Thursday 27 October 2022

Djalli nuk është aq i zi sa duket

Udhëtimet sjellin shpesh të papritura. E tillë ishte përballja ime me Pit Uilson në Bibliotekën e qytettit, të cilën shpesh e kam quajtur “Derri i Lerosur”. Më duhet të pranoj , që shpesh kam qënë emocional në cilësimet ndaj kolegut Australian , duke e quajtur “Kashei i Pavdekshëm”, arkitekt-bandit, arrogant e të tjera cilësime jo të përshtatshme për shkrime kritike profesionale.

Kam pasur arsyet e mija, të cilat lidhen me skemën e përdorur nga Rama në këto 20 vite. Tërheqjen e arkitektëve të huaj për të bërë “pisllëqe” në arkitekturë. Cilësime të ngjashme për arkitektët e huaj të  angazhuar në Tiranë bënin kolegët e mij arkitektë dhe inxhinierë. Të gjithë të pakënaqur nga skema e “fëlliqur” në të cilën jan[ përfshirë arkitektët e huaj.

M’u duk sikur dallova portretin e Uillson ndërsa po largohesha nga salla e katit të parë dhe e pyeta nëse ishte ai. Australiani e konfirmoi dhe unë paraqita “kredencialet” e mija. Shoqërohej nga e bija , të cilës duket se po i bënte një tur të veprave të tij në një qytet të vogël të Ballkanit. Dhe me të drejtë, se në më pak se një dyzinë vitesh, arkitekti Uilson ka projektuar në Korçë më shumë vepra se sa ka projektuar gjatë gjithë jetës. Kryesisht me fonde publike dhe të tjera private, ku investitorët detyrohen të bëjnë projektin me të.

Australiani nuk ishte arrogant si më ishte dukur në ndonjë intervistë televizive, por më ngjau më shumë me një lloj “smooth operator”, që në zhargonin e Amerikës së Veriut , është një lloj “kodoshi” që di t’i mbarojë pa u ndjerë shumë punët e fëlliqura. Nuk mund t’i thoja që është i tillë, por i përmënda që kam kritikuar shumë punët e tij, sidomos ato me fonde buxhetore, që për mendimin tij modest janë të gjitha të projektuara keq. Pasi më pyeti nëse isha nga Korça dhe se ku konsistonin kritikat e mija, shtoi sloganin e njohur “kritikat ndaj veprave të tij kanë pasur motivime politike”.

U ndava me të me një ndjenjë faji, se po kritikoja në praninë e të bijës një koleg, por do isha ndjerë shumë keq me veten sikur mos i kisha thënë ato dy fjalë “të tharrta”.

Nuk mund të bashkohem edhe unë me “palaçot” e Bashkisë, që jo vetëm  ikanë lënë dorë të lirë të shëmtojë Korçën, por në një mur të shpifur para ish-Bibliotekës kanë shkruar me të mëdha edhe kontributin “e papam” që studioja e australianit ka dhënë për Qendrën e Korçës.

Pata kujtuar se pandemia e Covid do e mbante përfundimisht larg Korçës Uilsonin, por nuk ishte e thënë. Më njoftoi se të tjerë investitorë privatë  i kanë besuar projektet në Korçë.

A është arkitekti fajtori për veprat e dështuara të Kullës Vrojtuese, Bibliotekës, rinovimit të Bashkisë dhe të ish Bibliotekës së Kolevicës dhe për disa ndërtime të tjera në Qendër?

Sigurisht nuk mund të mbetet pa faj edhe pse dje nuk m’u duk aq “i zi” sa e mendoja.

