Friday 30 June 2023

“Vdekja” e ngadaltë e PD-së


Ndoshta ka edhe një përbërës të karakterit psikologjik të shqiptarëve me atë c’ka po ndodh me Partinë demokratike. Duket që si popull ne kemi një raport shumë të sikletshëm me Vdekjen. Mbase pasojë e një kohe të gjatë nën një Diktaturë ateiste, që përmbysi një koncept tradicional të raporteve të njeriut me jetën dhe vdekjen.

Duket si një lloj analize tejet e sforcuar, por nuk kam se si të shpjegoj atë ç’ka ndodhi më 1992 me Partinë e Punës (e cila duhet të ishte shpërbërë-pra të kishte vdekur). Shqiptarët u munduan t’i bënin një makiazh dhe ndonëse ja bënë me programe gjoja eurosocialiste, ajo është sërish një Zombie, që vepron po njëlloj si para makiazhit. Një piramidë, e cila kontrollohet plotësisht nga kreu i saj.

Por le të kthehemi tek shqiptarët që kanë krijuar partinë opozitare , kanë milituar në të dhe i tremben vdekjes së saj. Një parti që duhej të ishte shpërbërë që në vitin 1997, pas asaj “katrahure” që bëri në Shqipëri, por n donëse e sëmurë rëndë, hiqte herë pas here dhe i “ringjiste” pjesë të saj sikundër ishin ish-Aleancistët, Selamistët, Polloistët, Topallistët dhe më vonë të tjera ndarje dhe rindarje.

Tashmë ka dy vjet që nuk është në gjendje të pranojë që është në koma dhe duhet vendosur t’i hiqen tubat, për të vdekur në paqe dhe të rikrijohen një, dy ose tre parti të tjera, serioze me një program të qartë, që mund të jetë i Qëndrës, i Djathtë apo dhe shumë Konservator.

Që partitë të sëmuren rëndë dhe të vdesin është normale në botë, duke përjashtuar këtu Amerikën, e cila edhe pse ka një demokraci të shëndoshë nuk le hapësira për parti të tjera që mund të rivalizojnë dy kryesoret, të cilat herë pas here kalojnë krizat e tyre por nuk vdesin. Nuk ka arsye të shkojmë shumë larg, por mjaft të nxjerrim mësime nga dy vende mesdhetare, që erdhën pas një të shkuare politike totalitare dhe që janë Italia dhe Greqia. Demo-kristania italiane, që drejtoi vendin për disa dhjetvjeçarë nuk figuron më në spektrin politik italian. Thuajse fat të njëjtë me të pati PASOK në Greqi, që pasi drejtoi vendin për disa legjislatura pas vitit 1974, tashmë me vështirësi del parti e tretë në vendin fqinj.

Vështirësia e jonë (gjë që e kam përsëritur shpesh në shënimet e mia) është sa psikologjike aq edhe nga mungesa e një stofi (textile) i shoqërisë shqiptare. Në të (për shkak të diktaturës ekstreme) nuk ka as shtresa të caktuara, as klasa, as organizime të fuqishme, pra as “ind as majë“, të cilat të jenë premisat për të pasur organizime politike të një profile dhe të një ideologjije të caktuara. Ndaj duke mos patur “organizma të gjalla” të një profili të caktuar dhe me një psikologji kolektive normale nuk mund të ketë as “vdekje” të tyre. Sepse njerëzit që merren me politike varen tek strukturat (forma) dhe jo në thelbin e një lëvizje politike. Për ta struktura është gjithshka sepse ajo ju garanton mbijetesën në politikë.

Ndaj dhe PD-ja do jetë vazhdimisht në koma dhe do duhet një mrekulli që t’i dalë shpirti. Dhe kur nuk ka vdekje ka ngordhje!

Wednesday 28 June 2023

Ura e Remziut

Ajo ishte një urë e bukur.

Ndoshta nuk kishte ujë nën të,

Por rrjedhë kishte,

Një të çmendur rrjedhë

Ngutjesh,

                Shqetësimesh, 

                                Përpjekjesh për të harruar.

Frikë ekzistenciale nga të mbeturit qetë,

Elegante varur prej qiejve

Si për të treguar mundësinë e lidhjeve,

Shpresën ende të pashuar

Se dhe përtej mund të ketë jetë.

Askush nuk e kishte parë të dridhej,

Sikundër e kishin llogaritur.

Furtunat njerëzore

Mbi të cilat mbështetej

Dhe pazgjidhshmërisht lidhej

Cuditërisht nuk e kishin tutur,

Metalit të saj kishin rrëshqitur.

E bardhë dhe elegante mbetur,

Simbol i ftohtësisë së Veriut,

Ndërsa pa frikë vrapoja mes saj,

Nuk di pse e quajta:

-Ura e Remziut.

Tuesday 27 June 2023

Komedi-pështiria e Kukësit dhe mediat


Nuk di se pse sa herë lexoj rreth çështjes Gjici në mediat shqiptare hargalisem. Në mënyrë të veçantë me disa media, të cilat i mëshojnë kurthit të pregatitur nga Sali Berisha me njerëzit e tij në Kukës. Edhe pse nuk çuditem që Saliu dhe ndjekësit e tij mund të bëjnë çdo gjë, ajo që më bën të gajasem me shpikësit e kësaj teorie, është mënyra se si mund të funksionojë prapaskena e këtyre takimeve. Po mundohem t’i heq frerët e imagjinatës sime largmëmëdheiste dhe të krijoj dy biseda paraprake të Alma K. me tutorët e saj.

Tabloja I (Zyra e Berishës)

SB: Alma mirsekeardh!

AK: Mirsejugjej Doktor. Përshëndetje!

SB: M’kan than se je individeja ma e shkëlqyme për ta vu para betejën ton për Demokraci n’Bashkin e Kuksit edhe ma gjan! E vlersoj shum kët gjest!

AK: Bëj aq sa mundem Doktor.

SB: T’gjith jemi t’gatshm t’bajm ene sakrificën ma sublime për çështjen e popullit, t’partis demokratike e t’demokracis. Duhet ma me hollësi për kët operacion t’bisedosh me Njeriun ton n‘Kuks për ta vu me shpatlla pas murit at Safet Gjicin qi ka vjedh votat e demokratve n’Kuks. Mirënjohja jon do jet konkrete dhe n’vazhdimsi.

AK: Do bëj ma t’mirën Doktor! Mund ta bëjm një foto nga ky takim!

SB: Me knaqsi. Le t’urojm se gjithshka do shkoj mir dhe do luftojm edhe funksionar tjer ma t’nalt se Gjici!

(Dalin ne foto dhe Alma K. largohet)

Tabloja II (Disa ditë më pas në një zyrë në Kukës takohet Njeriu jon n’Kuks me Alma K.)

NjK: A i diskutut t’gjitha me Doktorin.

AK: Po, por për hollësitë dhe pagesën më tha se duhet ta bisedoj me ju.

NjK: Po normal…Doktori ka shum besim tek un! Duhet t’dish se Safeti o pervert i madh dhe mund t’kalosh menjiher në orale…e ke parasysh… Do e filmosh me kët kapakun e kafes, se atje nuk t’lejn as celular as çant për me hy n’zyr t’tij.

AK: Të diskutoj në fillim për projektin apo direkt në veprim?

NjK: Jo jo direkt n’veprim se nuk dihet se sa ma bateria dhe hupim at pjesn ma t’randsishme.

AK: Po sikur ai t’kërkoj të shtrihemi pas skrivanis së zyrës dhe  nuk e filmoj dot skenën?

NjK: Jo jo direkt ke oralja dhe ka për tu dorxu ai…ja dim horlliqet.

AK: Po perzervativ të përdor…se normal që s’i dihet…

NjK: Mo ski merak se nga qi ka grun shum xheloze dhe me frik nga smunjet e transmetushme i kërko çdo muj t’boj analizat. Sa i ka ba javn q’i shkoi.

AK: Ok at’her’…po shkoj drejt tek Bashkia dhe pastaj videon do e dorëzoj tek ju?

NjK: Jo, jo …n’Tiron ke Doktori!

Monday 26 June 2023

Edepsëzët kundër edepsëzëve

 

Ka një prirje nga analistë, gazetarë, militiantë, që të paraqesin si më të rëndë veprimin e Alma K. (dhe prapavijës së saj- sipas tyre) se sa atë të Safet Gjicit, si administrator më i lartë i një Bashkie të nivelit të mesëm. Sipas tyre, përpjekjet për të provokuar, filmuar, në një akt seksual apo korruptiv janë bërë një epidemi në Shqipëri, e cila bëhet për gjobvënie, për shantazhe të natyrës politike dhe mund të shkaktojë pasoja të rënda deri në rrezikim të sigurisë kobëtare?!

Mendimi im është krejt I kundërt. Përderisa shoqëria jonë është shumë e korruptuar, përderisa institucionet nuk janë të konsoliduara, nga “sehirxhinjtë“ (ku hyn i gjithë opinion publik) të tilla veprime duhen inkurajuar. Eshtë pak a shumë ajo që populli e thotë prej qindra vitesh “Edepsëzët le ta gjejnë nga edepsëzët!”

Në këtë mënyrë sa më shumë Alma K. të kemi, sa më shumë Dritan Prifti të kemi, sa më shumë Edvin Salianji të kemi dhe sa më shumë Filip Cakuli të kemi, aq më mirë për shoqërinë shqiptare “të mpirë“. Video të tilla tronditin shoqërinë, lëvizin ujrat e qeta dhe të qelbura ku notojmë të gjithë, ushtrojnë trysni në funksionarët që abuzojnë me pushtetin dhe i çjerrin maskën propagandës të pushtetit “ Se gjithshka shkon mirë dhe Shqipëria përparon.”

Përderisa fjalët e Arlind Qorit, apo të tjerëve politikanë të pakorruptuar bien në veshë të shurrdhët dhe askush nuk i ndjek madje ndoshta dhe tallen me ta, atëhere shyqyr që kemi grupe të tilla të fëlliqura, që përdorin metoda të fëlliqura për të nxjerrë në dritën e diellit fëlliqësinë e politikanëve shqiptarë.

Personalisht, rreth videos së Alma K. kam vetëm një vërejtje. Ajo duhet të kishte punuar pak më mirë për “koreografinë“ e aktit seksual, sepse ishte tmerrësisht vulgar.

 

Sunday 25 June 2023

“O Safet ta bëri koka…!”

 

Ngjarjet, që kanë një efekt jo të zakonshëm, madje duhet quajtur i rëndë, se i tillë është arrestimi i dikujt, sjellin një lloj çorbavitje në kujtesë dhe ndonjë analogji të çuditshme.

Shprehja e përdorur si titull i këtij shkrimi i atribuohet një Safeti tjetër. Safet B. (i cili duhet të jetë shumë i moshuar ose nuk jeton më) ishte një hetues shumë i shkurtër dhe shumë energjik i kohës së Diktaturës. Me zellin e një njeriu shumë të shkurtër dhe me gëzimin që i vinte nga kompleksi i tij i Napoleonit, ai thurrte vargje ndërsa daktilografonte në zyrën e tij gjeneralitetet e Cvingut të arrestuar për bixhoz “O Ceço ta bëri koka/ Hyre ti na plasi rrota!” Sigurisht që Cvingu nuk donte ta rëndonte pozitën e tij fatkeqe dhe ishte i detyruar të dëgjonte edhe gëzimin cinik të hetuesit Safet.

