Friday 29 June 2018

Qershor me shi të pandërprerë


Botërori edhe pse filloi në mes të qershorit e dominoi tërësisht muajin në të cilin prisnim të hapnim negociatat me Europën e Bashkuar.
Europa e Bashkuar nuk duket aspak e bashkuar për të marë vendime për ne dhe emigrantët.
Emigrantët po kalojnë kohë të vështira këtë qershor, në tokë dhe në det jo vetëm për faj të Salvinit, por sidomos të Presidentit Trump.
Presidenti Trump i cili pasi u kthye nga takimi me Kim Xhong-un  duket se është lideri botëror më i fuqishëm se kurrë dhe tani mund t’ja hedhë edhe organizatorit të Botërorit Vladimir Putin.
Vladimir Putin fitoi zgjedhjet me manipulime edhe pse mund t’i fitonte edhe pa i manipuluar , por duket se pushteti nuk i shijon pa ndjerë se mund të manipulojë zgjedhjet kudo, bile edhe në Amerikë, Gjermani dhe Francë.
Në Francë ishte avokati im edhe pse është tifoz i Brazilit.
Brazilit në këtë Botëror nuk i mungojnë lojtarët, por i mungon shpirti sulmues.
Shpirti sulmues i Erion Veliajt po bind aktorët se jo vetëm duhet prishur Teatri, por edhe se janë të domosdoshme Kullat.
Kulla më e përfulor në Shqipëri ka qënë Kulla Vrojtuese në Korçë edhe ajo e filluar në qershorin e katër viteve më parë, kur njerëzit ishin me mendje në Botërori.
Botërori i këtij viti ka pasur deri tani dy kulme, shqiponjat e Xhakës dhe Shaqirit dhe eliminimin e Gjermanisë.
Gjermanisë, sipas një mikut tim, po i shkon futbolli teposhtë se në ekip ka futur zezakë dhe turq.
Turqit janë të ndarë për gjysëm pro dhe kundër Erdoganit.
Erdoganin e do Rama dhe treçereku i shqiptarëve, si dhe 90% e shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë.
Maqedonia, sipas marëveshjes me Greqinë, do quhet tani Maqedonia e Veriut dhe nuk do ketë një Maqedoni të Jugut, për deri sa nuk kanë shpallur ndonjë Republikë Autonome shulet e Prespës.
Prespa është Liqeni ku ndahen kufijtë e tre shteteve fqinjë të dashur me njëri tjetrin, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Greqia.
Greqia po del nga kriza se për herë të parë pas kaq vitesh lidhi kravatën Cipras.
Cipras pa kravatë nuk e ka ftuar kurrë Ramën me atlete në Greqi dhe as ka vizituar Tiranën.
Tirana këtë qershor është mbytyr në shi dhe më keq e ka pësuar Biblioteka Kombëtare, pasi Sheshi Skënderbej mori si hapësirë publike çmim ndërkombëtar.
Cmim ndërkombëtar pritet të marë edhe Pazari i Korçës, pikërisht sepse përmbytet, se edhe në Korçë ka nisur të bjerë shumë shi.
Shiu i shumtë rrezikon të mbushë tej e mbanë kanalet dhe kjo mund të sjellë, që përsëri të nxjerrë kokën e tij të shtrembër Miu i Gjirizave.

Thursday 28 June 2018

Ku janë aktorët e shkëlqyer të Korçës?


Debati për godinën e Teatrit Kombëtar dhe një listë me firmëtarë më sjell edhe një herë në mendje aktorët dhe regjizorët shkëlqyer, që lindën dhe u rritën në kalldrëmet e qytetit tonë. Disa e kishin në gjak talentin e aktrimit, por për kushtet e kohës dhe moshën nuk mund të shkolloheshin. E mësuan në skenë artin e interpretimt skenik dhe në fushën e xhirrimeve atë të kinematografisë. Të tillë ishin Pandi Raidhi, Thimi Filipi, Vangjel Grabocka, Dhimitër Trajçeja, Dhorkë Orgocka e deri në Stavri Shkurti dhe Aleko Prodani. Patën talent dhe fat në jetë se mësuan nga regjisorët e mirënjohur korçarë Sokrat Mio, Piro Mani dhe Mihal Luarasi. Ka pasë qënë një periudhë e teatrit të Korçës, kur  shfaqjet ishin mëse dinjitoze dhe konkurimi me Teatrin Kombëtar (asokohe Teatri Popullor) ishte i barabartë. Mbi të gjitha në atë kohë Korça kishte në teatrin e saj Vangjush Furxhiun, një nga më të mirët e të gjithë kohërave në Shqipëri. Ndonëse nuk flitet sa duhet për të, Vangjushi është i krahasueshëm vetëm me Kadri Roshin, Sandër Prosin dhe Naim Frashërin. Të gjithë tashmë të mbetur vetëm në kujtesën tonë dhe në arkivat e filmit dhe televizionit. Pranë talentit të Vangjush Furrxhiut ishin edhe Llazi Sërboja dhe Nella Borova. Edhe këta të larguar para kohe nga jeta.
Asnjë qytet nuk ka nxjerrë kaq talente të skenës sa Korça.
Disa prej tyre i kam njohur nga afër dhe i kam admiruar për aftësitë interpretuese, por edhe si njerëz. Ishin yjet e “Hollivudit” tonë dhe i ndiqnim pas në gjithshka. Ndoshta edhe pse një pjesë e mirë e fëmijëve dhe të rinjve ëndërrojnë të luajnë në skenë dhe në filma. Disa i kam pasur regjisorë në angazhimet e mija skenike si fëmijë dhe i ri amator.
Raqi Cili, aktor me gjithë cilësitë e një artisti të prirur për role pozitive, më pat mësuar si të recitoja duke i mëshuar llogjikës dhe diksionit.
Jani Riza, i vrulllshëm, miqësor dhe plot humor na pat mësuar se si të familjarizoheshin me skenën dhe si flisnim pa u çjerrë, por të dëgjoheshim deri në rradhën e fundit të ballkonit.
Pero Gjezi, që vinte theksin në interpretimi i brendshëm dhe në loja  mimikës dhe lëvizjeve të kursyera.
Llazi Sërboja i shkëlqyer në pantomimë.
Nella Borova, që dinte të të fuste brenda “lëkurës” të rolit, që do interpretoje.
Ishte krijuar një traditë e bukur, me shfaqje cilësore dhe interpretime të goditura, që u dobësua pas goditjeve të vitit 1973.
Gradualisht, aktorët e shkëlqyer filluan të ishin gjithnjë e më të pakët.
Nuk mundën apo nuk arritën të linin mjeshtërinë e tyre tek të rinjtë?
Do ketë në të ardhmen kohë të tjera të arta të skenës korçare?

Tuesday 26 June 2018

Kalendari i ri Edramian


Vërtet negociatat do hapen pas një viti, por kjo s’ka pse të na dëshpërojë ndaj si dëshmi për hapjen e një Epoke të Re, gjithë gëzim, rilindasit po përgatiten për ta pritur me stil dhe madhështi. Krejt sikundër është në natyrën e tyre. Dhe sigurisht Epoka e Re kërkon edhe një emërtim të ri të muajve, që të përputhen me cilësitë e saj dhe të Kryerilindasit tonë. Diçka e ngjashme me Kalendarin e Revolucionit Francez, të cilin Rama duhet ta ketë studiuar mirë, në kohën që habiste Parisin me njohuritë e tij filozofike dhe historike. (Citim i marë nga intervista e Ornela Vorpsit).
Debatet kanë të bëjnë nëse në emërtimin e 12 muajve duhet lënë pak vend edhe për ato ç’ka bëjnë dishepujt e Edvinit. E megjithatë ky është një projekt në zhvillim e sipër dhe fjalën e fundit e ka si gjithnjë ai, Lideri i pazëvendësueshëm i PS-së dhe mbarë Shqipërisë.
Qershori është një nga muajt më të rëndësishëm të Ramës. Në qershor ai erdhi në fuqi, pasi kishte qarë në dy-tre qershorë të tjerë.  Në qershor do hapen edhe negociatat.  Mëdyshjet janë mes emrave “Nisori” dhe “Negociori”. Balanca rëndon nga i dyti për të lënë përfundimisht si muajin e parë të vitit, atë që deri më sot e quajmë korrik.
Do quhet “Gjatori”, jo vetëm se është me 31 ditë dhe ka numurin më të madh të ditëve më të gjata të vitit, por ç’është më e rëndësishmja është edhe muaji kur ka lindur Udhëheqësi i Rilindjes dhe i Shqipërisë, Edi Rama.
Muaji pasardhës, ai i pushimeve të plota të administratës rilindase, do quhet “Detori”. Kjo jo vetëm se të gjithë i drejtohen detit, por edhe për t’ju kujtuar fqinjëve , që i qëndrojmë marëveshjes së detit në këtë vit kaq të rëndësishëm për pranimin e ardhshëm në Europë. Propozimi për emërtimin “Cullaksi” u kundërshtua me forcë nga Rilindasi Cuçi, për shkak të disa ngjarjeve cullakse të së kaluarës së Kryerilindasit.
Ngjyrori” është zgjedhur si emri më i përshtatshëm për të zëvendësuar shtatorin. Administrata rilindase kthehet plot “ngjyrë“ nga plazhet dhe në atë muaj edhe qeveria pritet të ndrojë ngjyrat. Për më tepër, shtatori përkon edhe me shpërthimin artistiko-ngjyror të Ramës dhe ekspozitat e tij në kryeqytetet e botës.
Rilindasi veteran Ruçi po këmbëngul, që emri zëvendësues i tetorit t’i lihet atij vetë dhe ka propozuar emrat “Kumandari” dhe “Vullnetori”, që lidhen sipas tij me ADN-në e PS-së, por ka mundësi, që të gjendet një kompromis dhe muaji të quhet “Komandori”.
Për të përgatitur shpirtërisht popullsinë për dekadat, që do vijnë, muaji nëntor do quhet“Përmbytori”. Gjithashtu do punohet që të mos ketë përmbytje gjatë muajve të tjerë të vitit.
Për dhjetorin debate ende vazhdon, se dy grupet e Rilindasve këmbëngulin për variantin e tyre. Grupi i grave i kryesuar nga Spiropali kërkon, që të quhet “Tatimori”, por më i mundshëm është të zyrtarizohet emri i përzgjedhur nga Rilindasit Peleshi dhe Ahmetaj, që kërkojnë një ngjyrim më festiv të muajit ndaj edhe propozojnë të quhet “Gjeldetori”.
Janari do të zëvendësohet me emrin “Peshkori” ose “Peshkari” dhe për zanoren e dytë duhet të vendosin gjuhëtarët. Ishte pikërisht janari i përcaktuar nga Rilindasit si muaji kur do bëhej kërdia në “peshqit e mëdhenj”.
Në muajin shkurt, Rilindasi me nr 2 arriti rekordin e mbjelljes së pemëve. Erion Veliaj, shpreson që në fund të mandatit të tij të tretë, Tirana të jetë e mbuluar nga pyjet. Spjegimi i tij ka qënë i thjeshtë: “Nuk mund të ketë derra pa pyll”. Ndaj edhe muaji i dytë i vitit do quhet “Mbjellori
Në mars fillon kultivimi i bimës më të rëndësishme të Rilindasve, të quajtur kanabis ose marihuana. Bima e bekuar, të cilën Rilindasi i përjashtuar Kokëdhima donte ta legalizonte, ndërsa Rilindasi i proceduar Tahiri donte të mos e legalizonte se i ulej vlera, do përcaktojë emërtimin e muaji me emrin e ri “Bimori”. Emër paqësor dhe qetësues, që nuk të kujton më perëndinë e luftës, Mars.
Prilli shënon dhe do shënojë hapjen e fushatave zgjedhore ndaj dhe është përzgjedhur emri “Premtori”. Dita e parë e muajit nuk do quhet më Dita e Gënjeshtrave, por ajo e Premtimeve.
“Lulori” ka qënë emri i propozuar nga Edi Rama për muajin e majit, por kanë qarkulluar shumë kundërshtime të nënzëshme nga një numur rekord Rilindasish trima, që pëshpërisin se opozitës po i lihet muaji më i bukur i vitit. Por ky emërtim ka mbështetjen e ambasadorëve në Tiranë dhe të grupit të CDU-së në Bundestag.
Dhe më pas vjen i shumëprituri…, i fundit i vitit, i lavdishmi”Negociori”.
Më tej, me kalendarin Edramian të gjithë rrojnë të lumtur.

