Saturday 24 December 2016

Unë përsëri mora rrugën,


Unë përsëri mora rrugën,
Të panjohurën rrugë që ndoshta ka një fund,
Fillimin e një rruge tjetër.
Natën qaj mbi sendet që duhet të flak,
Mbi profilin e grisur të vajzës në akuarel,
Mbi Traktatin e Vitruvit,
      Biografinë e Olivierit,
                                Kapelen e vjetër.
Ditën kërkoj shenjat e tua,
Në lëmyshqet e drurëve,
Guacat e bregliqenit
Në ndryshkun e kangjellës tek “Dy Bletët”
Dhe bohçen të bëj gati nxitoj,
Nuk dua të mbetem vetëm.
Më mirë do jetë çizmet të mbath,
Lumenjtë e lotëve të hedh në vrah,
Të ngjit pa zor bregoret e brengave,
Nga e ftohta e braktisjeve këmbët do ngrijnë më pak,
Nuk do më çjerrin dot hallet që më rrudhën.
Me sytë picërruar shikimin hedh larg,
Edhe një tjetër herë
Pa frikë, marr udhën.

Friday 23 December 2016

Burrecët e “shtetit” shqiptar

Një sondazh i fundit i OSBE-së, disa shkrime dhe intervista 
të historianëve dhe politikanëve aktivë apo në pension, po krijojnë një situateë
tepër të dëmshme për brezin e ri shqiptar, të çorientuar mjaft nga gjendja e
sotme shoqërore dhe ekonomike.
Eshtë fjala, për raportet tona me të aluarën jo të largët dhe në mënyrë të veçantë me periudhën e Diktaturës së proletariatit dhe përfaqësuesve më të lartë të saj.
Nuk mund të them, se ata që mburrin ose justifikojnë Diktaturën, Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun, e bëjnë për arsye të caktuara politke, se kanë harruar se në ç’kohë kanë jetuar apo se ëndërrojnë një rikthim të Blokut Socialist në Europë apo në të gjithë botën. Janë të ndryshëm, por i
bashkon një gjë edhe e gënjeshtër edhe tmerrësisht e dëmshme.
I quajnë Hoxhën dhe Shehun burra shteti.
Në këtë gafë të rëndë, bie së fundmi edhe ish-presidenti
Moisiu, i cili nga afër ka njohur Udhëheqësit më të lartë të Diktaturës. Në një
intervistë të fundit, ai e konsideron Mehmet Shehun një burrë shteti dhe
kryeministër shumë i zoti, si dhe aludon se Enver Hoxha po përgatiste
likuidimin e gardës së vjetër, për të mbrojtur pas vdekjes familjen e tij.
Duhet thënë me plot gojë, që Mehmet Shehu jo vetëm që nuk ka 
qënë burrë shteti, por nuk ka qënë as kryeministër i zoti.
Burra shteti janë ata, të cilët ndërtojnë institucione shtetërore,
ndërtojnë legjislacione në funksion të mbarëvajtjes të shoqërisë në të cilën
jetojnë, punojnë për të ekzekutuar ato çka mendojnë se I bëjnë mirë vendit. Një
bandë karrieristësh, të cilët pasi morën pushtetin me gjakun e shokëve të tyre
dhe që ngritën financat e shtetit duke torturuar të pasurit, që vranë njerëzit
e shkolluar për pikpamje ideologjike të ndryshme, që izoluan një popull të tërë
duke e shpënë disa herë në pragun e urisë, që ndërtuan një sistem idiot mbrojtës
dhe një ushtri të shpartallueshme, mund të quhen çdo gjë veç burra shteti.
Mehmet Shehu nuk mund të quhet as një kryeministë i zoti, se
në Diktaturë nuk ka Kryeministër, që të shkojë të mbrojë ligjet me debate në
parlament, por veç një administrator, që qeveris më shumë me forcë dhe mbi
direktiva se sa me mençuri e ligj, pa patur kënd ta kundërshtojë. Sigurisht, që
mund të ishte më I zoti se Adil Carçani, Manush Myftiu, Ramiz Alia a vetë Enver
Hoxha, por kjo e bën atë vetëm një “çinovnik” të rangut të lartë, që ka kërkesë
ndaj vartësve dhe di të organizojë dhe asgjë më shumë.
E çuditshme është edhe nostagjia Moisiut, për vitet kur ka
punuar “nën hyqmën” e Shehut. Ishin vitet e terrroit më të madh në Shqipëri. Në
gjuhën e Komitetit Qëndror, quheshin vite kur lufta e klasave ishte ashpërsuar
më shumë se kurrë. Si asnjëherë më parë, u pushkatuan dhe u burgosën nga antarët
e byrosë politike e deri në letrarë të rinj. Gjeneral Moisiu(në atë kohë nuk
kishte grada, por duket oficerët ëndërronin t’i drejtoheshn njëri tjetrit me
grada), kujton me ëndje se si punohej krah për krah “gjeneralëve” të tjerë si
Dumja, Backa e Cako nën drejtimin e “gjeneralissimos” Mehmet Shehu. Padashje, i
shpëton edhe një kujtim, që “burri i shtetit” ishte frikacak, se nuk ja bënte
dot dy fjalën Enver Hoxhës. Këta burreca, i trembeshin diktatorit, se vetë i kishin
mbajtur “ison” kur kishte pushkatuar shokët- rivalë të tyre duke filluar me
Ramize Gjebrenë e duke vazhduar me Xoxen, Liri Gegën, Teme Sejkon e të tjerë.
Po cili ishte roli i Mehmet Shehut, në kohën e goditjes së Beqir Ballukut dhe “grupit puçist në ushtri”?Ishte ai i spastrimit të kastës së oficerëve, që mund të 
ishin pro-sovjetikë edhe pse pak gjasa kishte, që të ishin të shumtë. Tarafe po
që kishte në ushtri. Kasta e oficerve dhe privilegjet  e tyre ishin goditur më 1966, dhe Mehmet
Shehu dhe bashkëpunëtorët e tij drejtuan atë që u quajt “fshesa e hekurt”nga
1974 e deri më 1981. Shpenzimet në fortifikime u shtuan ndërsa ndihmat kineze
pakësoheshin dhe ushtria e “kalbur” e kazermave u kthye në një ushtri të “çorganizuar’
të popullit ushtar. Gjeneral Moisiu, është mirë të bëjë një “mea culpa” për gojën
që ka mbajtur mbyllur se i ikte koka dhe jo t’i kujtojë me nostalgji ato
vite,kur ushtarët e thjeshtë “torturoheshin” duke mbajtur mbi supe blloqe betoni,
për të ngjitur qëndra zjarri deri në majat më të larta ku nuk shkonte makina. Duhet
të mos harrojë, se si bashkë me ushtarakët e tjerë, ju shpjegonte ushtarëve dhe
popullit ushtar, se si ishim në gjendje të përballonim jo vetëm sulmin e një
armiku të vetëm, por edhe të një koalicioni armiqsh, ku futej edhe bashkëpunimi
I NATO-s me Traktatin e Varshavës!?


