Tuesday 31 October 2017

Për mua dhe “nihilistët” e tjerë

Ka një tregues të botuar sot se Korça është në qarqet, të cilët janë varfëruar më shumë gjatë vitit 2016.
Menjëherë më shkoi mendja në shkëlqimi festiv i qytetit tim, që propagandohet nga Bashkia dhe sidomos në rrjetet sociale nga të entusiazmuarit e udhëheqjes së majtë. Në to gjen se Korça ka “pazarin më të bukur në Ballkan”, “parkun më të bukur në Shqipëri”, “pedonalen më të mrekullueshme”, “teatrin më spektakolar”, dhe plot të tjera si këto.
Për të qënë një “nihilist” i moderuar, më duhet të pranoj se në Korçë vërtet ka pasur shumë investime të dukshme gjatë viteve të fundit në zonën qëndrore dhe që kanë rritur vizitueshmërinë e tij. Të gjitha janë bërë ose me fonde nga Qeveria, ose nga donacione institucionesh dhe fondacionesh të huaja.
Dhe padyshim rolin kryesor në tërheqjen e fondeve e ka Niko Peleshi dhe Bashkia. Ka gjëra, që edhe ‘nihilistët ekstremistë“ nuk i mohojnë dot.
Por a duhet këto fonde të dhëna me bujari nga thesi i kryeministrisë apo nga të huajt, të reflektoheshin në të ardhurat e njerëzve të zakonshëm.
Si është e mundur të ndodhë një paradoks i tillë?
Qytet që shkëlqen me njerëz që thellohen në varfëri.
“Entuziastët” mund të thonë se këto janë të dhëna për Qarkun dhe ne na rrëzojnë Kolonja , Pogradeci dhe Devolli, të cilët nuk kanë Nikot e tyre dhe as Bashkinë shëmbëllore të Raqkës.
Por a mund të jetohet më mirë, kur varfëria shtohet 20 km më tutje?
Jo, nuk mund të ekzistojë dika e tillë.
Për një “nihilist” si unë, faji është në orientimin “për shfaqje” të investimeve dhe në kalimin e një pjese të fondeve në kompani të kryeqytetit. I zoti i thesit i jep fondet për të shkuar kryesisht në xhepa të caktuara.
Ndaj i trembem “shkëlqimit të përkohshëm” të qytetit, që nuk vjen nga rritja ekonomike e rajonit dhe e qytetarëve të tij.
Vetë, do të shpërndaja më shumë para për Kiçin dhe të tjerë si ai, që jo vetëm do nxirrnin ca njerëz nga varfëria por do rrisnin konsumin, se sa të ndërtoja me disa miliona Kullën edhe sikur kjo të ishte Eifeli vetë.
Ne “nihilistët” nuk e shikojmë dot shkëlqimin se kemi syze të errta.
Po Kiçi?

Atë nuk e le hija e Kullës.

Sot është “Halloween”

Diçka duhet të bëjmë sot për të larguar frikën. Frikën e kotë dhe të natyrshme nga bota e përtejme.
Edhe në “Starbucks” ka ditë që shërbejnë kapuçino “Zombie”. Frika se mos ju duket të tjerëve se ke frikë nga të vdekurit është më e pranishme sot mes të rinjve.
A duhet shkuar natën në varreza për të parë se është vetëm një shëtitje, si në çdo lloj parku tjetër?
(Shëtitja natën në varreza më sjell ndërmend Tom Sojerin me shokët e tij dhe një mace të ngordhur. Më kujton edhe një histori më të re, të dikujt, që për tu larguar nga shtrati i bashkëshortit, sajonte një vizitë përkujtimore në varreza në mes të natës.)
Fryn erë këtë mëngjes të ditës së fundit të tetorit. Në botën e të vdekurve, të përshkruar prej mijra vitesh, ka lumenj, shira squfurorë, lule, ëngjëj, avuj, por askush nuk thotë gjë nëse fryn apo jo erë. Ndoshta sepse nuk ka ajër?
Të vdekurit më vizitojnë shpesh ëndrrave. Sigurisht si të gjallë. Shpesh gjatë ëndrrës them me vete “Po pse më thanë, që kishte vdekur?” Asnjëri syresh nuk është armiqësor. As i çuditshëm. As ndjekës.
Nuk ndodh as të grindem me të vdekurit në ëndërr, si mund të më ndodhë me të gjallët. Janë të qetë dhe më të mënçur. Nuk ngulin këmbë në opinionet e tyre. Mbase se kanë mësuar të vërtetat e mëdha. Ato, që ne të vdekëtarët e gjallë ende nuk i dimë.
Në darkë askush nuk më ka ftuar në një “Halloween Party”. Ka vite, që nuk marr të tilla ftesa. Edhe pse nuk kam shkuar edhe kur më kanë ftuar. Alkol dhe gjak në fytyra të llahtarshme më duket si një kombinim të çmendurish.
Më mirë të shikoj në darkë, se ç’ka thënë “kllouni i portokalltë“.
Në hyrje rri kungulli i paprekur. Do e pjekim në ditët që do vijnë? Për të kujtuar që jemi të gjallë dhe të gjallët kanë neps, gjë që nuk e kanë të vdekurit.
Përse nuk i lemë të qetë në perandorinë e tyre të heshtur?

A s’kemi shumë frikë, plagë dhe mizori mes nesh për të kremtuar?

Monday 30 October 2017

Vjeshtë me pata të egra.

Lotët m’i ndej në të tuat qerpikë
Të thahen lotëtë që më kanë mbetur
E ngashërrimat veç të rrinë pezull.
Dhimbja nuk më sjell më frikë,
Dhe psherëtimat thellë janë tretur;
Mendimet shpërndarë nëpër mjegull.

Qiellit gri tufa me pata të egra
Të fundit që drejtohen për tek ti
Duart du të zgjat e të luaj diçka
Në ato hieroglife të lindjes të shtrembra
Që padurimisht ndrrojnë në sfondin gri
Të kuptosh që për mua “je gjithshka”.

Mos u tremb nga ky qiell i vrenjtur
As nga shirat që na depërtojnë në shpirt
Nga bryma që dihatjen na ndal në flegra
Sytë i mbaj lart të gjesh mesazhin e fshehur.
Cdo gjë lëviz, çdo gjë drithërin

Në këtë vjeshtë pa lot dhe plot pata të egra.

Sunday 29 October 2017

Rama, ky “Vigan Reformator”

Para zgjedhjeve të fundit parlamentare, u krijua një “legjendë“ se kryeministri Rama kishte nisur një sërë reformash dhe prandaj meritonte edhe një mandat të dytë për t’i shpënë deri në fund. Më shumë se në zyrën Endri Fugës, e njohur për spërdredhjet e së vërtetës, kjo legjendë ishte thurrur në zyra të tjera, të cilat për shkak të interesave apo bindjeve dëshëronin edhe një mandat të dytë të Edit.
Raporti i Ramës me reformat është pak më i vjetër se kaq. Në fillimet e qeverisjes së tij, Ben Blushi e kritikonte hapur, që Rama nuk dinte të bënte reforma, por si të tilla quante masat shtrënguese apo ndryshimin e sipërfaqshëm të institucioneve.
Dhe fakti është, që nga gjithë reformat e trumbetuara prej tij dhe mbështetësve të tij në funksionimin e ekonomisë, shtetit dhe shoqërisë shqiptare, asnjëra nuk ka dhënë rezultat.
Reforma e territorit.
Edhe pse është më tepër një riorganizim i bashkive dhe komunave për të siguruar më shumë vota për partingë, që ishte në pushtet, e ashtuquajtura Reformë e Territorit, e kritikuar që në fillim nga opozita, nuk i ka sjellë asnjë dobi të vërtetë Shqipërisë. Pushteti në vend të decentralizohet për të funksionuar më mirë dhe në interes të banorëve, përqëndrohet akoma më shumë në qendrat e mëdha, të lidhura ngushtë me Tiranën. Zonat e thella kanë mbetur akoma më të izoluara dhe me më pak mundësi për të zgjidhur hallet që kanë. Ndaj edhe Rigertas i duhet të lutet për rrugën e fshatit, sepse vetë fshati nuk ka as mundësi të sigurojë fonde dhe as fuqi të ushtrojë trysni mbi pushtetin qëndror.
Se sa e dështuar është kjo reformë duket edhe nga lëvizja e re e Ramës “për të bashkëqeverisur me qytetarët”, që është jo vetëm propagandaë populiste, por edhe dëshmi e dështimit të ndërtimit të shtetit.
Reforma e ndërtimit.
“Entuziastët” e Ramës e cilësuan ndalimin e lejeve të ndërtimit për dy vjet si “reforma në ndërtim”. Ndalimi ishte jo për t’i shërbyer vendit dhe as sektorit të ndërtimit, por për të mos lejuar rënien e çmimit të aoartamenteve të pashitura të ndërtuesve dhe të vetë politikanëve ndërtues. “Ndalimi” u bë edhe me miratimin e poltë, por të heshtur, të opozitës. Dëmet e tij në ekonominë e vendit nuk i ka përllogaritur kush, ose më mirë askush nuk i nxjerr në dritë.
Reforma e arsimit
Më e përfolura dhe më e diskutueshmja, reforma në Arsim dhe sidomos në atë të lartë, ka shumë dritëhije. Grupet e interesit janë përplasur për këtë reformë të domosdoshmeë , por që sipas vëzhguesve të paanshëm jo vetëm nuk shkon në rrënjët e arsimit, por kryesisht favorizon universitetet private për të fituar edhe nga studentëtë edhe nga taksapaguesit.
Reforma në polici.
 Edhe pse nga autorësia e kësaj të fundit, kryeministri u distancua pas çështjes “Tahiri”, duke ja lënë meritat dhe dështimet këtij të fundit, ajo rezultoi si një ndryshim i sipërfaqshëm i policisë, pasi la të paprekur korrupsionin e madh në rradhët e oficerëve madhorë të institucionit si dhe implikimin e tyre me krimin.
Reforma në Drejtësi.
E vetmja Reformë e vërtetë, në të cilën merita e vetme e Ramës është se nuk e pengoi, si u përpoqën të tjerë politikanë. E megjithatë e mbetur në mes të udhës edhe pas përpjekjeve titanike të ambasadorit Lu. Si kanë vërejtur kritikë të Ramës, “përkushtimi” i tij për Reformën ishte rrjedhorjë e dëshirës për të hequr nga duart e Berishës dhe Metës, segmented kryesore të sistemit juridik. Idetë e tij luhateshin nga një kontroll më i madh i ekzekutivit mbi to, e deri në krijimin e “organeve hetimore të ngjashme me ato të kohëve të Baba Takut”. Dhe nuk ka se si të ishte ndryshe. Nuk ka politikan shqiptar që të dëshërojë pavarësinë e pushtetit juridik edhe pse me fjalë mund të shprehet ndryshe.
Për më tepër një politikan i tipit të Ramës, që dallohet për mikro-manaxhim. Eshtë kjo arsyeja, që Reforma do vonohet. Nga një anë kryeministri dëshëron që kundërshtarët të kenë më pak ndikim, por edhe një prokurori dhe gjykatë krejtësisht jashtë kontrollit e rrezikon edhe të ardhmen e atij vetë.
Për të gjitha sa më sipër dhe për të ruajtur imazhin e “kampionit” të Reformave, Edi Rama ka nisur zhurrmën rreth Reformës në Administratë, asaj në Diplomaci dhe më të bujshmes, asaj të Bashkëqeverisjes me popullin.
Ashtu si të parat edhe këto “flluska” do pëlcasin shpejt pa arritur ndonjë rezultat, sepse në konceptin bazë të Ramës për shtetin është “UNI” dhe jo institucionet. Në një monarki absolute ai edhe mund të arrinte suksese duke ndërtuar ‘objekte gjigande” pasi të kishte rënduar së tepërmi popullin në taksa.
Për fat të mirë ai ka lindur në një shekull të gabuar dhe në një kontinent të gabuar

