Sunday 29 September 2013

Rremuje ne Mesdhe.

Lemshit te Sirise, Egjiptit, Libise, Palestines, Turqise dhe Qipros dje ju shtuan edhe “kotkat” e greqise dhe Italise.

Dje, ne Greqi u arrestuan udheheqesit e Partise neonaziste “Agimi I Arte“, ndersa ne Itali Berluskoni terhoqi ministrant e tij, gje qe do sjelle zgjedhje te parakohshme.

Te dy ngjarjet edhe pse nuk lidhen me njera tjetren, jane te lidhur me krizen ekonomike te zgjatur dhe me mungesen e stabilitetit ne vendet mesdhetare. Edhe pse duket si shenje e mire, goditja ndaj partise se ekstremit te djathte ne Greqi, rrezikon te kete efektin e kundert te asaj qe deshirojne autoret e goditjes(me mire t’I quajme Statukoistet). Politikanet e partise neo-naziste do marrin rolin e ‘te kulluarve”, qe goditen prej ‘te korruptuarve”- shkaktare te krizes se thelle greke. Kjo do sjelle rritjen e mungeses se stabilitetit politik ne Greqi, gje qe ndikon drejtperdrejt ne Ballkan(20% te sektorit bankar ne Ballkan mbulohet nga bankat greke).

Kriza politike italiane do rrise problemet ekonomike te italise dhe te gjithe rajonit, si edhe mund te sjelle nje rritje te levizjeve anti-europiane dhe anti-gjermane, gje qe mund te kete pasoja me te demshme se sa te dobishme per popujt europiane dhe sidomos ata ballkanike.

Djepi I qyteterimit boteror eshte ne ditet me te keqia te tij, qe prej perfundimit te Luftes se Dyte Boterore. Le te shpresojme se do kaloje shpejt.

 

Wednesday 25 September 2013

E shkruar me 23 Gusht 2004

Titullohet "Ku je?" dhe nuk e kam lexuar qe me 2007. Kisha rreth dy jave qe isha kthyer nga Shqiperia dhe nuk isha aq"I dermuar" sa deshmojne vargjet. Me siguri, qe nuk e kam perfshire ne vellimin e vetem te botuar me 2007"Endem", per te mos tingelluar si nje thirrje qe i beja gruas(me te jam ndare me 2005). Poezia eshte ne natyren e disa te tjerave qe jane perfshire ne vellim dhe ngjan me pak me poezite e shkruara pas kesaj periudhe.

Ku je?

 

Ku je?

Tani që dua diçka të them,

Tani që mëri s’mbaj dot,

Tani që dua të pëshpëritësh ëmbël,

Tani që më vjen të hargalisemi kot.

 

Ti ike.

Pa dashur të kthesh kokën të shohësh kë le,

Pa lënë pas shpresën e kthimit një ditë,

Pa  puthur,

               Pa më prekur ballin,

                              Pa nënqeshjen e ngrohtë,

Pa varrosur ëndrrat,

               Pa nxitur mëritë.

 

Unë mbeta.

I akulluar prej tmerrit të ikjes pa kthim;

I murrëtyer prej pabesisë të braktisjes nën diell,

I turpëruar nga pafuqia për të fshehur plagën,

I qeshur nga llumi që mbi dashuritë vjell.

 

Kthehu!

Jo për mua,

               As për endrrat,

Aq më pak për mbrëmjet plot drithërim.

Kthehu të rigjesh vetvehten,

                              Frymëzimin,

                                             Këngët,

Ktheu të ringjallësh ç’ka le në harrim.

 

                                                                                                                        Kanada 23 Gusht 2004

 

 

Shfaqjet me arkitekte te majte , te djathte e te huaj.

Para 6-7 vjetesh, pasi kisha lexuar nje shkrim te dikujt te quajtur Artan Lame, te cilin kujtova se ishte arkitekt, ku sulmonte Ministrin e Puneve Publike dhe arkitektet e "djathte", i indinjuar, por edhe me njefare shprese shkrojta nje artikull, i cili u botua ne nje gazete shqiptare. Sot, ministri i atehershem eshte kryetar i bashkise se Tiranes, ish-kryetari po dihet qe eshte kryeminister dhe z.Lame, edhe se nuk u be minister i ndertimit do drejtoje ndonje zyre me rendesi qe lidhet me kete sector fitimprures. Pra ne rolet kryesore jane te njejtit aktore, ndersa ne role episodike mbeten arkitektet e majte, te djathte dhe ata te huaj. Qe prej asaj kohe "episodiksit" jane perdorur mire nga pushteti per te dhene shfaqje per te ngjallur shpresat e popullit per nje te ardhme me te mire,sepse arkitektuar e urbanistika kane nje efekt te dukshem e te prekshem nga te gjithe. Gjithashtu shfaqjet kane sherbyer per te mbuluar mire investimet private ose publike, nje pjese e te cilave perfundojne ne xhepat e aktoreve kryesore. Te njejtat shfaqje do vazhdojne (me me pak para per shkak te krizes)ne vitet e ardhme dhe titujt do jene nga me te ndryshmet.
Meqe artikulli qe permenda, nuk gjendet me ne internet, po e ve me poshte. Ne te fajin ja u kam hedhur "episodiksave".


Artan Lame dhe arkitektët e majtë dhe të djathtë

 
Pa njohur se kush është zoti Artan Lame dhe ç'sektor me rëndësi ka mbuluar në vitet e shkuara, si edhe pa njohur në hollësi debatin rreth studimit të Qendrës së Tiranës, po shkruaj disa rrjeshta rreth artikullit të tij botuar sot në "Gazetën Shqiptare".

Më ra në sy lëndimi i sedrës së tij profesionale, por edhe të nëpunësit, nga sulmi i ministrit të Punëve Publike ndaj planit të Qendrës së Tiranës. Sidomos i pamëshirshëm ishte Lame me arkitektët e fshehur, të cilët kanë mashtruar (ose i kanë thënë atë që dëshironte) ministrin. Por ajo që më bën të trishtohem nuk është as deklarata e ministrit, as tërbimi i zotit Lame dhe as fshehja e arkitektëve.

Eshtë moskërkimi i një pjese të madhe të përgjegjësisë tek vetja.

Të gjithë në Shqipëri (përfshi këtu arkitektët dhe urbanistët) flasin se çfarë ka ndodhur e po ndodh me ndërtimet në Tiranë dhe në qytetet e tjera gjatë viteve '90 të shekullit të kaluar dhe gjatë këtyre viteve të këtij shekulli. Shembujt e Epidemisë së kioskave, e shumëkatsheve që nuk përfillin distancat, e ndërtesave të shëmtuara prej betoni që zënë vendin e pemëve, e restoranteve karikatura që mbushin Bregdetin, e serviseve që bllokojnë rrugët, janë evidente. Dhe kryesisht për fajin tonë, të arkitektëve dhe urbanistëve "kolaboracionistë". Jemi ne që jemi nënshtruara para presionit të parave (të pista ose jo). jemi ne që nuk i kemi rezistuar arrogancës së pushtetarëve të korruptuar. Jemi ne që kemi këshilluar (për keq), se kjo mund të kalojë po të justifikohet me "elegancën vertikale" apo me "soliditetin horizontal". Mbi 90% e projekteve mbajnë firmat tona. Ato nuk i kanë vizatuar as kryetarët e komunave apo të bashkive, dhe as pronarët e skafeve apo trafikantët e prostitutave. Në KRRT-të e qyteteve të mëdha gjithmonë ka pasur arkitektë dhe urbanistë. Por thuajse të gjithë kemi shkelur mbi ndërgjegjen tonë profesionale, duke lejuar të kalohen studime apo projekte, të cilat rrezikojnë të mbeten për qindra vjet dëshmonjëse të marrëzisë që po kalon shoqëria jonë.

