Tuesday 31 January 2017

Korca ime (po me la Nikoja)

(Vijim)

I angazhuar me ndërtimet që në mesin e viteve ’90, kur kishte një zyrë shitblerjesh pasurish të patundshme, Niko Peleshi kishte mësuar gradualisht parimet e urbanistikës dhe arkitekturës, si dhe skenat e prapaskenat për të marrë leje ndërtimi. Në këtë drejtim ishte më i përgatitur se të gjithë paraardhësit e tij Gjinko, Kotmilo, Duro dhe Damo. Gjithashtu kishte një “rrokje” të mirë të problemeve ekonomike, prej kohës kur kryesonte dhomën e Tregëtisë dhe mbi të gjitha, ishte plot energji për të bërë ndryshime në qytet.
Ndonëse në dy vitet e para nuk aktivizoi arkitektë, që e njihnin mirë qytetin, përpjekjet e tij ishin pozitive, të hapura për këshillime dhe konkurencë të ideve, si dhe tërheqjen e investimeve të huaja apo edhe të biznesmenëve shqiptarë. U organizuan disa konkurse për Qendrën e qytetit, në fillim me pjesëmarrjen e projektuesve vendas dhe i dyti edhe ndërkombëtar, të cilat ishin vërtet shenja të mira për ardhmërinë e Korçës. 
Pas rizgjedhjes dhe futjes në stil të gjërë në projektimin e qytetit të përfaqësuesit të firmës gjermane “Uillsën e Bolles”, filloi periudha e kthimit të Korçës nga “qyteti im”, në “qyteti im po më la Nikoja”. Tashmë kishte humbur fryma konsultative me qytetarët, specialistët, intelektualët, por çdo gjë vendosej nga Kryetari i Bashkisë dhe ekzekutohej nga Pitë Uillsën, ndonjë firmë projektuese në Tiranë dhe nga nëpunësit e përvojtur të Zyrës së Urbanistikës me familjet e tyre.
Cdo mendim kundërshtues i specialistëve quhej si sulm me prapavijë politike dhe injorohej. 
E megjithatë, kryetari I bashkisë diti të tërheqë fonde nga qeveria apo Bashkimi Europian për realizimin e një sërë projektesh në qytet, ku më i rëndësishmi ishte ai i “Pedonales” dhe ndërhyrjeve në Bulevard Republika, projekte, që kanë vlera por edhe problem, të cilat mund të ishin mënjanuar nëse specialistëve nuk ju drejtohej “veshi shurrdh” i Bashkisë. Në këtë kohë, filloi edhe Plani I ri Rregullues I financuar nga Banka Botërore dhe i fituar nga një firmë projektimi izraelite, një firmë kjo pa përvojë në urbanistikë, rreth të cilës pata shkruar në shtypin tonë artikullin “Shesim Plane Rregullues me shumicë!”. Padyshim, që në Planin  Rregullues të hartuar prej një firme greke, gjithashtu pa përvojë në urbanistikë, të cilës i ishte dhënë Korça nga firma izraeilite(këta të fundit kishin marrë me një tender tre plane rregullues- Korçën , Gjirokastrën dhe Beratin) do kishte amatorizëm dhe dobësi. E megjithatë, një Plan edhe amator është më mirë se mungesa e planit, apo pritja në vite për miratimin e tij.
 (Vijon)

Monday 30 January 2017

A po ngushtohet laku?

Fundjave e çuditshme në Botë, në sajë të “yryshit” të Tramp, për të firmosur Urdhëra Ezekutivë, që jo vetëm përmbysin shumë nga ato ç’ka bërë Obama në 8 vjet, por po trondisin edhe disa vlera bazë të fituara me mund nga demokracia amerikane.
Por më e çuditshëme është fundjava në Tiranë, edhe pse nuk duket që ‘tronditja” të ketë ardhur si rrjedhojë e dukurisë “The Donald”. Më tepër duken si “ethe” parazgjedhore, por që kanë shpënë temperaturat mbi 41 gradë, në shtabet e politikës të tre partive kryesore.
A mori fund Aleanca e hajdutëve dhe Qelbësirave, apo janë sherret për Pazarin e Madh të 18 Qershorit?
Në gusht, Qeveria Rama 1 gati u rrëzua, po të mos kishin ndodhur disa blerje të deputetëve të partive të tjera, që i garantuan Ramës vazhdimin e qeverisjes. Koalicioni, me gjithë acrimin maksimal, që u ndje në fjalën e Metës, ku përmendte BURGUN për të gjithë, vazhdoi edhe për 6 muaj të tjerë.
Mos është e njëjta fjalë, që ka sjellë këtë histeri mes aleatëve dhe kundërshtarit të tyre?
Berishës i përmendet hapur burgu(së bashku me Zenin) për aferën e CEZ; Meta kërkon Mbledhjen e Këshillit të lartë të Sigurisë për burgimin e Balilit(kupto më shumë për ata që e kanë mbrojtur); Gjylameti I tregon burgun Mimës; një kontrabandist si Koka deklaron se policia e Durrësit dhe Dako, përgatiten të vjedhin votat(dhe për këtë duhen futur në burg); dhe kulmin e arrin Vasili, që akuzon Ministrin e Brendshëm që po përgatit futjen në burg të deputetëve të LSI-së, me akuza të sajuara për drogë!!!
Duket që të gjithë kanë arritur të mos fshehin dot më atë që e ka ditur me kohë ky popull, se meritojnë të shkojnë në Burg, të gjithë! Ndaj po tregojnë me gisht njëri tjetrin!
Java nisi me shkarkimin e Manjanit të Drejtësisë(së vjetër) dhe deklaratat e tij kundër Ramës dhe ministrave dhe lidhjeve të tyre të drejtpërdrejta me Balilin apo me mafiozë të tjerë.
Diçka e madhe ka ndodhur me reformën në Drejtësi.
Në rast të mosmarrjes së një numuri të madh deputetësh, Ilir Meta nuk mund të sigurojë dot jo vetëm postin e kryeministrit, por as atë të Presidentit, që mund të jetë oferta maksimale parazgjedhore e Ramës. Vetëm këto dy poste e garantojnë për të mos hyrë në burg gjatë katër viteve të ardhshme.
Por burgun po e përmendin edhe për Ramën, bile spekuluesit e të Djathtës flasin edhe për një burgim të mundshëm të tij në Amerikë, gjë që bëhet vetëm për të mashtruar simpatizantët më të trashë të tyre, se edhe bufi e kupton, që s’ka se si të akuzohet Rama për “blerjen” e biletës për drekën e mbledhjes së fondeve për fushatën e Obamës.
Duket, që gjatë këtij viti, në politikën shqiptare do dominoë fjala “Burg”, në dallim me “Reforma në Drejtësi”, që dominoi gjatë 2016-ës, “Tom Doshi” më 2015 dhe “Rilindja” më 2014.
Duket që laku po mblidhet.
Mbase, Donald Lusë, i duhen kërkuar fonde ndihmë nga SHBA, për ndërtimin e një burgu të ri për “kravatsat” tanë.


Korça ime (2)

(Vijim)
Në planin e fillimit të viteve ’60, bënte pjesë edhe një ndërhyrje me rëndësi për qytetin, ajo e mbulimit të Lumit të Korçës dhe e kthimit të tij në një rrugë të gjerë dy kalimshe dhe me trotuar në mes, ashtu si është edhe sot. Pas 50 viteve të realizmit të saj, sot, me rriten e lëvizjes së automjeteve, Shëtitore “Fan Noli”, mund të rishikohet për tu zvogëluar pjesa e trotuar-lulishtes, për të krijuar kalimin me dy korsi të automjeteve, sigurisht e shoqëruar dhe me semaforë, për të patur një shpejtësi minimale të qarkullimit të makinave.
Ndërhyrjet e mëdha urbanistike të viteve ’70 dhe ’80, konsistojnë në ndryshimet në Qendrën e qytetit dhe në ndërtimin e Bllokut të madh të banesave në zonën e ish-Kazermave.
Ndërhyrja e parë është projektuar nga Instituti nr 1 në Tiranë dhe ka për autor urbanistin Gjergji Kotmilo edhe ky i lindur dhe i rritur në Korçë. Jo për të shfajësuar Kotmilon, por për të qënë sa më pranë të vërtetës, ndërhyrja në Qendër u konceptua në zbatim të një ideje të Enver Hoxhës, për të krijuar një shesh, si miniaturë të sheshit para Shën Pjetrit në Romë, që të përmbante tre elementë të jetës socialiste: Një Komitet Partie(ideologjinë), Pallatin e Kulturës(kulturën) në qendër dhe në të djathët një qendër e madhe tregëtare(ekonominë) disa katëshe. Projekti mendohej të krijonte një lloj kolonade si imitim i asaj të Berninit, që do shtrihej në gjithë harkun e kompleksit dhe do dominonte në volumin kryesor, atë të Pallatit të Kulturës.
Projekti filloi të vihej në jetë në fund të viteve ’70, kur u prish pjesa e ndërtimeve prej librarisë dhe deri në “furra e Ligorit”, përgjatë bulevard “Republikës”, që ka qënë një nga pjesët më të bukura të zonës qëndrore të qytetit, sëbashku me të mirënjohurën farmacia “Cekani”. Në mënyrë të pallogjikshme dhe jo organike u ngrit një platformë, rreth 1m e 80 nga fundi I rrugëve të qytetit mesjetar, që zbrisnin drejt bulevardit “Shën Gjergji”, që sot ka marrë emrin e shëmtuar Pedonalja. I gjithë kompleksi i përfunduar, do i ngjiste një skene madhështore, butaforike, që do dëshmonte për forcën e sistemit të ri socialist të udhëhequr nga Partia. Të gjitha volume, dilnin jashtë raporteve normale me ndërtimet ekzistuese, që në atë zonë ishin nga ndërtimet më të vjetra të qytetit dhe të cilat vetë shteti i kishte shpallur monumente kulture. Në këtë kuadër, filloi dhe hapja e rrugës së re, ndërmjet Ambulancës dhe Radio-Korçës, e cila do ishte në vijë të drejtë me pjesën e boulevard Republikës deri në sheshi i vogël para kinemasë. 
Ishte një ndërhyrje, e cila e dëmtoi përfundimisht Qendrën, ndonëse në disa pjesë të saj ajo kishte nevojë për ndërhyrje. Nga 3 objektet u ndërtua vetëm Komiteti i Partisë dhe vendin e Pallatit të Kulturës, por më e avancuar në drejtim të sheshit e zuri në vitin 1993, Katedralja, vendosja e të cilës ka një histori më vete aspak të lidhur me parimet e urbanistikës dhe arkitekturës.
Ndërhyrja e dytë madhore ishte në fillimin e viteve ’80, me zbrazjen e territorit të Korpusit ushtarak, pas spastrimit të madh në ushtri në vitet ’70. Ishte një sipërfaqe e hapur , e mrekullueshme për të ndërtuar një mikrorajon, që do krijonte hapësira të tjera jetësore, çlodhëse dhe kulturore për Korçën duke e kthyer në një qytet me dy qendra. Për fat të keq, Instituti I Projektimeve nr 1, nu u mor me këtë zonë, por ja la për projektim Zyrës së Urbanistiës të Korçës, e cila atë kohë drejtohej nga inxhinieri i rrugëve Kostë Gusho. Padija e Gushos, e shoqëruar me presionin e seksionit të ndërtimit për të hapur sheshe ndërtimi për Ndërmarjen e Ndërtimit, bënë, që projekti jo vetëm të bëhej shkel e shko, por në të të mos angazhoheshin projektuesit më të mirë të qytetit. Kostë Gushoja i imponohej projektueses për vendosjen e objekteve, dhe projekti i mikrorajonit, ku do jetonin mbi 8 mijë banorë, katandisi, si e quante me të drejtë miku im Stavri Bezhani në atë kohë, në një “sqedhjo qilimi”. Në të nuk kishte as ide ruse, as parime komuniste, as mungesë konsulence të huaj, as kusure të sistemit. U projektua shumë më keq nga mundësitë e kohës për shkak të injorancës të drejtuesve të Komitetit Ekzekutiv të kohës dhe veçanërisht të inxhinierit Gusho, i cili nuk kishte as formim dhe as këllqe për atë detyrë me aq rëndësi për zhvillimin e qytetit. 
(Vijon)

