Wednesday 30 June 2021

"Racizmi" grek dhe ne (3)


(vijim)

Fjala –racizëm- përdoret dëndur në marëdhëniet midis popujve të Ballkanit, por unë mendoj se më e saktë do ishte të quhej një “urrejtje ndëretnike”. Në një masë të madhe popujt e ballkanit përçmojnë dhe urrejnë njëri tjetrin dhe këtu futemi edhe ne shqiptarët. E megjithatë, duke qënë më të varfër dhe njëkohësisht duke pasur pjesë të tëra të popullsisë sonë në shtetet fqinje, ne e dëshmojmë më pak superioritetin ndaj të tjerëve, ose jo rrallë tregohemi inferiorë. Të rinjtë e ardhur nga fshatrat e varfër shqiptare, që nuk dinin gjuhën greke, që ishin të veshur jo mirë, binin shumë e lehtë  pre e shfrytëzuesve grekë, të cilët i paguanin shumë më poshtë se sa paguhej krahu i punës.

Duke qënë ballkanas mendjengushtë, një pjesë jo e vogël e fqinjëve harruan vitet e tyre të emigracionit në Angli dhe Gjermani, ku i kishin poshtëruar shumë në vitet ’50 dhe ’60. Sigurisht kishte edhe njerëz mendjehapur, bujarë dhe të arsyeshëm, që silleshin mirë me emigrantët shqiptarë dhe i ndihmonin në hallet që kishin. Por thuajse të gjithë nxitonin t’i kthenin shqiptarët e fesë muhamedane (ose të paktën fëmijët e tyre) në të krishterë duke i pagëzuar. Kjo solli ndryshimet në masë të emrave të shqiptarëve për “tu pranuar” si pjesë e mjedisit grek për të gjetur më lehtë punë dhe sidomos për të marrë dokumentat aq të lakmuara të “vorio-epirotit”, që të siguronin Lejen e qëndrimit. I paspjegueshëm ishte qëndrimi i qeverisë shqiptare ndaj kësaj dukurie, që ishte në shkelje të hapur të Marëveshjes së Helsinkit dhe të gjitha praktikave të emigracionit të Bashkimit Europian. Ishte i vetmi vend i zhvilluar perëndimor ku Ilirët u kthyen në Ilia, Fatmirët në Fotaqë dhe Hasanët në Jani.

Gjatë vitit 1993 bëra disa udhëtime në Greqi, përsëri në Athinë për të takuar familjen e motrës. Ata e kishin shtuar rrethin e miqve edhe me disa familje greke dhe marëdhëniet i kishin shumë miqësore. Në bisedat me grekët të gjithë ishim në një mendje për politikën jo të mirë ndaj emigrantëve që ndiqej nga qeveria e Greqisë. Kur prekej çështja e Vorio-Epirit, grekët ishin më të përmbajtur, se dukej që nga propaganda e disa brezave në tekstet shkollore, ku ishte shkruar vetëm për padrejtësitë që i ishin bërë Greqisë nga Fuqitë e Mëdha. Në mendjet e tyre jo vetëm që kishin humbur pjesë të Azisë të Vogël dhe Qipros, por edhe territore të tëra në jug të Shqipërisë dhe të Bullgarisë. Si të gjithë popujt e Ballkanit edhe ata në librat e tyre të historisë ishin viktimat.

Disa herë udhëtova me trend he atë vit pashë diçka të cilën nuk e kisha parë më parë kur shkoja në Athinë. Në stacionin e Platias, ku merrja trenin që shkonte nga Selaniku në Athinë hipnin edhe shumë emigrantë shqiptarë, të cilët kishin udhëtuar maleve për të kaluar kufirin dhe si kishin arritur me mjete të tjera deri në stacioni i trenit donin të shkonin drejt jugut, ku kishin më shumë mundësi për të punuar. Ishin të lodhur, të parrojtur, pa bërë dush prej disa ditësh dhe të veshur jo mirë. Kur hynin në tren, konduktorët dhe policët i shtynin drejt vagonit të fundit, që ishte lënë enkas për emigrantët shqiptarë. Ndjeheshe keq, se nga një anë nuk kishe guximin të ngrije zërin pse ndodhte kjo dhe gjithashtu të dukej pakuptim të bashkoheshe me ta në vagonin e fundit. Kishte nisur periudha, kur shqiptarët kishin vështirësi për të pranuar me krenari në Greqi se ishin shqiptarë.

Qeveria dhe mediat greke kishin bërë punën e tyre për të na paraqitur si një popull jo vetëm i varfër, por edhe i pagdhendur. Ndodh rëndom, që qeveritë për të mbuluar problemet e vendit, ju hedhin fajin të huajve dhe dukej se këtë kartë qeveria greke e ndihmuar edhe nga televizionet dhe gazetat po e luante fort. Ndoshta në këtë mënyrë mbante nën trysni qeverinë shqiptare për t’i imponuar marëveshje ekonomike që favorizonin grekët dhe për të lënë në heshtje problemin e Camërisë, të cilin nuk pranonin ta zinin goje, se dukej që i trembeshin.

Asgjë nuk ndryshoi për shqiptarët në Greqi me ardhjen në fuqi të socialistëve të Papandreut. Trajtimi i tyre si qytetarë “të dorës së dytë“ vazhdoi po njëlloj dhe kishte filluar të zbehej edhe ndihma që popullsia greke ju jepte emigrantëve në vitet 1991-92.  Një lloj gjallërimi I ekonomisë greke shtonte kërkesat për krahë pune në ndërtim, bujqësi për burrat dhe pëkujdesje ndaj pleqve dhe fëmijëve si dhe pastrimin e shtëpive për gratë. Shqiptarët vazhduan të emigronin në numur edhe më të madh dhe duke patur vetëm viza turistike ose duke kaluar kufirin pa viza. Edhe në sajë të tyre, familjet greke po kalonin një periudhë pasurimi ekonomik dhe bashkë me të rritej edhe fodullëku. Dëfrimet e tyre në lokale që nuk mbylleshin kurrë nuk ndodhnin në asnjë vend europian. Të rinj që nuk punonin dhe zdërhalleshin kafeneve duke luajtur tavëll, burra me rroga të mira në punët e panumurta shtetërore dhe gra shtëpijake, që nuk pastronin shtëpitë se ju kushtonte pak të merrnin një shqiptare ose filipinase për t’ju pastruar. Kjo ishte jeta për pjesën më të madhe të athiniotëve, që nuk donin t’ja dinin se Papandreu po e fuste gjithnjë e më shumë Greqinë në borxhe. Jeta e lehtë, pa u munduar të shton agresivitetin dhe të ul ndjenjën e mëshirimit dhe të dashurisë për të huajt dhe të varfërit.

(vijon)

Tuesday 29 June 2021

"Racizmi" grek dhe ne (2)


 (vijim)

E kalova thuajse gjithë gushtin në Athinë, si një turist kureshtar me pak para në xhep, por me dëshirë për të parë sa më shumë dhe për të kuptuar ç’është ky qytet i huaj, që funksionon me një sistem ekonomik shumë më të ndryshëm se ai ku kisha kaluar thuajse gjithë jetën time. Shkoja nga Akropoli tek një plazh në Paleo Faliro, nga Mikrolimano tek Universiteti i Athinës, nga aeroporti i vjetër në Glifadha tek pallati i sportit “Paqe dhe Vëllazërim”. Nuk kisha aparat fotografik, por në mendje i “fotografova” pjesët e Athinës që përshkrova, ndërtimet e tyre dhe njerëzit. Ndjehesha i lirë sepse isha vetëm vizitor edhe pse nga një vend i varfër, por nuk mendoja që të hyja në një punë, që të ishte larg asaj që bëja në Shqipëri edhe pse pagesa ishte shumë më e lartë se ajo që merrja edhe nga projektet private që posa kishin nisur.

Edhe pse në një muaj nuk arrija të kuptoja shumë nga jeta politike-shoqërore e Greqisë, më dukej se kishte diçka që nuk shkonte në marëveshjen e fshehtë për emigrim të dy vendeve. Të dy qeveritë kishin pranuar statusin e qytetarit të “dorës së dytë“ për emigrantët shqiptarë. Me qindra inxhinierë, mjekë, mësues, ushtarakë shqiptarë kishin emigruar në Greqi, por jo vetëm që nuk kishte asnjë program qeveritar për t’i ndihmuar të integroheshin në jetën e vendit apo në profesione të përafërta me ato që kishin bërë në Shqipëri, por nuk kishin asnjë mbrojtje nga lëvizja e fuqishme sindikaliste greke. Shqiptarët ishin të tradhëtuar nga qeveria e tyre dhe dy herë të tradhëtuar nga qeveria dhe shoqëria greke. Edhe pse në kohën e vizitës sime të parë, në fuqi në Greqi ishte e djathta e Micotaqis, marëveshja ishte bërë me komunistët Ramiz Alia dhe Fatos Nano dhe vazhdoi po e njëjtë edhe me Qeverinë e Stabilitetit dhe ardhjen në fuqi të Berishës.

Emigrantët shqiptarë nuk kishin zërin e tyre në gjithë këtë çështje sepse në Shqipëri i kishin humbur punët për shkak të ndryshimit të sistemit dhe në Greqi arrinin të siguronin një mirëqënie shumë më të lartë se sa ajo e atyre që punonin në Shqipëri. Kjo i vuri në masë në pozita inferioriteti ndaj vendasve edhe pse shqiptarët mund të ishin më të arsimuar dhe më punëtorë se një pjesë jo e vogël e grekëve.

Në Korçë në atë kohë vërtiteshin një numur tregëtarësh dhe investitorësh grekë, të cilët nuk gëzonin ndonjë emër të mirë, por është e kuptueshme që në fillim, në një vend të pastabilizuar me ligje dhe ekonomikisht si Shqipëria e vitit 1992, më të guximshmit nga biznesmenët e huaj do ishin aventurierët dhe të dyshimtit. Por dukej që grekët kishin krijuar lidhje të mira në Tiranë, që në kohët e qeverisë puniste dhe asaj të Stabilitetit dhe të njëjtën gjë po vazhdonin në kohën e qeverisë Meksi. Nuk ishte e vështirë që me rryshfete të “futje në thes” qeveritarë të lartë deri në ministra.

“Superioriteti inorant” i grekëve manifestohej më hapur dhe më shëmtuar në pikat doganore. Ato ishin kthyer në pika korrupsioni dhe të poshtërimit të shqiptarëve të varfër, që donin të bashkoheshin me familjet e tyre në Greqi, ose të zinin punë në vendin fqinjë. Oficerët grekë të kufirit dhe doganierët ishin ndër njerëzit më të korruptuar dhe më xhahilë, që më ka zënë syri gjatë jetës sime. Në disa orë pritjeje në anën greke të doganës së Kapshticës mund të bëheshe menjëherë një armik i grekëve, po qe se do përgjithësoje të gjithë fqinjët juglindorë me përfaqësuesit e administratës greke në kufi. Jashtë doganave të tyre bënin ligjin trafikantët shqiptarë të njerëzve, të cilët paguanin shuma të majme në xhepat e oficerëve grekë për çdo shqiptar që kalonte me vizë fallco. Bëhej fjalë për qindra njerëz në ditë. Në varësi të humorit të oficerëve të turnit sportelet mbylleshin për orë të tëra, njerëzit që prisnin në rradhë i shtynin drejt kufirit shqiptar duke thirrur “Piso, stin Allvania!”(“Prapa në Shqipëri!”) pa pyetur nëse ishin të moshuar, të sëmurë apo gra me fëmijë. Cilido europian që do shihte ato shfaqje të shëmtuara në doganën greke do tmerrohej nga mungesa e qytetërimit e oficerëve dhe nga përulja e shqiptarëve të varfër. Por kjo nuk ju bënte përshtypje as politikanëve grekë që kalonin herë herë kufirin dhe as atyre shqiptarë.