Për fat të keq, Tirana (dhe jo Shijaku) është shembulli më negativ, sepse edhe interesat aty kanë qënë më të mëdha. Dendësia e ndërtimeve, mungesa e sipërfaqeve të gjelbëruara dhe sidomos shtimi i trafikut janë dhe do mbeten për një kohë të gjatë problemet "gangrenë" të kryeqytetit. Se si mund të zgjidhen pjesërisht(tërësisht do jetë shumë e vështirë), kjo kërkon hapjen e një diskutimi profesional për përcaktimin e prioriteteve. Eshtë i domosdoshëm jo vetëm një angazhim i Bashkisë dhe Ministrisë, por i i të gjitha institucioneve të tjera. Sidomos i Medias, Shoqatës së Arkitektëve, shoqatave të Ambientalistëve, Ndërtuesve, Pronarëve të tokave etj. Por ky angazhim kërkon të lihen mënjanë, për një farë kohe, interesat personale dhe etiketimet "i Majtë" apo "i Djathtë". Kërkon gjithashtu që Tirana mos konsiderohet si domen i një njeriu apo një grupi të caktuar. Nga ky ballafaqim mendimesh , le të dalë nëse mund të përmirësohet(ose jo) Plani i Qendrës dhe se ç'duhet bërë me pjesët e tjera të Tiranës. Në se ka raste flagrante të të shkeljes së logjikës së formulimit të qyteteve, atëhere pjesë të veçanta të Planit mund të bllokohen, por jo në frymën e: "e dimë ne pse miratohet x-kompleks ose pse nuk lejohet nuk lejohet në x-truall".

Duhet filluar (mbase ka filluar dhe unë nuk e di) të bëhet si në vendet e tjera në Perëndim, ku nga Pushteti Vendor njoftohet me tabela pranë vendit të ndërtimit, si edhe në shtyp, kërkesa për të ndërtuar me të gjitha karakteristikat e objektit, disa muaj para. Të gjithë të interesuarit janë të mirëpritur të dëgjojnë seancën e hapur të Këshillit Bashkiak (në rastin tonë të KRRT), ku diskutohet dhe mbrohet projekti. Informimi më i mirë i publikutdo sjellë rritjen e presionit ndaj përfaqësuesve të pushtetit si dhe ndaj arkitektëve dhe urbanistëve të liçensuar që s'bëzajnë. Gjithashtu është koha, që qytetet të kenë Rregulloret Urbanistike të formuluara mirë, të cilat nuk ndryshohen sa herë ndërrohet Kryetari i Bashkisë.

Shoqëria jonë ka kaluar dhe po kalon trauma të mëdha. Si rrjedhojë do kishte dhe do ketë edhe çrregullime në arkitekturë dhe urbanistikë. A janë këto deformime më të mëdha se sa normalisht do ishin në një shoqëri të sëmurë? Këtë mbetet ta gjykojë historia. Por një gjë e di me siguri. Eshtë më e lehtë të justifikohesh duke drejtuar gishtin tek politikanët e korruptuar ose më mirë tek "Korrupsioni", se sa tek vetja. Por kjo dukuri nuk është në ajër dhe as abstrakte. Ka emra të caktuar dhe forma të përcaktuara mirë. Nuk është e thënë se gjithnjë shoqërohet me para nën dorë. Shpesh fillon me korruptimin e bindjeve tona profesionale dhe symbylljen ndaj "masakrave që ndodhin.

Ndaj nuk i duhet rënë gjoksit se "ja u lamë Shqipërinë me Plane qendrash apo Tiranën ngjyra-ngjyra (kjo më sjell ndërmend frazën e Merhumit- "po ju a lemë Shqipërinë e kuqe") dhe po s'e bëtë ju ta dini kur të kthehemi ne në pushtet"!!! Brezat kanë për të na qeshur, kur të mësojnë se në kohën e ndërrimt të shekujve, në Shqipëri kishte arkitektë të Majtë e të Djathtë. Do mendojnë se kur projektonim, njërën dorë e mbanim të lidhur.

Monday 23 September 2013

Jam lodhur


Jam lodhur duke të ëndërruar
Sa kam harruar të jetoj
Ditët e mia,
Por endem
Plazhit tënd mbushur leshterikë
Dhe shkel të detit kandilë
Tejdukës në vdekjen e tyre,
Siç shkel ti në të kthjelltën dëshirë
Për të të parë.
Vetëm kaq doja.
Të të shihja ndërsa me krahët
Rrethuar gjunjësh
Ti,
Kokënpërkulur lehtë
Sheh detin
E pastaj zhdukesh për tu rikthyer
Pas dy dhjetvjeçarësh.
Vetëm tre herë të tjera
Në stina lindjesh,
Gjumi,
Të njëjtën marrëzi të ringjallësh.

Sunday 22 September 2013

Pertej pamjes te qete, nje bote e trazuar, e ndjeshme.

Keshtu e ka titulluar poeti Kostaq Duka nje shkrim pr Andon Maren. Para disa vitesh, i kerkova te me dergonte ndonje kujtim rreth tij dhe ai u pergjigj menjehere dhe me bujari.
Kam dashur te di pershtypjen qe kishin koleget per babane, si edhe te mesoja ndonje ngjarje qe lidhej me te dhe nuk ma ka treguar. Keshtu, para se te largohesha ne emigracion, bisedova gjate me shkrimtaret Mico Kallamata dhe Kristaq Balli, me nje nga folesit e pare te Radio-Korces Piro Katron. Me te njejten dashamiresi biseduan me 2004 me mua akadamiku Zija Xholi dhe shkrimtari Teodor Laco, ndersa poeti Vangjush Ziko me dergoi ne fillimin e viteve 2000 nje shkrim te gjate per babane. E njejta dashamiresi ndjehet edhe ne shkrimin e meposhtem te Kostaqit. (Po bej vetem nje saktesim te vogel-nShtepia e Kultures ate kohe quhej "Ali Kelmendi".



 

E kush nga bashkëmoshatarët e brezit tim, qe tashmë po u afrohet 60-të viteve nuk e sjell ndërmend atë godinë dy katëshe të Radio Korçës,  paksa në hije, në një nga rrugët  që bashkohej me bulevardin “Republika”?! Xhirimet në të të  filmit “Gjeneral Gramafoni” sigurisht e bënë të njohur dhe për të tjerë jashtë Korçës. E pra ajo godinë e thjeshtë, prej ku përcilleshin lajmet e kohës , përrallat  e tregimet për fëmijë, këngët e vjetra melodioze të korit të këngëve karakteristike “Lira” tërhiqte e ngacmonte fantazinë e adoleshentëve dhe të rinjve, veçanërisht të ëndramëdhenjve të pasionuar për letërsi e art. Si bëhen emisionet? Si incizohet zëri? Cila është ajo gruaja që flet aq bukur, po ai burri me atë zë të  ngrohtë si komunikon me njerëzit? Ndonjë që kish pasur rast të hynte, fliste, për dyer e  mure të veshura, me” dyshekë” ,  për dritare të çuditëshme etj, etj…Fantazia më rrëmbeu dhe mua  me dëshirën për të hyrë e pse jo për t’u bërë i afërt me ata që “prodhonin” magji e zëra të magjishëm.

