Friday 28 November 2014

Dosjet dhe Indulgjencat





Ne jemi një vend i varfër. (Jo në pasuri natyrore dhe minerare, se për ato mbajmë vendet e para, të dyta e të treta në botë  për frymë popullsie por mbetemi një vend me ekonomi të varfër, se pa ekonomi s’mund të jemi.)
Kemi edhe një shtet të varfër, që deri tani ka hyrë në borxh rreth 70% të GDP-së dhe për ta shlyer edhe pas një bumi ekonomik do na duhen edhe disa dhjetvjeçarë.
Po kemi një pasuri , të cilën mund t akthejmë shpejt në burim financiar. DOSJET.
Ligji për Dosjet, duhet të jetë një ligj , që të vendosë paqe dhe njëkohësisht të jetë edhe fitimsjellës për shtetin dhe shoqërinë shqiptare.
Duhet vepruar si në Mesjetën e vonë me Indulgjencat.
Të interesuarit duhet të kenë të drejtë t’I blejnë dosjet dhe paratë e blerjes të shkojnë në buxhet të shtetit. Një komision I vetëm për të bërë vlerësimin në monedhë të dosjeve, sipas gjynaheve, që mbahen fshehur dhe asgjë më shumë.
Në rast se për një dosje ka disa të interesuar, që të hapet apo të mbyllet, atëhere mund të veprohet me ankand dhe vendimi shkon në drejtimin e atij, që paguan më shumë.
Sikur vetëm 10 mijë dosje të kenë mbetur pa u asgjesuar, me një çmim mesatar prej 5 mijë euro(sa merrte e arrestuara Tabaku për një emërim në arsim), në buxhetin e shtetit shkojnë rrumbullak 50 milion euro.
Po a mund ta paguajnë këtë ish bashkëpunëtorët, që sot janë të varfër?
E po edhe fukara edhe spiun, ç’të të bëjë ty shteti shqiptar!

Rri i turpëruar deri në fund!

Thursday 27 November 2014

Ajo e ka fytyrën ngjyrë bezhë.

Ajo e ka fytyrën ngjyrë bezhë. Zgjodha ta quaj të tillë sepse nuk do tingëllonte mirë ngjyrë dheri ndaj isha i lëkundur ndërmjet okër dhe bezhë, por më duket se okra ka diçka më shumë të verdhë se çehrja e saj. Po të mos kishte ngjyrën bezhë ajo mund të ishte edhe tërheqse, edhe pse ka një vështrim të papërcaktuar , të cilin nuk mund ta quaj as djallëzor dhe as të egër. Veshtrim bezhë? Jo. Eshtë një vështrim i sigurt dhe i keq ndaj nuk mund të jetë bezhë. Një vështrim i keq dhe i sigurt, por që nuk të bën t’i ulësh sytë. Ndoshta nga që ke dëshirë ta mundësh atë vështrim të keq.
Tiparet e saj janë të rregullta dhe si thashë mund të ishte thuajse tërheqëse me një ndriçim tjetër në fytyrë. Sigurisht jo ndriçim të gjelbër. Me atë do dukej gati rrëshqanor.
Po të kishte një ngjyrë tjetër në fytyrë, që nuk do ishte në tonet e bezhës, okrës , të blertës dhe grisë gati mund të doja edhe të bëja dashuri me të, por jo dashuri në kuptimin e mirëfilltë dhe të bukur të kësaj fjale, por një lloj dashurie primitive dhe poshtëruese nga ajo, që ëndërronim dikur si adoleshentë, për të vënë poshtë dikë të seksit të dobët dhe t’i tregonim se sa “para i vlente lëkura”. Sigurisht jo duke e përdhunuar , por me dëshirën e saj. Dikë, që nuk e pëlqenim, por nuk ishte pa vlera të fytyrës e trupit.
(Nuk di se si mund të isha në një situatë të tillë, po qe se ajo nuk do kishte ngjyrën bezhë në fytyrë. Do ishte vërtet e sikletshme për mua, se kurrë nuk do doja ta puthja ose t’i thoja ndonjë fjalë të ëmbël, nga ato, që dalin papritur mes ofshamave. Do doja vetëm ta poshtëroja.)
Ajo punon diku, në një laborator ose në një punishte të pastrimit kimik. Jam i sigurt, që e kam parë dy tre herë të veshur me një grykëse të bardhë ose gri dhe me duart e rrasura në xhepa. (Nuk di se pse veshjet e mjekëve , infermierëve, farmacistëve tek ne i quanin grykse. Asgjë grykse nuk ka në to. Grykse fare mirë mund të quhej kravata ose shalli, por një veshje e ngjasjme me një pardesy, që vishet në laboratore , farmaci apo mjedise të tjera të ngjashme, ku nuk ka makineri, që mund t’i rrëmbejnë kindat e fundit dhe të bëjnë , që gryksembajtësi apo grykëmbajtësja të përfundojnë brenda makinerisë deri sa një tjetër punonjës i vonuar të jetë në gjendje të mbyllë çelësin e makinës.)
Ideja , që punon në një vend ku ka kimikate e bën vështrimin e saj të papërcaktuar edhe më të rrezikshëm. Ajo duhet të ketë një ide shumë të saktë të bazave dhe acideve dhe efekteve të tyre mbi pjesë të ndryshme të trupit. Kjo mbase ja shton sigurinë e keqe vështrimit të saj. Duket sikur të thotë ;“Unë e di, që ti do të më bindësh të bëjmë dashuri për të më poshtëruar, por mos harro se fjalën e fundit e kam unë dhe kimikatet e laboratorit tim.”
Më e mira është ta harrosh ekzistencën e saj, së bashku me ngjyrën bezhë të fytyrës dhe me vështrimin e keq, sigurinë e të cilit e shtojnë kimikatet në laboratorin e saj, por nuk mundem. Pikërisht , kur më duket se e kam harruar dhe jam shëruar nga kompleksi i bërjes dashuri për ta poshtëruar, ajo telefonon dhe le një mesazh të gjatë, të sjellshëm e të sigurt me disa aludime të lehta lënduese. Edhe pse nuk është alkimiste, ajo di të bëjë një përzjerje të efktshme të fjalëve, tingujve dhe pauzave ndërmjet tyre, për të të lënduar. Dhe menjëherë më lind dëshira për ta poshtëruar edhe pse e di, që ngjyra e fytyrës do më frenojë dhe kurrë nuk do dua, që duart e saj të rrasura në xhepat e grykses të bardhë ose gri të dalin dhe të vihen rreth qafës sime. Kanë edhe ato të njëjtën ngjyrë bezhë, të cilën për efekt tingëllimi nuk po e quaj ngjyrë dheri.
E mendoj me një buzëqeshje të ligë pasi ka ulur receptorin, e sigurt, që ka arritur të më lëndojë dhe të ringjallë dëshirën time për ta poshtëruar, duke pritur, që një ditë të bëj gabimin, që mund të më shpjerë në shtratin e saj me të linjta të bardha ose gri dhe prej ku nuk di se sa i gjymtuar do dal.
Më ka mundur edhe këtë rradhë!
Me një mesazh të lënë, i cili më bën të ndjehem i pambrojtur nga e Keqja.