Koha i ka hedhur prej vitesh në koshin e plehrave të
historisë Hoxhën dhe Shehun. Përpjekjet për të grimuar figurat e dekompozuara të
tyre vetëm se bën që të kutërbojnë erë edhe ata që vetëquhen dëshmitarë të një
historie “të lavdishme”.




Wednesday 21 December 2016

Transformimi I Madh 7 vjecar i Ben Blushit (4)

(vijim)
Më pas, sulmet ndaj
Ramës, u përqëndruan në shtyp, parlament dhe thuajse në të gjitha rastet
pozicioni I tij ishte anti-Ramë edhe pse mundohej të shmangte vënien në një
llogore me PD-në duke akuzuar udhëheqësit e saj si vrasës dhe të korruptuar.
Herë - herë, në mbështetje të tij vihin edhe deputetët Hafizi, Dade, Kopliku,
ndërsa ndonjë mik si Dash Peza, mundohej të ndërmjetësonte
 
Sulmi kryesor ndaj Rilindjes ishte, që ata(dmth Qeveria) kishin tradhëtuar elektoratin e majtë
duke bërë klientë të njëjtët “pasanikë“ me të cilët ndanin paratë Demokratiksit
e qeverisë të para 2013. Ishte një kritikë e ligjshme, duke parë, se si po
qeveriste Rama. E vetmja pikëpyetje ishte, nëse Blushin do e kishin bërë pjesë
të Rilindjes, a do i shmangej apo jo bashkëpunimit me klientët e Berishë-Bashë-Bodes.
Duhet thënë, se situatat hipotetike nuk ndihmojnë në shpjegimin e dukurive politike apo
personaiteteve , që merren me politikë. Jemi para faktit, që Rama e la Blushn
jashtë ekipit të tij qeverisës, gjë të cilën ai kishte planifikuar vite më parë.
Në biseda në rrethe të ngushtë, në kohët më të mira të bashkëpunimit të tyre,
ai e quante Blushin “Një e keqe e domosdoshme.” Dukej, që nuk i besonin njëri
tjetrit dhe ndoshta Rama shumë më pak shokut më të ri në moshë. Duhet të ketë qënë
një miqësi e ndërtuar mbi ambicie të përbashkëta politike, nga ato lloj miqësie,
ku tejtri të le në baltë në pengesën më të pare, apo sa afrohesh pranë ‘tortës”.
Nuk është shumë e qartë se sa Rama e ka përdorur Blushin, për të arritur në rrëmbimin e kreut të 
PS-së dhe se sa ja ka shpërblyer me favore të kthyera në lekë, kur ka qënë
kryetar i bashkisë së Tiranës, por këto janë ngjarje të para 7 viteve dhe mund
të kenë patur një ndikim jo thlbësor në Transformimin e Blushit. Sigurisht, të dy,
si lojtarë mafiozë, ruajnë material komprometuese për njëri tjetrin, të cilat
do ju duhen gjatë betejës së gjatë për pushtet.
Akuzat më të forta ndaj Ramës, Blushi i bëri në kohën e skandalit “Frroku-Doshi’, një nga skandalet
më absurd, qesharake dhe mafioze të historisë të tranzicionit shqiptar. Krimineli
Frroku, I kishte mbushur mendjen biznesmenit vagabond Doshi, që qarqe politike rreth
Berishës  dhe më vonë të Metës, i kishin
përgatitur një atentat. I porosituri për atentatin ishte penduar dhe jar rëfeu
të gjitha Doshit. Mosangazhimi I qeverisë solli prishjen e Doshit me Ramën dhe
përjashtimin e tij nga grupi I deputetëve. Blushi, sikundër opozita, dolën
hapur kundër përzjerjes së Ramës me njerëzit e krimit dhe përfshirjen e tyre në
Listat e deputetëve, por gjatë deklarimeve të paëve, doli se edhe Blushi kishte
qënë mik I Doshit, bile e kishte paralajmëruar se Rama do e shiste.Duket, që
gjatë përpilimit të listave, ose Blushi nuk ishte pyetur fare, ose i kishte mësuar
por kishte parapëlqyer të mos bëzante, ose kishte të njëjtin mendim taktik me
Ramën për të fituar zgjedhjet me ]do kusht.Gjithsesi, kritikat e tij kështu
vetëm e humbisnin efikasitetin, por dëshmonin edhe hipokrizinë e Ben Blushit, që
ishte ulur në tavoina me Doshin, Frrokun, Ndokën e të tjerë të inkriminuar, të
cilët më vonë I godiste gjysëm hapur ose hapur në publik.

Sunday 18 December 2016

A do ndërhyjë Putin në zgjedhjet e 2017-ës?


