Wednesday 29 May 2019

Europa po merr tiparet e Mari Le Pen



 
Disa vite më parë pata shkruar një shënim të titulluar “Po vjen Mari Le Pen”, si një lloj alarmi për të frenuar prirjet tona shoveno-homofobe. (Një pjesë e mirë e europianëve ende kanë në mendjen e tyre të të tilla prirje.) Eshtë një shqetësim i të gjithë njerëzve, që nuk duan të kthehet gjysma e parë e shekullit të XX-të, me patriotizmat e marra, me besimin e verbër se jemi mbi çdo lloj gjallese dhe mund të bëhemi zotër mbi zotat, me urrejtjen për të ndryshmit nga ne dhe sidomos për më të dobtit, me utopinë e krijimit të Mbinjerëzve e të tjera ide të tilla që sollën katastrofat e dy Luftrave Botërore.
Fillimi i këtij shekulli, për fat të keq të Njerëzimit dhe sidomos të Europës, solli në krye të disa vendeve shumë milionshe, figura si Putin dhe Erdogan, që i përkasin si mentalitet viteve ’20 të shekullit të kaluar. E megjithatë, Europa arriti të ruajë si fytyrë të saj, protretin prej politikano-shkencëtare të Anxhela Merkelit. Këshut, deri sa filluan gërvishtjet e ashpra të politikanëve si Orban, Salvini, Farazh dhe mbi të gjithë Mari Lë Pen. Tani, në portretin Humanist të Europës, po ravijëzohen tiparet e social-darvinizmit racional të së djathtës ekstreme.
Sigurisht, që nuk ka asnjë kuptim të fajësojmë Lë Penin dhe shokët e saj, sikundër janë fajësuar Hitleri dhe Musolini. Diktaturat dhe përgjakjet që ato sjellin nuk i krijojnë vetëm demagogët dhe as idetë që ata shpalosin. Janë milionat e njerëzve dhe siodomos elitat intelektuale, të cilat nuk janë në gjendje të korrigjojnë të metat e sistemeve ekzistuese, të paralajmërojnë pasojat shumë të rënda që sjellin modelet autarkike dhe më keq akoma ato “racionalo-ekonomike”, deri sa më pas arrihet në pashmangshmërinë e përplasjeve të mëdha shoqërore.
Gjallërimi i ideve nacionaliste “sejcili vend për hesap të tij”, u shtua sidomos me ardhjen në fuqi të Trump në SHBA dhe me politikën e hapur të tij “Amerika e Para!” Por pafuqia e Europës për t’i vënë përballë një ide globaliste(pozitive), “Njerëzimi dhe Globi – Të parët!”, bëri që të shtohen tendencat centrifugale dhe në zgjedhjet e fundit europiane, paritë e ekstremit të djathtë dhe ato sovraniste fituan mbështetje të madhe thuajse në të gjitha vendet e mëdha.
Edhe pse rreziku i përplasjeve të armatosura nuk është i menjëhershëm, fillimi I luftrave tregëtare dhe sidomos polarizimi I shoqërive të vendeve të zhvilluara, mbart rrezikun e acarimeve dhe përplasjeve shoqërore, që përgjithësisht sjell në krye të qeverive “duar të forta”. Dhe “duart e forta” nuk kanë prirje për marrëveshje, por për konfrontime.


(vijon)

Wednesday 8 May 2019

Pompei dhe Pompeo




Qyteti antik i Pompeit ka mbetur një monument i katastrofës natyrore, që shkatëroon Brenda disa orësh një qytet me mijra banorë. Ende duken të kabornizuar banorët e zënë në befasi nga shpërthimi i menjëhershëm i Vezuvit. Së bashku me tronditjen që të shkakton forca stërmadhe e natyrës, të lind edhe pyetja se pse njerëzit kishin ndërtuar një qytet të madh aq pranë vullkanit. Mendjelehtësi njerëzore?
Si për ironi të fatit, sekretari i shtetit amerikan me mbiemrin Pompeo, në një fjalë të mbajtur dje në Helsinki, shkrirjen e akujve në Arktik e quante si një mundësi të paparë biznesi!! Sipas tij, rrugët ujrore të hapura mes akujve do jenë kanalet e Suezit dhe të Panamasë të shekullit XXI. Për më tepër, njerëzimi (kuptohet korporatat) do kenë mundësi të shfrytëzojnë rezervat e naftës gazit dhe pasurive të tjera natyrore të mbuluara nga akujt.
Pangopësia dhe mendjelehtësia njerëzore, në deklaratat e Pompeos, arrijnë në një stad të frikshëm marrëzie. Por nuk është problem vetëm tek Pompeo, por tek një masë e madhe njerëzish të fuqishëm, të cilët kanë zënë sy dhe veshë dhe nuk duan të dëgjojnë alarmin e dhënë nga shkencëtarët, se bota po shkon drejt një katastrofe klimatike, për shkak të veprimeve të pakontrolluara të shoqërisë njerëzore. Administrata e Trump, për fatin e keq të njerëzimit, është qeveria që nuk do t’ja dijë për zërat arsyes. Përafërsisht, në një linjë të ngjashme janë edhe Rusia e Putinit dhe deri diku edhe Kina.
Një ditë më parë, në një raport të OKB_së, ishte paralajmëruar se një million specie rrezikojnë zhdukjen për shkak të veprimtarisë të marrë të njerëzimit. Në listë mungonin specie Pompeo, Trump dhe Putin.
Diçka duhet bërë pa qënë shumë vonë.
Po si?