Duke u hedhur tek i posaarrestuari Safet, mendja të shkon tek vargu i parë i bejtes së hetuesit adash. Safeti ka treguar me atë që kemi parë në video jo vetëm mendjelehtësi dhe fodullëk, por kryesorja është që Safeti dhe Safetët i futen politikës për përfitime të shpejta, të menjëhershme dhe të gjithfarllojshme. Sepse askush në Shqipëri nuk e beson se një njeri me biznese të konsoliduara hyn në politikë për të bërë diçka për njerëzit, qytetin apo vendin e tij.

Hyn dhe investon në blerjen e votave, për t’i kthyer në shumëfish ato që harxhon në fushatë nëpërmjet korrupsionit ose konfliktit të interesave.

Por koka e Safetit edhe pse u ngut në të gjitha veprimet e fundit nuk është koka që ka krijuar dhe po mban këtë sistem. Madje Koka e Zeusit, që sjell dhe inkurajon Safetët të hyjnë në politikë del “palagur” nga gjithë kjo histori, se sikundër hetuesi zellmadh i Diktaturës thotë: “Safet ta bëri koka  dhe cilido duhet të mbajë përgjegjësinë e vet!

Deri kur do vazhdojmë të presim video të Safetëve që ndajnë paratë apo përdhosin zyrat e shtetit me epshet dhe grykësitë e tyre të ndyra?

Ende nuk po kuptojmë se i gjithë ky sistem i Safetëve po derdh vazhdimisht fëlliqësitë e tij edhe mbi kokat dhe fytyrat tona?

Duhet të gëzohemi se arrestuan një Safet, kur SuperSafetët tallen çdo ditë me ne?

Kemi të bëjmë me një arrestim, që ngre shumë pyetje para nesh dhe nuk jep asnjë përgjigje.

Për më tepër koha e plazheve po vjen dhe nuk kemi nge të merremi me politikë dhe me shëndoshjen e shoqërisë shqiptare. Mbase nga shtatori fillojmë dhe shohim se çdo bëjmë.

Pyetje shtesë: (E ka njeri adresën e Alma K.?)

 

 

Saturday 24 June 2023

Bota duhet të bëhet gati edhe për 4 vjet të Trump

 

Eshtë fundi i qershorit 2023 dhe ende ka për të rrjedhur shumë ujë në politikën amerikane, por gjasat nuk janë të mira. Trump nuk ka nga kush te mundet në garën mes republikanëve dhe i vetmi që mund ta pengojë të marrë Shtëpinë e Bardhë është Xho Gafa.

Eshtë për të ardhur keq, që për postin politik më të rëndësishëm në botë do të konkurojnë një 78 vjeçar i njohur për mungesë skrupujsh, mungesë ideologjish, si gënjeshtar i rrezikshëm, e plot të meta të tjera të papranueshme për një President, dhe në anën tjetër  një 82 vjeçar, i cili nuk ka shkëlqyer kurrë dhe tashmë tregon shënja të mëdha lajthitjeje.

Dikush mund të thotë se Xhoja e mundi në zgjedhjet e vitit 2020 Trump, por unë i qëndroj mendimit se ky i fundit mundi veten me mënyrën se si trajtoi pandeminë e Covid-19. Cilido nga kandidatët demokratë, që do kishin fituar garën brenda partisë së tyre do e mundte “The Donald” në nëntorin e vitit 2020.

Tanimë situata është krejt e ndryshme dhe në fokusin e opinionit publik ka qënë Shtëpia e Bardhë dhe jo Trump. Madje përpjekjet e për të ndjekur penalisht ish-presidentin, vetëm e kanë ndihmuar atë politikisht. Në sondazhet brnda republikanëve, ai ka mbështetje sa kanë të gjithë kandidatët e tjerë të marrë së bashku. Duket, se nëse nuk ndodh ndonjë “çudi mbi çuditë“ ai nuk do e ketë të vështirë të marrë nominimin e partisë së tij.

Në kampin tjetër, Xho Gafa e ka shpallur kandidimin e tij, edhe pse 4 vite më parë deklaroi se do ishte president vetëm për një mandate 4-vjeçar. Duket se zhgënjimet e opinionit publik nga zv-presidentja Harris kanë sjellë këtë rrjedhojë në kampin e Shtëpisë së Bardhë. Dhe gjendja e kandidatëve demokratë, që do përballen me Xhonë në primaret duket që nuk është shumë premtuese. I vetmi kandidat i fortë deri tani duket të jetë Bob Kenedi, i cili jo vetëm që ka një qëndrim anti-vaksinë, por nuk ka as mbështetjen e familjes Kenedi, me ndikim të madh në krahun demokrat të SHBA.

Në se asgjë nuk ndryshon në kampin demokrat, në nëntor 2024 do përballet Trump me Xhonë dhe Trum do jetë fituesi.

Njerëzimi do përballet me rritjen e populizmit në botë, forcimin e regjimeve autokratike, shtimin e buxheteve të luftës dhe të politikave të zhvillimit të bizneseve pa marrë asnjë masë ndaj dëmeve ekologjike. Duket një skenar shumë errët, pork jo ka për të ndodhur dhe i vetmi ngushëllim është se do jenë vetëm katër vite.

Kë mund të bëjmë fajtor nëse ndodh?

Ndoshta Nostradamusin…

Thursday 22 June 2023

Bereqaversën, kemi shëndenë!

 

Kjo nuk është një shprehje e pagoditur ngushëllimi. Mund të shërbejë edhe kur punët të të kenë shkuar si mos më keq. Kur tëtëra kursimet të kanë ikur në një firmë piramidale, kur të ka lënë gruaja pas tridhjet vjet martese, kur anijae pasiguruar me gjithë ngarkesë të është mbytyr, kur të kanë nxjerrë nga shtëpia se nuk ke paguar qeranë e dhjetra e dhjetra gjëra jo të mbrothta, që mund të të ndodhin gjatë jetës. Dhe këtë ngushëllim mund t’ja thuash edhe Safetit pas daljes së videos erotike, Alma Beqirit pas arrestimit apo rektores së universitetit të Shkodrës pas pezullimit nga detyra. Eshtë një ngushëllim me vlera universal që t’i heq hallet si me dorë. (Nuk funksionon për ata që i ka zënë ndonjë sëmundje nga ato që hyjnë në kategorinë “sëmundje e keqe”, por edhe universalizmi ka karakter relativ.)

Unë në këtë çështjen e shëndetit (shnetit- sipas dialekteve mbiShkumbinore) nuk jam me shoferin Tajar, që vite më parë më deklaronte “Shnet do derri, se robi do pare!” Jam me Nino Manfredin, që në këngën e tij të njohur “Tanto per canta” thotë “Mjafton të kesh shëndetin dhe një palë këpucë të reja dhe mund t’i biesh botës vërdallë! (Dhe ishte një këngë filozofike-lirike, që nuk i bënte reklamë ndonjë firme të prodhimit të këpucëve.)

Eshtë e natyrshme (sikundër mund të jetë dhe absurde), që të gjitha qeveritë në botë, të të gjitha sistemeve, edhe pse e vlerësojnë me fjalë shëndetin e njerëzve, Ministritë e Shëndetit i kanë aty nga fundi, diçka më lart se Ministritë e Sportit edhe pse kjo e fundit ndoshta është mirë të jetë e përfshirë tek shëndeti, si parandaluese. Por nga rëndësia vijnë Financat, Lufta, e Jashtme, e Brendëshme dhe me rradhë deri atje ku mbërrijnë Turizmi dhe Shëndeti. Madje po të shohësh edhe ministrat e Shëndetit kudo në botë janë emra të panjohur, madje mund të jenë edhe shëndetligj.

Grykësia jonë e pakufi (që gjithashtu të dëmton shëndetin) na ka bërë të vlerësojmë Luftën, Paranë, Biznesin, krimin sig jërat më të rëndësishme dhe pasi t’i rregullojmë këto kemi dhe automatikisht të rregulluar dhe shëndetin, kur është krejt e kundërta. Vende të zhvilluara ku njerëzit duhet të falimentojnë kur kanë problem të shëndetit, vende të pazhvilluara ku mungojnë gjërat bazë që lidhen me shëndetin dhe më pas kompani minerare apo të industrisë së drurit, që për të fituar shkatërrojnë shëndetin e milionave.

Duket që Njerëzimi ka hyrë në një spirale të errët shkatërrimi e cila të bën gjithnjë e më pesimist dhe nuk të mjafton për ngushëllim as shprehja:

“Bereqaversën kemi shëndenë!”

E kemi, por me një qera shumë të lartë dhe në duar të dyshimta!

Tuesday 20 June 2023

Le të flasim seriozisht për “gojoren” e Safetit


Marëdhëniet seksuale në zyrat shtetërore nuk u shpikën as nga Safeti, as nga Shykriu dhe as nga politikanët e tjerë, që përgojohen në Shqipëri. Një pjesë e tyre i tregojnë vetë për t’u mburrur, si Ilir Meta në videon famëkeqe të Dritan Priftit, ku kapardisej se me një gjykatëse e kishte të zgjidhur problemin, pasi të bijën ja kishte emëruar diku në një ambasadë (pasi edhe e kishte palluar)! Këto lloj marëdhëniesh (në zyra) janë në të paktën që nga përfundimi i Luftës së Dytë, kur Shteti ishte gjithshka.

Unë nuk pëlqej qëndrimin përgjithësues që mbajnë disa gazetarë (sulmojnë puritanët hipokritë), të cilët thonë se nëse nuk do ishte pjesa tjetër e videos, kur flitet për favorin në biznes, njerëzit duhet të mbyllin gojën dhe përdorin shprehjen e njohur të Krishtit, që “le ta hedhë gurin e parë, ai qënuk ka mëkatuar”. Le të mos flasim si avokatë, (për deri sa nuk ka këmbim favoresh etj etj. dëngla si këto.) Të gjithë e dinë se kur diçka e tillë ndodh në zyrën e një funksionari të lartë, edhe pa pasur prova se nuk po i kërkohet gjë në këmbim, ajo është në bazën e marëdhënies. Askush nuk mendon se një femër e hijshme shkon se është zalisur nga bukuria e Gjicit apo inteligjenca e tij.

Dhe le të kthehemi në kohën e marëdhënieve seksuale nëpër zyra të kohës kur nuk kishte motele dhe shtëpi të lira. Ato ishin kryesisht dy lloje. Njerëz që kishin tërheqje ndaj njëri tjetrit (thjesht edhe tërheqje seksuale) dhe ato që kryeheshin duke shpërdoruar detyrën. Diheshin nga të gjithë jo vetëm se ç’bënte Feçor Shehu (si simbol i grabitqarit seksual), por edhe të tjerë ministra, anëtarë të Komitetit Qëndror, Sekretarë të Parë, Kryetarë Komitetesh etj. Më poshtë zbritej tek kryetarët e koperativave dhe drejtorët e ndërmarjeve. Pjesa dërmuese (e zuzarëve) përdornin të gjitha mënyrat për të shtënë në dorë vajzat dhe  gratë e të tjerëve. Njihej nga të gjithë një drejtor ferme, të cilit nuk i trokisnin në zyrë kur ishte brenda me femra të caktuara; një tjetri gratë nuk i hynin në makinë se se kishte për gjë t’i kapte duke pasur edhe një shofer besnik, që mund të hidhte gjithnjë poshtë atë çka ndodhte. Dhe raste të tilla ishin me dhjetra nga rrethi në rreth dhe nga qyteti në qytet.