U shkruajt më 26 Negocior të vitit të fundit sipas kalendarit Gregorian.

Monday 25 June 2018

Në cilin vit jemi?


Më hiq grillat me të cilat ke ndarë kohën
Duke errësuar dhimbjen në të,
Unë jam në çastin, që fluturon
Dhe askush nuk e fut dot në kafazin me tela vitesh,
Ndjej të magjishmin zë,
Që në gji më fton,
Ndërsa ti,
Dashuria ime rritesh.
Nuk kam zbritur ende në vertebrën e tretë,
Atje ku më tepër ndjen fërgëllimin,
As tej të dytës nuk kam shkuar,
Aq pranë lapëzës ndjesore,
Prej ku marrëzisht të dashuruar,
Në të përjetshmen hapësirën tonë,
Marrim fluturimin.
Më prek,
Pa u trembur nga zhbërja,
Gjithshka tonën e kemi,
M’i prek rrudhat rreth syve,
Por mos më pyet
“Në cilin vit jemi?”

Sunday 24 June 2018

“Nalt Madhnia” Zogu I - Mbreti i Shqiptarëve - (fund)

(vijim)

Kthimi i Zogut me përkrahjen financiare të Pashiçit dhe me trupat e tij dhe një batalion rusësh të bardhë shënon fundin e demokracisë të brishtë shqiptare. Largimi për në Itali i kundërshtarëve politikë, dënimi i tyre në mungesë me dënime të rënda dhe futja në burg e atyre, që nuk u larguan, solli antagonizmin e tij të plotë me pjesët e shoqërisë shqiptare, që kishte mbështetur rebelimin e qershorit. Ai tashmë ishte një udhëheqës autokratik që për të mos rrezikuar pushtetin e tij personal organizoi edhe vrasjet e Luigj Gurakuqit dhe Bajram Currit, me të cilët kishte bashkëpunuar më parë në përpjekjet për të bërë Shqipëri.
Periudha midis dy luftrave botërore në gjithë Europën ka qënë një periudhë e vështirë për demokracitë perëndimore. Në Itali, në fund të vitit 1922, Musolini kishte ardhur në fuqi me një “grusht shteti paqësor”, në Spanjë më 1923 ishte vendosur pas një grushti shteti Diktatura e Primo de Riveras, Republika e Vaimarit në Gjermani po kalonte kohë të vështira, në Jugosllavi Nikola Pashiç qeveriste me dorë të fortë dhe në favor të sërbëve ndaj etnive të tjera, në Greqi përveç luftës  me turqit në Azinë e Vogël, kishte një përplasje të fortë mes ruajalistëve dhe përkrahësve të Venizellos, ndërsa në Turqi, Ataturku po luftonte të stabilizonte Republikën “ushtarake” turke. Vetëm në Republikën Franceze kishte një demokraci më funksionale, por edhe atje Presidenti Mileran (Alexandre Millerand) i kishte shpëtuar për një fije atentatit, ndërsa atentate kishte patur ndaj Musolinit, Venizellosit, Ataturkut dhe politikanëve të tjerë europianë.
Në funt të vitit 1923, Hitleri u mundua me grusht shteti të merrte pushtetin në Bavari dhe dështoi, më 1924 fashistët italianë vranë deputetin socialist Matteoti, më 1929, Mbreti Aleksandër i Jugosllavisë vendosi Diktaturën ndërsa më 1935, përkrahësit e Venizellosit u munduan të kryenin një grusht shteti.
Në këtë panoramë të përgjithshme, asnjë fuqi e huaj nuk mund të shihte shtrembër qeverisjen me “dorë të fortë“ të Ahmet Zogut. Edhe Shtetet e Bashkuara, që fillimisht mbështetën Nolin, pas njohjes nga ana e tij e Bashkimit Sovjetik, u detyruan të mbyllnin një sy ndaj politikanit ambicioz matjan, të cilin nuk e kishin pasur me sy të mirë.
Më 1925, për të mënjanuar Këshillin e Regjencës, Zogu shpalli Republikën Shqiptare dhe u zgjodh President. 3 vjet më vonë, pa pasur asnjë lidhje me të qënit prej gjaku mbretëror, në një vend ku nuk kishte aristokraci, por veç familje me tituj “bej”, të dhëna nga Perandoria Otomane, tituj që rinovoheshin ose jo çdo vit, në varësi të shërbimeve, që i bëheshin Turqisë.
Të qënit monark e vendoste Zogun në një pushtet të përjetshëm edhe pse monarkitë europiane nuk e njohën ndonjëherë si dikë me gjak mbretëror. Tashmë në mënyrë të ligjshme, Zogu mund të përfitonte nga buxheti i shtetit shqiptar. Dhe në një kohë të shkurtër mbreti dhe familja e tij, si dhe oborrtarët u pasuruan së tepërmi. Një burim tjetër të ardhurash ishin ryshfetet e mëdha, që Zogu merrte nga të huajt , të cilëve ju jepte koncensione për të shfrytëzuar burimet nu atyrore të vendit. Një pjesë e mirë e tyre ishin kompani italiane, vend ndaj të cilit Zogu filloi të ndjekë një politikë gati të “dyerve të hapura”, e cila e bëri më të lehtë pushtimin Italian të vitit 1939.
Ai pati meritën e vendosjes së rendit në Shqipëri nëpërmes çarmatosjes së popullsisë, proçes ky i realizuar para se të bëhej mbret. Në një vend të përçarë, ku ekzistonte hakmarrja dhe bandat e cubave dhe hajdutëve bënin kërdinë, vendosja e rendit në një kohë të shkurtër ishte një realizim i jashtëzakonshëm. Gjithashtu futja e një legjislacioni europiano-perëndimor në drejtësi dhe në fushat e tjera të jetës u bënë bazë për një modernizim të mundshëm të shtetit shqiptar.
Për shkak të politikës së koncensioneve, Zogu nuk ndihmoi në industrializimin e vendit.
Por dëmi më i madh që i solli vendit dhe shoqërisë shqiptare ishte goditja , që i dha elitës intelektuale dhe politike, si dhe jetës demokratike të vendit. Duke përdorur një thënie të Kerenskit “Pa Rasputinin nuk do kishim Leninin”, mund të thuhet me bindje se “ pa Ahmet Zogun nuk do kishim Enver Hoxhën”.
Zogu e la vendin pa parti politike dhe pa një pjesë të mirë të elitës së saj, shumë prej të cilëve u kthyen në atdhe pas pushtimit të Italisë dhe ose u vunë në shërbim të saj ose nuk u morrën më me politikë. Kjo bëri, që komunistëtë të krijonin partinë e parë politike, të organizoheshin dhe të merrnin frenat e lëvizjes patriote antifashiste, të cilën në fund e kthyen në lëvizje për të marrë pushtetin.
Për shkak të aleancave me Duçen, Zogu nuk u mbështet nga Fuqitë e mëdha në momentet e pushtimit më 1939, por edhe gjatë dhe pas luftës, për ta rikthyer në pushtet.
Historia e tij politike u mbylll më 7 prill, ndërsa vazhdoi një jetë mbretërore në mërgim, me paratë e fituara gjatë drejtimit të Shqipërisë.
Si përfundim mund të thuhet se ai i dha shumë atdheut, por mori jo pak prej tij. Ende sot, trashëgimtarët e tij vazhdojnë të kenë pronat të vëna në mënyrë të ligjshme, por pak si tepër të dyshimtë.
Zogu ishte politikani më i suksesshëm shqiptar i shekullit të XX-të, që fitoi pushtetin nëpërmjet votave, por që e mbajti me anën e një gjysëm monarkie dhe gjysëm diktature.
Eshtë e vështirë të vesh në balancë të mirat, që i solli vendit me të këqijat.
Ai nuk ishte një politikan i dimensioneve të Musolinit, Venizellosit apo Pashiçit, por edhe pse me një formim të cungët arsimor dhe kulturor diti të konsolidojë dhe ruajë kufijtë e shtetit shqiptar.
Edhe pse nuk mund ta quaj Naltmadhëni, duhet të pranoj se ishte prijësi i mirë i  shqiptarëve për 20 vjet me rradhë.

