Sunday 19 August 2012

Përçart.


Lulet janë venitur pa kuptuar se nuk bie shi që mund t'ju fshijë emrin e harruar. E ndoshta dhe shiu që nuk vjen ka rreshtur dhimbjen mes rruazave shpinore, që dukej se do vazhdonte më gjatë se shprishja e shtëllungave të gazta që na mbrojnë prej asgjesimit. Diçka duhet të bësh për tu ushqyer, por nuk është mirë të vrasësh njerëz pa uniformë, të cilët rastësisht sillen në vende ku nuk duhet të jenë për të kënaqur kureshtjen që ju nxit dëshira për të jetuar. E në të gjithë këtë tokë të plasaritur, të zhurritur për diçka të lëngët, shëllërja është e vetmja gjë që të sjell më pak mundim e dhimbje. Mbi sytë e hapur ëndrrat nuk vijnë ndaj duhet pritur gjithë mundim lodhja për të hyrë në botët që mund të jenë po aq të gënjeshtërta sa e rreshkura që ke para syve. Nuk mund të valëvitësh asgjë në ajër, sepse tepër i ngathët është ai që të rrethon dhe beze të bardhë nuk mund të thurrësh me me fijet e zbrazëtisë. Tingujt pezull nuk i shtyn dot pranë njeri tjetrit për të parë nëse mund të harmonizohen apo të gjakosen mes syresh. E fundja rimat janë veë ngacmime të përkohshme të pjesëve të parreshkura të lëkurës. Pjesëve që kanë parë më pak diell e të vërteta. "Vari k...t!" ze vendin e shpëtimit universal  e të kujton që as vertikalja nuk është vertikale, por e kemi quajtur të tillë për lehtësi studimi. Diku shtrihet HICI, që disi lidhet me vdekjen, por asgjë të ngjashme nuk ka me të. As  me numurat. As me pasditet e trishta të të dielave në gjysmërruzullin, që e quajmë jugor pa qënë i tillë. Gjithshka e padeshifrueshme në këtë pyll shenjash ku nuk janë tharrë vetëm lulet. Shumë larg( edhe kjo fjalë nuk ka kuptim) dikush mundohet të kutojë jehonën e lënë mes degëzave të shkurreve shenjore ose të matë nxehtësinë e ballit për të kapur fillin e përçartjeve. (Nëse nuk janë të gjitha të tilla.)

Një tjetër buzë e sipërme nuk arrin të mbulojë turpin që fshihet brenda vrimës së gojës prej të cilës dalin pëshpëritjet e dëshirave marrëzish të fshehta, kur të tilla nuk duhet të jenë.
Këmbët e zbathura janë mërzitur nga rëra dhe të tjera përkëdhelje duan të ndjejnë në këtë fund stine plazhi të detyruar.