Ndaj e kam fjalën për këta njerëz që abuzojnë me pushtetin herë duke ofruar favore dhe herë duke bërë presion me pushim nga puna, që kanë ekzistuar që në kohën e Diktaturës dhe vazhdojnë (në një masë më të madhe) edhe sot. Këta nuk janë burra, por janë burrecë. Mbi këta lloj njerëzish duhet të bjerë përçmimi i gjithë shoqërisë, jo sepse janë qejflij femrash, por se kur nuk kanë gjë në dorë as nuk u afrohet kush dhe as janë në gjendje t’i “rrejnë menjen” kujt.

Një miku im (me një të kaluar të pasur aventurash), kur e pyeta se ç’ofron ti tani për të hyrë në një lidhje me një femër më tha: “Shpirtin dhe k….!” E kam pasur gjithnjë mik dhe e kam admiruar për qasjen e tij ndaj seksit të bukur, sepse gjithë jetën e tij këto dy gjëra ka ofruar. Jo vende pune, tendera, udhëtime jashtë shtetit dhe favore të tjera.

 

Monday 19 June 2023

Tre ngutjet e Safetit

 

Nën dritën e fakteve të reja rreth asaj ç’ka ndodhi në Bashkinë e Kukësit vlen të thuhet se Safet Gjici jo vetëm është ngutur në veprimet e tij, por ka qënë një ngutje e përsëritur.

Ngutja e parë ka pasur të bëjë me orarin në të cilin është kryer bashkëveprimi erotik me biznesmenen Alma K. Në rast se gjithshka do kishte ndoshur pas orës 16.00 (le të themi 17.00 e tutje), gjithshka do quhej një marëdhënie private mes dy të rriturve, të cilët në kohën e tyre të lirë bashkëveprojnë në një mënyrë që të dy ata e quajnë të përshtatshme. Në biseda me dy avokatë të huaj (avokati im në Tiranë nuk donte të pronocohej për rastin Safet), ata përmendën si preçedent rastin e Bill Klintonit me Monika L. Sikundër dihet , asnjëherë Billi nuk u akuzua për “shpërdorim detyre”, pikërisht se marëdhëniet seksuale ishin kryer kur administrata e Shtëpisë së Bardhë, ishte në “shut down”, si rrejdhojë e bllokimit të Buxhetit shtetëror, që kishin bërë Republikanët. Ai u paraqit para Jurisë së Madhe vetëm me akuzën se kishte gënjyer oficerët federalë rreth asaj ç’ka kishte ndodhur, gjë e cila përbën krim në Shtetet e Bashkuara.

Ngutja e dytë e Safetit ishte gjatë ndërveprimeve me biznesmenen Alma K., gjë që krijoi një rënie të reputacionit mashkullor të Safetit. Pak a shumë si ajo që thotë Benini për mesataren e seksit në Itali, që shkon në 3 minuta, ku përfshihet edhe koha e dushit.

Por është ngutja e tretë më e rëndësishmja dhe që dëmtoi jo vetëm figurën politike të Safetit, por krijoi edhe përshtypjen e gabuar se kjo ndodh rëndom me Rilindasit , që tani quhen Përparista.

Safeti nuk duhet të jepte dorëheqjen!

Me sa u kuptua nga videoja tjetër që është në qarkullim , ai e bënte këtë për të kthyer qytetin e Kukësit në një qytet modern. Kam parë me sytë e mij vitin e kaluar se sa “e prapambetur” duket jeta e disa qyteteve tona, që nuk kanë zgjidhur problemin e qenëve rrugaçë. Gjithë natën, kopetë e qenve vërtiten bulevardeve kryesorë dhe ditën ose flenë në lulishtet tona të bukura, ose kryejnë akte seksuale, që prishin imazhin e qyetetve shqiptare dhe turbullojnë edhe mendjet e kalamanëve tanë. Ndaj Safeti ishte ishte i vendosur që sa morri detyrën të zgjidhte problemin e tredhjes së rrugaçëve. Dhe sigurisht që tredhja do kryhej nga një biznes privat i specializuar. E kush më mirë se Alma K. mund ta bënte atë punë të vështirë, që kërkon njohje të gjithë proceseve që lidhen me një organ jetësor të gjitarëve!

Dhe ky do jetë tani jo vetëm një problem për Kukësin por për të gjithë qytetet tanë.

Sunday 18 June 2023

Koha e mashtruesave


Para disa javësh u largua nga jeta dikush që njihej si Mashtrues. Me një lloj cinizmi, një miku im pyeti nëse kishte ikur vërtet apo mashtronte edhe këtë rradhë. Në cinizmin e tij kishte një të vërtetë, që “mashtruesve të karrierës” nuk ju besohen as të vërtetat e sigurta. Ky është reagimi i natyrshëm i njerëzve.

Duhet të pranojmë se liria në këtë sistem që jetojmë dhe orientimi i shoqërisë drejt fitimit rrit në mënyrë gati eksponenciale mashtruesit. (Duhet të cilësoj ndryshimin mes gënjeshtarëve dhe mashtruesve, sepse me këta të dytët nënkuptoj ata që gënjejnë me qëllime fitimi.) Mashtruesit tani i gjen kudo, nëpër rrjete sociale, në telefonata, në bare, dhe në vende si i joni edhe në zyrat e shtetit. Skemat e fitimit janë nga më të ndryshmet, me trashëgimi nga një xhaxha i panjohur, me ndjekje nga policia dhe doganat, me investime në kriptomonedhat, me dhënie parash me fajde të larta e dhjetra të tjera që dëshmojnë për fantazinë krijuese të mashtruesave.

Një dukuri e re është shfaqur në këto dhjetvjeçarë në Shqipëri- Shtimi i femrave në këtë kategori. Dikush mund të thotë se ky është tregues i përparimit të shoqërisë shqiptare, i barazisë së gjinive dhe i emancipimit të femrës shqiptare, por është diçka më shumë se kaq. Eshtë tregues i një shoqërie, të cilën e pret kalbëzimi. Mundësia është shumë e madhe që nga nëna mashtruese të lindin fëmijë mashtrues. Jo e njëjta gjë mund të ndodhë me fëmijët e baballarëve mashtrues. Se po të ishte kështu, në këto 4-5 mijë vjet patriarkat, ku mashtruesit varionin nga profetët e rremë dhe deri tek magjistarët sharlatanë (thuajse të gjithë meshkuj) shoqëria njerëzore do kishte përfunduar keq e më keq me kohë.

Por ka dhe diçka , thellë në subkoshiencën tonë, që na bën të pambrojtur nga mashtrimi. Kam vënë re se një pjesë e mirë e njerëzve parapëlqejnë të mashtrohen. Drejt njerëzve që njiheshin që mashtronin (e kam fjalën për botën shqiptare), nuk rreshtnin së shkuari njerëz pavarësisht nga reputacioni që kishte ai person. Ndoshta se bota që paraqesin mashtruesit është një botë e bukur, gjithë ngjyra, me probleme që zgjidhen, krejt e ndryshme nga bota e vërtetë, e cila është jo vetëm gri, por shpesh edhe e pamëshirshme. Ndaj nëse njerëzit I ve përballë realitetit, duke ju thënë të vërtetën, duke ju shpjeguar vështirësitë apo  të pamundurën edhe pse ana e tyre racionale mund ta kuptojë atë, përsëri dominon pjesa iracionale “nuk ka asgjë të pamundur”. Dhe mbi këtë premisë kanë “shirë“ vazhdimisht mashtruesit.

Unë nuk njoh as në botën shqiptare, por edhe në këtë përtej oqeanit, ndonjë mashtrues, që të jetë rrënuar ekonomikisht edhe pse mund të mos ketë bërë asgjë veç mashtrimit.

Berni Madof (Bernie Madoff) krijuesi i skemës Ponci më të madhe të të gjitha kohëve edhe në burg ja shkoi bajagi mirë. Vërtet që hiri i tij ndodhet tani në një zyrë avokati se askush nuk merr përsipër ta varrosë, por ndoshta ishte i sigurt që në ferr do shkonte (ose i sigurt që nuk kishte ferr) ndaj dhe nuk i bëhej vonë kur mashtronte edhe njerëzit e afërt.

Saturday 17 June 2023

Alma K., shpresa jonë e fundit kundër korrupsionit


Në disa shkrime të mëparshme kam shprehur bindjen time, se shoqëritë janë të ngjashme me qëniet e gjalla dhe edhe kur infektohen thellësisht (sikundër shoqëria shqiptare) kanë antitrupëzat e tyre që e luftojnë infektimin dhe e shëndoshin trupin e shoqërisë. Për shumë lexues pesimistë, kjo ishte një nga ato “kolloqithkat me rigon”, që shkruesit optimistë i bëjnë për të gënjyer veten dhe lexuesit.

E vërteta për fat të mirë është në krahun tim. Informacionet pas videos së Safet Gjicit dëshmojnë për këtë. Një zonjë shqiptare e hijshme po sakrifikon veten për të luftuar korrupsionin e zyrtarëve të lartë shqiptarë. Flitet se deri më tash ka disa video erotike të saj me zyrtarë shqiptarë të niveleve të ndryshëm.

Zonja është Alma K. nga Berati, e martuar në Durrës, me biznese në Tiranë dhe që më datë 6 qershor bënte seks të shpejtë dhe efikas në Kukës. Një sakrificë e rrallë në llojin e saj dhe që shoqëria shqiptare duhet t’ja njohë. Nuk jam i sigurt nëse heroizmi i saj mund të jetë në nivelet e heroinave shqiptare që kanë rënë luftërave, por një lloj heroizmi është nëse motivet (si mendoj unë) janë për të luftuar korrupsionin.

Se duhet të pranojmë, që po kthehej gati e pashpresë lufta ndaj të korruptuarve. Rezultatet e punës së dobët të SPAK, po krijonin përshtypjen se “peshqit e mëdhenj” nuk do kapeshin kurrë. Dhe tani jo vetëm që u kap peshku Safet me “cironkën” e tij në gojën e “heroinës”, por edhe të tjerë zyrtarë-peshq pritet të ekspozohen.

Nuk jam I sigurt se sa janë të përzjerë amerikanët në çështjen “Alma K.”, por dihet që Fuqitë e Mëdha përdorin çdo mjet për të arritur përfundimet e duhura në përpjekjet e tyre për të arritur demokracinë në Ballkanin Perëndimor. Kjo do shihet kur një shtet i madh do i japë azil politik Alma K-së dhe familjes së saj, sepse kuptohet që Rama dhe gjithë peshqit e tjerë të tij do jenë tejet të tërbuar.

