Wednesday 20 December 2023

Ushtari që shihte çdo gjë dopio (2)

 (vijim)

Dhjetë ditë më pas një grup tjetër mjekësh erdhën me lajmin e keq se Josariani gëzonte shëndet të plotë

dhe duhej të dilte nga spitali. Për fat të tij, po atë ]ast një nga pacientët përballë tij thirri: "Cdo gjë më duket dopio!"

Një infermiere klithi ndërsa një tjetre i ra të fikët. Nga tërë anët erdhën duke vrapuar mjekë me gjilpëra, drita, tubo, epruveta, shirita llastike dhe spirale metalike. Instrumentat më të komplikuara i sollën me tavolina me rrotëza. Të gjithë përreth pacientit duke shtyrë njëri tjetrin me inat duke i thënë se duhet edhe të tjerët ta vizitonin. Një kolonel ballëgjërë me syze me skelet briri gjeti i pari diagnozën:

"Eshtë meningit!"- tha plot siguri duke i shtyrë të tjerët, "Ndonëse nuk ka asnjë tregues të qartë sepse duhet të jetë i tillë."

"Atëhere pse thua meningit dhe nuk thua , ta zemë...nefrit akut!" 

"Sepse jam specialist meningiti dhe jo i nefritit"- ju kthye koloneli" dhe nuk kam për t'ja lënë pacientin asnjë veshkisti pa luftë. Unë isha këtu i pari."

Në fund të gjithë ishin në një mendje. U pajtuan se nuk kishin idenë se cila ishte arsyeja që ushtari i shihte të gjitha dopio, e futën atë në një dhomë të ve]antë dhe vendosën një karantinë dyjavore për të gjithë pacientët e pavionit.

Dita e Falenderimit kaloi pa ndonjë gjë për të shënuar ndërsa Josariani ishte në spital. E vetmja gjë pa shije ishte gjeli i detit, por dhe edhe ai nuk ishte aq i keq. Për Josarianin ishte Dita e Falenderimit më e arsyeshme dhe ai u betua që të gjitha Ditët e Falenderimit të së ardhmes t'i kalonte në strehën e ngrohtë të spitalit. 

E shkeli betimin që në Ditën e parë të Falenderimit, pasi e kaloi në hotel i përfshirë në një bisedë intelektuale me gruan e lejtnantit Sheiskopf, e cila vazhdimisht i hiqte veshët për qëndrimin e tij cinik ndaj Ditës së Falenderimit edhe pse sipas asaj ajo vetë nuk besonte tek Zoti po aq sa Josariani.

"Ka mundësi që unë të jem po aq ateiste sa ti"- deklaroi ajo e ngrefur" e megjithatë mendoj se duhet të tregohemi mirënjohës dhe nuk ka pse të skuqemi për këtë."

"Më thuaj një gjë për të cilën duhet të jem mirënjohës."- tha me indiferencë Josariani.

"Po ja..."- bëri ajo një pauzë në mëdyshje a duhej ta thoshte- "për mua."

"Ua lere...'-shfryu Josariani.

Ajo ngrysi vetullat tërësisht e habitur. "Nuk je mirënjohës për mua?"- pyeti ajo me një ton ku ndjehej krenaria e lënduar. "Nuk mendon se s'ka pse t'i tund prapanicat me ty? Im shoq komandon një skuadron të tërë me kadetë, të cilët do hidheshin përpjetë nga gëzimi të shkonin me gruan e komandantit të tyre."

(vijon)

Monday 18 December 2023

Ushtari që shihte çdo gjë dopio (Nga "Klecka-22" e J.Heller)

Josariani gëzonte shëndet të mirë sajë ushtrimeve fizike, ajrit të pastër dhe marrjesme sport; prej të cilave hoqi dorë ditën e parë që zbuloi spitalin. Kur oficeri i edukatës fizike Fild urdhëroi të gjithë ushtarët të shtriheshin e të nisnin ushtrime për forcimin e muskujve të barkut, Josariani u nis për në ambulancë dhe ju tha që kishte dhimbje në anën e djathtë të barkut.

"Duroje"- dha doktori i rojes që po zgjidhte një fjalëkryq.

"Nuk mund t'i themi më duroje"- u hodh korporali" ka një direktivë të re për dhimbjet e barkut. Duhet t'i mbajmë pes ditë në kontroll para se t'ju themi ta durojnë, se ka pasur shumë vdekje prej tyre."

"Në rregull"- mërmëriti doktori."Mbajeni në kontroll për pesë ditë dhe pastaj i thoni ta durojë."

I dhanë pizhamet dhe e shtruan në pavion, ku Josariani u ndje shumë i kënaqur, pasi pranë tij asnjë nuk gërrhiste. Në mëngjez, një doktor stazhier anglez shumë i zellshëm e pyeti për mëlçinë.

"Më duket se kam apendisitin"- i tha Josariani.

"Apendisiti nuk të bën dobi"- deklaroi me shumë autoritet anglezi- "Apendisitin ta heqim tak-fak dhe duhet të shkosh menjëherë në shërbim. Po ankohu për mëlçinë dhe mund të na çoroditësh për javë të tëra. Duhet të kuptosh se mëlçia është një mister i madh për mjekësinë. Besoj se ke ngrënë ndonjëherë dhe e ke një lloj ideje se ç'dua të them. Ne jemi të sigurt që mëlçia ekziston dhe përafërsisht dimë se ç'funksion ka, kur bën atë që duhet të bëjë. Më tej jemi komplet në errësirë. Mbi të gjitha ç'farë është mëlçia? Për shëmbull im atë vdiq nga kanceri në mëlçi dhe nuk kishte qënë i sëmurë asnjëherë në jetën e tij deri në çastin që vdiq. S'kishte pasur kurrë as dhimbjen më të vogël. Nga një anë kjo e dhimbjeve nuk ishte ndonje gjë pozitive se nuk e duroja dot babanë. Mbaja anën e mamasë."

"C'ne një doktor anglez të jetë në detyrë këtu?"- donte të dinte Josariani.

Oficeri qeshi. "Këtë do të ta them nesër në mëngjez , kur të vij për të të parë. Dhe hiqe atë qesen me akull para se të kesh marrë ndonjë të ftohur të rëndë."

Doktori nuk u pa më. Kjo ishte më e bukura me mjekët në spital; nuk i shihje kurrë për herë të dytë. Vinin, të vizitonin dhe zhdukeshin. Në vend të anglezit të nesërmen mbërritën një grup mjekësh që nuk i kishte parë ndonjëherë dhe që e pyetën për apendisitin. 

"Nuk kam gjë nga apendisiti. Doktroi dje më tha që kam mëlçinë."

"Mund të jetë mëlçia"- u përgjigj një doktor flokëbardhë që dukej se drejtonte grupin. "Si i kanë dalë analizat e gjakut?"

"Nuk i kanë bërë analizat."

"Bëjani menjëherë. Nuk mund të rrezikojmë me një pacient në këto kushte. Duhet të jemi në rregull me gjithë dokumentacionin në rast se ky vdes."Diçka shënoi në kartelë dhe ju kthye Josarianit: "Ndërkohë mbaj një qese me akull në vendin ku të dhemb. Eshtë e domosdoshme."

"Nuk kam."

"Gjej një këtu rrotull. Duhet të ketë. Dhe ju thuaj infermiereve nëse dhimbja bëhet e padurueshme."

 (vijon)


Thursday 14 December 2023

Shtypi (media) dhe Profesorët janë armiku


Thuajse 50 vjet më parë, në një bisedë në zyrën e tij pas fitores së zgjedhjeve të vitit 1974, Niksoni tha fjalët famëkeqe: "Shtypi është armiku. Establishmenti është armiku. Profesorët janëarmiku." Ishte 14 dhjetor dhe e gjithë Shtëpia e Bardhë ishte në ekstazën e fitores së thellë elektorale. Në entusiazmin e madh, ashtu si në dëshpërimin e thellë, njerëzit i nxjerrin ato që bluajnë brenda vetes dhe nuk mund t'i thonë çdo ditë hapur.

Por Niksoni ka kohë i vdekur dhe nuk ka ndonjë interes të merremi me figurën e tij, veç se të krahasojmë idetë e shprehura më 1974 me ato të propaganduara nga MAGA me 2016, 2020 dhe tani.

E gjithë turma që ndjek nga pas ish-presidentin Trump ka të njëjtën ndjenjë për Mediat (fjalën e lirë dhe informuese), establishmentin dhe profesorët(shkencën). Vetë Trump është kampioni i luftës ndaj informimit dhe shkencës. E ka dëshmuar në sulmet e egra ndaj mediave të pavarura dhe ndaj çështjeve të ngrohjes globale dhe të epidemive.

Rrezikshmëria e Trump dhe e amerikanëve që e ndjekin sjell dy probleme stërmëdha për Globin. E para është që Amerika ka shumë në dorë për vendosjen e gjithë ligjeve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare dhe e dyta është që ndikimi i asaj që quhet "pop-culture" amerikan është ende shumë i fuqishëm në botë.

Në Shtetet e Bashkuara e kanë burimin edhe të gjitha teoritë komplotiste, të cilat po përqafohen gjithnjë e më shumë në botë dhe që janë tharmi i lulëzimit të grupeve të ekstremit të djathtë.

Injorancë, besimi tek komplotet, kundërshtim i të dhënave shkencore, mosbesimi tek informacioni i mediave tradicionale  janë karakteristikat e pjesëve të popullsisë që mbështesin të djathtën ekstreme dhe që po gjallërohen gjithnjë e më shumë në botë. Dhe shumica e tyre janë njerëz të varfër, të zhgënjyer nga sistemi dhe të dëshpëruar, që janë gati mos ndalen për asnjë veprim të dhunshëm.

Duket dhe që elitat liberale nuk janë në gjendje të kuptojnë se ku janë gabimet e tyre të rënda, të cilat sjellin në fuqi Trump dhe Trumpët e tjerë në vendet e zhvilluara demokratike. Nëse ato ende nuk do dinë se si të merren dhe të parandalojnë fenomenin Trump në shoqëritë perëndimore, atëhere Mediat, Institucionet dhe Profesorët kanë për të mbetur armiku i turmave, që rrezikon të sjellë në fuqi jo vetëm Autokratë, por edhe Diktatorë. 

Wednesday 13 December 2023

Një parashikim i zymtë


Në një shekull të qënies së shtetit shqiptar ka pasur vetëm 4 udhëheqës politikë, që kanë drejtuar vendin. Edhe pse me ndryshime nga njëri tjetri të katër mund të kategorizohen si Sundimtarë. Janë Ahmet Zogolli, Enver Hoxha, Sali Berisha dhe Edvin Rama.

Ka pasur edhe periudha ndërmjetëse, ku në krye të vendit kanë qënë personalitete të tjerë, por asnjë prej tyre nuk ka përcaktuar një epokë të caktuar, si koha e Zogut, e Enverit e Berishës dhe e Ramës. Askush prej të tjerëve nuk ka pasur forcën dhe ambicien e duhur për të sunduar.

Natyrisht, në një vend të vogël dhe me pak histori shtetformuese, një rol kryesor ka luajtur raporti mes Fuqive të Mëdha dhe situata rajonale dhe ndërkombëtare, por përsa i përket situatës së brendëshme, për fat të keq duhet pranuar tashmë se jemi një shoqëri që e ka të nevojshme t sundohet nga një Udhëheqës i vetëm. Dhe pavarësisht nga ndryshimet, të katër sundimtarët shqiptarë janë shquar për makiavelizmin e tyre dhe për mosstepjen ndaj çdo vendimi, që sillte edhe sakrifikim jetësh, por ju konsolidonte pushtetin.

Nën këtë prizëm të forcohet bindja se Rama (nëse diçka e ardhur nga qiejt nuk i ndodh), do e kalojë shumë shpejt kohët e sundimit të Zogut dhe të Berishës (përkatësisht 15 dhe 13 vjet) dhe do arrije gjysmën e kohës dyzetvjeçare të idhullit të tij- Enver Hoxhës.

Por a duhet fajësuar Rama për këtë?

Një shoqëri e cila nuk është në gjendje të përballojë vrullin dhe energjitë e një narcisisti për të ardhur në krye dhe për të ndenjur në krye një kohë të gjatë, është një shoqëri me pak energji pozitive, me shumë pak nevojë për institucione demokratike dhe me shumë pak kujtesë dhe largpamësi.

