Saturday 28 February 2015

Ngutu!

Ngutu!
Hidh krahëve një shall kujtimesh
Sa për të të mbrojtur nga acari
Dhe këmbëzbathur në të ngrirën borë
Vrapo!
Asgjë nuk djeg
Më shumë se orët
Që ikin pa u puthur.
Do e shohësh.
Ndërsa era më keq se egërsirat do kuisë,
Era e pazbutur,
Drejt meje do të shtyjë.
Dhe ajo e di sa më do.
Duket se jemi larg,
Në këtë shkretëtirë të bardhë,
Pa oaze dëfrimi,
Por do e shohës se sa shpejt do arrish,
E do hukasësh gishtat e mij të ngrirë,
Për të ripërsëritur përkëdheljet,
E të fundit çast kur flokët t’i preka,
Në një shesh të vogël,
Diku,

Në të gdhirë.

Zog i vdekur

Një zog i vdekur,
Poshtë strehës sime.
I mundur nga dimri,
Krahët pas trupit puthitur,
I murrëtyer.
Një zog të cilit emrin nuk ja di
Dhe nuk di në ishte nisur
Në të gjatë shtegtim,
E pas është kthyer,
Trembur nga erërat
A nga skifterët ndjekur.
Sqepit përcjellë
Ndjehet një rekuiem solemn,
Ndërsa rri e shoh
Poshtë strehës sime,

Këtë zog të vdekur.

Vrimë e zezë

Në një të zezë vrimë
Do takohemi.
Mban biliona diej
Dhe ne,
Që pyesim “Nga vimë?”
Dhe
“Përse këtu nuk lotohemi?”
Më pas fatit i nënshtrohemi
Se kuptojmë,
Që njëjtë ishte dhe andej,
Ku robërimi i vetes
Quhej Liri.
Ku mbetjet e atyre që kishim bluar
I shisnim si tonat ide.
Në muzgjet gjithnjë e më gri
Të tymuara nga dëshirat e ikjes,
Që digjeshin dhe digjeshin pambarim,
Pa ditur,
Se nga një e errët birë niseshim
Drejt biliona diejsh të palindur,
Në të njëjtin mister
Me shumë përmasa;
Thërrmija kozmike të bindur’
Dhe universe iluzionesh,
Pambarimisht të rrejshëm,
Të tjetrës kohë dhe të kohës sonë,
Të qetë dhe të pagjymtuar,
Në të renë zezonë.



Friday 27 February 2015

Kokëdhima në mes të Ballkanasit dhe Skandinavit

“Jam shumë skandinav për këtë vend”, ka thënë në një intervistë menjëherë pas zgjedhjeve kryeministri Rama.
“Jam shumë milioner për këtë vend”, ka qënë një deklaratë e përsëritur e Kokëdhimës në një rubrikë të para disa viteve në gazetën tij(ose më mirë nënteksti i këshillave të tij).
“Jam shumë trim për këtë vend” duket se është ajo, që deklaron ditët e fundit Tom Doshi.
Të tre personalitetet e mësipërm, kanë një gjë të përbashkët. I përkasin shumicës politike, që qeveris vendin.
I pari kryeministër, i dyti “kryeministër në hije” dhe i treti vetëm në hije.
Kanë edhe një gjë tjetër të përbashkët. Të tre mburren. Mburrja është një cilësi më shumë ballkanase se skandinave, por edhe kryeministri jonë “shumë skandinav” e ka me tepri mburrjen.
Por duket se këtë rradhë i ka hasur sharra në gozhdë me një mburravec më të madh, i cili pasi “ka mundur Berishën dhe Jozefinën” deklaron se “do i nxjerrë themelet qeverisë të Kryeministrit”. Në mënyrë të çuditshme, kryeministri nuk reagon si do reagonte një homologu i tij në Danimarkë apo Finlandë, por zgjedh të dëgjojë mburrjet e Kokëdhimës “lema mua këtë punë se e rregulloj unë me Tomën”.
Vazhdimi i ngjan një përzjerje të një telenovele amerikano-latine me një serial të tipit “Sopranot”, ku i gjithë opinion publik shqiptar ndjek nëpërmjet mediave, se ç’lloj isharete i bën Toma Edit, si i përgjigjet ky Tomës dhe sa efektiv është Kokëdhima në ndëmjetësim. Gazetarët ndjekin makinën e Kokëdhimës dhe përgjojnë restorantin ku drekon me Tomën, duke hamendësuar se ç’po i ofrohet Doshit për të mbyllur gojën veç drekës me menu dhe verëra të zgjedhura.
Pas drekës milioneri Koço deklaron se Toma është thjesht ballkanas dhe si fryhet shpejt edhe do shfryhet shpejt. Asgjë më tepër se kaq. Uniteti rreth kryeministrit “shumë skandinav” është më I fortë se kurrë, në sajë të mënçurisë dhe gjakftohtësisë të deputetit “shumë milioner”.
Po epiteti “bukëshkelës”, që në malsinë nga vjen Doshi është fyerja më e rëndë?
Thjesht politikë.
Të tre janë shumë politikanë për këtë vend.

Fundja dhe njerëzit, që rrinë në rradhët e gjata për të paguar energjinë elektrike duhet të kenë me se të merren.

Wednesday 25 February 2015

Partia Socialiste duhet të shpërbëhet!