Saturday 23 June 2018

“Nalt Madhnia” Zogu I - Mbreti i Shqiptarëve (3)

(vijim)

Dy vitet e para pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, që përkojnë me Konferencën e Paqes në Paris, kanë qënë vitet më delikate në historinë e formimit të shtetit shqiptar dhe konsolidimit të Mëvetësisë të tij brenda kufijve, që njohim edhe sot. Fuqitë e huaja si Italia dhe Franca kishin ende ushtritë e tyre në territorin shqiptar dhe po kështu edhe grekët  sërbët në pjesë të veçanta të vendit. Si vend i paformuar mirë dhe neutral gjatë Luftës së Parë, Shqipëria jo vetëm nuk ishte në tryezën e fitimtarëve, por rrezikonte të humbiste troje favor të aleatëve të Antantës, Italisë, Sërbisë dhe Greqisë, sipas Traktatit të Fshehtë të Londrës të vitit 1915. Qeveria e dalë nga Kongresi i Durrësit i vitit 1918, kongres i organizuar nga italianët, me kreun e saj Turhan Pashën po bënin një përfaqësim tepër të zbehtë të shqiptarëve në Paris, si në bisedime zyrtare dhe në takime private. Në të njëjtën kohë, Esad Pasha rivalizonte me delegazionin e Durrësit duke u paraqitur si Udhëheqësi i vendit dhe përfaqësuesi i tij i vetëm. Vetëm qëndrimi i presidentit Wilson shpëtoi Pavarësinë e Shqipërisë. Eshtë domethënës për qëndrimin e Fuqive të Mëdha shprehja e kryeministrit anglez Lloyd George drejtuar presidetit Wilson:“ Vërtet nuk e di se ç’mund të bëjnë ata(shqiptarët) me Pavarësinë, veç të çajnë barqet me njëri tjetrin!”
Gjatë kësaj periudhe, Zogu qëndroi në krahun e patriotëve më të vendosur, që kërkonin një Shqipëri të plotë, që të përfshinte edhe Kosovën. Ishte në organizatorët kryesorë të Kongresit të Lushnjës të janarit 1920, i cili i kundërvihej Qeverisë së Durrësit e cila ishte nën ndikimin italian dhe e mbrojtur nga trupat italiane, që kontrollonin pjesën më të madhe të Shqipërisë së sotme. Zogu u zgjodh ministër i brendshëm në qeverinë e Sulejman Delvinës dhe ishte i vetmi, që me trupat e tij shkoi në Tiranë, për të kryer funksionet e ministrit, në qytezën e vogël, që posa ishte shpallur kryeqytet nga kongresi.
Në fund të vitit 1920, Konferenca e Parisit njohu pavarësinë e shtetit shqiptar brenda kufijve të vitit 1913, që shënon Pavarësinë e vërtetë dhe pikënisjen e shtetit shqiptar.
Ahmet Zogu ishte tashmë një në tre - katër politkanët më të fuqishëm dhe më karizmatikë shqiptarë. Si do e cilësonte Ekrem Vlora “Një bej i ri, jo shumë i pasur, por padyshim më shpresëdhënësi në krahun politik konservator”.
Si ndodh në të gjitha demokracitë e reja, përplasja e liberalëve me konservatorët në Shqipëri ishte thuajse një betejë për jetë a vdekje, që i tejkalonte debatet e ashpra parlamentare apo luftën në shtyp. Në të dy krahët nuk mungonin karrieristët dhe aventurierët, që jo vetëm manipulonin votimet, por nuk ndaleshin as në komplotet për të vrarë kundërshtarët politikë. Ishte një dukuri, që vërehej jo vetëm në Ballkan, por në të gjithë Europën. Zogu si ministër i brendshëm ishte padyshim në qendër të prapaskenave që bënte krahu konservator dhe në shënjestër të krahut të demokratëve. Në shkurt të vitit 1924, Valter Beqiri plagosi në Kuvend Zogun në përpjekje për ta vrarë, si ishte vendosur në një rreth të ngushtë të drejtuesve të “Bashkimit”. Shorti mes Beqirit, Avni Rustemit dhe një të treti, i kishte rënë të parit. Avni Rustemi, moshatar me Zogun, kishte përkrahje të madhe në rininë antizogiste, falë atentatit, që i kishte bërë në qershor të vitit 1920, Esad Pashës në Paris. Dy muaj më vonë, njerëzit e Ahmet Zogut, organizuan vrasjen e Rustemit në Tiranë, që shënoi kulmin e përplasjes politike të të dy krahëve. Varrimi madhështor i Avni Rustemit në Vlorë, u bë pikënisja e përmbysjes së armatosur të qeverisë legjitime të Vrionit në qershor të vitit 1924. Luigj Gurakuqi, politikani më i zoti i së majtës, pat këmbëngulur, që mos kryhej rrëzimi i qeverisë me dhunë, por Noli dhe të tjerët vendosën ta kryenin, gjë që solli largimin e Zogut në Sërbi. “Revolucioni i Qershorit” ishte grushti i shtetit i tretë, pasi patën dështuar më 1921 dhe 1922, dy të tjerë nën drejtimin respektivisht të Hasan Prishtinës dhe Bajram Currit. Në këtë pikë, Ahmet Zogu nis shndrimin e tij të plotë në një tiran, që për të siguruar pushtetin e tij mund të përdorë çdo lloj mjeti, nga aleancat me ish-armiqtë e tij dhe të Shqipërisë e deri në vrasjet e kundërshtarëve më të shquar politikë të tij.
(vijon)

Friday 22 June 2018

“Nalt Madhnia” Zogu I - Mbreti i Shqiptarëve (2)

(vijim)

Mes këtyre piketave kryesore të jetës dhe mbretërimit të Zogut në Shqipëri ka shumë beteja me armë me të huajt, prapaskena, atentate të dështuara dhe të suksesshme, diplomaci dinake dhe lëshime të pajustifikuara, ligje të natyrës europiane dhe mënyra qeverisjeje anadollake, vjedhje të hapura dhe të kamufluara të shtetit, aleanca politike të vjetra dhe të reja, përpjekje për krushqi politike dhe aventura të shumëllojta me femrat, përfolje për fëmijë illegalë dhe vetëm një trashëgimtar. Mund të thuhet se jeta e Ahmet Zogut ka qënë më e larmishmja se e të gjithë politikanëve të sukseshëm shqiptarë të shekullit të XX.
Gjithashtu ajo duhet të shihet si e pandarë nga hedhja e bazave të një administrate shqiptare, të shkëputur plotësisht nga tradita e administratës turke të fundit të shekullit të XIX dhe fillimit të shekullit të XX.
Historia e Shqipërisë prej vitit 1910 e deri në vitin 1924(që përkon edhe me formimin e Zogut si patriot dhe politikan) është e sunduar nga kaosi, rrjedhojë e logjikshme e përpjekjeve për tu shkëputur nga Turqia dhe për të krijuar një shtet shqiptar, që nuk ekzistonte më parë dhe detyrimisht nuk kishte asnjë lloj tradite. Patriotët e Rilindjes kishin bërë një punë kolosale për ngjizjen e ndërgjegjes kombëtare dhe krijimin e gjuhës së shkruar dhe shkollave shqipe. Këto kishin shpënë në kryengritje të pjesshme të shqiptarëve ndaj sundimit ottoman gjatë luftrave ballkanike, që patën një kulmim me Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë, por përsëri ishte larg Mëvetësia e Shqipërisë dhe sidomos qeverisja e saj nga shqiptarët. Në të njëjtën kohë me qeverinë e Ismail Qemalit (e quajtur e Vlorës) ekzistonte qeveria e Esad Pashë Toptanit (e quajtur e Durrësit) dhe pjesë të tjera, që ishin ose të paqeverisura nga njeri ose nën kontrollin e vendeve fqinjë.
Megjithëse nip i Esad Pashë Toptanit, Zogu diti të rrjeshtohet me forcat më progresiste shqiptare, që nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë në Vlorë. Edhe gjatë “turbullirave” të periudhës së mbretërimit të Princ Vidit, Zogu asnjëherë nuk u përfshi në intrigat e Esad Pashës, që përpiqej të rrëzonte nga brenda qeverisjen e princit gjerman. Në të kundërt, ai udhëhoqi forcat, që shkatërruan rebelimin e forcave pro-turke të Haxhi Qamilit, më vonë ato të sadistëve etj. Forcat e drejtuara prej tij ju patën bërë rezistencë të vendosur ushtrive sërbe.
Përkrahës i austro-hungarezëve, Zogu konsiderohej prej tyre si ambicioz dhe jo plotësisht i kontrollueshëm dhe pasi u ftua në krye të një delegacioni në kurorëzimin e perandorit të Austrisë në vitin 1917, u mbajt i izoluar në Vienë deri në përfundimin e e Luftës së Parë Botërore. Dy vitet e Vienës duhet të kenë qënë vitet që kanë vënë përfundimisht një “vulë“ perëndimore në matianin e ri, që deri më atë kohë njihte vetëm disa vite studimesh në një shkollë ushtarake në Stamboll. U kthye në Shqipëri 23 vjeçar me një reputacion të një patrioti guximtar dhe të panjollosur, që kishte bërë shumë për mbrojtjen e vëndit. Për ta ilustruar mjafton një citat i marrë nga një shkrim i Nolit për Ahmet Zogollin, në “Dielli” i shkurtit 1916:
“…Mati është i vetmi vend i Gegërisë, që nuk u shkel nga sërbi as në luftën ballkanike, as në luftën europiane…Kur të shkruhet plotësisht historia e këtij trimi malësor, i cili i rrethuar prej armiqësh nga të gjitha anët, qëndroi si shkabënë mallet e tij dhe nuk iu unj as sërbit, as Esatit, as u korruptua nga ryshfetet e armiqëve, bota do të këndojnë me çudi dhe admiratë një epokë heroike , që kapërcen atë të kalorësve të qëmotshëm.”