Friday 27 October 2017

“Liseu” dhe pushtimi francez

Eshtë interesante se si e interpretojmë dhe e kemi të ngulitur në kokë historinë. Festimet e 100 vjetorit të Liceut Francez, që qëlluan një ditë pas festimit të “Clirimit të Korçës” nga pushtuesit gjermanë janë dëshmi e qartë se historia është gjithnjë jo vetëm e vagët, por në më të shumtën e rasteve e keqinterpretuar.
Korçarët kanë vërtet një ndienjë të fortë adhurimi për “Liseun”. Dhe me të drejtë(në mënyrë absurde e shkrojta këtë fjali sepse një ndienjë e fortë dashurie, që jeton më shumë se një shekull nuk mund të mos ketë në bazë të mirën dhe të drejtën). Liceu Francez solli shkollimin perëndimor në Korçë, në një nivel shumë më të lartë se shkollat greke, që ekzistonin deri në atë kohë. Për shkak të tij (por edhe të 5 viteve që francezët qëndruan në zonën e Korçës) qytetarët filluan deri edhe të përdornin fjalë dhe shprehje frënge si “merci”, “pardon”, “au revoir”, “soire”, “manteau” dhe të tjera, shprehje që mbetën në përdorim deri në vitet ’60 të shekullit të kaluar. Kishte edhe anekdota rreth përdorimit të tyre të pavend, nga të pashkolluarit.
Gjithsesi francezët ishin një ushtri e huaj. Askush nuk i kishte ftuar në krahinën e Korçës dhe nami i ushtrisë franceze dhe sidomos legjioneve të huaja te huaja te saj nuk ishte i nje ushtrie "engjejsh". Në kohën , kur shteti shqiptar ishte më tepër se “rakitik”, francezët nuk kishte pse të qenë më miqësorë se austro-hungarezët ose italianët. Për më tepër, si mund të verifikohet edhe nga emrat e ushtarëve francezë të vrarë, në Varrezat e Francezëve, shumica e tyre ishin nga kolonitë e Francës.
Vërtet ka një kulmim në shpalljen e Republikës autonome të Korçës, në dhjetor 1916, që është në favor të çështjes shqiptare, por nuk duhet harruar, që francezët pushkatuan tinëzisht Themistokli Gërmenjin, patriotin më të madh korçar. Bashkë me të mori fund edhe Republika Shqiptare e Korçës nën protektoriatin francez.
Popullsia korçare ishte përgjithësisht neutrale ndaj Fuqive të Mëdha. Kishte brenda qytetit ndjenja kontradiktore ndaj grekëve. Një pjesë jo e vogël ishin grekomanë edhe pse nuk dinin veçse dy-tre fjalë greqisht. Gjithsesi flitet për kohë të turbullta, kur edhe vetë ideja e Pavarësisë së Shqipërisë ishte e mjegullt. Edhe francezët ishin shumë të dyzuar në mbështetjen apo jo të grekëve për çështjen e Vorio- Epirit.
Por nëse bëjmë krahasim me Luftën e Vlorës, që ishte kundër ushtrisë italiane, që ende kontrollonte një pjesë të Jugut të Shqipërisë, rreth saj flitet si betejë ndaj pushtuesit, ndërsa jo të njëjtat terma përdoren për ushtrinë franceze, që qëndroi në Korçë deri ne vitin 1920.
Gjithsesi, Korça trashëgoi prej tyre Liceun Francez(Kombëtar), që ishte institucioni arsimor më i mirë i vendit për 22 vjet. Liceu ndikoi shumë në kulturën e qytetit.
Por edhe pse aleatë me Anglinë në Luftën e Parë Botërore, edukimi francez në Lice përcillte një frymë anti-anglosaksone. Ajo ishte e rrënjosur në historinë e Francës dhe sidomos në atë të Revolucionit Francez dhe të kohës së Napoleonit, ku Anglia kishte luajtur një rol të madh “reaksionar”. Nuk kishte si mos përcillej kjo frymë në studentët adoleshentë të Liceut.
Ndaj ndonëse me lidhje të forta me Amerikën, korçarët kishin ide shumë të cekëta për botën anglo-saksone dhe për demokracinë e saj. Gjithashtu pak dihej, që për çështjen shqiptare ata kanë ndihmuar më shumë se Franca.
Qënia e Enver Hoxhës si student dhe pedagog në Lice dhe politikat e tij pro-franceze, gjatë 45 viteve të Diktaturës, sollën një propagandim të madh të rolit të Liceut Francez, gjë që nuk u bë ndaj shkollave të tjera të huaja në Shqipëri, të cilat u trajtuan si “qëndra prodhimi spiunësh”.
A do kishim një tjetër Korçë, po të mos ishte “Liseu”?
Askus nuk mund të përgjigjet, kësaj pyetje të kotë hipotetike.
Korça u dashurua me Liceun dhe fitoi shumë prej tij.
Po “jakobinët” shqiptarë?

Ata do ishin edhe pa Liceun dhe do ishin edhe më të egër!

Thursday 26 October 2017

“Grande cacca, niente capo!”

Eshtë fjalia mbyllëse e një anekdote të vjetër italiane, ku anëtarët e një tribuje afrikane ju kërkonin disa eksploratorëve europianë një medikament kundër kapsllëkut të Shefit të Madh. “Grande capo, niente cacca” ishte kërkesa e tyre e përsëritur, pas të cilës, europianët ju jepnin një sasi më të madhe medikamenti jashtëqitës. Në fund, pas një sasie të konsiderueshme laksativi,  u arrit në zgjidhjen e papritur “Grande cacca, niente capo!”
Këtë të kujton e gjithë kjo “zallamahi” me përgjime në Itali ku përmendet “grande capo” në Tiranë, por që nuk dihet nëse është Saimir Tahiri apo dikush mbi të, nën të apo anash tij.
Nga opozita akuzohet kryeministri se është “grande capo” i të gjithë botës kriminale shqiptare, por si prova paraqiten vetëm reagimet e tij nervoze dhe të paqëndrueshme.
Ambasadori Lu ka përcaktuar 4 klane mafioze në Shqipërid he rrjedhimisht edhe 4 kapo, por ende nuk ka përmendur emrat e tyre.
Prokurori i Përgjithshëm arrestimet e kapove i ka zakonisht në shtator dhe duhet të presim edhe 11 muaj të tjerë për të zbuluar “grande capo”.
Por megjithëse nuk e “shohim” Kapon e Madh, praninë e tij e ndjejmë.
Nëse vjet të gjithë ndjeheshim se ishim në mes të kanabisit, tani ndjehemi si të zhytyr kokë e këmbë në një “grande cacca”.
Trafikantë që kapardisen; ministra që shkarkon por bëhen më arrogantë se kurrë; deputetë të tredhur, por që bëjnë namin ndër dashnore; ministresha që dinë çdo lloj çante “Louis Vuitton”, por nuk dinë ç’ishte Louis XIV; oficerë ushtrie, që fikin radarët kur kalojnë motobarkat me drogë, kjo është Shqipëria që kutërbon erë të keqe.
Dhe kur kjo ndienjë është kaq e përgjithshme dhe “dermani” gjendet vetëm duke u larguar nga vendi është mirë të tregojmë me gisht se kush është Kapoja i Shqipërisë edhe pse mund të mos jetë “grande capo” i një klani që trafikon drogë.
Eshtë qeverisja e tij jashtëqitëse e këtyre 4 viteve e pak, që ka mbuluar Shqipërinë tej e tej dhe të cilën kërkon të na i shesë si një Rilindje të Madhe.

E Madhe po, por Ridhj…!

Wednesday 25 October 2017

Ne edhe Bashkisë do i veshim benevrekë betoni!

Në kohën e “studentllëkut”, kur punoja nën Pirro Thomon për të rilevuar ndërtimet e vjetra të Korçës, më vinte keq, që në vitet ’20 të shekullit të kaluar, betoni i armuar thuajse nuk kishte hyrë në ndërtimet në qytet. Ishte një material, i cili thuajse i vetëm, përcaktoi arkitekturën moderne dhe i dha asaj dimensione dhe forma të pahasura më parë.
Por si gjithmonë, “kur kalohet masa” edhe ky material bazë i ndërtimeve të 150 viteve të fundit, shpesh herë për shkak të dominimit në vepër, i ktheu këto të fundit shpesh herë në “monstra”. Një pjesë e mirë e veprave të arkitekturës konstruktiviste dhe thuajse të gjitha ato të arkitekturës brutaliste, pasi në momentet e para u përshëndetën si “shprehje të reja të formave dhe ideve arkitekturore”, mbetën dëshmi të një “teprimi marrok profesional”.
Nuk ka pse të shkosh shumë larg nga Korça, por vetëm të shikosh me vëmendje disa nga veprat e viteve ’60 në Shkup dhe mund të bindesh, se do të ishte më mirë mos ishin ndërtuar.
Për ndërtimet me parafabrikate në Tiranë a gjetkë as mund të flitet, se ato me zor mund të kualifikohen vepra arkitekturore.
Cuditërisht në Korçën e sotme po rikthehen disa modele të “betonit brutalist”, si e kam ripërsëritur deri në bezdi në dhjetra shkrime të mija rreth ndërtimeve të reja publike në qytet.
Prirja tjetër për restaurim ose për mbështetje në arkitekturën tradicionale korçare jo vetëm ka qënë e sukseshme, por i ka shtuar jo pak hijeshinë qytetit.
Edhe përpjekjet për një arkitekturë post-moderne edhe pse më të pakta përsëri duhen përshëndetur pavarësisht kufizimeve të tyre. Për shkak të rrethanave natyrore , tek ne është gjithnjë më e leverdishme të ndërtosh me skelet betoni se sa me ato metalikë apo të drunjtë.
Por pse kur është kaq e qartë vazhdojnë të ndërtohen vepra “brutaliste’?
Kaq i padiskutueshëm është autoriteti profesional i Pitë Uillsën, i cili për fatin tonë të keq, ka shije të prapambetura për kohën tonë?
E ndërtuar tashmë një Kullë, që të kujton një çelës englez, në themelet një hotel që ngjan me një çelës papagall betoni, një kub ishëmtuar betoni pranë shtëpisë së Ilove, në projekt një stacion autubozush, që të kujton një raportor betoni dhe transformimi bunkerial i Bibliotekës së Kolevicës.
Duke mos u mjaftuar me kaq, përreth, Bashkisë së Re të bunkerizuar, po i mbathen edhe “një palë benevrekë betoni, në formën e një avllie mbrojtëse”.
Krejt si një deklaratë e bujshme “pa benevrekë prej betoni nuk do lemë asnjë ndërtim!”
Ka një arsye të thellë, se pse arkitektura korçare ka qënë racionale dhe fine.
E tillë është natyra e korçarit. I mençur, punëtor, i përmbajtur dhe delikat. Mund të ndërtosh objekte që klithin në Labëri dhe Mallakastër, por jo në Korçë, ku të gjithë priren drejt harmonisë dhe të arsyeshmes.
Punë për fabrikat e betonit ka pasur e do ketë. Eshtë materiali bazë në ndërtim.

