Tuesday 31 January 2012

Na humbi filli i krereve te "Perdhunimit". Megjithate jemi ende ne fillim.

                        ARKITEKTI I PERNDJEKUR


           
Ai kishte qënë gjithnjë I persekutuar. Nga të gjithë. Në mënyrë të pavarur nga sistemi politiko-shoqëror. Nuk e kishin kuptuar ose nuk ishin në gjendje ta kuptonin. Bile e kishin futur edhe në burg. Pikërisht, kur ishte duke punuar për kryeveprën e tij, Muze-Videotekën e Krimit Politik. Gjashtë vitet e izolimit nuk kishin qënë aq të rëndë sa i kishte menduar i tmerruar kur u dha vendimi. Punoi në një zyrë të vogël nëntokë dhe kishte vizatuar projekte kapanonesh e barangash. E vetmja gjë, që e tmerronte ishte mundësia e ridënimit, por kur vinin inspektorët, që hetonin për sjelljen e të dënuarve, ai futej nën shtrat dhe rrinte gjatë. Deri sa ata iknin. Pastaj kishte ardhur lirimi. Por më shume se koha e humbur nëntokë, e kishte munduar fakti që të gjithë e shihnin vëngër; të përmbysur e të rikthyer në pushtet, të vjetër e të rinj, të së djathtës përparimtare dhe të së majtës të përmbajtur. Të gjithë. Thua ajo ç’ka ai donte të projektonte i pezmatonte të tërë. Pavarësisht nga seksi. Thua se volumet e ndërthurur dhe linjat e kithta, që ai konceptonte mundimshëm, ju kujtonin vdekëtarëve të tjerë se sa pak imagjinatë kishin.
Atëhere e kuptoi se flaka e krijimit që i digjej brenda tëmthave ishte mbinatyrore, qiellore, e pakapshme nga kërkush. Veç tij. A ndoshta dhe dikujt tjetër larg, në kohërat e vdekura ose në ato që vinin. Nuk kishte se si të ishte tjetërlloj. Ndaj vendosi, që çdo gjë që do projektonte më tej,  të ishte thjesht e bardhë, krejtesisht e bardhë, tejet fluide dhe e pandryshueshme njëkohësisht, me një bardhësi, që të ndjell duke të trembur dhe nuk të jep mundësinë e rrokjes së përmasave të tjera. E bardha e tingujve të dritës. Një lloj i të bardhës i paparë deri atëhere e që do merrte emrin e tij. Atë emër, te cilin kolegët që s'e kuptonin e përgojonin nën zë ne kafenë e Bashkimit të Arkitektëve, ose si e thërrisnin shkurt “Bashk-Ark-Kafe”.
            Diçka rreth këtij lloji të të bardhës qiellore i kishte shtjelluar Nënkryetarit të Bashkisë në takimin e parë, në zyrën e këtij të fundit, takim i cili solli në dritë idenë për Projektin “White City”. Bile ai kishte dashur ta pagëzonte projektin “Qyteti i të Bardhës Qiellore”, por Nënkryetari, i cili shquhej për forcën e shpejtgjegjes, kishte ndërhyre duke thënë, që emri ka shumë Q-ë për të qënë një projekt serioz, dhe se doçëria në web do fillojnë ta shtrembërojne në “Qyteti i të Q…. Qiellore”. Për më tepër, nje emër anglisht  do ishte jo vetëm më në modë, por do apelonte më mirë tek sponsorët e huaj. Ai ishte tërhequr duke menduar, që edhe njëherë nuk e kishin kuptuar dot plotësisht. Sidoqoftë, kishte mbetur i kënaqur, që do ishte Manaxheri Teknik i projektit dhe autori i hyrjes të materialit shoqërues.
            Përpilimin e Hyrjes, nuk e pati aq të lehtë sa kishte menduar në fillim. E kishte nisur menjëherë pas takimit në Bashki, duke kujtuar se mëngjesin e mëpasëm do e linte në tavolinën e Nënkryetarit duke tejshkuar çdo hamendje të tij. Por çuditerisht, idetë aq qartë të formuluara në mendje, nuk shtjelloheshin po njëlloj në fletët e bardha. Sidomos vështirësi kishte patur në argumentimin filozofik, se vetëm lyerja me të bardhë e qytetit do ndikonte në uljen e korrupsionit dhe do i sillte pushtetarët më pranë shtresave të pervuajtura. Solli në kokë thënie të Biblës dhe Kuranit, si dhe diçka që kishte lexuar në një libër mbi Zen, provoi dhe disa nga argumentat e Revolucionit Arkitekturor, kërkoi të dhëna statistikore mbi shkallën e korrupsionit në disa qytete thuajse të bardhë përreth Mesdheut, por Hyrja nuk merrte dot trajtën, qe ai dëshironte. Prandaj e la të bardhë. Ai do ishte argumenti më i mirë, me universali. Me siguri do i pëlqente edhe Nënkryetarit, atij që fitonte gjithë debatet televizive me argumenta universale dhe shpejtgjegje plot kripë.
            Paragrafët e papërdorur për hyrjen, mendoi t’i zgjeronte në një libër për veten dhe arkitekturën, njëlloj jetëshkrimi arkitekturor, i pari në llojin e vet, si një sinfoni gërmash, vizash dhe fotosh, e padeshifrueshme nga të gjithë, por nxitëse për ata që kishin imagjinatë krijuese. Do ta titullonte “Unë dhe Arkitektura”, ose jo, më mirë do ishte “Spikatës mbi të Bardhën Qiellore” ose ose “Midis të Pamatës dhe Përjetësisë”. I shkrojti me të mëdha mbi murin verior të Studios, përballë tavolinës se kompjuterit dhe çdo mëngjes ju shënonte në krah pluse ose minuse, në varësi të mënyrës se si i tingëllonin. Më pas nisi të mendonte për permbajtjen dhe titujt e krerëve. Do kishte dymbëdhjetë të tillë, po aq sa muajt në një vit, ose më mirë sa kishin qënë apostujt. Dymbëdhjetë krejt të dallueshëm nga njeri tjetri dhe tejet origjinalë. Për shembull, i pari do titullohej “Tymi dhe Lëvizjet Volumore”, një tjetër do përmbante vetëm pjesë projektesh nën titullin “Ku ishe ti Korbyzje?”, një I tretë do kishte foto të maketeve dhe mund të thirrej “Funerali i Ritmit të Vijave”, ndërsa do ta mbyllte me tonet e fuqishme të kreut “Perëndia krijoi Ngjyrat-Arkitekti bëri të Bardhën”.
            Duke qënë shumë punëtor dhe metodik, filloi menjëherë me kreun e parë dhe humbi në hulumtimin se si ndikon lëvizja jo e një trajtëshme e tymit, që del nga një oxhak i një shtëpie fshati, në formimin embrional të një arkitekti. Në mendje i vinte kasollja e drunjtë me një qyngj teneqeje, që tymonte vazhdimisht, të cilën e shihte gjithë ditën nga dritarja e dhomës së zjarrit, kur ishte i vogël. Kasollja e vjetër në një ngjyrë kafe në të zezë, që dukej aq e mistershme në sfondin shumëngjyrësh të pyllit lisor të fundvjeshtës. Pastaj e shpinte mendjen në erën e mirë që mbanin drutë, që digjeshin në vater, erë që duhej të mbushte tej e tej edhe kasollen kafe në të zezë. Aty i kishte lindur në mendje të bënte kasolle, shumë kasolle, mijra të tilla me oxhaqe metali, nga të nxirrnin tym, një tym të bardhë, që të përdridhej e spërdridhej duke marë forma nga më të ndryshmet deri sa të bëhej një me qiellin. Tymnxjerrëset mendoi dhe u mundua të lidhë gjenezën me zjarrin, tymin, hirin dhe pambarimnajën. T’i lidhte sëbashku me fjalë dhe vija në Kreun e Parë të librit Jetëshkrues. Atij që dhe mund të titullohej “Unë dhe Arkitektura”.
            Vazhdoi të punojë për dy ditë të tëra, pa ndërprerë, duke pirë cigare dhe duke u kotur në të vetmin kolltuk të Studios. Kur kishte uri, merrte ndonjë sardele të kripur nga kutia e madhe e metaltë, që kishte blerë muaj më pare në Norvegji, në nje takim të Arkitektëve pa Kufij. Hante sardele të kripura dhe pinte uje. Pastaj rifillonte të shkruante duke pirë cigare deri sa ndjente nevojë të kotej. Kështu, dy ditë të tëra, të paharrueshme, itensive, me sekonda të ngjeshura e të përzjera me duhan, ujë dhe sardele të kripura. Deri sa i mbylli 12 faqet e Kreut të parë. Atij, që bënte fjalë për fillimet. Fillimet në fshatin pranë pyllit lisor, aty ku kishte shtëpi dhe një kasolle tymnxjerrëse, e cila herë dukej kafe dhe herë e zezë.
            Pastaj e lexoi ngadalë, e rilexoi edhe disa herë të tjera metodikisht, duke bërë korigjimet e nevojshme drejtshkrimore dhe u shtriq në kolltukun e studios. U ndje krenar për atë që kishte shkruar dhe për herë të parë nuk u skuq kur ju kujtua nofka Katnari, me te cilën e thërrisnin në shkollen e mesme. Tani do ishte ai, që do nënqeshte, kur t’ju dhuronte ish shokëve të klasës kopjet e librit te tij me kushtimin në cepin e sipërm të faqes së parë dhe të firmuar “Katnari”. Ishte rradha e tyre të skuqeshin. Të tkurreshin shpirtërisht vetëm nga mendimi, që kishin patur fatin të ishin në një klasë me gjeniun dhe s’kishin mundur të kuptonin asgjë; s’kishin arritur të vidhnin një grimë të të pazakonshmes, por ishin tallur dhe e kishin thirrur perbuzshëm me atë nofkë të shëmtuar. Por ai do i mëshironte. Nuk do tallej me ta. As dhe kur ta telefononin për t’i kërkuar spjegime për frazat e pakuptueshme  të krerëve katër dhe nëntë, bile as në mbrëmjen e kremtimit të titullit “Nderi i Qytetit”, titull që me siguri do i jepej shumë shpejt, pas suksesit të librit si dhe të projektit “White City”.
            Këto ishin mendimet e fundit, që rrëshqitën të mjegullta në mendjen gjysëm të fjetur, deri sa koka ju var ne tavolinën e punës, atje ku ishin kopjet e projektit të vetëm të ndërtuar, atij të hotelit “Adriana”.