Sunday 29 January 2017

Korça ime

Kujtoj, që për herë të parë në jetën time, kur kam qënë në kopësht, kam bërë një vjershë(nëse më lejohet ta quaj vjershë) me dy strofa për Korçën. Disa ditë më vonë, një për edukatoren me një strofë dhe me kaq u mbyll vjershërimi im i hershëm. Babaj, që ishte shumë skrupuloz në ruajtjen e çdo gjëje të krijuar, i pati daktilografuar dhe ende duhet të jenë në ndonjë nga dosjet e tij të shumta. Nuk di nëse dashuria për qytetin vjen natyrshëm për të gjithë, apo se kisha dëgjuar shumë lavde në shtëpi për Korçën dhe korçarët, por kjo më ka ndodhur mua dikur rreth vitit 1965 dhe nuk di si ta spjegoj ende sot.Në vitet ’60 korçarët konsideroheshin nga të tjerët si “lokalistë“ dhe kishte shumë përpjekje të vetë korçarëve të mbanin “flamurin” e kulturës dhe të qytetërimit, flamur ky që gradualisht u gris nga ngritja në poste drejtuese e injorantëve dhe nga largimi drejt Tiranës, i më të talentuarve korçarë.I hodha këto rrjeshta, jo për të treguar se sa e dua Korçën, por për të nënvizuar një gjë të njohur” që sa më shumë moshohemi, aq më tepër ëndrrat i shohim me qytetin ku jemi lindur e rritur”.
Qyteti ka pasur periudha të lavdishme, periudha zjarresh dhe tërmetesh, periudha rëniesh dhe të tjera të një rigjallërimi.
Edhe pse nuk kam qënë prej më shumë se pesë vjetësh, kam mësuar dhe e ndjej, që periudha që po kalon Korça tani është një periudhë rigjallërimi. Të mos ja u hamë hakun edhe atyre që e kanë udhëhequr, këtë periudhë, pavarësisht nga motivet, nga gabimet apo edhe dështimet.
Le të jemi të ndershëm me veten, kur flasim për një gjë kaq të dashur sa qyteti jonë, që për të gjithë është “i imi” dhe në të vërtetë, ju takon të gjithëve dhe të gjithë edhe nëse nuk bëjnë dot gjë, kanë të drejtë të flasin për të.
Ka një dukuri tepër negative, e cila për fat të keq, mbizotëroi në 80 vitet e fundit. Korça mbeti “e vockël” dhe për fat të keq, do vijë e do rrudhet akoma më shumë për shkak të rënies demografike.
Unë kam jetuar gati gjithë jetën time pranë qendrës dhe shumë herë më është kujtuar thënia e një studenti korçar, të viteve ’70, që kur ishte kthyer nga Tirana “ I ishte dukur Korça si kotec”. Edhe pse tingëllon e ekzagjeruar, ka një të vërtetë të madhe në të. Hapësira e lëvizjes të një të riu të zakonshëm sot, ka mbetur e njëjtë, si ka qënë për tim atë dhe për mua. Pazar-Ushtari i Panjohur-Lëndina e Lotëve. Brenda këtij 1 kilometri e gjysëm, bëhet shëtitje, blihet, takohesh me vajzat, shkohet në kishë apo xhami, rri në kafene.Sado të investohet dhe të kthehet në “luksoze” kjo pjesë e qytetit, Korça mbetet në kornizat e “lulëzimit të saj të pas tërmetit të 1929-ës”.
Dhe ky ka qënë gabimi i vazhdueshëm i urbanistëve, që kanë “futur duart” në 80 vitet e fundit në Planin Rregullues. Pjesët e reja, janë trajtuar vazhdimisht sipas parimit ‘shto miell, shto ujë“ dhe prandaj nuk të merr malli të shkosh në pjesë të tjera të qytetit. I njëjti gabim është edhe në Plain e Ri, këtë rradhë edhe nga mosnjohja dhe nga interesa të caktuara të ndërtuesve dhe të “drejtuesve “ të qytetit.
Po e të kthehem edhe pak në historinë e ndërhyrjeve kryesore në Urbanistikë. Ato kanë qënë 3-4 duke filluar me planin Bertoldi të fillimit t[ viteve ’30.
Plani i parë(I quajtur Italian edhe pse bashkëautori ishte austriak) ishte vetëm një planifikim i ndërtimeve në zonat e reja dhe rektifikim i rrugëve. Në të nuk kishte asnjë studim serioz apo modern të zhvillimit të qytetit,edhe për faktin se të dy autorët e angazhuar në atë punë nuk ishin profesionistë të ndonjë niveli të lartë dhe ndoshta edhe me pak ambicie ka qënë detyra që ju ishte kërkuar. Nuk ishte aspak një plan modern apo shumë serioz si mund të paraqitet sot.
Ndërhyrjet e mëdha të viteve ’60, ishin të diktuara nga dy kërkesa të domosdoshme. E para ishte ndërtimi i apartamenteve për të lehtësuar problemin shumë të madh të strehimit dhe e dyta ishte përmirësimi i arkitekturës në arteriet kryesore të qytetit, për shkak të dëmeve që ishin shkaktuar nga tërmeti i 1960-ës dhe nga gjendja jo shumë e mirë e disa ndërtimeve përgjatë bulevardit. 
Autori i studimit urbanistik ishte urbanisti Misto Mele(korçar “denbabaden”), që kishte mbaruar në Bashkimin Sovjetik dhe sgurisht që do kishte ndikime nga shkolla ruse. Edhe pse pallatet që vendosi Misto Meleja shin përgjithësisht të gabuara dhe hasën në rezistencën e shumë intelektualëve korçarë, kryesisht për rastet kur bllokoheshin rrugët(si tek Vetshërbimi, MAPO-ja apo pallati përballë Kinemasë), motive ishte të ndërtoheshin banesa kolektive komode për kohën, dhe t’i jepej një frymë më modern qytetit. Përrallat se Diktatura kërkonte të mbulonte vilat e bukura dykatëshe me fasada të mëdha, janë idiotllëqe, të cilat nuk i ngre kandari. Edhe pse shumica e vëllimeve të vënë nga Meleja ishin të gabuara, kjo kishte të bënte me kufizimet e tij si urbanist dhe me kërkesën e shpejtë për një numur të madh apartamentesh. Për shembull për aplikimin e të njëjtave koncepte në Vlorë, Mistoja ka pasur respektin më të madh të vlonjatëve dhe vërtet ka arritur suksese për atë periudhë.
Por edhe në Korçë, hapja psh e sheshit para Teatrit(të cilit i ze sot frymën sot Kulla Vrojtuese) është pjesë e Planit të Misto Meles.
Sa për ndërhyrjet e diktaturës dhe Diktatorit, duhet thënë me gojën plot, se Hoxha ka pasur për Korçën koncepte të mira urbanistiko dhe arkitekturore, që kanë shpëtuar jo vetëm Pazarin dhe Bulevard Republikën por edhe shumë rrugë apo ndërtesa të veçanta.


Saturday 28 January 2017

Perdredhje

Gjithshka është përdredhur
Rreth vetes dhe tjetrës pështjellë,
Pazgjidhmërisht përdredhur
Si në pyllin tonë ku përdridhen rrënjët.
Notat kujtimet kanë ndjellë,
Ato mes gjelbërimit dhe ujit mbetur,
Në ajrin e pragmëngjesit tretur,
Dhe në të bukurin gjoks të lënë shënjë.
Unë jam tek ti ti po aq sa edhe dhimbja,
Dhe e ëmbla torturë e pritjes,
Ty duarsh të lidh;
Kapluar, 
                Ngatërruar,
                                Trazuar,
Përzjerë me të vjetrin mith,
Dhe po aq me ditët që vijnë,
Ne kotemi në magjinë e të pafundmes
Dhe duhemi dhe për ata, që nuk dinë.

