Wednesday 31 January 2018

Rombikët (2)

(vijim)
Mjeku dhe mësuesi i muzikës udhëtonin me të njëjtën makinë. Mësuesi, ose “skifteri S” si quhej mes anëtarëve të Bashkimit të Rombikëve, kishte pësuar vite më parë një aksident me makinën, që drejtonte dhe tashmë e mbante qafën gati të ngrirë dhe s’mund të drejtonte më mjete, që kërkonin patentë. Gjatë verës, me vështirësi ngiste një motoçikletë të vogël, në ndenjësen e pasme të së cilës vinte kitarën. I duhej për të dhënë mësime private. Shkonte gjithnjë në shtëpitë e nxënësve. Në dimër, e merrnin dhe e shpinin prindërit e tyre.
Ishte virtuoz në kitarë dhe mandolinë dhe i vetmi në qytet, që veç bakllamasë luante dhe në ukulele. Një adoleshente, që pas një udhtimi në ishujt Havai, donte me çdo kusht të mësonte veglën e famshme të ishullit, pas disa javësh mësimesh, kishte rënë marrëzisht në dashuri me mësuesin, sa ai u detyrua, të shkatërronte të vetmen ukulele që kishte. Bashkimi i Rombikëve kishte rregulla morale tepër strikte. Ndëshkimi mund të kalonte përjashtimin nga Bashkimi. Mund të ndëshkohej me gjymtim dhe deri me vdekje. Kështu kishte qënë gjithmonë. Mësuesi këtë e dinte nga i jati, që kishte qënë anëtar i fshehtë i Rombikëve për gjashtë dhjetvjeçarë, bile ishte zgjedhur edhe Sklifter katër herë.
Pasi ishte përndjekur për dy muaj nga vajza, mësuesi ishte detyruar t’i tregonte të jëmës së saj dhe gjërat ishin normalizuar. Familja, që kishte një biznes të mirë bebelinash, e kishte dërguar vajzën për studime në kryeqytet, por dhe atje ajo nuk kishte hequr dorë nga mësimi i ukuleles. Tani luante në një orkestër të vogël të një televizioni të njohur, por qafën dhe kokën nuk i lëvizte ndërsa i binte me shkathësi veglës. mësimet e para me “skifterin S” kishin lënë gjurmë të pashlyeshme. E thërrisnin “bukuroshja tropikale e ngrirë“.
-          Skifteri I- tha mësuesi me gjysëm zëri duke parë drejt rrugës.
-          Po- u përgjigj mjeku. Nuk kishin folur, që kur kishin hipur në makinë.
-          Parmbrëmë më telefonoi Sklifteri…nuk di nëse duhet të ta them ty këtë.
-          Po qe se nuk përbën shkelje të kodit ma thuaj.
-          Dikush ka shpifur.
-          Përse?
-          Të kujtohet ku hëngrëm darkë të premten e shkuar?
-          Po. Në “Dy këndezat”. Kemi qënë edhe herë tjetër atje.
-          Dikush…ndoshta ndonjëri nga fajkonjtë…ka thënë se pulat, që kemi ngrënë atje, janë nga pulat e ekonomisë time familjare. Ti e di që i kam bërë 60 të tilla.
Mjeku nuk foli. U mundua të kujtonte pjesëne pulës që i kishin servirur të premten më të parë dhe nëse ishte e ndryshme nga pulat, që kishte ngrënë herë tjetër në Taverna “Dy Këndezët”. Kujtoi që kishte ngrënë samarnikun e pulës me çervish, por asgjë tjetër të veçantë. Lëkurën, si gjithnjë ja kishte hequr.

            - Ti i ushqen me misër?- pyeti mjeku
(vijon)

Rombikët (Kreu 14 - “X të thyera")

Ata nuk kishin lënë gjurmë kurrë. Nuk lejonin kurrë të mbaheshin shënime gjatë mbledhjeve të fshehta. Të hapurat, kishin më tepër karakter ceremonial dhe nuk ishin të detyruara për të gjithë. Zakonisht bëheshin në taverna të premteve dhe ushqimi, që shërbehej ishte gjithnjë me mish shpendësh ndaj dhe takimet quheshin të Premtet e Shpendëve. Më të shpeshta ishin të premtet e pulave, por nuk mungonin edhe ato të thëllëzave, turtujve, gjelave të detit dhe të fazanëve.
Edhe në taverna, tryezat i vendosnin në formë rombi, po ashtu si në mbledhjet e fshehta. Askush nuk ulej në kulmet. Ishin të gjithë thuajse të barabartë , ndonëse vjetërsia në Bashkim, luante rol në renditjen e tyre në krahët e barabarta të tryezave. Anëtarët më të vjetër, ata që quheshin “skifterët”, rrinin në vendet pranë diagonales më të shkurtër të rombit ndërsa më të rishmit, “fajkonjtë“në vendet më tej. Një herë në vit, zgjidhej edhe kreu i Bashkimit, ose si e quanin mes tyre “Sklifteri”, emër ky i mbetur që në kohët e hershme të themelimit të Bashkimit. Sklifteri qëndronte gjithmonë në krahun e djathtë të diagonales së vogël dhe ishte ai që bënte porosinë e darkës. Nga mbledhjet e fshehta nuk dihej asnjë hollësi. Gjithshka ishte e errët, e fshehtë, mistike dhe e mbuluar me një vello të trashë, mbi të cilën mund të lexoheshin vetëm fjalët “Atdhedashuri – Vëllazërim- Paqe-Shenjtërim”. Ishin po aq fjalë sa brinjë ka Rombi dhe veç anëtarëve askush nuk e dinte nëse ndonjëra kishte më shumë rëndësi se të tjerat. Një pëlhurë e mëndafshtë, ku ishin qëndisur fjalët magjike, varej gjithnjë në murin e tavernës, ku haej darka e rradhës në një nga të Premtet e Shpendëve.
                                   
*          *          *
Nga një dëshmi e një kamarieri taverne në Shërbimin Inteligjent:
“Vinë të gjithë në të njëjtën kohë. Ka raste, kur disa prej tyre shoqërohen edhe nga gratë. Tryezat e vendosura në trajtë rombi i porosisin më parë në telefon, kurse ato që hanë dhe verën e porositin në vend.
Për të gjithë porosit ai, që i thonë Sklifteri. Për vete kërkon gjithnjë gjoks shpendi.
Para se të fillojnë të hanë këndojnë të gjithë një këngë latinisht. Mbaj mend vetëm fjalët “rombus, rombus” që përsëriten dhe “viçi”.
Ne i quajmë rombikët, por ata i drejtohen njëri tjetrit me skifter dhe fajkua. Skifterët me përjashtim të njërit, që e ka kokën e rruar, i kanë flokët e bardha. Asnjë nga falkonët nuk është flokëbardhë.
Hanë të heshtur dhe koskat e shpendëve, të gjithë i vendosin në të majtë të pjatës.
Bisedat janë të përgjithshme, por më shumë flasin rreth muzikës. Dy i njoh. Njëri është mjek dhe tjeri mësues muzike. Të dy janë skifterë. Disa nuk i kam parë kurrë më parë. Darka zgjat gjithnjë pesë minuta më pak se dy orë. Para se të ikin përqafohen.

R.E.”

(vijon)

Tuesday 30 January 2018

Kryeministrat “kokëfortë“ shqiptarë


Dy shtetet shqiptare kanë sot dy kryeminstra, që në shtetet europiane do ishin dorëhequr menjëherë (për arsye të ndryshme nga njëri tjetri).
Ramush Haradinaj duhej të mjaftohej me refuzimin e vizës nga SHBA, aleatja më e madhe e Kosovës dhe “krijuesja dhe garantuesja” e shtetit të Kosovës, që të dorëhiqej pa një e dy.
Edi Rama duhet të ishte vetëlarguar, posa plasi skandali i krahut të tij të djathtë, Saimir Tahirit, për përfshirje në një rrjet të favorizimit dhe trafikimit të drogës.
Por nuk ndodh kështu dhe kjo nuk është as e para herë dhe as e vetmja. “Kokëfortësi shqiptare” kanë dëshmuar më parë Berisha e Thaçi.
Por, duke parë thellë shoqërinë shqiptare, mendoj se mosdorëheqja e kryeministrave shqiptarë, nuk ka aq shumë të bëjë me personalitetin  e të sipërpërmendurve dhe as më “kryeneçësinë“ tonë legjendare.
Politikanët të cilët japin lehtë dorëheqje nuk janë të shumtë edhe në botë. Zaten vendosmëria për të qënë në pushtet është cilësi nga kryesoret e një politikani të karrierës. Pjesa më e madhe e atyre, që dorëhiqen, detyrohen ta bëjnë këtë. Detyrohen nga Partia e tyre, nga grupe ekonomike të fuqishme, nga grupe ushtarake, ose edhe nga udhëheqësit fetarë.
Cdo shoqëri, demokratike apo më pak demokratike, ka një “stof” të sajin, i cili përbëhet nga forca me fuqi ekonomike, politike, gjyqësore apo me autoritet moral.
Tek ne ky “stof” u prish në 50 vite Diktaturë dhe askush nuk ka bërë përpjekje për ta rithurrur.
Mund të arrijnë edhe më keq se deri më sot skandalet e Ramës (ky i Tahirit duket se po harrohet) dhe brenda Partisë së tij, nuk ka asnjë grupim të vogël, që të bëjë përpjekje t’i thotë “Dorëhiqu , të paktën për disa kohë“.
Opozita nuk ka numurat e nevojshme për ta rrëzuar dhe nuk po bën përpjekje  të sugjerojë ndonjë lëshim në këmbim të dorëheqjes së Ramës.
Presidenti me njërën këmbë në LSI nuk ka autoritetin e të paanshmit, që të shprehet publikisht largimin e Ramës për hir të Shqipërisë.
Grupimet ekonomike mendojnë vetëm për çastin, pa parë se në planet afatgjata të ekonomisë së vendit, largimi i kreut të qeverisë pas disa skandalesh vetëm forcon Demokracinë.
Sa për autoritete të tjera morale me peshë, as nuk mund të bëhet fjalë në Shqipëri dhe Kosovë.
Kokëfortësia e kryeministrave shqiptarë, do i mbajë edhe këtë vit pezull ekonominë dhe problemet e tjera kryesore të Kombit.
Ka pak gjasa, që BE të miratojë hapjen e negociatave brenda vitit, me këtë gjendje konfliktuale politike, skandalet dhe korrupsionin e lartë në vend.
Në vend numuro do mbetet edhe ]ështja e Kosovës, sidomos pas përpjekjeve të koalicionit qeveritar për të anulluar ligjin për Gjykatën Speciale.
Eshtë i domosdoshëm largimi sa më shpejt i Edi Ramës dhe Ramush Haradinajt nga postet e tyre.