Rrugën drejt godinës magjepëse të Radio Korçës me sa dukej do ta çelte aftësia ime për të recituar. Me vjershën e Naimit “Gjuha jone”, 12-13 vjeçar, isha pjestar në pjesën teatrore kushtuar traditave arësim dashëse dhe liceistëve, shkruar nga Vangjush Ziko e vënë në skenë nga rregjisori Sokrat Mio…Herë, herë ende fëmijë recitoja në pallatin e kulturës “ Vangjush Mio” Dhe keshtu u njoha dhe me shkrimtarët e poetët e qytetit tim mes të cilëve dhe me atë burrin serioz, autoritar në pamje të parë , tregimtarin dhe redaktorin e Radio Korçës Andon Mara.

Isha djaloshi më i lumtur i qytetit kur shkrimtari Andon Mara më ftoi të recitoja  para mikrofonit të radios një nga poezitë që unë kisha shkruar ato kohë.

Gati me vrap e bëra rrugën nga shtëpia ime, thuajse në periferi të qytetit (për atë kohë se tani me zgjerimet vija ndarëse eshtë çuar tej) deri në rruga e qetë që dilte në bulevardin e madh ku ngrihej godina misterioze e Radio Korçës. Me ndrojtje hapa derën e jashtëme e ngjita shkallët. Në korridor ishte një heshtje e plotë. I hutuar e paksa me një ndjenjë frike e ndrojtje shikoja përreth. Vinte një aromë e një mjedisi të mbyllur ku dielli rrinte larg e ajri qarkullonte ngadalë a thua për të mos prishur natyrën misteriozeve të zërave që përhapeshin tej. Ku s’më çonte fantazia në ato momente?! Një burrë i shkurtër, zeshkan me disa shkresa  npër duar më doli papritur përpara dhe më tha përse kisha ardhur? I thashë: Më ka ftuar shkrimtari Andon Mara për të recituar një poezi që kam shkruar vetë. Fjala shkrimtar m’u duk më  e përshtatëshme se fjala redaktor. E ndjeva se te kuqtë po më përvëlonte fytyrën. Vonë mësova se ky burri paksa i shkurter ishte drejtori i Radio Korçës, Jani Mulo.

Pas pak nga një derë që u hap pa zhurmë doli shkrimtari Andon Mara. Me një buzëqeshje të lehtë më ftoi ta ndiqja pas. Hymë në studion e inçizimeve, paksa e ftohtë,  me një ndriçim të zbehtë . Andoni më tha me një zë te ulët të ulesha para mikrofonit vendosur mbi një tavolinë të zbrazët. S’isha veçse një adoleshent ëndërimtar i “marrosur” pas mrekullive joshëse të artit kinematografik, teatrit, radios, artistëve në tërësi. Tani, tani shkrimtari e redaktori Andon Mara po me vinte mua në “provë” para mikrofonit të interpretoja poezitë e shkruara vetë. Zëri im tani do të përzihej me shumë zëra të tjera prej kësaj studioje magjiplotë. Ndjeva një frikë, vetmi,  si i lënë mes shkretëtirës. Andoni pa u ndjerë ishte larguar. Përtej xhamit të madh ndarës mes teknikëve të radios Tasi Kanxheri dhe Vasil Dishnica, Andon Mara po ma bënte me dorë që të filloja të recitoja. Unë e kapa këtë pak me vonesë..Andoni ripërsëriti me dorë me një fytyrë të akullt, të përmbajtur, gjestin e fillimit të interpretimit. Këtë radhë vëmëndja ishte rezultative.Me emocion por edhe siguri nisa të interpretoja. Kur mbarova teknik Vasili përtej më përshendeti duke tundur dorën.Tasi në heshtje nisi të merrej me aparatin.

Unë prisja me padurim çdo të më thosh shkrimtari Andon Mara. Dhe ai erdhi para meje sa dola nga studioja. Serioziteti karakteristik që dukej në gjithë qënien e tij ndërroi ngjyrë pas një buzëqeshjeje shoqëruar me dhënien e dorës dhe fjalët përgëzuese: Mirë, shumë mirë si fillim. Do mesohesh me mikrofonin me kohë. Dëgjoje poezinë në emisionin e fëmijve.

Oh atë ditë unë isha djaloshi më falum i Korçës.

Do të kalonin vite. Para mikrofonit do të qëndroja dhe shumë herë të tjera si krijues e gazetar. Dhe ne çdo rast do të më vinin imazhet nga ajo dita e pare, nga takimi me shkrimtarin e redaktorin veteran të radio Korçës Andon Mara. Duke e njohur më nga afër në takimet në Degën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, ku për një kohë ai ishte sekretar apo më vonë si koleg kur unë punoja redaktor në gazeta lokale përforcova përshtypjen e ditës së parë të takimit: Përtej pamjes se ftohtë, të akullt fshihej një botë e trazuar e ngarkuar me emocione. Kjo botë ravijëzohej në zërin e tij kumbues, në kronikat me ngjyrë, në emisionet për kulturën në pathosin herë herë më nervozizëm, në diskutimet shpesh pa fund e pa qartësi mes shkrimtarëve dhe artistëve. Tek kthehej i menduar nga puna, duke ecur bulevardit për tek apartamenti i tij përballë pallatit të kulturës dikush edhe mendonte : sa i heshtur ky njeri, edhe fletet e pemëve nuk ndjejnë hapat e tij. Por..kjo ishte dukja. Bota e trazuar e njeriut që mendonte shumë e krijuesit dhe gazetarit vlonte e vlonte pa pushim.

 

Fundi i arkitektures


 
Do vijë një ditë,

Kur liria do shtrihet përmasash,

Dhe nuk do duhen më

Mure,

            Plane të qelqtë,

                        Shkallina rrethore,

Madhështi të rreme faraonësh,

Buduare magjepës putanash.

 

Do vijë dita e amëshuar,

Kur nuk do duhen strehët,

Se mes natyrës së virgjër

Do luajmë ne bijtë e saj të mirë,

Pa u dashur të kopjojmë Arsyen,

Arsyen e gjithësishme,

A të Rastësive Shumatore,

Që ngjiz Mrekullitë, që shkojnë e vijnë.

 

Ajo ditë do zbresë,

Kur si bimët të ndjejmë,

E pa flatra të ngrihemi ajrish

Pa dashur të kërkojmë të tjera botë,

E për të mposhtur vdekjen

Të lodhemi me krijime mrekullish,

Spirale metali,

            Ura varur ylberesh,

                        Tempuj kristali perëndish.

Të zbresë ajo ditë kur bij të jemi,

Më tepër se zotër.

