Saturday 31 July 2021

Dialog në një Bar në hemisferën veriore


 


-         -Eshtë e lirë ndenjësja?

-          -Po mund të uleni.

-         - Faleminderit. Jini shumë e sjellshme.

-          -Faleminderit. Nuk bëra ndonjë gjë të veçantë.

-        -  Më ratë në sy sa hyra në lokal.

-          -Oh! Nuk ju vura re…

-          -Kini një profil shumë të bukur.

-          -Faleminderit. Edhe ju dukeni mirë.

-          -Faleminderit dhe a mund të porosit edhe një gotë tjetër nga kjo që po pini.

-          -Si të doni. Po ju ç’punë bëni?

-          -Jam konsulent psikolog për gratë e pakënaqura nga partnerët.

-          -Oh! Interesante. Kini shumë kliente?

-          -Aq sa mund të më lejojnë 35-40 orë në javë.

-          -Wow. Duhet të jenë shumë. Seanca një orëshe?

-          -Jo të gjitha orët i planifikoj për seanca, se më duhet edhe kohë të përgatitem.

-          -Mund të të pyes me se kini ardhur këtu?

-          -Me makinën time.

-          -Lemë ta gjej me hamëndje. BMW?

-          =Jo. Toyota.

-          -…Do më duhet të largohem se u bë vonë. Bashkëjetuesi im duhet të jetë shqetësuar tashmë.

 


Mendje të çoroditura prodhojnë gënjeshtra të mëdha


Avokati im në Gjermani, ka shumë besim në informacionin që del nga grupet masone, sepse i konsideron të fuqishëm, me lidhje të forta dhe me parime të qëndrueshme. Bënte përjashtim Llozha P2 e Liçio Xhelit në vitet ’80 në Itali, por pyll pa derra nuk ka dhe derri-mason Xheli dhe pasuesit e tij e gjetën vendin.

Unë duke qënë i sektorit të ndërtimit kam akoma më shumë admirim për burrat me mësalla, mistri dhe kompas, sepse është dëshim e qartë se ndryshimin në botën moderne e kanë sjellë ndërtuesit dhe mes tyre edhe arkitektët kanë luajtur një rol jo të vogël.

Por (gjithnjë del një “por” që prish punë) edhe në rrethet e masonëve qëllimisht apo jo, mendjet e çoroditura ose shumë të sofistikuara prodhojnë gënjeshtra të trasha, për kohë shumë të afërta, të cilat i kemi jetuar dhe që i besojnë admiruesit si unë, avokati im dhe të tjerë. Veç kujtesa e një mikut tim skeptik më shpëtoi nga gëlltitja e një gënjeshtre shumë të trashë të botuar në faqen e FB të një masoni të nderuar. Po i ve më poshtë pjesë të tekstit origjinal dhe vërejtjet e mikut tim skeptik (me bold), që ka kohë plot për të verifikuar ngjarjet.

Kur Bush Jr. hyri në Shtëpinë e Bardhë, ai nuk kishte dalë ndonjëherë nga Teksasi dhe nuk dinte shumë për botën. Ai mbushi kabinetin e tij me zyrtarë të administratës së të atit. Problemi ishte se Bush Sr. kishte pasur gjithë atë përvojë dhe këta zyrtarë ishin në disiplinën e Presidentit, por mungesa e përvojës së Bush jr. i dha atyre mundësinë të veprojnë sikur Presidencën e kishin fituar ata dhe jo Bush jr. Më të dëmshmit ishin Dick Cheney dhe Rumsfeld.

Atëkohë në Afghanistan ishin në fuqi Talibanët. Në luftën kundër BRSS, që kishte pushtuar Afganistanin, ishin aleatët e USA.

Talibanët zhdukën totalisht prodhimin e Heroinës dhe opiumit në Afghanistan dhe për këtë Presidenti Bush Jr. i dha si shpërblim $30 milion USD.

Pak javë më pas Administrata e tij i propozon qeverisë afgane që të lejonte USA të ndërtonte një tubacion gazsjellësi nëpër Afghanistan sepse ishte rruga më e shkurtër dhe se ulte koston. Qeveria Afgane do të kishte përfitimet e saj. Ky propozim nuk u pranua nga qeveria afgane.

Cheney bën një bisedë telefonike me Mullah Omarin, atë kohë kryeatri i Afganistanit. I jep dy alternativa:

- Karpet floriri në se e lejonte propozimin amerikan;

- Karpet bombash në se nuk e lejonte;

Mullah Omari nuk u tremb dhe nuk pranoi.”

