Tuesday 30 November 2021

Zymtësi qyteti

Tulla mbi tulla,

Ashpër mbivendosur

Në udhëkryqet me numur të erërave.

Fëshfëritjet e parave që numurohen qosheve

Nuk dëgjohen më.

Simbole marramendës

Pas kuqëlimit të zemrave

Rrëshqasin ekraneve stërmëdha

Pa zë.

Nën peshën e thasëve të zinj

Shkujdesur hedhur,

Një plak me ngjyrë gulçon.

Të gjithë nguten,

Përjetësisht nguten,

Pa pyetur veten:

-Po ti ku shkon?

Friday 26 November 2021

Përballë vdekjeve të panatyrshme


Vdekja e një të afërmi edhe kur ndodh në kushte natyrale, pas një sëmundje të gjatë dhe të pashërueshme, le shumë pengje dhe ndjenja faji për familjarët. Eshtë në natyrën e psikologjisë së njeriut të reagojë n[ mënyrë të tillë, që nuk është shumë racionale. Ndaj edhe ngushëllimet në anët tona janë të mbushura me “ju ja bëtë të gjitha”, “këto janë punë të Perëndisë“, “nuk ka pse t’ju mbetet merak” e të tjera të ngjashme, si një lloj garancie e shoqërisë, që të afërmit bënë ç’ishte e mundur për të zgjatur jetën e të afërmit.

Ndjenja e përgjegjësisë dhe fajita është shumë herë më e madhe në vdekjet aksidentare, ato tragjike dhe në vdekjet e papritura nga goditje kardiake apo hemoragji cerebrale. “Të kisha bërë këtë apo atë“, “mos e kisha lënë të nisej”, “duhet t’i kisha thënë të vinim në doktori në mëngjez se nuk dukej mirë“ dhe dhjetra mëdyshje të tjera i torturojnë familjarët për muaj të tërë dhe deri në vite, duke i dhënë vetes edhe fuqinë që nuk e kanë edhe fajin që nuk ju takon.

Këto dy vjet u shtuan edhe vdekjet e papritura nga prekja e virusit, një pjesë e të cilave kanë qënë vërtet të parandalueshme dhe nuk mund të përballohen vetëm me filozofinë fataliste “kështu ishte e shkruar!” Janë dhjetra raste kur njerëzit duhet të kishin treguar më shumë kujdes për veten dhe të afërmit dhe të mos merrnin pjesë në “sebepe” ku kishte shumë njerëz dhe rreziku për infektim ishte më i madh. Janë edhe shumë raste të tjera kur duhet të ishin shmangur udhëtimet në zona me raste të shumta të Covid. Ka edhe jo pak raste, kur njerëz me temperaturë dhe shenja të tjera të sëmundjes, jo vetëm nuk izolohen, por shkojnë vizita në miq ose në vende të tjera publike.

Përgjegjësi jo e pakët është imponimi ndaj familjarëve për të mos bërë vaksinën. Eshtë e kuptueshme që çdo individ ka të drejtën e tij të zgjedhë mes vaksinës dhe formave të tjera të mbrojtjes nga virusi, por kryefamiljarë që këmbëngulin që asnjë nga anëtarët e familjes nuk duhet të vaksinohet duke përmendur gjithfarë teorish komplotiste idiote është kriminal. Dhe qëndrime të tilla i kanë jo vetëm të paditurit, por edhe avokatë, arkitektë, ekonomistë, biologë dhe deri në mjekë.

Eshtë e vërtetë se dënimi që marrin është i madh pasi humbasin gruan, babanë, apo më keq akoma birin ose bijën, por një dënim edhe më të madh duhet të marrin për arrogancën, mungesën e respektit për të drejtën e tjetrit për të vendosur dhe për vënien në rrezik të shumë njerëzve të tjerë të njohur dhe të panjohur.

Eshtë e vështirë të zgjedhësh mes ngushëllimit dhe thirrjes “ti e vrave të afërmin tënd!”

Thursday 25 November 2021

A duhet të pushkatohej Lef Nosi?


Në ditët e Shpalljes së Mëvetësisë së Shqipërisë, të vijnë në mendje shumë figura shqiptarësh të rëndësishëm, të cilët firmosën Deklaratën e Pavarësisë me cilësinë e përfaqësuesve të zonave nga vinin. Mes tyre ishte edhe Lef Nosi, përfaqësues i Elbasanit, Rilindas, drejtor i Shkollës Normale. 35 vjeçar dhe me emër të mirë në qytetin e tij, Lef Nosi ishte ndër figurat më të spikatura të Kuvendit të Vlorës. Në qeverinë e posaformuar ju caktua detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Postave Shqiptare.

Nosët ishin ndër familjet më të pasura të Elbasanit dhe Lefi ishte jo vetëm i shkolluar mirë, por edhe me shumë interesa kulturore, që nisnin nga arkeologjia dhe etnografia dhe përfundonin me numizmatikën. Shqiptarizmi i tij nuk vihet në dyshim në asnjë çast të historisë shqiptaretë fillimit të shekullit të XX.

Por ç’ndodhi me Lef Nosin në vitin 1943, kur pranoi të ishte anëtar i Asamblesë Kombëtare dhe më vonë një nga katër anëtarët e Këshillit të Lartë të Regjencës, kur forcat gjermane kontrollonin Shqipërinë?