Wednesday 26 October 2022

Dy-tre fjalë për arkitekturën e Korçës në këtë dhjetvjeçar


Duke qënë se vij rrallë në qytetin e lindjes, kam avantazhin të dalloj ndryshimet si në një monitor, k u ndërtimet lëvizin shpejt duke zëvendësuar njëri tjetrin dhe arrin të dallosh ndryshimin e siluetës, të vëllimeve, te ngjyrave dhe të teknologjisë së ndërtimit. E kam shprehur edhe më parë që ka një përmirësim të madh të ndërtimeve vetiake, qoftë në trajtimin arkitekturor edhe në futjen e materialeve cilësore të ndërtimit. Deri diku  i dedikohet shpirtit të korçarëve për t’u kujdesur që ta kenë shtëpinë sa më të paraqitshme dhe “të mos jetë pas shtëpive të të tjerëve”. Nuk jam në gjendje të bëj krahasime me nivelin ekonomik të viteve ’20 dhe ’30 të shekullit të kaluar dhe nivelit të sotëm ekonomik të një familjeje të mesme korçare, por duhet të them që përgjithësisht ndërtimet e sotme nga “luksi” ja u kalojnë atyre të 80-90 viteve më parë. (Po normal do më përgjigjet një lexues i ngutur.)

Arkitektura krahasimore nuk është një fushë shumë e lëvruar dhe nuk kam të dhëna të bëj edhe hulumtimet më të thjeshta në të. Gjithshka është e varur jo vetëm nga kostoja e truallit apo kostoja mesatare e ndërtimit, por edhe nga të ardhurat mesatare të një familjeje që jeton këtu, ose nga mesatarja e parave të sjella nga jashtë vendit për të ndërtuar. Por nëse sheh një element fare të thjeshtë, që është tradicional,- rrethimet, portat dhe parapetet prej hekuri,- të sotmet janë ku e ku më luksoze dhe më “pretencioze” se ato të së kaluarës.

Ka një të metë të madhe të karakterit urbanistik.

Dendësia ndërtimore është rritur tej mase.

Korça në mëse një shekull ka pasur një dendësi të pazakontë për një qytet të kohëve moderne. Mungesa e infrastrukturës dhe zhvillimi i shpejtë në gjysmën e dytë të shekullit XIX rezultoi në dhënie parcelash të vogla për ndërtimin e baniesave vetiake. Si rrjedhojë oborret përgjithësisht kanë qënë të vogla dhe sipërfaqja e gjelbëruar pas banesës gjithashtu e kursyer. E megjithatë, për shkak të ndërtimeve përgjithësisht dykatëshe, parametrat thelbësore të jetesës (ndriçimi natyral, mbrojtja nga erërat etj) kanë qënë të pëlqyeshme dhe kanë bërë që lagjet e qytetit përgjithësisht të kenë një mikroklimë mjaft të mirë.

Në vitet ’70-80’ të shekullit të kaluar, për shkak të kërkesave në rritje për strehim dhe ndarjes së familjes bazë në disa përbërës u bënë shtesa të shumta të banesave ekzistuese, që gjithashtu solli rritjen e dendësisë në ndërtim. Oborret dhe kopështet u cunguan më tej dhe në disa raste dhe u eliminuan.

Gjatë këtij shekulli, për shkaqe jo shumë të qarta për mua, nisi një rritje e ndërtesave ekzistuese në kate, ose të vjetrat prisheshin dhe ndërtohej në maksimumin e sipërfaqes të lejuar nga ligji. Duket se qyteti po kalon nga një qytet i këndshëm me vila dhe banesa të zakonshme në një qytet të Mesjetës së vonë, ku ndërtimet janë puq me njëri tjetrin dhe mungojnë thuajse tërësisht oborret. Eshtë një prirje kundër kohës, kur gjithnjë e më shumë ndjehet nevoja për parime më të forta ekologjike. Një shekull më parë edhe nëse nuk kishte rregullore strikte ndërtimore, kërkohej ruajtja e një vije të kuqe, ose një raport i mirë midis daljes në rrugë të ndërtimit dhe hapësirave midis banesave.

Korça nuk mund të kthehet tërësisht në një qytet turistik me bujtës, bujtina, restorante dhe kafene.

Nuk janë aq të fuqishme “atraksionet turistike” të zonës sa të mund të mbajnë flukse stërmëdha turistësh. Edhe në ato qytete europiane ku kjo ndodh, vendasit me një fuqi ekonomike mbi mesataren, largohen dhe jetojnë në periferi ose fshatra satelitë. Për bujtësit e një fund jave ose të një jave, mikroklima nuk është thelbësore.