Kam qëlluar një mbrëmje duke pritur në rradhë për disa orë, ndërsa grekët nuk di se për ç’arsye absurde kishin ndalur kontrollin e vizave. Para meje një grua me një të moshuar në një karrige me rrota, të cilin do e shpinte në një spital të Selanikut e lutej për ta kaluar duke mbajtur në dorë dy pashaporta me viza. Nuk të vriste vetëm mungesa e dhembshurisë të oficerëve grekë, por ndodhi që në atë kohë kthehej nga Greqia ministri i shëndetsisë Tritan Shehu, i cili e pa të gjithë skenën dhe nuk bëzani. Dikush nga turma i tha gruas së re t’i kërkonte ndihmë ministrit shqiptar, por ai ndërkohë kishte vulosur pasaportën e tij dhe bashkë me një shoqërues u larguan me të shpejtë. Ne shqiptarët që prisnim në rradhë ishim të braktisur nga të gjithë. Nuk di nëse ekzistojnë të atyre skenave, por asnjë kanal televiziv apo gazetë shqiptare nuk vinte të dëshmonte për emigrantët e përvojtur në sportelet e kufirit grek. Duket të gjithë ishin në “xhepat” e administratës greke, se skena të ngjashme kishte edhe tek muri i ambasadës greke në Tiranë. Mbetej vetëm të na detyronin të qepnim edhe një shqiponjë në rrobat tona, sikundër ju kishin bërë dikur me yllin e Davidit çifutëve në Gjermani. Edhe nazistët kishin bashkëpunëtorë mes çifutëve, por ne kishim kundër gjithë administratën tonë.

Historitë e kalimit të kufirit nga malet ishin edhe më ngjethëse. Veprimet e ushtarëve grekë, që zinin shqiptarët që po kalonin kufirin ilegalisht ishin nga më çnjerëzoret. Nuk kishte vetëm fyerje dhe rrahje. Fëmijët e hazdisur grekë, që bënin shërbimin ushtarak një vjeçar detyronin klandestinët të rrihnin njëri tjetrin ose edhe të kryenin marëdhënie seksuale. Të gjitha këto nën kërcënimin e armëve të të ashtuquajturve të rinj europianë.

(vijon)

Monday 28 June 2021

“Racizmi” grek dhe ne


Po bëhen 29 vjet që nga dalja ime e parë jashtë kufijve të Atdheut. Një udhëtim i ëndërruar prej shumë e shumë vitesh, që kur çdo gjë ishte e mbyllur dhe kur mund të dilje “jashtë shtetit” vetëm nëse shkëlqeje në art ose në sport. Unë nuk pata shkëlqyer në asnjë nga këto fusha dhe as në profesionin që kisha zgjedhur. Ndaj duhet të prisja rënien e Murit të Berlinit dhe më pas rrëzimin e shtatoreve të Enver Hoxhës për të menduar se me të vërtetë një ditë mund t’i hipja edhe avionit.

Për herë të parë e kalova kufirin më 29 nëntor të vitit 1992 për të vizituar familjen e motrës në Athinë. Trojet kodrinore të Greqisë së Veriut, të ngjashme me tonat, por të sistemuara shumë më mirë, ishin të parat vende të huaja të globit që shihja drejtpërsëdrejti me sytë e mija dhe jo në një ekran televizori apo kinemaje.

Mundohesha të përpija me sy nga dritarja e makinës çdo gjë që ishte rrotull, rrugët e vijëzuara, ndërtimet e reja nëpër fshatra, gjelbërimin e kursyer, njerëzit e veshur më mirë se ne, automjetet e shpeshta, pikat e sistemuara të karburantit, tabelat me shkronja greke dhe latine. Për të shkuar më thellë në Europë, çuditërisht udhëtonim drejt juglindjes.

Të njëjtën gjë bëra edhe kur mora trenin që vinte nga Selaniku dhe shkonte drejt Athinës, që ishte i mbushur me njerëz, por nuk ishte as aq i shpejtë dhe as luksoz sa e prisja. Peisazhe të ngjashme me jugun e Shqipërisë me të njëjtat male jo shumë të lartë, me makje dhe gjelbërim të pakët, midis të cilëve herë herë dukej Egjeu. Stacioni i trenit i Athinës ishte më se i zakonshëm me njerëz që nguteshin mes vapës, që nuk prisnin rradhën, që flisnin me zë të lartë. Një stacion shumë i vogël për një qytet 5 milionësh. Qyteti i parë europian ku vija këmbën. Tirana kishte qënë deri atëhere qyteti më i madh që kisha parë, dhe Athina e krahasuar me të dukej e pafund, por edhe me ndërtime të stërngjitura me njëra tjetrën.

Mbrëmja e parë ishte mahnitëse, në një shesh të madh në lagjen Nea Smyrnis me lokale të mbushur me të rinj të shkujdesur, që hanin e pinin duke qeshur dhe duke flirtuar me njëri tjetrin. Nuk e tepronin me të thirrura dhe “lagavitje”. Ishte rinia që kisha humbur 10 vjet më parë në Tiranën e sunduar nga “xhahilët”. Hëngra edhe unë darkë mes tyre pa u bezdisur nga vështrime shpërfillëse, pa qënë pjesë e tyre dhe duke u ndjerë po aq i lirë sa ata.

Disa javëiI kalova duke ecur sa mundja lagjeve të Athinës për të parë se si jetohej, se si ishte ndërtuar dhe nëse kishte mundësi pune në profesionin tim. Edhe pse dukej që ndërtimet sa kishin kaluar një periudhë krize dhe nuk dukej ndonjë rritje e menjëhershme, njerëzit ishin miqësorë dhe kureshtarë të kuptonin se si ishim nee shqiptarët, që vinim nga një vend aq i afërt por edhe aq i mistershëm. Të njëjtat përvoja tregonin ata që kishin emigruar gjatë vitit 1991 dhe gjysmës së parë të 92-shit. Grekët kishin qënë mikpritës dhe kishin ndihmuar me sa kishin mundur. Kishte edhe aspekte të ]uditshme për mua, si një zyrë në afërsi të sheshit “Omonia” që drejtohej nga një dropullit dhe lëshonte dëshmi “vorio-epirotësh”, por dukej se edhe pse me ndihmën e shtetit grek, ajo nuk ishte pjesë e administratës greke. Megjithatë shqiptarët ndiqnin pas Foto Prasin, që dukej se kryesonte zyrën dhe kishte në dorë t’i ndihmonte për dokumentat e nevojeshme për leje qëndrimi.

Kjo anomali ishte në rrënjët e marëdhënieve që do krijoheshin më vonë mes shqiptarëve dhe grekëve. Kufijtë nuk kontrolloheshin më dhe dy shtetet pranonin në marëveshje , që shqiptarët të shkonin për të punuar pa viza pune në Greqi dhe të mos gëzonin asnjë të drejtë. Marëveshja e pashkruar ishte bërë edhe me bekimin e Brukselit, që jepte fonde të shumta për Greqinë, pikërisht për punësimin dhe shfrytëzimin e shqiptarëve, të cilët nuk përfitonin ato që përfitonin punëtorët grekë apo emigrantë nga vende të tjera.

(vijon)

Sunday 27 June 2021

Sa pak vlen jeta në vendin tim!


Të rinj të dehur që ngasin makina të shtrenjta e vrasin njerëz. Hanxhinj që vriten me kallashnikovë me njëri tjetrin për ndarjen e numurit të shezlongëve në plazh. Qindra të vdekur nga Covid të paraportuar si të tillë për mos i nxirë faqen qeverisë.

Ndërkaq mediat kryesore merren prej dhjetë ditësh me hollësitë e vrasjes së studentes angleze nga i shoqi grek në një ishull të Greqisë. Analistë të skandalizuar se përse Berisha dhe jo Rama, që është më i korruptuar, nuk shpallet “non grata” nga SHBA. Të tjerë që i bëjnë jehonë postimeve të Braçes për shitjen e dy kamionave me shalqinj të Divjakës jashtë kufijve të Shqipërisë. Dhe sigurisht që nuk do mungojnë shalët e Hajatit, mollaqet e Haxhias dhe cicet e rreme të Ponarit.

Një shoqëri, të cilës i kanë rënë brekët deri në fund të këmbëve dhe jo vetëm pret t’ja ngrerë ambasadorja amerikane Kim, por edhe ankohet se Kim nuk ka zgjedhur mënyrën e duhur për ta bërë këtë ose ka ndonjë interes që po ja ngre brekët me ngadalë.

C’të bëjmë?

Të gjithë janë njëlloj!

Na presin bukën!

Na heqin fëmijët nga puna!

Janë justifikimet që shihen në mediat sociale për ata që ankohen për gjendjen e vendit, por rrinë rehat kafeneve dhe presin t’ja u rregullonë vendin të tjerët. Deri sa dëgjojnë krismat e kallashit në kafenenë ngjitur, ose fishkëllimat e gomave të një BMV-je luksoze para syve. Megjithatë nuk harrojnë edhe të pyesin njëri tjetrin se ku do shkojnë këtë verë në plazh.

Asnjë lëvizje masive për vlerësimin e jetës!

Asnjë përpjekje për tu organizuar dhe për të demonstruar se gjithë klasa e vjetër politike, në mos hyjë në burg, të paktën të shkojë në shtëpi.

E megjithatë nuk mungojnë të shkojnë nëpër ngushëllime dhe varrime dhe të përsëritin pyetjet idiote “Po si ndodhi kjo?”, “Po policia ç’bënte?”, “Po semafori punonte?”, “Po si nuk lajmëruan menjëherë ambulancën?”

Që të luftosh për të mbrojtur jetën në fillim duhet të duash jetën tënde dhe ta vlerësosh atë. Duket që në Shqipëri njerëzve nuk ju bën më përshtypje. Se ndryshe nuk ka spjegim tjetër kjo rrumpallë që vret.

Saturday 26 June 2021

Për kë të flisnim?

Ti doje të flisnim për fluturat

Të bukurat,

                Të larmet

Shumëngjyrshet flutura.

Ti kapnim në rrjetat e mendimeve

E t’ju shihnim nga afër piklat

Me kujdes

Për mos i lënë krahëkëputura.

Por ato iknin

Ndaj të thoja të flasim për lulet,

Të bukura dhe të qëndrueshme janë,

Miriada e mijrangjyrëshe,

Mbi to gjithkursh përulet

Erë për t’ju marrë.

Por edhe lulet vyshkeshin me stinën,

Ndaj do duhej edhe një vit tjetër,

E një tjetër më shumë,

Mirë për t’i njohur,

Për t’ju thithur nektarin.

E ndërsa prisnim thëllimi gjithshka vrau,

Fluturat,

                Lulet,

                                Barin.

E ndërsa tek e shkuara plot ngjyra,

Të dy ende mbanim kokën,

Stërmadhe dhe pse e errët,

E dashur dhe e sigurt u shfaq lakuriq ajo,

Filluam të flisnim për Tokën.

