Monday 31 January 2022

“Shtëpia e Lirisë“


“Shtëpia e Lirisë“ (Casa di Liberta) ka qënë një koalicion i qendrës së djathtë italiane e drejtuar nga Berluskoni prej vitit 2000 deri më 2008. Arriti të fitojë zgjedhjet e vitit 2001, por më pas pati një rënie kryesisht nga rënia e popullaritetit të Silvios dhe të partisë së tij “Forza Italia”. A ishte vërtet një “shtëpi e lirisë“ e drejtuar nga një politikan autoritativ si Berluskoni është një fakt shumë i diskutueshëm në Itali dhe gjetkë. Një nga udhëheqësit e saj kryesorë, Fini, u shkelmua jashtë politikës për gjithnjë, pas kontradiktave me “kavalierin”.

Më në fund kemi edhe ne një “Shtëpi të Lirisë“!

E formuar nga Berisha dhe Meta dy politikanët shqiptarë më liberalë të të gjitha kohëve! Eshtë qesharake të mendosh se si një njeri si Berisha, që vrau “lirinë demokratike” që në djep, kur sa ishte shpallur pluralizmi demokratik, të krijojë një “kasolle” ku të gëlojë liria. E njëjta gjë vlen edhe për Metën, që partinë e tij të etur për liri nuk mund ta linte as formalisht ta kryesonte tjetër njeri jashtë familjes.

Por le të mos e kuptojmë kaq ngushtë lirinë dhe le t’ju japim mundësinë të mbrohen Berisha dhe Meta duke thënë se ata janë për Lirinë e Tregut, Zgjedhjet e Lira, Lirinë e shtypit, Lirinë e ushtrimit të fesë dhe për Lirinë seksuale. Madje Monika Kryemadhi e ka shprehur edhe në një intervistë se marëdhëniet seksuale jashtëmartesore të Ilirit i bëjnë mirë se shton eksperiencën.

Se sa janë për Lirinë e Tregut të dy e kanë treguar në favorizimet e hapura që ju kanë bërë bizneseve të lidhura me ta; se sa janë për Lirinë e shtypit e kanë treguar në presionet ndaj mediave dhe në blerjet e tyre; se sa janë për zgjedhjet e lira edhe këtë ka 30 vjet që e dëshmojnë.

“Shtëpia e Lirisë“ është një emërtim për të fshehur emërtimin “Shtëpia e Saliut”, por edhe për ta mbajtur brenda familjes, sikundër Meta i la partinë Monikas.

Liri Berisha e ka dhënë miratimin të përdoret emri i saj me shpresë të mbrojë Zenin dhe Argitën nga ndonjë burgosje e mundëshme.

 

 

 

Ngjarjet në Shqipëri, shoqëria dhe mediat


A pasqyrojnë mediat zyrtare problemet e vërteta dhe të thella të shoqërisë shqiptare apo vrapojnë për të gjetur atë ç’ka bën më shumë bujë dhe ndiqet më shumë? Në se vërtet është e dyta faji është i gjithë shoqërisë shqiptare dhe jo vetëm i mediave, sepse ndjekin më shumë ngjarje jo të rëndësishme, të nxitura nga një kureshtje meskine. Po rendit më poshtë disa që më duken si problemet e mëdha të shoqërisë shqiptare, por që pasqyrohen pak ose aspak në media. Krah tyre po vendos ato që lakohen më shumë mes shqiptarëve.

Borxhi publik pranohet të jetë 80% e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto, ndërsa sipas llogaritjes së opozitës është rreth 92%.

Socialistët duan të venë në kontroll Federatën Shqiptare të Futbollit.

Një grua në Fier u gjend e vdekur nga e ftohta, sepse kishte kohë që i kishin ndërprerë energjinë elektrike, pasi nuk ishte në gjendje ta paguante.

Armand Duka ka përdorur fonde të FSHF-së për pularinë e tij.

Në Maliq këshilltarët bashkiakë votojnë kundër një pllake përkujtimore për viktimat e kampit të Vloçishtit.

Beatrix Ramosaj puthet me Donald Veshajn.

Qeveria shpronëson dhe prish shtëpitë e banorëve të lagjes “5 maji”.

Meta shpërndan dekorata në Korçë dhe në Durrës.

Lajmet me gërma “bold” janë disa nga problemet më kryesore të shoqërisë shqiptare, që lidhen me jetën e çdo familjeje, sepse borxhi i madh publik do të thotë që pensionet do mbeten të ulëta, arsimi dhe shëndetsia më pak e financuar etj; sepse vdekja e një gruaje nga e ftohta nuk tregon vetëm mizorinë e qeverisë, por të gjithë shoqërisë shqiptare; sepse mosrespektimi i viktimave do të thotë që historia mund të përsëritet një ditë; sepse tregon që qeveria miraton ligje për të dalë mbi njerëzit dhe jo për t’i shërbyer atyre.

Mendësia e shtrembëruar e shoqërisë sonë e treguar me gërma korsive ndjek më me kureshtje se kush do i fitojë milionat e FSHF-së; se sa para ka fituar Duka duke futur duart në arkën e FSHF-së; se ai puthi apo jo Veshaj Ramosajn; se a e meritonin dekoratën ata që u dekoruan nga Meta, me shpresë se mund të marrë ndonjë votë në zgjedhjet e pjesëshme.

Mediat janë në gjendja ta manipulojnë shoqërinë atëhere kur kjo e fundit fle, ndjek ngjarjet cic-mice dhe është ziliqare se kush i mori paratë dhe ku i prishi. Dhe kur “thika arrin në asht” zgjohesh dhe thua : “Po ne ishim duke ndjekur në tv Big Brother!”

 

 

 

 

 

Sunday 30 January 2022

Karvani i “lirisë“


Një karvan i madh me kamionë ka arritur dje në kryeqytetin e Kanadasë për të protestuar ndaj masave të qeverisë kanadeze për të detyruar shoferët që hyjnë e dalin nga Kanadaja në Amerikë të vaksinohen. Ngjarja ka bërë bujë në të gjithë botën, sa edhe të njohur të mij në Europë më pyesin nëse marr pjesë në “karvanin e lirisë“.

Edhe pse me këtë turmë shoferësh që shkojnë me kamionat e tyre për të protestuar në kryeqytet janë bashkuar shumë ekstremistë të djathtë, si dhe të bardhë racistë, nuk kam për të shkruar rreth tyre për të mos e politizuar protestën e shoferëve.

Le të ndalemi vetëm në çështjen nëse kanë të drejtë shoferët të jenë të lirë të mosvaksinohen.

Sipas parimit të njohur të lirisë “liria ime përfundon atje ku fillon liria e tjetrit” edhe “liria që kërkojnë shoferët ndal atje ku nis liria ime”. Dhe kjo ka të bëjë kryesisht me shërbimin shëndetsor që në Kanada është falas për të gjithë dhe nuk ka as alternativë private si mund të ketë në shumë shtete të tjera.

Për shkak të rritjes së numurit të të infektuarve nga variant i fundit i Covid-19 (omikron), spitalet në provincat kryesore të Kanadasë janë të mbingarkuar. Pjesa më e madhe e të sëmurëve me Covid janë të pavaksinuarit dhe mbi 60% e atyre që përfundojnë në reanimacion janë po të pavaksinuarit edhe pse përbëjnë vetëm 20% të popullsisë. Për shkak të mbingarkesës shtyhen vazhdimisht operacionet dhe shërbime të tjera mjekësore. Për shkak të mbingarkesës edhe shërbimi ndaj të sëmurëve të tjerë jo me Covid nuk është i njëjtë.

Me të drejtë unë si qytetar kanadez mund të thërres se po cënohet liria ime për të marrë shërbimin shëndetsor adekuat dhe kjo bëhet nga të pavaksinuarit. Me të drejtë unë si qytetar kanadez mbështet qeverinë (edhe pse nuk kam votuar për partinë në fuqi) në rregullin që detyron shoferët e kamionëve të futen për dy javë në karantinë si kthehen nga Amerika. Eshtë një rregullo që aplikohet për të gjithë dhe s’ka pse nga kjo të përjashtohen shoferët e kamionave.

Kundërshtarët e qeverive dhe përkrahësit e flakët të lirisë së individit mund të thonë se rregulli i vënë nga qeveria kanadeze nuk ka bazë shkencore, se cënon liritë themelore e të tjera argumenta si këto. Dhe ndoshta një pjesë e mirë e rregullave të vendosura mund të jenë edhe disi arbitrare, por në situatën e një pandemie të panjohur dhe të një shkalle të jashtëzakonshme do ketë edhe rregulla të gabuara dhe jo efikase.

Por nëse ti si shofer kamioni shkon në një vend ku numuri i të infektuarve është më i madh (në këtë rast Amerika), nuk është e panatyrshme të infektohesh më lehtë se në Kanada ndaj edhe karantina nuk është një masë e çmendur edhe pse të le dy javë pa punë. Ti ke zgjedhur lirinë tënde të mosvaksinimit dhe shteti nuk e gjykon se duhet të të detyrojë të vaksinohesh, por do të izolojë përkohësisht që të mos cënosh lirinë e marrjes së shërbimit të nevojshëm shëndetsor të të vaksinuarve.

Ndaj “karvani i lirisë“ është “karvan i anarkisë“ për të mos e quajtur “karvani i injorancës arrogante”.

Saturday 29 January 2022

Skëndi Markoja dhe këneta e Maliqit


Të pakët janë ata që e kanë njohur Skënder Markon, ose Skëndin. Ose më mirë duhet të them se shumica e atyre që e kanë njohur tashmë kanë vdekur. Pat lindur në një familje në gjendje të mirë ekonomike dhe gjithashtu në gjendje të mirë  ishin dhe dajllarët e tij nga familja Canco, që kishin në Tiranë librarianë e njohur “Argus”. Ashtu si të vëllezërit edhe Skëndi ndiqte Liceun Francez dhe ishte mbështetës i antifashistëve gjatë luftës. Edhe futbollist shumë i mirë i “Skënderbeut”.

Kështu deri sa filluan punimet për tharrjen e kënetës së Maliqit, ku e caktuan të punonte si llogaritar. Llogaritar në kampin e tmerrshëm të Vloçishtit, që drejtohej nga një korçar me të njëjtin mbiemër, por që nuk kishte lidhje me familjen e Skëndit. Pas dy viteve punë dhe pasi kishte parë me sytë e tij se ç’ju ndodhte të njohurve dhe të panjohurve në atë skëterrë balte dhe të ftohti, pa qënë në gjendje të fliste më kërkënd, Skëndi ra në një depresion të thellë, që nuk ju nda deri në fund të jetës. Në ditët e tij më të mira dilte i vetëm në trotuaret e Korçës dhe ecte duke i parë njerëzit me frikë dhe dyshim. Nuk fliste me njeri. Ditët e fundit të jetës i kaloi në një azil në Shkodër.