Lef Nosi ishte në ato vite 66 vjeçar dhe kishte prej Revolucionit të Qershorit 1924 (ose grushti i shtetit i 1924), që ishte tërhequr nga politika. I trembej fitores së mundshme të komunistëve apo kontrollit të ardhshëm të Shqipërisë nga Jugosllavia?

Nuk është e lehtë të spjegosh llogaritjet politike të Lef Nosit në pranimin e atij propozimi. Një gjë është e sigurt, që nuk e ka bërë për përfitime personale, sepse kishte dhënë shumë nga jeta dhe pasuria e tij për Shqipërinë. Por i parë me paanësi, vendimi i tij ishte plotësisht i gabuar, në një kohë që aleatët kishin zbarkuar në Siçili dhe gjashtë muaj më vonë zbarkuan edhe në Normandi. Lef Nosi me dashje ose jo i shërbeu Boshtit hitlerian duke menduar se po i bënte shërbimin më të mirë Shqipërisë.

Lef Nosi ishte antizogist dhe njëkohësisht në kryesinë e Ballit Kombëtar, nga e cila u përjashtua kur pranoi pjesëmarrjen në Këshillin e Regjencës. Ndër veprimet që duhet të kryente si “përfaqësues mbretëror” ishte dhe firmosja e dënimeve me vdekje të luftëtarëve shqiptarë, që i kundërviheshin nazizmit. Dalja para gjyqit të pasluftës ishte e pashmangshme edhe sikur lufta të ishte fituar nga një koalicion forcash patriotike.

A duhej dënuar me pushkatim?

Problemi më tepër se ligjor është politik. Kuptohet që komunistët do ishin më të zellshëm se cilado forcë për të zhdukur kundërshtarët politikë dhe sidomos ata që vinin nga shtresat e pasura. Por mareshali Pëten u dënua me vdekje në Francë edhe pse kishte qënë heroi i Luftës së Parë Botërore dhe patriot i shkëlqyer, si dhe 90 vjeçar. Nuk ishte e mundur që në një vend të prapambetur si Shqipëria, me parime gjakmarrëse dhe me një bandë terroriste në krye të shetit, 70 vjeçari Lef Nosi t’i shpëtonte dënimit me vdekje dhe ekzekutimit.  

Më 20 shkurt 1946, një javë pas marrjes së vendimit, Lef Nosi u pushkatua bashkë me Patër Anton Harapin, një nga anëtarët e Këshillit të Regjencës. Si për ironi të fatit, prokuror në gjyqin ushtarak ndaj tyre ishte një njeri i letrave, përkthyesi Misto Treska.

Shqiptarët, të cilëve ju kushtoi gjithë jetën e tij, i dhanë Lef Nosit dënimin kapital, të cilin më parë nuk ja kishin dhënë as turqit, as sërbët dhe as italianët megjithëse e kishin arrestuar. Tregues i intrasigjencës shqiptare dhe i abuzimit me pushtetin, ashtu si kishte ndodhur edhe me dënimet me vdekje të shumë patriotëve shqiptare pas revoltave ndaj Ahmet Zogut.

Zelli i çirakëve të pazarit të Korçës dhe lebërve kokëkrisur, i gërshetuar edhe me dinakërinë për ruajtjen e pushtetit të Enver Hoxhës, i cili nuk kurseu as kunatin e tij Bahri Omari, e shpunë atdhetarin e shkëlqyer Lef Nosi në një varr pa shënjë. Gjithsesi ai mbetet në Panteonin shqiptar.

 

 

 

 

 

Wednesday 24 November 2021

Kojliku qeros dhe mediat shqiptare


Nuk kisha dëgjuar ndonjëherë për kojlikun dhe për më tepër për atë qeros. Ma merr mendja se si pelikani kaçurrel duhet të ketë edhe një kojlik të tillë ose kojlik me baluke.

Kojliku qeros qënka një zog i rrallë  europian dhe i anëve tona, që sipas mediave shqiptare kishte 400 vite, që ishte zhdukur nga Shqipëria. Pra dikur nga fillimi i shekullit XVII. Historia shqiptare e atij shekulli është shumë e paqartë, sepse mungojnë dëshmitë historike dhe librat e udhëtarëve të huaj. Dhe në filllim të shekullit nuk kishte nisur ende nga udhëtimet dhe shënimet Dervish Mehmed Zilli apo si njihet në të gjithë botën osmane, Evlia Çelebiu.

Por mediat tona janë të sigurta se pikërisht 400 vite më parë ishte fluturimi i fundit i “qerosit” mbi trojet shqiptare. Dhe flasim këtu për media serioze, të mirëinformuara dhe tërësisht të sakta, sidomos kur është fjala për ngjarje historike. Për shembull njëra prej tyre jo pa krenari deklaron se është “media më e besueshme në Shqipëri”; një tjetër deklaron se është “gazeta më e lexuar shqiptare” dhe kështu me rradhë. Më i lexuari ka shkruar dy libra për ngjarjet e vitit 1997 dhe në të parin me argumenta mbronte teorinë se ishte një lëvizje antidemokratike komuniste me mbështejtje greke, ndërsa në të dytin ja hidhte gjithë fajin Saliut. Më i besueshmi është mbështetësi kryesor i Lali Erit, që punon shumë, reklamon pak dhe nuk gënjen kurrë.