Faleminderit Alma K.!

PS. Fotoja me Berishën u vendos sepse mungojnë foto të tjera dhe s’ka asnjë aluzion se Saliu është prapa luftës anti-korrupsion të zonjës Alma K.

Kurti, Rama dhe çështja shqiptare (fund)

 


(vijim)

Deri tanimë nuk duket kërkund të ketë një platformë serioze se çdo bëjnë shqiptarët për të patur një shtet të tyre më të madh dhe të konsoliduar. Do përpiqen të bashkohen nën kornizën e bashkimit Europian? Do vazhdojnë te jetojnë në shtetet e tyre diku si shumicë dhe diku si minoritete? Do jenë tërësisht të orientuar ndaj Amerikës dhe Brukselit apo do ndjekin një politikë të jashtme më elastike? Cili do jetë raporti i tyre me Turqinë dhe vendet e Konferencës Islamike? Do bëjnë marëveshje me lëshime të dyanshme me fqinjët?

Këto janë disa nga dhjetra pyetjet që duhet t’ju japë përgjigje një platformë mbarëshqiptare e hartuar nga akademikë, diplomatë, ekonomisë dhe historianë seriozë. Fakt është që Tirana(e cila duhet të udhëhiqte krijimin e saj) nuk ka një të tillë dhe sjelljet herë folklorike, herë grindavece dhe herë servile ndaj Perëndimit janë varur nga Berisha, Nano, Rama dhe këshilltarët e tyre për politikën e jashtme. Kjo ka qënë një barrë e rëndë për supet e tre njerëzve të arsimuar në shkollat komuniste të Diktaturës dhe që po mësojnë politikën dhe diplomacinë në këto vite. E njëjta vlen për Presidencën e Shqipërisë, që mund të ketë më shumë kohë për të udhëhequr një projekt të tillë, por është drejtuar nga nga njerëz pa vlera ose militantë të një partie politike.

I vetmi traktat politik i botuar për çështjen shqiptare mbetet ai i Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qënë, çështë dhe çdo të bëhet”, që është shkruar 125 vjet më parë. Më pas ka një boshllëk edhe në kohët kur shteti shqiptar ishte i stabilizuar, si gjatë gjysëm-diktaturës së Zogut dhe diktaturës së Hoxhës. Ndaj dhe kushdo që vjen në krye mund të ndjekë një politikë të jashtme si e mendon në interesin e tij personal, sipas formimit të tij amatoresk ose jo dhe shpesh në varësi të rrethanave të çastit. Nuk ka shtylla bazë të cilat të mbeten të pandryshuara pavarësisht se cilës parti do i besohet drejtimi i Shqipërisë, për një mandat ose më shumë.

Mund të pyetet me të drejtë se për ç’platformë mund të bëhet fjalë, kur nga Shqipëria dhe Kosova të rinjtë po mundohen të ikin në masë?

Por ndoshta edhe mungesa e një platforme dhe e zbatimit të saj mund të jetë një nga arsyet që të rinjtë e shohin pa të ardhme rajonin tonë. Fuqizimi i një Kombi, që varet jo vetëm nga forca ekonomike, por edhe nga uniteti, edhe nga prestigji që ka në botë, edhe nga të pasurit stabilitet është një arsye që njerëzit mos braktisin vatrat dhe njerëzit e tyre.

Acarimet e fundit Kurti - Rama dëshmuan edhe një herë se sa larg janë fjalimet patriotike nga veprat. Dëshmuan edhe një herë se Edi Rama mund të shesë këdo, kur vjen rasti që t’i preket interesi i tij personal apo t’i cënohet sadopak figura e tij në sytë e opinionit shqiptar dhe atij botëror.

Mbetet një udhëheqës që nuk meriton të jetë i tillë, pikërisht sepse i mungojnë cilësitë bazë dhe që janë dashuria për njerëzit, dhimbshuria për ta dhe çështjet e rëndësishme njerëzore të popullit të tij dhe të popujve të tjerë. Me zgjuarsinë e një intriganti ai është munduar të sillet “poltikisht-korrekt” në takimet me ndërkombëtarët duke mos aplikuar brenda vendit dhe bashkësisë panshqiptare asnjë nga parimet bazë të shoqërive të përparuara perëndimore. Me një fjalë është dikush që do ngjallë akoma më shumë përçarjen ndaj shqiptarëve, sepse të tillë karakter ka dhe kështu e ka ndërtuar karrierën e tij prej politikani.

A do rrëzohet Kurti para Ramës apo do ndodhë e kundërta?

Me gjithë të metat, Albin Kurti sjell diçka të mirë në shoqërinë shqiptare, kurse Edi Rama veç të këqia.

Friday 16 June 2023

Rama shkarkon Safet Gjicin.


Në vazhdën e veprimeve të menjëhershme për të shpëtuar shkallëzimin e situatës në rajon, kryeministri Rama ka shkarkuar Gjicin, menjëherë sa u bë publike videoja seksuale. E kuptueshme se si një zonë shqiptare shumë e lidhur me Kosovën, Kukësi dhe kryebashkiaku i tij nuk duhet të tregonte këtë pandjeshmëri. Veprimi i tij mendjelehtë kontraston me preokupimin e madh që ka treguar kryeministri ndaj veprimeve të Kurtit dhe izolimit që po i bëhet Kosovës. Për këtë veprim Rama është konsultuar edhe me autoritetet amerikane dhe ato europiane, të cilat më parë (në rastin e Bill Klinton) kanë pasur qasje të ndryshme për kryerjen e marëdhënieve orale seksuale në një zyrë titullari. Ka të dhëna që më i ashpër me rastin Gjici është treguar Boreli, i cili mësohet se ka thënë- “Shpërthimi i Gjicit mbi tavolinën e Zyrës mund të sjellë një konflikt të armatosur në rajon!”

Gjithashtu mësohet se me porosinë e kryeministrit, Agastra po përgatit një qarkore, ku përcaktohen qartë kriteret që duhet të ndiqen nga zyrtarët e lartë socialisë, kur për shkak të stresit kanë nevoja të domosdoshme për të kryer marëdhënie seksuale në zyrë (një dukuri shumë e përhapur kjo tek Përparistët).

1.       Të mos kryehen marëdhënie seksuale nëpër zyra deri në miratimin e “Draftit Edi” për Asocacionin e komunave me shumicë sërbe.

2.       Të kihet kujdes nga filmimet e mundëshme, prandaj të mos lejohen celularë ose objekte të tjera që mund të kenë kamera brenda si çanta, kuleta, karfica të mëdha etj. Funksionaret femra mos lejojnë partnerë me tokëza rripash të mëdha, syze dielli etj.

3.       Në të gjitha rastet të përdoren mbrojtës të miratuar nga Ministria e Shëndetsisë për të mos krijuar situata ku përdhosen flamuri shqiptar, ai europian apo portreti i Ismail Qemalit, objekte këto që ndodhen në të gjitha zyrat shqiptare.

Ndonjëherë edhe gjërat më të rëndomta mund të sjellin zhvillime të paimagjinueshme në situatat delikate në Europë. Safeti nuk duhet të kishte rënë në kurthin e një provokatoreje, që me siguri paguhet nga Vuçiç.

Thursday 15 June 2023

Kurti, Rama dhe çështja shqiptare (2)

 


(vijim)

Megjithëse në të dy shoqëritë shqiptare mbizotëron ndjenja e atdhedashurisë dhe e një bashkimi të mundshëm, ka disa arsye që qëndrimet për çështjen shqiptare nuk janë të njëjta. E para është mungesa e një lidhje të fortë shpirtërore të shqiptarëve të Shqipërisë (sidomos të Jugut) me shqiptarët e Kosovës për shkak të izolimit pesëdhjetvjeçar. Ishte një izolim që nuk sillte asnjë lidhje martesore, asnjë lidhje miqësish të afërta, të cilat janë të domosdoshme në ngjizjen e unitetit të një populli. Regjimi i Hoxhës edhe pse herë pas here fliste për Kosovën, ndaj Kosovarëve në Shqipëri ushtronte represion, ndaj edhe ishte krijuar një përshtypje e rreme në popull se me të shumtët e tyre ishin agjentët e UDB-së.

Arsyeja tjetër është se elitat politike të të dy vendeve (veçanërisht e shtetit amë) janë të përqëndruara në përfitimet e tyre personale brnda “parcelës” dhe kjo i bën të pandjeshëm ndaj problemeve të veçanta, që kanë dy shtetet shqiptare. Nano jo vetëm takohej me Millosheviçin në një kohë që shumica e shqiptarëve të Kosovës këtë nuk e miratonin, por kishte dhe një orientim më tepër drejt europianëve se sa amerikanëve, që nuk ishte plotësisht në interesat imediate të Kosovës; Berisha përpos që kishte thyer bllokadën e naftës ndaj Millosheviçit kishte një qëndrim të njëanshëm ndaj një grupimi politik kosovar dhe pat qënë edhe kundër marëveshjes së Rambujesë; Rama është përpjekur vazhdimisht të ndjekë një politikë paternaliste ndaj Kosovës pa u këshilluar thuajse kurrë me shqiptarët atje për problemet e Republikës së Kosovës dhe politikën panshqiptare.

Arsyeja e tretë është se dhe vetë Amerika dhe BE nuk janë të qartë në planin e të ardhmes së Ballkanit. Rajoni është i komplikuar dhe ka jo vetëm përplasje interesash të të mëdhenjve, por edhe paqartësi se si do jetë një Ballkan i ardhshëm. Qarkullojnë projekte (dhe jo pa rëndësi), që të krijohen tre qendra të mëdha në Ballkan dhe që do jenë Kroacia e Madhe, Sërbia e Madhe dhe Shqipëria e Madhe. Kjo nënkupton “gëlltitjen”e Maqedonisë, Bosnjës dhe Malit të Zi. Një projekt i tillë mund të jetë joshës për disa nga politikanët shqiptarë, por mund të jetë i papranueshëm për disa të tjerë, se balancat e sotme nuk mund të prishen lehtë pa sakrifica të mëdha të popujve të tjerë në Ballkan.

Sigurisht që lufta në Ukrainë pati efektet e saj në çështjen e Kosovës dhe atë shqiptare në përgjithësi. Por edhe para saj, në mënyrë absurde dy shtetet shqiptarë nuk ishin të koordinuar për çështjen e “Open Balkan”. Tek këto qëndrime të kundërta ze fill çarja e madhe midis dy qeverive shqiptare. Ishte e domosdoshme që në atë Forum ose shkonin të dy bashkë ose të mos  shkonin fare. Nëse nuk je në gjendje të kuptohesh dhe të shtrosh të mirat dhe të këqijat e një kompleksi marëveshjesh me një shtet vëlla nuk ke se si të merresh vesh me fqinjët. Unë nuk jam kundër marëveshjeve dhe negocimeve, por në rradhë të parë këto bëhen me aleatin më të afërt.

