Monday 30 March 2015

“Udhëheqësit” e qytetit tim

Më ka munduar prej më shumë se 3-4 dhjetvjeçarësh, një lloj “nënshtrimi” i qytetit tim nga Tirana. Edhe pse në fëmijërinë time, kisha dëgjuar shpesh se ne korçarët akuzoheshim për lokalistë, duke u rritur, kuptoja, që kjo ishte tashmë një e vërtetë e kapërcyer.
Kur fillova të punoja, pashë se nga gjithë qytetet dhe rrethet e mëdha, ne ishim ata, të cilët i sillnim më pak problem pushtetit qëndror dhe njëkohësisht përfitonim më pak investime. Me pak fjalë, në gjithë nivelet e administratës në Korçë, kishte më pak “rebelizëm” se në Shkodër, Vlorë apo Durrës. Mundohesha me mendje të gjeja arsyet e një “nënshtrimi” të tillë duke filluar me “shpirtin tonë qytetar për të respektuar ligjet”, largësinë nga Tirana dhe si rrjedhojë nga ministritë dhe institucionet qëndrore e deri në “përdorimin nga të tjerët të drekave e darkave ndaj nëpunësve qëndrorë“ me të cilat siguronin lehtësime në plane apo investime më të mëdha. Nuk më vinte mirë të pranoja, që në Korçë kishte kohë të një bjerrje të “intelektualizmit”, që të bën edhe më fortë për t’i rezistuar presioneve të burokratëve të qëndrës. Dhe këtu nuk e kam fjalën për “rebelizëm” ndaj sistemit, por për “rebelizëm” të pranueshëm brenda kornizave të sistemit.
Për shembull më bënte përshtypje, se me sa lehtësi, i kalonin projetet e Urbanistikës apo Arkitekturës të ardhurit nga Instituti 1, në një kohë, që psh në Vlorë, arkitektët dhe urbanistët nga Tirana, hiqnin “të zitë e ulirit” për të gjetur konsesnsusin e “njerëzve të bazës”.
Korça ishte rrethi, që shpinte më shumë në buxhetin e shtetit dhe merrte më pak prej tij.
E njëjta histori vazhdoi edhe pasi ndryshoi sistemi ekonomiko-shoqëror. Brenda qytetit dhe rrethit, në përgjithësi mungoi fryma e “rezistencës” ndaj drejtuesve në qendër. Më hapur kjo ndjehej brenda dy partive të mëdha, por më pas edhe në përfaqësuesit e pushtetit lokal. Listat e deputetëve të rrethit, gjithnjë e më shumë kishin brenda ose njerëz, që nuk kishin asnjë lidhje me Korçën, ose figura minore, pa asnjë lloj personaliteti intelektual. E megjithatë, kjo nuk ka të bëjë thjesht me atë , që një shoku im e quan “politika e klonimit tepër të thjeshtë“, që udhëheqësit e partive ndjekin ndaj gjithë drejtuesve të partive apo pushtetit në rrethe. Ka të bëjë edhe me mungesën e figurave intelektuale apo të biznesit, imponuese dhe me reputacion të madh në qytet. Duket , që koha e figurave si Lakçeja, Mandi Tërpoja, Jovan Cico Kosturi, Mihal Gramenoja, Pandeli Caleja, Themistokli Gërmenji, Koço Kotta, Selim Mborja, Vasil Avrami, Thoma Turtulli, Sotir Polena e të tjerë, ka perënduar përfundimisht. Qyteti me rrethinat e tij nuk është më në gjendje të nxjerrë figura të një kalibri të tillë.
Edhe sot, përveç Gjergj Bojaxhiut në Tiranë, flitet se kandidatë të pavarur do konkurojnë edhe në Shkodër, Elbasan dhe Vlorë. Në Korçë as mund të bëhet fjalë për të tillë. Shënjë aspak e mirë për këtë sistem.
Udhëheqës(mbase jo I vëerteti) I qytetit është një Ligavec Gollash, që për hir të së vërtetës është më I miri mes emrave, që përmenden në të dy krahët.
Mot feston 100 vjetorin e Republikës Autonome qyteti im.

Ke shumë më pak njerëz me emër, se sa kishe më 1916, kur ishe më pak se 20 mijë banorë.

Gjergj Bojaxhiu, shenja e ndryshimit në shoqërinë shqiptare.

Dita e sotme është një ditë me rëndësi për shoqërinë shqiptare.
Për herë të parë, një njeri serioz dhe këmbëngulës, duke patur mbështetjen edhe të njerëzve të tjerë të pavarur politikisht, po sfidon dy partitë e mëdha në garën për Bashkinë e Tiranës. Tirana më në fund i dha shenjat e largimit nga apatia dhe hodhi hapin e duhur në jetën politiko-shoqërore, për të thyer monopolin e dy partive “post-komuniste”, të cilat veç qëndrimeve kundër njëra tjetrës dhe përbërjes nuk kanë asnjë ndryshim në program apo në parime.
Bojaxhiu posa shpalli një betejë shumë të vështirë, e cila ka gjasa të jetë e humbur, që në fillim, por nëse konsiderohet sin jë luftë për politikë të ndershme, që posa fillon, atëhere Bojaxhiu dhe ata që e pasojnë janë të fituar. Kjo është përpjekja e parë, e cila do ju mësojë se si të mos gabojnë në votimet e vitit 2017.
Gjergj Bojaxhiu do ketë shumë kundërshtarë të egër në këtë fushatë. Për dy partitë e mëdha , ai tashmë është më i rrezikshëm se sa është njëra për tjetrën, pikërisht për shkak të prishjes së staukuosë. Nëse ai arrin të marrë vetëm përqindjen e votive, që i japin sot sondazhet(mbi 30%), do të thotë, që një lëvizje e pavarur e qendrës, më 2017 mund të dalë si Partia me numurin më të madh të deputetëve. Ndaj ato dhe më shumë medit pranë tyre do e luftojnë duke e injoruar ose përbaltur.
Një kundërshtar tjetër i Gjergj Bojaxhiut do jetë edhe cinizmi karakteristik shqiptar, që i fut të gjithë ata, që zbresin në fushën e politikës si të nisur nga të njëjtat qëllime fitimi, ose se kanë pas dy “antit” e përhershëm- Ramën dhe Berishën. Për më tepër mund të qarkullojë edhe një mendim tjetër skeptiko-realist, që “Kryetari Bashkisë, pa mbështetjen e Qeverisë është i dështuar”, ndaj është e kotë t’i jepet vota. Eshtë e vërtetë, se me centralizimin e skajshëm të pushtetit, ku pavarësia ekonomike e bashkive është thuajse joekzistente, çdo kandidat i pavarur ose i opozitës do e ketë të vështirë miradministrimin e bashkisë së tij, por me një qeverisje të mirë , transparent dhe në dobi të qytetarëve, shumë shpejt mund ta zbulojë lojën hileqare të qeverisë dhe të fitojë më shumë popullaritet.
Gjergj Bojaxhiu ka nxitur shpresën e shqiptarëve për të mposhtur skepticizmin brenda tyre, se është e pamundur të shkatërrohen dy monstrat e mëdha të korruptuara.

Uroj të jenë të shumtë ata , që do e ndjekin!

Ndjenja e realitetit (2)

(vijim)
Ndaj këtij realiteti të dytë, në përgjithësi më duket se e “prek” mirë, e kuptoj dhe mund të nxjerr edhe përfundime rreth atyre , që ndodhin atje. Më duket se duke qënë larg, i papërzjerë në grupe politike apo grupe interesi, mund të gjykoj më kthjellët për ato ç’ka ndodhin në jetën shoqërore dhe politke të qytetit dhe të vendlindjes sime.
8 vjet më parë, pas një vizite në Korçë, në një kohë të lulëzimit ekonomik të Shqipërisë, më ranë në sy gjëra pozitive por edhe negative në ndërtimet në qytet. Disa prej tyre i gjykoja si gabime të rënda, që nuk duhet të lejoheshin të përsëriteshin, ndaj në atë valë emocionesh shkrojta një artikull me një titull patetik “S.O.C. Shpëtoni qytetet tona!” Nuk kisha asnjë lloj marëdhënie me shtypin shqiptar(në Korçë as mund të bëhet fjlë për ndonjë të përditshme serioze) ndaj ju luta Rikut të gjente ndonjë të njohur, që mund ta botonte. Kryeredaktori mik i një gazete e botoi dhe njëkohësisht e pyeti Rikun pak a shumë: “Po ky miku jot përse me kaq shumë pathos për ndërtimet në Korçë, kur jeton jashtë?”
Ishte një nga rastet e para, kur ndjeva se diçka nuk shkonte me “prekjen time të realitetit shqiptar”. Diçka më dukej se kishte ndryshuar tek unë dhe jo në “realitetin tim alternativ”. Kisha humbur shikimin ciniko-pragmatist, që kisha në atdhe dhe që është një nga karakteristikat kryesore të shoqërisë shqiptare. Ne kemi pasur të ngulitur, që pas çdo veprimi qëndron një qëllim i caktuar(përfitimi material) dhe me këtë mundohemi të spjegojmë ç’do gjë. Për shembull për shoqatat fetare, që vërshuan në Shqipërinë ku feja ishte e ndaluar themi se kanë prapaskena politike dhe ekonomike, kryepeshkopin Janullatos e quajmë agjent të shërbimeve sekrete, organizatat e huaja për mbrojtjen e mjedisit i cilësojmë si të shkalluar ose njerëz që s’kanë ç’I bëjnë paratë e me rradhë. Kështu , që dikush, që ka jetuar për dis dekada në Korçë dhe ka vite që jeton jashtë e shkruan shumë i shqetësuar për qytetin e tij, ose ka një qëllim të fshehur ose “nuk mbush mirë“. Eshtë absurd të mendosh, se njerëzit harxhojnë nga koha e tyre dhe në vend të “shkojnë e pinë një gotë birrë për qejf” shkruajnë dhe kritikojnë gabimet që bëhen në ndërtime apo qeverisje në një vend ku nuk jetojnë.
Por ky është realiteti.

Dhe realiteti pikërisht sepse është i tillë është më i fortë se dëshirat e mira apo më shumë akoma , se sa ëndrrat.
(vijon)

Saturday 28 March 2015

A i duhen Shqipërisë zgjedhje të parakohshme?

