Thursday 28 November 2013

Flamuri

Ne nuk kishim flamur në shtëpi. Mbase jo se ishim kozmopolitë, por se prindrit ishin të rinj dhe e kishin filluar shtëpinë nga “lugët e furkulicat” dhe nuk kishin trashëguar flamur. Në ditët e festive të Nëntorit, kur disa familje vinin flamurin në ballkonet e shtëpive të tyre, më shkonte në mendje pse nuk kishim , por s’kisha pyetur, se brezit tone të fëmijëve sepse i dukeshin qesharakë flamurët. Mbase nga që kishim filluar që herët të “betohem para Flamurit e shokëve të mij pionierë..”. Për herë të parë dhe të fundit, flamurin e blemë në qershorin e vitit 1977, kur unë isha 18 vjeç dhe në moshë për të votuar e për të qënë patriot. E blemë jo se na u shtua ndienja e patriotizmit, por se duhej ta blinim. Kishim mbetur të fundt në pallat, që nuk kishim shpalosur në ballkon flamurin kombëtar me rastin e Kongresit të VII ose të VIII Bashkimeve Profesionale! Eshtë një si lloj ironie, që u bëmë të gjithë më patriotë ditën e Kongresit të Sindikatave, të cilat në frymën e tyre janë Ndërkombëtare. Sidoqoftë, na ishte tërhequr vëmendje memarifet, që kishim mbetur vetëm ne që nuk e “skuqnim” plotësisht pallatin. Ishte pjesë e një plani festimi të madh, të hartuar nga një kodosh i ri i politikës shqiptare, Enver Halil Hoxha, i cili kishte përputhje të plotë të emrit me Diktatorin, por për të mos patur dualizëm thirrej thjesht Enver Halili. Sekretari i Komitetit të Partisë donte të shquhej para “të mëdhenjve” për një organizim të shkëlqyer të një manifestimi patiak në qytetin, ku drejtonte ideologjkisht (ishte Sekretar i II në atë kohë). Flamurin e bleva dhe diku gjeta edhe një stap jo të fismë, të cilin e përdora si bisht dhe e lidha pas antenës së televizorit. Ishim në rregull me orientimet lokale, pikërisht në vitet e spastrimeve të mëdha. Nuk besoj se e përdorëm herë tjetër, sepse askush nuk të detyronte të vije flamurin në ditët e festave. M’u kujtua sot historia e flamurit, kur flamuri kuq e zi edhe nëse nuk shpaloset në shtëpitë e shqiptarëve brenda dhe jashtë atdheut është pjesë kryesore e festimeve dhe sidomos e propagandës patriotike. Tani të mbështjellë me flamur nuk sheh vetëm hajdutët në pushtet dhe opozitë, por delenxhinj të kallëpit të Kreshnik Spahiut, ballistë, që mund të shesin edhe nënën e tyre e jo më Shqipërinë, bile edhe ish-Sigurimsa që kanë lyer duart me gjak në emër të “Bashkimit të Proletarëve kudo në botë“. Sepse është e lehtë të fshihesh pas Flamurit! Ai është i të gjithëve, bile dhe i atyre që kanë 100 të tillë! Ndaj është vështirë edhe sot për mua të shkoj e të ble një flamur!

Tuesday 26 November 2013

Shkolla shqiptare e Arkitektur[s (2)

(vijim) Një nga gabimet kryesore ka qënë orientimi i kursit të arkitekturës dhe Urbanistikës drejt një formimi të profesionistëve duke i rënduar anës estetike dhe figurative e duke lënë në plan të dytë realizimin e tye ndërtimor. Natyrisht, kjo ka qënë rjedhojë e kopjimit të programeve të shkollave të Lindjes ku ishin studiuar jo veëm arkitektët pedagogë por edhe thuajse të gjithë arkitektt proektues të asaj kohe. Ndrshime të vogla kishte ndërmjet arkitektëve që kishin studiuar në Hungari, Ceki dhe Bullgari, shkollat e të cilave kishin ende ndikimin e shkollave gjermane apo edhe Bahaus-it, dhe atyre që kishin studiuar në BS, Poloni e Rumani. Mungonte në progamet shkollore fryma e Bahausit apo shkollave të vendeve anglo-saksone, të cilat i kushtojnë rëndësi realizimit praktik të ideve. Kuptohet që nuk mund të kishe huazime nga shollat amerikane, për shkak të arsyeve politike, por edhe për konceptim e materiale krejt të ndryshme arkitekturore. Në programin mësimor të mbetur të paktën deri në vitet ’90, lënda që kishte numurin më të madh të orëve ishe Vizatimi i Lirë, i cili ndihmon për të formuar një “sy arkitekturor” të mirë, por nuk është dhe nuk duhet të konsiderohet lëndë formuese. Gjatë paktikës së projektimit të viteve ’80 dhe ’90(bile edhe sot) mund të shohësh projekte të paraqitura bukur dhe me shije por që kanë të meta të rëndësishme në konceptim apo në zgjidhjet planimetrike, për të mos vazhduar më tej me problemet e mëdha që kanë në detajim apo në koordinimin me pjesët e infrastrukturës. Në vitin 1982, për herë të parë prej shkëputjes së marëdhënieve me vende e Lindjes dhe Kinën(por jo të shkëputjes nga ndikimi i shkollave të tye), gjatë një vizite të disa pedagogëve të Universitetit "Lindja e Mesme" e Ankarasë, gjatë prezantimit të një filmi rreth programit dhe veprimtarive të Departamentit të Arkitekturës, u pa qartë ndryshimi i madh dhe dobësitë e shkollës sonë. Duke qënë të sjellshëm, të njëjtën gjë konstatuan pedagogët turq. Universiteti në fjalë ishte një Universitet Amerikan dhe në të studionin studentë nga shumë vende të Lindjes së Mesme dhe jo vetëm nga Turqia, por ndjehej formimi me nivel i profesionistëve, të cilët edhe pse mund të mos dinin shumë rreh Vitruvit apo ordereve klasike greke, dinin se si duhet ndërtuar në kohën tonë. (vijon)

Saturday 23 November 2013

Ne, viktima te imazheve.

