Tuesday 28 February 2023

Gëzuar “Ditën e Vërës”!


Ndryshimi i një zanoreje të vetme, dikur në thellësitë e shekujve, i ka ndryshuar kuptimin një feste shumë të hershme pagane të vendit tonë, festë që mund të jetë edhe më e vjetra në Europë. Eshtë fjala për 1 marsin, të cilin të gjithë e festojmë si Dita, që shënon fundin e dimrit dhe ardhjen e pranverës. Një festë vërtet domethënëse, por që sipas një grupi studiuesish seriozë, ku përfshihen edhe Alfred Cako dhe poetesha Rita Petro, festa pagane dhe ritet e saj nuk i janë kushtuar ndryshimit të stinëve, por fertilitetit njerëzor.

Ndër argumentat kryesore janë ata gjuhësorë, kalendarikë dhe të ritualistikës.

Fjala “vera” si stina më e ngrohtë e vitit, është shumë e vonë në gjuhën shqipe dhe e huajtur nga latineja “primavera”, kur tashmë është e dokumentuar se festa pagane, në anët tona, kremtohej të paktën 5-6 mijë vjet më parë.

Gjithshtu pellasgët kanë qënë shumë të përparuar në çështjet e astronomisë dhe të cikleve kohore. Ata njihnin mirë ekuinokset dhe solsticeve dhe nuk kishte asnjë arsye, që të caktonin festimin e ndryshimit të stinëve tre javë para ekuinoksit pranveror.

Sipas studiuesve, ndryshimi i emrit dhe i karakterit të festës është bërë nga pushtuesit e huaj, të cilët sollën fenë krishtere, që nga qëndrimi ndaj seksologjisë ishte shumë më konservatore se fetë pagane. Pellasgët jo vetëm ishin krenarë për të kremtuar aftësitë e tyre pllenore, por kishin edhe njohuri të përparuara, të cilat shkenca moderne i ka njohur vetëm në vitet e fundit.  Ditën e parë të marsit, në trevat shqiptare, ndodh fillimi i rritjes së testosteronit në meshkujt, një dukuri kjo që zgjat në muajt mars, prill dhe maj.

Edhe ritet e festimit përkojnë me karakterin tepër seksual të festës. Ato fillojnë gjatë natës së para 1 marsit pranë zjarreve dhe vazhdojnë deri pas mesnate. Interesant është riti i kërcimit mbi zjarret, të cilin një mjek higjenolog i grupit studimor, e shpjegon si rit pastrimi para çiftimit. Në fund të të shkurtit ujërat ishin shpesh të ngrira dhe metoda më e efektshme ishte kërcimi mbi zjarre dhe përcëllimi përfundimtar, i “morrave, pleshtave dhe mikrobeve”. Dhe dihet mirë se ç’lloj veshjesh mbanin paganët pellasgë të mijëra viteve më parë.

Po kulaçi dhe fiqtë e thatë?

E kujt nuk i ka shijuar një kombinim i tillë, pas një nate të gjatë plot dashuri!

Monday 27 February 2023

Shkurt 2023


Ky nuk është vit i brishtë. Mot do jetë. Duhet të plotpjestohet me 4 dhe ky është vit tek. Vitet tekë nuk e përmbushin kriterin për të qënë të brishtë. Madje edhe nga vitet çift, vetëm gjysmët e tyre e plotësojnë.

Nuk di pse duhet të quhet “i brishtë“ një vit që ka një ditë më shumë. Duhet të quhej “vit i dhjamur” ose “vit muskuloz”, por i brishtë nuk shkon.

E megjithatë duhet të presim edhe një vit, që të vijë “i brishti” dhe shkurti i sivjetem, që ishte “i zakonshëm” ishte pak më i mirë se dy të kaluarit e prekur nga Covid-19, që duket se më së fundmi po harrohet, pasi “likuidoi” gjithë pensionistët dhe la impotentë 90% të meshkujve. (Këtë janë të dhëna që janë kopjuar nga deklaratat e Fredit të Bajramit dhe Paçit, ose si njihet në mediat tona, Alfred Cako.)

Këtë shkurt u hodh poshtë slogani i njohur korçar “shkurti shkurton urët”, sepse koha ka qënë sikur të ishte maj dhe “urët” mund të mbeten edhe për vitin tjetër. Ndoshta edhe “lëkurët” janë mbledhur gjatë marseve të kaluara, përsëri nëse i besojmë deklaratave të Alfred Cakos.

Këtë shkurt, filloi Revolucioni i Berishë-Metës, të cilët hodhën poshtë bestytnitë, se gjërat e nisura në shkurt nuk mund të jenë kurrë jetëgjata. Revolucioni ka nisur dhe do përfundojë me fitoren e opozitës në të gjitha Bashkitë e Shqipërisë, përjashtuar këtu Bashkia që ka një kryetar me emrin Tërmet. Me Tërmetin nuk ja del dot. Tërmeti i këtij shkurti ka rrezik t’i hajë kokën edhe Byrazerit të Madh Erdogan, që nuk konkuron në Big Brother.

Këtë shkurt, në mënyrë të logjikshme, sopranoja që mban emrin e përmbysur të babait, vuri në skenë operetën pak të përmbysur “Karnavalet e Korçës”. Kjo solli indinjimin e të gjithë sojit të Samarpunuesve, të cilët e shohin këtë vepër të Xhahil Bilbilit, si sulm ndaj sojit të tyre. Një lloj konfuzioni solli edhe në Bashkinë e Korçës, që Karnavalet e Korçës i bën në qershor. Situata u qetësua pasi grupi “Ilaçet nuk më bëjnë gjë, s’më shërojnë plagëtë“ sqaroi në mediat shoqërore, që kur viti nuk është i brishtë, Karnavalet mund të bëhen edhe në shkurt.

Ky shënim po zgjatet pak si tepër dhe shkurti kërkon të jesh më konçiz.

Që t’i pres drutë shkurt, pasnesër është Dita e Verës dhe ç’kemi “morra e pleshta” t’i djegim në zjarret e mbrëmjes së 28 shkurtit, e të shpresojmë se Pranvera, si gjithnjë do na bëjë më budallenj dhe më të guximshëm.

PS. Për pak harrova të thosha, që Di Lana nuk duhet të kapërcejë zjarret, se mund të marrë flakë. Eshtë Peleshi.

Sunday 26 February 2023

Vasili dhe Katerina

 

Stërgjyshi im nga ana e nënës ishte sharrxhi. Si shumë të tjerë të katundit të tij. Katundi kishte emrin Treskë, që në shqip më mirë përkthehet “bluazhgë“. Duket që ka pasur shumë pyje dhe vende ku latoheshin trungjet, që i kishte mbetur ai emër atij fshati të bukur, njëri prej më të shquarve të Vakëfeve. Një treskalli i kënduar, thotë se fshatarët e Treskës kanë qënë çifutë, por që çuditërisht ishin kthyer në të krishterë të thekur dhe nuk dinin asnjë fjalë hebraisht. Unë nuk besoj se Vasili ka qënë hebre dhe as Katerina, që ishte prej të njëjtit katund.

Katerina ishte vajzë e vetme. Ishte dhe e bukur. Ndoshta i pashëm ishte dhe Vasil Nikolli, që e kishte pëlqyer dhe e kishte kërkuar për t’u vluar. Ja kishin dhënë. Ishin martuar në fshat dhe nuk kishin dalë në “resme”. Ndoshta as në Korçë nuk kishte fotografë, kur ishin martuar Vasili dhe Katerina. Kishin bërë shumë fëmijë dhe pesë ju patën rrojtur. Vasili punonte pyjeve dhe Katerina rriste fëmijët. Dy djem dhe tre vajza. Të gjithë të pashëm. Ime më thoshte “t’ju këputje kokën”, por e thoshte për shumë të tjerë të fisit të saj, që mua nuk më dukeshin të tillë.

Djemtë ishin të mëdhenjtë e fëmijëve, por duket që nuk donin të bënin zanatin e të jatit, që rrinte me ditë larg shtëpisë dhe lodhej. Dhe bëhej edhe nevrik. Dhe i kanosej Katerinës. Gruaja e re dhe e bukur duronte. Duroi edhe kur i vdiq e jëma dhe Vasili nuk e la të merrte të jatin në shtëpi. Ishte ters Vasil Nikolli. Ndoshta nga që punonte shumë për të mbajtur tetë gojë. Katerina e duroi, por nuk ja fali kurrë. I jati u pleqërua në shtëpinë e të kushëririt të tij prift në Boboshticë. E bija e vetme nuk ishte atje t’i mbyllte sytë kur dha shpirt. U betua të mos i fliste më të shoqit. Dhe nuk i foli më. Edhe pse ishte shumë fetare. Edhe pse feja e krishterë të mëson të falësh. Kishte qënë shumë e rëndë për të mos kujdesej për të jatin. Ungjilli të mëson të nderosh nënën dhe babanë. Asaj i dukej se nuk e kishte nderuar t’anë.

Po në atë shekull burrat punonin dhe burrat vendosnin. Vasil Nikolli kishte vendosur mos e merrte vjehrrin në shtëpi. Djemtë ishin ende të vegjël, ose kishin ikur në Amerikë të nxirrnin para e të ktheheshin të hapnin dyqan në katund. Nuk i dilnin dot krah të ëmës dhe të gjyshit. Vajzat ishin më të vogla dhe nuk bënin dot zë, por ndjenin dhimbjen e Katerinës.

Më pas fëmijët u rritën dhe të rriturit u moshuan. Vasil Nikolli nuk punonte dot më dhe “pushtetin” në familjen e madhe, me dy djem të martuar dhe me fëmijë, e kishte marrë Katerina. Katerina që nuk kishte harruar asnjë ditë, atë që i kishte bërë dikur i shoqi. Ndaj dhe Vasili rrinte më shumë në qoshkun e tij, ku edhe hante edhe flinte. Katerina i dërgonte gjellën me një nga mbesat e vogla dhe i thoshte: “I thuaj ha, farmakosu!” Efigjenia e vogël, që nuk dinte se ç’bëhej në botën e të mëdhenjve, ja shpinte pjatën duke e mbajtur me kujdes dhe i thoshte: “Ha gjyshi, amakosu!” Vasili psherëtinte dhe i thoshte mbesës: “Nuk ke faj ti moj bijë! Fajin e ka dosarja!”

Shekulli kishte ndërruar, por pak gjëra kishin ndërruar në fshatin e bukur me emrin Treskë dhe në shtëpinë e Vasil Nikollit, me një man të madh, në mëhallën e Gurit. Kur të gjithë më vonë zbritën në Korçë, asnjëri prej djemve nuk mbajti mbiemrin Nikolli. Im gjysh mbajti mbiemrin Treska ndërsa i vëllai Treska dhe Pema. As tre djemve të tyre nuk ju dhanë emrin e të atit.

Kaq i thellë ishte zemërimi i Katerinës? Si zem[rimet  që këndohen nga Muzat? Apo si në historitë e vrazhda të Dhjatës së Vjetër të hebrejve, si një provë më shumë për treskalliun e kënduar?

Saturday 25 February 2023

Rrethoret

Ato janë rrethore,

Më e përsosura formë,

Dhe rrëshqasin gishtave të mia të mësuar

Kur ikin brengosje nuk sjellin

Dhe kur mblidhen nuk më bëjnë të gëzuar.

Edhe pse pa shpirt

Më duken se kanë një vështrim prej putane

Ndërsa i ve mbi njëra tjetrën;

Vërtet një vështrim të lerosur putane të vjetër

Që dhe pse e ndyrë,

Joshjen mban ende brenda vetes.

Të veshura në të kuqe,

Në një të blertë të fortë

Dhe më të rëndat në vishnjë

Me vetëm pak orë gjumë

Ato ju përkëdhelen pleqve,

Pa harruar të rinjtë

Për të ndjerë prekjen e tyre të ngrohtë,

Prekjen që i bën të ndjehen të rëndësishëm

Në rrotën që herë i ngre lart

Dhe më shpesh poshtë i mban.

Friday 24 February 2023

Reflektime (fund)


(vijim)

Cili është qëllimi kryesor i sistemit arsimor kudo në botë?

Përgjithësisht mund të bashkohet në një fjali të vetme:

Të përgatisë fëmijët për jetën.

