Monday 29 October 2018

Në ç’pikë të zhvillimit shoqëror jemi? (fund)

(vijim)
Në kohën pas rënies së Murit të Berlinit pati një optimizëm të madh të pjesëve më përparimtare të shoqërive perëndimore. U krijua përshtypja se rënia e ideologjive “kontradiktore” që ishin në themel të dy kampeve të angazhuar në Luftën e Ftohtë do të sillte paqe të qëndrueshme dhe zhvillim në pjesën më të madhe të globit. Një e ardhme e ndriçuar dukej se e priste gjithë Europën dhe Amerikën e Veriut dhe pas tyre edhe kontinentet e tjera.
Për shkaqe të nivelit të ndryshëm të jetesës së shoqërive të veçanta, të formimit kulturor dhe filozofik të ndryshëm si dhe për qasjen tepër materialiste ndaj jetës të shtresave më të emancipuara të të gjithë shoqërive, kontradiktat brenda vendeve dhe midis tyre nuk u fashitën, por mbetën të njëjta. Përgjigje shteruese ndaj kësaj dukurie nuk kanë mundur të japin as Chomsky, as Huntington, as Zhizhek, as Bernard- Levy dhe as shumë filozofë dhe sociologë të tjerë. Shpesh herë, përfundimet e tyre janë aq të kundërta, sa cilido që mundohet të gjejë një përgjigje pranë të vërtetës, ngatërrohet më shumë në mendjen e tij.
Një fakt është i qartë. Njerëzit janë të pakënaqur me njëri tjetrin dhe këtë po e shprehin çdo ditë e më shumë në mënyra nga më violentet.
Por a jemi në një fazë të ngjashme me atë të dominimit të shtetve totalitare të fillimit të shekullit të XX-të?
Për mendimin tim nuk jemi në një gjendje të tillë, por nuk jemi edhe aq larg sa do dëshëronim të ishim.
Shembulli më i qartë është në gjendjen e shoqërisë amerikane, e cila jo vetëm është një nga shoqëritë më të mëdha në botë, më shumëetnikja por edhe më e pasura.
Fitorja e papritur e Trump-it në zgjedhjet e vitit 2016 dëshmoi jo vetëm pakënaqësinë e njerëzve ndaj “the establishment”, por edhe urretjen e popullsisë së bardhë ndaj njerëzve me ngjyrë, çifutëve, homoseksualëve dhe emigrantëve në përgjithësi. Pra një pjesë jo e vogël e popullsisë flet dhe vepron “politikisht korrekt” vetëm sepse kështu duhet dhe jo se mendon ashtu. Në çastin, që inkurajohet nga mediat dhe politikanët është gati të rikthehet në “flamujt” e racizmit të Ku Klus Klanit dhe të fashizmit të Musolinit dhe Hitlerit. Pra paqja sociale dhe më tej ajo midis vendeve është shumë shumë e brishtë. Këtë tregojnë gjithë ngjarjet violente të muajve të fundit. Trump nuk duhet akuzuar se po ‘keqedukon” shtresa te caktuara të popullsisë, por se ndihmon, që ato të dalin nga thellësitë në sipërfaqe.
Dhe kjo në të gjithë shoqëritë e tjera. Anglezët, gjermanët, italianët, rusët, shqiptarë, sërbët, e gjithë të tjerët, me mendjelehtësi kanë lejuar që shoqëritë e tyre të degradojnë në filozofinë e “jetës sot për sot”, “të fitimeve të lehta”, “të garës së pasurimit” due lënë pasdore edukimin pozitiv shoqëror. Në rrjetet sociale, ku njerëzit ndjehen më të “maskuar” gjithnjë e më tepër shihen komente plot urrejtje për të tjerët, që janë të ndryshëm nga ne. Mençuria e të vjetërve për të ndihmuar me të dobtit, për të menduar për të ardhmen e brezave të tjerë, për të jetuar edhe duke kursyer, duket si një filozofi e prambetur, e papërshtatshme për kohën që jetojmë.
A do nxjerrim mësime nga ngjarjet violente me pak viktima apo do presim për konflikte më të mëdha me humbje të mëdha jetësh, kjo do duket në dhjetvjeçarin e ardhshëm.
Deri më tash shenjat nuk janë të mira.

Wednesday 24 October 2018

Në kthinën time të gatimit

Hithra të mbledhura buzë lumit,
Përzjerë me vrerin,
Ditë të tëra marinuar,
Me vajin pikuar harrimit
Dhe lëngjet gojës rrjedhur në prag të gjumit
Më presin në kthinën time të gatimit.
Nuk ka më supë të ftohtë ditësh gëzimi
Ndaj zjarrin më duhet të ndez,
Për të patur avull,
Sa më shumë avull,
Që të humb perceptimin e ngjarjve,
Pyjeve varur.
Dua brumin e ditëve
Ta zgjat e ta stërzgjat
Trupin për të rrethuar
Gërvishtjet nga gjëmbat e marrëzive,
Prej kripës së tepërt të përçmimit
Dhe uthullës së heshtjes
Më tej janë hapur,
Pranë eshtrave thelluar.
Në vorbën prej balte
Bashkë hedhur
Petalet e trëndafilit
Dhe “Rrënjët e së Keqes”;
E ndërsa me një lugë të madhe titani i përzjej,
Shoh dhimbjen tërësisht të patretur,
Me frikën e shkulur prej vetes.
Do i shtoj dhe të helmëtat kërpudha,
(Asgjë nuk është më e hidhur se pelini),
Në pyllin e vjeshtës
Nuk më shpie më udha;
Ditët do ngrys këtu-
Në kthinën time të gatimit.

Tuesday 16 October 2018

Në ç’pikë të zhvillimit shoqëror jemi? (3)

(vijim
Përsëri kthehemi në një pikëvështrimi “klasor” të shoqërisë, i cili dominoi mendimin progresist të dy shekujve të kaluar, por që rezultoi jo vetëm shumë i thjeshtëzuar, por edhe i gabuar për të spjeguar shoqërinë dhe për ta transformuar atë.
Në shoqëritë perëndimore kufijtë “klasorë“ nuk janë të dhënë një herë e përgjithmonë, sepse ka shembuj milionerësh që gdhihen të pastrehë dhe njerëz , që vijnë nga hiçi dhe arrijnë në nivelet më të larta të shoqërisë. Ndaj edhe ndryshimet ideologjike sa vjen dhe janë më të pakta mes grupimeve shoqërore dhe politike. Qëllimi “final” i një pjese të mirë të “elitës* është të jenë në krye, të patrazuar dhe të kenë mundësi të qeverisin sa më gjatë me njerëzit e tyre.
Më e ndjeshme është kjo në demokracitë hibride. Në drejtimin e vendeve të lindjes, gjithnjë e më tepër konsolidohen qeveritarët autoritarë të lidhur me botën kriminale të cilën e kanë në kontroll ose kontrollohen prej saj. Vuçiç i Sërbisë, Rama i Shqipërisë, Vukanoviç i Malit të Zi, Orban i Hungarisë, Thaçi i Kosovës qëndrojnë në pushtet edhe në sajë të lidhjeve që kannë me krimin e organizuar dhe pasurive të vëna në rrugë jo të ndershme. Idhulli i tyre është Vladimir Putin. Nën këtë trysni të së gjithë Europës Lindore duke përfshirë këtu edhe atë të  Rusisë dhe Turqisë, elitat e Europës Perëndimore përpiqen të ruajnë statukuonë duke munduar të afrojnë shoqëritë e Lindjes në Bashkimin Europian, me shpresë se do i korrigjojnë gjatë rrugës. Rezultati është jo vetëm pakënaqësitë e ngjallura brenda shoqërive të tyre, por edhe afrimi i pragut të dështimit të projektit të madh Europian.
Shoqëritë e infektuara postkomuniste jo vetëm nuk korrigjohen duke i bërë pjesë të Europës, por rrezikojnë të infektojnë keq edhe shoqëritë më të shëndetshme të Perëndimit.
Rrjedhoja- gjallërimi i prirjeve ksenofobe dhe partive të ekstremit të djathtë.
Po a është e lehtë për një familje të zakonshme të një vendi të Europës Lindore të orientohet lehtë se ç’rrugë duhet të zgjedhë për të jetuar mirë të sotmen dhe për të mbrojtur njëkohësisht të ardhmen?
Për këtë gjë ka shumë mënyra të përgjigjesh:
Jemi shumë të vegjël për të mundur të bëjmë diçka.
C’është e shkruar do ndodhë.
Fajin e kanë politikanët.
Do ecim me rrymën dhe ku të na shpjerë.
Po, mund të bëjmë diçka, sado pak të jetë.
Përgjigja e fundit edhe nëse duket më e kota ka një vlerë të madhe. Eshtë të kuptosh thelbin e ekzistencës së shoqërisë njerëzore dhe mënyrës së korrigjimit të saj. Dhe jo për ta korrigjuar për hir të korrigjimit, por për hir të mbijetesës. Ka të bëjë me ciësinë e jetës  së fëmijëve dhe fëmijëve të tyre, për të mos shkuar më larg në të ardhmen. Kjo përgjigje ka të bëjë me të ndjerën e thellë se je pjesë e shoqërisë dhe në të njëjtën kohë edhe përgjegjës për shkuajen e saj teposhtë.
Historia e shoqërisë njerëzore mund të thjeshtëzohet duke e reduktuar në atë të grabitësve dhe të të grabiturve. Në rast se nuk do të sundohesh nga grabitësit atëhere duhet të bësh diçka për të përmirësuar rregullat, që përcaktojnë se cilët o jenë sunduesit.

(vijon)

Sunday 14 October 2018

Vjeshta

Vjeshta më kujton sa vlerë kanë ngjyrat
Dhe limfa që gëlon në to.
Thirrja e fundit për të gëzuar jetën,
Para se të zbehen fytyrat
Dhe me të bardhën e ftohtë të vdekjes,
Të pështillen në një çast të vetëm.

Vjeshta më fton për tu dehur,
Para se të më lidhin në një tryezë të akullt,
Ku gozhdët e mendimeve të mpita,
Të ngulen në cipën e e pafundme të mosdijes,
Për të më torturuar nën tigujt e hiçit,
Ngadalë,
Tmerrësisht ngadalë,
Deri sa të mos ndjej as hijen e shpirtit.

Vjeshta,
Kjo e pacipë femër,
Që me të kuqen e përgjakur më thërret të flak gjithshka,
Që nuk është e ndezur;
Nuk mund të ngrihet qiejve,
Veç tokës shtrihet për të dëfryer,
Për të më thithur edhe gulçet e fundit,
Grykës mbledhur.

Saturday 13 October 2018

Korçarët e pasur


Klasifikimet gjithnjë ngjalin kureshtje, por klasifikimi i pasunarëve është nga ata që tërheqin më shumë vëmendje. Do të thotë ai/ajo që ka më shumë se qëniet e tjera njerëzore. Mund të quhet edhe i pari ose e para që fiton një garë të gjatë në ndjekje të pasurisë, garë në të cilën futen shumica e anëtarëve të Njerëzimit.
Në renditjen e sivjetshme në më të pasurit në Shqipëri, në dhjetëshen e parë janë 4 korçarë në vendet 1. 3, 4 dhe 7. Zamir Mane, Grigor Joti, Agim Zeqo dhe Serafin Orgocka.
Në rradhë të parë duhen uruar, se janë njerëz që pasuritë i kanë krijuar vetë, pasi në vitin 1991, garën për tu bërë i pasur e nisën të gjithë thuase nga zeroja.
E dyta duhen përgëzuar, se asnjë prej tyre nuk ka mbajtur më parë ndonjë funksion të lartë në administratë apo ndonjë parti.
Mund të thuhet çdo gjë me “objektivitet” apo me edhe “dashakeqësi” ndaj katër korçarëve (Serafinin nuk e njoh por nisem nga mbiemri i tij), por fakti është që atë që anë arritur e kanë arritur me punë e përkushtim dhe ndoshta edhe me pak fat. Nëse janë detyruar të përdorin rrugët e tërthorta të korrupsionit nuk është për faj të tyre, por të politikanëve dhe institucioneve të tjera. Për më tepër, nuk duhet harruar, se shumë nga të pasurit më të dëgjuar sot në botë i kanë përdorur këto rrugë dhe mjaft të përmendim Kenedit, Berluskonin, Murdokun apo deri në Trump
Grigor Jotin e kam njohur në fëmijëri dhe a shkëlqyer jo vetëm në shkollë, por edhe në gjithë veprimtaritë ku përfshihej. Ishte i zoti dhe serioz në çdo gjë, që bënte.
Mane dhe Zeqo e kanë filluar biznesin në emigrim dhe dihet që në vendet perëndimore askush nuk të bën “dhuratë“ suksesin në biznes, por duhet të dalësh “fitues” në beteja të mëdha të konkurencës dhe për të duhet punë, talent dhe fat. Nëse në aktivitetet ekonomike në Shqipëri i kanë shtuar pasuritë edhe në sajë të lidhjeve me politikën, kjo vjn se janë politikanët që kanë pasur nevojën e tyre.
Por a ka rëndësi për Korçën në se katër korçarë hyjnë në mes të më të pasurve?
Unë nuk di se sa investojnë ata në qytet apo dhe në zonat rurale të tij. Di, që Zeqoja ndihmoj me investime në ngritjen e “Skënderbeut” në futboll dhe kjo nuk ëshë e pakët, po qe se do lëmë pa përmendur njollat e errëta të manipulimit të ndeshjeve.
Mbi të gjitha talenti në biznes i këtyre korçarëve tregon se tradita e tregëtarëve korçarë dhe voskopojarë të shekullit të kaluar nuk ka humbur.
Ju lumtë të katërve!

