Friday 30 May 2014

A luftohet kanceri nga jashtë?

Ky shënim, merr shkas nga një shkrim shumë i mirë i Fatos Lubonjës, botuar dje në “Panorama”. Lubonja ripërsërit një anatomi të vërtetë të shoqërisë së sotme shqiptare dhe ndalet në problemin e drogës, Lazaratit dhe reagimit të politikanëve shqiptarë rreth këtij problem. Në fund, ai nënvizon, se pastrami i “kancerit” të korrupsionit të shoqërisë shqiptare mund të vijë vetëm nga jashtë dhe citon një gazetar amerikan të specializuar në krimin e organizuar dhe drogën, që e krahason Shqipërinë me Cikagon e Al Kapones e si rrjedhojë, vetëm një forcë si federalët e “Untouchables” mund ta rregullojnë.
Nuk po e përsëris historinë e Al Kapones, se të gjithë e njohim mirë kryesisht nga filmat, por dua të them që përse është dukuria shqiptare jo e ngjashme me atë të Cikagos së Al Kapones. Në Shqipërinë e sotme nuk është thjesht problem i mosndëshkimit të krimit, ose i përfshirjes së shtetarëve, policisë apo gjyqtarëve në një rrjet të krimit të organizuar. JO. Problemi është më i thellë. Eshtë pikërisht ai që prek edhe Lubonja duke thënë “…edhe korrupsioni kapilar, edhe piramidat financiare, edhe shkatërrimi I territorit dhe natyrës me çimentifikimin e tyre, edhe universitetet private që shesin diploma, edhe…janë variante të ndryshme të këtij manifestimit të këtij tumori”. Një “kancer” i përmasave të tilla nuk mund të luftohet nga jashtë edhe sikur “ndërkombëtarët” të kenë dëshirën dhe vullnetin për ta bërë.
Them që nuk duhet të presim asgjë nga të huajt, sepse ata jo vetëm janë të pafuqishëm nga ana legjislative dhe financiare të ndërmarrin ndërhyrje të tilla, në një vend kaq të sëmurë, por ata nuk i kanë zgjidhur këto problem brenda vendeve të tyre. Nuk kemi pse të shkojmë larg, por vetëm të përmendim Italinë dhe Greqinë, të dy vende d he shoqëri të krimbura në mëyra të ndryshme. E para nga Mafiat dhe korrrupsioni. E dyta thjesht nga korrupsioni n[ institucionet shtetërore. Po i përmend këto dy vende se janë të ashtuquajtura “perëndimore” dhe njëlohësisht anëtarë të Eurozonës. Për vendet e ish-lindjes, panorama është shumë e ngjashme me atë të vendit tonë.
Duke pare vetem dy dhjetëvjeçarët  fundit, kuptohet se sa indiferentë kanë qënë Bashkimi Europian apo Shtetet e Bashkuara(ndërkombëtarët) ndaj problemeve të Italisë dhe Greqisë. Të dy shtetet shkuan deri në prag te falimentimit, nga keqadministrimi i fondeve publike dhe zhytja deri në grykë në borxhe. BE-ja(Gjermania) ushtroi ndaj tyre presion për të aplikuar politika të ashpra ekonomike dhe vendet u futën më thellë në krizë dhe njerëzit u varfëruan dhe u dëshpëruan më shumë. Nuk dolën as përgjegjësit për këtë gjendje, as u dënuan dhe as ndryshuan klasat politike në këto vende. Problemi i krimit të organizuar dhe korrupsionit në strukturat shtetërore nuk u ndal edhe pse ka patur politikanë të arrestuar apo edhe të dënuar. Askush nuk duhet të ushqejë ndonjë iluzion se problemet e mëdha të Italisë, Greqisë, apo më keq të Shqipërisë do i zgjidhë dikush nga jashtë. Në Itali dhe Greqi e kanë kuptuar dhe forcat e brendshme përpiqen të organizohen për të krijuar “antikorpet”, që mund të lëftojnë sëmundjen e shoqërive të tyre. Edhe pse shpesh ato paraqiten në forma ekstreme apo populiste, tregojnë se qytetarët e këtyre vendeve duan të shpëtojnë veten dhe shoqërinë ku jetojnë. Të tilla janë Lëvizja “5 yjet” e Beppe Grillos apo Partia e re e Cipras, fituesja në zgjedhjet e fundit në Greqi. E megjithatë edhe këto përpjekje mbeten të kufizuara sepse një pjesë e mirë e elektoratit nuk shkon të votojë, sepse nuk i beson më kërkujt.
Gjendja në Shqipëri është shumë më e komplikuar. Në veçoritë kryesore negative do veçoja mungesën e ndienjës së Solidaritetit, e shkatërruar gjat 5 dekadave të Diktaturës, mungesën e një ekonomie të strukturuar mirë, mungesa e plotë e institucioneve shtetërore dhe joshtetërore me ndikim të madh në popullsinë e vendit. Njerëzit dhe sidomos të rinjtë e çoroditur nuk dinë se rreth cilit “flamur” të mblidhen për të kërkuar ndryshime rrënjësore. Feja? Morali? Drejtësia sociale? Nacionalizmi? Të drejtat e njeriut? Komunizmi?
Deri tani ka një flamur që duket se i bashkon të gjithë. “Të bëhemi të pasur!” Dhe askush nuk rreket t’ju spjegojë, që kjo jo vetëm është e vështirë dhe nuk mund të arrihet nga të gjithë, por që po u bë shpejt dhe në rrugë jo të ligjshme, në shumicën e rasteve është shkatërruese. Ka patur edhe një flamur tjetër, disi më abstrakt “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”, por askush nuk e di se ç’kupton me atë Europë.
Pjesës më të pastër të shoqërisë shqiptare, që është rinia e gjimnazeve, universiteteve apo edhe ata që kanë mbaruar, i duhet së pari një flamuri vetëm , ai i kërkesës të përmbushjes së të drejtës për Punë dhe i pjesëmarjes në qeverisjen e drejtpërdrejtë. Mund të thuhet se kjo është një fjalë goje dhe se me këtë ekonomi të vendit dhe krizën ende të pambyllur europiane, askush nuk është në gjendje të sigurojë punë për të gjithë e sidomos për të rinjtë në Shqipëri. Rinia duhet të kuptojë, që këto forca politike në Shqipëri nuk sjellin asnjë shpresë për vendin dhe edhe në disa dekada, gjendja do jetë si në Greqi, Itali dhe Spanjë, papunësia midis të rinjve është në shifra mbi 40%. Flamujt e përdorur deri tani nga partitë, si ai ‘i luftës kundër korrupsionit”, “përmirësimit të drejtësisë“, “luftës kundër drogës”, janë flamuj të rremë, ndaj bashkimi rreth tyre është vetëm humbje kohësh dhe energjish. Të rinjtë duhet të kenë t[ qart[ se brezi i jonë(i baballarëve të tyre), i ka lënë në baltë dhe edhe nëse ju ka siguruar një makinë apo studime brenda apo jashtë shtetit, po ju le një gërmadhë institucionesh, që e quan Demokraci.
Kjo është e vetmja mënyrë, me të cilën mund të largojnë nga pushteti brezin e korruptuar dhe të mund ndihmohen edhe nga strukturat “burokratike” europiane apo amerikane.

Në të kundërt të gjithë do lëngojmë gjatë nën dhimbjen, që sjellin metastazat e kancerit tonë shoqëror.

Wednesday 28 May 2014

By.. kat e Dukeshës

Lajmi më i qetë, i këtij uikendi të gjatë, të trazuar dhe plot ngjarje. 
Marinë Lë Peni del e para në Francë dhe për këtë francezët, smund të tallen më me amerikanët që zgjodhënmë 2004 Bushin, Ilir Meta kërkon të ngjallet Komandanti, Beppe Grilloja nuk thërret dot më se me të thirrura trembi zgjedhësit dhe si për mbyllje, deputeti Prenga rrahu me rrip deputetin Strazimiri në halenë e Kuvendit.
Ngushëllimi, për ata që nuk rrinë dot pa parë lajme, janë by..kat e Dukeshës Kejt, të mara nga një paparac e të botuara në një gazetë gjermane. Ky është një foto-lajm, nga ata të cilët nuk thua dot “na plasi ne ce i kanë dalë dukeshës në resme!”, se një sy njeriu do të hedhë, se nuk është se shikojmë për ditë të tilla prej Dukeshe.
Edhe e “ujdisur” në photoshop nuk duhet të jetë, se në të kundërt, avokatët e Mbretërisë së Bashkuar të bëjnë namin!
Lajmi është aq i thjeshtë, aq primitiv, aq i natyrshëm, sa nuk le vend për asnjë koment “sherrndjellës”, si ato “Duhej të fitonte Konçita apo s’duhej!”, apo “e kishte Rama kaçatorin e drogës apo Imami?”. Janë dy mollaqe të hijshme, të ndara nga natyra dhe ndoshta edhe nga tangat e Dukeshës, të zbuluara nga përplasja në tokë e masave ajrore, që ve në lëvizje helika e helikopterit dhe rikthimi i tyre lart, në përputhje të plotë me ligjet e fizikës.
Sigurisht, nëse do t’i vesh pleshtit  fre, mund të fillosh me vërejtjet “po ai guaku princi, pse nuk ja mbante fustanin po e la t’i dukej by…!” ose “përfaqësuesit e familjes mbretërore nuk duhet të lejohen të mbajnë tanga!”, ose “ah sikur të ishin ato të Pipas!”, por kjo vlen për ata nihilistët, që nuk kënaqen as nga format e bukura të prapanicës së një gruaje të re.
Jam penduar , që kam kritikuar më parë vendin e shumtë që I jepnin mediat botërore çifti me gjak blu. Në këtë zallahinë e sotme në botë, është më mirë të shikosh fytyrat e tyre të buzëqeshura dhe sidomos pjesët e turpshme. Mund t’i thuash edhe vetes i kënaqur:

“Vërtet rrojtëm, po pamë edhe by..ka prej Dukeshe ama!”

Tuesday 27 May 2014

Portret në pastel gri.

Zgjedhja e llojit të ngjyrës , që do përdorësh në një portret, ka të bëjë shumë me karakterin, të cilin do pikturosh. Pasteli, është një material, që përdoret kryesisht për portrete vajzash, njerëzish të vuajtur, të moshuar, sepse jep një lloj trishtimi apo edhe gëzimi të butë. E megjithatë receta nuk ka. Unë po e përdor sot për një lloj karakteri tjetër dhe po mundohem ta mbaj në një lloj ‘”monokolori” gri. Pra butë dhe me ngjyrën, që mendoj se i shkon.
Po mundohem të filloj nga një tipar, që do mbisundojë portretin dhe jo të nis në mënyrën akademike, duke ravijëzuar kokën, ndarë në tresh pjesët poshtë hundës, hundën dhe sipër saj si dhe duke ndarë vertikalisht me boshtin e simetrisë. Jo sepse fytyra e tij nuk është simetrike dhe as se dua me çdo kusht të theksoj të themi sytë, buzët apo veshët. Jo , thjesht mundohem të mbyll sytë dhe të kujtoj ç’më binte në sy menjërë kur përballesha me të. Ishte një buzëqeshje gri. Gri jo sepse ishte buzëqeshje e përmbajtur, por se ishte një lloj buzëqeshje, që nuk mund ta quah as dinake, as të shtirur dhe as dashamirëse. Ishte një buzëqeshje gri.
Në fëmijëri, shpesh i zgjedhim shokët e shoqet nga buzëqeshja. Pastaj ndodh që  afrohemi më shumë dhe pëlqejmë të tjera tipare dhe cilësi të karakterit. Dhe kështu mbetemi shokë e shoqe për vite, ose diku në rrugën e jetës e humbim shoshoqin. Kur jemi më të rritur, nisim të lexojmë edhe sytë deri san jë pjesë e jona, ata më fatlumët, arrijnë të njohin të tjerët edhe nga forma e kokëz, lëvizja e flegrave të hundës, apo nga picërrimi i veshëve. (Kjo picërrimi i veshëve ka kuptim apo mos ja futa kot për hir të ritmit?)
Po të kthehemi në buzëqeshja gri e bashkëmoshatarit tim dhe të vras mendjen përse nuk ishte asnjëherë mes shokëve të mij të afërt? Thjesht nga grija në buzëqeshje? Mbase. Edhe më vonë, kur nga që nuk kishte asnjë talent në sporte, por donte me çdo kusht të ishte pjesë e lojës dhe buzëqeshjen e kishte më të çelur nuk e afrova kurrë në rrethin e atyre, të cilëve ju besoja. Mbase se kisha parë të njëjtën ngjyrë në nënqeshjen e tij, kur na kishte ‘shitur” dhe unë i vetëm mbrohesha në një mbledhje të Këshillit Pedagogjik? As atë kohë nuk u mundova të vrisja mendjen, sepse kishte të tjera gjëra të shumta, që rrotullohen në kokën e një adoleshenti.
Vite më vonë, kur punonte diku si banakier, shitës bulmeti apo perimesh, a mbase kuzhinier, kishte një lloj tjetër grije në dhëmbëzbardhje. Ishte më e sigurt, jo vetëm nga siguria që jep paraja e fituar lehtë, por një gri superioriteti ndaj nesh, që kërkonim pak mish, pak djathë, ose domate të fshehura nën banak. Nuk doja të shkoja në njësinë ku punonte, pikërisht se më bezdiste ajo gri superioriteti.
Më vonë, kur gati po e përfundoja portretin e tij në pastel, monokolor, ai thirri, që disave prej shokëve tanë(ndoshta edhe mua) ju mungonte karakteri, se në fytyrë, gjatë jetës na ishin shfaqur shumë ngjyra. I kujtova shoqet dhe shokët më të mirë të mij, të cilët mund t’i njihte edhe ai. Beni, Klara, Kati, Gjekja, Lula e të tjerë, kanë plot ngjyra në portretet e tyre dhe plot dritë në buzëqeshje. Dhe kjo është edhe tregues karakteri.

