Monday 30 June 2014

Përderisa ekziston një treg!?

Mes zërave të atyre që mbrojnë Lazaratin dhe kanabisin, në një gazetë shqiptare, kishte një artikull të dikujt, që kërkonte legalizimin e mbjelljes së tij dhe që shprehte keqardhjen për milionat e dollarëve të djegur në Lazarat. Llogjika e gazetarit(apo analistit) Ruben Avxhiu, sintetizohej në fjalët “Për derisa ekziston një treg në Europë për marihuanën dhe hashashin, përse mos e legalizojmë ne dhe ekonomia kombëtare të fitojë edhe nëpërmjet taksimit.” Autori sillte shembullin e shtetit të Kolorados dhe disa shteteve të tjera në SHBA.
Për derisa eziston një treg!
Fjalia magjike e cila përmbledh moralin dhe injorancën më të ulët të Shoqërisë së sotme Shqiptare. Për më tepër, Avxhiu mundohet të na mbushë mendjen edhe me disa tregues ekonomikë, sipas një artikulli të “Bloomberg View”.
Do merrem më shumë me anën morale të problemit, se sa me pamundësinë qoftë ligjore apo, ekonomike të një ideje të tillë absurde. Dihet se sa mund të vilen taksat në bizneset shqiptare, pa shtuar pamundësinë të rregullimit ligjor për mbjelljen e tij vetëm në Lazarat, dhe jo në gjithë Ballkanin.
Ana morale e problemit të legalizimit të mbjelljes së drogave të lehta në Shqipëri, nuk ka të bëjë thjesht me “mospërputhjen morale” të kanabisit me jetën tonë të përditshme. Ka të bëjë me orientimin tonë moral ndaj jetës. Jeta e një shoqërie, nëse bazohet vetëm në parimet e tregut(lexo-parasë) është e detyruar të shkojë teposhtë. Dhe kjo është ç’ka ndodhur në këto 23 vitet e fundit duke përjashtuar 3-4 vitet e para të një entusiazmi të ndryshimit të sistemit. Vrapim drejt parasë dhe pronave duke shkelur çdo parim moral.
Popujt kanë ngritur një moral të tyre, bazuar nga përvoja e mijëvjeçarëve, për mos lënë shkatërrimin(degjenerimin) e shoqërisë dhe bashkë me të ndoshta edhe të qënies njerëzore. Nuk është vendi të zgjatem se sa ndikonin krahasimet me shoqëritë e tjera, sa ka ndikuar feja, kushtet gjeografike, pushtimet etj etj., por fakti është që sot, një individ, i cili lind në çdo pikë të globit do fillojë të mësojë e t’i nënshtrohet rregullave të moralit të shoqërisë që i përket.
Mes rregullave morale të shoqërisë sonë është edhe mospërdorimi i drogës. Pa dashur të hyj në pse-të apo të mundohem të gjej në është shumë konservatore po nënvizoj vetëm faktin, që edhe drograt më të lehta kanë pasur shumë pak përdorues gjatë dy shekujve të fundit. E njëjta gjë vjen për prostitucionin, kallzimin e rremë, moskthimin e borxheve e për të vazhduar më tej me bixhozin, vjedhjen e pronës së tjetrit apo të bashkësisë, falsifikimin, dhunimin e vendeve të shenjta e deri në prerjet e pemëve. Jo të gjitha këto kanë qënë të dënueshme me ligj, por ishin pjesë  e moralit të shoqërisë shqiptare. Tregu dhe paraja kanë ekzistuar gjithmonë, por numuri i “hajdutëve’, “delenxhinjve”, “veresëzëve”, “kumarxhinjve”, “kodoshëve”, “gjyvendeve”  e të tjerë “dinsëzëve” dhe “sojsëzëve” ishte i kufizuar. Nuk përpiqej njeri, që t’ju gjente cilësorë të tjerë, sikundër bëhet sot kur i quajmë “ të shkathët”, “performues”, “punëmbaruar”, “manaxherialë“, “të futur”, “të kohës” e sa e sa të tjera(për të mos përdorur të famshmet “normal” dhe “i papam”).
Në botë sot ekzistojnë shumë tregje legale dhe ilegale. Nga ato të armëve, drogave, prostitucionit, dhëmbëve të elefandëve, veprave të artit, organeve njerëzore e sa e sa të tjera. Në disa shoqëri janë të gjitha të rregulluara me ligj e në disa jo. Fjala vjen në Azinë Juglindore është normale të shesësh vajzën 12 vjeçare për prostitucion edhe pse ta ndalon ligji. Por a mund ta bëjmë ne meqë të themi tregu i Gjermanisë apo i Hollandës ka nevojë për prostituta me liçencë e të mësojmë vajzat tona, që është ‘normal’ të bësh një punë të tillë?
Ku fillon e ku mbaron ajo që më parë nuk quhej e moralshme nga të gjithë dhe kryhej vetëm nga një pakicë?
A mund t’ju themi adoloshentëve sot, të përpiqen të mësojnë “artin’ e dhënies e marrjes të rryshfetit, sepse ka një treg për të dhe kështu bëjnë të gjithë?

Po bëhem “bozë“ vallë duke shitur moral?
Me siguri, që po, sepse për Moralin nuk ekziston një treg!


Saturday 28 June 2014

Polic Ylli

Në një ngjarje të rëndë të ndodhur pardje, ndër dëshmitarët kryesorë duket se është polic Ylli(në gazeta jepej sot vetëm emri i tij). Më kujtoi një ngjarje të rëndomtë të fundit të viteve ’80, kur dëshmitar për ardhjen e një inxhinieri në punë në orar ishte punëtor Ylli.
Drejtori i ndërmarjes Th.R., një ekonomist i njohur edhe për ndershmërinë e tij, për t’i dalë të vërtetës deri në fund, rreth respektimit të orarit, pyeste punëtor Yllin.
“Po hajde mo punëtor Ylli hajde. C’farë pe ti punëtor Ylli më 7 të mëngjesit në kaldaja?”
“Po pashë një hije drejtor…”- përgjigjej si në faj punëtor Ylli, se inxhinieri i kishte kërkuar të dëshmonte në favor të tij.
“Pe një hije ti punëtor Ylli? Më 7 të mëngjesit në mes të korrikut pe një hije ti punëtor Ylli.”

Ngjarja për të cilën do duhet të dëshmojë jo punëtor Ylli, por polic Ylli është shumë e rëndë dhe nuk ka vend as për humor të zi. Nuk dua të flas rreth saj, por rreth punëtorëve, policëve dhe gjithë dëshmitarëve me emrin Ylli.
Ne kemi një raport shumë të çuditshëm me të Vërtetën. Nuk e kemi për gjë të gënjejmë kur thirremi për të dëshmuar. Dhe kjo për një gjë të thjeshtë e deri në një vrasje. Nuk mund të them se kemi një prirje patologjike për të gënjyer apo për të dhënë dëshim të rreme. Mbase shekujt e gjyqeve jo të besueshme apo e ‘kadive” të anshëm, kanë krijuar ndienjën tonë të mosbesimit në Drejtësia dhe proceset gjyqësore ndaj nuk kemi pikën e respektit pët to dhe të Vërtetën, që duhet të dalë aty. (Në gjithë historinë e 600 viteve të fundit të Shqipërisë nuk kujtoj asnjë prijës apo gjykatës, që të ketë bërë emër për paanësinë e tij.)

Polic Ylli, që qëndroi brenda kabinës së tij pa bërë asnjë lëvizje(kallashnikovin e kishte në kasafortë!) një ditë do thirret të dëshmojë në gjyqin ndaj vrasësve të Santos (nëse ata kapen). Edhe pse dëshmia e tij nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë se vrasja është bërë në sy të dhjetra kamarierëve Ylli, klientëve Ylli, kalimtarëve Ylli, përsëri do jetë një dëshmi e përpunuar në mendjen e tij për ta bërë sa më pak të rrezikshme për aggressorët dhe natyrisht edhe për veten.
Ndoshta nuk ka faj. E Vërteta ka nevojë për punën e shumë brezave deri sa të arrijë të jetë pjesë e ndërgjegjes të polic Yllit.



Thursday 26 June 2014

Dielli i qershorit në çaçkë

E të kam pritur,
Si një gjethe që sjell era.


Një këngë dashurie, të cilën edhe mund ta qujamë baladë sipas standarteve amerikane, por që nuk përputhet me kuptimin tradicional të baladës. E megjithatë është një këngë e lehtë, me temën mijëvjeçare të dy të dashurve që presin njëri tjetrin të ndarë për shkak të kushteve shoqërore a natyrore, ose se kanë patur një grindje të fortë. Tani presin me mall të papërshkruar rifillimin e dashurisë. I gjithë teksti kurorëzohet me dy vargjet e fundit të refrenit “E të kam pritur,/Si një gjethe që sjell era.”
Që të mos akuzoj për hermetizëm autorin e vargjeve, po them që në fillim se ndjej veten fajtor dhe pa imagjinatën e nevojshme për të zbërthyer kuptimin e këtyre vargjeve.
Ai ose ajo e kishte pritur tjertin os tjetrën, si  një gjethe që sjell era!
Eshtë subjekti pritës, gjethja dhe era. Pritësi ose ka pritur me padurim të sjellë era një gjethe(në mënyrë figurative kuptohet) ose e ka ndjerë veten si një  gjethe , të cilën e sjell era. Më e udhës është që poeti të identifikojë veten me një gjethe të tharrë, e cila prêt erën të vijë ta marrë e ta degdisë në e dashura. Por në shqipen, që më kanë mësuar duket se anohet më shumë nga version i parë. Mos ka dashur të thotë, që dashuria e ka marrosur? Se deri më sot nuk kam parë ndonjë njeri me dy para mend në kokë, të presë të sjellë era një gjethe të thatë. Se me atë mut gjethe të thatë nuk ke ç’bën. Shumë shumë mund të mbushësh një këllëf dysheku, kur të mungon leshi, pambuku apo sfyngjeri, por dhe për të duhen mijra e mijra gjethe të thara. Veç në është fjala për një gjethe të tharë kanabisi dhe autori nuk do të pohojë publikisht, që ja ka qejfi të tymosë marihuanaë. Dhe ma merr mendja po të duash të jesh “high” me siguri që s’ka si pritja e gjethes së thatë të bimës së bekuar.
Veç edhe këtu të ngatërron era. Se sado i rrjedhur të jetë drogë përdoruesi ai s’ka durim të presë, që një erë e fortë të kalojë në magazinat ilegale të marihuanaës dhe të sjellë fletkën pikërisht në drejtimin e tij. Më të lehtë e ka të vjedhë në ndonjë autobuz ose të kërcënojë  ndonjë plakë të kamur, e të shkojë andej nga blihet marihuana. Ose ose shpë rndarë sja e marihuanaë s ë shtë  një  vajzë  me emrin Era.
Me duhket ka ardhur koha.

