Saturday 25 April 2015

Vetmia (Vargjet e kenges te Christine Perry)

Dy pas mesnate.
Nga t’ja nis?
Lotët më rrëshkasin në faqe,
Heshtja e thellë e Vetmisë,
Më ndjek, nuk më le në paqe.

Jam fantazma e vajzës,
Që aq mirë e njihja.
Nga dëshirat e vajzërisë sime
Ka mbetur veç hija.

Kërcej ngadalë në këtë dhomë të zbrazët,
Mundet Vetmija vendin tënd të marrë?
I këndoj shpirtit një nina nana të qetë
Të lashë të shkoje,
Tani në zemër trishtim ka vetëm.

Jam e trembur të shkoj brenda,
Nga frika e një nate pa ëndrra.
Vetmija do më mbajë të mpitë
Vonë, deri sa gjumi të më kapitë.

Jam fantazma e vajzës,
Që aq mirë e njihja.
Nga dëshirat e vajzërisë sime
Ka mbetur veç hija.

Kërcej ngadalë në këtë dhomë të zbrazët,
Mundet Vetmija vendin tënd të marrë?
I këndoj shpirtit një nina nana të qetë
Të lashë të shkoje,
Tani në zemër trishtim ka vetëm.

Copra të thyera të një historie pafrymë
Ku dikur kishte dashuri
Ndërsa tani jam vetëm unë
Dhe kjo e mallkuar vetmi.

Kërcej ngadalë në këtë dhomë të zbrazët,
Mundet Vetmija vendin tënd të marrë?
I këndoj shpirtit një nina nana të qetë
Të lashë të shkoje,
Tani në zemër trishtim ka vetëm.


Coroditje II

Duket se gjithshka është çuditërisht e çoroditur.
Njeriu më i mençur dhe më i drejtë është edhe më i qeti në indinjimin e tij. Quhet Noam Chomsky.
A thua “përditë sheh qartë e ma qartë, e vuan thellë e ma thellë“? Apo iluminimi i pakufi i sjell edhe qetësinë?
Dronat vrasin robër amerikanë, që janë kapur nga afganët për t’i shitur në ISIS dhe për të cilët ishin porositur edhe veshje portokalli, që ja u veshin para kokëprerjes.
Një milioner 72 vjeçar, që do të jetë polic vullnetar në kohën e lirë dhe për këtë shpenzon mijra dollarë, në një aksion ku nuk duhet të jetë, vret një zezak, duke ngatërruar pistoletën për “teaser”. Një I bardhë 35 vjeçar, që nuk di të lexojë, thotë “mirë bëri, që e vrau”, ndërsa gjykatësi(po i bardhë) e lejon të shkojë me pushime në Bahama për një muaj.
DOW JONES ka arritur shifra të pakrahasueshme, por shumica e njerëzve jetojnë më keq se 20 vite më parë.
Pas vitit të prapanicave, duket se po ju vjen më në fund rradha organeve gjenitale të ekspozohen në stil të gjerë nga VIP-at. Në gazetarinë shqiptare, të dyja quhen “zogu”. Duket se kemi për të mbetur përfundimisht Republikë.
Në Strabucks, një kafe “tall” është rrumbullak 2 dollarë.

I rrumbullt është Globi në udhëtimin e tij të paçoroditur.

Friday 24 April 2015

Coroditje

Diçka është cuditërisht e çoroditur.
Më e mundshme - mendja ime.
Se bota (dhe sidomos ajo shqiptare) nuk mund të jetë tmerrësisht kokëposhtë dhe njëkohësisht e kithtë, sikundër më duket mua këto ditë, që kam hedhur disa sekonda sytë në titujt e lajmeve.
Nuk kuptohet nëse sulmojnë Janullatosin, që nuk masturbon por na henelizon; nëse mbrojnë një gazetar që kishte përdorur pallën pa kriter; nëse mbajnë fjalime në funerale për ata, të cilët nuk kanë vdekur, se s’mund të vdesin pa lindur; nëse njerëz, që akuzohen për inçeste dhe vjedhje, janë më të rrezikshëm se ata, që akuzohen për vrasje dhe homoseksualizëm; nëse të pasurit nuk duan që të ikin nga vedi të varfërit, se pataj nuk kanë se kë të venë në punë ndërsa zdërhallen kafeneve; nëse është më mirë të jesh një putanë me SIDA, se sa në putanë në politikë dhe që infekton me gojë; nëse ata që drejtojnë krimin nga burgjet janë më të fuqishëm se ata që drejtojnë krimin nga zyrat; nëse statistikat e Zaloshnjës janë më të pavlefshme se statistikat e INSTAT-it.
Seks, krime dhe para. Pothuajse aspak rock n roll. Mbase shumë tallava dhe kanabis për qëllime mjekësore.
E megjithatë rrotullohet.