Po a është i mundshëm?

Monday 29 January 2018

Ti mish të bëhesh me presh!

Papa Nuçi nuk besonte në forcën e tij çudibërëse, kur para se të nisej për në kishë, i thoshte mishit që do gatuhej atë ditë “Ti mish të bëhesh me presh!”. Por ai ende besonte në bindjen e gruas ndaj “komandës” së burrit. Dhe vërtet, priftëresha e bënte gjellën me presh edhe pse nuk fliste me burrin e saj.
Historia e “mishit me presh” edhe pse për të qeshur, tregon se në Korçë kishte nisur krisja e shoqërisë maskiliste shqiptare. Priftëresha guxonte të rebelohej, të grindej me burrin, të mundohej t’i dëgjohej fjala e saj.  Pikërisht sepse në ndryshim nga zonat e tjera të Shqipërisë, korçarët kishin bërë më shumë kurbet, kishin marëdhënie më të hapura me popujt fqinjë dhe po futnin mënyrën e jetesës europiane, ku e ku më parë se ata , që banonin në vendbanimet e tjera shqiptare.
Sot, shoqëria shqiptare nuk është më ajo e gjysmës së parë të shekullit të XX-të, e megjithatë maskilizmi mbetet një problem i madh, që jo vetëm dëshmon prapambetjen e saj, por njëkohësisht është edhe faktori kryesor, që pengon zhvillimin.
Bota shqiptare sundohet nga burrat dhe ata nuk kanë asnjë predispozicon të “lëshojnë pe”.
Mjaft të shohësh se si janë raportet e “lojtarëve” kryesorë të politikës shqiptare me gratë e tyre apo me vartëset dhe duket se të gjithë “i tremben” një përparimi të grave në rolin vendimmarrës në çështjet e shoqërisë shqiptare. Edhe pas 27 vjetëve të shembjes së Diktaturës, roli i grave në politikë, institucione shtetërore , arsimore apo shkencore, mbetet në nivelin “dekorativ” të kohës së Lenkave, Gjela Bibave apo Lumturi Rexhave.
Tipik “maskilist” është kryeministri Rama, edhe pse shtiret sikur po inkurajon emërimet e grave në postet më të larta. Rama i përbuz gratë (zaten KM përbuz edhe të gjithë ata, që ka rrotull) dhe përfshirja e tyre në qeveri bëhet sipas nje skeme të caktuar : Gra me personalitet dhe arritje të pamjaftueshme për të thënë JO. Në qeverinë Rama-2, ashtu si në të parën, janë gra që nuk i njihte kush para se të përfshiheshin në qeveri, ose ishin militante të sprovuara. Në komunikimet me sms apo e-maile(të dëshmuara edhe nga Helena Kadare) me gra që i njeh mirë, apo edhe pak, kryeministri Rama përdor fjalë si “zemra”, “shpirti” apo “o yll”, që nuk dëshmojnë respekt, por përkundrazi, që gratë mund të manipulohen kollaj. Zaten gratë e zonja dhe me personalitet refuzojnë të pranojnë një gjuhë të tillë, të pështirë.
Berisha me patriarkalizmin e tij, kishte raporte të ngjashme me gratë, “që i dilnin nga rrjeshti”. Rasti i Prokurores së Përgjithshme Ina Rama, që nga e quajtur “Silvia Konti”, përfundoi në “lavire bulevardi” ishte një nga rastet më tipike, por nga të paktët e shfaqur në publik. Me kalimin e viteve në pushtet, nga PD-ja u larguan gradualisht gratë e zonja si Rushen Golemi, nënkryetarja e Kuvendit Qirko, Marieta Pronjari etj., për tu zëvendësuar me Grida Dumat dhe Mesila Dodat.
Por shembuj të tillë mund të jepen pafund edhe për politikanë më të rinj në moshë si Ben Blushi, që u soll në mënyrën më të pahijshme të mundshme me bashkëkrijuesen e lëvizjes LIBRA, Mimoza Hafizin.
Karriera e grave në Shqipëri mbetet po aq e mbyllur sot, po aq sa ka qënë në vitet ’80 dhe ’90, pa bërë as përmirësimin më të vogël. Këtë gjë e shton edhe emërimi në poste të burrave të pazotë e të pashkolluar, të cilët mund të mbledhin rreth vetes vetëm “të pazonja” ose “të nënshtruara”.
Sigurisht, është më e lehtë të bësh me faj shkaktarët kryesorë, por edhe vetë gratë dhe vajzat nuk mund të përjashtohen nga përgjegjësia, sepse janë pak të organizuara, për të bërë atë që duhet si gjysma e shoqërisë që janë. Lëvizja feministe në Shqipëri duket se është mjaftuar me fitimin e të drejtës “për të ndenjur kafeneve” po aq edhe sa burrat dhe jo për të marrë pjesë denjësisht në vendimmarrje. Eshtë absurde të mendohet se burrat do e lëshojnë vetë pushtetin e plotë, që kanë në shoqërinë shqiptare.
Mbase priftëresha nuk kishte bërë më shumë se të kundërshtonte Papa Nuçin për problemet e familjes deri sa kishin mbetur për kohë të gjatë“të mëritur”, por kohë më parë, edhe pse jo e shkolluar, edhe pse shtëpijake e kishte detyruar burrin të lëshonte diçka nga pushteti i tij dhe të detyrohej t’i drejtohej mishit: “Ti mish të bëhesh me presh!”

80 vjet më vonë, Edi Ramës i mjafton t’i shkruajë (të themi Manastirliut) “Zemra mos çaj kokën për shkeljen e ligjit, por këtë tender do ja japësh filonit!”

Saturday 27 January 2018

Rruga e gështenjave

Pse e vranë atë rrugë,
Rrugën,
Që më shpinte në të filmave botë
Sa shpejt vrapoja trotuararëve të saj
Me rrasa mbuluar,
Për të arritur tek porta e kinemasë
Edhe pse ishte vonë
Edhe pse ishte e kotë?
Hapësirën me kurora gështenjash mbuluar
Ku nuk lagesha as në shi;
Dhe mes të rriturve dredhoja,
Për t’ju shpëtuar pellgjeve
Dhe indiferencës së tyre
Pështjellë në fësh-fëshe të hirta
Dhe këpucë të zeza
C’ka atë kohë quhej rini.
Murin e lindjes i hoqën
Dhe me dritë të bardhë
E vranë pafajësinë e saj intime,
Të mbuluar me trungje gështenjash
Me të trashë lëvore,
Dhe bashkë me të fëmijërinë time
Të hazdisur të djelash
Të stolisur kristalesh dëbore.
Me shumë kripë vranë
Pasqyrat e krijuara në akull
Ku rrëshqisnim mbi mijra hargalisje
Binim
Dhe ringriheshim sërish,
Pa ditur se kolovajzeve të jetës
Ku dhjetra ranë,
Do ishte e pamundur të gjeje rinisje,
Si është e pamundur të ardhme të ngresh
Mbi themele të vjetra shtëpish.
Mua ma vranë atë rrugë gështenjash
Pa thyer vitrinat ku mbështesja hundën,
Ishte një “natë e ngadaltë kristalesh”
Natë shumëvjeçare
Edhe pse përzjehej me ditën,
Vrasja,
Që më bëri të merrja udhën.

Thursday 25 January 2018

E ke që e ke të fryrë, hyrë edhe këtej, nga dhoma e grave!

Këtë thënie nga një anekdotë e anëve tona me dasmë dhe gajdexhi, më kujtoi vendimi i Lali Erit të Tiranës, për të blerë apartamentet e Kadaresë dhe Dritëro Agollit dhe për t’i kthyer në muze.
“Shoqërizimi” nuk ka lidhje as me “Dasmën” e Kadaresë dhe as me ndonjë gajdexhi në poezitë apo tregimet e Dritëroit. Më shkoi mendja se si mund të funksionojnë “ dy apartamente muze” njëri përmbi tjetrin, kur personalitetet kanë një diferencë aq të madhe mes tyre.
Mendova, që një “udhërrëfyes”, pasi i shpie turistët e huaj të vizitojnë studion ku ka shkruar Kadareja “ Dimrin e Madh” apo “Pallatin e Endrrave”, vepra këto të njohura mes dashamirësve të letërsisë në botë, ju thotë edhe “ Një kat më lart kemi edhe studion ku është shkruar “Nënë Shqipëri” dhe “Njeriu me top”. Doni t’i hidhni një sy?”.
Turistët e huaj(këta të grupeve janë zakonisht të moshuar), pasi “ju ka dalë xhani” në tre kate për të parë makinën e shkrimit të Helenës dhe stilografin e Ismailit, duhet të ngjiten edhe 20 basamakë të tjerë, të takojnë Sadijen, që do ju tregojë se sa marrëzisht e donte Dritëroi.
Amatorizmi i Rilindasve, së bashku me mungesën e kulturës, sensin e masës dhe një prirje për të idealizuar të kaluarën në Diktaturë, shpije në çdo lloj absurditeti.
Kjo është një më shumë, në vazhdën e lyerjes së pallateve nga Rama, ishulli i Beratit dhe Kulla Vrojtuese e Peleshit, muraleja e Tepelenës e Tërmet Peçit, Veliera e Dakos dhe sa e sa të tjera, të cilat më kanë shpëtuar mua, por që i dinë ata, të cilët jetojnë në Bashkitë e drejtuara nga Rilindasit.
Këta “birko injorantësh”, që nuk kanë pasur kohë të lexojnë, se janë marrë me militantizëm mitingjesh, kanë edhe delirin se mund të bëjnë gjëra të mëdha, me të cilat do hyjnë në histori.
Dhe në histori mund të hysh vërtet.
Por hyn edhe si Osman Gazepi dhe të tjerë personalitete qesharake të trevave tona.

