Tuesday 24 November 2015

-Do një mollë?

-Do një mollë?
-Jo
-Pse?
-Nuk e ha dot të paqëruar.
-Po qëroje.
-Përtoj. Dhe nuk di nëse Adami e qëroi.
-C’hyn Adami këtu?
-Molla ka karakter universal. Lidhet edhe me tërheqjen e gjithësishme.
-Ti ke frikë nga mëkati?
-Jo. Steve Jobs kishte plot mëkate.
-Atëhere ke frikë nga tërheqja e gjithësishme.
-Preferoj të mos bëj deklaratë për të.
-E pse?
-Dukuri tejet e studiuar dhe ende e panjohur plotësisht.
-E panjohura sjell frikë.
-Më shumë i trembem të njohurës.
-Ndonjë të njohure me emër të veçantë?
-Gjithshkaje të njohur. Nga e panjohura nuk ka pse të kem frikë se nuk e di nëse është, se nuk e njoh.
-Kjo bie ndesh me mendimin e përgjithshëm që të gjithë i tremben të panjohurës.
-Mendimi i përgjithshëm nuk është ligj dhe për më tepër nuk është i gjithësishëm.
-Ty të pëlqejnë lojrat e fjalëve.
-Më pëlqejnë të gjitha lojrat.
-Po të fjalëve më shumë.
-Janë më të thjeshta dhe mund të luhen pa përpjekje fizike.
-Edhe e qëruara e mollës nuk kërkon ndonjë mund.
-Ndoshta. Por nuk është lojë.
-Deri tani do e kishe qëruar.
-Të njëjtën them edhe për ty.
-Unë e hëngra.
-Nga kjo kam frikë.
-E pse?
-Tashmë është e njohur.
-Dhe nuk i trembesh qërimit të mollës?
-Nuk ka se si sepse nuk e di nëse do ndodhë.
-Këto që po thua janë marrëzi.

-Marrëzi të njohura, që nuk të trembin.

Monday 23 November 2015

-Ku ishe?

-Ku ishe?
-Kur?
-Para një ore.
-Nuk mund ta them me saktësi. Deri në gjysëm ore mbaj mend.
-Ku ishe atëhere para gjysëm ore.
-Pikërisht në gjysëm orëshi më fshihet gjithshka të thashë. Për tridhjet minutat e fundit mund të të tregoj me hollësi.
-Mos u trego më i zgjuar se ç’je. Për tridhjet minutat e fundit nuk kam pse të të pyes se ke qënë këtu.
-Ashtu? Nuk e vura re orën. Ti duket e ke vënë.
-Po e vura.
-Do kishte qënë më mirë të më kishe pyetur sa hyra.
-Doja të tregoje vetë.
-Nga ta dija se doje të dije. Ti nuk më pyete.
-Ti sikur i di të gjitha?!
-Ato që do ndodhin se e tashmja është e vështirë për tu kuptuar.
-Ti vjen nga e ardhmja.
-Nuk di se nga vij. Ose më mirë nuk më kujtohet.
-Po ku shkon e di?
-Edhe mund.
-Pse edhe mund?
-Sepse nuk jam i sigurt.
-Po pas tridhjet minutash mund ta dish?
-Se ç’do ndodhë pas tridhjet minutash apo të di ku do shkoj?
-Të dyja.
-Nuk mund të jenë të dyja.
-E pse jo?
-Se janë dy gjëra të ndryshme.
-Kjo nuk do të thonë që nuk mund të jenë.
-Kjo do të thotë që nuk mund të jap të njëjtën përgjigje për të dyja.
-Jep dy të ndryshme nëse nuk mjafton një.
-Filloi dëbora.

-Nuk do të më thuash se ku ishe?