Nuk di pse sa herë lexoj për kampin e Vloçishtit dhe tharrjen e kënetës së Maliqit mendja më shpie në sytë e trembur të Skëndit. Më duket se atje shoh të vërtetën e tmerrshme të pasluftës dhe mizorinë e pjesës më injorante dhe të egër të shoqërisë shqiptare.

Dje lexova se këshilltarët e bashkisë së Maliqit kishin hedhur poshtë propozimin për të vendosur një pllakë përkujtimore për ata që vuajtën gjatë tharrjes së kënetës. Justifikimi kishte qënë “se mes tyre kishte pasur edhe sabotatorë!”

Për një pjesë të shoqërisë shqiptare nuk janë të mjafta vuajtjet e atyre që humbën jetën atje, nuk janë të mjafta vuajtjet e familjeve të të persekutuarve të Vloçishtit për 40 vjet të tjera, nuk janë të mjafta edhe tmerri që përjetuan antifashistët që panë se si trajtoheshin njerëzit në atë kamp. Nuk kanë as më të voglën mirësi për të vendosur një pllakë përkujtimore, kur në atë vend duhet ngritur një monument madhështor kushtuar viktimave.

Lajmi nuk zinte vend as në mediat kryesore, të cilat merren e stërmerren me Federatën e Futbollit, duke anashkaluar këtë problem të madh të shoqërisë shqiptare që është:

Vazhdimësia e kulturës diktatoriale komuniste.

Friday 28 January 2022

Interesantja tragjike e “Interesantit”


Në shkurt të vitit 1944 u pushkatua Ramize Gjebrea, komuniste dhe pjesëmarrëse aktive në Luftën Nacional-Çlirimtare. Ka qënë një histori shumë e natyrshme për forcat antifashiste në Europë, por jo për Shqipërinë, që shpuri në dënimin me vdekje të Ramizesë dhe më pas në vetvrasjen e Zaho Kokës. Pseudonimi i saj i ilegalitetit ishte “Interesanti”.

I kam ndjekur me vëmendje shkrimet rreth gjyqit partizan ndaj Ramizesë dhe Zahos edhe për një arsye tjetër veç kureshtjes për një ngjarje të Luftës Botërore. Në të ka qënë i përfshirë një miku i familjes, i ndjeri Lefter Kasneci, të cilin e kam takuar disa herë në periudhën 1972-1978 dhe kam krijuar një përshtypje shumë të mirë për të.

Duke u kthyer në ngjarja e njohur për gjithë ata që ndjekin shkrimet rreth luftës së dytë në shtypin shqiptar, po e përmbledh shkurt që Ramize Gjebrea pat rënë në dashuri me Zaho Kokën dhe duke qënë se ishte e fejuar me Nako Spirun, gjyqi partizan e dënoi me pushkatim dhe e ekzekutoi. Nuk vendosi në të njëjtën mënyrë për Zahon duke dëshmuar mentalitetin patriarkal të shoqërisë shqiptare dhe në këtë rast edhe të komunistëve shqiptarë.

“Gjellavitësit” e teorive komplotiste edhe pse kanë pasur përpara mjaft dokumenta shkruajnë se komunistja Ramize Gjebrea u dënua me porosi të emisarëve jugosllavë Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha, pasi ajo ishte përkrahëse e zjarrtë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, pasi kishte nënën kosovare dhe e kishte shprehur disa herë hapur!

Po ç’ishte shoqëria shqiptare e kohës së luftës dhe a ekzistonte një kod moral, të cilin duhet ta ndiqnin partizanët?

Komunistët shqiptarë vinin nga një shoqëri patriarkale me një kod moral shumë strikt. Nuk ngjasonin as me komunistët e Polonisë, Rumanisë apo Jugosllavisë dhe partizanët e tyre. Për më tepër forcat kolaboracioniste shqiptare, por edhe Balli Kombëtar propagandone se në Frontin e drejtuar nga komunistët po ndodhte një shthurrje morale e të rinjve për shkak të pjesëmarrjes së vajzave dhe grave në luftë. Edhe një nga mendjet më të përparuara të kohës, Mit’hat Frashëri kishte deklaruar disa herë që pjesëmarja e femrave në luftë është në kundërshtim me traditat morale të shqiptarëve. Në çetat e Ballit nuk kishte luftëtare femra. Kjo ishte arsyeja që drejtuesit e Frontit kishin përcaktuar rregulla të forta të moralit dhe ndëshkime të rënda për to.

Që Ramizeja kishte rënë në dashuri me Zahon ishte gjëja më e natyrshme në botë edhe pse ishte e fejuar me Nakon. Në kushtet e luftës, kur ekzistenca e vetë qënies vihet në rrezik është e njohur prirja për tu dashuruar apo edhe për të kryer marëdhënie seksuale më shumë se në kushte të zakonshme. Por po aq I natyrshëm ishte reagimi I partizanëve që nuk e pëlqenin këtë marëdhënie. Vinin nga një shoqëri ku nderi, sidomos I femrave ishte shumë i rëndësishëm dhe për më tepër bëhej fjalë për dikë që ishte e fejuar. Në “denoncimet” e tyre nuk ka asgjë që lidhet me intrigën, me dëshirën për të bërë karrierë apo me plotësimin e dëshirave të emisarëve jugosllavë. Të dehur nga një dashuri e fortë edhe dy partizanët e rinj të dashuruar patën kryer veprime që binin në sy të të tjerëve, përfshi këtu edhe të fshatarëve të bazave ku rrinin. Kishte ndodhur gjëja më e natyrshme në botë në kushtet kur jeta përballet me rrezikun e përditshëm të vdekjes.

A ishte terrorist vendimi i gjyqit partizan? Ishte terrorist dhe jashtëzakonisht i njëanshëm. Ishte terrorist sepse donte të fuste frikën tek partizanët e tjerë të cilët natyrshëm hynin në lidhje dashurie me shoqet e tyre partizane apo me vajzat në fshatrat ku strehoheshin. Ishte njëkohësisht tmerrësisht i padrejtë sepse Zahon jo vetëm nuk e dënuan, por nuk e përjashtuan as nga rradhët e ushtrisë, por e transferuan në një formacion tjetër partizan. I vrarë shpirtërisht nga humbja e të dashurës dhe me ndjenjën e fajit, Zaho Koka gjatë një beteje sulmoi më këmbë me një dëshirë të hapur për tu vrarë në luftë.

Duke patur të gjithë elementët që kërkohen edhe sot në veprat letrare dhe filmat: dashuri, vrasje të heroinës, seks, gjyq dhe kallzime, tragjedia e Ramizesë vazhdon të ngjallë interes edhe të madh edhe pas gati 80 vjetësh. Eshtë një ngjarje që ve para gjyqit moral jo vetëm komunistët, por të gjithë shoqërinë shqiptare që denigronte dhe ndëshkonte pa mëshirë vajzat dhe gratë. Veprime të ngjashme kriminale kryen më vonë nacionalistët e Mirditës ndaj atyre që kanë hyrë në histori si “Heroinat e Mirditës”. Tek komunistët ky faj moral është edhe më i rëndë  dhe dëshmon edhe hipokrizinë e tyre sepse si përfaqësues të së majtës, të progresit të shoqërisë dhe të liberalizmit duhet kishin mbajtur tjetër qëndrim ndaj asaj çka ndodhi në Bregun e Vlorës gjatë shkurtit 1944.  

Thursday 27 January 2022

Miti i mbrojtjes së çifutëve nga shqiptarët


Qysh prej rrëzimit të Diktaturës, nisi të qarkullojë në Shqipëri një fakt historik i paanalizuar mirë, se populli shqiptar i mbrojti dhe nuk i dorëzoi çifutët, që ishin në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Diktatura e Hoxhës, e cila kishte një makinë të tërë propagandistike për të bërë “mizën buall” nuk e kishte përmendur këtë fakt sepse marëdhëniet me Izraelin ishin të këqija, për shkak se shteti i çifutëve konsiderohej prej saj si vegël e amerikanëve. Nuk më ka qëlluar të lexoj ndonjë studim serioz rreth këtij fakti historik, i cili për qëllime propagandistike duket se është kthyer në një mit, që dëshmon se sa tolerantë, humanitarë dhe të besës jemi ne shqiptarët.

Të lindin shumë pikpyetje në kokë. Një prej tyre është se si është e mundur, që për përfitime materiale ne shqiptarët, që spiunuam njëri tjetrin gjatë Diktaturës falas, nuk e bëmë këtë për çifutët gjatë luftës? Po shqiptarët kolaboracionistë, të cilët spiunonin tek pushtuesit shqiptarët antifashistë si u ndalën para tundimit për të kallzuar ku fshiheshin hebrejtë? Pse nuk pati në rradhët e lëvizjes antifashiste shqiptarë të origjinës hebre, sikundër në gjithë Europën?

Një nga përgjigjet, e cila nuk i përgjigjet plotësisht pyetjeve është se komunitetet çifute në Shqipëri ishin shumë të pakta dhe me një numur të kufizuar familjesh. Kishte bashkësi të vogla vetëm në Durrës, Tiranë dhe Vlorë, familje të cilat nuk kishin më shumë se 50-60 vjet të vendosura në Shqipëri. Në Korçë ishte vetëm Doktor Kalmari me gruan dhe të pakta duhet të kenë qënë edhe familjet në Berat, Elbasan dhe Shkodër. Shqipëria ishte një vend i varfër, me qytete të vogla dhe me porte e tregëti të pakët, cilësi jo shumë të pëlqyeshme për ngulimin e hebrenjve. Në kulmin e zhvillimit ekonomik të Korçës, në vitet ’20 të shekullit të XX-të, nuk pati asnjë vendosje të familjeve çifute edhe pse në Selanik atë kohë jetonin mbi 80 mijë të tillë. Dhe Korça ishte qyteti më i madh dhe më i zhvilluar i Shqipërisë në atë kohë.

Që një numur jo i vogël hebrejsh të Ballkanit, kryesisht nga Bosnjë-Hercegovina shkuan drejt Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, ky është një fakt. Ishte një vend i më i sigurt për ta dhe për të parë mundësitë për të shkuar në vende më të sigurta jashtë Europës. Për shkak të numurit të vogël të popullsisë hebre dhe qëndrimit të Italianëve deri në shtatorin e vitit 1943, nuk kishte persekutime ndaj tyre. Pra periudha në të cilën mund të përndiqeshin dhe dërgoheshin në kampet e përqëndrimit ishte ajo prej 13 muajsh nga tetori i vitit 1943 deri më 1944. Por kjo është një periudhë e çuditshme nga ana politiko-juridike se gjermanët edhe ishin në kontroll të vendit, porn jëkohësisht pretendonin se respektonin neutralitetin e shtetit shqiptar. Ndaj nuk kishte ende “gjueti të hebrenjve” ndërsa shumë nga shqiptarët në pushtet përfitonin nga rryshfetet e mëdha për të lejuar familje çifutësh të qëndronin pa u prekur në Shqipëri ose të pajiseshin me dokumenta për të shkuar gjetkë.