Kjo ka qënë deklarata e  shkrimtarit dhe veteranit të Luftës, Miço Kallamata, në një intervistë të pranverës së vitit 1991, dhënë gazetës lokale të Korçës. Deklarata ishte për Partinë e Punës, e cila  në atë kohë qe në fillimet e të ashtuquajturit transformim në një Parti të së Majtës Europiane. Miçoja e shikonte të ardhmen politike të vendit, të përcaktuar nga ky kusht. Njohës i mirë i “lojtarëve” kryesorë të frontit Nacional Clirimtar, i marëdhënieve me Jugosllavët dhe prishjes me ta, i luftës mes klaneve brenda Partisë Komuniste, ish- komisari i Brigadës së XX-të, i larguar plotësisht nga jeta politike, përmbysjen e sistemit e shihte si ngjarjen më të rëndësishme të Historisë shqiptare, por për të patur një jetë politike normale ose të ngjashme me atë të Perëndimit, si domosdoshmëri shihte shpërbërjen e Makinës famëkeqe të Partisë së Punës. Ide të ngjashme me të kanë shprehur më vonë të mënçur të tjerë të letrave shqipe, si Dritëroi në thënien e tij “Ju nuk rinovoheni” të qeshorit 1991, apo Kadareja në Prill të vitit 1996, kur i kërkonte PS-së të rrinte vulletarisht në opozitë edhe për katër vjet.
Edhe pse mund të duket absurde po naïve sot, kur PS-a është në pushtet dhe duket më e fortë se kurrë, nëse ka diçka, që mund të ndihmojë shoqërinë shqiptare është shpërbërja e Partisë Socialiste. Makina e vjetër shtypëse e Partisë së Punës, me ndërtimin e saj vertikal, me mungesën e plotë të jetës demokratike, me spiunimet dhe kundërspiunimet, me mbledhjet me presidiume dhe të deleguar është vetëm një makinë e modifikuar për të mbledhur vota dhe për të sjellë në qeverisje(sundim) grupin drejtues. Duhet pranuar, që të njëjtin model jo-demokratik përshtatën edhe partitë e posakrijuara, një vit ose dy pas formimit të tyre.
Po ç’farë dobi do i sjellë vendit shpërbërja e PS-së?
Duke qënë vendi më i varfër në Europë, elektorati i majtë do jetë edhe për disa dhjetëvjeçarë, ai që do përbëjë shumicën e zgjedhësve shqiptarë. Problemet e mbrojtjes të të Drejtave të njeriut, shpërndarjes më të mirë të të mirave materiale, të mbrojtjes së pakicave dhe të dobëtve, të mbrojtjes së mjedisit dhe të tjera çështje, që kanë qënë në themel të partive të majta kudo në botë në 50 vjetët e fundit, do të jenë problemet kryesore të Shqipërisë edhe në të ardhmen. Teorikisht, e Majta duhet të rrijë gjatë në qeverisje. Por jo një e Majtë me strukturën e Partisë Komuniste, dhe që në veprimet e saj ligjëvënëse apo qeverisëse luhatet nga mbrojtja e shumë të pasurve dhe deri në mburrjen për mungesë të Sindikatave. Pa përmëndur korrupsionin , që e ka në të njëjtin nivel me forcën, që posa la pushtetin. Eshtë një e majtë e vetëshpallur dhe shumë e ndryshme nga simotrat e saj në Europë.
Si mund të shpërbëhet PS-ja?
Mënyra më e thjeshtë(dhe më utopikja) është, që udhëheqësit e saj, me vizion dhe me dëshirë për të ndihmuar të fillonin vetë shpërbërjen e saj sepse një ristrukturim demokratik  nuk është i mundur. Këtë e dinë vetë më mirë ata , që janë brenda PS-së. Por nuk ja vlen të zgjatesh kot me një ëndërr kaq fëminore.
PS-ja duhet të shpërbëhet nga brenda, por nga baza e saj. Janë të rinjtë brenda PS-së, që nuk duhet të presin të ngjitin shkallët e Piramidës duke ju lëpirë një njeriu të fuqishëm apo një tjetri. Nëse janë brenda asaj Partie për idealet e së majtës, duhet të fillojnë të mbledhin rreth vetes të rinj të tjerë universitarë, të cilët janë me mijra dhe që rrezikojnë të mbeten vite të tëra pa punë si është sot brezi i 20-30 vjeçarëve në Itali dhe Greqi. Nuk është e thënë, që lëvizjet e reja domosdoshmërisht t’ju ngjajnë Syriza-s apo Podemos, pasi shoqëria jonë ka karakteristika të tjera dhe shumë pak tradita sindikaliste, por në bazë të tyre duhet të jetë ndryshimi i të bërit biznesin e politikës si bëhet sot. Lëvizje të tilla nuk rrezikojnë kthimin e PD-së në pushtet. Ato thjesht nxjerrin nga apatia brezin e ri universitar dhe e ngjisin në fushën e politikës pikërisht për të mbrojtur interesat e jetës së tyre sot dhe në të ardhmen e afërt. Lëvizje të tilla nuk ka përse të synojnë menjëherë pushtetin, por ato duhet të jenë të pranishme në jetën politike, sa më parë, duke filluar edhe me paraqitjen e listave të kandidatëve për zgjedhjet lokale. Lëvizje të tilla sigurisht , që do jenë nën goditjen e dy partive kryesore dhe mediave të lidhura me to, sepse askush nuk do të lëshojë sofrën e mbushur plot të pushtetit në vend. Por të rinjtë duhet të kuptojnë, që nëse fatin e të ardhmes së tyre do e lenë në duart e njerëzve të implikuar dikur në diktaturë, apo të përlyer më vonë në  korrupsion, nuk kanë për të patur një të ardhme të bukur, por do vazhdojnë të ëndërrojnë të gjejnë mënyra për tu larguar nga vendi si brezi i prindërve të tyre.
Zgjidhje ka dhe kjo është shkallmimi i PS-së, pas të cilës do shpërbëhen edhe dy partitë e tjera të mëdha. Sigurisht nuk ka për të ndodhur më 2015, por një fillim i mirë mund të sjellë ndryshime edhe më të mëdha se i mendojnë edhe ata më ëndërrimtarët.





Monday 23 February 2015

Kodi i Heshtjes së Medias

Mediat tona nuk gjasin me një grup mafioz, por ka një sjellje të tyre të përsëritur,  që të kujton “Omerta” të mafias siçiliane. Ndryshimi qëndron në faktin që Omerta ndalon bashkëpunimin me policinë dhe organet e hetimit edhe në rastet kur i dëmtuari mafioz ka qënë në prag të humbjes së jetës ose ka humbur njerëz të afërm të tij, kurse “Omerta” e Mediave shqiptare nuk është kundër bashkëpunimit me policinë, por është kundër qëllimit themeltar të tyre- informimit të opinionit publik.
Brenda disa viteve, kanë ndodhur disa aksidente shumë të rënda, që kanë sjellë humbje jetësh dhe heshtje të Mediave. Rasti i gazetarit Peka është i fundit, pas atij të drejtuesit të Top Channel Dritan Hoxha dhe i gazetarit politikan Sokol Olldashi.
Të gjithë kanalet televizivë, gazetat, të varura e të pavarura, bile dhe ato, që kanë rubrika thashethemesh, nuk përmëndën, ose u munduan të fshehin praninë e një të aksidentuari të dytë, vajzë, në makinën e gazetarit apo pronarit të gazetarëve.
Po përse ndodh kjo me mediat në Shqipëri?
Për të treguar se janë pushtet i fortë dhe e mbrojnë njëri tjetrin?
Nuk ka gjasa të jetë i tillë, se historia e 25 viteve të shtypit të lirë ka treguar, që shprehja “korbi korbit nu ja nxjerr sytë“ nuk vlen për mediat dhe gazetarët tanë. Jo rrallë janë përfshirë në sulme me sharrje e fyerje ndaj njëri tjetrit duke treguar mospërmbajtje apo mungesë minimale etike.
Po si spjegohet, që një gazetar drejtues i një emisioni investigativ, që dërgon kamera të fshehta lart e poshtë përfshirë këtu edhe ndaj një ministri, që ka shkruar vazhdimisht në shtyp, për të provuar mungesën e integritetit të tij moral, bën ç’është e mundur për të fshehur një devijim moral të shefit të tij të vrarë në aksident?
Kjo është shumë më shumë se përdorimi i standarteve të ndryshëm.
Eshtë sëmundje e një media më të prapambetur se shoqëria në të cilën jeton. Gazetarët, analistët, drejtuesit e Mediave nuk e kanë për turp të shkojnë lokaleve, të udhëtojnë jashtë shtetit me të dashurat e tyre(në shumë raste me diferencë të madhe moshe) edhe pse në shtëpi kanë gra dhe fëmijë. Në ta mishërohet koncepti i shoqërisë “maço”, ku nuk mund të konsiderohesh mashkull i rëndësishëm po qe se nuk ke një ose disa marëdhënie jashtëmartesore. Dhe detyrimisht do reflektojnë prapambetjen e një shoqërie me mentalitet “maço”, ku mëkati edhe duhet për tu mburrur, por edhe nuk duhet të dalë në publik zyrtarisht.
Vajzat, viktima të aksidenteve, janë të dënuara të ndëshkohen jo vetëm nga vdekja apo plagosja , por edhe nga heshtja me përbaltje. Askush nuk përpiqet të gjejë në këtë dukuri, një problem të madh të shoqërisë sonë. Atë të diskriminimit të femrave dhe të mungesës së shanseve të barabarta për karrierë.
Shumë vajza, të arsimuara dhe të talentuara, shpesh i gjejnë rrugët e profesionit të mbyllura nga meshkuj të rëndësishëm, që kërkojnë, që karriera të kalojë nëpër shtretërit e tyre. Një pjesë nuk arrijnë t’i shpëtojnë tundimit apo humbjes së shpresës dhe përfundojnë të “damkosura”, ose në rastet ekstreme, si këto të përmendura më lart, të dënuara me turp përjetësisht. Në mbrojtje të tyre nuk ngrihen as femrat gazetare.