(vijon)

Thursday 21 June 2018

“Nalt Madhnia” Zogu I - Mbreti i Shqiptarëve


Në një mesditë të bukur shtatori, në varkën me vela të mikut tim Steve McAllister, ndërsa lundronim në oqeanin Atlantik, oficeri në pension i CIA-s Bob, më pyeti se çmendim kisha për Mbretin Zog. Ishte viti 1993 dhe sin jë kundërshtar i vendosur i monarkive dhe si fanolist i pakënduar unë ju përgjigja me bindje se “Zogu ishte një feudal i prapambetur, që pengoi përparimin e Shqipërisë dhe ndërpreu ëndrrën e shqiptarëve për modernizim, që kishte ngjallur peshkopi Fan Noli”. Dhashë edhe disa hollësi të tjera rreth Nolit dhe kuptova, që bashkëbiseduesi dinte më shumë se unë, por nuk e zgjati muhabetin.
Unë mbeta republikan i vendosur, por gjatë viteve mësova më shumë rreth Zogut dhe veprave të mira dhe të këqija të tij.
Shikimi i Zogut si anti-Noli, jo vetëm nga regjimi komunist, por edhe nga njerëz të tjerë të paanshëm politikisht, ka ndikuar jo vetëm tek unë, por në një shumicë të madhe shqiptarësh të qyteteve dhe zonave të Jugut. Përkrahja ndaj Zogut ka qënë kryesisht në zonat rurale të Veriut dhe fise të lidhur me monarkinë e tij, si dhe me një lloj nacionalizmi primitiv. Por duhet thënë, se në ndryshim me qytetet e tjera të Jugut, (qytete të vogla), në Korçë, pjesa më e madhe e shtresës të pasur ishte mbështetëse e Zogut. Pandeli Evangjeli, Koço Kotta, Kristo Floqi dhe të tjerë korçarë, që kishin kontribuar në pavarësinë e Shqipërisë kishin funksione të rëndësishme në shtetin shqiptar. Gjithashtu Sotir Peci dhe Mihal Gramenoja, edhe pse më të tërhequr, nuk ishin kundërshtarë të tij. Duket që shtresa e tregëtarëve kishte nevojë për stabilitet të vendit si dhe për politika ekonomiko - tregëtare të favorshme, të cilat Zogu ja u ofronte.
Pavarësisht nga përshtypja e përgjithshme për ish-Mbretin, që edhe sot mbetet një figurë rreth të cilës opinionet janë nga më të kundërtat, faktet, dokumentat dhe memuarët e bashkëkohësve dëshmojnë se Ahmet Zogu nuk ka patur ndonjë ndryshim cilësor, për mirë apo për keq nga shumica e politikanëve europianë të gjysmës së parë të shekullit të XX-të.
Ndoshta me ta duhet bërë më shumë krahasimi se sa me kundërshtarët e tij politikë si Noli, Luigj Gurakuqi, Faik Konica, Bahri Omari, Mustafa Merlika apo mbështetësit e tij Xhafer Ypi, Eqrem Vlora, Koço Kotta e të tjerë.
Gjithashtu, “a priori” duhet menduar se për nga mentaliteti, ambiciet, etja për pushtet dhe para, beu i Burgajetit nuk ka pse të ketë ndonjë ndryshim të madh nga politikanët shqiptarë të pas vitit 1990.
Por le të kalojmë nga fusha e perceptimeve dhe opinioneve në atë të fakteve kryesore rreth Ahmet Zogut.
-          Vetëm 17 vjeç Zogu mori pjesë dhe firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarisë
-          U emërua Ministër i Brendshëm për herë të parë kur ishte 25 vjeç.
-          Kryeministër i Shqipërisë në moshën 27 vjeçare.
-          Largohet nga pushteti me grusht shteti në qershor 1924(revolucioni i Qershorit)
-          Rikthehet në pushtet me mbështettësit e tij të armatosur dhe një battalion rusësh të bardhë të gjeneralit Vrangel, gjashtë muaj më vonë.
-          Konsolidon pushtetin e tij autoritar si President i Shqipërisë në vitin 1925 dhe më 1928 vetëemërohet Mbret i Shqiptarëve duke krijuar një llloj shteti mids Diktaturës dhe Monarkisë Parlamentare.
-          -Largohet nga pushteti dhe Shqipëria dy ditë para se Shqipëria të pushtohet nga Italia e Musolinit në prill të vitit 1939, kur ishte 44 vjeçar.
(vijon)

Tuesday 19 June 2018

Poezia, Arturi dhe Minjtë e gjirizave


Para dhjetë ditësh në Teatrin e Korçës është bërë promovimi i një libri me poezi të autorit Artur Balli i konceptuar si një spektakël poetiko-muzikor.
Urimet më të mira për autorin dhe ata, që janë angazhuar në të!
Ngjarje të tillla, në përmasa të mëdha apo të vogla duhen përshëndetur sepse e mbushin jetën kulturore të qytetit. Arturin e kam pasur shok fëmijërie, por për shkak se botimet e tij janë të kohës kur jetoj larg vendit nuk kam mundur t’i lexoj për të krijuar një përshtypje rreth llojit të poezisë që lëvron apo edhe për cilësinë e saj. E megjithatë, duhet të pranoj se opinioni im rreth tyre do jetë thjesht opinioni i dikujt që e pëlqen poezinë dhe aspak më tepër.
Ngasjen për shkrimin ma dhanë disa reagime të njerëzve në mediat sociale, që duke përmendur me emër ose jo autorin, aludojnë se po glorifikohen vepra mesatare (apo mediokre) të poezisë.
Po a është një mbrëmje poetike glorifikim?
Së pari autori dhe ata që kanë ndihmuar në realizimin e spektaklit duhen lavdëruar për guximin, përpjekjet, dëshirën e mirë dhe realizimin e shfaqjes. Kërkon mund. Dhe është ku e ku më mirë se dhjetra veprimtari historike apo pseudo-kulturore që mbahen anëembanë Shqipërisë. Për më tepër, kur është siguruar pjesëmarja e aktoreve me nivel mbi mesatar si Yllka Mujo dhe Ema Andrea.
Së dyti, në veprimtari të tilla njerëzit e zakonshëm afrohen pranë poezisë, që është jo vetëm një gjini mijravjeçare, por që ka një rënie të leximeve në botë dhe akoma më shumë në Shqipëri.
Së treti, duke cituar Kadarenë, letërsija ka nevojë edhe për autorë dhe vepra mesatare. Janë ata që përbëjnë bazën e letërsisë botërore dhe ku rrallë herë shfaqen shkëndijat dhe kulmet e gjenijve. Në një vit me “Luftën e Paqen” janë botuar me qindramijra libra në botë, që kanë mbushur nevojën shpirtërore të njerëzve për art. Sigurisht që shumica dërmuese kanë qënë të dobët, por është më mirë që njerëzit të lexojnë edhe letërsi “surrugato”, se sa të mbeten duke pirë kafeneve apo duke vënë baste ndeshjesh hokei në Amerikë.
Ndaj marrjes me letërsi, si gjithë jetën do ngrihen më të pashkolluarit dhe më të pakulturuarit. Zakonisht nisin me shprehjet “E mo ai është pjerdhur nga mendtë se shkruan romane!” Në një nivel tjetër janë ata disi më të shkolluar, që edhe pse lexojnë pak ose aspak thonë: “Po ç’ne ai nga doktor na doli poet!” dhe deri sa përfundon në gjasme të kulturuarit, që kujtojnë se kanë monopolin për vlerësimin e veprave të të tjerëve dhe i klasifikojnë pa hezituar si mizerabël, të dobëta apo mediokre. Këto ndodhin shpesh për fat të keq edhe në rrethet e letrarëve ose të atyre që e kanë për zanat shkrimin.
Të pakët janë ata që kanë kurajën të thonë se filan vepër e fistëk autori nuk vlen se ka këto e këto të meta, por mjaftohen duke i quajtur me përbuzje të dobëta.
Letërsia dhe veçanërisht Poezija janë edhe një çështje shijesh ndaj duhet edhe më shumë kujdes të shpallësh si të pavlerë një libër që nuk të pëlqen.
Ka edhe një dukuri tjetër në letërsinë e krijuar nga autorët e qytetit tonë gjatë shekullit të kaluar. Thuajse mungojnë tërësisht poetët mbi mesatarë. Gjatë një shekulli të tërë, mund të mos ketë pasur asnjë poezi apo poemë, e shkruajtur nga një korçar, që njihet dhe recitohet nga një numur i madh korçarësh. Njerëzit dinë përmendësh qindra vargje të rëndomta serenatash, por asnjë poezi të mirëfilltë dhe të një niveli të lartë.
Edhe vetëm për këtë arsye, duhet përgëzuar Artur Balli dhe ata, që e kanë mbështetur në veprimtarinë për të sjellë poezinë e tij pranë njerëzve.

Teatri nuk është çështje aktorësh dhe arkitektësh, por e Arta Markut


Kam përshtypjen se opozita po i konsumon në mënyrë të gabuar energjitë e saj për të rrëzuar “klikën e Ramës”. Cështja e Teatrit Kombëtar, edhe pse në dukje nevralgjike, nuk është çështja më e madhe e momentit. Ajo vërtet ngjall interes në media se përfshihen emra të njohur të skenës dhe spektakleve televizive, krahas “aktorëve” të njohur të politikës shqiptare, por është larg të qënit më e rëndësishmja e vitit. Ekonomia e dobët, çmimet dhe taksat e larta dhe korrupsioni janë ato që duhet të goditen çdo ditë edhe pse mund të krijohet përshtypja se opozita po del kundër hapjes së negociatave me Bashkimin Europian.
Por edhe nëse i bashkohet lëvizjes së aktorëve për të mos lejuar prishjen e kompleksit ekzistues të Teatrit, opozita gabon kur e quan si “lëvizje në mbështetje të artistëve”, apo “përpjekje për të ruajtur “Jeruzalemin” e aktorëve”.
Politikisht ajo duhet të godasë atë ç’ka është e qartë prej 20 vitesh : në mënyrë të hapur korruptive, Rama po përpiqet të kthejë tokën e lakmueshme publike në Qendër të Tiranës në truall privat ndërtimi.
Marrja me probleme historiko-teknike-arkitekturore vetëm se sa shpie ujë në mullirin e Ramës, që do ta paraqesë si një “përplasje” mes idesh të kundërta të modernizimit dhe të ruajtjes së kujtesës historike.
Opozita duhet të përgatisë urgjentisht një dosje të plotë dhe ta paraqesë në prokurori me të gjitha shkeljet që ka ky process i gjatë i tjetërsimit të një hapësire që ju takon gjithë qytetarëve të Tiranës dhe veçanërisht artistëve të skenës. Edhe nëse mungojnë provat e forta të korrupsionit (për të cilat duhen përgjime të bisedave të Ramës me investitorët përfitues) janë të mjafta dokumentet që mund të detyrojnë prokurorinë të pezullojë vendimet e qeverisë dhe ato të këshillit bashkiak të Tiranës.
Kjo është rrënja , shkaku dhe ‘thembra e Akilit” e këtij diskutimi të stërzgjatur.
Kompleksi ekzistues i Teatrit Kombëtar nuk është as i arkitekturës futuriste dhe as “Jeruzalemi” i artit skenik shqiptar. Një projekt me probleme të teknologjisë së ndërtimit dhe me një arkitekturë jo entusiazmuese aim und të zëvendësohet me një kompleks modern të Teatrit, të një shkolle kombëtare teatri dhe mjedisesh të tjera rekreative. Por për këtë duhet shkëputur menjëherë nga projekti famëkeq i PPP-ve dhe t’i nënshtrohet një proçedure normale konkurimi. Ndërtimi për efekte financimi mund të jetë me faza, duke nisur me objektin kryesor dhe më pas të vazhdohet me objektet e tjera ndihmëse.
Lëvizja “nostalgjike” e artistëve për ruajtjen e objektit në gjendjen , që është mund të vazhdojë në mënyrë të pavarur, si ndodh kudo në botë me ndërtimet e kësaj natyre, por opozita duhet të përqëndrohet atje ku është thelbi i kësaj afere të madhe korruptive.
Në “ skenë“ duhet thirrur Arta Marku dhe të tjerët duhet të kthehen për disa kohë në spektatorë.
Nuk kam shpresë se në fund të kësaj shfaqjeje, “personazhet negative” Edi Rama dhe Erion Veliaj do përfundojnë në pranga, por të paktën prona publike mund të shpëtohet.