Tuesday 25 November 2014

Liceu Francez dhe shkolla “Raqi Qirinxhi”

Ka qarkulluar në Korçë, gjatë viteve të Diktaturës një “mit”, që gjimnazi “Raqi Qirinxhi” ka qënë vazhdimi i Liceut Francez(ose Liseut, si e quanin korçarët dhe liceistët). Nuk di nëse i ka pëlqyer të gjithë korçarëve apo vetëm asaj pjese të tyre, që kishin lidhje me gjimnazin, por fakt është, që miti i krijuar nga njerëzit e Diktaturës, për arsye tashmë , që dihen, ka ekzistuar dhe mundohet të mbahet I gjallë edhe sot.
Liceu Francez pushoi së ekzistuari më 7 prill, kur Italia pushtoi Shqipërinë dhe u kthye në Lice Kombëtar me programe të ndryshuara dhe më të cunguara se ato ekzistuese. Tradita asimore e Liceut si një shkolllë e mesme e fortë, mori fund në fillimin e viteve ’50 me kopjimin e plotë të programeve nga shkolla ruse(e cila duhet thënë se në shkencat ishte një shkollë e mirë).
Cilido, që mundohet të paraqesë shkollën e mesme “Raqi Qirinxhi”, me dashamirësi apo me qëllim, bën një gabim të madh për Korçën, arsimin e saj dhe arsimin në përgjithësi. Gjimnazi vetëm rregjistrat ka të Liceut francez dhe asgjë tjetër!
Në mënyrë sistematike, gjatë 45 viteve Diktaturë u shkatërrua ajo ç’ishte në thelbin e Liceut Francez dhe që mishërohej në thënien e njohur të Revolucionit Francez “Liri, Barazi, Vëllazëri”.
Shkolla nuk është vetëm programi, pedagogët dhe lëndët që jepen në të. Aq më pak është bankat apo laboratorët.
Shpirti i një shkolle janë idetë, që frymëzon, janë parimet njerëzore dhe morali , që përcjell tek nxënësit.
Me futjen nën sqetullën fashiste Liceu filloi të humbasë shpirtin e tij, i cili ju shkatërrua plotësisht në Diktaturë.
Me kalimin e viteve humbi edhe mënyra e vlerësimit të nxënësve, rreptësia në kërkimin e plotësimit të detyrimeve shkollore dhe sa cilësi të tjera, të cilat janë të karakterit tekniko-administrativ, por shërbejnë për të mbajtur një shkollë të fortë dhe nxjerrin maturantë të përgatitur.
Liceu Francez ka kohë, që ka vdekur dhe përpjekjet për ta ringjallur në fillimin e viteve ’90 dështuan ndoshta për mungesë interesimi të Ministrisë së Arsimit apo për mungesë interesi të Ministrisë Franceze të Arsimit.
Eshtë duke u dobësuar çdo dhjetvjeçar e më shumë ndikimi i madh , që pati në jetën kulturore dhe shoqërore të qytetit Liceu Francez. 12 vitet e ekzistencës së tij ndryshuan mentalitetin e shoqërisë korçare. E përmirësuan atë. E sollën më pranë Perëndimit.
Studentë nga më të mirët e Shqipërisë erdhën e studiuan në Lice dhe rritën frymën intelektuale. Pjesa më e madhe e tyre studiuan në Universitetet më të mira të Europës dhe një pjesë u kthyen dhe punuan në Korçë me profesionalizëm, përkushtim dhe ndershmëri.
Nuk mund të krahasohet fryma e bindjes ndaj Partisë, ideologjisë marksiste apo e servilizmit, që ushqehej në shkollat e diktaturës(përfshi këtu “Raqi Qirinxhiun”) me frymën e Liceut Francez.
I hodha këto rrjeshta për të hedhur poshtë “mitin” e vazhdimësisë.
Shkolla “Raqi Qirnxhi” ka pasur pedagogë të mirë dhe studentë të shkëlqyer edhe nën Diktaturë dhe ka qënë ndër shkollat më të mira të Shqipërisë, por kjo nuk duhet ngatërruar me Liceun Francez.
Pas 3 vjetësh do mbushen 100 vjet nga hapja e atij Liceu të bekuar!

Nëse nuk jemi në gjendje të ngremë një të ngjashëm, bëjmë mirë të ndezim nga një llambadhe të madhe në varret a atyre që ja bënë atë dhuratë Korçës e të ndjehmi me turp për atë, që nuk e kemi bërë dot një shekull më vonë!

Dyfaqistat

Nuk di se pse shprehja e vjetër për Dyfaqistat  ka qënë e lidhur me mësallën. “Mësallë me dy faqe” Mbase sepse gjatë përdorimit, qoftë në kuzhinë, shitore kasapi, punishte marangozi, dyqan mballomaxhinjsh, faqja e përparme e mësallës ishte shumë e ndohtur nga duart, që fshiheshin apo nga materialet, që binin mbi të, ndërsa pjesa e brendshme ishte shumë e pastër. Gjithsesi shprehja ka hyrë prej shekujsh në përdorim të gjerë dhe përdoret për njerëzit, që të tjera thonë dhe të tjera bëjnë, ose për ata që për të njëjtin problem apo njeri mbajnë qëndrime të kundërta në varësi të rrethanave.
Dyfaqizmi është I përhapur dhe shumë herë ju ka sjellë dobi atyre, që e kanë. Ndeshet në politikë, në administratë, por edhe ë jetën e përditshme, ku intersat nuk janë shumë të larta apo edhe mungojnë krejt.
Nuk është e vështirë për tu zbuluar. Dyfaqistat identifikohen shpejt dhe të gjithë e dinë, se pasi të lajnë e të lyejnë, shkojnë diku gjetkë dhe thonë të tjera për ty. Ose në mënyrë figurative , të tregojnë pjesën e brendshme të mësallës së tyre dhe atë të ndohturën nga duart e tyre të fëlliqura e shpalosin gjetkë.
A janë simetrikë?
Mbase jo të gjithë janë të tillë. Edhe pse mësallat janë plotësisht simetrike.
Le të mos zgjatem me teori, se një shkrim i tillë bëhet i mërzitshëm e le të tregoj një ndodhi gjysëm imagjinare për një ose disa dyfaqista.
“Një ose dy dyfaqista, për të cilët nuk isha i sigurt se ishin të tillë, më bënin be e rrufe, se ndanin të njëjtat mendime me mua për Kullën Largpamëse, që po ndërtohet në Korçë, por nuk mund ta shprehnin hapur, se kishin frikë se i hiqnin nga puna, ose ata ose fëmijët e tyre. I kuptoja dhe ju qaja hallin, jo vetëm për mëdyshjen, që kishin, por edhe për fatin e keq, që përditë ata(dhe jo unë) do përballeshin me një objekt, që e quanin tejet të llahtarshëm. Rastësia e solli, që në një faqe të Fb, ku nuk kisha shkuar ndonjëherë, të shihja “likes”  dhe “elozhe” të tyre rreth Kullës. Ishte faqja e Kryetarit të Bashkisë.
Ja u dija hallin, por nuk mund të mos ju thoja, se nuk ishte nevoja të më thoshin të tjera  mua.
Atë çast u ndesha me anën e përparme të mësallës.
Unë isha dikush, që nuk përballesha dot me Frontin e qytetit tim, por “grrija pas FB-së“. Isha dikush , që s’mund t’I kuptoja problemet duke i parë me dylbi. Për më tepër isha dikush, që kërkoja të “organizoja shtetin, por nuk isha në gjendje të organizoja familjen time!”
“Ah të gjorët ju- mendova- Nuk kini nevojë vetëm për një vend pune në administratë!”


Sunday 23 November 2014

C’a t’kap n’Tiran?