Informimi i publikut ka lindur si përpjekje për të mbrojturit të dobëtit nga fuqiplotët. Kodi i Heshtjes i atyre që duhet të informojnë bën pikërisht të kundërtën. I fundos të dobëtit gjithnjë e më thellë duke treguar me heshtje, se bota ka qënë dhe do jetë gjithnjë e atyre, që janë pjesë e pushtetit.

Wednesday 18 February 2015

Cilat janë problemet e Shqipërisë në këto dhjetë ditë?

               Tani, që duket se ka kaluar përmbytja nga lumejntë,me të gjitha ç’ka shkatërron e merr me vete(mirë që ne nuk kemi parti të quajtur “Lumi” si në Greqi, se parti lumëmëdha kemi), sipas mediave shqiptare, duket që në vend ka vetëm dy probleme: Atentatet me tritol dhe ambasadori i Vatikanit. Të duket se po i zgjidhëm këto dy problem kaq të mprehta, gjithshka mund të shkojë lehtë deri në filimin e fushatës elektorale ose asaj të supersharjeve.
                Mediat shqiptare janë gjithnjë e më të varura dhe ato pak gazeta apo portale, që duken më të ndershme dhe të pavaruara, vrapojnë pas asaj ç’ka sjell zhurrmë dhe diskutime.
                Rasti i Zhitit është më tipiku. Nuk mbeti politikan pa folur dhe analist pa shkruar, a thua se po të fillonte punë poeti dikur i persekutuar në Selinë e Shenjtë, të paktën problem fetare, probleme mes Presidentit dhe Kryeministrit  apo problemet ndërkombëtare , që janë në dorë të Vatikanit nuk do i kishim më. Një zhurrmë boshe, që më shumë dëm se kujtdo, i sillte të shkretit Zhiti tashmë në zi, por që edhe ai nuk diti se si t’i shmangte. Të gjithë politikanëve shqiptarë, në pushtet apo në opozitë, ju pëlqejnë këto lloj rrëmujërash. Ata nuk duan të flitet për gjendjen ku ka shkuar ekonomia në këto 5 vjet, nuk duan të hapen rastet e vjetra dhe të reja të korrupsionit, duan të harrohen krimet e 20 viteve të fundit, duan të mos analizohet thellë se cilët janë shkaktarët e shkatërrimit të shoqërisë shqiptare. Mediat me qëllim apo edhe nga vrapimi pas gërrmëreve mbajnë avazin e tyre.
                Rasti i atentateve të realizuara apo të parealizuara me tritol ndryshon shumë nga rasti Zhiti, por dhe ai paraqitet vetëm nën këndvështrimet e politikanëve , që akuzojnë njëri tjetrin për implikim, pa patur asnjë fakt dhe pa dëshmuar në organet, që duhet të merren me këto punë. Korit, sot i ishte bashkuar edhe Kryegjyqtari Zaganjori, i cili bënte një krahasim aspak të logjikshëm mes një shteti ku nuk sigurohet rendi dhe Diktaturës (Një rast tjetër i një njeriu të drejtësisë, që duhet të dijë se kur të flasë dhe ç’farë thotë). Të tjerë bëjnë paralele me vitet e Plumbit në Itali. Dhe përsëri mund të them se zhurrma me tritol, më shumë ju intereson politikanëve shqiptarë dhe mediave të lidhura haptazi me ta. Atentatet me tritol, nuk ju ngjasin aspak atyre të kryera në Italinë e viteve ’70. Ajo ishte një luftë mes dy ekstremeve politike, në të cilët përziheshin edhe segmente të shërbimeve të fshehta, për të lëkundur republikën jo  të fortë italiane. Krahu i Majtë me idenë e nxitjes së një Revolucioni Proletar, ndërsa ai i Djathtë për të rikthyer Diktaturën Fashiste. Përpjekjet me tritol në Tiranë ose edhe në qytete të tjera nuk kanë asnjë motiv ideologjik. Për më tepër, qytetarët e thjeshtë nuk ndjehen të kërcënuar prej tyre. E dinë, që në rastin më të keq, janë kërcënime të mafiozëve, të cilët i njeh kushdo, ndaj njerëzve të Rendit, që në një mënyrë apo tjetër janë pjesë e “çorbës së qelbur”, të krim- politikës në Shqipëri.
                Pasi të kalojnë edhe disa ditë, të tjera “probleme fishekzjarre” do debatohen në mediat shqiptare, duke ju ndenjur larg raportimeve investigative, analizave politike- ekonomike apo nismave moralo- shoqërore, për të ciat ka aq shumë nevojë Shqipëria. Eshtë koha, që gazetarët të vihen në pararojë të shoqërisë shqiptare për të kërkuar ndryshime rrënjësore. Pushteti i Katërt është i vetmi, që nuk mund të ndryshohet as me ligje dhe as me reforma. Ndryshimin e kanë në dorë vetë ushtarët e këtij pushteti-gazetarët.