Por jo betoni klithës dhe i shëmtuar i Pitër Uillsonit.

Tuesday 24 October 2017

Mos e njollosni kujtimin e bardhë dhe fisnik të Aleksandra Ilos!

Aleksandra ja la shtëpinë qytetit të Korçës. Duhet të ketë qënë edhe dëshira e burrit të saj të vyer, Tashko Ilos. Tani, në oborrin ku ata kishin mbjellë pjergulla, një pjeshkë dhe një fik, si dhe shumë lule, po ndërtohet diçka, që është larg asaj, që do dëshëronin. Dy korçarë të ndershëm, që kishin jetuar në Vienë dhe Bukuresht dhe që e kishin ndjekur me dashuri dhe përkushtim projektin e hartuar në Rumani. Për ta ndërtuar folenë e fundit të jetës së tyre në qytetin e lindjes.
Por Ilot ja dhuruan qytetit shtëpinë e tyre dhe ndoshta në aktin e dhurimit nuk ka asnjë kusht, se çduhej të bëhej me të.
Tani i përket qytetit, dhe kur themi qyteti mendojmë Bashkinë, dhe kur mendojmë Bashkinë mendojmë Raqkën, dhe kur mendojmë Raqkën, mendja menjëherë na shkon në Niko Peleshi.
Shtëpia e Ilove edhe për disa vite do i përkasë Nikos.
Nuk di nëse nëpër shtëpi vërtitet ende hija e Aleksandrës. Edhe nëse ndodh kështu, ajo ishte shumë e përmbajtur, e logjikshme dhe jo violente. Kështu duhet të jetë edhe hija e saj.
Se kisha idene se si ishte gjendja e saj financiare në vitet ’80, kur e vizitova dy tre herë shtëpinë, por kujtoj, që bënte një jetë të përkorë, me shpenzime të kontrolluara mirë, pa asnjë harxhim të tepërt. Ndërsa më tregonte kuzhinën e saj të madhe, më tregonte edhe ç’ka konservonte në një aradhe vazosh qelqi, që i mbyllte mirë për të rezistuar sa më gjatë.
Në 27 nëntor të këtij viti, në shtëpinë e saj do bëhet mbledhja e dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës.
Atje ku kaloi pjesën më të madhe të jetës, nikoqireja e shkolluar, që nuk donte të shpinte asgjë dëm, tani do mblidhen “për hallet e Kombit” një tufë me hajdutë, së bashku me ndihmësat e tyre.
Dhe do bëjnë sikur habiten me historinë e dhurimit të shtëpisë dhe patriotizmin e pastër të Ilove.
Mes tyre, “tuxhari korruptues” Behgjet Pacolli, i cili është qytetar nderi i Korçës. ndërsa asnjë nga Ilot nuk e ka merituar diçka të tillë as edhe pas vdekjes.
Mes tyre gjirokastriti Ahmetaj, që nuk është aspak i kursyer, për të hapur kasafortën e shtetit, sa herë do të futë duart Rama për vete dhe për miqtë e tij.
Mes tyre, është edhe Ramushi, që nuk dihet nëse doli kaçak thjesht për patriotizëm apo për të rrëmbyer e vrarë , sikundër ka mijra vjet, që bëhet në anët tona.
Mes tyre është edhe Rama pa “ush”, por që për hir të Shqipërisë ngjan se është më lakmitari nga të gjithë.
Këta dhe një tufë me sejmenë, do shtiren në shtëpinë e Aleksandrës se do bëjnë realitet ëndrrën e Ilove dhe të tjerëve si ta.
Pa e ditur se cila ishte ëndrra e tyre!
Ilot ëndërronin se në Korçën e tyre mund të sillnin pak Vienë, pak Gjenevë dhe pak Bukuresht. Sepse e donin vendin e tyre dhe se nuk mund të parasikonin dot se ç’monstra do dilnin pas viteve ’40 në Shqipëri.
Po kujt mund t’i hyjnë në punë ëndrrat e vdekura të të vdekurve.
Nëse hanë e pinë në pushimin e mbledhjes, hokatarët banalë të të dy qeverive mund të tallen lirshëm me çiftin, që nuk pati fëmijë, me jetën e tyre seksuale, me “marrinë“ për të ndërtuar në Shqipëri.
Batutat e pështira të Ramës mund të gajasin Xhaçkën, Peleshin, Manastirliun dhe të tjerë “begunë“ të kësaj ane dhe anës tjetër të Qafës së Morinës.
Zaten gjëja më e lehtë dhe më e natyrshme është, që “pragmatistët” dhe hajdutëtë të qeshin me idealistët dhe fisnikët.
Por ndoshta në Korçë kanë mbetur ende shpirtra kalorsiakë, që mbrojnë të pastrën dhe të bukurën e thjeshtë, që ndeshej tek Ilot dhe të tjerët si ta.
Ndershmërinë dhe respektin ndaj rregullave, që e bënë Korçën të ngrihej mbi të tjerët.
Dhe të guxojnë e t’ju thonë:
-          Të dashur lapangjozë mblidhuni në një vend tjetër për mbledhjen-shfaqje tuajën!
Kini plot salla.
Edhe mund të ndërtoni një të re me miqtë tuaj dhe 20% t’i futni në xhep!
Lereni atë shtëpi fisnikësh në papërlyeshmërinë e saj!

Tingëllon patetike, por besoni edhe ju një çast të vetëm në Hijet e Bukura!

Blushi mbyll “shitoren” e LIBRA-s

Duke menduar se në një gjendje kaq të turbullt në politikën shqiptare, të majtë e të djathtë, profesionistë dhe pensionistë të politikës do shpreheshin, klikova në faqen e lëvizjes politike LIBRA.
Lajmi i fundit ishte i rreth tre muajve më parë. Korrik. Duket Blushi nuk kishte shkuar ende në plazh, ndërsa Hafizi ishte diku në Mesdhe.
Asnjë reagim i mëvonshëm ndaj qeverisë së posaformuar.
Asnjë qëndrim zyrtar ndaj skandalit Tahiri. As edhe refuzimi i ftesës së Bashës i pasqyruar në shtyp.
Në rastin më të mirë, shitorja e LIBRA-s është në një iventarizim të gjatë. Në rastin më të keq, Blushi me Hafizin i kanë thënë “adio” politkës.
Por “heshtja misterioze” ndaj Tahirit nuk është vetëm veçori e Blushit.
Jozefina Topalli i është kthyer këto ditë natyrës, a thua se për Shqipërinë ka vlerë vetëm nëse Basha mori me puç apo pa puç PD-në. Denoncuesja trime e kriminelëve në politikën e të majtës, që ankohej se e lanë ‘të pambrojtur” duke mos e përfshirë në listat e deputetëve, tashmë nuk tregon asnjë interes ndaj zhvillimeve që tregojnë lidhjet e forta të poitikës me krimin.
I heshtur është Bojaxhiu me “Sfida”-n, Patozi dhe Bregu, Imami dhe Genc Ruli, dhe deri në ish-presidentët, që nuk rrinë dot pa u shprehur për gjëra shumë më të vogla.
Ish- ministri i brendshëm akuzohet për krime të rënda dhe për emërimin si krerë policie të njerëzve të implikuar në trafiqe.
Kryeministri gojëplotë pohon se i kishte lënë dorë të lirë të bënte ç’të donte me policinë.
Diçka kaq e madhe dhe e frikshme nuk është dëgjuar, që pas vrasjes së 4 vetëve më 24 janar 2011, pra gati 7 vjet më parë.
Ku shkoi pathosi për Shqipërinë i politikanëve, që nuk janë në Parlament apo në zyra të rëndësishme?
Hapni të paktën nga një shitore librash të përdorur.
Jo për fitim.

Thjesht për t’i hapur sytë të përvuajturve!

Monday 23 October 2017

A është Edi Rama i pafytyrë?

Ndoshta kryeministri shqiptar mendon se të jesh politikan i sukseshëm duhet të jesh i pafytyrë. Ose po qe se do përdorim një shprehje nga fusha e tij e kompetencës, të jesh si n jë portret i Pikasos i periudhës së kubizmit, ku tre dimensioneve i shtohet edhe dimensioni i kohës dhe përzjehen profili me ballorin dhe me “tepelekun” e tij gjysëm tullac.
Në fjalën e tij të sotme para deputetëve-ushtarë të PS-së, ai mbajti një fjalim alla Erdogan, ku mbizotëronte përpjekja për tu treguar trim dhe i drejtë, por mbi të gjitha përpjekja për tu shfajësuar.
Lejtmotivi nuk ishte “A është Saimiri i pafajshëm?”, por “A kam unë ndonjë faj”?
Kryeministri me shumë fytyra, i bëri një spjegim të gjatë historisë të Tahirit brenda PS-së edhe pse kjo e nxjerr zbuluar me pyetjen:
Ku ishte talenti i këtij djaloshi, që nuk kishte punuar kurrë në ndonjë zyrë për tu bërë Ministër i Brendshëm?
Qëllimi i fytyrës “djallëzore të Ramës”(njëra nga të shumtat) është që të tregonte më tej se ai i kishte dhënë besim të plotë dhe lënë jashtë kontrollit Tahirin, me qëllim që para “popullit të tij të majtë“, në rast të arrestimit të tij , t’i thotë “I vetmi gabim i imi është që i besova më shumë se sa duhet”.
Si mundet, që një kryeministër q ë ditën e parë në zyrë t’i thotë një 33 vje]ari “Me gjithë ushtrinë që po të jap bëj si të duash ti dhe unë do të të mbështet!”?
Fytyrën e naivit, e njeriut pa përvojë apo të lolos përshkruan Edi Rama me këtë ?
Sa më tej shkon me ligjërimin “A kam unë ndonjë faj”, aq më shumë fytyra ndrron.
Diku nga mezi ve fytyrën e të pacipit, që predikon se e ka mbrojtur Tahirin deri në fund se ai ka qënë Ministri më jetëgjatë dhe m]ë i suksesshëm në Ministrinë e Brendshme (që prej rënies të Kadri Hazbiut-shtesë e imja).
Po cila ishte arsyeja, që Rama e shkarkoi të gjithsukseshmin Tahiri në pranverën e këtij viti?
Për t’ju përgjigjur kësaj pyetje, ndoshta Rama nuk ka gjetur dot fytyrë në garderobën e tij prej aktori tragji-komik.
Më pas , teksa vendos fytyrën e trimit, kryeministri ngre dhe trash zërin për të demaskuar komplotin opozitë-prokurori, që sipas tij është krejt identik me arrestimin e kahershëm të Fatos Nanos.
Por dashje pa dashje fytyra i merr shprehjen e një trimi budalla, sepse qëllimisht harron, që e gjitha fillon jo me fjalë gazetash, por me një dosje të prokurorisë italiane, ku përgjimet përputhen me dëshmitë e para dy viteve të një oficeri policie, të cilin Tahiri, me mbështetjen e Ramës për pak e kalbi në burg.
Afër fundit, pafytyrësia e tij arrin kulmin kur vendos një maskë aristoteliane dhe deklamon “E dua Saimirn, por më shumë dua Drejtësinë!”.  Sigurisht që është e vështirë të mbulojë narcisizmin e tij, se thuajse të gjithë (përjashto Spiropalin) e dinë që Rama nuk do jo Saimirin, por as njerëz më të afërm se ai. Drejtësinë mund ta dojë, po qe se e ka si shkop në dorën e tij.
Pasi e dëgjon, të vjen që Ramës t’ja përplasësh në fytyrë:
Ore mirë, që deputetët i ke nën thundër, por ti e di këtë popull fare budalla, që e transmeton fjalimin drejtpëdrejt në kanalin tënd televiziv?”
Por në cilën fytyrë se?