Duhet të provoj të tymos njëçikë marihuanë e të shoh nëse mund të shkruaj vargje të tilla sublime.

Tuesday 24 June 2014

Perse nuk me shqeteson Labinotja. (2)

(vijim)
Mendoj se në Kosovë, edhe pse shoqëria është disi e ndryshme, vërehet e njëjta dukuri. Korrupsioni është galopant dhe çdo gjë kontrollohet nga 40-70 vjeçarët e formuar në kohën e “komunizmit të butë“ të Titos. Eshtë më e lartë përqindja e popullsisë fshatare, si dhe një lloj patriarkalizmi, por kjo shton mundësitë e krimit të organizuar. Ndikimi i “islamizmit të butë“ është më i madh se në Shqipëri dhe ka urrejtje ndaj serbëve, sllavëve dhe ortodoksisë, por gjithashtu ka shumë mirënjohje ndaj Perëndimit dhe sidomos Amerikës. Në ndryshim nga Shqipëria ka edhe një tog me intelektualë të panjollosur, të pavarur nga Partitë dhe që kanë ndikim në vend.
Në shoqëri të tilla, kur “flamujt ideologjikë“(përmbysja e komunizmit në Shqipëri dhe Mëvetësia në Kosovë) kanë arritur qëllimin e tyre dhe janë zëvendësuar me “ideologjinë joideologjike” të parasë, automatikisht lindin forma të tjera ideologjish, të cilat i kundërvihen gjendjes “jo normale” të shoqërisë. E vura në thonjza gjendjen jo normale, sepse askush nuk është në gjendje të thotë se cila është shoqëria normale. Po le të pranojmë, që një shoqëri normale është ajo që vepron sa më afër kontratës së përbashkët shoqërore, që është Kushtetuta dhe ligjet, të cilat rrjedhin prej saj. Le të themi, që akoma janë në fuqi edhe disa ligje të pashkruara të moralit, kulturës e traditës. Një shoqëri, e cila ka dalë nga këto binarë, ose është duke dalë nuk mund të shkojë vazhdimisht drejt vetëshkatërrimit. Dhe janë jo vetëm faktorët ekonomikë apo varfëria e një pjese të mirë të popullsisë, që e kërkon këtë. shpesh ndodh, që edhe vetë mbartësit e veseve më të këqija kërkojnë që të dalin nga ajo gjendja, ose të paktën të shpëtojnë fëmijët e tyre nga sjelljet antiligjore apo nga kriminaliteti. Duket si paradoksale, por shpesh njerëzit e përfshirë në veprimtari kriminale kanë një nderim të veçantë për njerëzit e ndershëm dhe ata që veprojnë në përputhje me ligjet.
Por le të hidhemi në Labinotja dhe në rritjen e prirjeve fetare(kryesisht islamike) në dy shoqëritë shqiptare. Një pjesë e politikanëve dhe gazetarëve pro-Europës apo edhe të tjerë për motive të tjera si pro-kristianizmit apo edhe pro-ateizmit, e quajnë si shenjë negative apo e kthimit prapa të shoqërisë shqiptare. Një pjesë e mirë e tyre nuk e bëjnë thjesht nga padija, por për të mbuluar problemet e mëdha të tyre, që janë të njëjta me problemet e shoqërisë sonë. Ju duhen njerëz dhe dukuri që t’i bëjnë me faj dhe e gjejnë të lehtë të sulmojnë rigjallërimin e islamizmit, për të thënë se ky është rreziku më I madh për ne sot.

Kalimthi përmendej në një shkrim nga ata qindra rreth Lazaratit, që vetëm 40 familje shumë fetare nuk ishin marrë me mbjelljen e kanabisit në “qytezën e drogës”. A është më mirë, që në shoqërinë tonë të ketë familje, që nuk merren me veprimtari të paligjshme për shkak të bindjeve të tyre të thella fetare, apo të kemi familje “pa din e pa iman”, të cilat bëjnë çdo gjë për të cilën ka treg? E di që kundërshtarët e “kthimit prapa” do thonë “familje që nuk merren me veprimtari të paligjshme, jo për motive fetare”, por fakti është, që po bëhet për ditë dhe më e vështirë, të gjesh me shumicë familje të tilla në Shqipëri. Nuk dua të jem plotësisht nihilist dhe nuk e mohoj, që ka familje të nderuara jo besimtare, të cilat nuk i lejojnë vetes jo vetëm mbjelljen e drogës, por edhe shkelje më të lehta të ligjit, por kjo nuk është prirja apo shumica e familjeve shqiptare. Përkundrazi është një pakicë, e cila po tkurret dita ditës.
(vijon)

Monday 23 June 2014

C’farë duhet të bësh të qetësosh një Kryeministër?

Ndoshta titulli është i gabuar dhe duhet të jetë “një Kre shteti”, por me që unë jo vetëm që ja republikan i thekur, por edhe kundër republikës presidenciale, po e le titullin, pa menduar se mund të ketë keqinterpretime nga këshilltari juridik i avokatit tim. (Le që ai do gjejë një kleçkë se prandaj dhe është këshilltar juridik i një avokati me emër.)
Po të gërmosh në jetëshkrimet e kryeministrave të shekullit të kaluar dhe të këtyre 14 viteve të këtij qindvjeçari, gjen qindra e ndoshta mijra anekdota apo episode eksentrike të kryeministrave dhe kryeministreshave. Cërçilli, Berluskoni, Hrushovi, Mekenzi-King, e shumë të tjerë, (pa përmendur këtu kancelarin Adolf Hitler) kanë një numur të pafund shpërthimesh anormale të dëshmuara nga rrethet e tyre të afërta. Po qe se dikush do ketë kohë të kërkojë më thellë, në dhjetra shtetet dhe mikroshtetet e Azisë, Afrikës dhe Amerikës Latine do gjejë xhevaire për të na gajasur deri në ditët e fundit të “ymërit” tonë.
Le të mos shkojmë deri në Tokën e zjarrtë apo në Polinezinë franceze, ku klima dhe izolimi nga bota mund të shtojë “çmendurinë‘ e të parëve të vendit, po të rrimë në 28 mijë kilometrat katrore të vendit tonë të lashtë Mesdhetar. Eshtë më e lehtë, sepse Republika jonë ka pasur 3 kryeministra të vënë me dhunë(Hoxha, Shehu, Carçani) dhe nja pesëmbëdhjetë copë të zgjedhur me vota të lira apo të vjedhura, mes të cilëve spikasin Berisha, Nano, Meta dhe Rama.
Më shumë se shpërthimet apo idiotësitë e Kryeminstrave tanë, mua më bën kureshtar reagimi i të pranishmëve. Nuk e kam idenë se cili është kodi etik I sjelljes të njerëzve, që janë nën kryeministrin dhe e rrethojnë atë. Kjo sepse bota e qeveritarëve është shumë shumë e largët për mua. Kur i kthehem 30 vjetëve të fundit, më kujtohet që kam pirë kafe me dy ministra dhe një kryeminstër, por të gjitha këto kanë ndodhur vite përpara se ata të ishin bërë VIP-a. Më pas gjithshka ka mbetur e panjohur.
Kujtoj një tregim rreth vizitës së Hrushovit në fund të viteve ’50, kur kryeministri sovjetik me pushime në Durrës, kishte dalë papritur nudo nga vila e tij të hynte në det dhe Mehmet Shehu ju kishte thirrur i tërbuar Nexhmijes dhe Fiqretit të largoheshin për mos I parë plotësisht “herdhet” e “kukuruzit”, por nëse tregimi është i vërtetë, tregon për një reagim normal të udhëheqjes tonë. Shoku Enver ka reaguar me qetësi, për të bërë më vonë një ‘tabllo sinoptike” ndërsa impulsivi Mehmet ju ka thirrur ‘të qërohen” damat shqiptare.
Në Shqipërinë e sotme, ku jeta dhe begatia varet shumë nga përkatësia partiake dhe lidhjet me “të plotfuqishmit”, qëndrimi dashamirës, i vetpërmbajtur, gazndjellës, qetësues i njerëzve përreth kryeministrit duhet të jetë një lloj arti. Psh di që bashkëpuntorët e Nanos ishin në garë të gjenin barcoleta sa më pikante dhe të panjohura për kryeministrin, për të mos patur problem me ndryshimet e humorit të tij. Dhe Nano besoj se ka qënë më i thjeshti mes “të marrëve”, që kanë okupuar zyrën më të lartë të shtetit tonë.
Si mund dhe duhet të përballosh një situateë të jashtë zakonshme me një kryeministër, që në SMS të drejtohet me “zemër”, “shpirt”, “i dashur”, ‘i papam”, apo dhe me antonimet e tyre?
Para një viti, në një mjedis gjysëm privat pranë një pishine, Ed Rama, që po bënte banja dielli me sy gjysëmbyllur, I rrethuar nga një shpurë bashkëpuntorësh dhe simpatizantësh që admironin udhëheqësin e tyre teksa thekej, lëshoi pa teklif një porrdhë, e cila mund të ishte e qëllimtë, por edhe krejt e pafajshme. Nuk ishte zgjedhur ende Kryeminstër, por dukej, që ishte e sigurt. Të pranishmit u panë në sy dhe nuk lëvizën për të mos shqetësuar gjendjen shpirtërore post-gaznxjerrëse të kandidatit në fushatë. E megjithatë e rrëfyen atje ku mundën ndoshta edhe për të qënë transparentë.
Ngjarja e fundit, që më shtyhu të hedh këtë rrjeshta është një zënkë e Ramës me një gazetar, e cila po trumbetohet si rasti i nevojshëm për të dhënë dorheqjen, nga një  tjetër kryeministër “i marrë“, që i dehur vite më parë thërriste në Parlment “Po jot ëmë dhe jot motër moteleve shkërdhehen?!!”
Që Kryeministri të tërbohet nga prania e një gazetari të padëshëruar nuk është e pazakonshme. Vetëm dua të di se si mundoheshin ta qetësonin ministrja Kumbaro dhe e fejuara e Veliajt.
“Edi të lutem mos e prish gjakun!”; “Shpirt mos bëj kështu për një plehrë!“;”Ti e di që të gjithë të duam”; “Do ta kapim për zhelesh fundërrinën!”; “Xhan mos se do të ngrihet tensioni!”; “Zemër mos harro statusin!”.
Sa variante të tjera formulash qetësimi mund të përdorin ata që rrinë pranë një njeriu “të madh”?
Unë do i thoja thjesht një shprehje të stërpërdorur në vitet ’80 në Tiranë:
“Edi, Edi, ti je bota!”
Le të binte mbi mua tërbimi i tij!