Nuk mjafton të kesh të njëjtën ngjyrë në fytyrë. Sidomos kur është gri.

Monday 26 May 2014

Zaboravi ako mozes

Qëlloi , që kur nisa të shkruaja sërish herët në mëngjes për Kongresin e Përmetit dhe Komandantin isha duke dëgjuar në youtube Tereza Kesovijan duke kënduar “Zaboravi ako mozes”(Harromë po munde.) dhe i thashë vetes , që vërtet nuk të harrokemi dot Komandant! Ndaj edhe e lashë si titull edhe pse mund të sulmohem për titizëm apo mbështetje të ortodoksisë serbe. (Tereza është kroate dhe ‘mashallah!”, po shpesh miqtë e mij ultranacionalistë ngatërrojnë kroatët me serbët apo maqedoansit dhe ustashët apo çetnikët me komunistët.)
-Lena rrehat, se ti në një vërë i bie fyellit- mund të hidhet e thotë avokati im- o do mbrosh Konçitan o do shash Komandantin!- dhe ka deri diku të drejtë. Po ja që nuk e harrokam dot Legjendarin. Fajin e kanë edukatoret e kopështit, që na mësonin atë “I ke doçkat me sheqer” dhe dihet që sheqeri vepron si drogë në kokën e fëmijëve dhe nuk shkulet për qamet edhe sikur t’i bësh lavazh në makinat “sex, drugs n rock n roll”.
Këtë vit, le që po na i kujtojnë përditë, po duket se do fillojnë edhe në shkollat fillore, t’ju mësojnë fëmijëve për heroizmat e tij gjatë Luftës.
Sot, në shtypin shqiptar është botuar një intervistë e politikanit-historik apo historianit-politik Paskal Milo. Miloja jo vetëm që ngre në qiell Luftën Nacional Clirimtare, por shkon më thellë akoma. Ju kërkon “trashëgimtarëve biologjikë dhe politikë“ të kolaboracionistëve të kërkojnë falje për ato që kanë bërë etërit dhe gjyshrit e tyre! Një shprehje e tillë, nëse nuk e mban veten mirë shtrënguar pas tavolinës, të bën të të hipin xhindet, se është edhe më e poshtër se ato ‘të luftës së klasave” të Komandantit. As ai hapur nuk fliste për “trashëgimtarët biologjikë“, se e dinte që ishte thirrje e hapur për genocid.
Le të pranojmë, që gjatë luftës pati edhe nga ata që bashkëpunuan me pushtuesin. Motivet e tyre, ka patur raste, që ishin edhe patriotike dhe jo të interesit të ngushtë, por pavarësisht nga kjo, ata bënë gabimin dhe fajin e madh t’i shërbenin të huajve pushtues. Po ata jo vetëm që u ndëshkuan me pushkatim, burg të gjatë ose mërgim të përhershëm, por të njëjtën gjë pësuan familjet e tyre në disa breza dhe jo vetëm pasardhësit e drejtpërdrejtë. C’faj kishin vëllezërit Merlika, që xhaxhai i tyre kishte qënë kryeministër në kohën e Italisë, ndërsa i jati, mjeku i nderuar Asllan Merlika, jo vetëm që s’ishte marrë me politikë, por kishte shërbyer si një pediatër i shkëlqyer? Jo vetëm ata, por as fëmijët e bashkëpuntorëve apo të heronjve, s’kanë pse të pësojnë apo të përfitojnë nga ato që kanë bërë etërit.
Shumë herë, kur shkruaj për Luftën e dytë, mendoj se ç’do më thoshte im atë, që gati humbi jetën gjatë sulmit të gjermanëve në Vithkuq dhe jetoi pa u ankuar apo mburrur, me një plumb gjerman në trup. E di që nuk do më qortojë, se më ka mësuar të them e shkruaj atë që mendoj se është e drejtë. Edhe pse e dinte se kush ju kishte treguar gjermanëve rrugën për të hyrë në Vithkuq, pa u parë nga partizanët, nuk kishte treguar kurrë as më të voglën ndjenjë mërie apo hakmarrje për fëmijët e tradhëtarit. Ishte jashtë koncepteve të tij për jetën, njerëzit dhe shoqërinë.
Edhe pse nderoj atë që ka bërë babai im, i Benit dhe baballarët e tjerë të shokëve të mij, e gjykoj sot, se si të rinj që ishin, u gënjyen në çastet e kthimit të Luftës nga antifashiste në një Luftë për pushtet. Edhe pse sot, është e lehtë të gjykosh me gjak të ftohtë dhe ata nuk e kishin atë mundësi, sepse ishin në luftë, kishin ngarkesën e mocionale të atyre që ju rrezikohet jeta, ngarkesën emocionale të atyre, që ju është vrarë shoku pabesisht, ngarkesën emocionale të atyre që mund të tradhëtohen nga bashkëkombësit, përsëri them se idealistët, ata që u ngritën për të nxjerrë jashtë vendit nazi-fashizmin dhe për ta mundur në shkallë europiane, duhet të kishin bërë diçka kur u zhgënjyen pas luftës nga banda udhëheqëse me Komandantin në krye. E megjithatë këto janë hamendësitë time se nuk e kam jetuar kohën menjëherë pas Luftës. Por, unë nuk kam asnjë të drejtë të kërkoj përfitime për atë që ka bërë im atë dhe njëkohësisht nuk kam as përse të kërkoj të falur.
Po përse, o pseudohistoriani Paskal Milo, bijtë apo nipërit e stërnipërit, e atyre që i gjykon ti “kolaboracionistë“ duhet ta kërkojnë? Për t’i damkosur ti gjithë jetën për diçka që nuk e kanë bërë vetë? Për të rikthyer kultin e Luftës Nacional Clirimtare dhe të Komandantit? Për të përçarë këtë popull më shumë se është i përçarë?
Askush nuk e ka monopolin e të Vërtetës, për një periudhë të komplikuar si ajo e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Por ka një të Vërtetë Universale. Njerëzit , që kanë vrarë e shtypur duke qënë në pushtet duhen ndëshkuar dhe jo të nderohen! Fëmijët, nipërit, stërnipërit e tyre nuk kanë pse të persekutohen. Dhe kjo vlen si për soj e sorollopin e Enver Hoxhës ashtu edhe për soj e sorollopin  e Mustafa Krujës. Të dy e kanë vendin në faqet e zeza të Historisë Shqiptare dhe i pari edhe në atë të Historisë Botërore, se ka më shumë gjak në duart e tij.

Ndaj nuk mund ta harrojmë!

Sunday 25 May 2014

Fjalët e fëlliqura dalin nga shpirtra të fëlliqur.


Nuk janë të shumtë editorialët, që kam lexuar në shtypin shqiptar. Kryesisht, se nuk kam besim në botuesit e gazetave dhe kryeredaktorët e tyre. Të pakët janë edhe editorialet plot urrejtje dhe fjalë të ndyra, që kam lexuar, se nuk i kam shtyrë dot pas paragrafit të parë. Kujtoj të kem lexuar të plotë, në këto 2-3 vjet një kundër Kadaresë nga një lloj poeti që quhet Agim DoçI, një kundër gardianëve grekë nga një i quajtur Bledi Mane dhe sot një kundër Rexhep Qoses nga dikush që quhet Edison Ypi, por të cilin edhe pse e kam hasur më parë në shtypin shqiptar nuk e di se ç’bën e me se merret.
Nuk dua të tregohem moralist dhe nuk janë fjalët e ndyra, të përdorura me tepri, që më shqetësojnë. Vetë mendoj, se edhe gjuha e shkruar duhet të afrohet sa më shumë të jetë e mundur me gjuhën e folur, ose të paktën me gjuhën , të cilën njeriu ja lejon vetes të përdorë në një tryezë të madhe me të njohur e të panjohur , me burra edhe gra, pleq edhe fëmijë. Jo gjithnmonë, njerëzit me gjuhë më të kontrolluar e më “sterile” janë njerëzit më të ditur, më të drejtë e më të ndershëm. Ka njerëz, që përdorin një gjuhë “plot ngjyrë“, sepse mbartin emocione më të mëdha, ose se e gjykojnë, që fjalori “i sigurt”, jo gjithmonë shpreh si duhet atë që duan të thonë. Gjithashtu duhet thënë se me rritjen e lirisë brenda shoqërisë njerëzore, gjuha e shkruar bëhet më e lirshme dhe fjalë si ato ‘të pjësëve të turpshme të trupit” apo edhe të sharrat e rrugës, gjejnë vend në gazetari.
Po a duhet të flasim atëhere për masë?
Unë nuk jam as për të ashtuquajturën masë. Sepse nëse do i lejojmë vets të përdorim fjalët “doç’, “penis”, “vagina” e të tjera si këto, nuk mund të themi nëse në një shkrim mund të përdoret një numur I caktuar i këtyre fjalëve. “Masa” është thjesht e drejta e atij që e shkruan, ose dhe e redaktorit që do japë viston e botimit. Askush tjetër nuk duhet të flasë për masë.
Po ç’kam atëhere me Doçin, Manen dhe Ypin?
Në shkrimet e tyre, më tepër se numuri i pamatë i fjalëve “të fëlliqura”, ka sharrje , fyerje dhe urrejtje të fëlliqur ndaj njerëzve apo grupeve të caktuar. Në ato shkrime, jo vetëm që pika e vështrimit është e shtrembër dhe Kadareja, Qosja apo edhe nëpunësit e shteti grek sulmohen pa të drejtë, por urrejtja është aq e thellë dhe vrerndjellëse, sa edhe të drejtë të kishin do e kthenin lexuesin normal kundër tyre. Më ka rënë rasti të lexoj edhe shkrime të huaja kundër Hitlerit, Stalinit apo Maos dhe urrejtja apo gjuha vulgare e autorëve të bëjnë gati të kthehesh në një mbrojtës të diktatorëve. E njëjta vlen për një pjesë të shkrimeve kundër Enver Hoxhës.
Urrejtja e shoqëruar me një gjuhë “të fëlliqur” është tregues i malinjitetit të autorëve apo të gjendjes së tyre mendore tepër të rënduar. E megjithatë, nuk do kisha marrë mundimin për të shkruar rreth tyre, se duket që nuk meritojnë humbjen e kohës. Por ka diçka, që më ka rënë në sy gjatë 10 vjetëve të fundit në Shqipëri, për të cilën ja vlen të shkruash. Gjuha e fëlliqur dhe plot urrejtje është pjesë e pandashme në bisedat midis njerëzve si dhe në manifestimet politike apo sportive. Jam bërë i mërzitshëm duke përsëritur një ngjarje, e cila më habiti në nëntorin e vitit 2009. Shkova për herëtë parë pas mëse 15 vjetësh në stadiumin “Skënderbeu” të Korçës dhe njerëzi në kor thërrisnin “Ju q… nënat Apollonisë!” e të tjera poshtërsi të tilla. Kur ja u përmendja miqve të mij, më thoshin “Eshtë normale tani!” Një gjuhë e ngjashme dhe plot urrejtje përdorej kur flitej në kafene kundër kundërshtarëve politikë, apo njerëzve që nuk i donin. Ky “trend” i fëlliqur, që kishte përfshirë njerëzit e rritur, me siguri ishte i shumfishuar tek më të rinjtë, se nuk kam patur rast të hyj në biseda të lirshme me të tillë.
Po pse gjithë kjo urrejtje? Përse ky fjalor kaq i ndyrë është bërë “normal”?
Dikush akuzonte televizionin dhe mediat e tjera, ndërsa shumë ngrinin supet.
Diçka e mirë duhet bërë për atë shoqëri. Për të derdhur më shumë mirësi brenda shpirtrave të helmatisura nga urrejtja e pacak.


Saturday 24 May 2014

Kongresi i Permetit dhe rikthimi i Diktaturës së Majtë

Festimi i 70-vjetorit të Kongresit të Përmetit dhe pjesëmarja e udhëheqsve të së majtës shqiptare e fjalët e mbajtura janë një provokim tmerrësisht i keq kundër Demokracisë.
I gjithë kremtimi me bujë të madhe i 70 vjetorit të Clirimit të vendit nga gjermanët ësht djallëzor dhe me nëntekstin e rishikimit të Historisë dhe të figureës së Enver Hoxhës. Më në fund, pinjollët e ish-Bllokut, kanë arritur të zyrtarizojnë në shqipëri rivlerësimin e pushtetit të etërve të tyre, të rrëmbyer me dhunë në muajt e fundit të Luftës së Dytë Botërore.
Të gjithëve ju kujtohet, që data e Kongresit të Përmetit ishte në stemën e Republikës Popullore, si dhe në të gjithë të pasmet e monedhave shqiptare. Ishte një datë shumë e rëndësishme për pushtetmbajtësit, sepse me një mbledhje gjoja të përfaqësuesve të vendit, komunistët e Enver Hoxhës, sanksionuan pa votë të lirë, formën që do të kishte pushteti në të ardhmen dhe përjashtimin e Zogut dhe kundërshtarëve të tjerë politikë.
Se ç’farë ndodhi në muajt pas Kongresit të Përmetit dhe në vitet më pas e dinë tashmë mirë të gjithë shqiptarët. Pati shqiptarë që u vrnë në përpjekje me gjermanët, pati shqiptarë që u vranë midis tyre, pati edhe shqiptarë që u ekzekutuan apo u masakruan pa gjyq. Pati gjak të derdhur që mund të ishte kursyer, por kjo nuk I interesonte një bande të vogël njerëzish me Hoxhën në krye, të cilët kishin hyrë në luftë për të rrëmbyer pushtetin dhe arritën të mashtronin plot të rinj idealistë, të cilët u vranë, u plagosën apo edhe u burgosën më vonë. Sigurisht, pati edhe mes tyre njerëz që u përshtatën ose nuk arritën t’i pohonin vetes, që i kishin mashtruar.
Sot Ilir Meta, Gramoz Ruci e fytyra të tjera të papastra të politikës shqiptare, ngritën në qiell Kongresin e Përmetit dhe rëndësinë e tij. Eshtë Diktatura dashuria e tyre e fshehtë? I detyrojnë mentorët e tyre, që rrinë në prapaskenë? Mendojnë se populli do i ndjekë më shumë po të nderojnë E.Hoxhën  dhe bandën me të cilën mori dhe mbajti pushtetin?
Unë nuk e di dhe s’kam se si ta marr me mend, se mendja më punon në mënyrë shumë më të ndryshme se e kriminelit Ruci dhe hajdutit Meta.
Di vetëm të kujtoj njerëzit në Shqipëri, mos harrojnë 47 vitet që solli Kongresi i Përmetit.



