Wednesday 19 October 2011

Biseda te pakryera me babane (Njeri nga kapitujt ne gjendje bruto)


            KOMUNIZMI DHE PARTIA E PUNES



Unë: Ishte pushtimi i Shqipërisë, që të hodhi në krahun komunist apo anoje nga e Majta që në Stamboll? Të pyes, se kur takuam, më 1995, Krisullën në Turqi, ajo na shprehu habinë e saj dhe të gjithë njerëzve tuaj aty, se si ishe bërë komunist.

Ai: Krisulla dhe të tjerët kanë jetuar në një shtet si Turqia, që jo vetëm ishte proamerikan se ishte kundër rusëve, por edhe një gjysëm diktature ushtarake, e cila nuk lejonte korrente të tjera pro të majtës apo komuniste të botonin apo propagandonin në mënyra të tjera idetë e tyre. Gjithashtu, për shkak të politikës kundër jo-turqve në Stamboll, të ndjekur në stil të gjerë pas Luftës së Dytë Botërore nga qeveria, gjithë të krishterët ortodoksë, për të patur mbrojtje ishin mbledhur pas Patrikanës së Stambollit dhe komunizmi për ta ishte një lëvizje kundër fesë, moralit, familjes dhe pronës private. Ishte një lloj "gogoli" për ta.
                
Unë: Si u lidhe me qarqet e majta në Korçë?

Ai: Në Korçë nuk kishte rrethe politike të majta apo të djathta. Në vitet '37-'38, kur nisa të kuptoj rreth jetës shoqërore e politike të Shqipërisë, më ra në sy, që gjërat ishin në fazën embrionale, krejt ndryshe nga ato që dëgjoja në Radiot e huaja për jetën politike në Itali Francë e Gjermani. Nuk kishte asnjë grupim politik të njohur apo klub politiko shoqëror. Në Korçë, shtresa e pasur e tregëtarëve ose nuk angazhoheshin ose i mbanin avazin Naltmadhënisë. Mungonte shtresa e aristokracisë, nga e cila zakonisht dalin protagonistët e grupimeve politike të çdo krahu. Nuk dëgjohej gjë as për Grupin komunist dhe vetëm shoqëria "Puna", që ishte një lloj sindikate, bënte ndonjë veprimtari si Demonstrata e Bukës e vitit 1938, ku morëm pjesë edhe ne nxënësit e Liceut Francez.

Unë: Ka qënë dikush që ka ndikuar më shumë tek ti në kthimin drejt ekstremit të majtë?

Ai: Gjatë gjithë kohës në Korçë. unë shoqërohesha me moshatarët e mij të Liceut ose të mëhallës. Mes tyre kishte me ide përparimtare por jo ndonjë komunist të formuar apo që të kishte lexuar shumë nga Marksi apo të tjerët. Të rriturit në familje, dajot Loni dhe Markoja nuk interesoheshin për politikë dhe ky i fundit kishte kujtime jo të mira nga Revolucioni i Tetorit, kur kishte qënë emigrant në Odesa. Po ashtu, vëllai im Nesti ishte i prirur ndaj tregëtisë dhe një jete të lehtë, si ajo që kishte bërë në Stamboll. Materiale ilegale qarkulluam tek njëri tjetri, kryesisht pas pushtimit italian dhe ishim  të gjithë në një mendje, përjashto këtu dy-tre që ishin pro-italianë ose nuk donin të dinin se ç'ishte pushtimi i vendit apo ndarja në klasa e shoqërisë. Atë kohë krijuam edhe një gazetë të klasës, ku shkruanim bashkë me dëshmorët Gjikë Kuqali e Kristaq Tutulani, e të tjerët si Stefanaqin, Zijanë e Fatmirin Gjata. Por, të gjithë, kishim një njohje të sipërfaqshme të teorisë komuniste.

Unë: Kur u binde që ishe komunist? Kur të pranuan në Parti?