Sunday 22 June 2014

E mendafshta kukule

Nuk di kush të mëndafshtë kukule thurri,
E brenda na mblodhi pa na hequr lirinë.
Dukej sikur ishin fije muajsh
Mbase vitesh të fshirë,
Lehtësisht të mpleksur
Me çastet tona
Dhe ditët që do vijnë.
Të mbrojtur ndjehemi
Mes shukash ajrore
Që diku degdisen
Shtyrë nga të diellit stuhi.
Të përqafuar jemi
Cuditërisht të përzjerë,
Dhe po aq lirë,
Në shpërthimet tona mendore,
Unë dhe ti.
Dhe mendjen kemi vrarë,
-Oh sa shumë munduar!
Se kush e hodhi këtë të çuditshme mbështjellëse,
Që bashkë na mban e na bën të lirë.
Dhe nuk ndjehet e ngushtë as buzëmbrëmjesh,
Dhe as më e lirshme në të gdhirë.
Dikush e bëri këtë magji,
Castin kur “të dua të thashë
E ti u drodhe e lehtas sytë ule.
Një tis i lehtë erdhi nga lart
E përjetësisht na mblodhi
Në të mëndafshtën kukule.

Thursday 19 June 2014

Prit të të dalë gjumi!

Nuk është e mundur të kesh në krahë gjithë këtë gëzim.
(Kjo më tingëllon si varg i thurrur në periudhën e vjeljeve. Një fshatar , që i gëzohet prodhimit të mbarë në një stinë, pas disa vitesh me rradhë thatësire.)
Më vjen të qaj.
(E po futi një të qarë të fortë se edhe lirohesh)
Dallëndyshet në qiell që shkojnë drejt diellit
(Sigurisht që dallëndyshet kanë pesë para mend më shumë se poeti, se e dinë që po fluturove drejt diellit të vriten sytë dhe nuk është aspak një fluturim komod.)
O Zot sa të dua!
(Sigurisht, që nuk është një thirrje patetiko-fetare, por lutje ndaj te paskajshmes.)
Kush mund ta ndalë dashurinë time për ty?
(Poicia jo e jo, se vetëm në Iran mund ta ndalë dhe kur nuk e bën dot policia vërtet nu e bën dot kush.)
Duke puthur buzët tënde që kundërmojnë si era.
(Ja këtu e djallosim ne, që i themi erë edhe erës që fryn dhe erës, që vjen prej gjërave. Sigurisht që era ka erë, sepse vjen nga një vend i caktuar, që mund të jetë “baçe me portokalle”, fushë me lavandër, por edhe Pazari i Peshkut. Gjithshka varet se sa fat ke!)
Ne të dy të dashuruar si askush në botë.
(E përkohshme është se tani janë të gjithë të përqëndruar në Mundial, pos a të mbarojë, të gjithë do ju kthehen dashurive të tyre, të cilat ju duken si më të veçantat në Gjithësi.)





Sunday 15 June 2014

Përse nuk më shqetëson Labinotja.

Ka një zhurrmë në mediat shqiptare(ndoshta edhe në ato të Kosovës) rreth fitores në zjedhjet të gruas së parë shqiptare me shami. Labinote Demi, ka fituar më shumë vota se të gjitha gratë dhe përfaqëson një parti kosovare(nuk di se k[) n[ Parlamentin e Kosov[s.
A është shenjë se gruaja e parë, që nuk e heq shaminë nga koka(shenjë e islamizmit të saj)pos jell një erë të re në politikën shqiptare?
Unë nuk besoj se politika përsërit modele të caktuara të hasura në vende të tjera në varësi të llojit të sistemit apo ngjashmërisë midis vendeve. Për ta shtjelluar më qartë, them se tek ne nuk kanë për të ndodhur as fenomenet e korrupsionit njëlloj si në Cikagon e Al Kapones, as gërshetimi i Krimit të Organizuar me shtetin si në Italinë e Andreotit dhe as rigjallërimi i partive islamike si në Turqinë e para Erdoganit. Këtë e them duke u nisur nga sa di nga historia botërore e 100 vjetëve të fundit dhe jo se kam bërë ndonjë studim të hollësishëm mbi sociologjinë, politikën dhe antropologjinë. Përdorimi i modeleve të caktuara, për të përcaktuar faza të ndryshme në të cilat kalon një shoqëri më janë dukur tepër të cekëta dhe që nuk i përgjigjen realitetit. Besoj se zënë fill në spjegimin material të historisë, që përjashton thuajse gjithë faktorët e tjerë, por vihet re edhe në analistë ose gazetarë të formuar në Perëndim, të cilët e kanë më të thjeshtë të përdorin analogjira, të cilat të kursejnë kohën për të dhënë zgjidhjen apo spjegimin e një dukurie politiko-sociale.
Shoqëria shqiptare, e cila kushtëzon edhe gjendjen politike të vendit, është një shoqëri shumë e pazakontë dhe e ndryshme nga shoqëritë e vendeve përreth dhe mç tepër akoma e vendeve , që ndodhen larg nesh. Edhe pse nuk kemi rrojtur të vetmuar dhe tek ne ka ndikime të Turqisë dhe islamizmit “të butë“, të një katoliçizmi primitiv apo edhe një ortodoksie të cekët, shoqëria e sotme shqiptare është plotësisht nën ndikimin e ‘materializmit pafre” të kushtëzuar nga 5 dhjetëvjeçarët  e komunizmit. Brezi i 70-80 vjeçarëve është brezi i fundit, që ka një lloj përmbajtje morale, por kuptohet ,që është brezi me më pak ndikim në jetën e shqiptarëve. 40-70 vjeçarët i përkasin të gjithë periudhës së “njeriut të ri”, që u formua duke e parë zhvillimin e shoqërisë vetëm në sajë të faktorëve ekonomikë dhe u zhgënjye nga parimi ‘interesi i përgjithshëm mbi atë personal”. Ky brez është ai që kontrollon sot Shqipërinë dhe që përcakton(me sa ka në dorë) rrugët në të cilat do shkojë Shqipëria në të ardhmen e afërt. Një pjesë e tyre e kanë kuptuar, që po ju lenë fëmijëve një vend pa institucione dhe për më tepër pa moral, por janë thellë të zhytur në një jetë “hedoniste” dhe nuk janë në gjendje të bëjnë ndryshim apo të thërresin “mea culpa”. Brezi i 20-40 vjeçarëve është brezi më i korruptuar, se është rritur me endrrën e arritjes së Europës pa djersë(dhe të një Europe ku sundon paraja e qejfi). Një pjesë e mirë e këtij brezi ka studiuar pak se në fillimet e ndryshimit të sistemit politik, universitetet u dëmtuan shumë. Më vonë filloi marrja e diplomave dhe provimeve me para e shqëruar edhe me jetën e natës, alkolin dhe drograt e lehta dhe ky brez, që lufton të zerë vende punë në administratën shtetërore është jo vetëm i papërgatitur profesionalisht, por për më tepër është i papërgjegjshëm.
(vijon)





Saturday 14 June 2014

"Taksa" e shkrimtareve (3)

(vijim)
Nuk mund të them me siguri, se pse “taksa’ e shkrimtarëve “u pagua” në fillim në poema. Ndoshta për natyrën më ‘fluturake” të poezisë, që mund të thurrë më lehtë ditirambe për diktatorët apo atdheun, mbase se deri në fund të viteve ’60, poetëtë vlerësoheshin shumë në hapësirën letrare të Lindjes, ose edhe pse tradita jonë letrare ishte më lart në poezi se në prozë. Proza kishte më shumë vështirësi dhe sidomos proza e gjatë. Ishte edhe më lehtë për “kritikën” dhe çensurën të “skuqte” me shënime një vepër në prozë, për mospërputhje me parimet e Realizmit Socialist. Gjithashtu, prozatorët më të talentuar, që provonin në gjininë e romanit ose prireshin drejt një natyralizmi të thjeshtë(J.Xoxa, Spasse), të tejkaluar tashmë për Letërsinë botërore, ose krijonin sipas modeleve sovjetike(F.Gjata, Shuteriqi, A.Abdihoxha). Padyshim, që romani më i mirë i periudhës 20 vjeçare ’45-’65 është “Gjenerali I Ushtrisë së Vdekur” i Kadaresë. E megjithatë ai është një roman i Realizmit socialist edhe pse heronjtë e tij nuk janë Komisarët apo të rinjtë komunistë. Nuk dua të ndalem në analizën e romanit,  cili dëshmoi për forcën e Kadaresë në prozë, pasi deri në atë kohë njihej si poeti jonë më i talentuar dhe me më shumë të ardhme. Më duhet të jem brenda temës së “taksës“ së shkrimtarëve.
E përmenda më lart, se poemat ishin sprova më e mirë për të dëshmuar përkushtimin ndaj Partisë dhe Komunizmit. Kështu gjysma e dytë e viteve ’50 dhe vitet ’60 ishin të dominuara nga poemat dhe poetët. “Prishtina” dhe “Pranvera e madhe” të Siliqit, “Endërr Industriale”, “Përse mendohen këto male” dhe “Shqiponjat fluturojnë lart” të Kadaresë, “Devoll, Devoll” e Agollit, “Vazhdimi i një bisede” e Vehbi Skënderit, “I përkasim Komunizmit” e Fatos Arapit, “Poema e Ushtarit” e Dhori Qiriazit dhe shumë të tjera të një niveli më të ulët ishin “refreni” letrar i jetës shqiptare. Ato mbushnin faqet e periodikëve dhe recitoheshin nga fëmijët e të rinjtë në mbrëmjet dhe veprimtaritë e tjera të ashtuquajtura tematike. Ishin mjeti kryesor i “edukimit revolucionar”(lexo- trushpëlarja) të brezit të ri sipas idealeve të Partisë.