Në një situatë të tillë, kur “djallushi”, që doli nga shishja, që hapi Tom Doshi, u shumëfishua edhe në shumë djaj të tjerë, duket se institucionet shqiptare janë tronditur. Janë përfolur për krime, si dhe janë akuzuar disa deputetë; është akuzuar hapur Kryetari  Kuvendit për krime të rënda; kanë bërë shkelje të rënda Kryeministri, Ministri i Brendshëm, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Prokurori i Përgjithshëm, Kryetari  Komisionit të Sigurisë në Kuvend dhe “peshq” të tjerë më të vegjël. Në këtë rast nuk mund të flitet më për një “telenovelë“, por një “lëmsh” sjelljesh shumë të dyshimta të shtetarëve shqiptarë, të cilat ngrenë shumë pikpyetje. Në një demokraci normale opozita, mediat dhe opinion publik do ngiheshin në një zë për shkundjen e institucioneve, që do filonte me rënien e qeverisë, dorëheqien e Kryetarit të Kuvendit dhe Prokurorit të Përgjithshëm. Një situatë e tillë mund të shpinte ose jo në zgjedhje të parakohshme.
Në Shqipëri kjo gjë nuk ndodh, për arsyen e thjeshtë se Demokracia nuk është normale, por një Demokraci hibride. Për shemull opozita kërkoi me ngulm dorëheqjen e Ilir Metës, por nu kërkon dorëheqjen e Adriatik Llallës. Bërtet për lidhjen Rama-Meta me krimin, por nuk kërkon largimin e Kryeministrit bile as shkarkimin e Tahirit dhe as atë të Didit. Të çorientuara duken edhe mediat pro qeverisë dhe ato kundër saj.
Brenda Maxhorancës dhe sidomos brenda Partisë në pushtet nuk ndjehet asnjë zë. Në një parti normale europiane në pushtet, kriza mund të kalohej duke kërkuar dorëheqjen e Ministrit të rendshëm ose të shkohej edhe deri në rrëzimin e qeverisë dhe formimin e një qeverie të re po nga e njëjta maxhorancë. Kjo gjë as mund të flitet në Shqipëri apo në PS-në e Ramës, ku nuk ekziston demokracia dhe ku asnjë korrent tjetër apo personalitete, që mund të marrin në dorë qverisjen e vendit, qoftë edhe duke e lënë Ramën zv’kryeministër apo ministër të jashtëm.
E gjithë kjo situatë “e ngurtë“ dhe përballë një opozite po aq ‘jo fleksibël” dhe që bën politikë me “yxhyme” mund të shpien në bllokime të tjera të jetës politike deri sa të krijonë situate kur opozita të kërkojë me vendosmëri zgjedhje të parakohshme.
Zgjedhjet e parakohshme janë skenari më i keq i mundshëm për Shqipërinë. Do krijohen disa muaj vakuumi qeverisës, partitë politike janë po ato, ligji electoral po I njëjtë dhe pavarësisht nga rezultati, Shqipëria do mbetet në të njëjtën situateë politiko-qeverisëse, si ka qënë prej vitit 2009 e deri më tani.
Maxhoranca, e cila ka dalë nga zgjedhjet e qershorit 2013 duhet të vazhdojë të qeverisë deri në përfundimin e legjislaturës. Për fatin e Shqipërisë, deri atë kohë, ndoshta do jenë formuar lëvizje politike, që do ju marrin një pjesë të elektoratit PS-së, PD-së dhe PSI-së.

Vetëm kjo mund të sjellë dobi në të ardhmen e vendit.

Friday 27 March 2015

Je suis Grida Duma

Sigurisht do duhet një sforcim i madh për mua të identifikohem me Grida Dumën(më e lehtë është të them “Je suis Lume Hunda”), se nuk kam asgjë të përbashkët me të. Jo vetëm seksi, cilësia e paraqitjes, mosha, origjina, edukimi, por edhe çdo gjë tjetër është shumë larg të mijave. Kam lexuar disa shkrime, që më kanë gajasur me spërdredhjet absurdeve të frazave, që thuajse nuk thonë asgjë dhe kam ndjerë bezdi dy ose tre herë, që kam parë në youtube diskutimet e saj në kanalet televizive shqiptare. Pak a shumë, Gridan do e karakterizoja jo një “kafshë politike”(si e quan ajo veten), por dikush me shumë ambicie, energji dhe formë, por thuajse aspak përmbajtje.
Grida paraqet rrezikshmëri për të ardhmen e politikës shqiptare, sidomos në ndikimin , që mund të ketë në të rejat universitare, që kanë ambicie të bëjnë karrierë në politikë apo në “marëdhëniet me publikun” (PR).
Por sot dua të solidarizohem me të vetëm për të goditur diçka tejet të prapambetur, që sundon në shoqërinë shqiptare dhe që për fat të keq shfaqet edhe në auditoret, që duhet të jenë më lart se kultura e kafenesë ose e rrugës.
Mbrëmë, dy politikanë në moshë relativisht të re, Luan Rama dhe Taulant Balla, përdorën një gjuhë shumë vulgare ndaj koleges së tyre politikane, duke aluduar se ajo ka kaluar në shumë shtretër. Më tepër se mungesë etike, gjuha e tyre dëshmon diçka shumë të prapambetur. Mungesën e plotë të barazisë midis meshkujve dhe femrave në shoqërinë shqiptare.
Dy “kokoshët”, që ju ndërsyen Grida Dumës, me siguri nuk janë ëngjëj edhe në jetën e tyre personale. Nëse dikush do i akuzonte për të njëjtën gjë, ata edhe se do e mohonin në studion televizive, do ndjeheshin të kënaqur dhe superiorë, që jo vetëm kanë pasur e kanë një ose disa të dashura, por që kjo tashmë bëhet e njohur edhe për publikun. Në mentalitetin e tyre, ata janë edhe më të prapambetur se çifutët, që hidhnin gurë mbi Maria Magdalenën, sepse këta të fundit u tërhoqën pasi Jezui ju sugjeroi “Të shtjerë me gur i pari , ai që nuk ka asnjë mëkat!” Treguan, që kishin ndërgjegje.
Eshtë thënë shumë e shumë herë, që një shoqëri nuk mund të emancipohet pa vlerësuar si të barabartë të dy sekset. Në pamje të parë, kur vizitoj Shqipërinë, duket se kjo gjë është duke ndodhur. Por krahas vajzave dhe grave, që i sheh gjithnjë e më shumë zyrave apo edhe lokaleve në kohën e lirë, dëgjon gjithnjë e më shumë histori të abuzimit me to, të ngritjes në karrierë në sajë të shërbimeve të dyshimta, të korrupsionit, që e shpie këtë sëmundje thellë familjes shqiptare e të tjera si këto. Këto të fundit nuk janë hapa drejt emancipimit dhe lirisë, por drejt një robërimi të një natyre tjetër, që nuk është më i mirë se robërimi, që predikojnë sektet e prapambetura fetare. Shumë herë, gratë më të zonja e më fisnike ndjehen të mënjanuara në shoqërinë e sotme shqiptare se mund të mbeten më lehtë pa punë se të tjerat. Ato nuk duan t’i kenë as në jetën politike as Luan Rama dhe Balla, se nuk i manipulojnë dot, a për më tepër t’i fyejnë si mund të fyejnë Gridën.
Ndaj jam sot totalisht në anën e Grida Dumës.

Edhe pse e kam fshikëlluar në disa shkrime të mëparshme, sot “Je suis Grida Duma”.

Kundërshtoj vetveten!

Mënyra më e mirë, për të bërë një shkrim(ose më saktë për të mos dërguar për botim një shkrim) është, që pasi ta mbarosh, të ngresh një sërë pyetjesh, që venë në dyshim ato çke dëftuar në t[ apo konkluzionet, që ke nxjerrë. Sigurisht, që këtë nuk e bëj kurrë, bile as i lexoj shkrimet e mija, se e di, që po i lexova do më dalin para pyetjet, që e hedhin thuajse poshtë dhe që do kërkojnë shumë mund për të nxjerrë një shkrim të përsosur. Nuk jam dhe nuk dua të jem perfeksionist.
Po eksperimentoj, për të parë se ç’del, duke I bërë pyetje atyre ç’ka kam shkruar në shkrimin e fundit në blog, “Cështja Doshi sa ka filluar”.

Duket se ka marrë rrugën e zgjidhjes, por çështja “Doshi” sa ka filluar. Ajo nuk ka më të bëjë as me komplotin për të vrarë Tomën, as me komplotin për të ngatërruar Tomën, Metën, Llallën dhe Beçin dhe as me komplotit se gjoja gjithshka është bërë për përfitime politike para fushatës elektorale.
Cështja Doshi ka të bëjë me mungesën e pushtetit legjislativ, atij ekzekutiv dhe atij juridik në Shqipëri.

Po cilat çështje politike në Shqipëri nuk kanë të bëjnë me mungesën e pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe juridik në Shqipëri? Duke nisur me futjen e Nanos në burg, ngritjen e firmave piramidale, shkatërrimin e shtetit më 1997, vrasjen e Azem Hajdarit dhe hetimet rreth saj, vjedhjet e hapura në thuajse të gjitha votimet për pushtet qëndror e vendor, grevat e panumurta të urisë, gjyqi për vrasjet e Gërdecit, ngjarjet e 21 janarit, të gjitha dëshmojnë për mungesën e 3 pushteteve.

Gjithshka , që ndodhi në verën e kaluar, me qëllime të cekëta apo të thella, me intriga djallëzore apo hajvanllëqe, dëshmoi se shqiptarëve sot ju duhet më shumë se kurrë një shtet, të cilin për fat të keq nuk e kanë.

Pse u arrestua Tom Doshi, shqiptarëve ju duhet më shumë se kurrë shteti?!

Këtë e ka kuptuar edhe Tom Doshi.
Dikur i pëlqente të manovronte doganave, të bënte privatizime të leverdisshme, të ndikonte në proceset gjyqësore, të vinte në lista dhe të hiqte prej tyre kandidatë për deputetë. Të krijonte deputetë.
Tani, i vënë para makinës që nuk ka rregulla të përcaktuara, Tom Doshi kuptoi se është më mirë një shtet i fortë dhe i drejtë, se sa ky që kemi deri tani. Këtë sinjal e kuptuan edhe shumë Dosha të tjerë, që kanë se ç’humbasin nga mungesa e shtetit.

C’dobi ka shoqëria shqiptare nëse Tom Doshi apo dhe Doshat e tjerë e kanë kuptuar se duhet shtet i fortë? Do presim , që shtetin të na e bëjnë Doshat?

Cështja Doshi ja uli deri në gjunjë brekët Institucioneve dhe do ju duhet kohë t’i ngrenë, për të mbuluar “allatet” e tyre, aspak të rregullta para popullit.

Deri tani Institucionet i kanë patur brekët e ngritura?

Një Parlament, që vepron sipas urdhërave politike(qoftë Maxhoranca apo minoranca) dhe që nuk respekton Kushtetutën, si dhe gjithë ligjet dhe rregulloret, që rrjedhin prej saj. Tre ish Kryetarë Kuvendi, Kastriot Islami, Skënder Gjinushi dhe Jozefina Topalli, e cilësuan të gjithë procesin e gabuar dhe të paprecedent.
Një ekzekutiv, që për arsye tërësisht të natyrës së shantazheve mafioze, mbajti fshehur për 6 muaj një denoncim-hetim rreth një krimi shumë të rëndësishëm, si është tentative për jetën ndaj dy deputetëve.
Një organ i akuzës, i cekët, i mefshtë, hakmarrës, jo koherent, që bën politikë më shumë se politikanët.

Kanë qënë ndryshe më parë legjislativi, ekzekutivi dhe juridiku?

Me brekë nëpër këmbë, të ngatërruara nga veprimet dhe mosveprimet e tyre do sillen edhe për muaj të tërë emrat më të rëndësishëm të politikës shqiptare nga Edi Rama, Ilir Meta, Sali Berisha e të tjerë, jo thjesht për implikimet e tyre në çështjen Doshi , por për krijimin e kësaj mënyre të funksionimit të institucioneve të shtetit shqiptar.

I vetmi paragraph për të cilin nuk kam pyetje, por dyshim se ka pak gjasa të ndodhë.

Toma po përballet me “anti-shtetin”, që deri tani e kishte aq shumë për zemër.
Më në fund e kuptoi se sa keq është për mijra e mijra të pambrojtur të tjerë.

E kujt i bëhet vonë?

Me pak fjalë, shënimi i shkruar në vrull e sipër pas heqjes së imunitetit të Tomës dhe hapjes së rrugës për arrestimin e tij, nuk I qëndron logjikës së fortë të një redaktori me përvojë dhe pasi skuqet me pyetje dhe shënime, hidhet në koshin e plehrave ose kërkohet të ripunohet. Ripunimi mund të jetë i vështirë, por e ve shkrimin në baza të forta logjike dhe e pastron nga emocionet apo nga përpjekja për të thënë diçka me rëndësi, por që nuk ju qëndron dot pyetjeve të logjikshme.

(Një eksperiment i mirë, që do më bëjë të mendohem më shumë dhe të shkruaj më pak.)

Thursday 26 March 2015

Cështja “Doshi” sa ka filluar.