Thursday 26 January 2017

Krijimi i Tregut të Lirë dhe Korrupsioni


Ka një shprehje, e cil përdoret jo rrallë nga politikanët amerikanë: “Vetëm të vdekurit dhe budallenjtë nuk ndryshojnë mendim!”. E thonë kur duan të justifikojnë ndryshimin e ideve dhe qëndrimeve të tyre politike. Kjo gjë mund të vlejë fare mirë edhe për debatin e “nxehtë“ rreth mediave shqiptare dhe sidomos për Henri Cilin, ndonëse ky i fundit nuk pranon të ketë ndryshuar ide apo qëndrime në 10-15 vitet e fundit.
Edhe pse rasti Lela është një dëshmi jo e favorshme për Cilin (gazetari Alfred Lela, kishte një profil të qartë liberal dhe pro qendrës së djathtë), dëshëroj t’i jap Cilit “përfitimin nga dyshimi”(the benefit of the doubt), sepse jo vetëm argumenton mirë idetë e tij, por edhe në debatet me shkrim apo televizive, ka llogjikë dhe vetpërmbajtje të admirueshme, e cila për fat të keq ju mungon kundërshtarëve të tij.
Por le të kthehemi në “liberalizmi” i Cilit, i cili është shumë i ngjashëm me liberalizmin e predikuar nga Berluskoni dhe jo me atë të Theçërit.
Eshtë e vërtetë, se në Shqipëri ka pasur nevojë të madhe për të “shkallmuar” sistemin tërësisht shtetëror dhe për të ndërtuar një sistem demokratik dhe të Tregut të Lirë. Por ka një të vërtetë tjetër, që “liberalizmin ekonomik” nuk e ka përqafuar kërkush që në fillimin e viteve ’90, me përjshtim të Pashkos, I cili ka qënë përkrahës i “terapisë shok” të Fridman-it dhe shkollës së Cikagos dhe që kur aplikohet shkakton plagë të mëdh sociale, sidomos në vende tepër të varfra si i joni. E megjithatë, arsyeja e vërtetë, që Berisha i Parë nuk ishte liberal, ishte dëshira për të patur pushtet të pakufizuar dhe për të kontrolluar gjithshka, ndaj dhe privatizimet, kthimi i pronave dhe masa të tjera drejt një ekonomie të Tregut të Lirë, u bënë të gabuara dhe të shoqëruara me klientelizëm dhe korrupsion.
Autoritarizmi dhe përqëndrimi i pushtetit përjashtojnë liberalizmin.
Pikërisht këtu ndryshojnë liberalizmi i Theçerit me atë të Berluskonit. “Liberalizmi” i Ramës dhe Berishës është një kopje akoma më e shëmtuar e”liberalizmit” të Berluskonit, i cili , për vetë kushtet e Italizë, e kishte të vështirë të përballej me pushtetin e magjistratëve, pushtet të cilin nuk e kontrollonte dot.
Autoritarizmi dhe përqëndrimi i pushtetit (përthyer në korrupsion), kanë qënë krakteristikat kryesore të lojtarëve politikë të sotëm Berisha, Rama dhe Meta. Ata nuk kanë qënë kurrë dhe as mund të jenë “liberalë“. Në politikat e tyre të veçanta, gjatë Berishës  Dy, apo gjatë tre viteve të qeverisë Rama, ka pasur përpjekje për “masa liberale” në ekonomi të diktuara nga llogjika ekonomike, por asnjëherë nuk ka pasur “fara” të liberalizmit të vërtetë. Nuk mund të bëhet fjalë për liberalizëm të udhëheqësve, që duan të kontrollojnë jo vetëm qeverinë, por edhe parlamentin, edhe gjyqësorin, edhe median.
Berisha dhe Rama janë përpjekur të kenë sa më shumë pushtet në duart e tyre dhe pas vitit 2005, ligjet dhe masat për centralizim janë shtuar(pa përmendur këtu veprimet në prapaskenë dhe presionet ndaj pushteteve të tjerë). Reforma territoriale e Ramës është një nga ilustrimet më kuptimplotë. Proklamimi i “rilindjes urbane” të qyteteve, si masë e qeverisë, është një tjetër dëshmi e antiliberalizmit të Ramës. Shtimi i borxhit publik gjithashtu është antiliberalizëm.
E megjithatë, Cili ka të drejtë, që Rama ka devijuar më djathtas se programi i tij i vitit 2013 dhe për këtë duhet përgëzuar dhe mbase meriton edhe një mandat të dytë për të shkuar më djathtas.
Edhe mua nuk më intereson fakti, që Rama ka tradhëtuar elektoratin e tij. Zaten, elektorati e ka ditur në krye të herës se Rama nuk është as i majtë dhe as i djathtë, por është “i partisë së Ramës”.
Por le ta “mbrojmë“ idenë e mandatit të dytë, si mungesë të një alternative më të mirë dhe jo si vazhdim të reformizmit pozitiv.
Partia e Qendrës së Djathtë është një parti e “asfiksuar” nga Berisha dhe si e tillë nuk është në gjendje as të ndërtojë një program vërtet të djathtë dhe as të fitojë zgjedhjet. Meta është personifikimi i korrupsionit dhe si i tillë, nuk mund të konsiderohet si kandidat për kryeministër.
Na mbetet kryeministri  që kemi dhe shpresa se një parlament i copëtuar, mund të rrëzojë më 2018-ën Ramën Dy, kur parti të tjera serioze të djathta dhe të majta të kenë fituar besimin në njerzit.
Ndoshta kjo është edhe ideja e Henri Cilit, për të shpënë para idetë e tij liberale.
Sa për Korrupsionin e politikanëve të sipërpërmendur, le të shpresojmë se do e “vërë në zap” Reforma në Drejtësi. Dhe për këtë të fundit, është mirë, që Ramës mos ja hamë hakun! Mbase vetëm për mbështetjen dhe realizimin e saj meriton një mandat të pjesshëm të dytë.


Wednesday 25 January 2017

Verini emrin e Zai Fundos një shkolle të mesme!


Vite më parë, im atë ankohej shpesh për një lloj frenimi të korçarëve për të propaganduar vlerat e Korçës dhe të popullit të saj. Krahasonte me qytetet e tjera” që nuk kanë bërë gjë prej gjëje, kur krahasohen me Korçën në art, kulturë, patriotizëm” dhe ngrenë zërin në qiell. Sidomos, e kishte fjalën për Shkodrën dhe Elbasanin, se Tiranën e para luftës nuk e “vinte në refene”. Nu di se sa e vërtetë ishte kjo në atë kohë, që ne korçarët vërtet “kemi një lloj turpi për tu mburrur”, apo se në atë kohë, një pjesë e mirë e vlerave të Korçës ose I përkisnin periudhës parakomuniste, ose ata që I kishin më të spikatura kishin përfunduar si kundërshtarë të regjimit.
E megjithatë, edhe sot ve re të njëjtën cilësi, të mospropagandimit të vlerave të vërteta të Korçës dhe korçarëve, që qëndrojnë në themelet e vlerave të Shqipërisë. Nuk dua të ndalem në arsyet, vetëm dua të përmend disa emra dhe të përqëndrohem në njëri prej tyre.
Nga kujtesa e kombit dhe e qytetit, rrezikohen të fshihen përfundimisht emra shumë të rëndësishëm, për shkak se nuk kanë lënë trashëgimtarë, kanë qënë të persekutauar një kohë të gjatë nga komunizmi, ose se janë tërhequr shumë dekada më parë nga jeta shkencore, politike ose artistike e qytetit ose e Shqipërisë.
25 vitet e fundit, që duhet të kishin nxjerrë në pah vlerat e këtyre korçarëve të shquar, që nderojnë jo vetëm Shqipërinë, por dhe Ballkanin, kanë qënë krejt të sipërfaqshëm në këtë drejtim. Jo rrallë herë, janë nderuar njerëz për shkak të përkatësive partiake të fëmijëve të tyre, ose për “të bërë ndere” ndaj atyre që kanë pushtet, para, ose dinë të shpërblejnë. Nuk kam në dorë një listë të qytetarëve të nderit të Korçës, por me siguri, krahas një vagabondi policie të viteve ’90, të vetquajtur Katani, apo Behgjet Pacollit, duhet të ketë edhe plot “rrozga” të tjerë, që jo vetëm nuk e nderojnë Korçën, por i venë njollë asaj.
Për t’ju kthyer emrave, që rrezikojnë të harrohen, mund të përmend Spiridon Ilon, Aleksandra Tashkon, Gaqo dhe Petraq Pilikën, Isuf Gjatën, Qemal Butkën, të gjithë Fundot dhe Kuneshkat, professor Kondën, Balltadorët e sa e sa të tjerë.
Po ndalem tek Zai Fundo, që padyshim është një nga njerzit më të shquar dhe më europianë që ka nxjerrë Korça. Edhe në një dokument të fundit të legatës amerikane, hyn në 14 shqiptarët që e njohin më mirë shqipen krahas Konicës, Nolit dhe Fishtës. 
Zai nuk mund të fshihet lehtë nga kujtesa, se për të u “kujdes” edhe propaganda e Partisë së Punës, që e kishte përmendur në Historinë e saj si renegat, sikundër kishte bërë edhe me të tjerë komunistë të shquar të qarkut të Korçës, si Anastas Luloja apo Pali Tërova. Brezat e detyruar të mësonin Historinë e PPSH, i mësonin këto emra të damkosur, të afërmit e të cilëve shpesh i kishin shoqe dhe shokë shkolle.
Por Zai shkëlqente dhe shkëlqen mbi të gjithë njerzit e tjerë të së Majtës Europiane, për kulturën, shkollimin, veprimtarinë patriotike dhe atë ndërkombëtare. Ai nderohet dhe përmendet nga njerëz të së Majtës italiane, asaj franceze dhe gjermane dhe paskush e ze në gojë në Korçë dhe Shqipëri. Për shkak të frikës dhe injorancës, korçarët, 26 vite më parë, kur demostronin me thirrjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, në duar duhet të mbanin portretin e Llazar Fundos, që kishte ideuar Europën e Bashkuar.
As edhe një shkollë nuk mban emrin e këtij njeriu të madh.
Nuk ka pse të ketë në Korçë shkolla me emrin e “Ismail Qemalit”, se është mbushur Shqipëria me to. Verini emrin e madh të Zai Fundos një shkolle të mesme se nuk nderoni Zain, por I bëni nder Korçës dhe ndërgjegjes e kujtesës të saj!

Monday 23 January 2017

Myfto dhe Velinovska per Peleshin (5)

“Gjatë dy vizitave të 
Shtrausit në Shqipëri më 1988, shërbimeve sekrete izrailite dhe ruse nuk ju ka
shpëtuar pa rënë në sy, lëvizjet drejt Kapshticës, të kolonelit të BND Gerd
Litbarski, i cili në të dy rastet ka fjetur në ish-hotel “Borova”në Korçë,
hotel në të cilin nuk qëndronin kurrë të huajt. Në dritën e zhvillimeve të
sotme, kuptohet që edhe pse nuk ka prova të kohës, Litbarski ka ndenjur në atë
hotel, që ndodhet vetëm 112 metra larg shtëpisë të Peleshëve, për të realizuar
takime të fshehta gjatë natës dhe për të mos rënë në sy të Sigurimit të Shtetit
në Korçë, që atë kohë drejtohej nga vëllai finok i atorit Birçe Hasko dhe
kishte në organikë oficerë me një inteligjencë të jashtëzakonshme si Qerreti,
babai i këngëtares së njohur Bleona, mikeshë e kandidatit për president të
Amerikës Donald Trump. Cili ka qënë misioni i Litbarskit nuk ka mundur të përcaktohet
plotësisht edhe në ditët e sotme, se 12 vite më vonë, ai u gjet pa ndienja nën
një urë të Mynihut, dhe pas kurimit itensiv në spitalin “Dojçes Hercentrum”, ka
humbur plotësisht kujtesën dhe përsërit vetëm copa fjalish të një shqipeje
primitive si “ jem shoq o burr i dheu”, “a ka paçe?” dhe “si t’gjej kushri?”…”


Edhe pse pata vendosur të përcjell pjesët e raportit si më
kanë rënë në dorë, pa ndryshime dhe pa bërë asnjë koment, nuk mund të rri pa thënë,
se duke njohur qytetin dhe vendosjen e hotelit Borova, si dhe ngjarjet që kanë
pasuar, më duket se implikimi i Peleshëve me Litbarskin është i sforcuar.
Koloneli gjerman mund të ketë kryer takime të fshehta me Naumaqin e Belurëve,
që jetonte ngjitur me hotelin ose me të vëllanë e Beçe Kokëmadhit, që shiste
imonikë 50 metra më poshtë, kur dihet roli që luajtën të dy të sipërpërmëndurit
në rrëzimin e shtatores së Enver Hoxhës, 3 vjet më vonë.


