Wednesday 22 April 2020

Sateliti ushtarak dhe Covid-19


Mes titujve kryesore të lajmeve nga bota, ku mbizotëron Covid-19, të prekurit dhe të vdekurit, kalimthi shfaqet edhe një lajm në dukje absurd: “Irani lëshon në hapësirë satelitin e parë ushtarak.”
Irani është mes vendeve më të goditura nga Covid-19. Për gati një muaj rrjesht, media shtetërore raportonte rreth 150 të vdekur në ditë(gënjeshtër e trashë), gjë që jo vetëm nuk korrespondonte me kurbat e vendeve të tjera, por dhe nga informacionet e pakta nga burime të brendshme, dihej se ishte shumë herë më i madh. Në një vend të gjunjëzuar nga sanksionet e konomike, me sisitem shëndetsor të gjymtuar, gjenden burime finanaciare për të lëshuar satelitë ushtarakë.
Por paradoksi në dukje i këtij lajmi, nëse ndalemi pak më gjatë, nuk është aspak i tillë. Në këtë atmosferë pasigurie, vdekjeje dhe tmerri, asnjë nga fuqitë e mëdha ekonomike(që janë edhe më të prekurat nga virusi) nuk ka njoftuar se do shkurtojë shpenzimet ushtarake për të përmirësuar sistemin shëndetsor. Dhe nëse nuk jemi në gjendje t’i përgjigjemi pyetjes se pse gjithë kastat politike nuk e hedhin këtë hap, duhet të shtrojmë pyetjen tjetër: Kaq të pafuqishëm jemi?
Kjo pyetje ka shkuar në mendjet e të gjithëve gjatë këtyre muajve, por më tepër e lidhur me virusin. Si mund të na nënshtrojë një epidemi e tillë? Si ka mundësi që shkenca kaq e përparuar mos parashikojë ose të mos gjejë medikamente shëruese? Nëse përgjigjet e përgjithshme të këtyre pyetjeve janë se epidemi, ka pasur e do ketë dhe se shkenca sado të përsoset nuk mund t’i paraprijë të Panjohurës; pyetja që lidhet me Pafuqinë e Njerëzimit ka të bëjë me aspiratën e popujve për Paqe. Nuk ka nevojë të vihet në diskutim se shumica dërmuese e njerëzve në Botë duan Paqen dhe jetën e qetë.
Atëhere si është e mundur që ky vullnet i shumicës dërmuese të mos vihet në jetë nga programet politike të qeverive? Të krijohet përshtypja se lëvizjet pro paqes dhe kundër shpenzimeve ushtarake janë më të dobta sot se në vitet ’60 dhe ’70. Ngritja e kultit të ushtarakëve është sot në nivelet e kohës së Luftrave Botërore. Sidomos në Amerikë, Rusi dhe Kinë është aq e lartë, sa një avokat liberal si Peter Buttigieg, për të pasur një karrierë sa më të shkëlqyer në politikë, shkoji të luftonte për disa muaj në Afganistan.
Njerëzimi ka nevojë për mjekë, arsimtarë, shkencëtarë, teknikë, inxhinierë dhe sa e sa profesione të tjera. Ka gjithashtu nevojë edhe për njerës që të mbrojnë rendin, ose të përballen me fatkeqsitë natyrore. Por në rast se pranojmë që jemi në një shkallë të lartë të Qytetërimit, kjo nuk duhet kurrsesi të jetë në përpjestim të drejtë me shpenzimet për Luftë. Për fat të keq është kjo që ndodh në epokën moderne.
Mungesë maskash higjenike dhe bollëk bombash!