Koha e Ramës mund të përcaktohet si koha e largimit nga shteti i të drejtës dhe demokracisë, kohë e lulëzimit të bizneseve të fëlliqura, kohë e hapave pas në formimin e institucioneve të domosdoshme të një shoqërie liberale.

Por jo gjithshka mund të jetë e errët edhe në kohë të tilla. Në vend ka një qarkullim të madh të parave të pista, që ndihmon ekonominë e brishtë të funksionojë, që ndihmon krijimin e një infrastrukture për turizmin, ndaj edhe ka një standart të mirë jetese për një pjesë të shoqërisë. Eshtë kjo shtresë, që ndihmon sundimin e Ramës edhe në kushtet kur nuk kemi të bëjmë me një Diktaturë.

A do i fitojë po kaq lehtë edhe dy zgjedhjet e tjera për Parlament Rama?

Nuk ka se si mos i fitojë. Cdp gjë në vend ose është nën kontrollin e tij ose është e mpirë. Ndaj edhe periudha post-Rama i përket diku vitit 2033, kur Edvini të ketë plotësuar 20 vitet si Udhëheqës Fuqiplotë i Shqipërisë. 


Saturday 9 December 2023

C'ngjyrë ka pikëllimi?

Dikush thotë është një e errët blu,

Një tjetër - i zi si nata.

Këtë shkoj në mendje,

Në fundin e një pasditeje

I mpirë krejtësisht nga thëllimi:

"Në një paletë mjeshtri mijrangjyrëshe

Kujt syresh i përket pikëllimi?"

Ai lloj që gjithë qënien pështjell

Dhe shfaqet jo vetëm në fytyrë,

Por edhe në dridhjen e lehtë të flokëve,

Në tejdukshmërinë e thonjve,

Në luhatjet që ka çdo gjymtyrë.

Peshë të rëndë ka,

Por a mund të ketë nuancë,

Kjo masë viskoze që çdo qelizë prek?

Eshtë ngjyra e Zbrazëtisë

Ndaj si e tillë është absurde

Të kërkosh përkatësinë

Tek gjurmët që le drita

Kur prizmin e kristaltë cek.


Wednesday 29 November 2023

Mortja

Një ditë të vrenjtur në fundin e vjeshtës,

Nga ato kur dielli kurrë s'ka dal',

Ajo papritmas u shfaq para meje,

Ndërsa i vetëm pija një gotë mezkal.

"Jam Mortja" tha dhe unë ndjeva lektisje,

Nga ajo qënie e hajthme,

E zbehtë

Dhe e tejpashme.

Flokë të gjata pa ngjyrë,

Sy të perënduar,

Buzë bojëqielli nga rridhte

Një e folur e ngadalshme.

Rrokjet e theksuara qartë

Teksa bëheshin bashkë më rënqethnin.

Ishte e vërteta më e kthjellët,

E papërzjerë,

Ndriçuese

E njëjtë si rrezja që përshkon qiellin.

"Me ty kam qënë që kur linde

Dhe në çdo hap jam përkujdesur,

Më shumë se të gjithë,

Të dashurit e shtrenjtë,

Miqtë,

Shokët,

Vajzat me të cilat kaloje netët xhveshur.

Ndaj mos më shih me frikë

Pranë teje do jem gjithmonë,

Më tej se çasti kur do bashkohemi në ekstazë,

Dhe si një mori tingujsh do i drejtohemi amëshimit

Duke u përplasur mureve të Gjithshkasë,

Dhe të kthehemi në të përjetshme jehonë."


Tuesday 7 November 2023

Putheshim prapë

Ne duheshim dhe grindeshim dhe duheshim sërish

Ndoshta shpesh ndodh kështu në kësi dashurish

Përzjerë ëmbëlsia me gjithfarëlloj marrëzish

Dhe putheshim prapë.


Askurrë nuk kishim gjetur tek njerëz të tjerë,

Kaq lloj vogëlësirash, kaq gjëra pa vlerë,

Që na sillnin hare, nuk ndjeheshim të mjerë;

Ndaj putheshim prapë.


Dhe fundi i jetës dukej shumë e shumë i largët,

Dhe dhimbja më e madhe në shpirt ndjehej e mpakët,

Acari i janarit nuk ishte aq i mardhët

Se putheshim prapë.


Tashmë mollëzat rrudhosur nga lotët që janë derdhur,

Kujtimet zënë ç'ngjyrosen në një album të zverdhur,

Dhe zëri i Muskurit më tingëllon i mekur

Më s'puthemi prapë.

Friday 3 November 2023

"Nëntori i kuq"


Vite më parë tek ne nëntori ishte i kuq. Se si mund të kenë ngjyrë muajt e dinin ata që e kishin quajtur të tillë. Ndoshta e kishin huazuar nga vendi i Sovjetëve.

Tek ne ishte i kuq për shkak të Revolucionit të Tetorit (që binte në nëntor), për shkak të "lindjes" së partisë së kuqe më 8 nëntor, për shkak të ngritjes së flamurit  të kuq në Vlorë dhe mbi të gjitha se më 29 nëntor (që ishte kryefesta), të kuqtë na kishin çliruar nga gjermanët dhe gjithë bashkëpunëtorët e tyre!

Nuk di nëse bashkëmoshatarëve të mij nëntori ju dukej i kuq, por mua më ngjante se ishte muaji më i trishtë i vitit. Dhe jo për arsye politike.

Nëntori në Korçë për adoleshentët ishte muaji më i keq i vitit. Nuk luaje dot shpesh futboll apo basket për shkak te shirave që i kishin kthyer fushat me dhe në fusha me baltë; ishte muaji i tretë i shkollës dhe pushimet e dimirt dukeshin larg si dhe të vinte rradha më shpesh për tu ngritur në mësim; e ftohta të hynte në palcë ndërsa rrije me shokët strehëve dhe këpucët e zeza prodhim vendi thithnin gjithë ujin e mjedisit. (Ndoshta në nëntor kishte kaluar në anët tona një gazetare e huaj, që e kishte karakterizuar shoqërinë shqiptare të viteve '70 si "këpucë të zeza, dhëmbë të prishura dhe uri seksuale në sytë e meshkujve").

Kishte edhe më pak njerëz në xhirron e famshme dhe shumë të rinj e kalonin kohën në kafenetë e pakta para ndonjë gote alkoli apo ndonjë ëmbëlsire, Me siguri në nëntor ishte shpikur edhe loja që të futje kutine e shkrepseve në gotë, duke  i rënë me gishtin e madh nga cepi i tavolinës. Për të vrarë sa më shumë kohën. I vetmi ngushëllim i nëntorit ishte kanali televiziv i Shkupit, ku mund të shihje se ç'bëhej në botë dhe të dëgjoje më pak "lart e lart o shokë flamujt e Kongresit".

Tani e kuptoj se në nëntor, më shumë se në çdo muaj, ne ishim kthyer në "mendimtarë zombi". Nuk ishim në gjendje të mendonim me guxim se kishte diçka që thellësisht nuk shkonte mirë në Shqipëri. Nuk na pëlqente propaganda e shpifur e partisë dhe e organizatave të masave, por nuk kishim as guximin të kërkonim më shumë për të hapur sytë. C'farë ishte bota? Përse ishim të varfër dhe të izoluar? 

Ishim pajtuar me atë mpirje të një stine pragdimri, dhe nuk donim të kuptonim se gjithshka ishte stisur keq. Nuk ishte faji vetëm i "fuksave", por i atyre që kishin krijuar "sistemin e fuksave" që na mbante të terrorizuar.

Më qeshet hidhur kur dëgjoj ndonjëherë se si diskutojnë me zjarr bashkëmoshatarët për "qejfet" dhe "gallatat" që bënim ato kohë në shkollë dhe në kohën e lirë.

Ishte një kohë m... dhe pikë!

Dhe veçanërisht gjatë "nëntorit të kuq"!

Friday 27 October 2023

Mohakët flasin shqip


Një histori shumë e pazakontë, që më ka lënë mbresa të dyfishta më ka ndodhur verën e kaluar. Kam hezituar për ta ndarë me lexuesit e blog-ut sepse druhesha se do dukesha së tepërminjë patriot kaqol edhe pse kam kaq vite "i ndërkombëtarizuar". Më së fundmi mendova se nuk është fundi i dynjasë edhe po të jesh patriot kaqol ndaj më mirë të jem i sinqertë.

Herë herë shkoj në një bar në periferi të Montrealit, që frekuentohet kryesisht nga indigjenët. Të shumtët janë nga fisi(ata vetë preferojnë të quhen kombi) Mohak, që është një nga më të mëdhenjtë në numur në Amerikën e Veriut. Themi nga më të mëdhenjtë për këta që kanë mbetur, se të shumtët kanë shumë kohë që parardhësit tanë europianë i dërguan me "të shumët" duke përdorur dredhi, zjarr dhe hekur.

Më pëlqen ai bar se është i qetë dhe ke kohë të hulumtosh zakonet e një popullsie që ndryshon nga njerëzit moderne, që janë gjithnjë të nevrikosur, në nxitim dhe të pakënaqur. Mohakët janë të qetë, flasin pak, duket se meditojnë para gotave të alkolit që i zbrazin shtruar njëra pas tjetrës.

Një ditë, më kapi veshi disa rrokje që më kujtonin gjuhën mëmë. Ishin tre të rinj Mohakë, që po luanin bilardo dhe dukej se nacmonin njëri tjetrin. Mu duk se dëgjova "bësha motën", "fsha udët", "fut i varë". Nuk po ju besoja veshëve dhe në krye mendova se është diçka që ndodh kur je i malluar të dëgjosh gjuhën tënde. Mund të ishte krejt rastësi që rrokjet e mohakuara nga gojët e Mohakëve të tingëllonin si një shqipe e vjetër. Në anën tjetër të banakut, barmeni që quhej "Ketri Fluturonjës", por që të gjithë e thërrisnin Sem, po më shihte me kureshtje. Dukej që i ra në sy që isha gjithë sy e veshë drejt tavolinës së bilardos.

"Sem ç'farë thonë ata të rinjtë?"

"Eh...shahen me njëri tjetrin për lojën. Pa rëndësi. Fjalë të ndyra."

Kjo më bëri të dyshoja më shumë se diçka nuk ishte fare pa lidhje. Edhe mua më ishin dukur të ngjashme me të shara në shqip. Mu kujtua edhe Qamil Panariti, që për t'ju provuar të huajve se popullsia e fshatit nuk ishte greke, edhe pse gratë flisnin me njëra tjetrën greqisht para kishës, ju hodhi fëmijëve që luanin një tufë me monedha dhe ata duke u përleshur me njëri tjetrin kush të merrte më shumë, u zhdëpën edhe duke sharë shqip me rrënjë e degë. Të sharat, që lidhen kryesisht me akte seksuale, janë shumë të lashta në çdo popull.

"Po ç'farë thonë saktësisht Sem?"

Pasi heshti për pak, Ketri Fluturonjës më shpjegoi se kuptimi ishte "Të bëfsha motrën!:, "Të ashtufsha udhët!" dhe "Fute o i vrarë!". Të them u ngazëlleva është pak. Emocionet ishin si të çasteve më të bukura në jetë. Gjithë natën nuk mund të flija dhe më silleshin në mendje Rilindasit, që patën shpëtuar gjuhën tonë, por dhe të gjithë studiuesit e sotëm që kishin argumentuar në librat e tyre se SHQIPJA ishte në rrënjët e gjithë gjuhëve indo-europione, dhe se shqip patën folur në agimet e qytetërimit pellasgët, trojanët, grekët, sumerët madje edhe actekët. E kisha dëgjuar tashmë me veshët e mija se edhe Mohakët, që kishin mbi dhjetmijë vjet që kishin kaluar nga Azia në Amerikën e Veriut nëpërmjet ngushticës së Beringut shanin shqip.

Të nesërmen nxitova të shkoja në Barin "Kollona e Totemeve" dhe për fat të mirë, Ketri Fluturonjës ishte në turnin e paradites. I kërkova nëse mund të takoja ndonjë nga më të vjetrit e fisit (kombit- më korrigjoi Semi)dhe më pas shtoi se Shqiponja Pendëzezë vinte çdo mengjes dhe pinte kafenë në bar. U mrekullova. Mu duk edhe emri i tij i ngjashëm me simbolin e kombit tonë.