 

 

Saturday 21 September 2013

Kushtetuta dhe Sovrani

Kjo fjala Kushtetutë sepse më ka trembur gjithnjë. Ndoshta si gjërat e komplikuara që trembin çdo të paditur. (Nisa ta shkruaja injorant, po sikur nuk më tingëlloi mirë për veten. Edhe pse jam një birko injoranti.) Në fëmini nuk ishte mes fjalëve abstrakte, që përmendeshin shpesh si puna e Partisë, Republikës apo Boshtit marksist-leninist. Ma kishte zënë veshi, bile kisha dëgjuar edhe për ndonjë lab të zellshshëm, që kishte quajtur vajzën e sapolindur Kushtetutë, por asgjë më shumë. Mbase frika mu krijua në adoleshencë, kur filloi diskutimi i gjërë në popull i Projekt- Kushtetutës së re. Duke qënë mbi të gjashtëmbëdhjetat edhe unë me bashkëmoshatarët duhet të ishim pjesë e diskutimit të gjerë në popull të çdo neni të Kushtetutës. Ne në atë kohë talleshim me çdo gjë, po sikur nuk na i mbante të talleshim me Projekt-Kushtetutën, të cilën e dinte edhe më bufi, që diskutohej kot në popull. (Tuj me pas Partinë goce, ç'e do Kushtetutën.)

Më vonë kuptova se Kushtetuta (e një shteti) nuk është gjë tjetër, veçse marëveshja mes shtetarëve se si ta organizojnë shoqërinë brenda kufijve të tyre. Edhe kjo më dukej pak si e çuditshme, se shtetarët e kanë më të lehtë të grinden se të merren vesh, por marrëveshjen, që të mos ketë edhe gozhdërrënës edhe potkojrrënës, e bëjnë ata që quhen Baballarë Kushtetues. Ne ose sepse nuk kishim të tillë, ose sepse togfjalëshi Baballarët e Kombit ishte baltosur nga komunistët, për të bërë marrëveshjen kërkuam ndihmën e Xhaxhallarëve të Venecias. Po si çdo e keqe edhe kjo e Xhaxhakeve ka të mirën e saj. Nuk kemi pse të përmendim vend e pa vend Baballarët Konstitucionalistë, si bëhet në vende të tjera, kur grinden për të bërë ndryshime në marëveshje. Ne shumë shumë mund t'i heqim njëri tjetrit një të sharë: "Ik ore antikushtetues!" Dhe kjo është si të të thonë tradhëtar i Sovranit. Sovranit që jemi ne vetë. Sovranit që flet rrallë e për mall, por kur flet ama të të tërë bëhen sus! Foli Sovrani! E dëgjon këtë fjali të shkurtër dhe të bëhet lëkura si e pulës. Se kështu jemi marrë vesh dhe e kemi shkruar në Kushtetutë. Të nderojmë Sovranin e të dridhemi para tij. Deri sa të bëjmë një marëveshje tjetër, atë që shpreh të vërtetën e sotme me një nen të vetëm:

"Ik o pirdhu me gjithë Sovran!"

Friday 20 September 2013

Dasma

Shtatori është muaji i dasmave. Të paktën për "vendin tënë".

Në shtator janë vjelë thuajse të gjitha dhe në kazane zjehet rakia e re. Bujqit e lodhur nga punët e shumta të pranverës e verës janë gati për të festuar martesat e fëmijëve. E të dëfrejnë një javë të tërë. Shtatori për ne është Vjeshtë e Parë dhe për këtë arsye shkrimtari ynë i madh Is ka shkruar diku "Vjeshta gjethet ju ndron pemëve/ Vjeshta mbiemrat ju ndron vajzave". Is ka shkruar edhe një roman të titulluar "Dasma", por nuk e kam lexuar dhe nuk di çtë them për të. Më ka shpëtuar çuditërisht edhe filmi "Përse bie kjo daulle", i bazuar mbi atë roman. Edhe vetë kandidati i çmimit Nobël e quan gati të pavlerë. E megjithatë, ata që e sulmojnë, ja përmendin herë herë si nën ndikimin e Revolucionit Kulturor kinez. Edhe para disa ditçsh, një gazetë kishte botuar nje shkrim të Martin Camajt të shkruar në kohën e botimit të romanit. (Më shumë se të dëmtonin figurën e Is, me shkrimin e botuar tregonin një nivel jo shumë akademik të Camajt.)

Po le t'ju kthehemi daulleve, currleve e gajdeve dhe mos merremi kot me grindjet që nuk i ndahen letrarëve dhe letërsisë. Se në muajin e dasmave grindjet lihen mënjanë e njerëzit ftojnë për të gëzuar edhe kokëmënjansit e tyre Ka edhe ndonjë qejfmbetje të vogël për vendin e caktuar në sofër, por më pas vazhdohet me mish të pjekur, raki dhe valle, shumë valle. Kështu e kremtojnë njerëzit tanë përtëritjen e jetës. Mes avujsh alkoli, kartmonedhash të ngjitura me pështymë mbi ballet e sazexhinjve, arturinash ne gushet e grave, këmishë të djersitura burrash, deri sa sipas moshës, dasmorët largohen grupe grupe dhe arrin mëngjesi pasdasmor.

Të gjithë kanë harruar të paktën për një natë krizën!

Një në tre dasmorë ka harruar për një natë, që nuk mund të shkojë në punë.

Një në pesë syresh ka harruar për një natë, që ka për të shlyer paratë që ka në listën e shitësit të ushqimeve.

Rrofshin dasmat!

Cifti të trashëgohet!

Thursday 19 September 2013

9 shtator 1943


9 Shtator 1943

 

U kujtova dhjetë ditë me vonesë të shkruaja për një nga ngjarjet më tragjike të qytetit tim.

70 vjet më parë, të nesërmen e shpalljes nga Aleatët të kapitullimit të Italisë Fashiste, në sheshin para Luftëtarit Kombëtar, u vranë 59 demonstrues paqësorë dhe u plagosën mbi 100 të tjerë. Kishin dalë të festonin përfundimin e pushtimit të huaj që zgjaste prej mëse 4 vitesh, që kishte sjellë shumë më shumë të këqia se të mira, mbi të gjitha vrasjen e qindra njerëzve të pafajshëm. Kryesisht të rinj e fëmijë, gra e të moshuar, të organizuar nga Këshilli Nac-Clirimtar i qarkut, ose më mirë thënë, nga drejtuesit komunistë, që vepronin në qytet. U mbajtën disa fjalime entuziaste dhe kur masa e njerëzve do zbriste poshtë bulevardit, drejt Bashkisë (sot Pallati i Kulturës), nga rruga që vjen prej shkollës Th. Gërmenji, u shfaq një autoblindë italiane e cila mitraloi pa paralajmërim mbi turmën. Ata që kanë përjetuar atë masakër, kanë përshkruar ato minuta tmerri, ku njerëzit kositeshin, vraponin për të shpëtuar, shtyheshin, shkelnin mbi njëri tjetrin, deri sa të shtënat mbaruan dhe filloi tmerri tjetër i të qarave mbi turpat e plagosur apo ato pa jetë.

Jo vetëm në Shqipëri, që nuk ka ngjarje të ngjashme, por as në vendet ballkanike. Nga numuri i të vrarëve në një demonstrim paqësor, ajo mbetet në më të mëdhatë e Luftës së Dytë Botërore.