Te gjithe njerezit ne bote, krijojne qe ne femijeri, nje imazh te caktuar per gjera, dukuri apo personalitete te caktuara. Ne formimin e tyre rolin e ka familja dhe me vone shoqeria. Ndaj sot harxhohen miliarda per te krijuar nje imazh te caktuar te nje individi, grupi njerezish, produkti apo kompanie. Edhe pse mund te kete informacione qe kundershtojne imazhin e krijuar,... eshte shume e veshtire, qe atje ku ka goditur cekani i propagandes te ndodhe korrigjimi apo imazhi te permbyset. Me e veshtire eshte ne shoqerite e mbyllura, ku propaganda kontrollohet nga nje dore e caktuar si ka qene shoqeria gjate femijerise sone. Nuk do permend Mitet e krijuara, per te cilat eshte shkruar shume, por do permend disa raste qe me kane bere per te qeshur gjate viteve, pikerisht me absurditetin e mosperputhjes me imazhin. E para eshte shprehja "partizani dembel", te cilen e kam degjuar ne vitet '70 nga miku im FC. Ishte nje shprehje qe me gajaste, pikerisht se binte ndesh me menyren se si na kishin mesuar t'i shihnim partizanet. Shprehja "partizani dembel" ishte jo e pergjithshme por per nje ish-partizan, i cili kishte deshire te tregonte ngjarje nga Lufta, ku protagonist ishte ai vete. E dyta eshte shprehja qe perdorte nje shoku jone ne Universitet, kur ikte cdo fillim maji ne qytetin e lindjes se "kam gjyshen deshmore". Vdisnim se qeshuri me komentet rreth "gjyshes deshmore" edhe pse e dinim qe gjyshja kishte humbur jeten ne Lufte. Ishte pikerisht mosperputhja e imazhit te gjyshes qe thurr corape prane oxhakut me luftetarin qe jep jeten per atdheun, qe na bente te qeshnim si budallenj. E treta eshte nje ngjarje e viteve te fundit, per te cilen nuk jam shume krenar, por qe kur e kujtoj perseri me ben te qesh me lot. Gjate nje transaksioni me nje zonje te sherbimeve me te vjetra ne bote, per te ulur cmimin, mesova se ishte arbereshe. Menjehere nderpreva bisedimet dhe u largova i zhgenjyer. I kisha menduar gjithnje si te permalluara ne prag te detit, duke kenduar "o e bukura More!". Ika duke qeshur me vete me ngushtesine e mendjes sime qe nuk pranonte dot shprehjen "putane arbereshe".

Thursday 21 November 2013

Shkolla shqiptare e Arkitektures

Kam dashur disa herë të shkruaj rreth kësaj teme, por jam drojtur se nuk kam pasur kohën e nevojshme për të hulumtuar më tepër. Sot vendosa të shkruaj ato që di ndaj mund të më falet cektësia dhe ndonjë pasaktësi. Janë mendime të bluara prej vitit 1980, kur sa kisha filluar të studioja për arkitekturë dhe të rrahura më vonë në mendje ose në biseda me kolegë, pasi pata mundësi të mësoja më shumë rreth artit të ndërtimeve. Kam shprehur disa herë më par, bindjen time që Shkolla jonë ka qënë dhe vazhdon të jetë e dobët, por më poshtë do shtjelloj arsyet, të cilat mendoj se kanë kushtëzuar nivelin e sipërpërmendur. Arsyeja themelore është krijimi i saj në periudhën e Diktaturës komuniste. Vërtet për këtë nuk mund të fajësojmë Diktaturën, së cilës për hir të së vërtetës në këtë rast i duhet dhene merita edhe pse arkitektët e parë në vend u diplomuan vetëm në vitin 1972. Mungesa e traditës si dhe ajo e studiove të konsoliduara të arkitektëve shqiptarë në periudhën midis dy Luftrave Botërore, kishte krijuar një boshllëk në projektim. Vetëm në gjysmën e dytë të viteve ’50, u kthyen nga vendet e Lindjes arkitektët e parë, të cilët filluan krahas projektimit të formonin edhe Katedrën e Arkitekturës në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Mungesa e përvojës projektuese si dhe formimi në shkollat ala sovietike, do reflektonte jo vetëm në ndërtimet, por sidomos në krijimin e programeve dhe teksteve për studentët e arkitekturës. Eshtë për tu shënuar, që jo e njëjta gjë ndodhi me katedrat e tjera të inxhinierisë të ndërtimit, të cilat përvojën e mirë të shkollave të Lindjes e përcollën në programet dhe tekstet dhe arritën në një kohë të shkurtër të nxjerrin inxhinierë të formuar shumë mirë. Duhet thënë që edhe dy nga pedagogët më të mirë që ka pasur Katedra e Arkitekturës, Ilia Papanikolla dhe Petraq Kolevica janë diplomuar si inxhinierë ndërtimi. Për një kohë të gjatë, Shefi i Katedrës së Arkitekturës ka qënë i ndjeri prof. Besim Daja. I njohur nga të gjithë për cilësitë e tij të mira njerëzore, profesori krahas meritave ka pasur përgjegjësinë kryesore në dobësitë subjektive të Katedrës. Edhe pse ka qënë e vështirë, për shkak të natyrës së dyfishtë (inxhinierike dhe artistike-kjo e dyta shumë delikate pas goditjeve të 973-shit), ishin pikërisht lëndët bazë të profesionit, që ishin jo vetëm të cungëta, por të trajtuara dobët dhe të paazhornuara as me “mësimet” e arkitektëve të viteve ’20 të shekullit të kaluar. (vijon)

Jemi pjese e nje shoqerie post-enveriste

E quajta te tille per te mos shkruar ne titull shoqeri e poshter dhe e prapambetur. Jemi nje shoqeri e tille, se nuk e duam TE VERTETEN. Jemi nje shoqeri e tille, se Qeveria bashke me opoziten nuk e kane per gje te bien ne ujdi per te mbuluar nje ngjarje tragjike por jo te pazakonshme. Jemi nje shoqeri e tille se Mediat bien ne ujdi per t'i fshehur njerzve... nje te vertete te thjeshte. Jemi nje shoqeri e tille se nuk respektojme Vdekjen. E fundit gje qe desheron ai qe largohet nga kjo bote eshte Genjeshtra. E kupton qe atje ku shkon nuk ka nevoje per te tilla. Jemi nje shoqeri e tille se nuk ndjejme dhimbje per dike qe eshte plagosur rende dhe nuk i hyn me ne sy fshehja e nje maredhenieje. Jemi nje shoqeri e tille, se njerezit nuk ngrihen e te protestojne per dizinformi duke mos blere nje dite gazetat e duke mos perdorur radion e televizionin. Jemi nje shoqeri e helmuar keq sa nuk kishin c'na benin armet kimike per te cilat protestuam. Jemi nje shoqeri e tille ku ata qe kane ne dore, jo vetem mendojme se jemi budallenj, por kane kurajon te na trajtojne si te tille. Shoqeri te tilla jane te destinuara te shkojne poshte e me poshte. E meritojme te shkojme poshte e me poshte!