Tuesday 23 January 2018

Celentano- Mbreti (jo vetëm i injorantëve)

Adriano mbushi para dy javësh 80 vjet. Edhe pse sot, e quaj ndër këngëtarët e mij më të preferuar, të të gjitha kohrave, nuk ka qënë që shumë herët i tillë. Edhe pse dija suksesin e tij dhe famën në gjithë Europën me “24 milla bacci”, “Ragazzo della via Gluck” apo edhe “Chi non lavora- Non fa l’amore”, preferoja Morandin dhe Ranierin. Afrimin e vërtetë ndaj tij ja dedikoj Rikut dhe më vonë Binit.
Riku kishte një manjetofon italian, me disa shirita me këngë të viteve ’60 të Adrianos dhe jo vetëm, që i dëgjonim shpesh gjatë viteve të adoleshencës, por edhe na i përkthente tekstet, që të bënin më të afërt me botën e këngëve të tij. Atë kohë dija vetëm njëzet fjalë italisht, nga ato që i dinin të gjithë ata, që dëgjonin “Hit Parade”. Në Korçë nuk kishte kanale televizive italiane ndaj, ç’kishte mbetur në mendje nga Sanremot e Majk Bonxhornos, përzjehej me “Hit Parade” dhe “Canzone per l’estate”, të cilat ishin të vetmet emisione radiofonike, të cilat edhe i dëgjoja ndonjëherë (Nuk kam qënë kurrë i apasionuar pas radios, as në zbore, plazhe apo udhëtime).
Riku dinte shumë mirë italisht dhe nuk jam i sigurt, nëse kishte mësuar me ndonjë metodë apo duke lexuar e dëgjuar nga pak. Në këngët , që kishte në shiritat e tij, “shkëlqente” “Storia d’amore”, por unë kisha të preferuarën time “E voi ballate”. Ende  e kujtoj fillimin: “…riempite il mio bichiere…”
Në Tiranë, kur shkova në universitet,  ishin thuajse të gjithë “fansa” të Celentanos, me përjashtim të atyre që ishin të apasionuar pas “hard rock”. Bini e njihte italishten po  aq mirë sa dinte frëngjisht dhe herë herë më tregonte për këngë të veçanta të Adrianos, kohën që ishin krijuar dhe historinë, që kishin pas.
Ende e kam në mendje spjegimin e tij të hollësishëm të “Preghero”, të cilit i jepte edhe llogjikën e kuptueshme të një artisti, që ndodhet në një sukses të paparë dhe duket se po shkëputet nga besimi tek Zoti.
Ne ishim materialistë të bindut në rininë tonë, se na dukej se çdo gjë spjegohej aq logjikshëm nga filozofia marksiste, por Bini edhe pse nuk ishte fetar, kishte më shumë një lloj agnosticizmi në raportet e tij me natyrën, Zotin, jetën edhe vdekjen. Megjithatë duhet të them, se bisedat e thella filozofike nuk kanë qënë kurrë pjesë e bisedave tona. C’ka reflektohej, ishte në bisedat e zakonshme rreth historisë, letërsisë dhe artit dhe personaliteteve botërore.
Në rini, pra, Adrianoja u bë për mua, këngëtari italian më i preferuar dhe që kur filluan kanalet italiane edhe në Korçë, nuk humba kurrë asnjë “show” të tij. “Il Re” është i tillë jo vetëm për forcën artistike, por mbi të gjitha për botën e tij të madhe dhe shpirtin e madh.
Duket, që të vonuar më se tre dhjetvjeçarë nga shoqëria perëndimore, ne jemi ende në brezin e Sinatrës, Presllit dhe Celentanos.
Edhe dhjetra vite të tjera për ty Adriano!

Monday 22 January 2018

Kënga e të munduarve

Ja dhe pak
Dhe borxhe nuk do kemi;
Ja dhe pak
Dhe më mirë do jemi;
Ja dhe pak,
Ja dhe pak,’
Ja dhe pak.
Prit dhe pak
Të mar turnin kam dhe një orë;
Prit dhe pak,
Në trup më prek me tënden dorë
Prit dhe pak
Prit dhe pak
Prit dhe pak.
Oh sa pak!
Nuk ndjemë si ikën vitet;
Oh sa pak!
Trupi plaket, më nuk rritet.
Oh sa pak!
Oh sa pak!
Oh sa pak!
Tonin gjak
Kush e shpuri dëm.
Tonin gjak?
S’bëzan dhe kënd nuk nëm
Joni gjak,
Joni gjak,
Joni gjak.
Ja dhe pak
Dhe më s’do jemi
Ja dhe pak
Dhe gjithshka tonën do kemi
Ja dhe pak,
Ja dhe pak,
Ja dhe pak.

Saturday 20 January 2018

Requiem per Robinin

Tani e kanë zbritur. Dhe unë dëgjoj një meshë të Moxartit, të porositur nga kushedi se cili kont apo baron. Bini i urrente të pasurit jo për pasuritë, që kishin, por për hipokrizinë dhe vanitetin e tyre. Por ndoshta pa ta nuk do kishte as mesha dhe as rekuieme të fuqishme, që të shpien në botën e përtejme dhe të bëjnë të mos ndjehesh i humbur.
Bashkë me të kanë zbritur edhe dhjetra libra klasikësh të lexuar në original, një pafundësi me histori të Europës të treguara për njerëz normalë dhe histori njerëzish të thjeshtë, që tregonin për madhështinë e tyre.
E madhërishmja p[r t[ ishte tek e vërteta, edhe tek e vërteta qesharake, ndoshta më pak tek ajo tragjike. Të vërtetat tragjike të të tjerëve e bënin t’i vlonte gjaku dhe të ngrihej për të bërë diçka. Deri sa përplasej për të disatën herë me të fuqishmit, që nuk i thyente dot, por dhe nuk arrinin ta thyenin,
I ngjiste një kalorësi të Tryezës së Rrumbullakët, ose kështu më dukej mua se ishte me trup atleti, i mençur, i drejtë dhe mbante një emër anglez- Robin.
Deri në të tridhjetat e tij mund të ngrihej dhe të “përleshej” për çdo të dobët, të cilit i bëheshin padrejtësi. Një kalorës, që zhgënjehej çdo ditë e më shumë nga njerzit edhe pse e njihte mirë historinë e kësaj bote.
Pranë tij ndjeheshe i mbrojtur nga Mirësia, por edhe pse e dije, që po të të prekte kush do e kishe në krah deri në fund. Edhe pse do e pësonte apo do linte në rrëmujë punët e tij, që e prisnin.,
Tani ka zbritur, kushedi pse. Ndoshta duke ndjekur një thirrje për ndihmë nga e përtejmja botë. Duke i lënë vetëm tre njerëzit më të dashur. Duke na lënë vetëm edhe të gjithë ne të tjerëve, që na deshte dhe mendonim se do na mbronte gjithmonë.
Vetëm kjo padrejtësi nuk e ka indinjuar, por e ka bërë të prehet, mbase i lodhur nga poshtërsitë, arrogancadhe mjerimi i kësaj bote.
A mund t’i jenë kthyer në lule ato miliona të qeshura të tij?

I mori edhe ato me vete apo i la mes nesh?

Friday 19 January 2018

Bini

Bini nuk është më. E kisha në mendje, kur mora lajmin e keq. Të veshur me një uniformë, të cilën e përbuzte më shumë se ne të tjerët. Po shkruaja duke pasur në mendje Mamurrasin dhe Binin dhe historitë absurde, me të cilat qeshte me të madhe.
Bini ishte shoku im më i mirë i Kursit të Arkitekturës. Më i mençuri, më i sinqerti, më i drejti, më shpirtmadhi. Me të mund të ndaje gjithshka.
Ishte i pari, që më hapi sytë, se Enver Hoxha ishte më i keqi mes atyre, që kishte rrotull.
Fliste thjesht e bukur për Rusonë, Monteskienë, Volterin, kur duhej , pa bërë bujë, pa treguar se sa shumë dinte. Dhe qeshte gjithmonë.
Ishte shumë më i kënduar se ne të gjithë. Dhe më i thjeshtë. Kishte përqafuar, që në atë kohë të zymtë, një filozofi të iluminizmit modern. Rrinte me më të përvuajturit dhe përbuzte të fuqishmit. Dukej se kishte kuptuar thellë se cilat gjëra janë më të rëndishme në jetë.
Urrente disiplinën.
Ishte një futbollist tejet i talentuar, por i mungonte vullneti për të arritur në nivelet më të larta të futbollit shqiptar.
Podiumet, presidiumet, lavdet, kurorat, medaljet nuk ishin për Binin.
I deshte njerëzit e thjeshtë, ata të vërtetët, në shkallët më të ulta të shoqërisë.
I miri Bini!
Shoku që më mësoi aq shumë rreth jetës dhe njerëzve.
Njeriu që e deshte pafundësisht jetën e pastër, larg hipokrizive dhe meskinitetit.
Duket sikur e ndjeja që po largohej ndërsa shkruaja:

Disiplina
Eshtë një tryezë e madhe
Me mushama mbuluar
Dhe pjata alumini mbi të.
Fytyrat janë të vetmet
Që na ndajnë nga të tjerët,
Ndërsa lugët bishtshkurtra
Përplasen me disiplinë
Në lëngun e trashë të absurditetit
Dhe ç’ka tjetër në të.
Askush nuk të vjen në ndihmë,
As Shvejku nuk të kthen humorin e zi
Cudi pse lyhemi me blerim,
Kur duhet të vishemi në disiplinë,
E gjelbra s’mund të jetë prazmore
E gjelbra është Liri.
Disiplina
Eshtë balta ku më detyrojnë të shtrihem
(A nuk isha baltë para se të vija në jetë?)
Dhe një gojë e errët eprori
Që më nxit të zvarrisem,
Një e errët gojë,
Që dua ta shpoj me bajonetë.
Disiplina
Eshtë zinxhiri i brengave
Që lidhur këmbëve na ndal fluturimin,
Ndoshta më gjatë na mban në tokë
Por më të njëtrajtshëm e bën harrimin,
Me shufrat e saj të pamëshirshme,
Që thellë na hyjnë në kokë.