Duket se ka marrë rrugën e zgjidhjes, por çështja “Doshi” sa ka filluar. Ajo nuk ka më të bëjë as me komplotin për të vrarë Tomën, as me komplotin për të ngatërruar Tomën, Metën, Llallën dhe Beçin dhe as me komplotit se gjoja gjithshka është bërë për përfitime politike para fushatës elektorale.
Cështja Doshi ka të bëjë me mungesën e pushtetit legjislativ, atij ekzekutiv dhe atij juridik në Shqipëri.
Gjithshka , që ndodhi në verën e kaluar, me qëllime të cekëta apo të thella, me intriga djallëzore apo hajvanllëqe, dëshmoi se shqiptarëve sot ju duhet më shumë se kurrë një shtet, të cilin për fat të keq nuk e kanë.
Këtë e ka kuptuar edhe Tom Doshi.
Dikur i pëlqente të manovronte doganave, të bënte privatizime të leverdisshme, të ndikonte në proceset gjyqësore, të vinte në lista dhe të hiqte prej tyre kandidatë për deputetë. Të krijonte deputetë.
Tani, i vënë para makinës që nuk ka rregulla të përcaktuara, Tom Doshi kuptoi se është më mirë një shtet i fortë dhe i drejtë, se sa ky që kemi deri tani. Këtë sinjal e kuptuan edhe shumë Dosha të tjerë, që kanë se ç’humbasin nga mungesa e shtetit.
Cështja Doshi ja uli deri në gjunjë brekët Institucioneve dhe do ju duhet kohë t’i ngrenë, për të mbuluar “allatet” e tyre, aspak të rregullta para popullit.
Një Parlament, që vepron sipas urdhërave politike(qoftë Maxhoranca apo minoranca) dhe që nuk respekton Kushtetutën, si dhe gjithë ligjet dhe rregulloret, që rrjedhin prej saj. Tre ish Kryetarë Kuvendi, Kastriot Islami, Skënder Gjinushi dhe Jozefina Topalli, e cilësuan të gjithë procesin e gabuar dhe të paprecedent.
Një ekzekutiv, që për arsye tërësisht të natyrës së shantazheve mafioze, mbajti fshehur për 6 muaj një denoncim-hetim rreth një krimi shumë të rëndësishëm, si është tentative për jetën ndaj dy deputetëve.
Një organ i akuzës, i cekët, i mefshtë, hakmarrës, jo koherent, që bën politikë më shumë se politikanët.
Me brekë nëpër këmbë, të ngatërruara nga veprimet dhe mosveprimet e tyre do sillen edhe për muaj të tërë emrat më të rëndësishëm të politikës shqiptare nga Edi Rama, Ilir Meta, Sali Berisha e të tjerë, jo thjesht për implikimet e tyre në çështjen Doshi , por për krijimin e kësaj mënyre të funksionimit të institucioneve të shtetit shqiptar.
Toma po përballet me “anti-shtetin”, që deri tani e kishte aq shumë për zemër.
Më në fund e kuptoi se sa keq është për mijra e mijra të pambrojtur të tjerë.



Ndjenja e realitetit

“A e kam ndienjën e realitetit?” është një pyetje, të cilën ja bëj shpesh vetes dhe pse e di, që është një gërmim logjik në të cilin sa më shumë të gërmosh, aq më thellë o fundosesh dhe aq më i paqartë do jesh. Edhe emërtimi i këtij blogu, pak a shumë është një formë e kësaj pyetje.
Ku endemi?
A e dimë se ku jetojmë dhe përse?
A kemi kuptuar se ç’ka ndodhur gjatë viteve të jetës sonë?
Bota ku jetojmë (realiteti) {shtë shumë kompleks, ndaj për të hulumtuar rreth tij dhe për të dhënë përgjigje të pjesshme duhet copëzuar në shumë “realitete”. Ndoshta në disa syresh jemi në gjendje të orientohemi më mirë, disa të tjerë t’i kuptojmë pak dhe disa të tjerë të mbeten për ne përfundimisht mistere.
Realiteti, me të cilin përballem sa hap sytë, është një vend i huaj, me dimër të ashpër, ku duhet të shkosh të punosh diku për të jetuar, por nëse nuk I bie më qafë njeriu apo objekteve, kafshëve, mjedisit, asnjeri nuk të pyet se nga vjen e ku shkon e për më tepër, nga “mashat” e pushtetit të dukshëm si policia, nuk ndjehesh i kërcënuar, por i mbrojtur. Ky është në vija të trasha realiteti i përditshëm.
Ekziston edhe një lloj realiteti “alternativ” për mua, që ka të bëjë me rrënjët e mija.

Bota shqiptare dhe veçanërisht qyteti im i lindjes. Atje veç kujtimeve, kam disa nga miqtë e mij më të mirë, disa prona të vogla dhe shumë njerëz , të cilët i kam njohur gjatë jetës sime dhe kanë mbetur në mendjen time si kanë qënë 14-15 vite më parë. Kontaktet me këtë realitet variojnë nga ëndrrat(të cilat përgjithësisht janë shqip dhe në ambiente të njohura apo imagjinare shqiptare), këmbimet e mesazheve me miqtë, pagesa prej tyre të faturave të mija të atjeshme, lexime lajmesh, shikime videosh në rrjete sociale etj. Kontaktin e vërtetë me të e kam kur vizitoj vendin dhe i shikoj njerëzit në sy. Atëhere kuptoj më shumë, por kjo nuk ndodh shpesh.
(vijon)

Ti frigesh XI

Eshtë përjetësia e çastit që të tremb?
Ikja drejt të pazakonshmes,
Apo diçka që poshtë fytit dhemb
Dhe kujton se është shpirti?
Ti frigesh
Nga pafundësia e kësaj ndienje,
Që trupin të drithëron,
Nga ngjeshja e ajrit përreth,
Që thuajse dëgjimin të humb,
Nga çmenduria e ëmbël e puthjeve,
Nga heshtja e rëndë plumb.
Rrekesh t’i shpëtosh,
Ndaj puplave të ëndrrave shtrihesh,
“Le të bëhet ç’është thënë!” pëshpërit,
Mbyll sytë,

Por përsëri frigesh.

Wednesday 25 March 2015

Pa pushtet juridik nuk mund të ketë shtet

Nuk po them ndonjë gjë, të cilën nuk e di njeri, por kjo më shkoi ndërmend, pasi pashë séancën e Komisionit të Garnacive, për heqjen e imuitetit të deputetit Tom Doshi.
Duke filluar me raportin e Prokurorisë dhe duke vazhduar me fjalët e prokurorëve dhe më pas të avokatëve, më të dobët profesionalisht ishin juristët(përfshi këtu edhe deputetët juristë). Më profesionalë dukeshin ata, që nuk ishin juristë dhe më të mençur ata, të cilët nuk folën fare.
Po bindem çdo ditë e më tepër, që dëmi më i madh, që i ka sjellë Diktatura Shqipërisë, ka qënë shkatërrimi i sistemit juridik. Goditja më e madhe erdhi në vitin 1966 me heqjen e institucionit të avokatisë, që pasonte heqjen e Ministrisë së drejtësisë disa vjet më parë dhe me “revolucionarizimin” e shkollës juridike duke e kthyer atë në një shkollë tërësisht të cunguar. Diktatura anadollake komuniste shqiptare nuk mund të bashkëjetonte dot me konceptin e së Drejtës.
Rrjedhoja: qindra juristë të paaftë për të përballuar sfidat e mëdha të drejtësisë, që veç integritetit kërkojnë arsimim të mirë, kulturë të përgjithshme mbi atë juridiken dhe përkushtim. Shumë të pakët ata që i kanë. Me këtë brez juristësh edhe sikur të ekzistojë vullneti i mirë politik nuk mund të ketë Reformë në Drejtësi.
Për të funksionuar një shtet normal duhet të kalojë të paktën një brez juristësh të mirë dhe të paanshëm, që të krijojnë një traditë të shëndoshë për ata që do i pasojnë. Mbi ta një shkollë e mirë dhe e reformuar. Vetëm atëhere mund të ketë Pushtet të vërtetë Ligjor dhe shpresë për të pasur Shtet.

Bëni qejf edhe për dy ose tre dhjetvjeçarë politikanë hajdutë!

Askush nuk mund t’ju pengojë!

Tuesday 24 March 2015

Pranverë

Përreth pranverë
Kështu thanë të gjithë
Edhe pse unë dridhem nën lëkurën
Që diku i është shqitur
Një viçi mizorisht therrur.
Ti,
Pret të të dërgoj lulet e para të pranverës,
Që të gjithë thonë se erdhi,
Por unë nuk dua të gënjehemi
Nga lulet e mbajtura prej muajsh
Në ndriçim,
                Ngrohje,
                                Dhe lagështi,
Politikisht korrekte;
Lule pa erë,
Vetëm se të gjithë thonë
Dhe e besojnë të tërë,

Se është zyrtarisht pranverë.

Sunday 22 March 2015

Edhe 3 muaj deri në provimin e ardhshëm dhe…

…Shoqëria shqiptare fle!
Duket përfundimisht e dorëzuar para politikës.
Shqiptarët, aq të interesuar për të përtypyr politikë televizionesh dhe gazetash, nuk janë në gjendje të gatiten për provimin e demokracisë, që ju vjen jo më shpesh se një herë në dy vjet. Të përdorin të vetmen pasuri të garantuar- votën e lirë.
Diçka e fuqishme, si një drogë qetësuese i ka mpirë të rriturit shqiptarë, të solidarizohen për të mbrojtur interesat e familjeve të tyre.
Mosbesimi në sistemi demokratik?
Frika në vjedhjen e votave?
Zhgënjimi nga politikanët?
Pritja e përhershme, që të mirat të na vijnë nga lart?
Mbase të gjitha bashkë dhe shumë të tjera mbi to.
Në një pankartë të një veprimtarie të fundit të “FoodbankAlbania” shkruhej, se 500 mië shqiptarë rrojnë nën nivelin kombëtar të varfërisë. Për ta mblidheshin ushqime për të shtyrë edhe disa vakte më shumë. Të paktën 250 mijë syresh janë në moshë, që kanë të drejtë vote. Nuk e shikon kush mund[sinë për t’i ndihmuar edhe duke përfituar nga votat e tyre? Nëse shifra është e vërtetë ata përbëjnë 20% të popullsisë.
Me mijra të tjerë kanë problem të punësimit, të arsimimit, të shërbmit shndetsor të pamjaftueshëm ose shumë të shtrenjtë. Mijra zëra ngrihen përditë kundër administratave lokale për abuzime me fondet e pastrimit dhe shërbimeve të tjera, apo kundër çrregullimeve në lejat e ndërtimit. Dhe e vetmja rreze shprese për njerzit jashtë partive, të zhgënjyerve nga korrupsioni është lajmi se mund të kandidojë në Tiranë Gjergj Bojaxhiu. Asnjë lëvizje tjetër, që të nisë përpjekjen për t’ju kthyer qytetarëve administrimin e qyteteve dhe vendbanimeve të tyre.
Kanë mbetur vetëm 90 ditë, por edhe pse të pakta, njerëzit, që duan të ndryshojë shumë në politikën shqiptare mund të bëjnë shumë. Nuk është e thënë të fitojnë medoemos kreun e Bashkisë, por të shpien në këshillat bashkiakë njerëz, të cilët i besojnë.
Le të lëvizë Tirana dhe mediat qëndrore në mbështetje të Gjergj Bojaxhiut dhe në qytetet e mëdha të fillojnë lëvizje të ngjashme.
Vota është e vetmja gjë që ju ka mbetur!
Përdoreni për t’i rikthyer shpresën vetes!

Pasi të kaloni një provim, të tjerët do i kini më të lehtë!