Shqiponja Pendëzezë ishte krejt i zbardhur dhe fliste ngadalë. Më tha se kombi i tij ishte nga bashkimi i një vajze vendase me një djalë të gjatë e të bukur që pat ardhur nga një vend shumë i largët. Më pas shtoi se nuk dinte gjë për gjuhën shqipe dhe gjuha e tyre ishte mohakishte. I tregova për të sharat që kisha dëgjuar nga të rinjtë, që luanin bilardo dhe më tha se i dinte dhe ai ato fjalë. Duke buzëqeshur shtoi se të gjithë meshkujt mohakë i përdornin. Vite më parë, një mohak që punonte në ndërtim i kishte mësuar nga një punëtor emigrant i ardhur nga Vlora dhe ja u kishte mësuar të tjerëve. Ju tingëllonin qesharake dhe e kishin më të lehtë kur shanin në një gjuhë tjetër.

"Nuk merret për ters!" përfundoi frazën Shqiponja Pendëzezë dhe rrufiti sërish nga filxhani me kafe.


Monday 23 October 2023

"Jakobinë" të përhershëm


Jemi "jakobinë" se jemi ballkanas? Jemi "jakobinë" sepse ishim një kohë të gjatë nën një Diktaturë të Majtë? Jemi "jakobin" sepse sisitemi juridik anglo-sakson nuk ka pasur kurrë një ndikim në shoqërinë tonë?

Eshtë e vështirë të gjesh një përgjigje të saktë për tre pyetjet. Ndoshta e vërteta është diku midis ose e përfshirë brenda këtyre tre pyetjeve. Populli që dikur thërriste "tradhëtarët në litar" nuk kishte qënë për një kohë të gjatë nën ndikimin komunist. Kishte qënë nën Turqinë dhe Zogun. E megjithatë kërkonte litarinsi dikur jakobinët kërkonin gijotinën. Një miku im thotë se popujt e varfër dhe të  mund t'i lesh edhe pa bukë mjaft të futësh sa më shumë të pasur në burg. Së fundmi këtë e ilustronte me shembullin e Erdoganit, që e kaloi përgjegjësinë e qeverisë për viktimat e tërmetit duke burgosur menjëherë dhjetra ndërtues,

Tashmë në Shqipëri është arrestuar Jamarbër Malltezi për një përfitim që ka pasur 12 vite më parë në një aferë të dyshimtë kthimi pronash, privatizimi dhe ndërtimi. Një pjesë jo e vogël e popullsisë shqiptare është kënaqur që dhëndëri i pasur i Berishës do mbetet në burg.

Unë nuk e ve në dyshim që e gjithë afera është e dyshimtë dhe favorizuese, por ajo që më shqetëson është qëndrimi i segmenteve të juridikut nga SPAK e deri në Gjykatën Speciale për ta arrestuar me bujë dhe për ta mbajtur të arrestuar. C'mund të bëjë Malltezi në lidhje me një "vepër penale" të kryer 11 vite më parë? Mund të tjetërsojë provat? Mund të kërcënojë dëshmitarët? Mund të largohet nga vendi si Arben Ahmetaj? Asnjëra nga këto nuk qëndron dhe të gjithë juristët që kanë duart në këtë dosje e dinë, por kanë zgjedhur për të kënaqur egon e tyre, ambiciet politke të të tjerëve apo dëshirat ndëshkuese të pjesës së prapambetur të shqiptarëve ta arrestojnë në publik dhe ta mbajnë në burg deri sa ta dënojnë një vit ose dy.

Nëse shqiptarët e thjeshtë që entusiazmohen nga arrestimi tregojnë vetëm dritëshkurtësi dhe një kënaqësi primitive ndëshkimi të të tjerëve, për prokurorët dhe gjykatësit e çështjes, kjo është më tepër se turp. Eshtë abuzim i pastër i pushtetit. Malltezi ka përfituar nga Berisha për paratë që ka fituar nga afera "Klubi Partizani". Nëse dosja është e përpiluar mirë dhe e plotësuar me fakte jo vetëm ai, por Berisha edhe të tjerë përgjegjës duhet të marrin dënimin e parashikuar nga ligji. E megjithatë. e gjithë mënyra e përfundimit dhe procedimit për një dosje me të cilën SPAK ka tre vjet që merret, cënon jo vetëm lirinë e Malltezit, por edhe timen edhe të të gjithë shqiptarëve të tjerë. Të tilla mënyra duhet t'i përkasin historisë dhe jo jetës

së sotme.

Sunday 22 October 2023

Prift'resha introverte.

 Tempullit në kthinën e fshehtë rri,

Kurmit bukur i derdhet mëndafshi i zi,

Buzët i lëviz , por nuk bën magji,

Prift'resha introverte.


Në rradhë, tek shkallët, presin çdo ditë,

Kumtet e ardhme që vijn' nga Perënditë,

Njerëz që në krahë mbajn' delet dhe dhitë

Plot brenga dhe derte.


Ajo nis përzgjedh mes shkrimeve të lashta

Të ëmbla fjalë dhe fjalë të vrazhda

Pa parë fytyrat që janë përjashta

Gjithsekujt më vete.


Nga avujt e verës që pi me sapllak,

Vegimet e ardhme i shfaqen pa cak,

At'here ngadalë zë xhvishet cullak

Prift'resha introverte.


Prej gypit të gurtë të së fshehtës kthinë,

Kumtet e shenjta tek njerëzit arrijnë,

Ikin si kanë lënë o delen o dhinë

Pa brenga dhe derte.

Friday 20 October 2023

I pahijshmi

Një ditë me diell unë hijen e humba

Në stinën kur zogjtë iknin me trumba;

Orkestra në park luante një rumba

(Ishte në modë at'here.)


Kudo që endesha më shihnin me habi,

Zonjëza dhe zotër, pleq edhe fëmij'

"Ky është ai q'humbi hijen e tij!"

Përflitej pas çdo dere.


Por unë nuk ndjeja të hijes mungesë

Ato të të tjerëve nuk më linin mbresë

"Ndoshta dhe kthehet"- e kisha një shpresë

"Mbase një ditë vere".


Edhe se të kthehej nuk kisha dobi,

Nuk di kush e do nga pas hijen e tij,

"Por hije mbi dhe lëshon çdo njeri!"

Mendoja her' pas here.


Ngadalë po më dukej çdo gjë pa shije,

Por dhe rreth e rrotull botës  t'i bie

Nuk di ku ka vend ku të blesh një hije

Të t'thonë-"Paguaj dhe merre."


Në dëshpërim shtyj ditët një dhe nga një,

Jo rrallë dhe natën as gjumi s'më zë,

Nuk di pse e ndjej dhe të qetë s'më lë

Hija q'humba at'here. 

Thursday 19 October 2023

ANNABEL LI - Edgar Alan Poe

Shumë edhe shumë vite më parë

Në një të bukur mbretëri

Ishte një vajzë që të gjithë e kanë parë

Me emrin ANNABEL LI.

Një vajzë që herët mendjen kishte ndarë

Me mua të binte në dashuri.


Unë isha i vogël ajo ish' fëmijë

Në të bukurën mbretëri,

Por duheshim me zjarr që digjte më me zjarr

Unë dhe e imja ANNABEL LI.

Një dashuri që edhe ëngjëjt në qiell,

Nuk mund mos e kishin zili.


Nuk kishte si mos ndodhte aq kohë më parë

Në breg të asaj mbretëri,

Prej reve të frynte një erë e marrë,

Që mardhi timen ANNABEL LI.

Burrat e fisit i erdhën të gjithë

E morrën nga imja shtëpi;

Kishte mbetur vetëm ta shtinin në varr

Në bregun e asaj mbretëri.


Engjëjt nuk ishin të lumtur në qiell

Dhe ne na kishin zili,

Ky ishte shkaku (si të gjithë e dinë

Në atë mbretëri)

Që mesnate nga retë fryu erë e marrë

Mardhi dhe vrau ANNABEL LI.


Por e jona ishte një dashuri e paparë,

Si ne nuk kish' dashur njeri,

Të mençur, të urtë pleq e fëmij-

Ndaj as ëngjëjt që ngjten e zbresin në qiell,

As djajtë në thellësi,

S'ma ndajnë dot shpirtin nga shpirti i saj,

Të bukurës ANNABEL LI.


Sa hëna lëshon dritë, tek unë ëndërrat zbritën

Me të bukurën ANNABEL LI.

Dhe nuk dalin lart yjet, pa parë unë sytë

E të bukurës ANNABEL LI.

Dhe lart kur ngjiten retë, unë shkoj e shtrihem vetë

Pranë të dashurës, nuses sime dhe times jetë,

Në bregun tek varri i zi,

Ku dëgjohet e trishtë melodi.

 

Wednesday 18 October 2023

Akujt ishin larg nga Salamina

 Akujt ishin larg nga Salamina,

Më larg edhe se persët.

Nën këngën e çmendur të xinxërve

Atë verë tmerrësisht të nxehtë

Ai ende rrekej mitologjisë së vikingëve.

U përpoq të ngjitej gjunjas,

Në kodrën ku i jepej fund mundimeve.

(Nuk ishte ndëshkimi i Sizifit,

Një tjetër dënim ishte-

Ai i shpëlarjes së dyshimeve.)

Me gjunjët e përgjakur

Që çuditërisht nuk dhembnin,

Trupin drejtoi kur arriti në majë.

Horizontit ku dielli kishte nisur përflakjen

Edhe pse në anën tjetër të rruzullit,

Arriti të shihte flokët e saj.


Saturday 14 October 2023

Korrupsioni sjell luftë


Ka një marëdhënie të dukshme ndërmjet korrupsionit dhe regjimeve autokratike, si dhe ndërmjet regjimeve autokratike dhe luftës. Lufta Rusi- Ukrainë ka qënë më tipikja e një raporti të tillë, ku dy klasa politike tepër të korruptuara në të dy vendet sollën një luftë të përgjakshme, e cila po i afrohet vitit të tretë. 

Në vatrën e përhershme të luftrave, para një jave, Hamasi terrorist (dhe i korruptuar) nisi një sulm barbar ndaj popullsisë izrailite duke vrarë burra, gra dhe fëmijë. Izraeli i Bibi Netanjahut po i përgjigjet me të njëjtën monedhë terrori duke vrarë burra. gra dhe fëmijë.

Duhet shënuar se Lindja e Mesme është zona me më shumë regjime autokratike dhe të korruptuara, dhe është për të ardhur keq, që Izraeli ka dhënë shënja në këto vitet e fundit, se po e cënon karakterin e tij demokratik. Nuk ka si shpjegohet ndryshe qeverisja e gjatë e Netanjahut, që është ndër politikanët më të korruptuar izraelitë. Përpjekjet e tij për të minuar pushtetin juridik (gjë që solli protesta të mëdha në Izrael) ishin një tjetër prirje për të sunduar si Putin, Erdogan apo të tjerë udhëheqës "të fortë" dhe të korruptuar europianë dhe aziatikë. Nuk është e pabesueshme, që edhe dështimi i inteligjencës izrailite në sulmin e fundit të ketë lidhje me dëshirën e Bibitpër të konsoliduar pushtetin e tij dhe për të dobësuar fuqinë e kollonës juridike të shtetit.

Lojtarët e tjerë politikë përreth janë gjithashtu mjaft të korruptuar duke nisur me Princin e kurorës saudite dhe duke vazhduar me Diktatorin e Egjiptit, Autoritetin Palestines, Hezbollahun dhe regjimin e mullave të Iranit, që ka jo pak rol në këtë luftën e fundit. Që prej kohës së pranverave arabe, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli treguan një prirje për të mbështetur "duart e forta" në shtetet arabe, me udhëheqësit e korruptuar të të cilëve e kanë më lehtë të merren vesh. Por kjo politikë "e zgjuar" nuk shpie në tjetër drejtim veç një lufte të pafund. Pjesët e varfera të popullsisë të vendeve arabe (që janë edhe në numura të mëdha) vazhdojnë të varfërohen më tej dhe të kenë shpresën vetëm në organizatat terroriste si rrugë shpëtimi. Eshtë i gjithi një rreth vicioz, nga i cili e pësojnë njerëzit e pambrojtur, qofshin këta izrailitë, palestinezë apo arabë të tjerë. "Të fuqishmit" e gjejnë gjuhën mes tyre (edhe për të ndarë paratë), sikundër bënin dikur biznes djemtë e Sharonit dhe Arafatit ndonëse baballarët e tyre hiqeshin si kundërshtarë të betuar.

Situata e përgjithshme në botë le vend për pesimizëm, sepse udhëheqësit me prirje autokratike tani janë të pranishëm gjithnjë edhe më shumë. Kjo do të thotë konflikte të tjera të armatosura dhe fatkeqë të tjerë që vriten çdo ditë.