Pa dashur të minimizoj ndjenjën e një pjese të mirë të popullsisë shqiptare për të mbrojtur njerëzite përndjekur, duhet përmendur se edhe në vendet me bashkësi të mëdha hebrejsh, reagimi i popullsisë vendase ka qënë i ndryshëm. Nëse grekët e Selanikut luajtën një rol negativ në persekutimin e hebrejve, të cilët ishin edhe të shumtë dhe ekonomikisht të fuqishëm, nuk ndodhi e njëjta gjë me grekët e Athinës, të cilët ndihmuan në shpëtimimin e qindra familjeve hebre, të cilat u përzjenë me popullsinë vendase.

Në këtë ditë të nderimit të viktimave të Holokaustit, genocidit më të madh që njeh historia botërore, ne vërtet ndjehemi krenarë që kemi shpëtuar jetë njerëzish, por duhet edhe me modesti të kuptojmë se pse dhe në ç’masë ishte altruizmi jonë.

Nuk mundet që grupe shqiptarësh, të cilët vranë njëri tjetrin gjatë viteve të Luftës së Dytë të kishin altruizëm të tillë për “t’i rënë gjoksit” se “ne i shpëtuam hebrejtë duke rrezikuar kokën!” Nuk ka asnjë rast të ekzekutimit të një shqiptari apo burgosje të tij se fshehu hebrejtë gjatë 13 muajve , kur gjermanët ishin të pranishëm në Shqipëri. Ose nëse ka pasur të tillë, historiografia komuniste e ka fshehur këtë fakt për arsye të pakuptueshme në të njëjtën kohë kur botonte “Ditari i Ana Frankut”, “Valë të nxehta në Berlin” dhe dhjetra libra të tjerë që dëshmonin krimet e nazistëve ndaj hebrejve.

Me kohën (Leo Ferre - "Avec les temps")

Me kohën

Me kohën që shkon, çdo gjë tej mbërrin.

Harrojmë fytyrën, harrojmë dhe zërin

Zemra që fort rreh më nuk ja vlen

Shiko më tej, le të ikë se gjë s’të gjen.

 

Me kohën,

Me kohën që shkon, çdo gjë shkon tej.

Ajo që doje, që në shi e kërkoje

Ajo që shquaje me një të vetëm shikim

Pas fjalëve, pas rrjeshtave, pas të sajit trukim,

Një betim solemn për një natë të bukur,

Me kohën si çdo gjë është zhdukur.

 

Me kohën,

Me kohën që shkon, çdo gjë shkon tej

Dhe mbresat e shtrenjta, që të lanë portretet

Në një galeri, zhbiruar me sytë e vdekjes

Të shtunën në mbërmje kur ngrohtësia të le.

 

Me kohën,

Me kohën që shkon, çdo gjë shkon tej.

Për atë që besoi në lëngimi, në asgjëja,

Për atë që e la erën, la dhe perlat,

Për atë që shpirtin shiti për dy aspra

Para ç’ka heqim zvarrë si bushtrat e ngathëta,

Me kohën vjen në dinë,  tretet larg.

 

Me kohën,

Me kohën që shkon, çdo gjë shkon tej.

I largon dëshirat, dhe nga zërat largohesh

Ato të gjorat që të pëshpërisnin me zell

Mos u kthe vonë dhe kujdes mos ftohesh.

 

Me kohën,

Me kohën që shkon çdo gjë shkon tej.

Dhe ndjehesh i zbardhur si një kalë plak,

Dhe ndjehesh i ngrirë në të rastësisë shtrat,

Me vetminë pranë, por dhe pak rehat,

I mashtruar nga vitet e ikura aq larg,

Me kohën dashuria aq e pat.

 

 

 

 

 

Wednesday 26 January 2022

Krahasimet naïve me Konferencën e Mynihut


Ukraina është kryefjala e lajmeve gjatë dy javëve të fundit. Konflikti i mundshëm ushtarak si rrjedhojë e përpjekjeve të Rusisë për ta pushtuar ka arritur deri në tronditjen e bursave botërore. Analistët në botë parashikojnë gjithë skenaret e mundshëm, deri në një Apokalips bërthamor. Sigurisht që nuk mund të mbeten pas edhe analistët tanë, si dhe fejsbukist-ët. Thuajse të gjithë me kompetencë dhe siguri spjegojnë se cilat janë shkaqet dhe se si mund të rrjedhin ngjarjet në Ukrainën e largët dhe jo shumë të njohur për shqiptarët.

Ka prej tyre që krahasojnë Putin me Hitlerin dhe situatën e tanishme të përpjekjeve diplomatike përpjekjet e Çambërlen për të evituar një luftë botërore në vitin 1938. Ngjarja që mbylli përpjekjet diplomatike të kryeministrit anglez ishte Konferenca e Mynihut me pjesëmarrjen e Gjermanisë, Anglisë, Francës dhe Italisë, që i dha Gjermanisë paqësisht krahinën e Sudeteve të Çekosllovakisë. Historianët amatorë të Facebook përcaktojnë qartë Bajden në rolin e Çambërlen, Putin në atë të Hitlerit dhe gjermanin Sholc në rolin e Musolinit.

Edhe pse në histori ka raste të përsëritjeve të ngjashme (jo identike) përsëri krahasimi me Mynihun është jo vetëm naiv, por edhe shumë larg realiteteve kohore.

Në skenë janë Shtetet e Bashkuara, shteti me potencën më të madhe ekonomiko-ushtarake që ka njohur deri më sot historia e Njerëzimit.

Jo vetëm që Amerika e sotme nuk mund të krahasohet me Anglinë e viteve ’30, por as Rusia e sotme nuk mund të krahasohet me forcën ekonomiko-ushtarake të Gjermanisë të kancelarit Hitler. Politika e dështuar pacifiste e Nevil Çambërlen kishte jo vetëm dëshirën për të mos u derdhur gjak anglezësh në një konflikt të ri botëror, por edhe përpjekjen për të fituar kohë për t’u armatosur më mirë. Amerika dhe NATO-ja nuk kanë nevojë të armatosen më mirë se sa janë.

Putin nuk ka ambiciet e Hitlerit jo se është më i mirë apo më racional, por se nuk ka nga pas as ekonominë e fortë gjermane të kohës së revanshizmit gjerman dhe as makinën e tij ushtarake. Në “pokerin” e tij për t’u pasuruar personalisht dhe për të fuqizuar Rusinë, bllofet për sulme ndaj Ukrainës i vlejnë pët ligjëruar pushtimin e Krimesë dhe për të lehtësuar sanksionet ekonomike që i ka vënë Perëndimi. Më shumë se një përballje me NATO-n, ai ka problem fuqizimin e opozitës brenda Rusisë, një problem të cilin Adolf Hitler nuk e kishte në vitin 1938.

Po a është e rëndësishme të sqarohet se ç’ishte Konferenca e Mynihut dhe krahasimi që bëjnë me situatën e sotme analistët profesionistë dhe amatorë?

Eshtë sepse Mynihu ishte prologue i katastrofës më të madhe njerëzore, që ishte Lufta e Dytë Botërore, ndaj dhe “krahasimi naiv” i njerëzve ogurzinj duhet kundërshtuar.

Nuk ka për të patur një Luftë të Tretë Botërore!

Ta bëjmë Shqipërinë si Zvicra!


Endrra për të bërë Shqipërinë Zvicrën e Ballkanit është e hershme. Ndoshta lidhet me terrenin e thyer të të dy vendeve, me blegtorinë e zhvilluar, me numurin e popullsisë apo me përpjekjet për të prodhuar sahatë. Por ëndrra e përkundur gjatë Rilindjes u zbeh për shkak të largimit gjithnjë e më të madh të shoqërisë shqiptare nga ajo zvicerane. Tani “Ram Rilindja” po e gjallëron me futjen e Këshillimit Kombëtar, një proces që sipas tij do sjellë bashkëqeverisjen me qytetarët ose demokracinë e drejtpërdrejtë.

Konfederata e Zvicrës është një nga vendet më demokratike në botë dhe i vetmi vend i zhvilluar me demokraci të drejtpërdrejtë. Njëkohësisht i ndërtuar edhe si shtet federal ka në themele fuqinë e vendosjes së kantoneve dhe shumë pak pushtet të Bernës. Ndryshimi me Tiranën dhe pushtetin e saj është i pakrahasueshëm. Por ajo që e bën më demokratik dhe që zbret pushtetin tek qytetarët e thjeshtë të Republikës është forca e referendumeve. Në Kushtetutën zvicerane parashikohet që referendumet rrëzojnë ligjet e miratuara nga parlamenti i vendit. Dhe referendumet janë një dukuri e përhershme e jetës atje. Vetëm vitin e kaluar pati 4 referendume në nivelin federal, pa llogaritur ato në nivelet e kantoneve.

Po a mund të zëvendësojë Këshillimi i Ramës referendumet dhe të na bëjë të ngjashëm me shoqërinë zvicerane?

Dyshimi i parë të lind duke njohur Ramën si një udhëheqës autokrat, gjë për të cilën bashkohen edhe vëzhguesit e paanshëm ndërkombëtarë. E megjithatë le të ëndërrojmë pak me sy hapur, se pas 8 viteve në krye të qeverisë dhe 16 viteve në krye të PS-së, autokrati ka patur një shok psikologjik dhe ka menduar se është më mirë të qeverisë bashkë me popullin.

Po a ka ndonjë vlerë ligjore Këshillimi Kombëtar?

Asnjë!

Formulari i KK është i ngjashëm me pyetësorët që bëjnë gjithë partitë në botë për të parë se ku qëndron elektorati i tyre në çështjet e rëndësishme të vendit.

Referendumet janë krejtësisht të ndryshëm nga sondazhet sepse edhe nëse propozohen nga partia në pushtet, organizohen nga institucione të paanshme, kanë marrë edhe garancinë e pjesëmarrjes së opozitës dhe palëve ju jepet mundësia të zhvillojnë fushata pro ose kundër tyre.

Edhe nëse një pjesë e madhe e popullsisë do plotësojë formularët, ato mbeten nën kontrollin e Edit dhe me to ai mund të bëjë ç’të dojë deri në zhgarravinat e tij artistike gjatë mbledhjeve dhe takimeve zyrtare.

Këshillimi Kombëtar është demagogji e pastër e një politikani, që ëndërron të jetë Diktator deri sa të mbyllë sytë duke i thënë popullit: “Jeni ju pa jemi ne, se nuk jemi Koka e Zeusit domethënë!”

Tuesday 25 January 2022

Lali me “bole hekri”


Për të mos e ngatërruar me Lal Hekrin (rahmet pastë!)i cili ishte një funksionar i lartë në dhjet[vjeçarin e fundit të Diktaturës, bëhet fjalë për Lal Erin, kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Këtë punën e boleve metalike, Erion Veliaj e ka thënë me mburrje në një mbledhje të një shoqate rajonale futbolli.