Ai: Nuk të bën antarësimi në një grup apo parti, të ndjehesh apo të kesh një botkuptim të caktuar për jetën apo për shoqërinë. Unë kam ndjerë, që vetëm parimet e të majtës komuniste mund të nxirrnin botën nga moçali i thellë i përgjakshëm në të cilin ishte zhytur, kur ushtria gjermane, pasi kishte marë Parisin ishte kthyer e po përparonte drejt Moskës. Atë kohë kuptova, që demokracitë perëndimore kishin dështuar përfundimisht, pasi kishin krijuar lënë të vinte në pushtet Hitleri nëpërmjet zgjedhjeve dhe për më tepër nuk e kishin ndalur oreksin e tij luftënxitës para Mynihut dhe më pas. Për mua, vetëm një lloj tjetër shoqërie mund të sillte normalizim në qytetërimin e shekullit të XX dhe një paqe të qëndrueshme. Në janar të vitit 1943 u pranova si antar i Rinisë Komuniste, që ishte e njëjtë me kandidat partie dhe në gusht të 1944 u pranova si anëtar. Duhet të dish, që për shkak të Luftës, Partia ishte në ilegalitet e jo kushdo mund të pranohej anëtar. Duhet të kaloje një sërë provash për ta merituar atë.

Unë: Të erdhi keq kur të përjashtuan?

Ai: S'gjenden fjalë për të shprehur se sa keq jam ndjerë. Ishte një lloj këputje me dhunë nga  një ëndërr të cilën e kisha që në fëmijëri. Të isha kontribues aktiv për një shoqëri më humane dhe më të drejtë. Largimi nga Partia, sipas asaj që dija e mendoja në vitin 1950 e vriste atë ëndërr.

Unë: Ti për herë të parë, ma ke treguar, kur mbaroja universitetin dhe duhej të plotësoja një formular, ku të shënohej edhe arsyeja e përjashtimit. Më tregove shkurtimisht historinë dhe më the që motivi ishte "për mendjemadhësi". Kështu e shënova edhe unë në atë formular. Si është historia e plotë?

Ai: Ajo fillon në dimrin e '49-'50 kur isha Drejtor i Radio Korçës. Ishin disa përplasje me Peti Shambllin e të tjetër punonjës të Komitetit të partisë, që donin të fusnin hundët në punët e Radios, pa ditur jo vetëm nga gazetaria, por as dhe nga parimet e thjeshta propagandistike të një sistemi totalitar. Ata kërkonin nga një program 24 orë pandërprerje e deri në dhënie të lajmeve nga më të rëndomtat, të veprimtarisë të Komitetit të partisë të rrethit. Pasi më larguan nga drejtimi i Radios dhe më ngarkuan me ngritjen e Muzeut të qytetit, përsëri me Petin nuk shkoja mirë. Ishte tepër i pakulturuar dhe arrogant. Përplasje të ngjashme kishte patur edhe  me të tjerë drejtues të sektorit të kulturës, me të cilët unë isha në një organizatë bazë, prandaj kërkonte me ngulm të bëheshin spastrime ndaj disa intelektualëve komunistë, të cilët, sipas tij e shokëve të tij, ndiqnin linjën e Niko Xhoçkës dhe kishin rënë në pozitat e borgjezisë.

Unë: Kush ishte Niko Xhoçka dhe ç'lidhje kishe ti me të?

Ai: Niko Xhoçka kishte qënë Sekretar i parë i Korçës dy tre vjet më parë dhe më pas kishte detyra më të ulta, pas fërkimeve që kishte pasur me Udhëheqjen në Tiranë. Unë me të kisha patur vetëm lidhje pune dhe një respekt reciprok. Ishte njeri i librave dhe më i logjikshëm se të tjerët, por asnjëherë nuk kisha biseduar me të rreth ndonjë gjëje tjetër që nuk lidhej me Radion ose me Muzeun. Një prej akuzave qesharake, ishte që atij i kisha treguar një thirrje për popullin për të dhuruar objekte me vlera muzeore, para se t'ja tregoja Byrosë së Komitetit të Partisë.

Unë: Po ishin të mjafta "mosbindjet" ndaj Peti Shambllit, për të të përjashtuar nga Partia?