Monday 18 June 2018

Shqetësimi për të thënë të vërtetat


Një brengë, e cila nuk më ndahet prej vitesh, është suksesi, që kishte arritur Diktatura në “programimin e mendjeve” tona. Nuk ishte bërë në një ditë dhe as nga një grusht njerëzish, por kishin kontribuar në të edhe njerëzit e mirë, prindrit tanë, mësuesit e përkushtuar, artistët dhe filozofët. Të gjithë ata, që duhet të ndihmonin të zhvillonim brenda vetes mendimin e lirë, që është në bazën e ekzistencës reale të njeriut dhe të zhvillimit të tij.
Diktaturat janë të tilla.
Ato arrijnë të kthejnë kokëposhtë “botën e të vërtetave” dhe të servirin si të natyrshme, ide, mendime, sjellje, të cilat kur i shikon një njeri me formim normal i duken qesharake. Një gjë e tillë na ndodh sot, kur shohim përkushtimin e thellë dhe të ndjerë të koreanëve ndaj nipit të Kim Ir Senit dhe njëkohësish bir i Kim Il Sungut.
Edhe pse nuk ka një të Vërtetë të vetme të kulluar, sepse shumë dukuri dhe ngjarje perceptohen ndryshe nga njerëz të ndryshëm. Por edhe nëse nuk ka një të Vërtetë të pastër, ka një të “Vërtetë rezultante”, që është shumatorja e të gjithë “të vërtetave individuale”.
Problemi, që pse nuk arrijmë në një “të Vërtetë rezultante“ është se jo të gjithë njerëzit thonë të vërtetën , që kanë në mendjen e tyre. Këtu nis problemi i madh që ka shoqëria njerëzore sot, ose që ka pasur vazhdimisht.
Njerëzit mund t’i ndajmë në dy kategori të mëdha. Në lehtësisht të manipulueshëm dhe të manipulueshëm. Kategoria e tretë, manipulatorët, nuk është se dinë gjithshka apo se kanë monopolin e së vërtetës. Deri diku edhe ata mund të futen në të manipulueshmit, por me ndryshimin se kanë pushtet shumë më të madh se një i manipulueshëm i zakonshëm.
Ka një prirje për të mbivlerësuar shkollimin e njerëzve, si mjet për të shmangur sa më shumë të jetë e mundur mundësinë e manipulimit të tyre. Eshtë e gabuar, sepse me sistemin e shkollimit shtetëror fillon manipulimi i mendjeve në shkallë të gjerë. Gjatë periudhave të Diktaturave është vënë re se më fanatikët dhe më “trushpëlarët” janë ata, që kanë njëfarë shkollimi.
Edhe në ditët e sotme, pre e propagandaës audio-vizive dhe asaj të shkruar janë më së shumti ata që kanë shkollime të cekëta ose mesatare. Njerëzit e thjeshtë, që kanë mësuar të vërtetat bazë të jetës në familje nuk mund t’i manipulosh aq lehtë.
Duhet thënë, që kjo nuk duhet kuptuar si luftë ndaj arsimit publik, por si domosdoshmëri për të reformuar rrënjësisht sistemin e edukimit të fëmijëve dhe të të rinjve.

(vijon)

Thursday 14 June 2018

Botërori


Sot fillon Kampionati Botëror i Futbollit, ose si e quanim në rininë tonë, Botërori. Kishte një llloj madhështie në emriin që përdornim, i cili ishte njëkohësisht edhe mbiemri cilësor. 
I mrekullueshmi, i paarritshmi, emocionuesi, drithëruesi – Botërori.
Ishte e vetmja ngjarje, që na bënte si gjithë qytetarët e botës. Si theshte i ndjeri Taqi Veriga në vitet ’70, “Ne e matim jetën tonë me kampionatet botërore!”. Kur mbyllej një kampionat do kishim katër vite monotone në pritje të kampionatit tjetër. 7-8 muaj pas mbylljes vazhdonin me zënkat se cili ekip e meritonte më shumë, se kujt I ishin bërë favore, se cili vend i kishte lojtarët më të mirë dhe se si ekipi për të cilin bënim tifo, do ja tregonte qejfin kundërshtarëve pas katër vitesh. Dhe kështu ndodhte edhe 7-8 muaj para se të niste. Grindeshim për lojtarët, ju vinim epitete lojtarëve të ekiëpeve të tjera, bënim parashikime nga më të çuditshmet deri sa 2-3 muaj më parë, shpërndaheshin disa blloçka të vogla me kalendarin e ndeshjeve, që nuk gjendeshin lehtë dhe nuk dihej se kush i shtypte. Ndoshta punëtorët e shtypshkronjave, pasi mbyllej një sy nga drejtuesit e tyre. Ishte gjë e madhe të kishe në xhep një kalendar të ndeshjeve.
Në Korçë, Botërori i parë i ndjekur plotësisht dhe më magjiku ishte ai i vitit 1974. 4 vite më parë numuri i aparateve televizive në qytet ishte jo më shumë se 10, ndaj pjesa më e madhe e qytetit nuk kishte mundur t’i ndiqte në televizion ndeshjet e kampionatit të Meksikës.
Brenda 4 viteve, sidomos në dy të parët të “ethes së televiziorëve”, korçarët kishin kërkuar matanë Atlantikut t’ju dërgonin televizorë dhe një pjesë e mirë e të afërmve ja u kishin plotësuar kërkesën dhe qyteti i shte mbushur me aparate të markava Fanola, Gruding, Saba, Filips dhe të tjera më pak të dëgjuara. Prej 1972-shit kishin nisur edhe shitjet(me autorizim) të aparateve të montuar në Durrës, që ishin të markave Iliria dhe Adriatik.
Lajmi , se Tirana do i jepte të gjitha ndeshjet ishte i mirë për ata , që kishin mbetur pa asnjë lloj vibratori të madh të fshehur në pemë apo nën çati. Kishte muaj që ishte në funksionim të plotë aksioni për heqjen e antenave të kanaleve të huaj, si pjesë e fushatës së “luftës ndaj shfaqjeve të huaja dhe ndikimeve borgjezo-revizioniste”. Qyteti, që deri në qershor të vitit 1973 kishte zgjatur antena nga më të çuditshmet mbi shtëpi dhe tarraca, ishte detyruar të “priste flokët metalike”, ashtu si ishin detyruar djemtë të qetheshin më shkurt dhe të prisnin ‘favoritat” ndërsa vajzat të hiqnin dorë nga minifundet.
Megjithatë, ndeshjet preferonim t’i shikonim nga “jugosllavi”, se Tirana jo vetëm që kishte komentatorë të dobët, por ulte edhe zërin e thirrjeve në fushë dhe ndeshja dukej si “memece”.
“Tifozët” atë vit ishin ndarë në kampet tradicionalë, “gjermanë“, “hollandezë“, “brazilianë“ dhe pak “italianë“. “Brazilianët” bënin tifo edhe për gjithë amerikano-latinët, ndërsa një pjesë e “hollandezëve” pëlqenin edhe Jugosllavinë e atij viti. Disa tifozë anakronikë të rusëve bënin tifo për Poloninë dhe Republikën Demokratike Gjermane.
U duk që në ndeshjet e para, se futbolli europian dhe sidomos ai hollandez do triumfonte. Ekipet e bazuar në teknikën individuale, si Italia, Uruguaj dhe Argjentina u larguan shpejt. Futbolli atletik total fitoi përfundimisht qytetarinë. Që prej Hungarisë të vitit 1954, nuk ishte parë ekip aq dominues sa Hollanda e atij viti.
Mes sherreve të tifozëve korçarë duke nisur nga të rriturit e deri në fëmijët, kampionati “magjik” u mbyll me fitoren e vendasve, Gjermanisë Federale, e cila kishte arritur kulmin e saj dy vite më parë, duke luajtur taktikisht mirë, me racionalitet dhe e mbështetur nga publiku i saj, arriti të mposhte tulipanët e mrekullueshëm të Johan Krojfit. Trishtimin e asj finaleje nuk e kam provuar më kurrë në një ngjarje sportive. Si unë edhe qindra përkrahës të atij futbolli të bukur, të paparë në atë nivel deri në atë kohë.
Ishim 15 vjeç dhe do na duhej të bëheshim 19 për të pritur hakmarrjen e ëmbël ndaj gjermanëve.
Brenda atyre katër viteve do kishte në Shqipëri vetëm “goditje të grupeve antiparti”, “ashpërsim të luftës së klasave”, gjyqe politike dhe internim të të pafajshmëve.
Futbolli ishte “droga” jonë për të larguar nga mendja sa më shumë pyetjen “Përse?”.
Dhe “droga” më e fortë ishte ajo e Botërorëve.