Vladimir Putin, porsa u shpall nga revista “Forbes” sinjeriu më me ndikim në botë. Sipas të dhënave të shërbimeve të huaja, ai kandikuar në zgjedhjet e fundit në Amerikë, Bullgari, Gjeorgji, Uzbekistan, Taxhikistan, Mongoli dhe në Ishujt Sejshell. Rusët po punojnë për të ndikuar në rezutatin e
zgjedhjeve të ardhme në Francë dhe Gjermani. 
Pyetja, që shtrohet, është nëse ata do mundohen të ndryshojnë rrjedhën e zgjedhjeve në Shqipëri.
Arsyet gjeopolitike i kanë të forta, por sa mbështetje kanë rusët në Shqipëri?
Dihet se Putin është kundër Sorosit dhe po njëlloj janë edheDemokratët. Por demokratët tanë edhe pse anti-Soros janë pro- europianë, ndaj duket e pamundur, që Luli me familjen në Hollandë, ose Ritka nga Rakicka me fëmijët në Angli, të kthehen pro-Putin.
Lëvizja për Integrim e Metës, gjithashtu nuk mund të jetë proruse, ndaj mbeten vetëm partitë e reja, ose ndonjë korrent brenda Partisë Socialiste.
Blushi dhe Bojaxhiu janë proBruksel, ndërsa Duka, po qe se do kishte mbështetjen e Putin do kishte fituar zgjedhjet e fundit në Kolonjë.
Po cili mund të jetë grupimi prorus në PS, që do përmbysë Ramën pas fitores së 2017-ës?
Të gjitha gjasat, janë, që grupi i “votkapolitik”, të jetë grupi, që do marrë drejtimin e Shqipërisë vitin e ardhshëm.
Grupi është thuajse i gjithi me origjinë nga Korça. Si ideolog kanë S’e vret Pëllumbin, profesorin e marksizmit bashkëkohor, që ka studiuar në Bashkimin Sovjetik. Grupi posa shtiri në dorë përfundimisht Forumin e grave socialiste, me korçaren Olta Xhaçka, mbesë e profesorit S’e vret. Përlogaritet, që 60% e grave “sallake”, të cilat votuan Xhaçkën, të bëjnë një numur rekord
antarësh, kur në kongresin e ardhshëm të PS-s të votohet për kryetarin sipas parimit “një anëtar, një votkë“.
Megjithatë, mbetet problem numuri i messhkujve majtoshë, si
dhe kandidati për Kryetar i PS-së dhe njëkohësisht Kryeministër i vendit
Për rritjen e numurit të filorusëve është menduar që Festa e Birrës, mot të ndryshohet në Festa e Votkës, duke i bërë një karshillëk të hapur Merkelit. Shpallja do bëhet në janar, për të arritur një numur sa më të madh përkrahësish në zgjedhjet e qershorit, si dhe për të kthyer sa më shumë
votkëdashës në muajt e ftohtë të dimrit. Korça ka një traditë të shkëlqyer në
votkëpirje, që nuk ka mundur ta errësojë as suksesi i konjakut të Kondakçiut
apo Birrës së Hysenbelliut. Për të mos zbuluar udhëheqësin e lëvizjes, ndryshim
I emrit të festës do i atribuohet Raqi Filos, me justifikimin se ka një të
ftohur kronike dhe për këtë mban vazhdimisht shallaqkë ndaj dhe adhuron votkën.
Në korrik, kur Rama të shijojë fitoren në Dhërmi duke i mësuar not Zahos, Nikolla i I i Korçës(adash me carin e fundit rus) do shpallë platformën e tij proruse. Në videon promovuese, që po përgatitet do ketë pjesë këngësh ruse si “Kalinka”, “Mbrëmjet e Moskës” dhe “Dalin vajzat kozake” të kënduara
nga xhaxhallarët e tij para viteve ‘60, si dhe këngë partizane nga Kori i Ansamblit të ushtrisë, por dhe të kënduara me grusht përpjetë nga vetë ai dhe aktorja e shquar e humorit PërPaqe Kita.
Më në fund, pas gati 80 vjetësh pas Koco Kotës, një korçar do jetë Kryeminstër i Shqipërisë.
Gëzuar edhe Shën Kollin me një dolli me votkë(jo vodkë) të dashur miq!
Të na rrojë Shqipëria!

Saturday 17 December 2016

Korça e Naumit dhe Marselës


Më kanë gëzuar këto ditë, pamjet plot drita të qytetit tim,
të botuara në dia gazeta e portale, që dëshmojnë pë përkushtimin e bashkisë dhe
të pushtetit qëndror. Më thonë edhe se është e vështirë të gjesh vende të lira
në hotelet dhe bujtinat e qytetit gjatë fundjavës, pasi të huaj dhe shqiptarë pëlqejnë
të kalojnë disa ditë në qytetin e kalldrëmeve dhe kangjellave.
Por ka edhe pjesë të pandriçuara të qytetit, ku jetojnë njerëz
e ndodhin krime nga më të tmerrshmet. I fundit ishte vrasja e dy fëmijëve dhe
vetvrasja e një kryefamiljari. Nuk ka në historinë e qytetit tim( të paktën në
atë të pasqyruar në shtypin shqip që në kohën e Mihal Gramenos)një krim kaq të
përbindshëm. Ka pasur edhe vrasje me automatik të një famijeje të tëre në kohën
e Diktaturës, por të tillë, të vrasjes të fëmijëve nga prindi nuk ka pasur.
Nuk dua të bëj as hetuesin dhe as psikiatrin për të ngritur
hipoteza e për të arritur në konkluzione, se ç’ndodhi atë pragmëngjesi të mallkuar.
Tre njerëz të varfër humbën jetën nga varfëria, më shumë se nga çmenduria apo shtazëria kriminale.
Në të gjitha dëshmitë e njerëzve të njohur dëgjon rreth varfërisë e dëshpërimit.
Njerëz, që emigruan në shtetin fqinj se nuk kishte punë në Shqipëri.
Njerëz, që kthehen, se nuk ka punë në Greqi dhe më pak akoma në vendin e tyre.
Gra që prostitujnë për të rritur fëmijët dhe burra, që pranojnë lekët e shitjes së trupit.
A nuk është kjo pamje e errët e qyteve tona, që nxin edhe ndriçimet më marramendëse të Filos, Dakos apo Veliajt?
Dy ëngjëj të pafajshëm nuk marrin më frymë se ja u ndalën prindrit e varfër dhe nuk i shpëtoi dot shoqëria.
Shuajini 5 minuta dritat që lbyrin Sheshet dhe Këmbësoren e qytetit tim!
Ndizni nga një qiri për shpirtin e atyre dy fëmijëve!
I ndizni edhe për shpirtrat tanë, që çdo ditë e më shumë njollosen!