Thursday 4 April 2019

Bajden “përqafuesi” dhe fushatat elektorale



 
Fushat elektorale me stërndjeshmërinë e tyre, nxjerrin në pah edhe përpjekjet qesharake të shoqërisë për të qënë korrekt. Këto ditë, në lajmet kryesore, ka qënë ankesa e dy grave rreth ish-presidentit Xho Bajden (Joe Biden), sepse disa vjet më parë ai i ka bërë të ndjehen “jo rehat” (uncomfortable) kur i ka prekur diku në kokë, shpatulla apo hundë. Ankesa nuk ka qënë se prekjet kanë qënë të karakterit seksual, por gratë në fjalë kanë ndjerë se u “u është cënuar hapësira e tyre”.
Bajden është i njohur për një natyrë “baballëku”, që i ka duart më të gjata se sa duhet, por në përgjithësi pranohet se është natyrë e afruar dhe që mendon se prekja mes njerëzve i bën më të afërt dhe sjell një ndjenjë të mirë. Por problem nuk është në Xhoja, por në natyrën hipokrite  të shoqërisë sonë, që jo vetëm kërkon “t’i verë pleshtit fre”, por k then në problem kryesore dhe kthen e vërtit, gjëra, të cilat më parë janë zgjidhur me “bon sens”.
A është e papëlqyeshme ose e tepruar sjellja prej babaxhani e një burri të vjetër ndaj një gruaje apo edhe përqafimi amësor i një gruaje në moshë ndaj një djali të ri?
Sigurisht që jo për shoqërinë. Nëse individi që është ”marrësi” i kësaj sjelljejenuk ndjehet mirë, mund të reagojë në çast me qëndrimin e tij apo edhe me fjalë dhe nuk ka asnjë logjikë ta ngrerë si problem pas disa vitesh.
Po ku nis dhe ku përfundon “hapësira vetjake” e gjithsejcilit? Për këtë jo vetëm që nuk ka norma apo ligje, por këto gjëra ndryshojnë me kohën, vendin dhe sidomos me natyrën e njerëzve. 40-50 vite më parë ishte normale, që dy tre burra të dilnin xhirro në Shqipëri të zënë për krahu, sjellje, që për të huajt dukej anormale, ose ishte anormale që një burrë të puthte në faqe një grua jo të familjes, gjë shumë normale në shoqëritë perëndimore.  Të tjera “kode” ka në Amerikën Veriore nga ato në Itali apo Spanjë e kështu me rradhë. Nëse shoqëria duhet të mbështesë plotësisht gratë (apo edhe burrat) që abuzohen seksualisht nga më të fuqishmit në mjedise pune, shkollash, ushtrie etj. etj. , në të njëjtën kohë duhet edhe të “frenojë“ ankesat e atyre që “bëjnë mizën buall”. Në të kundërt duhet ditë e natë të merremi me ata dhe ato, që ankohen për prekje të shpatullave, brrylave, supeve, thembrave dhe deri edhe të thonjve.
Bajden “përqafuesi” mund të jetë sot e tutje të jetë më i kujdesshëm, por kjo mund të sjellë edhe rënie të popullaritetit të tij. E më pas do vijë koha të kemi mall për një çikë përqafim politikani.