Talibanët nuk kanë qënë ndonjëherë aleatë të SHBA kundër BS, sepse u formuan në vitin 1994.

Që kur morën kontrollin e Afganistanit në vitin 1996 qeveria e tyre ishte njohur vetëm nga Pakistani, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara.

Nuk ka asnjë gazsjellës që i intereson Amerikës dhe që duhet të kalonte nëpërmjet Afganistanit.

Taliban i kishte dhënë strehim Bin Ladenit, i cili i shpalli luftë Amerikës nga Afganistani më 1996

“Më 11 shtator të atij viti ndodhi sulmi terrorist në truallin Amerikan. Ishte shokuese! Për më tepër e papritur. U vranë mbi 3,000 njerëz të pafajshëm. Akt i tmerrshëm terrorist.

Gjithkush priti që USA të reagonte fuqishëm dhe me të drejtë.

Pa prova bindëse, grupi i errët Cheney-Rumsfeld-Wolfowitz akuzuan Bin Ladenin, ashtu, si pak më vonë, edhe Sadam Husenin, të dy aleatë të dikurshëm të USA.

Afganistanit ju kërkuar që Bin Ladeni ti dorëzohej USA.

Mullah Omari e kuptoi rrezikun dhe mblodhi 100 shkollarët më të pregatitur islamikë të Afganistanit dhe i kërkoi mendim. Ata pasi e studiuan çështjen sugjeruan:

Bin Ladeni ishte hero i lirisë së Afganistanit dhe se ata kishin detyrime morale ndaj tij, por njëkohësisht ai nuk mund të abuzonte me mirënjohejn e Afganistanit dhe të shfrytëzonte Afganistanin për agression ndaj USA. Sugjerimi i tyre ishte:

USA duhej të paraqiste prova se Bin Ladeni ishte organizatori i sulmeve të 11 shtatorit dhe sapo këto prova të paraqiteshin Afganistani do ta dorëzonte Bin Ladenin në Gjykatën e Hagës.”

Bin Laden ka pohuar vetë se 11 shtatori ishte ideuar nga Al Qaeda dhe realizuar prej saj.

Talibanët jo vetëm nuk e njihnin Gjyqin e Hagës, por kusht pas paraqitjes së provave, kishin vënë që gjyqi i Osamas të bëhej në Afganistan nga sistemi i tyre gjyqësor.

Përpjekjet për të konsideruar shtetin në kontrollin e Talibanit si shtet të ligjshëm është përpjekje për të nxitur fondamentalizmin islamik. Pas sulmit të 11 shtatorit edhe Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuar ndërprenë marëdhëniet diplomatike me qeverinë e Talibanit.

 

Nuk ka nevojë as të bësh përfundimet e këtij shënimi, sepse duket qartë se mendje të çoroditura nga dëshira fashisto-islamike duan që gradualisht të paraqesin të zezën si një gri të errët e më pas duke lehtësuar nuancat ta kthejnë në të bardhë. Për fat të keq, ka shumë idiotë (si puna ime) që i duartrokasin dhe ju thonë: “Shumë e saktë!”

 

Ata që kanë ndenjur në një parti me Berishën pas vitit 1997 duhet ta mbrojnë deri në fund




Deklarata e ambasadores amerikane është më se e hapur dhe brutale. Lexohet: “Berisha të paktën që duhet të bëjë është të dorëhiqet nga roli si deputet, ashtu si bëri Tom Doshi”.

Nuk kam ndërmend të krahasoj se cili është më i mirë apo më i keq Toma apa Sala, se nuk asnjë rëndësi tashmë. Duhet vetëm të nënvizoj se Saliu i ka sjellë shumë të këqia Shqipërisë dhe është përgjegjës për shumë shqiptarë të vrarë.

Por sikundër e thekson Kim, problem është PD-ja dhe jo Berisha, i cili është tashmë “një kufomë politike e pakallur”.

Por edhe PD-ja ja dha përgjigjen ambasadores amerikane në Kuvendin e saj, ku militantët klithnin “O Sali o hero, Shqipëria ty të do!”