Ndaj në një vend ku nuk dimë se ku shkuan laraskat, ç’ndodhi me rrëqebujt, pse u rralluan nuselalet, pse nuk dëgjohet kënga e gargujve dhe ku fshihen baldosat, ne jemi të sigurt se 400 vjet më parë “qerosi” na përshëndeti për të fundit herë duke lënë pas legjendat “me qeros”.

A është kaq i rëndësishëm fakti i rikthimit të kojlikut, sa duhet edhe unë t’i kushtoja këto rrjeshta?

Eshtë i rëndësishëm sepse mund të bëhen interpretime që lidhen me klimën, me moratoriumin e gjuetisë dhe të tjera problem ekologjike dhe shoqërore, por “qerosi” na kujton edhe një herë se sa gënjejnë mediat tona. Nuk marrin as mundimin më të vogël të verifikojnë diçka, ta futin brenda një kuadri të logjikshëm dhe më pas t’ja japin si ushqim informative publikut.

Ende nuk dimë ku janë eshtrat e shumë të persektuarve të vrarë jo më shumë se 50 vjet më parë, por kemi të dhëna të sakta për shpendët e rrallë. Edhe pse 400 vite më parë nuk i binte ndërmend njeriu për ta.

Tuesday 23 November 2021

Edhe një “kufomë politike” do mundohet të mbijetojë


Lëvizjet e Sali Berishës, “të vdekurit politik që ec dhe flet”, i kanë dhënë shpresë edhe një “kufome politike” tjetër. Ilir Meta ka shpresë të rikthehet në jetën politike me përfundimin e mandatit të Presidentit, dikur nga korriku i vitit të ardhshëm.

Shpresa vdes e fundit!

Nuk ka pse mos shpresojë edhe Ilir Meta. Llogoret e politikës janë të vetmet që mund ta shpëtojnë nga burgu. Në të kundërt do ishte ngritur prej disa vitesh dhe të shkonte diku jashtë Shqipërisë bashkë me familjen për të shijuar paratë e vjedhura nga abuzimet me buxhetin e shtetit shqiptar dhe nga përdorimi për favore në këmbim të rryshfeteve i posteve qeveritare që ka mbajtur.

Në ndryshim nga Saliu, Ilir Meta nuk ka as anëtarësi partie dhe as lidhje të forta brenda dhe jashtë vendit që ta mbrojnë. Mbrojtja e tij e vetme është pasurija dhe tani asaj i është shtuar edhe mundësia e trazirave politke në Shqipëri dhe Ballkan si rrjedhojë e çorbës “foltoret”. Një ndërhyrje më agresive e Putin në Ballkan dhe fitoret e pasuesve të Trump në zgjedhjet e ndërmjetme të 2022 janë gjithashtu fije të tjera kashte pas të cilave mund të kapet “i mbytyri” Meta.

Eshtë e çuditshme se si reagojnë mediat zyrtare në Shqipëri ndaj dy “kufomave politike”. Sali Berishën nuk e pyet njeri se kush e financon lëvizjen e tij, që duhet të ketë kosto jo të vogël, se vetëm qeratë e sallave janë shumë për një ish qeveritar që deri dje deklaronte disa qindra-mijëra lek kursime. Njëlloj si nuk pyesnin Metën dhe Kryemadhin se ku i kishin gjetura paratë për të ndërtuar supervilën e Lalëzit, kur dihej që kishin patur gjithnjë vetëm rrogat e tyre.

Viti që vjen do ketë disa ngjarje të rëndësishme në jetën politike dhe juridike shqiptare. Nuk dihet nëse Ilir Meta do klithë përsëri për “kokëpalarët” apo “për asgjesim me dron në Malin me Gropa”. Ka shumë të ngjarë që të arrestohet më parë se të shpallet nga Amerika “non grata”, por edhe nëse renditja e këtyre dy ngjarjeve  ndyshon, nuk ka asnjë rëndësi as për Metën dhe as për shqiptarët. 

Monday 22 November 2021

Të kërkoj

Unë të kërkoj në sytë e drenushës

Që hopthi hidhet jo larg

Vendit ku ke rënë.

Në ngjyrimin e fundit të gëmushës,

Në patat vënë varg,

Të kërkoj o nënë!

Me vete flas

Dhe të petaleve buzë,

Tregoj gjithë turp

Me sytë ulur tek varri.

Dikur më thoje:

“Do më kërkosh o bir,

Vonë do jetë,

Një pëllëmbë do jetë bërë bari!”

A më ndjek me sy

A me mendje më ndjek,

Këtë buzëmbrëmje të së hënës?

Ndjehem pa mbrojtje që kur s’je më ti,

Në këtë bot’ “jallane”

E shtrenjta mëmëz!

 

 

Friday 19 November 2021

Sa lehtë mund të ngrihet fashizmi!


Problemet e demokracive liberale dhe veçanërisht dështimet e politikave të Bashkimit Europian mund të sjellin shumë shpejt rikthimin e fashizmit në disa prej vendeve europiane, ku më pak të imunizuar janë vendet e ish-Kampit Socialist. Prapambetje shoqërore, vështirësi ekonomike, korrupsion galopant, forca të rendit jo efikase dhe modele autoritare në krye të politikës janë receta e përkryer për një kalim të tillë.

Ditët e fundit në Shqipëri, pas vrasjes makabre të një fëmije dëshmojnë se “toka shoqërore” është gati për të mbjellë farat e fashizmit. Të afërmit dhe gjithë fshati janë ngritur për të linçuar autorin e krimit në mjediset e gjykatës duke thirrur “hakmarrje” dhe më pas mijra vetë firmosin një peticion për kthimin e dënimit me vdekje dhe marshojnë në kryeqytet, ku ju bashkohen edhe politikanët hajdutë.