Kjo shprehje gjysëm tironse dhe gjysëm toske, u tha disa vjet më parë në një berberhanë të Korçës, e cila tani mbase quhet rrojtore, floktore ose edhe sallon bukurie. Nuk kishte të bënte(si mund të mendoni me të drejtë) për  “kapjen’ në rrugë të ndonjë tiranaseje lozonjare, por për ndonjë  post të lartë në administratën shtetërore.
Kur më treguan këtë ndodhi të shkurtër mësova rreth “filozofisë së kapjes”. E zgjedhuar dhe e stërzgjedhuar në artikuj gazetash, analiza opinionistësh, fjalime politikanësh, folja “kap” ka humbur kuptimin e parë në trevat shqiptare dhe sidomos në Korçë, ku 70- 80 vjet më parë kishte edhe një lojë të rinjsh, që quhej “ma kap”. Të ngeshmit luanin me “ma kap” kush shihte i pari ndonjë prift, ose njeri me syze. Bile aq e përhapur ishte ajo lojë, sa deri vonë ata , që mbanin syze optike cilësoheshin si “makapi” apo “makapka”.
Ndërsa në këtë dhjetvjeçar “kap” ka një kuptim shumë shumë të rëndësishëm, që mbulon sfera të rëndësishme shoqërore, shtetërore dhe ekonomike. “Kap” është “kontrollon”, kur thonë “që ka kap Drejtësinë“; është “ i korruptuar”, kur thuhet, që filan ministër është ‘I kapur”; është “të bësh karrierë“, kur thuhet “ç’a t’kap n’Tiran?”; është edhe “i pasur”, kur thuhet “filani o i kap”.
Po a është i përkohshëm ky transformim i kuptimit të foljes “kap” dhe gjithë fjalëve, që kanë këtë rrënjë?
Mua nuk ma “kap” dot mendja, se nuk kam formimin e nevojshëm gjuhësor, ndaj po i kërkoj hapur ndihmë Benit, i cili nuk e ka “kapur” më parë këtë dukuri në gjithë kompleksitetin e saj.

Mos hezitoni ta kapni edhe ju miqtë e mij të dashur dhe pasi ta kapni mos e lëshoni, ashtu sikundër bënte në “Aventurat e Cipolinos” qeni i famshëm Kape-Mbaje.

Saturday 22 November 2014

E martë e çartur

Njëri nga ne përmendi se ishte e martë
Dhe nuk qe si çdo ditë.
Silueta e qytetit tej liqenit dukej qartë,
Gjethet e skuqura
Si plagë i rrinin qiellit,
Ketrat e çoroditur
Bridhnin tokës e trungjeve
Dhe krejt papritur
Përfundonin të përgjakur nën rrota.
Rrethuar ishim nga një e pazkontë dritë.
Si në një tjetër Gjithësi,
E qelqtë,
                E lbyrtë,
                                E lehtë
Na dukej Bota.
Ti nise të këndoje
Nota të padëgjuara dhe që nuk kishin jehonë,
Por kur diçka takonin,
Ktheheshin në xixëllim.
Donim të rrinim gjatë,
Sa më gjatë në atë hapësirë lehonë,
Ku dheu me ajrin e ujin përzjerë,
Nën tinguj ndyshonin
E sërish përtëriheshin
Derisa në një tejpamëse lëndë,
Që dritën thellë mbante,
Shkriheshin,
Si në një të thjeshtë e të parë ngazëllim.
Më the:
-Shkruaj diçka,
Mbi të kthjelltën lëndë,
Do mbetet më mirë se ta shkruash në kartë.
Unë qesha lehtë.
Në cep të buzës të putha
Dhe të kujtova:

-Eshtë një e çartur e martë!

Friday 21 November 2014

17 + 17 (shishet)

(vijim)
Në autobuzin e parë thuajse të gjitha ishin gra të veshura me pallto dhe xhakavento të errëta, ndërsa në autobuzin e dytë shumica ishin gra me pallto dhe xhakavento të errëta. Në i treti(për të cilin prita mbi gjysëm ore) vetëm shoferja ishte grua, kurse ata , që hipën bashkë me mua ishin burra me xhakavento të errëta. Vetëm burra ishin edhe në dhomën me dollapë vertikalë metalikë, ku linim veshjet e sipërme dhe merrnim syzet plastike dhe një lloj “skufaqke”, për të mos lëshuar qimet, që ende vazhdonin të braktisnin tullëzën time të paplotë.
Detyra e ditës së parë dhe e ditëve, që do pasonin, ishte të hiqja nga konvejeri shishet me etiketë të ngjitur keq, të pambushura ose të pambyllura mirë, ose pa “kodin” e shitjes. Sigurisht, që ishte shumë e lehtë dhe unë arrija, që të hiqja menjëherë atoqë i shin të pambushura ose të pambyllura dhe ato me etiketa të shqyera, se ato me difekte më të vogla më fluturonin para syve. Shishe, shishe dhe vetëm shishe. Brenda një turni të vetëm pashë aq shishe sa nuk kisha parë gjatë gjithë jetës sime, përfshi këtu edhe vitet kur shkonnim shpesh në dyqani i Takas, për të marrë lekë në këmbim të shisheve bosh. Gjithë javën e parë shihja ëndrra me lumenj shishesh, që shkonin shpejt dhe nuk arrija t’i kontrolloja.
Jo rrallë, shishet e vendosura në rrjesht dhe të shtyra në transportues drejt fundit, ku i prisnin “arkmortet” fillonin një lloj proteste dhe shpërthenin plot zhurrmë në një lloj “hara-kiri” kolektive. Pasi u gjenda i papërgatitur herën e parë dhe gati u fsheha nën transportues(ende nuk më kishte kaluar sindromi ’97, kur krismat nuk ishin gjë tjetër veç plumba kryesisht të kalibrit 76 mm) ndienja një lloj ngazëllimi me shishet , që shpërthenin. Akoma nuk ishte fashitur prirja për revolucione dhe luftra të drejta, e selitur me aq kujdes nga sektorët edukues të partisë, për 32 vjetët, që kisha jetuar nën Diktaturë. “Rebelimi “ i shisheve skllave, më jepte shpresë, që edhe “skllavëria modern” e imja nuk do zgjaste deri në moshën 65 vjeçare. Vërtet ishte iluzion, por gjithë jetën kisha kaluar nga një iluzion në tjetri dhe isha degdisur duke ndjekur iluzionet edhe deri në anën tjetër të Atlantikut.
Por shpërthimet e shisheve nuk mund të vazhdonin gjithë kohën, se në të kundërt vëllai ish-komunist i Stelios dhe dy pronarët e tjerë do detyroheshin të mbyllnin fabrikën e të linin pa punë Stelion, manaxherin nga Gana, polakët ish-antikomunistë, xhamaikanin pa parti dhe sikun, që ishte kategorikisht kundër tradhëtisë bashkëshortore. Transportieri ndalej, kuptohej se cila ishte arsyeja dhe vazhdohej me një shpejtësi pakëz më të ulët, që kthehej në një melodi nanuritëse monotone, nga e cila gati më zinte gjumi më këmbë. Melodia e shisheve i ngjante shumë muzikës së Shqipërisë së mesme ose asaj , që quajne tallava. Dhe tallavaja zgjaste nga 10 deri 12 orë, sepse orari nuk ishte fiks. Duhej të vazhdonte puna deri sa të mbarohej lëngu i prodhuar. Pas mbarimit të tallavasë, që të sillte gëzimin e kthimit në shtëpi, fillonte pjesa më e “bukur’ e pastrimit të gjithë linjës dhe makinës së ngjitjes së etiketave. Sigurisht jashtë kishte filluar mbretërimi i natës dhe pas 140 minutash unë do isha në tavolinën e ngrënies, ku më priste gjella e ngrohtë.
Në minutat e fundit duke ecur nëpër dëborën tashmë të shkelur nga qindra gra me pallto të errëtad he burra me xhakavento të errëta këndoja:
                Falmeshndet nana e Llesh Palit,
                Hiç mos t’dhimbet jeta djalit!
                Ke për djal Partin e Shtetin,
                Ke Enverin e Mehmetin,

                Që të mbajn si nanën t’vedin.