Saturday 14 February 2015

Kohen

Ti the e pëlqen Lenërd
Edhe pse i trishtë,
Edhe pse eshtë vështirë “për tu tretur”.
Do doje të dëgjoje diçka më të brishtë,
Një lloj melankolie me dritë,
Një ngashërimë
Ku dhe shpresë ka mbetur.
Më pas dolëm në të detit breg,
Dhe dëgjuam ç’ka vinte nga thellësitë.
Diellin pamë,
Që teksa perëndon
Një ishull të vogël “si violinë e djeg”,
Flijim për perëndeshën e zeshkët të natës,
Që shtyn thellë detit
Atë që quajmë ditë.
Pa frymë mbetur,
Ti mbështetesh tek unë
Si për tu mbrojtur nga madhështia e çastit,
Nga levizja e ujit,
Që bregun përkund.
Më thua:
-“Vallzo me mua,

Eja të vallzojmë deri në fund…”

Thursday 12 February 2015

Ku është e djeshmja?

Diku duhet të jetë
Përveç se në fotot e albumeve
Dhe ato të stampuara
Neuroneve tanë.
Ishte aq e prekshme dhe me dritë,
Sa nuk mund të ketë mbetur vetëm
E varur në muret,
Që suvatë kanë ndruar
Dhe mbuluar kanë gjurmët e shpinëve tona
Mbështetur
Ndërsa prisnim të nesërmen.
Pa ditur,
Se ishte e atëhershmja e fjetur,
Që priste,
Para se të zhdukej në boshllëkun e tingujve,
E mos i mbetej më as jehona.
Nuk kemi as një grimë të saj,
Për të parfumuar këtë të nesërme të vonuar,
Që shpejt do kalojë pa u ndjerë,
Ndërsa vrasim mendjen,
Se ku humbi e djeshmja;
E djeshmja jonë me dritë,
                E vetme

                                Dhe e mjerë.

Wednesday 11 February 2015

21 grade C

Unë rri në dhomën time
Me temperaturë 21
Dhe nga dritarja shoh perandorinë e borës.
E lbyrtë dhe e pamëshirshme
Gjithë gjallesave ushqimin ju fsheh;
Edhe vizitorit tim të përditshëm,
Lepurit të ligur prej dimrit,
Që i çoroditur sillet në krye të orës
Dhe të gjymta gjurmë mbi të bardhën le.
Jo larg,
Në një strehë për të pastrehët,
Luixhi ndan të ngrohtën supë
Dhe copat e tharra të kekut,
Mbetur pashitur në “Starbucks”
Për të fituar përjetësinë.
Në një varg,
I varur duke mërmëritur nën zë,
Unë rri mbuluar me hipokrizinë
Time të zbërdhylur,
Nën temperaturën,

Që brenda shënon 21.

Monday 9 February 2015

Psikoanaliza e të varfërve dhe hipokrizia e Ben Blushit

Në një shkrim të sotëm botuar tek Lapsi, shkrimtari dhe politikani Ben Blushi, bën një lloj përshkrimi të varfërisë në Shqipëri, që doli në pah gjatë përmbytjeve të fundit, një përshkrim i gërshetuar me një llojë psikoanalize të masës së madhe të të varfërve në vend, ose më mirë të themi “shtresës së të varfërve”.
Nuk e ve në dyshim vërtetësinë e përshkrimit, i cili ka edhe plot figura letrare, që dëshmojnë për penën e shkathët të shkrimtarit Blushi. Por përshkrimi I tipit të natyralizmit të Zolasë, është i shoqëruar edhe me elementë të mëvonshëm të Frojdit (ndonëse Frojdi përjashton psikoanalizën e shtresave), si dhe me elementë të një analize politike, ku më tepër i rëndohet një teme të përsëritur nga Blushi, asaj të “ndryshimit mes reformave dhe masave”, që duhet të marrë qeveria e një vendi. Pra në një shkrim të vetëm, të cilin nuk mund ta quajmë “esse rreth varfërisë“, Blushi trishtohet si shkrimtar, mundohet të hyjë në lëkurën e “personazhit popull” dhe njëkohësisht të kritikojë si politikan qeverinë dhe të shpalosë disa ide se ç’duhet bërë.
Pra le të themi se Blushi shkrimtar dhe politikan i shpall luftë varfërisë në Shqipëri. E denjë kjo si për një shkrimtar edhe për një politikan të krahut të Majtë.
“Lufta” e Blushit është lufta e politikanit, që tashmë është në fuqi, jo thjesht për dinjitet dhe shpresë të të varfërve, por për “të mos i humbur”. Padashur hipokrizia klasike e një politikani shqiptar dhe sidomos e një politikani të së Majtës, tradhëtohet duke dëshmuar se përse i duhen Politikës të Varfërit. I duhen për vota.
Ndaj “lufta e zgjuar” e Blushit është në pozicion të kundërt me politikën e qeverisë Rama, e cila duke mos bërë reforma, nuk po ushqen iluzionin tek të varfrit se jeta mund të përmirësohet, pra për t’i patur për votat gjatë zgjedhjeve lokale dhe më vonë akoma për zgjedhjet e vitit 2016.
Duhet cilësuar në rastin më të mirë, si “vrazhdësisht qesharake” raporti i një shkrimtari dhe politikani të majtë me shtresën më të madhe dhe me të dobët të shoqërisë. Gjithnjë flamujt e të Majtës kanë qënë ato të ngritjes së nivelit të të mjerëve, të barazisë të njerzve në të drejtat e tyre, i shpërndarjes më të mirë të të mirave materiale, i rolit më të madh të qeverisë në përmirësimin e jetës së më të dobtëve. Blushi jo vetëm , që nuk e ndjen dhimbjen e të varfërve, por në filim e ve veten në rolin e psikoanalistit për të kuptuar se ç’kërkojnë  ata dhe cili është raporti i tyre me shoqërinë. Një njeri , që nuk ka kuptuar alfan e asaj çka të paktën dy shekuj , që thuhet e shkruhet në gjithë mitingjet , librat dhe gazetat e botës, nuk ka se si t’i përkasë të Majtës.
Blushi politikan thotë pak a shumë, se të varfrit janë të zhgënjyer nga NE, duke kuptuar me “ne” politikanët shqiptarë.  Eshtë interesante të shikosh se sa në distancë ai e sheh veten me shtresën e varfër. Dihet, që Blushi nuk është I varfër dhe kjo jo në sajë të rrogave apo librave të tij, por nga që ka përfituar shumë nga ato përfitime, që sjell politika në Shqipëri. Privatizime me çmime qesharake për miqtë e tij, ku është edhe vetë bashkëpronar, ndërtime në zona delikate për tu ndërtuar në Tiranë e në Korçë, ku i janë dhënë përqindje ose edhe vetëm “rryshfete të majme” për sigurimin e lejeve të ndërtimit dhe të tjera akrobacira të këtij lloji. Kjo është sipash Ben Blushit një lloj “mikro real politike”, e cila nuk ka ndonjë gjë të keqe të bëhet, por vetëm pa harruar t’ju ‘hedhim edhe ndonjë thërrime të varfërve”. Deputet i disa legjislaturave, prefekt, ministër, disa kohë në figurat kryesore të së Majtës, Blushi nuk ka kurajon të thotë se “jemi ne , që krijuam këtë lloj sistemi në Shqipëri dhe jemi ne të gjithë, që duhet të largohemi nga politika, për gjendjen, që kemi krijuar”.
Jo. Ai zgjedh të vazhdojë të jetë një hipokrit, që shet moral, ose dhe nëse nuk e bën hapur këtë, ju kujton kolegëve të tij, që “duhet të ndryshojmë diçka, që mos i humbim të varf[rit”.
Politika në Shqipëri ka humbur jo vetëm të varfrit , por edhe shtresën e mesme, edhe të pasurit, që duan të krijohet një shoqëri e ndershme me rregulla loje shumë më të mira, se këto që kemi. Për shkak të mungesës së kulturës dhe traditave demokratike, shtresat dhe grupet e shoqërisë shqiptare nuk jnë në gjendje të organizohen dhe me votë të dërgojnë në shtëpi përfundimisht Berishën, Bashën, Ramën, Metën dhe Blushin.