Monday 30 January 2012

DY ATEISTE TE LARGUAR NE DHJETOR



Muajin që kaloi, bota humbi dy njerëz krejt të ndryshëm nga njëri tjetri. Kristofer Hiçens dhe Kim Xhong Il. I pari, një nga mendjet më të mprehta të njëqind vjetëve të fundit, gazetar, eseist dhe polemist i një niveli të jashtëzakonshëm. I dyti, një nga diktatorët e fundit të tipit të Stalin-Mao Ce Dunit, të cilët ka kohë që nuk i mbështet më njeri në botë.
Hiçens i shkolluar në shkollat më të mira të Anglisë, ndërsa Kim bir Kimi,  i shkolluar sipas edukimit marksist-leninist në Kinë dhe Kore.
Hiçens, i njohur për penën e mprehtë, përdorim të tepruar të alkolit, kurajon intelektuale, trockizmin, qëndrimin kundër luftrave veç asaj të Irakut dhe sulmet ndaj Nënë Terezës.
Kim bir Kimi i njohur për egërsinë e tij, pëlqimin e konjakut, kompleksin e Napoleonit dhe mospërfilljen ndaj jetës dhe lirisë së të tjerëve.
Të dy ateistë në dy polet e ateizmit të shekullit të kaluar.
Hiçens, liberal, i mençur, gjuhëhidhur, i papërkulshëm, i pamëshirshëm ndaj hipokrizisë të njerëzve të kishës apo të politikanëve.
Kimi, konservator, jotolerues, i papërkulshëm, i pamëshirshëm ndaj kundërshtarëve dhe hipokrit.
Hiçens ka pëlqyer të quhet si përfaqësuesi i "Ateizmit të Ri", ndërsa Kim është mjaftuar të ruajë Ateizmin Stalinian.
Sigurisht, që në botë ka miliona ateistë, të cilët nuk i ngjasin as Kimit dhe as Hiçens. Janë njerëz të rritur në kushte të ndryshme nga njëri tjetri dhe në përgjithësi me një edukim të mirë. Kuptohet, që mes tyre ka edhe vrasës, hajdutë, prostituta, për të cilët nuk ka gjë të shenjtë në botë veç parasë.
E megjithatë, nisur nga përvoja e Shqipërisë dhe vendeve të tjera ish-komuniste, të cilët kanë edhe numurin më të madh të ateistëve, ka diçka që më bën të trembem nga materializmi i pacak, që shoqëron individët dhe shoqëritë me një histori të tillë.
8 vende të ish-kampit socialist mbajnë vendet e para në botë për numurin e vetvrasjeve, si dhe edhe për kriminalitetin e organizuar. Shoqëri të dëmtuara, pa kohezion, me plot ide që jeta është një xhungël dhe më i forti fiton në të.
Dikush mund të thotë që nuk ka të bëjë aspak me ateizmin dhe sidomos me atë të tipit të Kristofer Hiçens. Ndoshta.
E megjithatë, unë do përulesha si njeri më shumë para dashurisë pacak të Nënë Terezës, se sa para mendjes brilante të Hiçens.

Wednesday 25 January 2012

Raqi (Olsi) me lodhe! Me lodhe Raqi!

Fëmija është një "tabula rrasa" thotë me bindje Olsi-mama dhe mendon që mësuesë dhe instruktorë shumë të përgatitur, të pajisur me metoda vërtet shkencore, do arrijnë të "gdhendin" në trurin e Olsit një reliev vërtet të nevojshëm për ta përgatitur intelektualisht në garën e vështirë të jetës. Olsi-baba mendon që edhe të dhënat vetiake të lindura ndikojnë shumë në suksesin që do arrijë fëmija në arsimim dhe dyshon në cilësitë e mësuesve, që në fund të fundit janë qënie si të gjithë të tjerat dhe mes tyre ka pak shumë të mirë, ka të mirë dhe një masë të madhe mediokrish. Kështu që nuk është i sigurt, nëse ajo që do gdhendin mediokrit në trurin rrudhëpak të të birit, do jetë jo mediokre. Vetëm në një gjë nuk dyshojnë Olsi-prindër, në faktin që "jeta është një garë."
E ngulitur në mendjet e tyre si një grafik që fillon në pikën A dhe duhet të shkojë djathtas lart në sistemin euro-amerikan, majtas lart ne sistemin arabo-çifut dhe poshtë-djathtas në sistemin kinezo-korean për të arritur në pikën e suksesit B, jeta dhe formimi i fëmijës së tyre konceptohet njëplanësh. Bile si një grafik, që duhet të jetë në mënyrë të dukshme, më lart se grafiku i jetës së tyre. Në të kundërt nuk ka zhvillim! Dhe pa zhvillim jeta nuk ka asnjë kuptim!
Po a është jeta e njeriut ose edhe përgatitja për në "luftën e jetës" një udhëtim në ngjitje nga pika A në B? Apo një lëvizje më e ndërlikuar, që nuk i ngjan as spirales së famshme të zhvillimit dialektik?
Pa u përëpëlitur shumë në përsiatje filozofike nga të cilat nuk dalin dot, Olsi-prindër bien në një mendje që fëmijën duhet ta përgatitin për në luftën që e pret Olsin ATJE. Sikundër e mësuan të ecë, lahet, ushqehet, të fshijë hundët dhe prapanicën për tu mbrojtur nga parazitët e viruset(është ende herët ta mësojnë të çiftohet), tani duan ta përgatitin në luftën mes llojit, ATJE ku e presin "konkurentët armiq". Ta paisin me dije dhe aftësi profesionale, që të rrëmbejë më shumë energji nga kjo botë se gjithë Olsat dhe Olsushkat e tjerë, që po trajnohen në të njëjtën mënyrë.
Dhe këtu fillon gabimi fatal që bëjnë Olsi-prindër! Të parën gjë që i mësojnë Olsit është që ka një botë KETU dhe një botë ATJE.

(vijon)

Tuesday 24 January 2012

Ky nuk eshte shtet!



I gjeni një emër tjetër tërësisë së institucioneve, që drejtojnë vendin në Shqipëri se vetëm shtet nuk mund të quhet!
Një Kryeministër, i njohur për zjarrvënien ndaj vendit 15 vjet më parë, që pasi vret njerëz sulmon në mënyrë të paturpshme Prokuroren e Përgjithshme mund të quhet me çdo emër tjetër, sulltan, Al Kapone, Dyvalie, Kim Xhong Il por vetëm Kryeministër JO!
Një zëvendëskryeministër dhe kryetar partie, që jo vetëm vjedh me të dy duart, por edhe si e kapin me presh vazhdon të thërresë që hajdutë janë të tjerët mund të quhet Toto Rina, Aldo Bare, Dritan Dajti, por vetëm zvkryeminstër JO!
Një President, që veç dembelizmit mendor, shpreh hapur që po formon një Parti të re mund të quhet Kalderol, Haxhi Qamil, Osman Gazep, por vetëm President JO!
Një Kryetar Partie, që kandidon për Kryeministër dhe që ka shkatërruar partinë me elektoratin më të madh për interesat e xhepit të tij mund të quhet Gëbels, Chavez dhe cdo lloj sharlatani tjeter, por vetem Kryetar Partie JO!
Një Kryetare Gjykate, të cilës hapur i del emri për favore të kërkuara, apo "edhe për një të pallume që i hiqet të bijës", e vazhdon të qëndrojë në krye të gjykatës, mund të jetë Kryefallxhore, Madamë, por Kryegjykatëse JO!
Një Komandant Garde, të cilin e rrahin për ta detyruar të vrasë, e pasi vret në kundërshtim me ligjin mundohet të fshehë provat, mund të quhet Ali Kimiku, Xhovani Bruska, Nevzat Haznedari, por Komandant Garde JO!
Një ministër-deputet, që pasi vjedh me të dy duart, filmon hajdutët e tjerë për t'ju bërë presion apo për të qënë i mbrojtur, mund të quhet Laki Luçiano, Orik Shyti, por ministër -deputet JO!
Kërkoni diku ndihmë për të shkallmuar këto institucione të zaptuara nga vagabondët!
Para se të rikthehet një tjetër Diktaturë tmerri!

