Friday 25 December 2015

Qimja

Edhe pse nuk besoj ne kufizimet ne art, mendoj qe fjale ose forma te caktuara, per natyren e tyre si dhe 'asocimet" ne trurin tone, estetikisht cilesohen si vulgare ose "jo te pelqyeshme" nga shumica e njerezve. Psh fjalet "vrime" dhe "qime" si dhe shume te tjera jane ose shume te veshtira per tu futur me art ne nje poezi ose thjesht nuk jane poetike. (Nuk di pse Vrima dhe Qimja me sollen ne mendje Kullen e Korces, por ndoshta kjo nuk eshte per faj te Kulle). Me poshte jane vargjet per qimen:

Preke këtë qime,
Dhe bjerë në mendime,
Se si në mijëra qeliza ,
Të ardhura kushedi se nga ku,
Kjo qime e e drunjtë si një hu,
E palëkundur në netët sublime,
Gjigande ngrihet edhe pse qime.
Gjithshkaja është ngërthyer
Në netë të zjarrta
Plot ngacmime,
Që prushin e epsheve të fjetura zgjuan,
E mrekullisht strukturën vertikale ngritën,
Të asaj që sot e quajmë thjesht
QIME.
Prej saj do ringrihemi,
Në të planeteve shqota,
Meteorët që shuhen do kthejmë në gëzime
Genet mrekullisht do përzjejmë,
Në llava llokoçitëse,
Trashëgimtarë të ndritur,

Të së thjeshtës qime.

Monday 21 December 2015

Erëra të Asgjësë

Ejani erëra të Asgjësë
Të më fshini kujtimet!
Nuk e përballoj dot dhimbjen
Ndërsa dieli lind
E në mend sjell agimet
Në atë qytet sa i huaj aq dhe i joni.
Ejani erëra të Hiçit
Të më fshini kujtimet!
Merrini të gjitha!
Notat e trompës në pyll,
Shkallët e Fakultetit,
Pëshpëritjet, premtimet;
Jepini fund torturës të së shkuarës
Erëra të Kotësisë
Më fshini kujtimet!
Gjithshka të bukur që ishte
E që në gjëmba kthehet se s’është,
Endrrat me sy gjysëm mbyllur,
Fluturat mbi gjethe,
Vegimet,
Merrini në një qoshe të Pafundësisë
Erëra të Boshit,

Më fshini kujtimet!

Sunday 20 December 2015

Umbrellat

Shiu ka pushuar,
Por në humbëtirën e humbjes
Gjithnjë është vrenjtur.
Molla e Adamit lodhur nga gëlltitjet,
Vrarë nga mbështetja e gjatë mjekra,
Flokët e pakrehur,
Mbulojnë sytë e enjtur.
Gishtat që dridhen drejt mureve zgjat,
Mureve të qullur
Në të ofshamave burg,
Melodia e tejzgjatur vjen të më shpëtojë,
Notat e

“Le paraplyi de Sherburg”.

Trëndafila të bardhë

Vrapojmë mes gjelbërimit
Një gjelbërimi të ndërprerë
Nga drurë të veshur me lëmashk,
Në një ëndërr që shohim bashkë;
Endrra e trëndafilave të bardhë,
Që çdo vit nuk çelin.
Do i gjejmë vallë?
Ata nuk ndjekin diellin,
Por në një lirishte fshehtas
Gjëmbat kthejnë në petale
Pranverës që nuk dihet se kur përsëritet,
A vjen befas

Ndërsa vjeshta është në të dalë.

Friday 18 December 2015

Një zog i vogël

Sa më i lartë fluturimi,
Aq më e rëndë përmbysja
Ndërsa dhimbja e shurrdhët;
Vuajtjet përcjellë pluhurit
Pluhurit që dikur mbulonte udhët.
Nuk ka feniks të tillë,
Të ringjallet mbi këtë hi,
Të qullur nga lotët,
Lotë të turbullt vere,
Në këtë dimër të shpëlarë në shi.
“Ku ikën?”-një ditë thirre,
“Mua ku më le?”
Ishte vetëm fillimi,
I fluturimit nisje,
Ndërsa tani kruspull
Nëpër dhëmbë këndoj:

“Një zog i vogël nënë fole.”

Tuesday 15 December 2015

Koha rrjedh ngadale (2)

....

Shpesh mendon se nuk ka përse të ketë turp. Nuk ka vjedhur dhe aq më pak ka vrarë njeri. Po të mos quhej vrasje ajo ç’kishte ndodhur shumë vite më parë dhe kishte lënë në pjesën e balllit, që po zbulohej dita ditës, shënjën. Nuk kishte dëshmuar kundër askujt edhe kur kishte parë shumë gjëra për të ciat do kishte qënë mirë ndoshta të kishte dëshmuar. Po ai i urren gjyqet, gjykatësit dhe avokatët. Kohë përpara se të njihej me të shoqen dhe të jatin e saj. I vjehrri kishte qënë gjykatës në kohën e kolonelëve gri dhe shpesh mburrej se kishte qënë më i zellshmi dhe më i zoti. Mbante rekordin e të dënuarve politike me mbi 888 të dënuar  dhe të gjyqeve më të bujshëm. Vështrimi i tij i pjerrët ishte cilësuar si “kosa e pjerrët prerëse” e Kasios. Atë vështrim e kishin sfiduar vetëm disa të pandehur dhe avokatë. Më të shquarit kishin qënë dy në “gjyqin e agjitatorëve”, por ai  nuk donte të flitej rreth atij gjyqi.
Tani çuditej, sa shumë i dashuruar kishte qënë me të bijën e Kasios edhe pse ajo i ngjiste në shumë gjëra të jatit. Bile kishte edhe një vështim të pjerrët therrës, që në fillimet e dashurisë atij i dukej se e bënte atërheqëse dhe seksi. Ndryshonte shumë nga vajzat që kishte njohur më parë, dhe sidomos nga të dashurat e tij të para.