Friday 25 June 2021

135 vjet nga botimi i poemës madhore shqipe


Më 1886 u botua në Bukuresht për herë të parë poema më e madhe dhe e rëndësishme e letrave shqipe “Bagëti dhe Bujqësi” e poetit kombëtar Naim Frashëri. Të gjithëve na ka emocionuar, na ka bërë të mendojmë, të ndjehemi krenarë, të krijojmë në mendje vende që nuk i kemi parë dhe ndoshta nuk ekzistojnë më ose nuk kanë ekzistuar kurrë. Tek ajo vepër mishërohet gjenialiteti i poetit të dashuruar me vendin e tij.

Për ta lehtësuar shënimin nga patetizmi dhe për ta qorrollisur në skërkat e teorive të konspiracionit, më duhet të them se herë herë kam menduar se mos ndoshta pas vargjeve të frymëzuara të Naimit ka pasur edhe mesazhe të koduara për ata që i lexojnë dhe i kuptojnë, ose të tjera kuptime dhe nënkuptime, që ju kanë shpëtuar studiuesve të letërsisë dhe historisë, ose që i janë fshehur qëllimisht popullit.

Vargjet që më kanë shtënë në të tilla mendime të shtrembërta janë ato shumë të njohurat:

                                …Do të këndoj bagëtinë që mbani ju dhe ushqeni

                                O vendthit e bekuar ju mendjen ma dëfreni!

Dyshimi i parë që më ka lindur kohë të shkuara ka qënë: Pse Naimi ka përdorur foljen “dëfreni”? E ka patur të lidhur me zbavitjen e mendjes, që është njëkohësisht e shpirtit? Ka qënë ai dëfrim i një natyre serioze dhe të çiltër apo dëfrim lozonjaro-qesharak? A mundet që diçka e bekuar nga qiejt të të dëfrejë mendjen?

Të gjitha këto pyetje më shpien në dyshimin e madh, që Naimi do të thotë se Shqipëria është një vend i bekuar nga Perëndia, me shumë bukuri natyrore, por…diçka ka brenda saj që bën “t’i dëfrehet mendja”. Dhe ç’mund të jetë tjetër veç atyre, që ai i përmbledh në një emër të vetëm në numurin njëjës – Bagëti. Pra mendjen e poetit të madh nuk e dëfrejnë thjesht “vëndthet e bekuar”, sepse vetë ato mund të sillnin të tjera ndjenja dhe jo dëfrimin. Eshtë pikërisht lidhja e çuditshme, ose më mirë lidhja e spërdredhur midis Vendit dhe Bagëtisë, që e sjell këtë. Vendi është i bekuar, por jo e bekuar duket të jetë Bagëtia.

Po cila është Bagëtia e Naimit, të cilës ai do t’i këndojë? A janë vërtet vetëm dhentë e dhitë e asaj kohe, (pasi dihet që lopët ishin shumë të pakta ndërsa buajt në Myzeqe numuroheshin me gishta)? Për më tepër poema nuk ngjason aspak me një doracak zooteknik. Mos ndoshta të tjera qënie përfshihen në Bagëtia? Këtu imagjinata më ka shpënë në idenë se vëllezërit Frashëri jo vetëm ishin tepër të rrallë dhe të jashtëzakonshëm, por ata edhe mund të kenë udhëtuar në kohë. Në mos të tre, dy më të vegjëlit me siguri ja kanë arritur. Dhe këtë e vërteton traktati filozofik i Samiut “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është dhe ç’do të bëhet”. Një vepër e tillë nuk mund të shkruhej nëse Samiu nuk kishte udhëtuar në kohë në Shqipërinë e rreth vitit 2050.

Ose Samiu diçka i ka treguar vëllait të tij më të madh, ose ka qënë Naimi ai që ka bërë i pari udhëtimin në kohë në Shqipërinë e sotme ose të këtyre dhjetvjeçarëve. Bindjen për këtë udhëtim ma shton similituda shumë e njohur e poemës, që fillon “Kur dëgjon zërin e s’ëmës, qysh e le qingji kopenë…”. Pse nëna e qingjit nuk është me kopenë po diku larg? A është kjo largësi, që kapërcehet vetëm nga shpejtësia e zërit, një largësi kohore? Po ata “njëzet a tridhjet vetë“, që mundohen t’i presin rrugët mund të jenë dekadat?

Naimi duhet të ketë bërë udhëtimin nëpërmjet “vrimave hapësinore” në ditët tona. Nuk mund të gjykoj se sa ka ndenjur pranë nesh dhe nëse ka parë emisionet televizive “Përputhen”, “Rrethi Katror” dhe atë të Eni Cobanit, por diçka e ka tronditur fort dhe njëkohësisht e ka frymëzuar që pati shkruar para 135 vjetësh:

Do të këndoj Bagëtinë që mbani ju dhe ushqeni…”

Thursday 24 June 2021

Cimentoja, ky material “vrasës” (fund)

 


(vijim)

Sigurisht që zgjidhje mund të ketë nga më të ndryshmet dhe të lidhura edhe me shumë materiale të quajtura “ecofriendly”, por e rëndësishme është ndryshimi i filozofisë së projektuesve rreth ndërtimit. Konceptet minimaliste, ato të lidhjes së ndërtimit me natyrën, të fundshmërisë së rezervave natyrore, të krijimit të strukturave që vetprodhojnë energji duhet të jenë prioritet në shkollat e arkitekturës. Nëse vërtet si arkitekt nuk mund t’i mbushësh mendjen një investitori, që do një banesë si kështjellë, fund e krye me mermer dhe material të tjera të rënda e të kushtueshme, por kur vjen fjala në projektimin e banesën tënde përdor të njëjtën llogjikë, atëhere dëshmon se ke boshllëqe të mëdha në formimin si specialist.

Frank Gehry hodhi idetë e tij të para arkitekturore në projektet e shtëpisë së tij dhe ato të miqve të tij, projekte që u pritën me shumë rezervë dhe u kritikuan, por ato përbënë bazën për realizimin konkret të koncepteve të tij, që më pas sollën arritje të jashtëzakonshme tek veprat më të njohura të tij. Kjo ka ndodhur gjatë gjithë njëqind viteve të fundit në arkitekturë. Idetë revolucionare në arkitekturë nuk mund të lindin as në kokat e investitorëve dhe as në ato të pushtetarëve sado me fantazi apo të kulturuar të jenë. Janë arkitektët që duhet t’i futin duke arritur të mposhtin rezistencën e madhe të industrisë së ndërtimit.

Një nga drejtimet, në të cilat duhet përqëndruar përpjekja e arkitektëve dhe urbanistëve për të krijuar qendra banimi më të shëndetshme, është krijimi i qyteteve dhe fshatrave satelite në të cilat nuk ka nevojë të ketë ndërtime stërmëdha. Prirja duhet të jetë, që në vitet ’50 të këtij shekulli betoni i armuar të mos përdoret më në banesat dhe në gjithë ndërtimet njëkatëshe qofshin komplekse tregëtare, magazina, njësi prodhimi etj. I njëjti kriter duhet të ndiqet edhe për të gjitha ndërtimet turistike.

Nëse në ndërtimet e dimensioneve të vogla ( sidomos përsa i përket lartësisë dhe numurit të kateve), zgjidhjet me konstruksione më të lehta mund të zbatohen me më pak vështirësi dhe mund të hyjnë në stil të gjërë, për ndërtimet mbi 3-4 kate zëvendësimi i b/armesë është më i zorshëm.  E megjithatë në shumë vende të botës sot, sidomos në ato nordike,  po ngrihen edhe ndërtime mbi 10 katëshe me konstruksion druri.

Në vendet e Ballkanit në përgjithësi dhe veçanërisht në Shqipëri është shpejt për të folur për ndërtime shumëkatëshe me strukturë mbajtëse druri, sepse tradita e prodhimit , stazhionimit dhe aplikimit në ndërtim e drurit nuk është shumë e pasur. E megjithatë ka shumë ç’të mësohet edhe nga ndërtimet e vjetra të Beratit, Gjirokastrës, Shkodrës, Korçës etj. Në një pjesë të tyre ka zgjidhje shumë të “mënçura” dhe elegante, të cilave arkitektët dhe inxhinierët duhet t’ju rikthehen, sidomos kur bëhet fjalë për daljet konsol apo për lloje të ndryshme çatish. Një traditë gati e humbur është ajo e mbulesës së çative me furde, të cilat krijojnë mundësi për të mbuluar edhe hapësira shumë të mëdha se janë shumë herë më të lehta nga tjegullat.

Por më e rëndësishmja mbetet filozofia e arkitektëve, e cila duhet të ndryshojë nga parimet e “arkitekturës moderne” drejt parimeve të një arkitekture më “modeste”, më organike dhe më në përputhje me natyrën. Dhe kjo presupozon largimin nga “downtowns” me silueta vertikale imponuese, drejt vendbanimeve me dimensione më njerëzore, që do sjellë natyrshëm edhe largimin nga strukturat e betonit të armuar dhe në uljen e prodhimit të çimentos.

Si do jetë një metropol pa struktura betonarme?

Ndoshta përgjigja, e cila kërkon më pak imagjinatë është : Sa më pak metropole!

Wednesday 23 June 2021

Cimentoja, ky material “vrasës”


(vijim)

Këtu vijmë në një pikë tjetër të rëndësishme filozofiko-shoqërore: A janë arkitektët në avangardë të zhvillimeve shoqërore dhe teknologjike të njerëzimit apo janë thjesht “shërbëtorë“ të industrisë së ndërtimit?

Tradicionalisht arkitektët kanë pasur një natyrë të dyfishtë si “shërbëtorë“ të regjimeve dhe njëkohësisht edhe në pararojë të zhvillimeve teknologjike dhe të atyre shoqërore. Për të ilustruar se sa të përunjur ishin arkitektët ndaj sunduesve po e një pjesë të hyrjes që i bën librit të tij “Mbi arkitekturën” arkitekti romak Vitruvi, libër ky në themelet e teorisë së arkitekturës botërore:

Ndërsa inteligjenca dhe vullneti juaj hyjnor, Perandor Qezar, ishte angazhuar në marrjen e së drejtës për të komanduar botën dhe ndërsa bashkëqytetarët tuaj, kur të gjithë armiqtë e tyre ishin gjunjëzuar nga trimëria juaj e pamposhtur, po mburreshin në triumfin dhe fitoren tuaj, - ndërkohë që të gjithë kombet e huaja ishin nënshtruar duke pritur thirrjen tuaj, dhe populli dhe senati romak, të çliruar nga alarmi i tyre, po fillonin të udhëhiqeshin nga konceptet dhe politikat tuaja më fisnike, unë me drojtje guxova, në funksion të arritjeve tuaja serioze, të botoj shkrimet e mia dhe idetë që kisha prej kohësh mbi arkitekturën, me frikë se mos përballem me pakënaqësinë tuaj për një ndërprerje të panevojshme.”

E lashë të pandërprerë citatin për të treguar, se edhe nëse nuk përdorim të njëjtat fjalë, edhe ne arkitektët e sotëm dëshmojmë të njëjtën përulje ndaj korporatave të ndërtimit, ose njerëzve të gjithëpushtetshëm që kanë në dorë urbanistikën e qyteteve dhe arkitekturën e tyre. Dhe veprat janë shumë më të rëndësishme se fjalët.