Ai nuk ka një të tillë.

O korçar o hiç far!

Shprehja e njohur për gratë dhe vajzat korçare është përsëritur këtë fundjave nga ambasadori amerikan Lu.
Po si është komentuar edhe në rrjetet sociale, në këtë gjendja “katrahure” në politikën e Tiranës, ambasadori ka zgjedhur të përqëndrohet në jetën qytetare dhe të qetë të Korçës, për të gjetur rrënjët e kësaj jete perëndimore.
Burime të afërta me ambasadën amerikane kanë përmendur se qëllimi i tij ka qënë krejt i veçantë. Po ashtu edhe gjuha plot mesazhe e përdorur.
Ambasadori Lu po kërkon një kandidat të pëlqyeshëm nga Korça për të zëvendësuar kryeministrin Rama. Përdorimi i qëllimtë i shprehjes së njohur shqiptare dhe sidomos varianti i thënë në rrethe të ngushta “O korçar o hiç far!”, që është një përzjerje e shqipes me anglishten dhe shqipërimin e saktë do e kishte “O korçar o mos shko më larg!” e dëshmojnë qartë këtë. Duhet thënë që në disa biseda-intervista kokë më kokë, që ka zhvilluar mnë Korçë, ambasadori nuk ka pasur asnjë me femra politikane të karrierës apo edhe bzinesgra.
Në të kundërt ai ka pasur takime të veçanta me Kryetarin e Bashkisë dhe mInistrin e Bujqësisë dhe me tre burra të tjerë nga bota e biznesit.
Duket sikur kandidati më i përshtatshëm mund të jetë Nikoja, por përsëri nga burimet pranë ambasadës dëshmojnë se Donald Lu, po kërkon me ngulm dikë nga bota e biznesit “për të tharrë moçalin e Tiranës”.
Kërkimet janë përqëndruar në biznesmenë me njohuri të thella të Bursës dhe këmbimit të parave, të botës së Mediave, si dhe të industrisë të metaleve të rralla, që mendohet se do jetë e ardhmja e ekonomisë shqiptare.
Gjithsesi koha nuk i  premton Lu-së, sepse ai pritet të largohet verën tjetër dhe gjithshka duhet të jetë gati para rënies së qeverisë Rama.

A do ndodhë mrekullia, që pas 80 vjetësh, të kemi përsëri një kryeministër korçar?

Sunday 22 October 2017

“Fantazma” e Drejtësisë

Në një sallë të vogël të Kuvendit të Burrave shqiptarë me katër tryeza të gjata, vendosura në formën e një trekëndëshi, luhet një tragjikomedi jo krejt e zakonshme.
Thuajse i gjithë shteti shqiptar është në atë sallë. Si aktorë kryesorë dhe të roleve episodike.
Pushteti legjislativ - i përfaqësuar nga Kreu i Kuvendit, një burrë me fytyrë të murrëtyer, që për shkak të shkollimit të pakët ose të pleqërisë të parakohshme thotë “prekurorja” dhe “urdho”; një tufë me deputetë në të majtë dhe të djathtë të tij, që në varësi të krahut ju hakërrohen ose mbrojnë prokurërët e pranishëm.
Pushteti juridik - i përfaëqsuar nga tre prokurorë, rastësisht dhe çuditërisht nga një rreth shumë i vogël i Shqipërisë, që për shkak të nxitimit, mangësive profesionale apo njollave në ndërgjegje nuk duken të sigrt në atë, që kërkojnë.
Pushteti ekzekutiv edhe pse jo në rolet kryesore, është “i pranishëm” në 7-8 , që kanë qënë ministra dhe zëvendës ministra(shumica të drejtësisë) ku midis tyre spikat i akuzuari, që për 3 vjet e gjysëm ka qënë Ministër i Brendshëm dhe akuzohet se ka bashkëpunuar me një bandë kriminale.
Por i akuzuari për shkak të moshës, arrogancës së kohës së ministërllëkut dhe shkollimit të pamjaftueshëm, përpiqet të kthehet në akuzator, duke u ndjerë pak si Qemal Stafa në gjyqin e 80 viteve më parë, edhe për shkak se në rrethet e Partisës së tij, këtë vagabond e krahasonin me Qemalin e shkolluar.
Mes këmbimeve të ashpra, ku nuk arrihen të kuptohen se cilët janë drejtuesit e séanceës dhe cilët akuzuesit e të akuzuarit, ndjehet prania e “fantazmës” së Drejtësisë të vrarë në fundin e vitit 1944 dhe kurrë më të ringjallur.
Të gjithë çirren për Drejtësi dhe askush nuk ka të qartë se ç’është kjo Perëndi e Njerëzimit, që ju rri mbi kokë dhe i tremb, por që është vetëm hije e padukshme.
Pjesa më e madhe, ku mesh tyre shquan Ruçi, kanë në kokë drejtësinë e kohës së Diktaturës, “atë të të barabartëve”, që nuk kishin nevojë as për avokatë se ja u siguronte barazinë shteti.
Të tjerët, kujtojnë se Drejtësinë e kanë vetëm në krahun e tyre dhe mund ta përdorin për të ndëshkuar kundërshtarin apo për t’i dhënë pafajësi partiakut të tyre.
Të vrazhdë, të paedukuar, cinikë, kjo tufë juristësh, vetëm një qëllim nuk ka. Atë të Ringjalljes së Drejtësisë të pushkatuar dikur.
Ndoshta duke përjashtuar Nasip Naçon, asnjë nuk ka jo vetëm sjelljen e shtetarit, por as atë të një nëpunësi të një vendi perëndimor, që duhet të respektojë rregullat dhe ligjet.
Nga këta njerëz e presim Reformën në Drejtësi?
Nga këta miltantë, që as mundohen ta fshehin ndjenjën anti-Drejtësi?
Për të plotësuar tragjizmin e pjesës së shëmtuar, që luhet brenda sallës, jashtë saj, “kori” i pasuesve të Tahirit kërcënon me Revolucion.
Regjisorët e pjesës duket se e kanë ngritur tashmë gijotinën.
Për t’i prerë kokën fantazmës së Drejtësisë të vrarë dikur.
Po a mund të ekzekutohen fantazmat?

Ato jo, por ju mjafton të ekzekutohet Shteti.

Thursday 19 October 2017

“Dhe vjen një ditë“

Unë nuk e kujtojë këtë film edhe si nëpër mjegull titulli më kujton diçka nga kohët kur luanim me tituj filmash.
Ma kujtoi një miku im në Shqipëri, kur flisnim rreth jetëgjatësisë në pushtet të Rilindasve. Parshikimi im(që përgjithësisht është i gabuar)ishte, që Rilindja si bandë do ishte edhe 8 vjet të tjera në pushtet. Miku im, duket më me përvojë jetësore se unë më përmendi “ E kujton atë filmin “Dhe vjen një ditë“?
Mu duk se ajo ditë do ishte shumë e largët dhe sipas logjikës sime kjo ishte e bazuar në opozitën shumë të dobët përballë Partisë Socialiste, nënshtrimin e plotë të PS-së ndaj kryetarit, forcimin financiar të bandës Rilindja, krahasimin me demokristianët e Italisë gjatë Republikës së dytë dhe me një apati të plotë politike të shoqërisë shqiptare.
Por, kurrë nuk mund të bëhen parashikime afatgjata në Shqipëri.
Duke qënë se “zullumet” tona lidhen me një treg ndërkombëtar dhe nuk jemi më të izoluar, vjen një ditë dhe ca zullume nuk mund të mbahen shumë gjatë të fshehura nën tokë.
Rasti i Saimir Tahirit e dëshmon qartë, se gjendja e partisë në pushtet, i përngjan një kalbësire të mbajtur në “freezer” që të mos mbajë erë, por sa e ve për disa sekonda në mikrovalë shpërthen era e qelbur.
Eshtë ende shpejt për të thënë se Rilindja e Ramës e mori të tatëpjetën, por duhet thënë se në “defterët” e të huajve  ka marrë më shumë se një “vërejtje në biografi”.
Ai nuk mund të rrëzohet brenda PS-së, sepse edhe dy tre zëra kundër ka kohë që i ka përjashtuar.
Ai nuk mund të rrëzohet as nga opozita, sepse njerëzit nuk kanë besim as tek ajo.
Ai nuk mund të rrëzohet nga elektorati i Majtë, se ky është aq i verbër dhe i lidhur me vendin e punës, sa mund të pranojë të arrestohen gjithë Saimirët dhe vetëm Edi mos preket.
Por, gjithshka mund të ndodhë.
Kur një domino bije, ajo fillon të rrëzojë edhe të tjerat që ka afër.

Ndosht do vijë dita, që Rama të bjerë dhe bashkë me të të rrëzohet e gjithë kjo skotë politkanësh të qelbur duke filluar nga Berisha e Meta e duke përfunduar me më të rinjtë e qeshur dhe optimistë.

Wednesday 18 October 2017

Për t’i hyrë në thellësi problemit

E kam menduar thellë këto dy ditë punën e kushërinjve Saimir Tahiri dhe Habilajve dhe kam arritur në përfundimin se i gjithë faji është i Mondit nga Panariti.
Eshtë pikërisht veterineri Edmond Panariti, që si Ministër i Bujqësisë, e la fermerin shqiptar të pakëshilluar, të paorientuar dhe bile të përmbytyr.
C’mund të bënte për katër vjet me rradhë i pakëshilluari, i paorientuari dhe bile i përmbytyri fermer?
Sigurisht që do i qepej kodrave dhe maleve për t’i bërë ato pjellore si edhe fushat, bile edhe të papërmbytyra për shkak të pjerrësisë të terrenit.
Dhe me se mund të blerohen më shpejt dhe më mirë kodrat e malet, që t’ju ngjasin fushave të papërmbytyra?
Vetëm me bimën magjike – Kanabisin.
Dhe Ministrija e Bujqësisë jo vetëm nuk i orientoji dhe këshilloji fermerët. që kjo punë është pak “si me zarar”, por nuk siguroi as tregje shitje për mollët dhe qepët e pakta që kishin dhe as e çau kokën të organizonte festivalin e Mollës, panairin e Qepujkave apo samitin e Kungulleshkave, veprimtari këto, që janë planifikuar vetëm këtë vjeshtë.
Në këtë mes, Habilajt dhe të tjerët si ta janë vetëm ndërmjetësa. Ata njohin kërkesën e tregut perëndimor për kanabis, dinë edhe që kodrave dhe maleve, tashmë pjellore si edhe fushat, ka kanabis të paketuar dhe e blenë sipas gjithë rregullave të tregut më lirë dhe e shesin më shtrenjtë.
Po qe se Edmond Panariti do kishte bërë punën e tij do mbillnin fermerët kanabis?
Afërmendsh që jo.
Po qe se fermerët nuk do kishin mbjellë kanabis do shpinin dot Habilajt kanabis në Itali?
Sigurisht që lendet!
E ç’hyn Saimir Tahiri në këtë mes?!
Këtë gjë, për të cilën unë e kam vrarë mendjen 48 orë rrjesht e ka kuptuar prej kohësh Edi Rama, njeriu i vetëm që mund ta bëjë Shqipërinë, po qe se do citoj një profesoreshën time të nderuar dhe politikisht të pavarur.
Dhe fakti është që po e bën.
Për këtë vuri në krye të Ministrisë së Bujqësisë Nikon tonë, që ka patur sukses si Kryetar Bashkije dhe si zëvendës kryeministër. Se mund ta mbante prapë si zëvendës, po kush do ishte në gjendje të këshillonte dhe orientonte fermerët?
Fshatari Taulant Balla? Bah…Shumë i shturrur nga goja.
Erion Braçeja? Bah…shumë i shkurtër për të kontrolluar arat me misër.
Vetëm Nikoja jonë mund të bisedojë shtruar me fermerët dhe t’ju bëjë të qartë se e ardhmja e tyre është në kiwit dhe bananet dhe jo në kanabisi.
Vetëm i joni Niko mund të gërshetojë turizmin bujqësor me shërbimin e specializuar veterinar, për të arritur, që në kodrat tona të kemi jo vetëm dhen e dhi, po lama, gamile dhe deri në tapirë.