Wednesday 4 October 2023

Panja në vjeshtë.

 Në kopështin e pasëm

Gjithë ngjyra panja është veshur,

Si një lavire plakaruqe që rroba plot lule vesh

Me shpresë se rinokët kanë për ta ndjekur.

Më kot t'i ngjyen mollëzat e zbehta

Edhe rimeli më qerpikët dot s'i zgjat.

Nuk ke më pjalm që bletët rreth t'i mbledhë,

Nuk munden ngjyrat të mbulojnë të kërrusurin shtat.

Dhe kardinali i vogël,

Që shpesh ulej mbi degë

Nuk cicëron më

Ka mësuar të heshtë.

Gjithshka duket bukur në kohën e saj

Marrokja panja ime në vjeshtë.

Sunday 1 October 2023

C'i do qeni brekët?!


Këtej nga ne ka nisur e ftohta dhe jo vetëm njerëzit, që vishen më trashë, por fillojnë të veshin edhe qentë. Kjo më sjell ndërmend shprehjen popullore denigruese "C'i do qeni brekët!", të cilën për arsye që nuk i di, mendoj se  kemi vetëm ne. Por populli jonë i mençur, punëtor, trim dhe liridashës, nuk është treguar aspak largpamës me këtë shprehje, se qenit tani i veshin jo vetëm brekë, por edhe jelek, edhe xhamadan, edhe pallto, madje edhe disa lloj pardesy fësh-fëshe, që të mos laget.

Më ka çuditur gjithnjë raporti jo shumë i përsosur që kemi pasur ne shqiptarët me qenin. Ka më shumë shprehje jo dashamirëse ku përdoret qeni se të themi macja, gomari, dosa apo të tjera kafshë shtëpiake. Edhe në këtë rast, përse mos thuhej "C'i do maçoku brekët?!" apo derri, këndezi apo lopa, por pikërisht qeni. E kuptueshme që nuk mund të përdorej për kalin, sepse në kohën kur nuk kishin dalë makinat dhe njëthundraku bukurosh përdorej për transport në qendrat e banuara, i vishinin një lloj potureje, që të mos lëshonte rrugëve bajgat e tij në ngjyrë midis jeshiles dhe kafesë. Canis familiaris i jonë ka marrë në shpërblim të besnikërisë të palëkundur, shumë e shumë shprehje denigruese duke nisur me "jetë qeni", "qen bir qeni", "qeni lih e ujku pirdh" dhe duke përfunduar me "kur i vjen ngordhja, qeni vete përmjer në dera e xhamisë". Ka diçka që vërtet nuk shkon në psikologjinë kolektive të hershme të popullit tonë. Animalistët duhet ta shohin më me vëmendje këtë.

Dikush me të drejtë mund të thotë se këto shprehje nuk kanë të bëjnë me kafshët, por me njerëzit dhe sjelljet e tyre, por pse të zgjedhej në këtë rast pikërisht qeni? Ndoshta nga që përmjerja e tij me këmbën e ngritur e bën shumë të vështirë mbajtjen e brekëve sepse do shqepen që në përmjerjen e parë?

Nejse.

Le të merremi me kuptimin e shprehjes që lidhet me goditjen ndaj një kategorie të caktuar njerëzish dhe nje sjelljeje të caktuar. Ka të bëjë me përdorimin e panevojshëm të diçkaje, që nuk i duhet një kategorie të caktuar dhe që edhe mund të dëmtojë përdoruesin. Fjala vjen, dikë që nuk di të hedhë firmën. por megjithatë  e sheh në një kafene me një lap-top para. Ose një fermer, që ble një "Ferrari" dhe ngjitet në fshatin e tij skërkave për t'ju mburrur bashkëfshatarëve.

Por populli edhe këtu nuk është treguar largpamës. Në shoqërinë e sotme shqiptare mund të shohësh plot e plot qenër e qenushka, kuçka e zagarë, buça dhe qenër stani, që sillen jo në përputhje me "statusin" e tyre, por askush nuk ka të drejtë t'ju thotë gjysëm fjale, apo më keq t'i denigrojë. Kështu është "etikisht korrekt" në kohët moderne, ku gjithkush mund të bëjë atë që i pëlqen, pa u drojtur se mund ta përbuzin të tjerët.

Në mbyllje të kësaj përsiatje (pa buke) rreth kuçit, brekëve dhe njerëzve më duhet të them se shumë shtampa që i kemi në kokë na duhet t'i heqim në varësi të zakoneve dhe sjelljeve të reja. Edhe me koston se do varfërohet thesari i shprehjeve popullore.  


   


Friday 29 September 2023

Edhe hënë, edhe lozonjare!


Më ndodh që kur udhëtoj gjatë të më vijnë ndërmend ç'turlish kujtime nga e kaluara. Qesh me vete dhe them se jo vetëm partia, qeveria dhe organizatat e masave na "ushqyen"trurin me gjithfarë "plehrash". por edhe të tjerë njerëz krijonin lloje të tjera kotësish të cilat partia, qeveria dhe organizatat e masave i luftonin, por gjithsesi hynin në mendjet tona prej kalamani apo adoloshenti. "Ushqime" toksike, të panevojshme, rropullipërzjerëse.

Një natë me hënë të plotë (e cila këtej nga jetoj duket çuditërisht e madhe) më erdhi në mendje një nga këto "krijime" të sernadistëve qaramanë korçarë. Nuk di nëse i përkiste repertorit të xhaxhallarëve Peleshi, Xhepes apo të tjerë krijuesve të panjohur. Gjithashtu nuk e kam dëgjuar të jetë në kasetat dhe CD-të e këngëtarëve të sotëm, që kanë jo pak nga këto këngët qaramane të rrugëve.

Eshtë befasuese se vetëm në tre strofa me një tetërrokësh të zakonshëm, autori jo vetëm tregon gjendjen e tij shpirtërore, por edhe tërë historinë e jetës dhe njëkohësisht i hedh edhe munxat vendit të tij.

Ti moj hëna lozonjare

Që ndriçon sonte mbi dhe,

Hyr në re dhe mos dil fare

Që ky vend drit' të mos ketë!

Të fut në mënyrë thuajse të magjishme në botën e një njeriu fotofobik, i cili nuk del ditën (se nuk thotë gjë për diellin), por del vetëm natën dhe dritën e hënës nuk do ta ketë as vendi i tij! C'të jetë ky njeri të cilit hëna edhe i duket lozonjare, por njëkohësisht e do edhe pas reve?!

Kuptohet në strofën e dytë, kur urrejtja e tij ndaj dritës së hënës duhet t'i ketë ndoshur për shkak të humbjes së dashurisë të tij të madhe.

Unë të mora qysh të vogël

Dhe të rrita si fëmij'

Shkaku yn' që ne u ndamë

Ishe ti që s'lind fëmij.

Unike , e papërsëritshme, ndoshta pa asnjë shembull tjetër t[ ngjash[m në ziliarda vargje, që ka krijuar Njerëzimi gjatë historisë së tij. E la gruan , që e kishte marrë me një barrë sevda që adoleshente (nuk duket se ka elemente të pedofilisë ) se nuk bënte fëmijë. Nuk kishin dalë edhe këto metodat me "vitro", që të ishte bërë dermanpër qa ramanin.

Dhe me nota të fuqishme tragjike, mbyllet kënga në strofën e tretë, kur kuptohet gjithshka që ka ndodhur. E gjora grua e lënë për shkakun "madhor" të mosprodhimit të një trashëgimtari, ka vdekur dhe autori i penduar, që nuk do hënën të shfaqet, kërkon dhe ai të vdesë një orë e më parë, por pa pranuar fajesine. Del edhe një përbërës, që shfaqet jo rrallënë serenatat krahas, rakisë, lotëve dhe leshkave, që është "varri".

 Hapu varr i errësuar

Dhe pranoje trupin tim!

Vdiq ajo që më desh mua

Le të vdes dhe unë tani!

Cuditërisht kjo strofë me nota "betoviane" dhe e gjithë kënga (nga ato me dhemkë)mua më bën të qesh ndërsa shkoj me makinë në një rrugë që ka në fundin e saj një hënë stërmadhe, që të kujton ato gonget e mëdha prej bakri të tempujve aziatikë. Aspak lozonjare!

Saturday 23 September 2023

Të ndjerët regjisorët e mij


Nuk mund të them me siguri se të gjithë fëmijët kanë dëshirë të aktrojnë. Mbase pjesa më e madhe syresh, sidomos në shekullin e kaluar, që padyshim ishte shekulli i kinemasë.

Në sistemet totalitare (veçanërisht në ato komuniste), dëshira e fëmijëve për të luajtur në skenë apo në filma ndihet së tepërmi nga shteti, që përdor artin skenik dhe kinematografik për propagandë. Shfaqjet teatrore amatore tek ne nxiteshin që në Shtëpinë e Pionierit dhe më tej në shkollën e mesme dhe më tej akoma në fabrika dhe uzina. Vazhdimisht kishte konkurime të grupeve amatore, të cilat thyenin monotoninë e një jete "të kontrolluar", veçanërisht për pjesëmarrësit në ato veprimtari.

Shpesh i sjell në mendje ata që kanë drejtuar shfaqjet ku kam marrë pjesë si i ri dhe adoleshent, dhe më vjen keq që thuajse të gjithë janë larguar të rinj nga kjo jetë.

Në Shtëpinë e Pionierit, regjisori im i parë ishte Raqi Cili. Ishte jo vetëm aktor i mirë dhe burrë i pashëm, por edhe njeri i mirë dhe me seriozitet në sjellje dhe punë. I mëshonte llogjikës në interpretim dhe në thënien e frazave, duke mënjanuar patetizmin, që jo rrallë "ushqehej" në aktrimin në një vend diktatorial.

Deri në vitet '80 të shekullit që lamë, në Institutin e Arteve nuk kishte degë regjisure, ndaj edhe të gjithë regjisorët e grupeve amatore (shpesh edhe ata të trupave profesioniste) ishin aktorë. Të tillë ishin regjisorët e grupit të shkollës sonë të mesme, Jani Riza dhe Perikë Gjezi, që fatkeqsisht humbën jetën në aksidente automobilistike. Jani ishte shumë i ri. Ende e kujtoj një mëngjes të vrejtur vjeshte kur mësova për vdekjen e tij.Ishte një njeri shumë i gjallë dhe bujar, si dhe me shumë humor. 

I hapur dhe dashamirës ishte dhe Peroja, që sa kishte mbaruar Institutin, kur punoi me trupën e teatrit të shkollës sonë. Ai frymëzoi disa nga gjimnazistët të ndiqnin rrugën e artit, por vetëm njëri prej tyre, Shkëlqim Jaupi, arriti të fitonte më vonë konkursin për pranimin në Institut.

Regjisorja nën  drejtimin e së cilës kam qënë për 5-6 vjet, ishte e nderuara Drita Kallamata. Edhe Drita nuk kishte studiuar për regjisurë, por kishte intepretuar në Teatrin Popullor dhe për një kohë të gjatë në Teatrin e Kukullave n[ Tiranë. Ndonëse natyra e aktrimit në një teatër kukullash është e veçantë dhe përqëndrohet tek vitaliteti që i jep buratinit, nga Drita mësoje shumë edhe për artikulimin e fjalëe dhe kontrollin e mirë të zërit në skenë. Regjisorja, që kishte qënë për ne si një nënë e dytë, u largua beftë një mëngjes nëntori, kur ishte vetëm 55 vjeçare.

Më gjatë pat jetuar i fundit mes regjisorëve të mij, aktori Niko Qirici. Nikoja ishte aktor komik, por mund të luante edhe role dramatike, falë paraqitjes së tij dhe zërit të ngrohtë prej baritoni.

Kur kisha mbushur 20 vjet dhe pata hyrë në Universitet, e kisha humbur dëshirën për të marrë pjesë në grupe amatore të skenës. ndoshta e kisha kuptuar që nuk kisha ndonjë talent të spikatur dhe gjithashtu isha më i ndërgjegjshëm se r-ja difektoze në të folur nuk tingëllonte mirë në skenë. Megjithatë kujtimet e provave dhe shfaqjeve, si dhe të drejtimit me dashuri dhe durim nga ana e regjisorëve mbeten të pashlyeshme.

Prehuni në paqe të dashurit regjisorët e mij! 