Wednesday 19 November 2014

17 + 17 (Zampa)

(vijim)
Atë pragmëngjesi pasi çava i pari dëborën(dëborëpastruesit ishin të papërgatitur për furtunën e parakohshme) arrita në stacionin e autobusit të parë, që do më shpinte nga Misisaga(qyteti ku banoja) në Toronto. Ishim ngulur në Misisaga, jo se na ishte dukur emri tërheqës apo se kishim dëgjuar më parë për të. Në Misisisaga ishte aeroporti, hoteli ku ndenjëm për 10 ditë dhe Zampa. Zampa ishte një arkitekt sllovak, që drejtonte një firmë projektuese dhe më kishte premtuar, se mund të më merrte në punë, pasi i kisha telefonuar nga Shqipëria. Më kishte marrë në intervistë, që disa ditë pas mbrritjes(recepsionistja argjentinase e hotelit më kishte këshilluar të shkoja me kostum) dhe pasi e kishte kuptuar, që veç kostumit nuk kisha asgjë perëndimore më pati premtuar, që do më merrte në punë “sa të fillonin dy-tre projekte të mëdha, që kishin kontraktuar”. Po të mos ishte për Zampën, projektet që kishte kontraktuar dhe garancin, që do më merrte në punë, unë përsëri do kisha përfunduar në i njëjti pallat banimi, ku ra një alarm i rremë zjarri dhe ku njoha ish-komunistin Stelio, sepse ai ishte i vetmi kompleks jo më larg se një orë më këmbë nga hoteli pranë aeroportit dhe ku na pranuan edhe pse nuk ishim në punë. (Gjetja e një banese me qera është një avaz më vete në emigracion, por nuk po zgjatem dhe po ja le ta tregojë Beni, kur të ketë nge gjatë dimrit 2014-15).
Isha aq i preokupuar me arritjen në orar në punë, sa nuk më shkoi fare ndërmend, që në të njëjtën ditë partizanët legjendarë kishin çliruar Tiranën nga nazistët. Bile kisha harruar edhe të vetmen ngjarje, që kujtoj edhe sot rreth Clirimit të Tiranës. Ma kishte treguar Pirro Kasati , bashkë me vetë protagonistin e saj Anesti K., të cilit Shtabi i Përgjithshëm i ishte caktuar detyrë të hynte në një nga lagjet e mbrojtura më mirë nga gjermanët, për të marrë brenda një banese me qerpiç tiranase dy revolverë të një rëndësie të jashtëzakonshme. Gjatë aksionit të suksesshëm, partizani 17 vjeçar kishte kapërcyer pa u kacavjerrë dhe pa shkop një mur tre metro të lartë, rekord i pathyer deri më sot as nga atletët më të suksesshëm në botë. Kuptohet, ishte Luftë.

Të dilje në mes të dëborës më 4.45 të mëngjesit vërtet nuk ka asnjë ngjashmëri me luftën, por më shumë se frika të mundon ankthi i mbrritjes në orar si dhe ai i të panjohurës. sa e lehtë apo e vështirë mund të jetë puna në një linjë prodhimi të ngjashme me ato të “Korsevimit”. Dhe ishin akoma edhe tre autobuzë, për tu hipur dhe zbritur, në stacionet, që kisha fiksuar një ditë më parë, pasi kthehesha nga intervista. Dhe 6 dollarë, sepse sejcili autobuz i përkiste një qyteti të veçantë dhe për sejcilin duhej të paguaje 2 dollarë në ato kohë të bekuara. (Tani duhet të jetë rreth 3.)
(vijon)

Tuesday 18 November 2014

17 + 17 (Kepucet)

(vijim)
Nuk e spjegova mirë pjesën se pse ndjehesha ‘fatlum”, kur më thanë për një vend pune në fabrikë. Nuk ishte e vështirë të gjeje punë në Kanada, si mund t’ju kenë dizinformuar të tjerë emigrantë. Në Kanada ka qënë gjithnjë e lehtë për të gjetur punë, mjaft të kesh “eksperiencë kanadeze”. Po pate “eksperiencë kanadeze” të marrin menjëherë në punë, por që ta kesh të bekuarën duhet të kesh punuar në Kanada. Jo shumë vonë pasi të hysh në punë në Kanada, ti quhesh menjëherë një individ, që ke “eksperiencë kanadeze”, por që të hysh në punë për ta fituar “eksperiencën kanadeze” të duhet të kesh cazë të tilë. Mund të duket e komplikuar, se mbase edhe unë nuk e spjegoj mirë, por po të kini kohë e ta vrisni mendjen për 5-6 minuta do e kuptoni , që është në mënyrë të përsosur e logjikshme.(Mua më mori 5-6 javë, por mos harrojmë , që ishte viti i tmerrshëm 1997 dhe të gjithë ishim si të pritur në kokë.)
Due u ndjerë fatlum, edhe pse jashtë bënte “qameti”(sipas simëje, që ishte ngritur më 4, që të më zgjonte mua më 4 e gjysëm)unë u ngrita gjithë gaz atë mëngjes të 17 nëntorit 1997 dhe u vesha “dimërorçe” për tu paraqitur në frontin e punës. Gazin ma shtonin edhe këpucët e reja, që kisha mbathur, por ishte një gaz, që u shua shpejt, pas nja dyqind metrave në dëborën e pashkelur.

Ata, që kanë punuar fabrikave në Botën e Re e dinë, që tre muajt e parë, pjesa më e vështirë nuk është as teknoogjia dhe as monotonia, por janë - këpucët. Duhet të blesh këpucë “të sigurta”, që duken si këpucët e tjera, por i kanë majat dhe thembrat metalike, që punonjësi të mos humbasë gishtat ose thembrat, kur objekte të rënda t’i bien në këmbë, ose kur të futë padashur këmbën në tranxhë. “këpucët e sigurta” duhet t’I blesh vetë dhe kushtojnë jo pak, por doemos si të gjitha gjërat, që të sjellin siguri. Për vete bleva më të lirat, që edhe pse ishin pa qafë rëndonin sa trefishi i këpucëve të dikurshme të zboreve. Ishin shumë të sigurta. (Gjatë ditës së parë të punës mendova, që kapitalistët i kanë shpikur këpucët e sigurta, jo aq për të mbrojtur këmbët e punëtorëve, por për të pasur siguri, që ata nuk do lëvizin nga vendi i punës. Janë aq të rënda, sa të gozhdojnë pranë makinerisë dhe vetëm kur vjen pushimi i ngrënies të bëhet të lëvizësh drejt dhomës së çlodhjes. Ama je i sigurt, që nuk rrëzohesh lehtë. Qëndra e rëndesës, pasi mbath ato këpucë, të ulet deri diku afër gjunjëve.)
(vijon)