Do vijë një ditë, që të gjithë ne të moshuarit të themi me plot gojë “Po të isha 20 vjeç do të shkoja me plot dëshirë të punoja dhe të jetoja në fshatin tonë të rilindur nga Partia Socialiste!”

I gjithë faji i Ali Pashë Tepelenës

Saimir Tahiri dhe më pas tij të gjithë papagajtë e PS-së deklaruan se Habilajt ishin kushërinjtë e tij të dhjetë.
Jam shumë kureshtar të di se si ka arritur t’i gjurmojë, se vetë jam përpjekur shumë për të gjetur rrënjët e Pemës së Marave dhe kam arritur deri në kushërinjtë e 4-tërt.
Që të gjurmosh një kushëri të rendit të katërt nuk është tmerrësisht e vështirë, se i bije, që çifti fillestar të jetë fekonduar aty rreth 150 vite më parë. Kushëriri im i katërt (emrin e të cilit nuk e them se ka mbjellë ca kanabis andej nga Lekasi) është djali i çupës së djalit të çupës të djalit të pesëgjyshit tim. Nuk është e sigurt nëse pesëgjyshi im quhej Andon, se deri në katragjyshi e di që quhej Naum.
Po le të themi se në Tepelenë njerëzit çiftoheshin më shpejt dhe pesëgjyshi i pesëgjyshit të Sajes të jetë bërë me fëmijë aty rreth fundit të shekullit të XVIII. Atëhere është as më shumë dhe as më pak vetë Ali Pashë Tepelena. Aliu në rininë e tij, kur ishte kaçak. Dhe mundet, që kur ishte kaçak të ketë “zënë“ vetëm paraardhësin e Habilajve, që mbajtën në DNA genin kaçako-kriminal të Aliut, ndërsa paraardhësin e Tahirëvet ta ketë “konceptuar” në kohën kur ishte Pasha dhe kërkonte të forconte “pashall[kun ligjor shqiptar” të pavarur nga Sulltani. Prej këtu kuptohet fare mirë, se nga rrjedh geni politiko- juridik i Saimirit.
Për sa më sipër është mëse e qartë, se nuk mund mund të fajësojmë Saimirin.
Bile as Habilajt nuk kanë faj.
I gjithi është i Ali Pashës, që jo vetëm nuk pati qëndrueshmëri në karakter gjatë jetës së tij, por ngjizi edhe fëmijë, në kohët e turbullta kur vriste dhe priste pa u mbështetur në ligj.

Pak a shumë në një linjë me mua është edhe Timonieri Rama.

Për të mos pasur një 21 janar tjetër

Skandali i Saimir Tahirit, edhe pse jo plotësisht i papritur është një skandal i një madhësije më të madhe se ajo e videos të Ilir Metës. Nëse ai ishte një skandal mega-korrupsioni, ky është ai i përfshirjes të një zyrtari shumë të lartë në krimin e organizuar.
Edhe fajësija penale është më e madhe, edhe shumat e përfolura janë më të mëdha, edhe jetëgjatësija e veprimeve është më e madhe.
Situata politke është e ngjashme me atë të dhjetorit
Ndaj tani është në dorën e opozitës, të mos krijojë “tërmete” si ai i 21 janarit, ku përplasja mes dy “kokëfortëve” solli 4 viktima të pafajshme. Sigurisht, që përgjegjësija e Ramës për atë ngjarje nuk është e njëjtë me atë të Berishës, por mësimet e hidhura të 21 janarit duhet t’ju shërbejnë politikanëve për të evituar përplasje sociale, që shkallëzohen deri në dhunë.
Nuk më duket se ka të ngjarë, që edhe arrestimi i Tahirit të sjellë dorëheqjen e Ramës. Rama, sikundër edhe Berisha, mund të dorëhiqet nga të qënit Lider i vendit vetëm po të krijohen situata të jashtëzakonshme. Me historitë, për të cilat është përfolur, mbrojtja e tij e vetme është të mbetet në krye të Qeverisë edhe duke u mbajtur me thonj. Brenda Partisë së tij nuk ka asnjë zë të vetëm, që mund të ushtrojë trysni, që Rama të bëjë të paktën një hap të përkohshëm prapa.
Edhe një herë, më keq se në vitin 1997 dhe 2011, brenda partisë në pushtet nuk ka asnjë shenjë të debatit dhe të frymës demokratike.
Ky është “shërbimi” që i kanë bërë partive të tyre dhe vendit këta burra dhe gra, që merren me politikë.
Por nëse dihet se cili do jetë qëndrimi kokëfortë deri në shkatërrim i kryeministrit Rama, opozita nuk duhet të “përfitojë nga rasti” për të korrur një fitore të shpejtë duke destabilizuar vendin. Duhet me çdo mënyrë të shmangen protestat me njerëz të sjellë me autobuze nga rrethet, që mund të shpijen në konfrontim.
Trysnija ndaj qeverisë duhet të jetë e vazhdueshme dhe e argumentuar, por në korniza tërësisht ligjore dhe në koordinim me ambasadorët e huaj, sidomos ambasdarin Donald Lu.
Si veprim i menjëhershëm duhet të jetë ngritja e një komisioni të posaçëm parlamentar për të hetuar lidhjet e Krimit të Organizuar me segmentet e shtetit, duke u përqëndruar në rastin e ish ministrit Tahiri. Komisioni mund të bëjë hetime paralele me Prokurorinë dhe të thërresë për të dëshmuar gjithë personalitetet e larta të vendit të implikuara, ose që kanë dijeni të ngjarjeve.
Një opozitë racionale, pa thirrje e sharrje, po e vendosur të shkojë deri në fund të hetimeve pa i paragjykuar politikisht përfundimet e tyre mund të jetë e besueshme për shqiptarët e zhgënjyer dhe mund të sjellë zhvillime të reja pozitive politke në vitin e ardhshëm.
Mjaft më me gjurulldira!
Duhen shmangur gjuha e ashpër e tipit “O burra të rrëzojmë këtë klikë kriminale!” e të ngjashme si kjo.
Të gjithë lojtarët kryesorë politikë e njohin mirë njëri tjetrin dhe dinë edhe se si do jenë reagimet e mundshme.
Në rast të çrregullimeve të gjendjes në vend, përgjegjës do jenë edhe Qeveria dhe Opozita!
Njerëzit vetë nuk duan as të gjymtohen dhe aq më pak të vriten!


Tuesday 17 October 2017

Ah sikur ta dinte Rama!

Reagimi i fundit i kryeminstrit Rama ndaj çështjes Tahiri- Habilaj të le pa mend!
Jo vetëm që nuk është në nivelin e një deklarate të një kryeministri, por as edhe të një nëpunësi më të ulët në një shtet normal.
Edi Rama bile nuk arrin dot as të fshehë “shokun” që ka marrë nga leximi i bisedës midis dy kriminelëve të drogës , ku zihet në gojë emir i ministrit të tij të Brendshëm. “E neveritshme dhe shokuese” shkruan Rama , sa të duket sikur gati klith “po këta idiotë nuk e dinë akoma, që nuk duhen zënë në gojë emra në telefon?!”
Jo më larg se një vit më parë, me gjithë denoncimet në shtyp, me gjithë “këshillimet” nga aleati i tij Meta, me gjithë akuzat e hapura të opozitës, kryeministri Rama e kishte Tahirin krahun e tij të djathtë dhe hapur flitej për rivalitetin e Tahirit me Veliajn, si pasardhësit e mundshëm të Ramës në krye të PS-së, pas dy ose më shumë dekadave.
Po ç’farë nuk dinte Rama rreth Tahirit, që e bën sot të shtiret si i çuditur?
Nuk e dinte Rama, që Tahiri ishte takuar personalisht me një kriminel si Durim Bani, t’i kërkonte detaje për çështjen e atentatit ndaj Tom Doshit? Vetëm për këtë lloj takimi, Ministri i Brendshëm i një vendi normal shkarkohet.
Nuk e dinte Rama, se një officer policie, që kërkonte strehim politik në Zvicër, i quajtur Dritan Zagani, akuzonte me emra dhe fakte klanin e Tahirit në përfshirjen e trafikut të kanabisit? Vetëm për këtë gjë, në një vend normal, Ministri i Brendshëm jep dorëheqjen për t’i hapur rrugën një hetimi jo nën trysni.
Nuk e dinte Rama, që një pjesë e mirë e territorit të Shqipërisë ishte e mbjellë me kanabis dhe zyrtarë të lartë të policisë ishin përfshirë në të? Në Europën ku duam të hyjmë, për diçka më të vogël se kaq Ministri shkarkohet dhe ndiqet penalisht për mosveprim ndaj krimit.
Nuk e dinte Rama, që në zyrën e Ministrit të Brendshëm ishte vendosur paisje përgjimi?
Një Ministër që nuk ruan dot zyrën e tij, nuk mund të rrijë më në punë për të mbrojtur rendin për gjithë qytetarët.
Por paralajmërimet, që i bënin vetë Ramës të huajt rreth Tahirit dhe që janë përmendur në shtypin shqiptar nuk i dinte Rama?
Kryeministri jonë nuk ka pse të bëhet më tej qesharak.
Ai nuk ka më autoritetin moral të drjtojë vendin nëse Saimir Tahiri arrestohet.
Askush nuk beson në përrallën “Ah sikur ta dija unë!”

As vetë Elisa Spiropali, që mund të tregojë ndonjë legjendë moderne me Skënderbeun e tradh[tuar nga Hamzaj!