Por jo vetëm sot, që rrallë e përmend kush, por edhe kur ishim fëmijë, e nuk mbetej episod i vogël i Luftës pa u kujtuar me fanfara, për të flitej pak. Kishte zëra, që për lënien në heshtje, përmendin faktin, që Demonstrata ishte organizuar pa u marrë miratimi i Shtabit të Përgjithshëm dhe për të më vonë ishin kritikuar organizatorët. Gjatë viteve të fundit, kam dëgjuar të tjera teori "komplotiste". "Askush nuk pa dhe nuk i zuri ata që ishin brenda autoblindës, e cila mund të ketë qënë e vjedhur dhe e përdorur nga shqiptarë, sepse në dokumentat e ushtrisë italiane nuk figuron urdhër i dhënë për daljen e saj dhe vrasjen e njerëzve!!" Unë nuk ju ze besë teorive komplotiste, sepse ka një fakt, që më 9 shtator, Badolio ende nuk kishte dërguar urdhrin e kapitullimit në komandat  brenda e jashtë Italisë. Aleatët e kishin shpallur marëveshjen e firmuar pa vënë në dijeni pakën italiane. Pra komanda italiane në Korçë mund të ketë vepruar me logjikën e luftës, ose më mirë me katillëkun e atij që po shkon drejt humbjes. E megjithatë, heshtja e komunistëve pas ardhjes në pushtet dhe moszbardja e plotë e ngjarjes, duke përfshirë emrat e atyre që urdhëruan dhe ekzekutuesve le vend për të krijuar lloj lloj teorish.

Të vrarët e 9 shtatorit, kanë 70 vjet që janë larguar nga kjo botë. Të pakët mund të jenë edhe ata, që u plagosën atë ditë. Jetojnë ende familjarët e tyre, që jo vetëm nuk dinë saktësisht se çka ndodhur, por nuk kanë as edhe një memorial të saktë, ku të shkojnë e të venë lule a të ndezin qirinj për të dashurit e tyre. Më kanë thënë që në sheshin dikur të lagur nga gjaku i tyre është ngritur një shatërvan jo për tu pasur zili dhe çdo natë këndohen serenata ordinere.

Të paktën një ditë në vit të këndohet një "Ave Maria" për shpirtrat e tyre!

Për të mos harruar!

 

Ne cilin rreth te Ferrit shkojne?


Mëkati i Hajnave.

 

Ndoshta sepse ishte porosia e tetë, që i dha Zoti dhe ishte i lodhur, apo se kur ja u spjegonte turmave Moisiut i ishte mbajtur goja më shumë se zakonisht, mëkati i Hajnisë mbete më i përhapuri në botë. Po e quaj mëkati i Hajnisë dhe jo i Vjedhjes apo Hajdutllëkut se tingëllon më poetik në shqip dhe fyej më pak vjedhësit dhe hajdutët duke i quajtur hajna. (Duket gati sikur flasim për Hyjninë).

Po çke me hajnat? -mund të më pyesni. Për ta ka kode penale që i ndëshkojnë në bazë të rrezikshmërisë së krimit, violencës, shkallës së organizimit, përsëritjes etj., etj. dhe i transferon për një kohë të caktuar në vende riedukimi.

Unë vërtet nuk kam ndonjë gjë me hajnat. Bile kam simpati për ata që vjedhin me finesë bankat. Jo dhe aq për xhepistët se më duken si perversë.

Veç nuk duroj dot Hajnat që hiqen për burra shteti!

Mbrëmë pashë në dy vende të ndryshme dy episode që kanë të bëjnë me këtët dukuri.

Një Hajn i dënuar, që sulmonte gjykatat se për të njollosur figurën e tij prej "statisti" e dënonin edhe pse i pafajshëm dhe një grup tjetër Hajnash, që rivarrosnin si Hero një shok të bandës së tyre. Ndaj i shkrojta këto dy rrjeshta.

Dhe ja hodha fajin Moisiut!

Wednesday 18 September 2013

Nje vjershe e hershme e Andon Mares.

Mes pak krijimeve te hershme te mbetura ende ne shtepi, eshte edhe nje vjershe e vitit 1940, qe duhet te jete mes perpjekjeve te para te babajt per te krijuar ne shqip. Deri ne ate kohe shkruante vetem ne greqisht, e cila ishte gjuha qe njihte me mire nga koha e Stambollit. Edhe pse vjersha eshte e thjeshte dhe me gabime gjuhesore (po e ve si eshte ne origjinal), me ben pershtypje qe vetem ne dy vjet e gjysem te mesimeve ne Liceun francez, ishte ne gjendje te shkruante ne nje gjuhe, te cilen edhe pse e kuptonte para se te kthehej ne Shqiperi, nuk e shkruante dhe lexonte. (Fakti qe shqipen nuk e zoteronte, deshmohet edhe ne deftesat e Liceut, ku nota ne Gjuhen Shqipe eshte me e ulta.) Vjersha ka nje titull qe sot tingellon pak qesharak, por ma mer mendja se ne ate kohe "harabeli" si fjale nuk njihej as nga shume te tjere ne Korce. Ndjehet ne t enje lloj ndikimi iLasgushit. Me poshte eshte ky krijim nder te paret ne shqip I tetembedhjet vjecarit Andon Mara.


SHTATE RABECKAT

 

Shtat’ rabecka kan’qëndruar
Mbi dy degë krejt të çveshur
E ja marrin bukur,shtruar
Asaj Këngë dyke qeshur.

 Hop,hop,hop shiko si hidhen
Maj mbi maj të drurit thatë
Edhe zemërsat ju dridhen
Nga një zhurmë,një shamatë.

 Që të shtatë jan’ rradhitur
Njëri posht e tjetri lart
Dyke bër një shkall të ngritur
Me kaq mjeshtëri e art.

Rreth e rrotull mbi dëborë
Rrinë pemës dimërore
Edhe thurrin një kurorë
Për një krye vashërore.

E buçasin,e këmbojnë,
E ia thone pa të prerë,
Herë vijnë,herë shkojnë
Me një gas që s’është ndjerë.

Edhe zemra ime e ngratë,
Dyke humbur në vegime,
Ka zili zogjtë e shtatë
Që po dehen në gëzime.

Dhe rrëmbehet prej një fryme
Plot hare të shenjtëruar,
Që lartohet nëpër tyme,
Të temjanit t’amëshuar.

Po kur zogthet n’hapësirë,
Muarnë rrugën e panjohur
Edhe zemra ime e nxirë
Humbi flagën q’e kish ngrohur.

 
                       E premte 6.03.1940

Sunday 15 September 2013

A duhet te jemi Minimaliste? (vijon Optimumisti)


"Optimumisti" i sotëm mund të jetë i diplomuar, mund të jetë pronar i një biznesi edhe pa bërë studime të larta. Edhe për të filozofia e jetës është gara për të arritur suksesin. Por në dallim nga Maksimalisti, heroi i kësaj pjese të dytë të shënimit, kërkon të jetë sa më racional në mënyrën se si i harxhon burimet e tij financiare apo edhe energjitë e tij fizike e mendore. Ai kërkon të arrijë maksimumin e mundshëm me minimumin e harxhit(Ju mund të thoni që në natyrë nuk ekziston një gjë e tillë, por ekziston në shoqërinë njerëzore, e cila nuk i nënshtrohet 100% ligjeve të Natyrës.) Nga natyra, Optimumisti nuk është revolucionar, por edhe konsevator nuk mund ta quajmë. Ai nuk do të rrezikojë mirëqënien e tij për asgjë në botë, por pak i bëhet vonë nëse "efekti serë" është në rritje apo nëse shpenzimet për armatimet në botë rriten. Bile, nëse ka para për të investuar në bursë mund të blejë aksione të kompanive që prodhojnë materiale luftarake pa brejtje në ndërgjegje. "Paratë nuk mbajnë erë." -është shprehje e tij e preferuar. Për të familja është gjëja më e shenjtë dhe sidomos mirëqënia e saj, që duhet arritur me sa më pak mund, duke bërë kompromise të çdo lloji dhe duke ndjekur me vëmendje korrentet ekonomike, politike dhe administrative.