Monday 17 November 2014

17 + 17



Nuk është 34. Eshtë e njëjta 17 e nëntorit, sikundër sot, por 17 vite më parë.
Rastësia e solli, të kaloja sot pranë një stacioni autobuzi në kufirin e Totontos me Von(Vaughn) dhe dëbora më kujtoi ditën e parë të punës në emigracion.
Binte një dëborë e madhe e shoqëruar me erë të fortë dhe unë duhet të shkoja në Von të filloja punën në një fabrikë prodhimi pijesh freskuese dhe nuk duhet të isha vonë. Puna fillonte më 7 të mëngjesit, por për të arritur atje duhej të bënja 10 minuta më këmbë dhe pasi të udhëtoja 20 minuta me autobuz, të kapja një autobuz tjetër me të cilin do udhëtoja 25 minuta, që do më shpinte pikërisht në stacionin e autobuzit, që duket në foto. Këtu do merrja autobuzin e fundit, i cili do më shpinte pas 10 minutash në afërsi të fabrikës, jo më larg se 5 minuta më këmbë. Në mënyrë të përkryer unë mund të arrija në punë 70 minuta pasi kisha dalë nga shtëpia, por meqë në këtë botë dhe sidomos në pjesën ku futen autubuzat, asgjë nuk është e përkryer mua do më duheshin plot 140 minuta. Të plota. Dhe jo në kushte dëbore të madhe të shoqëruar me erë të fuqishme.
Por unë isha optimist. Pas 45 ditësh në Kanada, kur më në fund i kisha dhënë të drejtë Benit për shprehjen “edhe në Kanada gënjejnë“ ndjehesha me fat, që kisha gjetur punë. Ose më mirë “puna” më kishte gjetur mua, se ma solli “llokum në gojë“ një alarm i rremë zjarri.

Duhet të përmend, që në Kanada kanë më shumë frikë se ne nga zjarri. Ne jo vetëm, që nuk i trembemi dhe ‘hidhemi në zjarr për ideale”, por kemi edhe një shprehje, që thuajse e njëson zjarrin me paratë. “Nga zjarri dhe nga paratë mos u tremb.” Pasi pashë gjithë kanadezët frikamanë të dilnin me vrap jashtë apartamentit ku banoja dhe për mos u treguar fare i padijshëm dhe joperëndimor dola edhe unë dhe u shtriva në një lëndinë për të pritur sa të laheshin hesapet me zjarrin, që nuk kishte rënë. Nuk di pse u bë kureshtar një fëmijë i vogël, që u afrua dhe më shikonte i çuditur, por qëlloi që fëmija ishte i biri i një ish-komunisti grek, i cili pasi mësoi se unë vija nga vendi fqinjë, të cilin para se të vinin kolonelët në Greqi komunistët e kujtonin se ishte Parajsë, u shtrua në një bisedë miqësore me mua. Më vonë Stelioja(në Kanada e quanin Stiv), kishte mësuar, që Parajsa komuniste e Hoxhës ishte jo vetëm më keq se Greqia e Mbretit Jorgo, por edhe më djall se ajo e kolonelëve. Duket, që idealet e përafërta, gjeografia dhe kureshtja e të birit e bënë, që të më theshte se mund të nisja punë në fabrikën ku punonte si mekanik. E pranova me gëzim dhe të nesërmen ai më shpuri për intervistë në manaxheri nga Gana. Duket, që manaxherit nga Gana nuk ja mbusha synë dhe më tha, që do të lajmërojmë, por kjo nuk e kënaqi Stelion, i cili pasi bisedoi veçmas me të më tha, që do nisja të nesërmen. (Më vonë mësova, që i vëllai më i madh i Stelios edhe ai ish-komunist, ishte një nga pronarët e fabrikës. Më vonë do takoja atje edhe të tjerë ish-komunistë nga vende sh- komuniste dhe ish-antikomunistë po nga vende ish-komuniste, që nuk pirdhnin më as për komunizëm dhe as për anti-komunizëm.)
(vijon)

Sunday 16 November 2014

Gjithmonë mes nesh




Një ng miqtë e mij, të cilit vërtet i besoj, më ka dhënë një spjegim tepër interesant dhe të argumentuar rreth Kullës Vrojtuese, ose si e ka quajtur ai Kulla Largpamëse.
Në fillim pata një “shock” dhe jo nga ai , që quhet ‘shock of the New”. Miku më tha, që Kulla Largpamëse është ide e të Majtës europiane dhe , që i është sugjeruar profesorit Wilson pas mosmiratimit të Piramidës, si n jë analogji tejet e qartë rreth Muzeut Enver Hoxha.
Kulla Largpamëse është vetë Profesori legjendar i Liceut I konceptuar ala- Pikaso. Unë i kundërshtova, sepse nuk shihja ngjashmëri të madhe mes shtatores të Hektor Dules, e cila u rrëzua në shkurtin e vitit 1991 dhe Kullës, që është në përfundim. Bile shtova, se Kulla më kujton më shumë Ali Dhogën se sho Enver.
Por miku im me durim më spjegoi gjërë e gjatë, se pse Kulla është ai dhe vetëm ai- Komandanti ose Qoftëlargu.
Kulla sipas tij quhet largpamëse se profesori “shifte larg”.
Raporti i gjerësisë, trashësisë dhe lartësisë së Kullës përputhen me ato të të Lavdishmit.
Kulla shikon drejt Veriut, ashtu si shikonte profesori drejt Jugosllavisë dhe më vonë drejt Moskës.
Materiali bazë i përdorur është betoni, i cili jo vetëm tregon forcën dhe papërkushmërinë, por evokon edhe veprën më të madhe mbrojtëse të Atdheut të ideuar prej tij. Bunkerët dhe skalionet mbrojtëse në kufi, në bregdet, nëpër qytete dhe atje ku nuk ta priste mendja.
Kafeja në majë do lyhet me të kuqe, që është shamia reth qafës së Udhëheqësit, shenjë që e dallon nga Stalini, Mao dhe Kim Ir Seni.
Kulla i kthen kurrizin Pazarit, për të dhënë qartë idenë, që Komandanti ishte kundër Ekonomisë së Tregut.
Miku im shtoi edhe disa spjegime të tjera, por nuk e gjej të udhës t’i vendos në një faqe , që mund të lexohet edhe nga të rinj nën moshën 18 vjeç.
Deri diku ma mbushi mendjen me idenë:
Komandanti gjithnjë mes nesh.

Dinakëria e prof. Wilson




U desh kohë dhe pak informacion nga brenda firmës Bolles + Wilson, për të kuptuar “sekretin” e Kullës Vrojtuese apo Kafenesë të Kuqe në Qiell.
Një ëndërr e parealizuar e rinisë së tij studentore e shoqëruar edhe me karrierën akademike të profesorit Willson, do e verë Korçën në hartën e qyteteve me objektet më interesante dhe më avanguardistë të arkitekturës. Profesori ka parashikuar një cikël leksionesh , që mendohet të jepen në shumë nga shkollat europiane të arkitekturës dhe ku do flitet rreth veprave më në zë të Gehryt, Renzo Pianos, Rogers, Liebeskind, leksione këto, që do mbahen në qytetet ku janë ngritur veprat më famëmëdha duke nisur nga Bilbao, Londra, Parisi, Berlini dhe duke përfunduar ciklin e gjatë të leksioneve me Korçën.
Ishte një fat për ne!
Mendohet, që nga 700 shkollat e arkitekturës të universiteteve europiane, rreth 250 mijë studentë të arkitekturës të vizitojnë çdo vit veprat e përfshira në leksionet. Një turizëm i vërtetë arkitekturor, për të cilin Korçës do i duhet të ndërtojë dhjetra hotele dhe motele. Do flitet rreth vështirësive, që ka pasur për mposhtjen e opinioneve konservatore publike, për frymën , që përcjellin, për “dimensionet” e pesta e të gjashta, për ‘shock of the New” dhe për hollësi teknike.
Tek ne mendohet të bëhet leksioni I fundit  “Si nuk duhet ndërtuar!” Profesori ka qënë i ngazëllyer nga fakti, që vepra e tij nuk ka patur fatin e mijrave të këtijj lloji, që kane mbetur makete. {shtë shembull i gjallë dhe me dimensione reale, për gjithë studentët e arkitekturës, se si nuk duhen të projektojnë.