Po për ç’lloj jete përgatit fëmijët shoqëria njerëzore e vendeve më të përparuara, gjë që kopjohet edhe në vendet e pazhvilluara?

Të gjithë shoqëritë përgatisin njerëz për punë. (Një lloj skllavërie moderne.) Njerëzit janë të gjithë (veç super të pasurve) pjesën më të madhe të kohës, që nuk janë në gjumë, në punë. Po kështu nisin që në fillimet e tyre fëmijët të mësohen me regjimin, që i mban deri më 5 pasdite në një mjedis të vetëm, që dashje pa dashje kthehet në një shkollë-burg. Ky angazhim tepër standart i të gjithëve në një mjedis për orë të zgjatura detyrimisht që do sjellë anomali në rrtijen dhe formimit e qytetarëve të rinj.

E para- në të gjitha shkollat e vendeve të përparuara nuk kultivohet koncepti i të drejtës së lirisë. Nuk ka liri të zgjedhjes së programeve se janë të standartizuara për të gjithë. Nuk ka liri të veprimit gjatë ditës, sepse je i detyruar të dëgjosh ato ç’ka thotë mësuesi edhe nëse të interesojnë ose jo.

E dyta- Nuk mund të ketë në klasa me 30-40 nxënës dhe një mësues dhënie dhe nxënie të dijeve sipas cilësive të veçanta të nxënësve, në mënyrë, që në një kohë sa më të shkurtër, fëmija të marrë maksimumin e dijeve që i interesojnë dhe i vlejnë. Futja e mendjes së një fëmije në “kallëpin” që ka përgatitur Ministria apo Bordi dhe që mësuesi e ndjek me rigorozitet është njëlloj si futja e një të sëmuri mendor brenda këmishës së forcës, e cila vetëm se e acaron më shumë dhe i kufizon akoma më tepër lirinë. Në shkollat tradicionale jeta e fëmijëve dhe adoleshentëve humb cilësinë e saj, si është krijuar nga Natyra apo nga ndonjë Forcë e Mbinatyrshme.

Ndaj duke ju kthyer përpjekjeve të njerëzve për të ndryshuar, këto janë të gabuara në konceptim nga shoqëria që në qëllimin dhe pikënisjen e tyre. Tek ata që nuk e kanë “genin” e ndryshueshmërisë, kjo sjell përplasje të vazhdueshme dhe pa rrugëdalje me të gjitha llojet e autoriteteve. Në regjimet diktatoriale dhe autarkike, njerëz të tillë përfundojnë burgjeve.

Po i rikthehem fillimit të këtij shkrimi dhe dëshirës sime për të ndryshuar. Duke qënë se pasi kalova të 50-tat kuptova se jo vetëm ishte gati e pamundur të ndryshoja, por nuk ishte edhe e domosdoshme të ndryshoja, zgjodha të largohesha sa më shumë që të ishte e mundur nga autoritetet. Problemet e vazhdueshme me ta ishin vetëm njëra nga gjërat që më shqetësonin. Kishte (dhe ka) edhe të tjera gjëra, që doja të ndryshoja në jetën dhe sjelljen time, në marëdhëniet me njerëzit, por pata kuptuar se nuk e kisha këtë aftësi.

Atëhere vendosa të jetoj në një gjendje sa më pranë Lirisë së plotë, që është e mundëshme. Duke i ngritur në mënyrë figurative gishtin e mesit drejtorit të atëhershëm të shkollës, kryetarit të sotëm të bashkisë dhe kryeministrit të së nesërmes.

Thursday 23 February 2023

Reflektime (2)

 


(vijim)

“Kthesat” e mëdha, ndoshta edhe 180 gradëshe, nuk janë të pamundura për njerëzit. Por nuk janë edhe kaq të lehta dhe të shpeshta. Sepse janë të pakët ata, që kanë genin e “ndryshueshmërisë gjigande”. Që njëkohësisht duhet të ketë edhe të pranishëm edhe një ndryshim drastik të mjedisit dhe shoqërisë. Mund të ketë ndryshime të gjendjes financiare, të besimit fetar apo të pozitës shoqërore, por këto nuk janë “kthesa” të cilësive të individit apo të karakterit të tij, por parametra të tij në raport me shoqërinë apo ideologjitë.

Shpesh flitet se me ndryshimin e sistemit shoqëror në Shqipëri në vitin 1991 njerëzit ndryshuan për keq. Unë nuk i besoj këtij vëzhgimi. Njerëzit që kam njohur gjatë viteve mbetën po ata që ishin. Të mirët, të disiplinuarit, mashtruesit, ata pa bosht, servilët, altruistët, bujarët, intrigantët, të mefshtët mbetën po të tillë. Ndoshta liria theksoi disa tipare negative apo pozitive të tyre, por në thelb, për mendimin tim kanë mbetur të njëjtë. Gjithashtu përafërsisht e njëjta dukuri ka ndodhur edhe me ata, të cilët kanë emigruar në vende të zhvilluara perëndimore. Kanë ndryshuar vetëm ata, të cilët kanë pasur cilësinë e ndryshimit dhe përshtatjes brenda “software” të tyre. Një moshatari i jonë, që në rini pat qënë bashkëpunëtor i Sigurimit edhe në një vend perëndimor ishte munduar të bënte karrierë duke u ngjitur pas një partie dhe duke ju lëpirë “të fuqishmëve”, sikundër kishte bërë në Shqipëri. Raste të tilla janë të panumurta.

Ka diçka shumë themelore, që nuk shkon sipas logjikës që kam parashtruar në këto rrjeshta. Sistemi arsimor dhe ai i burgjeve.

Të merremi në fillim me të dytin, që është më pak kompleks dhe në kohët moderne bazhohet në parimin “shkelësit e ligjit të edukohen nëpërmjet izolimit dhe kurseve brenda tij, që të mos jenë më të rrezikshëm për shoqërinë.”

Nëse pranojmë se pjesa më e madhe e popullsisë e ka të pamundur ndryshimin “e madh”, atëhere ka diçka , që nuk shkon në afatet e dënimit, në rishikimin e dënimeve (parole) dhe më pas në programet e riintegrimit të të ish-dënuarve në shoqëri. Në Shtetet e Bashkuara 68% e atyre që janë dënuar njëherë rikthehen në burg, pra në 10 vetë, 7 janë të pandreqshëm. Nuk mund ta bëjnë “kthesën e madhe”. Dhe numuri mund të jetë disi më i lartë, pasi me siguri ka edhe nga ata, që pasi kanë dalë nga burgu vazhdojnë veprimtarinë kriminale, por nuk kapen ose nuk ka fakte të mjaftueshme për t’u ridënuar. Dhe bëhet fjalë për një vend me sistem juridik të përparuar edhe pse sistemi i qëndrave të dënimit vlen për të dëshëruar.

Duke mbetur në këtë pikë, disa pyetje janë shumë të llogjikshme. Duhet bërë një trajtim i diferencuar mes a tyre që mund të ndryshojnë nga të tjerët? Eshtë e kotë që të provohet çdo lloj gjëje? Vetëm ndërhyrjet gjenetike mund të japin rezultate të efektshme?

Dështimi në qendrat e edukimit të izoluara (burgjet) është rrejdhojë e dështimit të një sistemi më universal në shoqërinë njerëzore, që është sistemi arsimor.

(vijon)

Tuesday 21 February 2023

Reflektime

 

Dua edhe unë të reflektoj për të metat e mia. Dhe nuk janë të pakëta.

Kjo dëshirë për reflektim është objekt i ketyre reflektimeve, që shumë njerëz të letrave i quajnë refleksione, sepse tingëllon më moderne, më e thellë dhe më intriguese.

Por dëshira për të reflektuar, duhet edhe ajo të jetë pjesë e “softit”, që të është instaluar “atë ditën e tretë pas konceptimit”. Po njëlloj si janë të “instaluara” të mirat dhe të metat, hyqet dhe tarbietet, talentet dhe mangësitë. Nuk mund të reflektosh sepse të thotë dikush edhe sikur të jesh i bindur se ka të drejtë. I tha dhe sho Enver sho Mehmet, të shkonte në shtëpi e të reflektonte dhe të vinte në mëngjes me një autokritikë më të thellë, por sho Mehmet nuk mund të reflektonte më thellë dhe vrau veten. Dikush mund të thotë se ai e kuptoi , që “shoku i armëve” i kërkonte ta damkoste veten si armik, që dhe ai të thoshte që e pranoi me gojën e tij. Dikush tjetër mund të thotë, që nuk e lanë as të reflektonte por e vranë. Një i tretë mund të hidhet e thotë “ç’na mbushe me miza me këto meseletë e sho Enver!” Dhe të gjithë kanë të drejtë dhe nuk kanë asnjë arsye që të reflektojnë për opinionet e tyre.

Por le të merremi me dëshirën për të reflektuar, përpjekjet për të reflektuar, mundësitë për të reflektuar dhe gjithë ç’rrjedh më pas.

Dëshira për të “reflektuar” ngjizet në fëmijëri, që kur prindërit të thonë se kjo nuk duhet bërë, ose nuk duhet ta bësh keq dhe ti ju premton se nuk do e bësh më ose se do e bësh më mirë. Unë nxitoja për të ngrënë pa larë duart dhe edhe pse im atë më dërgonte t’i laja, i lagja shpejt e shpejt pa i larë, i fshija dhe ulesha në tryezë. Pas kontrollit dërgohesha sërish e sërish, por edhe pse premtoja se nuk do ulesha pa i larë duart vazhdova shumë vite të mos “reflektoja”. Një kohë të gjatë pata në shtëpi epitetin “qelbak”, por kjo çuditërisht më bënte për të qeshur dhe nuk më nxiste të ndryshoja. Në shkollat e sistemit të vjetër, qoftë ai i Diktaturës, por edhe para saj, vërejtjet e mësuesve për të “ndryshuar”, “për të mos bërë këtë dhe atë“, “për të marrë shembull nga Agimi dhe Lindita” i mëshohej “reflektimit” si një gjë e domosdoshme dhe e mundëshme. Padyshim që modeli sovjetik, që eksperimentonte të bënte lopë 6 metra të gjata, mendonte se çdo gjë varej nga mjedisi dhe nëse krijoheshin kushtet dhe shtoheshin përpjekjet mund të krijohej Njeriu i Ri sipas një modeli të caktuar.

Duke dëgjuar të tilla “daulle” edhe unë desha të ndryshoja. Të bëja rregullisht detyrat dhe mësimet, të mos qeshja në orën e mësimit, të mos isha mes nismëtarëve për të ikur nga ora e mësimit dhe të mos ju ktheja fjalën mësuesve. Madje i premtoja vetes dhe të tjerëve, por nuk e mbaja dot më shumë se disa orë mësimi ose shumë shumë një ditë. Pamundësia për të ndryshuar bëri që gjatë gjitha cikleve shkollore të kisha probleme me mësuesit striktë, ata të paarsyeshëm dhe atyre me bindje të forta materialist-dialektike-sovjetike. Ndoshta këtë “pandreqshmëri” kishte parasysh drejtori i shkollës, që në një bisedë, ku nuk isha i pranishëm deklaronte: “si njeri është i keq!”. Nuk di nëse dhe ai sot e ka kuptuar se nuk mund të ketë adoleshentë të mirë e të këqinj si njerëz, por vetëm të ndryshëm dhe të tillë që edhe nuk mund të futen në kallëpe të paracaktuara nga sistemi.

Që kisha dëshirë të ndryshoja sepse ma kërkonin nga shumë anë, dëshmonin duke qeshur edhe prindërit e mij, që kur përpiqeshin njëherë të më zgjonin për të shkuar nga dhoma e ditës e të flija në dhomën time, nëpër gjumë ju thosha i trembur “kam bërë kthesë, kam bërë kthesë“. Nuk isha më shumë se 12 vjeç. Në nënndërgjegje më kishte mbjellë shoqëria në mënyrë imponuese nevojën për “të bërë kthesë“.

(vijon)

Monday 20 February 2023

Buzëtrëndafilja

Ti nuk e doje Buzëtrëndafilen,

Ndoshta se e pëlqeja unë.