Saturday 21 March 2015

Nesër, Dita e Minatorit

Sipas këshilltarit juridik të avokatit tim, nesër, më 22 mars, në Shqipëri festohet Dita e Minatorit dhe për të treguar aftësitë e mija shuëplanëshe, duhet të shkruaj edhe diçka për minatorët. Meqë e kam dëgjuar për shumicën e këshillave, që më ka dhënë gjatë 48 viteve të fundit, mora të shkruaja. E mblodha, që di thuajse aspak rreth minatorëve dhe minierave, jo vetëm nga ana teknike, por dhe nga çdo anë tjetër. Nuk kam njohur asnjë minator, ndonëse kam njohur shumë inxhinierë minierash, por dhe atyre, në Qytetin e Studentit ju kishin ngjitur nofkën “urithët”, gjë që të bënte t’i shihje si njerëz të nëntokës, që mund ta nxirrnin kokën një ditë krejt papandehur dhe të përmbysnin ato që ëndëronim të ngrinim ne të ndërtimit.
Për herë të parë emrin e minatorit duhet ta kem dëgjuar në kopësht ose ta kem hasur në revistat për fëmijë , që kishim në shtëpi. Jam i sigurt, që në kopësht recitonim një si vjershë të gjatë në grup, se unë e kam babin traktorist, doctor, aviator dhe doemos edhe minator. Ndoshta pjesa , që recitoja unë ishte e minatorit, por dorën në zjarr nuk e ve, se atëhere i mësonim përmendësh edeh pjesët e të tjerëvë dhe i përsërisnim më gojë mbyllur.
Po atë koë duhet të ketë qënë edhe kontakti visual me jeën e minierës. Babai na merrte me vete në kinema qysh kur ishim shumë të vegjël dhe në ato kohë kam parë shumë filma klasikë, të cilët nuk i kuptoja. Mes tyre ishte edhe “Zherminal”, sipas romanit me të njëjtin emër të Zolasë. Me sa kujtoj, ngjarjet zhvilloheshin në një minierë qymyri dhe ishin të zymta e me një fund tragjik pas një shembjeje në minierë. Më la një ndienjë të errët e disi të frikshme dhe kurrë nuk më shkoi ndërmend të lexoja romanin.
Disa vite më vonë, shkova deri në grykën e një pusi miniere. Ishin pushimet verore dhe im atë do bënte një radiokronikë për punën e minatorëve në minierën e qymyrgurit Mborje Drenovë. Shkuam me një makinë të administratës së minierës, një GAS sovjetik 8 vendësh, me sediljet e pasme anësore. Në dyshemenë midis këmbëve tona rrinin dy aparate të mëdhenj inçizimi, që i përdornin babai dhe tekniku i Radio-Korçës, Vasil Dishnica. Ende në Radio nuk kishte ardhur aparati portative UHER, të cilin babai e përdori për vite të tëra, deri sa doli në pension. Shkova deri në hyrje të posit dhe pashë minatorët e lodhur dhe të nxirrë në fytyrë, që dilnin nga turni i parë dhe ndoqa me sy babanë dhe të tjerët, që hynë në ashensorin metalik dhe zbritën nëntokë. Nuk kisha kërkuar as të shkoja me tad he as të rrija, se bëja gjithnjë atë që më thoshte im atë. Duket, që më kishte thënë të vija rrotull në lulishten rreth ndërtesave administrative deri sa ata të mbaronin. Nuk di nëse pashë atje, apo në ndonjë dokumentar më vonë, që minatorëve ju jepnin edhe një shishëe me qumësht si “antidot”, por kjo ishte nga gjërat e pakta që mësova rreth tyre.
Duhet të ketë qënë e vështirë puna në minierë. Punën e rëndë të grave në avëlmendet e Leshpunueses, e krahasonin me atë të minatorëve.
Njerëz, që haeshin me malin në errësirë!
Si në filmin “Zherminal”.


A ka mësuar Ilir Meta të kalërojë?

Duket se shumë ka ndryshuar në harkun e një viti për Ilir Metën. Vetëm një dyzinë muajsh më parë, ai dukej në zenith të suksesit të tij si politikan. Kishte bërë një sërë manovrimesh të suksesshme, sa me të drejtë nga disa analistë do cilësohej më vonë si “king-maker”. Në krye të një ushtrie të vogël militantësh, ai kishte marrë maksimumin e mundshëm nga torta e pushtetit (ndarë me armikun e mëparshëm Berisha), kishte shpëtuar nga një skandal i jashtëzakonshëm, që kishte shkaktuar më pas edhe 4 të vrarë dhe kishte arritur nj marëveshje për ndarje pushteti me një tjetër”armik”, Edi Ramën. I zgjedhur në krye të Kuvendit, dukej që Metës po “ja bënte me sy” posti i Presidentit, kur të merrte fund mandati i Nishanit.
Pikërisht këto suksese, të arritura me manovrime, bisedime, para, pabesira, shantazhe, favore, “thika pas shpine”, kremtonte në përvjetorin e tij të 45-të, mes 600 të ftuarish, Ilir Meta. Darka e shumëkomentuar kishte gjithë karakteristikat e një feste stërmadhe orientale : tendë gjigande, ushqime të shumëllojshme, peshqeshe të denja për pashallarë dhe si për të plotësuar atmosferën e Lindjes së Mesme, u fol se një i ftuar i kishte dhuruar Kryetarit të Kuvendit edhe një kalë race arab. Mund të spekulohet shumë, se cilat kanë qënë motivet e kësaj dhurate, por pa ditur “dhuronjësin” është e sigurt, që gabohet. Në mes të të ftuarve kishte politikanë, biznesmenë, pronarë të shtypit, gazetarë të njohur dhe në varësi të tyre kushtimi mund të ketë qënë nga krahasimi me kalorësit e tryezës së Mbretit Artur, analogjia me Skënderbeun e deri tek kujtesa për fatin e Rikardit të III, që thërriste “Një kalë, një kalë, jap mbretërinë për një kalë!”
Askush nuk ndoqi më tej raportet e Kryetarit të Kuvendit me kalin arab. Vetë dy javë më parë, e nisur si një sherr midis dy të ftuarve në ditlindjen e Metës, Edi Ramës dhe Tom Doshit, mori udhë një ngjarje, që e “ka zbritur Ilir Metën nga kali”. Të bie në sy, që shumica dërmuese e të ftuarve të “supertendës” është kthyer kundër tij. Nga heqja e petëve të kësaj historie, filluar në gushtin e kaluar, duket qartë, se jo vetëm demokratët janë kundër tij, por edhe i ftuari në tryezën e nderit, kryeministri Rama, ka pritur me gëzim lajmin që “Meta ka porositur dy vrasje”. Nervozizmi i Metës, që nuk arrinte të kuptonte se kush ja kishte kurdisur këtë komplot u shfaq në të gjithë takimet,që tashmë janë bërë publike. Aspak si kalorës dhe si shtetar, Kryetari i Kuvendit mundohej të shfajësohej para Tomës dhe familjarëve të Fufit, se ai nuk kishte gisht në këtë histori dhe nuk i njihte porositësit, ose me sa dinte mund të ishin në kampin e kundërshtarit politik. Nervozizmi dhe çoroditja i vazhduan në nivele akoma më të larta, kur komploti u bë publik. Deklaratat e tij për gjendjen psikike të akuzuesve, mburrjet e Baba Takut dhe Vasilit për materiale tronditëse, kulmuan ditën e protestës të opozitës, kur në vend të 600 të ftuarve të nderit, para selisë të LSI-së u mblodhën “600 jeniçerë” të Metës, për t’i dhënë zemër prijsit të tyre. Ishte shënja, se Meta dhe Lëvizja e tij ndodheshin në pikën më të keqe, se nuk ishin të mbrojtur as nga maxhoranca, në skutat e erëta të së cilës ishte gatuar komploti.
Kthesa në hetime duket se po i jep pak kohë, për të mbledhur veten dhe për të parë se ç’pengesa të tjera do I duhen të kapërcejë. E megjithatë një gjë është e sigurt: Ilir Meta ka filluar të tatëpjetën përfundimtare në politikë. Postin e Presidentit do I duhet ta flakë nga ambiciet e tij. Gjatë karrierës së tij politike, më shumë se në skenë, prapaskenave ka bërë shumë armiq, të cilët presin të ftohen edhe njëherë në “Gjirin e Lalzit”, por këtë rradhë për pensionimin e tij të parakohshëm nga politika.
Për ta edhe peshqeshet do jenë më të lehta se do fillojnë me vezë të ziera, natyra të qeta me shpendë dhe fruta dhe do mbyllen me gjela deti.
Mos po i qajmë “hallin kalorësit Ilir se po i varen këmbët”, në këtë përvjetor të 46-të të tij?
Më duket se jo!
Edhe nëse nga hetimet del se Bami me Frrokun, apo Doshi me Bamin, apo të tre bashkë, ja punuan këtë rreng kryetarit, rrënjët e këtyre akuza- kundërakuzash mafioze janë thellë në plehun e trafiqeve dhe bizneseve jot ë ndershme.
Kundër politikanit Meta, sot nuk është vetëm opinion publik.
A ka mësuar të “kalërojë” aq mirë sa të dalë përsëri fitues dhe mbret-bërës, është një pyetje-bast, në favor të së cilës do ishin të pakët ata që do rrezikonin paratë e tyre.

Sigurisht po mos llogarisim Baba Takun dhe Luan Ramën.

Friday 20 March 2015

Në burg Doshi apo Frroku? Përgjigja-Të dy.

Një javë më parë hamendësoja nëse do përfundonte në burg Toma apo Marku dhe nuk e prisja, që të shkonin të dy. Duket se këtë fundjave ose shumë shumë të hënë, dy deputetët e veriut(të dy katolikë) do i bashkohen në burg Durim Banit.
Duket një rrjedhim i logjikshëm edhe pse ende nuk arrin të dalë qartë, ç’donte të fitonte Doshi me gjithë këtë plan, që veç humbjes nuk po i sjell gjë tjetër. Sigurisht, që prokurorët dinë më shumë nga dëshmia e Durim Banit, i cili ka kuptuar, që është më mirë të dënohet më pak për mashtim se sa për tentativë vrasjeje.
Edhe pse ende e turbullt si ngjarje dhe motive dhe duket se nuk ka për tu kuptuar kurrë se cilat ishin motivet, e gjithë “zallamahija” Doshi, i bëri disa të mira të mëdha publikut shqiptar.
1.       Largoi nga politika dy deputetë të përfolur për krime.
2.       Nxorri zbuluar prapaskenat e botës politike shqiptare.
3.       Dëmtoi rëndë Edi Ramën, Ilir Metën dhe sidomos ministrin e brendshëm, Saimir Tahirin.
Për fat të mirë, veç publikut shqiptar nuk pati të fituar të tjerë. Shqiptarët nuk u grumbulluan rreth PD-së, e cila rrëmbëu flamurin anti-krim, për të fituar kapital politik.

Tom Doshi dhe Mark Frroku kanë qënë të dy pranë të djathtës dhe përfshirja e tyre në politikë ka qënë vetëm për të përfituar nga “lëmi” i të mirave, që sjell pushteti. Duket, që llogritjet për të rrëmbyer më shumë ju ngecën në gozhdë, sepse superhajdutët Meta dhe Rama dinë t’i mbrojnë mirë domenet e tyre.