Tuesday 9 October 2018

Në ç’pikë të zhvillimit shoqëror jemi? (2)

(vijim)
Le të përpiqem të spjegoj se ç’kuptoj me termin “neoskllavëri”.
Eshtë pranimi nga të gjithë i krijimit të bazës së funksionimit të shoqërisë sipas “ekonomisë së tregut” të përcaktuar nga Adam Smithi dhe i huazuar më vonë nga Marksi. Mbi këtë bazë është krijuar një sistem i gjithë filozofik-politik-arsimor, ku të gjithë duhet të punojnë “për të merituar jetesën” sipas rregullave(ligjeve) të përcaktuar nga më të fuqishmit. Dhe meqënëse një pjesë e mirë e njerëzve (edhe të mirëshkolluarit) i tremben sistemeve të tjera të dështuara ose më konflikt-ndjellëse, pranojnë që kokëulur të fusin familjen e tyre në këtë sistem të ashpër të neoskllavërisë.
Po ku po shpie “paqja e shoqërisë së konsumit”?
Më e dëmshmja është  katastrofa e ardhshme ekologjike. Përsos saj, cilësia e jetës ka rënë dhe njerëzit kalojnë mëse 60-70 orë në javë në punë dhe “trafik”. Nëse në një javë do llogarisim edhe 55 orë gjumë, atëhere mbeten vetëm 40 orë në javë për të ngrënë, larë, shëtitur, lexuar, dëfryer, e të tjera e të tjera. Dhe këtu hyjnë vetëm njerëzit që punojnë pesë ditë në javë dhe në kohë normale. Nuk llogariten miliona që bëjnë nga dy punë për shkak të nevojave ose për të fituar “energji financiare”, që të largohen nga orbita e skllevërve dhe të kalojnë në një orbitë më të lartë. Kuptohet, që edhe nëse nuk do jenë të prekur nga neurozat ose nga sëmundje të tjera mendore, me stresin e orëve të zgjatura në punë, njerëzit do i shijojnë më pak edhe orët e lira.
Por si e përmenda më sipër, të gjithë thuaj se nuk bëjmë aspak për të përcjellë tek fëmijët prirjen për kritikë dhe ndryshimin e këtij sistemi. E bëjmë nga frika dhe nga padija.
Të pakët janë ata që njohin me thellësi sistemin arsimor tek i cili kemi dorëzuar fëmijët.
A është plotësisht një sistem që përgatit “ ushtarë“ apo po t’i referohemi këngës së Pink Floyd, “një tjetër tullë në mur”?
Edhe vetë nuk ju kërkojmë gjë tjetër por vetëm të arrijnë rezultate optimale për tu përgatitur për të ardhmen e tyre si “skëllevër modernë të kualifikuar”. Për t’u “bërë rehat”. Për të realizuar “ëndrrën amerikane”. Për të jetuar më mirë se ne.
Edhe pse thellë vetes e ndjejmë, që nuk duhen inkurajuar për të blerë makina dhe rroba të shtrenjta, se jo vetëm që humbasin cilësinë e të qënit modestë, por mbi të gjitha bëhen robër të konsumit, I cili do ju keqësojë jetën më vonë, nuk jemi në gjendje t’i frenojmë dhe t’ju themi haptas se “nuk është kjo thlbësore në jetë!”
Ku është fundi i kësaj rruge të blerjes së këpucëve 600-700 dollarë, i çantave 2000 dhe 3000 dollarë dhe i makinave mbi 50 mijë? A mund të ketë një fund të mirë një grykësi e tillë, qoftë dhe e arritur me të ardhura jo kriminale?
Ata që kanë në dorë sistemin(shumë herë më shumë se njerëzit e thjeshtë) janë të interesuar për të mbetur i tillë. Dhe këtu nuk hyjnë vetëm miliarderët, por edhe një lukuni me neo-liberalë, familjet mbretërore dhe deri në krerët e partive të ashtuquajtura të majta.

(vijon)

Thursday 4 October 2018

Në ç’pikë të zhvillimit shoqëror jemi?



Nëse flasim për vendet që njohim mirë, ose zenë më shumë vend në media, shoqëria njeëzore ndodhet në një stad shumë delikat të saj. Duket se është në një pikë, kur paqja dhe zhvillimi mund të përmbysen nga ngjarje të padëshërueshme, që mund të dalin në mënyrë të frikshme nga kontrolli i njerëzve dhe institucioneve të ngritura prej tyre.
“Dehja” e shoqërisë nga neoliberaizmi dhe globalizmi i pas Luftës së Ftohtë ka dhënë shenjat e para të “dhembjes së kokës”, “helmimit” dhe “ç’orientimit”. Ndjehen prirjet ndaj një nacionalizmi shkatërrues si ai i fillimit të shekullit të XX-të. Ndjehet domosdoshmëria për tu larguar nga ideologjitë klasike të së majtës dhe të së djathtës. Por mbi të gjitha ndjehet një lloj konfuzioni në qëllimet në jetë dhe dëshirat se si e duam botën tonë dhe shoqërinë njerëzore.
Nëse shkon të rinjtë, të cilët “by design” janë shtresa e shoqërisë, që kërkon ndryshime, të duken të mpirë dhe njëkohësisht të kënaqur.
A është kjo jeta që ëndërrojn?
Një të dashur, rroba të shtrenjta firmash, party në fundjavë me shumë alkol dhe seks dhe kaq?
Punojmë pesë ditë në javë për të gëzuar fundjavën dhe vazhdojmë në këtë mënyrë ciklin deri sa të martohemi. Pa vrarë shumë mendjen se kjo jetë mund të rrezikohet pikërisht nga mpirja dhe indiferenca jonë?
Pa menduar se burimet natyrore kanë një fund dhe ndoshta për fëmijë e fëmijëve do ketë “apokalipsis”?
Mbi të gjithë, në mendjen e një pjese të mirë prej tyre (e kam fjalën për të rinjtë në Amerikën e Veriut), qëndron pasha e kredive të studimeve ose e kredive që do marrin për të pasur një shtëpi dhe një makinë të mirë.
Idea (jo krejt pa bazë) e të jetuarit të çastit duket se mbizotëron jetën e tyre duke i kthyer në “skllevër të çastit”. Pa menduar se si ecën shoqëria, se nga vijnë të mirat material të një vendi dhe nëse mund të rrezikohet paqja e sotme në vendet e zhvilluara.
Pa e futur veten në ata, që mendojnë se fajin e ka politika dhe politikanët, edhe pse I përçmoj pjesën më të madhe të tyre, mendoj se rrënjët e pasigurisë, të një konflikti të madh të mundshëm, të shkatërrimit të ekosistemeve, janë pikërisht në “dorëzimin tonë ndaj neoskllavërisë“.

(vijon)

Sunday 23 September 2018

Variacione mbi një ide të Bashkisë


Eshtë paraqitur si një ide e Bashkisë nga Raqka, por për nga kompleksiteti, novacioni, sofistikimi dhe neurotika e saj duket më shumë  ide e Kryerilindasit Rama, e arkitektit australian Uillson ose kombinim i të dyve.
Eshtë fjala për kompleksin polivalent, që po përfundohet në krah të Katedrales. Eshtë konceptuar si një kryqëzim i Rilindjes Kombëtare me Rilindjen Eurosocialiste. Gjatë një bisede ndërmjet arkitektit të oborrit Pitër me Kryeshefin e oborrit Rama, ky i fundit i kishte përmendur shkrimin e Migjenit “Sokrat i vuejtun apo derr i kënaqun”. Këtë ide vuri në themel të kompleksit Uillson për të krijuar hapësira të përshtatshme për librat – simbole të idealizmit të Rilindjes Kombëtare të shoqëruara me elemen të hedonizmit të Eurosocialistëve. Kështu erdhi trajta e Derrit të Lerosur në Bibliotekën e re.
Ideja u përcoll më poshtë në zinxhirin Peleshi- Filo dhe po detajohet më shumë nga grupi i bashkisë, që merret me kompletimin e projektit.
Polivalenca kreative e kompleksit do shtrihet në disa sektorë të tij. Përveç sektorit bibliobar, të përmendur nga Raqka në një intervistë, që do gërshetojë leximin, vrojtimin dhe pirjen, që do shërbehen nga bibliotebaret, do krijohen edhe disa sektorë - departamente të reja.
Një novacion do jetë sektori i shkrim-botimit në dialekte dhe gjuhë minoritetesh. Në këtë department, autorë nga vendi dhe të huaj do japin leksione mbi shkrimin e veprave në gjuhët e pashkruara arumune, egjiptiane dhe rome. Ideja i ka lindur Peleshit, i cili në gjithë fushatat elektorale ka përdorur këto gjuhë të mësuara me veshë për të vjelë sa më shumë vota. Shoqata e “Ndërtuesve pa kufij” do sponsorizojë edhe shkrimin e veprave teknike në gjuhën purishte (gjuhë e përdorur nga ustallarët ndërtues për të mos i kuptuar të zotët e shtëpisë.)
Departament tjetër do jetë ai i biblio-koreografisë, ku do lexohet nën tingujt e melodive bashëkohore. Librat do sugjerohen nga bibliokubistet, të cilat edhe do kërcejnë mbi kubet përkatës.
Sektori i Galerisë së Arteve do ketë edhe hollin e stripto-pikturës, që do funksionojë pas orës 22.00, vetëm për të rriturit, dhe do drejtohet nga bibliostriptistet dhe bibliostriptistët. Sipas preferencave amatorët e artit do vizatojnë dhe punojnë në telajo modelet gjysëm ose komplet të zhveshur. Në çeljen e Kompleksit mund të pozojë edhe kryeministri Rama dhe ndonjë nga deputetet e PS-së të qarkut të Korçës. Holli mund të funksionojë edhe për festa private të beqarisë, të ardhurat nga të cilat do i kalojnë sektorëve të tjerë kreativë.
Për t’I paraprirë zhvillimeve të reja të paparashikuara deri tani në ligj, do punohet edhe për pregatitjen e bibliotutave dhe bibliozhigolove, ku kërkesë parësore do jetë punësimi i atyre që kanë mbaruar Master dhe që nuk mund të punësohen as në sektorin shtetëror dhe as në atë privat.
Me këto realizime, fitorja e zgjedhjeve të ardhëshme nga ekipi i sotëm i Bashkisë është më se e sigurt. Para ideve inovative që rrjedhin nga lart dhe kompleksohen poshtë të Bashkisë së Korçës, lopata e Lali Erit të komandant Luanit duket më se primitive.
Korça e kulturës mbështetet mbi kulturën dhe e ngre në një stad të “papam” as në Parisin e Madh.
(Flitet edhe për një “Mulli të Kuq” të socialistëve që do ngrihet para Kopshtit Japonez, por ende nuk është gjetur ekipi që do përgatisë kërcimtaret dhe geisha.)

Saturday 22 September 2018

Energjitë pozitive të një grupi pozitiv




Gjithshka bëhet nga të mirët në emër të së mirës. Nga pozitivët për hir të pozitivitetit.
Kjo ishte edhe esenca e dy intervistave të shkurtra të kryetarit Raqkë, i cili megjithëse me një fytyrë të vrerosur përcjell energjitë pozitive të shokut, idhullit, udhëheqësit shpirtëror, Rilindasit Niko Peleshi.
Ishin bajagi të shkurtra dhe më interesoi t’i dëgjoja se flisnin për Qendrën e Korçës.
Kisha dëgjuar deri tani vetëm një intervistë të tij, kur fliste për një libër të poetit Skënder Rusi, një togfjalësh i të cilës nuk më ndahet nga mendja. Raqi citonte Rusin për qytetin tonë në formë zemre dhe me siguri i referoheshe pjesës midis dy bulevardeve , që ka një formë ovale. Edhe pse kisha parë mijra harta të qytetit në shkallë të ndryshme, asnjëherë nuk më kishte shkuar në mendje një krahasim i tilë. Jam munduar ta largoj nga mendja, se krahasimet e formave ovale në planimetri me organet e trupit janë gjithnjë të rrezikshme dhe që nuk i shkojnë as poezisë dhe aq më pak një interviste Kryebashkiaku.
Gjithsesi le t’ju kthehemi intervitstave me “energji pozitive”, ku mbizotëronin fjalët “e re”, “inovative”, “moderne”, “bashkëkohore”, si ngjan shpesh në intervistat e Rilindasve
Ishin për Bashkinë që transferohet tek Biblioteka dhe për pak “franga të qelbta” kthehet në një Bashkie europiane që funksionon sipas konceptit “open hall”, që pak a shumë përkthehet “ eja këtu nëse të është hapur ndonjë hall dhe zgjidhja është e menjëhershme” dhe për Bibliotekën e Re në përfundim të ndërtimit.
Sipas Raqkës,  të gjitha energjitë negative, që sillen rreth e rrotull Pedonales do zhduken si me magji posa të nisë funksionimi i plotë i Bashkisë dhe Bibliotekës. Pak a shumë e gjithë jeta e një njeriu të zakonshëm, i mbytyr deri tani nga hallet do pastrohet brenda Pedonales. Hallet do i zgjidhen paradite (deri në orën 4) në “open hall” mes nëpunësve të sjellshëm e të devotshëm dhe më pas nuk I mbetet asgjë veç të çlirojë energjitë e tij krijuese (Raqka përdor kreative si tërë rilindasit e kënduar) në Kompleksin kulturoro-kreativ të Bibliotekës së Re. Nuk do ketë nevojë as të kthehet në Katedrale për të ndezur ndonjë qiri, se do jetë vetë energji pozive puro.
Aq hollësisht po e mendojnë këtë proces psikologjiko – energjik në Bashki, sa në katin e fundit të Bibliotekës krahas librave, sipas Raqkës do shërbehen edhe pije! Pamja është aq panoramike sa e do edhe pijen. Shiko, lexo dhe pi!
Për herë të parë në botë krijohet edhe profesioni i bibliotebares (profesioni i bibliotekares është konsideruar jo mirëtingëllues). Nuk janë përcaktuar ende detajet se sa pije ke të drejtë të marrësh me një libër dhe nëse duhet të kthesh në fund gotën bashkë me librin. Kuptohet se si çdo gjë që eksperimentohet për herë të parë, do ketë edhe vështirësitë që sjellin befasimet. E gjitha bëhet në kuadrin e lëvizjes “shock of the news” të ideuar para 4 vitesh nga dyshja Uillson –Peleshi.
Aq energji pozitive do çlirohen 6 muajt e parë, sa për të balancuar, do ftohen nihilistë nga i gjithë vendi dhe rajoni për të sjellë kontributin e tyre negativ.
Ah të kishte edhe një ftesë për mua!

Thursday 20 September 2018

Therrmija nga torba e filozofit shetites



Ne trokasim në shurdhëninë arrogante të të fuqishmëve.
Ata i tremben barazisë që sjell vdekja.
Ajo është pragu i fundit ose i nisjes.
Nisja e një projekti të ri është mënyra më e mirë për të justifikuar paaftësinë për të përfunduar gjërat.
Përfundimi nxjerr në pah gjithë pasaktësitë e mendimit fillestar dhe dobësitë e procesit.
Procesi i përngjan jetës me të vetmin ndryshim që është dydimensional.
Tredimensionshi është jo i vështirë për tu perceptuar, por futja e dimensionit të katërt është tronditëse.
Tronditja është një ndjenjë gallëruese për të topiturit.
Të jesh i topitur nga dashuria do të thotë të mos jesh i dashuruar.
Të dashuruarit mund të jenë të tmerruar, por kurrë nuk janë pesimistë.
Pesimizmi thjeshtësohet katërcipërisht, kur përdoret gota gjysëm  e mbushur si spjegim.
Nëse kërkon të spjegosh gjithshka që të del para atëhere ji i sigurt se je në qorrsokak.
Qorrsokaku duhet të jetë në origjinën e shprehjes “T’i biesh murit me kokë!”
Mund t’ju biesh me kokë mureve me materiale të riciklueshme.
Riciklimi është në bazë të filozofisë së jetës edhe pse ne e reduktojmë sot vetëm në fushën e plehrave.
Industria e mbledhjes dhe përpunimit të plehrave është më e lakmuara për grupet mafioze.
Mafien nuk e kemi shpikur ne shqiptarët, por ne nuk kemi shpikur thuajse asgjë.
Asgjëja, hiçi, vakumi, boshllëku edhe pse në dukje janë emra konkretë, janë plotësisht abstraktë.
Të jesh në gjendje të abstragosh do të thotë se ke mundur të ngrihesh mbi nivelin e kafshëve duke qënë i tillë.
The gjë kafshë?