Ai: Për ta patur më të plotë akuzën, trilluan edhe historinë e dezertimit nga Lufta Nacionl-çlirimtare, kur u ktheva për tu mjekuar në Korçë, të cilën ta tregova më parë. Por edhe kjo histori nuk do ishte e mjaftueshme, po të mos kishte ndodhur diçka me Liri Belishovën, që solli finalen e "meselesë" të përjashtimit për dezertim, mendjemadhësi dhe rënie në pozitat e borgjezisë. Në prill të 1950, Liria ishte rehabilituar dhe ishte sekretare e Komitetit Qendror dhe antare e Byrosë Politike. Kishte ardhur e deleguar në një aktiv të Partisë në Korçë, i cili zhvillohej në Kinema "Morava". Atë mëngjes prisja para kinemasë të nisesha për në Tiranë me autokinemanë dhe po lexoja gazetat e ditës. Makina po vonohej dhe filloi të binte shi, e nga që nuk kishte strehë, hyra në hollin e kinemasë e po vazhdoja të lexoja gazetën. Në holl dëgjoheshin nga altoparlanti diskutimet në aktiv, por nuk po ju kushtoja vemendje, deri sa dëgjova që e kishte marë fjalën Liri Belishova dhe mes të tjerash po theshte " Duhet të kemi kujdes edhe nga komunistët që manifestojnë kapadaillëk, si Andon Mara, të cilit nuk i pëlqejnë këto që themi ne, por ka dalë në korridor e lexon gazetën. Dhe këtë e bën qëllimisht". Dikush që kishte shkuar në banjë e më kishte parë e kishte shpënë fjalën në presidium. Ishte fjala e mbylljes dhe i çuditur dhe i indinjuar, prita të dilnin në pushim dhe ju afrova Lirisë duke i kërkuar të shpjegoja, që unë nuk isha në punimet e aktivit. Nuk pranoi të më dëgjonte duke thënë "Nuk kam ç'të diskutoj mety!" Këto ishin fjalët e fundit, që dëgjova nga një shoqe, me të cilën kisha punuar në BRASH, fjalë që vendosën për një rrjedhë të re në jetën time. Të inkurajuruar nga Liria, peti me pasuesit, bënë një mbledhje të fundit të organizatës bazë, ku nuk mundën të mernin mbështetje të plotë për përjashtimin tim dhe të të tjerëve dhe vendosën në byronë e Komitetit dhe më vonë në Plenium për përjashtim.

Unë: Në një dokument të lënë pas, ti përshkruan shkurtimisht se c'ndodhi gjatë javëve të përjashtimit tënd nga Partia e Punës. Eshtë plotësisht e saktë, ajo çka i ke shkruar Kolegjiumit të Komitetit Qëndror, apo ka edhe të tjera ngjarje dhe marëdhënie me individë të ndryshëm, të cilat nuk i ke përmendur?

Ai: Ato që kam shkruar në lutjen për rishikimin e përjashtimit nga Partia, është zyrtarisht, përgjigja ime ndaj akuzave që më ishin bërë. Nuk më ishte lejuar të shkoja në mbledhjen e Pleniumit të Rrethit, ku do merej në shqyrtim përjashtimi im dhe i të tjerëve, ndonëse parashikohej në statut. Unë nuk kisha pasur mundësi të mbrohesha dhe detyrimisht do e bëja në organet e larta të Partisë. Nuk mund të shkruaja për shkaqet e vërteta, që ishin pas përjashtimit tim, sepse do vulosja me dorën time vendimin e marë në Korçë, dhe gjithashtu do krijoja probleme për vete dhe familjen në të ardhmen.

Unë: E cilat mendoje se ishin arsyet e vërteta?

Ai: E vërteta është ajo që të spjegova më lart. Peti Shamblli e të tjerë funksionarë  partiakë, nuk pëlqenin qëndrimin tim jo të përkulshëm ndaj shumë veprimeve e urdhrave të tyre, të cilat lidheshin me Radion dhe me fushat e tjera me të cilat unë meresha dhe që ai si sekretar për agjit-propin i mbulonte. Ndoshta rol luante edhe zilia ndaj meje, Nuçi Kondilit e Pandi Markos, si njerëz më të shkolluar  se ata. Ndaj, pakënaqësitë që shprehnin në bisedat me njëri tjetrin, zyrave të Komiteteve, u munduan t'i realizonin si masa të ashpra, duke na përjashtuar Partia, të cilën me siguri e konsideronin të tyren. Ishte e paturpshme, që vetë Peti Shamblli, i cili vinte të paktën një herë në javë në bazën ku mjekohesha, për të marë përkthimet e Buletineve të Luftës, që bëja duke dëgjuar Radiot e huaja, 6 vjet më vonë, të kërkonte me të madhe që unë të përjashtohesha se kisha “dezertuar” gjatë luftës.

Unë: Po Sekretar i Parë, në atë kohë ishte Rita Marko. Kaq forcë kishte Peti, apo edhe me Ritan kishe patur fërkime?