Pa justifikuar Albin Kurtin, tek i cili nuk jam në gjendje ende të kuptoj se ku ze fill marksisti i tipit Varufakis dhe ku përfundon patrioti sovranist, duhet të theksoj se gabimet më të mëdha edhe në acarimet e fundit janë të Ramës. Nuk dua të besoj se ai ndikohet nga sërbët, por duke qënë një politikan me dosje korrupsioni në “zyrat e më të mëdhenjve”, kam përshtypjen se është më pak i pavarur se Kurti në bisedimet me të tjerët. Të gjithë politikanët që kanë “skelete në dollapet e tyre” janë të shantazhueshëm. Edhe nëse Ramës nuk ja kujtojnë në takimet kokë më kokë, dihet edhe nga ai edhe nga ata që është më pak rezistues ndaj një projekti që duhet të kalojë shpejt sipas interesave të çastit të më të mëdhenjve.

Përsëri nuk mund të them me bindje se cili është qëndrimi më i mirë ndaj çështjes shqiptare, por fakti që paraqitemi të përçarë na dobëson në tavolinat ku vendosen fatet e popujve dhe të shteteve. Ka edhe një të metë tjetër të madhe, për të cilën nuk mund të fajësojmë vetëm Ramën dhe Kurtin.

Nuk kemi një platformë solide të çështjes shqiptare për dhjetvjeçarët që po vijnë.

(vijon)

Kurti, Rama dhe çështja shqiptare


Më duhet të pranoj që në krye të këtij shkrimi të gjatë, që në disa shkrime të mëparshme rreth kësaj teme edhe “ja kam futur kot”, sepse nuk e njoh në thellësi problemin si edhe shoqërinë kosovare. Shumë gjëra i kam marrë me mend nga sa njoh Ramën dhe sjelljen e tij, Amerikën dhe politikën e saj të jashtme, si dhe politikën shpesh të hallakatur të Bashkimit Europian, që mbetet një bashkim heterogjen i drejtuar kryesisht nga Gjermania dhe tanimë (prej largimit të Anglisë) gati në paritet me Francën. Së fundmi jam rrekur të kuptoj më shumë dhe të mësoj më shumë.

Unë jam shumë skeptik në sjelljen e Ramës në politikën e jashtme për disa arsye. E para se në përgjithësi në Shqipëri ka munguar shkolla e diplomacisë dhe një traditë e tillë për shkak të Diktaturës, e dyta se veç amatorizmit dhe vetbesimit Rama ka plotësisht monopolin e politikës së jashtme dhe e treta se dosjet e tij korruptive e venë në pozita jo shumë të favorshme për një politikë të jashtme thellësisht në dobi të interesave shqiptare.

Por duhet pranuar se me një lloj “flamboyance”, duke ditur të krijojë lidhje personale, si dhe me një elasticitet të madh “ndaj të fuqishmëve”, Rama shihet me sy të mirë në kanceleritë europiane dhe amerikane. Kjo ka qënë dhe një nga arsyet që këto zyra kanë mbyllur nga një sy kur vjen falja për korrupsionin e Ramës dhe shkeljen e rregullave demokratike në zgjedhje dhe në jetën e shoqërisë shqiptare. Marëdhëniet e tij të ngushta me Erdoganin dhe Vuçiç e bëjnë veçanërisht për europianët edhe një lloj ndërmjetësi të mirë për të zgjidhur krizat e rajonit.

Nga ana tjetër, shoqëria shqiptare e Kosovës dhe veçanërisht shteti i saj janë të ndryshëm shoqëria e Shqipërisë dhe shteti shqiptar. Shteti i Kosovës është ende i brishtë se nuk është anëtar i OKB-së dhe i shumë oraganizatave të tjera të rëndësishme, nuk i ka të zgjidhura problemet me Sërbinë dhe ka ende forca ndërkombëtare në territorin e tij. Shteti shqiptar nga ana tjetër është një shtet i konsoliduar, por edhe shumë i korruptuar në të gjitha shtyllat e tij.

Shoqëria kosovare është një shoqëri jo homogjene, e krahasuar me shoqërinë shqiptare. Brenda saj bashkëjetojnë një elitë intelektuale europiane me fundamentalistë islamikë, ndjekës të Gandit të Europës me ekstremistë të majtë, fshatarë shumë të prapambetur me akademikë të shquar. Për shkak të izolimit nga bota gjatë Diktaturës, shoqëria shqiptare nuk është e tillë. Mungojnë ekstremet, por njëkohësisht stofi i shoqërisë lejon që korrupsioni të jetë ekstrem. Dhe veçanërisht elita politike tepër agresive dhe që nuk respekton rregullat e demokracisë. Kosova ka tregues shumë më të mirë të demokracisë edhe pse një shtet më pak se 20 vjeçar.

Kjo lloj shoqërie ka nxjerrë në krye të shtetit jo vetëm “fitimtarët” e Luftës, por edhe ithtarët e “rezistencës paqësore” dhe tashmë edhe sovranistë të afërt me ekstremin e majtë. Në Shqipëri vazhdojnë të drejtojnë prej dy vitesh dy parti , të cilat janë anë të së njëjtës medalje. Pa asnjë ndryshim ideologjik dhe me qasje të njëjtë ndaj demokracisë dhe problemeve të vendit. Asnjë grup që Lufton korrupsionin nuk ka arritur të përfaqësohet dot në Kuvendin shqiptar, e jo më të fitojë zgjedhjet sikundër ka ndodhur në Kosovë.

(vijon)

Wednesday 14 June 2023

Berlu iku. “Gjet’të xhehnemin hapur!”


Shprehja e anëve tona :”Gjet’të xhehnemin hapur!” përdoret kur mësohet lajmi se ka vdekur dikush me një emër jo të mirë. Eshtë më e rëndë se shprehja “La armët varur!” e cila ka një lloj ironie. E para është më e afërt me mallkimin.

Më duhet të pranoj se kjo më shkoi ndërmend kur mësova për shuarjen e tij. E njëjta më kishte shkuar kur vranë mikun e Berluskonit, Omar Kadafin. Ndonëse krimet e të dytit nuk mund të krahasohen me “paudhësitë“ e të parit, sërish, veç keqardhjes që mund të ndjesh për familjarët e të ndjerit, është mirë të thuash se “bota është më e mirë pa Berluskonin”.

Ndikimi i tij ka qënë negativ jo vetëm në brezat e rinj të Italisë, por edhe të shumë vendeve europiane, sidomos atyre të Europës Lindore. Ndoshta po të kishte ndenjur në botën e tij të biznesit dhe të futbollit, ndikimi i tij nuk do ishte aq i madh. Por Berlu, për tu mbrojtur nga Drejtësia italiane, zgjodhi të hynte në jetën politike duke u bërë shëmbull i hedonizmit maskilist dhe etjes për para dhe sukses duke shkelur mbi çdo lloj skrupulli. Ai u mundua t’i kthente në normale ato çka njerëzimi ka dhjetra shekuj që mundohet t’i luftojë - grykësinë për para, për të shfrytëzuar të tjerët dhe për të përdorur femrat. Ishte një lloj rikthimi në monarkët dhe krerët katolike të Mesjetës. Dhe këtë jo vetëm që nuk mundohej ta fshihte, por e manifestonte hapur madje ja u sugjeronte edhe të rinjve.

Një pjesë jo e vogël e italianëve tallej me të, por e ndryshme ishte gjendja në Europën Lindore të dalë nga Diktatura Komuniste, ku Berlu shihej si “heroi” i sistemit kapitalist. E gjithë Tirana ishte e mrekulluar me Berluskonin madje të shtuquajturit të majtë- Nano dhe Rama e deklaronin edhe në shtyp adhurimin që kishin për Silvion. Ende ka lokale në Tiranë dhe Durrës të quajtur “Berluskoni”.

Po ku qëndron e keqja e shembullit të Berluskonit?

Tek ne (dhe në vendet e tjera ish-komuniste) ka një bjerrje të plotë të moralit njerëzor. Shoqëritë e post-ateizmit kanë tani për Perëndi vetëm Paratë, Lluksin dhe Seksin dhe sigurisht mes shënjtorëve të kësaj lloj “feje”, Berlu është ndër më të shquarit. Edhe pse hiqej si liberal, sjellja e tij në politikë ishte ajo e një politikani autoritarist dhe miqtë më të afërt të tij ishin Putin, Kadafi dhe të tjerët si ata. Ndaj pjesa më e madhe e trashëgimisë së tij politike është e kalbur.

Eshtë e natyrshme, që edhe “xhehnemi” i politikanëve të ketë rrathët e tij dhe ndoshta Berlu nuk do jetë pranë Hitlerit, Duçes, Stalinit dhe Maos, madje as pranë Borxhiave, Kadafit apo Kaligulës, por mbase mund të ndjehet mirë pranë Katerinës së Rusisë, Kazanovës dhe Rasputinit. Në rrathët më pranë Purgatorit.

 

Kurti u çmend, shyqyr që kemi Ramën

 

Sërish, brenda disa ditëve, Edi Rama del si Shpëtimtar i shqiptarëve që jetojnë në rajonin e Ballkanit, madje dhe i gjithë vendeve ballkanike, duke anulluar një mbledhje të përbashkët me Qeverinë e Kosovës. Nënteksti është pak a shumë i tillë: “Kurti u çmend se po e prish Kosovën me aleatët, ndaj unë duhet të bëj ç’është e mundur që ta shpëtoj Kosovën, Shqipërinë dhe të gjithë Ballkanin!”

Sipas Ramës, mbledhja e punës (dhe festive) e dy qeverive, nuk duhej të bëhej në situatën e tensionuar të veriut të Kosovës dhe acarimit të qeverisë kosovare me BE-në dhe Amerikën. Në vend të saj ai kishte propozuar, që të bëhej një takim i tij me Kurtin vetëm në praninë e Ministrave të Jashtëm dhe të Mbrojtjes për pikën nevralegjike të ditëve të fundit?!

Me të drejtë Kurti kishte  thënë se nuk ka arsye të anulojmë mbledhjen, por një bisedim të veçantë vetëm me të kryeministrave dhe ministrave të tjerë (të anës tonë kukullat Xhaçka dhe Peleshi) mund të bëhej pas saj duke u përqëndruar në kriza. Rama nuk e pranoi dhe mbledhja midis qeverive u anullua, duke e lënë Albin Kurtin edhe më të dobët në opinionin brenda Kosovës dhe jashtë saj.

Pyetjeve të gazetarëve për marëdhëniet e Shqipërisë me Aleatët dhe me Kosovën, Rama në mënyrë mashtruese (por edhe budallaqe) ju përgjigj se nuk ka “me”, por se Shqipëria është një me aleancën euro-atlantike sepse është anëtare e NATO-s. Pra sipas tij është I detyruar të mbajë në ]ështjen e Kosovës të njëjtin qëndrim që mbajnë aleatët tanë, pra BE dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pranoi se ne nuk kemi pse të mbrojmë Kurtin faqe amerikanëve dhe europianëve sepse ne jemi pjesë e tyre?!