Po a është lindur me “bole hekri” Erion Veliaj apo ato i janë kalçifikuar gradualisht gjatë viteve që merret me politikë?

Për të bërë më të qartë këtë shprehjen “maçiste” të boleve të forta, e cila nuk përdoret vetëm në Shqipëri por në shumë vende të botës, themi se ka të bëjë me personazhe trima, që nuk e bëjnë fjalën dy, që kanë integritet edhe kur vihen përballë pushtetarëve apo edhe kriminelëve dhe janë në gjendje të marrin vendime që mund t’ju cënojnë karrierën, finanacat personale dhe deri edhe jetën.

A ka ndonjë lidhje me anatominë apo me fiziologjinë e meshkujve burimi i kësaj shprehjeje? Nuk besoj se ka, por ka mbetur e tillë dhe shpesh herë lidhet me madhësinë e testikujve dhe më shpesh me fortësinë e tyre. Lali Eri për të entusiazmuar dëgjuesit ka përdorur fortësinë e metalit.

Nëse ka ndonjë kafshë të anëve tona me të cilën mund ta krahasoja Erion Veliajn, personalisht do zgjidhje nuselalen. Elegant si ajo, në përgjim për prenë dhe dinak, Veliaj është i prerë për të goditur viktima budallaqe si pulat. Por nuk ka të dhëna se nuselalja shquhet për trimëri apo për koqe të forta.

Vetë Veliaj e ka pranuar se ka lindur në një familje tepër modeste dhe ka patur një rini po aq modeste deri sa nisi të merrej me lëvizjen “Mjaft”. Me një servilizëm të pashoq ndaj Ramës, ai arritit të bëhet pjesë e Partisë Socialiste dhe të zgjidhet edhe kryetar i Bashkisë së Tiranës. Por edhe pse i veshur me pushtet dhe i pasuruar vetëtimthi, ai jo vetëm mbeti më i përuluri para kreut të PS-së, por si duket edhe në një foto të viteve të fundit edhe ndaj Ilir Metës.

Më shumë se një maço me “bole hekri”, Lali Eri duket si dikush që përulet para “forcës së parave” të Like Floririt. Por të tillë janë gjithë “bythëlëpirësit” në botë. Ju lëpijnë të pasmen të fuqishmëve dhe shtypin të dobëtit. Gjithashtu mburren për bolet që nuk I kanë të tyret, por përkohësisht i huajnë në bole-dyqan.

Toponimet sllave (fund)

 


(vijim)

Një prani kaq e madhe e toponimeve sllave vërtet “të turbullon” sepse në të folurën e anëve tona fjalët dhe shprehjet sllave janë aq të pakta, sa duhet të mendohesh gjatë për të gjetur vetëm disa të tilla. Më e përgjithshme ishte një mënyrë që ju drejtoheshin grave të martuara me emrin e burrave të tyre dhe kjo bëhej duke ju shtuar një prapashtesë sllave si Kolevicë, Nasevicë, Mitevicë, Ilovicë, gjë që mund të ketë ndikuar edhe në ndonjë emërtim fshati (Gjergjevicë, Nikolicë), por të tjera përdorime të fjalëve apo pjesë të fjalëve sllave thuajse nuk ka ose janë të papërfillshme.

Në emrat e njerëzve të fesë ortodokse gjithshtu nuk gjejmë variantet e tyre sllave edhe pse hasim variante rumune apo greke. Për shembull kemi përdorim të emrave Petrika, Mitika, Kostika jo vetëm tek arumunët. Ose përdorim të prapashtesave tipike të gjuhës greke si Kristaq, Thimaq, Mihallaq, Andonaq, Petraq, Sotiraq etj., por në asnjë rast variantet sllave të themi Petar, Pavël, Dimço, Trajko etj. Sa për emra të mirëfilltë sllavë nuk bëhet fjalë, me përjashtim të ndonjë shënjtori si Vladimir, emër ky që hyri në përdorim të gjërë pas Luftës së Dytë për shkak të emrit të Leninit.

E njëjta gjë mund të thuhet për mbiemrat, të cilët nëse përjashtojmë ato që bazohen në emrin e fshatit, gjithë të tjerët rrjedhin nga fjalë shqipe.

Pa dashur të hyjmë në “thekrat” e një nacionalizmi të verbër të ndryshimit të toponimeve, diçka më shumë duhet të bëhet nga Akademia e Shkencave dhe Institucionet që varen prej saj për të spjeguar saktë arsyet e këtyre toponimeve sllave. Një krahinë e tërë quhet Gorë(nga mal- sllavisht), por nuk ka asnjë toponim që lidhet me Polje (fushë- sllavisht), por kemi Fusha e Korçës. Kemi fshatin Kuç i Zi (kuç= qen,sllavisht), por nuk quhet plotësisht sllavisht - Crnokuç.

Mesjeta e vonë, kohë në të cilën filloi formimi i ndërgjegjeve kombëtare, e gjeti këtë zonë të Shqipërisë nën Perandorinë Otomane, por për katër shekuj vetëm një fshat pati emër që rridhte nga turqishtja- Orman Çiflig. Të gjithë të tjerët ruajtën emërtimet e tyre që rrjedhin nga shqipja, sllavishtja dhe greqishtja. Në periudhën e fundit të Diktaturës pati një përpjekje për të ndryshuar shumë emra fshatrash, kryesisht ato që rridhnin nga sllavishtja dhe ato me emra shënjtorësh. Një nacionalizëm i tepruar sepse u arrit deri në ndryshimin e emrave të fshatrave maqedonase të zonës së Prespës, të cilat nga Pustec, Gollomboç e të tjera u kthyen në Liqenas, Kallmas, Diellas e plot sajime të kota.

Toponimet nuk janë të përjetshme. Sidomos ato të qëndrave të banimit mund të ndryshohen, por vetëm me vullnetin e shumicës së banorëve të vendbanimit. Si ndodh edhe me njerëzit, në një kohë të caktuar banorët mund të kërkojnë ndryshim të emrit të fshatit apo të qytezës dhe kjo dëshirë duhet të plotësohet, por asnjëherë sin ismë e një qeverie nacionaliste.

Edhe pse po bëhen mbi 40 vjet që emrat e disa fshatrave janë ndërruar, ne ende sot themi “qepët e Bozhigradit” dhe “mollët e Dvoranit” dhe jo të Mirasit apo të Mollasit.

Monday 24 January 2022

Toponimet sllave


Në ato ç’ka kam lexuar nga historia e Shqipërisë dhe e Ballkanit, asnjëherë nuk kam arritur të kuptoj praninë e aq shumë toponimeve (sidomos emrave të fshatrave) sllave në Shqipërinë juglindore dhe sidomos krahinën e Korçës, të cilën e njoh më mirë. Diku lexoja që gjysmat e fshatrave të qarkut kanë emra sllavë. Eshtë e çuditshme për një krahinë të tërë, ku po të përjashtosh fshatrat e zonës së Pustecit, që janë maqedonase, nuk ka më shumë se 4-5 fshatra të tjerë ku mund të ketë ende gjurmë të një të folure sllave. Dhe pa përfshirë rrethet e Kolonjës dhe Pogradecit, vetëm Korça dhe Devolli kanë mbi 200 fshatra.

Gjithë këto toponime nuk mund të kenë ndodhur në kohën kur krahina ishte nën kontollin e Stefan Dushanit, sepse Perandoria e tij nuk zgjati më shumë 25 vjet (nga 1331- 1355) dhe krahina e Korçës nuk ishte gjithë këtë kohë nën sllavët. Gjithashtu duhet shtuar se pas 50 vjetësh turqit thuajse pushtuan gjithë krahinën dhe ndenjën për gati 6 shekuj.

Nuk ka se si të gjitha fshatrat me emra sllave të jenë formuar në periudhën e Stefan Dushanit, se duhet të ketë pasur një rritje të popullsisë për shkak të migrimit, gjë që nuk dëshmohet nga dokumenta historike. Për më tepër emra sllavë kanë edhe disa përrenj si Dunaveci, Drenica, që derdhen në lumin Devoll. Eshtë interesante se lumi me emrin latin Devoll (nga Diabulus) ka si degë të tij përrenj me emra sllavë dhe kalon kryesisht mes fshatrave me emra sllavë si Bozhigrad, Menkulas, Poloskë, Bilisht, Progër, Mançurisht, Bitinckë, Cangonj, Zvezdë etj.

A është e mundur që Perandoria e Stefan Dushanit me forcë ndryshoi toponimet ekzistuese dhe ngriti edhe një institucion të fortë rregjistrimi?

Kjo mund të jetë një nga arsyet dhe sundimtarët e mëparshëm dhe të mvonshëm nuk e kanë vrarë shumë mendjen për toponimet.

Toponimet sllave janë më të pranishme përgjatë rrugës së vjetër Egnatia dhe përgjatë shtratit të Devollit, që ka qënë shteg qarkullimi karvanësh. Kështu në rrjedhën e Devollit më tej se Maliqi janë Kolaneci, Moglica, Zereci ndërsa përgjatë gjurmëve të Egnatias, Sovjani, Zvirina, Podgoria, Çërrava, Starova, Zagorçani dhe Pogradeci.

Në zonat më të thella malore, si për shembull në Opar, thuajse të gjitha fshatrat i kanë emrat shqip dhe kryesisht rrjedhin nga emra prijësish si Lekas, Tudas, Gjinikas, Marian, Gjonbabas, por edhe të tjera si Gurmujas, Xerje, Lavdar, Punëmirë dhe Shkozanj. E megjithatë, zona e Vakëfeve, në kushte të ngjashme me atë të Oparit i ka fshtrat me emra sllavë si Treskë, Trebickë, Stratobërdhë, Grabockë.

“Të koklavitura” duken edhe toponimet në zonat e tjera, ku pranë Gurit të Capit ke Bozdovec, pranë fshatit Dardhë ke qafën Izvor, pranë fshatit Arrëzë është Nikolica e të tjera përzjerje në dukje rastësore. Një vargmal i tërë është quajtur Moravë, por pak më tutje një nga malet më të mëdhenj të krahinës quhet Mal i Thatë. Jo më larg se një kilometër nga Bellovoda është Leshnja(emër shqiptar) dhe më lart Vithkuqi, qytet i famshëm i Mesjetës së hershme.

(vijon)

Sunday 23 January 2022

Po sikur…?

 

Po të nisem edhe një herë jugut

Fjalët e vulgut pa ndjerë

Hijen e muzgut pa ndjekur

Do ndihem më i gjallë se kurdoherë

Do harroj që kam vdekur.

 

Po të zbres sërish malit,

Gurët e zallit pa prekur

Lotët e mallit kapërdirë,

Do ndjej se dhe një herë u përtërita

Me vrap do endem i lirë.

 

Përsëri po të ec mes pishash

Në maja gishtash pa zhurrmë

Klithma bishash pa dëgjuar

Do arrij të prehem në një lirishte

Pranë rrëkesë me ujë të kulluar.

 

Po sikur…?