Nuk ishte xhelozi,

Më tepër frikë se mund të shkisja

Endërrave i shkujdesur

Në lerën e dëfrimeve  pa fund

Ku kohën dhe frikët vrisja.

Por nuk kishte faj ajo

Me të trëndafilta buzë,

As De Andrei që pat shkruar për të.

E çdokujt mund të kishte qënë Muzë,

Cdokujt që joshte me hiret,

E dëshirën për të bërë dashuri,

Jo vetëm në maj,

Kur lulëzojnë bliret,

Edhe netëve të ftohta të dimrit,

Dhe ditëve të zymta të nëntorit me shi.

Ndaj edhe unë tinëz,

Dola me ata që shtireshin se ju pat rënë rruga,

Në të trenit stacion për ta përcjellë.

E dija që nuk do shkonte larg,

Mbase në qytezën më tej,

Ku të tjera gra do mërzitë

Dhe të tjerë burra do ndjellë.

Sunday 19 February 2023

Përshëndetje

 

Ai më tha “Përshëndetje” dhe unë për pak ju përgjigja “Përshëndetje e satëme!”, ose më keq akoma “përshëndetje e asaj të satëme!”. Ai nuk kishte asnjë faj veç që ishte më i moshuar se unë. Nuk ndjej të njëjtin revoltim, kur ma thonçë të rinjtë, ose edhe mesogratë, që ndjekin me fanatizëm emisionet televizive të kanaleve shqiptare. Por një 70 vjeçar duhet të ketë pak mend më shumë para se të thotë këtë “modernen” “përshëndetje”.

Po ç’ka të keqe këtu?

Kjo fjalë “përshëndoshëse”, e cila pak a shumë zëvendëson “hi” apo “ciao” ka marrë tani zyrtarizimin në shqipen e përditshme. Duhet pranuar si e tillë pa e vrarë mendjen shumë.

Dhe pikërisht këtu hyn “konservatorizmi” i im, që para se të përdor një fjalë apo shprehje, të cilën e përdorin të gjithë e vras mendjen pak si shumë. (Jo aq sa Ben Blushi, i cili i pat thënë Kadaresë, që e vret mendjen shumë në çdo çast.)

Ne na patën mësuar më të rriturit t’ju “jepnim vaftin” të tjerëve me urimet “mirmëngjes”, “mirdita” dhe “mirmbrëma” apo të tjera si “ditën e mirë“, “natën e mirë“ apo “mirupashim” kur ndaheshim. Vetë fjala “përshëndetje” edhe sipas gjuhëtarëve është një fjalë e përgjithshme, që përcakton grupin e këtyre fjalëve ku hynë edhe “lamtumirë“, “shëndet paç”, “tungjatjeta” e shumë të tjera fjalë të bukura të shqipes, që rrezikojnë të përdoren gjithnjë e më pak nga futja e pavend e fjalës “gjenerike”.

Përdorim më të gjërë pat marrë në kohën e Diktaturës, por përsëri nuk zëvendësonte ato, të cilat nuk duhet të zëvendësonte. Bëhej fjalë për shembull për “përshëndetja e pionierëve në Kongresin e Partisë“, ose “udhëheqësi përshëndet nga tribuna të pranishmit”, ose “në emër të partive marksiste-leniniste përshëndetjen e mbajti shoku Zhoao Amazonas”, apo në fund të fletë-rrufeve, ku vihej togfjalëshi “përshëndetje revolucionare”. (Ndoshta edhe kujtimi  atyre viteve e bën të bezdishme për ne të brezit tonë këtë fjalë.)

Përse është kaq e lehtë të thuash në telefon “përshëndetje”, kur mund të thuash “mirdita” ose edhe “si jini?”

Eshtë fjala “përshëndetje” një lloj kyçi kopil, që mund të hapë lehtësisht çdo lloj bisede, me të njohur dhe të panjohur?

Tamam tamam mund të jetë çelës i një fraze të këtij lloji : “Përshëndetje, po normal, që unë për momentin nuk kisha se si të mos ndjehesha i realizuar, kur përballem me një figurë të dimensioneve të tilla që e ngre stekën gjithnjë e më lart”.

Përgjigja e konservatorit matuf do ishte: “Merri me “përshëndetje”, me “po normal”, me “dimensione” dhe me gjithë “stekën” dhe “për momentin” futi atje ku të dhemb më shumë!”

 


Saturday 18 February 2023

Salvatori

Ai ka një javë në Toronto. Vizitor. ka qënë edhe një herë më parë. Më tregon se e ka gjetur komunitetin copë-copë. Dhe ky është një problem mbarëshqiptar. Edhe në trevat e tjera ku ka diasporakë. 

Më tregon për një takim me një mësuese shqiptare në Toronto, të cilës i kishte shpjeguar se duhej sa më parë shoqata e mësuesve shqiptarë të Torontos. Më tha edhe se si e kishte konceptuar, që të mos përsëriteshin gabimet, që bëjnë shoqatat e tjera shqiptare, që në themelim. Mu kujtua shoqata "Labëria". Ajo jep edhe çmime. Ndoshta nuk duhet të japë. 

E pyes nëse mësuesja shqiptare në Toronto kishte idenë për krijimin e shoqatës. Më tha "Jo". Idea i kishte lindur atij vetë, si e vetmja më nyrë për të krijuar komunitet. Komuniteti përcakton të ardhmen më tha. Më tregoi edhe për krijimin e shoqatës së fshatit nga e ka origjinën. Përpjekjet dhe vështirësitë. Edhe arritjet. Pastaj më përmëndi organizimet e çifutëve dhe rikthimin në Izrael. Kështu duhet të ndodhë edhe me ne. "Cifutët e bënë pas dymijë vjetësh.'-tha Por duhet nisur nga krijimi i një komuniteti të fortë. Kjo është baza. Dhe nëse krijohet një në Toronto, shembullin do e ndjekë edhe Detroiti, Roma, Athina, Nju Jorku dhe Londra. Të gjitha qytetet ku ka shumë shqiptarë. Të gjitha ku shqiptarët janë të paorganizuar dhe të çoroditur. Bëri me faj Ministrinë e Diasporës të kohës kur kishte një të tillë dhe Qeverinë për heqjen e Ministrisë së Diasporës.

Unë e dëgjoja me vëmendje dhe i thosha vetes se ç'bëja në këtë kafe të ngritur për herë të parë nga çifutët më 1919 në Berlin. Po më krijohej gjendja e brendëshme, që jo rrallë më ka shpënë në situata të papëlqyeshme.

Ai ishte i qetë dhe shumë i sigurt në ato që thoshte. E kishte çdo gjë të qartë. Dhe me këtë qartësi dhe siguri është i suksesshëm në Tiranë. Dëshëron edh të tjerët të jenë mirë. Shqiptarët e tjerë në botë, që janë të paorganizuar. Do t'i shpëtojë. T'i shpëtojë nga konfuzioni i tyre. Pastaj gjithshka do rrjedhë mirë e bukur. Më përmëndi ndihmën që jep qeveria kanadeze për këto lloj organizimesh. Më tha dhe që kruasani, që kishte para ishte i thatë. Nuk dija nëse duhet të reagoja në mbrojtje të kruasanit kanadez apo jo. 

Mora t'i shkruaja mesazh avokatit tim, që po ndjej nevojën për t'i dhënë një dackë. E dija që do më ndalonte. Salavatori vazhdonte të ligjëronte shtruar për të gjitha mundësitë dhe të mirat që do sillte krijimi i një komuniteti të fortë në Toronto. Thirra kamarierin të paguaja duke u justifikuar me një takim të rëndësishëm familjar. E pashë që u zhgënjye, por reagoi me mirësjellje. Duhet të takohemi sërish më tha.

Patjetër! 

Friday 17 February 2023

Arkitektët e lënë mënjanë


Edhe pse e njoh përciptaz gjendjen e punësimit të arkitektëve në Shqipëri më vjen keq që një pjesë e më të rinjve prej tyre nuk janë ende në gjendje të gjejnë punë. Arsyet janë nga më të ndryshmet, ku mund të ketë luajturrol të madh hapja e shumë degëve të arkitekturës në disa universitete dhe numuri i paplanifikuar i studentëve. 

Por sot dua t'i mëshoj një fakti, që më ka shqetësuar që kur punoja në Shqipëri dhe që është mungesa e solidaritetit mes arkitektëve. Ma risolli në mendje një lajm, që shënonte rihapjen e fushatës për anëtarësimin në Shoqatën e Arkitektëve.

Edhe pas 32 vjetësh të nisjes së praktikave private dhe dhënies së liçencave nuk është i detyruar anëtarësimi në Shoqatën e Arkitektëve?!

Detyrimi për të qënë i anëtarizuar nuk është një mungesë e lirisë si mund të duket në pamjen e parë. Eshtë tregues se Shoqata e Arkitektëve duhet të jetë një institucion me kompetenca, sikundër simotrat e saj në vendet perëndimore. Në të kundërt nuk do kishte fushatë, por arkitektët jo vetëm do kishin domosdoshmëri anëtarësimin, por nuk mund të kishin as mundësinë e liçensimit pa qënë anëtarë.

Liçencat e arkitektëve duhet të jepen ose të hiqen nga Shoqata e arkitektëve dhe jo nga shteti. Si kudo në botë.

Më kujtohet që 20 vite më parë, kur bisedoja me një kolege në Tiranë për pengesat që kishin arkitektët në "kapjen" e projekteve, veçanërisht të atyre me fonde publikeajo u shpreh "Ja sa të miratohet statusi i arkitektit!" M'u duk qesharake logjika e sa që e kuptonte Statusin si një shkop magjik, i cili do zgjidhte të gjitha problemet. (Ende edhe sot nuk ka një status të miratuar.)

Problemet tona nisin me mungesën e solidaritetit, me shprehjen e forcës kolektive intelektuale ndaj shtetit dhe shtetarëve, të cilët duan të mbajnë çdo kompetencë për vete. Dhe kështu ka ndodhur. Një pakicë prej nesh është "lakuar" ndaj pushtetarëve dhe ka ndodhur gati një "asfiksim" i shumicës. Dhe kjo ka sjellë, që të vërshojnë arkitektë të huaj (disa edhe me reputacion të dyshimtë) dhe të "gllabërojnë" shumë projekte, që mund të projektoheshin më mirë nga arkitektët shqiptarë). Fuqizimi i studiove vendase do sillte edhe punësimin e dhjetra arkitektëve të rinj, të cilët ose punojnë në "call centers" ose bëjnë punë të tjera larg profesionit.

Ndaj duhet të jetë e qartë për të gjithë se "ne jemi në luftë me pushtetin për të patur kompetencat tona kolektive dhe individuale. I kemi fituar me vite të tëra studimi dhe nuk ka pse t'i lypim në një Zyrë Bashkie apo të Ministrisë së Infrastrukturës.

Sigurisht që edhe në botë ka arkitektë, të cilët nuk punojnë në profesionet e tyre. Ndodh në Itali ku ka pasur një numur të pallogjikshëm të të diplomuarve në arkitekturë. Por ato "gabime" të të jerëve ne nuk kemi pse t'i përsëritim dhe duhet të bëjmë çdo gjë që kemi në dorë për të fituar të drejtën tonë dhe për të ndalur arrogancën e pushtetit. Nuk mjafton vetëm të ankohemi kafeneve.

 

Thursday 16 February 2023

Hipokrizia e Koles me Deden

Prisja me të vërtetë, që diçka do bëhej në Korçë për largimin nga jeta e Petraqit.

Ishte nga të paktat figura shumëdimensionale. Arkitekt, poet, përkthyes, deputet. Mbi tëgjitha ka projektuar në harkun e dhjetë viteve veprat më të mira arkitekturore në Korçë. 

Nuk u bë asgjë për të në qytetin e lindjes, të cilin e e nderoi dhe e zbukuroi. Më thanë që Kola (Nicolo Di Lana) dhe Dedja (Raqi Filo) ishin mjaftuar me nga një status të thjeshtë në Facebook. Nuk di se ç'ka bërë Kola në Tiranë, por pjesëmarrja e Filos në varrimin e Petraqit duhet të ishte gjëja më minimale që duhet të bëjë një kryetar bashkie, për një intelektual të dimensioneve të tilla e që për më tepër ka qënë edhe përfaqësues i popullit të Korçës në një ose dy legjislatura.