Por nëse një pjesë e mirë e arkitektëve janë fromuar në regjimet e shteteve totalitare, ku qysh në shkollë fillonte “përulja” ndaj teknologjive ekzistuese (kryesisht e betonit) të cilat sillnin ndërtime të shpejta dhe me kosto më të ulët, më të shumtit e arkitektëve janë formuar në shoqëri të “lira”, por edhe ata janë të formuar për të ndjekur “ligjet e teknologjisë të korporatave të ndërtimit”. Kjo ka sjellë fetishizmin e betonit të armuar, që bëri shumë arkitektë prej viteve ’30 të shekullit të kaluar e deri më sot ta konceptojnë organizimin e hapësirave nëpërmjet konceptimit strukturor të betonit të armuar. Deri atje ka shkuar “nderimi” ndaj tij sa struktura të tëra sot në botë kanë beton të dukshëm në eksterier dhe ndonjëherë edhe në interiere. Dhe bëhet fjalë për një material artificial, i cili nuk ekziston në natyrë, por është i shpikur nga njeriu. U arrit deri në një lloj “poetike arkitekturore të betonit”, por për fat të mirë pas dy tre dekadash të brutalizmit, ajo prirje  u pranua nga të gjithë që ishte e shëmtuar dhe e sforcuar.

“Largimi psikologjik” nga betoni i armuar nuk mund të jetë i menjëhershëm tek arkitektët, sidomos tek ata europianë dhe të amerikanojugorë, ku jo vetëm është krijuar një traditë relativisht e gjatë me këto lloj ndërtimesh, por edhe arkitektura tradicionale ka qënë e bazuar kryesisht tek guri. Më e thjeshtë është në Amerikën e Veriut dhe në Azi, ku ndërtimet me struktura druri kanë qënë dhe janë shumë të përhapura. Por edhe tek vendet europiane dhe sidomos në ato mesdhetare ky largim nuk është i pamundur. Dhe nuk është fjala për aplikim të mënyrave të ndërtimit në Amerikën e Veriut apo në Japoni, por për të rigjallëruar teknikat e përdorura më parë, të kombinuara me elementë të rinj ndërtimorë të vendit apo të importuar, që për fat të mirë tani gjenden me shumicë tani në treg.

Më e lehtë është për ta nisur nga banesat individuale dhe ato të grupuara (por jo shumëkatëshe), të cilat po fillojnë të ndërtohen në stil më të gjërë dhe prirja do jetë, që ndërtimet e këtij lloji do shtohen. Pandemia në mënyrë të veçantë shënoi një të ardhme të banimit jashtë qyteteve, pra edhe një shtim të banesave individuale.

Sa i përket Ballkanit është e nevojshme rishikimi i përdorimit të drurit në stil të gjërë dhe sidomos si element konstruktiv. Eshtë tashmë e mundshme, që soletat prej betoni të armuar, të zëvendësohen plotësisht me dyshemetë tradicionale me trarë ose me kapriata druri me lartësi të vogël. Në të njëjtën mënyrë mund të bëhet zëvendësimi i skeleteve mbajtëse prej b/armeje me skeletë metalike dhe një thjeshtëzim i tillë strukturor do sjellë edhe përmirësime, që lidhen me plotësimin e cilësive sizmike të ndërtimit.

(vijon)

Cimentoja, ky material “vrasës”


Duhet që në fillim të pranoj se kam qënë i mrekulluar pas betonit të armuar, që në kohët kur kam qënë student dhe deri disa vite më parë. Eshtë një material që ka revolucionarizuar teknologjinë e ndërtimit, me një plastiçitet të çuditshëm, me një proces kimik gati misterioz dhe me aftësi për t’i rezistuar agjentëve atmosferikë dhe tërmeteve. I ndryshoi fytyrën gjithë qyteteve europianë në fillim dhe më vonë atyre të të gjithë globit.

Por betoni armuar është një material ndërtimi shumë i ri dhe edhe pse ka përcaktuar arkitekturën moderne, nuk ka asnjë lidhje me historinë dhjetmijëvjeçare të ndërtimeve të gjithë bashkëzive njerëzore në të gjithë kontinentet. Ka vetëm 150 vjet, që është shpikur dhe diçka më tepër se një shekull, që ka hyrë në stil të gjërë në ndërtime.

Pyetja është: A duhet të jetë betoni i armuar një material i përdorur gjërësisht në ndërtim, apo roli i tij në arkitekturë ju përket vetëm dhjetvjeçarëve që ka kaluar dhe dy-tre të tjerëve që vijnë më pas?

(Pyetja ka të bëjë vetëm me betonin e armuar, që është më i mundshëm të zëvendësohet me material të tjera strukturore dhe jo për betonin që përdoret për rrugë, sheshe, trotuare, pista aeroportesh etj., që ze një vëllim shumë të madh, por është më e vështirë të gjesh zëvendësime me vlera të krahasueshme financiare.)

Betoni i armuar ka tre elementë bazë, nga të cilët çimentoja dhe hekuri (çeliku) prodhohen nga njeriu dhe kërkojnë energji për proceset kryesisht kimike të prodhimit të tyre.

Cimentoja posa ka mbushur 200 vjet, që është shpikur dhe tani prodhohet në të gjitha qoshet e globit. Ka shumë arsye, që prodhimi i saj duhet të kufizohet:

·         Gjatë procesit të djegies së gurëve gëlqerorë për prodhimin e saj, në atmosferë çlirohen disa lloje gazrash të dëmshëm si bioksidet e karbonit dhe squfurit, oksid nitrati etj.

·         Në vendet ku energjia prodhohet kryesisht nga termocentralet me qymyr ose naftë, energjia elektrike e përdorur në fabrikat e çimentos shkakton gjithashtu dëmtime të mëdha të mjedisit.

·         Shfytëzimi pa kriter i guroreve të gurit gëlqeror sjell dëmtime të mëdha jo vetëm të peisazhit, por edhe të gjithë mjedisit duke dëmtuar florën dhe faunën e zonave.

Vlen për të shënuar se në 10  vendet prodhuese më të mëdha të çimentos janë Kina, India, Brazili, Irani, Vietnami, Indonezia dhe Turqia, të gjitha vende që janë ndër ndotësit më të mëdhenj të mjedisit. Dhe dy të parat prodhojnë më shumë se gjithë vendet e tjera të marra së bashku. Ndaj nëse vendet e zhvilluara nuk detyrojnë dot Kinën dhe Indinë të modernizojë industrinë e prodhimit të çimentos për të lëshuar më pak gazra të dëmshme në atmosferë, atëhere duhet të ulin sa më shumë të jetë e mundur kërkesat për çimento. Dhe nëse vendet e zhvilluara perëndimore nuk duan të ulin kërkesat për çimento, për shkak të interesave të korporatave të ndërtimit, atëhere diçka duhet të bëjnë arkitektët dhe inxhinierët.

(vijon)

Tuesday 22 June 2021

Prokurorja “përbindësh”


Elisabeta Imeraj është Prokurore e Tiranës, një post më i rëndësishëm edhe se ai i Pokurorit të Përgjithshëm. Më ra në sy gjatë seancave të pyetjeve të komisionit parlamentar, që merrej me çështjen e ministrit të atëhershëm të Punëve të Brendëshme Saimir Tahiri. Cështja “Tahiri” më kishte ngjallur interes, se për herë të parë një funksionar i lartë i Shqipërisë dhe krahu i djathtë i Edvin Ramës akuzohej për lidhje të drejtpërdrejtë me trafikun e drogës.

Edhe pse në krahun e duhur, prokurorja Imeraj më bëri përshtypje për paturpësinë e saj dhe agresivitetin. Pavarësisht se sa fajtor ishte Tahiri, puna e prokurorisë ishte shumë e cekët dhe pa prova, ndaj binte në sy që akuzat më shumë se përpjekje për të dënuar një zyrtar të lidhur me krimin e organizuar ishin pjesë e lojrave politike , që luheshin në Tiranë.

E emëruar në poste të larta nga Berisha dhe mbështetëse e zellshme e “akrobacive’ të tij politike, prokurorja tërhoqi vëmendjen edhe të Ramës, pikërisht për paturpësinë e saj, për aftësitë e saj intriguese me lirim fajtorësh, hapje e mbyllje procesesh dhe shantazhe ndaj zyrtarëve dhe medias. Rama jo vetëm e mbështeti për të qënë në krye të prokurorisë së Tiranës, por ka bërë ç’është e mundur që ajo mos preket jo vetëm nga PS-ja, por edhe nga mediat që ai kontrollon. Si rrjedhojë, i vetmi “zë në shkretëtirë“ ndaj saj ka qënë portali reporter.al, i cili është vërtet një portal serioz, por që nuk ka megafon të fuqishëm në Shqipëri.

Reportet.al, ndoqën dhe raportuan të gjithë procesin qesharak të Vetingut të prokurores, e cila për të fshehur pasuritë, ka bërë një divorc të rremë me të shoqin dhe jeton ende nën një çati me të, në vilën e tyre trekatëshe. Nëse nuk ja kalon Adriatik Llallës nga pasuritë e grumbulluara, sigurisht që Imeraj ja kalon shumë herë në instiktet e saj për të luajtur në botën e nëndheshme të politikës shqiptare. Ajo nuk preket nga asnjë krah i politikës. Një deklaratë të thatë kundër saj bëri gjatë fushatës Basha, por as në mediat pro PD-së askush nuk merret me “përbindshen” Imeraj. Ajo ja hodhi Vetingut dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite të jetë Prokurorja më e fuqishme në vend. Në duart e saj janë dosjet më të rëndësishme penale në Shqipëri.

E megjithatë duket se të huajt nuk po dorëzohen edhe ndaj këtij rasti, që nxjerr lakuriq drejtësinë shqiptare, e cila nuk është as e vjetër dhe as e re, por një Drejtësi e korruptuar dhe e manipulueshme nga politika. Përpjekjeve të fundit të OMN-së (Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit) për të rishikuar vendimin e Komisionit të Vetingut, që e nxirrte të pastër prokuroren Imeraj, i është shtuarsot edhe zëri i ambasadores Kim. Ajo hapur ka kërkuar nga të gjithë sot, dhe sidomos nga media, që të merren me rastin Imeraj, që është skandali më i madh i procesit të Vetingut.

Do dorëzohet Rama nga mbrojtja që po I bën Imerajt me të gjitha veglat dhe mundësitë që ka?

Kjo varet shumë edhe se me ç’dosje bën presion ndaj tij prokurorja “përbindësh”.

Monday 21 June 2021

Dua të përshtatem

Dua të përshtatem.

Urave mos ju ve më zjarret,

Rrugën mos e kem në të dy anët me hendeqe,

Oh sa shumë dua!

Të dal dhe të gjithë të përqafohen me mua;

Të mirat veç të shoh tek njerëzit,

I verbër të jem për çdo të keqe.

Ndoshta koshereve dyllë po të mbledh

Aq shumë sa të mund ta modeloj

Të përkryera forma shpirtërore,

Nuk do ketë më zjarre.

E ftohtë do jetë dëshira për të luftuar

Edhe pse paqja do jetë e rreme;

Brengat mbetur në varre,

Me të gjithë kapur për dore,

Drejt një qëllimi të pazbuluar

Në eufori.