Sigurisht , që një meritë të madhe ai i jep edhe Bashkisë së Korçës, të cilën nën zë e quan “Bashkia e Syleshëve”. (Ndoshta edhe për ndonjë pasaktësi në përkthim.)

Saturday 15 November 2014

Dielli lindi ne Jutika (Kreu 3)


3.

Profet thashë emërshuar, Shpend ti qofsh, djall i Mallkuar
Prej skëterres i dëbuar, a furtunës gjithë  zë...


-Ku po shkon?”pyeti oficeri duke e parë  ngultas. “Në  Jutika.” U përgjigj shkurt Deni dhe i zgjati pasaportë n. “C’do bësh atje? Do takosh njeri?”-vazhdoi duke e parë  njeriu në  uniformë , mbi xhepin e majtë  të  së  cilës lexohej mbiemri VOGEL. Ai heshti një çast të vetëm për të menduar, nëse duhej t’i thonte “po” dhe se çdo i përgjigjej pyetjes tjetër të tij “Si quhet?” Zgjodhi t’i theshte “Jo. Me pushime”. “Ke prenotimin e hotelit me vete?” erdhi pyetja nga Vogel. “Jo. Nuk kam vendosur se në ç’hotel do qëndroj”. Oficeri Vogel rreshti së pyeturi dhe diçka filloi të bëjë brenda kabinës së tij. Deni nuk mund të shihte tej qelqeve të errëta për të kuptuar se ç’bënte oficeri. Edhe pse kishin kaluar vetëm disa minuta, filloi të nervozohej. Mori t’i fliste oficerit, por pa , që katër njerëz të tjerë në uniformë, që kishin rrethuar makinën. Vogel ndërkohë duke dalë nga kabina i tha të linte çelësin në makinë dhe të ndiqte njërin nga oficerët. Nuk u tremb, por mendoi, që nata po jepte shenja jo të mira. Tashmë shte i vonuar.  Ndërkohë oficerët e tjerë kishin hyrë në makinë dhe po shkonin drejt derës të një garazhi.
Në hollin e ndërtesës së Emigracionit ishte i ulur vetëm një sik me çallmë të verdhë dhe mjekër pisë të zezë. Në këmbë pas një banaku të lartë, që të kujtonte recepsionin e një moteli të një humbëtire, qëndronte një oficer i ri. “Manferrkën” e kishte në makinë ndaj nuk kishte ç’të fikte, për të zbatuar paralajmërimin e varur në muret e hollit. Nuk kishte as ç’të kontrollonte herë herë me një lloj ankthi të ëmbël. U ul.
Eliksir” ishte brenda Volksvagenit të saj ende në Stacionin e Shërbimeve. Nuk vendoste dot nëse duhej të kthehej. Diçka më e madhe, e frikshme dhe e dyshimtë se hija e pazbuluar e  “tom”nderej në atë natë, që kishte filluar me një kureshtje të fortë, për të gjetur mbase atë, që i mungonte. Një shpirt të ngjashëm. I dukej vetja e tradhëtuar, por nga dikush, të cilin nuk e njihte. E ndjente, që nuk ishte “tom”ndaj i dukej se po të kthehej do kthehej nga e tradhëtuar në tradhëtonjëse. Ndoshta këtë dëshëronte ai ose ata, që kishin qënë brenda fuoristradës së verdhë dhe në sallën e banjës të Stacionit të Shërbimeve. Të kthehej e të linte tjetrin të ndiqte një rrugë pa krye mes errësirës të asaj nate korriku.h

“Ku je?”- formoi në tastierën e vogël. Kaloi më shumë se një minutë dhe më pas edhe disa të tjera dhe nuk morri përgjigje. Vendosi të presë.
(vijon)

Friday 14 November 2014

Emocionet patriotike



Një miku im i mirë, i quajti një ditë “nacionalizëm stadiumesh”, që përmban pak a shumë të njëjtin cilësim si “tifozllëk stadiumesh”, një ethe, që kap më shumë burrat dhe për fat të keq, nuk shuhet menjëherë pas ndeshjes.
Të gjithë jemi subjekt i ‘patriotizmit, kur dëgjojmë Himnin Kombëtar, shikojmë në një kronikë lajmesh flamurin tonë apo mësojmë për një sukses të sportistëve tanë. (Mezi e përmbajta veten të mos shkruaja “normal”). Vargjet për Shqipërinë dhe gjuhën tonë të dëgjuara në fëmijëri, këngët patriotike kanë ende efektin mornicëndjellës. I tilë është njeriu. Fyhet kur të tjerët shajnë shqiptarët dhe gëzohet kur i mburrin.
Mbi këto emocione të duhura ose jo, të dobishme ose jo, nxitëse ose jo abuzojnë shtresa më e ulët e shoqërisë sonë. Politikanët. E them me bindje , që janë shtresa më e ulët, se nuk kanë asgjë të shenjtë. Vjedhin, urdhërojnë vrasje dhe mbulojnë vrasje, shtyjnë njerëzit drejt vetvrasjeve dhe e katandisin vendin në një moçal të pashpresë. Por dinë mirë, që ne, “turma patriotike”, gënjehemi kollaj me të ndjerit krenar si Komb.
Një miku im disa ditë më parë, ndërsa i uronte sukses misionit të Ramës në Beograd, i dhuronte edhe një “xhevair” disa vargje fëminore të një adoloshenti kosovar të shkruara 80 vjet më parë.
Një tjetër shok i ngushtë imi, i mençur dhe i ekuilibruar, ishte shumë i kënaqur nga sjellja europiane e Ramës në Beograd.
Thuajse të gjithë kemi frikë të themi hapur Përse po shkon me kaq ngulm ky Kryeministër(tejet i korruptuar)? C’dobi do kemi ne shqiptarët e Shqipërisë apo edhe ata të Kosovës? Cil aishte dobia e fjalës të “shkëlqyer” në Beograd? Do shkrijnë akujt? Do kemi rritje ekonomike? Do kemi paqe të përhershme në Ballkan?
Kemi frikë t’I themi hapur se mos akuzohemi për mungesë patriotizmi, ose si agjentë të grekëve, sërbëve apo turqve. (Agjentë të rumunëve sikur s’para ka.)
Me visitën në Beograd fitoi vetëm Rama. Disa javë zhurrmë patriotike brenda Shqipërisë. Rritje të simpatisë(dikur të ulët) në Shqiptarët e Kosovës. Rritje të simpatisë në burokratët e Brukselit, që mund të thonë tashmë “me këtë njeri mund të kuptohemi më lehtë“.
Shqiptarët e Shqipërisë humbën.
Cdo “dekoratë“ në kostumin e politikanëve të tipit Rama, Berisha, Meta apo Basha është humbje për shoqërinë shqiptare.
Ndoshta pesë minuta pasi ju kalojnë emocionet patriotike, e kutponi dhe ju të gjithë miqtë e mij të dashur e të ndershëm.