Dhe kanë të drejtë se edhe nëse nuk janë e gjithë Shqipëria, anëtarët e PD-së, të cilët nuk u larguan prej saj më 1997, ose u bënë pjesë e saj pas atij viti janë të gjithë të dashuruar me Berishën. Ata që kanë ndenjur në një parti me një kriminel për vite të tëra nuk mund të justifikohen p[r t[ as me antikomunizmin, as me korrupsionin e Nanos dhe as me poshtërsitë dhe autoritarizmin e Edi Ramës.

Sali Berisha ishte tumori malinj I këtij vendi më 1997, e dëshmoi se mund t’I vinte zjarrin vendit sërish më 1998 dhe më pas edhe pse më i makijuar vazhdoi të vrasë shqiptarët.

Ata që qëndruan krah tij dhe e justifikuan për 97-tën, 98-ën, Gërdecin, 11 janarin duhet ta mbrojnë deri në fund edhe tani që Amerika po e zhduk nga skena politike shqiptare. Janë të gjithë kush më pak e kush më shumë të prekur nga metastazat e tumorit malinj të quajtur Sali Berisha. Eshtë PD-ja ajo që duhet të rikrijohet nga fillimi se në të kundërt do mbetet e ngjashme me PS-në, e cila mbeti e njëjta kopje e Partisë së Punës së Komandantit Legjendar.

Friday 30 July 2021

Kim me ve, bari i Berishës dhe kryesia e PD-së e Korçës


Fundi i korrikut i koklaviti shumë proceset politike në Shqipëri, sidomos ato të krahut të Djathtë. Sot Kim (pa ve – nuk i shpëtoj dot këtij asociacioni sa herë dëgjoj të përmendet ambasadorja) i ka dhënë ultimatum Berishës ‘që t’i shesë parimet (Berishën) dhe jo të hajë bar”, një parrullë që i referohet të lavdishmes të fillimit të viteve ’60 “ne dhe bar hamë dhe parimet nuk i shesim”.

Berisha ka reaguar menjëherë duke e cilësuar Kimin “komuniste” dhe “albanofobe”, kurse Basha sikundër bën gjithnjë ka heshtur.

Amerika, si ka deklaruar edhe vetë Departamenti i Shtetit shikon në rradhë të parë interesat e Sigurisë Kombëtare dhe nuk i bëhet shumë vonë nëse Basha dhe gjithë gomerët e tjerë të PD-së do vazhdojnë të hanë bar dhe Berishën mos e shesin. Diçka më e thellë, më kompllotiste dhe që nuk thuhet është në rrënjët e kësaj lëvizjeje të fundit dhe që flitet se ka të bëjë me dorëheqjen e Andrea Manos dhe kryesisës së PD-së në Korçë. Ngjarja ka krijuar shqetësime të mëdha matanë Atlantikut dhe sidomos në 4 qëndra të populluar nga korçarët dhe që janë Boston, Detroit, Cikago dhe Uster (Worcester). Katër kryetarët e bashkive të këtyre qyteteve, të gjithë demokratë, i kanë dërguar një e-mail të përbashkët ambasadores ku përcjellin shqetësimin e tyre. Sipas informacioneve të pakonfirmuara, por të dalë nga brenda ambasadës, ata mendojnë se ngjarja e Korçës do ndikojë në zgjedhësit korçarë në SHBA për zgjedhjet e ndërmjetme të vitit 2022 për Kongresin dhe Senatin dhe ka shumë mundësi që të gjithë të votojnë në bllok për Partinë Republikane. Kjo do sjellë kontrollin e Kongresit dhe Senatit nga Partia Republikane dhe detyrimisht rikthimin e parakohshëm të Trump në Presidencë!

Shih se ç’pasoja katastrofike për botën mund të sjellë dorëheqja e PD-istave dinjitozë korçarë!

Ndërhyrja e Kim ka qënë e menjëhershme dhe deçizive. Pritet që Basha të zbresë në Korçë dhe të gjejë gjuhën e komromisit me demokratët korçarë, të cilët i shqetëson klientelizmi i tij. Pritet gjithashtu që të gjithë aktorët kryesorë, përfshi edhe 13 anëtarët e kryesisë të Korçës të anullojnë prenotimet për pushimet e muajit gusht në Antalia, Himarë, Kalkidhiqi, Vlorë dhe Llixhat e Elbasanit.