Friday 23 May 2014

Cifutet (2)

(vijim)

Cifuti i parë, të cilin kam njohur në vitin 1993, është Xho Shtainberger, një avokat nga shteti i Mejnit në SHBA. Xhoja nuk mburrej për origjinën e tij hebre,edhe pse i jati ishte Xhek Shtajnberger, fitues i cmimit Nobel në fizikë në vitin 1988. I jati është ateist dhe e jëma, një piktore abstraksioniste  hollandeze, ish-katolike. Vetë i përkiste një Kishe të Bashkuar, një lloj grupimi mbi bazën e kishave protestane por me natyrë më tepër agnociste. I rritur në NjuJork, njihte mirë popullsinë hebre që kishte emigruar nga Europa gjatë shekullit të XX-të, si dhe shtresat e ndryshme të saj dhe diferencat midis tyre. Ishte njeri i zgjuar, me shumë humor dhe me shumë pak prirje për të grumbulluar para, pra në përgjithësi jo shumë brenda stereotipit që kanë shumë njerëz rreth hebrejve. Humanist dhe shumë i përkushtuar kundër racizmit e paragjykimeve të ngjashme, Xhoja sot është i martuar me një japoneze.  Gjithsesi, ai ruante marëdhënie të mira me të tjerë amerikano-çifutë, se në vitin 1997, nëpërmjet një lidhje të tillë treshe çifutësh amerikë-kanada, unë mora një listë të gjithë arkitektëve në Toronto nga arkitekti me Majkëll Shtain. E përmenda këtë, për të treguar, që vërtet ekziston “solidariteti” mes tyre edhe pse mund të mos jenë besimtarë apo të mos dinë të flasin hebraisht. Solidariteti është një tjetër çelës me rëndësi në suksesin e tyre në biznes apo atë professional. Shtain ishte i dyti hebre, me të cilin pata një bisedë më të gjatë se “si jini? Unë jam mirë?”. Ishte një profesionist i mirë, por që dukej i trembur, se mund t’i kërkoja ndihmë për tu punësuar, ndaj ma bëri të qartë, që në fillim të bisedës, që ajo çka kisht bërë ishte maksimumi i mundësive. Dukej një arkitekt i talentuar, por me pasigurinë që e kanë zakonisht artistët. Më shumë mësova rreth tij më vonë, por duhet të them që nuk kishte asnjë gjë të përbashkët me Xhonë apo me çifutë të tjerë, me të cilët kam pasur kontakte të afërta më vonë.

Gradualisht, gjatë vitit të parë në emigrim, fillova të mësoja më shumë rreth çifutëve në Amerikën e Veriut. Kjo kryesisht nga dokumentarët, por diçka rreth kulturës së tyre edhe nga seriali komik “Seinfeld”. Fuqia e një lobi çifut në Toronto përmendej shpesh n[ mjediset ku punoja, si dhe fuqia e tyre apo arsimimi në shkolla private, e megjithatë kishte tregues, që lidhjet dhe mbështetjet nuk ishin aq të padiskutueshme. Psh në Toronto deri në fund të shekullit të kaluar nuk kishte asnjë vepër të projektuar nga arkitekti i njohur Frank Gehry, që kishte lindur në Toronto dhe kishte ikur adoleshent nga qyteti.
(vijon) 

Thursday 22 May 2014

Fatmir Limaj, Behgjet Pacolli e të tjerë

Edhe pse Limaj dhe Pacolli mund të ndryshojnë shumë nga njeri tjetri, i vura pranë si dy shqiptarë, që jetojnë jashtë Shqipërisë, por kohët e fundit janë vlerësuar nga institucione dhe qytete në Shqipëri. Mund të ketë edhe shumë të tjerë, por kur lexova Nderin që ju bë Limajt nga UT, më shkoi mendja vetëm tek Pacolli. Jo shumë kohë më parë Behgjeti u shpall “Qytetar Nderi “ i Korçës.
Fatmir Limaj është dënuar nga Gjykata e Hagës dhe ka bërë dy vjet burg për krime lufte(mundësia më e madhe është të jenë cilësuar si krime ndaj njerëzimit) dhe para një viti është akuzuar në Kosovë për korrupsion dhe krime lufte. Askush me dy para mend në kokë nuk e ve në dyshim, që Fatmir Limaj është hajdut dhe kriminel. E megjithatë “akademiku” Dhori Kule, bashkë me shumë profesorë e doktorë të tjerë i dhanë titullin “Honoris Causa”.
Jetëshkrimi i Behgjet Pacollit është i ndryshëm. Ka ndërtuar një biznes të fuqishëm në Zvicër, por suksesin më të madh e ka pasur me investimet në Rusi, ku është akuzuar për korrupsion në shifra të mëdha. Ishte një nga korruptuesit kryesorë të huaj të Jelcinit dhe të bijat e këtij të fundit, bridhnin në Europë me karta krediti gjysëmmilionshe, të dhëna nga kompania e Behgjetit. Sigurisht, këtë e dinte edhe Kryetari i Bashkisë së Korçës(sot zv.kryeministër), por e mendoi që Behgjeti i bën nder Korçës po të ketë kyçet e saj.
Në një auditor diku në Tiranë, të rinj shqiptarë kanë duartrokitur dhënien e titullit Doktor një krimineli dhe kanë ëndërruar t’i ngjasin në të ardhmen. Eshtë ky modeli të cilin ju ofrojnë “mentorët” e tyre.
Në një sallë më të vogël, këshilltarë bashkiakë kanë duartrokitur vendimin për të bërë një simbol të korrupsionit “Qytetar Nderi” të një qyteti, që ka patur namin si qyteti më pak i korruptuar në Shqipëri. Sigurisht që kanë ëndërruar të mund të bënin një të dhjetën e parave të Pacollit.
Cilët kanë mbetur pa u nderuar?
Vëllezërit Osmani? Nuk e dimë se ku fshihen.
Hë për hë le të mjaftohemi me Tan Leprin.


Wednesday 21 May 2014

Pjese nga "Nje nate ne Kardenas" (2)

(vijim)
. U ngrit dhe e përqafoi, e për habinë e tij ajo e puthi në buzë. Përsëri erë kanelle. Buzët i lanë edhe një shije të ëmbël, por nuk ju duk si ëmbëlsi bananesh. E pyeti nëse dëshëronte gjë, por ajo filloi t’i spjegonte se sa shumë ishte vonuar autobuzi i linjës dhe si e kishte parë, që kishte kaluar mëse treçerek ore nga koha e lënë për takimin ishte detyruar të merrte tasksi. Ai buzëqeshte lehtë dhe mundohej mos e tundte kokën, për të mos krijuar keqkuptime. Ajo vazhdonte të fliste shpejt dhe gjoksi i madh lëkundej nga dihatjet duke i dhënë gjallëri edhe gjerdhanit të verdhë e të trashë, që shkonte deri aty ku mund të ishte kërthiza e saj nën bluzën e mëndafshtë me vija të bardha e çokollatë. Ndërkohë ju ishte afruar djaloshi i zeshkët dhe po I thoshte Markovit, se taksia i priste më tutje. “Cila taksi? Ne nuk na duhet taksi!’ – ja ktheu gruaja. Djaloshi vazhdoi t’I fliste Markovit duke mos ja hedhur sytë vendases, ndaj ajo e kapi në llërën e majtë e filloi t’I fliste spanjisht. Ai u mundua të kundërshtonte, por e folura e pandërprerë e gruas mori në ton më të ashpër dhe ai u step e më pas u kthye dhe iku. Markovi filloi të dyshonte nëse tjetra ishte thjesht punonjëse hoteli në “Sandals”. E pyeti, se ç’farë i tha djaloshit, që u bind menjëherë. Gruaja buzëqeshi natyrshëm dhe tha , që të rinjtë duhet të dinë të kenë më respekt për më të rriturit. Pastaj e ftoi të ngriheshin dhe i bëri me dorë taksistit, që priste më tej. Ai e ndoqi duke vrojtuar me bisht të syrit mollaqet e saj, që tundeshin provokueshëm në minifundin e bardhë prej një cohëze të hollë. “Nuk mund të kthehem tani”- mendoi. U ulën të dy në ndenjësen e pasme dhe ai mori dorën e zgjatur të saj dhe e përkëdheli. Nga radioja dëgjohej xhez latin. Dalloi Ponko Sançezin me “Besame mama”. Nuk ishte i shqetësuar.  Sa kishin kaluar urën q[ lidhte zon[n turistike dhe kishin hyrë në rrugët e ngushta të qytetit. Shoferi tundte lehtë kokën nën ritmin e Ponko Sançezit dhe ai u kujtua, që nuk i kishte parë as fytyrën. Bile makina as nuk kishte shenjën e taksisë. Dora e saj e qullur, po lëvizte lart llërës së tij dhe ai pati një ndjesi të keqe. Tërhoqi dorën dhe u mundua të përqëndrohej në shtëpitë përgjatë rrugës. Thuajse të gjith ishin njëkatëshe dhe të lyera me ngjyra të çelura dhe dritat e dobëta të rrugës i tregonin edhe më të verdha. Nuk arrinte të dallonte se ç’ndodhte pas dritareve të hapura, se të pakta ishin ato që shihnin nga rruga. “Do blemë birrë?“-pyeti ajo. Ai nxorri disa kartmonedha dhe ajo morri një dhjetdollarëshe. Preku lehtë supin e shoferit dhe ai ndaloi. U zhduk pas një porte të madhe metalike dhe u kthye me një qese të rëndë. Shoferi vazhdoi të njëjtën rrugë drejt errësirës së qytetit, që nuk kuptohej nëse flinte apo ishte i trembur.
(vijon)

2014 – Familje e shëndoshë -Atdhe i shëndoshë!

Se sa i shëndoshë është Atdheu, këtë e di edhe bufi, një shpend, të cilit nuk i dihet orientimi seksual.
Por këtë nuk e dinë aq mirë, 55 intelektualë shqiptarë në dy anët e kufirit, që kanë firmosur një peticion në mbrojtje të familjes dhe kundër lëvizjes gay. (Mungonin në të firmat e dy intelektualëve brenda 48-shes sime, të cilët janë shprehur hapur si 55-ët e listës.)
I hodha një sy të shpejtë listës dhe nuk dallova mes tyre emra mjekësh. Mbase ka, dhe do jetë akoma më keq për shoqërinë shqiptare, nëse mjekë të mirënjohur dalin kundër përcaktimeve të Organizatave Botërore të Mjekësisë, dhe ta quajnë homoseksualizmin “kundër ligjeve të natyrës”.
E kam përmendur në shënime të tjera, që më shumë se “persekutimi’ i hapur i homoseksualëve, më shqetëson prirja drejt ekstremit të djathtë të shoqërisë sonë. Parrulla “Familje e shëndoshë- Atdhe i shëndoshë“ është pikërisht e tillë. Përzjerja e familjes me atdheun është e qëllimtë dhe dashakeqe. Sigurisht, që firmëtarët nuk mund të thërresin “Ndalni Lirinë! Na shkatërron atdheun!”, që është nënteksti i hapur i parrullës së tyre.
Atdheu ynë i dashur është në rënien morale më të thellë që ka parë gjatë 500 viteve të fundit. Eshtë korruptuar gati çdo qelizë e jetës shqiptare në të dy anët e kufirit. Nuk dua të ndalem e të analizoj shkaqet, por nuk janë nga Liria edhe pse shumë nostalgjikë të periudhës së Enver Hoxhës apo të Titos bëjnë me faj pikërisht Lirinë. Aq më pak janë fajtorë njerëzit që kanë një orientim të ndryshëm seksual.
Por pse këta profesorë e doktorë, në vend të bashkojnë zërat në luftën kundër korrupsionit dhe bjerrjes morale të shoqërisë shqiptare, ngrihen kundër homoseksualëve?
Them që tek ne është kultivuar thellë “burracakëria”, se e kemi shumë të lehtë të sulmojmë më të dobtit.
 Në një vend, ku sipas një gazetari të specializuar në Krimin e Organizuar, ekziston një nga Mafiat më të forta të drogës në Europë dhe që nuk mund të preket, se është e lidhur me politikën dhe sistemin e kalbur të drejtësisë, të ashtuqujturit profesorë, doktorë, studiues dhe poetë lëshojnë sirenat e alarmit kundër ‘perversionit”.
Eshtë e vërtetë që në Shqipëri dhe Kosovë ka perversë.