“Peshku i madh” do arrestohet

Si e pata përmendur në shkrimin “Mblidhen katër familjet e krimit”, individi me inicialet S.T. u “shit” nga bosët për të gënjyer popllin dhe Lu-në, se Policia e Majtë e Timonierit, së bashku me Llallën, do e luftojnë krimin e organizuar deri në fund.
Individi me inicialet S.T., që është as më shumë dhe as më pak, ai që realizoi ëndrrën e popullit për “një polici, që duam”, do shkojë “për dhjamë qeni”, kur dihet, që prej kohës së Musarajt, Ministrat e Brendshëm duhet të ishin pjesë e Mafias shqiptare, për ta minuar nga brenda.
Më e pabesueshmja është, që Saimir Tahiri( i nofkëzuar pa të drejtë si Saje Qorri nga opozita) po shkon drejt arrestimit për 30 mijë euro të qelbta. Kaq ka qënë dhurata simbolike për të e dëgjuar nga agjentët italianë, që përgjonin kushëririn e tij biznesmen Habilaj. Po arrestohet një ish-ministër për 30 mijë euro, me të cilat as një makinë të saktë nuk ble dot!
(Kjo puna e kushurinjve nuk duhet të ketë asnjë lloj pasoje në politikanët tanë, se jo vetëm ka qënë metodë e përdorur nga Diktatura për të të arrestuar, por në një vend i vogël si i joni, ne të gjithë jemi kushurinj me njëri tjetrin. Fare mirë kujtoj një të afërm të një politikani, që gjithnjë më thërriste në Korçë “Ej kushëri!”, po nëse një ditë politikanit do i dalin ca afera jo shumë të pastra, për këtë nuk ka pse të arrestohem unë.)
Amerikano-koreani Lu mund të flejë tani i qetë.
Ilir Meta, për të treguar , që nuk është pjesë e 4 familjeve i rra nja 4 orë xhirro Theth me Theth e shkëmb më shkëmb.
Basha po këlthet për fitoren e parë të opozitës, që e kishte parashikuar, që më 2015 edhe pse nuk ishte më Ministër i Brendshëm.
Rama po përgatit me Fugën se si t’i japin edhe një përdredhje pozitive arrestimit të Tahirit duke qënë se ishte po vetë Rama, që e hoqi si ministër 6 muaj më parë.

Dhe në fund të gjithë do drejtohen për në Korçë për të bërë mbledhjen e përbashkët me të painkriminuarit e Qeverisë së Kosovës.

Monday 16 October 2017

Dashuria për kafshën bëhet profesion


Që veterineri Sinan Sinanaj është “na Labëria” këtë nuk e luan topi!
Dhe që do jetë ca si i Majtë edhe këtu gjasat janë shumë të mëdha, po qe se llogarisim përqindjen e komunistëve në Zonën Operative Vlorë-Gjirokastër, numurin e konsiderueshëm të agronom-zooteknikë-veterinerëve në Partinë Socialiste dhe praninë e Ministrit të Majtë në takim.
Po mbi të gjitha, bindjen ma shton parrulla e shkruar në klinikën private veterinare të Sinanajt “Dashuria për kafshët bëhet profesion”. Kjo është tipike e kohës së Merhumit, ku nuk kishte klasë shkollë, korridor zyrash, vatër kulture, ambulancë, pallat sporti, azil pleqsh pa parrulla në mure me thënie të Marksit, Leninit, Stalinit, Enverit dhe nga fundi edhe të sho Ramiz.
“Dashuria për kafshët bëhet profesion” nuk e di se nga cili libër është marrë dhe cilës ideologjije i përket. Diçka të duket se ka lidhje me Tregun e Lirë, po nuk ngjan të jetë e Adam Smithit.
Mund të jetë edhe ndonjë batutë e Ramës, se ai i qëllon këto qyfyret me të cilat gajas tërë popullin e majtë dhe disa udhëheqës ndërkombëtare. Por edhe kjo është e diskutueshme, sepse Sinanaj nuk do ngurronte ta vinte emrin e Liderit përkrah parrullës. Gjithashtu po të ishte e Edit, në zyrën e Ministrit do ishte parrulla “Dashuria për paratë bëhet profesion”, në klinikat e gjinekologëve të majtë do gjenim “Dashuria për vaginën bëhet profesion” dhe në shtëpitë publike të “putanave optimiste të së Majtës”(shprehje e Luço Dallës) do gjenim parrullën “Dashuria për burrat bëhet profesion”.
Asgjë nuk gjeta rreth thënies për kafshët ndaj më duhet ta mbyll në mënyrëpo aq absurde me një këmbim batutash të një çifti studentësh në vitet ’60.
Ajo - The gjëkafshë?

Ai – Jo, kafshë!

Friday 13 October 2017

Migjeni sot do ishte 106 vjeçar

Diku e kam përmendur, që Migjeni është jo vetëm poeti më i madh shqiptar, por në poetëtë më të mirë të shekullit që iku.
Edhe pse nuk kam kulturën e nevojshme për letërsi krahasimore, me sa njoh një pjesë të vepërs, të atyre që mbahen në më të mëdhenjtë e të XX-tit, Milloshi jonë nuk mbetet asnjë hap më pas. Mendim të thellë, melodi në funksion të mendimit, ritëm të përsosur. Eshtë e pamundur të gjesh edhe një rrokje të tepërt në poezitëe tij.
Më poshtë është e njohura “Një natë pa gjumë " . Sa dritë ke hedhur mbi shqiptarët Millosh!

Një natë pa gjumë


Pak dritë! Pak dritë! Pak dritë, o shok, o vlla. 
Të lutem, pak dritë në kët natë kur shpirti vuen, 
kur të dhemb e s'di ç'të dhemb, e syni gjum nuk ka, 
urren nuk din ç'urren, don e s'din se ç'don. 
Pak dritë! 0 burrë! 0 hero' ngado që të jesh. .... 
Burrë që shkatrron edhe që ndërton sërish! 
Pak dritë vetëm, të lutem, mshirë të kesh, 
se do çmendem në kët natë pa gjumë dhe pa pishë. 
Oh! ta kisha pishën të madhe edhe të ndezun! 
Me flakën e pishës në qiellin e ksaj nate 
ta shkruejshe kushtrimin... Ehu Burrë i tretun 
Do ta shifsha vallen tande në majë të një shpate. 
Por pishë nuk kan e vetëm janë burrat, shokët... 
Dergjem n'errsin pa gjumë dhe pa dritë... 
Askush s'më ndigjon, çirren kot më kot... 
Hesht more, hesht! por qindro, o shpirt. 
Gjeli këndon dhe thotë se asht afër drita 
- Gjel, rren a s'rren? cila asht fjala e jote? 
Kur ti këndon thonë se asht afer drita... 
Por un s'besoj sonte në Çalët e ksaj bote. 
Hiqmuni qafe, mendimet 
O jastëk ty të rroki, të përqafoj si shpëtimin, 
më fal atë që due: gjumin dhe andm'min 
e dy buzve që pëshpërisin ngushllimin.

Thursday 12 October 2017

Në pritje të vjershave të tjera

Ka një bjerrje të poezive të poetëve lokalë për Peleshin, që kur nuk është më zëvendës kryeministër, por vetëm Ministër i Bujqësisë. Kuptohet, që kontributi i tij per Korçen tani nuk mund të jetë në nivelet e 4 apo 8 viteve të fundit, por duke gjykuar, që “Bujqësia është çeshtje e gjithë popullit” poetët lokalë duhet të tregojnë më shumë patriotizëm dhe vlerësim për sfidat e reja të Nikos.
Edhe pse shumë larg talentit të tyre unë u mundova të hedh disa vargje, për të dëshmuar edhe luajalitetin ndaj çështjes së Korçës, Shqipërisë Juglindore dhe më gjërë.

Ah të ishte gjallë Naimi

Ai që thurri vargjet e “Korçës lule”,
Ai që aq bukur rimoi për “Bujqësi”,
I treturi si “Qiriri”
I rrituri pa pekule,
Sot mes nesh të ishte,
Të shihte se ç’bën ti!

Fermat mbushur me mollë,
Kodrat me tufa me dhi,
Mjelset me belin e hollë,
Grurin e pjekur flori
Dhe ti përuron therrtoret,
Që rrugëve mos ketë më gjak,
Me lepuj i mbush shëtiroret,
Mos zerë njeri më me lak;

Blegtorët shtruar këshillon,
Mos përdorin më kurrë hormone,
Në ajrin e pastër,
Pyjet me ozon,
Në të bukurit hone
Të rrisin lopë, pula edhe derra,
Atje ku kokën ul manushaqja,
Atje ku zbardh luleshqera.

Por Korçën një çast nga mendja nuk heq,
Ugareve bredh,
Të ndjekin pas manare,
I sigurt në histori hapat hedh

Dhe gjurmët i le në formë kitare.

Burrat – maniakë seksualë.

Dje ishte Dita Ndërkombëtare e Vajzave. Nuk e dija se kishte një ditë kremtimi të tillë, si dhe nuk di arsyet pse është krijuar. Më duken absurde edhe Dita e Nënës apo ajo e Babait, se dashurinë për prindërit dhe fëmijët nuk ka ditë, që ta nxerë.
Mu kujtuan ditët e para 20 viteve, kur më pyesnin për vendimin që kisha marrë dhe në përgjigjen që jepja përmendja “Ti le këtu çupat, që nesër t’i shtien në dorë X dhe Y!” dhe përmendja disa emra banditësh, të cilët detyronin me forcë vajzat adoleshente të hynin në makinat e tyre, në atë vit, kur shteti mungonte krejtësisht.
Por problemi i “rritjes në maksimum i libidos” nuk është vetëm problem banditësh dhe as veçanërisht shqiptar. Një pjesë e mirë e njerëzve me pushtet ekonomik apo politik, kthehen në maniakë seksualë dhe duan të flenë me çdo femër, që “ja u ha syri”.
Rasti i këtyre ditëve i producentit të Hollivudit Weinstein është një nga pikat e ujit të oqeanit të “grabitqarëve të seksit”. Vjet, këtë psikologji të meshkujve me pushtet Trump i vënë para një rregjistrimi të turpshëm e quajti “muhabete të dhomave të zhveshjes”, ose të tjerë e quajnë “biseda në servisi i makinave”, për t’ju shmangur të vërtetës, që janë dëshira të sëmura gati gati kanibaliste.
Në shoqëritë më të prapambetura, kur femra shihet vetëm si objekt seksi dhe harrohet, që është edhe vajzë, edhe motër edhe bashkëshorte edhe shoqe pune, dëshira pët “të shtënë në dorë“ jo vetëm nuk fshihet, por tregohet si shenjë e një maskiliteti potent.
Edhe pse të ekzagjeruara ndonjëherë, në Shqipëri dëgjoje histori nga më të pështirat me burra të pasur ose me pozitë, që abuzonin me gratë në nevojë.
Njerëz të shëmtuar fizikisht dhe shpirtërisht, të cilët në një botë të lirë do e kishin të vështirë të gjenin partnere, tregoheshin me gisht si Kazanovat e tranzicionit shqiptar.
Një drejtor shkolle, me një fytyrë tmerrësisht të kuqe dhe me dhëmbë gjysëm të rënë që në rini, kërkonte të flinte me çdo mësuese të re që i vinte në shkollë duke përdorur presione apo fjalë të “ëmbla që të kallnin krupën”. Disa më nevojtaret apo edhe më të tremburat arrinte t’i thyente dhe kënaqte kompleksin e tij të sëmurë.
Një biznesmen, jo më i gjatë se 1 metër e gjysëm, që për herë të parë kishte puthur kur ishte 28 vjeç, shtinte në dorë pjesën dërmuese të grave , që punonin për të.
Një funksionar i një kompanie publike, ju kërkonte të gjitha nëpunëseve të bukura, të shkonin në fund të orarit në zyrën e tij, “për të diskutuar shifrat e kompanisë“.
Dhe raste të tilla janë me qindra.
Grabitqarët manjakë të seksit, kur nuk ja arrijnë t’ja dalin dot në biznes, merren me politikë, si mënyra më e sigurt, për të “hequr mbërthejckat” e studenteve, të posamartuarave deri ato të gjimnazisteve.
Shumicae tyre janë të martuar, kanë edhe vajza.
Ndoshta edhe e dinë, që ekziston një Ditë Ndërkombëtare e tyre.