Po le të mundohemi t’i kuptojmë poetët e asaj kohe dhe të sqarojmë nëse veprimtaria e tyre ishte vërtet “pagim takse” apo një frymëzim i vërtetë edhe pse mbase i “autosugjestionuar”.
(vijon)

Wednesday 11 June 2014

Emrat më të rëndësishëm të Blogut.

Eshtë shumë interesante, pas më se tre vjetësh të ekzistencës të blogut, që “google”(ajo që bën të mundur ekzistencën falas të këtij blogu), jep (kur ke nge të kërkosh) edhe disa të dhëna statistikore rreth mënyrës se si lexohet(ose thjesht hapet) “Kuendemi”. Mes të dhënave më ra në sy se në “fjalët çelës”, të cilat sjellin në “google” faqet e blogut, janë tre emra të përveçëm, që kanë një numur më të lartë edhe se emri im, (që pa dëshirën time është në fund të çdo postimi). Emrat më bënë shumë përshtypje, se nuk janë mes emrave që kam përdorur më shumë si Sharl Bodler, Enver Hoxha, Fan Noli, Ismail Kadare, Andon Mara, Poe etj. Janë tre emra shqiptarësh, të cilët nuk besoj se kanë lidhje me njëri tjetrin dh e njëkohësisht i përkasin fushave të ndryshme të veprimtarisë.
Vendin e tretë, e ze Eduard Zaloshnja, i cili me sa di është një lloj analisti dhe organizator sondazhesh rreth politikës shqiptare. Zaloshnjën nuk e kam njohur dhe me nxitim kam shkruar një shënim të titulluar “Cili është Eduard Zaloshnja?”, që ndoshta “kërcen” i pari sa herë dikush do të mësojë rreth tij. Shkrimi vërtet nuk tregon asgjë rreth Zaloshnjës, por është një lloj shënimi anekdotik, rreth mënyrës se si ndërhyjnë njerëzit që merren me politikë ndaj sondazhistëve të pavarur dhe në qendër të tij ishte pikërisht Eduard Zaloshnja, se ndëryrjet i bëheshin atij.
Në vend të dytë është KoçI Xoxe, një nga figurat më jetëshkurtra të politkës shqiptare dhe më e panjohura për mua. U rreka të bëj një shkrim(të lënë në mes), më tepër për të kuptuar edhe vetë se cili ishte “I tmerrshmi” KoçI, që na ishte paraqitur si terroristi më i madh mes komunistëve shqiptarë, jo vetëm nga Historia e Partisë, por edhe nga letërsia e Realizmit Socialist. Mbse është koha për të vazhduar ndonjë kërkim më tepër rreth figurës së “zanatçiut komunist” të Pazarit të Korçës, i cili jo vetëm u pushkatua, por dhe morri në kurriz gjithë krimet e komunistëve në fund të Luftës dhe në vitet e para të pasçlirimit.
Vendin e parë e mban një njeri, i cili është i vetmi mes të treve, që e njoh personalisht. Quhet Rahim Ombashi dhe ka qënë(e ndoshta është) pedagog letërsie ose gjuhe në Universitetin “Fan Noli” të Korçës. Rahimin e kam përmendur shkarrazi, në një ose dy nga shkrimet e mija rreth Universitetit, por duket, që është personalitet i spikatur në Shqipëri edhe më gjerë, sepse i le pas gjithë emrat e tjerë. Nuk di shumë rreth shkrimeve dhe botimeve të tij(ma merr mendja se pedagogët e Universiteteve e kanë të detyruar këtë gjë), por duket që do ketë pasur shumë të tilla në këto 17 vitet , që unë jetoj jashtë Shqipërisë.
Gjithsesi, interneti dhe masa e njerëzve, që rri pas kompjuterave dhe kërkon të mësojë, janë të padeshifrueshme për logjikën time prej 55 vjeçari.

Në të kundërt do dija t’i jepja përgjigje “dukurisë“ të treshes Ombashi-Xoxe-Zaloshnja.

Le të bëjmë një pushim

Thuajse gjithshka paralizohet në Europë, Amerikën Latine, Afrikë dhe në një pjesë të Azisë gjatë ditëve të Botërorit. Sa më varfër të jenë vendet, aq më shumë i kap “ngërçi” i futbollit. Futbolli është gati si një fe që i bën njerëzit të ndjehen të kënaqur e thuajse të barabartë. Nu dua t’i bëj reklamë as sportit më të dashur të fëmijërisë dhe as Kampionatit Botëror në Brazil, që duket se do ketë problem të mëdha midis klasave në Brazil. Dua vetëm të mendoj pak më shumë se zakonisht, se pse 4 javë futbolli na bëjnë si me magji të shtyjmë për më vonë çdo gjë.
Ditët e Botërorit janë ditët më të mira për “kriminelët” e çdo lloji. Duke filluar me xhepistat, vjedhësit e vilave e deri në manipuluesit e bursave. Vendime qeverie të diskutueshme mund të kalohen me më pak bujë ditët e Botërorit. Mafiet punojnë më me qetësi dhe nëpunësit e korruptuar kërkojnë më shumë rryshfete, për të mbuluar një pjesë të humbjeve në bastet e futbollit. Të gjithë njerëzit e thjeshtë dhe të panjollosur i kap një “zdërhallje” e çuditshme jo vetëm gjatë orëve të ndeshjeve, por edhe në orët e pritjes së ndeshjes tjetër.
Në vitet monotone të adoleshencës dhe rinisë, sipas një skulptori, që sot është bërë prift, kohën e ndanim në 4-vjeçarë. Prisnim me endje një vit të tërë sa të fillonte Botërori dhe kur mbaronte kuptonim se duhej të prisnim edhe tre vjet pa bërë gjë prej gjëje. Sigurisht, që 5-6 muaj pas përfundimit, vazhdonim të grindeshim se nëse i  takonte fituesit dhe se s’i kishin vendosur fatet e Kupës gjyqtarët. Dhe kështu shtyheshin vitet kur nuk mund të grindeshim për politikë apo për ide të reja. Edhe ata , që hynë në ambasada, zgjodhën ditën e pushimit midis ndeshjeve të fundit, për të bërë ndryshimin më të madh të jetës së tyre.
Prej Kampionatit Botëror të Meksikës ’70, kur pashë të parën ndeshje “live” në tv, kanë kaluar 44 vjet dhe 11 kampionate. Futbolli ka ndryshuar shumë dhe jeta jonë akoma më shumë.
E megjithatë nuk ka ndryshuar “magjepsja” e meshkujve në botë ndaj futbollit, kur të thjeshtët e të mirët jepen me mish e shpirt pas ndeshjeve, ndërsa “edepsëzët” jepen pas ndeshjeve, por nuk harrojnë të vazhdojnë me ligësitë e tyre.

Nesër fillon. Le të bëjmë një pushim!

"Taksa" e shkrimtareve (2)

(vijim)
Le të mundohemi të jemi sa më të drejtë me shkrimtarët e Realizmit Socialist dhe të mos ju ngarkojmë mëkate, të cilat nuk i kanë. Duhet thënë. që më të vjetrit prej tyre nuk vinin nga një formim “realsoc”, sepse letërsia sovjetike nuk kishte jehonë të madhe në Europë para Luftës së Dytë. Ndikime për ata që lexonin gjuhë të huaja dhe ishin më të shumtët, vinin nga letërsia më e mirë europiane e shekullit tëXIX dhe e shekullit të XX-të, kuptohet edhe nga vetë prirjet e çdo individi. Letërsia Shqipe ishte në fillimet e saj, por ato vepra të pakta të botuara deri në atë kohë i kishin lexuar të gjitha dhe edhe pa patur ndonjë ‘impakt” në mënyrën e të shkruarit apo në prirjen ndaj një rryme të caktuar letrare. Ndikimet ishin vetëm të karakterit gjuhësor dhe në ata që shkruanin poezi, sigurisht që kishte ndikime të Naimit, Fishtës dhe Poradecit(më pak të Migjenit).
Duhet thënë, që deri në vitin 1957, kur u bë Kongresi i Parë i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, numuri i shkrimtarëve ishte i pakët edhe më të pakëta ishin botimet. Sektori i Agjit-Propit i Komitetit Qendror kishte filluar të ushtronte Censurën në botime, por akoma nuk ishte zyrtarizuar linja e Realizmit Socialist si e vetmja rrymë në krijimtarinë letrare. Për më tepër nuk kishte nisur ende çensurimi i vetes, që është gjëja më e dëmshme për një krijues. ”Shkretëtira” në Letërsinë e viteve ’50, të cilën përmend disa herë Kadareja është pikërisht “boshllëku”, që u krijua nga çensura e botimeve si dhe nga mosdërgimi për botim i veprave , të cilat mund të ndëshkoheshin nga autorët e ashtuquajtur të viteve ’30, por edhe nga më të rinjtë. Periodikët letrarë ishin të mbushur me letërsi sovjetike, e cila paraqitej si forma më e lartë e letërsisë bashkëkohore. Dritën e botimeve në shqip e shihnin vetëm vepra skematike për Luftën nac-çlirimtare dhe jetën e re. Në këtë dekadë fillon heshtja e Paskos, Poradecit, Bulkës, por edhe e Trebeshinës dhe të tjerëve shkrimtarë të kulturuar e të talentuar, të cilët zgjodhën “mospagimin e taksës” për të qënë shkrimtar.