Wednesday 19 September 2018

Fjalë e Vangjush Zikos për Andon Marën


Kete fjale, poeti Vangjush Ziko,e pat mbajtur ne nje tubim perkujtimor rreth shkrimtareve korcare, qe nuk jetonin me. Tubimi eshte mbajtur vitin e pare te mijevjecarit te ri n[ biblioteken e Korces. Babane e lidhte me Vangjushin nje miqesi ne vite, qe karakterizohej nga respekti i dyanshem dhe korrektesia. Me shume dashuri eshte shprehur poeti per Andonin, duke dhene nje portret te plote te tij edhe pse vetem brenda nje segmenti kohor, qe kushtezohej nga natyra e veprimtarise perkujtimore. Po e 
percjell te plote dhe pa asnje ndryshim.

Në këtë sallë bëhen shumë takime dhe flitet e bisedohet për shumë gjëra të bukura e të vyera, po ky takimi i sotëm është aq i veçantë dhe emocionues, sa të bën më shumë të heshtësh se sa të flasësh; ky është një takim ku flet kujtesa, zemra dhe shqisat, që na ka falur krijuesi për të hetuar, zbuluar, dëshmuar, që na bëjnë të krenohemi e të hidhërohemi, aftësi pa të cilat bota dhe jeta njerëzore do të ishte një shkretëtirë e përjetshme. Ky takim ngjan me një përshpirtje që në këto çaste po e bëjmë me fjalën e kujtesën tonë për kolegët, shokët dhe miqtë tanë, në këtë tempull plot vitrina e rafte të ngarkuara nga librat, ku midis tyre janë dhe reliket e talentit dhe të personalitetit të tyre krijues.
Një emër mes tyre është dhe Andon Mara, autori i disa vëllimeve me tregime e novela, i dy libreteve operistike, i disa tekste këngësh; autori i dhjetra e dhjetra reportazheve e intervistave radiofonike.
Andonin si njeri, si zë dhe si emër e kam njohur për herë të parë në vitet 50-të, kur fill pas çlirimit recitonte në një veprimtari kulturore në skenën e kinema “Majestikut” vargjet e Majakovskit. Kaq përshtypje më bëri zëri i tij i plotë e me tone burrërore, sa që pata dëshirë ta imitoja  edhe unë në recitimet e mia shkollore.
Disa muaj më vonë, më 1948, më pranuan në rrethin letrar të shtëpisë së kulturës dhe e dëgjova duke diskutuar rreth një drame të shkruar nga aktori Aleko Skali, ku u ngjall një debat rreth një skene të saj, në të cilën jepej takimi i dy personazheve kryesore në një stacion të metrosë së Korçës; debati u bë rreth mënyrës së pasqyrimit të së ardhmes dhe Andoni theksoi mendimin për një pasqyrim realist dhe jo fantastik të jetës. M’u duk i vendosur dhe i prerë në mendimet e tij.
Në vitin 1949 u zhvillua kampionati i parë i shahut për qytetin. Mua më qëlloi të ulem ballë për ballë në skakierën e shahut me Andonin; ai, tashmë një i ri i burrëruar, gati 30-vjeçar, trupmadh, serioz, i pashëm dhe unë një gjimnazist i imët. Andoni më buzëqeshi me dashamirësi dhe më tha : “Fillojmë!” Unë kisha gurët e bardhë dhe nguroja dhe matesha shumë në lëvizjet. Në një moment më tha: “Mos u huto, se dhe i vogli e mund të madhin.” Dhe qëlloi që kjo profeci e tij, për rastësi, u realizua. Andoni, sigurisht u emocionua dhe nuk i erdhi aspak mirë që u mund, po më zgjati dorën pasi kishte ulur mbretin e tij mbi skakierë dhe më tha: “Të lumtë, më munde”dhe shtoi duke u ngritur”na sill vjershat e tua t’i diskutojmë në rrethin letrar.”
Këto ishin përshtypjet e para të mia për Andonin. Më vonë puna letrare do të na lidhte me një miqësi të vazhdueshme. Që në fillim e admirova për natyrën e tij energjike, për aktivizimin e tij të shumanshëm në jetën kulturore të qytetit dhe për interesat e tij të larmishme në jetë. Kurse me Andonin, si krijues, u njoha për herë të parë duke lexuar tregimin e tij “Helmeta”, botuar në ato vite, i cili tregonte me dhemshuri për një nënë, fill pas lufte, që në një helmetë naziste të shpuar nga plumbi, mbjell e selit borzilokun e parë. Më bëri përshtypje gjetja e goditur, thjeshtësia e fabulës, lakonizmi, ngrohtësia.
Anon Mara nëpërmjet vëllimeve “Ka qënë dikur”, “Shtëpia e xha Milit”, “Brumi i zjarrtë“, “Kapedan Cilja dhe i nipi” dha kontributin e vet në ecurinë e prozës sonë të shkurtër; dha ngjarje dhe karaktere të ndryshme shoqërore; proza e tij dallohet për realizëm në pasqyrimin e botës shqiptare, të njerëzve të shtresave të ndryshme, për stil konçiz, lakonizëm në përshkrim, konkretësi dhe plasticitet, si dhe për gjuhë të pastër. Si libretist, së bashku me mikun e tij Aleko Skali, dha kontributin e vyer në kultivimin e kësaj gjinije letrare, që nuk kishte pasur aspak traditë tek ne; këtë e dëshmon më së miri libreti i operas “Lulja e kujtimit” kompozuar nga Artisti i Popullit Kristo Kono.
Andoni ishte njeri i kompletuar me kulturë dhe erudicion mjaft të gjerë, që e kishte fituar me punën e tij sistematike dhe këmbëngulëse dhe me mundësitë që i jepte njohja e disa gjuhëve të huaja. Shkollën fillore e pat mbaruar në Stamboll, kurse në Korçë ai mbaroi Liceun Kombëtar.
Andonin s’e tërhiqte vetëm letërsia artistike, të cilën e ndiqte dhe e studionte me pasion, po aq e tërhiqte dhe letërsia në përgjithësi, sidomos ai interesohej për traditat kulturore të qytetit në fusha të ndryshme; këtë e dëshmonte jo vetëm biblioteka e tij e pasur personale, por dhe bisedat e tij erudite. Atij i pëlqente edhe kur bënte shëtitjen e tij të zakonshme në bulevardin e Korçës, të bisedonte me miqtë e tij për problem të ndryshme: dhe për gjebërimin, dhe për arkitekturën, dhe për sportin, dhe për teatrin, për hanet e vjetra dhe për zakonet e familjes korçare… Ky bagazh dhe horizont kulturor e bëri Andonin të zerë një vend jo të vogël në jetën kulturore të qytetit duke punuar si një nga drejtorët e parë të bibliotekës dhe më vonë të Radios (Radio-Korçës shënimi im), pastaj për vite me rradh[, deri sa doli në pension, si redaktor i emisioneve kulturoro- letrare të Radios; ai pat qënë nga drejtuesit e parë të rrethit letrar pranë pallatit të kulturës, sekretar i degës së Lidhjes për letërsinë, anëtar i këshillit artistik të teatrit etj.
Andoni ishte jo vetëm një krijues i mirëfilltë, por edhe një dashamirës i pasionuar i artit. Shoku i tij i klasës, zoti Xhuvi Bino, kujton një ndodhi kuptimplotë nga jeta shkollore. Aleks Buda, që u jepte letërsinë, u dha një hartim me temë “Shkruani për një padrejtësi në jetë.”; Andoni shkroi një hartim origjinal. Duke u mbështetur në fabulën e La Fontenit “Gjinkalla dhe miza e dheut”, ai nxirrte deduksionin se nuk duhej dënuar gjinkalla me urinë e bukës, sepse dhe ajo kishte bërë një punë të lavdërueshme – kishte kënduar! Ky deduksion kaq befasues fliste për respektin që kishte ai për artin dhe artistin, që në rini, si dhe për bonsensin e tij prej krijuesi.
Jo më pak i ndjeshëm ishte ai edhe ndaj problemeve shoqërore dhe patriotike. Shoku i tij i klasës tregon gjithashtu, rastin kur ky në një hartim kishte përdorur  emrin e Vestas, hyjnisë së fatit, Andoni i kishte bërë vërejtjen, pse mos përdorte emrin shqip të saj, Fatthëna. Ndjenja të tilla e bënë atë, që bashkë me liceistë të tjerë, të lerë bangot  e shkollës dhe të shkojë në mitingun e Voskopojës e prej andej të dalë partizan e të plagoset në Vithkuq.
Andoni kishte një karakter që dallohej për qëndrueshmëri dhe principialitet. Sinqeriteti i mendimeve i shkaktonte shpesh dhe situate jo të këndshme, bile të vështira, kur ia keqinterpretonin sinqeritetin. I tillë ishte rasti, që I kushtoi në jetën e mëvonshme, kur shfaqi ndjenja miratimi të sinqertë ndaj vërejtjeve që bënte një qytetar në një letër të hapur që i dërgonte Enver Hoxhës, mbi vështirësitë ekonomike të fshatit të asaj kohe. Andonin për këtë e përjashtuan nga partia.
Edhe me shokët e tij të krijimtarisë ai ishte i respektueshëm dhe i sinqertë. Ai përgatitej seriozisht për çdo diskutim krijues, thoshte hapur vlerësimet dhe gjykimet e veta, nuk dinte të bënte vlerësime hipokrite, megjithëse mund t’i zemëroheshin pa të drejtë disa. Me mendimin e tij mund të mos bije dakord, por nuk mund ta akuzoje për mungesë serioziteti, përgatitjeje, apo për ligësi. Ai e respektonte dhe vlerësonte krijimtarinë e shokëve të vjetër apo të rinj dhe vuante përbrenda kur e keqkuptonin, por nuk hiqte dorë nga principialiteti i tij.
Andoni e respektonte miqësinë e sinqertë deri në skrupulozitet, duke shkelur shpesh herë edhe mbi shëndetin e vet. Nuk mund të harroj një veprim të tij, që flet qartë për karakterin e Andonit në këtë drejtim. Ai kishte një javë i sëmurë, pa dalë fare nga shtëpia. Unë i dërgova ftesën e martesës sime. E bëra për respektin që kisha, pa pretenduar aspak ta detyroja të vinte, se e dija gjendjen e tij shëndetsore. Andoni erdhi ditën e dasmës, u u në karrige, mori bonbonen, rakinë nuk e preku (pijet nuk i kishte aspak qejf), uroi i shqetësuar i mbuluar në djersë e doli, duke më lënë në zemër një ndjenjë të ngashëruar, të mbushur me gëzim dhe shqetësim, ndjenjën e një miqësie, që mposht edhe vështirësitë shëndetësore.
Të tillë e mbaj mend unë (dhe jo vetëm unë) Andon Marën, këtë krijues dhe veprimtar të palodhur e të talentuar, këtë njeri me karakter të fortë, këtë mik dhe shok të sinqertë, që bashkë me shokët e tjerë, për të cilët po flitet me respekt në këtë tubim, plotësojnë portretin individual dhe kolektiv të krijuesit të qytetit tonë. I kujtojmë ata shpesh apo rrallë, por një gjë është e vërtetë : ata nuk duhet t’i harrojmë, sepse, pavarësisht se ata ikën para nesh, ata mbeten midis nesh personazhe të skenës krijuese e kulturore korçare e më gjerë. Ata e kanë merituar prej kohe këtë homazh modest, që po u bëjmë sot. Ky është një nderim jo vetëm për ta, por edhe një nder i madh për ne, që i kujtojmë, për Klubin e Shkrimtarëve “Bota e Re” dhe, në mënyrë të veçantë për presidentin Vangjush Mile kaq bujar e kaq të njerëzishëm, aq të përkushtuar e të pakursyer për kulturën e qytetit tonë.