Opozita përtej PD

Gjendja e partisë më të madhe të opozitës duket që është e mjeruar. E megjithatë ata që janë kundërshtarë të regjimit të Ramës nuk ka përse t’i humbin shpresat. Jeta politike as nis dhe as mbaron në një legjislaturë dhe kjo e tanishmja sa ka nisur, ndaj rruga për tu riorganizuar është jo vetëm e hapur, por edhe ka kohën e nevojshme.

Po ç’duhet të bëjnë opozitarët për të kapërcyer këtë gjendje konfuze?

Në rradhë të parë të gjithë duhet të pranojnë realitetin se “projekti-Basha” i Berishës ka dështuar përfundimisht. Berisha si ideator dhe këmbëngulës për mëse 8 vjet në këtë projekt duhet të largohet edhe vetëm për këtë dështim.

Në rradhë të dytë opozitarët duhet të pranojnë se i kanë humbur zgjedhjet e 25 prillit pikërisht për shkak të gjendjes së tyre jo të mirë, të kontradiktave të brendëshme dhe të rrjeshtimit në një krah me partinë Meta-Kryemadhi. Lufta e ashpër dhe pa asnjë princip e muajve të fundit e dëshmoi qartë këtë. Gjithashtu nuk mund të shfrytëzosh pakënaqësinë e njerëzve për korrupsionin e “rilindasve Ramistë“ duke qënë përkrah të korruptuarve të LSI-së.

Në se opozitarët do jenë në gjendje të pranojnë këtë realitet atëhere duhet të shohin se cilat janë rrugët më të efektshme për të ndërtuar një opozitë që mund të shkurtojë jetën e qeverisë edhe brenda kësaj legjislature.

·         Eshtë më kryesor ndryshimi i udhëheqjes së PD-së apo një kompromis i madh për të larguar aktorët kryesorë dhe drejtimin njëvjeçar me një “juntë“ fuqiplotë?

·         A duhen bërë ndryshime njërësore në ideologjinë e PD-së, gjë që i ka munguar në këto vite duke e shpënë shumë majtas?

·         A duhet ndërtuar një Front i madh i gjithë spektrit politik me idenë e “rrëzimit të Rilindjes së korruptuar” dhe si i tillë të veprojë edhe brenda Parlamentit edhe jashtë tij?

Nëse palët brenda PD-së në bashkëpunim me partitë e tjera opozitare (jo LSI-në), por edhe me grupet e interesave të paorganizuara politikisht, do nisin një projekt të tillë, në dukje i parealizueshëm, por që është ndoshta mundësia e fundit për të luftuar regjimin brenda kësaj legjislature, atëhere mund të thuhet se në Shqipëri diçka po ndryshon në kampin politik. Nëse vazhdohet me gjaknxehtësi dhe kokëfortësi të qëndrohet në llogoret tashmë të shkatërruara, jo vetëm që PD-ja do prishet, por çoroditja në rradhët e opozitarëve do shtohet.

Ky vit do nxjerrë në sipërfaqe shumë skandale të mëdha korruptive të ngjashme me atë të inceneratorëve ndaj mundësia për të detyruar qeverinë të bjerë ekziston. Por balta e hedhur ndaj njëri tjetrit e bën të pamundur këtë. Ndaj duhen larguar eksponentëtë më të zellshëm të kësaj lufte brenda PD-së dhe t’ju bëhet thirrje për të marrë drejtimin “kokat e ftohta”. Nëse si shqiptarë “kokënxehtë“ nuk jemi në gjendje ta bëjmë, atëhere le t’i urojmë qeverisje të mbarë Ramës III, të pakorruptuarit që “po përpiqet të bashkëqeverisë me popullin”!

 

Friday 21 January 2022

Në vigjilje të 100 vjetorit


Nesër mbushet një shekull nga data zyrtare e lindjes së babait tim Andon Mara. E festonte gjithnjë më 22 janar, por nuk di t’i bënim dhurata. E uronim, e përqafonim dhe bënim një drekë feste pa tortë me qirinj. I pëlqente festat familjare.

Ka 32 vjet që është larguar dhe nuk ka ditë që nuk mendoj për të. Çdo 22 janar vazhdojmë të bëjmë një drekë “jo të zakontë“ me të në “kryet” tona dhe jo në krye të tryezës. Këtë rradhë do ndjehemi edhe më mirë se bëmë diçka të vogël për të, por të rëndësishme për ne pasardhësit.

Sot shtypshkronja “Baron”në Tiranë botoi librin tim “Biseda të pakryera me babanë“, pjesë të së cilit ka pasur herë herë në blog.

Rrjeshtat e para të librit i kam hedhur dhjetë vjet më parë, por vetëm vitin e kaluar ju kushtova tërësisht dhe ndryshova shumë shënime të bëra në vite. Kujtimet, shumë herë të mjegullta duhet t’i verifikoja me ngjarjet e vërteta, data të sakta për të mos bërë një “çervish”, si thotë një shoku im i vyer, që më ka ndihmuar shumë për daljen në dritë të librit. Do doja që nëse im atë do kishte mundësinë ta lexonte të theshte i bindur “vërtet kështu ka ndodhur!”

Në libër ka edhe një pasyrë të jetës kulturore të Korçës të pasluftës si e shihte dhe ma kishte treguar babai. Ka qënë një periudhë përpjekjesh, me shumë dritë dhe hije, me artistë të përkushtuar dhe “çinovnikë“ kapadainj, me krijues të lënë mënjanë dhe të tjerë të ngritur në piedestale që ndoshta nuk i kanë merituar. Ishte pjesë e rëndësishme e jetës së Andon Marës, ndaj nuk mund të mos zinte një vend të gjërë në libër.

Shpresoj që ata që do e lexojnë të gjejnë diçka të bukur dhe mbase edhe universale në faqet e shkruara nga unë për babanë tim. Ishte njeriu më i madh dhe më i drejtë që kam njohur.

Vendi ku jetoj

Unë jetoj në një vend

Ku hëna është gjithnjë e plotë,

E plotë dhe e trishtuar.

Në sy ka lotë,

Fytyrën zverdhuar

Ta pyes përse më duket e kotë.

Në vendin ku jetoj nuk ka re,

Nuk ka re dhe veç batica.

Galiç rri në atë pak dhe

Sytë mbaj lart

Hënën e plotë shoh

Dhe mbushem me mornica.

I kthjellët është qielli

Në vendin ku jetoj.

I kthjellët, i zi dhe i pafund.

Veç hënën e plotë mund të shikoj

Tjetër gjë nuk mund.

Me lotët e saj shuaj etjen,

Nuk lëviz vendit,

Kërkund nuk shkoj

I çmendur jam pas të plotës hënë

Nuk di a në vërtet jetoj.

Thursday 20 January 2022

Mos i matim amerikanët me “kutin” tonë


Nëpunësit amerikanë nuk kanë rënë nga qielli. Edhe ata me funksionet më të larta. Gabojnë, ndonjëherë bëjnë edhe mbrapështi, ka raste edhe kur në vend të interesave të Amerikës shohin interesat e tyre.

Por ne, përfshi këtu edhe analistët politikë të paanshëm, gabojmë kur i matim me “kutin” tonë. Eshtë një njësi matëse e gabuar për tu përdorur ndaj tyre.

Në rradhë të parë nëpunësit e lartë amerikanë (ku po fusim dhe ambasadorët) kanë mbaruar ca shkolla shumë të mira, të cilat shumica prej nesh nuk i gjykojmë dot se janë të standarteve që nuk i njohim thellë. Në këto lloj shkollimesh (kryesisht ato të quajtura “Ivy-league)studentët e përzgjedhur mirë marrin jo vetëm dije, por formohen edhe me një moral të ndryshëm nga ai me të cilin janë brumosur politikanët dhe analistët tanë. Edhe pse mes tyresh mund të ketë njerëz që njohin “lojën e bërrylave” apo janë “yesman”, përsëri raporti me të drejtën, me virtytet njerëzore, me ligjet dhe me institucionet është i ndryshëm nga ai i njerëzve që merren me politikë apo analizojnë politikën në vendin tonë.

Ka patur një stuhi sulmesh gjatë vitit të fundit ndaj ambasadores Kim (por edhe më parë ndaj ambasadorit Lu), kryesisht nga segmente të caktuara të PD-së dhe LSI-së, që gjatë fushatës së zgjedhjeve të kaluara dhe sidomos pas shpalljes “non grata” të Berishës. Sulmet variojnë nga akuza për diplomaci amatoreske, përdorim të dopio-standarteve, përkrahje të Ramës dhe deri në akuzën se sillet si “guvernatore e Shqipërisë” dhe cënon jo vetëm sovranitetin e partive, por edhe të vendit.

Pa dashur të merremi me ata që qëllimisht e sulmojnë edhe pse e dinë që nuk ka të vërteta në sulmet e tyre, le të flasim për ata që e kritikojnë jo me prapamendim sjelljen e ambasadores Kim. Thuajse të gjithë pranojnë që Shqipëria është një vend që sundohet nga politikanë të korruptuar, të gjithë e dinë dhe e pranojnë se pushteti juridik është i shkatërruar dhe ka nevojë të pastrohet dhe rindërtohet dhe të gjithë e dinë dhe e pranojnë që pa ndihmën e të huajve kjo nuk mund të bëhet.

Nëse i pranon të gjitha këto dhe më pas angazhimin e ambasadorëve kryesorë e sheh si të njëanshëm, të tejkaluar në kompetenca dhe me shumë gabime dëshmon se thuajse të gjitha i mat me kutin tënd.

Nuk mund të ketë një proces të përkryer në një vend të veçantë si i joni dhe me ndërhyrje në sistemin juridik dhe atë politik, që nuk janë eksperimentuar diku më parë.

Pyetjet: “Pse shpallet Berisha tani që ka 8 vjet i larguar?”, “Pse ndihmohet Rama të kontrollojë drejtësinë?” apo “Pse nuk paraqiten fakte për të padëshëruarit?” janë jo vetëm të gabuara por edhe ala-shqiptarçe.

Nëse e vret pak më shumë mendjen dhe i ve në dyshim emocionet e kupton që Berisha nuk është pa pushtet. Këtë e dëshmojnë më mirë edhe ngjarjet e 5 muajve të fundit. Departamenti i Shtetit nuk merret me Fatos Nanon edhe pse ka dosje korrupsioni edhe për të. Nëse e vret pak më shumë mendjen arrin të kuptosh se nga një Drejtësi plotësisht e kontrolluar, si ishte e jona, nuk mund të kalosh menjëherë në një Drejtësi të pavarur dhe plotësisht të paanshme. Nëse e vret pak më shumë mendjen dhe ve në dyshim emocionet e kupton se jo vetëm Departamenti i Shtetit nuk ka pse të paraqisë fakte për vendimet që merr, por as ambasadores Kim ne nuk mund t’i kërkojmë hesap! Nëpunësit amerikanë i japin llogari shefave të tyre dhe përfaqësuesve të popullit amerikan në Senat dhe në Kongres.