Ndaj edhe duartrokiten ende psikoanalizat e “krokodilit” Ben Blushi.

Sunday 8 February 2015

Poezi ne kater duar

Unë zbrita ato të pjerrëta shkallë
Edhe pse e dija,
Që thellë po më tërhiqje,
Në një labirinth të rrallë,
Të ndryshëm nga ata me pasqyra,
Që fëmjët joshin
Dhe i trembin njëkohësisht.
Në të qullurit mure bimësh,
Ku jetën ndjej
Dhe kureshtjen për të gjetur
C’ka mes thellësish
Ke stisur e fshehur,
Në fund të shtigjeve,
Që në kërcej të harlisur
Dyshimesh përplasen
E në një tjetër rrjedhënisen,
Ku një tufë xixash
E hedhur nga ti në erë
Shtegu më ndrit.
Dhe nuk kuptoj më
Në është endje a pritje,
A një e lodhshme përpjekje
Që majë pemësh papritur më ngjit,
Nga ku shoh,
Se çdo gjë është e bukur dhe e gjallë
Dhe pse në këmbë më varet
Një pikëllim leshterikësh
Ndërsa fundin rrekem të shquaj,

Në këtë labirinth të rrallë.

Etyd ne vaj

Një gërvishtje,
Një e dytë
Dhe një tjetër gërvishtje sërish,
Mbi telajon, që ngjyra nuk merr
Po ku kthjellët fytyra e saj shfaqet,
E bukur,
Cuditërisht e zbehtë,
                E paqtë,
                                E lëmuar,
Si nën një velaturë perëndish.
Unë dua ta zbres në tokë
Ta sjell në kohën tonë neurotike,
Me çjerrje spatule
Dhe vija të ashpra grafike,
Për mos u trembur nga pafundësia
E buzëqeshjes së saj
Që do ju jepet edhe të tjerëve
Po aq sa edhe mua,
Njeriut që e zbuloi në telajon e zbrazët,
Kur diçka donte
Të pikturonte në vaj

Thursday 5 February 2015

Sa gjatë mund të rezistojë pushteti i bandave? (3)

(vijim)
Këto shoqëri, që në masën më të madhe të tyre merreshin me blegtori, e më pak me bujqësi dhe zejtari, si dhe një pjesë e mirë me të ardhura nga shërbimet ushtarake në ushtrinë osmane, do karakterizoheshin nga pjesë të copëzuara, pa kohezion, që në përgjithësi i trembeshin njëra tjetrës, ose më në rastin më të thjeshtë ishin dyshues ndaj njëri tjetrit. Në to mungonte koncepti i solidarizimit, apo ai i ndërtimit të institucioneve, sepse e tillë ishte natyra e shoqërive. Pushtetin qëndror të Turqisë e shihnin si një pushtet të huaj, që i kishte ngarkuar me taksa, të cilave mundoheshin t’ju shpëtonin, por që njëkohësisht edhe mund t’ju shpërndante ofiqe dhe përfitime. Jo më kot edhe pushteti qëndror turk, ofiqet e bejlerëve, mbi të cilat kishte bazuar sistemin ekonomiko-shoqëroro-politik në Ballkan, i rinovononte çdo vit. Titulli jo vetëm , që mund të hiqej nëse nuk i shërbeje si duhet pushtetit qëndror, por mund t’i kalonte fisit tjetër, me të cilin kishe qënë në armiqësi.  
Lëvizjet rebele të armatosura kudër pushtetit qëndror, deri në shekullin e XIX-të nuk kishin karakter patriotik(si mund të quhen në historitë zyrtare të vendeve të Ballkanit), por ishin lëvizje fisesh apo krahinore për të mos paguar taksa. Në to mungonte koncepti i revoltës për një jetë të organizuar më mirë apo për një shtet më të përparuar. Ishin lëvizje të mosbindjes, që kur arrinin të fitonin përkohësisht, sillnin zëvendësimin e pushtetit ottoman me anarki ose me mungesë pushteti. Më të organizuara u bënë në gjysmën e parë të shekullit të XIX-të në Serbi, Greqi dhe Bullgari, por në bazën e tyre në pjesën më të madhe ishin çetat e kaçakëve, kleftëve dhe pirateëve të ishujve rreth Peloponezit. Kryengritja greke(ose i quajturi revolucioni grek) kishte në përbërjen e ushtrisë së tij, si forca kryesore goditëse, bandat e grekëve, arvanitasve dhe vllehëve, të cilat nuk luftonin për një shtet modern, por për pushtet dhe për përfitimet material, që sillte pushteti. Në klasën politike greke të shekullit të XIX, mbizotëronin klanet me një të kaluar shumë të dyshimtë.

Në trevat shqiptare, gjithshka zhvillohej më ngadalë dhe në mënyrë më konservatore. Kishte kundërshtime psh ndaj reformave të Tanzimatit, të cilat përbëjnë përpjekjen më positive për të modernizuar shtetin turk.  Kundërshtimi i tyre ishte thjesht për t ruajtur privilegjet e vjetra të bejlerëve dhe të fiseve të lidhura me ta, për të mos lejuar vjeljen e taksave nga nëpunësit turq, por për të vazhduar të vileshin nga bejlerët e zonës. Rebelimi i tyre nuk ishte as patriotik, as i ndonjë ideologjie tjetër dhe as përpjekje për të krijuar një administratë lokale të pavarur nga Turqia. Ishte një lëvizje për t’i lënë gjërat sikundër kishin qënë për dekada. Të trumbetuar në historinë tonë zyrtare si patriotë të klasit të parë(ashtu sikundër bëhen edhe për heronjtë e të njëjtës kohë në historitë e tjera zyrtare të Ballkanit), Zenel Gjoleka, Rrapo Hekali , Celo Picari e të tjerë, mund të kujtohen si udhëheqës bandash rebele, që nuk i trembeshin pushtetit perandorak, por asgjë më tepër se kaq.
(vijon)

Kur bryma të ngrihet

Kur bryma të ngrihet,
Shpirtrave tanë të mpirë
Dhe një e vetme rreze drite;
E vetme,
Por gjithë fuqi
Të ndrisë bebzat e syve të tu;
Atëhere edhe pse i ngjirur,
Do këndoj një melodi,
Që të mbetet këtu;
Në falsetin e tejpashëm të stalaktiteve
Që nota do nisin të pikojnë
Për copëzat e ëndrrave
Shkurreve shkarthisur
Dhe brigjeve mbetur,
Dimrit më të bukur që kërkuam

Dhe që ende nuk e kemi gjetur.