Ai: Rita nuk donte që unë të përjashtohesha. Këtë ma tregonte Ropi Cifligu, që atë kohë ishte anëtar i Byrosë së Komitetit të Partisë dhe burri i kunatës sime, Dhorkës. Peti me të tjerët këmbëngulën dhe arritën të bindnin edhe Ritan, Ai në thelb ishte po i njëjti militant karrierist i pashkolluar, që nuk dinte nga binte Komunizmi dhe aq më pak dinte rreth problemeve të gazetarisë, Radios apo Kulturës. Në vetevehte duhet të ishte në një mendje me ta, që t'ju tregonte vendin disa “intelektualëve komunistë që ju pëlqente mendja”, por mund të ketë qënë më i butë dhe i përmbajtur.

Unë: A e shfaqje ti hapur epërsinë intelektuale dhe kulturore ndaj tyre?

Ai: Mbase jo fare hapur dhe shpesh, por sigurisht që nuk e fshihja. Isha 27-28 vjeç, zotëroja disa gjuhë të huaja, kisha jetuar në një qytet të madh të huaj, isha plagosur rëndë gjatë Luftës dhe kisha ende një plumb në trup, e më duhej t'ju thoja peqe-lepe Peti Shambllit, Gaqo Pishës apo Petrit Dumes. Edhe njëfarë nervozizmi më kishte mbetur nga depresioni i dy viteve më parë, të cilin e kisha kapërcyer pa marë mjekim. Megjithatë, duke qënë ende disi i huaj, sepse nënshtetësinë shqiptare kisha pak kohë që e kisha marë dhe duke njohur cilësitë prej intrigantësh të të pashkolluarve, isha i kujdesshëm në ato që thoja. Akuzat për mendjemadhësi, ishin kryesisht për mospërshëndetje në rrugë!

Unë: Të kujtohet si nise një periudhë krijimi të ethshme, shumë skematike gjatë verës 1950?

Ai: Perjashtimi nga Partia ishte goditje e rëndë, e cila më përmbysi shpresën për një jetë të bukur, gati 6 muaj pas martesës. Kisha mbështetjen e Sofikas, e cila më jepte kurajo, por edhe ajo ishte vetëm 21 vjeç. Ishin netë të tëra pa gjumë. I tronditur se si do vazhdonte jeta dhe krijimtaria ime, e herë herë më dukej se çdo gjë e kishte humbur kuptimin. Unë kisha ëndërruar të ndërtonim një botë të re, të ndryshme nga ajo që kishim jetuar dhe jo vetëm që përballë kisha injorancën dhe padrejtësitë, por edhe isha mënjanuar me forcë nga lufta për të bërë gjëra të mira për vendin dhe sidomos për njerëzit, të cilët nuk kishin asgjë. Shpresë kisha në një lutje që i kisha bërë kolegjiumit të Komitetit Qendror, për të anulluar vendimin e Pleniumit të Partisë të rrethit, por kisha frikë, se Liri Belishova, e të tjerë miq të Peti Shambllit do kthenin përgjigje negative. Dhe ashtu ndodhi. Kohës të tensionuar të pritjes, i përkasin disa vjersha e tregime ”të trembura”, ku dëshmoja me forcë besnikërinë ndaj Partisë dhe vijës së saj.

Unë: Vendimi përfundimtar të tronditi?

Ai: Më pak se sa e mendoja. Ndoshta isha më i qetë dhe e prisja që do ndodhte. Në të njëjtën kohë, nuk më kishin lëvizur nga drejtor i Muzeut dhe kisha më pak të bëja me “çinovnikët e Komitetit të Partisë“.

Unë:  Në fillimin e viteve '90, kam takuar rastësisht një nga trashëgimtarët e ish-Valbonës, që kur mori vesh si i kujt isha më falenderoi, që i kishe ndihmuar kur ju morën banesën për ta bërë Muze. Ishte para apo pas përjashtimit?

Ai: Para. Ishte edhe një nga akuzat, por pa shumë peshë, se për ndihmën që ju kisha dhënë, kisha marë edhe miratimin e Komitetit të Qytetit. Edhe akuzat e tjera nuk qëndronin, por gjithshka ishte vendosur dhe në një sistem si ai i Partisë së punës, po qe se nuk kishe mbështetje në Byronë Politike, një vendim i organeve lokale të Partisë nuk mun dtë kthehej. Nga ata që kisha njohur gjatë Luftës dhe më vonë, në Byro ishte vetëm Liri Belishova dhe Koco Theodhosi. Të tjerët ose ishin përjashtuar më parë, ose kishin vdekur.