Mediat nuk dinë si të reagojnë, udhëheqësit fetarë drejtojnë ceremonitë funerale kundrejt pagesës, por nuk bëjnë detyrën e tyre për qetësimin e shpirtrave dhe mijra shqiptarë të etur për gjak dhe hakmarrje klithin në mediat sociale për “asgjesim të monstrës” duke dashur të tregojnë se sa i duan fëmijët e vegjël si i shkreti ëngjëll Mateo.

Me një fjalë shoqëria shqiptare nuk është e përgatitur të reagojë në mënyrë “të shëndetshme” ndaj ngjarjeve të rënda si janë vrasja e një të pafajshmi apo përballja me një “vrasës serial”. Shtohet këtu edhe intervista e një ish-prokurori idiot, që pat kërkuar varjen e dy kriminelëve në mes të Fierit më 1992, gjë që ishte pranuar nga gjykata dhe miratuar nga presidenti i asaj kohe, Sali Berisha. Ish-prokurori pretendon se “sikur pati ca ulje të krimeve pas varjes publike”.

Askush nuk guxon të përmendë se është e provuar në dhjetra vende të zhvilluara dhe jo të zhvilluara, që dënimi me vdekje nuk ndikon në uljen e krimeve të rënda. Në shtetet amerikane ku dënimi me vdekje është në fuqi ka më shumë vrasje se në shtetet që nuk e kanë. Gjithashtu vendet e Europës së Bashkuar dhe Kanadaja kanë shumë më pak krime të rënda se Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Problemi kryesor është përfitimi që mund të kenë sharlatanë politikanë të ekstremeve, që do krijojnë lëvizje politike për rivendosjen e rendit, për vendimin me vdekje dhe për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve kudo që jetojnë. Eshtë shumë e thjeshtë. Ndodh dita ditës në shoqëri më të zhvilluara se e jona. Trump, Mari Le Pen, Viktor Orban, Vladimir Putin, Erdogan, Mateo Salvini dhe të tjerë si ta janë të gatshëm të vendosin fashizmin në vendet e tyre dhe kopje mund të gjesh kudo në Ballkan.

Ne jemi më të rrezikuar se të tjerët për shkak të dobësisë së institucioneve dhe të kaluarës nën Diktaturë. Ndaj kur në të njëjtat ditë sheh që festohet me portretet e Enverit dhe sulmohen gjykatat të kap një frikë jo pa bazë për të ardhmen e vendit.

Tuesday 16 November 2021

Shqipëria si “lavatriçe” parash


Ata që e njohin mirë sistemin banker shqiptar dinë hollësi rreth pastrimit të parave, jo vetëm të shqiptarëve që merren me trafiqe të ndaluara, por edhe të të huajve. Eshtë e logjikshme që në një vend me shkallë shumë të lartë korrupsioni të “pastrohen” paratë e pista me të gjitha mënyrat e njohura. Rrallë herë, ose asnjëherë nuk është folur në shtyp për këtë dukuri edhe pse ka pasur skandale me bankat e deri në vrasja mafioze e bankierit Santo, që nuk u zbardh ndonjëherë.

Tani janë italianët që kanë përgjuar mafiozët e tyre në një operacion pastrami, ku personazhet kryesore janë shqiptarët. Flitet për rreth 20 milion euro dhe në të janë përfshirë jo vetëm Rezart TaçI dhe bashkëpunëtorët e tij, por edhe disa qeveritarë shqiptarë, emrat e të cilëve nuk janë bërë ende publike.

Historia Zummo-TaçI paraqet interes, se tregon bashkëpunimin e ngushtë mes një “biznesmeni të dyshimtë“ shqiptar dhe një mafiozi italian. Por shuma e madhe e transferuar dhe tashmë e bllokuar të bën të mendosh se ky nuk është shërbmii i parë që Rezart Taçi i bën mafias italiane përkundrejt përqindjes në para. Rezart TaçI, mik i afërt i familjes Berisha, që nga një kamarier në Itali u kthye në një “sheik” duhet të ketë shumë e shumë afera të errëta në Shqipëri, Ballkan, Europë dhe Azi. Një sharlatan i pacipë, që organizonte ndeshje mes Realit dhe “Gramozit” të Ersekës, TaçI duhet të ishte prej kohësh pas hekurave.

Por më të rëndësishëm se Taçi janë bankierët dhe ministrat shqiptarë që kanë lehtësuar transfertat dhe që përmenden edhe në përgjimet e fundit italiane. Përmendet zv.kryeministri shqiptar, që ka të ngjarë të jetë Erion Braçe, gjë që e plotëson edhe largimi i tij nga të gjitha funksionet qeveritare gjatë kësaj vere. SPAK-u duhet të ketë njoftuar Ramën për dosjen dhe Braçe ka qënë i detyruar të largohet pa kuitur dot si kone.

Ishin përgjimet italiane që rrëzuan ministrin e drogës Tahiri dhe duket që përsëri janë ato që mund të shpien në burg Braçen e ndonjë ish-ministër tjetër.

A goditet kështu përfundimisht “lavatriçja”?

Jo. Do goditet kur pas hekurave të përfundojnë Meta, Berisha, Rama, Ahmetaj, Veliaj dhe disa bankierë vendas dhe të huaj.