Shqipëria mbetet në brigjet e Adriatikut.

Tuesday 14 April 2015

Te gjithe kundër Janullatosit

Politikanë, veprimtarë, atdhetarë, fetarë, jofetarë, ateistë, shkrimtarë, priftërinj, hoxhallarë, gazetarë, barinj me grigja, barinj në pension, të gjithë duket se janë kundër Kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Shqiptare. Më i fundmi, shkrimtari-politikan Ben Blushi, merret me temën “komode” të sulmit ndaj Janullatosit, për të fituar pikë si atdhetar i flakët.
E megjithatë, të kundërshtosh për hir të kundërshtimit nuk ka asnjë kuptim. Por për të pyetur gjërë e gjatë, se përse sulmohet Janullatosi, duhet vrarë cazë mendja dhe ky është një ushtrim jo dhe aq i pabukë. Ndihmon të kuptosh psikologjinë e përgjithshme të popullit tonë të mirë, patriot, punëtor e liridashës.
Më tepër se nga shkrimet kundër Kryepeshkopit, në portalet on-line bie në sy numuri i madh i komenteve, që bëhen kryesisht kundër tij. Pra, një numur jo i vogël shqiptarësh e urrejnë Janullatosin dhe përdorin ndaj tij fjalorin më të ulët.
Të bie në sy kjo skemë e thjeshtë mendimi.
Greqia gjithnjë ka pasur pretendime territorial ndaj Shqipërisë. Kisha Greke gjithmonë ka mbështetur pretendimet territorial greke dhe ka bërë përpjekje të quajë ortodoksët shqiptarë si grekë. Si rrjedhim, një fetar i lartë me origjinë greke, nuk mund të ketë asnjë qëllim tjetër në ardhjen në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare, përveç se të vazhdojë të mbështesë politikën shoviniste të vendit të tij!
Duket shumë e thjeshtë dhe e logjikshme.
Por sipas një logjike, që ka bazë edukimin ateist të shoqërisë shqiptare. Që e sheh Fenë si të keqen më të madhe, që i kanoset një populli.
Nuk dëgjon kurrë të flitet për Bankat Greke, që zotërojnë një pjesë të madhe të tregut bankar shqiptar dhe as për kompanitë greke, të cilat kanë pasur shumë eskluzivitete në biznesin në Shqipëri. Ato nuk kanë se ç’na bëjnë!
E keqja na vjen se Janullatosi nuk e mban shqip fjalën e tij në meshën e Pashkës!
Po të isha i pranishëm në atë meshë dhe fjala të mos përkthehej nga dikush tjetër, them se do ndjehesha jo mirë edhe pse në dallim nga Blushi, kur shkoj në Kishë në rastet e festive të rëndësishme fetare nuk shkoj për të kuptuar a për të hyrë thellë mistereve të dogmës fetare. Ka të tjera burime , ku mund të gjesh përgjigje për pyetjet themelore rreth Zotit dhe Gjithësisë.
E megjithatë edhe në rast se fjala nuk përcillej e përkthyer, do e quaja një ‘handicap’ të Hirësisë tashmë 86 vjeçar dhe jo përpjekje të tij për të më helenizuar mua dhe të tjerët. Askush nuk niset të mësojë një gjuhë të huaj për të dëgjuar fjalën e një kreu fetar në një festë fetare!
Nuk do më bezdisnin as predikimet në latinisht apo arabisht. Ideja se me gjuhët e huaja apo me fetë e tyre, të huajt mund “të zhbëjnë“ Shqipërinë është jo vetëm e prapambetur por edhe shumë naïve.
Shqipërinë po e zhbëjmë çdo ditë vetë me në krye klasën tonë politike, që ka krijuar një gjendje, që njerzit të largohen çdo ditë e më tepër nga vendi.
Nuk di të ikë ndonjë ortodoks, se kryepeshkopi nuk është shqiptar!
Nuk di as se ikën ndonjë muhamedan, se në ndonjë xhami predikohet islami i ashpër!
Shoqëria shqiptare ka nevojë për një Ringjallje shpirtërore, të cilën nuk mund t’ja japin politikanët e korruptuar(mes të cilëve dhjetra patriotë si Blushi)!
Ringjallja shpirtërore vjen kryesisht nëpërmjet fesë.
Ndaj le t’i lemë njerëzit fetarë të bëjnë punën, të cilës i kanë përkushtuar gjithë jetën e tyre!