Unë nuk mendoj se është ]mendur Kurti dhe as se është ]mendur Rama. Ndonëse ka mundësi që Kurti mund të veprojë taktikisht më me zgjuarsi dhe me më pak deklarata të pakujdesshme ndaj të huajve, ai mundohet të frenojë një marëveshje e cila sot favorizon më shumë sërbët, sepse lufta në krahinë ka sjellë raporte të tjera me lojtarët kryesorë. A do t’ja dalë? Mbase edhe do dështojë dhe do humbasë mbështetjen në vend, gjë që mund të sjellë rrëzimin e qeverisë së tij.

Por Rama gënjen haptazi kur thotë se kët e bën për të mirën e Kosovës dhe aq më tepër kur Shqipërinë e bën pjesë të “NE” euro-atlantike. Ne jemi një vend i NATO-s, por jemi atje për të mbrojtur interesat tona dhe jo vetëm ndaj kundërshtarëve të Aleancës por dhe anëtarëve të saj. Greqia dhe Turqia janë anëtare të NATO-, por disa herë kanë qënë në prag të luftës me njëra tjetrën. Po kështu edhe shumë shtete të tjera duke përfshirë të mëdhenjtë. Aleanca euro-atlantike është një marëveshje vendesh por kurrsesi intersat e tyre nuk janë identike.

Interesi i Kosovës dhe i gjithë Shqipërisë është që Kosova të njihet sa më parë nga të gjithë (ve]anërisht nga Sërbia) dhe brenda një territor të përcaktuara nga marëveshjet e mëparshme. Sigurisht që është një proces i gjatë dhe i vështirë dhe që nuk ka një zgjidhje të artë. Por nuk duhet menduar asnjëherë se zgjidhja që ofrojnë sot ata që ndihmuan krijimin e Kosovës së Pavarur është zgjidhja ideale për interesat tona. Në fund të fundit ne jemi një vend shumë I vogël dhe zgjidhjet për Veriun e Kosovës variojnë. E rëndësishme për euro-amerikanët është të gjendet një zgjidhje e shpejtë, që mund të ndihë lergimin e Sërbisë nga Rusia, por k jo nuk është e thënë që është zgjidhja më e mirë për shqiptarët.

Në gjithë këtë zallahi shqiptaro-kosovare, ajo që më shqetëson më shumë është se si do jetë shteti i madh shqiptar, kur të ketë edhe Kosovën brenda. Do duhemi apo do therremi?

Shënjat nuk janë të mira.

Tuesday 13 June 2023

Rama urren “modelin” Kurti


Personazhet narcistikë (ata që e kanë me tepri këtë cilësi) nuk kanë gjëra të shenjta veç Egos së tyre. Nuk ju bëhet vonë as për Atdheun, as për grupin shoqëror që përfaqësojnë, madje as për familjen. Gërthasin për to dhe vlerat e tyre, vetëm kur ju shkon për shtat. Kur ju shkon për shtat e kundërta nuk e kanë për gjë t’i braktisin. E tillë është natyra e tyre dhe për fat të keq, Edi jonë është “par excellence” i tillë. E ka shprehur në rrethe të ngushta kur ishte Kryetar Bashkie se “nuk e rruj për Tiranën!”

Ka diçka thellë tij edhe në sjelljen e viteve të fundit ndaj Kosovës edhe pse mund të hiqet në publik se “është në një mendje me Kurtin, veç qasjet i ka të ndryshme”. Rama nuk urren Kurtin dhe as ka qasje të ndryshme për problemin e zgjidhjes së konfliktit me Sërbinë, por ai urren modelin e “politikanit Kurti”.

Albin Kurti edhe pse mund të ketë si çdo njeri të metat e tij në drejtimin e shtetit të Kosovës, apo në deklaratat në publik ndaj Aleatëve ka një ndryshim cilësor nga Rama dhe shumë politikanë të tjerë shqiptarë dhe ballkanas. Eshtë i pakorruptuar.

Këtë model politikani Rama e urren dhe njëkohësisht I trembet. Ai kërkon që sa të jetë gjallë, në Shqipëri dhe në Ballkan, mundësisht mos ketë politikanë të tillë. Eshtë në gjendje të mirëkuptohet me Vuçiç, Gjukanoviç dhe të tjerë të ngjashëm me ta sepse do që edhe të huajt ta kenë mendjen top “se ky është Ballkani dhe se me ne mund të kuptoheni më mirë“.

Shoqëria kosovare ju dha një mësim të mirë politikanëve të saj të korruptuar duke mbështetur dy herë Albinin në zgjedhje. Shoqëria shqiptare nuk ka qënë në gjendje ta bëjë këtë ndaj kemi ende Ramën. Pikërisht për të minuar udhëheqjen e Albinit, Rama nuk po le gurë pa lëvizur, duke filluar me deklaratat e hapura dhe duke vazhduar me përçarjen që bën prapa kuintave në Kosovë.

Sa larg do shkojë mendja djallëzore e Ramës për të rrëzuar Albinin?

Eshtë e vështirë të parashikohet, sepse mendjet e narcistikëve janë të vështira të parashikohen. Për fat të mirë deri tani ndërhyrjet e tij nuk janë pritur mirë nga shumica e shqiptarëve në Kosovë.

Ti trokite lehtas

Ti trokite lehtas

Në një nga dyert e shumta të ëndrrave

Dhe unë nuk dija se cilën dihet të hapja.

Nuk kuptoja përse flija

Në atë sallë me qindra dyer,

Ku ti të vije doje;

Ishe lodhur nga ndarja.

Por nuk dije se kishte aq shumë dyer,

(Vetëm një para teje shfaqej)

Dhe ndërsa unë prisja tjetrën trokitje

Ti more të shkoje.

I lemeritur u ngrita

Dhe nisa t’i hapja me rradhë,

Si i shkalluar,

Hyrjet e një hapësire me një shtrat,

Në të gjitha anët mbuluar

Për të mos parë se varur ishte në ajri.

Jashtë fishkëllinte frika e humbjes,

Asaj të përhershmes.

Dhe nëse krahët t’i kishte dhënë malli,

Që arrite të trokisje lehtas,

Këtë ende s’e di.

Monday 12 June 2023

Dy persona të kundërt largohen nga jeta



Kjo fundjavë ka shënuar diçka shumë të veçantë. Janë larguar nga kjo jetë dy persona, nga ata që lindin rrallë, mbase një herë në 100 vjet. Njëri amerikan dhe tjetri Italian. I pari vrau veten pasi ishte në një fazë shumë të përparuar të kancerit dhe tjetri si pasojë e një kanceri të përsëritur disa herë. I pari 81 vjeç dhe i dyti 86. Të dy thuajse gjenij po të mos ishin të sëmurë. Sejcili në mënyrën e tij.

Ted Kazhinski (Ted Kaczsynski) ose i njohuri si “Unabomber” kishte mbaruar që në moshë shumë të re Harvardin për matematikë dhe i zhgënjyer nga sistemi shoqëror modern jetoi gjatë në një kolibe në një pyll në Montana, ku nuk kishte as energji elektrike dhe asnjë lloj infrastrukture. I indinjuar nga zhvillimet teknologjike dhe lakmia e njerëzve, që sipas tij po shkatërronin globin, ai filloi të dërgonte bomba të përgatitura nga ai vetë, tek njerëz të ndryshëm , që sipas tij kontribuonin në krijimin e këtij sistemi shkatërrues. E bënte për të zgjuar vëmendjen e njerëzve që të lexonin manifestin e tij me idetë filozofike të apokalipsit që po sillte përparimi i shkencave kompjuterike dhe teknollogjive. U kap pas 17 vjetësh dhe u dënua me burgim të përjetshëm. Nuk pranoi të mbrohej nga avokati si i sëmurë psiqik.

Silvio Berluskoni mbaroi Sorbonën për ekonomi dhe shkëlqeu në përshtatjen ndaj sistemit dhe korrjen e maksimumit të fryteve që jep sistemi. Pasi bëri miliardat në biznesin e mediave, i hyri dhe politikës ku shkëlqeu si një udhëheqës autoritativ dhe që nuk kishte asnjë lloj skrupuli. I famshëm për “party-t” prej adoleshenti edhe kur kishte kaluar të 70-tat, ai u ndoq disa herë penalisht por nuk u dënua kurrë. Hedonist i shkallës më të lartë, Berlu jo vetëm kishte bërë shumë herë ndërhyrje plastike në fytyrë dhe trup, por ishte nga të rrallët, që kishin bërë edhe një ndërhyrje në organin gjenital për të pasur “erections” edhe kur mosha nuk e ndihte më.

Ted Kazhinski plagosi shumë njerëz dhe për këtë u dënua. Berluskoni kontribuoi në vrasjen e shumë njerëzve (edhe duke bashkëpunuar me Mafian) por nuk u dënua ndonjëherë.

Cili ishte më i rrezikshmi nga këta dy njerëz kaq të kundërt?

Ndoshta Gjyqi i Fundit do e përcaktojë, sepse vetë njerëzit nuk duket se janë në gjendje ta bëjnë.

Kreu 4 (Kepucet ciklamin)

 

Hyrëse e kreut 4

 

“ Ard td…”  12.45 PM

…..

“Më shkruaj…” 12.52 PM

….

“Më mungon sh…”  1.03 PM

“Pse bëhesh i keq shpirt?” 1.12 PM

Kreu 4

 

Në sallën e konferencave të hotelit “Sheraton” po zhvillohej një takim me një ekip investitorësh nga Izraeli dhe Ardian Xama ndonëse i shihte mesazhet e marra nga “SUELKA” nuk ktheu përgjigje. Kishte shkuar në atë takim i porositur nga Kryeministri. I duhej të njihej me projektin. Nuk  kishte marrë materialin më parë. Me Ministrin e Energjitikës, që drejtonte takimin, nuk kishte shkuar mirë. Ai ishte ashtu si e cilësonte kryeministri – një e keqe e domosdoshme. Ky i fundit nuk i kishte thënë nëse duhej t’i raportonte apo jo, ndaj po përqëndrohej tërësisht për të zbuluar ku ishte “yçkëla”.

Psikoterapistja e humbi durimin dhe shau me vete “Kushedi ç’të duket vetja Xama, por mos harro se këto gjinj kanë hedhur poshtë burra më të zotë se ti!” dhe ju hodhi një sy gjinjve, që tashmë kishin nevojë për pak  ngritje. “Katnar dreqi!” shtoi dhe doli nga studioja e saj për të ngrënë drekë. Restoranti “T’komk’tu”, ku hante zakonisht ishte thuajse i zbrazët. Porositi një sallatë dhe priti t’ja sillnin. Që kur i shoqi kishte nisur punë në kryeqytetin e vendit fqinjë nuk gatuante më. Vetëm kur priste në shtëpi të ftuar të veçantë. I pëlqente të krenohej me aftësitë e saj gatuese dhe përkushtimin që kishte për karrierën e të shoqit. Të ftuarit ja njihnin mirë aftësitë dhe nuk i vinin në dyshim këto dy cilësi të saj. Veçanërisht të dytën.