Saturday 13 November 2021

Nju Jork

Linja e thyer

Si ritmi i krisur në këto vargje,

Më përcjell brengat e këtij qyteti.

Natyra do e krijonte më ëmbël

Me asimetrinë kaotike të saj,

Lagje më lagje,

Ngrehinë mbi ngrehinë,

Por dorë vuri lakmia

Dhe i tillë ai mbeti.

Kanë ikur vitet kur mrekullohesha

Nga gjometria hapësinore që patëm shpikur.

Në një bregdet me duna e kallamishte

Dua të fshihem.

Mendjelodhur,

                Zemërvrarë

                                Dhe buzëfshikur.

 

Wednesday 10 November 2021

Autostrada 93

Rruga është e gjatë e gjatë

Dhe dielli pak ndrit syrin mbi re.

Nuk di nëse era,

Majat e pishave ka sjellë mbi kokë

Në rrugën Nëntëdhjetetre.

S’më shtypin më malet luginës së ngushtë,

Tek rrjedh pa u ndjerë një rrëke.

Radios dëgjoj pastorin shitës,

Që di se nuk thotë asgjë të re.

A duhet vallë të trokas

Portës kur dikur putheshim ne?

Makinat kaloj pa menduar shpejtësinë,

Kësaj autostrade me numur

Nëntëdhjetetre.

 

 

 

Tuesday 9 November 2021

Si mund ta besosh Bashën kur flet për korrupsionin?


Basha ka nisur një fushatë “kundër korrupsionit” të politikanëve dhe për futjen e “veting” për gjithë funksionarët e lartë. Si ide është e mirë dhe e domosdoshme për demokracinë shqiptare. Por jo kur vjen nga goja e Bashës, Berishës apo e Ramës me kompani. Gojët që kanë gëlltitur shumë korrupsion nuk janë më të besueshme për kërkënd. Duhen gjuhë te reja, njerëzish të pastër, që jo vetëm nuk kanë qënë  vetë të korruptuar, por as kanë qënë të pranishëm në rrethet ku korrupsioni ka gëluar.

Le të supozojmë se Basha as ka marrë rryshfete për Rrugën e Kombit apo për tendera të tjera, ose lejet e ndërtimit kur ka qënë në postet e ministrit të transportit, të brendshëm apo kryetar i Bashkisë së Tiranës. Le të supozojmë se edhe nuk ka ndihmuar kunatin e tij të “grijë“ para në emër të tij dhe me ndihmën e tij.

Basha është një i katapultuar në politikën shqiptare nga Argita Berisha, tashmë e shpallur “non grata” në SHBA për korrupsion të përmasave të mëdha. I vënë menjëherë ministër i një ministrije ku do derdhej një pjesë e madhe e buxhetit, Basha ka qënë i preferuari I Berishës, që drejtoi për 8 vite me “dorë të hekurt” dhe të zhytyr në buxhetin e shtetit. Ishte i pranishëm kur Meta vidhte haptazi dhe filmohej nga “shoku i besës” Dritan Prifti, ndërsa Zeni i Saliut “bënte kërdinë“ në Ministrinë e Mbrojtjes me pronat e shtetit.

Lulëzim Basha u vu në krye të PD-së pikërisht për të mbrojtur nga akuzat e mundshme për korrupsion të klanit Berisha, nga vetë Saliu, që nuk është çudi që si e vuri tani edhe ta shkarkojë.

Nëse e pyet “ç’bëje ti Lul kur vidhej me të katër duart” gjatë qeverisjes së PD-së, nuk di se si mund të të përgjigjet?

-Rama ka të drejtë që thotë flija?

-Mundohesha të ruaja pastërtinë e figurës time për të ardhmen e Shqipërisë?

-Gjatë qeverisjes së PD-së korrupsioni ishte i papërfillshëm?

I dashur Lul edhe pse me një fytyrë “inoçente” ti je po aq hajdut sa gjithë ata që do të pastrosh nga politika, nëse vërtet e ke seriozisht!

Nëse Meta, Argita, Rama, Ahmetaj e ndonjë tjetër ka më shumë miliona euro se ti, kjo nuk të bën ty të pakorruptuar.

Bëji një shërbim këtij vendi dhe shko të jetosh në Hollandë dhe shijo paratë e vjedhura me djersë!

Monday 8 November 2021

“O Niskën, o triskën!”


Kur e kam njohur Niskën, ai ishte mballomaxhi në repartin e Riparim-Shërbimeve përballë Pallatit të Kulturës. “Mballomaxhinj” në anët tona quheshin ata që meremetonin këpucët dhe që nuk mund të quheshin këpucarë, ose kundraxhinj sepse nuk kishin arritur atë nivel në profesion. Mballomaxhinjtë hidhnin gjysma, maja ose ju vinin ndonjë “mballomë“ këpucëve që ishin çarë në pjesën e sipërme. Repartet e mballomaxhinjve ishin të shumta se qyteti kishte shumë njerëz me dy këmbë dhe pak para për të blerë këpucë të reja. Të gjithë shkonin për t’i rregulluar këpucët, sandalet, çizmat dhe deri galloshet dhe shoshonet.