Thursday 7 June 2018

Vëllimet gjeometrike në arkitekturën shqiptare - fund

(vijim)

Me goditjen e liberalizmit në arte dhe letërsi në vitin 1973, nisën edhe kohë më të vështira për arkitekturën shqiptare. Të shoqëruara më vonë edhe me ndërprjen e ndihmave nga Kina, investimet për objekte social-kulturore apo për komplekse banesash kolektive me projekte të veçanta u kufizuan së tepërmi. Edhe pse numuri i arkitektëve ishte rritur dhe prirjet e përgjithshme ishin drejt një arkitekture bashkëkohore, mundësitë sa vinin dhe zvogëloheshin.
Projektet më të rëndësishëm të atyre viteve ishin Hotel “Tirana” në sheshin “Skënderbej”, “Muzeu Kombëtar” po në të njëjtin vend, Hotel Turizmi në Pogradec, Pallati i Sportit në Korçë dhe më vonë, Pallati i Kulturës në Vlorë, Instituti i Informatikës në Tiranë, Pallati i Kongreseve në Tiranë dhe Piramida (Muzeu E.Hoxha).
Hotel “Tirana” edhe pse mbetet brenda një skeme të përdorur disa herë në atë kohë (një paralelpiped dy katësh me mjediset e përbashkëtad he një kullë me dhomat e fjetjes) mbetet një shembull me vlerë i arkitekturës racionale. Autorja, arkitektja Valentina Pistoli kishte punuar edhe në hotele të tjera me parametra të ngjashëm të racionalizmit, por për nga shkalla dhe trajtimi, Hoteli në sheshin qndror të kryeqytetit është më i arrituri. Ai krijon një balancim të mirë, të vëllimit horizontal të Pallatit të Kulturës, që dominonte deri në atë kohë sheshin kryesor të Shqipërisë.
Raporti i vëllimeve gjeometrike, si dhe materialet e përdorura, ndikojnë shumë në pamjen e objekteve. Për shembull edhe pse në dukje vëllime gjeometrike të pastra, tek Muzeu Kombëtar me autorë ark Nina Shehu, ark Petraq Kolevica dhe urb. Enver Faja, ndjehet një rigjiditet dhe simetri e rëndë. Efekti në hapësirën e sheshit Skënderbej është i kundërt me atë të Hotel Tiranës. Eshtë monumenti arkitekturor më “shtypës” në të gjithë Tiranën dhe mund të krahasohet vetëm me “peshën e zymtë“ të ish Komitetit Qëndror dhe të Shallavareve,
Me simetrinë dhe ngritjen e vëllimit në qendër, është konceptuar edhe Pallati i Kongreseve me autorë arkitektët Klement Kolaneci, Vladimir Bregu dhe Spiro Bakëllbashi. Edhe pse me sipërfaqe të mëdha xhami, ndoshta nisur edhe nga “rëndësia ideologjike” e objektit, arkitektura e tij nuk ka lehtësinë dhe transparencën e objekteve të së njëjtës natyrë në vendet perëndimore.
I njëjti grup projektimi (ndoshta edhe me ark. Piro Vason) u angazhua edhe për muzeun E. Hoxha, i njohur si Piramida. Objekti edhe pse me pak sipërfaqe transparente, lehtësohet nga volumet e thyera pas vëllimit të thjeshtë të Piramidës. Ka një rastësi të projektimit të saj disa vite pas projektimit të Piramidës së Luvrit nga arkitekti I.M.Pei. Megjithatë natyra e objekteve është shumë e ndryshme dhe të dy ngjallin interes në një mënyrë të ndryshme.
Pa të drejtë, objekti rrezikoi të prishej disa vite më parë. Ai mbetet një nga vëllimet e pastra arkitekturore, që e pasuron arkitekturën e Tiranës dhe nuk është e vështirë, të marë funksione të tjera edhe me ndonjë shtesë volumore transparente.
Me ndryshimin e sistemit ekonomiko –shoqëror pati një shpërthim të ndërtimeve dhe të rrymave arkitekturore. Racionalizmi dhe vëllimet gjeometrike në frymën e Arkitekturës Moderne, dominuan për një kohë të gjatë, sidomos në Tiranë, nisur edhe nga formimi i kufizuar i arkitektëv shqiptarë dhe njohja më e cekët se kolegët e avangardës europiane dhe amerikane të teknologjive dhe materialeve të reja. Ishte e kuptueshme për një vend të izoluar prej gati 50 vjetësh.
International Style apo Bahausi mbetën me më shumë ndikim se sa arkitektura Postmoderne, arkitektura High-Tech apo arkitektura plastike e Gehry-t.
Përsa i përket vëllimeve gjeometrike në arkitekturën e pas 1990, duhet shkruar më gjatë dhe pasi të shihen dhe fotografohen nga afër objektet më të rëndësishme të ndërtuara në Shqipëri gjatë kësaj periudhe.

Wednesday 6 June 2018

Vëllimet gjeometrike në arkitekturën shqiptare - 3


(vijim)

Përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, më shumë se lufta vetë, bllokoi zhvillimin e arkitekturës, për shkak të varfërisë, por edhe të rrjeshtimit politik, që nuk mund të siguronte dot më kredi nga Banka të huaja për rindërtimin e vendit.
Dhjetë vitet e para, deri më 1955, nuk sollën thuajse asgjë të kohës në arkitekturën shqiptare. Bile edhe disa nga ata pak arkitektë vendas ishin larguar në Perëndim. Në ndërtimet edhe në qytetet kryesore kishte një lloj amatorizmi ose imitim të arkitekturës më të dobët të vendeve të Lindjes. Nëse sheh edhe sot, rrugën nga Sheshi Skënderbej e deri në Stacionin e Trenit (Bul Zogu I) do gjesh nga të gjitha stilet dhe rrymat e dështuara të arkitekturës. Objektet kulturoro-sociale, që ndërtoheshin me fondet e akorduara nga sovjetikët, ishin të konceptuara jo si volume, por si një bashkësi fasadash, të një Neo-Klasiçizmi vulgar, të përshtatur me basorelieve punëtorësh me muskuj, ose kooperativistesh me duaj gruri.
Eshtë interesante se frymën e Style Internationale në arkitekturën shqiptare  futën më shumë të diplomuarit në Tiranë, si ark Petraq Kolevica, ing. Ilia Papanikolla apo ark. Maks Velo, se sa të mirënjohurit Sokrat Mosko, Koço Comi, Koço Miho apo Besim Daja, që ishin diplomuar jashtë shtetit.
Vepra më e rëndësishme e periudhës së fundit të viteve ’50 dhe fillimit të viteve ’60 është Pallati i Kulturës në Tiranë, i cili padrejtësisht nga disa cilësohet si arkitekturë staliniste, një term, që nuk ka asnjë lloj kuptimi.
Ndoshta spjegimin më të saktë rreth tij duhet ta kenë dhënë vetë autorët Sokrat Mosko dhe Koço Miho, por mua më duket më shumë një lloj eklektizmi, që përzjen arkitekturën moderne, me trajta monumentale të arkitekturës fashiste dhe asaj Neo-klasike. Objekti ze pjesën më të rëndësishme hapësinore të kryqytetit, me një rrokje shikimi nga të gjitha anët, por që nuk arrin të paraqisë një lojë interesante vëllimore gjeometrike, të cilën e ofrojnë përbërit e veçantë të kompleksit kulturor, si salla e shfaqjeve, ato të ekspozimit, biblioteka etj.
Në qytetet në zhvillim si Durrësi, Vlora dhe Fieri, ndërtohej përsëri sipas koncepteve të kuartalleve, që krijojnë pak mundësi për vëllime të pastra gjeometrike.
Përpjekjet më të sukseshme i takojnë fundit të viteve ’60, në të cilat do veçoja banesat e Sportit dhe 7 katëshin në Korçë, Bibliotekën e Korçës të treja me autor Petraq Kolevicën dhe kinoklubin “Studenti”, me autor Ilia Papanikollën.
Tek veprat e Kolevicës duket qartë ndikimi i Style Internationale me pesë parimet e tij, të përshtatura në banesë kolektive dhe në një objekt shoqëror. Ndërsa tek objekti i Papanikollës, duket përpjekja e një harmonie të vëllimeve gjeometrike, sipas funksioneve të mjediseve, një parim i funksionalizmit në arkitekturë.
Ndërsa banesa e Rrugës së Dibrës me autor Maks Velon, e ndikuar nga e shumënjohura Habitat 67 e Moshe Safdie, është një përpjekje për të sjellë lojën e vëllimeve dhe gjelbërimin e tarracave, pranë banorëve të qyteteve me dendësi të madhe dhe qarkullim të rënduar.

(vijon)

“Populizëm” apo “bon sens”?