Por ka disa arsye, që nuk i lene këta "liliputë" të Korçës të nderojnë Petraq Kolevicën.

E para është se nëse shihen në pasqyrën, që vepra e Mjeshtrit të Arkitekturës ju ve para, fytyra ju del shumë e shëmtuar.

Petraqi ishte jo vetëm intelektuali i klasit të parë, por mbi të gjitha ishte njeriu me integritet intelektuali, i paepur edhe kur mund t'i rrezikohej karriera dhe e ardhmja e tij dhe e familjes. Dhe këta dy "liliputë", që për fat të keq kanë në dorë Korçën janë jo vetëm të korruptuar, jo vetëm mendjengushtë, jo vetëm të pakulturuar, por mbi të gjitha kompromisaxhinj dhe konformistë të klasit të parë. Dikur, kur ishin përkrahës të opozitës antikomuniste entusiazmoheshin nga fjalët e Petraqit. Tani nuk duan as të kenë emrin krah kujtimit të tij.

Ka një arsye të dytë, që i bën hipokritë dhe njëkohësisht të fshihen, kur bëhet fjalë për veprat e Petraqit në Korçë. Përçudnuan dy më të mirat e tij, që duhet të ishin në listën e Monumenteve Arkitekturore të Shqipërisë. Bibliotekën dhe shkollën "Themistokli Gërmenji". Sigurisht pa përfillur të drejtën e autorit dhe pa marrë as formalisht lejen e tij.

Arsyeja e tretë është që i dhanë "kartabiankë" për të projektuar në qytet, një arkitekti te quajtur Peter Wilson, që nga qasja që ka ndaj arkitekturës dhe nga raportet e tij me pushtetin është antipodi i arkitekt Kolevicës.

Në fund të këtij shënimi dua të shtoj diçka të njohur prej shekujsh.

Përkohësisht, "liliputët" mund të kenë në dorë edhe qytetin edhe fatin e njerëzve të tij edhe kremtimet për ngjarjet dhe figurat që ju pëlqejnë, por në kujtesën e gjatë të njerëzve do mbetet Petraq Kolevica, sikundër kanë mbetur Lakçeja, Hafëz Ali Korça, Turtulli, Kristo Floqi dhe të tjerë korçarë, që Diktatura për 50 vjet u përpoq t'i fshinte nga historia. 




Tuesday 14 February 2023

Njerëzit ikin


Nuk ishte më as kafeja “Starbucks”, ku kisha kaluar aq shumë orë. Shpesh i pari. Rrallë kishte të tjerë që ishin ende të ulur mëngjesave. Kishin marrë kafetë e tyre dhe kishin nxituar për në punë. Unë nuk ngutesha. Deri në orën 8, që duhet të isha në zyrë kishte edhe dy orë. Mund të pija me nge kafenë, të lexoja titujt kryesorë të lajmeve dhe të shkruaja ç’të më vinte. Pa asnjë plan. Të përktheja Bodlerin ose të shkruaja kundër Berishës dhe Ramës. Kur ëndërra e fundit ishte ende në mendje mund të shkruaja edhe ndonjë poezi. Në të njëjtin vend. Që në mendje e quaja vendin tim. Herë herë ngrija kokën për të parë kush kishte hyrë me vrull. Ishin të pakët ata që më flisnin edhe pse mund të më kishin parë ditët e tjera. Më pëlqente që nuk më fliste kush. Dilja vetëm një herë jashtë për të pirë një cigare, kur dielli ishte në të dalë. Ai lëpihej vetratave të mëdha, por nuk arrinte të binte mbi ekranin e mbiprehërësit tim.

Baristët ishin të njëjtit mëngjeseve. Tre meshkuj, dy prej të cilëve ishin gay. Njëri dukej që tej nga vetullat e hequra dhe pak rimel rreth syve, por për  tjetrin e kisha mësuar shumë vonë. Ishte një barist shumë i saktë dhe i sigurt në punën e tij. I kujdesshëm edhe në bisedat e shkurtëra me klientët. Më tregonte që ndihmonte familjen dhe të vëllanë që ishte drogmen. Prej ati kuptova që kisha një lloj stereotipie në shikimin e homoseksualëve.

Tek “Starbucks” tjetër, atje ku lexoja edhe libra pa i blerë, kishte pak ndryshime. Baristja e mëngjeseve ishte e njëjta dhe ecte sërish si kaike, megjithëse më spjegoi se kishte zëvendësuar një “këllk” dhe një gju me metalikë. U mata t’i thoja se si bënte për të kaluar në kontrollet e aroporteve, por u përmbajta se m’u duk një shaka e palezetshme. Atje takova Toni Fasulon, që nuk ishte dobësuar, por ishte më i shkurtër. Të dukej si një masë viskoze, që humbiste çdo vit e nga pak lartësinë. E pyeta për Doug dhe më tha që vdiq vjet. Kancer në mushkëri. Tonin e kishte përfshirë edhe në testamentin e tij. Doug kishte një dyqan antikuaresh dhe në katin e dytë edhe shtëpinë. Nuk kalova nga dyqani i tij. Më vinte keq.

Kishin vdekur edhe Ciki dhe Cikoja. Të dy ishin italianë dhe asnjëherë nuk ju mësova emrat e vërtetë. Edhe armeni Xhon kishte vdekur. Ishte më i moshuar se ata. Për Carlin nuk dinte njeri gjë. Ndoshta ishte në ndonjë shtëpi pleqsh në një qytet tjetër. Greku Harri, i lindur në Selanik dhe djalë gjenerali m’i jepte të dhënat. I jati kishte dashur ta bënte doktor, por ai nuk donte të shkonte në universitet dhe kishte emigruar pa bekimin e familjes. Nuk shkonte më në Greqi. Nuk shkonte as në kishë. Ka ende një djallëzi ballkanike në sy. Duket se nuk i bëhet më vonë për asgjë. “Hani, pini, .ini!”- më thotë në shqip dhe qesh. Qesh edhe unë me filozofinë e tij hedoniste, që çuditërisht e ka degdisur në një vend ku të mirat e jetës shijohen më me vështirësi.

Tek mëngjesorja më e mirë e qytetit, atje ku hanë policët dhe zjarrfikësit, ndjehem më mirë. Nuk ka ndryshuar asgjë. Absolutisht. Veç kamariereve plaka, që duhet të jenë në pension ose kanë vdekur, por që janë zëvendësuar nga të tjera kamariere të moshuara dhe të trasha. Menuja është e njëjtë dhe unë porosit të njëjtën pjatë që porosisja, kur shkoja atje; Biftek të pjekur pak, vezë syze dhe bukë me krunde të thekur. Më duket se edhe çmimi është ai i para dhjetë vjetësh, ose është rritur fare pak. Restoranti konservator më i mirë në botë. Nuk e gjen kurrë të zbrazët. Nuk kam për kë të pyes atje, se gjithnjë kam ndenjur jo më shumë se 20 minuta dhe nuk kam njohur njeri. As kam ditur se cili ishte pronari. Ndoshta një i bardhë dhe i trashë, që gatuan vetë dhe nuk e nxjerr kurrë kokën për të parë sallën. I ngjashëm me manikinët e guzhinierëve, që venë ndonjëherë në dyert e restoranteve të lirë.

M’u kujtua një fjali që më tha e përlotur një mikesha ime këtë vjeshtë. “Mua më ze malli për të vdekurit!” Nuk e kisha hasur ndonjëherë. As në librat. Më dukej se mall mund të kesh vetëm për çka mund ta shohësh sërish. Të vdekurit nuk ke për t’i parë më. Mç shumë se mall është dhimbja e pamundësisë për t’i parë dhe prekur. Të ikurit. Të përtejmit. Të shumtët.

Nuk kam për t’i parë më kurrë Cikon, Cikin, Doug dhe Xhonë. I ngacmoja dhe ma kthenin. Pastaj qeshnim. Si bëjnë njerëzit në botë, që i duan njerëzit e tjerë. Dhe nuk mund t’i harrojnë, se kurdoherë do i kenë në një cep të mendjes së tyre, atje ku ndoshta nuk janë kujtimet më të shtrenjta, por janë kujtimet e mira, mbresat e lëna nga njerëz të thjeshtë, që pinin kafe dhe herë herë flisnin me të njohurit përreth.


Monday 13 February 2023

Kolevica iku përtej


La shumë vepra. Të projektuara, të zbatuara, të shkruara, të botuara. Dhe kishte vetëm një dorë. Dhe kishte shumë mend. Dorën e kishte humbur nga një bombë e gjetur diku, si ju ndodh fëmijëve në botë pas luftrave. Pat shkruar edhe si ishte ndjerë kur ishte fëmijë dhe njëra dorë nuk ishte më. Një fëmijë i bukur, me flokë të verdha dhe që fatkeqësisht pat humbur njërën dorë. Kështu e kujtonin bashkëkohësit e fëmijërisë.

Sot ka mbyllur sytë e tejlodhur. Nga leximet, shkrimet, projektet. Kishte disa vjet që nuk shihte thuajse fare. Ndoshta humbja e shikimit i kishte risjellë kujtimin e trishtë të humbjes së njërës dorë.

U rrita duke dëgjuar rreth Petraq Kolevicës për punët e tij cilësore arkitektekturore në Korçë. Bëra dhe 12 klasa shkollë në shkollën e projektuar prej tij, që ishte në ato vite shkolla e projektuar më mirë në gjithë vendin. Kolevica ishte arkitekti i parë rreth të cilit kisha dëgjuar të flitej dhe më i miri. Kur shkova të studioja për arkitekturë doja ta njihja, por nuk ishte më në institut. Ishte thuajse një legjendë si projektues dhe intelektual me guxim. Në rrethet e studentëve të arkitekturës qarkullonin episodet e tij në përballjen me Diktatorin në Ekspozita e Kulturës Popullore dhe për “erethisjen” e Spiro Kolekës, kur kishte parë tavanet e lyer bojëqielli në banesën në Bulevardi “Stalin”. Dhe për të shtuar legjendën mbi aftësitë e tij, edhe pas “syrgjynosjes” në një kantier, e kishin marrë në katërshen projektuese për Muzeun Kombëtar.

Para se të hapej Muzeu, na shpuri ta shihnim një tjetër arkitekt i shkëlqyer korçar, Ilia Papanikolla dhe sërish shpresoja të takoja Kolevicën. Nuk e pashë dot dhe nuk e pashë as në televizion gjatë përurimit, se pranë udhëheqësve ishin arkitektët Sokrat Mosko, Nina Shehu dhe Enver Faja, ndërsa i katërti, Petraq Kolevica, ishte mes turmës së popullit.

E takova vetëm dy herë në fundin e viteve ’80 dhe bisedova aq sa mund të bisedojë një arkitekt i ri me profesionistin më të mirë të kohës. Megjithatë Petraqi ishte i thjeshtë, i mënçur dhe nuk fshinte një lloj zhgënjimi nga çdo gjë që bëhej në Shqipëri. Mund të mësoje shumë nga ai, por mund të mësoje edhe vetëm nga veprat që kishte bërë në Korçë. Të pastra, të proporcionuara mirë, të zgjidhura thjesht dhe me mendim, ato janë të gjitha të natyrës të “Style Internationale”. Moderne në kohën e tyre dhe i kanë rezistuar edhe 50-60 viteve, që janë ndërtuar për të hyrë në fondin më të mirë të arkitekturës shqiptare. Krahas kryeveprave të tjera të tij në Tiranë.

Pat jetuar gjatë në Tiranë, por kur fliste kuptohej që tej se ishte korçar i devotshëm. Nuk kishte ndryshuar asgjë në të folurën e tij. Besnik ndaj të kaluarës, ndaj kulturës dhe ndaj të vërtetës. I dashuruar me letërsinë dhe artet. I përkushtuar ndaj tyre.

Sonte po kalon natën e fundit mbi këtë dhe ndoshta shpirtin e ka tashmë lart tek Panteoni i të mirëve dhe të vërtetëve.

Adio Petraq!