Friday 16 December 2016

Biseda te pakryera me babane (4)

(Vijim)
Unë: Më kujtohet mirë fundi i verës të vitit 1969, kur u vu në skenë “Njollat
e Murrme”. Ti ishe shumë skeptik për atë dramë, që po bënte shumë bujë dhe për
herë të parë gjatë gjithë viteve në Korçë, nuk shkove ta shikoje shfaqjen. Si ndodhi?
Ai: Ka patur edhe raste të tjera, që nuk kam shkuarpor në rastin e dramës së Minush Jeros nuk kam shkuar qëllimisht.
Kishte gati një vit, që më kishin hequr nga Këshilli artistik i teatrit dhe marëdhëniet
e mija me drejtuesit e tij dhe me Mihal Luarasin ishin të ftohta. “Duçeja”(kështu
ja kishin ngjitur aktorët) ishte arrogant dhe mospërfillës, ndaj nuk kisha dëshirë
të shihja vepra të vëna në skenë prej tij edhe pse e gjykoja, që ishte më i talentuar
se regjisorët që kishin punuar deri atë kohë në Teatrin e Korçës.
 
Unë: Më i talentuar edhe se Sokrat Mioja?
Ai: Po. Më i talentuar se Sokrati dhe Pirro Mani. Sokrati kishte mbetur 
nën ndikimin e teatrit neoklasik, deklamues, ndërsa Mani pëlqente skenat e
bujshme dhe me efekte, i ndikuar nga shkolla sovjetike ku dhe kishte studiuar. Luarasi
kishte studiuar në Ceki dhe kishte më tepër ndikime nga teatri modern gjerman
dhe i Europës Qëndrore. Cilësi të ngjashme me të kishte edhe Esat oktrova, të
cilin në atë kohë e konsideroja si regjisorin më të mirë shqiptar. E megjithatë,
talenti nuk ka të bëjë thjesht me shkollën, por edhe me vetë individin dhe
prirjet e tij.
Unë: E gjithë buja e shfaqjes u reflektua në diskutimet e rretheve
artistike, që në ato kohë bëheshin jo vetëm brenda Pallatit të Kulturës, por
edhe  përpara tij. Ti ishe në ata, që
kundërshtonin vlerat e shfqjes edhe pa e parë atë. Si ishte e mundur?
Ai: Nga sa më kishin treguar të tjerë shokë, që e njihnin teatrin dhe që
ishin pro, kundër ose të lëkundur, kisha krijuar përshtypjen, që pavarësisht
nga loja e mirë e aktorëve, drama nuk do ta kishte jetën e gjatë. Ishin
hequr nga qarkullimi pjesë teatrale me më pak probleme se drama e Minush Jeros.
Isha I bindur se nuk do mjaftonte mbështetja e Todi Lubonjës apo Mantho Balës,
për ta shpëtuar nga goditja që do vinte nga lart. Dhe këtë bindje e kisha
shprehur në diskutimet jo zyrtare, që bëheshin para Pallatit të Kulturës, ku
merrnin pjesë edhe dashamirës të letërsisë.
Unë: E kemi biseduar edhe më vonë në shtëpi, që ti këmbëngulje edhe pasi
drama korri sikses në Tiranë në ditët e festivalit të teatrove dhe kishte kalur
“kontrollin” e Ramiz Alisë dhe Mehmet Shehut. Shprehja, që e kujtonte dhe Raqi
Kajnoja ishte “prisni, se nuk e ka parë akoma I Madhi- që nënkuptonte Enver
Hoxhën”. Ishe i sigurt në këtë apo thjesht kokëfortë?
Ai: Unë kisha përvojë në rrethet e artit dhe kuturës më shumë se entusiastët
e “Njollave të murrme”. Një pjesë e tyre, më të rinj, mendonin se Partia ishte
Todi Lubonja dhe Mihallaq Ziçishti. Disa nuk e dinin ose kishin harruar se ç’kishte
ndodhur disa vite më parë me dramën “Rrethimi i Bardhë“ të Naum Priftit. Gjatë
një vizite të Enver Hoxhës në Korçë, kishte shkuar të shikonte dramën e vënë në
skenë nga teatri “A.Z.Cajupi”. Qëlloi, që Naum Prifti ose ishte lajmëruar me
vonesë, ose për shkak të udhëtimit me makina të rastit, arriti në teatër kur
shfaqja kishte filluar dhe trokiste në derë për të hyrë. Një nga shoqëruesit e
Enverit, që hapi derën dhe pyeti se kush ishte, pasi dëgjoi përgjigjen, që
ishte autori u përgjigj “Ik se mos të marr me shqelma, ti qënke ai që po e tërbon
shokun Enver me këtë shfaqje!” Ishte shfaqja e fundit e “Rrethimit të Bardhë“. Ajo
dramë kishte shumë më pak “gabime ideore”, se drama e Minush Jeros.
Unë: U analizua dhe u kritikua më vonë në Degën e Lidhjes shfaqja e
teatrit?
Ai: Jo. Mund të jetë diskutuar në teatër dhe në organizatën e partisë të
sektorit të kulturës, por unë nuk kam qënë pjesëmarrës. Në atë kohë, veç
artikulit “Njolla të zeza”, që e dërmonte dramën dhe autorin, sipas orientimeve
me gojë të Enver Hoxhës, i cili kishte kërkuar tekstin e dramës menjëherë pasi
kishte parë shfaqjen, nuk pati ndonjë masë ndaj drejtuesve të teatrit, bile as
ndaj autorit. Ishte koha, kur lufta e klasave ishte më e zbutur dhe pasojat e
asaj shfaqjeje, autori dhe regjisori i ndjenë vetëm pas pleniumit të IV, të
qershorit 1973. Aktorët Vangjush Furxhi, Edi Luarasi dhe Minella Borova, kishin
marrë, që në fillim vlerësimet maksimale të udhëheqësit, ndaj për ta, pjesëmarrja
në atë shfaqje nuk u konsiderua asnjëherë si minus. Edi, e cila vuajti heqjen
nga puna, e pësoi si gruaja e Mihalit, i cili u përjashtua nga partia dhe u
burgos pas goditjes së Todi Lubonjës.