Unë: Kur të njoftuan se duhet të bëje shërbimin ushtarak?

Ai: Kjo ndodhi në mënyrë të çuditshme, në vjeshtën e atij viti. Kisha lënë pas dore dokumentin e oficerit rezervist, që ju jepej të gjithë atyre që kishin marë medaljen e Kujtimit, pra kishin qënë aktivë në Luftën antifashiste, para Majit 1944. Shkoj një ditë për ta tërhequr në Degën Ushtarake dhe oficeri, që përgjigjej për atë punë, po e përgatiste. Ndërkohë, mendoj se rastësisht, pasi nuk e dinte njeri që po shkoja në Degën Ushtarake, dikush nga Komiteti i Partisë, të cilit nuk dua t'i përmend emrin, erdhi në zyrë dhe kërkoi që oficeri të shkonte me të në Zyrën e Shefit të Degës ushatarake. Prita pak dhe kur u kthye, oficeri më tha të shkoja ta tërhiqja pas dy javësh. Pa u mbushur dy javët më erdhi thirrja për të shkuar ushtar. Kërkova të sqarohesha , por mu përgjigjën, se duhet të kryeja ushtrinë, pasi Partia më konsideronte dezertor nga Ushtria nac-çlirimtare gjatë viteve së luftës. Ishte e qartë. Ndodhesha përballë një muri të pakapërcyeshëm. Në dhjetor të atij viti, bashkë me shumë rekrutë të rinj, më nisën për në Vlorë. Një muaj më pas mbushja 29 vjeç dhe kisha ende një plumb në trup, i cili më ngacmonte kur prishej koha.

Unë: Me dërgimin në Vlorë, mori fund zemërimi i "udhëheqësve" partiakë të Korçës?

Ai: Dy vjet ishin të mjafta për ta dhe një pjesë, kur u ktheva ose ishin transferuar, ose kishin pësuar vetë fate të ngjashme. Fillova punë menjëherë si drejtor i Bibliotekës, ndoshta edhe në sajë të karakteristikës për shërbim ushtarak shembullor, që dërgohej nga Korpuset ku kryeje ushtrinë. Tashmë, anëtarësimi në Parti ishte një çështje e mbyllur për mua dhe do më duhej të punoja sipas mënyrës sime dhe të kujdesesha për familjen, pa lënë në dorë atë që e quaja shumë të rëndësishme - krijimtarinë letrare. Pas shfaqjes së operetës "Së bashku jeta është këngë", libretin e të cilës e kisha shkruar bashkë me Aleko Skalin, Ramadan Xhangolli, atë kohë Sekretar i parë i Korçës, më sugjeroi të bëja kërkesë për tu pranuar si anëtar i ri në Parti. E mendova gjatë dhe fillova të përgatitja edhe dokumentat e nevojshme dhe më pas e lashë pas dore. Megjithatë, duhet të shtoj se unë deri në mesin e viteve '70, nuk e kisha humbur plotësisht besimin në Enver Hoxha dhe gjithashtu isha plot shpresë, që Partitë Komuniste të Perëndimit do fitonin terren në Francë, Itali dhe Spanjë dhe një Europë më humane dhe e bazuar në prona shoqërore do krijohej në një kohë të shkurtër. E gjithë lëvizja studentore e fundit të viteve '60 dhe fillimit të viteve '70 ma forconte bindjen.

Unë: Si është e mundur që besoje në Enver Hoxha, të cilin ndonëse kalimthi, e njihje që në Lice?