“…Periudha maj-qershor 1990, ka qënë një periudhë shumë intensive për degën e BND në Tiranë, pasi nga qendra kërkohej rekrutimi i mbi 20 të rinjve intelektualë, të cilët do
formoheshin si agjentë të Gjermanisë, dhe më vonë do shërbenin si elita udhëheqëse
e Shqipërisë Etnike, projekt ky i hershëm austriako-gjerman, që është në themel
të Ost-politik. Disa nga të rinjtë u orientuan të hynin në Ambasadën gjermane në
2 korrik të atij viti dhe më pas të trajnoheshin në shkollat e BND në arte
marciale, poltikë ndërkombëtare, gjuhë të huaja përfshi këtu edhe dialekte, marëdhënie
të njëkohëshme me shumë gra, pak a shumë të ishin 007-at e Gjermanisë në
Ballkan. Sipas të rekrutuarit Muharrem …… me pseudonimin “Lekja”, i cili më vonë u largua
nga shërbimi i BND për përdorim pa kriter të pijeve alkolike, në projektin
fillestar i kushtohej shumë rëndësin jë të riu intelektual nga Korça, për vetë
faktin, që zona juglindore e Shqipërisë duhet të largohej me çdo kusht nga një
ndikim i mundshëm francezo-greko- rus. “Lekja” nuk ka patur dijeni për
identitetin e intelektualit korçar, por duke përjshtuar kandidaturat e Raqi
Gjermanit dhe Zeme Tedeskut, për mungesë inteligjence, i vetmi kandidat,
inteligjent, filodojç, dhe me njohuri gjuhësh të huaja dhe dialektesh mbetet
zv.kryeministri Niko Peleshi…”
(Vijon)

“Lulja e Kujtimit” dhe “korrigjimi” i saj



Pesë vjet pas vënies për të tretën herë në skenë të opera 
“Luja e Kujtimit”, libretin e të cilës e ka shkruar im atë Andon Mara, së
bashku me Aleko Skalin, po rrjeshtoj disa kujtime, që lidhen me “korrigjimin” e
saj në vënien e dytë në skenë në vitin 1978.
Kujtoj që babaj bashkë me Lekon(A.Skalin) kishin një lloj
ngazëllimi, që vepra e tyre po rivihej në skenë. Dukej se pas suksesit të
viteve të para 1961-64, opera e Kristo Konos nuk ishte më në repertorin e
Teatrit të Operas. Ndonëse nuk jam specialist i muzikës dhe aspak në gjendje të
gjykoj nivelin e operave shqiptare, në opinionin e përcjellë nga autorët në atë
kohë, “Lulja e Kujtimit” ishte opera më e mirë shqiptare. Gjithsesi nuk di se për
ç’farë arsye, në fund të vitit 1977, dikush u kujtua ta nxjerrë sërish nga
sirtarët. Kujtoj që të tre(Konoja, Lekoja dhe babaj) kishin një lloj rezistence
për ndryshimet edhe pse kishin mirëpritur rivënien. Kompozitori i nderuar
kishte arritur të 70-tat dhe dy libretistët nuk ishin më të rinj, bile Lekoja
kishte dalë në pension. 
Punonin të dy në shtëpinë tonë dhe pasi bënin ndryshimet i
shpinin tek Kristo Konoja për të marrë miratimin e tij dhe për të hedhur edhe
ai në nota ndryshimet. Bënin shaka me kërkesën për korrigjiime, e cia nga “ka i
fije, ka i fije” sipas Cesk Zadesë, që atë kohë duhet të ishte udhëheqës
artistik i Teatrit të Operas, ishte bërë shumë më e madhe. Megjithatë edhe ata
e dinin mirë se kërkesat për ndryshime nuk vinin nga Cesku, por nga zyra me rëndësi
të Komitetit të Partisë të Tiranës, Ministrisë së Arsim-Kulturës a ndoshta edhe
më lart. Kur e kisha pyetur babanë, se c’lloj ndryshime kërkoheshin, më kishte
thënë kryesisht heqjet e koraleve me çetat e komitëve bullgarë, për shkak të
marëdhënieve jo të mira me vendet e Kampit Socialist si dhe rifreskime të gjuhës
dhe “ndonjë përshtatje me kohën”. Kërkesat i dukeshin të kota se dihej që
libreti ishte i bazuar mbi romanin e Foqion Postolit të shkruar me vërtetësi më
1905, ndaj “aktualizimi” i tij nuk kishte asnjë kuptim, por të tilla “absurditete”
nuk ishin të parat që vinin nga instruktorët partiakë injorantë të Komiteteve të
Partisë të cilët për hir të së vërtetës atë kohë kishin frikë edhe nga hija e
tyre.
Kështu, në tavolinën tonë të bukës të mbuluar me një mushama
me dekoracion frutash, prodhim I Pastmasit të Lushnjës, bëheshin korrigjimet e
libretit të operas “Lulja e Kujtimit” në dimrin e viteve 1977-78. Babaj kishte
një shkrim të bukur dhe i mbante letrat e sistemuara mire. Hidhte me laps në
letër vargjet që diskutonin për t’i korrigjuar ose ndryshuar komplet, ndërsa
Lekoja nxirrte herë herë pusulla  nga
xhepat  ku kishte hedhur frymëzime në ditët
e mëparshme. Këto kisha parë dy tre herë kur kisha hyrë në kuzhinë dhe kisha qëndruar
jo më shumë se pesë minuta, pasi nuk ju pëlqente të kishin njeri “nëpër këmbë“,
kur punonin.
Ishin vite terrori. Disa muaj më parë, disa kolegë të tyre,
piktori Vangjush Tushi, gjuhëtari Gaqo Peci, muzikanti Kiço Venetiku, ishin dënuar
më burgime të gjata për veprimtari armiqësore kundër pushtetit popullor. Aleko
Skali, kishte patur kurajon, që në gjyq të ngrihej dhe të mbronte Gaqo Pecin,
si djalin e patriotit Sotir Peci dhe si një qytetar luajal.
Në qershor të vitit 1978, opera “Lulja e Kujtimit” u shfaq e
korrigjuar. Të dy libretistët nuk kishin as ftesa dhe nuk e panë dot shfaqjen në
Tiranë. Nga sa ju kishte thënë Kristo Konoja, I cili kishte qënë I pranishëm në
premierë, shfaqja kishte qënë e dobët, gati e dështuar.
Megjithatë ishte opera e tyre, për të cilën kishin punuar me
përkushtim dhe dashuri në fillimin e viteve ’60.



Sunday 22 January 2017

Turizëm aventuror


Në një material studimor, të përgatitur nga rreth 3 firma
dhe 4 grupe studimi, hasa shprehjen e panjohur për mua “turizëm aventuror”.
Kisha dëgjuar për shumë loje turizmesh, si eko-turizëm, turizëm agrar, seksual,
religjioz, arkeoogjik, por aventuror nuk më kishte zënë syri dhe veshi. Kujtova
se bëhej fjala për një lloj interesi të njerëzve për aventura të tipit Perëndim
I Largët, ku më të guzimshmit dhe akmitarët suen për të gjetur flori, pushtuar
toka dhe vrarë lëkurëkuq, por studimi ishte për Korçë dhe përcaktonte si zonë “turizmi
aventuror”, komunën e Vithkuqit. Me sa e kisha shkelur atë zonë e dija që nuk
kishte lëkurëkuq, (nuk di të ketë as vithekuqër), toka të lira dhe sa për flori
sheshit ose nëpër vija uji nuk mund të ve dorën në zjarr se kishte apo jo.
Bakri I Rehovës mbase ka edhe ca metal të artë.  Nuk di nëse në aventura mund të futet mbjellja
e kanabisit, se pavarësisht se ilegale, kultivimi i kanabisit është një process
puro agrar. Gjithashtu, në aventurë nuk mund të fut formimin e Brigadës së Parë
Sumuese, “që sumonte armikun me furi dhe nuk humbiste asnjëherë“, ndaj vendosa
të kërkoja në internet. Kërkova dhe e gjeta. Vërtet ka një turizëm aventuror
(adventure tourism), por në të përcaktohet, që hyjnë zonat larg qendrave të
qytetëruara “ku udhëtari mund të ndodhet para shumë të papriturave dhe përgjithësisht
duhet të jetë i shoqëruar nga udhërrëfyes”. 
Vithkuqi I 100 krojeve dhe 24 kishave, ka qënë I banuar rreth
1000 vite më parë, zonat përreth kanë gjurmë vendbanimesh disa mijëra vjeçare
dhe për gjysëm ore me makinë mund ‘të rrëzohesh” në Korçë. Nuk ka nevojë të
marrësh udhërrëfyes dhe e vetmja e papritur, kur hyn në kafenetë e fshatit është,
që si I ardhur nga larg duhet të paguash për vithkuqarët që janë në një tavolinë
me ty. Janë edhe Shoret. Po shumica e këtyre të fundit janë shpërngulur prej
kohësh në Korçë dhe janë mjekë, inxhinierë, farmacistë, avokatë dhe s’ke pse t’ju
trembesh.
C’i ka ndodhur vallë Pitë Uilsonit dhe Sazan Gurit, kur kanë shkuar në Vithkuq, që e klasifikuan në turizëm aventuror?
Mbase as e kanë marrë mundimin të ngjiten atyre majave dhe
rripave, por në thesin e madh të gënjeshtrave, që përmblidhen në relacionet për
Plann Rregullues, futin edhe ca dëngla “turizmi aventuror”, për të lënë me gojëhapur
dallkaukët e Bashkisë.
Sahati i Korçës, i kthyer pas me ardhjen në fuqi të Dullës
me shokë, po vazhdon të shkojë sëprapthi me simpatizantët e sotëm të Dullës.
Po ai perfekt-prefekti mos është si gjysëm vithkuqar?
Ndoshta dhe ai ëndërron për aventura në fshatin e të gjyshit.