Thursday 12 November 2015

Ehhhhh,,,

Ah...
Dhe nëse mbetesh vetë...Një rrotullim i perkohshëm kuarcesh
…delfin…Ngarkesa njollash në ndërgjegje
Zare te hedhura kuturu
Qethje e përvuajtshme qensh…Nëpërkembje nderi
Ura te djegura që shuhen në të lumit valë dhe në deltë përfundon qymyri i drurit…
Pfff
Gjergjef i paqëndisur…kujitje henash cmërdhake
Seks i pambrojtur ne mes te bazës ushtarake… rrëfim për vjedhje mes hardhish tek prifti pedofil…
…ëndede..kornizë e pashqyer e një fotoje të vjetër..
…trëndafil pa gjëmba dhe me pistil,,,ndërdhënie…fletë të bardha mendimesh të pashkruara…zall dhe zalloshkë në Zallherr…iso rradhësh për perime…dërrrdërrdërrdërr…pikë uji kineze nën një cati në Arktik…brrrrrr
…mendime acide të neutralizuara nën një buzëqeshje bazike…çmenduri e parashikuar në një vit të brishtë…

Ehhhh…

Wednesday 11 November 2015

Cullak

C’kërkoni këtu
Në këtë bashkësi dhomash me verandë
Ku e dashura ime rri shtrirë?
Tufë e panjohur,
Gras erëkandë,
Me çanta udhëtimi e të larta zëra,
Që më prishin çastet intime
Ndërsa dua të shkoj me vrap
Të fshihem në dhomën time
E mos dëgjoj të bëra e të pabëra
Nga e pasura krahinë,
Që s’di pse më ngjan me një çmendinë,
Bukur lyer e suvatuar,
Si veshjet dhe të artat
Që kanë ndër duar.
Mbyllni gojë e sy,
Deri sa të kaloj të dhomës prag,
A më mirë kthehuni në botën tuaj të ndërkryer,
Që kurrë mos shihni,
Lakuriqësinë e mendimeve të mija
Dhe mua

Krejt cullak!

Ju e sollët Diktatorin!