Diçka duhet bërë për t’i vënë një kufi kthimit të parcelave të vogla vetiake në parcela banesash kolektive. Edhe sikur kjo të ulë kërkesat për leje ndërtimi dhe të ardhurat që vijnë prej tyre në buxhetin e shtetit dhe në “buxhetet” e lejëdhënësve.

Tuesday 25 October 2022

Restaurimi i keq i një monumenti të arkitekturës


Florestano Di Fausto ka lënë shumë vepra në Itali dhe në Shqipëri. Projektet e tij nuk kanë qënë në pararojë të arkitekturës botërore, edhe pse bashkëkohës i Gropiusit dhe Korbyzjesë, por gjithsesi kanë qënë ndërtime dinjitoze për kohën. Veçanërisht për një vend jo shumë të zhvilluar si i joni, ku arkitektët vendas numuroheshin me gishtat e njërës dorë.

Në Korçë është realizuar vetëm një vepër e tij. Ndërtesa e Bashkisë e ndërtuar në gjysmën e dytë të viteve ’30. Ka një histori të veçantë realizimi i atij projekti. Fasada ishte e gjitha e trajtuar me elementë të një neoklasiçizmi tradicional, madje më e rënduar se sa fasadat e Ministrive në kryeqytet, që gjithashtu janë vepra të tij. Pati një kundërshtim të vendosur të profesionistëve dhe intelektualëve të asaj kohe, sepse e quanin që nuk ishte në harmoni me arkitekturën e qytetit dhe mënyrën se si trajtoheshin fasadat. Korçarët ju imponuan arkitektit të preferuar të Naltmadhënisë dhe fasadat u realizuan ashtu si i kanë njohur brezat në vite.

Nuk kisha hyrë në atë ndërtesë prej fillimit të viteve ’90. Nuk kam pasur asnjë rezervë, që u rikthye në origjinë edhe pse më është dukur absurd ndryshimi i destinacionit të Bibliotekës në një “vallaha” Bashki me koncept të hapur. Ndërtesa e sotme e Bashkisë pat qënë për një kohë të gjatë Shtëpi Kulture dhe kam hyrë thuajse në të gjitha kthinat e saj qysh prej mesit të viteve ’60. Ishte një ndërtesë me holle gjithë dritë, që gumëzhinte nga tingujt, zërat e këngëtarëve dhe recituesve si dhe nga bisedat e amatorëve të të gjitha arteve. Në bodrumin e saj kisha ndjekur disa muaj një kurs vizatimi, në dhomat e katit të parë kisha dëgjuar shokë të mij që luanin piano, në katin e sipërm pata parë shumë ekspozita dhe në dhomën ku ndodhet tani shefi i kabinetit të Kryetarit të Bashkisë, kisha hyrë shumë herë se ishte zyra e Degës së Lidhjes së shkrimtarëve.

Tani çdo gjë është ndryshe, që nga hyrja për në ndërtesë që bëhet nga pas, një derë që hapej shumë rrallë. Brenda mbizotëronte një qetësi mortore, e rënduar akoma më shumë nga ngjyra e errët e dyerve, Të dukej sikur hyje në një shtëpi funeralesh. Më shumë e rëndonte dera tmerrësisht vertikale e zyrës së Kryetarit, që vërtet të krijonte përshtypjen se do hyje në një sallë ku do shihje një arkivol të hapur dhe të ndjerin ose të ndjerën para se të përcillej për në banesën e fundit. Vërte rrallë herë ndërtesa e luante edhe këtë rol , kur përcilleshin figura të rëndësishme të qytetit, por atëhere përdoreshin në holl disa perde stërmëdha të zeza. Tanimë nuk është e nevojshme për to. Me një melodi “zen” në sfond dhe me pak aromë qirinjsh jasemin, do ndjehesh saktësisht në pragun e botës tjetër.

A ka gisht Pit Uillson edhe në këtë restaurim?