Ardhja në pushtet e një force të quajtur “populiste” (M5S) dhe një force “ksenofobe”(Lega Nord ka qënë në pushtet disa herë me Berluskonin) ka prishur ekuilibrat europiane të dëshëruara deri tani kryesisht nga Gjermania.
Nevoja për ristrukturim e Bashkimit Europian është e parë e domosdoshme, që në krizën e vitit 2008, por Gjermania e Merkel (sidomos nën ndikimin e ish-ministrit të financave Schabe) vazhdoi të njëjtën linjë tradicionale , që i kishte sjellë në dhjetvjeçarin e fundit stabilitet dhe begati Gjermanisë, por jo vendeve të tjera.
Vendet mesdhetare, për shkak edhe të qeverisjeve të tyre me probleme, kërkuan më shumë hapësira ekonomike, ndihmë dhe ristrukturim të marëveshjeve, por Brukseli i drejtuar nga Gjermania dhe vendet e tjera nordike, bënë një vesh shurdh duke i akuzuar mesdhetarët si të korruptuar dhe dembelë.
Rezultatet tashmë dihen. Greqia u fundos nën peshën e borxheve dhe politikave të ‘austerity”, ndërsa të tjerat (Italia, Spanja, Portugalia) patën “zvarritje” të zgjatura përmes krizës, duke shënuar shifra rekord në papunësi, sidomos tek të rinjtë.
Tashmë gjërat nuk janë më njëlloj.
Ka marrë fund në Itali koha e “demokracisë së pilotuar” nga Gjermania me Montin, Rencin, Alfanon dhe Xhentilonin. Italianët e pakënaqur vendosën të provojnë “lëvizjen e çmendur: të Beppe Grillos, të ashtuquajturën “Lëvizja Pesë Yjet”.
Establishmenti dhe të gjithë mediat e varura prej tij, bënë ç’është e mundur të stigmatizonin Lëvizjen e re, si “populiste”, “fashiste”, “të ekstremit të majtë“, “amatore”, por edhe pse pa burime financiare dhe me politikanë pa eksperiencë, Lëvizja arriti të vinte në pushtet.
Mësimi , që mori Gjermania, është se në Demokraci “duhen respektuar edhe interesat e popujve të tjerë dhe jo vetëm atij gjerman”.
Se ku nisin kusuret e gjermanëve dhe ku bitisin kusuret e qeverive dhe administratave italiane, është një temë tepër e gjërë dhe nuk është objekt i këtij shkrimi, por fakti është, që me formimin e qeverisë Konte, Anxhela Merkel pranoi zyrtarisht se janë të drejta një pjesë e sugjerimeve të Makron për reformimin e BE-së. Propozimet ishin bërë në shtator të vitit të kaluar dhe deri më tani, kancelarja kishte zgjedhur të heshte.
Synimet e qeverisë së re italiane, që deri tani janë konsideruar “populiste” dhe të dëmshme për Italinë dhe Europën, duhet thënë se janë synime të qeverisjes jo sipas urdhrave të Brukselit, por me “bon sens”, si u shpreh Salvini për politikën e re ndaj emigracionit.
Vetë Merkel u detyrua të pranonte, që në çështjet e emigracionit, Italia ishte lënë e vetme.
Dje në takimin e ministrave të brendshëm të BE, Gjermania votoi ashtu si Italia dhe të tjerët, kundër marëveshjes të Dublinit për emigracionin.
Në të gjithë vendet e zhvilluara perëndimore ndjehet pakënaqëaia ndaj partive tradicionale. Njerëzit janë tashmë “të velur” nga ideologjitë e së Majtës dhe të Djathtës dhe kërkojnë qeverisje, që zgjidhin problemet e jetës së tyre të përditshme. Këtë e pranoi në një intervistë të gjatë për CNN-in edhe Steve Bannon, ish-këshilltari i Trump-it, që konsiderohet sin jë ideolog i të djathtës ekstreme. Prej disa muajsh në Itali dhe vende të tjera europiane për të predikuar rreth “ekonomisë nacionaliste”, Bannon konstaton se e ardhmja i përket lëvizjeve, që përfaqësojnë më mirë interesat imediate të njerëzve. Këtë e ilustron edhe me votimet e fundit në Amerikë, ku një pjesë e mirë e votuesve të Bernie Sanders, të quajtur të së majtës ekstreme, votuan për Trump.
Për të njëjtën “shkrirje” të grupeve ekstreme, bënte fjalë vjet edhe Noam Chomsky, i njohur si ideologu më në zë i të majtës, kur i bënte vjet thirrje Partisë Demokratike në Amerikë të fitonte përkrahje mes evangjelistëve, që tradicionalisht votojnë në shumicë për Partinë Republikane.
Ka ardhur koha , që establishmenti, i mësuar me rotacionin në pushtet të së Majtës dhe të Djathtës, të lerë hapësira ndaj lëvizjeve “jo dogmatike”, për të shmangur përplasje midis shtresave të ndryshme të popullsisë europiane dhe asaj amerikane.
Ideologjitë e pasluftës së dytë e përfunduan misionin e tyre.
Tashmë ka ardhur koha e qeverisjes me “bon sens” dhe ndoshta më vonë edhe ajo e “demokracisë së drejtpërdrejtë“.
Italia e Di Maios dhe Salvinit është laboratori i parë.

Tuesday 5 June 2018

“Ti o viç, që kokën kruan…”


Doja të kujtoja disa vargje të Dritëroit për lopën, se është poeti, që ka shkruar më shumë se të gjithë të tjerët për kafshët shtëpiake, por mu kujtuan vetëm vargjet për birin e vetëm të lopës, që pak a shumë janë “Ti o viç, që kokën kruan, /Në një dardhë, në një plep…”
Edhe Naimi, në madhështoren “Bagëti e Bujqësi” nuk ka vargje për lopën. A vjen kjo për shkak të rimës së vështirë të fjalës shqipe “lopë/a”, apo prej tingëllimit të saj, mund ta kthjellojnë më mirë përkthyesit e poezive nga anglishtja në shqip e anasjelltas. “Cow” haset dendur në Shekspiri, Longfellou dhe Milton.
Por le të kthehemi në lopët e sotme, sidomos ato, që përdoren për prodhim qumështi dhe , që janë bërë shkas i një sulmi të paprincipë ndaj ministrit tonë të Bujqësisë, Niko Peleshit.
Shkak u bë një analizë e paautorizuar nga Ministria për aflatoksinë, ndaj një sasie qumështi lope, që shitej në një supermarket në Tiranë.
Kuptohet , që e gjitha është një preteks për të ulur sukseset e arritura nga kjo Ministri në mbarështimin e dhive, në agroturizëm, në mbylljen e kasapanave të paautorizuara etj etj.
Duket , që është një komplot i mirëorganizuar i forcave, që duan t’I zenë vendin Peleshi dhe Skënderbeut dhe që të shpien menjëherë në xhuçmaxhuçi Erion Braçe.
Se menjëherë lind pyetja- Pse mediat duhet të analizojnë qumshtin?
A mos ju është dhënë qëllimisht lopëve një tagji  me shumë aflotoksinë një ditë më parë, në mënyrë, që pasi të mileshin të dilte qumështi pak mbi normën europiane?
Në intervistën e tij. Ministri e tha qartë se sa mirë funksionon kontrolli nga ana e Ministrisë së bujqësisë.
Sa do pak mbi normën të jetë ne na ndizet alarmi i kuq, alerti…”
Kush e bllokoi atë ditë ndezjen e “alertit” në Ministrinë e Bujqësisë?
E gjithë kjo zhurrmë për kaq pak aflotoksinë mbi normën, për ne, që jetojmë në Amerikën e Veriut është absurde. Për shembull kjo që u quajt mbi normë është 8 herë më pak se e lejuara në SHBA dhe 6 herë më pak, se norma e lejuar në Kanada. Të gjithë kemi nevojë për pakëz aflotoksinë.
Unë nuk di se si “proçedohet” tani me blerjen e qumështit në Korçë, së, e kur jetoja atje, ma sillte Llazi nga Cifligu në “bidonka koka-kole” dhe e pyesja çdo mëngjez:
“C’farë I dhe lopës mbrëmë Llazi?” dhe ai më përgjigjej “Nga ajo tagjia e thatë që mbaj për miqtë!”
Ndaj edhe më duket mëse e natyrshme, që kalimin “pakëz mbi normën”, ministri Peleshi, ose si e quajmë me dashamirësi “lideri rural” , ta spjegonte me atë, që kishte ngrënë lopa një ditë më parë. Kur tagjia ka lagështi më shumë se duhet edhe aflatoksina rritet pak, por një ditë më vonë i jep nga ajo e thata dhe të gjitha parametrat ujdisen.
Meqë nuk mu kujtuan vargjet e ndonjë poeti devolli për lopën, po e mbyll me përshtatjen e një poezie të kritikuar në vitin 1973 për abstraksionizëm:
Lopa pi ujë.
Fytyra e saj pasqyrohet në qiell.
Nuk duken lart as yje as hënë,
Më tej, në mezhdë, një viç mendohet
- C’të ketë ngrënë lopa mbrëmë?”

Monday 4 June 2018

Vëllimet gjeometrike në arkitekturën shqiptare - 2


(vijim)
Tirana ishte fatlume, që duke qënë një kryeqytet i zhvilluar mbi bazën e një qyteze, të konceptohej në pjesët kryesore të saj nga arkitektët Italianë prej fundit të viteve ‘20 dhe deri në fillimin e viteve ’40. Interesante është se kjo përkon me zhvillimin e arkitekturës fashiste në Itali, e cila bashkëjetonte dhe konkuronte me arkitekturën futuriste. Ndikimi i madh i Antonio Sant’Elias nuk shtrihej vetëm në arkitektët e futurizmit, por edhe në përfaqësuesit më të shquar të arkitekturës fashiste. Ndaj në ndryshim me arkitekturën e vendeve me ideologji totalitare si Gjermania dhe Bashkimi Sovjetik, ndërtimet e asaj periudhe në Itali i largohen monumentalitetit butaforik. Në to ka shumë racionalizëm dhe pastërti vëllimesh dhe sipërfaqesh.
Tek kompleksi i sheshit përballë Universitetit (sot sheshi “Nënë Tereza”) vëllimet e pastra gjeometrike dominojnë të gjithë kompleksin edhe shkallaret e shumta bëjnë të humbasë disi efekti i tyre dhe të shtohet ai monumental. I konceptuar si një forum romak, por me theks kulturoro-administrativ, kompleksi në fjalë mbetet më i menduari dhe i formuluari mirë në 100 vitet e ekzistencës të shtetit shqiptar dhe të arkitekturës së “kultivuar”.
Në të njëjtën frymë racionale dhe moderne, si vëllime të thjeshta gjeometrike apo kombinim syresh, janë edhe Kryeministria dhe Hotel “Dajti”, si edhe të quajturat ‘pallatet e aviacionit”. Duke përjashtuar këto të fundit, të gjitha janë projekte të arkitektit italian Xherardo Bozio, i cili për fat të keq, vdiq në moshën 38 vjeçare.
Këto përbënin “piketa” solide për të patur një Tiranë mesdhetare dhe njëkohësisht moderne, por, që për arsye të shumta “devijoi” më vonë nga ky lloj orientimi arkitekturor.
Por, në atë kohë në Itali, ekzistonin edhe studio të tjera, që ndiqnin parime të tjera, si neoklasiçizmi dhe eklektizmi. Njëra prej tyre, ajo e arkitektit Florestano Di Fausto, duke patur edhe lidhje të forta me Musolinin, u angazhua nga mbreti Zog për të gjitha projektet e ministrve, të vilave mbretërore në Durrës dhe Shkodër dhe ndërtesës së Bashkisë së Korçës. Qoftë në konceptimin vëllimor, si dhe në trajtimin e planimetrive dhe fasadave, ato mbeten të ndikuara nga stilet e Neo-Renessaince dhe Eklektik dhe janë të ngjashme me shumë ndërtime të fundit të shekullit të XIX dhe fillimit të shek XX-të në gjithë qytetet e Europës.
Si e kam përmendur në shkrime të tjera, në rastin e Bashkisë së Korçës, fasadat u riprojektuan në përputhje me një frymë racionale, që mbizotëronte në qytet, duke u zhveshur nga të gjithë detajet e orderit neo-klasik, me të cilat janë të mbushura godinat e ministrive. Duhet theksuar, që Di Fausto ishte një arkitekt me emër dhe me prodhimtari të habitshme, me projekte të realizuara në ishujt Italianë të Egjeut, Libi, Tunizi dhe Etiopi, përveç projekteve të shumra në Itali.
Thuajse e njëjta dukuri u vu re në projektet e degëve të Bankës Kombëtare në katër qytetet e mëdha shqiptare të Durrësit, Shkodrës, Korçës dhe Vlorës. Ndërsa tre ndërtime janë thuajse identike, me elementë të Neo-Renesansës, projekti i Bankës së Korçës ka një trajtim , që bashkon Racionalizmin me elementët e arkitekturës tradicionale të Korçës. Objekti mbetet edhe sot, më moderni dhe më imponuesi në qytet. Të gjitha janë vepra të arkitektit italian Vitorio Morpurgo, i cili është autor edhe i ndërtesës qëndrore të Bankës Kombëtare në Tiranë, një nga ndërtimet më interesante në të gjithë territorin e Shqipërisë.
(vijon)