Monday 18 November 2013

Des gustibus non est disputandum

I hoqa ngjyrat për të patur titullin më të shkurtër, sepse edhe kuptimi i maksimës mbetet i njëjtë. “Shijet nuk diskutohen”. Gjithnjë e shkojmë ndër mendje dhe përsëri habitemi se “ si ka mundësi që filani pëlqen atë autor, apo është i orientuar drejt atij mendimtari apo qëndrimi politik”. Dhe kjo na ndodh më shumë për njerëzit që njohim, për ata që jemi rritur në të njëjtat rrethana dhe kemi pasur këndvështrime të ngjashme apo identike. E megjithatë, shijet nuk duhet të diskutohen. Psh unë pëlqej më shumë poezitë e Bodlerit se të Verlenit, por kjo nuk do të thotë që të çuditem kur një e njohura ime, preferon poezitë e të dytit. Kështu edhe për personalitetet politike apo për ngjarjet historike. Një miku im e urren Napoleonin, por një mik tjetër thotë, që është në figurat më gjeniale të historisë. Unë mbivlerësoj rolin e Martin Luterit në qytetërimin e sotëm, ndërsa një shoku im thotë që po të mos kishte qënë Luteri, bota mund të ishte shumë më e përparuar. Në kushtet tona, kur njohja ka një nivel mesatar, vlerësimi apo prirja ndaj ngjarjeve dhe figurave shpesh here është emocionale. Varet se si jemi formuar, sa kemi lexuar dhe se ç’kemi prirje të besojmë. E vetmja gjë, që për mua është e papranueshme, është përshtatja e shijeve apo prirjeve, sipas stinës apo interesit. Në këtë rast nuk ka më vend për shprehjen “des gustibus non est disputandum”, sepse ajo përdoret thjesht si mburojë, për të thënë që “s’ka pse mos kem këtë qëndrim apo këtë prirje, sepse preferencat nuk ka pse të diskutohen”. Po mik i mire, preferencat nuk ka pse të diskutohen, por kur të diskutojmë duhet të bëjmë një marëveshje se cilën do quajmë të zezë e cilën të bardhë, se cilën do quajmë falsifikim e cilën do quajmë pranë të vërtetës, se ç’vlera bazë do kemi për gjykimin e një personaliteti. Në të kundërt ose do rrahim ujë në havan, ose do rrijmë në istikamet tona kulturore pa dashur të gjejmë pika takimi apo “thuajse të vërteta”. Me një fjalë nuk do diskutojmë, por do mbrojmë me kokfortësi shijet tona. Do tregojmë që nuk jemi në gjendje të mësojmë ose se për interesa të çastit, të zezën mund ta quajmë gri. Dhe kjo nuk është më çështje shijesh, por karakteri!

Saturday 16 November 2013

Kujt t'i besosh në Shqipëri?

Mbrëmë hodha shpejt e shpejt një shënim në FB, të cilin e titullova “Ne dhe amerikanët”, si reagim ndaj gjithë “rrëmujës” rreth asgjesimit të armëve kimike të Sirisë dhe sidomos rreth antiamerikanizmit të shprehur në shtyp dhe në mediat sociale. Po shtoj edhe disa gjëra të tjera, që dolën nga diskutimi me Rikon, por dhe nga ç’pashë më tej, kalimthi, në shtypin shqiptar. Më shumë se titulli “Ne dhe amerikanët", tani e ndjej që duhet ta titulloj “Kujt t’i besosh në Shqipëri?” ka kohë që besoj vetëm 3-4 shokët e mij, kur informohem rreth asaj ç,ndodh atje, por shpesh më duhet edhe të lexoj gazetat, se shokët as kanë kohë të merren me informimin tim, por dhe nuk mund t’i mësojnë të gjitha. Për shembull akoma nuk di nëse vërtet asgjesimi i armëve përbënte rrezik të madh për ambientin apo për shëndetin e banorëve të Shqipërisë. Nga e gjithë "meseleja" e armëve kimike, duket që humbësit jane amerikanët(më mirë nëpunësit që po merren me këtë punë) dhe perkrahesit e teorive komplotiste. Kthimi i fjales se dhene(qe nuk eshte ndonje gjynah i dores se pare ne politke, por me shume shenje papjekurie), do sjelle normalitet ne jeten shqiptare. Ata qe shohin doren e Amerikes pas cdo ngjarjeje ne Bote, nese nuk do e kuptojne qe nuk eshte teresisht keshtu, te pakten do vrasin mendjen per te gjetur ne JO-ne e Rames doren e Izraelit. Njerezit e Departamentit te Shtetit dhe atij te Mbrojtjes do gjejne nje zgjidhje tjeter mbase me te shtrenjte dhe çdo gje do harrohet pas disa muajsh. Veç shprehja e antiamerikanizmit ne shume organe te Medias apo e shprehur nga politikane e analiste, nuk ka per tu fshire kaq lehte. Mbi te gjithe, eshte dalluar Fatos Lubonja, i cili ka kerkuar edhe shpalljen "person non grata" te ambasadorit amerikan nese ky i fundit ka thene qe "SHBA do zhgenjehete po qe se kthehet vendimi i mare!" Shpallje "person non grata" e nje diplomati, sidomos e nje ambasadori eshte nje veprim qe perdoret shume shume rralle dhe ne vende qe jane armiq me njeri tjetrin. Kjo ne asnje menyre nuk duhet shkuar nder mend ndaj Amerikes! Per me teper Arvziu nuk beri presion por po theshte ate qe eshte e vertete. "Jemi mare vesh ndryshe dhe ju po na zhgenjeni qe po ndrroni qendrim!" Politikaneve te papergjegjshem fatkeqesisht po ju shtohen edhe analiste qe deri dje i kam konsideruar te pergjegjshem e pozitive. Eshtè e papèrgjegjshme se nuk èshtè aq e zorshme tè ringjallèsh antiamerikanizmin e kultivuar nè kohèn e Diktaturès. Njerèz qè ende besojnè nè "rreziku anglo-amerikan pèr Shqipèrinè, apo filogrekè e filogjermanè, mund tè gjallèrojnè njè antiamerikanizèm, i cili nuk èshtè i huaj pèr vendet europiane dhe qè veç kusureve tè politikès sè jashtme tè US, vjen edhe nga mosnjohja e e demokracisè amerikane. Por befasia më e madhe më erdhi nga letra e Rexhep Qoses, pas fjalimit të së premtes të Ramës. Cuditërisht, akademiku i nderuar, fjalët e të cilit në të gjitha rastet i kam marë si të vërteta, ose të paktën të ndjera sit ë tilla, jo vetëm që përgëzonte Ramën për një fjalë jo vetëm narcistike, por të poshtër; por e quante kryeministrin shqiptar burrë shteti dhe fjalimin e tij historik!! Deri këtu ka arritur të verbohet nga urrejtja që ka për Berishën professor Qosja? Apo nuk duhet besuar më askush që mer penën e shkruan? E kam përsëritur disa here, që për shkak të moshës, Rama përbën një rrezik më të madh për Shqipërinë se pararendësi i tij. E keqja është që jo vetëm nuk ka se nga kush të zëvendësohet, porse në Mëmëdhe nuk mund t’i besohet më kërkujt!