Monday 17 September 2018

Bret Kavanaugh dhe lëvizja “Me too”




Këto ditë, në mediat amerikane ka shumë diskutime rreth një akuze ndaj kandidatit për në Gjykatën e Lartë amerikane Bret Kavanaugh. Një doktoreshë e respektuar e akuzon gjykatësin se pas një party në vitin 1982, ai i dehur ka dashur ta përdhunojë. Gjykatësi ishte 17 vjeç ndërsa doktoresha 15.
Në jjë sens mjaft pozitiv, lëvizja “Me too” ka krijuar një klimë mjaft të mirë për femrat, që të denoncojnë se në vendet e punës abuzohen nga bosat e tyre ose ju kërkohet që nëse duhet të bëjnë karrierë duhet të flenë me ta. Kjo vërtet është një problem i madh për shoqëritë e përparuara perëndimore, të cilat ende sundohen nga burrat.
Por a ka një lloj kufiri trajtimi i gjithë këtyre ngjarje shumë delikate, shpesh kriminale, kur sjelljet, sinjalet, dëshirat, gjykimet janë jo vetëm shumë të ndryshme, por shpesh herë të turbulluara nga pasionet e moshës apo efektet e alkolit?
A duhet gjykuar qoftë moralisht, një njeri për diçka që ka bërë kur ka qënë adoleshent?
Problemi është tejet i koklavitur, sidomos se përfshin dëme psikologjike(shpesh të pashlyeshme) në viktimat, por edhe se hap rrugë për të akuzuar këdo për gjithshka që mund të ketë qënë shumë më e ndryshme në kohën kur ka ndodhur, ose edhe nëse ka ndodhur, njeriu në fjalë është tërësisht i ndryshuar.
Raporti mes dy adoleshentëve gjatë një party, ku mund ose dhe jo, të jetë konsumuar alkol është diçka që nuk mund të përcaktohet qartë as nga “shkencat” e sjelljes (behavioural sciences). Të rinjtë mund të pëlqejnë njëri tjetrin, por ajo çka merret si sinjal dëshire nga mashkulli mund të jetënjë shenjë e thjeshtë flirtimi nga vajza. Fjalët që këmbehen, shpesh herë me dy kuptime, mund të krijojnë ide nga më të ndryshmet në kokat përkatëse. Gjithashtu shoqëria ende nuk ka përcaktuar dhe s’mund të përcaktojë kufij se cila është ‘gjuha e prekjeve” dhe nëse një kontakt trupor nga vajza nënkupton se është e gatshme për të vazhduar një ‘proces dashuror të plotë‘ etj. Mund të shkohet në argumenta të pafundme  se si kanë rrjedhur komunikimet gjatë disa orëve mes dy të rinjve. Kuptimi i tyre edhe nga të pranishmit mund të jetë nga më të ndryshmit. Askush nuk di dhe nuk ka të drejtë të thotë me saktësi se “ishte faji i tij ose i saj”.
Shoqëria, për shkak të rrënjëve të thella maskiliste, ka prirje t’ju japë të drejtë djemve, por nuk duhet të jetë kështu.
Veprimet seksuale(ku nuk futet vetëm intercourse) duhet të jenë domosdoshmërisht të pranuara nga të dy. Një “Jo”, sidomos e përsëritur, nuk ka se pse të “përkthehet” si “naze”. “Jo” është gjithmonë “Jo”.
Një përdhunim mund të harrohet shumë shpejt nga ai që e ka kryer(ka raste të rralla kur e bëjnë edhe femrat). Nuk ka shembuj kur ndjenja e fajit e ndjek për tërë jetën përdhunuesin. Por viktimat e përdhunimeve, sidomos në mosha fare të reja, ose kur humbin virgjërinë, traumatizohen rëndë psikologjikisht.
Ndaj detyra e shoqërisë është të parandalojë sa më tepër që të jetë e mundur ngjarje të tilla. Kjo edhe duke ja u kujtuar në një të ardhme, për t’ju dhënë adoleshentëve mesazhin, që çka është sjellje kriminale nuk mund të shkojë pa u ndëshkuar nga shoqëria.
A mund të ketë edhe akuza të pabaza, që mund të shkatërrojnë karriera dhe jetë njerëzish?
Edhe mundet. E megjithatë, një karrierë e dëmtuar nuk mund të barazohet kurrë më “shkatërrimin psikologjik” të një vajze, e cila pas përdhunimit nuk mund të jetë kurrë si më parë.

Sunday 16 September 2018

Alketi dhe Nela (pjese)

(vijim)

“Po mua do më afrohesh tani?”
“Jo. Nuk dua. Më duket se më do vetëm për karrierën tënde.”
“Karrierat tona janë të lidhura. Po qe se do transferohem në ministri për ty do gjej një vend në një ambasadë.”
“…hmmm…në ambasadë? Po ç’do bëj atje? Unë nuk di ndonjë gjuhë të huaj.”
“Nela, Nela…Po pse ti kujton se tërë punonjësit tanë atje dinë gjuhë të huaja…Pastaj një kurs mund ta nisësh që tani. Ndoshta mund ta mendojmë si kombinim brenda operacionit dhe mëson italisht me profesor London.”
“Po pse në Itali mendon ti që është vendi më i mirë?”
“Në Itali ka më shumë mundësi edhe për mua të vij. Atje kemi qendrën e kontakteve për gjithë Europën. meqënëse është edhe Vatikani dhe ka shumë për të gjurmuar.”
“Vatikani? Po ç’punë ka Sigurimi me Vatikanin. “
“Ah Nela Nela, sa gjëra duhet të të mësoj. Agjenturat kryesore janë në lidhje me Vatikanin. Atje të çojnë tërë fijet. Nuk e ke dëgjuar shprehjen “të gjitha rrrugët të shpien në Romë.”
“E kam dëgjuar, por mendoja se ishte nga ndonjë film. Unë vdes për filma Italianë.”
“Atje do shikosh sa të duash. Do jenë pjesë e punës. Shumë takime me agjentëtë tanë realizohen në kinema gjatë shfaqjes së filmave.”
“Ah sa emocionale! Ti mendon se duhet të filloj menjëherë kursin? Të ble metodat?”
“Në fillim duhet të lidhesh prapë me Terin. Atij do  kërkosh të të ndihmojë të fillosh mësimet me profesor London. Dhe kështu me një gur ne vrasim tre zogj. Thellojmë ndërhyrjen në celulën Londo - Teri në bazë të operacionit “Mësimi i italishtes”, punojmë për ngritjen ideo-profesionale të kuadrit “Sirena”, që je ti dhe njëkohësisht shpiem në një nivel të ri dashurinë tonë.”
“Inteligjenca ka qënë ajo me të cilën ke bërë për vete Nelan?”
“Ah sa të dëshëroj! C’ke veshur sot poshtë?”
“Të brendshmet e jashtme që pëlqen ti.”

(vijon)

Friday 14 September 2018

Ceshtja e gruas te shokut Bardhi (pjese)


* * *

“Alket ti nuk e do Nelan! Të gjithë e kanë marrë vesh, që shoku Bardhi ka shkuar në shtëpinë e shokut Asim dhe e ka kërcënuar me pistoletë. Të ma thonë të tjerët e un[ mos di asgjë?! Ky është kulmi!”
“Janë fjalë. Fjalë që i përhap armiku. Asgjë nuk ka ndodhur mes shokëve Bardhi dhe Asim!”
“Posi! Prandaj ka ardhur gjithë ai grup nga Komiteti Qëndror?! Nuk do të më tregosh?”
“Shiko, se është një gjë. Unë dua të të tregoj ato që janë të provuara. Eshtë në natyrën time edhe si jurist, por dhe si anëtar partie me një stazh të admirueshëm, që mos flas kot. Të gjitha këto thashetheme të dënueshme janë hapur se gruaja e shokut Bardhi është shumë e bukur.”
“Ti më ke thënë që shoku Asim e pëlqen të bukurën?! Apo ke harruar?”
“Eshtë e vërtetë…por një marëdhënie me drejtoreshën e Shtëpisë së Pionierit, që për më tepër është bashkëshortja e shokut Bardhi, as që diskutohet.”
“Domethënë shoku Asim mund të bëjë dashuri me Nelan, por jo me Zelan e shokut Bardhi? Po pse unë mos jam ndonjë ordinere?!”
“C’e ke këtë fjalë Nela ime! Si mund të më shkojë ndërmend të të quaj ordinere?”
“Ti vetë më the , që shoku Asim më shikonte gjithë epsh kur diskutoja në Pleniumin e Rrethit? Harrove?!”
“…Tjetër gjë të thuash se të shikonte dhe tjetër është marëdhënia. Dhe unë nuk zura në gojë epsh.”
“E njëjta gjë është. Pse mua më shikon dhe gruan e shokut Bardhi jo. Këmbehen edhe për ditë kur shkojnë në punë. I ruan nderin shoqes Zela apo shokut Bardhi ai?”
“Nela duhet të kuptosh disa gjëra, të cilat kanë më shumë të bëjnë me devotshmërinë ndaj idealit dhe jo me çështjet e nderit. Në këtë rast vetë karriera dhe ideali do bëheshin pengesë për një marëdhënie të verbër.”
“ I ka shkuar në shtëpi me pistoletë në dorë shoku Bardhi apo jo? Këtë më thuaj!”
“Ne jemi në organizata të ndryshme bazë, por nëse do kishte ndodhur diçka si kjo që thua ti Partia do më njoftonte. Pozicioni im është kyç.”
“Ti do vije me Zelan po të të thoshte?”
“…Pyetja nuk është e ndërtuar mirë. Zela nuk është thjesht Zela, por edhe gruaja e shokut Bardhi. Një ndërlikim i tillë i situatës hipotetike, sigurisht që do më vinte në një pozicion tepër të vështirë.”
“Do i theshe po apo jo, këtë dua të di?”- ngriti zërin Nela.
“Nuk ka situatë të tilla. Eshtë i gjithi një proces dhe jo një pyetje përgjigje. Asnjë femër nuk të thotë drejtpërdrejt do vish me mua. Ti i hedh shikime, ajo të le t’i kuptosh që diçka i pëlqen, pastaj ti hedh një hap përpara, një proces i tërë. Si ndodhi me ne të dy.”
“Ku e di ti që ky proces nuk ka ndodhur me Asimin dhe Zelan?  E ve dot dorën në zjarr?”
“Partia na ka mësuar që për asgjë mos vemë dorën në zjarr. Sidomos në profilin tonë, ku vigjilenca dhe verifikimi i fakteve është në bazë të aksionit prioritar.”- tha i vendosur Alketi dhe provoi ta afronte ndaj vetes, por Nela e shtyu pa shumë ceremoni.
“Nelas po i ik rinia me përkushtimin ndaj çështjes së Parisë dhe të Armës së Sigurimit dhe ky është shpërblimi që marr. Sekretet më të mëdha nuk më thuhen. I tërë qyteti flet dhe Nelan e trajtojnë si të rëndomtë.”
“E ke shumë gabim. Ti e di që unë t’i kam treguar të tëra edhe ato që janë sekrete shtetërore…E takove Terin?”
“Jo dhe nuk kam ndërmend ta takoj. Më duket se vetëm për të marrë informacione më thërret këtu.”
“Nuk është e vërtetë. Ti e di dobësinë që kam për ty edhe pse në detyrën që kam nuk duhet lejuar dobësia. Por ky operacion është më i rëndësishmi. Cdo gjë për të ardhmen tënde dhe time do varet nga suksesi i tij.”
“Nuk mund të them nëse do i afrohem atij cungu.”

(vijon)

Wednesday 12 September 2018

Takimi me Terin (pjese)

* * *

Biseda për Terin ishte më e vështirë se e pata pritur. Ivi nuk foli fare kurse Ziku mundohej të bënte shaka, por edhe ai heshti më pas. U munduam të kujtoni bisedat e fundit që kishim bërë me të, por askush nuk kujtonte se kur kishte qënë hera e fundit që e kishim takuar. Gati sa nuk thoshim se ai kishte hyrë vetë në një moçal, që po e thithte ngadalë dhe nuk mund ta shpëtonim dot. Ai ishte ndryshuar aq shumë sa thuajse nuk ishte më Teri që njihnim. Por si mund ta linim fillikat të vetëm, në ecejaket e tij tek Londoja dhe tek të tjerë pleq të krisur? Kundër tij ishin të gjithë. Thuajse të gjithë. Të gjithë që flisnin. Gojëkyçurit nuk e mbronin dot. Le që as i dinim se sa ishin. Kishim frikë të mendonim se shumë njerëz ishin kundër “këtyre”. Për më tepër mes “këtyre” ishte edhe i jati i Zikut, dajoja im dhe dhjetra të afërm tanët. Ne nuk hynim as tek gojëkyçurit dhe as tek “këta”. Por jo se dinim ndonjë gjë më shumë, vetëm se nuk na pëlqenin muret. “Muret që kanë edhe veshë“ – tha Ivi një çast dhe pamë përreth ëmbëltores. Në tavolinë pranë ishte një çift të rinjsh që hanin me sytë ulur xupat, kurse në një tjetër, pranë vetratave, Tomi i trashë i autoambulancës fliste me zë të lartë me një burrë të moshuar. Nuk dukej se na i vinte veshin kush ndaj vazhduam për Terin. Nuk mund të flisnim për gjë tjetër.
Një çast më vonë Ivi hodhi idenë se mbase duhej të flisnim me Nelan. Sipas tij ajo ende e deshte Terin, se një ditë kur ishin takuar nuk ja lëshonte dorën. Ne e kundërshtuam duke i thënë se shtrëngimi i gjatë i dorës nuk kishte pse të bënte me Terin dhe se ndoshta Nela kishte diçka për të, por Ivi këmbënguli duke thënë se për atë gjë ishte i sigurt se e pranishme kishte qënë edhe e fejuara e tij. Për më tepër ajo ja kishte shtënë në mendje, që e zgjatura e pazakontë e shtrëngimit të dorës kishte të bënte vetëm e vetëm me Terin. Ziku zhvilloi më tej idenë e një takimi të njërit nga ne me Nelan. Mu duk që të tre po përpiqeshim ta shtynim larg vetes përballjen me Terin. “Do e takoj vetë“ – ju thashë.
“Kaq e kishit stinën e mjaltit o?” u dëgjua Tomi i trashë nga fundi i ëmbëltores. “Ja u ngritët barkun grave dhe i plasët në shtëpi tani? Po mirë ju të dy, po dhe ky nipi i Jordanit që është i fejuar akoma, edhe ky nuk e nxjerr?”
I buzëqeshëm Tomit që na shihte i kënaqur, se na kishte prekur aty ku duhej dhe u ngritëm të dilnim.
Atë mbrëmje shkova në shtëpinë e Terit dhe e mora të dilnim. I thashë për bisedën me operativin, por mu duk po aq i mpirë sa në fillimin e bisedës. Shkarrazi përmendi se kishte dyshuar se dikush e ndiqte, por nuk i bëhej vonë, se nuk po bënte asgjë kundër qeverisë. Edhe mua nuk dinte ç’të më tregonte. Cdo gjë sillej rreth gjuhës shqipe dhe gjuha nuk kishte asnjë lidhje me politikën. I kujtova se edhe mund ta arrestonin, se kishte ndodhur që kishin arrestuar edhe të pafajshëm, por nuk u trondit. Dukej i sigurt në ato që i kalonin nëpër mendje në ato çaste dhe që ishin aq të pakuptueshme për mua. Nuk më dukej as i
 rrjedhur. Vetëm thellësisht i ndryshuar. Pakuptueshmërisht i ndryshuar. Profesor London nuk e zumë në gojë. As Nelan. U ndava me të më i turbullt se më parë. Dukej që nuk mund ta ndihja dot. Do më duhej të prisja me ankth javët deri sa ta arrestonin.