Monday 18 March 2019

Merrmë marrive të marsit


Merrmë marrive të marsit
Dhe më shpëto nga e mendimeve mardhje!
Ndëshkomë me ngazëllimin e ngurtë
Të ]asteve pafund të pritjes,
Mirosur me mëdyshjet e largimit dhe ardhjes!
Nështratin e shpërthimeve të shkuara jam lidhur,
Dhe nuk kap dot grem]at gazmore të notave falso,
Që më ndihin të ngrihem mbi plogështinë;
Era përtej nuk lëshon fishkëllima,
Vetëm fryn,
Pa zhurrmë fryn,
Ndërsa të njohurat kanë marrë arratinë
Dhe të panjohurat nuk mund rreken kurrë,
Se më të bukura të tilla janë
Pështjellë me të mistershmin tym,
Të dendur e të papërndarshëm,
Më rrëmbe dhe më shpjerë marrive të marsit
Të këtij
Dhe atij të ardhshëm.

Thursday 7 March 2019

E vrullshme është era në tropik


E vrullshme është era në tropik
Ndërsa bunaca gjithshka ka mbështjellë,
Dhe ngjitur mban qëniet,
Si grimcat e rërës,
Veç kur dikush ngrihet me vërtik,
Dhe të tjerët e ndjekin,
Goditur nga pllackat e shiut
Dhe vërshëllimat e erës.
Duket sikur oqeani
Shpirtin e copëtuar
Nga të njerëzve marrëzira,
E gulçon.
            E nxjerr,
                        E hedh zemëruar
Mbi mëkatarët e xhveshur
Me gjokset e nxira,
Që epshet mbledhur qyteteve
Në breg kanë derdhur.
Tani strehë kërkojnë,
Nën pemët erëmira,
Furisë të ujit qullur,
Prej bubullimës trembur.
Ndërsa ne gajasemi,
Sa çmendurisht qeshim,
Nën gjethen tejet shpuar,
Ti ëmbëlsisht më rrok.
Përmbysur është qielli,
Përkulur trungu i palmës,
Përputhur janë buzët,
Mbi të qullurin hamok.

Thursday 28 February 2019

Po del shkurti, po hyn marsi…





Ndjehet sikur është -33 gradë celsius dhe nuk ka shpresë për të mbledhur aguliçe.
Aguliçe mbase ka në Vietnam, por presidenti Trump po kthehet duarbosh.
Duarboshër ka më shumë se duarplotë, ndoshta po në të njëjtin raport që janë të s’kamurit me të kamurit.
Kamja dhe s’kamja janë dy anët e të njëjtës medalje.
Medalje po shpërndan gjithandej presidenti Meta, por a duhet pranuar medalja që të jep një faqezi.
Të akuzosh dikë se është faqezi nuk do të thotë që je racist.
Racistë nuk lindim por vdesim të tillë.
“Të tillë dhe të atillë“ është një shprehje e pastër, që përshkruan njerëz me cilësi të fëlliqura.
Nuk mund të fëlliqesh po të mos jesh i pastër.
Pastërtia e figurës morale është një cilësi që nuk ju shkon elitave.
Po hyre në elitë mbetesh elitar në jetë të jetëve, bile vend elitar të japin edhe në varreza.
Varret më madhështore në Amerikë i kanë mafiozët.
Nëse mafiozi është anëtar i një organizate, xhepisti mund të quhet “ujk i vetmuar”.
Ujku i vetmuar e ka shumë të vështirë të dalë nga dimri i paleqendisur.
Leqendisja është dobësimi i gjymtyrëve, që sjell lëkundjen e mbijetesës të grabitqarëve.
Grabitqarë dhe të grabitur të të gjitha vendeve bashkohuni!
Shkurti që shkurton urët, po i le vendin marsit…