Sunday 3 June 2018

Vëllimet gjeometrike në arkitekturën shqiptare


Në fillimet e shekullit të XX-të, nën ndikimin e artit modern dhe sidomos për shkak të teknologjive të reja ndërtimore me beton dhe çelik, zunë fill përpjekjet për të projektuar vëllime të pastra gjeometrike, të cilat ndryshonin shumë nga mënyra se si ishin konceptuar më parë ndërtimet relativisht të mëdha të mëparshme. Në qytetet perëndimore filluan të shfaqen gjithnjë e më shumë paralelpipedët, kubet, sferat, piramidat e deri në konet, si dhe kombinime të tyre. Format e reja, të pastra dhe interesante u pëlqyen nga të gjithë dh eveçanërisht nga avangardat e arkitektëve dhe artistëve. Ishin të parënduara në fasada, të qëndrueshme ndaj erërave dhe goditjeve sizmike dhe më të thjeshta për të ndërtuar. Dukej se shekulli i teknologjisë, do kishte një art të Hapësirës, që të kujtonte sa më shumë shkencën dhe teknologjinë.
Sigurisht edhe ideologjitë e kohës patëën ndikuar në këtë konceptim racionalo-futurist të qyteteve. Ishin ideologji kryesisht totalitare, që donin të vinin në qendër edhe njeriun, edhe fuqinë e shoqërive njerëzore edhe triumfin e racionalitetit, para të cilit dukej se Zotat ishin mposhtur.
Ballkani ishte në periferinë e kësaj lëvizjeje, ndonëse në Athinë më 1933 dhe në Dubrovnik më 1956 janë mbajtur dy kongrese të Shoqatës Ndërkombëtare të Arkitekturës Moderne.
Detyrimisht, në Shqipëri, si në vendin më të varfër dhe më të prapambetur të Ballkanit, konceptet e Arkitekturës Moderne dhe bashkë me to vëllimet e pastra gjeometrike, do të hynin më vonë se në vendet e tjera të Europës dhe Amerikës.
Ishin të pakët arkitektët shqiptarë para viteve ’30, kur Kubizmi,  De Stijl apo Shkolla e Bahaus-it ishin në shkëlqimin e tyre. Si rrjedhojë edhe sikur të ishin shkolluar në perëndim, kishte pak të ngjarë, që ato pak “kokrra” të ishin në avangardën e arkitekturës. Projektimi tradicional me neo-klasiçizmin dhe Art Nuveau apo edhe stilet e traditës kombëtare të një vendi ishin ende mbizotërues në shkollat europiane të Arkitekturës.
Gjithashtu, arkitektët e huaj austriakë, italianë dhe grekë, që angazhoheshin nga investitorë privatë për projekte hotelesh, vilash ose kompleksesh tregëtare, nuk ishin ndër më të mirët dhe më të përparuarit e vendeve të tyre, ndaj dhe fryma moderne e stileve të rinj nuk mund të hynte aq shpejt në Shqipërinë e Zogut.
Mungesa e arkitektëve të arsimuar në universitetet europiane bënte, që me arkitekturë të merreshin jo vetëm “kallfët” (si në rastin e vëllezërve Koçiu në Korçë), por edhe piktori Kol Idromeno në projektimin e “dugajeve të reja” në Shkodër, apo poeti Gjergj Fishta në projektimin e disa kishave katolike.


(vijon)

Friday 1 June 2018

“Na iku jeta për shalësh!”


Nuk jam në gjendje të kuptoj këtë thënie bashkëkohore “tiranase” edhe pse shprehjen “i iku për shalësh”, që lidhej me futbollin e kam dëgjuar herët në fëmijëri.
Të përsëritur në një kontekst tjetër, e dëgjova vjet, kur një botues, pasi botonte pas disa javësh një shkrim timin, me thoshte “që i kishte ikur për shalësh”. Dyshova se shprehja mund të kishte marrë një lloj “qytetarie” në Tiranë si kanë pasur në vite shprehjet “je bota”, “qe palla”, “sa e mir si je”, “normal”, “i papam”, “je njish”, je bio” e të tjera si këto, por nuk mendoja, që mund të përdorej në shprehjen “Na iku jeta për shalësh”, si e lexova në një nga mediat sociale, të shkruar nga një përfaqësuese e lartë e OJ e Q-ve.
Si mund të “ikë jeta për shalësh”? të shpije menjëherë në pyetjen thellësisht filozofike “C’është jeta?”, të cilës për mijra vjet, që ekzistojnë filozofët, nuk i është dhënë ende një përgjigje e plotë.
A mund të jetë jeta një sferë elastike, me të cilën luan me të njohurit e tu dhe një moment, e ndjen se “të ka kaluar për shalësh”?
Shprehjet me “shalë“ në shqip nuk janë të shumta dhe sidomos në zonën e jugut, kanë një tingëllim jo simpatik. “Ka mbetur në shalët e gruas”, “të pjellësh me shalë mbyllur” ose “ i mori shalët …” janë disa nga shprehjet më të përdorshme dhe të gjitha kanë një kuptim (konjotacion) aspak të këndshëm.
Për më tepër lidhja e jetës me shalët, sidomos në penën e një femre tingëllon jo vetëm absurde, por edhe shumë vulgare. Do ishte shumë më e pranueshme, të thuhej “mes shalëve të mija kanë kaluar dy ose tre jetë të reja”, ose edhe “ata gjetën prehje mes shalëve të mija”, por jo shprehja gjoja filozofike e përdorur në mediat sociale.
Të të kalonin topin mes këmbëve (ose për shalësh) në futboll ka qënë gjithnjë turpëruese për mbrojtësit dhe portierët. Por ju ka ndodhur thuajse të gjithë futbollistëve dhe e kanë konsideruar si pjesë të karrierës futbollistike.
Por të “të kalojë jeta për shalësh”, nëse do mundim t’i japim një kuptim racional, do të thotë, që nuk ke ditur t’i mbyllësh kurrë.
Ose nuk ke dashur!

Na pranoni në Europë edhe “morracakë“!


Kjo përvuajtje për të hyrë në “shtëpinë“ e Europës, si dhe dashamirësia apo ngurtësia e palëve të ndryshme europiane, të bën të ndjehesh në mos në pozitat e një “lebrozi”, por të paktën si dikush i veshur jo mirë dhe për më tepër, që ke edhe “morra”.
Ne këmbëngulim të jemi pjesë e familjes europiane me shpresën se futja brenda saj do na bëjë “dizinfektimin me DDT”. Jemi të ndërgjegjshëm që i kemi në trup dhe në kokë “morrat” tona, që janë korrupsioni, trafiqet e drogës, nepotizmi, mosshkëputja e plotë nga e kaluara komuniste, edukata e pakët demokratike, etj.
Në 27 vjet jo vetëm nuk ishin në gjendje t’i shkulnim plotësisht nga trupi i shoqërisë sonë, por në vitet e fundit, disa syresh u shtuan së tepërmi dhe vetëm një “qethje” e plotë e “flokëve politike dhe juridike” mund të bëjë të mundur zhdukjen e tyre.
E megjithatë nga brenda vendit ne kemi dy lloj qëndrimesh zyrtare.
I pari është ai i qeverisë, “që vërtet jemi morracakë, po jo aq sa na quani ju!”
I dyti është ai i opozitës, që pranon gjendjen e keqe të pjesëve të leshta të trupit të shoqërisë sonë dhe për këtë fajëson qeverinë, por këmbëngul për negociatat dhe pranimin se kështu “mund të përdorim gjithë mjetet e luftës ndaj parazitëve, që posedon Europa higjenike”.
Ka edhe një qëndrim të tretë, të pashpallur të një pjese të shoqërisë “Aman të futemi që t’ja mbathim nëpër Europë dhe mos ja shohim më sytë kësaj vatre morrash!”
I çuditshëm dhe në kategori më vete është qëndrimi i Gramoz Ruçit, i cili jo vetëm nuk e pranoi çështjen e “morrave” që ngritën disa deputetë hollandezë, por dhe ju tha flakë për flakë: “Morra të këtij lloji keni pasur e keni ju, se tek ne në kohën e shokut Enver nuk ekzistonin, bile burrave as nuk ju lejoheshin të mbanin flokë të gjata!”
Por edhe vetë Europianët janë shumë të dyzuar në hapjen ose jo të negociatave. Një pjesë thonë se ju “kemi sjellë me shumicë krëhëra, sapunë dhe dizifenktues dhe ende me parazitë jeni në kokë!” Këta përfaqësojnë edhe pjesët më ksenofobike europiane, që i tremben zgjerimit të Europës, nga frika e prekjes nga “parazitët” tanë.
Ka edhe një pjesë më realiste dhe më dashamirëse, që është gati të mbyllë një sy për hir të parimeve kristiane të “d’asyle” dhe të na ofrojë një odë në shtëpinë europiane edhe pse i di kusuret tona.
Sa do të mundohen ta komplikojnë politikanët tanë ç’ështjen e hapjes së negociatave dhe të anëtarësimit në Europën e bashkuar, ajo e banalizuar është e tillë: Ne nuk na pranojnë jo se jemi të varfër, por se në kokën e shoqërisë kemi “morra”!
Ndoshta po të ishim më të vetëdijshëm dhe më të sinqertë me veten, në fillim do pastroheshim për të hyrë dinjitozë në Shtëpinë Europiane.
Nuk kemi qënë në gjendje ta bëjmë ndaj tani kërkojmë të na pranojnë në gjendjen , që jemi.
“Të rreptë (dikur) bijt e shqipes…na pranoni tani edhe morracakë!”