Wednesday 4 February 2015

Sa gjatë mund të rezistojë pushteti i bandave? (2)

(vijim)
Në trevat e Ballkanit me popullsi shqiptare, shkalla e zhvillimit ishte akoma edhe më  e ulët. Duket, që shqiptarët ose janë munduar më pak se të tjerët të zhvillojnë zonat e tyre, ose kanë pasur një koncept më të gjerë të botës se të tjerët. Dua të them, që edhe pse kanë marrë pjesë në pushtetin turk më shumë se popullsitë e tjera, kanë bërë më pak përpjekje për të ndërtuar rrugë, ujësjellësa, shkolla dhe institucione në trevat e tyre. Një arsye mund të jetë edhe terreni shumë i aksidentuar, që kërkonte më tepër mjete financiare për investime, apo edhe mungesa e një “strumbullari’ ideologjik, por fakti është, që të gjithë vezirët apo ofiqarët e tjerë shqiptarë apo me origjinë shqiptare, kanë ndihmuar pak ose aspak vendlindjen e tyre apo tokën e të parëve. Si rrejdhojë, vendbanimet kështjella, që kanë qënë në gjithë Ballkanin bërthama të krijimit të qyteteve më të mëdha, ose u zhvilluan pak ose u braktisën. Shekulli i XIX, që ishte për gjithë Europën shekulli i artë i zhvillimit të shkencës e arteve, për trojet e banuara nga shqiptarët ishte shekuli i hapave pas. Disa dekada më parë kishte marrë fund edhe qyteti i Voskopojës me Akademinë e tij, që ishte në shekullin e mëparshëm ndoshta qendra arsimore më e përparuar e Ballkanit Jugor.
Shoqëria në gjithë Ballkanin Jugor ishte e një strukture fisesh dhe fshatrash, kryesisht në zona ku mund të mbroheshin lehtë nga grabitjet, që mund t’ju bënin fiset me të cilët ishin në armiqësi apo bandat e shumta të kaçakëve dhe kleftëve. Turqit, me garnizonet e tyre siguronin rrugët kryesore të karvaneve, por në pjesët e tjera njerzit duhet të mbronin vetë familjet dhe pronat e tyre, ndaj dhe pjesa dërmuese e popullsisë ishte e armatosur. Trimëria dhe burrëria ishin cilësitë kryesore dhe me të kërkuara në një botë me pak bollëk dhe me shumë pasiguri. Si e tillë, lidhjet farefisnore dhe kushqitë ishin të domosdoshme për tu ndjerë i mbrojtur. Bëhet fjalë për zonat ku njerzit jetonin të lirë dhe të pavarur dhe jo për pjesët e fushave apo cifligjeve të mëdha, ku siguria  garantohej nga bejlerët e mëdhenj mbi çifçinjtë e tyre, që ishin thuajse bujkrobër.
Në vendbanimet më të mëdha, marëdhëniet ishin të ngjashme, por kishte filluar dukuria e copëtimit të superfamiljeve patriarkale, në familje më të vogla, që rritin pavarësinë e individit nga fisi, por gjithsesi nuk e shkëputin atë nga detyrimet, që ka ndaj “oxhakut kryesor”.

Popullsitë nomade (vllehët dhe romët) gjithashtu ishin shumë të varur nga lidhjet e gjakut dhe nga miqësitë , që krijonin me fise të tjera vendase. Në pjesët e bregdetit, lundrimi kishte mbetur në përgjithësi vetëm me mjete të vogla dhe porte natyrorë, dhe kryhej kryesisht peshkim dhe pirateri, duke përjashtuar zonat e Adriatikut dhe Jonit, që kishin qënë nën Republikën Veneciane.
(vijon)

Tuesday 3 February 2015

Sa gjatë mund të rezistojë pushteti i bandave?

Fjala është në përgjithësi për Mesdheun dhe në veçanti, për Mëmëdheun.
Dikur, kam shkruar, se si është e mundur, që rajoni më i bukur në botë, ka nxjerrë aq shumë Diktatorë. (e kam fjalën vetëm për Diktatorët e shekullit të XX-të dhe jo për sunduesit despotë, të shekujve më parë.) Për të përmendur vetëm aq sa mund të numurohen nga gishtat e dy dyarve mund të fillojmë me Musolinin, Ataturkun, Frankon, Salazarin, Hoxhën, Papadhopullin, Titon, Causheskun e të përfundojmë tek Asadët, Hosni Mubarakun dhe Gadafin. Vetëm prej të sipërpërmendurve janë vrarë gjatë revoltave, që kanë përmbysyr regjimet e tyre- Musolini, Caushesku dhe Ghadafi. Të tjerët kanë vdekur në shtretët e tyre duke qënë në zenith të pushtetit dhe vetëm Mubaraku është gjykur për krimet e tij.
Ka diçka, që është në rrënjë keq në shoqëritë, që rrojnë përreth Mesdheut edhe pse këto shoqëri ndryshojnë nga niveli ekonomik dhe kulturor, si dhe nga historitë e tyre. Në një shënim të tillë është e pamundur të kërkojmë rrënjët më të thella, të cilat janë edhe të ngjashme por shumë prej tyre edhe të ndryshme, në varësi të zhvillimit historik të çdo shoqërie. Diçka më shumë mund të qëmtojmë për Mëmëdheun dhe fqinjët e tij.
Ne kemi qënë për dy shekujt e fundit një vend fisesh dhe bandash.