Nëse po, edhe një vepër e shëmtuar nga dora e këtij arkitekti të dyshimtë, trillet e të cilit janë pranuar symbyllaz nga “sunduesit” e qytetit tim. Për më tepër, në një mur të ngritur para Bashkisë 2, shkruhet edhe se çka bërë ky arkitekt “zheni” për Korçën.

Tek ndërtesa e parë e Bashkisë, nuk ka asnjë shënim për Florestano Di Fausto edhe pse ka qënë një arkitekt i njohur italian. Puthadorësit e Edi Ramës jo vetëm kanë qënë të nënshtruar plotësisht ndaj australianit me shumë pak shije dhe famë, por edhe e kanë gdhendur emrin e tij në hyrje të qytetit.

Në cilën kafe të Europës tallet me Korçën dhe korçarët arkitekti bandit Australian?

Më mirë të mos e dime!

Friday 21 October 2022

Geçe Kushu sokak

 


 Geçe Kushu sokak ishte rruga e fundit ku kishte ndenjur. Në atë apartament pati paketuar të gjitha qelqurinat, përfshirë edhe disa takëme kristali bashkë me kushëririn e tij Spiron. Spiroja ishte shumë vite më i madh, por më i nxituar dhe thuajse të gjitha kishin përfunduar të thyera në stacionin e trenit të Selanikut. Kristalet ishin thyer sikundër dukej e thyer edhe adoleshenca e tij. Po linte pas gjithshka që njihte dhe kishte kaluar në 15 vitet e jetës së tij. Liceun San Benua, shokët e mëhallës dhe të ekipit të futbollit, punën e verës tek ëmbëltorja pranë, Bosforin dhe anijet e tij, të afërmit dhe gjithshka tjetër të Stambollit.

I jati, Naum Mara, kishte ikur me nxitim para dy muajsh në Korçën e largët, atje ku ishin të afërmit e nënës, me të cilët, i vëllai kishte hapur një bakallhanë në Pazar. Bakallhaneja quhej Leço- Mara, gjë që nuk i kishte pëlqyer Naumit kur kishte zbritur për herë të parë në Pazarin e Korçës. Sipas tij duhet të quhej Mara-Leço, se pjesa e kapitalit që kishin vënë Marat ishte më e madhe.

Naum Mara kishte jetuar në disa banesa në Stamboll, por gjithnjë në lagjen Gallata, ose si njihej prej vitesh, Bejogllu. Kishte ndenjur në fillim me të jatin, më pas, kur ai kishte vdekur kishte ndenjur me disa bashkëfshatarë nga Voskopoja dhe më tej vetëm, me familjen deri sa kishte përfunduar në apartamentin në sokakun Geçe Kushu. Kishte hezituar të blinte shtëpi në rininë e tij dhe më vonë, pasi kishte hapur tregëtinë e mishit me shumicë, nuk kishtepasur më mundësi. I pëlqente të kishte një apartament të madh , të mbushur me mobilje dhe sixhade të shtrenjta. Parapëlqente edhe të vishej mirë dhe të kishte në shtëpi edhe ç’farë ishte e re. Mes tyre edhe një aparat projektimi filmash. 

Aparati bashkë me shumë sende të tjera nuk mund të merreshin në Korçë dhe ju lanë mbesës së tij, Amalisë, që jetonte me familjen në të njëjtën ndërtesë. Mbetën në të njëjtën ndërtesë si relike të një familjeje, kryetari i të cilës kishte jetuar mbi pesëdhjet vjet në kryeqendrën e Republikës Turke.Të gjithëve ju vinte shumë keq , që Marat po largoheshin nga apartamenti në Geçe Kushu. Por ju duhej të iknin. Tregëtia kishte falimentuar. Faturat e papaguara të kasapëve të Stambollit i kishin mbetur ortakut çifut të Naumit. Ai ndoshta do ishte më i aftë t'i mblidhte.