Thursday 15 December 2016

Djegia në Maliq dhe fondacioni “Soros”


Në një nga portalet shqiptare anti-Soros, është botuar sot
një shkrim I analistit të komploteve Kastro Myfto, të cilin po e sjell më poshtë
pa ndryshime
Sorosi shtrin kthetrat e tij në Maliq.
Një djegie e ngjashme me atë të Raishtagut, ka ndodhur mbrëmë në buzë të Devollit, në qytetin e vogël të Maliqit. Si pranohet nga vetë bashkia, policët bashkiakë, kanë qënë ata, të 
cilët I kanë vënë zjarrin Qendrës kulturore, që mban emrin e regjisorit të
famshëm Dhimitër Orgocka dhe e kanë shkrumbuar. Përsëritet i njëjti skenar i 80
viteve më parë, por tashmë jo në Berlin dhe me bidona me benzinë, por në Maliq
dhe me plitkë me korrent.
Po përse kanë djegur Kulturën e Maliqit?Arsyet janë tre.
Dihet që Maliqi u ndërtua nga rusët dhe ka një popullsi të madhe rusofile. Pikërisht, tani pas ardhjes në fuqi të Donlad Trump, Sorosi, të cilit po i ngushtohet laku dita ditës, ka dhënë
urdhër,që të zhduket çdo influencë e Putinit në Maliq, duke filluar me djegien
e ndërtesës simbol. E ka patur të lehtë, se në Bashki janë disa sorosianë duke
përfshirë edhe kryetarin Topçiu.
Arsyeja e dytë, është kutura e lashtë e Maliqit, që në kohën e Neolitit. Zbulimet më të fundit, të bëra 
në Sheqeras, kanë vërtetuar, që futja në ujë e Akilit nga e jëma, perëndesha
Thetis, është bërë pikërisht në Devoll dhe jo në lumin Stiks, si ekanë
manipuluar historinë grekët. Pikërisht në Sheqeras është gjetur një pllakë guri
me mbishkrimin pellazg “Arqilehti këmbëlehti”, që dëshmon katërcipërisht, që
Akili është shqiptar dhe gjuha jonë është shkruar shumë kohë më parë se
greqishtja. Në këtë fushë, sorosianët kanë mbështetjen e plotë financiare të lobit grek.
Arsyeja e tretë, që u zgjodh pikërisht ky objekt dhe jo Kombinati Sheqerit, lidhet me emrin, që mori
qëndra 10 vjet më parë. Ka disa javë, që në rrethet e djathta të Hollivudit( të
cilat nuk janë të shumta), po punohet itensivisht për të realizuar një film për
presidentin e posazgjedhur. Pasi Robert Redford, i njohur për prirjet e tij
liberale dhe Alek Bollduin, si imitues i tij në SNL, janë hedhur poshtë si
kandidatura nga rrethi i ngushtë i Trump, kandidatura më e përfolur për rolin e
Donald është ajo e Dhimitër Orgockës. Janë kërkuar urgjentisht filmi ku aktori i
famshëm korëar luan Adem Rekën, rregjistrimi i “Maro Mokrës”, ku luan komisarin
dhe disa fimime të recitimeve të tij nga “Nënë Shqipëri”. Për problemet, që
mund të dalin me dublimin e zërit në anglisht, është zgjedhur aktori i estradës
Dervishi, që prej vitesh jeton në Amerikë. Djegia e qendrës është kërcënim i hapur
për atentat ndaj Orgockës, i cili edhe vetë ishte shprehur, që “vdekjen e
kishte menduar por jo këtë.”
Të gjitha këto vërtetohenmë së miri nga heshtja e plotë e Ramës, Peleshit, Kumbaros dhe gjithë sorosianëvetë tjerë.
Xhaxha Soros larg duart nga Maliqi!

Wednesday 14 December 2016

Marshon Shqipëria demokratike me dy këpucë të majta.

Për hir të së vërtetës, duhet thënë , që këpucët janë po aq 
të majta sa edhe të djathta. Ve], që janë shumë të ngjashme, ndaj edhe Shqipëri
e shkretë, e ka të vështirë rrugën drejt Europës. Bile gati gati sa nuk
qorrolliset.
Ndoshta nuk kishte si të qe ndryshe, përderisa Hoxha me bandën
e tij ja kishte future këmbët në një këpucë të shqyer të majtë, me të cilën
Shqipëria nuk mund të bënte tjetër, ve]se të rrinte në vend. Përgjithësisht,
nga materiali i vjetëruar i Partisë së Punës, u qepën një palë të reja, të
cilat i nevojiten për të ecur normalisht ]do shoqërie që funksionon bazuar në
rregullat e demokracisë dhe të ekonomisë së tregut. Nj[ra duhet t[ ishte e
majt[ dhe tjetra e djatht[.
Edhe pse bipolarizmi, nuk është zgjidhja perkryer politike në një demokraci normale,(shembujt e ndryshëm të Anglisë, Francës, Amerikës, Kanadasë, Italisë e dëshmojnë këtë), politika vazhdon të konsiderohet e ndarë në të majtë dhe të djathtë dhe kjo jo thjesht për lehtësim studimi. Brenda shoqërive gjithnjë ka pasur dhe do ketë forca konservatore, që mundohen të mbajnë të
konsoliduar vlerat e arritura dhe liberal-progresiste, të cilat duan të bëjnë
ndryshime të shpejta. Për të mbajtur një drejtpeshim në ecje, nëpërmjet zgjedhjeve,
automatikisht, shoqëria alternon(jo me të njëjtën shpeshmëri), në pushtet të
majtën dhe të djathtën.
Nuk dua të zgjatem në historinë e krijimit të dy partive kryesore shqiptare, se për to është shkruar shumë duke I quajtur si të mbushura me bllokmenë apo ish-sigurimsa, si banda kriminale etj.etj.
Duam apo nuk duam ne, këto janë dy partitë e strukturuara më mirë dhe që kanë mbështetjen më të madhe në popull. Ky(së bashku me mediat, që ju sherbejne)është i joni ‘establishment”, deri sa të organizohen pati dhe lëvizje të reja politike, populiste apo normale.
Zgjedhjet, që po afrohen, ]uditërisht po bëjnë të kundërtën e asaj, që ndodh në botën perëndimore në prag zgjedhjesh. Rama bën politikë gjithnjë e më djathtas, ndërsa Basha-Berisha tentojnë të shkojnë sa më majtas.
Reforma e gjyqësorit, që duhet të ishte një kauzë e të djathtës, kundërshtohet deri në bllokim nga Partia Demokratike, ndërsa bajraku i nacionalizmit, monopol  të djathtave,
valëvitet më me furi nga Partia Socialiste.
Reforma arsimore, e cila ju jep dorë privatëve, kundërshtohet
jo vetëm nga ekstremi i majtë, por edhe nga e djathta.
Ligji për importin e plehrave, që duhet të miratohet nga e djathta, sillet në kuvend dhe argumentohet si ndihmë ndaj biznesit nga qeveria e majtë dhe hidhet poshtë nga presidenti i djathtë.
Koncensionet, praktikë e njohur e të djathtave, kundërshtohen
nga Basha jo vetëm për klientelizëm dhe korrupsion, por edhe se janë kundër
interesave të popullit.
Një klimë politike e tilë, i krijon votuesit të thjeshtë(jo militant) një ]oroditje të plotë, ndaj të cilës do zgjedhë ose të mos votojë ose të shesë votën qoftë edhe për 30 euro. Ai tashmë nuk di për kë të votojë, se nuk ka të qartë se ]’I sjell dobi atij nga njëra qeveri apo tjetra.
Qëndrime të tilla ]orodisin bizneset, që janë motorri lëvizës
i shoqërisë shqiptare dhe sidomos, investitorët e huaj, që nuk kanë hyrë ende në
Shqipërid dhe që panifikojnë të investojnë diku në Ballkan.
Duket, që për politikanët tanë(të korruptuar por edhe miopë), rëndësi kanë vetëm numurat.
Numuri i parave, që mund të shkëpusin nga buxheti i shtetit për xhepat e tyre.
Numuri i deputeëve, që duhen për të miratuar një ligj të caktuar.
Numuri i donacioneve për partitë e tyre, që do I marrin bizneseve.
Numuri i votive, që do fitojnë duke p[rdorur ]do mënyrë.
Por politika nuk është thjesht numura. Në rradhë të parë është
ideologji dhe parime, të cilat më pas kthehen në numura, kur i ndjek dhe i zbaton.
Kuptimi semplist i ‘yxhymit” për para, që të vijmë në pushtet, për të bërë para, jo vetëm ul besueshmërinë, por më vonë kthehet edhe në bumerang, që të shpie edhe prapa hekurave.
Ndaj të djathtës, më shumë se Pozitës, I duhet të qartësojë programin e saj të djathtë, nëse do të rikthehet në pushtet. Në të kundërt, do vazhdojë të jetë “këpuca tjetër e majtë“, gjysëm e mbathur në këmbën eShqipërisë, që pengon ecjen e saj dhe që në një ditë jo të largme do përfundojë
në kutinë e “këpucëve të vjetra”.