Të ngjashëm me ne kanë qënë Greqia, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Italia e Jugut. Tribu më të prapambetura ka pasur në Afrikën e Veriut dhe në vendet e Lindjes së Mesme, që lagen nga Mesdheu. Në të gjithë hapësirën, që përmenda, ka pasur 5-6 qytete të mëdha, prej të cilave katër (Kajroja, Damasku, Selaniku dhe Sarajevoja) kanë qënë nën Perandorinë Otomane, ndërsa Napoli dhe Palermoja kanë qënë qëndra mbretërish apo principatash shumë të vogla. Në të gjitha këto zona ushtrohej një pushtet qëndror, që vilte taksa në këmbim të mbajtjes së rendit(me gjithë instuticionet, që duhen për të) dhe nuk ju ofronte shumë mundësi të tjera të zhvillimit ekonomik dhe arsimor. Në gjithë hapësirën e Ballkanit Perëndimor dhe Jugor p.sh., kishte vetëm dy Universitete në shekullin e XIX(ai i Sarajevos dhe i Athinës), ndërsa shkollat e mesme nuk e kalonin dyzinën. Deri në prag të luftra Ballkanike, në gjithë hapësirën e sipërpërmendur, ekonomia ishte e gjitha e mbështetur në bujqësi, blegtori, peshkim dhe zejtari.
(vijon)

Sunday 1 February 2015

Veprimi historik i Obames (nga Noam Chomsky) - 4

(vijim)
Të tjerë shtjelluan rreth paralajmërimeve të Shlesingerit. Në korrik 1961, në një raport të CIA-s shkruhej se "ndikimi i gjerë i “Kastroizmit” nuk është nga fuqia e pushtetit kuban ... hija e Kastros bëhet më e  madhe sepse kushtet sociale dhe ekonomike në të gjithë Amerikën Latine i japin dorë opozitës ndaj autoritetit qeverisës dhe ndihmojnë agjitacionin për ndryshime radikale," për të cilat Kuba e Kastros ofron një model. Këshilli i Planifikimit të Politikave i Departamentit të Shtetit shpjegonte më tej se "rreziku kryesor me  të cilin përballemi në çështjen Kastro është ... në ndikimin që regjimi i tij ka mbi lëvizjen e majtë në shumë vende të Amerikës Latine ... Fakti i thjeshtë është se Kastro paraqet një kundërshti të suksesshme ndaj SHBA, një mohim të politikës sonë të kësaj hemisfere prej gati një shekull e gjysmë, " që nga Doktrina Monroe ku është deklaruar qëllimi i SHBA për të dominuar hemisferën. Për ta thënë thjesht,  si vëren historiani Thomas Paterson, "Kuba, si simbol dhe realitet, sfidoi hegjemoninë e SHBA në Amerikën Latine."
Mënyrë për t'u marrë me një virus që mund të përhapë sëmundje ngjitëse është që të vrasim virusin dhe të vaksinojmë viktimat e mundshme. Kjo politikë është ajo që ndoqi Uashingtoni; dhe po të shohim qëllimet e saj kryesore, politika ka qenë mjaft e suksesshme. Kuba ka mbijetuar, por pa aftësinë për të trembur . Dhe rajoni u "vaksinua" me diktaturat ushtarake për të parandaluar ngjitjen e sëmundjes, duke filluar me grushtin e shtetit, i frymëzuar nga Kenedi, që krijoi regjimin e terrorit dhe torturës e Sigurisë Kombëtare në Brazil, pak pas vrasjes së Kenedit, dhe që u përshëndet me shumë entuziazëm nga Uashingtoni. Gjeneralët kishin kryer një "rebelim demokratik," shkruante telegrami i ambasadorit amerikan në Brazil Linkoln Gordën. Revolucioni ishte "një fitore e madhe për botën e lirë", e cila pengoi një "humbje totale të Perëndimit në të gjitha republikat e Amerikës së Jugut" dhe ku duhet "të krijohet një klimë shumë e përmirësuar për investimet private." Ky revolucion demokratik ishte "fitorja më vendimtare e lirisë në mesin e shekullit XX," deklaronte Gordën ", një nga pikat kryesore të kthesës në historinë e botës", që hoqi nga pushteti atë që Uashingtoni e konsideronte si një kopje të Kastros.
Murtaja më pas u përhap në të gjithë kontinentin, duke kulmuar në luftërat terroriste Reganit në Amerikën Qendrore dhe së fundi vrasja e gjashtë intelektualëve kryesorë të Amerikës Latine, të gjithë priftërinjtë jezuitë, nga një batalion elite Salvadorian, të posatrajnuar në Shkollën JFK të luftimev Speciale në Fort Bragg, të cilët ndoqën duke urdhërat e Komandës së Lartë për të vrarë ata  së bashku me dëshmitarët, shërbuesen e tyre dhe vajzën e saj. 25 vjetori i vrasjes, që sapo ka kaluar, përkujtohet me heshtjen e zakonshme, e cila konsiderohet si mënyra më e përshtatshme, kur bëhet fjalë për  krime tona.
E njëjta gjë vlen edhe për luftën e Vietnamit, e cila gjithashtu konsiderohet si një dështim dhe një humbje. Vietnami vetë nuk përbënte asnjë shqetësim të veçantë, por si tregojnë dokumentat, Uashingtoni ishte i shqetësuar se zhvillimi i suksesshëm i pavaruri tij  mund të përhapte  sëmundjen ngjitëse në të gjithë rajonin, duke arritur Indonezinë, me burimet e saj të pasura, dhe ndoshta edhe deri në Japoni - "superdomino "ashtu siç e ka përshkruar historiani i Azisë Xhon Douer - e cila mund të krijonte një Azi Lindore të pavarur, duke u bërë qendër e zhvillimit industrial dhe teknologjik, e pavarur nga kontrolli amerikan, me një fjalë të ndërtohej një rend i ri në Azi. SHBA nuk mund të lejonin të humbiste atë që fituan në Paqësor gjatë Luftës së Dytë Botërore në fillim të viteve 1950, kështu që shpejt mbështetën luftën e Francës për ripushtuar koloninë e saj të mëparshëm, dhe pas tmerreve që pasuan, e shkallëzuan akoma më shumë kur Kenedi mori postin e Presidentit.
Vietnami është praktikisht i shkatërruar: nuk mund  të jetë një model për askënd. Dhe rajoni u mbrojt due  instalimar diktatura të egra, po njëllojsi në Amerikën Latine në të njëjtat vite - është e natyrshme që politika imperialiste duhet të ndjekë linja të ngjashme në pjesë të ndryshme të botës. Rasti më i bujshëm ishte ai i Indonezisë, e cila u mbrojt nga “sëmundja ngjitëse” nëpërmjet grushtit të shtetit të 1965 të Suhartos, një "therrtore tronditëse" si e përshkroi me saktësi New York Times, ndërsa u bashkua me euforinë të përgjithshme për "një rreze dritë në Azi" (thënie e gazetarit liberal James Reston). Në retrospektivë, këshilltar i Sigurisë Kombëtare për dy presidentët Kenedi dhe Xhonson McGeorge Bundy ka pranuar se "përpjekjet tona" në Vietnam ishin "të tepruara" pas 1965, se Indonezia ishte vaksinuar në mënyrë të sigurtë.
Lufta e Vietnamit është përshkruar si një dështim, si një disfatë amerikane. Në të vërtetë ishte një fitore e pjesshme. SHBA nuk e arriti qëllimin e saj maksimal për të kthyer Vietnamin në Filipine, por problemet më të mëdha u kapërxyen, ashtu si në rastin e Kubës.  Rezultate të tilla i numërojmë si disfata, dështime, vendime të tmerrshme.
Mentaliteti imperialist është e mahnitshme se si justifikohet.
(fund)