Geçe Kushu sokak ka ndryshuar. Banesa 4 katëshe me një apartament në kat është ende atje, e restauruar. Shumë pranë saj, si një rastësi e habitshme, ndodhet i vetmi Starbuks i një gjithë Bejogllusë. Eshtë kafeja e preferuar e Naum Marës pasardhës. Gjyshi i tij, që mbante të njëjtin emër, pinte çaj dhe duhan me nargjile. Bota nuk është aq e madhe sa duket dhe kohët ndoshta edhe gërshetohen me njëra tjetrën. Në një sokak që mban emrin Geçe Kushu dhe që është më pak se 50 metra i gjatë.


Wednesday 19 October 2022

Pak turbullira në brigjet e Bosforit


Zakoni i im për t’u ngritur shpejt sipas parimit “early to bed, early to rise..” jo gjithmonë më jep rezultatet e pritura. E keqja është se kur hap sytë nuk rri dot më në shtrat dhe në një dhomë hoteli europian, ku sipërfaqen më të madhe e ze shtrati,  nuk ke ç’të bësh më pasi ngrihesh dhe bën një dush. Ndaj gjithnjë zbres në hollin e hoteleve dhe përpiqem të “reflektoj” rreth të kaluarës dhe ditëve që do vijnë, gjë që nuk më nxjerr në asnjë breg, por këtë rradhë më le ku jam, në brigjet e Bosforit.

Sportelisti i turnit të natës është një 27 vjeçar nga Kazakistani, i sjellshëm, por që flet me vështirësi anglisht. Sportelistët e hotelit shërbejnë edhe si barmenë dhe Saidi është ai që më përgatit kafenë e parë të ditës. Pas dy mëngjeseve me kafe turke, porosis një neskafe gjë që e shtyn sportelistin të më  pyesë përse ndërrova mendje. Këtu ze fill turbullimi i mëngjesit, sepse duke përdorur si zakonisht krahasime të paqëlluara krahasova ndërrimin e llojit të kafesë me preferencat e meshkujve për lloje të ndryshme femrash. Saidi më tregoi ekranin e telefonit të tij ku dallohej qartë flamuri ylber. E kuptova që ishte gay dhe u mundova të isha dashamirës dhe i sjellshëm, si qytetar i vendit të të sjellshmëve. Sportelisti filloi të më shpjegojë se në vendin e tij dënohen me tre vjet burg për marëdhënie homoseksuale, se e urren Turqinë, se miqtë dhe familja nuk e dinë që është gay dhe se dëshëron të shkojë në Suedi e të kërkojë azil politik. (Nuk di nëse strehimi që kërkon quhet politik edhe për homoseksualët apo është një lloj strehimi për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.)

Më vjen keq për Saidin, që jeton në një vend që e urren dhe për këtë nuk do as të lidhet me një “boyfriend”. Nuk ka aspak mënyrat e sjelljes femërore që bëjnë të dallohen shpejt homoseksualët. Për më tepër, duke u ndjerë ndoshta i lirë për të folur me një arnaut-kanadez , tregon se i pëlqejnë meshkujt e hollë dhe leshtorë. Kjo më lehtëson edhe nga idea e pabazë e frikës të ndonjë flirtimi nga “shoku gay” dhe më bën të qesh me vete duke menduar se cilin leshtor hollak mund të gjejmë për t’i ardhur në ndihmë Saidit.

Gjithsesi, problemi kryesor është raporti i shoqërive të vendeve ish-komuniste me homoseksualët. Janë ende të përçmuar, të përdhosur, të përbuzur dhe ndonjëherë edhe të ndëshkuar fizikisht edhe atje ku ligji I lejon marëdhëniet madje edhe martesat mes tyre. Ende nuk arrijmë të shkëputemi plotësisht nga idea që kemi të bëjmë me një anomali dhe jo një realitet. Homoseksualët kanë ekzistuar në mijëvjeçarë. Shoqëritë e mëparshme i kanë toleruar ose persekutuar. Shoqëritë moderne nuk ka asnjë arsye përse t’ju krijojnë vështirësi në punësim dhe në mbarëvajtjen e gjithë jetës së tyre. Aq më keq të lejojnë “bullizmin” ndaj tyre. Gjithashtu nuk është e lehtë të shkëputesh nga paragjykimet e disa dhjetvjeçarëve. Por njerëzit e lirë dhe mendjehapur në rradhë të parë duhet të mendojnë si t’i ndihin më të dobëtit si Saidi dhe më pas të mësojnë dhe të kuptojnë më shumë rreth tyre.