Monday 23 January 2012

Esse mbi Ligavecin Gollash



Nuk e gjeta të saktë emrin latinisht të Ligavecit Gollash, sepse nuk munda të pyes edhe shoqen time Verushi, që ka mbaruar Bio-Kimi me mesataren 9.99. Druhesha se nëse do i thoja, që emërtimi Ligavec Gollash përfshin tre korçarë që merren me politikë dhe njëri prej tyre është nënkryetari i Bashkisë nuk do më jepte përgjigjen e saktë. E megjithatë, besoj që shumica e miqve të mij janë nga Korça dhe në moshë për ta kuptuar se për cilën qënie bëhet fjalë. Për ata që nuk janë të sigurt, ose nuk kanë parë ndonjëherë ligavecë gollashë, po e spjegoj me sa mundem më poshtë:
Ligaveci Gollash është një qenie që përfshihet në klasën e Butakëve, ose po të bëjmë një përkthim të Gastropod, në klaën e Barkecësve. Eshtë klasa që ka numurin më të madh të llojeve pas insekteve, ndaj dhe kam hezituar shumë kohë ta shkruaj këtë esse, pikërisht nga frika se mund të përballem me ushtritë milionshe të Barkecësve, të cilëve kur ju preken interesat nuk janë aspak Butakë.
Po le të meremi me Ligavecët Gollashë që njoh unë. Rriten qilareve të Korçës(mbase edhe në qytete të tjera, qilaret e të cilëve nuk i njoh). Nuk kanë guaske dhe janë më të gjatë se të gjerë, sigurisht të butë dhe kanë një ngjyrë bezhë në okër të lehtë. Ecin tmerrësisht ngadalë, si të gjithë ligavecët e tjerë, sa që po mos jesh fëmijë që ri në qilar se të kanë dënuar, as ja vlen të ndjekësh udhëtimin e tyre jargëlënës. Po. Lenë një jargë të ndritshme si ngjyrë argjendi pas, të cilën nuk e di nëse është sekrecion për shumim apo shenjë për të gjetur rrugën e kthimit, që me siguri është pas 6-7 muajsh. Si shumohen? Nuk ja kam idenë se janë hermafroditë, pra pa seks, ose me të dyja sekset.
Për herë të parë, në mënyrë të pavetdijshme e përdora emrin Ligavec Gollash për nënkryetarin e sotëm të Bashkisë, Raqkë Melen. Në subkoshiencën time, pa patur asnjë lloj predispozicioni negativ, figura e tij ndodhej pranë asaj të Gollashit. E ndjeva që nuk ishte i vetëm, sepse pasi shkova edhe pak më thellë në kujtesë, gjeta një Ligavec më të gjatç, që quhet Gjergji Gjinko dhe ka qënë Kryetar Bashkie dhe një tjetër më të verdhë, që quhet Gjergji Papa e është deputet i Korçës në Parlament.
Djem shumë të mirë! Të tre! Asnjëherë nuk kanë krijuar probleme për prindërit apo për mësuesit. Fatosa e pionierë të dalluar, të rritur në shtëpi private me qilar në lagjet 2,3 dhe 11 dhe ndjekës të gjimnazit më të njohur të Korçës. Nuk kishte se si mos i besonte Korça fatet e saj në këta djem të lindur çdo 6 vjet. Të butë, të sigurt në ecjen e tyre të ngadalshme, të fshehtë e fjalëpakë, të bindur ndaj udhëheqësve të tyre, këta tre Ligavecë Gollashë vazhdojnë ngadalë po të sigurt karrierën e tyre politike. Dhe të tre të djathtë të thekur, me përjashtim të Raqkës, që bëri një kthim nga e Majta se ç'ti bënte Udhëheqësit.
E ndjej që edhe pas 20 vitesh do jenë përsëri në zyrat e tyre, të fshehur pas dosjesh e duke lexuar dispozitat për t'ja u pëshpëritur në vesh Shefave, të cilët nuk bëjnë dot pa ta. Edhe ndonjë të vockël kur e marrin, e marrin me shumë marifet se nuk ju duhet shumë për ekzistencën e tyre prej Butakësh. Boll sa të kenë e të sekretojnë vazhdimisht jargën e tyre të argjendtë, që nuk dihet nëse është spermë apo gjurma që lënë në histori!

Friday 20 January 2012

NE JEMI ATEISTE, SHOKE TE ENVERIT

NE JEMI ATEISTE, SHOKE TE ENVERIT


Më ka rënë në sy një dukuri e këtij shekulli, të cilën do e quaj "Rigjallërimi i ateizmit shqiptar". Përfshin një shtresë të popullsisë shqiptare që jeton në emigracion dhe gjithashtu edhe në Shqipëri. Disi shoqërohet edhe me forcimin e ndienjave nacionaliste.
Pas rënies të Diktaturës, pati një gjallërim të frekuentimit të institucioneve fetare, për të qënë njëlloj si bota dhe për shkak se kishin qënë të ndaluara me ligj. Kjo ndodhi më shumë me brezin e "babyboomers", që kishte qënë plotësisht i indoktrinuar nga filozofia zyrtare dhe me brezin e mëvonshëm, që po ashtu vinte nga një sistem shkollor ateist. Pati një orientim ndaj feve të familjeve, por edhe devijime ndaj feve jo shumë të njohura, si ato evangjeliste apo Bahai. Megjithatë, shumica e shoqërisë shqiptare mbeti sekulare dhe pak e interesuar të mësonte më shumë rreth mësimeve apo doktrinave fetare. Edhe ata që shkojnë e ndjekin ceremonitë, e bëjnë pa vrarë shumë mendjen për fenë, raportet e saj me njeriun, shkencën etj. Dukej sikur gradualisht, njerëzit që do kryenin rregullisht ritet fetare do vazhdonte të rritej gradualisht, si po ndodhte edhe në të gjitha vendet e tjera të ish-Lindjes.
Më duket se pika e kthesës, nga lëvizja për "si gjithë Europa", ndodhi pas goditjes së Kullave në Nju Jork. Sidomos në Amerikë dhe Kanada, ku filloi të ndjehej më shumë se në Europë një lloj shikimi i dyshimtë për ata që i përkisnin fesë myslymane, tek përfaqësuesit e brezit të "babyboomers", filloi rikthimi drejt ateizmit ose drejt anti-feve. Në familjet me prindër myslymanë apo të përzjerë, filloi rishpalosja e përbuzjes ndaj feve, që i kishte rrënjët në edukimin materialist në shkollë. Për të mos u përballur me shoqërinë vendase, si dhe për tu larguar nga një identifikim i mundshëm me "xhihadistët" dhe "taleibanët", por edhe duke patur një lloj mllefi ndaj të tjerëve, të shkolluarit shqiptarë që jetojnë në vende të lira filluan të tundin dy flamuj: atë të ateizmit, që shpesh mbështetet mbi injorancën ndaj besimeve fetare dhe atë të nacionalizmit, si vlera e vërtetë e shqiptarëve. Të pakët ishin ata që zgjodhën rrugë më të vështira, për të mësuar më shumë rreth islamit, apo dhe feve të tjera. Gënjeshtra që e kanë lënë shoqërinë prapa- deklamojnë njerëz, që nuk ja kanë idenë se ç'farë e shtyn shoqërinë para dhe ç'farë e le prapa. "Po ikë o ku ka Zot! Unë jam ateist!" i binte gjoksit një shqiptar, i cili nuk di nëse toka rrotullohet rreth diellit apo ndodh e kundërta.
Ndoshta i tillë ishte edhe ateizmi i Enverit, i cili  tejkaloi ateizmin e Stalinit dhe të komunistëve të tjerë. një ateizëm i urrejtjes dhe jo i dashurisë për njeriun dhe njerëzimin. (Mbetet i dyti në botë pas ateizmit të Pol Potit.)
Unë nuk di se ç'farë i bën  më mirë shoqërisë shqiptare. Mesazhet e dashurisë të shoqëruara edhe me dogma, apo mesazhet e dashurisë të shoqëruara me të vërteta të provuara mbi jetën. eshtë një fushë e vështirë sepse nuk ka shembuj të cilëve t'ju referoshesh. Po jam i sigurt, që mesazhet e urrejtjes, që vijnë nga njerëz me komplekse dhe mllefe, sigurisht që nuk i bëjnë aspak mirë, qoftë edhe gjoja të bazuara mbi studime njerëzish të shkolluar.
I ngjajnë shumë ateizmit të sho Enver.

Tuesday 17 January 2012

Vazhdon rruga-tmerr e Olsit.