Veprimi historik i Obames (nga Noam Chomsky) -3

(vijim)
Një mënyrë e lehtë për të shmangur këtë temë të pakëndshme është, që të flasim për komplotet e CIA-s për të vrarë Kastron, duke u tallur me absurditetin e tyre. Ato vërtet kanë ndodhur, por ishin një pjesë e vogël e luftës terroriste nisur nga vëllezërit Kenedi pas dështimit të sulmit të Gjirit të Derrave ,  luftë që nuk ka asnjë të ngjashme në analet e terrorizmit ndërkombëtar.
Nuk ka tani shumë debat rreth asaj nëse Kuba duhet të hiqet nga lista e shteteve që mbështesin terrorizmin. Kjo të sjell në mendje fjalët e Tacitit se "krimi kur ekspozohet nuk ka se ku fshihet, veç pas guximit." Në këtë rast ka vetëm një ndryshim, që nuk është ekspozuar, në sajë të "tradhëtisë e intelektualëve."
Pasi mori detyrën pas, Presidenti Xhonson mundësoi uljen e terrorizmit, që megjithatë  vazhdoi deri gjatë viteve 1990. Por ai nuk ishte i prirur të lejonte Kubën të jetonte në paqe. Në një rast i shpjegoi senatorit Fulbright se megjithëse "Unë nuk jam për ndërhyrje si ajo e Gjirit të Derrave", nuk e kam gabim që "ajo që duhet të bëjmë është t’ja u cimbithim koqet më shumë se sa kemi bërë deri tani." Duke komentuar, historiani i Amerikës Latine Lars Shulc vëren se "Koqe-cimbithja ka qenë në politikën e SHBA, që herët."
Disa, për të qenë më të sigurt, kanë patur frikë se mjetet e tilla delikate nuk janë të mjaftueshme, për shembull, anëtari i  kabinetit të Niksonit, Alexander Haig, i cili i kërkoi presidentit "vetëm të më jepni lejën dhe unë do e kthej atë kodosh ishull në një fushë parkimi." Elokuenca e tij ilustron më së miri inatin e vjetër të udhëheqësve të SHBA  me " republikën e djallit kubane", frazë që Teodor Rusvelti theshte me tërbim, kur fliste rreth mosgatishmërisë kubane për të pranuar me mirësjellje pushtimin amerikan të 1898, që do eliminonte çlirimin e tyre nga Spanja dhe do i kthente në një koloni.
Historiani  i çështjes kubane, Louis Pérez shkruan se ndërhyrja amerikane, e cila në SHBA cilësohet si një ndërhyrje humanitare për të çliruar Kubën, arriti këto objektiva : "Lufta kubane e çlirimit u transformua në një luftë të SHBA-së pushtimit," në "luftën spanjo-amerikane" në nivele perandorish, që solli errësimin e fitores kubane mbi spanjollët. Rezultati lehtësoi shqetësimet amerikane rreth "asaj që ka qënë si mallkim për të gjithë politikëbërësit e Amerikës së Veriut që nga Thomas Jefferson -. Pavarësia e Kubës"
Si kanë ndryshuar gjërat pas dy shekujsh.
Ka pasur përpjekje tentativë për të përmirësuar marrëdhëniet në 50 vitet e fundit, të trajtuara në hollësi nga Uilliam LeoGrande dhe Peter Kornbluh në studimin e tyre të kohëve të fundit , “Kanali i pasëm në Kubë”. Nëse nduhet të ndjehemi "krenarë për veten" për hapat që Obama ka marrë është e diskutueshme, duhet thënë se është "gjë e drejtë", edhe pse embargoja e fortë  mbetet në fuqi në kundërshtim me të gjithë botën (përjashto Izraelin) dhe turizmi është ende i ndaluar. Në fjalimin e tij drejtuar kombit ku njoftoi politikën e re, presidenti e bëri të qartë se në aspekte të tjera, dënimi i Kubës për refuzimin për tu përkulur ndaj SHBA do të vazhdojë, duke përsëritur pretekstet qesharake.
Të denja për vëmendje,  janë fjalët e mëposhtëme të presidentit:
"Me krenari Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur demokracinë dhe të drejtat e njeriut në Kubë gjatë këtyre pesë dekadave. E kemi bërë këtë kryesisht përmes politikave që synonin izolimin e ishullit, ndalimin e udhëtimit  dhe tregëtive. që amerikanët mund të gëzojnë kudo gjetkë. Dhe pse kjo politikë ka në themel qëllimet më të mira, nuk ka komb tjetër me ne në vendosjen e këtyre sanksioneve dhe kjo s’ka pasur efekt tjetër, veç i ka dhënë qeverisë kubane një justifkim për të shtuar kufizimet mbi popullin e saj ... Sot jam  i sinqertë me ju. Ne kurrë nuk mund të fshijmë historinë mes nesh. "
Duhet të admirojnë guximin mahnitës të këtyre fjalëve, që përsëri na kujtojnë thënien e Tacitit. Obama me siguri nuk është në dijeni të historisë, e cila përfshin jo vetëm luftë  terroriste dhe embargo skandaloze ekonomike, por edhe pushtimin ushtarak të Kubës Juglindore për më shumë se një shekull, duke përfshirë edhe portin e saj më të madh, përkundër kërkesave të qeverisë që prej pavarësisë në kthim- një politikë e justifikuar vetëm nga angazhimi fanatik për të bllokuar zhvillimin ekonomik Kubës. Në krahasim me të, marrja e paligjshme e Krimesë nga Putin duket pothuajse pa zarar. Përkushtimi për hakmarrje ndaj kubanëve të pafytyrë që kundërshtojnë dominimin e SHBA ka qenë aq ekstrem, sa nuk janë dëgjuar edhe segmente të fuqishme të komunitetit të biznesit për normalizim – farmaceutikë, agrobiznes, energji - një gjë e pazakontë në politikën e jashtme të SHBA. Politika mizore dhe hakmarrëse e Uashingtonit ka izoluar praktikisht SHBA në hemisferën perëndimore dhe ka  shkaktuar përçmim dhe tallje në gjithë botën. Uashingtoni dhe lakejtë mund të pretendojnë se kanë  "izoluar" Kubën, si përsëriti Obama, por të dhënat tregojnë qartë se  është SHBA që është duke u izoluar, dhe ndoshta kjo është arsyeja kryesore për ndryshimin e pjesshëm të kursit.

(vijon)