Në rradhë të parë familjarët e tyre.

Monday 3 October 2022

Ushtria e Di Lanës duhet të dëfrejë!


Nikolo Di Lana, ose Ministri jonë i Mbrojtjes është i njohur si mik i artistëve. I ka mbështetur ata sepse edhe vetë është ndjerë kitarist, serenatist, valltar dhe aktor i një niveli të lartë. Por detyra e ka thirrur në poste më të rëndësishme se ai i Ministrit të Kulturës ndaj dhe ai rreket sa të mundet t’i ndihë artistët e çdo zhanri. Për këtë së fundmi ka shpallur edhe një tender prej 600 mijë eurosh për dëfrimin e nëpunësve të Ministrisë së Mbrojtjes, oficerëve dhe ndoshta edhe ushtarëve.

Fondet për rekreacion dhe veprimtari artistike janë një gjë e zakonshme në korporatat e mëdha. Madje shumë prej tyre, gjatë shërbimeve të rëndësishme të nëpunësve të lartë, për të lehtësuar stresin e tyre, japin fonde të veçanat për frekuentimin e klubeve striptizë, si edhe të shërbimeve eskortë.  Nuk është e sigurt nëse Di Lana ka kopjuar këtë përvojë të ndërkombëtarëve, por duhet pranuar se më të stresuar se puna në Ministrinë e Mbrojtjes nuk ka.

Kush rri gjithë kohën zgjuar për Sigurinë Kombëtare? Di Lana dhe vartësit e tij.

Kush na ka shpëtuar nga spiunët e shumtë rusë, që përpiqen të na vjedhin sekretet e bazave tona para se të na sulmojnë? Nuk besoj se nuk dihet përgjigja.

Ndaj për të mirën e popullit, Atdheut dhe Partisë Socialiste, Di Lana dhe vartësit e tij duhet të dëfrejnë! Me të gjitha llojet e dëfrimit artistik, duke përfshirë këtu dhe edhe diskot dhe kërcimet cullak. Eshtë investimi më i pakët që duhet të bëjnë taksapaguesit për të garantuar një gjumë të qetë dhe pa telashe. Me pak para nga xhepat tanë, ushtria e Di Lanës do jetë vigjilente, aktive dhe e dëfryer. Në fund të fundit edhe ushtritë osmane sillnin vajza kërcimtare kur rrethonin kështjellat tona, ose ushtria italiane hapi disa shtëpi dëfrimi gjatë pushtimit të Shqipërisë.

A do ketë barazi në tender?

Kjo nuk ka shumë rëndësi dhe përvoja e Bashkisë së Korçës për të ndihmuar me fonde soprano e shquar Inva dhe më pas në këmbim ajo të bëjë një video për t’i përkrahur për zgjedhjet, mund të ndihmojë. Di Lana në shërbim të artistëve dhe artistët në shërbim të fushatave!

A është mirë me zërin pinjolli i një familjeje të shquar tenorësh?

“Se është ushtar në kufi/ Në dëborë dhe në shi/ Natë e ditë për ne vigjëlon!”

 

Sistër Theodhora


Sister Theodhora nuk është e bukur. As e veshur me shumë kujdes. Në veshjen e saj prej murgeshe mund të shquash edhe ndonjë njollë nga puna në kuzhinën e Manastirit. Prej atje doli dhe erdhi në shitoren e manastirit, ku mund të gjesh nga djathi i bardhë i prodhuar nga vetë murgeshat dhe deri në dhuratëzat me temë fetare, që të bëjnë të thellohesh më shumë në botën shpirtërore se në qejfet e kësaj bote.