Monday 6 April 2015

"E papërmirësueshmja" nga Sharl Bodler

E papërmirësueshmja


A mund ta mposhtim të zvargurën Keqardhje.
Që rri, gjallon dhe përdridhet
Ushqehet me trupin tonë si një larvë,
Siç i grryen krimbi vidhet?
Mund ta mposhtim të pamposhturën Keqardhje?

Në ç’verë, në ç’pije, në cilat eliksire
Mbytet kjo e papërkulur
Shkatërruese, grykëse si një lavire,
Si mizë dheu e ngulur?
Në ç’verë, në ç’pije, në cilat eliksire?

Thoja magjistare e bukur! Thoja nëse e di
Shpirtit nga ankthi mbuluar,
Të cfiliturit nga plagët, i thuaj atij,
Nga potkoj kuajsh shkelmuar
Thoja magjistare e bukur, oh, nëse e di,

Të përgjakurit, që ujkun larg po e grish,
Dhe korbi nga lart e vështron
Ushtarit që shpirt jep! Të ndjehet i trishtë
Nga fati që drejt varrit e çon,
Të gjorin e përgjakur, që ujkun po e grish!

Mund të ndriçohet një qiell i zi, i zhyer?
A mund të çirret errësira
Pa agime, muzgje, plot pikëllim ngërthyer,
Pa yje, pa vetëtima
Mund të ndriçohet një qielli i zi, i zhyer?

Shpresa që rrezaton dritareve të Bujtinës,
U mposht, përjetë e venitur!
Të gjesh natën pa hënë, pa rrezen e dritës,
Martirët e rrugës së nëmur!
I Paudhi dritat ja ka shuar Bujtinës!

Magjistare e bukur të nëmurit a i do?
Të pakthyeshmen a e di?
E njeh ti Keqardhjen, që zemrat na shënjon,
Me shigjeta ngjyer n’helm të zi?
Magjistare e bukur të nëmurit a i do?

E Papërmirësueshmja me dhëmbë e bluan,
Tonin shpirt, këtë idhull mëshire
E grryen, si themelet bien dërmuar,
Nga vite në lagështirë.
E Papërmirësueshmja me dhëmbë bluan.

-Kam parë dikur në një të rëndomtë skenë,
Nën nota të errta violine,
Qellin e ferrit e flakëron një vetëtimë
E çelin të bukur agime.
Kam parë dikur në një të rëndomtë skenë

Një krijesë thjesht dritë, flori dhe mëndafsh,
Që poshtë ve Luçiferrin,
Por shpirti im, që kurrë s’ndjen gëzim dhe afsh,
Eshtë veç një teatër terri,
Që më kotë e ndjek Qënien me krahë mëndafsh!