Asaj i pëlqente të tregonte se sa i zoti ishte ai, por dhe se i mungonte cilësia e “salesman” ndaj i duhej asaj vetë të ndërhynte për t’i gjetur vendin që meritonte. Dhe disa vende të tilla të merituara ishin gjetur në disa qytete europiane. E kapte malli për të, por njëkohësisht “dëshëronte shumë, që ai të ishte I realizuar!” Suelka Kalo kishte klientë shumë njerëz me ndikim në kryeqytet. Ishte në gjendje të bënte shumë për ata që i donte. I shoqi ishte mes tyre. Konsiderohej si psikoterapistja më e shtrenjtë dhe ndoshta edhe më e mira, nëse do ju besoje klientëve të saj. I kishte mrekulluar të gjithë.

Ardian Xama kishte qënë për 6 muaj klient i saj dhe ajo ende nuk e kishte kuptuar nëse ai kishte vërtet probleme stresi dhe psikike, apo ishte afruar vetëm për të flirtuar me të. Kishte dinakërinë e një fshatari dhe nuk hapej as gjatë seancave. Ndaj i ishte dukur interesant. Për më tepër ishte i rëndësishëm në rrethet e pushtetit. Ishte përpjekur t’i mësonte të bënte dashuri më pak brutale, por Xama ishte kokëfortë.

Kamarierja i solli sallatën. Ndërkohë një tingull i telefonit shënoi shfaqjen e mesazhit të nëndrejtores së Arkivit të Shtetit- “Mund të vij të të takoj? E kam të domosdoshme!”. Ju përgjigj se mund të vinte dhe të hanin drekën bashkë nëse nuk ishte larg. Tjetra ju përgjigj se do nxitonte. Ndoshta do ishte atje pas 10 minutash.

(vijon)

Sunday 11 June 2023

Ja pse jam me Pepen


“Adhurimi” për Pepen ze fill më se 50 vjet më parë, kur më magjepsi futbolli i “Ajaksit”. Ishte diçka e re, e paparë deri në atë kohë dhe e ndryshme nga futbolli i brazilianëve, i anglezëve dhe më tepër akoma nga futbolli i ashpër i latinëve, ku kryesonte futbolli italian. U quajt “futbolli total” dhe si cilësi kryesore kishte parimin “të gjithë në sulm dhe të gjithë në mbrojtje”. Ishte një gërshetim i forcës fizike me teknikën e disa lojtarëve të veçantë dhe mbi të gjitha loja në grup, që nuk lejonte hapësira të mëdha për kundërshtarët. Ishte një lojë, që e nxorri futbollin nga gjendja disi statike, që ishte deri në atë kohë.

Të njëjtën lojë bëri edhe ekipi i Hollandës në eliminatoret dhe finalet e kampionatit botëror të vitit 1974, që edhe pse u mund në finale, mbetet një nga ekipet kombëtare më të mirë të të gjitha kohërave. Filozofia e atij futbolli ishte të luaje në të gjithë sektorët e fushës dhe të kontrolloje sa më gjatë topin duke dominuar mbi kundërshtarët. Ishte e kundërta e futbollit Italian të “katenaçios”, i cili kishte patur disa suksese në vitet ’60 dhe ’70 me ekipin kombëtar dhe skuadrat italiane. Pra mbi të gjitha ishte një futboll spektakolar, i cili i mbante lidhur futbolldashësit pas ekranit të televizorit.

Sigurisht që edhe brenda Hollandës dhe Ajaksit kishte disa lojtarë që shquanin mbi të tjerët dhe më i madhi ishte Johan Krojf. Në vitin 1973 ai filloi të luajë me Barcelonën dhe me atë klub pati lidhjen më të gjatë. Krojf futi tek Barcelona një lloj futbolli të ngjashëm në filozofi me atë të Ajaksit, por nisur nga cilësitë e lojtarëve spanjollë ishte disi i ndryshëm. U quajt “tika taka” dhe është loja mbi të cilën bazohet edhe filozofia e Guardiolës. “Të dominosh kundërshtarin duke mbajtur sa më gjatë në kontroll topin.”

Eshtë sërish një futboll spektakolar dhe që kërkon pjesëmarjen e të gjithëve në të gjithë fushën. Eshtë një lojë e vështirë, që kërkon shumë impenjim për lojtarët, por që kur kryhet me sukses jep jo vetëm fitore, por edhe një lojë të bukur, çka ju pëlqen spectatorëve. Ka një ndryshim të madh me filozofinë e Murinjos, i cili rikthehu “katenaçion” në futbollin europian duke kërkuar suksesin e ekipit edhe në dëm të lojës së futbollit.

Sigurisht që një futboll të tillë nuk e bën dot çdo klub. Janë vetëm disa klube në Europë të cilët kanë një numur të madh lojtarësh me cilësi të mira teknike dhe fizike. Por edhe filozofia e trainerit luan një rol të madh në të. Dhe nuk kanë qënë vetëm Kovaç dhe Miçëlls trainerët që kanë provuar “futbollin total” ose nënvariantet e tij. E kanë bërë në mënyrë të suksesshme edhe Arrigo Saki me Milanin, Mishel Hidalgo me Francën dhe të sipërpërmendurit Krojf dhe Guardiola me Barcelonën dhe ky i fundit tashmë edhe me Mançester Sitin.

Eshtë futbolli më i ndershëm dhe më i bukur! Sepse i përmbahet parimit: “Mund të fitohet edhe duke luajtur bukur.”

Ja pse e “adhuroj” Pepen!

Kujt i ndih megalomania e Ramës?


Pas një heshtjeje të çuditshme rreth ngjarjeve të fundit në Kosovë, ditën e enjte Rama u paraqit para gazetarëve me megalomaninë e një Shpëtimtari të çështjes së Kosovës dhe deklaroi se ju kishte dërguar një draft për Asociacionin krerëve të vërtetë të Bashkimit Europian, Makron dhe Sholc. Në deklaratën dhe sjelljen e tij gjatë konferencës ndjehej madhështia e dikujt që ka pritur gjatë që “kalamajtë“ të pushonin sherrin e tyre dhe kur e pa që kjo nuk po ndodhte, u detyrua si një politikan i madh të ndërhynte.

Por mënyra e paraqitjes së aktit të tij është vetëm njëra nga të metat e mëdha të veprimit të tij politik. Edhe pse mundohej ta paraqiste si një qëndrim të barazlarguar nga palët, nënteksti ishte që nuk mund të linte Albinin, “që të tkurrte dhe tkurrte Kosovën në sytë e aleatëve”. Ai që përfitonte politikisht ng a ndërhyrja prej Shpëtimtari e Ramës ishte vetëm presidenti Vuçiç, i cili mund t’ju thotë sërbëve që nuk e duan: “Ja dhe Tirana është me ne!”

Ka pak rëndësi cilësia e draftit apo ekipi i “top ekspertëve”, që sipas Ramës e kanë përpiluar këtë draft. Ajo që është e rëndësishme është se sipas kryeministrit shqiptar “ai e ka ditur prej kohësh se të dy palët nuk e duan Asociacionin dhe prej muajsh ka përgatitur këtë draft, që ta nxirrte në çastin e kulmit të konfliktit”. Edhe pse në kontakte të vazhdueshme me presidentin sërb dhe kryeministrin e Kosovës, Rama nuk u shpreh nëse ata ja kanë deklaruar këtë në bisedat me të?! Ka qënë vetëm nuhatja e hollë politike, që ka vepruar me kaq largpamësi për diçka që nuk ja kërkonte kush? Apo ishte në vazhdën e dëmtimit që Rama ka disa vjet që po ja bën figurës së Albinit?

Edhe pse qëndrimet dhe deklaratat e Kurtit gjatë muajit të fundit nuk kanë qënë të përkryera, futja pakujdes dhe e pakoordinuar me Kosovarët e duarve të Ramës në balanceën e brishtë të ngjarjeve të Veriut të Kosovës nuk e kanë ndihmuar çështjen shqiptare. Nuk ka patur deri tani asnjë shënjë të dërgimit të diplomatëve shqiptarë për të shpënë kumtin e Ramës tek Albini, nuk ka asnjë shënjë se Shqipëria dhe Kosova janë në mos në unison, të paktën në përpjekje të vazhdueshme për të pasur një qëndrim të njëjtë. Edhe pse sjellja “e ashpër” ndaj Albinit nuk ndikon në qëndrimet e Eskobarit dhe Lajçak (një lloj tolerimi I Vuçiçit prej tyre varet nga rrethana të tjera gjeopolitike), ato e venë Albinin në një pozitë edhe më të zorshme në bisedimet me ta.

Eshtë kjo mënyra për të marrë maksimumin e mundshëm në interes të Kombit nga këto bisedime?

Nuk është e sigurt se sa ndikon deliri i madhështisë, amatorizmi I tij në politikën e jashtme, apo të tjera lidhje të fshehta në këtë qëndrim të kryeministrit shqiptar, por ato në rastin më të mirë janë qesharake dhe në më të keqin janë kundër interesave të Kombit.

Saturday 10 June 2023

Sa introvert si je!


Kam dashur gjithë këto vite të zbuloj se kush jam në të vërtetë dhe meqënëse nuk kam mundësi financiare për një udhëtim disamujor në Indi, jam përpjekur të gjej mënyra më ekonomike për ta bërë këtë. Për shembull jam munduar të lexoj libra nga ata, që hyjnë në kategorinë “supë pule për shpirtin”; të kërkoj në internet rreth njerëzve që kanë cilësi të afërta me të mijat; të pyes miq të afërt se si mund të më kategorizojnë e të tjera të ngjashme. (Këtë të pyetjes së miqve e ndala pasi pyeta një mik bajagi të mençur, i cili më karakterizoi si “gur të lehtë, sepse nuk jam në vendin tim.”)

Por dhe në internet, të dhënat shpesh herë janë kontradiktore. Ndoshta edhe sepse nuk kam përvojën e duhur se si të kërkoj. Për shembull, pasi kërkova në google se “ç’cilësi kanë njerëzit, të cilët nuk janë të prirur pas të ëmblave”, më doli që këta njerëz kanë tendencë të kundërshtojnë të tjerët dhe nuk janë shumë të predispozuar të ndihmojnë. Nga që nuk më pëlqeu kjo përgjigje, mendova t’i bëja Google një pyetje asgjesuese (si ato të Leninit) dhe shkrojta “ka lidhje mes mbipeshës dhe mungesës së intelektit?”. Këtu më duket e zura “mat” edhe Google-n edhe komunitetin e shkencëtarëve, se megjithëse ka shumë të dhëna se “rondokopët” (si puna ime) kanë intelekt më pak të zhvilluar, nuk është arritur të gjendet nëse intelekti i pakët e sjell mbipeshën apo mbipesha shkakton rënien e intelektit.

Por çudia më e madhe për mua ishte , kur zbulova se shënja e Ujorit është shënja më introverte mes dyzinës së shënjave. Paskam qënë introvert dhe nuk e kam ditur! Dhe e gjithë kjo ka ardhur se nuk kam pasur besimin e duhur në Horoskopi. Nuk e kam ndjekur as se si do e kem fatin në dashuri, shëndet dhe në të ardhurat. Aq më pak të udhëhiqesha në veprimet e mija sipas planeteve që hynin në konstelacionin e Ujorit për të marrë vendimet e duhura në kohën e duhur dhe në vendin e duhur. Pa le të thellohesha se ç’është Ujori, përse quhet i tillë dhe ç’virtyte dhe të meta ka. (Duhet edhe të pranoj që veten e futja në shënjën e Shu..orit, sepse kisha parë figurën e një njeriu që derdhte ujët.)