Sunday 12 February 2023

Tablo e Salvador Dali

 

Mbrëmja kishte hyrë me një ndjenjë mërzie, si çdo e djelë, kur nuk ke asnjë plan. Eshtë e djela e Super Bowl dhe të gjitha baret në Amerikë janë plot. Ndoshta edhe në Kebek. Por nuk është tamam kështu. Në të parin Bar që zgjedh, ekranet shfaqin vargjet e një kënge anglisht dhe një çift të moshuarish këndojnë duke ndjekur tekstin. Eshtë natë karaokeje dhe askush nuk do të shohë ndeshjen finale të futbollit amerikan. Luajnë “Shefat” e Kentakit me “Shqiponjat” e Filadelfias.

Në barin e humbur “24 Qershori”, ku kam ndjekur një ndeshje të Kampionatit Botëror të futbollit, ka pak njerëz, por të paktën në ekranin e vetëm është programiiI fillimit të ndeshjes. Ulem tej banakut, ku janë ulur thuajse të gjithë se para të porosit më shkojnë sytë në një tryeza të madhe , mbuluar me një cohë të zezë, ku shkruhet EROS. Mbi të sende të ndryshme, disa nëpër kuti të tjerat të hapura. Një vajzë e re, e veshur thjesht dhe pa asnjë tualet në fytyrë, ju shpjegon me rradhë të pranishmëve të pakët, se ç’farë mund të bëhet me veglën që mban në dorë. Janë vibratorë të dimensioneve dhe ngjyrave të ndryshme dhe vajza e re spjegon me profesionalizëm dhe seriozitet, sikur po shet ushqim për fëmijë të vegjël, ose detergjente për amvisa. Eshtë e çuditshme për mua, por kamarierja më thotë se gjithshka bëhet në kuadrin e festimeve për Shën Valentinin. Të moshuarit, që janë thuajse të gjithë të pranishmit, bëjnë shaka me veglat, por nuk hezitojnë t’I provojnë në qafë ose në parakrahë. Duken të kënaqur me cilësinë, por nuk shoh njeri të blerë.

Ndërkohë ndeshja ka nisur dhe pa u shënuar “touchdown” i parë, vibratorët janë zëvendësuar me të tjera “tartagjylka”, që duhet të jenë zëvendësuesa të organit femëror, se shoh që meshkujt fusin gishtat në to, pasi vajza shitëse ka vënë brenda tyre lubrifikues. Vazhdojnë të qeshurat dhe mosblerjet dhe në ekran shfqen Adele, Le Bron dhe të tjerë të njohur, që po ndjekin në stadium ndeshjen e rëndësishme.

Pas gotës së parë të birrës ndjehem në një lloj surealiteti të një Bari të lirë, ku disa shohin ndeshjen më të rëndësishme sportive të vitit në Amerikë, por më të shumtët ndjekin shpjegimet për cilësinë e “argëtuesve artificialë seksualë“. Eshtë një temë, që gjithnjë e tejkalon çdo temë tjetër. Ndjek personazhet gjysëm të eksituar, ku bie në sy një i moshuar me një mjekër si të Darvinit, i veshur me xhinse tub lara lara dhe një xhaketë lëkure apash. Darvini pi një shishe me birrë 710 ml dhe i mban sytë tek objekti i rradhës. Nuk di nëse vërtet është i eksituar nga evolucioni i “lodrave seksuale” apo e ka nga birra.

Ndërkohë të dy ekipet kanë shënuar, por veç meje asnjë nuk duket i interesuar për ndeshjen. Të moshuarit përpiqen të flirtojnë me shitësen e re, ndërsa të moshuarat i shikojnë më me kujdes vibratorët. Dh endërsa në ekran është shfaqur Cher krejt bionde, krah një zezaku të ri, edhe ai biond, dy nga të moshuarit u janë drejtuar makinave elektronike të fatit. Para se të shënojë Filadelfia dëgjohet një gotë që thyhet në dysheme dhe njëri nga të moshuarit bije sa gjatë e gjërë në shpinë. Tani më duket vërtet si ëndërr edhe pse nuk është e tillë.”Edhe një vdekje kisha mangut” -mendova ndërsa të pranishmit nxituan për t’I dhënë ndihmë të rënit dhe për të njoftuar 911. I moshuari i ka sytë e hapur dhe diçka thotë, por nuk lëviz asnjë muskul tjetër. Ndoshta kështu i thotë një grua që ka nxituar e para pranë tij. Operatorja e 911 pyet për situatën, që dikush ja shpjegon duke pyetur herë herë të tjerët, ndërsa shoku i të moshuarit të rënë i siguron se nuk ka gjë dhe se i ka ndodhur dhe herë tjetër. Darvini diçka mërmërit nëpër dhëmbë dhe unë mendoj se ka të bëjë me Mbijetesën e Llojeve, por ndoshta nuk ka asnjë lidhje me të.

Paramjekësorët po vonohen dhe i moshuari këmbëngul, që është më mirë dhe mund të ulet në një karrige. E ndihmojnë të ngrihet dhe ai ulet e fillon të flasë me shokun e tij, që ka rifilluar të luajë në makinën elektronike të fatit. Edhe “Shefat” me “Shqiponjat” janë në barazim dhe duket se ekuilibri është i plotë në tablonë e Salvador Dalisë. Vetëm unë jam i tepërt. Ndaj dhe largohem pasi kam paguar.

“Revolucioni” marshon…nga SHQUP-i në Kryeministri


Në Shqipërinë e revolucioneve filloi edhe një revolucion i ri. Eshtë vazhduesi i Revolucionit demokratiko-borgjez të Qershorit, i Revolucionit popullor të të kuqve, i Revolucionit të grave, i Revolucionit tekniko-shkencor, i Revolucionit demokratik të ndryshimit të sistemit, i Revolucionit “Mjaft” dhe i disa revolucioneve të tjerë, që nuk i kujtoj më. Një pjesë të mirë kanë qënë gjatë viteve të jetës sime dhe ma kanë bërë akoma më të ngatërruar konceptin e Revolucionit dhe revolucionarëve.

Në vitet e adoleshencës përsërisnim edhe vargjet e një lloj parodie pa asnjë kuptim “Cajmë dru dhe ndezim zjarrë/ jemi revolucionarë…” Na ngazëllente vetëm idea që po talleshim me revolucionin se vargjet nuk kishin asgjë për të qeshur dhe më pas vazhdonin me të tjera pa asnjë lidhje.

Këto më erdhën në mendje kur dëgjova disa fjalë pakuptim të “revolucionarëve” të sotëm, që drejtoheshin nga revolucionarët Sali dhe Meta. “Revolucionari” Zeni, rrinte në një distancë 100 metra nga podium ku flisnin njëri pas tjetrit ata që do rrëzojnë Ramën.

Revolucionet e vërteta janë “troshitje” të mëdha të shoqërive, që kurorëzohen me shumë të vrarë, ndryshime të institucioneve dhe njerëzve, që drejtojnë dhe që më shumë se të mira sjellin dëme të pakorrigjueshme në grupe dhe familje të caktuara. Eshtë mirë të mos ndodhin, por konservatorizmi I tepruar, ose despotizmi i një grupi drejtues i bën të domosdoshme sepse nuk ka rrugë tjetër për të ndryshuar gjërat.

A janë kushtet për një revolucion në Shqipëri?

Edhe pse për shumë njerëz jeta është e padurueshme, në Shqipëri nuk ka kushte për një revolucion. Mungojnë organizime njerëzish me motive të qarta dhe të pastra për të rrëzuar pushtetin e korruptuar. E ashtuquajtura opozitë e fragmentuar mes tre grupesh, një i një partie familjare hajdute dhe dy të tjerët me origjinë antikomuniste, por me shumë gjynahe të së kaluarës,  nuk mund të tërheqë pas njerëz të mjaftë për një revolucion qoftë paqësor. Kam parasysh këtu Revolucionin portokalli në Ukrainë, kur njerëzit u gdhinë me javë në të ftohtë për të rrëzuar klikën hajdute proruse.

Një protestë madhore (mos e quajmë kot revolucion) e njerëzve që duan të jetojnë më mirë, që të mos drejtohen nga super të korruptuar, me vendosmëri dhe qëndrueshmëri do gjente mbështetje edhe tek të huajt, të cilët e njohin korrupsionin e pushtetit në Shqipëri. Por në një vend që nuk ka Sindikata ose forma të tjera organizimi, që të përfaqësojnë interesat e grupeve të mëdha shoqërore kjo gjë nuk mund të ndodhë. Partitë politike të drejtuara nga figura të diskretituara nuk kanë për të pasur ndonjëherë mbështetjen e BE dhe SHBA.

Për fatin e keq të shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri dhe keqardhjen e shqiptarëve në botë, asgjë nuk ka për të ndryshuar këtë vit. Vetëm nëse ndodh që ndonjë nga të arrestuarit e deritanishëm apo të së ardhmes të përfshirë në korrupsionin qeveritar, të pranojë të dëshmojë kundër Ramës dhe SPAK të ketë forcën t’i mëshojë një linje të tillë, kjo është e vetmja shpresë që qeveria më e korruptuar e 30 viteve të fundit të bjerë dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Eshtë e vetmja shpresë, por jo “revolucioni shëtitës” i Berisha-Metës, që bëhet vetëm për t’ju zgjatur jetën në politikë këtyre dy “kufomave”.

Saturday 11 February 2023

Pushteti- afrodiziaku më i efektshëm

 

Nëse afron të 60-tat apo i ke kaluar dhe ke problem me testosteronin – futju politikës. Mundohu me bërryla e stërkëmbëza të dalësh sa më shpejt në krye dhe do shohësh se sa të zesh një karrike të rëndësishme, problemi i “mikut” tënd është zgjidhur.

Pak a shumë këtë konfirmoi sot edhe 68 vjeçari Kryetar i Bashkisë së Torontos, i cili dha dorëheqjen se kishte patur gjatë pandemisë marëdhënie me një këshilltaren e tij 31 vjeçare. U detyrua të jepte dorëheqjen sepse e gjithë “afera” do dilte shumë shpejt në media dhe në vendet me demokraci të zhvilluara mund të bësh “ljubjoçkë“ zyrave, por po qe se del në publik duhet të japësh dorëheqjen. Më pas vazhdojnë “recetat” e të kërkuarit falje ndaj familjes, elektoratit dhe bashkëpunëtorëve. Askush nuk ka kurajo të thotë, që është faji i kolltukut, që më solli një rritje të papritur të testosteronit dhe i femrave këshilltare me fund të shkurtër që vërtiten zyrave.

Xhon Tori nuk është as i pari dhe as i fundit pushtetar i lartë, që kapet në marëdhënie me gra dhe vajza shumë më të reja në moshë. Skandale të tilla ju kanë ndërprerë karrierën shumë politikanëve në Kanada dhe në Amerikë. Europa është disi më tolerante ndaj shpërthimit testoronak tek funksionarët e lartë.

Edhe pse nuk ka studime të mirëfillta shkencore, kjo dukuri ka qënë e njohur prej kohësh. Në kohën e komunizmit qarkullonte një barcaletë për një axhustator të vjetër në moshë, një mekanikeje të re në moshë dhe drejtorit të uzinës. Pak a shumë sillej rreth temës, që për “këto punë“ është drejtori, ndaj Kolë axhustatori duhet të vazhdojë t’i japë limës.

Nuk kam qëllim as të bëj moral dhe as të gjykoj funksionarët e lartë, që përfshihen në këto “skandale”. Pushteti krijon pështjellime të papara në tru, që rritin vetbesimin, bëjnë të ndjehesh më i zgjuari dhe më i pashmi, thuajse një “gjysëm-perëndi” ndaj dhe mund të shkasësh në marëdhënie me vajza,  gjyshërit e të cilave i ke moshatarë. Dhe nuk ndjehesh qesharak, por mendon se e meriton atë marëdhënie. Nuk ju ndodh kjo të moshuarve që pastrojnë zyrat, aq më pak atyre që dergjen me orë të tëra më këmbë para një makine në fabrikë, madje as inxhinierëve të moshuar, që “nxjerrin sytë“ para kompjuterit. Një pjesë e mirë e tyre ankohen për rënie të testosteronit dhe nuk bien në ngasje, por vazhdojnë jetën e tyre monotone duke parë tv, dalëe për darkë një herë në javë me gruan dhe seks një herë në dhjetë ditë.

A duhet shoqëria të shqetësohet nga këto “skandale”?