Thursday 13 November 2014

Dielli lindi ne Jutika (fundi i kreut 2)

(vijim)

Zhurrma e ujit, që binte me forcë në porcelanin e wc-së së fundit nuk përsëritej më ritmikisht. Dukej që dikushi e kishte kuptuar frikën e saj dhe tani po shijonte lojën me dorezën metalike. Ajo mbajti veshët  e mbuluara me pëllëmbët e duarve dhe shtrëngoi gjithë trupin për të kërcyer me të gjithë forcë drejt atij, që do e sulmonte. Ndenji mbi gjysëm minute, që ju duk aspak gjysëm, por e stërgjatë. U ngrit dhe luajti dorezën metalike, që riktheu derdhjen me forcë të ujit dhe dridhjen e trupit. Priti. Nga ‘manaferrka” erdhi një lloj tjetër dridhjeje. Miqësore këtë herë. “më erdhi rradha”. Ajo shkroi shpejt me gishtat , që i dridheshin “mirë“. Doli me nxitim nga ndarja e saj dhe nuk I hodhi sytë drejt ndarjeve të tjera, por u ngut të dilte jashtë. Pati frikë të qëndronte edhe për të larë duart, ndaj duke ecur filloi të fhinte me forcë gishtat, sikur t’ju shqiste edhe të vetmen dridhje , që ju kishte lënë loja e keqe me shkarkuesen e ujit, që dikush bënte në atë sallë pastrimi në një servis të zbrazët të rrugëshpejtës 76.
           
            Jashtë n'atë terr i trembur, Gjatë ndenja, dridhur , zverdhur,
            Ngecur, endur n'ëndrra tmerri si askush kurrë ndonjëherë;
            Por e rëndë ishte heshtja, brenda grryer  nga kureshtja
            E me tingujt më të thjeshta, si të një lire të vjetër
            Psherëtita…


Saturday 8 November 2014

Përrallë tërkuzë për stërnipin (kotka 2)

(vijim)
Ti i dashur stërnip mund të më thuash me plot të drejtë “ç’më duhen mua ato , që nuk i di, po rrëfemë ato, që di”, por meqënëse në jetë të jetëve ato , të cilat nuk i dimë janë e do jenë më të shumta se ato , të cilat i dimë, unë herë herë do i rrëfej edhe ato, që më bëjnë të padijshëm. Se përrallë është. Bile përrallë ‘tërkuzë“ dhe si e tillë do ketë edhe “kotka” edhe spërdredhje, që e bëjnë më të ngatërruar edhe më tërheqëse.
Pra ata, që kishin krijuar një gjuhë e cila ngjet me gjuhën tonë sot dhe me gjuhën, që do flasësh ti i dashur, zunë disa nga luginat e lumenjve të mëdhenj, që zbrisnin nga mallet e Karpateve, Ballkanit dhe Alpeve. I zunë këto vende më të ashpra, se ato ku ishin ngulur më parë përreth Detit të Zi, se ishin vende të zbrazëta dhe tributë e tjera nomade, që kishin kaluar nëpër mijra vjet nuk kishin qëndruar. Nga fushat e begata ku edhe mbillnin drithra, që i hanin veç peshkut, që zinin lumenjve të parët e të parëve tanë i kishin dëbuar të tjerë fise. Fise më të rinj, më të egër dhe më të etur për luftra. Ndaj dhe të butët e luftëmosdashësit ilirë përfunduan në vendet e ashpra dhe të bukura, prej ku lumenjtë e rrëmbyer përfundonin në detin, që sot e quajmë Adriatik. Ishte më e vështirë të gjeje ushqim, por ishte më e lehtë të fshiheshe. Kjo gjë i bënte më pak trima, por jetonin më gjatë dhe nuk shfaroseshin dot lehtë nga tributë e egra, që donin t’i merrnin robër dhe t’ju rrëmbenin bagëtitë dhe kuajt.

Ilirët kishin sjellë nga tokat përreth Detit të Zi kuaj dhe dele, aq sa mund të lejonte një udhëtim i gjatë e I gjatë, që kalonte shtatë lumenj të gjerë dhe shtatë male të lartë. Në luginat e sijudhesës së Ballkanit ata gjetën tufa të tëra dhish të egëra, të cilat pasi i gjuajtën për disa breza filuan t’i zbusnin e t’i mbanin brenda kasolleve të tyre, si mbanin edhe dhentë e sjella nga larg.
(vijon)

Friday 7 November 2014

Përrallë tërkuzë për stërnipin

Nuk di nëse do kem një ditë stërnip apo stërmbesë, por edhe në mos paça, do ketë dikush tjetër në fisin tim apo mes shokëve të mij, me të cilët kam origjinë të ngjashme dhe këndvështrim të ngjashëm të jetës dhe historisë. Fundja po e shkruaj edhe për ta dëgjuar ndonjë tjetër stërnip shqiptar, i cili do ketë kureshtje se nga vimë. (Ndoshta deri në atë kohë, shkencat do kenë përparuar shumë dhe me anë të gjenetikës, mud të përcaktohet lehtë rruga “e mundimshme” e geneve dhe do mjaftojnë pak cërka pështyme, që çdo i interesuar të marrë në dorë një histori të hollësishme. Sigurisht do ketë humbur poezia e përrallës ndaj dhe unë po shkruaj këtë “tërkuzë”, që i interesuari ta ketë nëse nuk mjaftohet vetëm me të dhëna të thata shkencore.)
Që të kem një përqasje sa më pranë të vërtetës, duhet ta nis nga koha jonë dhe të shkoj thellë në të shkuarën brez pas brezi, por meqë kjo do davaritet në jo më tepër se 200 vjet do e filloj nga të mjegulltat kohë të hershme të ilirëve.
“ Stërnip i dashur, një ditë prej ditësh, si të gjithë njerëzit, që kanë bërë hije mbi këtë dhe, edhe ti do pyesësh “se nga kam ardhur?”. Unë po tregoj se nga kam ardhur unë dhe prej kohës sime, kur filluan dokuemtat e dixhitalizuara të gëlonin, mund të kuptosh lehtë se si janë degdisur genet e të parëve deri tek ti.

Në fillim mbase ishte fjala(po qe se me fjalë do nënkuptoni akoma kodin gjenetik) dhe disa mijra vjet më parë kohës sime, kjo ‘fjalë“ ishte e trupëzuar në një mashkull ilir dhe në një femër ilire, që kishin ardhur nga Kaukazi dhe ishin ngulur në një nga luginat e shumta të gadishullit të quajtur më vonë Ballkan. Rruga prej Kaukazit deri në gadishullin, që laget nga deti i madh i Mesdheut dhe nga deti më i vogël i Zi, është një rrugë shumë e gjatë dhe unë nuk di, se sa breza nga të parët tanë, që flisnin gjuhën e bekuar ndenjën përkohsisht në vende të tjera midis Kaukazit dhe Ballkanit. Në ato këhëra kuajt sa ishin zbutur dhe vetëm disa nga prijësit kalëronin. Të tjerët ishin të detyruar të ecnin më këmbë. Nuk di edhe se si i vinin rrotull Detit të Zi. Nga veriu, mes stepave të Donit e Dnjeprit të pazëna akoma nga skithët, apo nga jugu, ku jetonin të shpërndarë tributë, që më vonë do vinin në Ballkan, për të formuar qytetet e para greke.
(vijon)

Wednesday 5 November 2014

Dita e djeshme në atdhe.