Sunday 15 March 2015

5 vjet pas nje shkrimi

Ne flllim te vitit 2010, ne gazeten TEMA, u botua ky shkrim i imi rreth problemeve te ligjit te ri te Urbanistikes dhe korrupsionit ne fushen e ndertimeve ne Shqiperi. Ishte nje shkrim, qe solli nje shkeputje disavjecare timen nga dergimi i shkrimeve ne gazetat shqiptare. Shkak u be nje leter e nje profesorit tim, qe e quante teresisht te gabuar sulmin tim ndaj Berishes. Nuk ju pergjigja pedagogut tim(paste dheun e lehte atje ku prehet), por mendova, qe ishte e pnevojshme te shkruaja ne mediat tona se mund te sillja vec keqkuptime. E shkela vendimin 4 vjet me vone, kur fillimi i ndertimit te kulles se Korces, me nxiti te ngrija zerin serish edhe duke e ditur se do binte ne veshe te shurrdhet. 
Duke rilexuar sot shkrimin, mendova, qe gjendja eshte edhe me e keqe se 5 vjet me pare. Ndertimet dhe urbanistika sa vijne e perqendrohen ne duart e qeveritareve ne kryeqytet. Vec vendimit te ndalimit te lejeve te ndertimit, jane shtuar te tjera Institucione qendrore si INUK apo Agjensia Kombetare e Bregdetit, te ngritura gjoja per te disiplinuar abuzimet ne ndertim, por qe nuk bejne gje tjeter vec se sherbejne per te pasuruar palen qe qeveris dhe luftuar ata, qe mbeshtesin opoziten ose nuk paguajne rryshfete.
Me poshte eshte shkrimi i pese viteve me pare.

Shqipëria nuk është një mal me pilaf!

Në vitet ’60, një hamall trupvogël, të cilin gjithë Korça e njihte me emrin Tataç, kur bëhej ndonjë gjyq për “vjedhje të pasurisë socialiste” (nen që parashikonte dënime shumë të rënda) thoshte me zë të ngjirur dhe shtruar: “E po këta kujtuan se socializmi është një mal me pilaf dhe o burra të rrëmbejmë nga një lugë e t’i biem ta hamë”. Tataçi i gjorë duhet të ketë 40 vjet që ka vdekur dhe socializmi po bën 20. Shqipëria, pilafi dhe lugët kanë mbetur.
Në raportet e ndërkombëtarëve për korrupsionin, Shqipëria ka bërë hapa prapa këtë vit. Nuk kam ndërmend të ve në dyshim sondazhet e organizmave të specializuar, as edhe të përforcoj me bindje që korrupsioni vërtet gjatë vitit 2009 u shtua. Këtë e them, se ky djall me këtë emër gërryes, ka kohë që është shtruar këmbëkryq në jetën shqiptare. Dua të merrem me një deklaratë të kryeministrit Berisha, lidhur me rolin që ka luajtur korrupsioni në Bashkinë e Tiranës, në sondazhet e kryera me shtetasit shqiptarë gjatë vitit 2009, për nivelin e korrupsionit në vend. Pak a shumë, në një konferencë për shtyp, kryeministri tha se zbritja e shkallëve të Shqipërisë vjen nga bllokimi i lejeve të ndërtimit prej Ramës, por pas disa muajsh ky problem do zgjidhet me daljen e ligjit të ri për planifikimin e territorit.
Që Berisha gënjen, ky nuk është ndonjë zbulim. Të qenit demagog, është veçoria kryesore e tij si politikan. Megjithatë, i mësuar me gënjeshtra politikanësh (që për fat të keq nuk ndodhin vetëm në Shqipëri), i hodha një sy ligjit, që do fillojë të zbatohet në shtator të vitit 2010 dhe që do na ngjisë të paktën 20-30 shkallë në tabelën botërore të “pastërtisë“!
Me keqardhje konstatova të kundërtën.
Ligji i ri e shton mundësinë e rritjes së korrupsionit, përveç se krijon edhe probleme të tjera për urbanistikën dhe territoret e Shqipërisë.
Le të ndalemi në dy tre pika kryesore, se ligji është rreth 70 faqe dhe nuk mundet në një shkrim të tillë të preken të gjitha problemet që krijon zbatimi i tij.
E meta kryesore e këtij ligji është rritja e centralizimit dhe zvogëlimi i kompetencave të pushtetit vendor në çështjet e urbanistikës dhe të zhvillimit të territoreve.
Është i njohur botërisht fakti që centralizmi e shton korrupsionin. Sali Berisha, në vend të përzihet sa më pak në çështjet e territoreve dhe ndërtimeve në to, dhe të suprimojë Këshillin e Rregullimit të Territorit të Shqipërisë, me ligjin e ri i ndryshon vetëm emrin (quhet Këshilli Kombëtar i Territorit) dhe shton edhe një institucion të ri pranë Këshillit të Ministrave, që do quhet Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit.
Ku qëndron e keqja?
Në radhë të parë nuk është normale për një parti të djathtë të bëjë atë që në perëndim quhet zmadhim i qeverisë dhe rritja e rolit të saj. Megjithatë le të lemë mënjanë parimet bazë të politikës, se tek ne janë disi kokëposhtë dhe le të kthehemi në ndërtimet dhe korrupsioni.
Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit do marrë atributet e ish-Komisionit të Planit të Shtetit për çështjet e zhvillimit kombëtar. Në krye të saj, me siguri që Berisha do vendosë ndonjë kallashshpërndarës nga ata të ’97-ës dhe do bëjë si i thotë mendja dhe qejfi me territoret e Shqipërisë. Pak a shumë, dollibashi Berisha do jetë në krye të një sofre të madhe me miq dhe do fillojë të shpërndajë pjesë nga mali me pilaf dhe thelat e majme, sipas devotshmërisë të pjesëmarrësve në sofër. Ky quhet korrupsion sade (në gjuhën e kuzhinës turke).
Në ligjin e ri hiqen KRRT-të e njësive vendore dhe tani pushtetarët vendorë do zbatojnë Planet Rregulluese dhe Rregulloret e miratuara nga AKPT dhe KKT.
Kur lexoja këtë ligj të ri, mendja më shkonte se si ishte pajtuar Rama me këtë largim të dhunshëm nga sofra e malit me pilaf. Pa ditur shumë hollësi rreth diskutimit dhe miratimit të këtij ligji në prill të këtij viti, them se në euforinë pragzgjedhore, edhe Edi Ramën e dehu ëndrra për tu bërë dollibash.
Po a është Shqipëria një mal me pilaf dhe o burra t’i futemi me lugë?
Përgjigja është më shumë JO se sa PO.
Shqipëria nuk është më në kohën kur toka dhe thuajse çdo gjë tjetër ishte pronë shtetërore. Gjithashtu ne nuk jemi jashtë një monitorimi nga ndërkombëtarët. Edhe pushteti juridik nuk është plotësisht i varur nga ekzekutivi. Megjithatë, kjo përpjekje për të kontrolluar çdo gjë të shpie kudo, vetëm në një demokraci të zhvilluar jo. Korrupsioni do vazhdojë në të njëjtat nivele dhe rrezikon të shtohet. Drejt sofrës të dollibashit Berisha do shtyhen për tu afruar shumë investitorë. Sigurisht, jashtë saj do mbeten ish-pronarët dhe ata që s’kanë lidhje me pushtetin. Hamejtë (tani më ngjan se quhen mbartës) si puna e Tataçit do vazhdojnë të qeshin hidhur me ata, të cilëve Shqipëria ju duket si një mal me pilaf.

Thursday 12 March 2015

Kaçakçe

Tom Doshi, dashur pa dashur, i bëri një të mirë të madhe publikut shqiptar. Nxorri zbuluar, atë për të cilën flitet në këto 24 vjet, se shtetarët tanë nuk veprojnë nëpër zyra, si shtetarë. Edhe pse të gjithë , thonë se e është diçka e njohur, kur bëhet publike, vërehet një tronditje edhe e vrojtuesve më cinikë.
Nuk është e drejtë të thuash se shtetarët tanë sillen si mafiozë, pasi kështu i hyn në hak Mafias siçiliane dhe të tjerave. Ato veprojnë jo vetëm duke respektuar “rregullat” e tyre, por edhe mbi bazën e njohjes së legjislacionit të vendit ku veprojnë. Në borderotë e tyre ka gjithnjë avokatë të shquar, që i këshillojnë se ç’duhet bërë edhe se ç’farë nuk është në intersin e tyre për tu bërë.
Veprimet e shtetarëve tanë, të dala në shesh nga çështja Doshi, duhen cilësuar si “kaçakçe”, për të mos përdorur termin “partizançe”, i përdorur në kohën e Diktaturës.
Duke filluar me kryeministrin e vendit, i cili pasi njoftohet “kaçakçe” nga një deputet i Partisë së tij, i thotë po “kaçakçe”, që të shkojë ta bisedojë me Ministrin e Brendshëm dhe mundësisht t’i shpjerë “edhe atë djalin”! Në të gjitha vendet demokratike, edhe kur kryeministri është një jurist i klasit të parë, pranë mbajnë avokatë me të cilët këshillohen për çdo veprim, që mund të sjellë implikime ligjore. Kryeministri jonë, që hiqet si skandinav, vepron si një nënprefekt i një nënprefekture të humbur të kohëve të fillimit të shtetit shqiptar.
Akoma më “kaçakçe” sillet për të njëjtin rast Ministri i Brendshëm. Ai bën takime zyrtare dhe jo zyrtare, me një njeri dikur të dënuar penalisht dhe , që pranon para tij se i kanë kërkuar të vrasë dy njerëz kundrejt një shume parash! Sipas vetë ministrit, “I penduari”, ka kurajë,që në zyrën e ministrit të brendshëm të refuzojë mbrojtjen , që i ofrohet një dëshmitari dhe  të thotë se “ unë nuk dua të ngatërrohem në këtë mesele, po ç’ti bëj Tomës?” E gjitha kjo në praninë edhe të Drjetorit të Përgjithshëm të Policisë, Didi, njeriut që i është besuar mbrojtja e gjithë shoqërisë shqiptare nga keqbërësit!
“Kaçakçe”, deputeti Tom Doshi dërgon një njeri të filmojë në lokalin “Viva”, prokurorin Beçi, që është ulur dhe ha e pi po “kaçakçe” me një njeri të dënuar jo pak vite për trafik droge!
“Kaçakçe” vazhdojnë të veprojnë të tjerë njerëz të veshur me pushtet, pasi ngjarja bëhet publike, duke filluar me presionet e Baba Takut, se do nxjerrë dokumenta dhe video me rëndësi e deri më e fundit e Petrit Vasilit, që deklaron se ka gjetur një “thesar me dokumenta tronditëse” në “Guvën e Kaçakëve”!
Një sjellje e tillë, jashtë rregullave, jo ligjore mund të quhej e pranueshme në filimin e viteve ’90, kur posa po stabilizoheshin ligjet dhe institucionet e një Sistemi të ri politik, por e keqja është se me kalimin e viteve, kjo mënyrë dhe mentalitet veprimi sa vjen e po bëhet më e përhapur. Nuk është as karakteristikë e vetëm njërës apo tjetrës anë të spektrit politik.
Sjellje e këtij lloji ishte instalimi i një videoregjistratori nga ministri Dritan Prifti, në kohën e videos famëkeqe të Metës, për të rregjistruar biseda me të cilat mund të bënte presione politike apo ligjore. Prifti duhej të ishte dënuar për përdhosjen e shtetit dhe të zyrës së tij , pas dënimit të Metës për korrupsion.
Karriera politike e Berishës është e mbushur me dhjetra raste të tilla, të faktuara e të pafaktuara, ndër të cilat më i thjeshti mund të jetë rasti kur një bodigard i tij goditi me grusht në Kryeministri Komandantin e Gardës, se nuk pranonte të zbatonte urdhrat.
“Kaçakçe” disa deputetë të maxhorancës goditën në korridoret e parlamentit, një koleg të opozitës.
“Kaçakçe”, Prokurori i Përgjithshëm goditi me grusht një vartësin e tij në një ambient publik.
Njerzit çdo ditë e më shumë, po humbasin besimin në shteti, shtetarët e të cilit edhe se nuk sillen si nëpunës, por si vagabondë, jo vetëm nuk ndëshkohen, por mund të ngrihen edhe në përgjegjësi.
Më urgjente se i famshmi “dekriminalizim i Parlamentit” duhet të jetë “dekaçakëzimi i shtetit”. Nuk është shumë e vështirë të përjashtohen nga Parlamenti një gjysëm dyzine apo një dyzinë me deputetë, të dënuar më parë ose të përfshirë në vepra penale.
E vështirë është të detyrosh të japin dorëheqje një “aradhë“ me politikanë të rëndësishëm, për veprimet e tyre krejtësisht anti-zyrtare, që e ulin autoritetin e institucioneve shtetërore në nivelet e rrugëve më të fëlliqura të periferisë.
Shqiptarët duhet të kuptojnë, se Shteti demokratik është gjëja më e rëndësishme , që kanë. Duhet të bëjnë presion të vazhdueshëm ndaj shtetarëve të sillen, si të tillë, ose duhet të gjejnë mënyrën për t’ju a hequr nga dora.