Mendoj se janë pjesë e shumë anomalive të tjera, që kanë sistemet shoqërore që njohim. Të paktën këto sjellin një shërbim mjekësor për disa të moshuar që kanë rënie të potencës të tyre seksuale.

Friday 10 February 2023

VIP-at e Korçës në vite

 

Për këtë shënim të hallakatur më nxiti një postim i Papa Spiros në Instagram, që pak a shumë sillej rreth idesë që për VIP-at në Shqipëri duhet të ketë një Komision, që t’i përcaktojë se cilët duhet apo nuk duhet të jenë Persona Shumë të Rëndësishëm. Nuk di përse Papu kërkonte një zgjidhje laike dhe nuk mjaftohet vetëm me thënien e Krishtit që përmban krahasimin mes kalimit të një gamileje në vrimën e gjilpërës dhe hyrjes në parajsë të një të pasuri. (Krishti nuk ishte shprehur tamam për VIP-at, por le të hamendësojmë se e kishte dhe për ata që hyjnë sot në Big Brother.)

Duke mos ditur se si t’i përgjigjesha Papa Spiros, të cilin e respektoj në mënyrë të veçantë, vrava mendjen të gjeja se cilët ishin VIP-at e Korçës në vitet që kam jetuar. Pa dashur të marr atributet e komisionit, besoj se të gjithë ata që kanë jetuar në vitet ’60 pajtohen me vënien në krye të klasifikimit të Dr. Polenkës, Të tjerët, më të njohurit dhe më popullorët, ishin kryesisht të fushave të sportit dhe artit, si Leko Pilika dhe Nandi Qirici, por edhe Ali Dhoga dhe Jani Xhuçi. Edhe pse funksionarët partiakë dhe ekzekutivë kishin shumë pushtet, ndoshta nga që ndroheshin çdo katër vjet, nuk arrinin të kishin popullaritetin dhe rëndësinë e figurave të tjera.

Vitet ’70 ishin vite terrori dhe shtypjeje, ndaj dhe njerëzit i mbanin veshët ngritur se ç’bënin Mihallaq Ziçishti dhe Niko Ceta, që atë kohë kishin në dorë të të fundosnin familisht. Artistët nisën të qëndronin më të përmbajtur, se kishin ndodhur shumë spastrime për shkak të liberalizmit ndaj më të sigurt ishin figurat e sportit si Koço Dinella, Dhimitraq Xhambazi, Tamara Nikolla, Zamira Koleci, që adhuroheshin nga sportdashësit. Për vështirësitë në transportin e udhëtarëve ishte ngritur dhe kulti i shoferëve të autobuzëve, të cilët po t’i njihje të merrnin në stacionin e trenit në Librazhd a Prrenjas , madje të vendosnin edhe në vendin e “fatorinos”. Leksi Voskopoja dhe Panajot Tashoja ishin VIP-at e kohës.

Më pas erdhi dhjetvjeçari i kufizimeve në ushqime dhe VIP-at ishin Vangjoja i mishit, motrat Lola dhe Donika të zarzavateve dhe Bitija e bulmetores. “Pushtetit” dhe rëndësisë së tyre i nënshtroheshin funksionarët, doktorët, artistët, inxhinierët, dentistët, mësuesit dhe të gjithë punonjësit e tjerë duke përfshirë këtu edhe “Heronjtë e Punës Socialiste”. VIP-llëku i tyre gati barazohej me atë të Enver Halilit, i cili qëndroi një kohë të gjatë në Komitetin e Partisë të Korçës. Gjithkush i njihte të sipërpërmendurit dhe me popullaritet dhe njohje me ta mund të barazoheshin vetëm Petraq Bojaxhiu, Pandi Lula dhe Stavri Maçoku. Nuk di nëse këta të tre, për shkak të sëmundjeve mendore mund të kualifikohen apo jo si VIP-a.

Sistemi ndryshoi dhe automatikisht ndryshoi edhe “kriteri” i VIP-llëkut. Tashmë VIP-a ishin të fortët, ata që falsifikonin më mirë vizat dhe ata që bënë para me mënyra të thjeshta e të sofistikuara, të ndershme dhe të pandershme. Eshtë e vështirë të rrjeshtosh VIP-at e viteve ’90, por ndoshta më të spikaturit kanë qënë Behar Koçibelli, Islam Gjoveri, Luli Kapurani, Elton Goskova dhe Thimi Sholla. Sporti dhe artet patën rënie dhe figurat e shitësve të mirënjohur të viteve ’80 tashmë ishin nonekzistente. Lakoheshin shumë edhe politikanët Fredi Olli, Bahri Bregu e  ndonjë tjetër, për ndikimin që kishin në emërimet e njerëzve dhe për ndikimin që kishin mbi ta njerëzit e botës së krimit.

Më pas erdhi mijëvjeçari i ri, ku mbizotërojnë emrat e Niko Peleshit dhe Spiro Bardhit. Të rëndësishëm ishin dhe artistët si vëllezërit Prifti dhe Gena, por ata u larguan në Tiranë dhe nuk di nëse mund të klasifikohen si VIP-a Korçe. E njëjta dukuri ndodhi me Alfred Cakon dhe Niko Kotheren, të cilët pas shkëlqimit në qytet, i tërhoqi kryeqyteti i etur për intelektualë të klasit të parë.

A hyn Dhespoti i Papa Spiros në VIP-at e qytetit?

Nuk jam i sigurt as për të dhe as për Myftiun dhe para tyre do vendosja Gjergji Kokin dhe Zamira Kitën. Listën e vërtetë le ta përpilojë komisioni kur të ngrihet.

Varadero 2005, Varadero 2023

 

Plazhet janë të njëjtë. Po aq të pastër, të pafund dhe përgjithësisht të cekët deri në 50-60 metra. Ka më pak njerëz të Sigurimit dhe ata që janë duken më të çlirshëm dhe nuk janë të detyruar të mbajnë këmishë të bardha. As të qëndrojnë më këmbë. Disa hyjnë edhe në debate me kubanët e tjerë nëse Rauli kishte bërë mirë apo keq. Sigurimsi madje ja hedh fajin Fidelit, por unë kuptoj shumë pak spanjisht dhe nuk e ndjek dot një bisedë për të cilën do isha kureshtar. Do e krahasoja me bisedat që bënim ne pasi kishte vdekur Enver Hoxha. Edhe të vdekur nuk e “kritikonim” dot publikisht. Vetëm në rrethe shumë të ngushta.

Punonjësit e resorteve dhe kubanët që shoh rrugëve duken po aq të shkujdesur edhe të gëzuar si para 18 vitesh. Të veshur më mirë. Dhe të gjithë me telefona smart. Duket se ky dhjetvjeçar do jetë i fundit i sistemit me një parti. Nuk mund të mbahet më ky paradoks kaq pranë demokracisë më të fuqishme në botë dhe me kaq e kaq kubanë kundërshtarë të regjimit në Florida. Shumë prej tyre edhe shumë të pasur.

Hotelet e ndërtuar në vitet ’70-’80 kanë nevojë për riparime, por duket se përveç njerëzve të shumtë të mirëmbajtjes, mungojnë materialet, duke filluar nga bojërat. Pllaka të plasaritura, vetrata duralumini që nuk mbyllen mirë, çelësa elektrikë difektozë, janë disa nga gjërat e vogla që të sjellin në mendje hotelet shqiptare të viteve ’80. Ndërkaq, vajza të reja, të cilat me siguri shpresojnë për një vend si kamariere, pastrojnë vazhdimisht dyshemetë me pllaka të kafeve dhe holleve të katit përdhe. Me një zell të çuditshëm. Ndoshta deri sa “të kapin” një vend ku përfitojnë bakshishe. (Ka një kolektivitet edhe në ndarjen e bakshisheve. 3 Kamarierët e barit i ndajnë me dy banakierët. Pijet janë pa pagesë.)

Turistët, kryesisht kanadezë, vazhdojnë t’ju falin punonjësve të hotelit shampo, sapunë, pantallona të shkurtra, bluza, këmishë, syze dielli dhe shapka në fund të qëndrimit të tyre. Kubanët i pranojnë duke falenderuar, por nuk është më i njëjti gëzim në sytë e tyre si para 18 vitesh. Mungesat më të mëdha tani janë në ushqime. Qëllon që kur të sjellin kafenë të të thonë që nuk ka sheqer, në një vend që furnizon gjithë botën me të. Nuk ka as verë të bardhë dhe ndonjëherë mungon edhe e kuqja. Nuk e kujtoj si ishte gjendja e pijeve alkolike në kohën tonë të tallonave. Mungonte më shumë “Sheshi i zi” apo “Sheshi i bardhë“?

Nuk di nëse Kanadaja do ishte bashkuar me embargon amerikane, regjimi në Kubë do kishte rezistuar kaq gjatë. Turizmi ka qënë një burim i madh valute për ta. Ndoshta do kishte qënë më mirë për popullin kubanez të mos kishte patur turistë kanadezë. Nuk ka kuptim që në një vend të bekuar nga natyra njerëzit edhe sot mos hanë dot atë që dëshërojnë. Në emër të një ideologjie absurde, që mban në pushtet një klikë që jeton në luks mbi mjerimin e njerëzve të thjeshtë.

Mirupafshim Varadero në të tjera kohë!

Thursday 9 February 2023

E shumëpremtuara Hënë.

Atë natë ëshin çmendur të gjithë

Ndoshta prej hënës së plotë.

Diamantë flaknin,

Kartmonedha hidhnin përreth

Nën tingëllima ritmike zilesh.

Ishte një e rreme botë,

Me të rreme hënë,

Por me diamantë të vërtetë

Dhe me një aromë krimesh.

E vërtetë ishte dhe çmenduria

Dhe zjarrmi në sytë e tyre,

Të qeshurat histerike

Që zbulonin dhëmbët e rënë.

Mungonin këmishët e forcës,

Infermierët muskulozë dhe të verbër,

Akrepat e orës,

Në atë natë të pafund me të plotë hënë.

Nuk dija nëse duhet të ndihja

Një plakë që mezi mbahej pas një katërkëmbëshi metali

E megjithatë vallzonte,

Si ata që shërohen nga paraliza

Pas premtimit të jetës përtej.

Në ekstazën e përgjithshme

Dhe të çuditshmeve lëvizje

Të shkaktuara nga artificialët diej.

Nuk mund të jetë ky Ferri!

S’ka të nxehta ujra dhe avuj squfuri.

Gjokse të flashkur

Apo mollaqe të ngrëna.

Një natë e përjetshme është kjo

Por fytyrat i fshehin mundimet

Me shpresën se do fitojnë

Të shumëpremtuarën Hënë.

Wednesday 8 February 2023

“Të “squarit” premtojnë, budallenjtë i besojnë“


Ky është një proverb i vjetër rumun, në kohët para se të kishte zgjedhje të lira dhe shumëpartiake. Eshtë më se i vërtetë për çdo fushatë elektorale, skemë financiare Ponci dhe për shumë lloje mashtrimesh të tjera massive. Për fat të keq të njerëzve të thjeshtë funksionon.

Këto ditë qeveria shpalli një konkurs ndërkombëtar për projekt-ide stadiumesh në Korçë, Durrës dhe Vlorë. Janë stadium që nuk i duhen kujt dhe nuk kanë për t’u ndërtuar, por funksionojnë për fushatën për zgjedhje vendore. Kandidatët e qeverisë për Kryetarë Bashkie kanë ç’të përmendin gjatë fjalimeve të tyre premtuese. Militantët dhe patronazhistët do i ripërsëritin vazhdimisht këto premtime kafeneve dhe ata që mendojnë “të gjithë një djall janë“ do thonë me vete “këta të paktën do na bëjnë stadium!”

Për Korçën (që e ka stadiumin bosh) kjo dëshmon edhe se kandidati I Peleshit fitoi mbi kandidatin Jole të mbështetur nga Lali Eri dhe kandidatin tjetër, që kishte premtuar pasarelën më të gjatë në botë në vargmalin e Moravës. Pra Raqka i lagjes 3 do jetë sërish kandidati zyrtar i PS-së dhe më i forti kandidat mes atyre që do guxojnë të hyjnë në garë për t’i dhënë fund “mbretërimit” të Peleshit në Korçë.