E kam parë edhe herë të tjera në grupin e kompjuterave, ku mund të “gjezdisësh” pa para në internet për një orë, në bibliotekën e Qendrës së Bashkësisë. Këtë rradhë e kam ngjitur. Përsërit të njëjtat fjalë. Ka një lëkurë me një lloj bezhe pa shumë shkëlqim dhe hunda me majë me cipën gjithë kokrriza, duket se në një nga lëkundjet e përsëritura të kokës do çikë ekranin e madh e të sheshtë të kompjuterit.
“Ju e sollët diktatorin!” Edhe më parë e kisha dëgjuar të përsëriste me ngulm këtë frazë. Diçka shikonte në internet ngultasi herë me ton më të ashpër dhe herë më butë , por me të njëjtën vendosmëri përsëriste “Ju e sollët Diktatorin!”
Për të qënë i sinqertë, pasi kisha vrarë pak mendjen se nga mund të ishte, Libia, Egjipti, Pakistani apo Evropa Lindore, më shumë isha munduar të gjeja nëse i drejtohej një njeriu apo një grupi njerëzish.
Mbi ballë i tundet një tufë flokësh gjysëm të thinjur. Sytë herë herë i picërron, por nuk arrij dot të kuptoj nëse e ka nga ndryshimet e shpeshta të dritës dhe ngjyrave në ekran, apo se diçka lexon. Eshtë shumë i përqëndruar dhe shumë i sigurt. Edhe kureshtar. Në veshë nuk ka asgjë, që mund të më bëjë të mendoj se dialogon me kënd. Vetëm përgjigjet “Ju e sollët Diktatorin!” Toni nuk është asnjëherë i njëjtët dhe pauzat midis shumë të ndryshme. Herë herë ka dy tre të thëna njëra pas tjetrës. Herë pushime më të gjata. Duket se “tjetri” ose të tjerët mundohen të justifikohen “ashtu ishte koha”, “kaosi kishte pushtuar vendin” ose “nuk ishim ne, por të tjerë ata që e votuan”, por ai pa dyzuar përgjigjet prerë: “Ju e sollët diktatorin!”
Një nga biblotekaret vullnetare dhe të shëmtuara afrohet pranë stacionit të tij dhe diçka i pëshpërit ndërsa ai tund kokën dhe vazhdon të shohë ngultas ekranin. Bibliotekarja largohet dhe ai pëshpërit i vendosur “Ju e sollët dikatorin!” Duket që pala tjetër është inkurajuar nga ndërhyrja e autoriteteve dhe është përpjekur të mbrohet më me zjarr, por ai nuk është lëkundur. Ka raste, kur toni nuk është aq i prerë, sikur ai ju thotë “këto që po rendisni nuk janë krejt të pallogjikshme, por gjithsesi…ju e sollët diktatorin!”
Diktatori duhet të ketë qënë (ose dhe mbase është) një lloj monstre, se ndryshe nuk kam si spjegoj jo këmbënguljen e tij, por përpjekjet e vazhdueshme të “fajtorëve” për tu shfajësuar. Ndoshta diçka e rëndë i ka ndodhur gjatë diktaturës, njeriut me një tufë flokësh gjysëm të thinjura mbi ballë, që tani jeton në një vend pa diktaturë. Po edhe ata, që sipas tij e sollën diktatorin, nuk duhet të kenë qënë më mirë. Ose më keq akoma nuk janë edhe tani. Ndoshta ankohen dhe ai ju thotë pa ndjerë keqardhje “Mirë t’ju bëhet se ju e sollët diktatorin”. E megjithatë këto janë hamendjet e mija se ai thotë në tonalitete të ndryshme vetëm fjalinë “Ju e sollët diktatorin!”, pa i shtuarnë asnjë prej përsëritjeve as edhe një rrokje të vetme. Duket çuditërisht i bindur në tre gjëra: Vdekja, taksat dhe që “ata e sollën diktatorin”. Për këtë jam bindur edhe unë tashmë, por hezitoj t’i afrohem e ta pyes se ç’bëhet Diktatori. Kam frikë nga ai, spjegimi që do më japë apo nuk dua t’i jap fund hamendjeve. Tortura e ëmbël e të panjohurës? Apo trembem se mos bëhet fjalë për Diktatorin tim?
Po tek ne kush e solli Diktatorin?
I kam shpënë mendimet larg sallës së bibliotekës, në një kohë , të cilën nuk e kam jetuar, kur befas dridhem nga përgjigja e tij e prerë:

“Ju e sollët diktatorin!”

Thursday 5 November 2015

Cak çak…

Cak,
Cak,
Cak çak çak…
Trekëmbëshin po më ngrenë,
Edhe pse nuk duan të më varin.
Përse më torturojnë
Me tokitjen e vazhdueshme të çekanëve,
Tani që nuk besoj më
As lulet as barin?
Nuk ju mjafton litari,
Që fytit kanë vite më kanë lidhur,
Dhe buzët plot zhgënjim të hidhur,
Përpëlitjet prej të marri?
-I drobitur e i gjallë na duhesh,
Me frymë dhe gjuhëlidhur,
Të shohësh cilët jemi edhe për pak!
Sytë mbyll t’ju them jam dorëzuar,
Ndërsa çekanët rrahin
Cak,
Cak,