Friday 15 November 2013

Diçka për Voskopojën (Fund)

(vijim) Pas Luftës së Dytë Botërore, ose më mire në kohën e Partisë, Voskopoja mbeti një fshat klimaterik, me disa kisha të vëna në mbrojtje si monumente kulture, me një fare gjallërie në verë, kur vinin pushuesit në Kampin e Punëtorëve dhe në atë të Pionierëve, si dhe me një javë garash kombëtare skish në dimër. Banorët vazhdonin të largoheshin drejt qyteteve, si nga të gjitha zonat malore. Kuptohet, kur ishin periudhat e ndërtimeve industriale, që krijonin mundësinë e pashaportizimit në qytet, që pas viteve ’70 nuk ishte aspak e lehtë. Nuk di për ç’arsye, në fund të viteve ’80, për Voskopojën dhe disa fshatra të tjerë, ishin akorduar fonde për të ndërtuar shtëpi kulture. Ishte ndoshta një përpjekje për të gjallëruar jetën e fshatarëve, të cilët ishin pjesa që mundohej më shumë në vitet e Diktaturës. Fonde të shumta ishin dhënë edhe në rrethe të tjera, bile ishte organizuar nga Ministria e Kulturës edhe një konkurs për projektet më të mire të shtëpive të kultures. Ishte ndër të parët konkurse të këtij lloji dhe duke qënë në Qendrën që mbulonte objektet e arsimit dhe cultures, mora pjesë pikërisht me projektin e shtëpisë së kulturës Voskopojë. Duket që në konkurs nuk kishin mare pjesë arkitektët më të njohur dhe me përvojë, se si për tu habitur, çmimin e parë e fitova unë. Ishte një lloj rritje e vetbesimit në një kohë kur mendoja se nuk do më binte kurrë rasti të projektoja. Projekt-idea që fitoi në konkurs nisi të ndërtohej dhe mbeti në mes në kohën e ndrrimit të sistemit. Nuk e ndoqa më fatin e atij objekti, të cilit duhet t’i jenë hequr që në ato vite edhe tullat e fundit, si ndodhi me shumë të tjerë. Vizita në atë objekt në qendër të fshatit, ka qënë në vizitat e fundit në Voskopojë. Ka edhe diçka tjetër shumë të rëndësishme për mua, që lidhet me Voskopojën dhe ka të bëjë pikërisht me Rezana, vajzën time të vogël, që nuk e di se ç’është Voskopoja dhe u bë shkas i këtij shkrimi. Në maj të vitit 1989, kryenim në rrethinat e Voskopojës një javë grumbullim ushtarak, në kuadrin e dy tre javëve zbor të detyruar për të gjithë oficerët dhe ushtarët rezervistë. Flinim nëpër çadra dhe përgatiteshim për qitje me artileri, në kuadrin e mbrojtjes nga një sulm i koordinuar i NATO-s dhe Traktatit të Varshavës. Në atë kohë nuk i besonim më përrallat se gjërat kishin mare erë, por nuk mund t’i shmangeshe dot shërbimit pa tu hapur avaze. Kërkova disa here të shkoja në Korçë se gruaja ishte shtruar në maternitet për të lindur dhe pasi ngula këmbë që do ikja edhe pa leje, më dhanë një gjysëm dite. Zbrita në Korçë, pjesërisht më këmbë dhe pjesërisht me një makinë të rastit dhe kur arrita në maternitet Rezana ishte lindur. E pashë pak disa orë më vonë nga dritarja dhe në darkë u riktheva në fushim. Ishte 25 maji i vitit 1989. Një tridhjetvjeçar i veshur ushtarak, në një vend ku ishin shuar shpresat, i ngjitej më këmbë rrugës të Gjonomadhit, me dy shishe rakie në xhepat e kapotës, për të festuar me oficerët e tjerë rezervistë lindjen e vajzës së dytë. PS. Rezana e ka dëgjuar disa here historinë e zborit dhe lindjes së saj. Nuk dinte që kjo ndodhte në Voskopojë.

Thursday 14 November 2013

Diçka për Voskopojën (4)

(vijim) Në këtë kohë ze fill interesimi i disa studiuesve vendas dhe të huaj për Voskopojën. Në Korçë me të është mare shumë Ilo Mitkë Qafzezi dhe më vonë edhe Stilian Adhami e Petraq Pepoja. Shumë studime ka pasur edhe nga historian grekë dhe rumunë. Më ka bërë përshtypje interesimi i vazhdueshëm i ambasadorëve grekë, për arkivin e Ilo Mitkë Qafzezit. Rreth atij arkivi kisha dëgjuar nga babai, që e kishte përmendur disa here kur tregonte për kohën e tij si drejtues i Bibliotekës së Korçës. Në ato vite, Ilo Mitka kishte menduar t’ja falte qytetit, por më vonë kishte ndruar mendje. Për interesimin e vazhdueshëm të grekëve(dhe jo vetëm të tyre) e di nga miku im Aleko Papakozma, nipi i Ilo Mitkës, në kujdesin e të cilit mbeti arkivi pas vdekjes së Tefta Qafzezit. Duket, që ka ende mistere për tu zbuluar rreth formimit, përbërjes dhe lulëzimit të qytetit deri në kohën e Akademisë së Re, kohë e kulmit të zhvillimit kulturor dhe ekonomik të Voskopojës. Ishte qyteti i vetëm në gjithë Perandorinë Osmane veç Stambollit, që kishte shtypshkronjën e tij. Vlen për të shënuar edhe një lloj kozmopolitizmi i voskopojarëve, për vetë faktin që në qytet fliteshin shumë gjuhë dhe ishte botuar edhe një fjalor katërgjuhësh në Shqip- Greqisht- Vllahçe dhe Bullgarisht. Eshtë interesante përpjekja, për vetë faktin, që shqipja dhe vllahçja ishin gjuhë të pashkruara deri në atë kohë. Për të parën kishte pasur përpjekje edhe më pare, por vetëm në shekullin e XIX u arrit të shtypeshin librat e parë shqip dhe alfabeti zyrtar u vendos vetëm më 1908 në Kongresin e Manastirit. Të bën përshtypje, që harmonia e shekullit të XVIII mes voskopojarëve, është kthyer sot në “luftë” me shqiptarëve, grekëve dhe rumunëve për të bërë eskluzivisht të tyren qytetin e atëhershëm. Thuajse të gjithë mundohen ta shohin historinë me syzet e shekullit të XX-të, kur ishin krijuar shtetet kombe me kufij të përcaktuar mire, duke lënë mënjanë lëvizjet e popullatave gjatë Mesjetës, jo vetëm Brenda një Perandorie por edhe nga një Perandori apo Mbretëri tek tjetra. Nuk është aspak e çuditshme për atë kohë, që një numur familjesh arumunësh të ardhur nga Vllahia ose mbase edhe nga ndonjë qoshe tjetër e Ballkanit, të formonin një fshat që më vonë do bëhej qytet i famshëm, në një krahinë të banuar kryesisht nga shqiptarë. Në kohë të përafërt, jo larg nga Voskopoja u formuan dy fshatra nga sllavët, Drenova dhe Boboshtica, për themeluesit e së cilës flitet të kenë ardhur nga veriu i Bullgarisë, bile disa thonë edhe nga territoret e Polonisë së sotme. Të tilla çvendosje kanë bërë edhe shqiptarët, të cilët kanë ngritur fshatra të tyre në lindje të Ballkanit , Azinë e Vogël e deri në Ukrainë e Rusi. Njerëzit në kohën kur nuk kishte kombe, lëviznin për arsye ekonomike, armiqësie, persekutimi. Dhe jo vetëm çifutët, të cilët janë dalluar për lëvizje në gjithë Europën, por edhe gjermanët, rumunët, grekët, shqiptarët, sllavët etj. etj.