Ata janë pikërisht intelektualët që shesin shpirtin e tyre në favor të kufizimit të Lirisë!

Tuesday 20 May 2014

Pjese nga "Nje nate ne Kardenas"

......

Ai ndjeu, që ajo nuk do vinte. Mbase lagështia në ajër po e bezdiste dhe dëshëronte të gjente një arsye për tu larguar. Djali i zeshkët, që po e ndiqte me sy u afrua. Nuk dukej armiqësor, por kishte pasur edhe të tillë në DëCë, sidomos nga ata që vepronin jashtë, të të famshmit “Shërbimi shtatë“. Ai kishte qënë vetëm 18 , kur kishin vrarë Gjorgji Markovin në Londër dhe edhe pse nuk kishte asnjë lidhje gjaku me të, shpesh ndjehej nervoz, kur i duhej të përmendte mbiemrin e tij para punonjësve të policisë. Priti që djaloshi ta pyeste për emrin, por i zeshkëti i pëshpëriti:
-Francez…Italian? dhe Markovi mohoi me kokë.
Kubani përballë po rrinte i stepur e diçka filloi të theshte në italisht. “…ragazze…denaro…molto giovanne.” Tjetri e kuptoi, që i kishte ndodhur sërish, si herë të tjera me të huajt. Kishte lëvizur kokën nga lart poshtë dhe të tjerët mendonin se ai pohonte. “No italiano…Ballgaria..”
Tjetri qeshi I gëzuar dhe tha me zë më të lartë“Sofia…Zhivkov”. Antoni Markov buzëqeshi lehtë. E dinte, që vendi i tij do ishte ende shumë i lidhur në vendet e diktaturave komuniste, me emrin e Zhivkovit. I foli djaloshit  në aglisht, se edhe mund të binin në ujdi për një vajzë. Tjetri filloi të spjegonte rrjedhshëm se ai kishte lidhje me vajzat më të mira të Kardenasit dhe po të paguante në dollarë do e shihte se sa pak do i kushtonte. Ai e ndaloi me dorë dhe i tha, që ishte gati të shkonte me të. Kubani qeshi dhe nxitoi të largohej duke thënë se duhej të telefononte për shokun e tij me taksi dhe për dhjetë minuta do ishte aty. Markov u ul dhe shkoi ndërmend rrugica të errëta e të ngushta, ku do përfundonte pas pak, me djaloshin e zeshkët të cilit nuk ja mësoi emrin. Sepse i dukej, që do hynte në kthina, të cilat merrnin dritën nga njëra tjetra, me ndarje gjysëm mure e gjysëm xhamash të lyera me bojë vaji dhe shtretër të ulët, me mbulesa të zbërdhylta. Nuk arrinte të dallonte, nëse ishin imazhe që i kishin mbetur nga udhëtimi në Saigon apo nga ndonjë film për jetën e prostitutave në vendet ish-komuniste. Nga dritarja e hapur e shitores së ëmbësirave vinte një erë e fortë kanelle përzjerë me banane.

“Antonioooo…” dëgjoi një zë femre nga rruga dhe ktheu kokën. Nga dritarja e një taksie dukej fytyra e saj dhe dora që valëvitej. E njohu, por për dreq nuk po i kujtohej emri. Vetëm tundi dorën dhe priti, që ajo të zbriste e t’i afrohej. Dukej më e bukur atë mbrëmje. E kuptoi që kishte zgjedhur më të mirën mes veshjeve dhe ndoshta edhe gjerdhanin më të kushtueshëm.

...... 

Monday 19 May 2014

Perse nuk mund te kete edhe nje dhjetvjecar permiresime ne drejtesi. (3)

(vijim)
Arsyeja e dytë, po aq kryesore, por edhe me një efekt më afatgjatë, është dobësia e theksuar e programeve universitare për përgatitjen e juristëve. Dhe këtu e kam fjalën për Universitetin Shtetëror dhe ndonjë Univeristet tjetër të mirë e jo për ato programe, që gjithkush i di se vlejnë thjesht për të prodhuar ‘juristë skarco”. Problemi i programeve të dobëta, i marrjes të diplomave me mik apo me pagesë dhe numuri shumë i madh i juristëve me diploma të marra në Shqipëri, Kosovë apo Maqedoni do jenë një gangrenë, që do shoqërojë jetën e shoqërisë shqiptare për një kohë të gjatë. Eshtë e vërtetë, që në Shqipëri do ndiqet modeli Mesdhetar dhe jo ai anglo-sakson në përgatitjen e juristëve, por e gjithë shoqëria duhet të jetë e ndërgjegjshme, që nëse nuk krijohen kushtet që në Juridik të shkojnë studentët më të mirë, edhe Sistemi Juridik nuk mund të shëndoshet. Vendi jonë mund të lejojë të ketë edhe programues, edhe oficerë, edhe llogaritarë, edhe mësues jo të klasit të parë, por nëse kërkon Reformë në Drejtësi, ajo fillon duke drejtuar ajkën e rinisë në ato shkolla. Dhe kjo arrihet me programe qeveritare të mira, të cilat parashikojnë edhe rroga shumë të mëdha për gjyqtarët prokurorët si dhe për avokatët.
Më ka rënë në sy në shtypin e  muajve të fundit një lloj solidariteti i heshtur dhe i hapur i gjyqtarëve. Pa dashur të dal në përfundime, për një problem të cilin nuk e njoh(dhe për të cilin mund të më hiqet vërejtje e rëndë nga një avokat, që e njeh sistemin, por ka frikë të flasë) po shtjelloj më poshtë një lloj hamendësimi tim, nisur nga ideja(ndoshta e pabazuar), që kam për gjyqtarët tanë.
Po i rikthehem sistemit të kaluar të Drejtësisë, në të cilin kanë punuar një pjesë e gjyqtarëve të sotëm. Juristët brenda atij sistemi(jo ata të ndërmarjeve të mëdha apo fermave) ishin njerëz të rëndësishëm në qytetet ku punonin dhe që edhe vetë nuk e fshihnin rëndësinë e tyre. Të ishe një gjykatës apo prokuror në atë kohë duhet të kishe cilësinë e mbajtjes së gojës mbyllur dhe ruajtjen e një lloj solemnineti dhe misterioziteti. Nuk duhej të kishe shumë mend dhe sidomos ndienjën e skepticizmit, por ato që rendita në fillim ishin domosdoshmëri. Institucionet e Diktaturës duhet të ishin autoritare e të frikshme dhe po ashtu duhet të ishin edhe përfaqësuesit e tyre. Juristët e asaj kohe rrinin me kostum dhe kravatë dhe të gjithë mbanin nga një dosje ose çantë, ku nuk ishte e thënë të kishte gjithnjë shkresa ose dokumenta të tjera. Kam vënë re, që njerëzit që kanë më pak në kokë, janë më të talentuarit për tu paraqitur të rëndësishëm. Flasin pak, nuk prononcohen dhe zhvillojnë gjatë karrierrës një nuhatje  për veprime që sjellin sukses edhe para.
Sistemi i sotëm i drejtësisë në Shqipëri u “strukturua” nga juristë të këtij lloji. Disa prej tyre e kanë të vështirë të shkrujnë edhe një letër një faqëshe, e jo më të shkruajnë ndonjë artikull për ndonjë gazetë juridike. E megjithatë, ata zhvilluan këtë system që funksionon “për bukuri “ sot. Sistemin e avokatëve sekserë, të sugjerimeve se si mund të monovrohet për të luajtur me afatet për të nxjerrë dikë nga burgu, të daljes kundër apo pro në shumicë e pakicë për të mbuluar gjurmët e sa e sa marifete të tjera për të luajtur me ligjin, të cilat unë nuk kam si ti di. Por mbi të gjitha, si në kohët e “frikës së madhe”, ata vendosën “kodin e heshtjes dhe solidarizimit me njëri tjetrin”, tamam si funksionojnë organizatat kriminale.
Edhe pse nuk di të sugjeroj ndonjë gjë se si mund të luftohet kjo gjendje, them që diçka duhet parë rreth imunitetit të gjykatësve.
Tabloja që paraqita edhe pse jo e plotë, për shkak të njohjes time të cekët, është një tablo tepër e errët dhe aspak shpresëndjellëse. I shkrojta këto rrjeshta, për t’ju thënë atyre miqve të mij, që janë larg vendit, ose nuk kanë pasur të bëjnë me Drejtësinë, që jo vetëm është shumë e vështirë “shëndoshja”, por edhe ajo që trumbetojnë me të madhe ata që janë sot në pushtet është thjesht përpjekje, për të kontrolluar Drejtësinë, e cila deri më sot kontrollohet më tepër nga Berisha.
Eshtë për të ardhur keq, që rreth saj flitet pak nga njerëzit e mençur dhe të paanshëm në vend. Eshtë baza nga fillon shëndoshja e shoqërisë e për të duhet të ketë një lëvizje të akademikëve, sociologëve, shkrimtarëve, artistëve, klerikëve, historianëve e doemos të juristëve më të mirë.
Në të kundërt, shoqëria shqiptare do hiqet zvarrë edhe shumë vjet në llucën ku ka rënë!

Perse nuk mund te kete edhe nje dhjetvjecar permiresime ne drejtesi (2)

(vijim)
Po i rikthehem shkrimit të lënë në mes rreth pamundësisë të përmirësimeve në Drejtësinë Shqiptare. Pata përmendur, në pjesën e parë, nivelin e dobët intelektual, të atyre që shkolloheshin si jurist deri në gjysmën e parë të viteve ’80, periudhë, kur Drejtësia Shqiptare ishte në nivelin më të ulët, për shkak të heqjes prej 20 vitesh të “të drejtës për tu mbrojtur me avokat”, si dhe reformave të tjera të ndërmarë nga Partia. Për më tepër, njerëzit që punonin brenda sistemit të Drejtësisë, edhe nëse kishin kapacitete intelektuale e kishin të vështirë të vinin në dyshim apo të kundërshtonin sistemin. Një prokuror i aftë, nuk mund të pranonte në gjyq psh, që të pandehurit i ishte marrë dëshmia në hetuesi me dru apo tortura të tjera, sepse shteti ishte i deklaruar kundër torturës. Ata që punonin brenda sistemit, gjykatës, prokurorë, sekretarë, ndihmës gjyqtarë, ishin të mësuar të mbyllnin sy edhe veshë edhe ndaj shkeljeve më flagrante të të drejtave të njeriut apo edhe sensit më të thjeshtë të drejtësisë. Rastet kur çështjet ju riktheheshin hetuesisë, apo të pandehurit shpalleshin të pafajshëm ishin tepër të rralla. Edhe kur ndodhnin ishin sipas porosive të ardhura nga lart. Në vitet ’70, shkoja shpesh me një shokun tim më të madh se unë dhe ndiqnim séanca gjyqesh, sidomos të hëave dhe të martave, kur sipas orarit zyrtar të atëhershëm punohej edhe pasditeve. Nuk e harroj vrazhdësinë e gjykatësve dhe prokurorëve, si dhe shpesh edhe mungesën e qëllimshme të llogjikës. Në mendjen tonë ishte të ishim në anën e “viktimave”, si është në natyrën e adoleshentit. Sigurisht mes tyre kishte hajdutë edhe njerëz të dhunshëm, por më e dhunshme dhe e egër dukej makina e të ashtuqajturës Drejtësi. Ndaj them, që njerëzit që kanë punuar për më shumë se tre-katër vjet në atë system e kanë të shkatërruar brenda tyre sensin e drejtësisë edhe pse mund të jenë njerëz me karakter të mirë apo edhe me kokën plot.
Ka patur një periudhë pas vitit ’85, kur numuri i studentëve në juridik u shtua dhe niveli i tyre ishte shumë më i mirë se më parë. Për fat të keq, pas ndryshimeve të vitit ’91, nevoja për juristë solli krijimin e “furrës së plepave”, që “piqte” juristë për 6 muaj dhe Sistemi i ri i Drejtësisë, që po ndërtohej sipas modeleve europiane, u mbush me juristë 6-mujorë(në 6 muaj as ndihmës kuzhinier nuk bëhesh dot) dhe në profesionet e nderuara dhe delikate të gjykatësve, prokurorëve, avokatëve, hetuesve, policëve gjyqësorë, noterëve kishim tashmë juristë ‘të brumosur me sensin e drejtësisë socialiste”, juristë-plepa si dhe një numur shumë të vogël të juristëve që kishin shkëlqyer në Universitet dhe kishin bërë edhe specializime jashtë.

Po ku do i gjenim gjithë ata juristë që na duheshin? Vërtet nuk kishim se ku dhe kjo është arsyeja kryesore, që edhe një dhjetëvjeçar nuk kemi se si të shpresojmë në një përmirësim të Drejtësisë. Por ka edhe arsye të tjera.
(vijon)

Sunday 18 May 2014

Vdis pa të të dua!