Sunday 5 April 2015

Vezet


Në fillim ajo iku
Dhe unë prita një të gjatë orë.
Vetë e kishte thurrur folenë,
(A ndoshta me ndihmën e tij?)
Pastaj me kujdes vezët pat lëshuar,
Si kishte bërë një vit më parë,
Kur ende nuk kishin dalë sythet,
Por tokës më nuk kishte borë.
Nuk është makth,
Nga ata që të gëzojnë kur zgjohesh;
Qiellit gri të pranverës së pambritur,
Të tjera klithje dëgjohen,
Por jo të guiturit e saj,
Brenda vezëve presin zogjtë e braktisur,
Unë e pres të kthehet,
Nuk dua të shkrehem në vaj.
Diçka ka ditur,
Që unë nuk e kuptoj,
Por përjetoj me trishtim.
Ndoshta sarkofagut të gëlqertë,
Zogjtë e mitur,
Nuk kishin më jetë,
Nuk mund të ngriheshin kurrë në fluturim.
Dhe ajo iku
Pa vrarë mendjen për dilemat e mija,
Pa më dhënë një shenjë,
Nëse kthehet vitin tjetër.
Ndoshta më kujtoi të jetoj të sotmen,
Si thuhet prej shekujsh,

Në shprehjen e vjetër.

Saturday 4 April 2015

Në "Këngët e pritjes"

Në këngët e mija të pritjes
Nuk flitej për padurimin për të të parë ty,
Për të dëgjuar vetëm një fjalë,
Për të më parë thellë në sy,
Nëse vërtet të prisja,
A sillesha vërdallë,
Në botën ku nuk ishim vetëm ne të dy.

Në këngët e mija të pritjes,
Nuk ishte robërimi im i vullnetshëm,
Për të dëgjuar vetëm një zë,
E gjithë qënia nderet ethshëm,
Dhe sërish hap nuk hedh,
As vendin nuk lë,
Me përkushtim të përjetshëm.

Në këngët e mija të pritjes,
Nuk dija që mund të ishte kaq bukur,
Kur të m’thërriste me emër,
Një dritë në Mirësi përkundur,
Që duke dhënë gjithshka,
Plot gaz të mbush në zemër,

Botën e bën si kurrë s’të është dukur!

Thursday 2 April 2015

Pjese nga "Dicka ndodhi" e Xhozef Heller

Pjesa e meposhteme eshte shkeputur nga kapitulli "Vajza ime nuk eshte e lumtur".