Flet shumë rrjedhshëm anglisht, frëngjisht dhe greqisht. Dhe është çuditërisht e shkathët për trupin e saj të bëshëm. Një trup që presupozohet mos joshë meshkujt. I mbuluar me një rrobë të zezë të gjërë, që nuk dallohet nëse është një fund e krye apo e përbërë nga dy pjesë. Por edhe unë ndjehem shumë mëkatar të kqyr veshjen e sister Theodhoras ndërsa ajo ju shërben blerësve në shitoren e manastirit. Përqëndrohem në fytyrën e saj kur i flas ndërsa mendoj përse ka përfunduar në Manastir kjo vajzë që ndoshta quhej dikur Silvi, Anjez a Helen. Theodhora është emri që ka zgjedhur kur i është përkushtuar Krishtit. Ka lënë emrin dhe mbiemrin e saj. Do e thërresin gjithë jetën Sister Theodhora. Dhe pas shumë e shumë vitesh, kur të largohet nga kjo jetë, në gruin e varrit do shënohet vetëm emri i saj.

Sister Theodhora flet shpej dhe me gjuhë shuë të kultivuar. Duket që duhet të ketë mbaruar një universitet para se të futej në Manastir. Padashur mendja fillon të më punojë rreth një humbjeje tronditëse në dashuri a në fejesë, që nuk është e pamundur tek vajzat që largohen nga jeta e zakonshme dhe ndjekin rrugën e përkushtimit fetar. Pastaj e largoj shpejt për të mos rënë në grackën e stërhollimeve të kota mendore të ndikuara nga librat dhe filmat. E ndjej që është të menduarit e dikujt që jetën që bën shumica e njerëzve e quan si jetën e vërtetë dhe çdo lloj të jetuari tjetër e quan si devijim ose si të mangët. Unë nuk di se sa dritë, dashuri dhe gëzim ka jeta e sister Theodhoras dhe 25 vajzave të tjera që kanë zgjedhur të jetojnë në manastir. “U mbyll në Manastir! U bë kallogre”- thuhej nga brezat parardhës, që ishin edhe më fetarë se brezi jonë. E gjitha kishte ngarkesën negative të errët, që i bënte veshjet e murgeshave të dukeshin edhe më të zeza dhe muret e manastireve edhe më të pakapërcyeshëm. Murgjët dhe murgeshat nuk ishin gjë tjetër për ne vdekëtarët e zakonshëm, veçse të “burgosur vullnetarë“ të përkushtuar ndaj një ideje të pafaktuar kurrë dhe të pamundur të faktohet në jetë të jetëve.

Sister Theodhora ka një buzëqeshje të pandashme në fytyrë dhe një mirësi që nuk e has shpesh. Madje as në fytyrat e murgeshave të tjera që kalojnë me nxitim në mes të punëve të tyre në fermë. Manastiri është edhe një fermë e madhe me lopë, kuaj dhe dhi, ndaj të 26 vajzat dhe gratë janë më se të ngarkuara në punë. Me veshje që më kujtojnë bujkeshat e kohës së socializmit tek ne, që çuditërisht mbi pantallona mbanin edhe fustane, për të mos humbur anën femërore. Edhe fshataret tona i kishin kokët e mbuluara me shami për tu mbrojtur nga dielli dhe era. Murgeshat e Manastirit të ngritur nga Efraimi i Arizonës mbajnë shami të zeza rreth kokës dhe disa syresh kanë ardhur nga Rusia e largët, madje është dhe një shqiptare mes tyre. Kështu na tregon Sister Theodhora, që ka dëshirë të tregojë për çdo gjë që lidhet me Manastirin, fenë ortodokse dhe Zotin. E dëgjoj me një lloj admirimi këtë vajzë afër të dyzetave, që rrezaton dritë dhe mirësi. Edhe pse nuk mund të kthehem në fetar nën ndikimin e saj, mendoj se është mendjecektësi ta paragjykoj dhe aq më keq “t’i qaj hallin e saj”. Më vjen ndërmend Celentano me vargjet “Mos e urre diellin/ Nëse nuk je në gjendje ta shohësh”. Unë nuk di se ç’sheh sister Theodhora me sytë e mendjes së saj, që mund të jenë edhe më të fortë se sytë e mij, edhe më të ndriçuar. Ndoshta në botën e saj të bukur mes një pylli në Kebek, me shoqet e saj dhe kafshët e dashura ndaj njerëzve, ku mungojnë ligësitë e botës së madhe, Parajsa shpirtërore është krijuar tashmë.