Ndaj le t’i lemë të bëjnë punën e Amerikës që është në dobi edhe të Shqipërisë dhe të kuptojmë se ata që punojnë edhe gabojnë, por shumë herë më pak se nëpunësit tanë.

 

Wednesday 19 January 2022

Majat e gishtave

Majat e gishtave më kanë ngrirë

Duke prekur qiellin,

Qiellin e akulluar.

Dua të shkruaj diçka

Por kam harruar shënjat.

Shënjat,

                Shkronjat,

                                Hieroglifet

Të gjitha i kam harruar.

Majat e gishtave më kanë ngrirë

Duke u kapur pas reve,

Reve shtëllungore.

Dua t’i tërhq e të bëj me to fill,

Fill për të pështjellë

Fillikatesën time

Në këtë shkretim dëbore.

Majat e gishave më kanë ngrirë

Duke rrëmirë dheun,

Dheun e mpirë.

Dua brenda tij pikëllimin të gropos.

Diku më pas të shkoj të pi një gotë;

Të ndjehem i lirë.

Majat e gishtave më kanë ngrirë

Ujrat e mendimeve duke toçitur,

Të turbulltat

                E të ftohtat mendimet e mia.

Askënd nuk kam ngjitur,

Veç dheut , qiellit dhe reve

Mollëzat e gishtave më ka ngrirë vetmia.

Kripto-dumbabistat shqiptarë


Vizita e fundit e Erdoganit prek një nerv tepër të ndjeshëm të shoqërisë shqiptare. Raportin tonë me shtetin dhe popullin turk. Ka qënë diçka tepër e ndjeshme brenda vendit, dhe tepër e ndjeshme është edhe në diasporën shqiptare, si dhe në zyrat europiane.

Nuk ka sesi ne mos të ushqenim ndjenja të dyfishta të dashurisë dhe urrejtjes për turqit. Patëm një histori pesëshekullore të përbashkët, kur ata ishin në rolin e padronëve dhe ne na kishin ofruar një rol të qejahaut në raport me popujt që ishin brenda Perandorisë së tyre. Duke qënë në periferi të një Perandorie, të cilën zhvillimi i pas Renesansës europiane e la pas, ne nuk përfituam as nga rrugët, hekurudhat apo portet që otomanët ndërtonin në territoret e kontrolluara prej tyre.

Mbetëm pas të tjerëve dhe kur e kuptuam që i Sëmuri i Bosforit nuk kishte shpëtim edhe ne i dhamë duart!

Por ndjenjat e dashurisë ndaj otomanëve nuk kishte se si të ktheheshin menjëherë në urrejtje. Kjo solli lëvizjen e Haxhi Qamilit, por edhe lëvizje të tjera proturke në territoret e banuara nga shqiptarët. Shumë shqiptarë kishin familjet dhe pronat në Turqi, shumë prej tyre kishin studiuar atje dhe një pjesë jo e vogël lidheshin shpirtërisht me turqit për shkak të fesë të përbashkët.

Këto ndjenja të një dashurie të fshehtë nuk i shuajti dot as propaganda anti-turke e Diktaturës, e cila më shumë se atdhedashurinë kishte motiv të saj luftën ndaj proamerikanizmit turk. Në fillimin e viteve ’90, një miku im më tregonte për entusiazmin e shprehur nga dy letrarë të lindur e rritur nën Diktaturë, kur kishin vizituar Stambollin dhe Ankaranë. Të dy vinin nga familje të fesë myslimane.

Në një artikull të sotëm të gazetarit Mentor Nazarko përsëritet ky lloj entusiazmi, madje arrihet edhe në krahasimet se “vëllazëria” e përcjellë në fjalën e Erdoganit është e ngjashme me vëllazërinë që predikon sëfundmi Papa Françesko!

Ndryshimi është po aq i madh, sa është ndryshimi midis personaliteteve të Papa Bergolios dhe Rexhep Erdoganit.

Vëllazërimi që predikon Papa është ai i njerëzve që duan paqen, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mbrojtjen e pakicave dhe më të dobtëve pa asnjë lloj kufiri ndarës.

Vëllazërimi i Erdoganit (byrazerizmi) presupozon aleancën për punë të mira e të këqija, për të ndëshkuar kundërshtarët, për të krijuar dominime të tjera në Ballkan etj. Nuk quhet vëllazërim edhe kur ndih për tërmete dhe përmbytje, sepse vendos kushte edhe për to, si bëri për të luftuar vëllanë e tij të vërtetë, Fetullah Gylenin.

Kripto-dumbabistat shqiptarë me një sy nga Brukseli dhe një tjetër nga Stambolli nuk e kanë nga dashuria për popullin turk apo për vlerat e përbashkëta, por nga filozofia e nënshtrimit ndaj të fuqishmit dhe sidomos kur ky përçon të njëjtat vlera të autoritarizmit dhe të mungesës së respektit për të drejtat e njeriut që edhe vetë dumbabistat i kanë si mendësi.

Për fat të keq kjo vlen për Edi Ramën, Mentor Nazarkon dhe shumë të tjerë që përkulin trupin me respekt ndaj qeses me lira të zhvleftësuara të Presidentit Erdogan.

Tuesday 18 January 2022

Ime më

“Ty të kam lindur në ditë me nishan, duke gdhirë Shën Thanas.” – i thoshte gjyshja ime nënës time, për të mos ngatërruar ditën e lindjes të shënuar në dokumenta me ditën e vërtetë.

Kishte ndodhur 93 vjet më parë, në një shtëpi të vogël buzë Lumit të Korçës pa praninë e kujt tjetër. Ashtu I kishte lindur të katër fëmijët gjyshja ime, në një dhomë në fund të shtëpisë, duke u mbajtur fort me duar pas qepekut, që mbulonte shkallët e qilarit dhe duke thirrur në fund “Nënë e bëra!” dhe e vjehrra shkonte për të prerë kordonin që lidhte nënën me fëmijën e porsalindur.


Ishin kohë të tjera, më të vështira, por fëmijët që mbijetonin ndoshta ishin më të fortë dhe me imunitet më të lartë se fëmijët e sotëm.

I patën vënë emrin e së jëmës, me besimin se kjo do ndikonte për të mos patur fëmijë të tjerë. Mbeti më e vogla dhe më e përkëdhelura.

Ka një lloj paradoksi të pazgjidhshëm në raportin që ke me prindërit, njerëzit që të kanë sjellë në jetë dhe mbeten më të dashurit. Nuk ke jetuar pjesët më të bukura të jetës së tyre. I ke njohur në kohët kur ju janë shtuar hallet dhe bëjnë gjithshka që fëmijët e tyre të jetojnë më mirë. Duke dhënë edhe kafshatën e gojës për ta.

E tillë ishte nëna ime.

Të tilla ndoshta janë të gjitha nënat, por gjithkush di atë që e ka mëkuar, përkëdhelur dhe e ka mbajtur në krahë.

“Do më kërkosh dhe nuk do më gjesh!”- më thoshte herë herë.

Ishte e sigurt për këtë gjë se ashtu kishte kërkuar deri në pleqëri nënën e saj.

E mira nëna ime!

Monday 17 January 2022

Halli i “byrazerit” Erdogan


Në fjalën e tij në Parlamentin shqiptar, Erdogan shpalosi se cili ishte qëllimi i vërtetë i vizitës së tij në Shqipëri. Fjalimi ishte i mbushur me fjalët “byrazer”, “ortak”, “terror”, “arnaut”, “rajon” dhe “FETO”. Nuk u përmëndën asnjëherë fjala “demokraci” apo togfjalëshi “të drejtat e njeriut”. “Byrazeri” Erdogan spjegoi qartë hallin e tij, i cili quhet FETO dhe tha hapur se po të duam të na ndihmojë si vëlla ne duhet të largojmë nga Shqipëria ose të arrestojmë përfaqësuesit e “Lëvizjes Gylen”.  Haptazi u tha se kjo është një vëllazëri me kusht.

Po ç’është FETO dhe pse Erdogan i trembet kaq shumë kësaj lëvizje-organizatë?

Emri i vërtetë i saj është “Hyzmet”, fjalë që përdoret ende në shqip dhe përkthehet shërbim. Eshtë krijuar dhe udhëhiqet nga predikuesi fetar Fetullah Gylen dhe është një lëvizje sunite, por që predikon kryesisht bashkekzistencën mes feve, paqen dhe një islamizëm të moderuar. Deri në vitin 2011 gylenistët ishin përkrah Erdoganit dhe e kishin ndihmuar për të ndryshuar administratën e shtetit turk, në të cilën, deri në zgjedhjet e vitit 2002, dominonin ushtarakët.

Çarja me partinë e Rexhep Erdoganit filloi nga goditjet që po i bënin gylenistët korrupsionit të nëpunësve të lartë të AKP (partia e Erdoganit). Ishin shumë gylenistë në sistemin e drejtësisë dhe mbështetësit e Erdoganit u rrezikuan shumë prej proceseve të hapura me të drejtë prej tyre. Si ndodh në rastet kur ka vjedhje, Erdogan u prish me “byrazerin Gylen” dhe më pas organizatën e tij e cilësoi si terroriste dhe e ka emërtuar zyrtarisht “Fehtullahist Terrorist Organisation” ose shkurt FETO.

Të gjithë vëzhguesit seriozë perëndimorë, pavarësisht se lëvizjen “Hyzmet” e cilësojnë si një lloj kulti fetar, bashkohen me mendimin që jo vetëm nuk është terroriste, por është e moderuar dhe kontribuon shumë në sektorët e arsimit dhe shëndetsisë në shumë vende të botës. Edhe shkollat, klinikat mjekësore dhe dentare apo laboratorët që Erdogan kërkon të mbyllë qeveria shqiptare janë të lëvizjes “Hyzmet”. Presidenti turk na paralajmëroi se janë helmatisës dhe një ditë prej ditësh edhe ne shqiptarët do e pësojmë prej tyre! Se si do e pësojmë nuk e bëri të qartë.

Para 5 vitesh Erdogan nisi një spastrim të madh në administratë pas të ashtuquajturit “grusht shteti gylenist”, i cili nuk u provua nëse ishte vërtet i tillë apo ishte një ekzagjerim i vetë Erdoganit. Por përpjekjet e tij kundër gylenistëve janë aq të mëdha dhe me shpenzime të mëdha shtetërore, sa në një rast kishin arritur të siguronin mbështetjen e gjeneralit Flin (këshilltar i sigurisë së vendit i Trump) për të rrëmbyer Fetullah Gylenin nga Filadelfia ku jeton dhe ta sillnin në Turqi. Për fat të udhëheqësit të “Hyzmet” gjenerali Flin ndenji vetëm një muaj në detyrë dhe askush tjetër nuk mori përsipër aventurën e financuar nga shteti turk.