Saturday 21 January 2017

E shenjta e Drejtë e Fjalës

Eshtë arrestuar një mësuese, për shkak se ju ka thënë nxënësve, 
që ISIS dhe Bin Laden janë të mirë. Që mësuesja part-time e Medresesë të Shkodrës
nuk është shumë e kënduar, kjo nuk do shumë mend. Edhe që mund të jetë viktimë
e një propaganda pro-Al Qaeda apo pro-ISIS edhe kjo duket e mundshme.
Por arrestimi I menjëhershëm i saj nge shumë pikpyetje mbi
raportin, që ka shteti ynë me Lirinë e Fjalës dhe të Mendimit.
Vërtet , që mësuesja nuk ka asnjë të drejtë, që nxënësve
t’ju përcjellë opinionet e saj ndaj një teme delikate si ajo e terrorizmit, por
kjo duhet të mbetet një çështje administrative e Medresesë, e cila ka të drejtën
e saj të mbajë ose të heqë nga puna mësuesen Allushi, për shkelje të parimeve të
shkollës. Angazhimi i një emisioni investigativ gazetaresk dhe më tepër akoma
arrestimi i saj në një akuzë, që të kujton nenin famëkeq për agjitacion dhe
propagandaë kundër pushtetit popullor është jo vetëm tërësisht e gabuar, por
edhe e dëmshme për Shqipërinë.
Gjithkush ka të drejtë të ketë opinionin e tij për ngjarje,
personalitete, organizata, përfshi këtu edhe ato kriminale. Askush nuk
arrestohet në Shqipëri nëse thotë psh para nxënësve, që Adolf Hitleri ishte I
mirë. Me të njëjtin kut, duhet të arrestoheshin Fatos Klosi, Zabit Brokaj dhe Moisiu,
që thonë jo vetëm që ishte I mirë, por ngrenë në qiell duke e bërë burrë shteti
Mehmet Shehun. Gazetat kanë plot shkrime positive për enver Hoxhën, që ka vrarë
më shumë njerëz se Bin Ladeni dhe me të drejtë, askush nuk preket për këtë.
Po pse arrestohet mësuesja trushpëlarë Allushi?
Për të treguar ndaj Perëndimit që ne jemi në pararojë të terrorizmit?
Eshtë e gabuar.
As Perëndimi nuk na I kërkon këtë gjë. Për Amerikën dhe
Europën, Liria e Fjalës dhe Mendimit është e njëjtë. 
Me arrestimin e Allushit, ne vetëm nxisim propagandaën e
terroristëve dhe të fondamentalistëve islamikë. Fare mirë ata mund ta përdorin
si një sulm ndaj myslimanëve të thjeshtë duke shtuar përkrahësit e tyre.
Në Shqipëri si kudo në botë, ka dhe do ketë njerëz që nuk
kuptojnë thellësisht se ç’është ISIS, që dyshojnë në Amerika dhe në shtypi I
huaj dhe vendas, që simpatizojnë verpimet e terroristëve, që hapur ose fshehur
ju dalin në mbrojtje. Kjo është natyra e shoqërive njerëzore, që në krijimin e
tyre. Por kur fjala, është e kufizuar vetëm në shprehje të opinionit dhe nuk
ngjall urrejtje ose nxit veprime të dhunshme, nuk duhet ndëshkuar me arrestime
apo dënime sikundër bëri tek ne Diktatura për gjysëm shekulli.
Për këtë liri të fjalës ëndërruam të gjithë.




Wednesday 18 January 2017

Myfto dhe Velinovska per Peleshin (4)

Ka qënë shumë e vështirë, të shtiem në dorë pjesën prej 20 
faqesh të studimit, që flet për rekrutimin, trainimin dhe veprimtarinë në shërbim
të Gjermanisë të zv.kryeministrit tonë gjatë 25 viteve të fundit. Edhe disa
paragrafe që na kanë dhënë , kanë pasur mbulime të emrave me një të zezë të papërshkueshme,
ndaj, si kemi vepruar bashkë me miqtë e mij të ngushtë, në pamundësi për t’i
lexuar, po ja u le edhe juve të fantazoni rreth tyre:
“Sipas Wikipedias, zv.kryeministri Peleshi ka lindur më 11 Nëntor 1970 dhe që këtu fillon një 
manipulim i Historisë i inicuar nga konjeksione të dyshimta gjeostrategjike, pasi sipas dëshmitarëve, fëmija mashkull shëndetplotë, që sot është figura e dytë e qeverisë shqiptare ka 
lindur plot 12 minuta para mesnatës së datës 10 nëntor, që përkon me ditlindjen
e Martin Luterit, por rregjistrimi është bërë si i lindur më 11 nëntor, që përkon
me “Natën e Kristaleve”, e cila si dihet është një datë me shumë rëndësi në
komplotin antisionist të ideuar nga “Iluminatit” dhe të vënë në zbatim nga
nacional-socialistët e Hitlerit. I gjithë manpulimi prej 13 minutash është bërë
nga mamia ……………… e cila është larguar në rrethana të panjohura në vjeshtën e vitit 1992 në drejtim të Aleksandropulit, prej ku ka shkëputur marëdhëniet me të gjithë familjarët
dhe të njohurit. Nuk dihet nëse ajo është ekzekutuar, ka kafshuar ampulën prej
cianuri nën apallëk, apo është dorëzuar murgeshë në manastirin e Panagjia Kozmosotiras.
Edhe pse nuk ka dëshmitarë të pakundërshtueshëm, nëse fjala e parë, që ka shqiptuar Nikollaqi i vogël ka qënë “Javol” apo “Jam”, për shkak të afërisë fonetike në artikulimin infantil të këtyre 
fjale ve, që ngjajnë më shumë me një “ja-ja-ja-ja-ja” të përsëritur, e cila
gjithsesi mund të interpretohet si një “po” subkoshiente në gjermanisht, gjë që
dëshmon prirjen për bindje ndaj eprorëve, cilësi kjo mjaft e përhapur në popujt
gjermanikë dhe që globalisht konsiderohet sin jë çelës i artë për të bërë
karrierë, ajo që dihet është zgjuarsia e tij në vogëli dhe prirja për “gjana
t’arta”. Nikollaqi (deri në fund të periudhës para-gjermanike, do i referohemi
me këtë variant përkëdhelës të emrit), të vetmen trofe të artë, që mund të
arrinte në sistemin komunist, që ishte sisitem anti-flori, ishte “medalja e artë“
e gjimnazit, të cilën e arriti pa shumë mundim, por duke qënë i bindur,
sistematik dhe njëkohësisht antar i Komiteteve të Rinisë, vatrat e atëhershme
ku formoheshin kuadrot e reja revolucionare. Aty pati edhe zhgënjimin e parë
nga sistemi I kalbëzuar komunist, se pasi kafshoi medaljen për të provuar në
ishte flori safi, ajo rezultoi prej alumini të thyeshëm, e derdhur në Fabrikën
e Riprodhimit të veprave të artit…Sipas dëshmitarit …………………. zhgënjimi i dytë i atij viti, ka
qënë humbja turpshme e Gjermanisë në Kampionatin Europian nga Hollanda e Gulit
dhe Van Basten, gjë që e bëri të mendojë seriozisht për të studiuar
elektronikë, për të mësuar thellësisht se si mund të manipulonte tabelat
elektronike të rezultateve të ndeshjeve, ide kjo që i kishte lindur në minutat
e fundit të takimit vrasëtar Gjermani-Hollandë…”
(Vijon)

Tuesday 17 January 2017

Turp të vdesin njerzit nga të ftohtit në Korçë


Njeriu i dytë ose i tretë, që ndrron jetë në qytetin e dimrit dhe bamirësisë.
Ai nuk ka emër, si nuk kanë emra edhe shumë të pastrehë të
tjerë, të braktisur, të sëmurë mendorë, të zhgënjyer nga jeta ose edhe thjesht
të pafat.
I gjori, që mbylli jetën në mes të ngricës pardje, ishte futur
t’I fshihej këtij dimri të ashpër, pas një dere, të cilën e shihja disa herë në
ditë, për tridhjet vjet, kur hyja e dilja në apartamentin ku u rrita. Nuk ka se
si të jetë më në qendër të qendrës. Shumë shekuj më parë atje ka qënë kalaja e
garnizonit turk, që shënonte fillimin e qytetit dhe gati një shekull më parë,
ishte ndërtuar hoteli më luksoz në Shqipëri i quajtur “Pallas”. Njëzet metra përballë
është ndërtesa e dikurshme e Bashkisë, që po rikthehet në Bashki, me investime
jo të pakta nga qeveria socialiste.
Nuk ka para për një fjetore për të pastrehët në dimër,
sikundër ka në të gjitha qytetet e botës, ku temperaturat shkojnë deri – 20 gradë.
Nuk ka para as për menca, ku të pabukët mund të hanë një supë
për të mos vdekur.
Nuk ka para as për një furgon të mbushur me sanduiçe, që të
rrotullohet qytetit e t’ju japë diçka të përvuajturve.
Ku ka katandisur Korça e Mytevelinjve dhe e bamirësive të
tyre që prej pesë shekujsh më parë?
Ku ka shkuar fryma e Mandi Tërpos, që dhuroi shtëpinë e tij,
për tu bërë Mësonjtorja e Parë Shqipe e gjithë Mëmëdheut?
Si është ndryshuar Korça e filantropit Thoma Turtulli, që i
dhuroi qytetarëve Bibliotekë, Spital, Jetimore, Gjimnaz ?
Kush e ka thyer solidaritetin e korçarëve, që mblidhnin para
për të ngritur monumentin e Themistokli Gërmenjit dhe Luftëtarit Kombëtar, pa
pritur gjë nga shteti?
Ku janë Kisha Ortodokse, Myftinija dhe Gjyshata që dikur
ndihnin aq shumë nevojtarët?
Të gjithë presin nga Qeveria dhe Bashkia?
Në Korçë, më shumë se kudo gjetkë nuk duhet të vdesë njeri
nga të ftohtët. Dimëra të ashpër ka pasur që kur është krijuar qyteti.
Diçka ka ngrirë dhe krisur keq në shpirtin fisnik të Korçës.
Ndoshta është kulti I Parasë, të cilit duket se i është
ngritur një Monument në formën e një Kulle Brutale, jo shumë larg vendit ku u
ngri korçari I pastrehë.
Në Qendër të Korçës ngriu sërish një njeri.
E vrau dimri i ashpër i lakmisë dhe indiferencës sonë!