Me buzëqeshje fashuar plagët,

Pa rrudha dhe pa plasaritje,

Kur mbi cipën e ujit të shoh veten

Më nuk do e njoh,

Nuk do më njohësh dot as ti!

 

 

 

 

 

 

Sunday 20 June 2021

Duhet të presim deri sa hunda t’i hyjë në grykë?


Sali Berisha nuk dorëzohet. E ka treguar edhe më parë dhe në situate më të vështira se kjo e fundit. “Skifteri” i politikës shqiptare duhet me doemos të qëndrojë si personazh kryesor në politikën shqiptare për të mbrojtur fëmijët e tij, për “grykësinë“ e të cilëve është vetë përgjegjës. Nëse Argita dhe Shkëlzeni do kishin qënë më pak “grabitqarë“ as SHBA nuk do i shpallte gjithë Berishët “non grata” dhe do shijonin paratë e vjedhura duke shitur edhe mësime morali dhe patriotizmi ndaj gjithë shqiptarëve në botë.

Por ajo ç’ka është bërë nuk mund të zhbëhet dhe Saliut i duhet tashmë t’i mbrojë me dhëmbë dhe me thonj. Këtë synonte të tregonte edhe me deklaratën e tij, se “nuk e përjashtonte mundësinë e kthimit në krye të PD-së“. Por Berisha është aq i mençur sa ta dijë që rikthimi në krye të PD-së vetëm se mund të shtyjë edhe një vit ose dy agoninë e Berishave, por do sjellë shkatërrimin e PD-së dhe krijimin e një force tjetër të djathtë, gjë që do bëjë të sigurt përfundimin e fëmijëve të tij prapa hekurave. Ndaj sikundër flitet tani në Tiranë, ka të ngjarë që Berisha të ketë bërë një kompromis me Bashën, që në shtator të jetë në krye të grupit parlamentar të PD-së.

Të qënit në krye të grupit parlamentar e bën realisht atë kreun “de facto” të PD-së dhe i siguron mundësinë që duan apo nuk duan ndërkombëtarët të takohen dhe të diskutojnë me të. Njëkohësisht do e ketë më të lehtë të trumbetojë se SPAK kontrollohet nga Rama dhe ky i fundit po ju hap procese fëmijëve të tij për arsye politike.

Por a e ka të lehtë Berisha të arrijë këtë synim të tij?

Brenda PD-së edhe pse mund të ketë zëra kundër Berishës, ai e kontrollon aq partinë sa për të marrë këtë post të rëndësishëm. Lulëzim Basha e di që pa Berishën mund ta humbë në çast vendin e kryetarit. Veç mbështetjes nga ambasadorja amerikane, Basha nuk ka asnjë kartë tjetër të luajë kundër Berishës dhe pasuesve të tij. Mund të përpëlitet duke thënë se nuk i shërben PD-së vendosja e personit “non grata” në krye të grupit parlamentar, por kjo mund t’i kushtojë postin. Luli nuk është në pozitat e Ramës, kur i mori nga duart postin e kryetarit të PS-së Rexhep Meidanit. Rama atë kohë ishte kryetari i bashkisë së Tiranës dhe brenda një nate, me premtimet për leje ndërtimi ndaj shumë fëmijëve të njerëzve të rëndësishëm të PS-së bëri të mundur të uzurponte partinë më të madhe në vend. Luli nuk ka ç’para të premtojë për 4 vitet e ardhme.

Në shtator do shohim vendosmërinë e “skifterit” përballë forcës së ambasadores amerikane Kim. Nëse “përpjekjet e dëshpëruara” të Berishës do arrijnë që ta ngrenë në krye të grupit parlamentar, atëhere do të thotë se Kim nuk ka arritur të mposhtë dobësinë e Bashës dhe të të tjerëve rreth tij. Duket si një situate, e cila nuk mund të ketë “kompromis” sepse amerikanët e kanë luajtur kartën e tyre “anti-Berishë“, ndërsa Saliu e ka të vetmen mundësi mbijetese të fëmijëve pa pasur procese gjyqësore.

Nëse në Kuvendin e ri Saliu do jetë zëri kryesor i opozitës dhe ai që do përcaktojë luftën politike parlamentare, atëhere Shqipëria bën një hap prapa në zhvillimin e saj politiko-shoqëror. Nuk do ketë luftë të vërtetë demaskuese ndaj Ramës dhe Rilindjes, sepse ky i fundit do mbrohet lehtë me refrenin e “politikës së vjetër” dhe të qënit “non grata” për amerikanët të Berishës.

Ndaj do na duhet të presim që hunda e Berishës të zgjatet deri sa të hyjë në grykën e tij, si ju ndodh shpendëve grabitqarë të anëve tona.

Vajza nga vendi larg

Nuk shquhej në gjysëmerrësirë,

E lodhur,

Nuk rrekej të joshte dike.

Ishte vonë

Tingëllima mbi derë kishte qënë e rrallë

Të vinte dikush nuk priste më.

I vetmi burrë pranë barit,

Flirtonte me dy afrikane;

Padroneja e plakur me sy lakmitarë,

Hidhte në gota konjak;

Në qoshen e errët të asaj mejhane

Me gjoksin thuajse jashtë,

Shikimin e vrarë

Ajo mendonte për vendin e saj larg.

I huaji me krahët mbi supet e errëta

Duke dalë jashtë shqiptoi:

“O Zot!”

Dhe ajo u drithërua.

Kishte qënë fëmijë kur e kishte dëgjuar atë fjalë,

Më pas e patën gënjyer,

Në rrugë të huaja e sollën

Ishte bërë grua.

Donte t’ja hiqte nga krahët afrikanet,

Me mall ta pushtonte,

Të qante bashkë me të.

Dhimbja e bëri të ndalej

Lëvizi buzët:

“Kujdes, përdor mbrojtës!”

Pëshpëriti nën zë.

 

 

 

Saturday 19 June 2021

Kaitlan Collins dhe presidentët që nuk pëlqejnë pyetjet e saj


Kaitlan Collins nuk i ka mbushur të 30-tat dhe është Kryekorrespondente e CNN në Shtëpinë e Bardhë, qysh në dhjetor të vitit të kaluar. Kush e ndjek rregullisht kanalin e njohur të lajmeve në Amerikë, e ka parë këtë vajzë serioze, të pashme dhe të mençur, që sillet me shumë dinjitet në dhomën e Konferencave të shtypit të Shtëpisë të Bardhë.

Kaitlan është apolitike. Mund të mos jetë e besueshme për një rrjet televiziv liberal, që mban anën e Partisë Demokratike, por ajo ka qënë dhe mbetet e tillë, ose le të themi më mirë e ekuilibruar. Gjatë dy vjetëve të fundit të administratës së Trump edhe pse ndër gazetarët më seriozë dhe më të përgatitur, edhe pse rrinte në rrjeshtat e parë të dhomës së konferencave të shtypit, Kaitlan në më të shumtën e rasteve injorohej nga Presidenti. Në disa raste nuk ishte lejuar edhe të hynte me grupin e gazetarëve që do ndiqnin një takim të Trump dhe do lejoheshin të bënin pyetje.

Trump nuk e kishte për gjë t’ju “vërvitej” me fjalë femrave gazetare, që i bënin “pyetje me spec”, duke ju kujtuar edhe ngjarje të jetës së tyre, por duket se ndaj Collins nuk kishte ç’të gjente dhe vetëm nuk i jepte thuajse kurrë fjalën. Duket e çarmatoste serioziteti dhe ekuilibri i saj, se të njëjtën gjë nisi të bënte më vonë edhe zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë.

Por Kaitlan së fundmi duket se ka edhe problem me administratën e Gjumashit Xho. Pas takimit me Putin, ajo e pyeti thjesht presidentin amerikan se “ku e mbështesni besimin, se Putin mund të sillet ndryshe këtej e tutje?” Pyetja aspak dashakeqe, por e thënë me seriozitet e xhindosi Bajdenin, që ju përgjigj në mënyrë të pazakontë “ç’djallin je duke thënë?“ dhe “ti nuk je në gjendje të kuptosh!”. Më vonë presidenti amerikan kërkoi të falur, por reagimi i tij dëshmoi, se në administratën e re, përsëri gazetarja Kaitlan shihet me sy jo të mirë. Me siguri i janë ngjitur epitetet “ e vështirë“, “jo miqësore” e të tjera të këtij lloji, që burokratët e të gjithë botës, ju ngjitin gazetarëve të cilët nuk i manipulojnë dot.

Nuk ka dyshim që Collins është një profesioniste e zonja, e edukuar mirë dhe me shumë integritet dhe siguri, gjë që është e pazakontë për një të re 29 vjeçare. Ajo është idealiste dhe përgatitet mirë për ato ç’ka do pyesë dhe do raportojë ndaj dhe ju hap telashe politikanëve që duan të fshehin të vërtetën.

A do ketë një karrierë të gjatë?

Kam frikë ta them se mund të ketë një karrierë të tillë. “Makinat shkatërruese” të mediave kombëtare, ku hyn dhe CNN do e lodhin dhe do e detyrojnë të largohet një ditë.

Të gjithë të fuqishmit kanë probleme të mëdha me të Vërtetën.

Dhe Kaitlan Collins është në kërkim të saj.

Friday 18 June 2021

Kornizat


Ndër gjërat që më bënë më shumë përshtypje gjatë vitit të parë në emigrim nuk ishin as qiellgërvishtëset e qelqta në qendër të Torontos, as qielli çuditërisht i ulët, as automjetet e shumta dhe autostradat, as gjelbërimi i kudondodhur dhe as njerëzit e shumë racave. Ishin diplomat dhe çmimet e vendosura në zyrat e mjekëve, avokatëve, arkitektëve, biznesmenëve, masazhatorëve, specialistëve të gjelbërimit dhe veterinerëve. Të vendosuar krahas njëra tjetrës, mbi njëra tjetrën, të kombinuara, të harmonizuara, informaciondhënëse, të hijshme.

Në një nga ato ditë të vitit të parë të emigrimit vendosa që një ditë edhe unë të kisha shumë të tilla, të larme, të akorduara nga institucione të rëndësishme, të firmosura e të vulosura dhe edhe pse mund të mos kisha praktikën time profesionale, t’i varja në murin e dhomës-studio në shtëpi. Ndaj bleva kornizat. Në fillim mendova që një dyzinë me korniza do ishin të mjafta, por për fat të mirë qëlloi, që Wal- Mart ato ditë të kishte një ofertë shumë të mirë për korniza- “bli dy dyzina dhe e treta falas”, kështu që pagova për 24 korniza dhe mora 36. Mendova se edhe po të mbeteshin mund t’ju shërbenin fëmijëve, po njëlloj si kishte menduar dikur sekretari i organizatës së partisë të shkollës, kur bleu 10 fjalorë të gjuhëve të huaja edhe pse nuk dinte asnjë prej tyre.

Me shumë zell bëra edhe projektin e vendosjes së tyre në murin e madh të dhomës së gjumit (atëhere nuk kisha dhomë-studio), sepse përvoja që kisha në organizimin e muzeve, dhomave muze dhe shtëpive muze në Korçë më jepte dorë. Muri më i madh ishte i mjaftë për 22 korniza me diploma e çmime, të organizuara sipas një modeli asimetriko-piramidal, ku në krye imagjinoja të kisha kornizën me Cmimin Pritzker, që mund të merrja në një të ardhme të largët. “Imagjinata është më e rëndësishme se njohuria” ka thënë Ainshtajni, kështu që gjatë 3-4 viteve të para në emigrim i dhashë shumë rëndësi imagjinatës.