Tablo e vjetër, më e qartë me VIP-a Korçe


Bota e VIP-ave të Korçës ishte shumë më e vogël, por sërish e largët për mua. Si në çdo provincë në botë ata njiheshin më mirë për të kaluarën, të tashmen dhe bëmat e tyre por dukej se nuk ju bëhej shumë vonë se ç’dinin plebejtë. Kryetari i Bashkisë pritej të mos fitonte në zgjedhjet e atij viti, jo për mungesë të përkrahjes së votuesve, por se një biznesmen i afërt me të i kishte hedhur një gotë me konjak syve në mes të një kafeneje të njohur. Konjaku kishte qënë me 4 yje. Kryetarin e bashkisë nuk e kisha njohur ndonjëherë.

Ndër më të rëndësishmit që takova disa herë ishin një drejtor banke i pamartuar dhe me fantazi seksuale të paplotësuara dhe shefi i Dhomës së Tregëtisë, një institucion të cilit nuk ja kam kuptuar ndonjëherë rëndësinë, por që diçka duhet të jetë, se shefi më vonë pati një karrierë marramendëse. Në Korçën e atij dimri (2003-04) VIP-at më të mëdhenj ishin konsulli grek dhe shpura e tij greko-shqiptare, që kishte në dorë vizat dhe bashkë me to burime të mëdha financiare. Greqia dukej që ishte në kulmin e lavdisë së saj, se përgatitej për lojrat olimpike dhe shenjat e krizës nuk i dallonte dot kush dhe aq më pak emigrantët e shkretë shqiptarë, që provonin të blinin një vizë në mjediset rreth ambasadës greke në Tiranë dhe të konsullatave në Gjirokastër dhe Korçë.

Mendoja atë kohë se si ndryshon bota e VIP-ave në disa dhjetvjeçarë. Në vitet ’80 personat më të rëndësishëm në Korçë ishin dy motrat zarzavatshitëse në një shitore në qendër dhe përgjegjësi i agjensisë së autobuzave; në vitet ’90 një shok klase i imi që falsifikonte pashaporta dhe viza dhe shefi i SHIK-ut që më parë kishte qënë mësues; në vitet ’00 konsulli grek dhe shpura e tij. Kishin shumë të drejtë shefi i Dhomës së Tregëtisë dhe bankieri me dëshira seksuale të paplotësuara që kërkonin të ndryshonin Korçën.

!8 vjet më parë Korça ende nuk kishte arritur forcën magnetike të tërheqjes së VIP-ave të Tiranës, që ka sot, por një pjesë e këtyre të fundit, ata me vizion më të fuqishëm kishin nisur të ndërtonin në Dardhë. Ndaj mund të hidheshe një vrap deri matanë Bigllës nëse doje të takoje “rastësisht” piktorin-politikan që ishte Edi Rama me partneren e tij nga bota e show-biznesit ndërsa ndërtonin folenë e tyre të freskllëkut, si dhe të tjerë vizionarë të botës së politikës, biznesit dhe spektaklit. Po dhe vetë dardharët me banim në Tiranë ishin fshatarët shqiptarë që kishin nxjerrë më shumë VIP-a pas Kuçit dhe Burgajetit. Dhe të mendosh që klasifikohesh i treti në një vend që ka 28 mijë fshatra (këtë 28 mijën gjithnjë e ngatërroj me se lidhet) nuk është e pakët. Nuk di nëse kisha qënë i zhgënjyer nga bukuritë e Dardhës në fëmijëri, pasi kisha ndërtuar në kokë një fshat përrallor bazuar në tregimet e një shokut tim dardhar, ose ndikuar nga bejtja e Spiridon Ilos “Dardharë, dardharë/ Kini jetuar me ëndrra/ Kini gjezdisur nëpër vëndra/Me porrdhë e me fëndra…”, por nuk u hodha asnjë vrap ku mund të takoja krejt rastësisht kryeministrin e ardhshëm, a ndoshta zonjën B. e ta pyesja se kush ishte Dajën Vonfastenbërg.

Por VIP-at e Tiranës sepse nuk shoqëroheshin me VIP-at tanë dhe kjo ndoshta kishte arsye të thella ekonomike, politike, sociale dhe psikologjike. Ose ndoshta kishte ndikuar një raport i ambasadës hollandeze, në të cilin thuhej se kur autoritetet e Korçës kishin vizituar Amsterdamin me ftesën e qeverisë hollandeze, meshkujt VIP-a korçarë (kryetari i gjykatës, kryeprokurori dhe gjithë të tjerët pa dallim) kishin kaluar pjesën më të madhe të mbrëmjeve në “De Wallen” duke parë vitrinave hiret e profesionisteve të përdala. Nëse kishte qënë i vërtetë, ky ishte skandali i dytë seksual më i madh në rrethet VIP të Korçës, që prej vitit 1969, kur kishte ndodhur skandali i quajtur “lista e Nina Nishankës”.