Thursday 18 January 2018

Shqipëria nuk është një mal me pilaf ! (Vjeshte 2009)

Kane kaluar me se 8 vjet, qe kur u botua ky artikull ne gazeta "Tema". Edhe pse kisha shprehur bindjen se "nuk ishte nje mal me pilaf", koha tregoi se Shqiperise ju futen me luge dhe duar shumica e politikaneve dhe miqte e tyre. Kjo foto e Tatacit, me kujtoi shkrimin, i cili ishte ende ne internet. Shume gjera kane ndryshuar. Mero Bazeja eshte bere koke e kembe me Ramen; Agjensia ndoshta nuk ekziston; eshte shpikur "Rilindja Urbane, por GRYKESIA mbetet e njejte. Te ndeshkuar per Grykesi- asnje.
Në vitet ’60, një hamall trupvogël, të cilin gjithë Korça e njihte me emrin Tataç, kur bëhej ndonjë gjyq për “vjedhje të pasurisë socialiste” (nen që parashikonte dënime shumë të rënda) thoshte me zë të ngjirur dhe shtruar: “E po këta kujtuan se socializmi është një mal me pilaf dhe o burra të rrëmbejmë nga një lugë e t’i biem ta hamë”. Tataçi i gjorë duhet të ketë 40 vjet që ka vdekur dhe socializmi po bën 20. Shqipëria, pilafi dhe lugët kanë mbetur.
Në raportet e ndërkombëtarëve për korrupsionin, Shqipëria ka bërë hapa prapa këtë vit. Nuk kam ndërmend të ve në dyshim sondazhet e organizmave të specializuar, as edhe të përforcoj me bindje që korrupsioni vërtet gjatë vitit 2009 u shtua. Këtë e them, se ky djall me këtë emër gërryes, ka kohë që është shtruar këmbëkryq në jetën shqiptare. Dua të merrem me një deklaratë të kryeministrit Berisha, lidhur me rolin që ka luajtur korrupsioni në Bashkinë e Tiranës, në sondazhet e kryera me shtetasit shqiptarë gjatë vitit 2009, për nivelin e korrupsionit në vend. Pak a shumë, në një konferencë për shtyp, kryeministri tha se zbritja e shkallëve të Shqipërisë vjen nga bllokimi i lejeve të ndërtimit prej Ramës, por pas disa muajsh ky problem do zgjidhet me daljen e ligjit të ri për planifikimin e territorit.
Që Berisha gënjen, ky nuk është ndonjë zbulim. Të qenit demagog, është veçoria kryesore e tij si politikan. Megjithatë, i mësuar me gënjeshtra politikanësh (që për fat të keq nuk ndodhin vetëm në Shqipëri), i hodha një sy ligjit, që do fillojë të zbatohet në shtator të vitit 2010 dhe që do na ngjisë të paktën 20-30 shkallë në tabelën botërore të “pastërtisë“!
Me keqardhje konstatova të kundërtën.
Ligji i ri e shton mundësinë e rritjes së korrupsionit, përveç se krijon edhe probleme të tjera për urbanistikën dhe territoret e Shqipërisë.
Le të ndalemi në dy tre pika kryesore, se ligji është rreth 70 faqe dhe nuk mundet në një shkrim të tillë të preken të gjitha problemet që krijon zbatimi i tij.
E meta kryesore e këtij ligji është rritja e centralizimit dhe zvogëlimi i kompetencave të pushtetit vendor në çështjet e urbanistikës dhe të zhvillimit të territoreve.
Është i njohur botërisht fakti që centralizmi e shton korrupsionin. Sali Berisha, në vend të përzihet sa më pak në çështjet e territoreve dhe ndërtimeve në to, dhe të suprimojë Këshillin e Rregullimit të Territorit të Shqipërisë, me ligjin e ri i ndryshon vetëm emrin (quhet Këshilli Kombëtar i Territorit) dhe shton edhe një institucion të ri pranë Këshillit të Ministrave, që do quhet Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit.
Ku qëndron e keqja?
Në radhë të parë nuk është normale për një parti të djathtë të bëjë atë që në perëndim quhet zmadhim i qeverisë dhe rritja e rolit të saj. Megjithatë le të lemë mënjanë parimet bazë të politikës, se tek ne janë disi kokëposhtë dhe le të kthehemi në ndërtimet dhe korrupsioni.
Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit do marrë atributet e ish-Komisionit të Planit të Shtetit për çështjet e zhvillimit kombëtar. Në krye të saj, me siguri që Berisha do vendosë ndonjë kallashshpërndarës nga ata të ’97-ës dhe do bëjë si i thotë mendja dhe qejfi me territoret e Shqipërisë. Pak a shumë, dollibashi Berisha do jetë në krye të një sofre të madhe me miq dhe do fillojë të shpërndajë pjesë nga mali me pilaf dhe thelat e majme, sipas devotshmërisë të pjesëmarrësve në sofër. Ky quhet korrupsion sade (në gjuhën e kuzhinës turke).
Në ligjin e ri hiqen KRRT-të e njësive vendore dhe tani pushtetarët vendorë do zbatojnë Planet Rregulluese dhe Rregulloret e miratuara nga AKPT dhe KKT.
Kur lexoja këtë ligj të ri, mendja më shkonte se si ishte pajtuar Rama me këtë largim të dhunshëm nga sofra e malit me pilaf. Pa ditur shumë hollësi rreth diskutimit dhe miratimit të këtij ligji në prill të këtij viti, them se në euforinë pragzgjedhore, edhe Edi Ramën e dehu ëndrra për tu bërë dollibash.
Po a është Shqipëria një mal me pilaf dhe o burra t’i futemi me lugë?
Përgjigja është më shumë JO se sa PO.

Shqipëria nuk është më në kohën kur toka dhe thuajse çdo gjë tjetër ishte pronë shtetërore. Gjithashtu ne nuk jemi jashtë një monitorimi nga ndërkombëtarët. Edhe pushteti juridik nuk është plotësisht i varur nga ekzekutivi. Megjithatë, kjo përpjekje për të kontrolluar çdo gjë të shpie kudo, vetëm në një demokraci të zhvilluar jo. Korrupsioni do vazhdojë në të njëjtat nivele dhe rrezikon të shtohet. Drejt sofrës të dollibashit Berisha do shtyhen për tu afruar shumë investitorë. Sigurisht, jashtë saj do mbeten ish-pronarët dhe ata që s’kanë lidhje me pushtetin. Hamejtë (tani më ngjan se quhen mbartës) si puna e Tataçit do vazhdojnë të qeshin hidhur me ata, të cilëve Shqipëria ju duket si një mal me pilaf.

Maturantë

Kjo foto, që edhe pse ka vitin 1978, mund të jetë e dhjetorit 1977. Dëbora e parë, në rininë tonë, binte nga fundi i nëntorit dhe dhjetori ishte gjithnjë i bardhë.
E bardhë, e pastër, ndonëse nën Diktaturë, ishte edhe rinia jonë. Pa paragjykime, pa djallëzi, me marëdhënie miqësore.
Fotoja është marrë në pushimin e madh, ndërsa ktheheshim nga një shëtitje, që bëhej rëndom deri në kinemaja, për të mos u vonuar në orën e katërt.
Ne djemtë, jemi të tre të së IV-ës A, ndërsa të katër vajzat, të së IV-ës C. Asnjëri prej nesh nuk kishte ndonjë marëdhënie veç miqësisë me vajzat e fotos, bile as miqësi të llojit “konfidant”, si mund të ketë pasur në atë kohë dhe ndoshta ka më shumë sot. Ishte një lloj miqësie “në tufë“, e 18-19 vjeçarëve, që i gëzohen moshës më të bukur të jetës.
Më ka mbetur në mendje, çasti i marrjes së asaj fotoje (fotografi mund të ketë qënë Zyhdiu, që duke qënë një ditë me borë dhe diell, kishte dalë për të realizuar planin e muajit), por jo aq shumë për çiltërsinë tonë se sa për një sjellje të dikujt, që nuk është në foto.
Në shëtitjen “në tufë“ ishte edhe një vajzë e pestë, e të njëjtës klasë. Kur u propozua (ndoshta nga Ana e gjatë) të bënim një foto të gjithë si ishim, vajza e pestë, u nda nga ne duke thënë diçka si: “Nuk kam ku e shpie këtë foto!”
Ishte diçka, që dukej sikur njolloste bardhësinë e dëborës dhe bardhësinë e rinisë sonë. Nuk e zumë në gojë kurrë, as me shokët e mij të ngushtë, por besoj se edhe atyre, ju la të njëjtën mbresë.
“Një foto me djem?! Dhe që nuk i kam as të klasës?”
Mbase ishin mendimet e saj në ato çaste, që shikonin më larg se ne, që i gëzoheshim momentit. Ndoshta mendonte se çdo i thoshin prindërit. Mbase shihte edhe më larg, një “dyshim të mundshëm” të kandidatit për fejesë.
Nuk kam pasur të bëj më vonë, me vajzën e pestë, pork am menduar gjithmonë për të, sin jë njeri, që “kalkulon” dhe i hedh me shumë kujdes hapat në jetë. Mbase ka arritur edhe të planifikojë çdo gjë në rregull, edhe pse tani, në fundin e të pesëdhjetave, të gjithë e dimë, që jeta nuk planifikohet dot.
Ishte ftohtë atë ditë.
Dhe më të ftohtë e bënte dikush, që ndahej nga shoqëria, për motive tërësisht të pakuptueshme, të dyshimta, meskine.

Ishim thjesht maturantë.