(vijon)

Sunday 9 September 2018

Nela (pjese)

* * *


“Kjo bazë është e sigurt? Nela nuk do të përflitet.”
“Vetëm unë dhe shoku Asim jemi në dijeni.”
“E di shoku Asim për ne?”
“ Si mund t’i them për një bukuri si ti?! Ai do çmendet. E vura re si të përpinte me sy kur diskutoje në Pleniumin e Rrethit. Shoku Asim e pëlqen të bukurën?”
“Ka fjalë se ka shumë shoqëri me gruan e shokut Bardhi. E vërtetë është? Nela bëhet kureshtare. Mos ma verë re se kështu e kemi ne femrat.”
“Oh Nela sa e bukur je! Më jep një puthje dhe le të harrojmë shokët Asim dhe Bardhi!”
“Nuk m’u përgjigje i djallëzuar…” buzëqeshi Nela dhe u mundua t’i largohej dorës së mashkullit, që po mundohej t’i ngrinte petkun. “Duro i paduruar” dhe lëshoi një hargalisje të lehtë dhe ndjellëse. Nën kryetari i Degës së Punëve të Brendëshme, oficeri Alket u josh më tepër nga e qeshura e saj dhe u mundua ta mbante mes vetes dhe murit të dhomës. Ishte një apartament thuajse i zbrazur, që përdorej për takime me bashkëpuntorët me rëndësi. Në dhomën e gjumit kishte vetëm një shtrat metalik dhe një komodinë me një tavëll duhani sipër. Nga jashtë nuk vinte asnjë fije drite. Nela mbylli sytë si për të mos parë më dhomën e zbrazët dhe e lejoi ta puthte në qafë. Duart e nënkryetarit futeshin gjithnjë e më poshtë teshave deri sa përfunduan brenda të mbathurave të saj dhe ajo e shtyu.
“Prit t’i heq ato që nuk duhen” – tha pa i hapur sytë dhe filloi të hiqte petkun e më pas çorapet e holla të mbajtura lart pas këmbëve me lastika rrethore. Ai nuk ja ndau sytë mbathjeve të mëndashta, të cilat ishin aq të rralla. “Ndonjë i dashur që del jashtë do ja ketë sjellë.“ mendoi duke përmbajtur ngutjen për t’ja shkulur nga ku ndodheshin e t’i flakte larg për të puthur me epsh ç’ka ndodhej brenda tyre. Shkëlqimi I të bardhës së tyre po e tërbonte sa nuk vuri re që ajo po hiqte me kujdes një qesezë të linjtë të varur në qafë dhe që rrinte më poshtë se sytjenat. E lëshoi me shumë kujdes mbi komodinë. Brenda saj ishte tesera e partisë. Mund t’i kushtonte gjithshka po ta humbte. Ashtu, gjysëm e zhveshur u shtri në shpinë në shtrat dhe Alketi nxitoi ta përfshinte mes krahëve pa hequr as këmishën. Tesera e tij ishte e sigurt, në një xhep të qepur brenda kanatieres.
“Oh sa i nxituar je!’ e qortoi ajo lehtë duke u munduar t’i hiqte këmishën ndërsa ai s’mendonte gjë tjetër veç shkuljes së mbathjeve të mëndafshta me atë shkëlqim zbardhëllues, që e torturonte.
Disa minuta më pas gjithshka kishte përfunduar. Ajo vazhdonte të rrinte shtrirë në shpinë me sytë e mbyllur dhe gjymtyrët e lëshuara. I penduar për ngutjen, Alketi mendonte nëse duhej t’i thoshte që tani për Terin apo të priste pasi të vishej.
“Partia dhe ne kemi shumë besim tek ti Nela!”- ha ai serioz dhe vuri re, që ajo mori qesezën me kordon nga komodina dhe e vari në qafë. Pastaj hdhi mbi trup mbulesën e krevatit.
“Krahas detyrave që të janë ngarkuar do kesh edhe një detyrë të re shumë të rëndësishme… Duhet të afrohesh përsëri me Terin!”
“Nuk e bën dot Nela këtë. Nuk e shikoj dot më atë fytyrë!”
“ Ne të kuptojmë, por interesat e partisë dhe popullit duhet të vihen mbi interesat tona personale. Mund të zbulojmë një veprimtari tepër armiqësore. Kemi dyshime që ai është përfshirë në një rrjet agjenturor shumë të rrezikshëm…Nuk mund t’ja besojmë njeriu tjetër!”
“Dhe ç’duhet të bëj. Muajt e fundit para se të ndaheshim ai nuk ktregonte asnjë interes për mua?”
“Kemi besim se do e bësh për vete. Tërë burrat lenë kokën për ty. Duhet ta takosh dhe t’I thuash që nuk jeton dot pa të…Hajde se di ti Nela sit a bësh për vete!”
E reja ziente përbrenda, por e dinte që kundërshtimi do ishte I kotë. Ishte në mëdyshje nëse duhej të vinte në trup përsëri mbathjet e mëndafshta para se të theshte “po” apo të merrte përsipër detyrën e re, ashtu e zhveshur nën mbulesën e shtratit metalik në atë dhomë të zbrazët.


(vijon)

Friday 7 September 2018

Nje nate si te tjerat e Londos (pjese)

(vijim)


“Sytë më lanë fare. Jam ligsht në këmbët. E duart më mpihen. Kockë, lëkurë e damarë mbetur. Mbi damarë rri. Udhëdalje nuk gjënj. Shpirtin ma shpraznë. Ndaj dhe kumbon i gjithi. Vetëm zë në një amforë të shprazët. Tingull në një lëkurë të tharrë capi. Lirë me fije mendsh të nderura. Jam vetëm zë. Zësi jam. Jehonë e vojtjes. Shpirt i firuar. Në vajtim. Qysh ma gjetnë? Fellë e kisha mçehur. Sa fellë hynë. Sa fellë.
 Djelmtë m’i ndoqnë. Të hijshmit djem. A më deshnë sa i desha? Jam Akili pa Patroklin dhe pa vajtim jam. Ku ta ndez zjarrë? C’të djeg në të? Nëneja thoshte se i vogël si zjarri isha. Si shpuza. Era më ndizte e nuk shuhesha. E gjora nëne. Kërcureja. Nuk e kapërcente dot të mos martonesha. Për një nip ishte e dëshëruar. Oxhaku i Londove. Unë jeshe zjarri pa oxhak. I marrosuri zjarr i brigjeve. Zjarri që zhurriti nënen. Kërcuren.
Jam martuar me Shqipërinë i thoja. E gënjeja nënezezën. Kur e ndjeu u mpak. Si eshi u mblodh. E mpakët iku.
Nuk i dëfteja dot. Gjindja do ja thonë mejtonja. Gjindja qeshej. Të gjorët ata. Nuk ndajnë dot flligshtinë nga dashja. E deshja njerinë. Edhe vashat edhe djelmtë. Jo sythat dhe gonxhetë. Lulet e rritura deshja. E shpifarakët shpifnin. Kur u ndërmënda se rreth nuk ishnë mbletët po grerat shkuar kishte emri. Ishte zhbërë. Me djelmosha të vegjël nakatoset theshnë. Nuk e durojti dot nëneja.
Të përtejmit nuk duken. Presnë të kthjellonet. Kur shpresa mu hump doli Teri. I mahnitur është edhe pas një moti. Moti i shpresës fellë fshehur. Sa u mbodhisnë! Dyzetekatër mote. Dhe tridhjetedy të mërdhitur. Tridhjetedy të shkretë të pjekurisë seme. E nuk mundshë të zbres në ato udhë kujtimtare. C’mjaltë të mbledh në to. Shafran janë. Baltë e Vloçishtit dhe kurme pa dëshira. Buzë të dëshëruara për një cingar. Të dëshëruara për helm. Buzë të dregosura që nuk puthnë. As u njomnë. Ato mot i prisja. Kur gjëmonte e vetëtinte Mali i Thatë. Thoshnja tani do zbresnë. Vojtkat të shuanin. Të sillnin flakëzën e mirësisë.
Teri i mahnitur është. Mbeson në të tëra. Vetëm gojnë të hap. As vashat nuku sodit më. Në të rit kjo s’është e mirë gjë. Përtej nuk dimë ç’ka. E t’ja thom nuk jam thom dot. Pa gjumë do ta lë dhe prehje nuk do ketë. Dhe i pagjumi gjumin të tjerëve ju prish. E shpirtnë mund t’ja vrasnë. E mund të ndjejë llaftarë e gjëkafshë të bëjë. Këta të syrgjynosin për hiç gjëkafshë. Lipset të ritë t’ja mproj…”


(vijon)

Wednesday 5 September 2018

Raporti i "Verdhashit" (pjese)

(vijim)

* * *

Raport rreth ngjarjeve të datës 14 të muajit në vazhdim në shtëpinë e Subjektit 1

Në orën 18.00 në muzg fillova detyrën për njekjen e ngjarjeve në shtëpinë e Subjektit 1 në përpunim. Mendoj që Subjekti 1 ishte në dhomën ku rri edhe pse nuk shikohej gjë për shkak se drita nuk ishte e hapur. Më 18.30 ndezi radion dhe dëgjoi lajmet në stacionin Italian. Mërmëriste me vete po nuk kuptoheshin fjalët. Më 19 e 10 ra zilja dhe Subjekti 1 hapi derën me sistemin me tel mekanik nga brenda. Hyri Subjekti 3.
Subjekti 1 nisi të tregonte për një vizitor të një nate më parë. Nga ndjekja në vazhdim e shtëpisë të Subjektit 1 nuk është konstatuar të hyjë njeri, por nuk përjashtohet mundësia të ketë përdorur ndonjë hyrje të fshehtë.
Subjekti 1 e quan në bisedë herë “Etoreja” dhe herë “Majorana” dhe tregon se biseda bëhej në italisht. Nuk kuptohet se si Subjektit 1 i ishte kthyer shikimi, kur dihet që prej vitesh është i verbër.
Më vonë Subjekti 1 i dha  një letër që “Etoreja” ose “Majorana” i kishte dhënë natën e kaluar Subjektit 3. Ky e lexoi me zë të lartë që ta dëgjonte edhe Subjekti 1 dhe përmbajtja ishte “voks populi voks dei” që Subjekti 1 e përktheu  “Zëri i popullit është zëri i perëndisë“. Nuk ishte fjala për organin e Komitetit Qëndror “Zëri i Popullit” se pasi subjekti 3 shprehu hamëndjen e tij u kundërshtua nga Subjekti 1. Mund të jetë edhe shprehje me dy kuptime.
Subjekti 3 shprehu dyshime nëse vizitori i spiunazhit Italian kishte sjellë vërtet letrën apo e kishte sjellë tjetër njeri po Subjekti 1 këmbënguli që në shtëpi dhe në dhomë hyn vetëm Subjekti 2.
Subjekti 1 bëri një spjegim për fjalën “pellazg”, por për shak të anës pozicionale jo shumë të qëndrueshme në pemë nuk u arrit i gjithë zbërthimi të identifikohej plotësisht. Kishte lidhje me grekët dhe me pjelljen edhe me dheun. Nuk u kuptua lidhja e vizitorit Italian me agjenturën greke. Vetëm u përmend që italiani e kishte nënën arbëreshe. Subjekti 3 e pyeti për lidhjen me Institutin por nuk sqaroi se cili Institut ishte, kurse Subjekti 1 tha që ata (të Institutit) kanë frikë. Nga biseda të mëparshme nuk është konstatuar ndonjë lidhje me Institutin Bujqësor. Pastaj Subjekti 1 tha “në burim është e vërteta”. Emri i burimit dhe vendi nuk u tha. Dukej që Subjekti 3 kishte dijeni për burimin, se më pas tha që pas 43 vjetësh do vijnë “ata”, pa përcaktuar cilët. Mund të bëhej fjalë për anglezët ose për sovjetikët, se për amerikanët shtoi se kanë dijeni për “ata”. Të dy subjektet duhet të jenë në dijeni të vendit të takimit me “ata”, se Subjekti 1 tha që “rrugën na i kanë rrëfyer”.
Pastaj folën për dy disqe floriri të amerikanëve që janë një vend që quhej “ajxhëri 1”, por që nuk është shumë i sigurt, se dëgjimi atë kohë u bë i zorshëm për shkak të erës së fortë. Nuk ishte e qartë kush ja u kishte dhënë disqet amerikanëve dhe nëse ishin të kohës së Turqisë apo të Zogut.
Për shkak të kërcitjes së fortë të degëve të pemës nuk u dëgjua mirë pjesa e fundit e bisedës. U përmënd një kaike dhe një palë ky]e nga Subjekti 1 por nuk u kuptua as se ku ishte kaikeja dhe përse duheshin ky]et. Më vonë pati mbi një ]erek ore qetësi të plotë dhe më vonë Subjekti 3 u largua nga baza në shqyrtim.
Dy orë më vonë gjykuam që kqyrja të ndërpritej se Subjekti 1 shkoi në dhomën e gjumit.

Anëtari I Grupit të Bashkuar Vullnetar

“Verdhashi” d.v.

(vijon)

Tuesday 4 September 2018

Vox Populi, Vox Dei (pjese)

(vijim)

“Prëmë mu faneps Etoreja. Në ëndërr jesha ose nuk jesha. Kishje pengim. Deshnja ta qafoja. Ai kishte mbetur i ri. Nuk fliste po më shihte thellë në zëmbër. Ku ke qënë e pyeta italisht. I shpuri sytë lart në qiejt mbi këtë qiellin që shohmë. Pastaj më bëri shënjëzë ta ndiqja. Nuk çapitesha dot. Kishje pengim. Po sytë mu patën ngëthyer. Ja shëkonja palltonë e ngrënë në kindat. Capitej zbathur. U përpoqa ta ndjek. U hump në mjegullën. Nga kind i palltosë kjo kartë i ra.” Profesor Londoja nxorri nga xhepi i rrobëdhomës një letër të palosur dhe ja zgjati.
“Eshtë latinisht. Vox populi, Vox Dei. C’kuptim ka?”
“ Zëri i popullit është zëri i Perëndisë. Në gjuhën tënë janë të tëra. Aty lipset të gjejmë Krijonjësin.”
“…Zëri i popullit. Po gazetës pse i kanë vënë këtë emër?”
“Nuk janë të urtë.”
“Profesor vërtet kjo pusullë i ra Majoranës? Mos e ka hedhur kush tjetër dhe ashtu të ngjan?”
“Në odë nuk hyn njeri përpos Frosës. Ka qënë këtu. Nuk ishte vegim.”
“Dhe ti thua që i ka rënë apo ka dashur vetë?”
“Për një qëllim të lartër e ka lënë. Vjen nga shumë lart.”
“Ti thua ishte i ri.”
“Ishte i urtë. Shkuar ka në të përtejmen në të fshehta udhë. Nxinte shpejt. Nënën e kishte arbëreshe.”
“Edhe?”
“Të perëndive gjuhë flasmë. Këtë na thotë e këtë lipset të bëjmë. Jo më kot pellazgë jemi. Të parët që muarmë fjalën nga buzë e Perëndive. Pell – as – ge. Ne ishim. Jemi. Do jemi. Pell është e moçme për pjell, i pjellë, i dalë…as si në gegnishte asht, është e toskërishtes…ge ishte dhe, dheu, toka, mëmëdheu, që grekët nuk e thoshnin dot dhe e ndrruan në ge, që e përdornë për geo, gjeo. Pjell asht dheut. I dalë nga dheu. I përhershëm. I këtushëm. I pari. Pellasge.”
“Ja u ke thënë atyre të Institutit?”
“Tremben prej shqiptarizmës së kulluar.”
“Dhe e gjitha ka ardhur përtejmi?”
“Afërmëndsh.”
“E ç’mund të bëj unë?”
“Këndo, nxë prej të moçmëve. Në burim është e vërteta.”
“Ata do vijnë pas dyzetetre vjetësh? Po sikur mos jem as unë?”
“Udhën na e kanë rrëfyer. Lëfto përdhosjen!”
“Amerikanët duhet të dinë diçka për ta. Në Vuajaxhër 1 kanë vënë dy disqe floriri me shënja dhe tinguj të kësaj bote. Duan t’ju tregojnë gjëra, që tashmë ata i dinë?”
“I dëgjova. Si të nisësh një kaike në oqean e të shpresonjsh se do gjenjë tokë të re. Të mefshtët! E përtejmja është më afër. Ata kanë kyçet e Gjithësisë.”
“Pra çdo gjë që shohim nuk është sikundër e shikojmë?”
“Nuk e shkoklavitim dot. Këtë më thoshte Etoreja.”