Premtimi i fundit qeveritar është plotësisht i linjës së vjetër të Juvenalit “panem et circecnes” (bukë dhe arena) dhe meqë qeveria e ka të vështirë të premtojë bukë me çmim të arsyeshëm për të gjithë, premton arena futbolli. Pasi ndërtoi më së miri rrugën nga Qafa e Plloçës dhe aeroportin e Lumalasit (premtime të shumë fushatave) tani do ndërtojë një stadium të ri dhe ndoshta në një vend tjetër dhe jo ku është stadium “Skënderbeu”. Me siguri do “lobohet” edhe për të ngritur një ekip të ri, që mund të quhet “Korça City” apo “Zhgaba”, për të pasur edhe derbi të qytetit, ku njerëzit mund të grinden për të mos u marrë me politikë. Se duhet një “alternativë“ ndaj “brekëverdhëve” të Skënderbeut, që vërtet i zverdhën edhe brekët e tyre dhe tonat me atë skandalin e UEFA-s.

Askush nuk është në gjendje të organizohet e të kërkojë hesap se ku shkojnë paratë e buxhetit të Bashkisë, apo edhe më lart të atij qeveritar. Mendësia jonë për fat të keq është ende në kohën e totalitarizmit, kur qeveria i shpenzonte parë e miletit si i donte kokrra e qejfit dhe kërkush nuk bëzante.

C’të bën qeveria nuk ta bën as Perëndia! (Dhe qeverinë e kanë këta mashtruesit e sqojtur.)

Poeti (Kushtuar V.Z.)

Ai nuk është si të tjerët poetë,

Me flokë të kërleshura,

Mjekra të gjata,

Vështrim të ndërkryer

Dhe veshje plot ngjyra.

Me një fisnikëri të përmbajtur,

Buzëqeshje të lehtë

Soditje të mençur

Përjetësinë e vargjeve i mban fytyra.

Nuk gërthet,

Nuk klith,

Nuk do gjoksin të rrahë e të thotë: “Më dëgjoni!”

Shqipes i çepkat fjalët

Metaforat,

Rimat,

Si një artizan i kujdesshëm sahatësh

Në një të thjeshtë kthinë,

Jo buzë një honi.

Fluturimet janë edhe të tilla,

Jo vetëm të krisurat e shpendëve të zhurrmshëm.

Të bukurat,

Të sigurtat e e shtegëtarëve në varg,

Të bukurave krilla,

Eleganteve flamingo,

                Të hershmeve dallëndyshe,

Që shkojnë larg,

Shumë larg.

Tuesday 7 February 2023

Shën Katerina


Duhet të pranojmë se ne shqiptarët jemi pak më mizogjenë se ballkanasit e tjerë. Më shkon kjo ndërmend, kur has në shumë vende ku kam jetuar emrin e Shën Katerinës. Veç kishave të Shën Mërisë, ne nuk kemi asnjë kishë tjetër katolike apo ortodokse që të mbajë emrin e një gruaje. 

Për herë të parë emrin e shënjtores Katerine e kam hasur në fillimin e adoleshencës, kur në kinematë tona luante një film rumun, i titulluar "Shën Katerina dhe djajtë". Nuk e kujtoj as subjektin e tij, por mund të ishte diçka nga Lufta e Dytë. Më pas në Athinë hasa një kishë me emrin e saj dhe më vonë, për më shumë se një dyzinë vitesh jetova në një qytet, që mbante emrin Shën Katerina. Rastësisht ose jo edhe e vetmja kishë greke e atij qyteti mbante emrin e saj.

E megjithëse edhe tani shoh shumë rrugë, fshatra me emrin e shënjtores, nuk isha bërë kureshtar të dija rreth jetës së saj. Vjen kjo nga injoranca fetare që na imponuan komunistët apo nga mizogjenizmi shqiptar, këtë nuk mund ta them me siguri. Po njëlloj nuk kam qënë i interesuar të mësoj për jetën e shumë shënjtorëve të tjerë, veç atyre shumë të rëndësishëm ose atyre, emrat e të cilëve mbajnë anëtarët e familjes. Edukimi  materialist ateist na nguli në mendje një shoqërizim të emrit shënjt me "i rremë" ose "naiv", gjë që veç meje e shprehin hapur shumë nga bashkëmoshatarët e mij. Disa me shumë pathos. Dhe injoranca vetëm të bën të ngutesh në konkluzione.

Edhe pse ka shumë diskutime në rrethet e historiografisë fetare rreth jetës dhe veprës të Shën Katerinës, ose Katerinës së Aleksandrisë, pranohet se ajo ka qënë një personalitet i shquar i kohës së saj jo thjesht për devotshmërinë ndaj besimit kristian, por kryesisht për mënçurinë dhe njohjen e thellë të shumë disiplinave të dijes. Vajzë e guvernatorit të Aleksandrisë, ajo i ishte kushtuar krishtërimit kur ishte 14 vjeç dhe u ekzekutua kur ishte vetëm 18. Për dijet e saj, bindjet ideologjike dhe për papërkulshmërinë. E mirënjohura Zhan D'Ark e kishte Katerinën e Aleksandrisë si figurën që e frymëzonte më shumë. 

Por duke u kthyer tek raporti i jonë me shënjtoret, veç asaj që duhet të pranojmë se nuk kemi as vende dhe as kisha me emrat Shën Sofia, Shën Varvara, Shën Elvira, Shën Elena apo të tjera emra që i has në kishat nëpër botë, duhet të kemi të paktën një kishë me emrin e Shën Terezës së Kalkutës.

Për t'i dhënë rëndësi jo vetëm shqiptares së madhe, por edhe rolit të grave në historinë e krishtërimit dhe gjithë ndryshimeve në historinë njerëzore, që erdhën prej tij. 

Saturday 4 February 2023

Di Lana në Boston


Ministri i Mbrojtjes dhe Kryetari(de fakto) i Bashkisë së Korçës, që në Perëndim njihet si Nicolo Di Lana përfundoi mesukses një vizitë në një nga trojet e ardhshëm shqiptare, Boston Mass. Pas takimeve në Harvard dhe MIT, që kishin si qëllim "thithjen e trurit amerikan" në Shqipëri dhe rekrutimit të disa dyzinave me studentë, ai zhvilloi një takim shumë të rëndësishëm në Fondacionin e të maturuarve "Vatra". Pas përqafimeve kokë më kokë dhe urimeve "Març nga ditët tona!", fjalën e mori vetë Di Lana:

"Nuk mund të them sa i gëzuar jam që jam mes jush dhe sa kam dashur të vija më parë...Po pse nuk ke ardhur do thoni ju. punët e partisë dhe shtetit nuk më kanë lejuar, por ju premtoj që do vi sërish, sa të mbyllet lufta në Ukrainë dhe zgjedhjet vendore. Këtu, tek ju, vazhduesit e punës së Nolit, Konicës dhe grave të tyre unë shoh si mbahet gjallë ndjenja kombëtare..."

Më pas, duke theksuar rolin e të maturuarve në jetën shqiptare, ai shpjegoi rrezikun që vjen nga rusët dhe duke qënë se në brezat e rinj nuk ka nga ata që njohin rusishten kërkoi nga pjesëmarrësit e "Vatrës", të cilët kanë bërë rusisht në shkollë, t'i bashkohen kundërzbulimit ushtarak shqiptar për të parandaluar një sulm të mundshëm të Putinit dhe bandës së tij. Kjo thirrje ngjalli një dyzim mes të maturuarve, por kur Ministri përmendi përfitimet e mëdha vetiake dhe kombëtare deri në funeral në shtrattopi, një ish-oficer shprehu gatishmërinë për të rifilluar menjëherë trainimin si agjent antirus. Eshtë vetëm 78 vjeç. Nuk është gjë e vogël varrimi me shtrat topi!

Më pas. meqë shumica e 'vatristave" janë nga Korça, Di Lana foli rreth zgjedhjeve të ardhme vendore dhe rëndësinë e tyre për çështjen e partisë, popullit dhe kapitalizmit.

"Ne duhet të hedhim poshtë të gjitha insinuatat se gjoja Raqka është i korruptuar dhe nuk punon për interesin e Korçës. Ndaj ju ftoj të gjithëve të vini në Korçë për t'ju treguar të afërmve tuaj ndryshimet që shihni në këto 15 vjet, që kur u bëra unë kryetar. Ne do ju paguajmë gjysmën e biletës dhe do kini falas një tur në kopështin, japonez, vizitë në kompleksi Belvederja dhe ngjitje në Kullën Panoramike për ata, që nuk ju merren mendtë."

Por "ëmbëlsira" e takimit ishte në fund, kur duke ju bërë thirrje të ktheheshin në Korçë nën sloganin "Korça, qyteti ku dua të prehem", Di Lana i njoftoi se Bashkia ka nisur një program shumë modern për të kuruar të moshuarit me sëmundje të rënda. Mban emrin kuptimplotë "Ilaçet nuk më bëjnë gjë, s'më shërojnë plagëtë!." Pranë Bashkisë është ngritur një grup shkencor me ushqimoristë (nutritionists), specilaistë të farmaceutikës dhe artistë, që po eksperimentojnë kurimin e sëmundjeve nëpërmjet kulturës dhe veçanërisht këngëve korçare. Po arrihet që me të kënduarit e serenatave tre herë në ditë pas buke, disa të moshuar kanë parë shënja të ndalimit të përparimit të sëmundjes dhekanë reduktuar ilaçet. "Dhe pastaj kur nuk ju bëjnë efekt këngët ju këndon Papa Spiroja trisainë?"- u hodh një ish-llogaritare hokatare, koment që nuk u prit mirë nga Ministri, Ai këmbënguli që ka dy raste, që ju është hequr perdja e syve dy të moshuarave, pasi grupi i "4 Vaskave" ju ka kënduar për dhjetë ditë rrjesht këngën "Syçkat si ato të tuat!"

Në fund të takimit, isntruktorja e "vatrës", Brunilda Sota e përshëndeti Ministrin me këngën:

"Ja ti je veshur ushtarak,

Ngrite grushtin shpejt

Dhe përshëndetjes ju përgjigje

Me qëndrimin drejt"

Mes këngës, entusiazmit dhe thirrjeve "Me Peleshin dhe Partinë, Amerikën do arrimë!" u

mbyll një nga takimet më mbresëlënëse të këtij dimri në Boston.


Thursday 2 February 2023

Fati

Kapem me thonj pas asaj që ka ikur,

Pas çastit që ka fluturuar vite drite larg.

Mendja më shumë se trupi më është ligur,

Mendja,

Që mendimet bezdisëse si mizat,

Nuk i tremb më dot,

I le t’i sillen qark.

Në trishtimin që vjen qiellit,

Trishtimin e bardhë,

Si pafajësia,

Mundohem të gjej një flokëz asimetrike

Një të vetme,

Për të shpjeguar

Rrokopujën e ditëve të mia.

Eshtë e pamundur ta gjesh,

Më e pamundur se triflin me katër fletë!

Fati,

Ky trill i pakuptueshëm mes drejtpeshimit universal,

Një herë vjen në jetë.

Nëse prej gishtash të shpëton,

Ai tej ikën,

Më kurrë tek ti nuk ndal!

Kadareja, Blushi dhe Mero Baze


Lexova para disa ditësh në "Tema" e Meros një bisedë me Kadarenë dhe Ada Bardhylin, që Blushi kishte bërë në një kafene në Bllok. Edhe pse e përcjellë thatë dhe me hollësi të panevojshme biseda ngjallte interes. Paraqiste deri diku gjendjen mendore dhe shpirtërore të shkrimtarit tonë të madh, tani që po i afrohet të 90-ve dhe ka hequr dorë nga e shkruara.

Dje, botuesi i "Temës" i sulej verbërisht Blushit duke zbërthyer edhe arsyet e koshiencës dhe subkoshiencës së shkrimtarit Blushi për të botuar një shkrim "denigrues" për Ismailin.

Po ç'ka ndodhur, që botuesi sulmon me mish e shpirt autorin e shkrimit, që i ka botuar?

Familja e Kadaresë ka protestuar për botimin e bisedës si e paautorizuar prej Ismailit apo prej Elenës. Ka një lloj problemi etik, nëse Blushi ka kërkuar të pijë një kafe dhe t'i marrë një foto Kadaresë, por edhe kërkesa pët t'i bërë një foto deri diku është një kërkesë për botim. Këtë e di Ismaili dhe ata që i rrinë përreth.