Në 4 pjesët e Kreut të parë, ku bënte pjesë edhe shtojca me pyetje përgjigje, si dhe analiza përmbyllëse e Kreut, u morëm me një familje tepër mesatare në një qytet të zakonshëm të një vendi të zhvilluar, disi të zhvilluar dhe në zhvillim. Quhet Olsi-familje dhe mund të quhet gati një familje tipike me prindër që i përkasin brezit të pas baby-boomers. Nuk kishte kuptim të studionim bumsat, se për shumicën e tyre ishte e qartë, që po lindin fëmijë të devotshëm për atdheun socialist(e kam fjalën për ata që mezi prisnin sa të martoheshin e jo për të duruarit) dhe që do i edukonin me shkencat shoqërore dhe ato të sakta, e që të gjitha përshkoheshin nga filli i kuq i marksizëm-leninizmit.
(Nuk mund të le pa përmendur një ngjarje të viteve '70, në një seminar të arsimit në Korçë ku merte pjesë edhe poliagjenti sho Mehmet. Një mësues matematike-prej 20 vitesh tashmë antikomunist- në kumtesën e tij po përmendte shpesh boshtin marksist-leninist në tekstet e matematikës deri sa ish-Kryeministri nuk duroi dot e i tha:"E ore se e bëre kollodok këtë boshtin marksist-leninst! Matematikë është... një e një bëjnë dy!" ...si u zbulua më vonë nga sho Enver, ai kishte ndikime të ideologjisë borgjeze, kështu që mësuesi i gjorë s'kishte faj...)
Pra, problemi që kemi në studim, nuk është për ata që i kanë lënë të 50-tat, por për më të rinjtë. Mund të jetë problemi i Bumsave, që janë bërë tashmë gjyshër dhe të cilëve fëmijët ja u fërshëllejnë për t'ju marë mendje, por edhe këto raste janë të pakta. Sepse ka pak gjyshër e gjyshe dhe më pak akoma që ja u fërshëllen njeri.
Në familjen tepër të zakonshme, ku të dy prindërit e Olsit nuk janë tamam as plansa, as kuturujsa dhe as thjesht turmsa(ose të paktën mendojnë se s'janë të tillë), fëmija erdhi natyrshëm, se ishin të dashuruar dhe gjithë shpresa për jetën e tyre në një vend në zhvillim apo më shumë akoma në një vend të zhvilluar. Fëmija do ishte kurorëzimi i dashurisë së tyre dhe mrekullia që ata do i sillnin kësaj bote. Padyshim që ai do kishte cilësitë më të mira të të dyve dhe në kushte më të mira se ç'ishin rritur ata, sigurisht që do shkëlqente. Dhe kështu e përkëdhelën ëndrrën e tyre para konceptimit të Olsit, gjatë shtatzanisë dhe pas saj. S'kishin arritur ende të kuptonin, që njeriu është ende në një fazë shumë të ulët zhvillimi dhe kombinimi i cilësive gjatë konceptimit është krejt rastësor. Ky lloj dyshimi ju shkoi në mendje, ditët kur Olsit i duheshin jo vetëm syze dhe dhëmbëdrejtuese, por po dëshmonte, që jo çdo gjë që theshte ishte gjeniale.
Ndaj, tani sidomos për Olsin-mama, e gjithë shpresa ishte në një institucion edukimi të përsosur.

(vijon) 

Le ta quajme "Vallzim Dashurie".

Ne vallzonim pa i vënë veshin melodisë
E bënim se nuk rinim dot të qetë.
Ti ndjeje,
             Që duhet të ishte tango
Unë kërceja një vals të lehtë.
Symbyllur,
          Në të errëtin frak,
                   Që kisha menduar të vishja atë natë.
E ti,
         Rreth belit pështjellë,
                  Të hollin petk të gjatë.
-Hiqe- të thoja
Jam krejt i joti.
          Po vallzojmë në tëndin shtrat.
Më thoje "Jo,
Nuk mundem tangon
            Të luaj ashtu si të gjithë
Rëndom e luajnë çdo natë.
Bënte ftohtë jashtë
Ndonëse ishte mars,
Tinguj të cuditshëm binin dashurisë së qashtër,
Që ty të dukej tango,
E per mua ishte vals.




Sunday 15 January 2012

Kenget e qytetit tone (II)

Fundi i viteve '50 dhe fillimi i viteve '60, sollën një lloj lirie në lejimin e këngëve të "linjës të nëndheshme" të luheshin edhe në bare bile edhe në skena të estradave. Eshtë një periudhë lulëzimi i këngëve më të mira të dashurisë, sidomos ato të kompozuara nga Abaz Hajroja, Ilia Vinjau dhe të tjerë instrumentistë të orkestrës së Estradës. Të kësaj kohe janë këngët "Rrinim bashkë tek sofati", " Kurrë mos dashuro", "Ti me dy fëmijë", "Erdhi vjeshta ty gjethet të ranë", "Stoli i bardhë" etj. Edhe në to tonet melankolike janë mbizotëruese, por e njëjta gjë vërehej edhe në muzikën e kohës europiane, në këngët e Modunjos, Piafit, Brelit, Don Bakit, Aznavurit etj. Vertet nuk mund te behen krahasime per nivelin, por përsëri, unë do e quaja si periudhën më të mirë të këngëve të qytetit. Më duket gjithashtu e çuditshme, që nuk është kujtuar kush t'ju rikthehet për një interpretim të ri sot, kur janë "rifreskuar" këngë të së njëjtës periudha me vlera ordinere si "Jorgjicë, Jorgjicë" apo "Rrukullisni kadet". Shpërndarja e të gjithë trupës së estradës së Korçës në vitin 1966, solli një rënie të krijimtarisë së Hajros e të të tjerëve, tashmë të paralajmëruar se në rast të përsëritjeve, mund të gjenin edhe vend në qelitë e burgut, si ju kishte ndodhur vëllezërve Starova të Estradës së Pogradecit.
Por krijimtaria amatore po vazhdonte të rritej dhe një pjesë e mirë e këngëve po bëheshin zyrtare, sidomos në skenat e grupeve amatore, pasojë e një favorizimi të rinisë në fundin e viteve '60 dhe fillimin e viteve '70. Kjo është periudha e "kantaautorëve" sipas modelit italian, kur u shfaqën Nonda Kajno, Mihallaq Andrea, Niko Pusteci e ndonjë tjetër, por me këngë të cilat nuk mbetën gjatë në kujtesën e njerëzve, mbase edhe për shkak të cilësisë së tyre. Njëkohësisht, vazhdohej me melodi të kopjuara plotësisht ose pjesërisht, si dhe krijime të amatorëve, që nuk mund të ngjiteshin nëpër skena. Në këngët e kopjuara kishte shumë me tekste origjinale, por edhe të tilla me tekste nga vjershat e Eseninit, Pushkinit e të ndonjë poeti tjetër lirik. Po shkohej drejt mbylljes së një periudhe të një cilësie më të mirë dhe po jepeshin shenjat e dekadencës, që do mbizotëronte në këngët e rrugëve të viteve '80.
Para se të fillonin vitet '80, në periudhën më të ashpër të diktaturës ('75-'80), u ndalua thuajse plotësisht të kënduarit mbrëmjeve në qytet. Të rinjtë që donin të këndonin, për të shfrehur "dertet" e tyre hormonale, ishin t detyruar të ngjiteshin nga Shetroja, zoti Kenedi, ose të këndonin brenda shtëpive të tyre. Shumë krijime origjinale të asaj kohe, me melodi dhe tekste të mira, nuk arritën të përhapeshin në gjithë qytetin dhe humbën ose kujtohen vetëm në rrethe të ngushta. Të tilla ishin " Kujtoj ditë të bukura të rinisë", "Maturantja", "Plazhi zhurrmon", "O sa do desha kjo natë mos mbaronte", "Dashuria nën ombrellë", "Ishte një mëngjes kur më takoi" etj. Dy tre këngë, të transformuara edhe këto si "Kali i bardhë", hynë në repertorin e pas viteve '90 të ndonjë këngëtari të njohur.

(vijon)

Saturday 14 January 2012

Edhe pse Olsi nuk shkoi ne kopesht.

Ndonëse objekti i hulumtimit është rrugëtimi i Olsit në sistemin e sotëm shkollor, po fus në fillim të kapitullit të dytë, një shembull në favor të idesë anti-edukim kolektiv parashkollor. Një bashkëatdhetar i Olsit-baba, i tregonte që ditët e para në një institucion parashkollor, kishin qënë shumë të vështira për djalin e tij. Pasi kishte qarë me të madhe dhe protestuar me të gjithë mundësitë e tij fizike dhe verbale që të mos rrinte atje, pasi kishte dështuar edhe në përpjekjen për kompromis për t'i sjellë maçokun, i biri kishte vazhduar për orë të tëra të shante Edukueset në gjuhën e tij dhe në fund kishte tentuar të largohej para kohe nga dera e pasme. Edukueses, që i bëri të dështonte plani i arratisjes, i ishte drejtuar "Ik moj ti që i ke tangat bijeqielli!", gjë të cilën, prindërit nuk e kuptuan nëse e kishte dëgjuar kur edukuesja fliste në celular me të dashurin e saj, apo kur i jati i tregonte të jëmës për një aventurë të gazetarit Blendi Fevziu, të cilën e kishte lexuar në shtypin shqiptar.

Friday 13 January 2012

Esse per Leshte e Curres.