Po ky shkrim është për Niskën dhe jo për gjendjen ekonomike të shqiptarëve në kohën e Diktaturës. Në repart Niska e kishte vendin e punës pas vitrinës së qelqtë që ndante pjesën e punonjësve me atë të klientëve dhe shpesh i hidhte sytë nga njerëzit që prisnin në rradhë për të rregulluar këpucët. Ishte shumë i shkurtër dhe me një fytyrë rrumbullake prej fëmije, që po mos kishte ca mustaqe të vogla dhe rrudha pranë syve mund të theshe se nuk i kalonte të 30-tat. Dionisi (nuk ja kam ditur ndonjëherë mbiemrin) ishte mbi 50 dhe mbante edhe çizme, ndoshta për tu dukur më i gjatë.

Duhet të kishte qënë partizan, se jo shumë vjet pas çlirimit ishte pranuar në parti dhe dëshmonte një entusiazëm të jashtëzakonshëm për jetën e re, për vijën e partisë dhe për miqësinë me Bashkimin Sovjetik. Më tregonin se diku kishte mësuar të luante edhe “kazaço” dhe s’kishte mbrëmje tematiko-dëfrimi ku Niska nuk kërcente me hopa dhe ulje e ngritje vallen e famshme të kozakëve.

Por kishte një ves, të cilin partia nuk ja pëlqente. Ashtu si rusët e pëlqente “votkën” dhe rakinë. Duke qënë edhe trupvogël ndoshta nuk “mbante shumë“ dhe duket që shkonte I pirë edhe në mbledhjet e organizatës-bazë. Pas shumë e shumë përpjekjesh dhe kritikash për ta kthyer në rrugë të mbarë, udhëheqësit e organizatës së riparim-shërbimeve I dhanë ultimatumin, që ka mbetur në histori- “O Niskën, o triskën!”

Në ato vite kishte shumë drejtues të lartë partie që e tepronin rregullisht me alkolin apo me vese të tjera si rendja pas fundeve të grave, por Partia tregohej zëmërgjërë me ta. Vetëm nëse dilnin kundër vijës i pushkatonin dhe ju përmendnin edhe alkolin dhe gratë. Po Niska ishte një anëtar i thjeshtë, mballomaxhi dhe në raste të tilla Partia vinte dorë.

Megjithëse e donte partinë dhe besonte në idealin e saj të madh, me dëshpërim dhe kokën mënjanë Niska u përgjigj : “Niskën!” E përjashtuan nga partia dhe nga mundësitë e shumta për tu bërë përgjegjës reparti, shef kuadri ose nëndrejtor ndërmarjeje.

Sot mund të duket absurd ultimatumi, por në ato vite ishte vërtet gjë e madhe dhe duhej kurajo prej burri të zgjidhje vesin para partisë. Niska zgjodhi dashurinë për pijen mbi idealin.

E meriton edhe sot një dolli me votkë!

Friday 5 November 2021

“Ja qëndrimi yt, ja dhe materialet e partisë o shoke!”


Këtë shprehje ma kishte thënë në korridoret e shkollës, drejtori im i të mesmes, ndërsa më kritikonte për disa qëndrimet e mija, të cilat nuk i kujtoj se ç’ishin, por mbase edhe thjesht me “vërdallosje” nëpër korridore gjatë pushimeve të vogla. Ishte një kohë, që nuk na linin as të shkonim nga një klasë në tjetrën, për të takuar shokët. Gjithshka absurde pillte mendja e drejtorëve partikë të viteve ’70, për të patur disiplinë në shkollë e më shumë për tu mburrur në mbledhjet e komitetetve të partisë, për masat që kishin marrë për të mos lejuar shthurrjen mikroborgjeze tek të rinjtë.

Vitet tona të gjimnazit, prej 1974-78, ishin vitet e terrorit më të madh të partisë-shtet. Drejtori ndoshta e kishte dëgjuar në ndonjë forum partiak shprehjen asgjesuese “të ballafaqimit me materialet e partisë“, sepse po qe se ballafaqoheshe me to nuk mund të ishe kurrë në rregull. Materialet në fjalë përmbanin orientime të qarta për ]do gjë, dhe sidomos për “izmat”, që nuk linin t’i tundje vithet as majtas dhe as djathtas. Se mund t’i shpëtoje oportunizmit e të shkoje në sektarizëm dhe mund të bëheshe shumë konservator duke goditur liberalizmin, por nuk mund të të shpëtonte as e ndenjura në qendër se të akuzonin për centrist dhe po të mbaje gojën mbyllur do akuzoheshe për indiferentizëm të theksuar.

Ato kohë më vinte në mendje ndërsa i dëgjoja fjalët e tij (që nuk i merrnim kurrë seriozisht) t’i thoja “C’I ke këto cazzature!, por edhe pse adoleshent i rrëmbyer, kisha aq frikë sa ta dija rrezikun e përzjerjes së “cazzature” me materialet e partisë. Drejtori (po aq adoleshent sa ne) mund t’i përdorte shumë bukur për të gjetur rrënjët e mendësisë sime dhe të gjithë familjes, për nënvleftësimin e vendimeve të partisë, apo më keq akoma të fjalimeve të fundit të shokut Enver.