Tuesday 12 November 2013

Rikthehemi në "Kleçka-22". Kreu 25. Kapelani

Kishte kohë, që kapelani kishte filluar të mendonte se ç’kuptim kishte jeta. “Ka Perëndi? Si mund të jem i sigurt për të?” Edhe në kushtet më ideale, ishte te shumë e vështirë të ishe pastor Anabaptist në ushtrinë amerikane; por pa dogmën, kjo ishte thuajse e padurueshme. Ai kishte frikë nga ata që thërrisnin. Trimat, agresivët, njerëzit e aksionit si koloneli Kethkërt, e bënin të ndjehej i vetëm dhe i pashpresë. Ushtarët dhe oficerët nuk silleshin me të siç silleshin me ushtarët dhe oficerët e tjerë, bile edhe kapelanët e tjerë nuk ishin aq miqësorë sa me njëri tjetrin. Në një botë ku virtut ishte suksesi ai kishte kohë, që i ishte dorëzuar dështimit. Thjesht nuk ishte lindur për të shkëlqyer.Vetja i dukej i shëmtuar dhe nuk kishte ëndërr tjetër veç të kthehej në shtëpi në gruaja. Në fakt, kapelanin mund ta quaje të pashëm, me një fytyrë të këndshme, të ndjeshme, të zbehtë e delikate sikur të ishte prej shkumësi. Dhe për asgjë nuk ishte mendjengushtë. Mbase ishte vërtet Uashington Irving dhe ndoshta ai i firmoste me këtë emër gjithë ato letrat, për të cilat nuk dinte asgjë. E dinte, që të tilla lapsuse të kujtesës nuk ishin të papërmendura në manualet mjekësore. Dinte dhe që s’kishte se si të mësonte çdo gjë, sepse nuk kishte mënyrë për të mësuar gjithshka. I kujtohej qartë (ose kishte përshtypjen që i kujtohej qartë), ndienja që kishte pasur kur kishte takuar Josarianin, sikur e kishte takuar më pare se ta takonte për të parën here në pavionin e spitalit. Të njëjtën ndinjë brerëse pati dy javë më vonë, kur Josariani i erdhi në çadër për t’i kërkuar ta hiqnin nga fluturimet luftarake. Sigurisht, këtë rradhë e kishte takuar më pare Josarianin në atë pavionin e çuditshëm, ku tërë pacientët dukeshin vagabondë, përveç ushtarit të pafat, që e kishin shtënë kokë e këmbë në allçi e që u gjet një ditë i vdekur me termometer në gojë. (vijon)

Monday 11 November 2013

Diçka për Voskopojën (3)

(vijim) Familja Kondakçi ishte një nga shumë familje të mirënjohura voskopojare si Fundot, Ballaurët, Pllahat, Haritot etj. Pas rënies të Voskopojës, ato familje që nuk ishin larguar drejt Vienës, Budapestit apo Selanikut, ishin vendosur në Korçë, tregu i së cilës në kryqëzimin e rrugëve Elbasan- Follorinë dhe Manastir- Berat, ishte kthyer në qendrën më të madhe të këmbimit në territoret e Maqedonisë dhe Shqipërisë Jugore. Larg nuk ishte edhe qendra e vilajetit tjetër shqiptar, Janina, ndaj në shekullin e XIX, Korça pati një zhvillim të vrullshëm dhe hapësira të mira për tregëti e zejtari. Flitet që voskopojarët kishin në kontroll tregun dhe kur ishin afruar familjet e para çifute në qytet, e kishin vendosur ditën e Pazarit, pikërisht të shtunën, për të mbajtur larg nga Pazari çifutët me experience në tregëti e spekullime. Kjo ka qënë arsyeja, që në qytet nuk ka pasur familje çifute, në ndryshim me qytete e tjera të Shqipërisë, si Vlora, Durrësi, Shkodra apo Berati. Shumica e familjeve voskopojare flisnin shqip dhe ishin të pakta ato familje që ruanin gjuhën arumune, e cila kishte qënë gjuha kryesore në fillimet e Voskopojës. Pas djegies të Voskopojës më 1916, prej saj u larguan edhe voskopajrët e fundit, si dhe oparakët ose të ardhurit nga fshatrat e tjerë të krishterë, gjatë shekullit të XIX. Voskopoja mbeti një fshat thuajse i braktisur deri sa filluan në të të vendoseshin familje vllehësh shëtitës apo muhamedanë të fshatrave të Gorës, Oparit dhe Vakëfeve. Ishin larguar për në Greqi edhe ato familje filogreke të përfshira në konfliktin me Sali Butkën gjatë Luftës së Parë. Akademia kishte dhjetvjeçarë që ishte mbyllur, por u mbyll edhe shkolla greke, e cila kishte një traditë të mire të mësimdhënies. Qyteza ishte tkurrur në një fshat të vogël me pak rëndësi dhe kishat e shumta të periudhës së lulëzimit kishin filluar të rrënoheshin dalëngadalë. Konsiderohej ende si fshat klimaterik, për të sëmurët nga mushkëritë, ndaj shpesh vendoseshin në të njerëz nga familje të pasura për tu kuruar. (vijon)

Diçka për Voskopojën(2)