Ka shumë shprehje që i kam dëgjuar në fëmijëri dhe i kam bërë të mijat duke i përdorur si duhet, po pa ja u ditur origjinën dhe pse kanë një kuptim të caktuar e jo një tjetër, krejt të ndryshëm. Për ata që nuk janë nga treva e Korçës, ku mendohet të jetë përdorur fillimisht shprehja, kuptimi i pastër i saj është Hiçi, Asgjëja. Dhe hështë fjala për Hiçin hiç, atë që është sa konkret dhe po aq jo i tillë, pikërisht se është Hiç, ose më mirë se s'është. Për shembull është e saktë ta përdorësh, kur kthehesh nga pazari dhe nuk ke gjetur një gjë që e ke kërkuar e kur gruaja të pyet gjithë ankth "E gjete?" dhe t'i i thua "Gjeta Leshtë e Curres!" Përdorimi abstrakt i shprehjes është disi më i vështirë. Nuk tingëllon mirë të thuash që përpjekjet studimore për të provuar tezën se ne rrjedhim nga pellazgët përfunduan në Leshtë e Curres, ose të thuash për serialin komik Seinfeld(Show about Nothing), shfaqje për Leshtë e Curres. Sidoqoftë, si në çdo gjë tjetër në këtë botë, kufij të prerë midis konkretes dhe abstraktes nuk ka e sidomos kur bëhet fjalë për Hiçin.
Eshtë shumë e çuditshme, se nga të gjitha shprehjet që lidhen me qimet, vetëm shprehja "për mustaqet e Celo Picarit" i qëndron disi jo larg shprehjes, që po marrim në shqyrtim. Po edhe ajo, nuk është se nënvleftëson mustaqet e Celos ose i shpie drejt vlerës zero, por më tepër e ka zanafillën në se ja vlen të zihemi për formën e gjërave, kur rëndësi ka përmbajtja e tyre. (Sipas historisë gojore, një sherr i madh me shumë të plagosur si pasojë, ndodhi në një nga fshatrat e Jugut, kur dy burra filluan të bënin debat në se patrioti Celo Picari i mbante mustaqet e gjata apo të shkurtra allafrënga. E çuditshme është se të dy binin dakord për pikën kryesore, që është përmbajtja, që Celo Picari kishte mustaqe, se ishte burrë mustaqelli.) E megjithatë, ne brezi që kemi lëçitur materializmin historik, e dimë që e vërteta është krejt ndryshe, që pas sherrit gjoja për stilin e mustaqeve, janë faktorë të rëndësishëm shoqërorë dhe ekonomikë.
            Po le të vazhdojmë të krahasojmë shprehje të tjera qindravjeçare që lidhen me nocionin qime, flok ose lesh. "E bënë lesh arapi" është një shprehje shumë e përdorur, që tregon për një ngatërresë të madhe, shumë të madhe të krijuar nga një grup njerëzish. Ose shprehja tjetër që i jep cmimin më të lartë në konkursin e Pamundësisë pikërisht një tërësie qimesh "Cdo gjë bëhet veç Mjekrës së Qoses". edhe një qime e vetme ka një peshë të pallogaritshme emocionale, si në rastin e shprehjes së popullit çek "Burri në shtëpi, si qimja në gojë".
Atëhere përse Leshtë e Curres njehsohen me Asgjënë? Nga kjo pyetje lindin disa të tjera natyrshëm(normal thonë në Tiranë): Kush ishte Currja? Ishte burrë apo grua? C'gjë të veçantë kishin leshtë e Curres, që u morën si prototip dhe mbetën kaq gjatë në kujtesën e popullit(mbamendje thotë Rexhep Paqimja)? Për cilën pjesë leshtore të trupit bëhej fjalë? Mos ishin si rrulloçka rrulloçka dhe të kujtonin Zeron, prandaj i barazuan me Hiçin?
A mos Currja ishte alien që kishte shpëtuar pas një përplasje të Diskut Fluturues me Gurin e Capit dhe ishte shpëtuar nga fshatarët e Bradvicës, dhe sikundër dihet mire nga të gjithë Ufologët, alientët nuk kanë asnjë qime për be?
Ja sa pyetje dalin sot, pas dyzet e kusurvjetësh, kur i mëson gjërat duke i "gëlltitur si misroku", pa i përtypur. Do isha të paktën dyzet e ca vjet më pranë origjinës, po qe se në atë kohë, do e pyesja atë që e tha, jo vetëm për kuptimin e shprehjes, por për më kryesoren, historinë që fshihej pas saj.
Me siguri, si e prisni dhe ju të gjithë, do mësoja Leshtë e Curres.

KENGET E QYTETIT TONE

KENGET E QYTETIT TONE


E di që është e pamundur, por dua ta shkul po munda atë dyfjalëshin "serenata korçare" dhe më tepër akoma emërtimin e Korçës si "Qyteti i serenatave".
Gjatë viteve të Diktaturës, përdorej termi "këngët karakteristike", ndërsa më vonë "këngët qytetare" dhe në to përfshiheshin repertori i Korit "Lira" dhe ndonjë këngë tjetër që këndohej në festa familjare apo edhe rrugëve të qytetit para Luftës së Dytë. Shumica e këngëve ishin kopiuar nga këngë të operetave italiane, franceze e greke të 20 viteve të para të shekullit të XX. Ishte një lloj mode e të gjithë qyteteve të Maqedonisë së Jugut, Veriut të Greqisë dhe Korçës. Dukej një lloj përpjekje e shtresave të zanatçinjve për tu shkëputur nga muzika turke dhe ajo popullore, që mbizotëronin në ahengjet e trevave të Vilajetit të Manastirit. Kam dëgjuar për të vetmen herë para 10 vjetësh në radio, këngën franceze, melodia e të cilës është përdorur për të njohurën "Një ditë shkova nga Drenova". Radioja kanadeze, që e transmetonte e cilësonte të kompozuar rreth vitit 1912-13. Si kjo këngë shumë e njohur në Shqipëri, janë edhe dhjetra të tjera, të harruara tashmë në vendet e tyre të origjinës. ka patur edhe të tilla të krijuara nga kompozitori Nasse, apo edhe nga muzikantë të tjerë amatorë, por rruga më e përgjithshme ka qënë ajo e huarjes(kopjimit).
Për shkak të prapambetjes të shoqërisë shqiptare dhe atyre maqedonase apo greke, këto këndë u kënduan vazhdimisht nga masat edhe për shkak se mugonin shoqëritë e vogla shëtitëse të vodevileve e operetave apo orkestrat e vogla nëpër bare. Psh bërthama e grupit "Lira" me Tole Adhamin në krye, këndonte në një nga urat e lumit të Korçës, doemos për të rënë në sy të vajzave korçare. Nuk kishte një rrjet të organizuar të orkestrave të vogla që këndonin sipas modeleve perëndimore që imitonin orkestrat xhaz të Amerikës apo piano-bare të përhapura në Europën e viteve '30. Si orkestrina të vogla, mbeteshin ende sazet, të cilat luanin muzikë tradicionale, që ishte kryesisht një muzikë e vendbanimeve të vogla.
            Marja e pushtetit nga një forcë e të majtës ekstreme, favorizoi jetëgjatësinë e këngëve të qytetit, për shkak të një ndarje të qartë mes muzikës së kultivuar(e kam fjalën për muzikën e lehtë) dhe asaj që quhej kënga e traditës e që këndohej nëpër festa familjare. Këngët për Partinë, socializmin apo jetën e re, buçisnin nëpër Radio apo në skena, ndërsa në familje njerëzit këndonin këngët e traditës, përfshi këtu edhe ato humoristike të krijuar nga Petro Dula("T'i lemë të vërtetat", "Jam jam i mirë" etj.), por edhe këngët patriotike. Krahas këtyre këngëve filloi edhe krijimi i një kategorie tjetër, "të nëndheshme", që ishin këngët që për shkak të karakterit të tyre melankolik, apo për tekste që nuk përputheshin me moralin komunist, nuk arrinin të vishnin petkun zyrtar e të këndoheshin në skenë, por që përhapeshin nga një grup të rinjsh në një grup tjetër. Ndonëse këngët e dashurisë zinin vendin kryesor, në to kishte edhe këngë që i këndonin nënës, vuajtjeve të jetës, bile ndonjë e pazakontë edhe Luftës nacional-çclirimtare ("Kënga e invalidit"). Kishte përsëri marje komplet të melodive të këngëve të huja ose përshtatje të tyre. Deri në vitet '60 mbizotëruan këngë të trishta, që edhe si koncept i takonin një kohe të kapërcyer, kur largimi i njerëzve sillte përballjen me vdekjen e të dashurave( nga veremi apo sëmundje të tjera që bënin kërdinë në shekull të ikur). Mes këngëve më të njohura ishin melankoliket "Atje në Hollandë në vendin e mullinjve", "Judi, Judi gjimnazistja ime e vogël", apo "Kënga e Xhemalit". Eshtë e cuditshme se si në një kohë zyrtarisht "shumë optimiste", këngët më të njohura mes të rinjve ishin këngët super-melankolike me dashuri,varre, lot dhe raki. Ishte një lloj balancimi i ndienjave të njerëzve, kundërvënie pasive ndaj propagandës zyrtare apo thjesht pasqyrimi i pamundësisë të marëdhënieve të lira të dashurisë, për këtë ja vlen të hulumtohet.
(vijon)

Vazhdojme me corben e Edukimit te Olsit.