Wednesday 11 March 2015

Sa persona e dinin, çështjen Doshi para se të bëhej publike në Shqipëri?

Nuk është e vështirë të bësh një llogaritje të trashë, se sa vetë e dinin rreth atentatit ndaj Tom Doshit, para se të ndroheshin vitet.
Kur një gjë e dinë dy vetë nuk është sekret në asnjë vend, por për më tepër në Shqipëri, ku gjërat shkojnë pak a shumë sipas këtyre formulave:
Njerëzit e thjeshtë, ja tregojnë gruas, baxhanakut dhe tre shokëve të ngushtë, ndërsa njerëzit me pozitë e ndajnë sekretin me gruan, baxhanakun, tre shokë të ngushtë, sekretaren, shoferin, shefin dhe të dashurën, nëse jo është e ndryshme nga sekretarja.
Deri tani, sipas konfirmimeve të tyre, qysh në shtator e dinin këtë çështje Edi Rama, Sajmir Tahiri, Adriatik Llalla, Didi, zëvendësi i Didit, shefi i Policisë së Tiranës, Ilir Meta, Monika Kryemadhi, Spartak Braho, Eugen Beçi, Mark Froku dhe Dritan Prifti. Në nëntor e mësuan edhe Edi Paloka dhe Sali Berisha. Pra të konfirmuar 17 vetë. Duke qënë njerëz të rëndësishëm, sipas formulës , që përmenda më sipër, ka për çdonjërin 9 vetë, që e mësojnë sekretin dhe në total vetëm prej tyre e dinë edhe 153 të tjerë duke e shpënë numurin në një total prej 170. Nëse supozojmë se të gjithë njerëzit, të cilëve ju kanë besuar janë njerëz të thjeshtë(duke mbajtur këtu për rezervë në numurim edhe shefat), atëhere të 153 të shtuarit do ja u thonë edhe të paktën 5 të tjerëve, gjë që shton edhe 763 të tjerë duke arritur në numurin 933.
Nuk kemi llogaritur ende të thjeshtët, që kanë pasur njohuri për këtë ndodhi e që janë Durim Bami, Fatjon Skënderi, Ylli Xhaxhollari, Ymer Lala dhe Petrit Cinari, që na shpie në shifrën 30(5+25) dhe duke e rrumbullakosur jemi në shifrën thuajse 1000, duke e ndalur sekretin vetëm në rrethin e parë.
Dihet , që për këto lloj atentatesh, çdo gjë dihet me hollësi në burgjet e Shqipërisë dhe duke llogaritur edhe 3500 të burgosur, 400 gardianë dhe rreth 300 avokatë, numuri i përgjithshëm arrin 5200. Po duke lënë mënjanë të burgosurit, për gardianët dhe mund të përdorim formulën e njerëzve të thjeshtë dhe kësaj shume lehtësisht mund t’I shtojmë edhe 2000(400x5) dhe jemi në shifra 7200. Për avoktët jemi të detyruar të përdorim formulën VIP(me sekretare, shofer, dashnore dhe shef) dhe i shtojmë edhe 2700 të tjerë duke arritur tashmë në 9900, pra afërsisht 10 mijë vetë, ose popullsia e Rrogozhinës, Peqinit dhe Papërit të marra së bashku.
Bajagi.
I vetmi , që nuk kishte dijeni ishte përsëri i shkreti Mhill Fufi.




Tuesday 10 March 2015

Shqiptarët nuk duhet të protestojnë të enjte.

Një pjesë e mirë e elektoratit shqiptar është tejet e zhgënjyer nga dy polet politike shqiptare, ndaj nuk duhet të bjerë në grackën politike të ngrehur nga PD ndaj tyre. Paralajmërimi i Palokës e bën edhe më të qartë se ç’lloj gjurulldie për përfitime politike kërkon të luajë opozita me çështjen Doshi.
Protesta masive për dorëheqjen e Metës nuk i shërben elektoratit shqiptar. Ajo nëse është masive, qoftë edhe sikur të mos jetë e dhunshme dhe mos sjellë përplasje të demostruesve me forcat e rendit, do theksojë vetëm një gjë: Politika shqiptare nuk ka për të ndryshuar edhe shumë vite të tjera. Do mbetet peng e dy bandave, që alternohen në pushtet duke kërkuar ndihmën e një bande tjetër më të vogël.
Publiku shqiptar i njeh mirë të dy palët dhe mbase ka të drejtë të ndjehet i dëshpëruar se nuk ka nga t’ja mbajë, pasi nuk ka forca të tjera me politikanë të besueshëm të cilëve t’ju besojë drejtimin e vendit. Por një rrjeshtim në anën e PD-së, e cila po aq sa ana tjetër , që e ka fshehur çështjen Doshi, është e pasinqertë në betejën politke, nuk do të sillte gjë tjetër veç mungesës së stabilitetit dhe ndoshta rikthimit të një situate të ëndërruar për Berishën për kërkim të zgjedhjeve të parakohshme.
Në interesin e publikut shqiptar është të maksimalizohet ajo diçka e mirë , që ka dalë në pah gjatë dhjetë ditëve të fundit.
                1. Politikanët shqiptarë kanë dalë zbuluar se nuk veprojnë në mënyrë institucionale.
                2. Prishjet e pazareve mund të sjellin edhe çarje mes tyre dhe goditje ndaj njëri tjetrit.
                3. Organi i akuzës, të paktën në dukje, po rifiton autoritetin.
Në këtë situatë, t’i japësh dorë atyre, që vepruan në mënyrë të ngjashme, me të njëjtit personazhe, katër vjet më parë, para 21 janarit, do të thotë të rindëshkosh veten edhe për të paktën 5-6 vjet të tjerë. Do të thotë se mund të tërhiqesh lehtë prej hundësh nga të njëjtit politikanë, që i kanë manipuluar të paktën 15 vitet e këtij shekulli.
Të pakënaqurit nga qeverisja e Ramës  duhet të jenë po aq të pakënaqur edhe nga opozita , jo vetëm për qeverisjen në legjislaturat e kaluara, por edhe për mënyrën e bërjes opozitë në këto 18 muaj. Edhe nëse nuk janë në gjendje të formojnë lëvizje apo formacione të reja politike, me bojkotimin e protestës të se enjtes i bëjnë mirë vetes dhe demokracisë në Shqipëri. Një protestë e tyre, e organizuar nga OJQ-të kudër të dy palëve do ishte një zgjidhje ideale, por duket se ka pak vullnet dhe para për ta bërë këtë.
Ndaj duhet lënë, që organet e akuzës të bëjnë punën e tyre dhe të shkoklavitin ‘nyjen Doshi”, e cila për fat të mirë i njollos plot politikanë shqiptarë.
Le të dalë Berisha me Palokën dhe militantët e tyre në “protestën-rrëmujë“.

Qytetarë shqiptarë mos i ndiqni!

Monday 9 March 2015

A do përfundojë në burg Doshi apo Frroku?

Në gjithë kjo histori, që ndryshon ngjyrë çdo ditë, më i çiltri, po më duket Tom Doshi. Dikush ose ka dashur ta vrasë, ose ka dashur ta trembë, ose ta fusë në një qorrsokak.
Thua se gjithshka ka filluar pasi Toma tregoi dhëmbët se mund të krijonte një grup, që nuk do votonte sipas vullnetit të maxhorancës, apo ka më shumë të fshehta dhe të panjohura? Mos ndoshta diçka ka lidhje me vrasjen e bankierit Santo, sikur komentojnë anonimë në artikujt e gazetave?
Ka vetëm një fakt. Tom Doshin e kanë braktisur të gjithë ata deputetë, që i kishte pas në grupin, që festoi “datlindjen” e Frrokut. Për t’i sjellë deputetët “festues” në fillim kishte shkuar ministri i drejtësisë Nasip Naço, ndërsa si deputetët kishin përcjellë Nasipin, në vendngjarje kishte shkuar vetë Ilir Meta. Depuetetët u kthyen të nesërmen dhe votuan për Rama-Metën, pasi ju ishte premtuar diçka në këmbim.
Toma po lufton tani i vetëm betejën e tij për “jetë a vdekje” në politikë. Ndoshta edhe për mos shkuar në burg, megjithëse me paratë , që ka nuk është e vështirë të korruptojë sistemin gjyqësor.
Gënjen Toma, Frroku, Durim Bani, Ilir Meta, Rama, Tahiri apo të gjithë nga pak?
Në lojë kanë hyrë dëshmitarët e nivelit të dytë, të cilët edhe mund të prishin teorinë e trumbetuar me forcë nga Tahiri dhe Mero Bazja, se ky proces farsë tashmë është drejt mbylljes. Toma ka shpënë për të dëshmuar kundër Frrokut shoferin e tij si të pranishëm në biseda. Të tjerë njerëz do dalin, të përforcojnë ato të rrëfyera nga Toma, me mënyrën e sipërfaqshme “ai më tha dhe unë i thashë“.
Sot dëshmoi me gëzim të madh, një politikan, që do të jetë në qendër të vëmendjes dhe , që në prokurori tha vetëm “Mua më tha Edi Paloka”. Eshtë Sali Berisha. Nesër do dëshmojë Edi Paloka, që mund të thotë se ja tha ILir Meta, të cilit ja kishte thënë Tahiri, që e kishte mësuar nga Edi Rama, që e kishte dëgjuar nga vetë goja e Tom Doshit, pasi këtij i kishte thënë Frroku, se Durim Banit, I kishte thënë “Toni i Kombinatit”, të cilin e njihte Monika, se ofrohej një shumë parash për kokën e Tomës dhe se në këtë valle ishte dhe Iliri.

I vetmi, që nuk njoftohet për asgjë është i shkreti Mhill Fufi, që mund të ikte kot nga kjo botë, për një shumë 5 herë më e vogël se e Tomës.

Sunday 8 March 2015

Mars i bardhë

Sa të bardha ka
Në bardhësinë e trupit
Dhe shpirtit tënd të bardhë?
I ftohtë ky mars,
Për lumin,
Për oqeanin,
Për ketrin që trupin fsheh
Mos mardhë,
Por jo për ne.
Në nuancat plot dritë
Të Mirësisë sate ngjyrë qumështi
Ne rrëshqasim
Dhe marrim jetë.
Gjithshka e ngrohtë,
                E qashtër,
                                E lbyrtë,

E vërtetë.

Saturday 7 March 2015

Të gjithë kundër shtetit!

Kundër shtetit është Ilir Meta, sepse nuk jep as përkohësisht dorëheqjen nga posti , që mban deri sa të mbyllen hetimet e çështjes Doshi.
Kundër shtetit janë Edi Rama me gjithë vartësit e tij, që për 6 muaj mbajtën të fshehtë hetimet për një denoncim me rëndësi qoftë si krim, qoftë si për implikimet politike.
Kundër shtetit është Ministri i Brendshëm, që në një zyrë të shtetit interviston një të ashtuquajtur “të penduar”, i cili ka edhe një  CV me dënime të tjera dhe më pas e le të “livadhisë“ për 6 muaj, sepse “Duri nga Fush-Kruja nuk donte fare të përzihej në këtë çështje!”
Kundër shtetit është Sali Berisha, që në çastin kur duket se shteti ka nisur të veprojë, kërkon të ngrerë njerëzit në protesta për të rrëzuar qeverinë.
Kundër shtetit janë Mero Baze, Karlo Bollino dhe disa botues të tjerë gazetash, që në vend të merren me veprimet dhe mosveprimet antiligjore të deputetëve dhe shtetarëve të Majtë, që kanë gisht në këtë gjurulldi, sulmojnë Sali Berishën, pa shpënë Prokuroria çështjen në gjyq.
Kundër shtetit është Tom Doshi nga kreu i herës, që pasi njoftoi eprorët e Partisë së tij, nuk shkonte të ndiqte çështjen në rrugë ligjore, por i blinte makina të blinduara “killerit të penduar”.