Optimumisti edhe mund të ndjekë një karrierë profesionale dhe politike, por e bën në mënyrë të kujdesshme, pa u ngutur, pa dashur "të shkelë në dërrasë të kalbur".

Optimumisti jeton në një banesë komode dhe zakonisht ka edhe nje shtëpizë pushimi. Nuk është i prirur të tradhëtojë bashkëshortin/en, por nëse mund ta bëjë pa u ndjerë dhe me pak shpenzime, nuk heziton. Lexon mbi të gjitha gazetat dhe revistat duke dashur të jetë i informuar rreth çdo gjëje që ndodh në jetën e përditshme e që mund të ndikojë drejtpërsëdrejti në mirëqënien e familjes së tij. I përdor me kujdes burimet energjitike dhe natyrore, por jo se merakoset shumë për brezat e ardhshëm, por se do të jetë sa më racional në shpenzimet mujore. Kur fle hoteleve i hap të gjitha dritat dhe i le hapur rubinetat e ujit e dushit, për të shfrytëzuar në maksimum paratë që ka paguar. Eshtë kureshtar për teknologjitë më të fundit, sidomos ato që lidhen me objektet për përdorim të përditshëm. Zakonisht ka hobi gjuetinë dhe peshkimin.

Ku endemi?

Ky blog u nis si një lloj bisede me miqtë e mij më të afërt, të cilët jetojnë larg dhe i takoj shumë rrallë. Më shumë se për çdo gjë tjetër dua të flas me ta për botën ku jetojmë, e cila ka filluar nga sheshi pas pallatit të "Bar-Korçës" dhe më vonë është hapur rrugicave me kalldrëm të qytetit të lindjes e ka vazhduar rrugëve të ngushta të Shqipërisë e deri në autostradat e Kontinentit të Ri.

Si çdo njeri kam dashur të kuptoj se si është bota, në të cilën jetoj dhe sidomos ato pjesë të saj në të cilat kam q[n[ apo jam fizikisht. Ndonjëherë më duket e pamundur, jo thjesht se informacioni është tepër i gjërë dhe truri i im i paaftë për ta përpunuar e për të nxjerrë përfundime pranë të vërtetës, por edhe pse shpesh dëshmitë rreth ngjarjeve, dukurive apo njerëzve shpesh janë të kundërta ose të deformuara. A ndodh kjo thjesht se gënjehet dhe dizinformohet apo se perceptimi i gjërave, sidomos atyre shoqërore, varet nga këndvështrimi? Mbase të dyja bashkë.

Unë dhe bashkëmoshatarët e mij u rritëm në një pjesë të vogël të botës, ku gënjeshtra ishte e përditshme, e plotë, e gjithësishme. Gënjehej nga frika, nga padija, nga deliri, nga qëllimet e zeza bile edhe nga dashamirësia. Kështu që perceptimi jo vetëm për atë që nuk e preknim ishte i gënjeshtërt, por edhe për të që e kishim të shpalosur para shqisave tona ishte i tërësisht i deformuar. Edhe pse kuptonim që kishte gjëra që mund të thuheshin edhe në praninë e njerëzve që nuk bënin pjesë në rrethin tënd të ngushtë, po aq sa kishte edhe gjëra që mund të thuheshin vetëm në shtëpi ose me shokët e ngushtë, bile edhe të tilla që edhe kur kalonin vetëtimthi në mendje nuk duheshin nxjerrë nga goja, për një gjë ishim të sigurt deri n[ adoleshenc[, që jetonim në një vend të lumtur, të udhëhequr nga një njeri i jashtëzakonshëm dhe ishim të rrethuar nga armiq.

Me kalimin e viteve dhe përmbysjen e "të vërtetave" të patundura, mu shtua kureshtja por edhe dyshimi rreth atyre që thuhen rreth botës së sotme apo të së kaluarës, të cilën e kam prekur. Nuk dua të ndjehem i rigënjyer, për gjëra që i kam parë ose i shoh sot. Dua të kuptoj se "Ku endemi?".

A ka ndonjë dobi?

Për mua - PO.

 

Saturday 14 September 2013

A ka rreziqe imininente ne Ballkan?


Dy vjet më parë, i shqetësuar nga kriza ekonomike dhe gjallërimi i nacionalizmit ekstrem në disa nga vendet ballkanike, shkrojta shënimin "10 vitet e ardhme të Ballkanit". Ende është i postuar në blog.

Shkaqet që më bënin të mendoja, se në vendet ballkanike do ketë turbullira jo vetëm lokale por edhe rajonale në dhjetëvjeçarin që vjen mbeten të pandryshuar, bile të keqësuara pas dy vjetësh.

·        Papunësia. Në të gjitha vendet ballkanike ka një rritje të papunësisë. Duke filluar me mbi 45% të Bosnjës e Kosovës, mbi 30% të Maqedonisë e Shqipërisë(burimet e huaja nuk pranojnë më shifrën zyrtare prej 13% të Shqipërisë) e duke e mbyllur me 26% të Serbisë e Greqisë.

·        Borxhi publik. Nga 160% e GDP-së tek Greqia e thuajse mbi 60% të GDP në të gjitha vendet e tjera, përbën një rrezik të përhershëm për përplasje sociale, për shkak të mosngritjes së pensioneve, shkurtimeve në arsim dhe shëndetsi dhe shërbime të tjera publike.

·        Korrupsioni. Të gjithë vëzhguesit e huaj bashkohen në mendimin se korrupsioni pas krizës së vitit 2008 ka ardhur duke u rritur. Edhe pse nuk ka tregues të saktë me të cilët korrupsioni mund të matet, të gjithë popujt ballkanikë e perceptojnë të rritur me sllovenët në nivelin më të ulët e malazezët e shqiptarët në atë më të lartin.

·        Problemet ndëretnike. Mbeten tradicionalet pa patur ndonjë ashpërsim që vlen për të shënuar.

·        Krimi i organizuar. Në rritje dhe gjithnjë e më tepër i gërshetuar me pushtetet, sidomos ato qëndroret.

E megjithatë, duke i shtuar edhe pesimizmin me të cilin ballkanasit e shohin të ardhmen familjeve dhe vendeve të tyre, në vendet Ballkanike nuk ka turbullira. Edhe partitë nacionaliste ekstreme nuk kanë ndonjë rritje në mbështetjen e tyre në popullsi gjatë viteve të fundit.

Në çdo rajon tjetër të Europës tregues të tillë do ishin një recetë e përkryer për përplasje shoqërore apo ndëretnike. Por në Ballkan kjo nuk po ndodh. A vjen kjo se popujt e ish Jugosllavisë janë të lemerisur nga luftrat dhe gjithashtu shqiptarët e Shqipërisë nuk kanë harruar ende tmerret e vitit 1997? Edhe mundet.

Si për ironi të fatit, studiuesit europianë nënvizojnë se mungesa e turbullirave lidhet me prapambetjen e vendeve ballkanike! Pra le të themi që prapambetja e viteve nën Perandorinë Otomane dhe më pas nën regjimet komuniste qënka edhe ajo që na shpëton!

Eshtë e vërtetë që mungesa e sindikatave apo organizimeve të tjera të ngjashme bën që të mos ketë demonstrime të vazhdueshme anti-qeveritare, qofshin edhe paqësore. Por deri kur do mbajë kjo? Apo do shkojë gjendja deri pranë "pikës së vlimit" e më pas do shpërthejë në drejtime të paparashikuara?