Unë kthehem në botën që njoh me një fashë drite nga mirësia e Sister Theodhoras.

Sunday 2 October 2022

Ishte 2 tetor


Nuk më kujtohet nëse mundëm të shihnim nga dritaret e avionit dritat e qytetit të madh, ku kishim vendosur të zbrisnim. E kishim zgjedhur sepse nuk dinim ku të shkonim tjetër. Pa bërë asnjë lloj kërkimi. Pa patur asnjë të afërm ose mik. Ishte e mjaftë të “nguleshim” në një qytet të vendit të ri, për të shpëtuar nga tmerret e vendit tonë, që mbetej në një lloj kaosi të paparë as në kohë luftërash.

Kishim fjetur vetëm dy orë dhe pasi kishim marrë vizat në një depo të postës greke (çuditërisht punonjësit grekë të atij institucioni ishin aq dashamirës me ne, sa na kishin telefonuar më 2 pas mesnate) dhe ishim bërë gati me nxitim, por nuk ndjenim lodhje. Ndoshta vajzat e mija druheshin të na thoshin që ishin të lodhura. Edhe ne , të preokupuar me ato ç’do na pyesnin në zyrën e emigracionit në aeroport, nuk ishim aq të vëmendshëm ndaj tyre. Po vinim për to apo më shumë për veten në këtë vend të huaj dhe kaq të largët?

Pritëm sa na erdhi rradha dhe shkuam të gjithë para sportelit të oficerit kanadez dhe përsëritëm edhe njëherë se ç’ishim, mga vinim dhe përse vinim. Fytyra e nëpunësit ishte pa shprehje. Ndoshta ishte trainuar për të qënë i tillë. Pas 10-15 minutash na vulosi fletët e mëdha të “landed immigrant” dhe na tregoi një raft ku mund të merrje broshura që udhëzonin të porsaardhurit se ç’duhet të bënin në fillim. Ato do ishin “abetarja” e ngulimit tonë të ri.

Në korridoret gati të zbrazëta të aeroportit “Lester B. Pearson”prisja të shquaja fytyrën e vëllait të një shokut tim, me të cilin kisha folur në telefon para se të niseshim dhe i kisha kërkuar të na zinte hotel dhe mundësisht të na priste në aeroport. Nuk erdhi edhe pas 20-30 minutash ndaj pasi bleva një hartë të qytetit e telofonova. Më tha që nuk mund të linte një kurs kompjuteri që ja paguante kompania, por ishte interesuar për hotel dhe kishte disa jo të shtrenjtë në rrugën Spëdajna (Spadina). Ishim 4 vetë me dhjetë valixhe dhe çanta të mëdha (sa na lejohej të merrnim brenda biletës) dhe i shpjegova që ishim të gatshëm të prisnim deri në një orë të vonë sa të mbaronte kursin. Nuk kishte mundësi. Në hartë Spëdajna dukej e largët dhe në një ekran të aeroportit kishte njoftime nga hotelet përreth për tarifat dhe shërbimin e transportit falas. Zgjodha më të lirin (Budget Inn) dhe i telefonova. Një mikrobus, i drejtuar nga një mesoburrë  sjellshëm, erdhi pas 5 minutash dhe na mori nga korridoret e ftohta dhe aspak mikpritëse të aeroportit të Torontos, që si do mësonim më vonë, ndodhej në territorin e Misisagas, qytetit ku do jetonim për shumë vite. Kishim gjetur një strehë për natën e parë në vendin e madh, të ftohtë dhe të huaj. Rramë të flinim të këputur në dy shtretët dopio të dhomës së hotelit.

Ishte 2 tetor 1997.