Nënshtrimi i plotë i letrarëve ndaj Realizmit Socialist fillon me Kongresin e Parë të Lidhjes dhe me arritjen e të studiuarve në Bashkimin Sovjetik dhe në vendet e tjera të Lindjes. Ishte pikërisht letërsia e krijuar nga Siliqi, Kadareja, Agolli, Gjata, Harapi, Qyrku, Ziko e të tjerë, letërsia e mirëfilltë e Realizmit Socialist siëpas parimeve famëkeqe të Zhdanovit. Në këtë rrugë vijuan edhe shumë krijues të tjerë, të cilët nuk kishin studiuar në Lindje, por krijonin sipas modeleve sovjetike si Prifti, Laço, Xhuvani apo edhe më të mëvonshmit si Lera, Blushi apo Kosta. E megjithëse nuk mund të futim në një thes poemat apo prozat e Kadaresë me poemat e Siliqit apo prozën e Laços duhet të pranojmë, që ishin të gjitha “pjella” të realizmit Socialist, me ndryshimin e vetëm, që veprat e Kadaresë ishin më pak skematike. Një rol negative luante edhe kritika e të studiuarve në Lindje duke filluar me Uçin, Caushin e Velçën e deri tek më të rinjtë. Kritika letrare e periudhës së Diktaturës ishte në gjendje të “varroste” vepra dhe shkrimtarë.
(vijon)

Tuesday 10 June 2014

Lufta e Dyte Boterore ne Shqiperi (2)

(vijim)
E gjithë Shqipëria ndjeu një përmirësim të gjendjes ekonomike me hapjen e rrugëve, ndërtimet për qëllime ushtarake, si dhe vetëm nga ardhja e 500 mijë ushtarëve të huaj, që do ushqeheshin dhe do argëtoheshin në një vend me më pak se dy million banorë. Sigurisht më të fituarit ishin tregëtarët dhe ata, që ishin më të lidhur me Italianët, por edhe shtresat e thjeshta patën përfitimet e tyre. Në Korçë psh dhjetra familje, që kishin banesat e tyre në bulevard ose në kryqëzime me rëndësi, i kthyen katet e para në kafene për ushtarët Italianë. Në vend jo vetëm nuk ndjehej atmosferë lufte, por deri sa shpërtheu lufta italo-greke në tetor të vitit 1940, të gjithë po shijonin prej një viti e gjysëm ‘begatinë“ e jetës nën Italinë. As bëhej fjalë për rezistencë të armatosur, akte sabotazhi apo demonstrimeve anti-italiane me numur të madh pjesëmarësish. Ndërkohë thuajse e gjithë Europa ishte e pushtuar nga Gjermania Naziste.  Në Shqipëri Italianët po përgatisnin ofensivën e tyre kundër Greqisë duke u përpjekur të përdorin edhe forca të mobilizuara shqiptare apo edhe banda civilësh të përbëra nga popullsi çame. Dështimi i Italianëve në luftën Italo-Greke, bëri që në dhjetor 1940 ushtria greke të hyjë në gjithë jugun e Shqipërisë, tashmë e mbështetur financiarisht ehe ushtarakisht edhe nga aleatët. Politika ekspansioniste e Italisë dhe nënshtrimi i qeverisë kukull shqiptare, solli për muaj me rradhë një situatë jo të mirë për trojet, që Greqia i quante Vorio-Epir e për të cilat kishte patur gjithmonë pretendime territoriale. Edhe pse shqiptarët ishin të paanshëm në konfliktin italo=grek dhe batalionet shqiptare të inkuadruara në ushtrinë italiane thuajse dezertuan plotësisht, hija e “shpalljes së luftës kundër Greqisë“ do rëndonte gjatë në raportet tona me Fuqitë e Mëdha pas Luftës, si dhe më shumë me marëdhëniet me vetë Greqinë. Përgjithësisht, gjatë muajve të kontrollit grek shqiptarët ishin më pak të kënaqur, sepse kishin ndryshuar shumë gjëra në jetën e tyre dhe jo për mirë. Grekët ishin edhe më të varfër edhe më të ashpër se pushtuesit Italianë. Largimi i tyre në prillin e  vitit 1941 në sajë të hyrjes së ushtrisë gjermane nëpërmjet Bullgarisë, rinormalizoi jetën e përditshme nën kontrollin e ushtrisë italiane. Asnjë akt ushtarak nuk ishte kryer kundër Italisë dhe në favor të Greqisë nga popullsia shqiptare. Dukej që po përsëritej e njëjta tablo e Luftës së Parë, kur ushtritë e huaja hynin, dilnin e përplaseshin në trojet shqiptare pa patur një përfshirje të plotë të shqiptarëve në këto konflikte. Pikërisht në prill të 1941-shit, ushtria gjermane hyri në Jugosllavi, gjë që solli një ndryshim të ri në “gjeopolitikën” e shqiptarëve, si të atyre që bashkëpunonin hapur me Italianët, por edhe të tjerëve , të atyre që nuk ishin përzjerë.

Kufijtë e shqipërisë ndryshuan dhe u hapën në territoret e asaj që quajmë “Shqipëri e Madhe”. Një numur i madh i shqiptarëve të shkolluar u nisën të punojnë si nëpunës dhe mësues në trojet e reja shqiptare, që deri atë kohë kishin qënë në Jugosllavinë. As anti-italianët apo anti-gjermanët më fanatikë nuk mund të shihnin pa kënaqësi këto zhvillime. Në pranverën dh e verën e vitit 1941 jo vetëm , që nuk dihej fati i Luftës së Dytë  Botërore, se gjermanët ishin në apogje, por asnjë “analist” nuk mund të vinte bast, se kufijtë europiane të Traktatit të Versajës nuk do ndryshoheshin pas një armëpushimi apo Traktati Paqeje të mundshëm. Në këto kushte, në Shqipëri nuk mund të kishte rezistencë antiitaliane.
(vijon)

Monday 9 June 2014

Lufta e Dytë Botërore në Shqipëri



“Historinë e bëjnë fituesit!” Kjo maksimë e gjithësishme vlen për gjithë kohërat dhe vendet, por sidomos është e vlefshme për vende me sisteme totalitare, klasat qeveris[se të së cilëve kanë nevojë për Historinë që të sundojnë më lehtë dhe për të mbuluar plagët e realitetit.
Sot të gjithë bashkohen në idenë, që Historia e Luftës së Dytë Botërore duhet rishikuar, sepse ashtu si është shkruar gjatë viteve të Diktaturës Komuniste është shumë larg të vërtetës. Në varësi të orientimeve politike, zërat që dëgjohen më tepër janë ato të ekstremistëve. Nostalgjikët e komunizmit vazhdojnë t’ju bien daulleve të “antifashizmit dhe patriotizmit”, ndërsa antikomunistët atyre të “antisllavizmit dhe nacionalizmit të kulluar”. Tek të gjithë bie në sy mungesa e moderacionit dhe sidomos urrejtja ndaj palës tjetër.
Po a ishin ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri aq tronditëse, sa përshkruhen edhe sot nga të gjitha palët?
Mendoj se ato janë më tepër “dramatike”, për shkak të pasojave që sollën në dekadat që pasuan, se sa ishin vërtet të tilla në vitet e Luftës.
Për të folur për periudhën nga 1939 dhe deri më 1944, kur ushtarët e fundit të huaj u larguan nga Shqipëria, duhet bërë një paraqitje e shkurtër e gjendjes politike të Shqipërisë në fundin e viteve ’30.
Rregjimi i Zogut edhe pse një Monarki Kushtetuese, kishte lënë pak hapësira politike për parti politike. Kudërshtarët e fundit të tij ishin larguar nga vendi, që prej fundit të vitit 1924(pasi kishin gabuar me grushtin e shtetit të Qershorit, ose të ashtuquajturin Revolucion të Qershorit) dhe ishin të shpërndarë në vendet europiane. Një pjesë e mirë e tyre jetonin në këto vende me pagesa nga qeveritë e atyre vendeve dhe bënin propagandaë kundër Zogut në gazetat shqiptare apo të huaja. Brenda vendit kishte njerëz properëndimorë, të pakënaqur nga zhvillimet shoqërore, politike dhe ekonomike të vendit, por q[ nuk ishin të organizuar. Përfaqësuesit e klasave më të pasura ose ishin indifferentë, ose brohorisnin për Naltmadhëninë dhe politikat e tij. Vetëm në Korçë kishte pasur disa veprimtari të organizuara“opozitare” dhe një listë e opozitës kishte arritur edhe të fitonte në zgjedhjet e Këshillit Bashkiak. Institucionet shtetërore ishin të mbushura me “njerëz të tarafeve pro-zogiste” dhe edhe pse kishte qetësi dhe stabilitet, gjendja e vendit ishte shumë larg vendeve perëndimore, por ngjasonte më shumë me një “sulltanat” të vogël të Mesdheut apo të Lindjes së Mesme.

Pushtimi Italian edhe pse solli një reagim kundërshtues në ditët e para në shtresat më idealiste, u fashit shpejt për shkak të mundësive, që shihnin edhe shumë kundërshtarë të Regjimit të Zogut nga ndryshimi në qeverisje. Në vend u kthyen gjithë politikanët antizogistë dhe një pjesë e tyre u përfshinë në qeverinë kolaboracioniste. “Paria” e vendit, që deri atë kohë kishte qënë me Mbretin nxitoi të shpinte kurorën e Skënderbetut tek Viktor Emanueli dhe kështu vendi u bë pjesë e Mbretërisë Italiane. Vitet e para të pushtimit Italian sollën një gjallëri të tregut shqiptar dhe hapjen e shumë vende pune.
(vijon)