Tuesday 12 September 2023

Shteti “demokratik” – shëmbëlltyrë e Azem Hajdarit


25 vjet më parë, një grup cubash që mbështeteshin nga Partia Socialiste vranë Azem Hajdarin. Në gjyqet e bëra nuk dolën qartë motivet, por mundësia më e madhe ka qënë larje reciproke hesapesh për tregëti armësh dhe të tjera fëlliqësira që ndodhnin në Tropojë në ato vite. Palët kishin vrarë midis tyre dhe vazhduan të vrisnin.

Një vit më parë, Azemi ishte plagosur brenda Parlamentit nga një deputet tjetër, ku motivi kishte qënë një fyerje banale në publik. Gjithashtu I kishte shpëtuar disa atentateve të mëparshëm. (Asnj[ p[r arsye politike.)

Azem Hajdari, të cilin e paraqesin si hero të Demokracisë, ishte një “horr” i futur në politikë, që për 6-7 vjet bëri me dhjetra e qindra paudhësi dhe krime, duke nisur me organizime vrasjesh , përdhunime, mashtrime, përvetësime fondesh shtetërore, privatizime me ndërhyrje dhe forcë dhe plot të tjera më të lehta. Por pa e pasur ai vetë atë qëllim, shteti i sotëm “demokratik” shqiptar ka të njëjtin karakter si të Azemit.

Ortakëri me krimin e organizuar, korrupsion në nivelet më të larta, polici dhe prokurori arrogante, qeveri e mbushur dingë me hajdutë, mungesë tolerance dhe mirëkuptimi mes institucioneve dhe partive e të tjera si këto.

Me një fjalë një Shtet horr.

Mjft të dëgjosh si flet Kryeministri dhe Kryeopozitari, mjaft të shohësh lluksin e Meta-Kryemadhit dhe hajnave të tjerë, mjaft të vëresh servilizmin e Presidentit Begaj, mjaft të shohësh vagabondët e mediave, mjaft të këqyrësh videot perverse në zyrat e shtetit.

Mund të themi me plot gojën, se Azemin vërtet e vranë, po ai është i gjallë në institucionet e shtetit shqiptar.

Le ta quajmë edhe vendin Hajdaristan!

I përjetshëm kujtimi!

Saturday 9 September 2023

Heshtja

Heshtja nuk është e qelqtë.

E rëndë si dheu

Edhe pse papeshë.

E padepërtueshme

Si asnjë lëndë tjetër

Ndaj nuk mund të jetë e kuptueshme,

Sepse as rikthen gjurmën e shurrdhët

Të tingujve që dalin prej kordave që nuk dridhen.

Mundohem larg të nis vështrimet

Mbase mund të lenë shënjë

Tek sytë e tjerë,

Që fshehtazi më vidhen.

Heshtja është si deti,

Me pafundësinë dhe valët e saj.

Në mosbëzajnen e thellësive

Të bën të ndjesh se nuk janë fjalët,

Por drita që ndih për të kuptuar.

Dhe në të magjishmin mostingëllim të Universit

Pa bujë ndërthurremi,

Ndërvrepojmë,

Shihemi,

Përkundemi deri në të shuar.

Thursday 7 September 2023

7 shtator

Iku një prag agimi me re

Lodhur nga ankthet,

E pamundur për tu përkujdesur për bijtë.

Pa pezmin se do tretej në të huaj dhe,

Larg dashurive,

Larg të njohurave aroma.

Thosh:

“Toka është e njëjtë për të gjithë!”

Nga buzët pak të hapura

Fryma e fundit kishte hyrë

Dhe ndoshta prej aty shpirti kaluar në efir.

E qetë prehej,

Indiferenta ndaj kësaj bote,

Më s’kishte për të më thirrur: “O bir!”

Topitëse ishte gjithshka përreth,

E ndalur,

Atë prag agimi me re.

Të ndryshme do ishin më tej mëngjeset

Të zbrazëta.

Ajo ishte nisur për tek e Përtejmja

Duke marrë me vete një pjesë nga ne.

Friday 1 September 2023

"Zonat blu" të 100 vjeçarëve


Të gjithë duan të rrojnë një shekull. Në fëmijëri duket si një kohë e pafundme, por kur ke hyrë në të tatëpjetën e jetës  e sheh se nuk është edhe aq "pa fund".

Urojmë të bëhemi 100 vjet pa menduar gjatë se si do jenë ato dhjetë vitet e fundit, me pak dhëmbë, me shumë dhimbje në kyçet e gjymtyrëve, me veshë të mëdhenj, por që nuk shërbejnë më për të dëgjuar dhe me plot mangësi të tjera të natyrshme.

Po a duam vërtet të arrijmë të 100-tat, madje edhe t'i kalojmë?

Sipas një dokumentari vërtet serioz në Netflix, "zonat blu" (kështu janë emërtuar zonat me më shumë "shekulloristë" sipas një studimi të një mjeku italian) janë në 5 vende të botës. Katër prej tyre ishin në vende thuajse të izoluara dhe vetëm një qytet në Kaliforni, me një komunitet të Adventistëve të ditës së 7-të ishte pjesë e jetës "moderne" Të tjerat ishin Okinava në Japoni, disa fshatra të izoluara të  Sardenjës, ishulli grek Ikaria në Egje dhe një fshat i thellë në Kosta Rika.

E përbashkëta më e dallueshme e të 4-ve ishte jeta tradicionale si ka qënë ndër shekuj prej lëvizjeve të shumta këmbësore dhe të detyruara nga puna fizike në kopshtari dhe bujqësi, jeta familjare dhe e komunitetit, besimi fetar dhe largimi nga streset. Dukej që mënyra e të ushqyerit edhe pse kishte të përbashkët praninë e perimeve dhe prodhimeve organike, ndryshonte nga një vend tek tjetri.

Nëse do duam ta përmbledhim në një frazë të vetme:

Një jetë e thjeshtë pranë natyrës duke u përpjekur pa lakmi të madhe të marrësh nga natyra atë që të jep.

Në vendet ku jetonin "shekulloristët" e shumtë nuk kishte spitale dhe azile pleqsh, por nuk flitej shumë as për udhëtime të tyre nëpër botë, as për studiues apo shkencëtarë dhe as për artistë apo shkrimtarë të njohur. Edhe Adventistët që kishin programuar një jetë me ushqim të shëndetshëm, me shumë ushtrime fizike dhe punë vullnetare, që bënin një pushim të plotë të shtunave (ashtu si Perëndia) dhe që luteshin vazhdimisht duketse kishin një jetë të ndryshme nga jeta e shoqërive të përparuara.


Jetojmë më pak se jetojmë në mënyrë të gabuar?

Vetë nuk do zgjidhja të jetoja në asnjë nga zonat blu edhe sikur të ishte e garantuar se do i kapërceja të 100-tat. E megjithatë mendimi im është thjesht një opinion dhe një këndvështrim i caktuar për jetën, që mund të jetë edhe plotësisht i gabuar.

(Më duket se para se të mbushja 100 do isha bërë një derr jo i kënaqur!)

Saturday 26 August 2023

Gushti i zjarreve


Eshtë vera më pak e nxehtë nga të tjerat që presim të vijnë dhe kryefjala në lajmet botërore janë zjarret. Zjarre në Mesdhe, zjarre pranë Vankuverit, zjarre në ishujt Havai, zjarre në...

Me "zjarrin" e një rakete, Putin përvëloi kundërshtarin (krijesë të tij) Prigozhin me disa bashkëpunëtorë. 

Bota e kësaj vere të kujton ferrin. 

Një betejë e "zjarrtë"sa ka nisur për zgjedhjet presidenciale amerikane dhe ish-presidenti Trump arrestohet në Xhorxhian e nxehtë dhe i bëjnë edhe foton e arrestimit {mugshot) ku nuk harron të mbajë kravatën dhe xhaketën. (Nuk ngjan me një foto arrestimi dhe për më tepër Trump po nxjerr mijëra dollarë fitime duke shitur bluza, filxhanë dhe dhurata të tjera me atë foto.)

Arrestime "të nxehta" vazhdon të bëjë SPAK-u i Tiranës, që është përgëzuar nxehtësisht edhe nga kryeministri Rama, të cilit duket se nuk i djeg aspak prapanica nga arrestimet pranë tij.

Por reagimi i parë i turmave ndaj zjarreve dhe të nxehtit "të paparë" nuk është alarmi apo paniku, por përpjekja për të pushuar pranë ujërave të kripura dhe të ëmbla. Këtë "vrapim" drejt plazheve e kanë kuptuar prej disa javësh pronarët e zonave turistike, që janë përgjigjur përgjithësisht me çmime të kripura. Duket si një lloj histerie me sloganin KCK (kap ç'të kapësh) në çdo vend.

Parandjenjë se nuk do rezistojmë dot edhe shumë vera më të nxehta? 

Po mësohemi me temperatura pranë të 40-ve dhe duket se si qëniet që përshtaten më lehtë se të tjerat do gjejmë mënyra edhe për të përballuar ato mbi 40 (nën hije).

Meqënëse kemi dështuar të ndërtojmë parajsën në tokë, le të përshtatemi për të përballuar ferrin.

(Rizgjedhja e Trump do jetë një nga shënjat.)

Thursday 24 August 2023

Bisht cigareje në breg

 Unë jam një bisht cigareje

Që u tymos për të fundit herë dikur.

I flakur në bregdetin e mendimeve,

Ku më shumë leshterikë pështillen këmbëve,

Se sa gjemba iriqësh të ngulen tabanit.

Mbeturinë e një qytetërimi të shpifur,

Që gjallesat ka zhbërë,

Që ndjenjat ka kthyer në zhurr,

Mes guraleceve rrekem era mos më marrë

Fshehur si një barkë e vjetër në cep të limanit.

Dikush më thithi gjithë forcë,

Avujt e dalë nga prushi i dyshimeve,

I mundimeve për të zbuluar të fshehtat,

I përvëlimeve në kërkim të dritës,

I rrekjeve për të thënë të vërtetat,

Në një të vetme mbrëmje të drithërimeve.

Tymthithësi humbi në një tjetër Gjithësi,

A ndoshta helmuar kokën pështeti mbi një gur.

Unë jam një bisht i lagur cigareje

Ku nuk ka mbetur shënjë ADN-je,

Se u përthith shumë vite më parë,

Në një pjesë kohe,

Që quhet Dikur.

Sunday 20 August 2023

A mund të sjellë SPAK demokracinë?


Ka një lloj entusiazmi në Shqipëri, se Demokracinë e shumëpritur dhe të munguar në vendin tonë do e sjellë SPAK. Eshtë një mendim tejet naiv, që tregon se sa pak kemi kuptuar se ç'farë është Demokracia dhe se ndërtimi dhe funksionimi edhe perfekt i një institucioni nuk mund të jetë shënjë se Demokracia më në fund mbërriti.

Le të supozojmë se SPAK është ndërtuar në mënyrë gati të përkryer dhe po funksionon më së miri. Piksëpari SPAK-u është vetëm një pjesë e një sistemi të madh, që është Sistemi Juridik dhe që të funksionojë në mënyrë të përkryer duhet që edhe i gjithë sistemi të jetë i tillë, gjë nga e cila jemi shumë larg. Por dhe nëse për hir të analizës do pranonim se sitemi juridik është shumë i mirë, që të kishim Demokraci duhet të kishim një sistem politik shumë të mirë, të përbërë nga pushteti legjislativ (Kuvendi) thuajse i përkryer, një pushtet ekzekutiv (qeveri) të devotshme dhe pas tyre edhe një pushtet të mediave të pavarur, që mbikqyr gabimet e mundshme të pushteteve të tjera.

Në fakt ne kemi një sistem partish politike të kalbur, që kontrollohen me dorë të hekurt nga drejtuesi i sejcilës, një Kuvend me deputetë që vijnë nga këto parti "të kalbura" (dhe që veprojnë në sintoni të plotë me mendjen e liderit) dhe një Qeveri që drejtohet me dorë të hekurt nga drejtuesi i partisë më të madhe që ka fituar shumicën evotave në një mënyrë të dyshimtë. Sa për mediat, është fakt i njohur përzjerja e tyre në biznese, që varen nga dhe rrjeshtimi i tyre kryesisht në krahun e qeverisë.

Në këtë gjendje, që është shteti dhe shoqëria shqiptare, ç'farë mund të bëjë një SPAK "i përkryer"?

Më e madhja që mund të bëjë SPAK është dhënia fund e "mosndëshkueshmërisë". Por kjo nuk është një tregues i demokracisë. Në sisiteme diktatoriale apo autoritative ndodh edhe që luftohet korrupsioni, apo funksionon dhe ndëshkimi në nivele të larta dhe vetë vendet janë larg të qënit vende demokratike. 