Ka vite e vite, që e dimë se këta njerëz vetëm shtet nuk duan e megjithatë nuk na vjen mirë ta besojmë!

Ti frigesh X

Ke frikë,
Se gjithshka do mbarojë si nisi.
Se furtuna që e solli,
Do e marrë sërish,
Si deti,
Që përfshin gjithshka
Dhe nuk do jetë më
As për ne
Dhe aq më pak për ata që vijnë.
Edhe pse më thoje
Se është më e madhe se deti
E përsëri trembesh
Se edhe e lehtë si ajri të duket.
E kur ajri rëndohet
Furtuna vjen
E ti nuk do asgje të të sjellë,
Veç mos të të marrë

Ajrin.

Friday 6 March 2015

Shah shqiptar me ashikë.

Me siguri, të luash shah nuk të ndihmon të merresh me politikë. Historia moderne nuk njeh shahistë të famshëm, të kenë qënë të suksesshëm në politikë dhe as politikanë të shquar të kenë luajtur shah dhe të kenë pasur një koefiçient të lartë ELO. Edhe lojtari më i madh i të gjitha kohëve, Gari Kasparov, dështoi plotësisht në opozitën e tij ndaj Putinit të Tmerrshëm.
Figurat e mëdha, të përzjera në çështjen Doshi, të japin për një çast, përshtypjen e një skakiere shahu, ku Berisha dhe Rama mund të mendohen si mbretëresha njëra në sulm dhe tjetra në mbrojtje të “mbretit” Meta, ndërsa Tahiri, Llalla, Didi si “oficerë“ dhe “torre”, që mendohen të pengojnë lëvizjet e çoroditura të “kalit” Doshi. Në kutitë e tjera ka edhe një numur të madh ushtarësh, ndër të cilët më simpatiku, duket ushtari, që nuk bën asnjë lëvizje, Mhill Fufi.
Por askush nuk mund të kuptojë apo të parashikojë se çdo ndodhë më tej, sepse në ndryshim të madh nga loja e shahut, që ka rregulla të caktuara dhe ku sejcila palë ka të drejtën e vetëm një lëvizjeje, në politikën shqiptare nuk ka as rregulla dhe as lëvizje të llogjikshme.
Për shembull, “mbretëresha” Berisha sulmon Metën, që duket më pak i përlyeri në këtë histori, ndërsa krahu tjetër për një “çorbë“ të gatuar në kampin e tyre sulmon kampin kundërshtar. Më i “dhjeri”, Ministri i Brendshëm, që interviston disa herë “ushtarin vrasës” të Tomës, thërret “le të lemë institucionet të bëjnë punën”, kur vetë ka vepruar në kundërshtim të hapur me ligjet dhe rregullat e Institucionit , që drejton.
Loja politike në Shqipëri jo vetëm , që ësht larg shahut, por as në lojrat më tradicionale popullore, si Kala dibrançe, me bëz, me kukamfshehti e të tjera, nuk mund të gjesh elementë, të ngjasin me atë, që shohim sot në vend.
Mbase mund të krahasohet me një lojë me ashikë, ku lojtarët jo vetëm kanë të drejtë të qëllojnë ashikët e njëri tjetrit, por edhe t’i marrin nga xhepat e lojtarëve të tjerë, t’i thyejnë me këmbë, t’i gjejnë të parregullt dhe në fund t’i flakin edhe në çati (ose t’ja mbijnë në kokë kundërshtarit).

Shah shqiptar me ashikë.

Thursday 5 March 2015

“Lojtarët” e përfshirë në “çorbën Doshi”

Nga të gjitha poltronat më të larta të shtetit, deri tani i pa implikuar në çshtjen Doshi është Presidenti Bujar Nishani. (Edhe ai ka një lidhje indirekte me prokurorin BeçI, i cili pas shkarkimit është parë të hyjë në Presidencë.)
·         Ilir Meta – Kryetar i Kuvendit I akuzuari kryesor, se qëndron prapa atentatit të pakryer ndaj Tom Doshit dhe Mhill Fufit. Sipas Tomës, Ilir Meta është vënë në dijeni të denoncimit nga ana e Tomës, nga zyrtarë të lartë të qeverisë si dhe nga Prokurori i Përgjithshëm.
·         Edvin Rama – Kryeministër Ishte i pari zyrtar i lartë i vënë në dijeni të komplotit në fund të Gushtit 2014 nga vetë Tom Doshi. I ka sugjeruar këtij të fundit t’i shpjerë të gjitha faktet në Ministri i Brendshëm dhe më vonë është informuar për ecurinë e çështjes dhe ka informuar të tjerë. Si pranon vetë, është bindur se e gjitha ka qënë e sajuar nga Toma.
·         Saimir Tahiri – Ministër i Brendshëm Pasi është informuar nga Kryeministri të merret me çështjen e Tomës, takohet disa herë me Tomën dhe me “atentatorin”, ku sipas tij këmbëngul, që i dëmtuari të bëjë kallzim, gjë që nuk është pranuar nga Toma. Më pas ka urdhëruar policinë të kryejë hetime dhe në përfundim të tyre është bindur, që e gjitha ka qënë e sajuar, gjë që ja ka raportuar Kryeministrit, Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeprokurorit.
·         Adriatik Llalla – Prokuror i Përgjithshëm Eshtë informuar që në shtator 2014 për çështjen, por ka zgjedhur të mos merret me të edhe pse mes emrave të përfolur është edhe një prokuror i tij.
·         Artan Didi – Drejtor i Përgjithshëm i Policisë Nga deklaratat e eprorëve të tij del se ka njohuri për ngjarjen dhe hetimet, por vetë mohon të jetë vënë në dijeni.
·         Eugen BeçI – Prokuror Një ndër emrat e akuzuar nga Tom Doshi, si të përfshirë në porositjen e atentateve ndaj dy deputetëve. Nuk ka bërë asnjë deklaratë deri tani.
·         Sali Berisha – Deputet Deklaron disa herë në publik, që është në dijeni të të gjithë ngjarjes tre muaj më parë, kur asgjë nuk ishte publike. Nuk ka deklaruar ende burimin e inormacionit
·         Tom Doshi – Deputet Strumbullari i të gjithë ngjarjes dhe njeriu , që ka deklaruar se Ilir Meta kishte vënë për kokën e tij 500 mijë euro, ndërsa 100 mijë për kokën e Mhill Fufit. Deklaron se është çuditur, që Meta ka kërkuar ta vrasë dhe si motiv të vetëm ve një motiv tepër të çuditshëm, atë të bërjes publike të videos së Dritan Priftit në dhjetor 2010.
·         Mark Frroku – Deputet Mik i Tomës dhe sipas këtij të fundit njeriu, që e ka njoftuar për komplotin. Duket si njeriu kyç, që mund të fundosë Tomën, pasi të vetmen deklaratë, që ka bërë deri tani është se i qëndron besnik maxhorancës.
·         Mhill Fufi – Deputet Njeriu më i painformuar për komplotin dhe ç’ka ka rrjedhur më pas. Duket që askush nuk e ka vënë në dijeni, për shkak të intelektit të tij të pamjaftueshëm.


Varianti i mundshëm “post-çorbë“.

“Corba” e sajuar nga Tom Doshi ka të ngjarë mos kalojë shumë lehtë në jetën e shoqërisë shqiptare. Ndoshta variant i Kokëdhimës, për një paqe midis Doshit dhe Ramës do kishte qënë më i dobishmi për PS-në dhe mbase edhe për vendin. Qëndrimi i paepur i Kryeministrit i solli dobi vetëm PD-së, për të tundur tashmë një flamur të Partisë të pastër, që kërkon pastrimin e Parlamentit nga të inkriminuarit. Tani PD-ja mund të shkojë serbes drejt bojkotit të Parlamentit apo edhe bojkotit të zgjedhjeve lokale.
Duket që Prokuroria e Krimeve të Rënda po vepron me shpejtësi për të sqaruar çështjen Doshi, gjë që shumë shpejt ka të ngjarë të shpjerë Tomën nga akuzues në  të akuzuar, por kjo nuk i jep dot përgjigje motivit të Doshit dhe aq më pak vonesës së hetimeve dhe përfshirjes së njerëzve më të lartë në pushtet në këtë vonesë.
Shumë shpejt vetë Doshi do kërkojë largimin e prokurorëve nga hetimi I çështjes, sepse deri dje ata kanë qënë bashkëpuntorët dhe vartësit e prokuroti BeçI, të cilin ai e akuzon si pjesëmarrës në komplot. Të njëjtat teori të presionit të maxhorancës ndaj Prokurorisë do përsëritë Berisha me papagajtë e tij, ndaj çështja kaq e përzjerë me politikën, nuk mund të sqarohet si duhet pa largimin vullnetar nga detyra, të gjithë atyre , që kanë vepruar në kundërshtim me ligjin, ose nuk kanë vepruar si ja u kërkon ligji, që prej gushtit 2014. Dhe këtu është fjala për kryeministrin, kryetarin e kuvendit, ministrin e brendshëm dhe kryeprokurorin.
Tom Doshi, pa menduar thelle sajoi një çorbë, që do sundojë të gjithë  jetën politike shqiptare gjatë vitit 2015.

Të paktën mos ketë viktima!

Wednesday 4 March 2015

Kryeministri Rama duhet të dorëhiqet

Edhe pse me gjasa e sajuar nga Doshi, ngjarja e bërë publike këto ditët e fundit vërtet duhet “të tundë themelet e maxhorancës”. Në lëmshin e sajuar nga Toma janë përfshirë të gjithë përfaqësuesit më të lartë të shtetit duke përjashtuar këtu Presidentin Nishani.
Veprimi energjik i Ramës, i sugjeruar edhe nga analistët Baze dhe Nano, për të vepruar si Kryeministër ndaj Doshit, i hapi petët një lakrori me lakra të prishura.
Eshtë tani e provuar nga të gjithë palët, që në gushtin e kaluar, deputeti i PS-së i ka treguar Kryeministrit për një komplot vrasjeje ndaj tij nga njerëz me pushtet ose jo, me prova të sigurta, që përfshijnë dëshminë e filmuar të njeriut , që mori porosinë si dhe gatishmërinë e tij për të dëshmuar.
Po ç’bën kryeministri?
Në vend të njoftojë menjëherë Prokurorin e Përgjithshëm, Ministrin e tij të Brendshëm dhe Shefin e Shërbimit Informativ, i sugjeron deputetit “viktimë“ ta kanalizojë tregimin e tij tek Ministri i Brendshëm. Deputeti e bën dy herë këtë gjë, por kundërshton të bëjë kallzim duke këmbëngulur, që çështja mund të pengohet nga Prokurori I Përgjithshëm, sepse një Prokuror me rëndësi është në grupin e komplotistëve!
Sipa Ministrit të Brendshëm, policia kryeu disa hetime, përfshi këtu edhe pyetjen e disa prej të përmendurve, por nuk gjeti prova të mjaftueshme, për të mbështetur dëshminë e superdëshmitarit!
C’farë shtet është ky?
Edhe në rast se përfaqësuesit e shtetit do ishin të bindur, që deputeti Doshi është delirant, apo e ka sajuar të gjithë historinë për qëllime të caktuara, minimumi, që duhet të bëjë është të marrë dëshmi me shkrim nga superdëshmitari.
Përse lihet me muaj të tërë, pa i shkuar në fund një akuze kaq të rëndë?
Për ta përdorur ndaj Prokurorit të Përgjithshëm, të cilin nuk e duan?
Për të hequr qafe Tomën?
Për të patur gjithnjë në duar mjete shantazhi?
Ky kryeministër mafioz, që sillet hapur si i tillë, së bashku me ministrin e tij të brendshëm po aq mafioz duhet të japë dorëheqjen!
Sigurisht kjo është një fjalë goje, sepse jo vetëm , që ai nuk ka për ta bërë, por brenda Partisë së tij nuk ka kush t’ja kërkojë.
Nuk është fjala për të shkuar në zgjedhje të reja, të cilat nuk sjellin asnjë të mirë, por për një hap të domosdoshëm moralo-ligjor, që duhet të ndodhë në një shtet demokratik.