(vijon)

Monday 3 September 2018

Monologu i Froses (pjese)

* * *
“Profesor është bërë qameti jashtë. Në të tërë shkollat kanë shkrojtur kundër qeverisë dhe Enverit. Me një bojë që nuk lahet. Të vdesë partia bashkë me Enverin kanë shkruar…ja kanë bërë për ditlindjen. Ca thonë e kanë bërë grekët. Kishin parë drita në qiell mbrëmë. Edhe desantë kanë zbritur. Pastaj ikën siç erdhën. Nga kjo bojë nuk ishte parë ndonjëherë. Bojë zjarri. Unë nuk dola tërë ditën. Se ç’më duhet mua. S’kam kalamanj në shkollë. Për kalamanjtë e kanë bërë se pse do shkruanin mureve të shkollave. T’i kthejnë kundër Enverit. Do fillojnë arrestimet prapë. Se pa patur mbështetje nga brenda nuk bëhet thanë. Shkollat i mbyllën. Tërë komunalja po punon të lyejë muret se boja nuk lahet. C’bojë të jetë kjo? Bojë zjarri thanë. Nuk ishim dëgjuar të këtillë. Edhe shkronjat ishin të tëra njëlloj…si me stampë. E kishin gjetur natën që kishte herë dhe pa hënzë. Po dritat në qiell i kishin parë njerëzit. Tani do vinë të na pyesin neve që ngrihemi të parët për qumësht. Si atë vit, që doli ai grupi i marmallatës. E mban mend? Ishin ata që ju zinin gojën me pako me marmallatë grave të turnit të tretë. Po unë nuk kisha parë dhe as kisha dëgjuar gjë. Zinin gra të reja. Mua më merrnin të keqen! Tani as kam parë dhe as kam dëgjuar se kjo është edhe me politikë. Të marmallatës ishin ordinerë thanë atëhere. Këta me siguri që janë desantë. Pse ç’ishin ato drita në qiell?! Fishekzjarre tani nuk hedhin më. Për ditlindjen e Enverit e kanë bërë. Edhe Zogut i bënë atentat atëhere për ditlindje. Gjithnjë zarare bëhen për ditlindje. Mirë bëjnë që nuk i festojnë ditlindjet e grave. Kasapahanë do ishte bërë po t’i bënin. Gratë tërbohen kur plaken. Sherre do ketë. Ja në datlindjen e këtij të madhit i thonë të vdesë. Të tjerët i thonë të rrojë sa malet. Sikur do thahet njeri në këtë botë! Sa malet! Dhe ja tani tërë komunalja po lyen shkollat. Edhe Zogu që ishte mbret vdiq pa u kthyer në fron. Se ka njeri me tapi. Ky është më i bukur. Po edhe ky do vdesë. Nuk kursen njeri vdekja. Po sa na hapin ne avaze tani. Nuk di si të bëj nesër për qumësht. Jo kini parë gjë jo s’kini parë. Le t’i hapin sytë vetë. Ne do ja u ruajmë shkollat. E dinë që është datlindja e të Madhit dhe t’i ruajnë. Po t’ju thuash që pashë dy si hije atëhere të marrin në Degë dhe jo si ishte hija jo si nuk ishte. Po hija hije është. Prandaj i thonë hije. Le që as hije nuk dukej mbrëmë. Edhe dritat në qiell këtej nga ne nuk dukeshin. Nga bulmetorja nuk duket as muri i shkollës dhe as rruga. Le që po të kenë qënë desantë si thanë, ata zbresin bëlldum e në oborr të shkollës. Nuk shkojnë rrugës. Po kjo bojë si do ishte? Bojë që nuk lahet. Ishte plot me policë ndaj nuk shkova afër. Le që të shikojnë a të marrin fotografi. Po të të shikojnë të qeshësh të mbërthejnë se të thonë je gëzuar. Po të rrish e menduar të thonë po kjo përse mendohet, me siguri do dijë ndonjë gjë. Unë as nuk gëzohem, as mendohem. Janë të tjerë për ato punë. Kujt i ka erdhur vdekja do i vijë po pse t’i urosh njeriu vdekjen? Sa e ka të shkruar do rrojë. Këta shkruajnë edhe të vdesë partia. Si do vdesë kjo parti që nuk është pjellë. Se do pillesh një herë pastaj do vdesësh. Tërë që janë në parti do vdesin njëherazi? Pu pu ç’mallkim! Ka edhe shumë të rinj. Që në Luftë nuk kemi parë nga këto të shkrojturat natën. Se këta të komunales shkruajnë gjithnjë për festat. Janë të shrojtura me leje. Këto kundër qeverisë janë me zarar! Do kenë qënë shumë desantë se tërë batalioni I komunales po lyejnë sot tërë ditën dhe nuk kanë mbaruar. Janë tërë ato shkolla. Si me shkronja të stamposura. Do kenë makina që i bëjnë shpejt. C’nuk kanë shpikur tani. Për gjëra të liga. Pse nuk shpikin si të ketë më shumë qumësht. Të ngrihesh më pesë dhe të marrësh aq shishe sa të duhen. Bojë që nuk lahet! Kujt i hyn në punë një bojë që nuk lahet me asgjë. As me alkol as me benzinë. Po të qenë të vendit këta të parrullave do i kishin gjetur nga pikat e bojës. Se sado me kujdes të shkruash do pikohesh një herë. Ishte dhe natë pa hënzë dhe me shumë erë. Veç po të jenë desantë dhe t’i shkruajnë me makinë. Po kush ma tha këtë të desantëve? C’janë desantët profesor…o ky po fle…kot kam dërdëllitur!”

Sunday 2 September 2018

Mesues Shpendi (pjese)

(vijim)
“Më kërkojnë të bëhem bashkëpunëtor i Degës.”
Mësuesi heshti gjatë dhe më pa me vëmendje si për të kuptuar se sa thellë isha futur. Kishte një vështrim, që nuk më bënte të ndjehesha keq. Përkundrazi. Dukej si të më theshte nuk është fundi i botës. Më pas shtyu mënjanë pjatën e papërfunduar dhe pyeti:
“Në fshat apo këtu?”
“Operativi i kooperativës, por për këtu…Më kërkojnë t’i informoj përTerin. Ti e njeh. Ishte në një klasë me mua.”
“Teri që rrinte me Nilan e bukur? Po me se merret Teri?”
“Me asgjë. Në uzinë punon dhe merret edhe me shqipen e vjetër. Asgjë më shumë. Rri dhe me pleq.”
“Këta nuk të qepen kot. Edhe pse treçerekun e operativëve i kanë idiotë. Kanë diçka, që kanë erdhur deri te ti dhe nuk e gjejnë dot me spiunët që kanë në uzinë…C’farë i the operativit?”
“Nuk e takoj dot…Kam nënën sëmurë.”
“Ke menduar se çdo i thuash herën e dytë dhe të tretë?”
“…Nuk jam i prerë për këto punë…Kam hallet e mija…gruan për të lindur,pleqtë…”
“Do të thonë të të sjellim në qytet.”
“Më tha…”
Mësues Shpendi hiqte herë pas herë nga pak verë nga gota e tij dhe më vështronte.
“Nuk do të ndahen po u tregove i lëkundur. Veç duhet ta dish që nuk ke për tu afruar kurrë. Nëse je gati për këtë ju thuaj që është një punë, të cilën nuk e bën dot. Do gjejnë dikë tjetër.”
“Si ti them Terit?”
“Mos u nxito. Me siguri e ndjekin ndaj më mirë prit ta takosh diku rastësisht.”
“Km hall se mos thërresin babanë në Degë. Ai trembet shumë.”
“Jo. Do merren vetëm me ty, por ki kujdes mos të ndodhë gjë në punë. Atëhere do të bëjnë shumë presion deri sa të të thyejnë. Ka ndonjë mësuese që të vardiset? Se në fshat këto gjëra ndodhin.”
“Jo…Po sikur të shkoj e të ankohem në Kryetari i Degës, që duan të më bëjnë spiun dhe unë jam mësues letërsie?”
“Do futësh emrin në një rreth të madh të kuq…Si Zapata.”
Biseda me mësues Shpendin nuk ma hoqi dot atë fryrje të keqe të kraharorit. Noshta do i shkonin Zikut dhe Ivit. Ose ju kishin shkuar më parë dhe nuk më kishin thënë. Ne i tregonim çdo gjë njëri tjetrit. Sidomos për gjëra të tilla që mund të kaloheshin vetëm me shokë.
Ata dinin të të përçanin. “Mos i tregosh askujt. Sekret i plotë“. Kështu arrinin të të ftohnin me njëri tjetrin e të të ngjallnin dyshime edhe tek njerëzit, në të cilët besoje më shumë. A mbase isha unë i pari? Po pse mua? Dhe nëse do më ndaheshin e do shkonin tek shokët e mij? Po sikur njëri të thyhej? E të tregonte gjithshka edhe për terin edhe për bisedat tona? Ivit mund t’i bënin presion. Gjyshin e kishte pasur shumë të pasur dhe mezi e fitoi të drejtën e studimit. Ziku e kalon më lehtë. I jati është në Parti dhe mund ta mbrojë.
Ku ta takoj Terin?

(vijon)

Wednesday 29 August 2018

Gjelltore "Peqini" (pjese)

(vijim)
* * *


Tre netët pa gjumë ishin më të këqijat. Sidomos ato dy të shtëpisë. Nuk prekja dot as gruan. Nuk ndjenja. Deri sa dëgjova kollën e tim eti dhe thashë që duhet të ishte ora katër. Ora kur pinte kafenë dhe nisej për në rradhën e qumështit. Kur dëgjoheshe tringëlima cingërritëse e dy shisheve bosh që përplaseshin me njëra tjetrën. Në kthim dëgjoheshin më pak se ishin të mbushura dhe e lëviznin me zor brenda hapësisrës të trastës prej plaçke të lirë. Kur kthimi ishte me të njëjtën tingëlimë të ikjes, kishte dhe një pikëllim brenda tij, që ndjehej kur ai ngjiste shkallët e fundit. Nuk kishte arritur dot. Edhe pse rradhën ja kishte zënë më parë një shok.
“…Vetëm katër arka erdhën. dymbëdhjetë burra e dymbëdhjetë gra. Isha i pesëmbëdhjeti. As Petroja nuk mori.”
“ E do vesh nesër më shpejt”- i jepte kurajo mamaja.
“Po ç’do bësh për darkë?”
“Shikojmë e bëjmë deri në darkë.“
“Dje sollën gjashtë arka. Sot katër…”
Babaj nuk ankohej kurrë, por dëshpërohe shpejt. Ndjehej gjithmonë fajtor. Edhe që nuk më afronin mua në qytet; edhe kur nuk merrte dot qumësht; edhe kur vëllai vinte dhe tregonte se grindej me gruan. I dukej se për faj të tij nuk kishim shkëlqyer në shkollë dhe unë isha bërë vetëm mësues fshati dhe im vëlla mekanik. Kur e pyesnin se ç’punë  kishte bërë para se të dilte në pension theshte me zë të ulët “mballomaxhi”, por të tjerët nuk arrinin të dëgjonin se mamaja ndërkohë kishte thënë me zë të lartë “këpucar”. Kishte punuar që kur kishte qënë njëmbëdhjetë vjet dhe deri sa kishte mbushur të gjashtëdhjetat. Këpucët nuk na futnin kurrë ujë. I meremetonte me kujdes edhe tani, që nuk kishte mundësi të gjente materialet e duhura. Ecte lehtë, shumë lehtë, ndaj dhe dëgjoheshin aq shumë shishet e qumështit.
Nuk mund t’i tregoja asgjë për bisedën me operativin. Do ndjehej fajtor. Do mendonte, që meqë vetë nuk kishte shkuar në shkollë, nuk mundi të na ndihmonte dot në mësime dhe të bëheshim doktorë ose inxhinierë e të mos kishim nevojë të na sillnin nga fshati. Se vetëm me transferimin mund të na bënin presion të bëheshim spiunë. Ne nuk ngatërroheshim. Aq më keq të bëheshim spiunë. Shikonim punën tonë pa u nakatosur me gjëra me zarar. Ishim njerëz të thjeshtë. Kështu do mendonte.
Gruas nuk i thosha dot se ishte shtatzënë. Nuk dija ku të shkoja. Po të dilja më dukej se do më kishin vënë dikë pas të më shihnin nëse do takohesha me Terin. Nëse nuk dilja do çuditeshin të mijtë. Nuk rrija brenda kur vija nga fshati.
Ishte pesë e gjysëm. Vetëm tre katër lokale hapeshin aq shpejt. Bije më lehtë në sy. Nuk duheshin shumë anëtarë të grupit të bashkuar vullnetar për të parë se kush hynte e dilte pagdhirë kafeneve. Të rregulltit diheshin. Të tjerët ose kishin ndonjë hall ose brerje të ndërgjegjes, që nuk kishin fjetur, por vinin e shkarkonin ç’ka kishin bluar gjatë natës pa gjumë, në veshët e ndonjë miku të duruar.
Nuk rrija dot më shtrirë. Ime shoqe flinte. U ngrita dhe u vesha. Mamaja u çudit kur më pa, por i thashë që duhet të takoja një shok për punë pune dhe nuk nguli këmbë “të haja pa të dilja”.
Vendosa të shkoja në gjelltore “Peqini”. Mbase gjeja Shpendin, mësuesin e matematikës, që shkonte shpesh atje për të ngrënë mëngjes e për të pirë dy tre kupa verë.
Ishte në një tavolinë në qoshe me dikë tjetër dhe sa më pa më bëri me shënjë të afrohesha. U ula në tryezë. Tjetri ishte shoferi I autoambulancës, Tomi i trashë. Njihte të gjithë qytetin.
“I Koci mballomaxhiut je ti? C’bëhet yt atë. Hedh gjysma akoma?”
“Në pension”- nuk e zgjata më tej.
Tomi i kishte të dy bullçinjtë e mbushur, por kjo nuk e pengonte të shihte kush hynte dhe dilte dhe se ç’porositnin.
“Ja dhe ky derdimeni. Mbrëmë pas dymbëdhjetës i vajti e shoqja në shtëpi dhe i thotë që ishte në mbledhjen e organizatës…Mbledhja kishte mbaruar që më tetë.”
Shpendi qeshte nën hundë me komentet e Tomit pa e pyetur se ku e dinte që e shoqja e atij tjetrit kishte vajtur në shtëpi pasmesnate. Mbase në urgjencën e ambuancës dinin gjithshka. Tomi i trashë kishte më shumë se tridhjet vjet shofer i urgjencës. Nuk di se ç’dinte për ne, veç gjysmave që ju hidhte herë pas here këpucëve babaj.
Kur mbetëm vetë, mësuesi më pyeti.
“Nuk më dukesh mirë…S’besoj ta kesh nga llafet e Tomit?!”