...
Dhe e kapa sërish veten duke u çuditur se ç’dreqin ka një njeri i aftë, i kënduar, mjaft inteligjent, i ndjeshëm, i afrueshëm, nëpunës i sukseshëm i një kompanie të madhe, si puna ime, shëndetplotë ndaj sëmundjeve, provokues në zgjuarsi, ende hamshor dhe tërheqës për shumë zonja të dyshimta të moshës sime, bile edhe më të reja, që është përfshirë në një diskutim kaq të ulët dhe pa rrugëdalje me dy njerëz (fëmijë) si këto: gruan time të cekët, melankolike, pakëz të dehur, vetëmëshiruese (shpesh mundohem të kuptoj se ç’pashë tek ajo shumë vite më parë, që më bëri të mendoj se isha dashuruar dhe doja të kaloja gjithë jetën me të, përveç se prapanicave të saj të kolme dhe joshëse, që edhe sot nuk janë keq bile duken edhe më joshëse. Për të qënë i drejtë, gjithë këto kohë, them se më ka pëlqyer më shumë në seks ime shoqe se gjithë të tjerat me të cilat kam shkuar mbi dy herë, megjithëse edhe të tjerat kanë qënë bajagi të mira dhe plot me befasira të çuditshme muajve të parë. E ndjej që tani për shembull, se Xheni e Depratamentit të Arteve do jetë bela më vete – është pak e leshtë, jo e ndërlikuar dhe i pëlqen të flasë shumë; duhet ta ketë lëkurën aq të paqtë dhe të butë, sa mund të fëshfërijë kur t’i shkoj dorën, por është akoma shumë e re dhe e këndëshme dhe e padjallëzuar, sa sikur nuk shkon për moshën time. Disa nga vajzat, që kam shkuar qeshin më shumë se duhet me shakatë e mija, sa kur ka mbaruar eksitimi i parë dhe pres të dytin, e kuptoj që ato qeshin dhe flasin aq shumë sa më ngrejnë nervat. Nga ky lloj duhet të jetë edhe e reja dhe e këndshmja Xhen. Po gjithashtu e di se do ta përfshi plot epsh në partin më të parë të kompanisë; dhe s’besoj se do dua ta kem më në kompani pasi të kem mbaruar punë; kjo është dhurata, që dua tiI bëj vetes për Krishtlindje, dhuratë që kam nisur që tani ta ç’mbështjell) dhe me çupën time depresive, vetëmëshiruese dhe që do jetë në qendër të vëmendjes, kur fare mirë mund të përqëndrohem në gjëra të tjera si për shembull të punoj në dy fjalimet, që dua t’i thurr (më pëlqen t’i nis kohë përpara përgatitjet për gjëra të rëndësishme, si fjala që duhet të mbaj në mbledhjen vjetore nëse do ngrihem në përgjegjësi në vendin e Kejgëll, që do të thotë të përgjigjem për tërë punërat, ose të punoj në fjalimin tim të zakonshëm, të thatë, treminutësh për planet dhe veprimtaritë e departamentit tim nëse nuk do ngrihem në përgjegjësi në vendin e Kejgëll, por do jem akoma nën urdhrat e Grin-it, i cili ka mundësi mos më lerë as këtë rradhë ta mbaj. E kam zët Grin-in dhe kurrë s’kam për t’ja harruar dhe falur, që nuk më la të mbaja fjalimin në mbledhjen vjetore. Në të vërtetë as e dua as vendin e Kejgëll – kurrë s’i kam dashur vendet drejtuese dhe të kem shumë njerëz nën hyqëm – por tani nuk do më vijë mirë edhe sikur mos ma japin atë vend; do ndjehem i tradhëtuar  dhe i turpëruar, e do dua të tërhiqem në një vend të errët e të fshehtë ku të qaj e të qaj e mos dal më kurrë. Jam shumë i dobët për ta refuzuar atë vend pune dhe shumë vanitoz sa mos më bëjë përshtypje ai nder. Bile as shtesa në rrogë nuk më duhet.) ose në listën e ndryshimeve, që do rekomandoj të bëhen nëse do ngrihem në përgjegjësi në vendin e Kejgëll. (Dua t’i bëj të qartë Artur Berën-it dhe Horac Uajt-it, se jam i aftë ta bëj.  Ka shumë vetë, në të gjitha zyrat, të cilët dua t’i heq nga puna. Do doja për shembull Grin-in ta pushoja që tani, megjithëse ende nuk kam njeri për ta zëvendësuar.)
...