Ai: Kontaktet e pakte me Enverin kanë qënë në vitet '38 e '39 kur isha vetëm 17 vjeçar. Më pas ai u largua në Tiranë dhe askush nuk dinte gjë dhe as fliste për të. Kur e kam takuar në Makërz të Vithkuqit, gjatë përgatitjes për formimin e Brigadës së parë, sigurisht që do krijoja simpati për një njeri, të cilin e kisha pasur pedagog, qoftë edhe për një lëndë pa rëndësi, por i gjatë, i pashëm e i shkolluar ishte vënë në krye të Lëvizjes për Clirim, pjesë e së cilës isha. Meqënëse lëvizja komuniste kishte qënë gjithmonë ilegale dhe unë kisha hyrë në ato rrethe pas nëntorit 1941, nuk dija për të shkuarën e tij. Edhe thashethemet për dashuriçkat në Korçë, ishin të një rëndësie të vogël, sepse ai ishte një burrë i ri, i studiuar në Francë, ndaj s'kishte përse ta paragjykoja. Emri i tij si udhëheqës i Partisë mbahej i fshehtë edhe në celulat e saj dhe vetëm pas nëntorit 1944 filloi të flitej për të hapur. Kur arrita në Tiranë në dhjetorin e 1944, në një atmosferë të gëzuar të përfundimit të luftës në vend, figura e tij si udhëheqës i Luftës antifashiste në krah të aletëve do bëhej shumë e dashur për të gjithë të rinjtë, që aspironin për një botë ndryshe nga e vjetra.

Unë: Kishte mes shokëve të tu në Komitetin Qendror të BRASH-it të flisnin kundër tij, ose të tregonin për lëkundjet e tij në drejtimin e Partisë apo për nënshtrimin ndaj Udhëheqjes jugosllave?

Ai: Jo. Të gjithë ishim përfshirë në një entusiazëm që sillte jo vetëm mosha, por ideja që pas luftës më të përgjakshme Botërore do vinte paqja dhe do eliminohej shfrytëzimi i njeriut, i cili është në bazën e dështimit të sistemit kapitalist. Edhe pse mes të rinjve, popullariteti i Nakos ishte shumë i madh, nuk dinim gjë për Enver Hoxhën dhe nuk e përflisnim. Kuptohet, që kontaktet e mia ishin të kufizuara në rrethin e shokëve të mij të Liceut dhe vëllezërve e motrave Kondi, Ramiz Alisë, Fadil Paçramit e ndonjë tjetri me të cilin punoja. Besoj se edhe të sipërpërmendurit, me përjashtim të Alqit, nuk dinin hollësi për diskutimet në krye të Partisë. Partia vetë funksiononte gati si një organizatë e fshehtë. Marëdhëniet me Jugosllavët ishin në frymën e Internacionalizmit Proletar dhe nuk mund të shiheshin si antikombëtare. Për më tepër, pas Majit 1945, idea për formimin e Federatave, për të kaluar më vonë në një Europë të të gjithëve, ishte idea më përparimtare. Mua më shkonte më shumë "pas midesë", se isha lindur e rritur në një qytet me përbërje "internacionale" dhe kufijtë e Shqipërisë së vogël më dukeshin absurde.

Unë: Kishte ndryshim midis organizatës së Partisë Komuniste kur ishin në BRASH, me atë të sektorit të kulturës në Korçë?

Ai: Ndryshimi ishte shumë i madh. Në organizatën bazë të BRASH-it ishin të gjithë të rinj që vinin nga shkollat më të mira të Shqipërisë. Një pjesë e tyre kishin qënë edhe nxënës shumë të mirë. Kuptohet, që njerëz të brymosur me idetë e revolucionit Francez, ose me parimet e drejtësisë anglo-amerikane, ishin komunistë jo fanatikë dhe ndryshonin nga anëtarët e partisë, të cilët nuk dinin nga binte komunizmi. Gjatë mbledhjeve shpesh qeshnim me të madhe jo vetëm me gafa të të rinjve mendjengushtë, por dhe me direktivat e shkruara keq në zyrat e Partisë. Kuptohet kjo,kur problemet organizative në Parti i drejtonte teneqexhiu Koçi Xoxe dhe të tjerë të pashkollë, që kishte rrotull vehtes. Në atë kohë as që bëhej fjalë për frikë se ç'mund të vinte nga maja e Piramidës partiake, sepse piramida nuk ishte ngritur  akoma dhe terrori që ushtrohej ishte ndaj kundërshtarëve të rregjimit dhe rivalëve brenda partisë në luftën për pushtet. Ne nuk hynim në asnjërën nga këto kategori. Ishim të rinj që prisnim të shkolloheshim nëpër universitete dhe të ktheheshim e të kontribuonim për një Shqipëri të ndryshme nga ajo e viteve '20-'30.

Unë: Po si mund të shkonit në universitete të huaja, kur shumica e kishit lënë shkollën papërfunduar e kishit dalë partizanë?

.....................

No comments:

Post a Comment