Wednesday 15 April 2020

Ditë të zbërdhylta virusi


Të gjithë me maska. Të përgjuar. Të kufizuar në lëvizje. Të pambrojtur. Të kujdesshëm. Paranojakë. Lajmë vazhdimisht duart edhe pa prekur gjë. Na kanë thënë t’i lajmë. Vazhdimisht. Për 20 sekonda të paktën por edhe po t’i lajmë më gjatë më mirë është. Me sapun. Më mirë është me higjenizantë me bazë alkoli. Alkoli nuk bën mirë për imunitetin por asgjeson virusin. Pastrojmë çdo gjë që futim në shtëpi. Letrat që janë prekur nga lllogaritarja e kompanisë që dërgon faturat, punonjësi që mbulon postimet, seleksionuesit e shërbimit postar dhe më në fund nga postieri. Mundësia është që një syresh të jetë prekur nga virusi dhe nuk e di, dhe nuk i ka larë duart mirë pasi ka teshtirë, dhe pas teshtirjes ka qëlluar të prekë pikërisht zarfin që do niset për tek ne. Zarfin me Virus. Mundësia më e madhe është ta ketë kapur nga cepat, por askush nuk mund të jetë i sigurt për mënyrën e mbajtjes të një zarfi të zakonshëm nga gjithë ato duar që e përcjellin. Ndaj më mirë është ta pastrosh të gjithin. Krye e fund.
Virusi me emrin Covid-19 është kryefjala e çdo lajmi. Ka tejkaluar shumë herë edhe Trump. “The Donald” e ka shpallur armik Covid-19. Armik të fshehur. Edhe nga zilia. Edhe nga pendimi, që futja në fushën e politikës e detyroi t’ju japë dorën shumë njerëzve. Më parë nuk e bënte. Ju trembej bakterieve. Edhe viruseve. Si shumë e shumë nuk arrin të dallojë viruset nga bakteriet, por kjo nuk e pengon t’i shpallë luftë dhe njëkohësisht të shpallë edhe fitoren e padiskutueshme. Me më pak se 100 mijë të vdekur. Gjeneralët e dinë se lufta nuk fitohet po nuk pati viktima. Bile sa më shumë të tilla aq më i sigurt vendi në histori. Paçka se viktimat janë mjekë, infermierë, sanitarë, shoferë, punonjës supermarketesh, policë, roje, shumica e të cilëve paguhen pak. Shumë pak. Duke e ditur që rrezikojnë jetën. Do i shpallin heroj për disa muaj dhe përsëri do i harrojnë. Do i lenë sërish të pambrojtur, pa i zëvendësuar, pa ju siguruar një jetë të mirë, jetë e tillë që ju bën të kenë imunitetin më të lartë.
Viktimat më të shumta janë mes të moshuarve. Ka “të arsyeshëm” që thonë se është më mirë kështu se të ndodhte mes më të rinjve. Ndoshta. Por edhe të thyeshmit e moshës të argjentë, që kanë bërë gjithshka me vrull, me vuajtje, me sakrifica, për 40 e më shumë vjet të bukura të jetës së tyre duan të shijojnë sa më gjatë në paqe këtë diell. Që është i të gjithëve dhe jo për të gjithë. Të trembur, delikatë, të hutuar, pa të dashurit pranë ata presin “rradhën” e tëmerrshme të prekjes nga Covid-19 për tu larguar pa bujë nga kjo botë e pasur, të cilën e kanë ndërtuar edhe me djersën e tyre, por që nuk është në gjendje t’i mbrojë.
Ne të tjerët, vepruesit dhe sehirxhinjtë, herojtë dhe frikacakët, të pafuqishmit dhe spekulatorët, optimistëtë dhe të tremburit, altruistët dhe dallaveraxhinjtë heqim dhe vemë maskat, ato që na mbrojnë dhe na bëjnë të dukemi të gjithë njëlloj. Për sa kohë të ketë dalë një aplikim I ri celulari, që sinjalizon se po i afrohesh më shumë se dy metër një të prekuri nga Covid-19. Njëlloj si zilet e dikurshme të lebrozëve.

Wednesday 1 April 2020

Bota pas Covid-19


Njerëzimi do e kalojë edhe këtë krizë, që është më e madhja që prej Luftës së Dytë Botërore. Ndoshta më shumë se çdo gjë tjetër, do e ndihmojë ai, që është burimi i jetës për planetin tonë, Dielli.
Sigurisht duke lënë mijra dhe mijra tragjedi për familje të veçanta dhe për vende të veçantë.
Po a mund të rritet shpresa se diçka e mirë do vijë nga kjo goditje kaq e madhe ndaj jetës së njerëzve?
Apo gjithshka do jetë si më parë?
Shenjat e para dëshmojnë se grupime të errëta do përfitojnë nga kjo pandemi dhe reagimi I shoqërive ndaj saj. Mafiet kudo që ndodhen, regjimet autoritare, nacionalistët ekstremistë, Partia Komuniste e Kinës. Gjtihnjë e më shumë do vihet në dyshim efikasiteti i demokracive liberale dhe dhe superpushtetin personal do e rritin jo vetëm Putin, Orban dhe Erdogan, por edhe shumë të tjerë, që aspirojnë të jenë si ata.
Nga një shkallçzim i tillë, dihet që asgjë e mirë nuk i vjen shoqërisë njerëzore. Gara “armiqësore” midis kombeve do shtohet, së bashku me konfliktet e njohura gjatë shekullit të kaluar. Rritje në ekstrem e ndjenjës kombëtare, inkurajimi I udhëheqësve “dorëfortë“, ksenofobia ndaj emigrantëve  dhe “armiqve tradicionalë“ janë përzjerja perfekte për konflikte të armatosura. Pekini dhe sidomos Moska kanë kohë që përgatiten për këto lloj skenaresh, që do ju sigurojnë një rol më dominues arenën ndërkombëtare.
Po si do reagojnë shoqërit demokratike dhe forcat më humanitare brenda tyre. Do dorëzohen? Do organizohen për të krijuar një rend botëror ku shpenzohet më pak për armatime dhe më shumë për shëndetsi, arsim dhe shkencë?
Në këto kohë të turbullta gjithshka duket më e errët dhe më e turbullt. Eshtë e çuditshme se si ju rritet popullariteti politikanëve si Trump dhe Boris Johnson, që në fillim ishin gati të sakrifikonin me mijëra njerëz të dobët për të mos rënë kuotat në Bursa. Dhe nuk ishin të vetëm dhe jo vetëm në krahun politik të ashtuquajtur “të djathtë“.
A është e mundur të krijohet një Rend I ri njerëzor me përparim që arrihet nëpërmjet bashkëpunimit dhe jo luftrave tregëtare, nëpërmjet mbrojtjes së mjedisit dhe jo shfrytëzimit grykës të pasurive të globit, me një përmirësim të diferencave shoqërore brenda kombeve dhe midis tyre?
Tërësisht utopi?
Po a po ju lemë fëmijëve dhe nipërve një botë më të mirë nga ajo që gjetëm, apo më të keqe?
Eshtë një pyetje që rëndon mbi brezin tonë.
Brez i pafuqishëm për të përballur tundimin e grykësisë së tij.