Babaj edhe pse i përjashtuar prej vitit 1950 nga Partia, kishte bindje të forta, se bota duhej të rregullohej dhe komunizmi mund ta bënte atë gjë. Por le të kthehemi në mjedisin liberal të shtëpisë të shokut tim. Ishin vitet më të mira, që kujtoj nga fëmijëria dhe adoleshenca. Në manjetofon dëgjonim Bitëllsat dhe këngëtarë të tjerë të huaj, gjë që vazhduam ta bënim edhe pas vitit 1973. Pikërisht atë vit, kur flisnim rreth goditjes ndaj Paçramit dhe Lubonjës, ai më tha që “Todit kot ja futën se është njeri i mirë“. E kuptoja, që këtë gjë e kishte dëgjuar nga prindrit, të cilët edhe pse antarë partie, nuk shiheshin me sy të mirë dhe njëkohësisht nuk e shihnin me sy të mirë udhëheqjen. Vetë ne ishim nga 14 vjeç dhe nuk mernim vesh mirë se ç’behej në dynja. Sigurisht nuk na pëlqente, që na detyruan të hiqnim antenat, por prapëseprapë, kanalet e huaja i shikonim dhe i komentonim gjërë e gjatë me shokët e besuar. Kështu vazhduan vitet e një lloj “kundërshtimi” të elementëve më bajatë të sistemit(aksioneve, punëve vullnetare, mbledhjeve të rinisë, formave të edukimit) pa pretenduar se ishim kundër komunizmit, por duke u formuar gradualisht si njerëz që nuk pajtohen dot me gënjeshtrën dhe hipokrizinë(që ishin në themel të asaj periudhe). Më vonë kuptuam më thellë se në ç’kohë jetonim dhe shkakun e të gjitha të këqijave. E megjithatë, unë nuk e kam harruar kurë atë bisedë të verës ’73, kur u mboll në mendjen time fara e dyshimit për udhëheqësin e lavdishëm. Faleminderit Beni! Edhe 100 vite të tjera!