Sa më shumë zgjatem me dilemat e Olsi-prindër, aq më shumë pyetje i shtohen asaj të fillimit, që ishte "A duhet shpënë në shkollë apo jo fëmija?"
Në jetë, ka njerëz, të cilët bëjnë plane afatgjata dhe dinë mirë se ku duan të shkojnë. Ka të tjerë që ecin kuturu. Ka edhe shumë të tjerë që shkojnë me turmën.
Më budallenjtë janë të parët. (Po ky është thjesht një opinion i imi, se kam ecur gjithë jetën kuturu hesapi, ndaj mos ja vini shumë veshin.)
Të parët( për të mos i fyer le t'i quajmë planovikë), planifikojnë që gjatë periudhës, kur i prek dashuria "racionale", se si do jetë e ardhmja e tyre, sa fëmijë do bëjnë, ç'farë profesioni do ju japin fëmijëve dhe si do e projektojnë ardhmërinë e tyre. Sidomos sot, kur Perëndia vërtet nuk krijon mundësinë e ngjizjes, por këtë e bën epruveta, planovikët janë në gjendje të shtohen sipas planit që kanë ndërtuar në kokë. Për ta gjithshka është e qartë dhe vetëm në ratse të rralla, kur në vend të deles së bardhë të planifikuar del e zeza, sistemi i tyre njohës-veprues mbi botën tronditet. Por me që delet e zeza janë shumë të rralla, xhinsi i tyre shkon në shkollë pa e vrarë mendjen, arrin rezultate të larta, është i sukseshëm në punë dhe martohet e krijon familje të shëndoshë.
Kuturujsit që zakonisht martohen pas një kohe të shkurtër si kanë rënë në sevda, janë gjithnjë mes darës të emocioneve dhe arsyes dhe nuk mendojnë shumë për të ardhmen. Bota ku jetojmë dhe jeta në përgjithësi ju duket e mistershme dhe e koklavitur dhe bëjnë fëmijë se e ndiejnë që duhet të bëjnë, por kur e vrasin pak mendjen thonë që më mirë mos kishim bërë. Duke vazhduar në jetë sipas bindjeve të çastit dhe erërave që fryjnë, pasi lëkunden mes ateizmit dhe disa bindjeve fetare, i japin kara që fëmija edhe mund të shkojë në shkollë, por edhe mund të mos shkojë, ose edhe në duhet të shkojë se është e llogjikshme nuk janë të sigurt se ç'lloj edukimi t'i japin.
Turmsit(ku hyjmë edhe ne që bëjmë pjesë në facebook) bien në dashuri jo se duan po se se kanë në dorë dhe martohen se kështu kanë bërë parardhësit dhe thotë edhe televizioni. Po për të njëjtën arsye e konceptojnë fëmijën që gjatë dyjavshit të mjaltit dhe kur vjen fëmija në jetë ngazëllehen dhe mundohen që të bëjnë shumë herë më shumë se kanë bërë prindrit e tyre për ta. Kanë bindjen e patundur që bota është në zhvillim të vazhdueshëm pikërisht sepse kështu thuhet në të gjitha kanalet televizive që shohin. Nuk kanë shumë ndryshim nëse i pagëzojnë fëmijët apo i bëjnë synet, sepse dashurinë e kanë pa kufi dhe duan që mbartësit e geneve të tyre të dalin të parët në garën e jetës.
Edhe pas kësaj gjoja analize të këtyre tre grupe njerëzish(grupet gay janë lënë mënjanë për arsye të mos njohjes së lëndës) jemi sërish thuajse në fillim.
Nuk dimë as përse jemi martuar dhe sidomos përse e kemi sjellë në jetë Olsin!

Thursday 12 January 2012

Albin Kurti, Bisnesmeni saudit dhe kalendari Maja.



Sepse mu bashkuan keto tre gjëra në kokën time të çorbavitur, jo aq nga pagesa r lartë për ndrimin e motorrit të makinës, se sa nga suprat e shpëlara me barrishte, që po ha për të rënë nga pesha. Në të njëjtën faqe interneti, Albin Kurti shpjegon pse duhet bllokuar kufiri i Kosovës me Sërbinë për mallrat serbe, Bisnesmeni i falimentuar saudit do të shesë djalin e vetëm për 20 milion dollarë dhe gjendet njoftimi për pllakën e dytë Maja që konfirmon fundin e botës më 21 dhjetor të këtij viti.
Pak a shumë kjo është bota sot, më 12 janar 2012. Ndonëse e konfirmuar që po i vjen fundi kësaj "jallan dynjaje", Albin Kurti do të pengojë patatet serbe të hyjnë në Kosovë, që të marrë vrull rritja e patateve kosovare; Biznesmeni saudit kërkon një çmim të arsyeshëm për mallin-bir dhe më gomari, që jam unë, në vend të shijoj mishra e djathra me kolesterol sa më të lartë, po cfilitem shpirtërisht e barkërisht duke ngrënë supë me karrota!
Botës vërtet po i vjen fundi!
Po jo se është shkruar në pllakat e Majave.
Botës i vjen fundi kur një baba jo vetëm do të shesë djalin, por këtë e bën hapur, në sytë e gjithë botës.
Botës i vjen fundi, kur njerëz të marrë si Albin Kurti, që kërkon moskëmbimin e gjërave midis njerëzve, ndryshe nga ç'është bërë për 6-7 mijë vjet, ka 30% të elektoratit të një vendi pas.
Botës i vjen fundi edhe kur mesoburrat fillojnë të hanë supë me karrota në kërkim të një rinie, që ka kohë që ka perënduar!

Wednesday 11 January 2012

Nje Parti e deshtuar ne embrion.



Dy tre vjet më parë, kam menduar, që një parti e qendrës së djathtë, e mbështetur nga bizneset e mëdha, jo vetëm duhet të krijohet por është mirë edhe të vijë në pushtet në Shqipëri. Një parti liberale, që do sillte liberalizimin e gjithë jetës së vendit, duke filluar nga zvogëlimi i Institucioneve shtetërore të qendrës, në rritjen e autonomisë të vendorëve dhe sidomos në ligjet ekonomike që mund të sjellin rritjen e investimeve të fondeve të vendit dhe të atyre të jashtme.
Mefgjithëse e kam quajtur një ide gati utopike, sepse klasa politike, por edhe klasa e pasur që është më e interesuara nuk kanë prirje ta bëjnë, kam menduar që ende në Shqipëri ka njerëz me mend që duan ta kthejnë në një vend normal sepse jetojnë aty dhe kanë se ç'të humbin.
Duket që një parti e këtij lloji mund të krijohet në qershor, nga disa njerëz të PD-së, të cilët i ka larguar Berisha. Në krye qëndrojnë Bamir Topi dhe Aleksandër Biberaj. Jo thjesht për arsye organizative apo për sulmet që do ketë nga PD-ja, partia e re e djathtë është e dështuar. Dy njerëzve kryesorë të saj ju mungon kredibiliteti, pikërisht për faktin që kanë qëndruar pranë Berishës në vitin 1997. Eshtë një fakt i mjaftueshëm për të diskretituar politikisht Pollon, Topallin, Boden, Bejën si dhe Topin e Biberajn. Cdo justifikim i tyre, që qëndruan në PD për të mos tradhëtuar të djathtën apo për antikomunizëm është një alibi e rreme për të justifikuar përuljen e kurrizit deri aty ku nuk mban. Në vitin 1997, njerëzit që qëndruan në PD, jo vetëm u përulën para vendimit të Berishës për të shkatërruar shtetin, për të futur vendin në një Luftë Civile, por as tentuan pas gjithë katrahurës të riorganizonin PD-në duke mënjanuar shkaktarin dhe duke treguar që ishin një forcë serioze politike.
Tani ata janë  pak të besueshëm për elektoratin e moderuar që kërkon të ndjekë një forcë politike të ndryshme nga ekzistueset dhe as elektoratin e djathtë, që i konsideron tradhëtarë.
Them që në zgjedhjet e ardhshme, nuk do shkojnë më shumë se pragu i 4 %, ndaj do nbeten një faktor i parëndësishëm në jetën politike shqiptare.
Në më pak se 18 muaj që mbeten, e vetmja mënyrë për të krijuar një Pol të tretë, është zbritja në arenën politike e një njeriu të pasur, karizmatik dhe me mbështetje nga bizneset, i cili mund të tërheqë një elektorat prej 15-25%, të njerëzve të zhgënjyer nga Berisha e Rama. Për fat të keq, ende as në Shqipëri dhe as në Diasporë, ndonjë njeri i pasur nuk ka shfaqur ambicien për të bërë një gjë të tillë. Kështu që ky kapitull në jetën politike shqiptare, mbetet të hapet në vitin 2017. Më 2013, mendoj se do ketë përsëri një ekuilibër të forcave dhe do varet sërish nga Meta se kush do bëhet Kryeminstër.
Parashikim pesimist, por më duket si më pranë të së vërtetës!

Tuesday 10 January 2012

Rreth vetvrasjes.