Wednesday 27 February 2019

Politika dhe gjuha e gangsterëve



 
Shumë vite më parë, gjatë një udhëtimi për në Tiranë, kisha në ndenjësen përballë dikë, që e dija që ishte dënuar të paktën një herë si hajdut xhepash. Ishte dy tre vjet më i madh se unë dhe nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë të fliste gjatë. Më ra në sy, që fliste jo vetëm si një i arsimuar mirë, por edhe i përdorte me vend frazat e përpunuara mirë, plot mirësjellje dhe një lloj modestie. Thua se kishte ndjekur një kurs diplomacie. Vinte nga një familje që kishte në gjitrin e saj edhe disa vagabondë të tjerë, ndaj artin e të folurit të kujdesshëm dhe me politesë ndoshta e kishte mësuar në burg. Ishte dikush, që mund ta rendisje në shkallët e fundit të shoqërisë, por që kishte përshtatur një të folur sikur të ishte pjesë e “ajkës” së saj.
Kjo mu kujtua mbrëmë ndërsa ndiqja lajmet rreth dëshmisë së sotme të “ndreqësit” të Trump, ish-avokatit të tij Michael Cohen. Një kongresmen (pjesë e elitës së shoqërisë amerikane) kishte shkruar në Twitter pak a shumë “Ej Michael a i ke treguar gruas dhe vjehrrit për të dashurat? Thua do të të rrijë besnike gruaja kur të jesh në burg pasi të mësojë për to?”
Tekst i fëlliqur, i pështirë, i padenjëedhe  për një fundërrinë e ç’tjetër gjë mund të thuash për të?
Cohen “the fixer” i Trump, që mund të përkthehet si “ndreqësi”, “ujdisësi”, “riparuesi”, “rregulluesi” i Donald, është një avokat aspak i zoti, që pat bërë para duke u marrë me çështjet “e ndyra” të Presidentit e që nisnin me “mbylljen” e gojëve të prostitutave me të cilat shkonte Trump, apo me presione ndaj klientëve të tij. Një llloj vagabondi me diplomën e avokatit, që i duhej biznesmenit Trump për të gjitha punët e fëlliqura. Gjuha që përdorte Cohen ishte gjuha e gangsterëve. Por tashmë, kur për të shpëtuar lëkurën e tij nga një burg shumë i gjatë, ai është kthyer të dëshmojë të vërtetat e “m..sillëqeve” të Trump, Presidenti dhe mbështetësit e tij, po e sulmojnë në të njëjtën mënyrë, sikundër shantazhojnë mafiozët. Trump i kujton bizneset e fëlliqura të të vjehrrit, ndërsa kongresmeni Matt Goetz i kujton të dashurat.
Ku nis politika dhe ku vazhdon si gangsterizëm?
A janë të gjithë politikanët gangsterë apo në potencë të bëhen të tillë?
Cdo gjë për para, pushtet dhe femra. Thjesht këtë kërkojnë.
Të njëjtën gjë që duan edhe mafiozët.

Saturday 26 January 2019

Sosja e nofkave


 
Nofkat më kanë bërë gjithnjë përshtypje. Qyteti im ishte “qyteti i nofkave” për mirë apo për keq, për buzëqeshje dashamirëse apo për stigmatizim, për përcaktim ngjyrues apo për fyerje në publik.
Po a është e kaperxyer koha e nofkave?
Duket se jo.
Presidenti Trump është një përdorues i shpeshtë i tyre. A ka kjo lidhje me narcisizmin e tij apo me “kulturën e rrugës” të Nju Jorkut, që ka një bazë edhe me kulturën e prapambetur të Italisë së Jugut në fillimin e shekullit të XX, kjo është e vështirë të përcaktohet pa e njohur mirë historinë e jetës së tij.
Gjatë fushatës elektorale u bënë të njohura “Gënjeshtari Ted” për senatorin Ted Cruz, “Jo energjiku Xheb” për Xheb Bushin, “piciruku Marko” për Marko Rubion dhe “dredharakja Hillëri” për rivalen e tij Hillëri Klinton. Binte në sy kënaqësia e Trump-it kur i përdorte nofkat fyese. Gati fëminore ishte buzëqeshja e tij. Edhe pse nuk shquheshin si të goditura për një standart të zakonshëm, e jo më të krahasuara me “të shquarat” nofka të qytetit tim, që nisnin nga Ndoni Oboboja dhe Pano Gudulima e përfundonin në personazhe mitologjike si Jazona apo Vitiku.
Nofkat e përdorura si fyerje nxitin turmat. Ju japin atyre kënaqësinë e baltosjes së personazheve publike. Edhe pse Trump-i është i vetmi nga politikanët e këtij shekulli, që I përdorin ato në publik, në ambjente më të ngushta, I përdorin edhe shumë politikanë të tjerë. Eshtë në natyrën e njeriut të kërëkojë cilësorë lavdërues për veten dhe poshtërues për kundërshtarët.
Mediat amerikane çuditen se pse Trump nuk ka përdorur ende një nofkë për kundërshtaren e tij Nensi Pelosi. I janë sosur? Nuk ka gjetur diçka që të ngjitë? Do heqë dorë nga përdorimi i tyre në fushatën elektorale? Mbase të gjitha janë të mundshme, por gati e pamundur duket zhdukja e kulturës (ose e anti-kulturës) të gjetjes së nofkave.

Të paktën të jenë të tilla që të të bëjnë të buzëqeshësh.

Tuesday 15 January 2019

Kujdes drerin!