Edhe këtu,  sipas vëzhguesve europianë, na vjen në ndihmë një cilësi e trashëguar nga shekujt e fundit. Apatia dhe mosangazhimi shoqëror. Kjo cilësi dominon në të gjitha vendet Ballkanike, përjashtuar  Greqinë.

Atëhere le të përsëritim pyetjen e vënë në titull. A ka rreziqe iminente?

Duket që jo.

Edhe për disa vite të tjera do vazhdojë e njëjta gjendje e mjerë ekonomike, me papunësi të lartë dhe me një të pestën e popullsisë nën nivelin e varfërisë dhe gradualisht(ose më mirë shumë gradualisht) shtresat më të prekura të shoqërisë do fillojnë të solidarizohen e të bëjnë përpjekje për ndryshim. Në të njëjtën kohë, familjet e pasura e të pushtetshme(kupolat) do jenë në gjendje të frenojnë lëvizjet ekstremiste të djathta, që mund t'ju hapin avaze në ndryshimin e kësaj gjendje të amullt.

Tani për tani le të brohorasim:

Rroftë apatia!

Thursday 12 September 2013

Shtojce mbi Ligavecin Gollash

https://www.youtube.com/watch?v=nLo-VTs2XJg

 
SHTOJCE NDERKOMBETARE NE ESSE PER LIGAVECIN GOLLASH

 

 

Ka disa muaj që më shfaqet  në ekranin e TV një personazh, që më kujton diçka të shkruar dy vjet më parë. Eshtë një avokat i shquar italian, bile edhe senator i quajtur Mavala Ghedini. Eshtë avokati i Berluskonit dhe si i tillë gëzon edhe të gjithë të mirat e tjera, që vijnë duke ndenjur pranë e shërbyer të fuqishmëve. Del shpesh në tv jo sepse është natyrë që kërkon publicitet (ligavecët jetojnë më mirë në hije), por për shkak të gjyqeve të shumta të Berlut dhe nevojës për ta mbrojtur Zotin e vet edhe jashtë sallave të gjyqit

Meqënëse kalibri i Ghedinit nuk është i njëjtë me atë të ligavecëve Papa, Gjinko dhe Melka, edhe pse i përkasin të njëjtës familje, thashë të kërkoja më thellë se ç'është Ligaveci Gollash.

Del që Gollashi nuk qënka dhe aq i parrezikshëm dhe aq Butak sa kujtoja. Për të mbijetuar nuk ha vetëm gjethe e bimë të tharra, por edhe krimba të ngordhur. Bile më keq akoma, edhe Gollashë të tjerë të ngordhur. Një kanibal i vërtetë, me atë pamje aq të butë e gati të pafajshme. Dhe me antenat sy. Gati njëlloj si Ghedini. Ghedini mund të gëlltitë këdo që prek interesat e Bosit të tij, që automatikisht janë interesat e tij. Veç të jenë të ngordhur. Në këtë pikë, Ligaveci Gollash është më burracak, por edhe më racional se pleshtat, taratabiqët, akrepat e të tjerë parazitë dhe grabitqarë, që sulmojnë qëniet e gjalla. Eshtë në përputhje të plotë jo vetëm me ligjin, por edhe lëvizjet bashkëkohore ekologjike. Ai nuk kryen krime (sepse dënohen), por ha të vdekur qofshin bimë apo kafshë.

Edhe jarga e argjendtë e Ligavecit, që shihet shpesh në cepin e buzës së Ghedinit, nuk është gjë tjetër veç një mjet mbrojtës për të rrëshqitur sqepave të zogjve, armiqve të tij të përhershëm. Rrëshqet si ngjala Ligaveci ynë gollash, duke gërmuar në shkrimet e ligjeve e rregulloreve, duke mbajtur të fshehta të gjitha paudhësitë e dëgjuara dhe duke pëshpëritur në veshin e të Zotit, këshilla se si mund t'i shmanget Ligjit.

Moderni dhe i pështiri Ligavec Gollash!

 

Wednesday 11 September 2013

Moralistet e K....!


Ishte një nga thirrjet e djeshme në Parlamentin italian (krahas të sharave nga nënat e motrat), drejtuar një deputeti të Bepe Grillos, i cili i kërkonte Kryetares së Parlamentit, që të nxirrte jashtë tij hajdutët.

Edhe pse nuk më bën shumë përshtypje sharja apo rrahja e deputetëve, e cila ndodh shpesh në vendet e ish-Lindjes, në ato të Mesdheut e të Azisë, më ra në sy thirrja "Moralisti di cazzo!". Dilte nga shpirti i një përfaqësuesi të popullit, i cili nuk mund t'i thotë tjetrit "Hajdut je vetë!" ose "Io sono un Ladro ma tu sei un Cazzo!"(që është ajo çka vërtet mendon), por mundohet ta fyejë duke i quajtur atë dhe shokët e tij "moralistë" dhe duke i shtuar edhe organin gjenital mashkullor nga pas (ai femëror është monopol i PDL).

I gjithë ky shpërthim, lidhet disi edhe me një lloj sinqeriteti , që ende ekziston në kulturat e vendeve më të prapambetura. Në këto vende (ku hyn sigurisht edhe Mëmëdheu jonë), njerëzit që merren me politikë ende nuk kanë përsosur demagogjinë dhe hipokrizinë si politikanët e vendeve anglo-saksone. Në parlamentet e këtyre vendeve do dukej absurde përdorimi i "You... the fucken moralists!" Të bërit moral në këto kuvende burrash e grash është pjesë e pandarë e retorikës së tyre. Eshtë pak a shumë ajo që quhet të "flasësh politikisht korrekt".

Po pse ndodh kjo në vendet e Mesdheut? Eshtë thjesht ç'ështje kulture?

Veç faktit që në parlamentet e vendeve të Mesdheut ka një përbërje më të lartë njerëzish ordinerë dhe të përzjerë në afera kriminale, ekziston një lloj paprekshmërie e politikanëve, sidomos atyre që janë të afërt me udhëheqësit e Partive. Pak rrezikohen se nuk do jenë deputetë në legjislaturat e ardhme, sepse në shumë vende të qënit deputet varet nga lista e partisë. Në anën tjetër edhe sistemi juridik i këtyre vendeve është shumë më i dobët se ai anglo-sakson. Një tjetër arsye mund të jetë edhe ajo çka është "politikisht korrekt" në kafenetë e trotuareve Mesdhetare. Nëse në to mbizotëron morali "Djal i qut filan deputet. Osht bo rehat!"  apo "Meno male che ce Silvio!" apo "Andrea (Papandreu) ishte trim! Na bëri me para!", atëhere morali i përfaqësuesve është morali i pjesës më të madhe të popullit.

Në këtë rast nuk më mbetet gjë tjetër veç të ndjek këshillën e një shoku tim në Mesdhe, që më sugjeron "sa humbet kohën duke shkruar, më mirë shko dhe pi ndonjë gotë birrë", ose t'i kthehem vetes e t'i thërras:

"Ik o Moralist i K....!"

(Para se ta bëjë dikush tjetër, që i lexon këto rrjeshta.)

Ene bronxi


Ne mbushim hapësirën

Dhe jetët tona

Me një balsam të vjetër,

Nën tuma fisesh zbuluar.

Ti mendoje se doje një tjetër,

Unë të kujtoja të larguar.