Wednesday 17 January 2018

Skënderbeu dhe turqit- dhe Mesjeta çorbë

“Ah të kishim patur edhe një Skënderbe tjetër!” është thirrja, që i del nga gjoksi çdo fëmije shqiptar, pasi është “dëndur” me legjendat e Gjergj Kastriotit në shkollë, në bibliotekë dhe në emisionet televizive. Ka disa dhjetvjeçarë, që shqiptarët e kanë mendjen top, se fati i tyre i keq u përcaktua në një ditë janari të vitit 1468, kur mbylli sytë Heroi Kombëtar.
“Eh, që ishte Gjoni i vogël, se do ishim tani europianë dhe shkuar europianëve. Pak a shumë si Zvicra.” (Zvicra në kohën e Skënderbeut ishte një Konfederatë Kantonesh, e ngjashme me organizimin shtetëror , që ka sot.)
“Eh ata turqit barbarë!” është thirrja tjetër, që del nga shpirtrat fëminorë të shqiptarëve, që gjithë kusuret e sotme ja kanë hedhur si qyrk, pushtuesve turq. Dembelizmi, rryshfeti, prapambetja, bestytnitë, ferexhetë, vrasjenatën-qarjeditën janë të tëra nga turqit. Ne ishim një popull europian, i krishterë, i shkolluar, i përparuar, punëtor dhe paqedashës. Përveç të parës, ne nuk kishim asnjë cilësi tjetër(zaten as identitet europian nuk kishte në atë kohë, se bota ishte më e vogël) nga të sipërpërmendurat më të kultivuar se mesdhetarët e tjerë.
Ne nuk ishim të krishterë më të mirë se italianët e të tjerë popuj të Europës Qëndrore, të cilët, në kohën kur u lind Skënderbeu, kishin zgjedhur për Papë, Baldasar Kosën, i cili kur u hoq u dënua në gjyq për “piratizëm, përdhunime, sodomizëm, vrasje dhe inçest”.
Ne nuk ishim më të shkolluar se të tjerët, se njihen shumë pak institucione arsimore në atë kohë dhe gjuha jonë sa kishte nisur të shkruhej.
Ne nuk ishim as më të përparuar se të tjerët, për arsye të terrenit, të largësisë nga Danubi, të rënies në vazhdim të Perandorisë Bizantine dhe të tjera arsye.
Ne nuk ishim as më punëtorë se të tjerët, se në gjithë krishtërimin e asaj kohe puna nuk ishte nder. Lidhja e punës me Zotin dhe nderimi i saj është vepër e Reformatorëve Martin Luter dhe Xhon Kalvin, të cilët e zhvilluan veprimtarinë e tyre një shekull më vonë se shekulli i Heroit tonë Kombëtar.
Ne nuk ishim më paqedashës se të tjerët, se në atë kohë jemi përfshirë në luftra që shtrihen nga Azia e Vogël e deri në Spanjë. Eshtë e dokumentuar, që Gjon Kastrioti bashkë me prijës të tjerë serbë dhe shqiptarë ka dërguar trupa më 1402 përkrah Otomanëve, në betejën e Ankarasë kundër mongolëve.
Turqit më shumë i sollëm ne se sa erdhën në Shqipëri. Në shekullin e XIV dhe XV, ata ishin një forcë ushtarake e fuqishme dhe shpesh prijësit shqiptarë i thërrisnin në ndihmë, kur luftonin mes tyre, me sërbët, bizantinët apo perëndimorët e tjerë. Më 1385 Karl Topia i kërkoi ndihmë Sulltan Muratit për të luftuar kundër Balshës II, që donte të pushtonte Durrësin. Tre vjet më vonë, Gjergj Balsha bënte aleancë me Sulltan Muratin të mundte rivalin e tij, Vlatko Vukoti] të Bosnjës. Më 1392, Niketa Topia sulmoi Krujën t’ja merrte të kushërirës Helena Topia, dhe kjo iku të mbrohej në Balshajt që ishin vasalë të Turqve dhe dy vjet më vonë, turqit i kthyen Krujën Helenës, që u martua me Konstandin Balshën.
Pra një teatër i shëmtuar oborresh, vasalësh, ndryshime aleancash, martesash për interes, luftrash me mercenarë - të gjitha për pushtet dhe para, pa asnjë parim etnije, gjuhe apo feje.
Kjo ishte Mesjeta në të gjithë Europën dhe në Lindjen e Afërme dhe Turqit ishin një forcë administrative dhe ushtarake më e përparuar se rivalët e tyre europianë. Përgjithësisht, ushtritë turke ishin më të shpejta dhe më të pakta në numur dhe jo si na kanë mësuar, që “lukunitë“ me barbarë aziatikë, i suleshin Europës së përparuar.
Shtetet feudale europiane ishin po aq mizorë sa edhe turqit. Ishin luftra për zotërime dhe për të fituar të drejtën të rroje mirë në kurriz të të tjerëve.
Kjo ishte e gjithë Europa në kohën kur u formua si njeri, luftëtar dhe shtetar Gjergj Kastrioti.
Të mbijetoje dhe të sundoje duheshin trimëri, dinakëri, mizori, zgjuarsi, diplomaci dhe mbi të gjitha mungesë skrupujsh.
Për shembull, më 1428, Gjon Kastrioti i kërkonte të falur zyrtare Senatit të Venedikut, për rolin e Skënderbeut si oficer në ushtrinë turke, në fushatat kundër vendeve të krishterë.
E megjithatë, Gjergj Kastrioti i ktheu kurrizin Sulltanit, për motive ende jo shumë të qarta dhe krijoji aleanca me princa shqiptarë dhe serbë, me Venedikun dhe Vatikanin, apo edhe me mbretin Alfons të Napolit, që ishte një tjetër pushtues i trojeve në Itali, sepse ishte spanjoll.
Skënderbeu ishte një ushtarak i lavdishëm dhe në kohën e formimit të kombeve(shek XIX) shërbeu si një kartë e fortë  e shqiptarëve, në kanceleritë europiane për të fituar të drejtën e formimit të shtetit-komb-shqiptar. Gjithashtu u përdor në mënyrë të shkëlqyer nga Rilindasit për të krijuar një ndërgjegje kombëtare tek shqiptarët, e cila ishte thellësisht e dobët deri në vitet e Luftës së Dytë Botërore.
Tani është më mirë të fliten ato të vërteta të cilat janë të sigurta për Mesjetën në Ballkan, rolin e Skënderbeut dhe rolin e turqve.

Historia e zhveshur nga ekzagjerimet, denigrimet dhe nacionalizmat është jo vetëm më e sakta, por edhe më e dobishmja për t’ja u mësuar fëmijëve.

Të flasësh “politikisht korrekt” në Shqipëri

Po bëhen 7 vjet (dhe obobo) që nuk kam qënë në Shqipëri dhe nuk jam i sigurt, se ç’farë mund të thuhet duke “qënë brenda” dhe mos të të hidhen në grykë, ose të të kallzojnë në organet e rendit, në prokurori, ose në mediat sociale.
Do më përgjigjen se çdo gjë varet nga mjedisi ku ndodhesh dhe nuk ka rregulla të prera pët “të qënë politikisht korrekt” ose të mos biesh në kundërshtim me Kushtetutën.
-          P{r shembull unë nuk jam i sigurt se a mund t’i them Mero kurbatit “Mero si e ke kurbatkën?” sikundër e kam pyetur sa herë e takoja se nuk më kujtohej emri i saj, apo duhet t’i them “Si e ke romkën?. Nuk di se cili është edhe opinioni i filozofit Fuga në këtë çështjen cigan-kurbat-rom dhe se si më duket, si tepër e ftohtë:”Mero si e ke gruan?”
-          E di, që deri sa të hyj në Pogradec, nëse bije fjala për Janullatosin, ose duhet të mbaj gojën mbyllur ose të ankohem se nuk e ka ngritur sa duhet figurën e Nolit, kurse me të hyrë në Korçë mund të them plot mburrje:”Po jemi orthodhoksë o burr’ i dheut!”
-          A është politikisht korrekt të pyesësh një gjykatës “Shef si dole me Vetingun?” Se gjykatësi mund të dalë edhe shumë i kënduar dhe të të hidhet në grykë me pyetjen: “Pse ç’më di ti mua kalë garash?”
-          Problem duhet të jetë(sipas rradakes sime) të flasësh për të huajt. Se po fole mirë për rusët je kokë e këmbë armik, po the ndonjë gjysëm llafkë në favor të sërbëve duhet të pushkatohesh, ndërsa solidariteti me grekët, turqit dhe maqedonasit të bën tradhëtar. S’mund të flasësh mirë as për francezët se e kanë mirë me sërbët, spanjollët se nuk njohin Kosovën, si dhe të gjithë sllavët dhe arabët. Mbeten vetëm norvegjezët, po ata zuri në gojë për mirë edhe presidenti Trump dhe nuk i lanë llaf pa thënë
-          Këngët e sernatave është mirë , që t’i lëvdosh “toptan”, se po guxove dhe the, që një pjesë e tyre janë qaramane, me tekste bajate, të kopjuara, ligavi pijanecësh apo “tralala zura një galë“, do sulmohesh si anti-korçar, injorant muzike, snob, insensitive dhe gagarel.
-          Bukuritë natyrore të Shqipërisë nuk duhen vënë në diskutim. Ne kemi plazhet më të mrekullueshme, pyjet më të vjetër dhe hijerëndë, malet me ajrin më të pastër dhe luginat më të larmishme në botë. Po t’i “manaxhonim” pakëz më mirë, vetëm me turizëm do ja “hidhnim fukarallëkut”. Eshtë më mirë të dish se të kesh dhe është më mirë të dish e të kesh se mos kesh dhe mos dish, Po më mirë akoma është të kesh “kesh”. Diku në Zvicër, Qipro, apo ishujt Kajman.
-          “Rilindja Urbane”. Mund të shash “Rilindasit 1.0”, Naimin, Samiun, Naumin dhe Spiron, ose edhe “Rilindasit 2.0” Edin, Saimirin, Erin dhe Nikon, po në “Rilindja Urbane” mos u krruaj se “atje të bëjnë copë!” Vetëm të mos kesh sy e të shohësh si lartësohet Tirana, si hijeshohet Durrësi, si lungomaret Vlora dhe si shkon dy hapa para Korça. Tirana nuk i ka lënë gjë Vienës, Durrësi është më i pastër se Napoli, Vlora ja ka kaluar Dubrovnikut dhe Korça po dihet, që sikur e ka nxjerrë Parisi nga hundët.
Po mund të rrish edhe pa folur dhe të bësh “po, po” me kokë. S’ka më “politikisht korrekt” se kjo. E mban mirë me të gjithë. Se fundi i fundit vetëm 3-4 javë do jesh vizitor dhe s’ke pse të përzihesh me biseda me spec. Edhe po të nxorrën me zor ndonjë fjalë, mund të thuash parrullën e famshme:

“Ka edhe të meta, por e përgjithshmja është pozitive!”