Unë nuk kam ndërmend të vdes së shpejti dhe analizat veç një kolesteroli të ngritur, kanë dëshmuar se nuk kam asnjë sëmundje nga ato që quhen “që të bitisin”. Megjithatë, si na kanë mësuar të parët, vdekjen e kemi prapa veshit dhe unë për fat të mirë apo të keq i kam të dy veshët. (Vërtet, ku ju rrinte vdekja atyre që u prisnin veshët qëmoti?)
Po ç’të ka kapur me vdekjen këtë të shtunë në sabah, që nuk është as “e shtuna e pulave” mund të më pyesni me shumë të drejtë dhe unë nuk do jem në gjendje t’ju kthej xhevap. Se vdekjen edhe pse e mendomë shpesh e kemi zët ta zemë në gojë, e sidomos në kafenera të tipit FB. Nuk është se dhe kam ndonjë dëshirë për të qarë sot, po qe se do citoj aktoren e njohur të humorit Spanja Pipën, që shpesh më theshte:”Mos ke marrë vesh për ndonjë të vdekur taze se aq na qahet, sa ç’të të them!”
Me një të njohurin tim, në kafene po flisnim për Steve Jobs dhe meqë ai është më i ri dhe më i lëçitur në këto punët e kompjuterave, e pyeta se a ishte e vërtetë, që Steve nuk ishte aq gjeni sa e bënin dhe që ishte një biznesmen shumë i ashpër. Ai e pohoi dhe tha:”Gjëja më e mirë që mund të bësh në këtë botë, nëse të tjerët do të flasin mirë për ty, është të vdesësh!” Kishte të drejtë.
Ne kemi një lloj nderimi për të vdekurit, që duhet ta ketë zanafillën që në kohët kur njerëzit krijuan jetën e përtej varrit dhe I mbulonin të dashurit me gjithë stoli apo armë. Sigurisht, në atë kohë ka qënë nderim i përzjerë me frikë, se të vdekurit mund të ngriheshin natën e t’ju bënin ndonjë gjëmë. Dhe kështu, duke kaluar në qytetërimet dhe lindjet e besimeve fetare, të vdekurit janë pjesë e jetës sonë, po aq sa të gjallët dhe me një status të veçantë- atë të nderimit dhe idealizimit të tyre.
Po a i bëjmë dobi vetes, fëmijëve tanë dhe brezave të tjerë duke i idealizuar ata , të cilët nuk janë më mes nesh? Eshtë një temë delikate, se ka përbrenda raportin tonë me të vërtetën, me historinë, por edhe me njerëz të cilët nuk mund të mbrohen nëse i akuzon për diçka. Ndaj shumë njerëz preferojnë ose të heshtin rreth tyre, ose të thonë veç të mirat, sepse dihet që edhe djalli vetë nuk i ka të gjitha të këqija.
Ndoshta, një zgjidhje e mesme, duhet bërë për figurat publike, të cilat në mënyrë të ndërgjegjshme kanë zgjedhur atë drejtim të jetës së tyre. Rreth tyre, duhet thënë e vërteta edhe pse mund të mos jenë më gjallë, sepse është shumë e rëndësishme edhe për të sotmen, por edhe për të ardhmen. Nuk ka kuptim të mbajmë rezerva dhe aq më pak të idealizojmë Skënderbeun, Ahmet Zogun, Ismail Qemalin, Fan Nolin, Enver Hoxhën, Nënë Terezën, Faik Konicën, Luigj Gurakuqin, Ramiz Alinë, Azem Hajdarin, Ibrahim Kodrën, Lasgush Poradecin, Adrian Klosin e plot të tjerë. Jo vetëm që gënjejmë veten dhe ata që vijnë më pas, por dëshmojmë edhe për hipokrizinë tonë të thellë të përmbledhur në mënyrë lakonike në shprehjen:
“Vdis pa të të dua!”


Shën Katerinë, 17.05.2014

Gjeneralët shqiptarë.

Ka një dekadë, që qarkullon në Internet, legjenda që gjeneralët(le të themi prijsat ushtarakë) më të mirë gjatë Historisë së Njerëzimit kanë qënë shqiptarë. Përveç Skënderbeut(të cilin nuk e dimë se ç’gradë arriti në ushtrinë osmane), janë pa patur asnjë diskutim Aleksandri i Madh(i lindur diku jo larg Kukësit) dhe Napoleon Bonaparti, vërtet i lindur në Korsikë, por nga një familje arbëreshe nga Toskëria, prej të cilës mori emrin edhe Toskana, ku Bonapartët u ngulën në emigrimin e parë!
Diskutimi a janë a nuk janë shqiptarë këta të dy është i gjatë, i kotë dhe i pazgjidhshëm. Do e pranojmë pa vërtetim, për të vazhduar më poshtë me gjeneralët pasardhës. (Sigurisht do e lija pa përmendur Pirron e Epirit, se ja djallos biografinë ajo shprehja “Fitore si e Pirros!”)
Në ushtrinë turke pati shumë gjeneralë shqiptarë, të cilët bënë të mundur zgjerimin e kufijve të Perandorisë Otomane deri sa Turqia e mori të tatëpjetën dhe generalët nuk u morën vesh nga përfunduan. Ushtria shqiptare u formua dikur nga viti 1913, ose dhe më vonë, dhe Partia e riformoi më 10 Korrik, se gjeneralët ja kishin mbathur nja dy ditë para 7 prillit. Në zjarrin e luftës u poqën nja dhjetë copë gjeneralë për një vit e ca muaj, si gjeneral leitnant Enver Hoxha, gjeneral kolonel KoçI Xoxe, gjeneral diëka Mehmet Shehu e me rradhë.  Se si mund të bëheshin gjeneralë një që nuk kish mbaruar dot biologji, një llamarinist dhe një që kishte bërë vetëm një vit shkollë ushtarake, shpjegohet fare kollaj me faktin, që ne shqiptarët e kemi në DNA të qënit luftëtarë dhe strategë. Se pse nuk i pëlqente Komandantit grada e gjeneralit, këtë nuk e ka zhbiriluar as studiuesi Blendi Fevziu, por vetëm dihet që më 1966 tërë gjeneralët u bënë “kaput” pa spaleta dhe nga vitet ’70 ca u bënë edhe “kaput” fare.
Por populli jonë që nuk mund të rrinte dot pa gjeneralë, e dëshmoi me vepra duke rrëzuar tërë shtatoret e Komandantit civil dhe duke mbajtur vetëm atë me spaletat e gjeneralit brenda Shkollës së Bashkuar, ose më mirë të themi fidanishtes së gjeneralëve.
Po i ndërpres këto rrjeshta rreth historisë tonë të lavdishme, e cila nuk ka se si mos ketë brenda strategë ushtarakë, për të dhënë një lajm të hidhur- Eshtë arrestuar për vjedhje gjeneral brigade Syrja Gjoka. E akuzojnë për diçka të vjedhur në ushtri dhe jo si vjedhës ordiner. (Këtë sqarim e bëj për dashakeqësit, që mund të thonë, se meqë Syçka është nga Labëria është afërmendsh që do vjedhë).
Lajmi i vjedhjes dhe arrestimit nuk do më bënte përshtypje po mos ishte në një kohë me një seri lajmesh që lidhen me gjeneralë: “Historia e drogës në FA si përrallat e Tom Sojerit- tha gjeneral Moisiu”, “Dy ushtri shqiptare në Ballkan do i kishin zili gjithë vendet- tha gjeneral major Jeronim Bazo” e të tjera njoftime të rëndësishme  si këto.
Duhet të pranoj, që kam një lloj alergjie nga lajmet me gjeneralë, se kur vendosa “t’ja mbath nga sytë këmbët nga atdheu”, situatën e kontrollonin gjeneralët Gazidede dhe Zhulali (rahmet paçin) dhe gjeneral Agim Shehu. Dhe e kontrollonin aq mirë sa s’mbeti depo armësh dhe burg pa u hapur dhe për herë të tretë në 60 vjet Shqipëria mbeti sërish pa gjeneralë dhe pa ushtri deri sa erdhi një ushtri “paqeruajtësish” e drejtuar nga një gjeneral kopuk italian.
Tanimë, duket gjërat janë më mirë, pasi edhe dy nga tre presidentët e fundit i kemi ushtarakë. (Këta që mbarojnë Akademinë ushtarake quhen akademikë apo akademista?) Ushtria më e fortë se kurrë, trupat në Afganistan po shkëlqejnë dhe aerodromet ushtarake po i rrethojnë me blloqe betoni, që mos hyjnë makinat e atyre që bëjnë dashuri fushave të hapura. Gjeneralë duhet të jenë një dorë e mirë se ka të tillë të Majtë, të Djathtë dhe të depolitizuar. Vetëm kam një merak. Po sikur t’i hipë në kokë ndonjërit prej tyre që të ndjekë shembullin e Lekës së Madh, Bonapartit apo Kastriotit ç’mund të ndodhë në Ballkan e më gjerë?
Ndoshta përgjigjen më të saktë mund ta jepte Faik Marshalli, por edhe ai duhet të ketë vite, që prehet pranë ushtarakëve të tjerë të famshëm shqiptarë.




Friday 16 May 2014

Prostitutat

Kur ishim fëmijë, nuk ja dinim kuptimin kësaj fjale, se përdoreshin të tjera në zhargonin e përditshëm të mëhallës. Të gjithë i dinë, ndaj nuk është as nevoja dhe as vendi t’i përsëris. Më duket se nuk ka ndonjë fjalë të thjeshtë shqipe për to, se të gjitha ato që më vijnë ndërmend janë sllavisht, turqisht dhe italisht. Pra në të shkuarën kemi qënë një popull ‘bajagi” i ndershëm. (Edhe fjala “e përdalë“, e cila përdoret në Veri, është një cilësor që përcakton një femër me një moral të dyshimtë, por jo që ushtron profesionin më të vjetër në botë.)
Fjala “prostitute”, që ka hyrë thuajse në gjithë gjuhët e vendeve të zhvilluara, rrjedh nga latinishtja dhe ka kuptimin e parë, të një femre, e cila qëndron më këmbë në një vend publik dhe ofron trupin e saj kundrejt parave. Më vonë, janë shtuar edhe meshkujt që bëjnë të njëjtën gjë, si dhe në fund meshkujt e femrat që ofrojnë talented ose ato që kanë në dorë, përsëri për të përfituar, por jo në mënyrë të drejtë.
(Sigurisht jo të gjitha prostitutat lexojnë në fjalorë kuptimin e “titullit” të tyre, se në të kundërt nuk do ndjeheshin aq të përçmuara në një botë ku prostitucioni gëlon.)
Nuk di pse mu kujtuan sot, të gjorat prostituta dhe pikërisht një ditë pas Ditës Ndërkombëtare të Familjes…Hë po…4 këshilltarë të djathtë të Këshillit Bashkiak të Korçës, kishin kaluar në krahun e Majtë, në krahun e Kryetarit të Bashkisë. Nuk di se cilët janë dhe nëse janë miq të vjetër të tij, që në kohët kur “vritej e pritej” për të Djathtën Europiane. Nuk di edhe nëse kalimin nga krahu tjetër e kanë bërë duke ndenjur më këmbë. Mund të ketë edhe arsye vërtet të thella parimore ky kalim. E njoh cekët situatën politike të qytetit tim, si dhe njerëzit e rinj që përpiqen për ta bërë sa më të sigurt e më të bukur.
Do muaj më parë, pata përmendur një prostitutë arbëreshe, prishjen e imazhit “të gjakut tonë të shprishur”, që më shkaktoi takimi me të, por shkarazi përmenda, që nuk kam asgjë kundër prostitutave. Ndjej keqardhje për to, se kanë zgjedhur një profesion të lehtë në dukje, por me shumë rreziqe brenda, që ju shkatërron jetën në shumicën e rasteve dhe në disa më ekstreme i bën edhe të humbin jetën.
Nuk di a duhet të ndjej të njëjtën keqardhje për prostitutat-politikane apo ato intelektuale në Atdhe. Janë të shumtë, të kategorive të ndryshme dhe me çmime të ndryshme. Ministra, gazetarë, deputetë, këshilltarë bashkiakë, kryetarë bashkish apo komunash, shkrimtarë, historianë, gjykatës, analistë dhe botues. Një pjesë e tyre, ata të zgjedhurit, kur betohen rrinë më këmbë dhe përsërisin formulën e betimit me dorën në zemër, në flamur ose duke prekur pjesë të turpshme të trupit për mos u mësyshur! Në mendje kanë se sa para do fitojnë prej atij çasti duke prostituar vulën, firmën, mendjen, prapanicën.
Në publik edhe pse i urrejnë, masat e përvojtura ju përulen se një ditë do trokasin në dyert e tyre për të mbaruar punë. Njëri tjetrin e quajnë të shkathët, të guximshëm, dinak, “të papam”, të lehtë, skile etj. Tamam si prostitutat e rrugëve quajnë njëra tjetrën mes tyre. Hë po…zihen në sytë e botës edhe më shumë se ato të rrugëve!
Nuk di ç’të shtoj më rreth tyre. A ka ndonjë Ditë ndërkombëtare të Prostitutave?


Thursday 15 May 2014

Familja në rrezik!