 

Dhe aq i çuditshëm

Lëngu çudibërës,

I rrjedhur skeletësh

E në të bronxët enë mbledhur

Duket se njihemi prej jetësh

Cartim si dy të rrjedhur.

 

Sa shumë dashuri u fsheh

Në indet e të parëve tanë.

Ndjenin,

            Ndrydhnin,

                        Ndernin

Dhe flijonin në të marrëzisë altar

Udhët dhe ujrat mernin

Deri sa fundi i mblidhte

Në të përbashkët varr.

 

E toka që çdo gjë tret,

Eshtrat,

            Armët,

                        Papirusët

                                    Stolitë

Nuk e bëri dot të vetën

Tek ne të dy e solli një ditë.

 

E si të dehur prej joneve që nuk zhduken

Qeshim,

            Qortohemi,

                        Qajmë,

E puthemi sërish,

E pijmë nga balsami i vjetër

I mbledhur miriada dashurish.

Tuesday 10 September 2013

Deshtimi i Obamas

Dështimi i plotë i Obamës

 

Edhe pse po pres të dëgjoj fjalën e Obamës mbi Sirinë, nuk besoj më në ato q[ thot[. Eshtë zhgënjimi më i madh që kam patur nga një politikan në 25 vjetët e fundit. Sigurisht nuk do jetë edhe zhgënjimi i fundit, sepse qënka në natyrën e njeriut të besojë në mrekullitë edhe pse vijnë nga gojët e avokatëve, që merren me politikë.

Obama jo vetëm që nuk solli Ndryshimin e premtuar në Uashington, por për fat të keq edhe ndryshimet që dukesj se do ishin gati të sigurta në politikën e jashtme nuk ndodhën.

Dështimi i parë dhe më i madhi ishte në raportet me Uollstritin, ose më mirë çfarë Obama premtoi gjatë fushatës të vitit 2008 se do ndryshonte në ligjet mbi gjigandët financiarë, që sollën krizën e atyre viteve. Edhe pse në grupin e këshilltarëve ekonomikë ishin Leri Sandërs dhe Tim Gartnër dhe nga Banka Federale nuk u hoq Leo Bernaki, të gjithë përgjegjës për liberalizimet në ligjet rreth veprimtarive të bankave dhe kompanive të sigurimeve, që ishin shkaktaret e kolapsit financiar, mendohej se diçka do ndryshohej, për të parandaluar ndodhi të ngjashme në të ardhmen. Asgjë. Rreziku i flluskave të tjera në ekonomi e financa mbetet i pandryshuar. Edhe nëse ndodh përsëri nuk do jenë bankat e kompanitë e sigurimeve që do humbin, por investitorët e vegjël dhe njerëzit e zakonshëm.

Dështimi i dytë, jo dhe aq i rëndësishëm, ishte premtimi  i mbylljes së burgut të terroristëve në bazën e Guantanamos. Edhe sot dhe deri në fund të mandatit të dytë nuk do mbyllet.

Dështimi i tretë lidhet me forcimin e ligjeve për mbajtjen e armëve. Edhe pse kishte premtuar në fushatën e 2008, Obama nuk e preku këtë temë të nxehtë për shoqërinë amerikane gjatë fushatës të 2012. Edhe projektligjet e nisura nga Shtëpia e Bardhë rreth kufizimeve për armët luftarake, nuk u shqyrtua në Senat se nuk kishte as mbështetjen e të gjithë demokratëve.

Dështimi i katërt, ka të bëjë me "të drejtën e informimit" dhe me"sekretnxjerrësit" Mening dhe Snouden. Të dy janë përndjekur nga administrata amerikane, me të njëjtin zell që u përndoq Daniel Ellsberg i "Letrave të Pentagonit" nga administrata e Niksonit.

Dështimi i pestë i madh, është ai që mban emrin Irak- Afganistan- Libi - Egjipt - Siri. Edhe pse nuk është autori i ndërhyrjes në dy vendet e para, Obama ka përgjegjësinë e tij për gjendjen tmerrësisht të keqe në të dy vendet sot. E njëjta gjë mund të thuhet për gjendjen në të tre vendet e tjera, ku si pasojë edhe e politikave të paqarta dhe me dy standarte të administratës së Obamës, ndodhen sot në gjendje lufte apo kaosi që mund të sjellë dita ditës luftra civile.

A pata shumë iluzione më 2008 për Presidentin Obama?

Përgjigja është - PO

Dhe jo vetëm unë.

Thenie te Comskit (vijim)


  • Shtetet e Bashkuara ndryshojnë nga demokracitë e tjera industriale(të zhvilluara-nm) nga pandryshueshmëria e sitemit të kontrollit ideologjik - "indoktrinim" mund ta quajmë - që ushtrohet nëpërmjet medias.
  • Ka dy probleme të mëdha për mbijetesën e njeriut - lufta bërthamore dhe shkatërrimi i mjedisit - dhe ne po shkojmë drejt të dyjave. Duke qënë të ndërgjegjshëm.
  • Sot është e vështirë të kontrollosh me dhunë popullin, por mund t'a mashtrosh me konsumin.
  • Nëse ju mëson të tjerëve atë që ju ke mësuar pesë vjet më parë do të thotë që ose ke vdekur, ose ka vdekur fusha jote e studimit.
  • Stabilitet do të thotë kur Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara pushtojnë një vend dhe i imponojnë një formë regjimi që ju pëlqen atyre.
  • Interneti mund të bëjë në një hap para drejt arsimimit, organizimit dhe pjesëmarjes në një shoqëri të shëndetshme e kuptimplotë.
  • Anti-Amerikanizmi është një koncept i pastër totalitar. Thjesht si nocion është idiot.
  • Kur Britania dhe Amerika pushtuan Irakun dihej që rreziku i terrorizmit do shtohej sikundër u shtua.
  • Ne mund të jemi të sigurt, që ose do ekzistojë një botë pa luftra ose nuk do ketë botë - ose shumë shumë do jetë një tokë e jetuar nga bakteret dhe buburrecët si dhe ca lloje të tjera qëniesh.
  • Unë jam kundër përqëndrimit të kontrollit qeverisës kudo.

Saturday 7 September 2013

Do me kujtosh.


Do më kujtosh;

Sepse me furi hyra në festën e shtruar

Dhe çorra muret e kujtesës

I paftuar,

I padashur nga askush,

As nga ti.

Që zënë nën peshën e besës

Belbëzove:

          "Nuk e di..."

E unë të shihja ngultas

Me sytë, që flakërronin nga ethja e marrë

E jo nga dashuria.

Betohesha ëndrrash të kisha parë,

Në gjelbërime fushash,

          Vesë mëngjezesh

                    Në harlisje gëmushash.

E ndonëse s'më zure besë

Pranove edhe ti të shkoje shaluar,

Mbi atë hamshor të bardhë e fluturak

Të më falje buzë e duar,

Të kapërxeje dhe të fundit prag.

Ti,

Prej rruzullit tënd të largët

Ku tjetër gjuhë flasin të afërmit e tu,

Erdhe,

Në botën time jo të rrumbullt,

E gjunjë e bryje ndrydhe,

Thepave të mendjes së turbullt

E mbete sërish këtu.

Prej ku unë kam ikur,

Në hapësirën që gjithnjë ishte bosh,

E ti e vetme,

          Lëkurë zbehur,

                    Fytyrëligur,

Dhe pa më dashur,

S'do më harrosh.