SPAK-u jonë është një institucion "amalgamë" që ka segmente të prokurorëve ndëshkues të shteteve diktatorialë dhe të tjerë që plotësojnë "orekset" e politikanëve në pushtet. Eshtë ende larg nga të qënit institucion juridik i saktë i një vendi demokratik. Në më të mirën e rasteve, nga zelli, disa prej prokurorëve të tij mund t'i ngjajnë magjistratëve italianë të kohës së "mani pulite", por që janë larg tyre nga edukata juridike. Dhe magjistratët italianë nuk sollën demokraci në vendin e tyre, por e dëmtuan atë.

Arrestimet me burg të SPAK (jo rrallë të tepruara) sjellin kënaqësinë e pjesës primitive të shoqërisë (ja po ndëshkohen edhe të pasurit) por nuk përcjellin frymën që është e nevojshme në shoqëritë e përparauara "më mirë dhjetë të fajshëm jashtë burgut, se sa një i pafajshëm brenda tij". Ndaj duhet të mos ekzaltohemi se po bëjmë hapa para në demokraci kur  dçgjojmë kërkëllitje e prangave, se jo rrallë ato janë tregues i të kundërtës.

Po a duhet toleruar korrupsioni?

Jo, por korrupsioni nuk luftohet me zell dhe dëshirë për "ndëshkime", por me qetësinë dhe vendosmërinë e zbulimit të fakteve. Kur këto nuk janë të mjaftueshme, ose nuk je në gjendje t'i gjesh, është demokratike të lesh edhe një funksionar të korruptuar jashtë burgut. Kjo është Demokraci. 



Wednesday 16 August 2023

"Gjyqi" i opinionit publik


Opinioni publik të gjykon. Dhe kjo është një e drejtë e fituar prej mijëra vitesh të përvojave të shoqërive njerëzore. Duam apo nuk duam. Na vjen mirë apo na vjen keq. Eshtë nga veçoritë kryesore dhe të pandryshueshme të të gjitha bashkësive: të përparuara apo të prapambetura, të varfëra apo të pasura, të arsimuara apo analfabete. 

Përgjithësisht opinioni rrallë herë është në një mendje i gjithi. Ka dy ose tre lloj opinionesh për një çështje të rëndësishme politike apo ligjore. Në çështjet e skandaleve të figurave të rëndësishme (të famëshmit VIP-a)më së tepërmi është bardhezi dhe anon nga përpjekja për t'i denigruar.

Por përveç se është fakt, a është i dobishëm "gjyqi" i opinionit publik për skandalet dhe sidomos për çështjet penale, që kanë marrë rrugën brenda sistemit institucional hetimoro-gjyqësor?

Pyetja nuk mund të gjejë një përgjigje të thjeshtë dhe të menjëhershme, sepse brenda ka një sërë faktorësh duke nisur me nivelin e sistemit juridik, me zhurrmën e mediave, me njerëz që kanë prirje të shpjegojnë çdo gjë me komplote dhe deri me konfuzionin që shkaktojnë mediat sociale,

Në shoqëritë e prapambetura (ku hyn edhe e jona) çështja vështirësohet akoma më shumë për shkak të prirjessonë për të arritur fët-fët më konkluzione.

Të nisesh nga kronikat më të thjeshta ditore, kur dikush njofton se ka vdekur dikush me infarkt. Menjëherë një "shpjegues" ngutet të thotë "Ai pinte!", një tjetër e bën të sigurt se i ka ndodhur për shkak të divorcit të të birit dhe një i tretë do i hedhë fajin menjëherë mungesës së kardiologëve të mirë në qytet.

Askush nuk bën një pauzë e të mendojë se shkaqet e një infarkti mund të jenë nga më të ndryshmet, se shpesh vdekjet nuk janë të parandalueshme dhe në shumë raste është më mirë të mos nxitohesh në marrëzinë për të gjetur shkakun dhe për të bërë dikë me faj.

Përmenda një rast të tillë (që ndodh shpesh) për të krahasuar me problemet komplekse të një ngjarjeje penale, e cila mund të jetë vrasje, mund të jetë një veprimtari e krimit të organizuar, sikundër mund të jetë edhe një aferë e madhe korruptive, ku përfshihen deri tek qeveritarët më të lartë në vend.

"Gjyqi" i opinionit publik ze fill në mediat tradicionale, të cilat ose për të pasur një 'scoop", ose nga mungesa e eksperiencës, nuk i lenë vend analizës së paanshme të fakteve. Shpesh në to sheh njerëz me një përgatitje ligjore gjysmake, ose që kanë edhe mungesë të aftësisë për t'i parë gjërat me dyshim, që me kompetencë të plotë rradhitin se si janë zhvilluar ngjarjet dhe se në cilin nen hyn vepra penale e X-it. Në një kanal tjetër televiziv, të tjerë analistë me përgatitje "gjysmake" flasin me siguri se faktet flasin për diçka tjetër dhe si përfundim opinioni publik, që përgjithësisht është i paarsimuar juridikishtvendos për dënimin me aq edhe kaq të të pandehurit ose të grupit të të pandehurve.

Këto lloj konkluzione kompetentësh më sjellin ndërmend një episod të vogël në Nju Jork, të cilin ndoshta e kam përmendur edhe më herët në blog. Shoferi i autobuzit me origjinë nga Vlora, më tregonte me siguri të plotë, se lufta në Irak ishte nisur për të përfituar 6 miliard dollarë, të cilat u ndanë në tre pjesë të barabarta mes Bushit bir, Dik Cenit dhe Donald Ramsfeld. Kur e pyeta nëse i kishin dhënë ndonjë gjë edhe Sekretarit të Shtetit, më pa me përçmim si dikë që nuk ja kisht haberin nga politika dhe e Drejta Ndërkombëtare.

Edhe shoferi me origjinë nga Vlora ishte pjesë e opinionit publik.


Tuesday 15 August 2023

Të bukurat "konkubina"


Në Shqipëri po rritet një brez me vajza të bukura. I sheh të lirshme në kafet dhe klubet e shumta të qyteteteve, të veshura me marka nga më të shtrenjtat. Ka një shqetësim të përgjithshëm, që shumë nga këto femra "të shkujdesura" janë kthyer në "golddigger"(ndjekëse të parave do ishte përkthim jo i keq në shqip). Nuk janë të interesuara për të pasur një karrierë në jetë, por vetëm të kenë partnerë shumë të pasur, të cilët ju blejnë "çanta e k'puc", ju sigurojnë pushime jashtë (mundësisht në jahte) dhe ju paguajnë edhe ndonjë ndërhyrje kirurgjikale estetike në klinika me emër të mirë.

I gjithë ky shqetësim shpesh kthehet në përbuzje të një "lloji" femrash, një lloj përbuzje e ngjashme me atë të shprehur nga Marko Mazini në këngën e viteve '90 "Bella stronza". Nëse duam ta shohim më realisht këtë dukuri, e cila është gati epidemike, jo vetëm duhet ta quajmë të natyrshme këtë "materializëm të çmendur", por duhet të bëjmë me faj shoqërinë maskiliste dhe kryesisht meshkujt që sundojnë në shoqërinë e korruptuar shqiptare. Në një shoqëri ku nuk sundojnë vlerat intelektuale, apo talentet e tjera, qoftë të biznesit etj., ndjekja e një tipi të tillë nga vajzat e reja është një formë e "të mbijetuarit". Në shoqërinë "macho" ku politikanët që kanë në dorë janë vetëm meshkuj, ku tregëtinë e drogës e bëjnë vetëm meshkujt, ku tenderat e mëdha dhe aferat korruptive i kontrollojnë meshkujt nuk ka se si mos krijohet ky tip konkubinash. Nëse hapësirat për karrierë mbi bazë meritash janë tërësisht tëzvogëluara, (edhe këto të varura nga meshkuj që duan të të kenë në shtrat) atëhere alternativa mbetet të shfrytëzosh bukurinë dhe "sex appeal" për të pasur një jetë të rehatshme, mundësisht edhe një apartament të dhënë "free" ose që ta paguan çdo muaj mashkulli i pasur.

Thuajse në të gjithë mjediste mashkullore në Shqipëri (më shumë në Tiranë ku krijohet "arketipi") flitet për "pjeshka", si të sigurosh vazhdimisht të tilla, mundësisht edhe dy-tre "jashtë kurorës". Eshtë një hedonizëm jashtë çdo logjike të shëndoshë, që nuk i ndih krijimit të një shoqëria liberale, por të shëndetshme të bazuar në puna, meritat dhe talentet. Këtë gjë e kanë nuhatur që nga "pjeshkat dinake"(të cilat ekzistojnë në çdo shoqëri), dhe deri tek ato që nuk do ta donin këtë varësi, por nuk kanë nga ja mbajnë ndryshe. Të kalojnë "shtretërve" ju kërkohet që në universitet dhe më vonë për të siguruar një vend pune apo për të bërë karrierë.

Problemi sa i sotshëm aq është edhe i të ardhmes. C'lloj filozofie të jetës do përcjellin këto nëna tek djemtë dhe vajzat e tyre. T'i nënshtrohen kësaj filozofie të një shoqërie të prapambetur, ku për të pasur nën "kontroll" mashkullin e pasur mund të përdorësh vetëm marifetet e vjetra seksuale?  Të luftosh për një shoqëri të të barabartëve? T'i nënshtrohesh kësaj lloj jete sepse "kështu ka qënë dhe kështu do mbetet"?

E vërteta është se një dukuri e tillë në masë është kryesisht në vendet e Europës Lindore dhe në ato të vendeve në zhvillim. Shoqëritë e përparuara skandinave, të cilat kanë korrupsion në nivele minimale, kanë njëkohësisht edhe thuajse një barazi mes femrave dhe meshkujve. Kjo lloj barazie e bën të panevojshëm krijimin e shtresës së "konkubinave".

Ndoshta një ditë do e shohim edhe ne... diku nga fillimi i shekullit tjetër.

Sunday 13 August 2023

Ndërtimi

Gjithshka është tek ndërtimi. Ndoshta treguesi më i qartë i përparimit. Madje edhe mjaft pozitiv. Ne themi bëjmë një debat konstruktiv (nuk themi një debat ndërtues) duke i theksuar kahjen mjaft pozitive debatit. Një debat i frytshëm, pa harxhime të kota, pa zënka dhe nga i cili nuk doli një "mi", por diçka tepër e dobishme. (Mbase një "mal")

Ndërtimin e duan të gjithë. Jep ndjenjën e fitores, të përjetësisë, të përmasave edhe mbinjerëzore dhe mbi të gjitha jep njç kënaqësi "bajagi" materiale për ndërtuesin. (Asnjëherë nuk kam kuptuar se përse në ndërtim përqindja e fitimit është shumë më e lartë se në industritë e tjera, gjë që tërheq në gjithë botën drejt tij grupet mafioze. Avokati im do hidhet e thotë se po ta kishe kuptuar me kohë nuk do largoheshe nga vendi dhe sektori i ndërtimit e të merreshe me broçkulla, por dhe ai jo gjithnjë ka të drejtë, se këndvështrimet e tij janë kryesisht ligjore.)

Më ra në sy në Tiranë, se jo vetëm ndërtohej shumë, por dhe në disa biseda me njerëz pa lidhje me ndërtimin, shprehej dëshira e madhe "le të ndërtojmë diçka për të fituar!"

Nëse e sheh me syzet e errëta të nihilistit, këtë mund ta quash makutëri, por nëse e sheh me syzet ngjyrë trëndafili të optimistit, kjo është përpjekje për zhvillim.

Shoqëria shqiptare kërkon të zhvillohet

Nuk ka pse mos kemi edhe ne "qiellzhvatëset"tona! Nuk mund të qëndrojmë gjithnjë në bisht të karvanit të qytetetërimit.

Sigurisht që nuk mund të ndërtojnë të gjithë. Sepse në të kundërt mjalti do qelbej!


Do ndërtojnë ata që janë brenda politikës, shokët e mediave, që i shërbejnë politikës, të lindurit për tregëti që e mësojnë shpejt ndërtimin dhe në fund edhe inxhinierët dhe arkitektët. Natyrisht edhe këta jo të gjithë, sepse janë diplomuar shumë gjatë dhjetëvjeçarëve. Do ndërtojnë më të aftët (jo domosdoshmërisht) dhe ata që janë në gjendje të bëjnë kompromise.