Këtë parrullë nuk e kisha dëgjuar prej kohësh, ndoshta që në vitet ’60, kur filluan të luftoheshin fejesat në djep, ato me diferencë të madhe moshe dhe poligamia. Duket që pas 50 vjetësh, familja që doli e ndryshuar pas asaj lëvizjeje, është përsëri në rrezik në atdhe dhe ndoshta edhe në gjithë Europën e Bashkuar.
Shoqëria shqiptare gjatë Diktaturës nuk ishte një shoqëri normale, ku gjërat rridhnin natyrshëm në varësi të ligjeve ekonomike dhe faktorëve të tjerë antropologjikë, fetarë, klimaterikë, të traditës etj. Rregullat në shoqëri përgjithësisht imponoheshin nga një grusht njerëzish, të Kupolës udhëheqëse, ku kuptohet fjalën e fundit e kishte vetë sho Enver. Ndaj dhe familja shqiptare nuk ishte në një hap me familjen të themi në Europën Veriore dhe perëndimore, por edhe me vendet më të zhvilluara ballkanike. Kushtet ekonomike e të strehimit si dhe tradita e familjeve patriarkale, kishte sjellë edhe forma të çuditshme familjesh, si ato me shumë kurorë, ku çiftet edhe pse nuk punonin në të njëjtën njësi ekonomike, kontribuonin me “kuotë“ për shpenzimet e përditshme e kryesisht për ushqimin. E kam fjalën për qytetet se në fshatra kishte edhe forma të tjera më të vjetra të familjes, ndonjëherë aq antike sa të kujtonin komunitetin primitiv.
Tani, në Atdhe, gjen kryesisht familje të përbëra nga prindrit dhe fëmijët e tyre. Më të rralla janë familjet ku çifti nuk është lidhur në martesë sipas ligjit, por bashkëjeton dhe mund të ketë ose jo fëmijë. Nuk besoj se ka familje me dy prindër gay dhe fëmijë të adoptuar, sepse akoma në Shqipëri nuk lejohen martesa të tilla.
Po nga se rrezikohet familja shqiptare, që sot, në Ditën Ndërkombëtare të Familjes, kishte shqetësuar disa baballarë e gjyshër, që kishin marrë mundin të shkruanin shqetësimet e tyre?
Divorci- Nuk di nëse ka ende në shqipëri njerëz me dy para mend e ca shkollë, që ta quajnë divorcin një nga plagët e shoqërisë, që trondit familjen dhe si rrjedhojë edhe themelet e shoqërisë. Eshtë një e drejtë e njerëzve e fituar dekada më parë dhe edhe nëse numuri i divoeceve sa vjen e shtohet dhe nuk është për të duartrokitur, përsëri as martesat dhe as krijimi i familjeve të reja nuk është kufizuar.
Tradhëtitë bashkëshortore- flitet që në atdhe ka një rritje të marëdhënieve jashtëmartesore, gjë që sjell ose rritjen e divorceve, por edhe krijimin e atyre “martesave të hapura”, ku partnerët janë të ndërgjegjshëm për marëdhëniet jashtëmartesore të njeri- tjetrit. Po pse ndodh kjo? A është një fenomen i shoqërisë së sotme shqiptare që ka keqkuptuar lirinë apo ka ekzistuar edhe në kohën e Diktaturës? Unë mendoj, që problem i “shthurrjes morale”, që dikur i atribuohej “ndikimeve borgjeze dhe revizioniste” më shumë se me lirinë ka të bëjë me gjendjen ekonomike dhe korrupsionin në Shqipëri. Një fenomen i tillë ka ekzistuar edhe në kohën e diktaturës e sidomos në fshatra, ku jeta ishte më e vështirë dhe puna më e rëndë. Besoj se të gjithë e kujtojnë një anekdotë rreth një mbledhjeje të fshehtë të grave të fshatit, ku diskutonin se me ke ju lejohej të flinin. Votat e plota i mori brigadieri se shënonte ditën e punës dhe të vinte në një punë më të lehtë, më pas kryeagronomi dhe kryetari kooperativës po për të njëjtat arsye. I vetmi që nuk mori vota ishte bashkëshorti. Ndaj le të vemë gishtin në plaga dhe para se të shkruajmë për prishjen e familjes, të shkruajmë për njerëzit në krye të vendit, që kanë zhytyr Shqipërinë në një llum ekonomik dhe moral.
Rritja e numurit të homoseksualëve- E vura edhe këtë me hamendje si një nga “rreziqet”, që shohin mbrojtësit e flakët të familjes. Vetë kam bindjen, që përqindja e homoseksualëve në 100 vitet e fundit në botë është rritur dhe jo për shkak të rritjes së lirive. E kam një bindje të paprovuar, por që nuk ndryshon gjë në opinionin tim rreth raportit homoseksualë-familje. Eshtë e çuditshme që edhe ata, nuk kundërshtojnë idenë e familjes, por janë shumica e tyre pikërisht për të. Duan të jetojnë nën një strehë me partnerin e tyre dhe një pjesë kërkon të martohet e të fitojë të drejtat që ju jep ligji, bile të adoptojë edhe fëmijë. Shpesh, rreth kësaj të fundit, kundërshtarët komentojnë se si do ndjehen fëmijët që kanë dy baballarë apo dy nëna në familje. Unë nuk e di se si, por e di që do rriten më mirë se në një jetimore nga ato të famshmet e dekadave të shkuara në Shqipëri apo të sotmet në Afrikë dhe Azi.
Atëhere më thoni ju lutem nga se rrezikohet familja në Shqipëri? Apo nga thëniet që kemi dëgjuar që kur jemi pjellë “u prish bota”, “humbi rrespekti”, “pleqtë si dëgjon njeri”, “fëmijët e sotëm janë të pacipë“, “s’ka më dashuri si qëmoti” etj etj.
Ju lutem më thoni o mbrojtës të Shenjtërisë së Familjes!

Atëhere do më kini edhe mua pas t’ju hyjmë me kërbaç imoralëve,homoseksualëve dhe të rinjve hipi!

Cifutët

I kisha premtuar një mikut tim(jo këshilltarit juridik të avokatit tim, që më akuzon për poli-kompetencë), që të bëja një shkrim disi të gjatë rreth çifutëve. Sigurisht me ato gjëra, që kam shkëputur aty këtu dhe me ndonjë hamendje, e cila shumë shpesh hidhet poshtë nga vetë unë. E nisa premtimin e mbajtur, I cytyr nga një shkrim i Tartuffkës tim, i cili për mos u akuzuar për prirje naziste mundohet të shkruajë diçka rreth shkencëtarëve dhe shkrimtarëve çifutë, fitues të çmimit Nobël.
Pa qënë nevoja të komentoj rreth shkrimit, që vë në dukje një fakt të njohur, që ¼ e fituesve të Nobelit janë me origjinë hebre, po shtjelloj ato sa di rreth “enigmës” të këtij populli të pazakontë.
Duhet në fillim të bëj disa thjeshtime të “mitit” të çifutëve si më të zgjuarit dhe më të zotit mes popujve të tjerë. Të qënit hebre, nuk është se i përket një populli apo një race të caktuar. Vertet duhet të kesh nje lidhje gjenetike nga ana e nënës, por të qënit çifut është t’i përkasësh fesë çifute. Edhe në lëvizjen e parë të madhe të tyre jashtë Judeas(atë që quhet Diaspora e shekullit të parë të Erës sonë, edhe pse ka pasur dy të tjera para saj), jo të gjitha familjet që e quanin veten çifutë ju përkisnin gjenetikisht 12 fiseve të përshkruara në Dhjatën e Vjetër. Lëvizja e çifutëve në gjithë pellgun e Mesdheut si dhe në Lindjen e Mesme dhe më larg, kishte dhjetra shekuj që ndodhte dhe detyrimisht, jo vetëm që një pjesë e tyre ishin asimiluar, por edhe ata që e quanin veten të pandryshuar nuk kishte se si mos kishin patur perzjerje gjaku me popujt e tjerë.
Sigurisht, ruajtja e identitetit fetar dhe atij gjuhësor ka rolin e veçantë në mbijetesën e një popullsie, që edhe pse mund të mos jetë gjenetikisht identike, ka shumë gjëra të përbashkëta në filozofi, zakone apo mënyrën e jetesës. Dhe kjo vlen për të ravijëzuar shpejt e shpejt “shportën” e madhe ku përmblidhen çifutët e këtij globi.

Po fut një paragraph për të treguar, që habija jonë rreth “magjisë hebre” lidhet shumë me mungesën e madhe të informacionit , që kishim rreth tyre në kohën e diktaturës. Për shumë arsye, por kryesisht për shkak të lidhjes së Izraelit me Amerikën, si dhe të identitetit disi fetar të shtetit të Izraelit, gjatë “komunizmit” shqiptar flitej shumë pak rreth tyre. Përmendej holokausti dhe kishte edhe disa libra të mirë rreth krimeve të nazizimit ndaj tyre, por jo më shumë se kaq. Në Shqipëri nuk kishte pasur kurrë ndonjë sinagogë dhe në qytetin tim as edhe jë familje të vetme çifute. Emri i tyre, si në gjithë perandorinë Otomane ishte i shoqëruar me tregëtinë, cingunllëkun dhe një lloj sjellje prej fajdexhinjsh, por jo më shumë se kaq. Në shtëpi, rreth tyre kishte një minus më tepër, se falimentimi i gjyshit në Stamboll i “ishte faturuar” ortakut të tij çifut, por më vonë, kur isha rritur dhe ish në gjendje të vija në dyshim shumë gjëra, e kuptova që çifutët nuk ishin aq të këqinj derisa gjyshi edhe pse mes shqiptarësh e grekësh, kishte zgjedhur një të tillë për ta bërë ortak në biznes. Kjo që po them është pak a shumë informacioni që kishte i gjithë brezi im dhe para nesh, duke përjashtuar këtu njerëz shumë shumë të kënduar.
(vijim)

Tuesday 13 May 2014

Konçita dhe avazet tona

Fitorja e një femre me mjekër në Festivalin e fundit Europian na bëri të gjithëve të mendojmë edhe njëherë rreth raportit tonë me problemin “gay”. Eshtë një temë, që thuajse të gjithë i shmangemi, sepse jemi rritur në një shoqëri të çuditshme. Nga njëra anë hiqej si e Majta më e përparuar dhe në anën tjetër i fuste homoseksualët në burg, po njëlloj si bënin Diktaturat e Djathta. Tradicionalisht, që në fillimet e shek. të XX-të, komunistët ishin pro-gay dhe për një liri seksuale. E megjithatë, në Shqipëri si çdo gjë që është sëprapi edhe i ashtuquajturi komunizëm ishte një lloj kaçamaku, që do më shumë faqe ta ç’koqitësh.
Pra ne u rritëm me një përbuzje për homoseksualët, e kultivuar kjo në mjediset familjare e shoqërore, sepse në shtyp apo në libra problemet e seksit ishin tabu. Por duhet të pranojmë, që shoqëria shqiptare ishte shumë injorante për problemet e seksit në përgjithësi.
Kjo sjell sot, që ne të kemi droje të shoqërohemi me “shokë gay”, të mendojmë ndonjëherë me frikë“mos na del ndonjë nga fëmijët gay”, apo edhe thjesht ta ngremë çështjen e mbrojtjes së të drejtave të tyre,se mos të njohurit mendojmë me dyshim “Po ky ç’ka që i mbron kaq shumë këta pedet?” E megjithatë homoseksualët janë dhe problem i tyre ekziston. Mjafton ky fakt që të na bëjë të mendohemi dhe të rektifikojmë bindjet tona rreth tyre.
Konçita ose Tomi është një “drag queen”, që këndon bukur. Për të mos u hequr shumë “mendjehapur” duhet të them që në rast se ndodhem në një tryezë feste, nuk do ulesha pranë saj, por të njëjtën gjë do bëja ndaj një babushka me shumë qime në fytyrë. Eshtë thjesht një lloj imazhi me të cilin nuk jemi mësuar të hasemi çdo ditë. Duam apo nuk duam ne, mendja është struktuar gjatë jetës me modele të caktuara të së bukurës apo të së natyrshmes. E njëjta gjë do vlente për një femër a mashkull të mbuluar fund e krye nga tatuazhet. Por pikërisht këtu mbaron liria ime për të zgjedhur vendin ku të ulem dhe fillon liria e Konçitës apo babushkës, që të ulet ku të dojë. Askush nuk ka të drejtë ta përçmojë, t’i hedhë shikime të këqija apo më shumë akoma ta fyejë me fjalë. Njerëzit që janë të ndryshëm apo shumë të ndryshëm nga ne janë shumica e kësaj bote ndaj po të jemi me mend është e mira t’i pranojmë.
Para disa vitesh, një individ/e shumë inteligjent/e ndërpreu lidhjen martesore se ishte gay. Nuk mund ta kishte bërë hapur në Shqipëri, sepse e tillë ishte shoqëria, por e bëri në emigrim. Nuk dua të them se është një gjë fare e thjeshtë për familjen apo të njohurit. Por dua që ai/ajo apo njerëzit e tij/saj të mos kenë brengën shtesë të “C’do thonë bota!” Besoj se cilido gay që ka pasur një të kaluar në marëdhënie “jo-gay” kalon një dramë psikologjike brenda vetes deri sa vendos të dalë hapur. Një lloj tjetër drame kalojnë familjarët. Por atë që duhet t’ju kursejmë është drama, që ju shkaktohet prej mendimeve tona të mykura. Dua t’ju them hapur njerëzve të tij/saj” Jini krenarë për veten tuaj dhe për njeriun tuaj! Ajo që bën nuk i takon tjetërkujt!”
Problemi i homoseksualëve do vazhdojë të jetë gjatë në jetën e shoqërisë njerëzore. Shkenca ende nuk ka thënë fjalën e fundit, se pse ekziston dhe a varet nga faktorë të tjerë jo biologjikë apo hormonalë.

Le t’ju lemë kohë shkencëtarëve dhe duke qënë njerëz besimtarë apo jo le të duartrokasim në fund të këngës Konçitan!(Sigurisht ata që pëlqejnë atë lloj muzike dhe atë lloj interpretimi.)

Wednesday 7 May 2014

Ne këtu jemi për të bërë para!