Tuesday 13 December 2016

Për hir të Kadaresë le ta shqyejmë Lubonjën!

Le të themi, se Fatos Lubonja është një anti-Kadareist. Në 
fushën e gjerë të artit , letrave dhe poitikës ka pasur gjithnjë kritikë
anti-Mikelanxhelo, anti-Vagner, anti-Pikaso, anti-Cërçill e kështu me rradhë,
mijra e mijra. Duke e rrjeshtuar Lubonjën mes tyre, po them edhe se Kadareja i afrohet
nivelit të gjenijve të sipërpërmendur edhe pse nuk e kam të plotë këtë bindje. Megjithatë,
meqënëse është shkrimtari jonë më i lexuar, më i përkthyer dhe më I njohur në
botë, për lehtësi të shkrimit po e le në atë Olimp.
Le t’I kthehemi debatit të dy javëve të fundit, të
shkaktuar nga botimi i librit të Dashnor Kaloçit dhe sidomos nga komentet e
Lubonjës rreth fabrikimit të historisë nga vetë Kadareja.
Të gjithë duhet të pranojmë, se vepra e Kadaresë, që s’ka se
si të mos reflektojë edhe natyrën e autorit, ka shumë dritë-hije, rropatje,
vezullime, prapaskena, çmime, përndjekje, ambiguitete duke e shpënë autorin nga
majat më të larta të nderimit dhe përfitimit në Diktaturë dhe deri pranë dyerve
të burgut. Një djalosh 17 vjeçar, që habiti botën letrare të kohës me poezitë e
tij mbresëlënëse, duke qënë më prodhimtari dhe më i talentuari i kohës, nuk
kishte se si mos i shpëtonte ulje ngritjeve të tilla. Vetë Ismaili, ishte jo
vetëm spektator, por edhe aktor i dramës së veprës së tij në procesin e botimit
dhe pas botimit në kohën e Hoxhës. Nuk i përngjante të mëdhenjve të tjerë, që
ishin tërhequr, sikundër kishin bërë Lasgushi, Kuteli, Markoja e ndonjë tjetër.
Arsyet më mirë se kushdo i di vetë Kadareja, por ai ishte aktiv ne rrethet e
gazetarisë dhe ato letrare, që nga bisedat e ngushta, në nxitjen e klaneve, në
përkrahjen e të rinjve, në shkrimet dhe intervistat, në takimet me Nomenklaturën
dhe deri në hyrjen në parti dhe pjesëmarrjen në mbledhjet e organizatës bazë. 
Ndaj është e gabuar paraqitja e tij si “shkrimtar oborri” po aq sa e gabuar është ta paraqesësh si të përndjekur apo akoma më tepër si disident.
Po le të kthemi në Fatos Lubonja dhe sulmet tepër të egra, qëi bëhen atij rreth atyre ç’ka tha për Kadarenë dhe librin e Kaloçit.
Një libër me dokumenta(qoftë këto edhe të manipuluar nga
Sigurimi i asaj kohe) nuk mund të ketë monopolin e të vërtetës rreth raportit të
Kadaresë me Diktaturën dhe me Diktatorin. Do duhen edhe shumë vepra të tjera
dhe studime të thella për të përcaktuar se cili ishte Ismail Kadare, prej
viteve ‘60 e deri në largimin e tij nga Shqipëria. Një libër apo edhe disa të
tillë, nuk mund të arrijnë në konkluzionin e thjeshtë se veprat, të cilat u
botuan në 3 dhjetvjeçarë e patën fatin të dinin në dritë thjesht nga talenti i autorit
apo nga cilësia e tyre. Bota letrare e përzjerë me botën politke të atyre kohëve,
ishte shumë më komplekse dhe më e ndryshueshme se sa paraqitet sot. Shumë gjëra
vareshin nga direktivat e ndryshme politike, që herë hapnin një frymë liberale
dhe herë shtrëngoheshin në një konservatorizëm të pashoq, vareshin nga mënyra
se si i lexonte apo i shikonte Hoxha, por vareshin edhe nga tarafet e krijuesve,
kritikëve apo aparatçikëve të kulturës në Komitetin Qëndror.
Ndaj edhe “perandoria e veprës së Kadaresë“, si e quajnë
disa(një term shumë i tepruar), ka shumë faqe të ndritshme , por edhe skuta të
errëta. Lubonja gabon kur e thjeshtëzon.
Por shumë më shumë gabojnë ata që i janë turrur, për ta
xhavalitur Fatosin, i cili është sot një nga njerëzit, të cilit I peshon më
shumë fjala në Shqipëri. Duke mos pasur argumenta, ose përgjigje për pyetjet që
ai ngre, ai sulmohet për krimet, që ka bërë i jati, për zili dhe akoma më shumë
për ligësi dhe antipatriotizëm.
Unë nuk kam pse të rrjeshtoj ato që ka hequr Lubonja nën diktaturë që kur ishte 23 vjeç, se as ato nuk kanë të bëjnë me temën. 
Gjithashtu shijet e tij për letërsinë apo opinion për
Kadarenë, nuk kanë pse të diskutohen as prej meje dhe as prej të tjerëve. Ai
mendon dhe mundohet të argumentojë, se Kadareja direkt apo indirekt po lejon të
falsifikohet historia e veprës së tij dhe të atij vetë nën Diktaturë. Mund të
jetë plotësisht i gabuar, siç mund të ketë edhe pjesërisht të drejtë, por në
vend që të përshëndetet për pozicionin e ndryshëm rreth një çështje komplekse,
anatemohet deri antishqiptar e ku e di unë ç’farë.