Sunday 15 January 2017

Myfto dhe Velinovska per Peleshin (3)


“…Me ardhjen në fuqi në
vitin 1933 të Partisë Nacional Socialiste të Adolf Hitlerit, u rrit interesi për
informacione nga Pazari i Korçës, i cili ishte kthyer në një qendër të lëvizjes
komuniste, pasi një pjesë e mirë e terezinjve, teneqexhinjve, mballomaxhinjve,
kallanxhijve, kujunxhinjve, bakërxhinjve, samarxhinjve, hekurxhinjve,
jorganxhinjve, zilexhinjve, qirinxhinjve në vend të këndonin ‘Mein Kempf”,
kishin lëçitur nën dritën e llambave me vajguri romanin “Nëna”. Megjithatë,
celulës “forfluhtengisten” ju dha urdhri për tu rikthyer në gjendjen e një
letargjie të theksuar dhe të përgatitej për kohën e “Luftës së ftohtë“, pasi
sipas parashikimeve të fallxhorit personal të Himlerit, Shqipëria do luante një
rol kyç gjatë konfliktit të madh Lindje-Perëndim…”
Të gjitha faqet e studimit, që dokumentojnë veprimtarinë e
celulës në fjalë, gjatë kohës së Luftës së Ftohtë mungojnë. Na ka rënë në dorë
vetëm një shënim me dorë i gazetares maqedonase Velinovska, i cili nuk përmban
firmën e Myftos, si është parë në të gjitha rastet e tjera. Pra pala shqiptare
ose ka dyshim reth këtij shënimi, ose interesa më të mëdha globale e kanë
detyruar gazetarin tonë të abstenojë. Megjithatë, shënimin e Miras po e përcjell më poshtë:
“Celula “forflyhtengisten”, ka qënë shumë aktive në dhënien e informacioneve me 
karakter ushtarak dhe ato të spiunazhit industrial. Përgjegjësi i celulës, ka qënë
një frankoraft, me pseudonimin “Rrobaqepësi i Mallamasë“, mbi dosjen e të
cilit, më vonë është shkruar libri “Rrobaqepësi i Panamasë“ , që disa vite pas
botimitm u realizua edhe në film me të njëjtin titull. Për shkak të numurit të
madh të agjentëve vullnetarë të Sigurimit të shtetit shqiptar, celula, në përbërjen
e të cilës ishin shtuar edhe disa arumunë, informacionet I përcillte me këngë
serenatash të krijuara nga antarët. Serenatat këndoheshin nën dritaret e
vajzave, që banonin në afërsi të qendrës të përpunimit të informacionit, prej
nga përcilleshin për në Gjermani me radiotransmetuese të sofistikuar.  P.sh. janë shumë të njohura rastet e dhënies informacionit me vargjet:
Binte dëbora moj me ngadalë/ Binte pa pushim/ Zbardhi fusha zbardhi male/ Zbardhi vendin tim/ Me doçkat e njoma ti rrinje pranë zjarrit/ I thurrje një triko ushtarit. Dëshmonte për gjendjen tepër kritike të furnizimeve për ushtrinë, që shpunë edhe në dështimin e manovrave të mëdha 
ushtarake të Bodesë.
Një tjetër ishte ajo që fliste për dashurinë e dy gjeologëve dhe që jepte njoftime të sakta për 
zbulimin e një xeheje të madhe hekur-nikeli me përmbajtje edhe metalesh të çmuara,
në zonën e Bitinckës:
-Si drit e Agimit, si lulet e Majit/ Vajza ime ti më je/ Thesaret e tokës ne bashkë do i zbulojmë/ 
Gjeologia ime e re.
Asnjë antar i kësaj 
celule nuk u zbulua nga i tmerrshmi sigurimi i shtetit…”

(Vijon)

Thursday 12 January 2017

Përse është pezmatuar Rexhep Qosja?

Akademikun Qosja e kam pasur idhull, që në fillimin e viteve 
’70, kur pasi kishte mbrojtur disertacionin me një temë rreth poetit tonë të
shquar Aleksandër Stavre Drenovës, edhe pse shumë i ri, kishte dëshmuar  njohuri të thella të shqipes dhe letërsisë
shqiptare dhe po jepte aktivisht ndihmesën në lëmin e gjuhës shqipe dhe letrave
të saj. Në harkun e ndryshimit të sistemit, intervistat e tij në Zërin e Amerikës
më ngjethnin dhe më mbushnin me shpresë. Po ashtu, besoja verbërisht në
kumtimet e tij rreth çështjes së Kosovës, para Rambujesë dhe pas saj, si beson
njeriu ndaj një intelektuali, të mençur, patriot dhe të pakorruptueshëm.
Ndaj edhe me shumë interes lexova shënimin e tij rreth çështjes
së ndalimit në Francë të Ramush Haradinajt, një çështje kjo që ka ngjallur shumë
diskutime në Kosovë dhe në mbarë trojet ku jetojnë shqiptarë. Vetë isha
shprehur me një shënim në gazetën “Tema” kundër politizimit të tejskajshëm të kësaj
çështjeje, duke dyshuar si gjithnjë, se politikanët tanë shfrytëzojnë temat
kombëtare për të fituar pikë në elektorat dhe jo se u dhimbset shumë Ramushi
apo edhe vetë çështja e Kosovës.
Si rrallë herë, pezmatimi i prof. Qoses mu duk pak i shtirur.
A po bën hapa prapa çështja madhore e kombit tonë(pavarësia
e Kosovës) tani që një segment i administratës franceze ka ekzekutuar një urdhër
arresti të tejkaluar në kohë dhe juridikisht?
Rexhep Qosja nuk e thotë hapur këtë, por e lidh me qëndrimin
e aleatëve në çështjen e ngritjes së gjykatës së veçantë për të gjykuar çlirimtarët
e Kosovës. Për akademikun, ngritja e kësaj gjykate është jo vetëm e gabuar, por
një lëshim i “oligarkëve kosovarë“, që nuk arrijnë të bëjnë të spikatur
mëvetësinë e Kosovës.
Unë mendoj se ne vetë, duhet të ishim nismëtarë të ngritjes
së një gjykate të tillë, për të dëshmuar se jemi në gjendje të gjykojmë
vetveten edhe kur nuk kemi njolla në ndërgjegje. Në rast, se mes çlirimtarëve
shqiptarë ka pasur nga ata që kanë kryer krime lufte, duhet të jemi po vetë të
parët, që t’i largojmë nga jeta politike dhe t’I lemë në jetën e tyre private,
të gëzojnë pensionet e çlirimtarëve. Në të njëjtën kohë duhet të këmbëngulim që
gjykata të veçanta të së njëjtës natyre të ngrihen edhe në Sërbi, apo vende të
tjera të përfshira në luftrat e Jugosllavisë, por jo t’ju japim “a priori”,
statusin e heronjve të gjithë çlirimtarëve, përfshi këtu ata të cilët mund të
kenë kryer krime.
“Historinë e bëjnë fituesit” dhe “fitimtarët nuk gjykohen”,
janë tashmë shprehje të dala kohe. Vërtet, një hiperfuqi, si SHBA, është në
gjendje të mos njohë gjykatat ndërkombëtare dhe t’i mbrojë ushtarakët dhe
politikanët e saj nga akuzat për krime lufte apo terrorizëm ( të të tjerëve),
por mos harrojmë se jo vetëm që është shteti më i fuqishëm në botë por ka dhe
një sistem gjyqësor të saj, që nuk lejon të shkojnë pa ndëshkuar ushtarakët
kriminelë, që kanë shkelur ligjet e luftës.
Në përpjekjet për mëvetësi të sigurt dhe demokratizim të
plotë Kosovës,iI bën punë jo vetëm ngritja e gjykatës së veçantë, por sidomos
puna e saj përpos standarteve ndërkombëtare.
Për sa i përket Ramushit, uroj dhe jam i sigurt që do
kthehet shpejt nga Franca në Kosovë, por për të gjithë shqiptarët është më mirë
të pritet jo me shumë pompë e bujë. Një karshillëk ndaj Francës nuk na sjell
asnjë të mirë dhe as na bën më trima.
Zaten trima janë ata, që dinë të pranojnë gabimet e tyre dhe
të bashkëkombësve dhe përpiqen t’i korrigjojnë.
Moskorrigjimi i atyre ç’ka kemi bërë në të shkuarën duhet ta
pezmatojë më shumë akademikun tonë të nderuar!

Monday 9 January 2017

Myfto dhe Velinovska per Peleshin (2)


Vazhdon më poshtë një pjesë tjetër e studimit
Myrto-Velinovska, rreth agjenturës gjermane në vilajetin e Manastirit dh eveçanërisht
në Kazanë e Korçës:
“…Për mospërmbushje të
porosive të të atit, familja Von Palesch hashaovi(bëri hasha) degën Voskopojare
të saj duke e përjashtuar nga trashëgimia e sipërfaqeve të mëdha të tokave bujqësore
në afërsi të Lippes, gjë që solli një shkëputje njëqindvjeçare deri në vitin
1793, kur djali i dytë i stërnipit të gjemanit, që dikur kishte lënë me barrë
një vajzë të fisit Moisiu, hapi një dyqan të vogël në Pazarin e Korçës ku qepte
dhe shiste poture, qillota dhe takije shajaku. Revolucioni Francez, kishte
ngjallur frikë në aristokratët e Prusisë, nën të cilën ishin atë kohë feudalët
e Vestfalisë dhe familja Palesch. Një përfaqësues i tyre ndërmori një udhëtim të
fshehtë në vilajetin e Manastirit dhe pas bisedimeve me Valiun, mendohet se është
takuar në Korçë edhe me shajakistin Peleshi të cilit i ka ofruar ndihmë në të
holla duke i kërkuar, që të krijojë kushte për një evakuim të mundshëm të të
gjithë familjes së zgjeruar gjermane në rrethinat e Korçës në rast të një shpërthimi
të mundshëm të një revolucioni borgjez në Gjermani. Me këto  të holla u ndërtua shtëpia në lagjen e Peçove dhe u blenë disa troje ndërtimi në lagjen Barç të Korçës.Gjatë këtij udhëtimi në
Manastir, Pogradec dhe Korçë është krijuar rrjeti filogjerman i Nukeve Millojve
dhe Peleshëve, nga e cila kemi edhe shprehjen lapidare që ka arritur deri në
ditët tona: “Tre familje të sigurta dhe potente ka në Korçë dhe ato janë Nuket,
Millojtë dhe Peleshët.”
Me përfundimin e 
luftrave napoleonike dhe për shkak të aleancës turko-prusiane, veprimtaria e
Peleshëve u kanalizua në kategorinë e celulave letargjike,sikundër quhen ato njësi
të shërbimeve sekrete që aktivizohen pas më shumë se një shekulli. Në
dokumentat e shërbimit të fshehtë prusian, celula e Korçës quhet si
“forflyhtengisten”, që pak a shumë në gjermanishten e sotme, mund të përkthehet
si “shpërthimi i ngadalshëm i rigonit”, gjë që vërteton katërcipërisht teorinë
e agjenturës së vjetër gjermanike, në kazanë e e Korçës dhe përfaqësuesit
kryesorë të saj. Ka patur një aktivizim të pjesshëm të celulës gjatë Luftës së
Parë Botërore, që konfirmohet nga raporti rreth takimeve të ‘forflyhtengisten”
me Sali Butkën, takime të cilat farkëtuan aleancën e këtij të fundit me ushtrinë
austro-hungareze. Këtu mendohet se ka pasur një ndërhyrje për dobësimin e fuqive
të Antantës, me porosi nga Gjermania, që ka sjellë arrestimin dhe ekzekutimin e
Themistokli Gërmenjit dhe që shpjegon ftohtësinë e tyre të mëvonshme ndaj Evdhoksisë
dhe alergjinë moderne të Niko Peleshit për “Villën Themistokli”…