Nuk dua të filozofoj rreth vetvrasjes, se për të duhet të jetë shkruar shumë, por vetë nuk jam shumë i nxënë në këtë temë. Mora shkas nga tentativa e Ardian Klosit dhe pasqyrimi i saj në shtypin shqiptar dhe ju ktheva atyre pak gjërave, që di dhe kam ndjerë kur vrau veten im atë e më vonë.
Shoqëria njerëzore e dënon largimin me dëshirë nga jeta. Edhe në kohët moderne, nuk di nëse të jetuarit apo jo hyn në të drejtat e njeriut. ka filluar me dënimin e ashpër që i bënin fetë monoteiste dhe ndoshta mirë bënin. Nuk di nëse nuk do dënohej nga feja do kishte rritje të të vetëvrarëve apo jo. Në shoqërinë komuniste, tentativa dënohej edhe penalisht dhe nuk di se sa përbën vepër penale sot në kodet e vendeve të zhvilluara. Për një antar partie vetvrasja ishte edhe dezertim nga rradhët e saj dhe braktisje e idealit. Para një javë, mbylli sytë kritiku Adriatik Kallulli, i cili në rininë e tij kishte tentuar të vetvritej, por kishte shpëtuar. Në spital, kishte qëlluar Mehmet Shehu që vizitonte dikë tjetër dhe nuk i kishte lënë fjalë pa thënë studentit Kallulli, që ishte duke u mjekuar. 20 vjet më vonë, kryeministri vrau veten!
Njoftimi në shtyp për Klosin, ishte në fillim "toksikim" nga ilaçet! Vetë mendoj, që ndaj këtyre temave, shtypi duhet të rrijë larg, për të respektuar të sëmurin e familjen e tij. Por ama kur shkruan shkruaj të vërtetën! Pirja e një sasie të madhe antidepresivësh dhe alkol është rasti klasik i vetvrasjeve sot, sidomos i grave. Fati i Klosit dhe i familjes së tij që shpëtoi. Por në një gazetë tjetër, lexon që e shoqja, ndonëse gjermane, deklaron që Ardiani nuk ka tentuar, por ka qënë i stresuar dhe ka pirë shumë ilaçe!
Dhe këtu vijmë tek TURPI!
Ndienja e turpit, që është më e theksuar në provincialët dhe në injorantët, e ndonjëherë jo vetëm tek ta. Të kesh një të sëmurë mendor në familje, nuk është vetëm dhimbje por edhe turp. Kuptohet, që stigmatizimi qindravjeçar i sëmundjeve mendore e ka bërë të tijën, por edhe sot kur dihet më shumë rreth tyre dhe sëmundjeve dhe trashëgimit të tyre, përsëri vazhdohet me të njëjtin mentalitet?
Një nga ngjarjet më absurde dhe më të "poshtra" që kam qëlluar të mësoj, ka qënë mbulimi i një vetvrasjeje në vitin 1997 në Korçë. Në një familje disi të madhe, me dy mjekë, djali i vogël beqar, pas disa kohësh i mënjanuar vetë nga jeta, i dha fund në kohën kur sa kishte filluar përmbysja e atij viti. I vëllai mjek, me ndihmë edhe të dy tre kolegëve, e ktheu në një vdekje nga infarkti!
Pa dashur të hyj në problemet ligjore që dalin nga një veprim i tillë, ajo që më shqetëson është marrëzi-poshtërsia e vëllait-mjek e ndoshta edhe e babait-mjek. C'dobi kishte ajo shfaje e shëmtuar? I larguari, ishte i njohur nga të tjerët si njeriu më i mirë i asaj familje. C'turp bëri ai që donte t'ja mbulonte i vëllai? Po a mundi me atë mbulim, të ndërpriste trashëgiminë e mundshme të depresionit tek breza të tjerë të asaj familjeje?

Njeriu nuk duhet të largohet vetë nga jeta! Mbase ka raste ekstreme kur jeta nuk ka vërtet më asnjë kuptim, ose është një vuajtje e papërballueshme. Por, edhe në ato raste, natyra e ka mekanizmin e bjerrjes të shëndetit. E megjithatë, ata që vetvriten ose ata që tentojnë nuk duhen përçmuar. Duhen ndihmuar duke ju kërkuar edhe të mësojmë më shumë prej tyre se çndodh, që dorëzon gjënë më të çmuar që ke.

Thursday 5 January 2012

130 vjetori i Nolit.

SYRGJYN GJALLE E SYRGJYN VDEKUR


Nesër është 130 vjetori i shqiptarit më të talentuar, më inteligjent e më të cuditshëm të shekullit të XX-të. Hirësisë të tij Fan Stilian Nolit.
Sipas shtypit shqiptar, një bust i tij(me siguri shtatore se është 2.8 m e lartë) do vendoset në Ibrik Tepe të Turqisë ku u lind. Ibrik Tepeja numuron sot 1700 banorë e me siguri asnjë shqiptar.
Dua ta ndal vrullin e kritizerit, se nuk e di për ç'arsye, Ministria e Kulturës e jona e kabërë këtë zgjidhje. Me sa di, një bust i tij ngrihet pranë Akademisë të Shkencave në Tiranë dhe kaq. Në Korçë i është vënë emri Universitetit, por nuk ka ndonjë shtatore apo bust të tij. Nuk besoj të ketë të tillë as në Boston. Dhe bëhet fjalë për më shqiptarin mes shqiptarëve, të përkushtruar ndaj shqiptarizmës edhe pse nuk kishte jetuar në Shqipëri dhe nuk kishte as prona, as familje apo të afërt.
Kryeministri i sotëm, ka deklaruar se do ngrerë në Tiranë, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, disa monumente të patriotëve shqiptarë, por Noli nuk bën pjesë mes tyre.
Kryetari i Bashkisë së Korçës, ka sjellë dhjetra skulptura parku pa ndonjë vlerë artistike në qytet, por nuk kujtohet për 130 vjetorin e Nolit apo 110 vjetorin e Pavarësisë, të ngrerë monumentin për deputetin e Korçës dhe themeluesin e Kishës Ortodokse Autoqefale.
Në qarqet kishtare, edhe pse nuk sulmohet hapur, figura e Hirësisë së tij nuk është shumë i dëshëruar edhe pse ka sjellë Ungjillin në shqip dhe ka afruar besimtarët në fjalët dhe mesazhin e fesë.
Një shtatore e madhe ngrihet për atë që e dënoi me vdekje Nolin në  Burrel e jo në Burgajet, ku ka lindur, ndërsa shtatorja e bronxët e Peshkopit dërgohet në Ibrik Tepe, ku do e shohin 1700 turq.
Fan Noli nuk ka nevojë për hosanara. Ka bërë aq shumë gjatë jetës së tij, që do ja kishte zilinë çdo erudit në botë. Jemi ne shqiparët që kemi nevojë për Nolin. Për atë që donte të na nxirrte nga "syrgjyni" ku e kishim lënë veten e të na sillte në "tokën e premtuar" të lirisë.
Ndoshta edhe vetë Urata, që ishte njeri me shumë humor, nuk do e mbajë dot të qeshurën në bronx, kur ta zbulojnë para Ibriktepistave të Edrenesë.

Kreshniket e rrezikshem.

RREZIKU QE SJELL ALEANCA KUQ E ZI


Dyshja krizë ekonomike-nacionalizëm ekstrem, është për fatin e keq të njerëzimit dhe sidomos të Europës, një dukuri e njohur dhe e sukseshme në kuptimin e keq të kësaj fjale. Shenjat e qarta duken që nga ish-republikat sovjetike e deri në Norvegji. Zgjatemi, po të analizojmë shkaqet e krizës botërore dhe asaj Europiane, sepse janë të shumta dhe nuk e kanë rrënjën vetëm në të metat e sistemit kapitalist, spekullimet në bursa, lakmia e më të pasurve apo në korrupsioni i klasave politike. Na intereson rajoni i Ballkanit, i cili tradicionalisht është më delikat se të gjithë të tjerët.
Kriza ekonomike e Europës do jetë e gjatë. Këtë e pranojnë të gjithë.
Për vendet e Ballkanit në përgjithësi dhe për Shqipërinë në veçanti do të thotë më pak investime të huaja dhe më pak kredi. Zaten kreditë për qeveritë janë shtrënguar kudo në  botë dhe më shumë akoma për qeveri të korruptuara si këto të Ballkanit. Njerëzit janë plotësisht të zhgënjyer dhe duke kërkuar Shpresën, i zgjatin duart drejt të parës gjë të ndryshme që shfaqet në horizont. E njohur për të tjerët por jo për Shqipërinë, kjo është fantazma e Nacionalizmit Shqiptar në formën e një Shoqate që shpejt do kthehet në Parti. Eshtë Aleanca Kuq e Zi e kryesuar nga një figurë, që diku e kam quajtur Miki Maus, dhe që është juristi Kreshnik Spahiu. Unë nuk e di se kush e financon Aleancën Kuq e Zi, sepse duket që luftohet edhe nga qeveria e Berishës. Duhet të ketë edhe rrethe biznesmenësh, të interesuar për një lloj peshe të Shqipërisë në rajon, megjithëse më duket alogjike që njerëzit e biznesit t'i fryjnë urëve të nacionalizmit.
Po përse është e dëmshme lëvizja Kuq e zi që do kthehet në Parti politike?
Si të gjitha lëvizjet e vjetra dhe të reja të këtij lloji ajo operon me manipulimin e ndienjës të atdhedashurisë. Njeriu është i ndjeshëm për padrejtësitë që i ka bërë historia njerëzve të fisit e të kombit të tij dhe kërkon DREJTESI.
Për më tepër, klasa politike e korruptuar, që vërtet është për tu fajësuar si shkaktare e gjendjes, akuzohet se është gjunjëzuar para fqinjëve armiq, ose më keq akoma ka qënë agjente e tyre. Thuhet hapur që këta njerëz nuk mendojnë për popullin dhe për vendin, por thjesht për xhepat e tyre. Atëhere le të vemë në pushtet patriotët idealistë, që këndojnë këngë për Atdheun ose që mbajnë fjalime mishngjethëse shesheve, pallateve të sportit apo sallave të mëdha ku pihet birrë!
Në dukje si dashuria për familjen, qytetin apo krahinën, mesazhi i ashtuquajtur kombëtar që sjellin lëvizje të këtij lloji(Tek ne quhet Kuq e Zi, në Sërbi, Maqedoni, Greqi, Bullgari, Kroaci kanë emra të tjerë) është i mbështetur në urrejtjen ndaj të huajve, ose në ndienjën e revanshit në rastin më të mirë. Në shumicën e rasteve të lëvizjeve nacionaliste të shekullit të XX-të, udhëheqësit e tyre kanë qënë gënjeshtarë të klasit të parë, që kanë ardhur në pushtet, kanë shfrytëzuar energjitë pozitive që çlirohen nga popullsitë dhe i kanë zhytyr vendet e tyre në një situatë më të keqe ekonomike që ka sjellë detyrimisht luftrat.
I trembem shumë këtij gjallërimi në Shqipëri dhe faktit që Albin Kurti dhe Kreshnik Spahiu, janë shpallur shqiptarët më të besueshëm për vitin që shkoi.
Personalisht mendoj që bashkimi i dy shteteve shqipatre duhet të bëhet me shumë kujdes. edhe shteti ynë, që quhet 100 vjeçar, thuajse asnjëherë nuk ka qënë shtet. Ka kaluar dy lloj regjimesh, njëri një përzjerje mbretëri-diktaturë e djathtë e tjetri një diktaturë e majtë ekstreme dhe po kalon një periudhë të formimit të shtetit, që për arsye normale dhe anormale do zgjatë. Kosova është shtet i ri dhe me dhjetra probleme të saj që lidhen me korrupsionin, me mosndëshkimin e krimeve të luftës, me lidhjet politikë-krim i organizuar, si dhe me probleme të tjera të minoriteteve. Jo thjesht për koniuktura ndërkombëtare apo për probleme kufijsh, dy shtetet shqiptare nuk duhet të bashkohen të paktën për një periudhë dhjetvjeçare. Eshtë në të keqen e popullit tonë krijimi i një shteti të vetëm nga dy pjesë qeverisëse të përçudnuara që nuk janë ende shtete vetë.
Bashkimi i dy pjesëve në një shtet të vetëm, duhet të jetë një proçes që duhet të nisë me studime të plota e serioze të dy Akademive shqiptare të Shkencave dhe të ndihmuara edhe nga Institucione Studimore të huaja të specializuara.
Në të kundërt, rrezikojmë të fillojmë t'i vemë zjarrin vendit dhe Ballkanit, edhe pse nuk e kemi bërë deri tani, por kanë qënë të tjerët zjarrvënësit.