Se të hysh në sërën e ndërtuesve, në fillim duhet të "ndërtosh" brenda vetes atë që quhet "ndërtues". Përgjithësisht fillon me disa kompromise të vogla, vazhdon me krijimin e lidhjes materiale me politikanët dhe punonjësit e administratës , që kanë në në dorë lejet dhe pjesa e fundit është justifikimi i vetes se "të gjithë bëjnë kështu!"

Pra e gjitha sërish ka të bëjë me një proçes tepër konstruktiv. Do mbyllësh pak sytë rreth kapjes së sipërfaqeve të gjelbëruara, rreth ndotjes të mjedisit, rreth ngarkimit të trafikut, por do i thuash vetes: "në mos do e ndërtoja unë do e ndërtonte një tjetër". (Rastësisht këtë justifikim përdorin edhe ata qëmerren me tregëtinë e drogës).

 Pasi i shkrojta këto rrjeshta edhe unë e humba fillin e asaj që doja të shkruaja në nisje. 

Duhet të ndërtojmë apo nuk duhet të ndërtojmë?

Kjo është një pyetje tejet destruktive, sepse përgjigjen e ka marrë me kohë kudo në Shqipëri.

Saturday 12 August 2023

Gjithshka tjeter Merzi (Tutto il resto e noia - Franco Califano)

Po vërtet i pari takim,

Një emocion tronditës brenda teje

E fton për darkë diku ku ka klas,

Mjekrën për bukuri e ke rruar,

Makina vazhdon të lajë dhe atë çast

Do të jesh i përkryer atë mbrëmje

Mirë, kështu është, po më pas.


Gjithshka tjetër Mërzi

Jo, jo nuk thash' gëzim

Po mërzi, mërzi. mërzi.

E kobëshmja mërzi.


Po, vërtet puthja e parë,

Bën zmrën mos pushojë së dridhuri,

Përqafimi i gjatë si ëndërr të mituri,

Që nuk do jetë thjesht një aventurë.

Dhe thua gjërat e duhura në çastin e duhur

Mendon se po shkon mirë, nuk ka më bukur

Mirë, kështu është, po më pas...


Gjithshka tjetër Mërzi...

.....


Më pas nata e parë e dashurisë

Pasdite dhoma duhet rregulluar,

Të linjtat gri në shtrat shtruar,

Cdo gjë në kohe sa mbrëmja të nisë.

Natën e parë duhet të tregosh ti

Se je më i sosuri në botë për dashuri

Kështu është vërtet, po më pas..


Gjithshka tjetër Mërzi...

.....


Dhe pasi kalon viti i parë

Entusiazmi që brenda të ka mbetur,

Kur kujton fillimin të duket i fjetur,

Zenë fill tashmë mbrëmjet pa fjalë.

Sajon festa të kesh plot të ftuar 

Kështu diçka bën mendimet për të larguar,

Vërtet kështu, po më pas...


Gjithshka tjetër Mërzi...

.....




Tuesday 8 August 2023

Ndjenja "e dobishme" e vrasjes


"...apo ky vend ka mbaruar! Nuk ka më Vasil Laçi dhe Avni Rustemi!..."
 - pjesë bisede e kapur kalimthi mes dy burrash ulur në stolin e një lulishteje.

*        *        *

Ne duam të vrasim. Duam të vrasim gruan, vjehrrin, komshiun grindavec, avokatin e palës kundërshtare, numuruesin e votave në komision, por mbi të gjitha duam të vrasim politikanët. Ndaj dhe në historinë e 100 viteve të fundit, më të shumtët e njerëzve kujtojmë vetëm Avni Rustemin që vrau Esad Pashën dhe Vasil Laçin që donte të vriste Perandorin e Etiopisë dhe Mbretin e Italisë dhe Shqipërisë Viktor Emanuelin e Dytë. Nuk besoj se thotë më njeri : "Apo nuk ka më Migjen dhe Mitrush Kutel!"

Shqiptarët duan vrasje, të cilat si me magji mund t'ju rregullojnë çdo problem të jetës së tyre, madjendonjë vrasje shumë e bujshme mund të rregullojë edhe problemet e Ballkanit! Askush nuk mund të thotë se ç'ndryshime historike solli vrasja e Esad Pashës. Shqipëria nuk u bë as më e mirë dhe as më e mosvarme.

Atentati i Vasil Laçit ishte një episod edhe më i dëshpëruar, që nuk nxiti asnjë revoltë kolektive kundër italianëve.

Por vrasja e "të fuqishmëve" ju jep një nxitje psikologjike vdekëtarëve të zakonshëm, se edhe për të fuqishmit ka një fund. Ndoshta edhe kënaqësinë perverse, se dikush jashtë rrethit familjar dhe shoqëror, vritet.{Diçka do ketë bërë që e vrasin...nuk të vret njeri kot!)

Po a është dëshira e nëndërgjegjes së shqiptarëve, që dikush të vrasë një të fuqishëm, sa marrëzi aq edhe dinakëri dembele, për të të shpëtuar dikush "tak fak"?

Ka më shumë mundësi të jetë e dyta. Ne përtojmë të mblidhemi, të organizohemi, të solidarizohemi për diçka të mirë, në mbrojtje të interesit të të gjithëve ose të një grupi të caktuar. Ndaj edhe pse e dimë që (larg qoftë!) një atentat i sukseshëm ndaj Ramës, Berishës apo Metës, si dhe të treve sëbashku, nuk do na ndryshojë gjë, përsëri në kafenetë e shumta dhe në stolat e shtrenjtë të parqeve (nga vjedhjet në tendera) ne vazjdojmë të themi :

"Ah si nuk ka një Vasil Laçi a një Avni Rustemi!"

Primitivizëm i rehatshëm në shekullin e Inteligjencës Artificiale!



(Mbase na bën derman ndonjë AI i programuar si Rustem.)


Friday 4 August 2023

Librat, sendet e çuditshme


Ndoshta nuk jam krejtësisht gabim nëse them se, kur ishim fëmijë dhe na dhuronin ndonjë libër për ditlindje, me mendje theshim: "Pfff...libër...kujtoja se ishte ndonjë gjë më interesante!" (Fjala vjen ndonjë lodër). Dhe nuk e kishim "bezdinë" nga librat, por senë raftet e librarive mungonin titujt interesantë si "100 përrallat", "Na ishte njëherë", apo edhe "Tregime të moçme shqiptare". Nuk mund të ngazëlleheshe nëse të dhuronin " Cuku dhe Geku", "I vogli mund të madhin" apo "Princesha Argjiro".

Ama lodrat ose dhe dhuratat e tjera për fëmijë ishin të shtrenjta dhe ndoshta kjo e bënte më të volitshëm dhurimin e librave, që shoqërohej nga mendimi me 'pfff" i dhuratëmarrësit.

"Steriliteti" i shumicës së librave për fëmijë (por edhe për të rritur) i kohës së Diktaturës ka qënë faktori kryesor i "ftohjes" së shqiptarëve me librat. Në shumë qytete të Shqipërisë, edhe pse librat nuk ishin të shtrenjtë, blerjet ishin të pakëta. Gjithashtu anëtarësimi nëpër biblioteka ulej nga viti në vit. Ishte preludi i një "abandonimi shoqëror" të librave në të ardhmen.

Tani është më delikate se kurrë t'i dhurosh dikujt një libër. Dyshimi i parë në shoqërinë materialiste të fitimit, të këmbimit të përfitimeve, të "kafeve" dhe "kollitjeve" është :"ç'interes ka ky që po më dhuron këtë libër?"

Dyshimi i dyti dhe më i natyrshmi është ai i impenjimit.

" A do më duhet ta lexoj? Unë nuk kam as kohë dhe as dëshirë të lexoj libra!". Dhe me të vërtetë dhurimi i një libri dikujt që nuk ka dalë në pension, do i zerë disa orë nga koha e "relaksit" në kafenetë e shumta shqiptare, ku flitet përgjithshka dhe ndonjëherë edhe për libra. 

Por edhe dhurimi ndaj një pensionisti, që ka kohë të lirë me bollëk dhe njëkohësisht mjete financiare të kufizuara për të shijuar gjatë "relaksin" e kafeneve i shtohet problemi tjetër: "Ku do ta ve edhe këtë libër? Unë dua t'i hedh edhe ata që kam? Nuk është një vazo e punuar bukur, që të të këndellë vështrimin. Janë disa marrëzira në formë fjalish, vargjesh ose dialogjesh, ku e ku sa më poshtë se muhabetet nën hijen e tendave të kafeneve tona të bukura!" 

Matësi kryesor i vlerave në shoqërinë tonë është- luksi i aksesorëve. Për fat të keq, librat, këto sende të çuditshme nuk janë aksesorë. 


Thursday 3 August 2023

A do japë Rama ndonjëherë dorëheqjen?


Disa vite më parë, kur pata shkruar shkrimin "Po i vjen rradha edhe Tigrit", ndonëse nuk kisha përmendur se pas tij e ka rradhën Rama, mendoja se pas "dominosë" Ahmetaj do i vinte rradha të binte edhe eprorit të zv.kryeministrit, pra Edit. Më dukej e pashmangshme, që pas një veprimi financiar tejet të nxituar dhe makut, kreu përgjegjës të mos jepte të paktën dorëheqjen. Ishte një vështrim tjetër i gabuar i imi, bazuar në idenë se edhe sikur demokracia në Shqipëri të veprojë në masën 10-15% të demokracive normale, një skandal i tillë duhet të sjellë rënien e qeverisë.

Ne nuk jemi një shoqëri normale dhe mbi të gjitha kemi një kryeministër tmerrësisht amoral. Nuk duket asnjë shënjë që të ketë trysni brenda partisë së tij për këtë skandal. Edhe ata që mund të mos e duan Ramën, presin duke fërkuar duart se cili rival i tyre i drejtpërdejtë do ketë fatin e Ahmetajt. Pyetjet më të shpeshta në baret e Tiranës janë: "Do ketë arrestime tek Bashkia e Tiranës?,"Do e hajë Balluku?" "Po Gjiknuri?" dhe të tjera të ngjashme.

Në shtator, duarfërkuesit do presin se ç'ndryshime në qeveri do bëjë Rama dhe nëse do i përfshijë ata ose ndonjë të "tarafit" të tyre për të përfituar nga ç'ka të jep pushteti në Shqipëri.

Kur japin dorëheqje udhëheqësit autokratë? Kjo është pyetja e përgjithshme për rastin e liderëve të tipit të Ramës.

Këta lloj udhëheqësish bien kur ka trysni të mëdha nga forca politike që drejtojnë, trysni nga një kombinim i një opozite të fortë me mediat e pavarura, nga trysnia e një aleance të fuqishme ndërkombëtare.

Organizimi politik që drejton Rama është krejtësisht i kalbur dhe i pafuqishëm të ushtrojë trysni mbi Udhëheqësin e tij. Vetë Rama ka bërë të mundur që ata pak socialistë të papërfshirë në korrupsion të mos kenë asnjë mundësi të organizojnë ndonjë fraksion që ta rrezikojë. Të tjerët, edhe nëse do duan të marrin drejtimin e PS-së janë aq të përlyer sa është e pamundur të mund t'i dalin përballë Ramës dhe t'i thonë: "Shef, është koha të largohesh!"

Një bashkëpunim i opozitës me mediat e pavarura gjithashtu nuk mund të ushtrojë trysninë e duhur, sepse opozita është e dobët dhe e përçarë dhe mediat e pavarura nga qeveria janë gjithashtu shumë të pakëta.

Mbetet trysnia e amerikanëve dhe europianëve, e cila gjithashtu, për situatën në të cilën është politika



shqiptare është vështirë të thuhet se mund të ndodhë.

Në vende si i joni, me një demokraci hibride dhe të brishtë, Ndërkombëtarët nuk janë të interesuar për përmbysje të mëdha, të cilat nuk dihet se ku shkojnë ndonjëherë. Në interesin e tyre është që qeveria të jetë pro euro-atlantike dhe të ketë mundësi të funksionojë. Në morinë e problemeve që ka shoqëria shqiptare sipas këndvështrimit të tyre, korrupsioni i Ramës është njëri prej tyre dhe jo domosdoshmërisht më i madhi. Për më tepër, brenda dy organizimeve kryesore politike, nuk ka individë të shquar, të cilët ata mund t'i mbështesin për tu bërë kryeqeveritarët e së ardhmes.