(Vijon)

Sunday 8 January 2017

Myfto dhe Velinovska për Peleshin


Një dokument i rëndësishëm, që mund të përmbysë ekuilibrat
politike shqiptare, pritet të publikohet në prag të zgjedhjeve të përgjithshme
të vitit 2017. Eshtë fjala për një studim disavjeçar të Myftos në bashkëpunim
me gazetaren Mirka Velinovska për ndikimin gjerman në poitikën shqiptare dhe mënyrën
se si është arritur. Në saktësinë e studimit ka ndikuar intuita politko-komplotiste e Myftos dhe shtënia në dorë nga Velinovska e një numuri të madh dokumentash sekrete të disa shërbimeve inteligjente perëndimore dhe lindore.
Eshtë arritur në përfundimin se Niko Peleshi, zv.kryeministri i vendit, është agjent gjerman prej vitit 1991.Më poshtë po ve disa paragrafë të studimit të cilin nuk kam mundur ta gjej dot të plotë:
“…Familja Peleshi është degë e familjes teutone të Baronit Jozeph Von Palesch nga landi i Vestafalisë gjyshi I të cilit kishte dërguar në shekullin e shtatëmbëdhjetë njërin nga 
djemtë për tu vendosur në Durrës, në më nyrë që Paleschët të kishin një dalje në
Adriatik pasi kishin përkeqësuar marëdhëniet me doxhët e Venedikut, për shkak
një borxhi të pakthyer, borxh ky i marrë në rrethana shtrëngimi nga këta të
fundit ndaj atyre të parëve. Nuk dihet se pse xhaxhai i baronit nuk u vendos në
Durrës si e kishte porositur i jati, por në Kavajë, ku mendohet që ka pasur një
histori dashurie me një vajzë të fisit Moisiu, nga e cila ka lindur një djalë illegal,
që pas të gjithë të dhënave duhet të ketë qënë katragjyshi i aktorit të famshëm
shqiptar Aleksandër Moisiu, i cili gjatë karrierës së tij në Austri dhe Gjermani
është ndihmuar fshehtazi edhe nga pasardhësit e baronit Von Palesch. Pas
skandalit, gjermani Palesch, që nuk pranonte përgjegjësitë, që rridhnin nga
lindja e fëmijës së paligjshëm, u detyrua të largohet nga Kavaja dhe të
vendoset në Voskopojë, që ishte atë kohë qyteti më i madh shqiptar ku martohet
me një vajzë nga të fisit Kavalioti, të njohur për lidhjet e tyre me shoqëritë
e fshehta masone. Nuk është e sigurt nëse xhaxhai i baronit hyri ose jo në
llozhën masonike V2 të Voskopojës,  por nuk është e sigurt gjithashtu nëse me urdhërin e Kryemjeshtërit mason, dy breza më vonë mbiemri u kthye nga Palesch (në shqip Palesh) në Pelesh, mbiemër që është i mbajtur i pandryshuar deri në ditët e sotme…”

(Vijon)

Saturday 7 January 2017

Ku janë LIBRA-t e tjerë?

Pas mëse 6 muajsh përgatitjesh dhe dy muaj zyrtarizimi, 
Partia e Blushit ka nisur në stil të gjërë betejën e saj politike si parti e
tipit të ri. Dhe pikërisht në këtë periudhë bie në sy, që jo gjithshka në këtë
parti po funksinon sin jë Listë e të barabartëve dhe të pakënaqurve(një miku im
shton edhe e të padjalëzuarve). Fakti, që eddhe unë në rrjeshtat e para të këtij
shënimi I referohem si Partia e Blushit, dëshmon, që qysh në embrion, edhe kjo
parti vuan sëmundjen e partive tradicionale shqiptare. 
Atë të personalizmit të tyre nga Një-shi.
Ende, veç Hafizit, nuk duken të dalin në “ballin” e betejës
emra të tjerë. Dhe duke patur parasysh skepticizmin e madh të shqiptarëve ndaj
politikanëve të stazhionuar(i tillë është Blushi), ka pak të ngjarë, që kjo njësi
e re politike t’ju duket e ndryshme dhe shpresëndjellëse.
Nuk mund të them se Ben Blushi e bën këtë qëllimisht, për të
mos pasur konkurrentë, apo nga mungesa e përvojës në struturimin e një lëvizjeje
të re me një natyrë të ndryshme. Por nëse e krahasojmë, për nga mënyra e
funksionimit me Lëvizjen e Beppe Grillos në Itali, duhet thënë, që ky i fundit,
jo vetëm kishte në krah të ndjerin Kazalexhio, por në sajtin e tij, veç emrave
të ideologyëve të njohur, afirmoheshin edhe poitikanë të së ardhmes, disa prej
të cilëve u bënë të shquar më vonë në luftën politike, si Di Majo, Batista e të tjerë.
Blushi jo vetëm që nuk mund të krahasohet nga energjia,
karizma dhe besueshmëria me Grillon, por 
të bën të dyshosh se i nënveftëson njerëzit, që ka përreth. Uk mund të
kuptohet, se si në një numur kaq të madh televizionesh, gazetash e portalesh,
nuk ka asnjë intervistë apo shkrim të një LIBRA tjetër veç Hafizit.
Nuk mjaftojnë polemikat e tij në Parlament, as dhe fotot me
familje të mjera, për të dhënë sinjalin e një politike Ndryshe. Bile edhe në
fjalët e tij, ai duhet t’I largohet gjuhës denigruese apo dhe asaj të batutave
të përdorura deri tani nga Nano, Berisha, Meta dhe Rama. Shqiptarët janë të
lodhur nga kjo gjuhë hemi, e cila vlen vetëm për bisedat e kafeneve të pasuesve
të tyre. “E pe sa bukur ja u thotë Deliri, Iliri dhe Saliri!!”
Shqiptarët janë shumë më të mençur se kaq. Dhe ajo pjesë, që
e ka të vështirë të arsimohet dhe është viktimë e televizioneve e kupton ca nga
ca, se me batuta nuk ndryshohet politika.
Njerëzit kërkojnë politikanë të rinj, të motivuar  dhe të besueshëm. Nuk kanë më aspak rëndësi për
ta kunjat dhe shpotitë gojëmbyllëse.
Ndaj nëse nuk do, që LIBRA, të përfundojë në qoshen ku
mbahen kandarët e vjetër ose librat e verdhë policeskë, që nuk i lexon më kush,
Blushi dhe Hafizi duhet të nxisin të tjerët të afirmohen. Edhe sikur të mos
jenë elokuentë. Edhe po të gabojnë. Arti i të bërit politkë mësohet dita ditës
dhe ashtu si noti, mësohet duke u futur në det.
Por jo kur Detin e ka pronë vetëm udhëheqësi apo instruktori i notit.



Friday 6 January 2017

Une NUK jam Ramush Haradinaj

Po ashtu nuk ndjehem as si Sali Berisha, as si Edi Rama, as 
si Fatmir Limaj, Hashim Thaçi, Ilir Meta dhe plot të tjerë, që duhet të shkojnë
në burg për veprimtari kriminale.
Ka një histeri të pajustifikuar në shtypin shqiptar pro
Haradinajt. Diçka e pazakontë e turpshme dhe që të mbush me frikë për të
ardhmen e vendit. Të gjithë e dinë se shumë a pak, elitat tona politike janë të
përlyera me krimin dhe se një pjesë jo e vogël e udhëheqësve të UCK-së kanë bërë
edhe krime lufte. 
E keqja më e madhe është se në vend, që vetë ne, të ndahemi
nga krimet e kryera nga liderët(këtu hyjnë vrasjet, tregëtitë e paligjshme të
armëve, tregëtia e drogës, përdhunimet etj.) për të treguar që jemi populli më
i vjetër dhe më fisnik i Ballkanit dhe që po qytetërohemi më shpejt se të tjerët,
ne klithim në kupë të qiellit për një strategji panshqiptare për të mbrojtur të
përlyerit.
Ramush Haradinaj nuk ka pse t’I trembet as arrestimit në
Francë dhe as proceseve gjyqësore. Nëse është i pafajshëm do ketë mundësit a
mbrojë këtë para gjykatave europiane sikundër e mbrojti në Hagë. Ekstradimi në
Sërbi dihet që nuk është i mundshëm. Edhe pse nuk është kënaqësi të arrestohesh
kur je i pafajshëm dhe të kalosh ditë larg familjes, kjo është një kosto, që e
kanë figurat publike. Ndaj mund të ndjejmë ndaj tij një solidaritet njerëzor,
por jo të identifikohemi me të, si me një viktimë të një komploti politik.
Por problem nuk qëndron në Ramushi apo në mbështetësit e tij
të afërt.
Qëndron në zjarrin që duan të ndezin politikanët tanë
kriminelë, duke kërkuar acarim të mëtejshëm me serbinë apo edhe keqësim të marëdhënieve
me Francën për tu treguar patriotë të flakët dhe për tërhqur vëmendjen e
publikut nga paudhësitë e tyre.
Shqiptarët ndjehen që janë europianë dhe për këtë nuk i
tremben proceseve gjyqësore europiane, se e dinë që të drejtat e njeriut
mbrohen në Europë më mirë se kudo gjetkë.
Edhe mirënjohjen që kanë ndaj luftëtarëve të UCK-së e kanë
me një kufi. Nuk mund që për hir të çlirimit të Kosovës t’ju falim çdo gjë që
kanë bërë dikur ndaj njerëzve apo bëjnë sot në kurriz të popullit shqiptar.
Fakti, që mijra kosovarë largohen nga Kosova e bën me faj
edhe Haradinajn. Jo para Hagës apo gjykatave të tjera europiane por para gjyqit
moral të popullit shqiptar.
Ndaj MJAFT me histeri, por shkruani pak duke I thirrur
arsyes ju politikanë dhe gazetarë shqiptarë.
Unë NUK jam Ramushi.
Si unë Nuk janë edhe miliona të tjerë!