Dita, kur është mirë, që disa maniakë seksualë të kastrohen publikisht!

Wednesday 11 October 2017

Poshtë Sindikatat!

Eshtë absurde se si një kryeministër, kreu i një partje anëtare e  Internacionales Socialiste, i fton të vijnë firmat e mëdha italiane në Shqipëri se veç të tjerave “tek ne nuk ka sindikata!” Dhe këtë e bën para një kryeministri, që vjen nga një Parti anëtare e Internacionales Socialiste.
Këtë bëri sot Edi Rama i Partisë Socialiste Shqiptare, në konferencën për shtyp të përbashkët me Paolo Xhentilonin e Partisë Demokratike Italiane (Pasardhësit e komunistëve të Toliatit). Dhe është hera e dytë, që përsërit të njëjtën gjë edhe pasi u kritikua edhe në Shqipëri edhe në Itali, kur bëri të njëjtën deklaratë gjatë vizitës në Tiranë të kryeministrit Renci.
Po nëse herën e parë kjo mund të konsiderohej si një lajthitje e një politikani me pak përvojë në qeverisje, këtë herë kemi të bëjmë me një bindje të tij, që ky jo vetëm është realiteti shqiptar, por do të jetë, sepse duhet të jetë.
Që të shohësh mungesën e lëvizjes sindikaliste në vend si avantazh ekonomik dhe shoqëror është jo vetëm “tradhëti” ndaj elektoratit që të ka zgjedhur dhe ndaj ideologjisë të partisë që kryeson, por është e dëmshme për Shqipërinë.
Sindikatat e punonjësve dhe nëpunësve janë pjesë kryesore e “stofit” të shoqërive demokratike perëndimore. Ato janë format kryesore të solidarizimit të njerëzve jo më nga lidhja e gjakut apo feja si në feudalizëm, por mbi bazën e interesave ekonomike, profesioneve, apo fushave të veprimtarisë shoqërore. Eshtë absurde të mendosh se mund të jemi pjesë e Europës pa patur sindikata ose duke u përpjekur t’i pengojmë ato.
Se si askush në Partinë Socialiste nuk “hidhet përpjetë“ nga të tilla deklarata, këtë mund ta spjegosh ose me nënshtrimin e plotë të të gjithëve ndaj kryetarit, ose me shikimin e sindikatave si “Bashkimet Profesionale të Rita Markos”, që nuk kishin asgjë në dorë në kohën e Partisë-shtet.
Autokratizmi i Ramës është diçka e njohur. Por duket atë e bezdis çdo lloj organizmi, që muk është i iniciuar prej tij apo që nuk mund  mund të kontrollohet tërësisht prej tij. Nuk ka spjegim tjetër, që dikush që pretendon se vendi mund të shkojë përpara vetëm nëpërmjet Punës, të kërkojë që “Puna” të mos organizohet.
E megjithatë ka disa lloj sindikatash, ndaj të cilave nuk duket se kryeministri Rama nuk është plotësisht kundër.
Janë “sindikatat” e krimit, si quhen në Perëndim.
Kryeminstri jo vetëm e njeh forcën e tyre, por nuk dëshmon edhe vullnetin për t’i luftuar.
Flitet, që nëpërmjet të dërguarve të tij ai edhe negocion me to.
Nëse investitorët e huaj seriozë, I tremben diçkaje në vendet në zhvillim( sikundër është edhe vendi ynë), ajo është “sindikata e krimit të organizuar”. Janë këto dhe sorollatjet në dyert e gjykatave ato që largojnë kompanitë e mesme dhe të mëdha.
Dikush që do të sundojë dhe jo t’I shërbejë vendit të tij ka prirjen të “shtypë“ çdo përpjekje për solidarizim. Dhe solidarizimi është në bazën e shoqërive moderne dhe gjëja kryesore që mungon në Shqipëri.
Ndaj dhe ftesa e Ramës ndaj investiorëve Italianë tingëllonte më shumë si:

-Ejani, investoni në Afganistan. Ne nuk do kemi kurrë Sindikata!

A jam minoritar?

Kur ishim fëmijë, cilësori “minoritar” kishte një kuptim më tepër gjeografik se etnik. Dihej, që minoritari ishte grek, por kjo nuk përfshinte të gjithë grekët, që jetonin në Korçë, por vetëm ata me origjinë nga Dropulli ose nga zona e Sarandës. “Shulet” nuk i quanim minoritarë por thjesht shule. Njerëzit e tjerë, që flisnin gjuhë të tjera veç shqipes i quanim kurbetë ose çobenë.
Tani të gjithë janë minoritarë.
Parlamenti posa ka përcaktuar si minoritet edhe atë bullgar. Kjo do të thotë, që gjithë drenovarët dhe boboshtarët tashmë të quhen minoriteti bullgar.
Një pjesë e tyre vërtet kishin trashëguar gjurmë të një gjuhe të vjetër sllave, rreth të cilës ekzistonte dhe një rrëfenjë, për 20 çifte të rinjsh, që kishin ardhur nga jugu i Polonisë dhe kishin formuar dy fshatrat. Dhe këtë e kam dëgjuar nga inxhinier Kuneshka, që ishte edhe boboshtar, edhe njeri i mençur, edhe shumë i ndershëm.
Tani në Shqipëri, me ligj quhen 9 minoritete. Në Korçë ka të paktën 6 syresh. Ai arumun, grek, maqedonas, egjiptian, rom dhe tani edhe bullgari. Po qe se arumuni ndahet si ka qënë tradicionalisht, në të Plasës, Voskopojës, Korçës dhe sarakaçanë, numuri i minoriteteve arrin në 10.
Po shqiptarët cilët janë?
Po qe se vërtetohet edhe një teori, që qarkullon mes Vakëfllinjve në Tiranë, që origjina e tyre është çifute, shqiptarë mbeten vetëm fusharakët dhe devollinjtë.
(Edhe mes oparakëve qarkullon një teori, që janë Vorio-oparakë, për të fituar ndonjë pashaportë europiane. Polenakët kanë kohë të paisur me pashaporta greke.)
Unë ndjehem 100% shqiptar se vetëm këtë gjuhë më kanë mësuar.
Edhe pse mund të paisem me pashaportë turke, nuk di asnjë llaf turqisht veç atyre që kanë hyrë në gjuhën shqipe. Edhe Kapllan Tefiku, që ishte i fundit turqishtfolës në Korçë tani duhet të jetë në moshë shumë të shtyrë dhe i paaftë të ngrerë komunitet. Stambollinjtë ka kohë, që janë larguar nga jeta.
Jam arnaut sagllam.

Ndaj edhe në minoritet.

Arroganca dhe nervozizmi i Ramës ndaj Europës

Intervistat me gazetarë seriozë, i nervozojnë politikanët dhe sidomos ata, që quhen “thin-skinned”, që në shqip figurativisht do e përktheja “hidhen përpjetë sa i pickon pleshti”. Tipiku është Donald Trump, por jo i pakët ka qënë edhe Silvio Berluskoni e deri diku edhe Sarkozi.
Kryeministri jonë, gjatë një interviste dhënë gazetës austriake “Standart”, ka dëshmuar, se edhe pa “peshën politike” të tre të sipërpërmëndurve, mund të reagojë me arrogancë dhe nervozizëm ndaj pyetjeve, të cilat e venë në positë të vështirë.
Esshtë interesante se në fillimet e tij si kryeministër, ai sillej me tepri si europian, bile edhe duke u vetëquajtur “skandinav”, ndërsa tani po shfaq gjithnjë e më shumë karakteristikat e një sunduesi të Lindjes, të modelit Erdogan, që gjithë të këqijat i sheh në Europa.
“ Ju racistët e Europës!”; “Ju të pandershmit europianë(non-fair)!”; “Ju mosmbajtësit e premtimeve!”: e të tjera thirrje histerike si këto, ndjehen kur lexon intervistën.
A është kjo shenjë e padurimit të një deliranti apo mënyra klasike e mbrojtjes duke sulmuar?
A është kjo mënyra me të cilën Rama i drejtohet Mogherinit dhe komisionerit Hahn, apo akoma më tej kancelares Merkel?
Disa suksese në paraqitjen e tij në skenën ndërkombëtare, si marëdhëniet me Merkelin, shfaqja tek manifestimi kundër masakrës të “Charlie Hebdo”,  i kanë krijuar bindjen Ramës, se ai është një Prijës  i një niveli të lartë me një vend të vogël. Ndaj i duket e çuditshme se si një gazetë e huaj mund ta verë para “gjyqit të pyetjeve”.
Problemi i vetëm i tij është se jo të gjithë, dhe jo gjithnjë mund të befasohen nga “ekzibizionizmi politik” i Edi Ramës. Për arritjet e një qeverie, kriteri i vetëm vlerësues për shtypin e huaj,është gjendja ekonomiko-politke e vendit dhe ndikimi i tij negativ apo pozitiv në rajon.
Dhe për hir të së vërtetës, gazeta austriake nuk është “e ashpër” me gënjeshtrat e Ramës.
Kryeministri gënjen kur thotë kemi ngritur Pallatin e Ri të Drejtësisë sepse ende nuk ka hedhur as themelet e tij.
Kryeministri gënjen kur thotë, se kanabis mbillej më shumë para tij, por raportet mbaheshin sekret.
Kryenistri gënjen kur thotë, se ka qënë lider i lëvizjes antikomuniste.
Kryeminstri gjithashtu gënjen kur thotë se Ruci është gjykuar për 4 prillin, ka dalë i pafajshëm dhe nuk ka pse të hetohet brenda PS-së.
Ishin këto vetëm disa nga gënjeshtrat e Ramës, për të cilat nuk pati pyetje pasuese nga gazeta, që do e nervozonin akoma më tepër kryeministrin shqiptar.
Ballkani ka qënë dhe mbetet në situata politke tepër të brishta, për shkak të historisë tij të pëplasjes të etnive, korrupsionit të klasave politke dhe ndikimeve të fuqive më të mëdha të huaja.
Qeverisja e Ramës, po e bën çdo ditë e më tepër, jo pozitiv rolin e Shqipërisë në Ballkan.
Inkurajimi i krimit dhe përfsirja në të e politkanëve është rrezik për gjithë rajonin, se këtu po përqëndrohen rrugët e trafikut të drogës.
Flirtimi i hapur me Turqinë e Erdoganit dhe acarimi me Greqinë anëtare të BE-së është një tjetër cilësi e pahasur më parë në qeveritë shqiptare.
Rama është para një provimi të madh në Europë dhe e di, që vetëm me batutat, me premtimet dhe me akrobacitë diplomatike nuk mund ta kalojë. Duhen arritje dhe këto, për fat të keq të Shqipërisë, mungojnë.
Ndaj dhe provon edhe “gurët e fundit” të arrogancës dhe të “shantazhit me unione më të vogla”, për të pasur edhe një kapërcim provimi me notën “mjaftueshëm”.
E ardmja e Shqipërisë është në Europë, se ashtu duan shqiptarët!
Por Europa nuk duron dot arrogancën e Gramoz Ruçit, sepse nuk është as Partia Socialiste dhe as Parlamenti Shqiptar.