(Po këtë të shkretë shtet nuk e kemi!)

Tuesday 3 March 2015

Shtojcë për “Rama për Toma”

“Rama për Toma” është bërë më shumë tani një lloj “Rama për Meta për Toma”.
Me shtimin e komentuesve, deklaruesve, gazetarëve investigativeë, analizuesve lëmshi ngatërrohet dhe e vetmja e mirë, që del nga kjo, është se sa i qartë del kalbëzimi dhe mungesa e strukturës të shtyllave të pushtetit në Shqipëri.
Le të marrim variantin e përcjellë sot në darkë nga gazetat pranë maxhorancës, që aludojnë, se Toma e ka sajuar vetë gjithë këtë histori. Me pak fjalë, për të arritur qëllime të caktuara për përfitime të tij ekonomike apo politike, Tom Doshi ka rekrutuar për një shumë parash një njeri, që dëshmon se ka marrë një porosi për të vrarë me shpërthim të telekomanduar Tomën dhe një deputet të quajtur Mëhill Fufi. Toma dëshmon 6 muaj më parë për këtë në Kryeministri Rama, në Kryetari i Kuvendit Meta dhe në ministry i brendshëm Tahiri. Tek ky i fundit shkon edhe dëshmitari.
Po ç’bëjnë këta?
Sipas Metës, ai ka rregjistruar bisedën ku Toma akuzon si porositës të atentatit kunatin e Sali Berishës.
Se ç’farë ka bërë më tej, Kryetari i Kuvendit nuk thotë më.
Kryeministri Rama nuk ka thënë asgjë nëse ishte vënë në dijeni për këtë gjë nga Toma, por as nuk e mohon.
Ministri i Brendshëm refuzon të komentojë.
Kryeprokurori zgjedh të mos bëjë asnjë deklaratë.
C’farë shteti është ky?
Kreu i Pushtetit ligjvënës, Kryeministri, Ministri i Brendshëm sillen si njerëzit më të papërgjegjshëm në rastin më të mirë.
Le të supozojmë, se duke e njohur Tomën, ata kanë nuhatur se e gjitha ka qënë një sajesë ala-Tomë, që nuk duhet marrë seriozisht. Po nëse ishte e tillë, përse nuk bënin minimumin, të urdhëronin hetim të plotë dhe të demaskonin apo të fusnin në burg për dëshmi të rreme dëshmitarin e Tomës? E mbanin këtë ngjarje dhe videon e lidhur me të sin jë lloj A-si në dorë për betejat politike?
Por ky vetëm shtet nuk mund të quhet!
Paçavuret pranë tyre, por dhe ato kundër tyre nuk i vënë para përgjegjësisë për atë që nuk kanë bërë, por ose I rëndojnë zhurrmës së porositësit të pushtetshëm ose diskretitimit të Tomës.
Toma edhe sikur të jetë përgjegjës për sajimin e gjithë kësaj historie është shumë më pak fajtor se njerëzit me pushtet, që kanë vepruar si mafiozë gjatë këtyre 6 muajve.


I lodhuri

Ai hoqi çizmet më parë,
Si për të lehtësuar vitet
Që këmbëve i ishin pështjellë
Dhe ndërsa rritej pellgu me ujë
I dëborës që shkrinte
Atë të djelë,
Pa meshë,
                Përshpirtje,
                                Të afërm,
Në tryezën më tej u ul.
Flokët e bardha pa lyrë
Dilnin jashtë kapeles të lerosur
Si për të dëshmuar
Të pastrën jetë të tij
Në një botë të ndyrë,
Ku ësht vështirë vitet të shtysh
Pa u zhyer në zhul.
Pastaj këmbët mbi karrige mbështeti,
U rrek diçka të lexojë,
Me vështrimin e lodhur pas syzeve
Vite më parë blerë,
Kokën përkuli
Dhe fjeti.
Pata frikë ta prekja,
Mos ndjeja shtangien e ftohtë,
Që gjumi nuk e sjell.
U ngrita
Dhe ndala pështjelljen
E turrës së mendimeve të mia të kota
Në këtë të dielë
Të vjetër sa bota,
Në një kafe plot të panjohur
Para syve të mbyllur

Të një plaku nga jeta lodhur.

Rama për Toma

Me kalimin e ditëve, “çështja Toma” bëhet gjithnjë dhe më e koklavitur. Nuk kuptohet më se ishte Rama, që vihej në shantazh nga Toma, apo Toma, që do vritej me miratim edhe të Ramës dhe të Berishës, nga Agim Rama dhe për këtë kërkonte mbrojtje nga Meta, i cili jar rrëfeu Baba Takut. Diku në kuinta, por në role episodike është edhe Dritan Prifti, të cilit Rama, në shtëpinë e Tomës, i është drejtuar në anglisht “Please do it!” para 21 janarit 1911, kur nga Rama e Toma u përgatit demostrata për të rrëzuar Berishën dhe gjatë të cilës , ky i fundit dha urdhër të qëllohej dhe u vranë 4 shqiptarë.
Askush nuk arrin të kuptojë në këtë gjurulldi emrash , parash, akuzash e kundërakuzash, se përse duhej të vritej Toma. Ka të ngjarë , që diush t’ja ketë shtënë në vesh, se ai ka rritur para 6 muajsh masat e sigurisë për veten e tij, por atentatet ndaj biznesmenëve të lidhur me krimin(si puna e Tomës) nuk janë ndonjë gjë e re për Shqipërinë.
Deri disa ditë më parë, të tjerë njerëz të PS-së(si Kokëdhima, Fidel Ylli e ndonjë tjetër) kërkonin , që Toma ta fashiste luftën ndaj Ramës dhe brenda PS-së të kishte paqe, gjë që nuk ndodhi.
Po ç’ndodhi në të vërtetë dhe cilët janë kriminelët në gjithë emrat e sipërpërmendur?
Rama, Toma, Agim Rama, Ilir Meta, Sala, Baba Taku apo Dritan Prifti?
Përgjigj më r thjeshtë është t’i fusësh të gjithë në një thes dhe të thuash me plot gojë “të gjithë janë kriminelë“. Por dhe kjo do ishte një futja “Rama për Toma” dhe , që do përfshinte mbase kot edhe kunatin e Sali Berishës, Agim Ramën.
E vërteta është, që juridikisht duhet përdorur termi “të pandehur si kriminelë“, sepse asnjë prej tyre nuk është dënuar, që të marrë zyrtarisht damkën e kriminelit. Deri në dyert e gjyqit ka shkuar vetëm Ilir Meta dhe në polici për një natë Berisha.
Për mos dalë nga “çështj aToma” duhet të vrasim pak mendjen se kujt i intereson vrasja e Tomës dhe për më tepër të japë një shumë kaq të majme prej 500 mijë eurosh për kokën e tij.
Berishës?
Ky i ka qejf gjurullditë, por nuk besoj se do vinte në lëvizje makinën e tij vrasëse për Tomën.
Baba Takut?
Eshtë ndoshta më pak krimineli se të tjerët, por nuk është pa gjë, se e mjaftueshme është deklarata e djeshme për ta marrë para drejtësisë.
Dritan Priftit?
Ortaku i Tomës nuk është i akuzuar dhe nuk ka rsye për ta bërë, por është njeri i zi dhe i përlyer, që mund të bëjë çdo poshtërsi.
Ilir Meta?
Doshta politikani më me përvojë nga të gjithë shqiptarët për manovrime dhe lidhje me botën e krimit. E megjithatë nuk duket i qartë një motiv për vrasjen e Tomës.
Rama?
Kryeministri mund të dojë mos e ketë më ‘havale” Tomën, por nuk është aq trim, për tu implikuar në vrasje me njerëz, që kanë pas fise dhe të tjerë pasues, që mund t hakmerren një ditë. Do të ketë mbrojtje nga njerëzit e bandave, por deri aty sa të mos “hyjë në gjak” me ta.
Atëhere kush donte të vriste Tomën?
Ndoshta nga pak të gjithë. Përfshi këtu edhe vetë Tomën.



Monday 2 March 2015

Ambasada Amerikane dhe Mediat shqiptare

Ambasada Amerikane i fund hundët më shumë se duhet në jetën e shoqërisë shqiptare, për mendimin tim, jo se është një praktikë zyrtare e departamentit të Shtetit të japë deklarata për gjithshka, që ndodh në vendet në zhvillim, por se “peqelepizmi” i politikanëve shqiptarë, drejtuesve të Medias, gazetarëve të njohur apo dhe drejtuesve të OJQ-ve është aq i përhershëm , sa kryediplomatët amerikanë fillojnë të mendojnë se janë ata, që thuajse e qeverisin vendin. Ambasdori i posalarguar ishte më tipiku prej tyre. Dilte vend e pavend në media me deklarata ndaj çështjeve, që nuk i takojnë të paktën në publik të prononcohet përfaqësuesi i një vendi të huaj. Diplomatët europianë janë më të kujdesshëm edhe pse BE-ja mund të ndikojë më shumë në politikën shqiptare se SHBA.
Politikanëve shqiptarë ju pëlqen të mburren, se gëzojnë mbështetjen e Amerikës edhe pse nuk duket se kanë arritur ndonjë gjë të madhe në dy dekadat e fundit nga mbështetja e Fuqisë më të Madhe. Mediat ju mbajnë ison dhe populli, i mësuar me “ujin kristal, që rrjedh nga lart” mbledh supet dhe lavdëron ose shan Amerikën.
Një episod i sotshëm, tregon se sa qesharake bëhen gazetat pro-Ramës në komentin “Ambasada Amerikane përshendet Ramën për përjashtimin e Tom Doshit nga PS-ja”.
Ambasada Amerikane vërtet kishte bërë një deklaratë të tillë, por “përshëndetja” ishte qortimi i hapur, që PS-ja mbante deri tani si deputet të saj një individ të inkriminuar si Tom Doshi. Emri i tij, si njeri i përzjerë në trafiqe të jashtëligjshme figuronte në kallbogramet, që ambasadori amerikan Withers i dërgonte Departamentit të Shtetit dhe të publikuara nga Wikileaks. (Krahas tij figuronin emrat e Ilir Metës, Gramoz Rucit, Lefter Kokës, Sokol Olldashit etj.)
Sigurisht, që Rama dhe gjithë botuesit e “Tema”, “Shqiptarja”, “Dita” e të tjerë dinë si ta lexojnë deklaratën e Ambasadës, por ju pëlqen ta “përkthejnë“ për lexuesin si mbështetje anti-Tom Dosh.
Në rradhët e PS-së tani është një vagabond më pak, i përjashtuar jo se është i tillë, por se nuk zbaton rregullat e lojës. Amerikanët ju kujtojnë Partive në Shqipëri , që jo vetëm duhet të përjashtojnë vagabondët e tjerë, por më kryesorja, të ndryshojnë rregullat e lojës.