Wednesday 4 January 2012

Rrugetimi i Olsit dhe pak grindje ne makine.

Ndoshta se udhëtimi nga Popova Shapka në Tiranë, nga Blu Mountain në Toronto apo nga Mecovo në Athinë është i gjatë, apo nga që Olsi mbante një fytyrë të trishtuar, prej dhembjeve në kërbishtje, të shkaktuar nga njëra prej rënieve në pistën e ngrirë, e jëma dhe i jati flasin pa ndërprerje se sa mirë do ishte të gjenin një mënyrë shkollimi  të përkryer për kanakarin e tyre në ndenjësen e pasme.
            Olsi-mama i hedh shpesh vështrime plot dashuri të shoqit, që duket tepër burrëror edhe pse me mollëza të skuqura nga të ftohtit dhe mendon sa mirë do ishte sikur Olsi t'i ngjajë të jatit dhe të kishte ndjeshmërinë dhe inteligjencën e saj. Prandaj dhe ndul këmbë që ai të shkojë në shkollën private "Kristal", ku formimi akademik spikat mbi atë të sjkollave të tjera të qytetit. për më tepët, prej një viti ata kanë edhe një program pilot për zhdrërvjellësim artistik të memories. Olsi-baba i përgjigjet që ndryshimi në rezultatet e formimit akademik të nxënësve nuk janë aq të ndryshme nga shkollat publike, sa të justifikojnë pagesën e lartë. Për më tepër, mësuesit janë të të njëjtit niveli ,bile paguhen edhe disi më pak, e pjesë e stafit të "Kristalit" është një e njohura e tij që ka mbaruar me 9.99, po që nuk ka dy para mend në kokë. E shoqja e kundërshton butë, duke thënë që paratë nuk duhen bërë pengesë për edukimin e djalit të vetëm dhe në "Kristal" nuk njihet fare dukuria e "bullying", si dhe rastet e përdorimit të drogës janë më të pakta. I shoqi i përgjigjet që në jetë do ketë edhe njerëz që do i sulmojnë, do ketë edhe drogë dhe se ajo nuk e di se ç'fëmijë do të rritë.
            Kjo kthesë e bisedës e tmerron gjashtëvjeçarin në ndenjësen e pasme, i cili e di që pas pak do zihen dhe e jëma do fillojë të qajë thjesht për fajin e tij, që nuk është trim sa duhet. Për më tepër e tremb edhe idea se ç'do bëjë kur të rritet në atë botë plot armiq dhe ku nuk e lenë të bëhet kuzhinier.
            E jëma hesht për disa minuta dhe fillon me një ton pajtues të tregojë se sa nga njerëzit e shquar të biznesit dhe medias kanë kaluar në bangat e "Kristal", ndërsa i jati nuk përgjigjet po mban nofullat e shtrënguara dhe lëshon nga një "pfff" për çdo emër. Atëhere ajo ngre zërin dhe ankohet që i gjithë edukimi i të birit ka rënduar mbi shpatullat e saj dhe ai di vetëm të punojë e të kalojë kohën e lirë duke parë sport, ose po të jetë në Shqipëri duke vënë baste. Ai i hedh një vështrim jo dashamirës, i cili e nervozon atë më shumë dhe fillon t'i hedhë fajin cinizmit dhe ateizmit të tij, si dhe vetes që e kishte dëgjuar për të mos e pagëzuar Olsin, kur tani mund të kishin edhe kumabrën ose pastorin, që mund t'i ndihmonte për zgjedhjen e shkollimit të duhur.
            Dërgoje të bëhet prift, e mbyll diskutimin Olsi-baba, gjë që e tmerron më shumë gjashtëvjeçarin e strukur në ndenjësen e pasme të Volksvagenit, edhe pse e di që ka pak mundësi të shkojë në një shkollë priftërinjsh.

Tuesday 3 January 2012

Rrugetimi i Olsit(Pyetje pa Pergjigje)

Le ta lemë Olsin dhe prindrit e tij, në një pistë skish, ku po festojnë ndrimin e viteve, në Kolorado, Malin Blu, Mecovo apo ne Shapkën e Priftit, ndonëse edhe atje, ndërsa e shohin të bjerë shpesh duke rrëshqitur, nëna e ati diskutojnë nëse për forcimin e trupit i duhet dhënë përparësi stërvitjes së Olsit në grup apo asaj individuale.
            Le të fillojmë e të shtjellojmë pyetjet që kemi për njëri tjetrin ndërsa lexojmë pjesët e para të "Rrugëtimit". Mbase kjo pjesë do ju ngjajë fundeve të kapitujve, në dispensat e shpifura të shkollës, por është një e keqe nga e cila nuk shpëtojmë dot ne të rriturit. Jemi të molepsur.
            Pyetja e parë që dikujt i vjen ndërmend është se ç'pa Olsi në Banjon Publike, që i heq atij mundësinë për tu bërë një mjek i mirë në të ardhmen, po kjo është një pyetje kot, që s'ka të bëjë me diskutimin rreth shkollimit të 6 vjeçarit.
            "Mua më duket plani i së jëmës i llogjikshëm dhe i dobishëm apo jo?" është një lloj deklarate e pasigurt e dikujt tjetër, që gjen një balancë të mirë mes përgatitjes trupore dhe asaj akademike të Olsit, në planin për mësim kitare, gjuhe të huaj, dhe stërvitje futbolli mbi mësimet në shkollën e sprovuar private. Plani nuk është i pallogjikshëm nëse e konsiderojmë 6 veçarin një lodër të cilën e duam marrëzisht po duam të na ngjasë, të na i kalojë, ose të arrijë ato "suksese”, që i kemi ëndërruar po nuk i kemi arritur dot vetë. Po a e bëjmë ne planin e edukimit të pasardhësit, me një lloj pasigurie dhe frike? Bëhet fjalë për brumosjen e një njeriu dhe një njeriu të cilin e duam edhe më shumë se veten.
Një pyetje tjetër e natyrshme është "Po i jati a nuk rri si shumë larg Olsit dhe nuk përpiqet t'i mësojë gjëra që janë të domosdoshme për një fëmijë gjashtë vjeç?" Sigurisht, që i jati ka si detyrë kryesore të sjellë në shtëpi mjetet e jetesës dhe meqë në Amerikën e Veriut do ikë pa u zgjuar Olsi nga gjumi dhe do kthehet kur të hanë darkë, ndërsa në Shqipëri e Greqi do kthehet po në darkë, ama i ngrënë e i pirë e do shtrihet të marë një dremkë në kolltukun tresh, atëhere nuk mbetet shumë kohë për Olsin, veç uikendit. Fundjavat do kalohen edhe me familje të tjera në pikat turistike, ku të gjithë do kënaqen sipas qejfit të tyre, ndërsa i vogli gjshtëvjeçar do dëgjojë për shoqet e shkollës së Anas dhe do përpiqet të mos klithë si çakall.
(vijon)