Tuesday 16 January 2018

C’do populli bën Partia, ç’thotë Partia bën populli

Diktaturës në Shqipëri i duheshin herë herë  parrulla, të cilat vërtet nuk i besonte kush, por ishin të nevojshme për konferencat e seminaret, për të mbushur muret e sallave dhe fasadat e qyteteve.
Parrulla “C’do populli bën Partia, ç’thotë Partia bën populli” ka qënë një parrullë e hershme. Ndoshta e kopjuar nga rusët apo kinezët, por gjithsesi një parrullë domethënëse, gjysëm e vërtetë dhe gjysëm e gënjeshtërt.
Pjesa e gënjeshtërt nuk ishte shumë e rrezikshme pikërisht se ishte e rreme, por tjetra, e vërteta të thyente në mes.
Populli bënte ç’i thoshte Partia dhe kjo ishte e vërtetë si “një e një, që bëjnë dy”. Kishte edhe ndonjë individ nga gjiri i popullit, që nuk bënte si theshte Partia, por ai ose do ishte sabotator, ose oportunist, ose revizionist, ose agjent dhe për çdonjërën nga këto shkoje në burg. (“Shko ke burgu!” thoshte një gjykatës i rreptë, kur donte të trembte fëmijët e tij.)
Kishte raste, që futeshe në burg edhe po të bëje si thoshte Partia, por këto ishin raste shumë të komplikuara dhe ende edhe sot e kësaj dite nuk i kam kuptuar, se pse njerëz të caktuar i futnin në burg, pikërisht nga që bënin atë që ju kishte thënë Partia.
Partia i kishte spjeguar popullit edhe se ç’duhej të donte. (Në anët tona një lloj spjegimi të tillë i thonë “ja kishte bërë lopka”.)
Kështu që populli donte pikërisht atë , që duhej të donte, se kështu ja kishte spjeguar Partia dhe Partia bënte atë, që donte populli, me një fjalë atë që donte Partia, por askush nuk mund ta vinte këtë në dyshim dhe të thoshte se “Partia bën si i do qejfi!”, se “Partia bënte si deshte Populli.”
Kjo parrullë, me gjithë udhëzimet përkatëse, duhet të kishte humbur në ndonjë zyrë “qorre” të Komitetit të Partisë së Tiranës, deri sa u gjet vjet nga bashkëpuntorët më të ngushtë të Ramës, i cili duke u bazuar mbi të,  shpiku teorinë e “bashkëqeverisjes me popullin”. Kishte funksionuar për disa dekada mbi kurrizin e këtij populli dhe kjo është garanci, që mund të funksionojë edhe të paktën një legjislaturë. Eshtë pak a shumë: “C’do populli bën Qeveria, ato që bën Qeveria i ha populli!”
Për kryeministrin kjo është forma më e lartë e Demokracisë (kështu theshte edhe Merhumi për Diktaturën e Proletariatit), e cila vërtet nuk zëvendëson institucionet, por I bën ato më demokratike. Mjafton të kesh një telefon, kompjuter, apo iPad dhe bëhesh pjesë e qeverisjes. Kërkon, sugjeron, kritikon, korrigjon, ato, që ka vendosur në platformën e qeverisjes kryeministri dhe je bashkëqeverisës.
Askujt në botë nuk i kishte shkuar ndërmend kjo gjë edhe pse ka vende me tre shekuj demokraci. Por për të mos u treguar nihilistë ndaj ideve të Ramës, duhet të pranojmë, që interneti në botë është relativisht i ri dhe telefonat kanë vetëm një shekull e ca që janë në përdorim.
Aq rëndësi i pati kushtuar bashkëqeverisjes Rama, sa për të realizuar sa më mirë këtë ide, në krye kishte vënë krahun e tij të djathtë Saimir Tahirin, deri sa ky i fundit, pas komplotit të Balilajve, akuzohet pa të drejtë për trafikim droge. (Eshtë vërtet absurde! Një njeri, që do sillte popullin aq pranë pushtetit, do merrej me drogë?! Kjo është njëlloj si të thuash, që Enver Hoxha nuk i lexonte letrat e popullit.)
Megjithë këtë pengesë, kryeministri po vazhdon ta verë në jetë Bashkëqeverisjen.
Deri tani populli ka kërkuar pikërisht ato, që po bën Rama, si psh PPP-të, kullat në Tiranë, impiantet e djegies të plehrave dhe rritjen e taksave. Ka një sintoni të paparë, të ideve të Ramës me dëshirat e popullit, sa kryeministri mund të shkojë edhe për javë të tëra me pushime dhe veç të lerë të hapur faqen e Bashkëqeverisjes në Internet. E provoi këtë për dhjetë ditë në fund të dhjetorit dhe punët shkuan fjollë.
Ka vetëm një problem të vogël, që e kanë ndjerë gjithë udhëheqësit, që qeverisnin “krah për krah me popullin”. Populli shpesh nuk është mirënjohës.
Ja edhe këtu tek ne, në hapat e para të bashkëqeverisjes, populli do të protestojë!
Rama ka të drejtë të thotë:

Po ç’ke o kodosh popull, se bashkë po qeverisim, bashkë po punojmë, për ju po punojmë!”

Zyra për Kthimin e Viteve të Rinisë

Atij i lindi idea të ngrinin një Zyrë për Kthimin e Viteve të Rinisë. Ishte rrëmbyer prej saj, sa jo vetëm, që kishte skicuar një stemë me inicialet ZKVR, por kishte bërë edhe një plan të hollësishëm se si do funksiononte dhe nga do siguroheshin fondet.
Vitet e Rinisë, pranoheshin nga të gjithë filozofët si vite më të mira të jetës. Më prodhimtaret. Më krijueset.
Nëse do kishte pasur një rini normale, me siguri do kishte hapur disa ekspozita në botë dhe do ishte bërë i njohur.
Këtë ja kishte përsëritur me dhjetra herë Blertit, me të cilin i ndante gjithnjë idetë e reja, sepse ishte i sigurt se tjetri do e kundërshtonte.
-          Cilën quan jetë normale? – e kishte pyetur ai.
-          ..phh…një jetë si të gjithë europianët. a nuk e kishim në fillim parrullën “E duam Shqipërinë si gjithë Europa?
-          Edhe në Europë ka piktorë të dështuar. Arsyeja nuk është vetëm sistemi.
-          Unë nuk kisha pse të dështoja! Ti vetë më ke thënë, që mund të bëja art të mrekullueshëm.
-          Edhe? Mund të bëje art të mrekullueshëm edhe pa ekspozuar. Do i nxirrje sot dhe do vlerësoheshin- këmbënguli me cinizëm Blerti.
-          Ti e di që edhe ngjyra nuk blija dot!- thirri piktori- Kam shitur edhe gjak për të blerë!
-          Edhe më vonë të thaheshin, se nuk shpije dot në fund asnjë vepër.
-          Do të dëgjosh pak Shostakoviç?- pyeti piktori për të ulu ritmin e debatit. Blerti pohoi  me kokë dhe tjetri u mor disa minuta me gjetjen e diskut.
-          Si mund të funksionojë kjo Zyrë?- ju rikthye Blerti bisedës.
-          Në fillim do pranojë aplikimet. Të gjithë ata, që kanë qënë mbi 17 vjeç, kur u ndryshua sistemi do kenë të drejtë të aplikojnë. Pas një dy javori, një grup do fillojë të merret me dosjet e para, të cilat do kenë një afat maksimal një mujor, për tu shqyrtuar dhe për të dhënë përgjigje.
-          Dhe çdo bëhet me përgjigjet?
-          Nëse do vlerësohen pozitivisht, aplikantëve do ju kthehen Vitet e Humbura të Rinisë. Maksimumi do jetë 8 vjet.
-          Do ju kthehen në para apo natyrë?- pyeti jo pa ironi Blerti.
-          Do ju kthehen me Mundësi!- ngriti zërin piktori- Gjithshka , që do të mund të kishin bërë gjatë viteve të tyre të rinisë dhe nuk ja u lejuan, gjithshka që ëndërronin, gjithshka që ju mungoi do ja u kthejmë duke ju krijuar mundësitë.

-          Si për shembull?
(vijon)

Monday 15 January 2018

Marieta Pronjari, e jona Marieta

“Marieta…Marieta…Marieta!” më duket se e dëgjoj edhe sot, ndërsa i gjithë stadiumi thërriste në një kampionat kombëtar të atletikës. Ishte Marieta jonë, që konkuronte për “Studentin” (ndoshta atë kohë quhej ende klubi IKF “Vojo Kushi”).
Rekordmenia e padiskutueshme e kërcimit së larti ishte sportistja më e madhe shqiptare e viteve ’60.
Kërkova në Wikipedia me Marjeta Zaçe dhe Marieta Pronjari dhe nuk gjeta asgjë. Si është e mundur për një atlete të atij kalibri?
E bukur, e fortë, njerëzore Marieta ishte diçka shumë e rrallë e sportit tonë gjatë shekullit, që kaloi. Kishte një buzëqeshje të përhershme në fytyrë. Nuk di nëse i ndahej pas orëve të gjata e të lodhshme të stërvitjes. Dëgjonte me vëmendje këshillat e trainerit Taqo Duka, që kishte qënë një balerin shumë i mirë në Korçë, por pas studimeve në Bashkimin Sovjetik i ishte kushtuar sportit.
Marieta u bë “Mjeshtre e merituar sporti” pa mbushur 19 vjeç. Kishte dominuar disiplinën e kërcimit së larti dhe ishte ndër më të mirat në Europë, kur ishte në kulmin e karrierës. Ndoshta po të mos ishte rekordi i jashtëzakonshëm i rumunes Jolanda Balash, për Marietan mund të krijohej edhe ambicia për rekord europian apo botëror. Rezultatet e saj ishin pranë më të mirave të kohës.
Jolanda Balash, e cilësuar si kërcyesja së larti më e mirë e shekullit të XX-të, kërcente ende me një lloj stili gërshërë, që ndihmohej për rezultate fenomenale nga këmbët e saj veçanërisht të gjata. Rekordit të saj prej 1.91 cm të vendosur më 1964 nuk mund t’i afrohej askush.
Marieta kërcente në stilin barkush, që ishte më i përhapuri i viteve ’50 dhe ’60. Ende nuk kishte dalë në skenë Fosberi me kërcimin e tij të pazakonshëm, që është edhe stili i sotëm i kërcimit së larti. Kishte arritur të thyente rekordin kombëtar, që kur ishte 15 vjeçare dhe kështu vazhdoi të thyente rekordet e saj për vite të tëra, deri sa u tërhoq nga atletika.
Vitet ’60, nuk ishin vite shumë të mira për atletikën e vajzave të Korçës. Pas largimit të Marika Cules(Pojani), e vetmja atlete, që konkuronte per medalje në veprimtaritë kombëtare ishte spirnterja e re Dhimitra Shkodrani. Marieta mbetej atletja më e mirë, që kishte nxjerrë Korça, deri sa erdhi periudha e vajzave të Piro Kasatit, me Pavlina Evron në krye.
Ishte një fenomen, nga ata që dalin një herë në disa dhjetvjeçarë, sepse në Korçë (dhe në Shqipëri) mungonin pararendëset e saj. Atletika cilësore ishte vetëm në hapat e para.
Se sa e talentuar ishte si sportiste, u duk edhe kur luante volejboll me “Studentin”, pasi u largua nga atletika.
Marieta mbeti e mençur, e thjeshtë dhe plot dinjitet. Ishte nga emrat, që të ngjallnin besim edhe kur u përfshi në politikën shqiptare.
Pa bërë ndonjë kërkim, jam thuajse i sigurt, që pushtetarët korçarë të të dy krahëve
nuk e kanë bërë “Qytetare Nderi të Korçës”.
E kanë harruar Marietan?