(vijim) Në bisedat mes shokëve, Voskopoja mbahej si një mrekulli e natyrës dhe e kisha ëndërr të shkoja gjatë verës për ta parë. Më në fund, në verën e vitit 1971, shkova për tre javë në kampin e pionierëve bashkë me shokët e mij të mëhallës Albert Vreton(Belan) dhe Lulëzim Pojanin(Lulin). Autobuzi pasi kaloi përmes fshatit(i cili nuk mu duk ndonjë gjë e madhe) u ngjit lart në Kodrën e Shën Prodhomit, ku ishte kampi i pionierëve. Pylli ishte vërtet shumë i bukur dhe ajri i pastër dallonte nga ai i qytetit. Ishte me gjithë mend një mjedis që nxiste imagjinatën e fëmijëve dhe i ftonte të lodronin mes natyrës. Ishte e para here, që largohesha nga shtëpia dhe ndjehesha më i rritur dhe i pavarur. Edhe pse në kamp kishte një lloj disipline dhe veprimtari kryesisht në kolektiv, pasditeve ishim të lejuar të “eksploronim” pyllin për të pare zogjtë, ketrat e për të mbledhur luleshtrydhje. Mëngjesi fillonte me ceremoninë e ngritjes së flamurit dhe betimin e pionierëve “për të qënë gati në luftë për çështjen e Partisë”, por këto rutina ishin të njohura nga shkolla dhe nuk emociononin kërkënd. Të gjithë mezi prisnin të shkonin në mencë për të ngrënë mëngjesin. Atje kam njohur këngëtarin Tomi Kondakçi, i cili pati më vonë një jetë shumë të vështirë, për shkak të një tentative të pasukseshme për të kaluar kufirin shqiptar me not. Tomi ishte moshatar me mua dhe e kujtoj gjithnjë të qeshur e të dashur. Përshëndetesha me të edhe në vitet e gjimnazit, kur ai ndiqte shkollën e mesme të ndërtimit. Ndoshta në fund të vitit të tretë ose të maturës, i tradhëtuar nga shokët e tij të kompleksit muzikor, Tomi me formimin e një adoleshenti, mendoi se mund të arratisej duke kaluar liqenin e Ohrit me not dhe të bënte karrierë si këngëtar. Diktatura u tregua e pamëshirshme me 18 vjeçarin, që nuk pranonte se ishte penduar, pa ishte kthyer në breg. E kam takuar në fund të viteve ’80, pasi kishte bërë ndoshta 15 vjet burg. Ishte i njëjti njeri i mire dhe i qeshur, që kisha njohur gati 20 vjet më pare, por me gjurmët e vuajtjeve në fytyrë dhe trup. Si për ironi të fatit, Tomi vinte nga një familje voskopojare, e ç’vendosur prej shumë kohësh në Korçë. (vijon)

Sunday 10 November 2013

Diçka për Voskopojën

Ishte një bisedë me vajzën e vogël, që më bëri të ndjehem me faj dhe të shkruaj disa rrjeshta për Voskopojën. Në një bisedë me një bashkëstudent shqiptar në Uashington, ime bijë kishte ngritur supet, kur ai e kishte pyetur për Voskopojën. Eshtë e vërtetë, që në shtëpi mund ta kem përmendur fare kalimthi, sepse gjithmonë nuk kam dashur t’ju tregoj fëmijëve gjëra, të cilat nuk i njoh mire. POr në rastin e Voskopojës duhet të kisha treguar, sepse ka një lidhje tonën me qytezën. Për Voskopojën, babai fliste me simpati, si një ish-qendër kulturore e zhvilluar me Akademinë e saj. Gjithashtu më kishte përmendur, që kishin një shtëpi të tyren, e cila tani duhet të jetë e rrafshuar, ose kanë ndërtuar një tjetër mbi të. Lidhja e Marave me Voskopojën fillon në fundin e viteve ‘70 të shekullit të XXVIII, kur gjyshi i babait, Andon Mara, e shpërnguli familjen nga Dushari i Oparit. Duket që qyteza kishte akoma një lloj jete ekonomike edhe pas 100 vitesh të rënies së saj. Më duket e çuditshme që stërgjyshi im zgjodhi Voskopojën dhe jo Korçën e cila ishte në kulmet e zhvillimit të saj ekonomik, sepse disa vite pas vendosjes në të, ai emigroi në Stamboll dhe mori me vehte edhe djalin e vetëm 9 vjeçar, Naumin. Familja mbeti për një kohë të gjatë në Voskopojë, deri në vitin 1903, kur gjyshi u martua me Vasiliqi Leçon nga Karbanjosi i Oparit dhe mori në Stamboll edhe të jëmën. Në qytezë mbeti e motra me familjen e saj, deri në vitin 1916, kur u dogj nga Sali Butka. Pas disa vitesh edhe ata u bashkuan në Stamboll me familjen e gjyshit, pasi kishin kaluar disa vite të vështira të Luftës së Parë në Korçë. Në vitin 1983, erdhi për të na vizituar i nipi i gjyshit Spiro Topuzi. Shkuan me babanë në Voskopojë për të pare shtëpinë dhe vendet ku kishte kaluar fëmijërinë. Më bëri përshtypje, që veç një lloj përçmimi që kishte për Sali Butkën, nuk kishte asnjë lloj urrejtjeje për myslimanët. “Me ta shkonim shumë mire më pare”-më tregonte- “sherret na i futi Junani(greku)”. Spirua e quante veten më tepër voskopojar se oparak, edhe pse i jati i tij Naum Topuzi ishte nga Opari. Në Voskopojë kishte kaluar 14 vite të fëmijërisë, të cilët mbeten vitet më të bukura. (vijon)

Friday 8 November 2013

Kush do një latë darke?

Kush do nje latë darke? Per miqte e mij nen 40 vjeç, duhet te sqaroj, qe kjo ishte nje thirrje, qe degjohej shpesh ne konviktet e Qytetit te Studentit, ne vitet e sho Enver. Lata(qe nuk duhet te ngaterrohet me kafe latte)ishte nje bilete e parapaguar, per te ngrene nje vakt ne mence. Me siguri, ne konvikte, nuk ka me thirrje te tilla , te cilat duket se ne kohe votimesh apo mitingjesh, jane kthyer ne thirrje "Kush do rimbursim per udhetimin partiak". Debati i fundit rreth blerjes se votave per Kryetar Bashkie ne Korçe, me duket pakez qesharak nga cmimi, por edhe nga reagimi i pales humbese. Tashme e dine edhe te porsalindurit qe ne Shqiperi votat blihen, komisoneret blihen edhe vete deputetet apo ministrat blihen. Dhe ndodh rendom ne gjithe ish-Lindjen. Njerezit e zhgenjyer, ata qe rrojne ne mizerje kane edhe te drejte te shesin te vetmen gje qe mund te shesin. Ne kete rast Voten. Para dhjete vjetesh, "inteligjenti pa grame" Terri Koka, minister i te gjitha qeverive te fundit, per te luftuar blerjen e votave gjate zgjedhjeve bashkiake ne Durres, ku kandidonte per te paren here, pagoi 100 dollare nje pjese te mire te simpatizanteve te PD, per te mos shkuar ne qendrat e votimit. Ishte e vetmja menyre per te patur garanci qe nuk do votohej kunder tij. Mospjesemarja eshte lehtesisht e verifikueshme neper lista, ndersa vota jo. Terri u zgjodh kryetar bashkie si perfaqesues i PS. Kush ka nje latë darke?...