Sunday 8 June 2014

“Taksa” e shkrimtarëve

Ka një përmendje të shpeshtë, sidomos nga Kadareja, për “taksën”, që duhet të paguajë ndaj shtetit shkrimtari për të qënë pjesë e Letërsisë. Tingëllon si e vërtetë, e ujdisur bukur me gjysëm të vërteta dhe çerek të vërteta, nga një njeri i letrave dhe kuptohet nga një njeri mbi mesatarët e tyre.
Unë e kujtoj mirë kohën kur Shqipëria gëlonte nga shkrimtarët(ndoshta jo sa sot, kur të tillë has në çdo qoshe), sepse që i vogël e quaja veten “djalë shkrimtari”. Nuk e thoja, se më vinte turp të mburresha, por në vetvete të tillë e dija.
Duhet thënë, që të qënit “zyrtarisht” shkrimtar, në Shqipërinë nën Diktaturë nuk ishte vuajtje. Përkundrazi, shkrimtarët dhe artistët gëzonin privilegje. Ndaj është e mira të pranojmë, që taksën ndaj Diktaturës nuk ishte thjesht taksë për të gëzuar të drejtën e botimit, pra marëdhënien tënde me lexuesin. Ishte një taksë, që paguhej për të gëzuar një status të veçantë si dhe për të përfituar honorare, dhoma shtesë, leje krijuese dhe deri në qënien në profesion të lirë. Në një vend ku sundonte barazitizmi, shkrimtarët(edhe artistët) kishin përparësi ndaj intelektualëve të tjerë. Sigurisht, modeli i huajtur nga sovjetikët, ishte krijuar, që shkrimtarët të krijonin vepra në shërbim të Diktaturës dhe për të të kishin përfitime të vogla, por që ja u bënin jetën e përditshme më të lehtë. Për njerëzit e letrave dhe arteve të tjera, kjo ishte përnjimend shprehje e kujdesit të shoqërisë për kulturën dhe artin dhe një lloj përmbushje e idealeve të Iluministëve. E keqja qëndronte në krijimin e një letërsie dhe arti jo vetëm në shërbim të kastës(apo si parapëlqehej të thuhej- idealeve), në ndihmën që i jepnin sistemit për ‘trushpëlarjen” e fëmijëve dhe brezit të ri. Gjithashtu edhe vetë shkrimtarët apo artistët më të talentuar të vuanin mëdyshjen midis krijimit të artit të lirë dhe të vërtetë apo “surrugatove”. E megjithatë, shumica zgjodhën të dytën, sepse ishte rruga më me pak rrezik për të shijuar jetën. Duhet përmendur, që shkrimtarë shumë më të talentuar se ata të Lindjes apo Shqipërisë, ishin të detyruar edhe të vuanin për bukën e gojës deri sa të arrinin suksesin në vendet e Europës Perëndimore ose edhe duke refuzuar privilegjet që të sjell suksesi. Dhe fjala është për Sartrin, Simonë Dë Bovuar, Alberto Moravia, Pol Eluar, Andre Breton e plot të tjerë shkrimtarë të jashtëzakonshëm.
Debati, që bëhet sot, dhe për të cilin përdoret edhe argument i Kadaresë për “taksën” kap dy aspekte, që lidhen me Letërsinë shqipe. I pari është nëse ka vlera mes veprave të Realizmit Socialist dhe i dyti, nëse Letërsia e jonë është në nivelet e  Letërsisë Europiane.
Përgjigja nuk është e lehtë edhe për njohësit më të mirë të Letërsisë Shqipe. E megjithatë ka një tregues për të. Eshtë interesi i lexuesit të sotëm, i cili ka patur mundësinë të njihet me kryeveprat e Letërsisë Botërore të shekullit të kaluar. A mund të ketë interes lexuesi shqiptar të lexojë sot vepra të Shuteriqit, Spasses, Agollit, Koreshit apo Laços? Eshtë thuajse e pamundur të ketë interes për ribotimin e veprave të tyre. Të vetmet vepra , të cilat janë ribotuar dhe mund të jenë shitur në Shqipëri janë veprat e Kadaresë.
(vijon)


Do e vras Vetminë


Do e vras Vetminë
Këtë vejushë të hirshme,
Që trupit më përdridhet
Dhe veshësh më pëshpërit
“Të dua!”
Shoqe flokëerrët e mbrëmjeve pranë gjolit,
Perëndeshë kristalesh të tretshme dimrit,
Ndjellëse frigimesh të reja,
Merrisht e ëmbël shtratit,
Kur lehtas lëkundet mbi mua.
Eshtë shumë e bukur për të qënë e vërtetë
Dhe shumë e vërtetë për t’i dalluar mashtrimin.
Më buzëqesh dhe belb
“Rri vetë!
Vetëm me mua nuk e ndërpret fluturimin.”
Por ti erdhe
Në një mbrëmje të ftohtë,
Në shkurt a në mars.
Me mollzat e gishtave më preke,
Magjinë e saj prishe.
Dhe unë thirra:
-Vetminë do vras!

Saturday 7 June 2014

Kur t’i dalë tymi!

Do t’i dalë po kujt do t’i dalë se?
Rëndësi ka që tymi të dalë. Dhe kur del tymi në sasi stërmëdha nuk e quajnë më tym por tymnajë. Tymnaja duhet të jetë diçka jetëgjatë, që nderet mbi stepa apo pullaze të paktën nja 5-6 muaj. Dhe me siguri duhet të jetë si tym i trashë dhe ngjitës, si ai , që ngrihet horizontit kur digjen puset e naftës.
Po t’i referohemi shprehjes “ku ka tym , ka zjarr”, atëhere del se “në fillim nuk ishte zjarri”. (Më mirë duhet thënë ‘në fillim u pa tymi”). Nuk dua të hyj në filozofinë banale të “shkak-pasojës”, sepse po t’i drejtohemi një koncepti më “rrethor” të dukurive, atëhere edhe zinxhiri “shkak-pasojë“ merr trajtën e një gjerdhani dhe nuk vlen për gjë tjetër veç t’ja u varësh mackave.
Të kthehemi në titulli. “Kur t’i dalë tymi!” Shprehje e vendosur, parashikuese, gati Nostradamusore. Dikush, diku, dikur, ka ndjerë, se një zjarr është duke gjalluar fshehtasi, krejt i padukshëm, i pakapshëm edhe për shqisën e gjashtë, por ekzistent. Lajmëron fqinjët, të afërmit, të ardhurit rrishmë në vendbanim, se diçka e rëndë do ndodhë, do përfshihen nga flakadanët, por të gjithë e marrin për të çmendur. Tamam si i merrnin dikur për të çmendur, europianët e bardhë, prijsat Indianë, që paralajmëronin se një vullkan, që do sjellë fundin e botës, do shpërthejë një ditë në Guri i Verdhë.
E megjithatë dikushi këmbëngul, se zjarri është po aq i vërtetë, sa është i vërtetë edhe tymi , që nuk ka dalë akoma. Njerëzit e lodhur prej tij i kthejnë kurrizin dhe e mëshirojnë dhe ai ndjehet i qetë se i ka paralajmëruar. Nuk mund të bënte asgjë më tepër.
Zjarri vazhdon të digjet ngadalë dhe i sigurt, por për çudi tym nuk del kurrë.

Mbase se gjithshka është e zjarrtë.

Friday 6 June 2014

Chan - Chan

Agu ndriti,
Rrezet varen mbi gjelbërimin e paanë.
Bimët prej diellit harlisur,
Lagur vese, djerse dhe dhe lëngjesh magjike
Ndërsa majat e tyre lehtë dridhen
Nga tingujt e bukur të ”Chan- Chan”.
-Mblidh disa prej rrezeve të këtij mëngjesi,
Cipës së bardhë së supeve ja shko,
Lehtas gjthë trupi do e thithë.
Prej dritës je bërë
(Jo vetëm ti,
                Vesa,    
                                Unë,
                                                Bimët)
Mbase jo tingujt,
Ato që trupin të drithërojnë,
Dhe Chan Chanin e këtij tropiku,

Këndo.

Edhe pak

Edhe pak,
Vetem pak,
Pak më shumë rri
Në këtë mbrëmje të thjeshtë
Si këmisha që mban
E që le të shquhen thithat.
E di që duhet të shkosh,
Nuk mund të rrish më në guvën time të errët
Përgjigje të kërkosh,
T’i shpiesh larg ku shndrisin dritat.
Kupto
Askush mund ta ndriçojë.
E errët është e gjitha
Vetëm rri dhe pak,
Pak më tepër rri,
Këmishën e linjtë të prek,
Atë që le të shquhen mes territ,

Të bukurat tënde thitha.

Thursday 5 June 2014

Unë votova – Voto edhe ti!

Ky është slogan që nuk i drejtohet askujt, se askujt nuk i bie ndërmend nëse votova unë dhe aq mç pak mund të ndikohet nga unë e të ngrihet e të votojë. Sigurisht nuk jam budallallosur aq sa të shkruaj për rëndësinë e votimit, për procesin demokratik të zgjedhjes të përfaqësuesit apo të partisë që të pëlqen, apo për ushtrimin e të drejtës tënde bazë e porrdhë të tjera si këto. Unë votova sot se më erdhi për të votuar, sikundër nuk votova herën e fundit, kur kishte zgjedhje sepse nuk më erdhi për të votuar.
(“Sa i paekulibruar , që je!”- do hidhet këshilltari juridik i avokatit tim, që nuk heziton të më kritikojë, sa herë bëj veprime të nxituara, të papeshuara mirë dhe sidomos që nuk kanë asnjë efekt në jetën time apo të familjes sime.) Po ja unë arrita që e hodha vetën dhe si më ndodh rëndom këto 6 muajt e fundit nuk rri dot edhe pa e thënë.
Pasi hodha votën e pyeta veten “Përse votova?”, po nuk gjeta dot përgjigje. Jam fare në hava për sa i përket politikës në Kanada dhe në Ontario(për parlamentin e Provincës votohet këtë rradhë). Në pushtet, siç ndodh edhe në rang vendi, vijnë njëherë në fuqi Konservatorët dhe pasi bien ata rrinë për ca vjet më shumë Liberalët. Janë sin jë lloj imitimi i partive engleze, por me dallimin, që Liberalët e këtushëm kanë qeverisur më gjatë duke filluar nga vitet ’60, se Laburistët englezë. Ka edhe një parti të tretë, e cila nuk është as e Qendrës së Djathtë dhe as e asaj të Majtë, po është si më shumë e Majtë e Majtë pa qënë e ekstremit të Majtë. Dhe për këtë Parti votova sot. Dhe për këtë parti pata votuar edhe herën e fundit, që ishte edhe e vetmja herë që votoja. Kam si qejf kur votoj për Partitë që nuk vijnë kurrë në pushtet. Se  në këtë mënyrë mund të grindem e të llomotis ditë e natë. Dhe njëkohësisht ndjehem xhepërisht dhe shpirtërisht pranë Partive të Kripave.
Po përse votova për Partinë e Kripave dhe jo ndonjë parti tjetër të majtë(kripash) si Ekologjikja apo edhe Komunistja. Ka një emër që më pëlqen. Shpresëdhënës. Partia e Re Demokratike . Po mos sjellë risi në jetën demokratike të vendit Partia e Re Demokratike kush mund ta bëjë? Ngre supet.
Nëse je edhe ti një zgjedhës si unë, që ke një kokë mbi supe, por këto të fundit i mban ngritur sa herë të pyesin, bëj si bëra unë;

-Voto edhe ti!