Korça jo. E ka të sajën mes më të veçantave Marieta Pronjarin.

A mund të ringjallen fashizmi dhe komunizmi në Amerikë?

Dy vitet e fundit nxorrën në dritë të hapur atë çka fshihet pas “sjelljes politikisht korrekte” në Amerikë - Racizmin. Në biseda me njerëz të ndryshëm në pjesën veriore të shtetit të Nju Jorkut, më binte në sy “urrejtja” ndaj Obamës dhe zezakëve, islamikëve, meksikanëve dhe lëkurëkuqve. Dhe kjo jo vetëm nga “të bardhët evangjelistë“, të cilët njihen për këto pikpamje, por edhe nga italianë të brezit të dytë, emigrantë rusë të brezit të parë, bile edhe nga emigrantë shqiptarë. Tek miqtë e mij me ngjyrë dalloja një stepje për të hyrë në debat dhe solidarizim me njëri tjetrin. Amerikanët e vërtetë (lëkurëkuqtë) nuk përzjeheshin në biseda politike, por i shihnin me një lloj bezdije të tëra palët. Dukeshin të qetë në fatin e dhimshëm të tyre. Të bie në sy qartë, që racizmi ka rrënjë të thella në shoqërinë amerikane dhe ngjarjet e dy viteve të fundit vetëm i kanë bërë më të mprehta dhe më të shfaqura në dritën e diellit.
Racizmi në një masë të madhe njerëzish, i shoqëruar me vështirësi ekonomike dhe me nivel të ulët arsimor të popullsisë është receta e përkryer e fashizmit. Në anën tjetër, urrejtja klasore (një lloj tjetër racizmi) e shoqëruar me krizë ekonomike dhe me propagandë materialiste është një recetë tjetër, që ka sjellë rritjen e komunizmit në vendet e Europës Perëndimore gjatë shekullit të XX-të. Amerika i shpëtoi kësaj dukurie në sajë të një popullsie thellësisht besimtare, por edhe në sajë të mekarthizmit të viteve ’50.
Fushata e fundit elektorale dëshmoi se pjesët e ndryshme të popullsisë amerikane po shtyheshin larg qendrës në politikë dhe kjo për shkak të zhgënjimit të plotë nga “establishment”, që nëpërmjet politikave  zyrtare të Partisë Demokratike dhe Partisë Republikane mban të njëjtën “statu quo”.
Prirja e “establishment” është të mbahen ato ç’ka janë arritur në të drejtat e njeriut, të ruhet gjuha “politikisht korrekt” në mjedise publike dhe ekonomia të zhvillohet duke krijuar lehtësime për korporatat.
Por ka një realitet, i cili nuk mund të fshihet me gjuhën e zakonshme të gënjeshtërt politike.
Diferenca ekonomike sa vjen e bëhet më e madhe ndërmjet superpasunarëve dhe shtresave të tjera të popullsisë.
Trump nga njëra anë dhe Bernie Sanders nga ana tjetër, ishin dy kandidatët më të pëlqyeshëm për shtresat e gjëra të amerikanëve. Një pjesë e simpatizantëve të Sanders votuan për Trump në shtetet kyçe të Pensilvenias, Ohajos dhe Miçiganit duke i dhënë fitoren e paparashikuar. Përgjithësisht, këta votues janë punëtorët e bardhë, të zhgënjyer plotësisht nga “establishment”.
Nëse rritja ekonomike e vitit të kaluar, nuk vazhdon edhe për disa vjet (sipas teorisë ciklike të krizave, shpejt pritet një e tillë)atëhere propaganda ideologjike e ekstremeve bëhet edhe më efikase dhe më shumë e më shumë njerëz do vrapojnë për të përqafuar gjysëm të vërtetat e Marksit, ose të ideologëvëe fashistë.
Që tani, duken konfrontimet mes zezakëve dhe të “arianëve”. Një pjesë e mirë e popullsisë, mbështet komentet e Trump ndaj emigrantëve me ngjyrë, që vijnë nga “vëra e ha…”. Në rast se në zgjedhjet e këtij viti (midterm elections) do arrijnë të fitojnë kandidatë të të dy ekstremeve, më shumë konfrontime do ketë në politikën amerikane.
Konfrontimet në politikë rrjedhimisht sjellin një konfrontim më të ashpër në grupet shoqërore. Dhe në një vend me popullsi të armatosur, me prani të grupeve paramilitare, të tilla përplasje mund të sjellin pasoja katastrofike.
Rreziku i ideologjive ekstremiste dhe i populizmit është konkret në Amerikë dhe duket se elitat politike dhe ekonomike nuk po bëjnë përpjekjet e duhura për t’i neutralizuar.
A do jetë ky vit një vit kyç?

Të shpresojmë të jetë i tillë, por për mirë.

Thursday 11 January 2018

“Rilindja” e Zonës Sportive së Korçës.

Mes shumë projekteve me të cilat krenohet ekipi Bashkiak I Rilindjes, është Zona Sportive e Korçës, të cilës i kanë vënë një emër nga këta që të “dërmojnë“ sa i dëgjon se jo vetëm janë anglisht, por edhe bombastikë. Diçka si “Sportive Planet” ose “ Physical Universe” ose diçka tjetër e këtij lloji, në shembullin e emërtimeve të tjera me emra të mëdha dhe jo shqip.
Por nuk ka rëndësi emri, se kapistall është, por ajo ç’ka po ndodh me Zonën Sportive dhe se sa pranë të vërtetës është buja rilindase.
Eshtë një lajm i mirë, që po projektohet rikonstruksioni i stadiumit edhe pse mbeten dyshimet nga përfshirja në projekt e të “keqnjohurit” Pit Uillsën, por tani është shumë vonë për të ndalur dorën e tij jo shumë profesionale.
Zona sportive, që paraqitet sot si një studim “fantastik”(jo shkencor) nga Bashkia, ka qënë e konceptuar si e tillë që në fillimin e viteve ’80. Rikonstruksioni, që e shpinte stadiumin në një kapacitet 18 mijë spektatorësh ishte projektuar nga ark Aleko Papakozma 35 vjet më parë. Po ashtu, në fundin e viteve ’80, ishte projektuar salla e mbyllur e atletikës nga ing. Gjergji Skënderi, e cila mbeti e papërfunduar. Të gjitha terrenet e tjera sportive(përjashto fushat e tenisit) kanë qënë ose të ndërtuara, ose të projektuara në atë kohë.
Sigurisht, që ndryshimet politiko-shoqërore sjellin kërkesa të reja, por që nuk duken të reflektuara në Zonën Sportive që është në zbatim e sipër, pot a krahasojmë me zona të këtij lloji në qytetet të së njëjtës madhësie në Europë apo në Amerikën e Veriut,
Nga ajo që duket vetëm nga fotot e vëna nga Bashkia, i gjithë konceptimi i zonës sportive duket në funksion të një hoteli, që parashikohet të vendoset atje ku janë shpronësuar dhe dëmshpërbluar disa pronarë.
Rikonstruksioni i Stadiumit dhe vetë ndryshimi kushteve të jetesës dhe ekonomisë në Shqipëri në 20-30 vitet e ardhshme, do kërkojë një sipërfaqe parkingu për të paktën 1000 makina(sasi edhe kjo e pamjaftueshme), e cila “përkthehet” në mbi 3 hektarë, po qe se pranojmë standartet e qyteteve të vendeve perëndimore.
Detyrimisht, nuk mund të bëhet fjalë për të ndërtuar hotel edhe sikur krahas tij të planifikohet një parking shumëkatësh.
Zona Sportive e Korçës mund “të mbajë“ vetëm një kompleks pishinash të mbyllura, që janë aq të domosdoshme për sportin por edhe për rekreacion.
“Rilindasir urbanë“ me në krye “liderin” e tyre ish-sportist, shtiren sikur ju bëhet vonë për qytetet, qytetarët dhe rininë.
Por kanë vërtet mendje të mprehta, që ju punojnë për “zhvillime” me paratë e taksapaguesve, në favor të miqve dhe partnerëve të tyre në biznese.
Ka shumë të ngjarë, që territori i fituar nga shpronësimet e bëra me paratë e taksapuesve, të jepet me 1 euro/ m2 për të ndërtuar hotel me 5 yje.
Ka shumë të ngjarë, që hoteli duke qënë në zonë sportive dhe i lidhut me lojrat, të bëhet hotel-kazino.
Ka dhe shumë të ngjarë, që hotel-kazinon, mos e ndërtojnë ish-pronarët, apo Bashkia apo Klubi Skëenderbeu, por të ndërtohet sipas metodave rilindase të Partneritetit Privat Publik.
Po a ka ndonjë të keqe për Korçën një hotel me 5 yje pranë stadiumit, ku do “lenë mendtë“ gjithë ekipet e huaja që do vinë të luajnë me Skënderbeun?
Gjithmonë, kur “operohet” me paratë e marra nga xhepat e njerëzve, në pronat e njerëzve ka diçka , që nuk shkon.
Hoteli, ose hotel-kazinoja mund të ndërtohet nga të interesuarit kudo në Korçë. Fushës, kodrave, rrëzës.
Biznesmenët prandaj janë të tillë se marrin edhe risqe.
Ato pjesë të hapësirës publike, që i duhen qytetarëve është e mira të mbeten për qytetarët.

Funksionimi i mirë i Zonës Sportive  e ka domosdoshmëri hapësirën.