Wednesday 6 November 2013

Korça dhe Feja (3)

(vijim) Por duhet thënë, që edhe në mjediset shkollore, ku fëmijët dhe adoleshentët nuk ndjejnë dallime as të ngjyrës, kombësisë apo fesë, përsëri, kishte raste të pëshpëritjes nën zë të përkatësisë fetare të dikujt, me të cilin mund të kishe ndonjë fërkim. Më e ndjeshme kjo ishte në rastin e evgjitëve, të cilëve në mes të zënkave gjatë lojës ju përmendej origjina klasore e ulët. Sa për muhamedanët, në ndonjë rast këputej ndonjë e share, por asnjëherë hapur. Shkolla jonë ishte më afër lagjeve të muhamedanëve dhe nxënësit ishin nga të dy fetë. Kujtoj që në fund të viteve ’60, shkoja here here në shtëpinë e Përparim Shëngjonit, për të mësuar sëbashku(në atë kohë kjo quhej “marje në patronazh”) dhe besoj se kanë qënë vizitat e mia të para në një banesë në lagjen e muhamedanëve. Nuk kishte asnjë ndryshim me shtëpitë tona, të cilat(veçanërisht apartamente) ishin thuajse të mobiluara njëlloj. Në atë lagje më binin në sy vetëm plakat, të cilat në ndryshim nga gjyshet tona shamizeza, mbanin shami të bardha në kokë. Nuk kishte asnjë dallim në veshjet e burrave , grave apo fëmijëve. Mund të dalloje që kishte më pak vila luksoze, por kjo ndoshta edhe nga fakti, që shumë muhamedanë të pasur, kishin zgjedhur për të ndërtuar banesat e tyre, zona më pranë qendrës së qytetit, bile edhe në lagjet e banuara nga të krishterë. Një arsye tjetër duhet të ketë qënë edhe ndikimi i emigracionit jashtë atdheut. Numuri it ë krishterëve të emigruar në Amerikë, ka qënë shumë here më i madh se ai i myslimanëve. Kjo sillte jo vetëm mundësi më të mira ekonomike për familjen e kurbetliut, por dhe vetë emigrantët edhe pse të pashkolluar, kishin të tjera kërkesa për banesat e tyre. “Sheshka” sportive përballë Komitetit Ekzekutiv, sot e kthyer në lulishten “V.Mio”, ishte një vend shumë me rëndësi i fëmijërisë sonë. E rrethuar me ndërtesa dhe e hapur vetëm në një nga anët e ngushta, ajo ishte këndi i lojrave i pasditeve, por edhe një lloj “strehimi” i sigurt, për ata që linin orët e shkollës, nga që nuk kishin mësuar apo se nuk ju pëlqente. Aty ishte një përzjerje e moshave, feve dhe tipave të ndryshëm. Në të luhej me ashikë me para, kumar në vijë dhe pasditeve shumë futboll. Nuk kishte dallim midis të rinjve që kishin qënë në shkollën e vagabondëve, atyre të familjeve të deklasuara apo fëmijëve të sekretarit të pare apo kryetarit të komitetit ekzekutiv. Luanin futboll apo kumar femije e të rinj të Grabockave, Ziçishtëve, Kodhelëve, Cukalëve, Mahumutajve, Pojanëve, Xholëve, Xhixhove, Myftijve, Kolëve etj, pa kurrfarë dallimi. “Sheshka”ishte shkolla e parë e vërtetë edukimit jofetar dhe joklasor. Ishin vite me më pak luftë klasash dhe kjo ishte e natyrshme, kur 30 metra larg shtëpisë së Haki Toskës jetonte familja e një të pushkatuari nga Partia. (vijon)

Monday 4 November 2013

Abemus LG II

Më në fund, pas 20 vjetësh, Korça ka përsëri kryetar Bashkie një Ligavec Gollash. I pari ishte Gjergji Gjinko, i zgjedhur besoj më 1992, me diferencë të madhe votash, përfaqësues i PD-së dhe tani po me diferencë votash(sipas mediave afër Ramës), Raqka si përfaqësues i PS. (Deri vonë sipas pohime të tij, ish-djathtisti i flakët, nuk qe anëtarësuar në PS.) Zgjedhja e LG II, nuk ishte befasuese. Vazhdim logjik i votes së qershorit, bile me përforcimin e mbështetjes së drejtpërdrejtë të zv. Kryeministrit për qytetin. Kryetari i ri ka përvojë administruese, sepse ai ka qënë administratori de facto i qytetit në 6 vitet e fundit. Nëse janë bërë gjëra të mira atëhere e meriton votën dhe nëse jo, qytetarët meritojnë këtë kryetar. Ka diçka që nuk shkon jo vetëm në politikën shqiptare në përgjithësi, por edhe në atë të Korçës. Në 20 vjet ka pasur dy ligavecë Kryebashkiakë, një të vënë jo nëpërmjet votes dhe dy të tjerë të përfolur për korrupsion. I vetmi që përmbush cilësitë e një Kryebashkiaku politikan modern mbetet Peleshi. Sigurisht, raqka është jo vetëm shoku i tij , por dhe krijesë e tij në nivelet e larta të administratës, sikundër janë edhe një deputet dhe ndoshta edhe prefekti i ri. Eshtë kaq e lehtë të qeverisësh në Korçë? Mundet që vetëm dy tre njerëz të vendosin se kush do jetë në vendet më të rëndësishme të qytetit e krahinës? Duket që po! Atëhere le të kenë në krye edhe për dy vjet, Ligavecin Gollash II!

Saturday 2 November 2013

Korça dhe Feja (2)