Terapia “anti-oligarki” e Kastriot Islamit

Në një artikull të botuar dje në “Panorama”, deputeti Kastriot Islami, analizon gjendjen politike në vend, duke përdorur kryesisht konstatime të politikanëve europianë rreth demokracive të pazhvilluara apo atyre hibride në ish vendet komuniste. Gjendjen e vendit e paraqit me të drejtë si të sunduar nga “oligarkia dhe banditizmi”. Gjithashtu, duke ju referuar një interviste të ish euro-parlamentarit francez Joseph Daul, ai e cilëson gjendjen e vendeve Ballkanike “shpërthyese” ndaj hamendëson, se në Bruksel edhe me bekimin e Uashingtonit, për të parandaluar shpërthime të tilla, që mund të sjellin pasoja të paimagjinueshme për rajonin edhe gjithë Europën, kanë filluar në Shqipëri një projekt pilot, të cilin Islami e quan “terapia në tre faza kundër oligarkizmit dhe banditizmit”.
Duhet pranuar, që deputeti Islami ka të drejtë kur pohon(ndoshta për herë të parë), që qeverisja e vendit, sidomos prej vitit 1997 e tani, ka shkuar viti pas viti, si qeverisje e një grupi të vogël njerëzish dhe shpesh herë me elementë të qarta të përzjerjes me “rrethe kriminale”. Në 5-6 vitet e fundit ishin vitet ku këto karakteristia u kristalizuan më shumë. (Kufijtë kohorë janë të mijtë, por nuk besoj se zoti Islami ka tezën, që oligarkia dhe banditizmi janë dukuri e këtij një viti e gjysëm të qeverisë Rama.) Duhet të bëjmë disa dallime. Për shembull Nanon mund ta akuzojmë për nxitje të korrupsionit, dembelizëm apo keqqeverisje, por jo për përpjekje për të forcuar vetëm një grup njerëzish. Tipike në krijimin e oligarkëve kanë  qënë periudhat e shkurtra të qeverive Meta, periudha e qeverisjes së Berishës duke kulmuar me periudhën Berisha-Meta. Oligarkinë nuk e forcon vetëm klientelizmi, por në rradhë të parë centralizimi i pushtetit dhe mosndarja e pushteteve. Vite e Berishës ishin vitet e ligjeve centralizuese, e përpjekjeve për të kontrolluar të gjitha pushtetet, përfshi këtu edhe një pjesë të mirë të mediave. Në këto vite u konsoliduan oligarkët Meta, Argita Berisha, Basha e të tjerë pranë tyre, që konsideroheshin “të plotfuqishëm”.
Por analiza e Islamit me “projektin-pilot” imagjinar europian, është “prerë”, që t’i shërbejë politikisht krahut ku aderon më shumë se sa vendit. Ai krijon edhe tre faza të këtij projekti(hapa), ku e para është kjo , që posa ka filluar- dekriminalizimi i Parlamentit dhe administratës. Këtu Islami përmend jo vetëm largimin e njerëzve të dënuar për krime, por dhe të atyre me “profil oligarkike” (Shpresoj që kjo e fundit të jetë një lapsus i Islamit, se ka oligarkë, por jo deputetë apo nëpunës me profil oligarkik).
Si fazë të dytë quan deligjimitetin e mazhorancës(pra rënien e qeverisë dhe shpërndarjen e parlamentit), se sipas tij, kjo maxhorancë ka përfituar në votime, si dhe gjatë dy viteve të qeverisjes nga “oligarkizmi dhe banditizmi”.
Këtu, me fantazinë e tij, Kaç Islami shkon shumë larg. Ramën mund ta akuzosh për korrupsion me lejet e ndërtimit, për klientelizëm, për “betonizim” të Tiranës, por nuk mund të thuash, se gjatë fushatës elektorale ai dhe partia e tij arritën fitoren duke përdorën “oligarkizmin dhe banditizmin”. Ishte pikërisht revolta e njerëzve në pushtetin e përqëndruar në duart e Berishës, Metës dhe një grushti të vogël njerëzish, që solli Ramën në pushtet. Ky i fundit nuk ka pasur kurrë në dorë as të hartojë ligje, as të krijojë institucione qëndrore, as të bëjë privatizime për pesë lek, as të japë prona dhe as të ndërhyjë në pushtetin gjyqësor.
Mund të thuash se qeverisja “ala Berishë” atij i  vjen për shtat dhe  ka prirje për ta bërë në të ardhmen, por deri tani nuk ka qënë Rama, ai që krijoi oligarkinë shqiptare. Sa për përdorimin e bandave në fushatat elektorale, nxjerrjen e kriminelëve nga burgu për të ndikuar në komunitetet e tyre, përdorimin e parave të pista e deri në vjedhjen e votave, këtë janë dukuri të hershme të politikës shqiptare, që i kanë përdorur të dy partitë e mëdha.
A ka tani në parlament dhe në vende drejtuese në administratë më shumë se kurrë njerëz me preçedentë penalë? Mundet. E megjithatë unë mendoj se grafiku i rritjes së numurit të tyre ka ardhur gradualisht duke u ngritur në këto 15 vitet e fundit, pa ndonjë ndryshim drastik në këto dy vjet.
Pas fazës së dytë (shpërndarjes së parlamentit dhe zgjedhjeve të reja) Islami mendon fazën e tretë, atë të “ndëshkimit” të ideatorëve , realizuesve dhe përfituesve(nga oligarkizmi dhe banditizmi) të kësaj maxhorance. Në të kundërt, thotë ai, është rreziku i një revolucioni, i cili në rastin më të mirë do jetë i butë, por pa fryte.
Ideja e Islamit për fazën e tretë, (edhe pse ju vishet si i gjithë projekti, europianëve), për “ndëshkimin”(që mund të jetë dënim penal, përjashtim nga politika apo diçka tjetër) është vërtet një ide e dobishme për vendin nëse realizohet duke individualizuar ideatorët, realizuesit dhe përfituesit e vërtetë. Kastriot Islami këtë e drejton qëllimisht ndaj maxhorancës, e cila vërtet ka në gjirin e saj disa të tillë. Por ai harron në mënyrë të ndërgjegjshme ideatorin, realizuesin dhe përfituesin kryesor, që është ai që e pranoi në PD, Sali Berishën. Harron qëllimisht edhe të tjerë brenda opozitës së sotshme. Ndoshta do vijë një ditë që ata oligarkë të largohen nga jeta politike dhe ekonomike e vendit, se për tu dënuar, duket se ajo ditë do jetë e largët.
Në vend të përfundimit, dua të shtoj, se e gjithë ideja e “projektit pilot europian” është një “kostum europian”, që Kastriot Islami i vesh idesë populiste të revolucionit demokratik për të përmbysur qeverinë, të shprehur së fundmi nga Berisha.
Maxhoranca e sotme ka një mëkat të madh, që po imiton Berishën në klientelizëm, në favorizime në përpjekje për të goditur disa oligarkë e për t’i zëvendësuar me të rinj. Të dyshimta janë edhe marëdhëniet e krerëve të saj me të inkriminuar. E megjithatë, zgjedhjet e parakohshme( të cilat nuk janë ide e Brukselit, por e Berishës dhe Islamit) nuk i sjellin vendit asnjë të mirë, veë forcimit të PD-së, pa u ndarë akoma nga e kaluara e saj e dëmshme për Shqipërinë.
Nëse Rama nuk ndryshon kurs, populli do e largojë me vota nga pushteti më 2017 në kërkim të njerëzve, që nuk duan të qeverisin vendin sikundër është bërë deri më sot.
Shenjat kanë filluar të shfaqen , por jo sipas skenarit Islami-Berisha.