Duhet të them se bota VIP e qytetit tim të lindjes ishte më e kapshme, më e shëndetshme, më me faqka të kuqe dhe nëse doje të ishe pjesë e saj mund të shkoje një darkë vonë në diskotekën “Skena” dhe të takoje industrialistët, koleksionistët, artistët, afaristët dhe juristët. Nuk kishte veshje nga të Aleksandër Mekkuin apo “miell” hundëve, por atmosfera ishte e gjallë, elitare, se ndjeheshe i privilegjuar që ishe mes të veçantëve, që nuk flinin kur i gjithë qyteti ishte në një gjumë të thellë.

Në mëngjes herët gratë do shkonin të punonin në rrobaqepsitë me fason, ndërsa burrat që nuk kishin ikur në Greqi do punonin në ndërtim.

Thursday 29 July 2021

Tablo e vjetër, e zbehtë me VIP-a Tirane


Po afrohet gushti dhe nuk di pse më solli në mendje disa copëza takimesh të gushtit dhe shtatorit të vitit 2003 në Shqipëri. Ishin nga të pakta cikje që i kam bërë asaj që quhej asokohe (ndoshta edhe sot) bota e VIP-ave shqiptarë.

Në një zyrë, ku përpiqesha të kopjoja diçka nga kompjuteri i zyrës në mbiprehrsin tim, hyri një zonjë, që dukej se sa ishte ngritur nga gjumi dhe nuk I kishte kushtuar shumë kujdes “adeteve”, që bëjnë mëngjeseve zonjat dhe zonjushat e anëve tona. E shkujdesur, por e sigurt, zonja u ul menjëherë në kolltukun e madh pranë derës, ndërsa i zoti i zyrës me shumë dashamirësi u ngrit dhe ju afrua për ta përshëndetur. E pyeti se si e kishte kaluar natën dhe pa marrë përgjigje nga zonja mu kthye mua dhe me qortim më tha: “Po uroi mirmëngjesin zonjës B….!” I zënë me punë unë i thashë një “Mnjes…” të shpejtë dhe zonja B. më hodhi një vështrim të fjetur, ku nuk mund të kuptoja nëse ishte indiferencë, përbuzje, përçmim apo bezdi. Ndoshta të gjitha bashkë.

Nuk e vrava shumë mendjen për zonjën B. se kisha shumë gjëra për të bërë atë gusht në Shqipëri mes të cilave më kryesorja ishte hapja e një zyre arkitekture në Tiranë (studio quheshin atë kohë dhe ndoshta edhe tani se tingëllon më europiane, më artistike dhe më imponuese). Më ishte sugjeruar të merrja me qera një zyrë në katin përdhe të një ish-fabrike, ku kishte edhe shumë zyra të tjera avokatësh, biznesesh, noterësh dhe arkitektësh. Pronarin e kisha njohur pak në fëmijëri, por kisha edhe një propozim biznesi nga Torontoja, që ai ja kishte kërkuar një mikut dhe kolegut tim. Hyri jo pa droje në zyrën e pronarit, pasi kisha kaluar rojen dhe sekretaren. Zyra ishte çuditërisht e gjatë, si një sallë mbledhjesh dhe skrivania e punës së bashku me pronarin ishin në fund të sallës. Muret ishin të mbushura me piktura të zgjedhura me shije dhe deri sa të arrije të uleshe në ndenjësja përballë me skrivaninë mund të shihje me rradhë 6-7 syresh.

I spjegova se cili isha dhe qëllimin e vizitës, duke i kujtuar dhe diçka nga koha e largët e fëmijërisë, gjë që nuk i bëri asnjë përshtypje. Inxhinieri hijerëndë i suksesshëm në biznes dhe me lidhje të forta me partinë në pushtet më la të kuptoja se dy arsyet e vizitës sime ishin tepër të vogla për kohën që po më kushtonte. Nuk pa as CD-në me prezantimin në PowerPoint që kisha sjellë me vete nga Toronto. Më vonë mësova se ende nuk kishte mësuar të përdorte mirë kompjuterin.