Për hir të Lubonjës nuk do e sulmoja Kadarenë, por aq më pak
për hir të Kadaresë do shqyeja Lubonjën.

Nuk I bën mirë as Ismailit, as veprës së tij dhe as letërsisë
shqipe dhe historisë së saj.

Sunday 11 December 2016

Mirseerdhe Enver djalli, se dhe ne na mori malli!

Fantazma e Diktatorit u ngjt këtë Dhjetor, më shpesh se
dhjetorët e tjerë. E frikshme edhe pse burri, që sundoi 41 vite Shqipërinë,
ishte shumë i pashëm, sipas standarteve njerëzore. Në Ferr, ndoshta të tjera
standarte kanë për paraqitjen.
Sipas një anketimi të besueshëm të OSBE-së, për të kanë mall
diçka më shumë se gjysma e shqiptarëve.
Nëse rezultate të tilla do kishin dalë më 1960 në Gjermani
dhe Itali, më 1998 në Portugali dhe 2000 në Spanjë, respektivisht për Hitlerin,
Musolinin, Salazarin dhe Frankon, e gjithë shoqëria do mobilizohej, për një
fushatë në gjithë sektorëtt e marëdhënieve me publikun, për të ulur këtë përqindje.
Natyrisht, që uk ka ndodhur edhe pse nostalgjikë të diktatorëve ka ende në të
gjitha këto vende.
Por cili është përfundimi i parë dhe I menjëhershëm, pas këtij anketimi?
Shoqeria shqiptare nuk është europiane dhe nuk është ende gati për tu pranuar nga Europa.
Ndaj duhet të alarmohemi të gjithë.
Nëse të themi parlamenti do ndryshojë ligjin për zgjedhjen e
Presidentit, duke e kthyer në zgjedhje të drejtpëdrejtë nga populli, i bie, që
nëse kandidaturën e venë Nexhmije, Ilir apo Liliana Hoxha, të fitojnë edhe pa
shkuar në balotazh!
Por edhe pa u ndryshuar ky ligj, Partitë e ekstremit të majtë,
të inkurajuara nga sondazhi, do mobilizohen të fitojnë sa më shumë vende në
Parlamentin e ardhshëm.
Nuk ka shumë rëndësi të nxjerrim arsyet e këtij malli për Qoftëlargun.
Në rast se partitë e mëdha, nuk organizohen në një pakt për
të demaskuar sërish Enver Hoxhën dhe dikaturën puniste, atëhere duhet shoqëria
civile dhe mediat e pavarura ta fillojnë urgjentisht këtë gjë.
Këto janë këmbanat e para të alarmit për të atdhmen e fëmijëve tanë. 
Në zemrat e gjysmës së shqiptarëve, për padije, varfëri, humbje
privilegjesh apo arsye të tjera, Enver Hoxha dhe koha e tij është e gjallë dhe
e dëshëruar.


Nëse këto këmbana alarmi nuk na venë në lëvizje, nuk do jetë
larg, kur të dëgjojmë këmbana të përmortshme për Shqipërinë. 


Mos na duket çudi, që një ditë, një parti e ekstremit të
majtë, e udhëhequr nga një politikan karizmatik, të marrë në mënyrë të ligjshme
fuqinë dhe të nisë gradualisht me shtetëzime, hapje vende pune në sektorin
shtetëror, rritjen e ushtrisë dhe policisë, futjen në burg të të korruptuarve dhe
më tej të na vërë në rrjesht për të parakaluar para tribunës për 1 majin, Ditën
e Solidaritetit ndërkombëtar të puntorëve.


Në Europë ekstremet kanë vite, që po gjallërohen. 


Ky i joni është ekstremi i ekstremeve.


Njerëz, që kini jetuar nën Diktaturë thoni të vërtetat rreth
saj dhe Qoftëlagut, që ishte në krye!


Mos e lini veten, që një pjesë e mirë jona, në mënyrë
perverte të ndjejë mall për Enver Djallin!


 .

Thursday 8 December 2016

Nuk është gjuha, “është ekonomia budalla”.