Oh sa e pëlqej këtë këngë!

Një duet i mrekullueshëm, ku gërshetohet muzika klasike dhe notat e larta të kapura nga tenori Kastriot Tusha me tingujt e gërrnetës, fyellit dhe timbrin e ngrohtë burimor të këngëtares Eli Fara. Ah po ndjehet qartë edhe kitara elektrike bass, që e sjell kombinimin e barokut me karadyzenin në kohët më moderne. Pa le fjalët!
Oh lirika e dashurisë të munguar, bërë kotkë me thirrjet gjakderdhëse të kasapëve!
“ Në se ka mbetur zemra ime
Brenda teje si dikur nga Dashuriaaaa
Unë do të të pres të të takoj
Edhe njëherë në këtë jetë nga Rastësiaaaa”
Menjëherë të shkon mendja në ritet e fiseve Maja, që në tempujt plot shkallë të Jukatanit, sakrifikonin të rinj e të reja të kapur rob, duke ju hequr zemrën nga gjoksi dhe duke e gëlltitur. Me siguri mes tempujve të shumtë dhe me emra abstraktë apo filozofikë duhet të ketë qënë edhe Tempuli i Rastësisë, ku I sakrifikuari shpreson të takojë zemërgëlltitësen. Një frymëzim qiellor dhe gati gati alien.
Dhe nëse fryma po më mbahet
Më beso se unë gjithë jetën të kam dashur
Je marrëzia e buzës sime
Je trishtimi më i bukur që kam pasur.”
Ja kjo është poezi! Metafora ‘marrëzia e buzës sime” e “papame” deri më sot. Për më tepër mosbesimin që të sjell frymëmbajtja e tjetrit, tretet në vend kur i thua “Je trishtimi më i bukur që kam pasur”.
Kënga fillon që në vargun e parë të të trondisë me atmosferën anatomike të fjalëve. Pritet diçka e pazakontë të ndodhë.
“…zemra më ka ngrirë
Që kur s’të kam parë.
E mbylle derën më le vetëm
Ndoshta ti s’më doje tepër…”
C’do ndodhë- pyet i tmerruar dëgjonjësi me një fantazi mesatare. Diçka mes një operacioni të transplatimit të zemrës, kur në kutinë e mbushur me akull vjen zemra, që i është hequr një të vrari në aksident dhe vargjeve të bejtes popullore “dy zemra të lidhura, dy ushkurë të zgjidhura”. Gjeniale! E paparashikueshme! Dhe e paparashikueshmja është në fjalën “Asnjëherë“ (Pak a shumë si në “Korbi”)
“ Asnjëherë s’ja fala vetes,
Asnjëherë jo nuk guxova,
Asnjëher atë që ndjeja të ta them…”
Dhe kur të gjithë presin me gojë hapur fjalët magjike , që kanë mbetur ndrydhur në një nga organet e tjera veç zemrës së hequr ai përsërit:
“ Në se ka mbetur zemra ime
Brenda teje si dikur nga Dashuriaaaa…”
Ik o pirdhu!
Po nëse e harron ti zemrën ku të mundësh ne ta kemi fajin?!!





Endrra jonë e Lundrimit

Nuk di nëse ëndrra jonë për të lundruar, ka zënë fill në kohën e “mbylljes së rrugëve”, kur shumë njerëz donin të shkonin në Botën e Lirë, për t’u bashkuar me të afërmit e tyre a për të jetuar si ja u thoshte mendja dhe jo Sekretari I Partisë. Më kishte rënë në sy, që njerëzit përmendin me adhurim vaporët, anijet, motoskafët. Nuk zinte njeri në gojë jahtet, se në Korçë nuk kishte det apo liqen të madh dhe Lumi I Korçës ose Drenica kishte shumë pak ujë. Diçka më shumë kishte Dunaveci, por as ai nuk ishte i lundrueshëm dhe  vetëm Rikardo Jorganxhiu kishte besuar në fund të viteve ’60, që “flota e 6-të amerikane kishte hyrë në Dunavec” dhe kishte hipur biçikletën dhe qe sulur ta shikonte.
Me siguri, në qytetet e tjera, që lageshin nga Adriatiku apo Joni, apo edhe Liqeni i Shkodrës, fëmijët rriteshin me ëndrrën për të lundruar apo projektuar anije. Flitet , që edhe Noe-ja një ëndërr të tillë kishte dhe ju lut gjithë jetë Perëndisë ta bënte ujë dynjanë, se jetonte në një vend malor dhe nuk kishte hipur kurrë ne një gjemi.
Po le të kthehemi në qytetin tim të lindjes, ku deri në Luftën e dytë Botërore 90% e meshkujve nuk dinin not, ndërsa femrat edhe pse më të emancipuara se në qytetet e tjera shqiptare, në ujë kishin hyrë vetëm kur lanin me kopanë levenxet. Kur isha në fillimet e ëndrrës për tu bërë arkitekt, u bënë disa prishje në qendër të qytetit, që do hapnin një shesh më të madh, ku do ndërtoheshin Komiteti i Partisë, Pallati i Kulturës dhe një MAPO- shumëkatëshe. Partia, Kultura dhe Ekonomia do ishin 3 shtyllat e qytetit në vitet ’80 e tëhu. Të gjithë nostalgjikët e qytetit të vjetër bashkoheshin në mendimin “po prishej o Farmacia e Cekanit! Ku kishte si ajo! Si vapor!” Vetë nuk më ishte dukur ndonjëherë e tillë ndërtesa 4 katëshe e ngjashme me çdo ndërtim në qytetet Europiane, kur ka një bigëzim rrugësh të ngushtë. E megjithatë, refreni “ishte si vapor”, më qe ngulitur në mendje, aq shumë sa gjatë shkollës projektova një hotel, të ngjashëm me një anije, që dukej se krijoi xhelozi tek një bashkëstudenti im, I cili me siguri urrente ujrat, se zhgryhej tërë ditën në Ura e Lanës. Ai ma mbushi gjithë pamjen kryesore të hotelit me gryka topash luftarakë, disa prej të cilëve edhe tymosnin, që bëri të dukej si një kryqëzor dhe kjo të shkaktonte uljen e një note. E megjithatë ëndrra ime jo vetëm mbeti e gjallë, por më vonë pashë se të njëjtën kishin edhe shumë arkitektë të tjerë të rinj. Njëri syresh projektoi një kompleks disa katësh në Plazhin e Durrësit, diku prapa Breshkës, që u quajt menjëherë “vapori”.
E megjithatë, kulmin e Arkitekturës shqiptare Antidilluviane(këtë degë të arkitekturës sonë e ka shpikur i njëjti arkitekt ujramosdashës, që ka kritikuar edhe hotelin e famshëm në Dubai) e mban një ndërtim në Shijak(ose në një pjesë tjetër fushore të atdheut), që duket tamam sin jë vapor mallrash i shartuar me jaht. Në të janë ndërthurur luksi i jahtit të Bill Gates, me soliditetin e anijes sonë të famshme “Arbëria”. Duhet të jetë hotel , po aq sa mund të jetë edhe fabrikë e përpunimit të kumbllave apo zyrat e një kompanie stërmadhe sigurimesh shqiptare. Por nuk do çuditesha edhe sikur të ishte një kompleks fetar i një rryme të re evangjelisto-muhamedane e pasuesve të Nuhit.
Pasi pashë këtë objekt, që ka qënë ëndrra e të gjithë projektuesve shqiptarë thirra:

“Tani le të bëhet Qameti!”

Wednesday 4 June 2014

Izabelë

Mbase dhe ky një emër çifut (Ka në Bibël Izabelë). Me siguri që ka. Zabel është një emër ermen femre, të  cilin e kam dëgjuar prej fëmijërisë dhe me siguri duhet të ketë ndonjë referencë në Bibël. Pastaj janë pak, shumë pak Izabela në histori. Mbase më e famshmja ajo që i dha paratë Kolombit të gjente Indinë dhe në vend të saj ai gjeti Fidel Kastron…uuppss…Fidel Kastroja në atë kohë duhet të ishte vetëm një avokat i thjeshtë, që mbase kishte ndonjë të dashur , që quhej Izabel, por jo vetëm komunizmi, që nuk ishte shpikur, por nuk ishin shpikur as purot “Guantanamera”. E megjithatë Izabela, “mon amour” shiti ca nga xhevairet personale, si investim me një rikthim shumë të lartë se ato, që i quajnë sot 401K. Por e gjora Izabel, nuk e dinte që investimi do binte në duar të këqija dhe do përdorej për të shpënë para skuadrave të pushkatimit edhe trashëgimtarët e fundit të saj, të vetë Izabelës së bukur, që nuk deshte më shumë se një rritje të vlerës së gjerdhanëve të saj të shtrenjtë, të cilët përkuleshin mbi gjoksin e saj të masës D, por qe gojët e liga thonin se ishte vetëm C dhe kishte një ‘theksim” në sajë të përdorimit të një lënde të re , sekretin e të cilës e njihnin vetëm magjistarët e oborrit të Izabelës. Nuk quhej silikon. Aspak mundet ajo të parashikonte se i jati i një Izabele tjetër të famshme do vetvritej, për mos ju dorëzuar i gjallë armikut të klasës, që donte të rikthente kohët e lavdishme të Izabelës dhe “konkuistadorëve”. Dhe Alendja ishte e vetmja Izabel e famshme e kohëve moderne, se dhe e bukura vajzë e Ingrid Bergmanit, pati një trashje të paparë të qafës, sa humbi gjithë elegancën e të jëmës dhe Izabelave të bukura latine.

Ndërsa unë dëgjoj Aznavurin , që të “lodh kokën” duke përsëritur 362 herë brenda tre minutave Izabel, Izabel, Izabel…

Pas 23 vjetësh e kuptoi edhe… Paridi.