Blushi vërtet mbart në karakterin e tij të gjitha "plehrat", që i përmend Mero Bazeja në shkrimin e tij, por në botimin e asaj bisede nuk duket se ka asnjë prirje për të denigruar Kadarenë. Ajo që shqetëson familjen e tij dhe tërë Bazet që idealizojnë Ismailin, është prirja ballkanike për të ruajtur "të pacënuar" një figurë të rëndësishme. Askujt që ka pesë para mend dhe famë në botë, nuk i bëhet vonë se njerëzit mund të mendojnë se pasi ka kaluar 85 vjet ka dhe ndonjë lajthitje në bisedë. Eshtë plotësisht e arsyeshme. Madje në përgjigjet e Ismailit të botuara nga Blushi ka plot filozofi të jetës, urtësi dhe humor.

Eshtë një dukuri shumë e neveritshme nevoja për "mite" e disa të kënduarve, që duan të paraqiten si intelektualë dhe të kapen pas shoqërimit apo mbrojtjes të flakët të një filozofi, shkrimtari apo artisti. Këtyre "zogjve" të papendosur, që përpiqen të ushqehenme insektet në kurrizin e rinocerontit-gjeni nuk ju pëlqen e VERTETA.

 Ka të vërteta në jetën e artistëve të mëdhenj, të cilat nuk ka pse t'i fshehësh, sepse në këtë mënyrë kuptohet më mirë edhe bota komplekse e artistëve, filozofia e tyre dhe pse krijojnë në një mënyrë të caktuar.

Në jetën e Ismailit, si në jetën e ]do artisti të madh, ka shumë dritë hije. Eshtë në interes të lexuesve që t'i njohin. Edhe nëse Ismailit dhe atyre që e rrethojnë ju ka  interesuar për arsye të caktuara ta paraqesin si parimor, ose si disident, është në interes të të gjithëve të dinë të vërtetën rreth parimeve të tij dhe llojit të disidencës. Pa egjykuar dhe pa e njollosur.

Po ashtu është e mira të thuash, që edhe pse mund të ketë shumë të meta në karakter dhe grykësi për para, Ben Blushi është prozatori më i mirë sot në Shqipëri. Ky është një fakt, që duhet përmendur krahas aferave të tij korruptive dhe përdredhjeve në politikë.

"Ngritja në qiell" e ]do artisti shpesh bën një efekt të kundërt tek lexuesit edhe tek vetë artisti. Krijon përshtypjen e gabuar se në art është si në sport, që duhet të ketë me doemos "të parë' dhe "më i madhi". Në një kohë që njerëzit kanë filluar të lexojnë gjithnjë e më pak, zhurrma e madhe "proKadare" bën që lexuesit e thjeshtë të krijojnë përshtypjen e gabuar se ai është i vetmi i letrave shqipe dhe të humbasin mundësinë për të lexuar prozën magjike të Kutelit, melodinë shpërthyese të Migjenit, bukurinë e butë të Naimit, befasinë e vargut të Lleshanakut apo edhe cinizmin poetik të Blushit. Në të njëjtën kohë, të zhgënjehen edhenga proza e kadaresë, duke pritur të lexojnë di]ka të nivelit Xhojsit, Dostojevskit apo të Kamysë. 

Wednesday 1 February 2023

Mësuesit e mij të fiskulturës


Ndoshta duhej shkruar "tanë" për të përfshirë edhe shokët e mij, por disa prej tyre kanë pasur mësues të tjerë, ndaj dhe unë po qëndroj tek "të mijtë".

Ka patur diçka të çuditshme në të gjithë brezat rreth nesh, përsa i përket marëdhënieve me mësuesit e fiskulturës. Edhe në 8-vjeçare edhe në të mesme ne kishim pak orë në javë me ta(ndoshta vetëm dy), e megjithatë ata zinin vendin qëndror në trupën e mësuesve. Kishte një lloj "aureole" rreth tyre edhe pse më të shumtit rrinin me tuta, ndryshe nga pedagogët e tjerë, që mbanin kostume. Ishte sepse mësonim prej tyre si të kishim aftësi në lojrat, sepse kishin qënë sportistë të shquar, apo se ishin shembuj të njerëzve më të kompletuar, të cilëve donin t'ju ngjisnim, këtë nuk mund ta them. Di vetëm se disa prej tyre kishin më shumë autoritet se të gjithë mësuesit e tjerë.

Tani të gjithë janë larguar nga jeta, veç Kristaq Titilit, që ishte mësuesi im i vitit të parë gjimnaz. Të gjithë kishin qënë kampionë ose sportistë të shkëlqyer.

Peço Mileja, futbollist e boksier, një nga qendërmbrojtësit më të mirë të "Skënderbeut" të të gjitha kohërave.

Pandi Balli, kampion i vendit në boks dhe peshëngritje, trainer i afirmuar basketbolli dhe komentator sportiv.

Kiço Nukeja, atlet kampion, rekordi i të cilit në 400 metra me pengesa u thye pas 20 vitesh.

Gjergji Kotelli, volejbollist me emër i "Skënderbeut", i njohur si "shyteri" më i shpejtë i "të shkurtërave" në Shqipëri.

Dhe padyshim, Maqo Kostallari, për të cilin kam shkruar dhe herë tjetër, që pat qënë një futbollist më se i talentuar, por që mund të ishte i shkëlqyer edhe në çdo lloj sporti tjetër.

Nuk besoj se ka qënë rastësi, që mësuesit e fiskulturës kanë qënë më autoritarët dhe më të admiruarit, veçanërisht nga djemtë e brezit tonë (baby boomers). Kishte të bënte me faktin se sportistët përgjithësisht admiroheshin ato kohë? Kishte të bënte me personalietet e tyre, të ndikuara nga bota e arritjeve të sportit dhe një lloj karamaderie që ka ajo botë? Kishte të bënte me një sallë që ëndërronim të hynim sidomos në dimër dhe që ishte palestra? Ndoshta të gjitha këto bashkë dhe ndoshta edhe të tjera gjëra më të vogla. Ishte e çuditshme , që lënda "më e lehtë" për të gjithë nxënësit lidhej me mësuesit më autoritarë. 

Kur kam hyrë në klasë të parë, në një shkollë të pazakontë, se kishte nga klasa e parë fillore dhe deri në vitin 11 të së mesmes, autoriteti i dyshes Petro Mile-Pandi Balli ishte i padiskutueshëm. Në fillore ne nuk kishim të bënim me ta, por i dëgjonim nga nxënësit më të rritur dhe e ndjenim edhe ne rëndësinë e tyre. Peçoja ishte irespektuar në të gjithë rrethet e fiskulturës të qytetit, veçanërisht për punën e mirë që kishte bërë me gjimnastët e shkollës "7 nëntori". Nga ajo shkollë kishin dalë disa nga gjimnastët më të mirë të "Skënderbeut", që konkuronin edhe për kampionë vendi në vegla të veçanta, por edhe në të gjitha garat. Vëllezërit Pula dhe më vonë vëllezërit Meta kishin kaluar nga palestra e asaj shkolle.

Pandi Balli sa kishte filluar si trainer i ekipit të basketbollit i të rriturave të "Skënderbeut" dhe ekipi kishte nisur të konkuronte edhe me më të mirat e  "17 Nëntorit", që kishin 20 e më shumë vite rrjesht, që dilnin kampione të vendit. Nga shkolla jonë, luanin edhe dy lojtare kryesore, Bardhyle Mulla, që ishte edhe kapitene dhe Zhani Averiku. Të dyja më vonë u martuan në Shkodër dhe Durrës dhe luanin me ekipet e atyre qyteteve. Ndoshta në dimrin 1967-68, vajzat e drejtuara nga Pandi Balli thyen "mitin" e pathyeshmërisë të "17 Nëntorit" dhe fituan Kupën e Republikës. Ishte vërtet një gëzim dhe admirim i gjithë fëmijëve dhe adoleshentëve të shkollës sonë të kishe sportistë, që shkëlqenin edhe në rangun kombëtar. Vetëm në brezat, që u diplomuan deri në vitin 1970, tek "Themistokli Gërmenji", nën drejtimin edhe të mësuesve të sipërpërmendur, shkëlqyen Niko Dishnica në volejboll me "Skënderbeun" dhe "Studentin", Andrea Cale dhe Dhimitër Kacorri në basketboll po me këto ekipe, Piro Zguro në mundje klasike me "Skënderbeun", "Partizanin" dhe "Flamurtarin", Doloreza Zguro gjimnaste me "Skënderbeun" dhe "Studentin" etj.

Përkushtimi i dy mësuesve të sipërpërmendur ishte i pakrahasueshëm. Ata bënë të mundur ngritjen e këndit të veglave gjimnastikore në oborrin e shkollës, duke u gdhirë pranë zjarreve me nxënësit maturantë, deri sa forcohej betoni i bazamenteve të veglave. Nuk ishte detyra e tyre dhe nuk ja u kërkonte njeri, por e bënin për të pasur kushte më të mira për orët e fiskulturës dhe për të futur tek nxënësit dashurinë për sportin.  

Mësuesi im i parë i fiskulturës ishte Pandi Balli. Tepër serioz, ndoshta edhe pse në një klasë me ne ishte djali i tij Arturi, ai ishte i përqëndruar në zbatimin me rigorozitet të programit shkollor, si dhe të arritjes së normave sportive për moshën tonë. Nuk e kishim të lehtë t'i kërkonim të na jepte një top dhe të luanim futboll. Ato dy vjet me tëzhvilluam edhe një dashuri për basketbollin, sepse përkoi edhe me hapjen e kanalit televiziv maqedonas dhe ndeshjet e basketbollit jugosllav, që nisëm t'i ndiqnim me fanatizëm. Filluam të kalonim po aq orë sa luanim futboll edhe me basketbollin. 

Kur na erdhi mësues Gjergji Kotelli, patëm nisur të luanim rregullisht basketboll duke zbatuar të gjitha rregullat. Kotelli ishte një "gjigand" i fuqishëm, por thyhej më shpejt kur i kërkonim të luanim gjatë orës së mësimit. Kur ishim në vitin e fundit të 8-vjeçares ishim në gjendje të konkuronim edhe me klasat sportive në basketboll edhe pse ishim vetëm një klasë, madje me dy tre djem që luanin edhe instrumenta.

Pasi bëmë në vitin e parë të së mesmes me Kristaq Titilin, që posa kishte lënë atletikëndhe ishte një mësues korrekt, nisëm orët e fiskulturës me "legjendën" e "Themistokliut", Maqo Kostallarin. I vetmi mësues që mund "të vinte në zap" të gjithë shkollën dhe për të cilin një pjesë e madhe e djemve mund të hidheshin në zjarr. Ai kishte gërshtuar në mënyrë intuitive dashurinë për nxënësit, me distancën e nevojshme, por edhe me prirjen për t'i dëgjuar kur kishin probleme. Tek ai gjenin mbështetje gjithë "sherretët" e shkollës. Bujar dhe me humor, Kostallari i bënte të larmishme dhe të këndëshme orët e mësimit. Nuk hezitonte të luante edhe vetë volejboll me ne, sepse i pëlqente të tregonte nivelin e tij të lartë si volejbollist. E shihnim si model dhe si një të afërm tek i cili mund të mbështeteshim. Donim thellësisht të meritonim miqësinë e tij dhe shumë prej nesh e ruajtën deri në vitet, kur u largua nga Korça për në Selanik. Kishte krijuar një "kredi" të padiskutueshme tek të gjithë nxënësit e tij dhe në çdo ndërmarje, që shkonte për të kërkuar diçka për shkollën njerëzit bënin për të të pamundurën. Dhe kreditë krijohen vetëm kur ke dhënë shumë nga vetja!

Këta ishin mësuesit e mij të fiskulturës, që edhe pse nuk mund të ishin të përsosur, kanë qënë një njerëzit me cilësitë më të mira mes mësuesve, që kam patur gjatë viteve. Ndoshta ka qënë



rastësi a ndoshta ka diçka në botën e sportit , që i ndihmon karakteret e njerëzve.