Prej kohësh kam kuptuar që nuk ishte faji i drejtorit tim apo drejtorëve dhe sekretarëve të tjerë të organizatave bazë. Ishte një sistem i tërë piramidal i krijuar për të vënë poshtë më të dobëtit dhe sidomos për të krijuar edhe një aleancë shtypëse të më të pazotëve. Përgjithësisht të zotët punonin më shumë dhe kështu që ju shtoheshin mundësitë për të gabuar më shumë në raport me “izmat”. Atëhere vihej në lëvizje e gjithë makina e vajisur mirë e “absurditetit të të pazotëve”, e cila fillonte me vënien para përgjegjësisë të atij që kishte gabuar. Gjëja më e parë që i kërkohej ishte të bënte autokritikë. Por “dardha e autokritikës” e kishte bishtin prapa. Më tej jo vetën që do i kërkohej përse gaboi, por do vihej para trysnisë se cilat ishin shkaqet, më pas cilat ishin shkaqet e shkaqeve dhe deri në rrënjët e shkaqeve të shkaqeve, që të nxirrnin thuajse “armik të partisë dhe të popullit”.

Fundi dihej mirë!

Ndaj edhe drejtori im dhe drejtorët e të tjerëve, për të mos u vënë përballë makinës që e njihnin mirë, kishin kopjuar dhe përshtatur të tilla metoda për të shtypur nxënësit, mësuesit dhe deri tek pastrueset e shkollave.

Pasqyra e materialeve partisë të vihej para për të parë se sa i shëmtuar ishe!

 

Shënim: Shoke është për shok në njëjës, por për arsye të panjohura drejtori parapëlqente ta theshte me e në fund.

Wednesday 3 November 2021

Cila ishte Myzejenka?


Shpesh më ndodh që më vijnë në mendje copa këngësh korçare dhe më pas ndjehem kureshtar dhe fajtor, që nuk kam mësuar se kujt i ishin thurrur. Veçanërisht për ato, të cilat kishin emra të veçantë vajzash ose djemsh dhe nuk ishin krijuar më kot. Vërtet të përmëndurat ose të përmëndurit mund të mos kenë pasur cilësi të shquara kombëtare apo shoqërore, por kanë ngacmuar ndjenja të forta, përderisa ju janë kushtuar këngë. Tani prehen diku dhe njerëzit këndojnë këngët , të cilat ju janë blatuar dikur, pa ditur se cilët kanë qënë në të vërtetë.

Cila ishte vallë Myzejenka e këngës “Cohu moj Myzejenkë“?

Po qe se me shokët e mij do kishim pyetur më shumë dhe do kishim vrarë edhe pakëz mendjen ndërsa këndonim “çakërrqejf” këngën për të, tani mund t’ju rrëfenim edhe më të rinjve për bukurinë dhe bëmat e saj. Por kemi vetëm pikpyetje edhe pse autori i këngës disa gjëra i ka bërë shumë të qarta në vargjet e saj:

Penxheret e odës dhe moj/ Këthyer nga Lumi…

Pra familja e Myzejenit jetonte në Korçë dhe pranë Lumit, me shumë mundësi në lagjen pranë xhamisë së Mirahorit. Lumenj kishte dhe në qytetet e tjera, por vetëm në Korçë Myzejenet thirreshin Myzejenkë ose Myskë.

Po në ç’kohë duhet të jetë krijuar kënga? Përgjigjen e japin vetë vargjet:

Ora dy e natës/ Trak e truk tek dera/ Coju moj Myzejenkë/ Jemi moj tre shofera…

Kënga duhet të jetë krijuar në vitet ’50, se vetëm në atë kohë kemi rritjen e numurit të makinave të transportit dhe me të edhe të shoferave që pinin natën. Nuk ka asnjë mundësi të jetë bërë para Luftës së Dytë. Pra Myzejenka në vitet ’50 duhet të ishte mbi të 20-tat dhe të kishte një lloj “reputacioni”, që shtynte tre shoferë të dehur t’i trokisnin në porta e shtëpisë. Që shoferët ishin të dehur këtë e thotë vetë kënga, madje duhet të kenë qënë shumë të dehur se pas rakisë kishin nisur të pinin edhe konjak, gjë që të bën të hamendësosh, se kishte kaluar mesnata dhe po kërkonin të pinin edhe kafe:

Rakia konjaku dhe moj/ Dopio po na vinë/ Coju moj Myzejenkë/ S’ta gjemë dot shtëpinë…

Këtu fillon të dyshosh për karakterin e Myzejenkës, së cilës i bëhet thirrje jo vetëm të zgjohet, por dhe të vijë t’i marrë shoferët nga kafeneja se nuk ja gjejnë dot shtëpinë.

Të jetë ende gjallë Myzejeni?

Duhet të jetë mbi të tetëdhjetë e kusur vjetët dhe nëse është zgjuar shpesh natën edhe mund të mos gëzojë shëndet të mirë. Të duket sikur nuk do e marrim vesh kurrë se cila ishte.

Tuesday 2 November 2021

Nëntori i “festave”


Nuk di se kur janë zyrtarizuar muajt e vitit në gjuhën shqipe dhe se si janë quajtur gjatë shekujve. Por vetëm gjatë shekullit të kaluar kemi pasur “nënduer”, “nandor”, “nëndor” dhe më në fund pas Kongresit të Drejtshkrimit arritëm në “nëntor”.

Nëntori ishte muaji më I trishtë i fëmijërisë sime. Nuk lidhej me ndonjë ngjarje të veçantë, por vetëm me klimën e Korçës. Ishte plot shira dhe i ftohtë. Në nëntor viheshin në provë këpucët tona , që rëndom futnin ujë dhe megjithatë kalonim orë të tëra duke luajtur ose duke ndenjur në strehën e një ballkoni në Bonboneria dhe duke mos bërë asgjë. Në pritje të dëborës së parë.