Kujdes drerin!
Mos godasësh atë dhe të voglin kaproll
Ndërsa pyejve nxiton,
Në gjurmët e grabitqarëve të tjerë,
Që kanë rrëmbyer mëngjeset para teje.
Në bardhësinë vrasëse të brymës,
Një e errët shtëllungë,
Që i ngjan një reje,
Por është një trumbë korbash,
Që ulen e ngrihen
E përsëri ulen,
Me sqepa të çukasin,
Atë që lanë pas ata që aget vrasin
E bashkë me të
Nxitimthi godasin,
Të voglin kaproll rrëpirës.
Unë rrekem të tremb shpendët gjakpirës,
Trumba e të cilëve i ngjante një reje,
Ndërsa ulej mbi ato mbeturina preje,
Dhe më kujtonte vdekjen plot tmerr,
Në buzë pyllit në terr,
Pikërisht në çastet,

Kur dita rrugën merr.

Thursday 10 January 2019

Kristale pikpyetjesh

Mijra,
Miliona pikpyetje prej qiellit vijnë,
Shtrohen mbi mendjen time të turbullt,
E mpinë.
A janë çuditërisht të ndryshme,
Në këtë ditë të ngrirë,
Apo si një togë ushtarësh grumbull,
Me të njëjtat uniforma,
Flokë dhe sy,
Që marshojnë në një ritëm monoton
Një- dy, një-dy, një-dy,
Nga njëra tjetra nuk ndajnë?
Kristale torturuese dhimbjeje
Që pandërprerë godasin
Ndërsa të pres ty
Për të më dhënë të gjithësishmen përgjigje,
Po-në,
Që gjithshka ngron,
Në ngjyra e ngjyen

Dhe nuk ka pikpyetje që ta vrasin.

Sunday 6 January 2019

7 vjet nuk janë pak!

Pas një periudhe të gjatë je në gjendje të shohësh ndryshimet në një qytet, të cilin e njeh mirë. Gjithshka është më e prekshme. E vërtetë. E ndryshme nga ajo që sheh nëpër foto dhe video në mediat tradicionale dhe në ato sociale. Gati e lakuriqtë, por jo transparente. Më e thjeshtë, por edhe më e mistershme. Me botën e nëndheshme të lidhur me administratën dhe me tregime të pabesueshme, që të shiten si të vërteta.
Mbi të gjitha në mendje të shkojnë me dhjetra pyetje. Pyetje të lehta e të vështira, pyetje, që sjellin të tjera pyetje, dhe arrin të ndjesh që një realitet të cilin po qe se nuk e jeton gjatë është i vështirë për tu kuptuar. Shumë shumë mund të arrish vetëm të krahasosh me atë çka qënë herën e fundit ose ta vesh krahas jetës në të cilin jeton vetë. Ky krahasim i fundit nuk sjell asnjë dobi, por do s’do, të shtjellohet në mendje.
C’farë ndodh në Korçë? A jetohet më mirë? Si do jetë e ardhmja  e qytetit dhe njerëzve brenda tij? Por këto pyetje pasohen nga të tjera si: Mbi ç’parametra duhet bërë vlerësimi? Të ardhurat për familje? Fuqia blerëse? Optimizmi i banorëve? Dëshira për të mos u larguar nga vendbanimi? Mortaliteti infantile?
Ka një përshtypje të parë: Në Korçë,( si në gjithë Shqipërinë) po formohen klasat. Ata, që ngasin makina janë më të qetë se shtatë vjet më parë, kurse këmbësorët duken më të nervozuar. Nëpër trotuare ka më pak buzëqeshje. Edhe më shumë thinja. Njerëzit më duken çuditërisht të zbardhur, a thua se përdoret pak bojë flokësh. Ndoshta edhe vështrimi më has vetëm në fytyra të njohura, që janë shtatë vjet më të moshuar, se nuk më ndodh e njëjta gjë në Greqi. (Ushqimet me pesticide do hidhet dikush që e gjen çdo spjegim në tregëtarët e pandershëm dhe në mungesën e kontrollit nga nëpunësit e korruptuar.) A janë shtuar lezbiket? Edhe kjo çshtë një pyetje që më kalon vetëtimthi në mendje, por nuk guxoj të pyes ndokënd se mos më shohin shtrembër.

Pyetje pa përgjigje, që nuk mund të kenë përgjigje, ose që mund të kenë përgjigje kontradiktore. Po a është e mundur të kuptosh gjë pa bërë pyetje? Pyetje që ndjekin njëra tjetrën, pyetje të kota, pyetje idiote, pyetje të padobishme, që mund të sjellin edhe përgjigjen universale: “Po, normal!” “Normale”, që është gjëja më e paqëndrueshme në një shoqëri në ndryshim të rrufeshëm.

(vijon)