Wednesday 4 January 2017

“Nderi i Kombit” Ali Jashari nderon Teodor Laçon


“Për të vdekurit ose folë mirë ose mos folë fare” është kjo
shprehje e lashtë e Greqisë së Vjetër, që të ndal të “gojosësh” të vdekurit
edhe pse mund të kenë qënë figura publike. Për më tepër kur ndarja nga jeta është
ende e freskët. 
Ndaj nuk dua të shkruaj rreth figurës komplekse të Laços, si
e quanin në Korçë të gjithë të njohurit e tij, ose të Todit, si e thërret bashkëshortja
e tij  Miriana.
Dy muaj më parë, në Universitetin “Fan Noli”, i është vënë emri
i një salle konferencash, emri i shkrimtarit Teodor Laço në 40 ditorin e
largimit nga jeta.
Dhenia e titujve “Honoris Causa”, “Nderi i Qytetit”, ai i një
rruge apo institucioni, ka qënë e do jetë një problem shumë i diskutueshëm dhe
delikat. Laçoja vërtet ka qënë një figurë e njohur në Korçë, që prej viteve ’60
dhe edhe pse u largua në Tiranë mbajti lidhje të forta, sidomos me Dardhën dhe
Teatrin e Korçës. Ishte burrë i zgjuar që diti t’i kalojë furtunat e jetës, në
kohët e vështira të Diktaturës dhe më vonë në 25 vjet të post-Diktaturës duke
mbajtur edhe poste si deputet, ministër i kulturës apo ambasador.
Po cila është lidhja e Laços me Universitetin “Fan Noli”, për t’i kushtuar një nderim të tillë?
Veç suksesit si shkrimtar, dramaturg dhe skenarist i realizmit socialist; si politikan i qëndrës së majtë me lidhje të vazhdueshme me të djathtën; si nëpunës i niveleve të mesme e të larta në Diktaturë dhe pas saj, Laçoja nuk ka asgjë të frymëzojë studentët e universitetit të Korçës. Edhe 
karrierën si agronom e ka pasur shumë të shkurtër dhe për më tepër ka studiuar
në Kamzë.
Po pse në Universtetin e Korçës nuk ka salla me emrin e
Spiridon Ilos, Shahin Kolonjës, Ilo Mitkë Qafzezit, Jovan Botkës, Andromaqi
Georges, Fundove, Kristaq Cepës, Kostaq Cipos, Gaqo Pilikës, Androkli
Kostallarit apo të profesor Kondës, por nxitohet të vendoset emri i Laços, që
jo për faj të tij, kishte një arsimim të pamjaftueshëm për ta futur në rradhët
e akademikëve?
Ndoshta një Universitet i drejtuar në 20 vjetët e fundit nga
mediokër, nuk mund të ketë emra të shquara në faqet e korridoreve të tij?
Fan Noli ka nevojë të ketë përreth emra si Kristo Floqi,
Petraq Pepo, Zai Fundo, Qemal Butka, Sejfi Protopapa, Kristo Pano, Stiv Duni
dhe sa e sa korçarë të tjerë të shquar në fushat akademike, në të dy anët e
Atlantikut. Urata me një ndienjë të fortë humori, që ndoshta edhe tani ndjehet
në siklet, nga devollinjtë që e rrethojnë, me siguri me vete do thotë, “Kur do
ketë vallë në Universitet një ofiçinë , që të mbajë emrin e Niko Ballit!”

Tuesday 3 January 2017

KM


Ky është titulli I librit të fundit të Ben Blushit, që
pakkush po e komenton në shtypin shqiptar edhe pse [sht[ libri më i shitur gjatë
2016-ës.
Romani KM, që titullin e plotë e ka Kryeministri, por sipas
modelit englez të shkurtimit të ‘prime minister’ në “piem”, edhe shkrimtari
filosakson(të mos e ngatërrojmë me avokat-shkrimtarin filosakson Ngjela) në
vend që librin ta quajë të plotë, e quan “KëMë“. “E lexove ‘KëMënë?“, “si t’u
duk Këmëja?”, a ç’I bonte gjatoshit ke Këmëja’, “Këmëja o i papam!”, janë
frazat që mund t’I dëgjosh bareve të ish-Bllokut nga elita e re e Tiranës(apo
elita e Tiranës së Re, që është jo vetëm fonetikisht e njëjta gjë). Shumica nuk
e kanë lexuar KM se psikologjikisht ju duket si përpjekje kilometrike dhe koha
pas punës, të folurës në celular  dhe kafes së stërzgjatme është shumë me kët.
Unë nuk e kam lexuar se nuk më ka rënë në dorë, por edhe kur
ta marr do ta shtyj leximin disa ditë se kopertina më duket si paketë cigaresh.
Tamam nga ato, që më kujtojnë Genc Hundën.
Më kujton edhe diçka tjetër, një shprehje jo dhe aq të
fisme, por që kur e kam dëdguaj për herë të parë jam gajasur. 
“Ik mor k.. i marr!!”
Eleganca e dialektit të Veriut, e bën perfekte këtë shprehje
vulgare në tingëllim, filozofi, paradoks, por edhe në një përbuzje dashamirëse.
E njëjta shprehje e kthyer në dialektin tonë, do tingëllonte tmerrësisht
batalle. (Mendojeni vetë të dashur miq kompetentë të dialektit korçar.”
Ka një lloj “kërkëritjeje” grryese, kjo shprehje, që do e
kishte zili edhe i mençuri “Chri-Chri”, Nonda Bulka.Rastësisht, i ngjit edhe kryeministrit tonë të sotëm, që është vërtet një KM i dorës së parë, nga ata që të habitin dhe në “Dugajet e Reja “ 
ju thonë me përkëdheli “C’far KM paska ken mor zotni!”. 
Por KM i joni, nuk na zbavit edhe aq, se me “do marrina” të
tij, jo vetëm mund të bëhemi më të varfër se ç’jemi, por mund të përfundojmë
ndonjë ditë edhe në luftë me fqinjët. 
Vite më parë kur nuk ishte KM, por ishte po aq KM sa është
sot, në një festival të artit në Jug të Francës, pasi kishte krijuar një
instalacion që I ngjante një bunkeri me plaçka nga të “Gabit”, pati premtuar se
në vitet e ardhme të njëjtin instalacion do e bënte me mish të therrur. Dhe nuk
është aspak e habitshme, se është jo vetëm K.. I Marr, por edhe K.. i Marr Mizor.
Sipas shtypit, Blushi e likuidon me një snaiper të vënë nga
vetë KM-ja për të fituar zgjedhjet, pas një plagosjeje të lehtë në mes të këmbëve
, po duket, që snaiperi duke e konsideruar KMM, e ka goditur drejt e në kokë.
Në sejcilën zgjidhje të vendosur nga autori Blush, snaiperi
nuk do ishte kurrë i gauar.







Monday 2 January 2017

Tramp, Bleona dhe Themistokliu

Një rreze drite edhe për ne lindi në Papafingon luksoze të 
Tramp-it. Jo krejt si në këngën e Ramadan Kllogjerit, si “dritë për gjithë
Amerikën”, por vetëm  për Korçën dhe korçarët.
Bleona, e lindur dhe e rritur në Korçë, ishte e ftuar në mbrëmjen 
e Krishtlindjeve, mes rrethit më të ngushtë të The Donald.
Pasi e puthi dhe ajo pranoi , Tramp vazhdoi gjithë ritet e
formulës së tij të famshme “KTGP”, që në anglishten vulgare është pak a shumë “kiss
and then u grab them by the pussy”, duke i pëshpëritur në vesh, “Për Shqipërinë
tënde tani nuk bëj dot gjë, se presidenti a kryeministri jot i gjatë por pa
baluke më ka sharë!”. Por Bleona e ka sqaruar, që është nga Korça e
Themistokliut dhe pasi Donald ka ngatërruar Themistokliun me periudhën e artë të
Perikliut, i ka premtuar se diçka do bëjë, kur në Greqi të vijë në fuqi “Agimi
i Artë“.
Bleona e mrekulluar i ka dhënë lajmin me sms mamit, por
ish-fuksi Qerreti, e ka sqaruar se “Agimi i artë” nuk është një e ardhme e
florinjtë, si e ka kuptuar e bija nga përkthimi nga anglishtja, por një
organizatë fashiste greke. Duke mos patur më mundësi t’i afrohet më Presidentit
të zgjedhur, Bleona ka nxituar të zgjojë ndienjat anti-naziste tek burri çifut
i Ivankës, i cili i ka premtuar shkëputjen e Korçës nga Tirana  e Ed’hemit, duke i dhënë statusin e Republikës Autonome me Shef Policie dhe njëkohësisht Komandant të Forcave të Armatosura,
majorin Llambi Koçi. Për një balancë politike dhe harmoni sa më të mirë fetare,
Ana Zhurri do emërohet KPFUP ( Komandante e Prapavijës dhe e Furnizimit me Ushqime
të Popullatës.)
Më në fund do rikthen ditët e lavdishme të lulëzimit të
Kazasë së Korçës, kur Kia(që më vonë shiste mastika) shërbente si polic.
Asgjë nuk mund të arrihej pa Bleonën dhe bukurinë e saj korçaro-kavajase.
C’do ndodhë me Raqi Filon?
Admininstrata e re amerikane nuk i ka menduar akoma detajet,
por në rast se nuk do i jepet ndonjë vend në  ministritë e Tiranës, nga miku i tij zv.kryeministër, mund të dënohet nga Llambi KoçI me punë të detyruar në guroren e tij, nga e cila nuk është blerë
as edhe një copë gur për Pedonalen.
Të rrojë Repubika Autonome e Korçës, kjo shpresë e shqiptarizmës së vërtetë!
Poshtë Tirana e korruptuar nga Erdogani!
Lavdi Bukurisë!

Edhe sot

Edhe sot
Si atë ditë është dhimbja
Kur pasqyrimi mbi kristalet e thyera
Të dëborës,
Nuk më linte të klithja:
“Përse?”
E ti, më i mënçuri i kohës,
Për të parën herë,
Nuk m’i tregoje misteret e botës,
Të botës që aq shumë e doje
E megjithatë e le.
Ku je tani, që kaq shumë dua,
Pakëz të marr nga hiri jot,
Të shndrohem në një burrë hijerëndë,
Që lehtas ecën,
 Gjithnjë menduar,
Bukur nënqesh
Dhe nuk flet kot?
Ndoshta më ndjek,
Si në të parat hapa
Dhe të mos vritem më pështjell me dashuri,
Nuk ka si të ketë humbur ajo ndienjë stërmadhe
Diku duhet të jetë e jotja Gjithësi.