Edhe pse në dukje situata është rënduar për Edi Ramën, nuk besoj se ai do japë dorëheqjen. Kjo mund të ndodhë vetëm se dikush nga ata që janë në burg, ose pritet të shkojnë në burg, do flasin duke treguar gishtin tek Rama si ideator dhe përfituesi kryesor i skemës së vjedhjes nëpërmjet plehradjegësve. Në të kundërt shpresa është po e njëjtë me atë që :"Një herë në 100 vjet, fluturon nga furra një patë e pjekur!"


Wednesday 2 August 2023

Nuk ka (ke, kam, kanë) shans!



Bisedë normale:


= Më jep edhe një shans të dytë!

- Nuk ke shans!


Bisedë e pazakontë:


- Mund të lemë takim pune nesër më 11 e gjysëm?

- Nuk ka shans!

- Eshtë e domosdoshme dhe nuk kam asnjë orë tjetër të lirë.

- Të thashë që nuk ka shans! E gjithë axhenda "full".

- Më duhet t'i tregoj klientit modelet e reja...Si bëhet?

- Modelet e reja nuk kanë shans të vijnë para të hënës...Kot!

- Atëhere ta lemë për tëhënë?

- Nuk di a do ketë shans të arrijnë? S'ka shans!



Bisedë e sajuar:


- Shkove në shtrat me ndonjërin prej tyre?

- Nuk kan' pas patur shans! Të rëndomtë!

- As me kreun e tyre?

- Gjall' në botë se mund të kishte shans! Ai ishte copë-copë...

- Invalid?!

- Je idiot! Nuk ke shans të më ndjekësh në bisedë!

Monday 31 July 2023

Bardhësi vrasëse

Ata ishin tërësisht të bardhë,

Në një tempull mizor bardhësie.

Ai priste zemrën t'i shkulnin majë shkallarëve

Në të solsticit ag,

Castin kur e para rreze

Mbi turmat sylakmitare bije.

Pështjellë me garza mendimesh sterile,

Të dy dukeshin si të njëri tjetrit sozi

Vrasësi dhe viktima,

Prijësja dhe i huaji,

Sjellë nga të tjera kohë,

Mbartur nga të ndryshme Gjithësi.

Befas një tufë floku,

Nga të tjerët ndarë,

Stisur si një e mprehtë kosë,

Më shumë ajrin çau se grykën e tij.

Pikat nuk e përskuqën pangjyrshmërinë,

Ishin të pangjyra krejt

Asgjë nuk ndryshuan tek e bardha

As një nollë të vetme të zbërdhyltë gri.

Nuk ishte Tempulli i Mbishkrimeve,

Ku Majat blatonin gjak për një botë tjetër,

Dy të pagjaksit çmendurisht të bardhë,

Duket se vinin nga e frikshmja natë

Kaluar me "Vlad The Impaler".

Monday 17 July 2023

Fuqia e luleve

 




Xheri Sainfeld është një nga komedianët më të mirë të të gjitha kohëravedhe për mua, njeriu që jo vetëm më ka bërë të qesh, por edhe më ka mësuar shumë rreth jetës dhe shoqërisë amerikane. Seriali komik "Seinfeld" mbetetmë i shikuari i të gjitha kohëve televizive dhe me diferencë nga të tjerët. Më poshtë është një nga thërmijat e "gjenialitetit" të tij.



Fuqia e luleve


Ndoshta lulet janë e vetmja gjë që i mundëson burrit të mbajë një marëdhënie për një kohë të gjatë.

Burri i vetëm nuk mund të mbijetojë në një marëdhënie.

Por burri me një tufë lulesh e ka një mundësi.

Po të mos kishte lule në Tokë do kishte vetëm burra dhe lezbike, kaq.

Ndaj mendoj që dyqanet e luleve nuk janë organizuar në bazë të nevojave të burrave.

Duhet të jenë, që hyn, ju thua se ç'gabim ke bërë dhe ata të japin buqetën e duhur dhe ti del nga dera e pasme.

Me buqetën "Mirë de, yt vëlla nuk është idiot!

Ose me shportën : "Karriera tënde është gjithashtu e rëndësishme!

Një burrë që ec rrugës me një buqetë të madhe në duar është padyshim mbreti i rrugës.

Nuk ka burrë që është me gruan, që do të kalojë pranë tij.

Nuk shpëton dot pa një goditje me bërryl dhe "E shikon? Për këtë lloj burri e kam fjalën..."

Sepse ai mban lule në dorë.

Në dorën tjetër mund të ketë edhe një kokë të prerë.

Atë ajo nuk e shikon.



Saturday 15 July 2023

Ku nis hajni, ku vazhdon rrencaku dhe ku e bitis megallomani



Lëçita fjalën e fundit të Edi Ramës, jo sepse kam kureshtje se çdo thotë. Jo thjesht se e di që gënjen, por edhe se nuk ka as ndonjë frazë interesante të shqipes, dhe për më tepër ka një delir madhështie të bezdisshëm në rrjeshtat e çdo fjalimi. E bëra sepse u ndodha edhe për tre orë të tjera shtesë në një aeroport, duke pritur shtyrjen e rradhës të  kompanisë "rrencake" Whizzair, që operon kryesisht në Shqipëri. Eshtë e vështirë të flesh në stolat e çdo aeroporti ndaj "i dhashë karar" të lexoja gënjeshtrat e fundit tëEdit.

Nuk arrita të kuptoja se ku niste hajduti, si gërshetohej me demagogun dhe se si kjo gërshetë e përbindshme vishej edhe me disa gjethe stërmëdha megalomanie.

Në krye nuk merrja vesh se cilit publik po i drejtohej. Popullit shqiptar? Ambasadorëve dhe të huajve të tjerë që ndjekin ngjarjet shqiptare? Hajdutëve dhe papagajve të vegjël të Partisë Socialiste? Mediave që i shërbejnë prej kohës kur është në krye të qeverisë?

Nëse do përpiqesha t'i tregoja dikujt me një frazë të vetme se përse bëhej fjalë do shkruaja:"Unë ju solla Drejtësinë e shumëpritur edhe duke qënë i bindur se do sakrifikoja disa nga njerëzit më të afërt dhe më të dashur!" Pak a shumë një Abraham, që për Drejtësinë (Zotin e tij) është gati të therrë birin e vetë,?!

Gënjeshtra më e madhe në rrjeshtat e Ramës është që ai do Drejtësinë. Narcisistët dhe autokratët edhe kur nuk janë hajdutë, urrejnë vetë konceptin e së Drejtës. E Drejta për ta është ajo që ju shërben atyre. Por edhe qëndrimi që ka mbajtur PS-ja në këtë çështje, nuk ka qënë kurrë nismë e saj por e të huajve që njihnin mirë se sa i korruptuar ishte Sistemi Juridik në Shqipëri. Veç presionit të të huajve, socialistët kishin edhe interesin e madh që ta çlironin nga ndikimi i Berishës, i cili pat emëruar shumë e shumë prokurorë e gjykatës, të cilët deri diku i kontrollonte sepse ja u dinte edhe aferat e mëdha korruptive. Dhe në Reformën në Drejtësi ne jemi më të vonuarit nga e gjithë Europa Lindore dhe Ballkani. Ishte diçka që detyrimisht do ndodhte sepse nuk mund të vazhdohej rruga e nisur për tu bërë pjesë e BE-së. Nuk të linin të huajt!

Gënjeshtra tjetër e madhe është që në Shqipëri nuk ka pasur asnjëherë Sistem Juridik të pandikuar nga politika. Edhe pse me dobësi nëse krahasohej me Anglinë apo Amerikën, por Sistemi Juridik i kohës së Shtetit Shqiptar para Diktaturës ishte ku e ku më i mirë se Sistemi që kemi sot. Edhe pse mund të ketë pasur të dënuar politikë në atë kohë, ata përgjithësisht janë dënuar për shkak të pjesëmarrjeve në lëvizje apo kryengritje për të rrëzuar pushtetin. Ndërsa Sistemit të sotëm edhe pse mund të mos i mungojnë institicionet apo legjislacioni dhe procedurat, i mungon armata e gjykatësve, prokurorëve dhe avokatëve me koncepte perëndimore për drejtësinë, sepse të tillë shkatërrim i solli edukatës juridike sistemi totalitar. Dhe një edukatë e tillë nuk mund të ngjizet dot në 30 vjet. Edhe sikur djali i Kristaq Ramës të ishte Frederiku i Dytë.

Mes gënjeshtrave të vogla, nuk di se për ç'arsye përmendet edhe arrestimi i Nanos, si persekutim. Edhe pse arrestimi i tij mund të ishte gabim politik i Berishës, nuk mund të thuhet se Nano nuk kishte abuzuar me pushtetin. Ndikimi i Saliut tek prokurorët dhe gjykatësit e zellshëm është i njëjtë me presionin që po ushtron indirekt Rama për të arrestuar Ahmetajn, tradhëtarin e organizatës mafioze, që ai drejton.  

Eshtë e sigurt që në Shqipëri Drejtësia nuk ekziston. Nëse do kishte një të tillë vetë Rama duhet të kishte shkuar në bankën e të akuzuarit. Ndoshta tek ndikimi në subkoshiencën e kryeministrit i këtij fakti duhet parë edhe thelbi i fjalës së tij. Më shumë se çdo gjë është një autosugjestionim që nuk do ketë asnjëherë një Drejtësi më të mirë se kjo që ka sjellë Shpëtimtari, se në të kundërt do ishte ai vetë që duhet të zgjaste duart për të marrë "byzylykët" në kyçet e duarve.

Po të ishte para një Pasqyre Magjike ajo do ja thoshte!

Sunday 9 July 2023

Quhej Dejzi

 ....

Quhej Dejzi. Jetonte në një periferi të Los Anxheles. Nuk jetonte vetëm. Me të ishte dhe Teze Liu, e cila nuk ishte tamam një teze, se sa kujdestarja e saj. Mund ta quante edhe shërbëtore, por ajo pëlqente ta quante “dado”. Nëse dikush që ka mbushur të dyzetat mund të ketë ende një dado. Teze Liu kishte qënë dikur mëndeshë për gratë e fisnikëve, që nuk kishin qumësht të mjaftë, ose për ato që nuk donin që gjinjtë t’ju bëheshin të flashkët nga thithjet e pareshtura të fëmijës. E jëma e Dejzit e kishte mbajtur edhe pasi e bija nuk kishte më nevojë për qumësht gjiri. Teze Liu ishte kthyer në dado, më vonë në guvernante dhe pasi Dejzi kishte arritur moshën e pjekurisë ishte bërë kujdestare. Deri në adoleshencën e vonë kishin fjetur në një dhomë dhe Teze Liu dinte gjithshka për Dejzin.

Këto i tregonte Dejzi me origjinë nga Hong- Kongu, Patrikut me origjinë nga Skocia, me të cilin ishte njohur në një mga mediat sociale. I tregonte edhe se adhuronte ushtarët, mjekët dhe mësuesit. Ushtarët jepnin jetën për mbrojtjen e atdheut, mjekët shpëtonin njerëzit nga vdekja dhe mësuesët përcillnin njohuritë tek brezat e rinj. Patriku nuk ishte as mësues, as mjek dhe as ushtar. Ishte përgjegjës turni në një fabrikë prodhimi automjetesh në Detroit.  Do kishte dashur t’i thoshte se kishte qënë ushtar në të ritë e tij, por kjo do binte ndesh me atë që I kishte thënë në fillim Dejzit. Nuk i pëlqenin femrat që gënjenin, ato që mbanin tatuazhe në shpatulla, si dhe ato që kishin gjinj artificialë.

Dejzi e entusiazmuar i ishte përgjigjur që të njëjtën përbuzje kishte dhe ajo për gënjeshtrën tatuazhet dhe gjinjtë artificialë, ndonëse në çastet e një dashurie të çmendur edhe mund t’i lejonte vetes të bënte një tatuazh fare të vockël në një vend intim, ku do e shihte vetëm njeriu i saj i zemrës. Patriku i ishte përgjigjur, që kjo ishte një gjë krejt tjetër dhe nuk kishte të bënte aspak me tatuazhet stërmëdha të shpatullave, që i shohin të gjithë dhe bëjnë të humbasë këndellja femërore, që krijojnë shpatullat delikate të një vajze të fisme. Më pas kishin këmbyer shumë “imoxhi” nga fytyrat buzëqeshëse, fytyrat e përskuqura nga turpi, tek të qeshurat me lot dhe deri në zemrat me ngjyra gri, vjollcë dhe smerald, por asnjëherë të kuqe.

....