Nuk di se kush e tha i pari këtë dhe as se nga cili e kam dëgjuar unë. Ishte fillimi i viteve ’90, kur në mes entusiazmit, frikës për të mos humbur Lirinë e posafituar, amullisë, boshllëkut ligjor, mungesave në treg, një grup i madh njerëzish, pavarësisht nga njeri- tjetri filluan të kërkonin para për shërbimet, që ju bënin të tjerëve në vendet ku punonin. Sigurisht e kam fjalën për ata që punonin në administratën qendrëre dhe vendore, në gjykata dhe të tjera institucione shtetërore dhe jo ata në sektorin privat, që jetojnë duke u paguar për shërbimet që bëjnë. Ishte koha e rënies  të Diktaturës dhe e të ashtuquajturës Qeveri të Stabilitetit. Para filuan të kërkoheshin për objektet që privatizoheshin, në dogana, në tatimet, për të marrë liçenca dhe deri në marrjen e një çertifikate në Gjendjen Civile. Ishte një dukuri, që kishte ekzistuar më parë në përmasa tepër të vogla, pikërisht nga frika e Diktaturës, por edhe një qëndrim përbuzës i njerëzve, sidomos të qyteteve ndaj “rryshfetit”.
Më kujtohet që një miku im, kur kishte takuar një bashkënxënësin e tij të shkollës tregëtare Vlorë, në Tiranën e vitit ’91-’92 dhe pasi i kishte treguar që dhe ai punonte në Tatimet, por nuk merrte “para nën dorë“, tjetri e kishte parë i çakarritur dhe e kishte pyetur: “ Ke kuptuar se në ç’botë jeton?” Dhe kështu kaluan gradualisht vitet ’90, ku një pjesë e mirë e nëpunësve mësuan se në ç’botë jetonin dhe pse ishin në atë vend pune. Për të mos mbetur pas filluan edhe të tjerë në të gjithë sektoret shtetërore: polici, arsim, shëndetsi, ushtri e kudo ku ka nga ato paratë me emrin “publike”. Natyrisht nuk janë të gjithë të tillë dhe për më tepër, numuri i nëpunësive ku mund të bëhen para është i kufizuar. Ato më të frytshmet janë më të lakmuarat dhe gllabërohen nga militantët pas fitoreve në zgjedhje.
Pa dshur të bëhem moralist, por duke parë thjesht me syrin e një pragmatisti këtë periudhë 22-23 vjeçare them se sa dritëshkurtër kemi qënë. Sot, për gjendjen e dëshpëruar në të cilën ndodhet vendi mund të drejtojmë gishtin me lehtësi nga poilitikanët e gjallë dhe në ata që kanë vdekur. Por harrojmë atë më kryesoren, që na ndodhi përditë mes nesh, kur theshim “të tërë marrin para, pse mos marrë dhe ai!”, “si s’u bë kësmet të vinin një njeriun tonë në doganë“, “ atij bravo i qoftë se është djalë i shkathët dhe e shfrytëzoi mirë vendin” e sa e sa të tjera si këto. Asnjëherë nuk menduam gjatë se pasurinë e familjes sonë të vënë me punë apo dhe me rryshfete, nuk mund ta kemi të sigurt po qe se nuk ndërtojmë dita ditës një ndërtesë të fortë që quhet SHTET. Shteti për ne mbeti Armiku ose vendi ku sa më lart të punësohemi aq më shumë mund të bëjmë para!
Tani në vend të një ndërtese të fortë kemi një karakatinë të paqëndrueshme, të krimbur nga themelet e deri në strehët nga korrupsioni.
A mund të ringrihet gradualisht diçka e fortë. Nuk është e pamundur! Dhe duhet bërë në rast se nuk duam të rikthehen Diktatorët e Majtë apo të Djathtë.


Tuesday 6 May 2014

Përse është e rrezikshme propaganda pro “të pakorrupueshmëve”.

Nuk doja të bëja kët shkrim-përgjigje ndaj një shkrimi të sotëm në FB, por e ndjej si të rrezikshëm ndaj dhe do mundohem të jap një përgjigje demaskuese.
Në kohërat e krizave të mëdha ekonomike të shekullit të kaluar, (por edhe në këtë shekull), janë ngritur shpesh lart zërat kundër korrupsionit të politikanëve, dështimeve të sistemit politik ekzistues dhe sidomos kundër ‘butësisë“ së tij. Këto ndodhën menjëherë pas luftës së parë në Itali, në kohën e Republikës së Vajmarit në Gjermani, në Spanjën ku kishte fituar e Majta. Ishte e vërtetë, që sistemi parlamentar nuk funksiononte mirë, kishte rrënie ekonomike dhe rritje të krimit, si dhe rënie të krenarisë kombëtare të Kombit. Dhe faji për këtë i vihej udhëheqjes së vendit dhe jo pa të drejtë. Ideologët kryesorë populistë kërkonin një system të drejtë e të ashpër për të rikthyer vendet e tyre në lavdinë e të shkuarës. Kështu njerëzit, që nuk kishin parë deri atë kohë se ç’ishin Diktatorët që lindnin pas demagogjisë së “Republikës së Virtyteve” të thënë 130 vjet më parë nga jakobini Robespier i ndoqën pas Musolinin, Hitlerin dhe Frankon.
Më i “pakorruptueshmi” ishte i dyti. Sigurisht nëse me korrupsion mendojmë thjesht shfrytëzimin e pushtetit për pasurim personal apo për luks dhe qejfe. Edhe pse kishte në dorë gjithë Gjermaninë, ai kishte në llogarinë e tij vetëm të ardhurat nga shitja e “Mein Kampf”. E megjithatë është njeriu më i rrezikshëm, që ka lindur për sa kohë njihet historia e shkruar e Njerëzimit. Ishte i”korruptuar” nga dëshira për të shpënë në dhomat e gazit të gjithë ata, që mendonin ndryshe nga ai. Ishte “i korruptuar” në të gjitha indet nga etja për të bërë realitet një shoqëri si ajo e fantazive të tij të sëmura. Për fat të keq miliona e ndoqën dhe ndodhi ajo që ndodhi. Por për fatin tonë të keq, miliona të tillë janë gati edhe sot të ngrenë kultin e “të pakorruptueshmit”. Atij që shpie në gijotinë me mijra, për të pastruar shoqërinë me Terror, që të vijë një e ardhme e ndritur, si ajo që ka ëndërruar në apartamentin e tij të vogël.
Bota ka njohur në disa mijëvjeçarët e jetës së saj me dhjetra figura udhëheqësish altruistë, të sakrificës, të pakorruptuar as nga lavdia dhe as nga pushteti. Nuk po ndalem të përmend emrat e tyre.
Por të bësh hosana për Robespierin dhe të quash të korruptuar Dantonin, pasi ke shprehur simpatinë e fshehur për Hitlerin dhe më të hapur për Marinë Lë Pen, do të thotë të përkundësh ndienjën e fshehur të “mbinjerëzve”, që kërkojnë një shtet të fortë për një shoqëri të pastër!
Kjo nuk është gjë tjetër veç thirrje e hapur për fashizëm!
Kishte mijra pseudointelektualë dhe njerëz të kamur, që ndihmuan me fjalë e shkrime ardhjen e Hitlerit në fuqi nëpërmjet votive në Gjermani. Shumë syresh e dinin që ishte i çmendur, por ju pëlqente fakti që mund të bënte ta ndiqnin njerëzit e varfër birrarive kur mbante fjalimet e tij të zjarrta. Donin një pushtet të fortë si alternativë ndaj “degjenerimit” të shoqërisë gjermane të kohës së Vajmarit. Dhe përfunduan ata vetë dhe miliona njerëz në gërmadha!
Ja pse janë të rrezikshme shkrimet që thurrin lavde për ata, që kanë ushtruar terror shtetëror!

Dhe janë po aq të rrezikshme edhe ato “like”, që vihen lehtë, pa menduar se ku shpie jakobinizmi!

Shqipëria e Kapterëve

Kapter është një gradë më duket nënoficeri në Ushtrinë tonë, ose ka qënë e tillë para 1966-ës. Pastaj Partia i hoqi gradat dhe oficerët dhe nënoficerët edhe pse u thartuan pak, i zbatuan ushtarakisht direktivat e Partisë. Rroga dhe lavdia nuk varej më nga grada, por nga detyra që kishe dhe njësia të cilën drejtoje. E kopjuan nga kinezët, apo i shkoi mendja vetë shokut Enver, kur mendonte ditë e natë për të mirën e atdheut socialist, këtë nuk e kam dëgjuar as në intervistat e Nexhmije dh e Liliana Hoxhës.(Le që kjo e fundit ka hyrë në familjen Hoxha pasi u hoqën gradat dhe edhe pse i di të gjitha, këtë nuk ka nga ta dijë.)
Po le ta lemë sho Enver atje ku është se fundi ai kur hoqi gradat ishte edhe Komandant i përgjithshëm edhe Gjeneral dhe që fare lehtë mund të ishte bërë Mareshall, por thjesht se nuk donte të imitonte Titon ndenji me një gradë më të ulët. Pra u sakrifikua vetë i pari dhe doemos pas tij dhe qindra generalë, mijra majorë, dhjetramijra kapitenë  dhe një qindmijshe e plotë me Kapterë. Kjo ndodhi gati 50 vjet më parë dhe një numur jo i pakët i kapterëve të degraduar ndoshta nuk janë më në mes tonë. (Me mall kujtoj ish-kapterin Selkë, ku vinim e mernim bazën material për tu stërvitur sa më mirë për mbrotjen e atdheut).
Duke patur një kujtesë jo shumë të gjatë si popull ne harruam se ç’u bënë kapterët e mbetur. Gjithshka që ata dhe populli kishin krijuar në një gjysëm shekulli ishte thjeshtuar në pako gjë dhe për shumicën e tyre nuk kishte më as punë dhe as uniformë. Do më falni, që shpesh herë mund të quaj kapterë edhe ushtarakë të tjerë që kanë ose kanë pasur grada më të larta, por kjo lloj injorance(për mos e quajtur mosnjohje) mua më lejohet se jetova në një periudhë jokaptere dhe kur u rifutën kapterët, kapitenët dhe deri në generalët, unë ja mbajta matanë oqeanit. Për të qënë i drejtë, po e quaj edhe veten një ish-kapter rezervist, se mbas mbarimit të studimeve universitare dhe një zbori tremujor, mu dha diploma e oficerit artilier në rezervë, pra ju bashkova armatës të ushtarakëve të popullit ushtar.
Të ndalem gjatë në temën e popullit ushtar, dashurinë tonë për armët, thënien që e “kemi ëarë rrugën e historisë me shpatë në dorë“ do të thotë të shkruaj vëllime të tëra që do më tërbojnë edhe mua, e jo më lexuesit tim të pakët, të dashur dhe zevzekë. Ndaj do ndalem në rolin e kapterëve në jetën e shoqërisë shqiptare prej vitit 1991 e deri më sot. Në kapterët me shkollë e pa shkollë, që kanë mbajtur me dëshirë dh e nder uniformën e pjestarit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Do bëj një kapërcim të javës së hidhur të marsit 1997, kur 99% e tyre i lanë depot e armëve dhe repartet ushtarake pa zot e pa shkop, se ajo javë ka mbetur ndër ngjarjet më të paspjegueshme për ne, që e kemi jetuar dhe vetëm stërnipërit tanë, me inteligjencën dhe objektivitetin që do i karakterizojë, do e zbulojnë se ç’ju ndodhi gjithë shqiptarëve me uniformë ato net dhe do ja spjegojnë atyre nga ne që do kenë mbetur gjallë.
Po filloj me një nga kapterët më të sukesshëm të fillimit të viteve ’90. Vehbi Allmuçën ose si të mirënjohurin President të VEFA Holding.
(vijon)


                                                                                     

Saturday 3 May 2014

Kali arab dhe Ilir Meta

Thonë që Metës i dhuruan për ditlindjen një kalë arab race. Thonë, se unë as e kam parë dhe as e kam lexuar kund. Po meqë ku ka “bajga” ka edhe kuaj unë po e marr si të vërtetë, se mes 600 të ftuarve në ditlindje do ketë patur edhe një të tillë, që ka shumë para dhe shumë dashuri për Metën sa t’i dhurojë një kalë race.
Nuk ja kam idenë, se ç’ju dhurojnë këtej në ditlindjet e politikanëve apo të njerëzve me pushtet, por nuk kam dëgjuar në 15 vjetët e fundit ndonjë festim madhështor në Amerikë dhe në Kanada. Nuk e ve dorën në zjarr për Meksikën.
Kur e mendoj hollë hollë, kjo puna e kalit arab, edhe po të jetë e vërtetë, atij i duhet verifikuar pak origjina, mosha dhe sigurisht edhe aftësitë vrapuese nëse është kalë nga ata të garave. Nuk di nëse dikush mund të na ndihmojë për këtë, se vetë familja Kryemadhi-Meta me siguri nuk e ka bërë duke i qëndruar besnike shprehjes: ”Kali i falur nuk shihet nga dhëmbët”. Se mund të jetë nga ata kuajte moshuar të garave, që në Itali i shesin për të bërë sallam dhe italianët nuk e kanë për gjë të falsifikojnë dokumentat dhe një gërxho 9 vjeçar ta paraqesin me pashaportë të një 3-vjeçari. Se fundja shprehja “Bon pour l’Albanie”, që përdorej në kohën e Zogut për të diplomuarit në Europë, mund të përdoret më me efikasitet për kuajt e racës. Ndaj mund të ketë një marrëveshje mes biznesmenit rrufjan dhe mafiozëve italianë për të paguar 20 mijë euro dhe dhurata të duket si një milionshe.
Ju të dashur miq mund të më hidheni në grykë e të më thoni:” Po ti nga e di që ka qënë biznesmen dhe jo një politikan tjetër, pjesëtar i medias apo edhe familjar?” Unë do mbledh supet e do mbrohem duke thënë , që mundësia më e madhe është të jetë ndonjë biznesmen që do hedhë kalin të zerë karvanin ose autostradën, ose edhe kompaninë ajrore, se një mesazh pas këtij kalit është fshehur de! Se Rama, Kodheli, Haxhinastoja apo ndonjë politikan tjetër nuk të dhurojnë as “barrën e zgjebes” dhe jo më kalë race. E njëjta vlen për gazetarët dhe bosët e tyre. Mbase dhurata special është bërë nga biznesmeni kontrabandist Nar Koka, që ishte në tryezën kryesore me çiftin Meta, çiftin Rama dhe me vëllanë e tij Teri. Nari mund ta ketë edhe kalë të vjedhur xhambazësh, se kur ka qënë në burg ka njohur disa të tillë.
Mund të jetë edhe një dhuratë e ndonjë biznesmeni shumë të afërt me Ramën, i cili duke ditur lëvizjet e fshehta që po bën Meta për t’i gllabëruar PS-në, i dhuron kalin me mesazhin që do i duhet një ditë tamam si Rikardit të III, që klithte “Një kalë, një kalë, jap mbretërinë për një kalë“. Në këtë rast kali mund të jetë vërtet race dhe me një vlerë të konsiderueshme, se jo vetëm që ka paguar biznesmeni, porse Rama bën hesap që pas disa vitesh t’i marrë Metës LSI-në, një pjesë të pasurive bashkë me kalin dhe t’i lerë vetëm Monikën Krymodhe.
- Po mirë këta që i kanë vënë punët e Shqipërisë dhe të tyret më terezi, po kalin arab pse e përgojon?- mund të më pyesni me plot të drejtë.