Të kuptosh se në Shqipëri ka një korrupsion të “papam” edhe pa shkelur në Mëmëdhe nuk ka nevojë të kesh ndonjë arsim të veçantë apo gradë shkencore. Bile edhe analfabet të jesh, por thjesht në gjendje të njohësh paratë. Kujtoja se e dinin të gjithë pa përjashtim, që në krye të këtij korrupsioni qëndrojnë dy partitë, që kanë qeverisur Shqipërinë në këto 23 vjet. Paskam qënë i gabuar. Këto ditë e paska mësuar Parid Turdiu dhe me një deklaratë në FB, ka hequr mbështetjen e tij ndaj PD-së.
Me sa kujtoj, Paridi duhet të jetë vëllai i Silva Turdiut dhe studionte inxhinieri një vit ose dy sipër meje. Për fatin e tij të keq ndodhën ato , që i dinë të gjithë dhe ai humbi të drejtën të vazhdonte studimet dhe pësoi me siguri edhe persekutime të tjera.
Problemi nuk është thjesht Paridi, një burrë i shkolluar, që kupton me shumë vonesë, se PD-ja ka të njëjtin kontribut në korrupsionin  e tmerrshëm që ka zaptuar politikën shqiptare. Po sa Paridë të tjerë ka ende në Shqipërid he jashtë saj, që edhe pse kanë mend dhe nuk janë të implikuar, mbështesin njërën Parti për “inat të tjetrës”?
Në politkën shqiptare nuk ka të majtë e të djathtë sikundër mendojnë njerëz që ideologjikisht i përkasin një krahu të caktuar. Politikat e partive, që kanë qeverisur, nuk kanë pasur nuance të tilla. Shpesh vendimet e një qeverie të Djathtë kanë qënë më të majta se mund t’I donin të tjerët dhe anasjelltas. Për më tepër tek to ka mbizotëruar e njëjta mënyrë e rrëmbimit me të dy duart nga pasuria e përbashkët.
C’do ndodhë pas deklaratës së Parid Turdiut?
Politikanët e PD-së me siguri do hezitojnë një çast, do mendohen dhe në fund do vazhdojnë “drugën” duke thënë:
 “Je uon Parid, je uon!”


Monday 2 June 2014

Lagjistat (3)

(vijim)
U deshën disa pasdite dhe të djela që burrat e Bllokut të hapnin gropën e madhe të v/strehimit. Ishte një punë që bëhej vetëm me kazma dhe lopata dhe sa më thellë shkohej, aq më të vështirë e kishin burrat që nuk kishin punuar ndonjëherë në bujqësi, të hidhnin dheun e gërmuar jashtë gropës stërmadhe. Një pasdite edhe vetë Sekretari i Parë i Partisë, që banonte në Bllokun tonë, mori pjesë për disa orë në gërmim sistemimin e gropes. Sigurisht që kjo rriti më shumë entusiazmin e pjesëmarrësve dhe sidomos të lagjistave, të cilët ndjenin nga afër dorën e Partisë dhe vlerësimin e punës së tyre të shkëlqyer organizative. Më i gëzuari ishte burri i gjatë serioz, i cili i kërkoi djalit të tij të vogël, të recitonte një vjershë për Partinë në prani të shokut Mihallaq dhe të atyre që e shoqëronin. Djali i vogël dhe i mençur i burrrit të gjatë serioz recitoi një vjershë të gjatë e cila në fund u prit me duartrokitje. Kjo e entusiazmoi babanë lagjist, që kërkoi nga i biri edhe një vjershë të dytë. Vogëlushi ndoshta i lodhur, herën e dytë recitoi një vjershë të shkurtër, e cila më vonë u bë proverbiale:
“I biri I Maqkës
Me të bijën e Taqkës
Shkonin në dëborë,
I binin me dorë.”
-Ore Guri- thirri i tmerruar babai serioz, por djali që vraponte të largohej  përsëriste duke e theksuar “…I binin me dorë!”. Edhe thirrja e fundit e dëshpëruar:”More Guri po është xhaxhi Mihallaq!” mori të njëjtën përgjigje lakonike ‘…I binin me dorë!”
Nuk kujtoj reagimin e sho Mihallaq dhe se si vazhdoi ajo pasdite me punë vullnetare, por vendstrehimet mbinë si kërpudha në gjithë qytetin dhe vite më vonë u kthyen në gropa septike të një lloji të veçantë. E megjithatë nuk ka pse të bëjmë me faj Lagjistat, të cilët jo vetëm nuk kishin në dorë politikën e mbrojtjes nga sulmet ajrore, por me devotshmëri dhe pa shpërblim bënin punën që ju pëlqente, e cila kishte të bënte më shumë me “futjen e hundëve në punët e të tjerëve”.

Kur u rritëm, patëm të bënim shumë pak me Lagjistat, të cilët edhe pse të devotshëm përbuzeshin nga shumica e qytetarëve. Sot më vjen keq për ta, se shoh që puna vullnetare, në vendin ku jetoj vlerësohet, por në atë kohë, sepse kishte diçka që nuk shkonte me punën vullnetare të atyre që kalonin pasditet në Bllokun e Frontit Demokratik. Puna e tyre zjente sidomos  gjatë fushatave elektorale dhe në mënyrë të veçantë ditën e zgjedhjeve. Anëtarë të Frontit Demokratit ishin të gjithë shqiptarët mbi 18 vjeç, përveç atyre të përjashtuar ndoshta me vendim gjykate. Lagjistat zbukuronin qendrën e Bllokut dhe ngrinin edhe një ose dy kabina të frikshme elektorale, ku votuesit duhet të hynin dhe të ndryshonin emrat e kandidatëve, të cilët ishin vetëm të Frontit, por ishin shumë të rrallë ata që e bënin,se nuk donte t’ju shkonte emri në Vendet e Tmerrshme të makinës diktatoriale, në rast se kishte vota kundër. Në përgjithësi qytetet nuk kishin problem, se njerëzit kishin hyrë të gjithë “në vathë“, por në fshatra kisht e njerëz, që këmbëngulnin se nuk do votonin nëse nuk ju plotësohej një kërkesë e caktuar. Lagjistat tanë kishin problem të vetëm, që t’ja u kalonim qendrave të tjera të votimit. E djela e parë e votimit tim duhet të ketë qënë më 1977 dhe nuk e di nëse kam votuar për deputetët apo për këshillat dhe gjykatat popullore. E di që u ngritëm shpejt se na trokiti një lagjiste në dera duke thirrur “Hajde t’ja u kalojmë qendrave të tjera!” Para qendrës që nuk ishte hapur prisnin shumë njerëz të përgjumur, që mendonin të mbaronin punë shpejt e të shkonin të futeshin sërish në rroba. Nga altoparlantët buçisnin këngë popullore ose të tjera rreth partisë, po pas 5 minutave,të pritjes, Qendra e Votimi hapej dhe të gjithë në rradhë kryenin ritualin. Paraqisnin letërnjoftimin tek mësuesi i të mesmes, që nuk donte t’i fusnin qeraxhinj në shtëpi dhe pasi ai kontrollonte listën dhe hiqte vijën ja kalonte mësuesit të fillores, që e kishte pasur të jatin hoxhë dhe ai shkruante diçka shpejt dhe më pas njëra nga gratë në kemp të jepte fletën e votimit. Pranë “dhomës së fshehtë“ priste kapteri i liruar, ndërsa pranë kutisë të vendosur në një vend të stolisur, rrinte gruaja tjetër në kemp , që i buzëqeshte të gjithëve para dhe pasi futnin fletën e votimit të palosur në kuti. Ishte një rit pa zhurrmë, por me një lloj tensioni të brendshëm, sidomos për ata, të cilët kishin palosur keq fletën dhe mezi e fusnin në të çarën e kutisë. Me siguri nuk donin që t’ju merrej nervozizmi, si shenjë proteste ndaj Partisë. Të pakët ishin ata që nderonin me grusht pasi shpëtonin nga fletëfutja.
(vijon)

Sunday 1 June 2014

Përse jam kundër “hosanave”.

Sot në Tiranë po shënjtërohet Katedralja e madhe e Tiranës, ose si disa të tjerë e quajnë Kompleksi Ortodoks. Një ditë e bukur për të gjithë besimtarët e sidomos për klerikët, që e kanë vendin e tyre të punës dhe të lutjeve.
Ceremonitë dhe festat janë pjesë e pandarë dhe e domosdoshme e një shoqërie. Edhe në përurimin e një shtese në shtëpi, shqiptarët duan ta festojnë me miqtë e të afërmit duke shtruar dreka e darka. Ndaj festa për shenjtërimin e një tempulli fetar, patjetër që do jetë më e madhe më e bukur dhe më “gjithpërfshirëse”.
Nuk më ka qëlluar të marr pjesë në një ceremoni të tillë. Të vetmen herë, që kam qënë në një ceremoni “bekimi”, ka qënë rreth vitit 1995, me rastin e hapjes së një salle Bilardosh, ku njëri nga prftërinjtë e dashur të qytetit tim(PapaJani, PapaIloja apo PapaSpiroja) spërkati muret dhe neve bashkë me ‘ujë të bekuar”, i cili shpërndahej me anë të një tufe dafinash, ose të një bime tjetër erëmirë. Nuk di se sa i shërbente “bekimi” funksionit të ndërtesës, se dihej që atje gjysmën e kohës do luhej kumar.
Po le të hidhemi në Festa e sotme e shënjtërimit dhe raporti i saj me shoqërinë shqiptare dhe politikën. Në ceremoninë e shenjtërimit(Nuk di, se si mund të shenjtërohet një vend dhe një bina. Katedralja ze më duket një pjesë lulishteje dhe një pjesë të një oborri të madh të pasëm të Ministrisë së Mbrojtjes, që kushedi sa gjynahe mban nga kohët e Diktaturës.)
Sot, në vend që në rradhët e para të Katedrales të ishin fëmijët, handikapatët dhe ata të cilët Jezui i priste krahëhapur muajve të famshëm të Galilesë dhe Jeruzalemit, ishin “djajtë“. Rama, Nishani, Meta, Basha dhe kompania bella. Nuk arrij të kuptoj, se përse në një ceremoni thellësisht fetare edhe pse festive duhen ftuar “supergjynahqarët”. Për të na kujtuar edhe sot që këta kemi në krye?
Asnjë nuk e di se kur do kthehet Krishti në tokë. Ndoshta dhe s’ka për tu kthyer kurrë. Po nëse do ishte kthyer sot në Tiranë, me siguri do ju futej me kamzhik politikanëve tanë me mustaqe e pa mustaqe dhe t’i nxirrte jashtë Tempullit të Zotit.

Atëhere të gjithë do përuleshim e do thërrisnim “Hosana!”