Wednesday 1 April 2015

Duhet një rifreskim i kabinetit Rama

Kanë mbetur edhe 81 ditë deri në zgjedhjet lokale (po e se prillin do e llogarisim me 30 ditë)dhe duket se avantazhet e krijuara nga ndarja e re territorial për PS, po balancohen nga trazirat, që sollën çështjet Doshi-Frroku.
Që Rama të largohet nga posti i Kryeministrit nuk bëhet fjalë, se jo vetëm që nuk punon dot pa qënë i pari, por edhe nuk ka brenda brenda PS-së figura të një niveli kryeministror. Vendit i duhet një qeveri e fortë, për të siguruar rendin dhe për të luftuar krimin.
Shenjat e një qeverie të fortë mund t’i japë vetëm vendosja në postin e zv. Kryeministrit dhe ministrit të brendshëm, i “dorës së fortë“, Gramoz Ruçit. Niko Peleshi të vazhdojë të mbetet në rolin e zëvendës kryeministrit me fytyrë europiane, që mbulon sektorët e turizmit, urbanistikës, rinisë dhe grave.
Në postin e ministrit të drejtësisë të vihet Spartak Braho(Baba Taku), të cilit mund t’i jepet njëkohësisht të drejtojë edhe SHërbimin Informativ pa shkelur Kushtetutën.
Ministrinë e jashtme duhet ta marrë Mrika Kodheli për t’i lënë postin e ministrit të mbrojtjes Saimir Tahirit.
Ministri i shëndetsisë Ilir Beqja duhet larguar nga ajo detyrë si pjestar i grupit komplotist të Tom Doshit dhe në vend të tij të vihet përsëri një përfaqësues i Veriut, ish mundësi Paulin Sterkaj.
Meqë ministri Veliaj do konkurojë për Bashkinë e Tiranës, në vendin e tij të emërohet Liliana Hoxha.
Për t’ju përgjigjur orientimeve të ndërkombëtarëve, të krijohet ministria e dekriminalizmit të parlamentit dhe administratës e kryesuar nga ministri Arben Ndoka.

Gjithë portofolet e tjera mbeten të pandryshuara.