Kanë kaluar 24 vjet dhe në murin e madh të dhomë-studios nuk kam varur dot asnjë kornizë me diplomë ose çmim. Edhe pse kam ndruar disa shtëpi kornizat i kam marrë gjithnjë me vete. Jam thellësisht i zhgënjyer nga gjithë fondacionet, institucionet, shoqatat, organizatat jo qeveritare, këshillat e komunave dhe ato bashkiake, juritë e konkurseve anuale dhe bienale, si dhe dhomat tregëtare të Kanadasë dhe Shqipërisë, që nuk kanë ditur të vlerësojnë kontributin tim aspak modest në shumë fusha të veprimtarisë njerëzore.

Vetëm Presidenti Meta ka dhënë në këto 3 vjetët e fundit mbi 6 mijë çmime e dekorata, pa dashur të përmend këtu çmimet e dhëna nga Kryeministri Rama, Erion Veliaj, këshillat bashkiake të Korçës dhe Maliqit, fondacioni “Sorros”, Klubi i Shkrimtarëve “Bota e Re”,  Universiteti Europian i Tiranës, Fondacioni “Opari”, këshillat e komunave Pejë dhe Tetovë, UGSHPD-ja, Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë, Bashkimi i Emigrantëve të Amerikës së Veriut, Unioni për Shqipërinë Etnike, Organizata për Mbrojtjen e Faunës të Dunavecit,  Albanian Canadian Excellence, Klubi Rotarian i Beratit, Organizata e Veteranëve Pa Parti dhe Unioni i të Moshuarve të Divorcuar.

Nuk u gjet të shkretën një çmim i vetëm? Le të mos jetë dhe aq prestigjioz.

Mes 36 kornizave vetëm njëra ka dëftesën time të gjimnazit. Për djall edhe diplomën e Universitetit na i kanë dhënë në format, si ato citatet e Maos, që tundnin dikur turmat e gardistëve të kuq në sheshin Tien An Men dhe nuk e ve dot në kornizë. Dëftesën nuk mund ta var në mur se kam frikë mund të akuzohem se është e rreme, se është e firmosur nga një krushk i afërt i imi.

Tamam e ka thënë populli: “U bë deti kos dhe lugë për fukaranë nuk u gjend!”

Vera e gjatë e këtij viti


Vera e këtij viti duhet të jetë detyrimisht më e gjatë sepse nuk bëmë asgjë verën e kaluar.

Verën e kaluar njerëzit vdisnin nga Covid dhe qeveritë raportonin më pak të vdekur.

Më pak të vdekur do kishte po qe njerëzit do dëgjonin doktorët e mënçur dhe jo politikanët e marrë.

Politikanët e marrë nuk janë aq budallenj sa duken, por veç duan të arrijnë synimet e tyre.

Synimet e tyre janë që të punojnë sa më pak dhe të mbledhin sa më shumë energji, sikundër përpiqet të arrijë çdo qënie në natyrë.

Cdo qënie në natyrë vepron instiktivisht në përputhje me ligjet e saj përveç njeriut.

Njeriu jo gjithmonë i përfill ligjet e natyrës sepse ka shpikur ligjet e njerëzimit.

Ligjet e njerëzimit kanë mes tyre edhe Ligjin e lirisë së tregut.

Ligji i Lirisë së tregut është në rrënjët e shfrytëzimit  të përbindshëm të burimeve natyrore.

Shfrytëzimi i përbindshëm i burimeve natyrore  ka sjellë ngrohjen globale.

Ngrohja globale ka çrregulluar klimën e gjithë kontineneteve, ndaj këtë vit do kemi një verë të gjatë e të nxehtë.

Vera e gjatë dhe e nxehtë do na bëjë të shëllehemi plazheve deri në shtator.

Në shtator formohet qeveria Rama 3, që do të thotë se rindizet fanari ndriçues në brigjet e Adriatikut.

Fanarin ndriçues në brigjet e Adriatikut duhet ta shohin jo vetëm vendet e Ballkanit, por sidomos Europa e Bashkuar dhe Amerika.

Europa e Bashkuar dhe Amerika duhet të kuptojnë se cili është sekreti i përparimit të Shqipërisë.

Përparimi i Shqipërisë është i sigurt, i pandalshëm, i vazhdueshëm dhe i përjetshëm.

“I përjeeetshëm kujtiiimiiiii….”

Thursday 17 June 2021

Në një zyrë në Ballkan


-Mirmëngjes!

-…gjes!

-Kërkoj shefen e zyrës.

-Kini takim?

-Jo, po mendova…

-Për momentin nuk ndodhet në studio.

-Vjen më vonë?

-Eshtë një informacion, që nuk mund t’ja u jap pa lejen e saj?

-Po mund t’i merrni leje?

-Kur është jashtë studios nuk e praktikojmë marrjen në celular.

-Po nuk mund të më thoni nëse duhet të pres apo të vij më vonë?

-O zotëri, po sa ja u spjegova që duhet të axhendoni paraprakisht takim me të.

-Po mund të më siguroni ju një takim për sot ose për nesër?

-Ajo e kontrollon vetë axhendën e saj.

-Po ju përse jini këtu?

-Qënkeni i çuditshëm! Unë po tregohem shumë e sjellshme me ju!

-Po çfarë sjellje është kjo kur nuk më krijoni mundësinë të takohem me shefen.

-Po ku kujtoni se jini o zotëri që të takoheni pa pasur një takim të axhenduar? Ju e njihni personalisht zonjën….?

-Nuk e njoh po do rri e ta pres këtu deri sa të vijë!

-Këtu nuk është bar ku mund të rrini e prisni me orë. Eshtë një studio shumë e rëndësishme me lidhje edhe me partnerë europianë. Prandaj faleminderit shumë për mirkuptimin.

-Po nëse nuk më thoni se kur kthehet jam i detyruar të pres dhe nuk më bëhet vonë për partnerët europianë!

-Qënkeni tip shumë i vështirë!... Dhe përdorni agresivitetin për të marrë nëpër këmbë një femër! Turp të kini se jini dhe i moshuar! Unë tregova disponibilitetin më të madh për ju.

(I moshuari që posa ka kaluar 62 vjetët merr çantën e shpinës në mes të shalëve dhe fillon të zbresë shkallët e Zyrës-Studio, që ka lidhje edhe me partnerë europianë. Ndërtesa ka ashensor por ai është i tronditur.)

 

Wednesday 16 June 2021

Blertë dhe kaltër

Mes dy ngjyrash jam i ndarë

Në të kaltrën e qiellit

Dhe të blertën e blerimit.

Nuk di se ku fshihet e verdha.

E kaltër është rrëkeja,

Që mes gjetheve dhe barit vrapon

Në rrugën plot dredha;

Ngjyrë ulliri është harabeli që pemëve ngrihet,

Dhe sythi ende paçelur;

Kënga buzëve mbetur

E kaltër është.

Nuk dua të di si e arta

Të kaltërtën ngjyrë në të blertë ktheu.

Pezull jam mes të dy ngjyrave,

Po aq i lehtë dhe prehës,

Si i pafundmi qiell kapur horizontesh,

Eshtë dheu.

Mos prit shpërthimin larushan,

Të të sjellë në të thjeshtën vatër!

Unë pres,

Me padurim pres,

Mes ngjyrës së blertë

Dhe asaj të kaltër!

 

 

Tuesday 15 June 2021

Kim tek kisha e Shna Ndout


Ambasadorja amerikane Kim ju bashkua mijra pelegrinëve, që shkojnë për tu lutur çdo vit në kisha e Shna Ndout. Unë nuk e di se sa besimtare është ambasadorja Kim dhe se cilit besim fetar i përket, por di që është lutur si gjithë të tjerët dhe ka shumë mundësi që është lutur për popullin shqiptar duke dhënë njëkohësisht edhe një mesazh për të.

Mund të spekulohet shumë se ç’lloj mesazhi kërkon të japë, por unë e kuptoj se Kim do të thotë që shqiptarëve duhet t’ju kthehen vlerave morale bazë, të cilat mëshirohen më mirë se kudo gjetkë tek parimet e moralit të feve monoteiste. Moral nga i cili shoqëria shqiptare u largua shumë në vitet ’60 dhe vazhdon të jetë ende shumë e larguar edhe sot. Eshtë krimi më i madh i kryer nga Enver Hoxha dhe banda e tij, të cilët nuk ndaleshin ndaj asgjëje për të zgjatur sundimin e tyre. Pasojat e ndalimit me ligj të fesë janë në bazën e shkatërrimit të shoqërisë të sotme shqiptare dhe do vazhdojnë të ndjehen shumë edhe disa dhjetvjeçarë. Ndryshimi i sistemit ekonomiko-politik ne na gjeti një shoqëri “pa din e pa iman”.

Ka disa fakte të thjeshta, të cilat provojnë se sa të ndryshëm ishin shqiptarët e vitit 1990 nga parardhësit e tyre të dy brezave. Nami i gjyshërve tanë, të cilët patën emigruar në Amerikë gjatë gjysmës së parë të shekullit të XX-të ishte thuajse i përkryer. Njerëz punëtorë, familiarë dhe thuajse të papërzjerë me krimin. Një emër të tillë patën bërë edhe në Australi dhe në Argjentinë. Edhe pse më të pakët, emigrantët politikë shqiptarë të fundit të Luftës së Dytë, si dhe të gjithë të arratisurit nga Shqipëria, që i përkisnin një brezi tjetër, ruajtën të njëjtin emër të mirë të shqiptarëve, sikundër brezi para tyre.

Pas valëve të mëdha të emigrimit të viteve ’90 emri i shqiptarëve në Europë dhe në Amerikë nuk mbeti më i pari. Brezi që kishte kaluar fëmijërinë dhe rininë nën komunizëm ishte shumë më i ndryshëm se të mëparshmit. Dhe kjo nuk vinte nga varfëria e tejskajshme, se po aq të varfër kishin qënë edhe emigrantët e fillimit të shekullit. Sidomos në Europë, shqiptarët janë të njohur për bandit e tyre, që merren me trafikun e drogës, të qënieve njerëzore dhe me krime të tjera si vjedhjet e shtëpive. Të njohur në botën e krimit të organizuar janë edhe bandat shqiptare në Nju York, Detroit dhe Florida.

Të njëjtin mentalitet thellësisht “materialist” sheh në bisedat me emigrantët nga Europa Lindore në Kanada edhe pse në pjesën më të madhe ata kanë përfunduar universitetet. Filozofia bazë është “Cdo gjë në botë bëhet për interesa ekonomike, ndaj cilido duhet vetëm e vetëm të luftojë për të arritur mirëqënien sa më të madhe të familjes!” Me këtë filozofi në mendje, më të guximshmit, më aventurierët, më pak të shkolluarit, më të rinjtë bien lehtë në rrjetën e kriminalitetit. Nëse sheh rrjetet sociale janë të mbushura me të rinj që pozojnë pranë makinave të shtrenjta, jahteve, me armë në dorë, me tufa me dollarë dhe euro. Miqtë e çdo moshe nuk ju kursejnë komentet me superlativa.