Tani që dyshoj në çdo mendim që kam pasur më parë për veten dhe mundohem të gjej se “cili jam Unë?” del se ka shumë gjasa që unë të jem introvert. Dhe këtë sa e mësova ja raportova menjëherë avokatit tim, i cili ka këmbëngulur se unë duhet të bëj “mea culpa” për ca sjellje jo të hijshme shoqërore. Njëra është refuzimi i një ftese për një dasëm, ndërsa tjetra mospjesëmarrja në një funeral. (E gjitha tingëllon si një derivat i orkestrës të “Për dasma dhe funerale” të serbo-boshnjakut Bregoviç.)

Tani nuk ka nevojë të shkruaj materialin e gjatë të kërkimit falje, se këto episode paskan ndodhur sepse unë jam introvert. Dhe më shumë se aq, një injorant introvert se këtë nuk e kam ditur. Se po ta dija arsyen se pse nuk po s hkoja në dasëm dhe në funeral (që tani e kuptoj se më shterren fuqitë kur jam në një mjedis me shumë njerëz) unë do e kisha vënë arsyen në përgjigjen RSVP të ftesës dhe do kisha dërguar edhe haber për çështjen e funeralit.

E keqja është se energjitë më bjerren edhe kur jam vetë dhe detyrohem të dal pyjeve përreth e të llafosem me drurët. Dhe kam përshtypjen se ata më kuptojnë, se duken shumë introvertë.

 

Friday 9 June 2023

Që jemi ende bashkë (Se stiamo insieme - Riccardo Cocciante)

Sa shumë histori

Kam pasur deri tani në jetë

Dhe se sa të tjera më vonë kushedi.

Endërrrime me sy hapur.

Histori me lumenj

Të tjera me shkretina

Me lendina që s’kanë mbarim.

 

Dhe sa herë kam parë

Nga barku i një barke

Erën që valën shkumbon

Të detit pafundësi

Që edhe brenda përhapet

E si e ëmbël përkëdheli

Zemrën ma ngro’n.

 

Gjithashtu e bardha borë,

Koriet dhe fieret,

I pështjellë nga heshtja

Të gjitha ndjenjat m’i ndezin

Ndjehem më se i gjallë,

Mes stërmëdhave vargmale

Ndërsa pres mëngjesin.

 

E më pas të kthehem këtu

Për të rifilluar rutinën

E ditëve të zakonshme

E ndërsa flas me ty më ndërpret

Me ftohtësinë e akullt

Jo, kjo s’mund të jetë e vërtet’.

 

Jo, nuk kam dashur kurrë

Të tillë jetë të kem

Nuk është kjo ëndërra

Që bashkë thurrnim dikur.

Në lotë dua të shkrehem

Dhe përsëri kam shpresë se ka diçka,

Që mund të kalohet ky mur.

 

Që jemi ende bashkë

Ka një përse

Dhe dua ta rizbuloj sonte.

Që jemi ende bashkë

Diçka për mua je

Ndaj po takohemi edhe sonte.

E di që kam mall,

Sa shumë mall.

 

E më pas të kthehem këtu

Për të rinisur jetën,

Që duket krejt pa jetë,

Duke u grindur të zhdukim

Edhe pak çaste të përhershëm,

Jo, kjo nuk mund të jetë e vërtetë.

 

C’kuptim ka të rri këtu

Të cfilitem në dikutime pa fryt,

Me ty të luaj

Kohën për të shtyrë,

Natën të mbyllem brenda vetes.

E megjithatë kam shpresë se nuk është kështu

Që në rrugë pa kthim kemi hyrë.

 

Që jemi ende bashkë

Ka një përse

Dhe dua ta rizbuloj sonte.

Që jemi ende bashkë

Diçka për mua je

Ndaj po takohemi edhe sonte.

E di që kam mall,

Sa shumë mall.

 

 

 

 

Thursday 8 June 2023

Për ata, që ankohen për ndërhyrjet e ambasadores Kim


Ka shumë njerëz pranë politikës dhe mediave, të cilët ankohen për ndërhyrjet e ambasadores Kim në politikën shqiptare dhe në çështjet , që i takojnë juridikut. Më të shumtët janë përkrahësit e Berishës, pork a edhe shumë të paanshëm, të deklaruar kundër Ramës, si dhe nën zë shumë socialistë përfshi edhe Ramën, që arriti deri në një deklaratë absurde të ministers Xhaçka, se mandati në Shqipëri i Kim po i afrohej fundit (ndaj Këshilli I Prokurorisë nuk duhej të emëronte në krye të SPAK-ut Dumanin, por Kondilin e Ramës).

Rasti i freskët i daljes nga burgu i Tahirit dhe arrestimi i Dakos i nxorri me një pikëvështrimi të çuditshme ata që ankohen për ambasadoren Kim, ose Kimeten si e quajnë me përbuzje. Sipas tyre, një “drejtësi me shtyrje nga të huajt” nuk është Drejtësia që kërkojmë, se nuk është një Drejtësi e Vërtetë. Në pamje të parë duket si një mbrojtje e parimit të Pavarësisë të Sistemit Juridik, por në vetvete është thjesht një vazhdim i qëndrimit anti-amerikan, që rrjedhimisht është edhe një qëndrim jo në dobi të Shqipërisë.

Drejtësia ideale nuk mund të krijohet as në një vit e dy, por do një brez ose më shumë.

Meqënëse kjo është një e vërtetë gati absolute, nuk ka asnjë arsye të shtiremi si parimorë. Në rradhë të parë duhet të gjykojmë se cili është interesi I Kim dhe i Amerikës në ndërhyrjet e vazhdueshme në Drejtësi. Duan amerikanët që të kontrollojnë Drejtësinë ronë për ta kthyer vendin në një Republikë Bananesh? Kjo mund të jetë vetëm një hipotezë-propagandistike ala Enver Hoxha.  Një Drejtësi e cila është nën monitorimin e amerikanëve është në interesin e plotë të qytetarëve të Shqipërisë. E ashtuquajtura Drejtësi e Re nuk mund të vijë nga një planet tjetër dhe as mund të realizohet nga juristë amerikanë, anglezë apo gjermanë. Do bëhet nga juristët tanë, të cilët për arsye të shumta që fillojnë me shkollimin, e vazhdojnë me formimin familjar, me traditën e jurisprudencës shqiptare dhe me trysninë që ndjejnë në familjet e tyre nga shteti nuk mund të jenë as shumë të zotë, as të kulluar dhe as plotësisht të pavarur.

Eshtë fat që një pjesë e tyre ndjejnë trysninë që ushtron ambasada amerikane.

Eshtë më mirë të ndjejnë trysninë e krimit të organizuar apo të politikanë bastardë?

Një Drejtësi të tipit të Europës së Veriut apo të Amerikës do kemi kur të kemi një shoqëri të ngjashme me shoqëritë e tyre. Drejtësia “tallaviste” është pasqyrë e një shoqërie “tallaviste”.

Ndaj të akuzosh ambasadën amerikane e cila ka financuar ndryshimin e ligjeve që lidhen me Sistemin e Drejtësisë, ka investuar në shkollimin e gjykatësve dhe prokurorëve dhe që ndjek hap pas hapi zhvillimet brenda sisitemit juridik shqiptar është jo thjesht dashakeqësi ndaj SHBA-së, por dashakeqësi ndaj qytetarëve shqiptarë.

Ambasada amerikane është e ndërgjegjshme, që ka dalë nga petku i diplomacisë, por kjo gjë na intereson më shumë ne shqiptarëve se sa amerikanëve. Ndaj t’i akuzosh për tejkalimin e kompetencave si diplomatë është një poshtërsi ndaj Shqipërisë në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale. Eshtë të mos duash asnjë lloj Drejtësie, sepse kërkon diçka që është e pamundur të realizohet.

Wednesday 7 June 2023

Niqka i butë…pi dy tëtëma!


Titulli është një përshtapje e thënies brilante të të ndjerit PSB. Po dal pak nga tema e Niqkës për të thënë se asgjë nuk po bëhet për të botuar trashëgiminë gojore filozofike të korçarit të shquar, projekt ky i nisur nga Koki i Parë - Ruajtësi i Traditave. Diçka nuk funksionon si duhet në DMTK të Korçës, që ende nuk po boton vëllimin e parë me thëniet e figurës së njohur poliedrike.

Kjo thënie më shkoi në mendje kur mësova se kanë arrestuar Gjushin. Nuk u gëzova, se nuk është mirë të gëzohesh, kur arrestohet dikush dhe për më tepër Gjushin e kemi të sektorit tonë të ndërtimit. Por u gëzova se më shkoi në mendje Niqka, i cili ndonëse punon me vetmohim nuk ka asnjë dosje të hapur në SPAK, apo në ndonjë prokurori tjetër. Thashë me vete se ja ç’bën sjellja me urtësi, buzëqeshje, fjalë të bukura dhe pak jargë që i varen gojës. Dosje me paudhësira – Zero.

Se ndonjë dumbarallëk të mesëm edhe e ka bërë Niqka i Rilindjes, por e ka bërë në kohën e duhur, në vendin e duhur dhe në mënyrën e duhur. Vetëm kështu ka arritur të “pijë sisë“ edhe në Tëtëma e Korçës dhe në Tëtëma e Mbrojtjes. Se dhe të mos lëpijë pak gishtat , kur i ka duart thellë në qypat me mjaltë nuk është e mundur. Por ama gjithshka sipas rregullave. (Kjo më kujton një trainer futbolli të njohur të anëve tona, që në një ndeshje në Tiranë ju thërriste mbrojtësve të tij: “Bjeruni këmbëve!” dhe më pas si për të qetësuar tifozët kundërshtarë që e dëgjonin të tmerruar shtonte: “Po brenda rregullave!”)

Se këta Rilindasit e tjerë (tani sikur e quajnë veten Përparista) janë lëshuar në çdo Ministri dhe Bashki të rrëmbejnë pa kriter. Por jo në Ministritë, që ka drejtuar Niqka. As dhe në Bashkinë e Korçës. Ndaj kjo më ngazëllen edhe mua, që vend e pa vend i kam sulmuar, por në fund kam shtuar ; “Pavarësisht nga ndonjë e metë, e përgjithshmja është pozitive!”

Ndaj me këtë pozitivitet punët e drejtuara nga Niqka do shkojnë gjithnjë e më përpara. Se edhe Gjushi i vuri në vijë punët në Durrës, por sipas thënieve të avokatit të tij tani është i stresuar. E stresuar është dhe Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetsisë, e cila nuk kishte refuzuar një zarf, për të cilin i kishin thënë se kishte diçka të ëmbël brenda dhe ajo kishte kujtuar se ishte një çokollatë. Në fakt zarfi kishte brenda “një tufë me Asdrena”, që e ka bërë tani të jetë e stresuar.

Nuk është i stresuar Niqka ynë, gjë që na e bën edhe më të lehtë jetën neve, që i dhamë edhe njëherë votën për të na udhëhequr drejt horizonteve të ndritura.