(vijim) Mbyllja e institucioneve fetare, nuk u përcoll në shtëpi ose në mjedise të tjera familjare me komente të shumta. Duket që të rriturit nuk u befasuan. Gratë theshin se ç’ju bënin kishat këtyre që i mbyllën, apo “feja për mire të meson”, por deri këtu shkonte një lloj kundërshtimi, i pashprehur në biseda me shumë njerëz. Fillimi i prishjes së ndërtesave, u komentua më ashpër, duke u përmendur njerëz me reputacion jot ë mirë që kishin marrë kazmat të parët, bile u përmendën edhe raste të ndëshkimit hyjnor të disave, por jo më shumë se kaq. Në shtëpi, por edhe jashtë, diskutimet më kritike ishin gjatë prishjes së Kishës së shën Gjergjit, e cila ishte jo vetëm ndërtesa më e mire fetare në Korçë, por edhe si cilësi arkitekture mund të krahasohej vetëm me ndërtesën e bankës. Ajo ka qënë ndërtimi më i mire i gurtë në Shqipëri dhe edhe pse e ndërtuar në kohën e ndrimit të shekujve, nuk kishte pasur rivale as 60 vjet më vonë. Kur punoja për diplomën dhe midis objekteve të studimit kisha edhe Kishën e Shën Gjergjit, Pirro Thomoja, udhëheqësi im i diplomës, më tregoi se si nuk kishin mundur ta shpëtonin më 1967 nga lista e objekteve, që do rrafshoheshin. “Përgatitnim lista të objekteve fetare, që duhet të mbroheshin për hir të vlerave arkitekturore ose historike. Lista shkonte në Byronë Politike dhe kthehej e thjeshtuar për tu riparë. Pas disa listash të ridërguara, na u tha që Shën Gjergji bashkë me disa objekte të tjera, nuk mund të shpëtohej.” Ishte viti 1983, kur Pirrua m’i tregonte këto dhe kuptohej që nuk mund të thoshte hapur që Kishën e donte të rrafshuar Enver Hoxha. Duket, që Diktatori, i cili kishte ndërhyrë shumë here edhe për mire rreth arkitekturës të Korçës, kishte diçka me atë objekt. Nuk ka se si spjegohet fakti që nuk u prish Mitropolia, një kishë më e madhe, por me më pak vlera arkitekturore. Nëse “Shën Gjergji” lidhej me emrin e Fan Nolit dhe me patriotizmin e Ortodoksisë korçare dhe kontributin e saj në mëvehtësinë e Shqipërisë, e këtë Hoxha donte ta zbehte sa më shumë, atëhere duket se ka kuptim prishja e atij “xhevahiri” të arkitekturës shqiptare , që në qytet gjithnjë është konsiedurar si krim. Shpesh shkonim pasditeve në rrenojat e Shën Gjergjit me shokët e mëhallës dhe kërkonim pjesë plumbi që ishin përdorur pë lidhjen e blloqeve të gurtë. Më bënte përshtypje ajo sipërfaqe e madhe e shkatërruar, ku kishte plot gurë të mëdhenj të gdhendur, disa prej tyre edhe decorative, që u hodhën në mbeturinat e qytetit ose u përdorën si shkallare guri në fushën e lojrave me dorë, të ndërtuar në një vend tjetër gati të shenjtë, ku çdo ditë të Ujit të Pagëzuar, hidhej kryqi nga mitropoliti i qytetit. Po në ato vite u prish edhe xhamia e vogël, minareja e të cilës ishte shëmbur vite më pare nga tërmeti. Ndalimi me ligj i besimeve fetare, së bashku me shetitoren “Stalingrad” dhe bashkimin e mëparshëm të varrezave, e zbuti edhe më shumë ndarjen ndërmjet komuniteteve. U rrit numuri i martesave ndërfetare, ndonëse në shumicën e rasteve kishte qejfmbetje dhe mosaprovime nga familjet. Tashmë fetë quheshin mbeturina të së kaluarës dhe jo vetëm që nuk tingëllonte mire të flisje rreth tyre, por edhe përmendjet e “turqve”, “kaurëve” apo “ortodoksëve” dhe “muhamedanëve” në mjedise jofamiljare mund të të hapte shumë probleme. (vijon)

Friday 1 November 2013

Korça dhe Feja

Jam matur disa here të prek këtë temë delikate dhe shumë të gjerë, por kam hezituar jo vetëm i ndërgjegjshëm për njohuritë jo të thella, por edhe për të raktifikuar më mire këndvështrimin tim, që duhet thënë se ka ndryshuar gjatë viteve. Shtysë u bë një shkrim shumë negativ në një gazetë shqiptare. Autori quhet Alfred Cako dhe nuk e di se sa mire e njeh qytetin tim. Po them shkurtimisht, ato çka kam mësuar herët, kur feja nuk ishte ende e ndaluar me ligj. Në shtëpi edhe pse nuk flitej për Perëndinë apo nuk kishim ikonë dhe kandil si në shumë shtëpi korçare përmendej që ishim ortodoksë. Një here ose dy, pata shkuar në Mitropoli me mamanë, por veç një ndienje pak të frikshme nga lartësia e hapësirës brenda kishës dhe nga mungesa e dritës, nuk kujtoj gjë tjetër. Të njëjtën ndienjë provoja kur shihja rrugës priftërinjtë me veshjet e tyre të zeza dhe me një topuz të çuditshëm flokësh pas koke. Edhe këmbanat e së dielës nuk më ngjallnin ndonjë gëzim, ashtu si më bezdiste hoxha që këndonte në xhamia e vogël ose në e madhja (e Mirahorit). Dhoma ku flinim me motrën i kishte dritaret përballë dy xhamive dhe thirrjet në një gjuhë të pakuptueshme, shpesh na nxirrnin gjumin herët. Megjithë vetëdijen e të qenit ortodoksë, nuk denim as të luteshim dhe as të bënim kryqin. Për më tepër nuk ishim të ushqyer me përbuzje dhe aq më pak urrejtje pèr “turqit”, s'i i quanim, ne të krishterët e Korçës, myslimanët. Në kopësht, doja mbi të gjitha edukatore Mahmudinë dhe guzhinjere Halimenë, pa shkuar ndonjëherë ne mendje se ishin të vetmet myslimane. Edhe shokun më të afërt kisha Beni Zagorçanin, të dy prindërit e të cilit duhet të ishin të fesë tjetër.(Motra kishte shoqe të ngushtë motrën e tij.) Në pallatin ku jetoja, nuk kishte kurrë ndarje ose dallim mes fëmijëve të dy feve. Kjo vinte ndoshta edhe nga fakti, që shumica vinin nga familje me prindër komunistë, të cilët edhe nëse besonin ishin të detyruar të mbanin një qëndrim “politikisht korrekt” ndaj fesë. E megjithatë, në jetën e përditshme dihej një lloj ndarje me botën “matanë lumit”. Thuajse nuk shkonim kurrë në ato lagje, pasi nuk kishim miq ose të afërt, por edhe sepse pushtetet(i Zogut dhe i Partisë) nuk kishin ndërtuar asgjë tërheqëse në atë zone. Dy kinematë, teatri, Pallati i Kulturës, Biblioteka, ishin të gjitha në pjesët e qytetit të banuara tërësisht nga të krishterët. Nuk e kujtoj as kur kam kaluar për here të pare në një nga urat e Lumit, i cili në ato vite kishte filluar të mbushej për tu kthyer në shëtitore “Stalingrad”(sot “Fan Noli”). Por në formimin tim, në disa qoshe të mendjes, ishin fiksuar disa shprehje përçmuese të cilat nuk dija t'i ndaja nëse kishin të bënin me turqit e vërtetë apo me myslimanët. Qortohesha mos mbathja “çorape të grisuar si turqit”, apo mos “i lëpija gishta gjatë ngrënies si turqit”, të cilat nuk dija nëse ishin nga përvoja e babait në Stamboll apo se edhe “turqit” e Korçës bënin të njëjtën gjë. Kisha filluar të kuptoja edhe nga emrat se cilët ishin të krishterë dhe cilët myslimanë. Doemos, kjo më shumë për ato të të rriturve, se moshatarëve ju viheshin emra të rinj ose ilirë nga të cilët nuk mund të dalloje se ç’fe kishin prindrit e Vladimirit, Arbenit, Sokolit, Spartakut apo Zanas. I vetmi emër që më ngatërronte ishte ai Skënder, i cili tingëllonte turk, por përdorej shumë edhe nga të krishterët, si duket pas fillimit të Rilindjes Kombëtare. (vijon)