Brenda Shqipërisë të rrallë janë ata që respektojnë parimet e Moisiut “Mos vidh!”, “Mos lakmo gruan e tjetrit!” dhe “Mos jep dëshmi të rreme!” Edhe pse të gjithë e dinë se si i kanë vënë paratë politikanët apo gjyqtarët, që kanë pasur vetëm rroga, jo vetëm nuk I përbuzin, por i venë kurdoherë “në krye të vendit”. Marëdhëniet jashtëmartesore tashmë janë krenari jo vetëm në rrethet e meshkujve, por dhe grate e martuara “të emancipuara” nuk e kanë për turp të tregojnë mes shoqesh për të dashurit e tyre.

Shoqëria shqiptare është në një krizë të thellë morale, që është një problem më i madh se qeverisja e Ramës. Zaten tejzgjatja e qeverisjeve të tilla është rrjedhojë e krizës së madhe morale.

Ndaj ambasadorja Kim shkon të lutet për një mrekulli në kishën e Shna Ndout në Laç. Eshtë një mesazh për të gjithë shoqërinë shqiptare dhe sidomos për elitën intelektuale.   

 

 


Monday 14 June 2021

Ti frigesh XXV

Ti frigesh të pish sherebelën,

Rrëzave mbledhur,

Trembesh mos mbetesh e shtënë

Pas aromës së saj,

Që tek unë të sjell.

Nga vera e derdhur

Gjinjve të tu dridhesh;

Netëve pa hënë,

Pa kujitje këlyshësh,

Pa përgjonjësit plot zell,

Kur të lirë pinim e duheshim

Dhe pinim sërish.

Fshiji kujtimet bashkë me sherebelën

Si dhe dridhjet kur të shkoj pranë!

Frikën si shall hidhe supeve të xhveshur

Dhe për në natën tonë pa hënë,

Nisu të vish!

 

Sunday 13 June 2021

Për ata që shpresonin se Meta do na mbronte nga “diktatura” e Ramës


“I mori të tëra tani dhe do bëhet tamam Diktator!”
Eshtë një shprehje që dëgjohet gjithnjë e më shpesh në diskutimet me njerëz, që janë kundër autokracisë së Ramës. Nuk ka shumë rëndësi se nga ushqehet kjo ide, por le të hedhim një sy në situatën e institucioneve në Shqipëri për të kuptuar nëse kjo ide frikësuese ka një bazë të vërtetë.

Rama kontrollon pjesën kryesore të legjislativit, që është kuvendi, plotësisht ekzekutivin dhe pjesën më të madhe të shtyllës së katërt të pushtetit, që është media. Me këtë pushtet që zotëron ka edhe shumë ndikim në shtyllën juridike të pushtetit, por nuk e kontrollon atë. Një pjesë e vogël e legjislativit, që është institucioni i Presidentit, nuk është nën kontrollin e Ramës.

Kjo nuk është një situatë e panjohur në Shqipëri. Një pushtet të tillë kishte Sali Berisha prej vitit 2005 dhe deri më 2013, e megjithatë nuk mundi të ishte i përjetshëm. Atij i doli nga kontrolli presidenti Topi, nuk mundi të komandonte plotësisht gjyqësorin dhe mbi të gjitha u përball me indinjatën e njerëzve të thjeshtë dhe nuk i fitoi dot zgjedhjet.

Të gjithë kundërshtarët e Ramës, edhe ata që nuk e kanë dashur kurrë Metën, janë kundër heqjes së tij nga Presidenca, të cilën e quajnë pengesën e fundit ndaj pushtetit absolut të Ramës. Pra pranojnë më mirë një hajdut të diskretituar në postin më të lartë të vendit, se sa largimin e tij dhe ndëshkimin për korrupsion.

Kjo më kujton një situatë absurd të vitit 1997, ku disa familje të pasura korçare, nga frika e bandave se mund t’ju vidhnin apo t’ju kërkonin “haraçe të majme”, morën brenda shtëpive të tyre banditë të tjerë për t’i mbrojtur. U treguan gjithfarë historish për marëdhëniet e asaj kohe me banditët në shtëpi, si dhe me “haraçet”, që duhet të paguanin më vonë ndaj banditëve-mbrojtës.

Për Shqipërinë është shumë më mirë dënimi i Metës për korrupsion se sa qëndrimi i tij edhe një vit si President, për të bllokuar dekretet e Ramës.

E kam shkruar disa herë, që kjo pranverë solli një lajm të keq, që ishte fitorja e mandatit të tretë të Ramës, por dy lajme të mira- shpallja e Berishës “non grata” dhe shkarkimi i Metës nga Kuvendi.

Në pamje të parë mund të duket si jo e besueshme, por edhe pushteti i Ramës nuk është sot ai që ishte para zgjedhjeve të 25 prillit. Ka disa shenja për të, të cilat fillojnë me dorëheqjen e Tom Doshit dhe vazhduan dje me dorëheqjen e Gramoz Rucit. Të dyja dorëheqje të diktuara nga Rama dhe me qëllim “retushimin” e fytyrës “korruptivo-puniste” të Partisë Socialiste.

Kryeminstri aktor i Shqipërisë do e ketë gjithnjë e më të vështirë për tu mbrojtur para të huajve për korrupsionin e Rilindjes, për veprimet aventureske në politikën e jashtme, që lidhen me korrupsionin e tij, për “hyqet” e pazakonta për një politikan në jetën private. Tashmë nuk ka se kë të bëjë me faj, për anomalitë në jetën politike të vendit, se Berisha dhe Meta janë jashtë loje dhe cilido qoftë udhëheqësi i opozitës është më i papërlyer se ata. Duhet të kujtojmë se gjatë mandatit të tij të parë, Rama sa herë kthehej nga Brukseli apo Berlini i kujtonte Metës se europianët i kërkonin ta largonte nga koalicioni dhe ta ndiqte penalisht.

Unë e kam të qartë se tabloja nuk është tërësisht optimiste dhe se Rama dhe Rilindja do vazhdojnë të vjedhin edhe për disa vjet të tjera, por nëse krijohen precedentët me dënimin e Metës, fëmijëve të Saliut dhe politikanëve të tjerë të përzjerë me krime të mëdha, ‘trimëria” e Ramës do vihet në provë.

Dhe hajdutët në përgjithësi nuk janë trima!

 

 

Saturday 12 June 2021

Hajduti Nano përshëndet hajdutin Rama


Kongresi “qesharak” i jashtëzakonshëm dhe i zakonshëm po mbahet sot në Tiranë. Eshtë kongresi i partisë më të madhe në vend, e cila nuk mbush 30 vjet sot sikundër pretendohet, por 80, sepse është vazhdimi më i drejtpërdrejtë I partisë-bandë, që u formua në nëntor 1941.

Por PARTIA, që ka drejtuar këtë vend për 60 vjet prej vitit 1944 me dy ndërprerje 1991-97 dhe 2005-2013 është një pjesë e rëndësishme e realitetit shqiptar, që nuk mund të injorohet. Ka pasur disa periudha , kur ka mbetur e padrejtuar nga një dorë e vetme, që kanë qënë ato nga 1941-48 dhe vitet kur Nanoja hyri në burg dhe më pas ka patur vetëm një udhëheqës, të cilët sipas rradhës kanë qënë Enver Hoxha, Ramiz Alija, Fatos Nano dhe Edi Rama. Kushdo që mundohet të fshehë këtë fakt ose gënjen veten dhe të tjerët, ose është një idiot i vërtetë në fushat e historisë dhe politikës.

E megjithatë kushtet nuk janë të njëjta. Prej vitit 1945 dhe deri më 1990 kishim të bënim me një sistem ekonomiko-shoqëror një partiak dhe ekonomi të centralizuar, tashmë me një sistem pluripartiak dhe ekonomi të tregut.

Ekzistojnë gjithfarë përrallash në mediat qëndrore dhe në ato sociale, se Partia Socialiste u formua si një parti e majtë europiane, progresiste dhe vazhdon të jetë e tillë. Edhe kundërshtarët e Ramës që kanë qënë ish-socialistë tregojnë përralla me europianizmin dhe progresivitetin e saj dhe gjoja ndryshimin nga uzurpimi që i bëri Rama me rilindasit e tij.

Paria Socialiste nuk ka qënë asnjëherë europiane dhe progresiste.

Ka qënë dhe mbetet një parti që ka strehuar nostalgjikët e Hoxhës, ish-sigurimsat me familjet e tyre, njerëzit e goditur pa të drejtë nga PD-ja e Berishës dhe plot arrivistë, që kuptuan forcën e saj elektorale dhe duan të përfitojnë nga thërrimet që të jep pushteti. Sepse janë të tillë gjithë anëtarët dhe përkrahësit e saj ndaj edhe Rama sundon PS-në dhe Shqipërinë, në vend nuk ka asnjë lëvizje sindikaliste dhe të pasurit pasurohen gjithnjë e më shumë ndërsa e kundërta ndodh me të varfërit.

PS-ja e këtyre 30 vjetëve ka dy fytyra që e përfaësojnë dhe të dyja janë fytyra hajdutësh. E para është ajo e Fatos Nanos, që nxiti në maksimum korrupsionin në Shqipëri dhe e dyta ajo e kreut të sotëm Edi Ramës, që ja mori me dredhi bandën “hajdutit dembel” Nano dhe që është edhe më hajdut se i pari. Dhe pikërisht sot, hajduti dembel, që dikur donte ta zhdukte Ramën nga faqja e dheut, e përshëndet si një mafioz, që duhet të pranojë se mafiozi tjetër ishte më i talentuar për intriga.

Më duhet të shtoj edhe një fytyrë të tretë lidhëse midis tyre dhe që përfaqëson lidhjen e drejtpërdrejtë me Partinë e Hoxhës. Eshtë fytyra e vrazhdë e kriminelit Gramoz Ruci, që përfaqëson edhe një kokë tjetër të përbindëshit “Kimera”, që është Partia Socialiste. Sot, krimineli Ruci po largohet vullnetarisht (ose i detyruar) nga Partia ku militoi për mëse 40 vjet.

Sigurisht do vijë një ditë që forca e kësaj partie-përbindësh të zvogëlohet. Nuk mundet që njerëzit e thjeshtë e të varfër të besojnë më tek kjo bandë e rrezikshme hajdutësh, e cila vetëm parti e majtë europiane nuk është. Dikush nga ata që më lexojnë do thotë:”Do na duhet të presim edhe 30 vjet të tjera?”

Përgjigja ime do ishte: Nëse kini vendosur të prisni, mund të prisni edhe më shumë se 30 vjet!

“Intelektualët e kanë për detyrë të thonë të vërtetën dhe të ekspozojnë gënjeshtrat e të tjerëve”


Eshtë kjo thënie e hershme e Noam Chomsky-t, që duhet të jetë lejtmotiv për gjithë intelektualët e ndershëm, jo si detyrim moral, por për mbrojtjen e interesave të tyre, të të tjerëve dhe brezave që vijnë. Më poshtë është një pjesë e njërës nga intervistat e fundit të mendimtarit të madh e dhënë për “Jacobin”. Jep një pasqyrë të partive politike në Amerikë dhe në Europën Perëndimore, duke qënë njëkohësisht një mësim se ç’duhet të bëjnë njerëzit e thjeshtë edhe në Shqipëri për të bërë të dëgjohet zëri i tyre në jetën politike, atje ku merren vendimet e rëndësishme për jetën e të gjithëve.