Në Europë hyet si europian dhe për të qënë i tillë nuk mjafton vetëm të mbathësh atlete Adidas.

Tuesday 10 October 2017

Monarqi më mirë

Ca avukatë konstitucionallistë kanë thënë që Referendumin për Republikën Autonome të Korçës nuk do e lënë të bënet ata të Komisionit të Venedikut. Po qe se nuk e kam marrç vesht jangllësh, nuk mund të çkëputesh pe Republikës e të bëç gjende Republikë. Lipset o Monarqi, o Dhiktaturë.
Monarqi veç se ç’është!Bile në këtë punë të referendumit jemi të mbodhisur. Ta bëjmë e ta çpallim!
O Mbretëria e Korçës, o Principata e Korçës, o Dukata e Korçës. Kjo e fundit cazë si më e mirë, se na bën të ngjasojmë me Luksemburgun, që është si veshka në mes të dhjamit frëng, allaman dhe flamand. Edhe neve mu në mezin e Republikës së shqipove, asaj të grekëve dhe asaj të shuleve.
Soj nga këta me gjak mavi nuk kemi ndonjë të çquar, po ce mos patnë Zogollët nga Burgajeti. Neve autoktonë që në vaftin e palafiteve dhe ndonjë si punë monarku do kemi patur. Kotherja është i vonçëm në këtë gërmim.
Kemi Mytevelinjtë qysh në vaftin e Gjorixhesë, vetëm ce më kryesori pe atyre, Dulka ka ikur në Amerikë dhe ku dihet a vjen a s’vjen të bënet Arqidukë.
Po kemi edhe aristokratët Koçibelli pe Qatromi, që kanë lidhje edhe me Turtujt, aristokratë pe Vithkuqi. Këta janë adapt edhe për të shkojturën mirë mes mbesimeve.
Po njashtu aristokrati Lorenc i Glozhenëve munt ta bënjë fare mirë. Eshtë tëpkë si Lorenci i Mediçive, që ishte patron i arteve dhe që xbulovi Mikellanxhellon dhe Botiçellin.
Një tjetër që komjas më mirë vjen nga soji i Peleshëve, që kanë marrë në aristokratët e Selim Mborjes dhe që kemi politikanin e çquar Nikollaq. Po të jetë kësmet të bënet kjo vete mirë edhe nga puna e mbesimeve po edhe anëve të politikës se Nikollaqi është pe të Mezit. Në nisje nga e Djathta, në bitisje nga e Mëngjra. Nuk anon gjëkundi!
Apo veçse ç’është për Arqidukë se është dhe i sqojtur dhe i kënduar dhe i pashëm. Pastaj ruajalët e sotëm e kanë me izë të rrinë me kostum allafrënga. Për ndonjë sebep janë ato fustanellat e Pallatit të Kullturës, që të duket tëpkë si Ushtari i Panjojtur pa mustaqe.
Monarqia lipset të jetë Parllamentare dhe Sovrani Arqidukë s’do hyjë në punët e Gubernës së Korçës, po do japë titujt për merita të çquara, si ndozot Mbretëresha e Ingliterrës, që jep titullin Sër.
Dukata e Korçës për të qënë cazë origjinale mund të sajonjë titullin Stërg. Dhe kush të marrë këtë titull aristokrat bënet pjestar i oborrit të Arqidukës, që do ta thirrim Lejlek Oborr, ose Oborri i Stërgjeve.
Po mos merrmë me gaxhimixhi, që nakatosin tërë qëllimnë e mirë të mëvetësisë.
Referendumi të ketë një pyetje fillikat:
“Doni që Korça me viset e saj të bënet e Mëvetme, Sovrane dhe Monarqike?”
Dy kutiçka njëra me PO dhe njëra me JO.
Mbasandaj vjen Historia!
Për hymnin kemi dy poetë hazër, një si Petrarka dhe një si Drejtor Agolli.

Të çfrytëzojmë rastin!


Ne lipset ta bëjmë sa më parë Republikën Europiano-Amerikane të Korçës. Sa është ky zjarrllëku i Katalonjës.
Sefte është mirë të zgledhim se si do e kemi flamurin dhe Hymnin Kombëtar të Korçës. Kjo e Hymnit është mç e fjeshtë ce patëm disa këngë patriotike të kazasë sonë qëmoti. “Eja mblidhuni këtu, këtu, këtu!” nuk është keq. Kemi dhe atë të Konos “Se sot çlirim, se sot çlirim, se sot çlirimi i ka ardhë“ dhe po të ndrrojmë “trimat partizanë“ me “trimat separatistë“ ja dalëm birinxhi. Eshtë dhe një tjatër e bukur që e ka vënë në nota korçari Nonda Kajno me llafet e devolliut Skënder Rusi dhe e këndon tenori suliot Gjergji.  Eshtë e lehtkë për tu kënduar nga futbollistët e kombëtares së Korçës, se ka pak llafe dhe goxha “la la la laaaa”. Nuk është zor ta mësonjnë përmënç, se dhe ndonjë arap do kemi në kombëtare.
Ja si bën:
La la la i ra i raaaa
La la la la
La la la i ra i raaa
Korça ime , Korçë e dashur
Ishe një qytet magjik
Kush të pa dhe s’desh të ikte
Dhe s’u kthye prap’ tek tyyyy.
Ja kjo po të kenë ca vullnet separatist autorët mund të bënet “Korça ime, Korçë e dashur/Ishe një qytet magjik/ Kush të pa dhe s’desh të ikte/ Sot të kemi Republik”. Tërë lalalalalatë nuk lozin edhe refreni mbetet tëpkë njëlloj:
O o ooooo, O o oooo
Emrat tonë mbi kitarë
Nëpër tela do i gjesh
Korça ime , Korç’ e dashur
Zemrat rrahin veç për ty.
La la la laaaaa
La la la i ra i raaaaa.

Më zor do jetë për flamurin.Ce pa flamur s’ka komb dhe pa komb s’ka Republikë. Kombi i korçarëve lipset të ketë një flamur që të na bënjë të tërëve të sulemi në luftë për kombin. Afërmënç në luftë paqësore se kështu jemi allafrënga. Qitharën do e kemi ce s’bën në flamur po edhe ndonjë zog duhet. Sklifteri është shumë luftarak dhe guguftuja është shumë paqësore. E mira është të vemë një lejlek se është edhe internacionall dhe pa dallim feje. Qëmoti e bënin folen edhe përmi minare edhe përmi këmbanare edhe në Polenka. Jep edhe idhenë që jemi komb i zgledhur ce lejleku i hedh zogjtë çyrykë.
Lejlek me qitharë në sfondin me tre bojra, e kuqe, e bardhë dhe mavi. Këto bojra ka Franca, Anglia dhe Amerika.
E kur të ngrihet ky flamur nën muzikën e Himnit, të tërë korçarët të marrin pozicionin e rënies së qithares, që është dora e mëngjër pak e larguar nga trupi dhe dora e djathtë e mbledhur përmi kërthizë.
Mos humpmë kohë!

Të çpallim refrendumin!

Monday 9 October 2017

Kërpudhat e shëmtuara të Pit Uillsën

Pit Uillsën realizoi “ëndrrën’, që çdo arkitekt mund të ketë kur është student- të bëjë një skicë dore dhe më pas ajo të ndërtohet. Dhe kësaj ja arriti, në një kohë, kur arkitektët marrin të tatëpjetën.
Diku u njoh me kryeministrin e sotëm ose me “gjuetarët” e tij të arkitektëve dhe tani veprat e tij të arkitekturës brutaliste po ndërtohen në qytetet kryesore shqiptare. Njëra më e shëmtuar se tjetra!
Për “përulje” të plotë të Nikos para Ramës, apo për arsye të tjera, që unë nuk mund t’i kuptoj, Korça u bë laboratori i parë i Pit, dhe qyteti, ku kërpudhat e tij sa vijnë e shtohen pas shiut Rilindës.
Muzeume, biblioteka, Kullë, teatër, salla sportive, parqe, zyra, gjithshka që është me fonde shtetërore e projekton Pit Brutalisti. Por për një qytet të vogël edhe fondet shtetërore do kenë një ditë një fund.
Ka vite, që të Plotfuqishmit Niko dhe Raqkë, i detyrojnë edhe investitorët privatë të bëjnë projektet në Pit-i. Dhe ky i fundit nuk kthen asnjë. Tarifat i ka shumë të kripur dhe e di, që mosha nuk do e lejojë për shumë vjet të bëjë jetën e arkitektit- bohem, ndaj “skico dhe jepja arkitektëve të veckël lokalë, të vazhdojnë idetë e tij të shëmtuara!”
Dikur në Korçë projektonin Pilika, Qemal Butka, Misto Kallfa dhe arkitektë të huaj, që respektonin atmosferën e hijshme, racionale dhe të përmbajtur të qytetit më europian të Shqipërisë.
Më tej, patëm fat të mos binim viktimë e projektuesve të Shallvareve të Tiranës, por të kishim projektet plot shije të Petraq Kolevicës dhe Koço Koçiut.
Tani edhe investitorë, që arkitekt të preferuar kishin Vladimir Bregun, detyrohen “të heqin vallen e Ramës” dhe të projektojnë tek Pit-i.
Duhet thënë, që bindja ime ekonomiko-shoqërore është, që çdo investues privat ka të drejtë të ndërtojë sipas shijeve të tij. Unë nuk jam për kufizime të tepruara të shtetit apo edhe të komunitetit në ndërtimet e reja. Në rast se zonat nuk janë të një rëndësie të veçantë historike apo arkitekturore, çdo pronar ka të drejtë të ndërtojë si të dojë.
Po si mund të shkohet nga prirja drejt arkitekturës elegante dhe postmoderniste të Vladimir Bregut tek arkitektura brutaliste e Pit Uillsën?
Kush mund të ta mbushë mendjen, që e shëmtuara jo vetëm që është e bukur, por do sjellë edhe shumë fitime?
I vetmi ngushëllim për mua dhe për ata, që bashkohen me opinionin tim për Kullëm, Bibliotekën, Muzeun e Gjon Millit dhe të tjera “kërpudha” të Pit Uillsën, është, që kur të përfundohen objektet e projektuara prej tij do duken qartë se sa të shëmtuara janë dhe se sa stonojnë me arkitekturën e “konsoliduar” të qytetit. Për Kullën, rrallë se gjendet njeri në Shqipëri, që të thotë ndonjë fjalë të mirë.
Dora dorës, investitorët privatë do i largohen “dorës së zezë“ të Pit-it.
Në historinë e arkitekturës shqiptare, kjo periudhë do hyjë si periudha e “rigjallërimiit të Korçës me fondet bujare të qeverisë dhe projektimi për të “mos u mësyshur” nga arkitekti australian Pit Uillsën”.
Mos vini kurora me hudhra në objektet në ndërtim të dashur korçarë!

Pit Uillsën po riviziton qytetin!