Po le të themi se për pragmatizëm, qeveria shqiptare nuk ka pse mos pranojë ndihmat e Erdoganit dhe të kufizojë veprimtaritë e gylenistëve në Shqipëri. Eshtë jo vetëm e papranueshme nga pikpamja e ligjeve ndërkombëtare, por nesër pasnesër gylenistët mund të marrin në dorë shtetin turk dhe ne do kemi bërë armiq një lëvizje politike që është më e moderuar dhe më demokratike se partia e Erdoganit.

Shqipëria ka nevojë për miq. Por është mirë që këta miq të kenë emrat Makron, Dragi, Xhonson dhe Sholc. Edhe nëse miqësia e tyre shpesh lidhet me interesa të kompanive franceze, gjermane, italiane dhe angleze, kushtet që venë ata për miqësinë janë shteti ligjor, demokracia dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut. Por miqësi të tilla nuk i shkojnë për shtat Edi Ramës, i cili ka 8 vjet që puthet dhe jargavitet me autokratin më të rrezikshëm të Ballkanit, me emrin Rexhep Erdogan.

 

Sunday 16 January 2022

Erdogani dhe Skënderbeu


Nesër vjen për vizitë në Shqipëri Presidenti i Turqisë Erdogan, që mban nofkën “sulltani”. Nuk di nëse vizita qëllimisht ka qëlluar në ditën e vdekjes së Skënderbeut, ose kur është negociuar dita e vizitës nëpunësit e të dy palëve nuk ja kanë pasur idenë se kur vdiq Heroi jonë Kombëtar. Gjithsesi, datat mbeten të rëndësisë simbolike dhe simbolika ngjall emocione, si këto të ngjallura sot në mediat tradicionale dhe në ato sociale.

Mua nuk më duket e udhës lidhja e emrit të Skënderbeut me Erdoganin se nuk janë vetëm 550 vjet që i ndajnë, por i largon edhe çdo gjë tjetër, përfshi sistemin ekonomiko-shoqëror, kushtet gjeo-politike, ndjenjat atdhetare etj.etj. Ne jemi mësuar të shohim Skënderbeun si antitezë të Sulltanit, por pas 150 vjetësh duhet të kemi kuptuar tashmë se “miti” i Skënderbeut i krijuar gjatë Rilindjes Kombëtare kishte arsye të forta, të cilat nuk i kemi më sot. Për më tepër, një lloj identifikimi i Erdoganit me rrezikun islamik është i gabuar pavarësisht nga lidhjet e forta që ka Presidenti turk me fenë islame.

Ka disa arsye të tjera për të cilat Presidenti i Turqisë nuk duhet pritur me tam-tame dhe vizita e tij duhet kritikuar rëndë nga mediat dhe nga opozita shqiptare.

·         Arsyeja e parë është modeli i keq qeverisës i Erdoganit në Turqi dhe e gjithë veprimtaria e tij prej gjysëm-diktatori.

Presidenti turk ka mbi dhjetë vjet që çmonton dora dorës demokracinë-hibride të shtetit turk nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, shtypjes me forcë të protestave, kufizimin e e lirive të medias dhe shkelje të të drejtave të njeriut.

·         Arsyeja e dytë është përpjekja e Erdoganit për të rritur ndikimin turk në Ballkan.

Ndër vite Erdogan po bën ç’është e mundur të bëhet faktor i rëndësishëm në Ballkan, sidomos në pjesët ku ka popullsi myslimane si Bosnjë, Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni. Në interesin e këtyre vendeve është të kenë marëdhënie të mira me Turqinë, por ndikimi i saj duhet të jetë shumë shumë më pak se sa i SHBA, BE dhe Anglisë. Krahasuar me to Turqia nuk ka ç’të ofrojë as financiarisht, as me modelin e qeverisjes dhe as me ndikimin në rritje të pjesëve fondamentaliste islamike brenda saj. Nuk është në interesin e këtyre vendeve të rritin artificialisht rolin e Erdoganit si “lojtar politik” që nuk duhet të injorohet nga Fuqitë e Mëdha.

Miqësia e dyshimtë e Ramës me Erdoganin, pas të cilës besoj se fshihen shumë afera të pista duhet demaskuar në mënyrë të vazhdueshme. Nuk është vetëm Rama, që merr para si ndihmë për qeverinë ose edhe si rryshfete nga Presidenti turk. Ka politikanë në të gjitha krahët me lidhje jo të pastra me Turqinë. Eshtë arritur deri atje sa ngrihet edhe një memorial në Kodrat e Liqenit kushtuar të rënëve në ditët e grushtit të shtetit kundër Erdoganit. Emisarët turq janë më aktivë se kurrë në gjithë fushat e jetës në Shqipëri madje edhe në arsim dhe kulturë.

Raportet tona me Turqinë duhen kritikuar nën dritën e zhvillimeve të këtij shekulli dhe jo në raport me ç’ka ka ndodhur në shekullin XV. Ai shikim mitologjiko-emocional nuk i shërben realitetit të sotëm të Ballkanit dhe të Shqipërisë.

Erdoganit, nëse nuk është e udhës të pritet me “yyyy”, të paktën i duhet kujtuar se Shqipëria i urren diktatorët dhe autokratët sepse janë të tillë dhe jo sepse janë pasardhës të otomanëve.

“Filozofia” e 5%


Unë po e quaj “filozofia e 5 përqindshit’, sepse në këtë mënyrë një politikan i anëve tona ja kishte spjeguar një grupi njerëzish po nga anët tona. Në të vërtetë është ajo që quhet në sociologji “teoria e elitës” dhe që mbron idenë që fuqia e vërtetë e planifikimit, ligjeve dhe pushtetit në një shoqëri është në duart e një grushti njerëzish dhe është e pavarur nga zgjedhjet demokratike.

Politikani jonë ose për shkak të njohurive të cekëta ose se donte t’ja u spjegonte “grarishte” miqve të tij, pak a shumë ju tha :“a doni të bëni pjesë në 5% të shoqërisë duke më ndjekur mua apo doni të jini pjesë e turmës 95%?” Normal (thuhet ende tek ne) askush nuk do të zgjidhte turmën.

Pa dashur të ndjekim rrugëtimin e politikanit tonë dhe miqve të tij që e ndoqën symbyllas, le të shohim nëse është e vërtetë kjo teori në shoqërinë shqiptare dhe nëse është vërtet e tillë, cila është elita jonë.

Shoqëria shqiptare trashëgoi një “elitë“, e cila ishte ajo e Bllokut, që u përmbys shpejt në ndryshimin e sistemit dhe që nuk kishte fuqi ekonomike për të vazhduar si e tillë. Hap pas hapi u krijua një elitë e re e cila përbëhet nga njerëz shumë të pasur (teprohet kur quhen oligarkë), të cilët janë njëkohësisht edhe në kontroll të politikës dhe të medias, gjyqësorit si dhe të ekonomisë së vendit duke përbërë një rreth shumë të vogël të njerëzve dhe familjeve vendimmarrëse. Këtu mund të futen Kastrati, Mane, Ulaj, familja Berisha, familja Meta, Edi Rama, vëllezërit Shyti, familja Hoxha, Aleksandër Frangaj dhe pak emra të tjerë. Kjo është elita e sotme shqiptare, që është në gjendje të përcaktojë ligjet, funksionimin e administratës, përbërjen e qeverisë dhe të gjyqësorit. Thuajse të gjithë emrat e tjerë që lakohen në media dhe duken si të fuqishëm janë në shërbim të kësaj elite dhe të zëvendësushëm lehtë.

Bie në sy që thuajse të gjithë të sipërpërmendurit janë njëkohësisht në kontakte ose pjesë e krimit të organizuar shqiptar. Njihen mirë tratativat e Metës me grupet e Aldo Bares dhe të kriminelëve të tjerë, marëdhëniet e shkëlqyera të Ramës me vëllezërit Shyti, si dhe përkrahja e tij ndaj narkotrafikantëve, veprimtaritë e dyshimta të Kastratit dhe Manes (për këtë të fundit është mbajtur fshehur edhe një atentat që i është bërë), si dhe marëdhëniet e ngushta të Berishës dhe Zenit me kriminelë të njohur.

Pra karakteristikë kryesore e elitës së sotme shqiptare nuk është fuqia ekonomike dhe dijet, por lidhja e saj me krimin e organizuar.

Ndaj kjo nuk mund të jetë elitë dhe njëkohësisht nuk mund ta ketë jetën pafundësisht të gjatë. Eshtë në natyrën e krimit të organizuar të tejkalojë fuqitë e tij.

Politikani jonë bashkë me shpurën e tij e kuptoi shpejt se “teoria e 5%” nuk ishte e vlefshme për kushtet e Tiranës dhe zgjodhi të mjaftohej me disa pjesë të vogla që liheshin nga “gostia e madhe e buxhetit shtetëror”. Ndjekësit mbetën shpejt me gisht në gojë, sepse loja për t’u bërë pjesë e elitës ishte shumë e rrezikshme dhe kërkonte të plotësonin kushtet e trafikantëve të fuqishëm dhe të vrasësve pas shpine. Nuk ishin në gjendje ta bënin dhe shpejt e harruan filozofinë e 5%.

Ndërkohë të rinjtë përpiqen të largohen nga vendi, të shkolluarit në universitetet më të mira të botës nuk i qasen më atdheut dhe elita shqiptare ka kundër saj vetëm ambasadën amerikane.

Ky është shikimi im i thjeshtëzuar dhe ndoshta jo plotësisht i saktë.

Saturday 15 January 2022

“Mrekullia” e rotacionit


Në fjalorin politiko-shoqëror të Shqipërisë shpesh hyjnë fjalë ose shprehje të papërdorura më parë, që për muaj të tërë bëhen mbizotëruese thuajse proceset apo nocionet që ato përfaqësojnë do bëjnë mrekullira në gjendjen e shoqërisë shqiptare. Më fillimin e viteve ’90 ishte “eksodi” dhe “ekonomia e tregut”, më pas mbizotëruan “proceset demokratike”, “orientimi euro-atlantik” dhe “kingmaker”  dhe këto vitet e fundit “vetingu” dhe “reforma në drejtësi”.  Para zgjedhjeve të vitit të kaluar dhe më vonë u lakua në media “rotacioni”, që bëri që shqiptarët e pashpresë dhe sidomos ata që votojnë në PD-në të shpresonin në fillim se po vinte fundi i vujatjeve të tyre dhe më pas të zhgënjyer të revoltoheshin. “Do ndodhë rotacioni”, “çdo tetë vjet kemi rotacion”, “pa rotacion nuk ka demokraci“ e të tjera broçkulla të kësaj natyre që për dëgjuesin e thjeshtë i japin rotacionit në pushtet një fuqi magjike.