Thënia e famshme e Bill Klintën në fushatën e vitit 1992 “Is the economy stupid”, e cila politikisht korrekt mund të përkthehet “Eshtë ekonomia kokëfortë“, ndërsa në ngjyrimet më ekstreme “Eshtë ekonomia o gomar!”, ishte në themel të fushatës, që e bëri guvernatorin e panjohur të Arkansas-it, Presidentin e 43-të të SHBA.
Shumë gjëra kanë ndryshuar, që në atë kohë, por kjo shprehje është ende në thelbin e çdo fushate elektorale për President, guvernator apo anëtar kongresi në shtetin më të madh në botë.
Poitikanët tanë, e kanë shumë të lehtë të japin mendje dhe zgjidhje, për një vend gjigand dhe shumë paradoksal si Amerika. Cuditem, se si arrijnë pas gjithë punëve për Shqipërinë, daljeve pareshtur në televizion, përurimeve të veprave të rilindjes urbane, të studiojnë në themel politkën e ndërlikuar amerikane dhe të japin mend dhe konkluzione. Ishte kjo, që e shpuri Edi Ramën në gafën e madhe anti-Trump, të cilën do I duhet një kohë e madhe për ta korrigjuar. Ndoshta do I vlejë si mësim për të mos dhënë mend për Referendumin në Itali dhe për zgjedhjet e ardhme në Gjermani dhe Francë.
Në të njëjtën linjë, një zyrtar i lartë i qeverisë si zv.kryeministri Peleshi, në një shkrim të djeshëm në gazetën Mapo, shprehet pa droje, se një nga faktorët kryesorë të humbjes së Hillërit është gjuha politike në fushatë, apo ajo që quhet “politically correct”. Më tej ai shkon në idenë se “elita të tjera, që do flasin gjuhë më troç”(jo fjalë për fjalë në shkrimin e tij-NM)do fillojnë të qeverisin dhe sundojnë botën.
Duket, që zv.kryeministri jonë ka kuptuar pak, ose aspak nga zgjedhjet e fundit në Amerikë.
Tramp nuk fitoi se përdori të kundërtën e “politically correct”. Arsyet e vërteta të fitores së tij, janë kryesisht në ekonomia, por edhe ato që duken se nuk kanë lidhje me të , si urrejtja mes racave, mosbesimi në politikanët dhe në mediat e mëdha, mosbesimi në katstrofën ekologjike, janë të lidhura ngushtë me ekonominë.
Amerikanë nuk besojnë në ‘establishment”, jo për shak të të folurit politikisht korrekt, por se politikanët më shumë dhe gazetarët që ju shërbejnë GENJEJNE! Vetëm 12% e amerikanëve e shohin si pozitive punën e Kongresit Amerikan dhe kanë besim në të. shumë I ulët është edhe besimi në televezionet dhe gazetat e mëdha.
Obama, në 12 vjet të karrierës së tij politike, ka qënë politikani me gjuhë më të sofistikuar dhe më korrekte dhe fitoi në të gjitha garat si senator dhe president. Për fat të keq, njerzit u zhgënjyen edhe prej tij, se dalja nga kriza ekonomike e vitit 2008 shkoi thuajse e gjitha në favor të më të pasurve. Ishte kjo arsyeja, që në shtetin e Pensilvenias, një shtet kyç për fitoren, sipas një analisti të CNN-it, ishin shtuar “leaners”. (Këtë shprehje, që as gazetari nuk e kishte njohur më parë, ja spjegonte një barmen në Filadelfia, që karakterizonte si të tillë ata që mënjanonin trupin për t’i thënë pranë veshit “Këtë rradhë më duket do votoj për Tramp”. Vetë njerëzit, që kishin votuar tradicionalisht për demokratët, e kishin të vështirë të theshin hapur që do votonin kundër.)
Gjuha e kandidatit Berni Sendërs, ishte gjuhë politikisht korrekte dhe edhe pse socialist, çifut dhe 74 vjeçar, ai jo vetëm gati e mundi Hillërin, por në sondazhet e majit ndaj Tramp ishte 15 përqind para.
Po a e ndihmoi Tramp-in gjuha e thjeshtë dhe vulgare, apo pozicioni kundër “establishment”?
Ishte e dyta. Njerzit ndëshkuan në fushatën brenda Partisë Republikane, Xheb Bushin dhe Paulo Rubion, të cilët shiheshin si të përkëdhelurit e “establishment”. Ndërsa kandidati ekstremist, senatori Ted Kruz, edhe pse urrehet nga të gjithë kolegët e tij senatorë republikanë, arriti të dalë i dyti.
Në përbaljen me Hillërin, edhe pse i humbi të tre debatet, karta e “anti-establishment” dhe thirrjet “po të jem unë President do të të burgos”, i dhanë avantazhin që shumë pak e parashikonin.
Gjuha e thjeshtë dhe vulgare, sëbashku me njohjen e tij si njeri i “reality show”, e ndihmuan për të pasur një numur të madh ndjekësish në mitingjet e tij, që ishin kryesisht të bardhë të klasës punëtore, të pashpresë për shkak të transferimit të fabrikave ku punonin në vendet e botës së dytë e të tretë. Mitingjet e tij, ishin “show” të thjeshta, ku një miliarder shan skotën e politikanëve, të cilët i ka mbështetur vazhdimisht me donacione për të miratuar ligje në favor të tij. Edhe këtë njerzit e thjeshtë e dinin, por brenda vetes theshin, “të shpresojmë se është më pak i keq se gënjeshtarët që njohim’ dhe “ndoshta do e rregullojë ekonominë“.
Donald Tramp nuk është ekstremist.
Gjatë përfshirjes së tij në lojrat politike, ai ka qënë gjithnjë më pranë qendrës. Në nismën e tij të parë, për një komitet, që do studionte mundësinë e futjes në garë për zgjedhjet presidenciale të vitit 2000, ai anonte nga e majta, bie ftoi publikisht Oprah Uinfrin, miliarderen zezake të medias, si kandidate për zv.presidente. Në këtë pikë, tramp ngjason edhe me Ramën dhe Peleshin, me ndryshimin se lëvizja e të dytëve ka qënë nga e djathta në të majtë.
Krerët e Partisë Republikane amerikane nuk e duan jo sepse tremben se mund të shkojë shumë djathtas, por se Tramp është i paparashikueshëm dhe i pakontrollueshëm. Të njëjtën frikë kanë dhe përfaqësuesit e lartë europianë, se me të do e kenë më vështirë të bëjnë “bussiness as usual”. 
Në të kundërt të asaj që shkruan Peleshi, investitorët reaguan pozitivisht  dhe bursat po vazhdojnë të kenë tregues në rritje. Elitat sunduese nuk rrezikohen aspak.
Aq më pak rrezikohet “elita qeverisëse” shqiptare edhe pse mund të mbajë të njëjtën gjuhë mashtrimesh të përdorur deri tani nga të gjithë politikanët dhe të ngritur në art nga Rilindja.
Ne jemi gjithnjë të fundit që ndryshojmë.