U mundua të largojë mendimet nga e shoqja, që tashmë është vetëm një “ish”. Në këtë kohë që zvarritet, mendimet rreth saj do e torturojnë më tepër ndaj do ta harrojë. Të paktën për disa orë. Deri sa të niset për në Terminal. Më tej do fillojë të mendojë për të tjera gjëra, që lidhen shumë pak me vitet e fundit dhe më pak akoma me vjehrrin e tij Kasio. “Kur koha rrjedh ngadalë vuajmë më shumë apo njëlloj? Harrojmë më shumë apo më pak? Na fshihen kujtimet apo na gdhenden më keq?”- mendoi. Nuk dallohej për një kujtesë të mirë, por i vinte më keq për veten, se kujtonte vetëm çastet dhe ngjrjet më të hidhura. Donte t’I thithte nga rrudhat e trurit si thithte dikur pluhurin mbi ndenjëset e veshura me damask gri në jeshil të dhomës së ndenjies me pluhurthithësen elektrike. E shoqja nuk i prekte me dorë fshesën dhe pluhurthithësen elektrike. “Ja përsëri nuk e largova dot nga mendja. Më mirë po ul ndenjësen e makinë e përpiqem të kotem për pak kohë. Nuk ka përse të cfilitem ende prej saj.”

....

Saturday 12 December 2015

Koha rrjedh ngadal

.....

Koha rrjedh ngadalë. Në llogari paratë mjaftojnë vetëm për parking dhe një sanduiç të mbetur. Që mund të ta japin me 50% ulje. Ndoshta mund ta parkojë makinën diku tre katër kilometra larg dhe të vrapojë drejt Terminalit. (Pse e quajnë Terminal? Eshtë i fundit? Nuk do ketë tjetër?)
Mund të bjerë shi ose akoma më keq shi i përzjerë me akull dhe në ato tre katër kilometra, jo vetëm që do qullet por do i prishen edhe flokët e krehura me kujdes, për të mbuluar një pjesë të ballit, që po i zbulohet muajt e fundit. Nuk i bëhet vonë se ajo do mendojë, që shpejt , më shpejt se në trek atër vjet do jetë pjesërisht ose plotësisht pa flokë, porse pikërisht në pjesën që i është zbuluar tani ka një shenjë të një të çare të vjetër. Ai nuk do të japë spjegime se ç’shtë ajo e çarë e vjetër. Ajo do dyshojë në gjithshka që i ka thënë.
Dhe koha rrjedh ngadalë. Dhe në llogarinë e tij të vetme bankare edhe për dy ditë të tjera nuk do ketë më shumë para se për parking pranë Terminalit dhe një sanduiç të mbetur, që mund t’ja japn me 50% ulje.
Po sikur të gjejë një arsye për të mos shkuar në Terminal. Zalisje pas vaksinës së gripit? Gozhdë në njërën nga rrotat e makinës dhe gomën rezervë dhënë një miku?
Po ai do të shkojë dhe ta presë sikundër i ka premtuar. Përndryshe ajo nuk do e besojë më.

Shenja në ballë ka filluar t’i dhembë. Nuk i ka dhembur kurrë më parë. As ditët e para pas goditjes. Dyshimi se mos ka filluar të dhembë tani që duhet të japë spjegime e pështjell. Gjithshka lidhet me mendjen dhe turpin. Jo me trupin. Me turpin dhe mendjen. Edhe koha që rrjedh ngadalë së fundmi.

....

Wednesday 9 December 2015

Kohë për të vdekur.

Lëngu i frutave nuk ka shije;
Nuk ndjej aromën e bukës së thekur;
Nuk ka më mardhje të veshëve prej të ftohtit;
Kohë e mirë për të vdekur.

Nën qiellin gri
Autobuzin gri pres,
Një plakë e gjitha veshur në gri
Diçka pëshpërit me një zë të mekur;
Nuk e di stacionin ku duhet të mbrrij
Eshtë tamam ditë për të vdekur.

Në ekranin blu uniforma jo blu
Gjithshka përcëllojnë
Me zjarr edhe hekur;
Varganë me njerëz të zbathur
Në baltë marshojnë,
Kërkojnë një tjetër ditë për të vdekur.

Prej pafuqisë i dërmuar
Duart padobi në xhepa rras,
Një monedhë argjendi ende ka mbetur;
Do më duhet t’ja jap Karonit

Në këtë kohë të përshtatshme për të vdekur.

Tuesday 8 December 2015

Në morgun e dashurive

Ne rrimë shtrirë
Në morgun e dashurive
Sytë i hedhim njëri  tjetrit
Të shohim nëse ende marrim frymë;.
Të panjomur nga shiu i frikshëm i shifrave,
Të mpirë
Edhe pse jo në gjumë.
Ndjekim me sy
Gishta të shkathët prestigjitatorësh,
Mbi shami shumëngjyrëshe
Që asgjë nuk fshehin;
Premtime të ngrira dashnorësh,
Buzë të këputura
Që tinguj s’mund të nxjerrin.
Veten pyes: 
“Ku shkoi fluturuesi gjog,
Me të cilin kalëroje  ëndrrave?”
Ndërsa i nemitur nën brymën e shënjave,
Asgjë më nuk pres në të dashurive morg.