(vijon)

Tuesday 28 August 2018

Parrullat (pjese)

(vijim)
* * *

Era e fortë i detyronte të mbanin me një dorë ngjeshur pas kokës kasketat. Kishin për të shkuar edhe në tre shkolla të tjera. Muret e përzgjedhura i dinte vetëm drejtuesi. Po era frynte marrëzisht. Kutia me bojë dukej plumb e rëndë. Përse duhej gjithë ajo antiruxhio? Kush e kishte përzgjedhur ngjyrën? Kishte domethënie? Shefat nuk bënin asgjë rastësisht. Mesnata e ditës së mesit të tetorit ishte zgjedhur qëllimisht. Ishte më pus se netët e tjera dhe frynte shumë erë. Edhe tre shkolla të tjera, pastaj pranë stadiumit i priste GAZ-i dhe do iknin mes errësirës pa ditur se çdo bëhej me ato që ishin shkruar.
VP dhe PE…VP PE VP PE…sa më shumë të tilla dhe pranë murit ku rreshtoheshin nxënësit në mëngjes, me të mëdha duhej të shkruhej parrulla e plotë “VDEKJE PARTISE – POSHTE ENVERI”. Shefat asgjë nuk e vendosnin pa e menduar mirë më parë. Duhej bërë kujdes mos shkruhej VE dhe PP. Vdekja duhej për Partinë ndërsa Enveri duhej rrëzuar. Nuk ishte e njëjta gjë? Boja mund të ishte edhe e bardhë. Dallohej mirë në ngyrën bezhë të murit të shkollës 8-vjeçare. Antiruxhioja kishte më shumë shkëlqim, por ishte më e vështirë për tu shtruar mbi mur. Hënë nuk kishte. Duhet të kishin qënë atër vetë dhe jo tre. Dy të bënin dritë me elektrikë dore dhe dy të shkruanin. Do mbaronin më shpejt. Koha ishte tepër e kufizuar. Duhej mbaruar pa dalë gratë e turnit të natës.
Shkollat ishin përzgjedhur të mos kishin bulmetore pranë. Kishte njerëz që zinin rradhë për qumësht që në mesnatë. Nuk i dihej se nga kalonin për shkurt. Po t’i shihnin duhet t’i vrisnin. Kështu ishte urdhëri. Në rast ekstrem të përdoren pistoletat. Sa deshte të shtinte një herë në mish. Po që ta nxirrte duhet të hidhte përdhe furçën. Në njërën dorë furçën në tjetrën pistoletën. Ju qesh. Hera e dytë që vinte në këtë qytet. Herën e parë kishte qënë ditën dhe i ishte dukur i vjetër. Nuk kishte banesa kolektive si në qytetin ku punonte. Edhe rrugët me asfalt ishin të pakëta. Cuditërisht kishte shumë shkolla. Natën dueshin të largëta. Duhej të mbaronin edhe tre të tjera. Pastaj do hipnin në GAZ-in që i priste. Të tjerë do merrreshin me hetimet dhe arrestimet. Armiqët do ngazëlleheshin pak dhe do dilnin nga vrimat. Ashtu do i zinin tanët. Ata që do nxitonin për të lexuar parrullat si për të parë shenjat e Apokalipsit që afrohej. Do zbuteshin gjethet e fikut, do këndonin pulat mëngjeseve, pastaj do dukeshin shkronjat e zjarrta që rrëzonin Enverin dhe vrisnin Partinë. Do befasoheshin kur në vend të parashutistëve të NATO-s t’I prisnin GAZ-et tona me perde në dritaret e vogla. GAZ-et nuk do mjaftonin po do sillnin ZIS-a të mbuluar të ushtrisë me frona nga të dy anët. Do i kapnin të gjithë mes ngazëllimit të tyre naiv. Do I ngjisnin duke I shtyrë në karroceritë e ZIS-ave. Pushteti popullor nuk mund të përmbysej.
Këpucët i kishte gjithë pika boje antiruxhio. Tashmë nuk mund t’i fshinte se një pjesë ishin tharrë. Do i duheshin këpucë të reja. S’kishte pse të priste të mbushej gjashtë mujori. Ky ishte rast i veçantë. Si ju kishin thënë që ishte sekret i shkallës të jashtëzakonshme. Duhet t’i jepnin këpucë të tjera. Po këto duhej t’i dorëzonte? Nuk i duhej thënë asnjeriu. Magazinier Hekurani gjithnjë pyeste shumë. Pa dorëzuar të vjetrat nuk merrje dot të reja. Ky iste rast i jashtëzakonshëm. Dhe boja ishte e pashyleshme. Sa do i linin parrullat në mure? Sa të dilnin të gjithë armiqtë nga vrimat? Dy dit, tre? Po fëmijët do tronditeshin kur t’i lexonin? Mbase do bënin diçka me fëmijët që revoltoheshin dhe mbulonin parrullat me shamitë e pionierit. Do thërrisnin edhe korrespondentin e televizionit. Mbase jo. Veprimtaritë armiqësore pasqyroheshin në televizion vetëm pasi ishin zbuluar grupet armiqësore dhe ishin vënë para drejtësisë. Boja sikur po mbarohet…Edhe tre shkolla mbeten. Sa erë frynte!!

(vijon)

Monday 27 August 2018

Operativi (pjese)

(vijim)
* * *

Kthehesha në shtëpi vetëm të shtunave dhe të hënën pa gdhirë nisesha me kamionat e druve. Ishin bërë vite. Pas martesës nuk ndryshoi asgjë. Disa kërkesa që kisha bërë për të më afruar nuk kishin marrë përgjigje. Shefi i kuadrit të arsimit, kur kishte ardhur në shkollë më ishte thënë që isha në vendin që më takonte. Nuk e pata pyetur përse më takonte të isha pikërisht atje. Thellë vetes e dija pse. Xhaxhai i sime shoqeje. Nuk e kisha parë ndonjëherë, por hija e tij më rëndonte më shumë se e vjehrrit.
Operativi i fshatit ma kujtoi një herë. Ashtu si padashur. Kalimthi. Pasi ishte ulur në tryezën e klubit të fshatit, ku po rrija dhe pija një gotë ponç portokalli.
“Ne e dimë që je njeriu jonë“ më tha ndërsa u ul dhe porositi për vete fërnet. Vazhdoi të më theshte se Partia dhe organet kishin besim në unë pavarësisht nga ajo ç’kishte bërë xhaxhai i gruas. Unë gëlltitesha pa thënë gjë edhe pse doja të ngrihesha e t’i thoja që nuk më bëhj vonë as për xhaxhanë e gruas dhe as për organet. Ai vazhdonte të më fliste për opinionin e mirë që kishin në seksion për punën time me fëmijët recitues dhe më pas përmendi transferimin në qytet ose afër tij. Cdo gjë mund të bëhej po qe se dhe unë do isha më I devotshëm për çështjen e partisë dhe të popullit. Më pas më pyeti për Terin.
“E dimë që e ke shok të ngushtë dhe të beson”
Unë mbaja në buzë gjatë gotën e qeltë me dopion e ponçit, i trembur se mos më tradhëtonte fytyra.
“Eshtë e rëndësishme të dimë me kë shoqërohet tjetër dhe ç’biseda bëjnë. Këtë duam nga ti. Të takohesh më shpesh dhe të na informosh.”
“ Ai rri pak me ne dhe e takoj shumë rrallë. Nuk di se me kë shoqërohet.”
“Nuk e di ti që shkon shpesh në shtëpinë e profesor Londos? Fashistit?”
“…Në shtëpi? Mbase shkon ta pyesë rreth drejtshkrimit. Interesohet për shqipen e vjetër.”
“ Pse për të vjetërn? Këtë duam të kuptojmë më shumë. Prandaj organet kërkojnë këtë ndihmë nga ti. Aq më shumë që ke studiuar për letërsi. Ti e do Partinë apo jo?”
“ Si jo?! Familja ime ka qënë e lidhur me Luftën. Dajoja ka edhe Medaljen e Kujtimit.”
“Pandaj kemi shumë besim tek ti. Si të duket ty qëndrimi i Terit po ta krahasosh me materialet e partisë.”
“…Nuk e kam menduar në këtë drejtim…Po edhe i jati I tij ka qënë partizan. Janë njerëz të mirë.”
“ E dimë e dimë, por edhe njerëzit tanë gabojnë. Se “uji fle dhe armiku nuk fle”. Godet atje ku është pika më e dobët. Teri është mekanik dhe po na interesohet për shqipen e vjetër? Përse i duhet? C’kohë duan të kthejnë?”
Unë nuk u përgjigja po shpura në buzë përsëri gotën tashmë të zbrazur.
“Pse nuk merr edhe një ponç?”
Pyetja e ti më lehtësoi dhe i thirra bankierit edhe për një dopio tjetër.
“E di ti që profesori është pederast?”
“Jo… është shumë plak dhe I verbër.”
Operativi u zgërdhi dhe vazhdoi: “Hyqi del kur del shpirti. Po Teri pse nuk martohet?”
“Nuk e di…Nuk e pyesim njëri tjetrin për këto gjëra.”
“Këtë javë, kur të shkosh në shtëpi, duhet ta takosh me doemos. Po për këto që biseduam nuk duhet të flasësh me asnjeri. As me gruan. Janë çështje delikate, që kërkojnë shumë konspiracion. E ardhmja e fëmijëve tanë varet nga kjo…Ti do kesh edhe përfitime të tjera veç transferimit. Partia e vlerëson vigjilencën.”
“Nëse e takoj rastesisht mirë, pork kohë nuk më mbetet të shtunë e të djelë. Sa çmallem me njerëzit e shtëpisë.”
“Ti do shkosh për ndeshjen në stadium të djelë. Shko merre dhe Terin.”
“Nuk e di në do mund të shkoj…Nënën e kam pasur të sëmurë…do shikoj.”
Operativi mblodhi buzët, por nuk shtoi shumë fjalë të tjera. U ngrit, më zgjati dorën dhe tha vetëm: “Me asnjë tjetër këtë bisedë.” Dhe u largua. Nga radioja në banak dëgjohe një këngë popullore me një refren të pazakontë me “dampe…dampe…dampeeee”. Pagova dhe ika në dhomë për të fjetur. “dampe…dampe…dampeee….” Nuk fjeta as atë natë dhe as dy netët, që pasuan.

(vijon)

Sunday 26 August 2018

Londoja dhe Majorana (pjese)

(vijim)
* * *

“Profesori ishte i vetmi të cilit i besova…As atij nuk do i kisha treguar gjë nëse nuk do kisha ndjerë, që ai e kishte kuptuar.
…Për herë të parë pata shkuar në shtëpinë e tij gjashtë muaj pas ndodhisë. Më shpuri një miku im. Për ta pyetur rreth disa fjalëve të humbura të shqipes. Mu duk sikur më pa thellë në shpirt, atje ku pata fshehur tmerrin. Më tha të afrohej dhe më tregoi një fotografi të dy të rinjve në bregun e një lumi diku, jashtë Shqipërisë. I njeh cilët janë - më pyeti. Njëri duhet të ishte profesori i ri, por parapëlqeva të thoja se nuk i njihja. – Eshtë Etore Majorana – tha dhe heshti për një kohë të gjatë me sytë e ngulur në një pikë matanë mureve të dhomës. Nuk fola se nuk e kisha dëgjuar atë emër, por ai vazhdoi në një ligjëratë të shtruar se si ishte njohur me fizikanin italian në Romë. Ishte edhe më i madh se Ainshtajni më tha. Pastaj shtoi se nuk duhet të kishte thënë “ishte” por ‘është“. Sipas tij, Majorana ishte si ne, ose unë, isha si profesori dhe si Majorana.
Atëhere i thashë se do shkoja një ditë tjetër ta takoja. Më tha se më priste të nesërmen.”
“Kush është Etore Majorana?” – e pyeta Terin.
“Një gjeni i fizikës, që u zhduk më 1938-ën gjatë një udhëtimi me vapor. Eshtë folur që e kanë rrëmbyer amerikanët, e kanë vrarë nazistët ose ka vrarë veten, por askush nuk di me saktësi ç’ka ndodhur me të. profesor Londoja theshte, që ishte punë e “të përtejmëve”. Ishte mëse i sigurt. Kur i tregova se ç’më kishte ndodhur nuk u çudit. Tha që e kishte pritur të ndodhte atë vit. Ndodhte çdo 44 vjet. Shtoi dhe se nuk e kishte pritur të qe kaq pranë tij.”
“ Ja the që të nesërmen?”
“Po. Të gjitha. Pa lënë asnjë hollësi.”
“Dhe ai?”
“Vetëm tundte kokën dhe përsëriste disa nga fjalët…”dritë e lbyrtë“, “qetësonjësi”, “katër gishta”, “ pa bebëza” e ndonjë tjetër. Kanë kaluar njëzetepesë vjet prej asaj nate.”
“Ti ishe në qytet kur vdiq?”
“Po.”
“I dëgjove thashethemet pas disa muajve? Unë atë vit u martova dhe nuk ndodhesha në qytet ato kohë.”
“I dëgjova… Më vonë ma kanë treguar fill e për pe…Dy ditë pasi e kishin varrosur, Safeti i varreve kishte hapur varrin për të marë pallton dhe unazën dhe kishte gjetur arkivolin bosh…Kur e zunë dhe tregoi për gjithë vjedhjet në varreza, ishte treguar edhe për varrin bosh. Ata të Degës e kishin hapur përsëri dhe e ishte e  vërtetë. Tani flitet se edhe Safetin prandaj e kishin pushkatuar. Për t’i mbyllur gojën. Atë kohë nuk kishte as ligj për grabitje të varreve. Nuk lehoheshin as kisha, as xhami dhe as jetë përtej varrit…”
“Ti po thua pallton. Po profesor Londoja sikur vdiq në verë.”
“Kishte lënë amanet ta mbulonin të veshur me pallton e madhe.”
“Si të ketë qënë e vërteta? Thua ka lidhje me Etore Majoranën?”