Për fat të keq, edhe një vrasje absurde, për një zarf kokaine dje nga të gjithë ata, që merren me politikë në atdhe u shfrytëzua për të bërë politikë. Edi Rama me pasvanët e tij me një “show” të shëmtuar politike dhe opozita me në krye politikanin më ‘gjynahqar” shqiptar, Sali Berishën, për sulme të fëlliqura politike. Me të njëjtën gjë u morën edhe mediat pranë tyre si dhe ato të ashtuquajtura asnjëanëse.
Dje, në Tiranë, në mënyrën më idiote humbën jetën 4 njerëz dhe të gjithë përgjegjësit kryesorë për gjendjen e shoqërisë shqiptare vazhdojnë të akuzojnë njëri tjetrin.
Shqetësimi im nuk është për klasën politike, sepse ka vite, që nuk kam më pikën e besimit se ekzistuesja mund të bëjë ndonjë gjë për Shqipërinë. Nuk është as për Konstandin Xhuvanin. Njerëz të tillë ka pasur dhe do ketë në shoqërinë shqiptare sikundër ka edhe në gjithë shoqëritë europiane.
Shqetësimi im kryesor është për gjykatësit-prindër, mjekët-prindër, mësuesit-prindër, gazetarët-prindër, policët-prindër.
Kur do fillojnë të shkunden e të kuptojnë, që kanë krijuar një shoqëri të frikshme për fëmijët e tyre. Një shoqëri ku vlera e parasë i ka përmbysur gjithë vlerat e tjera.
Ngjarja e Xhuvanit risolli problemet e thella të shoqërisë sonë. Muaj më parë prokuroria kishte neglizhuar ta lëshonte urdhër arresti, se një ose disa mjekë të korruptuar i kishin dhënë një kartelë mjekësore fallco,
Dje një ish-prokuror humbi djalin e tij 19 vjeçar.
Tre vjet më parë, dy prindër nuk arrinin t’i mbushnin mendjen djalit të tyre, që kishte vrarë, të dorëzohej.
Dje u vranë me plumb në kokë edhe dy të tjerë.
Po tre vjet më parë, një prokuror kërkoi 3 vjet për vrasje duke future gjithë rrethanat e mundshme lehtësuese.
Dje u vra edhe një i huaj, që nuk njihte asnjeri në atë sherr absurd.
Po nga kush e presim vallë ta sjellë “në dinë“ shoqërinë shqiptare?
Nga Erion Braçe , që klith për “arritjen e një standarti të ri”?
Ndoshta ende ka kohë, që të mos lejohet shoqëria shqiptare të kthehet si Saturni.

Por pindërrit duhet të mendojnë më thellë se ç’po bëjnë për fëmijët e tyre!

Tuesday 4 November 2014

Luiza Xhuvani u nxitua

Sigurisht, që është e drejta e çdo deputeti të japë dorheqjen për arsye personale. Në këtë rast e bëri deputetja e PS-së Xhuvani, vetëm 12 orë pasi ka marrë vesh, që i biri është implikuar në një ngjarje ku kanë mbetur të vrarë 4 vetë.
Nën ndikimin e një artikulli shumë të mirë të Rikut , të mbështetur në përkthimin e një vepre të juristit të shquar italian Ferrajoli, nga pikëpamja juridike them që deputetja Xhuvani është nxituar. Pa marrë parasysh hetimet paraprake ajo ka menduar, që djali i saj është një nga autorët e krimit. Shumë shpejt. Shumë e nxituar.
Sigurisht që dorheqja e saj është një ‘show” politike e kërkuar nga kryeministri Rama, i cili me siguri është këshilluar nga të famshmit këshilltarë të PR(public relations). Dalja e Xhuvanit në krah të tij është e vetmja arsye, për të fashitur zhurrmën e medias dhe opozitës.
Po pse kam bindjen, që veprimi i saj është jo vetëm juridisht i nxituar, por edhe politikisht i tillë. Së pari dyshoj thellë në ndërgjegjen e saj si qytetare apo edhe si përfaqësuese e popullit. Disa muaj më parë, deputetja, që e di se çfarë “malli’ ka në shtëpi, nxitoi ta nxirrte ne parlament për të ‘zënë mat” opozitën që shpifte se djali i saj ishte në Lazarat gjatë aksionit të policisë.
Të gjithë kemi fëmijë rreth moshës së Konstandin Xhuvanit dhe dimë se “sa ju vlen lëkura” dhe se me ç’punëra të mira apo të këqija merren. Djali i deputetes edhe para se të vriste një njeri më 2011 kishte patur problem me drejtësinë. Kjo nuk e pengoi Luiza Xhuvanin të kandidonte përsëri si përfaqësuese e popullit. Dhe ai veprim nuk ishte i gabuar politikisht. Sepse do të ishte ne një sallë me njerëz të inkriminuar thellë duke filluar nga Sali Berisha e Ilir Meta, e duke vazhduar me Gramoz Rucin, Edi Ramën, Lulëzim Bashën, Arta Daden dhe lista mund të shkojë gjatë e më gjatë.
Këtë rradhë Xhuvani u nxitua.

Duhet të rrinte në sallën ku ka plot kriminelë dhe familjarë kriminelësh.

Saturday 1 November 2014

A duhet të pranojmë të pashmangshmen? (4)

(vijim)
Por le të shikojmë pak, këtë sistem shoqëror-politik, të cilin po mundohemi të ngrejmë edhe me ndihmën e të huajve, i cili ka gjasa me disa modifikime të vogla të mbetet edhe për një periudhë 60-70 vjeçare. Si pranohet nga të gjithë sociologët e mirënjohur, është me plot “kusure”, por më i miri i njohur deri tani. Në bazë të këtij sistemi është pjesëmarrja në qeverisje. Në rast se shtresa e mesme ‘e paangazhuar” nuk arrin të kuptojë këtë parim bazë të ndërtimit të një shoqërie demokratike, i cili bëhet më se i domosdoshëm sidomos në fazën fillestare të ndërtimit të institucioneve, është e destinuar jo vetëm “të vuajë“, por edhe të mos ketë shpresë për Demokraci. Në njëfarë mënyre nuk ka pse të fajësojë të tjerët, po shtresën e “politikanëve të korruptuar”, sepse ka lënë vetë në duart e tyre qeverisje e vendit.

Eshtë e vërtetë, që ne na mungon kultura demokratike, për shkak të një Diktature të ashpër 50-vjeçare, por në anën tjetër, sin jë vend ballkanik-mesdhetar ne nuk shquhemi për indiferencë por më shumë “për futjen e hundëve në punën e të tjerëve”. Ndaj ka diçka , që nuk shkon tek njerëzit, që interesohen për punët e të tjerëve dhe jo për punët dhe jetën e tyre. Eshtë paradoksale se  të gjithë flasin rreth politikës së madhe dhe të vogël, ku lakohen gjithë zullumet e bëra dhe të pabëra të politikanëve, njerëzit jo vetëm nuk solidarizohen, por shkojnë edhe në votime me një pjesëmarrje tejet të ulët. Ky është një “luks”, që mund t’ja lejojnë vetes shoqëri të përparuara, ku institucionet funksionojnë mirë dhe jo në një vend ku gjithshka sa ka filluar “të ndërtohet” dhe shumë gjëra ndërtohen sëprapthi. Dhe është pikërisht kjo shtresë “humbëse” e cila nuk shkon të votojë se pjesët e tjera të lidhura me partitë janë të detyruara apo dhe të ndërgjegjshme, që duhet të shkojnë. Edhe justifikimi se “votat vidhen ndaj është e kotë të shkosh” nuk ka bazë të fortë, se nëse e ke uptuar rëndësinë e votës, atëhere nuk ke se si justifikohesh, që nuk organizohesh dot për të mbrojtur një nga të drejtat themelore të njerëzve, të fituara me shumë shumë luftë jo më larg se njëqind e ca vjet më parë në botën e përparuar.
(vijon)