50 vjet më parë (fund)

(vijim)
Ndërkohë, që universitetet në Francë dhe Itali pushtoheshin nga studentët, studentët tanë as mund të shkonin ndërmend të protestonin. Kishte mes tyre një lloj euforie, se e sotmja dhe e ardhmja i përkiste rinisë. Bota e vjetër, konservatore, fetare, me bestytni, patriarkale po shkallmohej përfundimisht dhe çdo gjë tashmë i përkiste shkencës dhe rinisë universitare. Fletë-rrufetë shikoheshin si një formë e pastër e lirisë së shprehjes dhe e thellimit të demokracisë. Të rinjtë, ashtu si ishin mashtruar për të sjellë në fuqi bandën e Hoxhës në fund të Luftës së Dytë, u mashtruan edhe këtë rradhë nga parrulla: “Sejcili, me gërma të mëdha, të shkruajë atë, që mendon për…” Gënjeshtra ndihmohej edhe nga gjendja në vend.  Diktatura e fundviteve ’60 ishte e ngjashme me Diktaturën “liberale” të viteve pas Kongresit të XX-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik.
Edhe pse në radio ndiqej më shumë muzika italiane, kishte edhe të apasionuar pas muzikës angleze dhe asaj amerikane. Por deri më kaq. Studentët, që ktheheshin në verë nga Tirana nuk dukeshin të ndryshëm nga të rinjtë e tjerë të qytetit.  Veshjet, që binin më shumë në sy, përsëri mbeteshin ato të “pakove nga Amerika”.
Disi më ndryshe visheshin sportistët më të shquar, që kishin mundësi të dilnin jashtë shtetit me ekipet kombëtare. Atë vit, Teodor Vasoja dhe Koço Dinella ishin gjithnjë në formacionin e parë të ekipit kombëtar. Ende e thërrisnin edhe Nandi Qiricin në ekipin kombëtar të basketbollit, por veprimtaritë e basketbollit ishin më të pakta.
Pranverën e atij viti, u fol edhe për një pjesëmarrje të mundshme të Marieta Pronjarit në Lojrat Olimpike të Meksikos, por nuk ndodhi. Marieta, që konkuronte me “Studentin” ishte krenaria e më e madhe e sportit shqiptar dhe për Korçën ishte dyfish krenari. Edhe traineri i saj Taqo Duka ishte korçar.
Padyshim, që për ne fëmijët, sportistët e sipërpërmendur dhe shokët më të mirë të tyre, ishin modeli, që donin t’ju ngjasonim. Artistët e qytetit ishin më pak të suksesshëm në skenën kombëtare. Këngëtarët më të dëgjuar ishin Guri Napoloni dhe Afërdita Tringofski, komiku më i mirë në Estradë ishte Stavri Shkurti dhe aktori më në zë, Dhimitër Orgocka, që luante rolet kryesore pozitive në teatër. Në kulturë dhe art sytë ishin të drejtuar nga Tirana, ku mbizotëronin emrat e Vaçe Zelës, Skënder Sallakut, Naim Frashërit, Zoica Haxhos, Rikard Ljarjes, Roza Anagnostit, Margarita Xhepës.
Aktorët e huaj i njihnim vetëm nëpërmjet filmave, që shfaqeshin në kinema, sepse në Korçë nuk kishte ende sinjale televizive shqiptare apo të huaja. Aktorin më të madh Italian dinim se ishte Raf Valone, pasi ai luante rolet e herojve në filmat sentimentalë, që kishte blerë Kinostudioja, që në vitet ’50, ndërsa mes femrave më e pëlqyera ishte Antonela Lualdit.
Rreth kinematografisë amerikane të viteve ’60 nuk dinim thuajse asgjë. Ndonjë emër artisti e kishim dëgjuar nga prindërit, por edhe ata ishin kryesisht aktorë të viteve ’40. Në më të mëdhenjtë e Hollivudit, për ne ishte Stiv Rivs, emrin e të cilit e theshim të bashkuar “është një film me stiverives”, që ishte bërë i famshëm me “Trimëritë e Herkulit”, një nga filmat e huaj të shfaqur më gjatë për dekada në Shqipëri dhe që ndiqej shumë edhe më 1968.
Ishte një vit, që ndjeheshim të lumtur, sepse ishim të vegjël, por edhe se të gjithë na theshin se duhet të ishim të tillë. Ngjitur me ne ishte një vend monarko-fashist, rreth të cilit nuk dinim asgjë, në Pragë kishin hyrë tanket sovjetike dhe kishin arrestuar udhëheqësit e Pranverës së Pragës, në Jugosllavi sundonte revizionisti Tito, në Itali qeveritë binin çdo 4-5 muaj dhe studentëtë pushtonin universitetet, në Francë studentëtë donin të rrëzoning De Golin, në Spanjë ishte Diktatura fashiste e Frankos, në Amerikë kishin vrarë Robert Kenedin dhe të rinjtë protestonin kundër luftës absurde në Vietnam. Ishte e lehtë të bëje propagandaë për pushtetin e popullit.
E ku mund të jetohej më mirë se në Shqipëri në vitin 1968?

C’punë prishte se Pilo Peristeri ishte kandidat i Byrosë Politike dhe Shefqet Peçi ministër pa portofol?

Wednesday 10 January 2018

50 vjet më parë (2)

(vijim)
Gërmimet me punë vullnetare për të ndërtuar vendstrehime ajrore nuk zbuluan shumë nga nëntoka e mëhallës. Gurë themelesh të vjetra, copa tjegullash dhe asgjë tjetër. As edhe një dorë mermeri të thyer, që të vinin arkeologët nga Tirana.
Edhe sirenat, që lajmëronin se “po afroheshin avionët sovjetikë“ ranë vetëm disa herë dhe të gjithë shkonin me përtesë në vend/strehimin e caktuar. Dukej , që askush nuk e merrte “me tërë mend” rrezikun e një sulmi të Traktatit të Varshavës ndaj Shqipërisë.
Për më tepër ne kishim Kinën e Mao Ce Dunit. U fol se kryetari Mao kishte thënë diçka “që Kina nuk është 700 milion, por 702 bashkë me shqiptarët” dhe kjo na bënte më të sigurt, edhe pse mendonim se si do vinin kinezët nga aq larg, të na mbronin ne.
Kinezë kishte disa dyzina në qytet. Ishin miqësorë dhe nuk i dalloje dot lehtë nga njeri tjetri jo vetëm se ishin kinezë, por edhe se visheshin njëlloj, me dostume doku as civile dhe as ushtarake. Dilnin gjithnjë në grup dhe fëmijët ju afroheshin për t’ju kërkuar distinktivë me fytyrën e Mao Ce Dunit. “Kinez nëna një stendë“ e përsëritur shpesh nga një evgjit i vogël shëtitës, mbeti për një kohë parrulla e viteve të Revolucionit Kulturor, pas të cilit nuk kishte më as stema me Mao dhe as librushka të kuqe me citatet të tij.
Nga fundi i vitit, nën shembullin e kultit të Maos, u shpërndanë edhe fotografitë e shumënjohura të Enver Hoxhës, ulur në një kolltuk para tufave me landro. Ishte 60-vjetori i tij dhe fotot në formate nga më të ndryshmet, shpërndaheshin në qendrat e punës, sipas rëndësisë dhe kontributit, për tu vënë më pas nga sejcili në kornizë dhe në vendin më të dukshëm të shtëpisë. Deri atë vit numëroheshin me gishta ata, që kishin foto të Hoxhës në shtëpi. Të shumtë kishin qënë ata, që kishin “kora” pranë të cilave ndisnin kandilin me vaj. Kishte kaluar më shumë s enjë vit, që “korat” ishin ndaluar dhe duhej dikush tjetër, të cilit t’i “luteshe”.
Babajt i kishin dhënë një të formatit 13x18 dhe para se të vinte Viti i Ri, kur bëheshin edhe vizitat, e vuri në një xham dhe i sajoi një kornizë letre, si bënte zakonisht me fotot, që varnim në mur. Enver HoxhaiI qeshur, mbeti në murin e kuzhinës sonë deri në fund të viteve ’80.
60 vjetori i Komandantit përkoi edhe me pranimin tim në organizatën e Pionierit. Duket ishte bërë traditë, që pionierët të “pagëzoheshin” në shtëpinë ku kishte ndenjur Enveri në Korçë dhe shamitë e kuqe, t’ja u lidhte teta Polikseni. A ndoshta vetëm një pjesë e ”kishin këtë fat”, se në foton e bërë, binte në sy edhe djali i mësueses sonë, moshatar me ne,  por që nuk ishte në shkollën tonë. Ndoshta, dashuria për të qënë pranë ngjarjeve të rëndësishme dhe personave të rëndësishëm, ju ngulit që asokohe Arben Cicit, sot shef i kabinetit të Ilir Metës dhe bashkëpuntor i afërt i tij.
“Pionierllëku” të entuziasmonte vetëm për një ditë, se ndjeheshe më i rritur dhe nuk të quanin më “fatos i lumtur i Republikës Popullore të Shqipërisë“, që pak a shumë ishte një variant më modern i “kolopoçkave”. Më vonë, mbajtja e shamisë ishte një bezdi më vete, sidomos për ne djemtë.

Të mosqënit pionier, nuk ishte pengesë për të shkuar në kurset e Shtëpisë së Pionierit, që atë vit u transferua atje ku është edhe sot, Qendra Kulturore e fëmijëve. Që në klasën e parë, babai më kishte futur në kursin e pianos, që dy herë në javë më hiqte dy orë nga loja me top. Në vitin 1968 shkoja më me bezdi, se edhe instruktorin na e kishin ndruar pas një incidenti “banal”, që atë kohë dukej si një “supermëkat”. Pianisti Sami Bujari, që drejtonte edhe orkestrën e Estradës së Korçës, gjatë provave, kur spikerja lajmëronte “Këngë për Adem Rekën”, kishte thënë nën zë “këngë për Adem Sulën”, që ishte një tjetër orkestrant dhe më vonë edhe mësues i muzikës i joni. Shakaja i kushtoi Samiut një vit punë korrektonjëse në minierë dhe para se të kthehej Samiu në Shtëpinë e Pionierit, unë i kisha larë duart me pianon dhe me metodën Bayer. Vazhdova të shkoja më vonë në kurse të tjera, të cilat nuk i përfundoja kurrë. Më tërhiqte ai vend i çuditshëm, ku mirëpriteshe në dera nga drejtori legjendar Nafiz Suli, më pionieri mes të gjithëve, shpesh me një thupër në dorë dhe xhaketë të hedhur krahëve, dhe nga pastruesja fytyrërrumbullake dhe e qeshur Pandora, që ishte simboli tjetër i asaj bote fëmijësh.
(vijon)