 

Pyetje: Dua të pyes për luftën të klasave, sepse Thomas Piketty, për shembull, ka theksuar se në demokracitë perëndimore përbërja klasore e partive ka ndryshuar në mënyrë tronditëse. Çfarë mund të bëhet ndaj këtij fenomeni që ka ndodhur këtu në Shtetet e Bashkuara - por edhe në Evropë - ku partitë e majta tradicionale po bëhen parti gjithnjë e më shumë të elitave të arsimuara dhe po mbyllen ndaj klasave punonjëse?

Chomsky: Le të fillojmë me Shtetet e Bashkuara. Nga fundi i viteve 1970 – fundi i presidencës Karter - demokratët në thelb i thanë klasës punëtore, "Ne nuk kemi ndonjë interes për ju." Përpjekja e fundit e aktivitetit pro-sindikatave nga Partia Demokratike ishte Akti i Punësimit të Plotë i Humphrey-Hawkins në 1978. Karter vërtet nuk e vuri veton, por e holloi me ujë që mos ishte shumë e hidhur. Nga ajo pikë e tutje, demokratët në thelb braktisën klasën punëtore, përveç ndonjë veprimi pozitiv sporadik.

Kur erdhi Klinton, NAFTA (Marëveshja ekonomike me Kanadanë dhe Meksikën-shën.im) u përpilua në fshehtësi për të shmangur kundërshtimet e lëvizjes punëtore. Ata madje nuk u informuan deri në minutën e fundit se ç’kornizë ishte: marrëveshje për të drejtat e investitorëve. Komiteti Këshillmor i Punës doli me një program alternativ për NAFTA, duke thënë "Ja një mënyrë shumë më e mirë për ta bërë. Versioni i ekzekutivit do të çojë në një ekonomi me rritje të ulët, me paga të ulëta. E jona është një mënyrë për të arritur një ekonomi me rritje të lartë, me paga të larta. "

Programi i tyre ishte pothuajse i njëjtë me atë të vetë Agjencisë Kërkimore të Kongresit, (Zyra e Vlerësimit të Teknologjisë.) Askush nuk u kushtoi vëmendje; ekzekutivi nuk tregoi interes. Ata dëshironin versionin e tyre të NAFTA, që ishte në thelb një marrëveshje për të drejtat e investitorëve, që i vinte njerëzit që punojnë në konkurrencë me njëri-tjetrin pa patur të drejta.

Doli që nën NAFTA të Klintonit, korporatat ishin në gjendje të mposhtin me shumë efikasitet përpjekjet për organizimi të punonjësve - rreth 50 për qind u thyen thjesht nga kërcënimet për të zhvendosur ndërmarrjen në Meksikë. Kërcënimet nuk ishin serioze, por të mjaftueshme për të ndalur përpjekjen organizuese të sindikatave. Kjo është edhe e paligjshme, por kur keni një shtet kriminal, ju mund të kryeni veprime të paligjshme. Ekziston një studim i mirë për këtë nga Kate Bronfenbrenner, një ekonomiste në Kornell, e cila hodhi dritë në atë që sapo thashë - që rreth 50 përqind e përpjekjeve të organizimit ishin thyer në mënyrë të paligjshme, vetëm nga kërcënimet për të zhvendosur ndërmarrjen. Ky është vetëm një shembull.

Në vitin 2008, punëtorët votuan për Obamën; në 2010 mbështetja për të u tret - punëtorët kishin parë se sa vlenin premtimet e tij. Kjo në mes të një krize të madhe financiare të shkaktuar nga kolapsi i tregut të banesave. Kongresi nën Xhorxh Bush, në të vërtetë, kishte miratuar legjislacionin e TARP (Programit të Ndihmës) për të bërë diçka në lidhje me të.

Legjislacioni kishte dy komponentë. Njëra ishte të shpëtonte fajtorët e krizës: bankat që kishin shkaktuar krizë me praktikat grabitqare të kredive dhe veprime të tjera të fshehta gjysmë-kriminale. Pjesa tjetër e legjislacionit ishte shpëtimi i viktimave: njerëzit që humbën shtëpitë e tyre, që humbën vendet e punës.

Kushdo që njeh historinë dhe politikën amerikane mund të kishte parashikuar se cila gjysmë e legjislacionit do të zbatohej nga Presidenti Obama. Brenda dy viteve, klasa punëtore - madje edhe sindikatat – thanë: "Kjo parti nuk po punon për ne. Eshtë armikja jonë. ”

Kur s’ke nga ja mban do shkosh tek ata që pretendojnë se do të rikthejnë Amerikën tradicionale dhe do t'ju marrin punë. E di që as ata nuk do ta bëjnë, por të paktën e pranojnë. Shikoni votuesit e Trump; i kanë studiuar me kujdes. Shumë prej tyre thonë, "Po, ne e dimë se ai është karavidhe dhe nuk do bëjë asgjë. Por të paktën ai thotë se i bëhet vonë për ne ”.

Trump deklaronte: “Unë jam me ju. Dua që ju të arrini sa më lart. Si ju përpiqem dhe unë. ” Ashtu si George W. Bush - kujtoni se çdo fundjavë, ai shkonte në Teksas, në fermën e tij dhe filmohej duke prerë shkurret në pikën e vapës për të treguar se ai është një fermer i zakonshëm. Pasi u largua nga zyra, nuk besoj se është kthyer ndonjëherë atje.

Për të bërë një përmbledhje të kësaj pjese të intervistës dhe për ta lidhur me realitetin shqiptar duhet thënë se njerëzit e zakonshëm, me pak të ardhura, të cilët përbëjnë edhe shumicën e popullsisë dhe duhet të kenë peshë në ligjvënie nuk e kanë as në SHBA dhe as në Europë. Eshtë e kuptueshme që tek ne është akoma më keq, sepse njerëzit nuk janë as të organizuar në sindikata. Me një fjalë jo vetëm nuk duhet të shpresojnë në ato që gjoja quhen parti të majta, por ka të ngjarë që ato janë akoma më kundër interesave të tyre.

Por faji përsëri nuk ju duhet hedhur as partive dhe as politikanëve, por mospëprjekjeve për tu organizuar dhe për të marrë pjesë në jetën politike. Duken si fjalë “në hava”, por është e vetmja rrugë e cila mund të na shpëtojë nga konfliktet e armatosura, ektremistët dhe revolucionet. Ne kemi provuar Diktaturën e Hoxhës, kemi provuar vitin 1997 që ardhi si rezultat i heshtjes dhe nënshtrimit tonë, po provojmë edhe regjimin kleptokrat të Ramës. Nëse do rrimë duarlidhur duke u ankuar, pa u organizuar, pa treguar me gisht të korruptuarit, pa protestuar në mënyrë paqësore, pa kërkuar ndihmën e njëri tjetrit për të hequr qafe me vota hajdutët, do vazhdojmë të zgjatim makthin tonë, që ka nisur në vitin 1944 dhe po vazhdon edhe sot.

 

Friday 11 June 2021

“Ndërkombëtarët” dhe shprehjet e tyre që na varfërojnë fjalorin


Ata që i quajmë “ndërkombëtarët” (për të mos i ngatërruar me termin “komunist” internacionalët, që na shpie tek hymni i proletariatit botëror) kanë pasur një ndikim të madh në shoqërinë shqiptarët. Që të marrësh në shqyrtim se sa për mirë e sa për keq, dhe sa të dobishëm dhe sa të kotë, sa mjeshtra dhe sa amatorë, sa të kulluar e sa të korruptuar duhen vëllime të tëra, gjë që nuk është qëllimi i këtij shënimi. Dua vetëm të përsëris vetëm një aspekt, ku ndikimi i ndërkombëtarëve dhe i terminologjisë së tyre ka qënë i paqëllimshëm, por ka varfëruar fjalorin tonë në politikë, në gazetari dhe në diskutimet që lidhen me politikën dhe shoqërinë.

Mendoj se ndikimi është kryesisht nga shprehje në anglisht, të cilat përdoren shpesh në fjalorin e politikanëve ndërkombëtarë, një pjesë e të cilëve nuk e kanë anglishten gjuhën e nënës. Por jo të lakmueshëm nga larmia e kanë edhe shumë të huaj që merren me politikë apo çështje të lidhura me të në Amerikë dhe që vizitojnë shpesh vende si i joni, ku lenë gjurmë të shprehjeve të tyre të stërpërsëritura.

Më kujtohen vetëm disa shprehje, të cilat tani jo vetëm janë zyrtarizuar në të folurën tonë të përditshme, por përdoren aq shpesh sa tingëllojnë artificiale, si mish i huaj në gjuhën tonë, pikërisht se janë të përkthyera fjalë për fjalë dhe ju kanë zënë vendin idiomave tona me të njëjtën përmbajtje dhe kuptim.

Në fillimin e viteve ’90, shprehje tipike në mjediset parlamentare dhe në mediat shqiptare u bë shprehja “të hapësh(ose të japësh) dritën jeshile”, e cila nuk ka nevojë të shtjellohet se i dihet kuptimi. Shprehja e konsoliduar në vendet perëndimore e ka burimin tek semaforët, të cilët për fat të keq, në Shqipëri hynë vetëm në vitet ’90 dhe kuptimin në fillim ja dinin vetëm ata që ngisnin makina. Në vitin 2005, gjatë një bisede telefonike me një 75 vjeçare në Shqipëri, mu tha se për një problem “nuk ishte dhënë ende drita jeshile” dhe e kuptova se ishte tepër vonë për të këmbëngulur në përdorimin e të shumtave që kemi në shqip(edhe të vjetra) rreth dhënies të pëlqimit, dhënien e shenjës për fillim etj etj.

Një tjetër shprehje që ka fituar qytetarinë dhe që nuk e kemi pasur më parë edhe pse kemi patur patate me bollëk dhe i kemi ngrënë edhe të zjera dhe të pjekura, është shprehja “të mbetet në dorë patatja e nxehtë“. E kanë veç anglishtfolësve dhe Italianët, por megjithë pushtimin italian apo ndikimin e RAI-t në vite, në përdorim ka hyrë vetëm kur nisën të vinin amerikanët. Ne kemi shumë shprehje më të bukura  si- “të mbetet doçi në derë“, më me pak zarar si “të mbetet në dorë dopiogjashta”, por dashurohemi pikërisht me shprehjen e të huajve, e cila duhet thënë se është shumë prozaike, shumë zarzavatore dhe pa ngjyrë.

Për të mos e zgjatur shumë, po i jap fund me shprehjen “qershia mbi tortë“ e cila gjithashtu përdoret edhe nga italianët krahas anglishtfolësve. Ne i vlerësojmë qershitë më shumë se popujt e tjerë, se jemi të vetmit që kemi emërtuar një muaj të vitit prej tyre, por as e kemi tortën fjalën tonë dhe aq më pak kemi ndonjë traditë për të vënë qershi të sheqerosura ose jo mbi torta. Shumë më kuptimplotë për të gjithë shqiptarët është shprehja “dhe në fund si në vend të ëmblsirës”, që e ka edhe tortën ndërkombëtare brenda saj.

Gjuha evoluon si ]do gjë e gjallë, por “majmunllëku” jonë mund të n ashpjerë një tharrje të pasurisë gjuhësore që kemi dhe nuk do mund t’ju themi dot ndërkombëtareve shprehjen tonë të bukur “na morët më qafë!“, se do e kemi zëvendësuar me ndonjë të huaj dhe sterile tjetër.