Kur nuk kam se ç’ju bëj “gomerëve”, sigurisht që nuk mund të sulmoj zebrat. Në Shqipëri nuk kanë erdhur ende. Ndaj i lëshohem plot inat kalit arab!

Shtojcë për shkrimin "SHSHA"

Mësova diçka dje, që më detryron të shkruaj disa rrjeshta, si shtojcë e shkrimit “Shkolla Shqiptare e Arkitekturës”. Duke qënë kaq larg Tiranës, por edhe i shkëputur nga kontaktet me Universitetin e Tiranës, nuk kam ditur, që ing. Tamara Gjoka(Eftimi) është e sëmurë dhe kalon një pjesë të kohës në një karrocë me rrotëza. Zysh Tamara(si e thërrisnim gjatë viteve të shkollës)nuk duhet të jetë më shumë se 67-68 vjet, por sëmundja i ka cënuar duket një pjesë të energjive fizike. Uroj të jetë sa më e përkohshme kjo gjendje dhe ajo t’i kthehet aktive jo vetëm jetës familjare, por edhe veprimtarisë profesionale!
Këto rrjeshta janë një reflektim njerëzor, për ata njerëz me të cilët kemi filluar rrugën e gjatë të profesionit. Shumë syresh nuk janë më. Do përmend vetëm ata të Katedrës së Arkitekturës, se me ta kishim edhe marëdhëniet më të afërta dhe më vonë e konsideruam veten kolegë të tyre.
Më ngjan, se i pari që u largua ishte ing. Ilia Papanikolla. Për Ilian kishim një simpati të veçantë, se jo vetëm dinte të spjegonte mirë, jepte gjithshka nga bagazhi I tij, por kishte edhe një “dorë“, që do ja kishte zili çdo arkitekt në botë. Skicat e tij në dërrasën e zezë shpesh na linin gojëhapur. Ilia pati një infarkt, kur ishim studentë dhe kur shkuam ta vizitonim në Spitalin nr 1 na tha me të qeshur “hëëëë…për pak e preva bietën për andej!” Na vinte keq për të, se na dukej që në sëmundjen e zemrës kishte ndikuar edhe një frikë e vazhdueshme e tij nga përndjekja. Vinte nga një familje e pasur korçare dhe ishte martuar me sa di me një të huaj. Pyesja shpesh për të dhe vonë mësova se kishte ndërruar jetë në Itali, ku edhe kishte punuar si arkitekt për shumë vjet.
Ndoshta në të njëjtën kohë duhet të ketë humbur jetën në rrethana tragjike ark. Miriam Bubsi. Miriami nuk na dha mësim, se posa ishte emëruar pedagog, kur ne ishim në vitin e tretë. Ai jepte mësim në vitet e para, por e kishim njohur kur ishim bashkëstudentë. Miriami ishte i talentuar dhe dukej një profesionist me vullnet e sqimë. I hapur dhe shumë i butë, pa asnjë lloj agresiviteti, i gjori Miriam u gjet i vrarë në Dajt. Ende nuk kam lexuar të jetë zbardhur misteri i vrasjes së tij rreth  vitit 1998.
Ka shumë vjet, që është larguar Shefi i Katedrës, profesor Besim Daja, një nga themeluesit e Universitetit të Tiranës. Profesor Besimi ishte një njeri babaxhan dhe që dëgjohej në nivelet e larta, ku vendosej për çështjet kryesore të ndërtimeve në qytetin e Tiranës, qytet të cilin e njihte mirë. Prof Besimi na jepte një nga lëndët kryesore- Bazat e Projektimit. Kishte cilësi të mira njerëzore dhe duhet të jetë larguar i qetë, në një moshë të shtyrë dhe i rrethuar nga dashuria e familjes dhe e miqve të tij. Eshtë e çuditshme, që nuk ka asgjë të shkruar në Wikipedia rreth jetës së tij. Eshtë një nga arkitektët e parë të diplomuar pas Luftës së Dytë Botërore. Kishte studiuar në fillim në Beograd e më pas në Moskë.
Parvjet u largua papritur prof. Enver Faja. E kisha takuar herën e fundit në studion e Agron Lufit më 2004 dhe ishte plot vitalitet dhe dukej shumë i ri. Folëm gjatë, kryesisht për problemet e Urbanistikës së Tiranës dhe rolit negativ të Bashkisë së asaj kohe. Më vonë pata mësuar, që projektonte dhe jepte mësim pa ndërprerje. U cudita kur mësova për shuarjen e tij, se kishte mbetur në mendjen tonë, po aq i ri sa ishte në kohën kur ne ishim studentë. Ishte një Urbanist që fliste me shumë pasion për të gjitha problemet që lidheshin me ndërtimet, mjedisin etj. Na dha lëndën e Urbanistikës së Qyteteve si dhe atë të Fshatrave, gjatë dy vjetëve të fundit të studimeve.
U mundova të gjej diçka në Internet rreth pedagogut Isuf Sukaj, por nuk pata fat. Uroj të jetë shëndoshë e mirë tani që duhet t’i ketë kaluar të 80-tat. Ark. Sukaj kishte mbaruar në Ceki, si arkitekt për ndërtime bujqësore dhe na dha këtë lëndë në vitin e tretë. Po atë vit, për shkak të numurit të pakët të nxënësve dhe mosangazhimit të pedagogëve të jashtëm ark. Sukaj na dha lëndën e rëndësishme të Kompozimit Arkitekturor dhe na udhëhoqi në dy projekte Kursi, në atë të Banesës Kolektive si dhe atë të Kinemasë. Ishte shumë i interesuar të ndihmonte qytetin e lindjes Kavajën, se në vit të tretë, një periudhë u angazhova me të në projektimin e Stacionit të Trenit të Kavajës. Nuk mësova se si i shkoi filli më vonë atij projekti.
Pedagogët e tjerë të katedrës, të cilët na dhanë mësim gjatë viteve të studimeve janë arkitektët Agron Lufi, Vera Bushati(Kapo) dhe Engjëll Dhrami. Ndoshta tani janë më pak aktivë në mësimdhënie dhe merren më tepër me projektim apo konsultime. Për Lufin kam shkruar më gjatë në shkrimin “Shkolla Shqiptare e Arkitekturës”. Duhet të shtoj, që ishte pedagogu, që kërkonte më shumë nga vetja dhe dinte më shumë rreth arkitekturës bashkëkohore. Me të mund të flisje rreth çdo fushe të arkitekturës dhe të mësoje prej tij. Në fillim të vitit të dytë, Katedra bëri një përpjekje për të rifutur një studio projektimi të vërtetë brenda saj. Angazhuan edhe tre studentë të vitit tonë, përfshirë edhe mua. Lufi ishte më i angazhuari dhe më autoritari. Vazhdoi gjatë viteve të tjera me projektimin e konvikteve dhe mencave të Qytetit të Studentit ndërsa jepte mësim.
Vera na jepte Historinë e Arkitekturës dhe kishte një sjellje shumë njerëzore. Vërtet lënda konsiderohej e dorës së dytë dhe për të në atë kohë nuk kishim libra, por kujtoj që marëdhëniet student-pedagog me të ishin të ngrohta.
Më të afërta i patëm me ark. Engjëll Dhramin, i cili na jepte Vizatim të Lirë, por edhe na drejtonte në ‘pjesët” e tjera të trekëndëshit revolucionar- Punë Prodhuese dhe në Ushtarake. Enxi(si e quanim me të qeshur) ishte më i ri se pedagogët e tjerë dhe na trajtonte si të barabartë. Më vonë mësova se u profilizua si urbanist dhe drejtonte Katedrën e Urbanistikës. E takova në zyrën e tij në Universitet 10 vjet më parë dhe kishte mbetur i njëjti njeri i thjeshtë dhe i sjellshëm. Nuk di se sa peshë kishte në problemet e Urbanistikës dhe arkitekturës së tiranës, por shpesh herë, specialistët nuk i dëgjon kush në Atdhe.
Këta ishin pedagogët e mij dhe të bashkëstudentëve të mij gjatë 4 vjet e gjysëm studimesh dhe mbrojtjes së diplomës. Agron Lufi drejtoi diplomën e Genc Barbullushit, e cila ishte diploma më e kompletuar dhe më serioze e vitit tonë. Nuk kujtoj nëse Enver Faja ishte udhëheqës I Linda Murthit dhe Edi Nurishmit, të cilat u diplomuan me një studim rreth Arkitekturës dhe Urbanistikës së Tiranës para Luftës së Dytë. Në Komisionin e Diplomës bënin pjesë Vera Bushati dhe Enver Faja, ndërs firma e prof. Besim Dajës do jetë gjithmonë në Diplomat tona.

Nderim për ta dhe për ato që kanë mundur të bëjnë!

Friday 2 May 2014

Docerit (2)

(vijim)
“Pse merresh me doçërit?”- do më pyesë këshilltari juridik I avokatit tim, se nuk do diskutime të kota dhe të tilla që mund të lëndojnë padashje ndonjë doç të njohur e të panjohur. Po i përgjigjem që nuk kam asgjë kundër tyre, sepse jo vetëm nuk i ka pyetur njeri kur i solli në këtë jetë, por shpesh, disa që kam njohur janë më të zgjuar se të tjerët dhe si rrjedhim edhe më interesantë. Mua më pëlqen të vras mendjen rreth fjalëve, që kanë një tingëllim të veçantë në shqipen tonë të dashur dhe të gjej se pse të pëlqen më shumë të përdorësh këtë fjalë se sinonimin e saj. Psh “doç” është ku e ku përpara sinonimit “kopil”. Më pëlqen edhe se është një fjalë që nuk mund të kthehet në folje. Shpesh, autorët shqiptarë mendjendritur dhe jo vetëm mendjendriturit, krijojnë folje nga emrat dhe emra nga foljet, por me emrin “doç” nuk ju ka ndritur. Me “kopil” po, se përdoret folja “kopiloj” edhe pse kuptimi nuk  është ‘veproj si fëmijë illegal”, por “punoj si shërbëtor I ulët në një derë tjetër”. “Doçoj” jo vetëm nuk është përdorur deri më sot, por edhe arradhja e gazetarëve me disa diploma në Shqipëri e Kosovë e ka zor t’i gjejë një kuptim e ta përdorë në mënyrë efikase.

Para 6 muajsh, Parlamenti Italian nxorri një ligj, ku shkruhej se prej vitit 2013, të gjithë fëmijët Italianë do trajtoheshin njëlloj! Domethënë deri në vitin 2013, “doçërit” në Itali nuk kishin të njëjta të drejta me fëmijët e ashtuquajtur të ligjshëm. U ndjeva krenar për popullin tim, që edhe para Luftë së Dytë i kishte trajtuar “të paligjshmit” njëlloj si gjithë të tjerët dhe pas Luftës kjo ishte sanksionuar me ligj. Nuk di sa ka të bëjë kjo me udhëheqësit shqiptarë të shekullit të XX-të. Se edhe pse udhëheqës me shumë pushtet edhe Zogu dhe Enveri nuk ishin në gjendje të hiqnin tërë popullin pas hunde në çështjen e “doçërisë“. Ka diçka më të thellë, që duhet t’i ketë rrënjët thellë në historinë e lashtë të këtij populli të shumëvuajtur. Një miku im hedh dyshimin se mbase ka të bëjë me copëzimin e terrenit dhe mungesën e rrugëve. Duke mos patur mundësi këmbimi dhe martesash larg, shqipfolësit detyroheshin të çiftoheshin shpesh mes fisit dhe si dihej nga më të mënçurit mes tyre, këto lidhje shpesh sillnin degjenerimin e llojit. Ndaj ndoshta kryepleqtë nëntëdhjetvjeçarë mezi prisnin të vinin balozët apo kuqalashët nordikë dhe këtë ngazëllim ja përcillnin gjithë tribusë. Se dhe s’ka se si spjegohet ndryshe që mes një fshati të madh rondokposhës toskë, dalin dy tre familje me kuqo të gjetë dhe të egër(Nga ndoshta rrjedh edhe shprehja- Kuqoja më i mirë ka vrarë t’anë!...se e kuptonte që nuk ishte babai i vërtetë). Ndaj, po të pranojmë hamendësimin e shokut tim, kryepleqtë, që mezi prisnin ardhjen e taborrit me kuqo, apo edhe të kuqos shtegëtar, nuk mund të detyronin veriorët teutonë të martoheshin me bijat e fshatit. Thjesht mirëprisnin dhe vlerësonin doçërit.
(vijon)