Zyrtarisht ishte muaji i festive, se më 7 të muajit festohej Revolucioni i Madh i Tetorit dhe ishte ditë pushimi, më 8 ishte dita e Themelimit të Partisë, kurse më 28 dhe 29 ishin festat e Pavarësisë dhe të Clirimit. Po veç mosshkuarjes në shkollë, festat nuk ishin ndonjë gëzim i madh për ne fëmijët. Nuk bëheshin ëmbëlsira në shtëpi dhe as ndonjë drekë speciale. Nuk na vinin njerëz për vizita dhe ishte edhe bezdia se mund të të caktonin të bëje roje nderi pranë ndonjë lapidari. Ishin festa që i takonin shtetit dhe partisë, dy nocione abstrakte për mendjet tona.

“Nëndori” (më pas “Nëntori”) ishte një revistë, e cila më pëlqente shumë se ishte si libër dhe mund ta merrja edhe në krevat e ta lexoja. Vinte çdo muaj dhe të parën gjë që bëja e shfletoja në faqet e mesit se mos ishte botuar ndonjë pjesë teatrale. Nuk kisha durim të lexoja pasqyrën e lëndës, që ishte në faqen nr. 3. Po qe se kishte “dialogje” i përpija me padurim, sepse më ngjanin me jetën e vërtetë dhe i kuptoja më mirë se përshkrimet apo analizat psikologjike. Si e mbaroja ju kthehesha vjershave, më pas tregimeve dhe në fund lexoja romanet, që botoheshin në disa numura me rradhë.

Nuk e kuptova ndonjëherë se ç’lidhje kishte mes letërsisë dhe arteve dhe muajit nëntor, por duket që idea mund të kishte lindur diku në rrethet pranë Enver Hoxhës, për të dëshmuar besnikërinë e shkrimtarëve dhe artistëve ndaj “idealit të partisë“. Kur ishte krijuar revista quhej “Literatura jonë“.

Sërish ndjehem i trishtuar në nëntor. Ndoshta ka mbetur në psikologjinë time, që në fëmijëri dhe nuk më rrit entusiazmin as idea që në fund të muajit shqiptarët emigrantë do mblidhen për të festuar Festën e Flamurit me këngë, gaz dhe hare.

Do rri përsëri i strukur në një qoshe të krevatit duke lexuar diçka që më shpie pranë artit dhe kulturës, si në ato mbrëmje të ftohta e të lagëta të Korçës, kur shfletoja me padurim të lexoja një pjesë dramatike të jetës të të rriturve.

Monday 1 November 2021

Shqipëria e “bejlerëve”


Titulli i Perandorisë Otomane “bej”, i përhapur shumë edhe në trojet shqiptare, ju jepej prijësve të krahinave ose të fiseve në të gjithë territoret e perandorisë. Ishte një titull i rëndësishëm, që shpesh shoqërohej edhe me dhurime tokash apo pasurish të tjera.

I pari bej i famshëm i historisë shqiptare është Skënderbeu, ose Aleksandër bej, i quajtur i tillë për të nderuar Aleksandrin e Madh. Sigurisht që ka pasur edhe të tjerë para tij, por figurë më të madhe se Gjergj Kastrioti ne nuk kemi. Më pas vijnë të tjerë të mëdhenj nga Naim bej Frashëri, Ismail bej Qemali, Iljaz bej Vrioni dhe deri në mbreti Ahmed bej Zogolli.

Propaganda e madhe gjatë Diktaturës kundër bejlerëve, e ktheu titullin në një emër të përçmuar nga shqiptarët, ndaj edhe sot rrallë sheh të përmenden me vlerësim “vjen nga një familje bejelerësh” apo “i gjyshi ka qënë bej i njohur”. Kjo është forca e çuditshme e propagandës dhe e përsëritjes së gënjeshtrave. Edhe në një botë të të barabartëve, përsëri ka tituj, të cilët i dallojnë njerëzit për kontributet e tyre në fusha të caktuara të jetës. Ka tituj shkencorë, akademikë, çmime për arritje të ndryshme në fushat e dijes, sportit, artit etj.

Eshtë e llogjikshme, që mes bejlerëve të shumtë shqiptarë (një periudhë turqit e kishin bërë titullin me një mandat njëvjeçar dhe të drejtë përsëritjeje), ka pasur edhe njerëz pa merita, edhe tradhëtarë të çështjes shqiptare, por kjo nuk ishte e përgjithshmja. Pa bejlerët nuk bëhej Shqipëria! Ata ishin jo vetëm njerëz të pasur dhe me ndikim të madh, por edhe të shkolluar, edhe me funksione të larta në administratën turke, edhe me lidhje të forta me politikanët turq dhe europianë. Lidhja e Prizrenit ishte një organizim i 57 bejlerëve shqiptarë.

Duke qënë titull i një shteti të huaj, detyrimisht me kalimin e kohës ai do e humbiste vlerën e vërtetë, por nuk kishte pse të humbiste vlerën simbolike. Në republikat demokratike, përgjithësisht titujt, që i përkasin feudalizmit bien, ose zëvendësohen me të tjerë, por traditat nuk fshihen dhe aq më pak të përçmohen. Ndaj të gjithë duhet të pranojmë dhe të krenohemi se në Shqipëri ka pasur edhe shumë bejlerë.