(vijon)

Saturday 25 August 2018

Frosa (pjese)

(vijim)
* * *

Frosa ishte e përpiktë. Dy ditë të javës nuk shkonte në shtëpinë e Profesorit, por ditët e tjera ishte para se sahati i madh i korridorit të kumbonte njëmbëdhjetë herë. Ai e priste me padurim ndonëse e dinte që hapat e saj do dëgjoheshin para tringëllimit.
“Si u gdhive profesor?”
“Mirë si një i moçëm.”
“Vezët si kishin sjellë akoma. Mora vetëm djathën. Do i mar nesër bashkë me mishin.”
“Në një udhë i sjellin?”
“Jo, jo. Vezët i sjellin në Bardha, kurse mishin në Shpëtimeja.”
“Bardha është emër i bukur. Dëgjonet edhe më mirë se Bianka. Bardhaaa… e dëgjon si vërtitet gjuha mes dhëmbëve dhe qiellzës me r-në dhe dh-në…në Bianka, n-ja më k-në janë vrastare…si në ncuq.”
Frosa vazhdonte të rregullonte djathin në një enë plastike të mbushur me ujë pa ja vënë veshin Londos.
“Shpëtime është emër i ri…Eshtë zor të bësh emër kumbonjës kur pas sh-së dhe p-së ve zanore tjetër përpos a-së…shpyllëzim, shpellë, shpenzim, shpomurrës, shporru, shporet…të gjitha të errëta…si të mos ketë gjësendi veç mënxyrës në to…dhe flagëve të ferrit.”
“Drutë po mbarohen. Duhet të ble tallash për stofën.”
“Edhe tallashi në Shpëtimeja shitet?”
“Po ku shitet tallash gjëkundi. E blej në ca djem që punojnë në zdrukthtari.”
Profesor Londoja u ngrit nga kolltuku dhe duke u mbajtur pas murit u afrua një komoje druri qershie. Nxorri nga xhepi i rrobëdhomës një çelës të vogël me një kordon të thurrur dhe hapi sirtarin e parë. Kërkoi disa sekonda me gishta dhe më pas i zgjati disa kartmonedha Frosës.
“Mos ju bjerë tallash…” u zgërdhi dhe u ul në vendin e tij duke vazhduar “ tallash, shoshë, shashërdi, sheshmin…të mbushte goja si me llokume.”
“Llokumet janë shumë me kët. Mbase ble ndonjë piskotë me këto që do mbeten nga tallashi.”
“Po hallvë susami gjendet?”
“Hallvës së susamit ja kemi harruar emrin. Vetëm piskota të forta, që duhen zbutur në shurrup ka. Nga ato të “Ali Kelmendit””
“Aliun e bashkoja udhës në të ritë tim. Kishte oftikë…Fliste gegërishte të qashtër.”
Frosa ndërkaq kishte future kartmonedhat në një qesezë që e mbante në gjoks dhe ishte tërhequr pas derën e dhomës së Profesorit.
“Iku. Si era e marrë është. Frosina – fufulina. Fufu lipset ta thërres. Një erëzë e ftohtë në kthinën e moçme time. Më lipset…Pa të do më kishin mbuluar degët e pemtëve.”
Fshehur në degët e pemëve, instruktori i Sigurimit, që mbante numurin 12, po stërviste anëtarin e grupit të bashkuar vullnetar me pseudonimin “Verdhashi” se si të përgjonte në dritaren e profesorit pa u kuptuar.
“Duhet të dish, që ai është i verbër dhe dëgjimi i tij është dhjetë herë më i mirë se joni. Nuk duhet të lëvizëzh as për tu ç’mpirë. Vetëm kur del nga dhoma. Atëhere të hedhësh edhe shënimet në bllok. C’kishte më të rëndësishme në bisedën e sotme?”
Përgjonjësi “Verdhashi” u mendua një çast pastaj pëshpëriti:
“Që ankohet se nuk ka hallvë susami.”
“Hajvan! Disa punonjës të zdruktarisë shesin tallash, që e vjedhin në zdruktari. Kjo është më kryesorja pastaj vijnë të tjerat.”

(vijon)

Friday 24 August 2018

Profesor Londoja (pjese)

(vijim)

* * *

“ Erdhe bir?”
“Po.”
“E prure?”
“Hëhë…”
“Qysh e ka shkruar?”
“Nuk e lëçita të gjithën.”
“Ishte e koklavitur?”
“Nuk i shkoqisja dot gjithë shëmbëllat…”
Pofesor Londoja kishte veshur të njëjtën rrobëdhome të smeraldtë, të cilën vetë e quante “petku im gurkali”. I zgjatej deri pranë kyçeve të këmbës, të cilat ngjanin si dy nyje të gdhenduara me kujdes në një gur të bardhë, që përshkohej nga vija të çrregullta ngjyrë të kaltër. Rrinte ulur në një koltuk të vjetër damasku të kuqërremtë, shiritat e të cilit, ishin thuajse të shkëputur nga vendet ku më parë mbulonin gozhdët e holla. Dukej si një aristokrat I ngjitur pas ndenjëses të tij bezerrjepur, që nuk pranonte të largohej nga kjo jetë pa marrë me vete kolltukun e vjetër dhe shiritat e tij, të qëndisur me një fill të praruar. Nuk shihte më ndaj i mjaftonte drita e pakët, që vinte nga dritarja e mbuluar nga gjelbërimi i jashtëm. Ndoshta çdo lloj drite do i mjaftonte. Nuk kishte të bënte më me të. Vetëm me tingujt. Për ta kujdesej dhe ju mëshonte sa duhej kur fliste vetë. Edhe kur kollitej.
“ U unje?”
“Nuk mund të rri shumë.”
“Unju për pak.”
“Do vinj më vonë të të lëçit kumtesën e Shabanit.”
“Cdo kesh kurdisur? Ndonjë vashë?”
“Jo.”
“…Më rrëfe. Nëse nuk do përgjëronjeshe për ndonjë vashë nuk do më linje kaqe me vërtik. Ke katër ditë i munguar.”
“Janë të qiellit ojna. Vetë ke thënë mos rrëfejmë për të përtejmen.”

Teri lëshoi në pëqirin e plakut dy revistat dhe ai filloi t’ë pëkëdhelte ballinat e tyre, si për të dalluar nëse titujt kishin reliev në faqet e lëmuara. Në trup i dallohej një tendosje pikëllimi, që bashkëbiseduesi po e linte kaq shpejt. Nuk e dinte se dielli ishte në të perënduar.

(vijon)

Thursday 23 August 2018

Të parët në ngjyrë smeraldi (pjese te shkeputura)

(vijiim)
* * *

U riktheva me mendje në atë kohë, kur Terit i ishte ngjallur papritur dëshira për mbledhur fjalë të vjetra të shqipes. Në fillim patëm menduar se i kishte nisu një pasion i ri, si ai i qepjes së pantallonave, të cilin e kishte prerë si me thikë. Por ai atë kohë u nda edhe me Nilan, me të cilën kishin vite të dashuruar. Kur Ziku e kishte pyetur pse ishin ndarë, ai i ishte përgjigjur shkurt:” Ajo fliste për veten në vetën e tretë!” Na ishte dukur një arsye absurde për tu ndarë pas kaq vitesh, por në bisedat mes njëzetecavje]arëve dëgjoje shkaqe edhe më të ]mendura se ky më, ndaj për rastin Nila-Terin u mjaftuam vetëm t’i ngjisnim këtij të fundit nofkën ‘linguisti”. Jo të gjithë e dinin. “Teri linguisti” përdorej vetëm në rrethet e ngushta tona. Për ne ai vazhdonte të qepte pantallona sipas katalogëve të huaj të dhjetë viteve më parë. Jo më shumë se 30 në fund dhe me shtrat të shkurtër. Nuk qepte më me pagesë dhe nuk e patëm pyetur pse.
Më pas ai filloi të rrinte me të moshuar. Edhe me plaka që rrinin sofateve. Mbrëmjeve të verës, kur isha me pushimet e shkollës dhe kaloja më shumë kohë në qytet, ai më takonte dhe fliste gjithë gëzim për fjalë të vjetra të shqipes që kishte mësuar. Unë buzëqeshja, por nuk ja ndërprisja atë entusiazëm të padëmshëm, që na mbante larg bisedave me “zarar”. Edhe kur zgjateshim me diskutimet për futbollin në ecejaket e bulevardit me të gjithë grupin tonë, Teri nuk përzihej më. Qëllonte që si padashur pyeste: “Nuk është më mirë t’i quajmë topkëmbë dhe topshportë, si i quanin rilindasit?” Vetëm kaq. Nuk i interesonin më ndeshjet e të dielave, por ende vazhdonte të vinte me ne në stadium. Si theshte vetë për të dëgjuar të sharat. Atje kishte dëgjuar epitetet “zabërzan”, “shpomurrës”, “kacimbodhi”, që i përdorte plot qejf ndaj ne të tjerëve, por ne nuk e patëm pyetur ndonjëherë për kuptimin e tyre, se na dukeshin si grimca të një jete të vjetër, jashtë mode.
Teri i pëlqente të ishte “jashtë mode”, si dhe të interesohej për fluturimet në kozmos. Ishte abonouar vetëm në dy revista të kohës – “Shkenca dhe Jeta” dhe “Studime filologjike”. Me botime të tilla në sqetull shkonte herë herë në shtëpinë e profesor Londos. Në shtëpinë e vogël, në fund të një oborri të ngushtë me bimë të harlisura për të cilat nuk kujdesej kush, rrallë herë shkonin vizitorë. Një e afërme e moshuar e profesorit, me një torbë me ushqime ishte më e rregullta. Teri ishte i dyti. Vonë mbrëmjeve dukej edhe ndonjë siluetë burri, që mezi shtynte derën e rëndë dhe më pas zhdukej mes gjelbërimit. Profesor Londoja ishte shumë i shtyrë në moshë dhe ne thuajse kishim harruar se kur e kishim parë për herë të fundit të dilte në sokak.
Nuk e dinim edhe me se jetonte, se pasi kishte qënë disa vjet në burg, nuk kishte punuar më. Tashmë nuk jepte as mësime private në italisht dhe frëngjisht. Kishte studiuar në Romë dhe në kohën e Italisë kishte patur një punë të rëndësishme në Ministrinë e Arsimit. Flitej se ishte qënë fashist dhe homoseksual. Në fëmijëri ne nuk e kuptonim se cila ishte më e rëndë. Fashistë kishte pasur shumë, sidomos Italianë, por homoseksualët ishin një specie e rrallë në qytet. Profesor Londoja ishte dy herë i damkosur. Dhe shtëpia e tij e vogël, me një qoshk mbi derën kryesore dhe mbas bimëve të halrisura ishte e mistershme.
Ziku i kishte përmendur në herë Terit, se edhe pse nuk ishte më fashist, profesori mund të kishte mbetur homoseksual, se kjo ishte një sëmundje që nuk mund të kurohej dhe meshkujt ishte mirë të rrinin larg prej tij, por Teri vetëm tundte kokën në mënyrë mohuese dhe të vendosur për të ndërprerë bisedën. Pas ndarjes me Nilan nuk dinim më rreth të dashurave të tij. Nuk dinim as nëse kishte të tillë.

(vijon)

Wednesday 22 August 2018

Të parët në ngjyrë smeraldi

“…Kisha dashur të ta thoja po kisha frikë. E mbajta mbi njëzetepesë vjet fshehur. Isha i sigurt se kishte ndodhur, por ti do qeshje me të madhe…dhe i shtova mundimin vetes.”
Bulëza djerse i mbuluan të gjithë pjesën e sipërme të kokës të posarruar. Me dorë fërkonte mollëzat dhe më pas e zbriste dorën deri pranë qafës. Më shihte ngultas, si kurrë ndonjëherë, si për tu siguruar nëse e besoja vërtet. Unë mundohesha që vijëzimet në fytyrë të mos më tradhëtonin. Isha vendosur ta dëgjoja deri në fund.
“…Pas herës të parë më mundonte pyetja – përse mua? Cdo gjë kishte qënë kristalisht e qartë, si në një film të kuruar me shumë kujdes… Në filim pata menduar se mos ishe ti dhe Ziku të maskuar, por nuk ju thërrisja dot të më linit rehat. Më pas pata ndjerë ftohtësinë e shtratit të metaltë poshtë kurrizit tim dhe e pata kuptuar që nuk isha në dhomën time…Gjithë ajo dritë e bardhë, sa e bardhë… dhe ato dy koka të mëdha mbi qafa të holla. Lëkurën nuk e kishin si tonën ndaj pata menduar se kishit vënë në kokë veshje si ato që kishim në Teatrin e Buratinëve. Ngjyrë smeraldi po pa shkëlqim. I gjithë shkëlqimi ishte tek sytë e tyre të mëdhenj. Sy pa bebëza.
- Mos u frig- shqiptuan dy buzët e holla të gojës së vogël që ishte më pranë meje. Atëhere u tremba më shumë dhe dukej se nisa të dridhesha ndaj qënia tjetër e smeraldtë më preku me njërën dorë dhe ndjeva një prehje të plotë të trupit. Nuk kisha më frikë, por një kthjelltësi të plotë të mendjes. Isha në një mjedis të mbyllur të cilit nuk ja shihja dot kufijtë për shka të dritës së lbyrtë. Dy qëniet mbi mua i shikoja deri pranë mesit, por ende nuk arrija të kuptoja nëse mbi qafat e holla, supet e ngushta dhe gjokset e rrafshët kishin një lëkurë të trashë pa shkëlqim apo një lloj veshje të bërë njësh me trupin.
Qetësonjësi foli me një zë pak më metali se i pari përsëri në shqip:
Kem zgledhur si gluhëtar?
U përpoqa të lëvizja buzët për të formuar fjalët që më vinin në mendje, por arrita të nxirrja vetëm një fishkëllimë. Tetri më preku lehtë në gjoks dhe atëhere vura re se dora e tij kishte vetëm katër gishta të gjatë, që pëkuleshin në mes. Mund të flisja.
Unë jam rrobaqepës.
Ty të kujtohet ato dy vjet pasi mbarova ushtrinë, që nisa të qepja pantallona fshehtazi. Tek unë vinin të gjithë studentët.
Ti flet kthjellët shqip. Je zgledhja jonë.
Më pas, qetësonjësi më preku më gjatë mbi kofshë dhe gjithshka u shua…U zgjova pas disa kohësh, që më ishin dukur si vite përësri në shtratin tim. Ishte një pasdite me diell shumë të fortë dhe në derë dikush trokiste fort.”

(vijon)