Cak çak…

Wednesday 4 November 2015

Shtatoret dhe të gjallët

Në ekranin e tv apo në atë të kinemasë, tërheqja zvarrë e një shtatoreje nuk të le një shije të keqe. E kam provuar në të njëjtën ditë, kur pashë tërheqjen e shtatoreve të Enver Hoxhës në Tiranë e në Korçë. Për të dytën, që e pashë nga ballkoni i apartamentit, edhe pse i gëzuar, pata një ndjenjë të keqe , si atë që të sjell dhuna ndaj një qënieje të pambrojtur. Nuk më ardhi për të qeshur edhe më vonë, kur kisha dalë rrugëve dhe dikush përmirte mbi shtatoren e braktisur, në vendin ku sot ngrihet Kulla Vrojtuese e Korçës.
Për fat të mirë, kam jetuar në një kohë, kur nuk kishte ekzekutime në publik dhe keqtrajtimi më i madh, që kam parë të bëhet nga autoritetet ose nga turmat ndaj të pambrojturve, ka qënë shtyrja e të burgosurve të prangosur, për t’I futur ose nxjerrë  sallave të gjykatës.
Nuk di sa mund të jetë përqindja e njerëzve, që dëshërojnë apo ëndërrojnë tërheqjen zvarrë të armiqve. Në “Dimri i vetmisë së madhe”, Kadareja ka një personazh të deklasuar, që ëndërron tërheqjen zvarrë të komunistëve rrugëve të Tiranës. Eshtë një nga pjesët më makabre të librave të tij. Por është letërsi artistike. Në një roman tjetër(përzjerje e imagjinares me historinë) të posabotuar në Tiranë, një personazh i Ben Blushit bën thirrje për tërheqjen zvarrë rrugëve të Basenit(Elbasanit) të shtatores së Lef Nosit. Por përderisa mbetet në suazën e letërsisë, edhe pse mund të lerë një shije jo të mirë, thirrja është plotësisht e pranueshme. E keqja qëndron në faktin, që autori ka bindjen(mbrojtur në interviatat e dhëna) se kjo gjë duhet të ndodhë në të vërtetë, sepse Lef Nosi i pushkatuar nga komunistët si bashkëpunëtor i nazizmit, duhet edhe në vdekje të zbritet nga piedestali i pamerituar dhe për më tepër të tërhiqet zvarrë!
Nuk dua të mbroj Lef Nosin apo vendimin e Bashkisë së Elbasanit për të ngritur shtatoren e tij. Shumë herë, në Shqipëri(dhe jo vetëm atje)bëhen gabime në vlerësimin historik të personaliteteve kombëtarë apo lokalë. (Kam bindjen që pushkatimi i tij dhe i Patër Anton Harapit ishte dënim shumë i rëndë  për rolin e tyre “dekorativ” në Regjencë).
Ajo që më bën përshtypje është thirrja, që ju bëhet turmave për dhunë. E ngjashme me thirrjet për thyerjen e kafkave të kundërshtarëve, që tjetërkush bënte vite më parë, apo për djegjen e vilave të politikanëve të korruptuar, të tërheqjes prej zhelesh e të tjera të tjera të ngjashme me to.
Thirrje “revolucionare”, që i bëhen pjesëve më të errëta të ndërgjegjes së njerëzve, të cilët në kohë të vështira ekonomike apo të padrejtësive shoqërore, nuk e kanë të vështirë të “ndizen” lehtë nga “apeli i elitës”.
Në skutat e errëta të mendjes tonë ende gjallojnë instiktet e hamarrjes së dhunshme jo vetëm ndaj të gjallëve, por edhe ndaj të vdekurve. Diçka, që edhe kafshët nuk e kanë. Këto të fundit hanë të gjallët, por nuk merren me shtatoret.







Tuesday 3 November 2015

Ne kafen e mbushur plot

Në këtë kafe mbushur me memecë,
Unë jam më memeci syresh.
Nuk di as gjuhën e shenjave
(Si dikush që ka këmbë, por nuk di të ecë,
Dhe jo si fëmija, që nuk ec dot se druhet.)
Në këtë hapësirë mes muresh,
Mbushur tej e përtej me belbcakë,
Unë jam më belbcaku syresh
Dhe jo se jam fjalëpakë,
Por të rrokëzuara i kam mendimet,
(Nëse mund të quhen mendime,
Vegimet endacakë,
Që përdridhen në kafkë.)
Në tryezat e mbushur me të verbër
Unë jam prej tyre më i verbri,
Se dhe pa të prekur
Dhe pa lëvizur ajri të ndjej,
(Sa shumë të ndjej!)
Ty,

Dritën që më përshkon terrin!