E vërteta është që në demokracitë europiane ky rotacion pozitë-opozitë si reklamohet nga analistët politikë të mediave tona nuk është një dukuri kaq e shpeshtë dhe thelbësore. Partia e djathtë e De Golit qeverisi Francën për 16 vjet me rradhë, Partia Social-Demokrate qeverisi Austrinë nga viti 1945 deri më 1995 me përjashtimi të një legjislature 4 vjeçare, CDU e Adenaurit drejtoi Gjermaninë për 22 vjet rrjesht  e me rradhë social-demokratët portugezë e të tjerë të majtë, të djathtë e të qëndrës të vendeve europiane.

Edhe vetë “rotacioni shqiptar” (PD 1992-1997, PS 1997-2005, PD 2005-2013 dhe PS 2013 e më tej) nuk është një dukuri e saktë sepse në Shqipëri përgjithësisht pozita i vjedh zgjedhjet. Atëhere kur i ka humbur, diferenca në vota ka qënë aq e madhe sa vjedhjet nuk e përmbysnin dot.

“Rotacioni shqiptar”, që propagandohet nga politikanët dhe të ashtuquajturit analistë është një dukuri e një sistemi kleptokratik. Idea është që “boll vodhën këta, tani të marrim edhe ne ndonjë para dhe pronë“. Kjo gjë ju vjen pas hesapi edhe shumicës së militantëve, të cilët rrinë pranë partisë për një vend si drejtor, shef që ka di]ka në dorë apo edhe për tu bërë mësues i thjeshtë. Ndaj gjëmojnë se po shkelen rregullat e demokracisë, se është instaluar regjim dhe se po rrezikohet pluralizmi. Pluralizmi nuk nënkupton se një parti duhet të vijë domosdoshmërisht në pushtet. Ka të tilla në botë, që edhe pa qënë parti të vogla nuk arrijnë kurrë të qeverisin, por marrin pjesë në jetën politike, janë pjesë e legjislativit për të ndikuar që ligjet të jenë në dobi të grupeve që përfaqësojnë dhe që ekzekutivi të funksionojë normalisht.

“Ti duket që kërkon qiqra në hell!” do thotë avokati im në Austri, që e njeh mirë jetën politike të atij vendi dhe do shtojë se “Krahason Vienën me Tiranën dhe Gracin me Kukësin”.

Po le të bëjmë ca rotacion edhe me qytetet e Austrisë se një jetë kemi dhe ne! 

Friday 14 January 2022

Feudo-socializmi shqiptar dhe pasojat e tij (fund)

 


(vijim)

Me një fjalë, autokratizmin të cilin e kanë manifestuar më së shumti Berisha dhe Rama është pasojë e mendësisë të shoqërisë sonë, që pranon si të pëlqyeshëm këtë model të prapambetur të udhëheqjes së një vendi. Kjo nuk mund të ndodhë jo vetëm në vendet skandinave, por nuk ndodh as në Itali, Spanjë dhe Greqi, që janë shoqëri mesdhetare më të prapambetura se ato të Europës Veriore.

Edhe me zbrazjen e shpejtë të pjesëve fshatare të Shqipërisë dhe shtimit të madh të 3-4 qyteteve kryesore, në Shqipëri nuk ndodhi procesi i “proletarizimit” të popullsisë, që është kushti i domosdoshëm sipas Adam Smithit për krijimin e sistemit ekonomiko-shoqëror kapitalist. Kjo për shkak të mungesës së investimeve të mëdha dhe të mesme industrial, si dhe mosvënia në efiçiencë e atyre ekzistuese për shkak të teknologjisë së prapambetur, pronësisë të paqartë etj. Banorët e qyteteve u punësuan kryesisht në sektorin e shërbimeve, në administratë dhe në ndërtim. Punësimet më të pëlqyeshme mbetën për dhjetvjeçarë ato në administratë për shkak të rrogave të mira dhe mundësive financiare për para “nën dorë“. Kjo gjë e forconte krahinarizmin, tribalizmin i cili tani ishte edhe në formën e partive. Partitë thuajse nuk kanë asnjë ndryshim nga njëra tjetra nga pikpamja ideologjike veç lidhjeve për arsye familjare, të traditës apo të udhëheqësit krahinor. Ndaj edhe besnikëria nuk është ndaj parimeve dhe ideve si ndodh në shoqëritë e zhvilluara, por ndaj politikanëve të fuqishëm që kanë në dorë të punësojnë, të japin tendera dhe të favorizojnë për leje ndërtimi ose të tjera lehtësira në taksa etj.

Ndaj për çdo lloj problem që lidhet me bizneset, me drejtësinë, me administratën, pyetja e parë nuk është “Si është ligji për këtë çështje?”, por “Kush e ka në dorë këtë?”. Pushteti i individëve mbi ligjet dhe institucionet është karakteristikë e shoqërive feudale, madje atyre feudale të prapambetura. Këtë gjë nuk e shpiku as Berisha, as Meta dhe as Rama, por duke kuptuar mirë mendësinë e shumicës të shoqërisë shqiptare ata përfituan në maksimum prej saj.

Edhe ngjarjet e fundit në PD për shkarkim kryetarësh dhe marrje godine, jo vetëm në formë janë mesjetare, por edhe në përmbajtje. “Vasalë“ besnikë të një “feudali” sulmojnë në media si dhe fizikisht, “kështjellën e pushtetit”, e cila mbrohet nga “vasalët” besnikë të “feudalit” tjetër. Edhe pse numuri i sulmuesve dhe mbrojtësve është i kufizuar, numuri i gjoja intelektualëve që mbrojnë njërën palë dhe sulmojnë tjetrën në media është çuditërisht i madh.

Analiza ime në faqet e këtij shkrimi e paraqet gjendjen e shoqërisë shqiptare si të pashpresë, pa dhënë asnjë dritë se në një kohë të caktuar apo pas proçeseve të caktuara, diçka do ndryshojë për mirë. Shoqëria shqiptare do përmirësohet kur politikanët udhëheqës të mos jenë më në gjendje t’a mbajnë “të izoluar”. Izolimi i sotëm është kryesisht në rrafshin politik, që nuk lejon shqiptarët e diasporës të marrin pjesë në votime dhe më shumë akoma në proceset politike në Shqipëri. Diaspora, sikundër më se një shekull më parë, është pjesa më e përparuar e shoqërisë shqiptare, sepse jeton përgjithësisht në vende me demokraci të zhvilluar dhe ka një mendësi të ndryshme nga ajo e popullsisë vendase. Ajo ka shumë të ngjarë të jetë në sintoni me ata që në Shqipëri i quajnë “ndërkombëtarë“ dhe që janë përgjithësisht më objektivë dhe me mendje më të kthjellët se sa vendasit.

Dua të theksoj një gjë:

Institucionet dhe ligjet nuk mund t’i tjetërsojnë njerëzit. Janë këta me mendësinë e tyre që përcaktojnë ndërtimin dhe funksionimin e institucioneve.

50 vjet të historisë të Shqipërisë pas Luftës së Dytë ishin 50 vjet të humbura dhe të hapave prapa. Eshtë ai feudo-socializëm që bën të kemi një shoqëri kaq të prapambetur.

Feudo-socializmi shqiptar dhe pasojat e tij (3)


(vijim)

Por ky sistem i përkohshëm feudo-socialist traumatizoi thellë shoqërinë dhe psikologjinë kolektive, si dhe prishi atë që quhet “stofi” i një shoqërie. Pikërisht sepse ishte një sistem hibrid ai çrregulloi të gjitha ekulibrat që krijohen në një shoqëri qoftë kjo e prapambetur, në dhjetvjeçarë apo në shekuj. U trondit thellësisht sistemi gjyqësor, i cili edhe pse disi arbitrar dhe i korruptuar në shekujt e mëparshëm, funksiononte sipas parimeve bazë të së drejtës, ku i akuzuari ka të drejtë të mbrohet nga profesionistë. Sistemi i ri gjyqësor (edhe ky feudo-socialist) vuri në rradhë të parë mbrojtjen e interesave të kryefeudalit (shtetit) para çdo interesi tjetër. Nëse vidhje pronën socialiste në përmasa të mëdha mund edhe të pushkatoheshe, se dënimet e rënda ishin të padiskutueshme. Pas viti 1966 u ndalua me ligj funksionimi i institucionit të avokatit dhe tashmë “feudali-shtet” ishte edhe prokuror edhe hetues edhe gjykatës.

Ndalimi me ligj i funksionimit të institucioneve fetare dhe zhdukja e shtresës së klerikëve ishte një tjetër shkatërrim i “stofit” të shoqërisë. U persekutuan dhe humbën ndikimin njerëz të rëndësishëm të shoqërisë shqiptare dhe mbi të gjitha pjesa besimtare e popullsisë humbi pjesën shpirtërore të botkuptimit të saj dhe u kthye thuajse tërësisht në një popullsi ku vetëm ligjet e interesit dhe fitimit për vete dhe familjen kishin një lloj kuptimi. Ambiciet e njerëzve u përqëndruan në një punë në Tiranë, në përpjekje për të shkëlqyer në fushat e artit dhe të sportit për të bërë rrugë jashtë shtetit, që nënkuptonin fitime materiale dhe veshje të huaja, si dhe në përpjekje për të qënë sa më pranë kastës së Bllokut. Një shoqëri e tillë e izoluar dhe me ambicie kaq të kufizuara për jetën ishte psikologjikisht edhe më prapa se shoqëria shqiptare e shekullit të XIX. Në atë shekull shqiptarët emigronin, studionin në universitete të huaja, kishin kontakte me shoqëri normale ndaj dhe ishin në gjendje të kristalizonin ide më të përparuara për të ardhmen e familjes, shoqërisë dhe vendit.

Fundi i viteve ’80 e gjeti shoqërinë shqiptare të etur për të dalë nga izolimi, gjë që u pasqyrua më mirë në parrullën: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Po a ishte në gjendje shoqëria shqiptare të transformohej në një shoqëri europiane?

Për ne që ishim pjesë e shoqërisë shqiptare dukej e lehtë. Me një legjislacion të kopjuar nga vendet europiane do krijonim shtyllat e pavarura të pushtetit dhe me krijimin e Ekonomisë së Tregut, gjërat do shkonin hap pas hapi, automatikisht si ishin bërë në shoqëritë e zhvilluara europiane. E gjitha vinte jo vetëm nga një besim i verbër në fuqinë e demokracisë dhe të Ekonomisë së Tregut, por edhe nga formimi jonë materialist- dialektik, që po ndryshove rregullat ekonomike të lojës sistemi ekonomikoshoqëror është i mundshëm të krijohet. Me një tjetër sy e shihnin të hujajt, të cilët edhe pse nxisnin idetë tona optimiste e dinin që duhej një kohë shumë e gjatë për të krijuar një shoqëri “si gjithë Europa”.

Dora dorës legjislacionet u krijuan, u ngritën edhe shtyllat e pushtetit, u lejua edhe liria e fjalës dhe e besimit fetar dhe edhe sot, pas tridhjet vjetësh, shoqëria shqiptare nuk është as kapitaliste, as e përparuar dhe as demokratike.

Nuk është më një shoqëri feudo-socialiste, por e një lloji feudo-kapitaliste.

(vijon)