Në të njëjtën ndërtesë ishte zyra e projektimit e një kolegu dhe pasi e vizitova më ftoi të pinim një kafe në barin, që ishte në të njëjtin korridor. Në tavolinën ngjitur me tonën, ishin ulur tre zonja mes të cilave dallova zonjën B. Të tjerat nuk i njihja, gjë që ishte më e mundshmja për dikë që kishte mbaruar universitetin në Tiranë 20 vite më parë dhe kishte qënë edhe 5-6 herë të tjera për punë në kryeqytet. Nga tavolina e zonjave dëgjoheshin emra kryeqytetesh europiane, disa përemra “ai” dhe “ajo”, si dhe emra të padëgjuar nga unë më parë si “Dajen Vonfastenbërg” dhe “Karl Lagërfelld”, për të cilët sepse mendova se do ishin përfaqësues të OSBE-së në Shqipëri. Ndoshta sepse në bisedë kishte edhe terma politike dhe fjalitë ishin të këputura dhe me shumë “uau”. Zonja B. fliste më pak, por dukej që duhet të ishte më e rëndësishmja mes të trejave. Kuptova se nëse doja të merrja vesh ndonjë gjë nga ajo bisedë duhet të kërkoja ndihmën e një shokut tim të universitetit, të cilin ato kohë të rinisë e thërrisnim “portavoçe i Bllokut”.

Për fat të keq ose të mirë, unë nuk u ngjita më dot në botën e VIP-ave të Tiranës në muajt në vazhdim dhe nuk qëllova të takoja më as zonjën B. dhe as inxhinierin hijerëndë që nuk dinte të përdorte kompjuterin. Takova disa personalitete më pak të rëndësishëm si një tregëtar të brendshmesh grash, që vuante nga diabeti dhe kjo e bënte të nevrikosej shpejt, një shokun tim të kursit që nxitonte gjithnjë në disa takime shumë të rëndësishme dhe një piktor-politikan që nuk ishte Edi Rama.

Bota e “nebulave” të Tiranës mbeti për mua e largët, e pakapshme, e padeshifrueshme dhe fluide. Tamam si janë retë në Tiranë, që shfaqen krejt papritur, lëshojnë një birko rrebesh që të qull nga koka deri në këmbët dhe zhduken për tu rishfaqur sërish në të tjera forma.

Ishte dhe një vit që nuk mbaja më galloshe.

Wednesday 28 July 2021

Kuqalashi “blu”


Nuk kam pasur ndonjë arsye të kisha antipati për Genc Pollon. Në të kundërt, edhe pse nuk e njihja, kisha një simpati “a priori” se im atë kishte qënë shumë shok me Stefanaq Pollon në Lice dhe në vitet e para të pasluftës, miqësi të cilën e vlerësoi gjithë jetën e tij. Në postimet e blog-ut tim Pollo nuk përmendet thuajse kurrë, ose tepër kalimthi.

Simpatia për të mu zhbë në vitin 1997, kur ai ishte në krye të “qëndrestarëve” që mbështetën Saliun në PD, pasi ai jo vetëm kishte likuiduar plot figura të mëparshme, por bëri edhe gjëmën e madhe ndaj vendit dhe PD-së. Edhe pse vlerësohej nga Doris Pack dhe të huaj të tjerë, për mua Pollo u bë sinonimi i karrieristit të duruar, që mund të gëlltisë gjithshka vetëm për tu ngritur në krye të vendit. Edhe ndarjen me Saliun më 1999 pas përpjekjeve për të marrë kreun e PD-së e pashë me dyshim, se nuk kisha më besim në idealet dhe karakterin e tij.

Më pas ai mbeti një figureë e dorës së dytë e krahut të djathtë të politikës shqiptare, i kënaqur me përfitimet që i sillte posti i ministrit të arsimit dhe kontrolli që I kishin lënë në zonën e Korçës. Kishte afruar në partinë e tij disa figura të dyshimta si ish-kryetarin e bashkisë Gjergji Gjinko dhe një ish-Aleancist Demokratik si Andrea Mano, të cilin e pat vendosur në krye të Drejtorisë të Arsimit. Duhet nënvizuar se Drejtoritë e Arsimit në rrethe kanë prej vitit 1997 që funksionojnë si qendra ku paguhen para për të zënë një vend pune si mësues dhe “milen” para nga tenderat e ndërtimeve të shkollave, rikonstruksioneve, druve të zjarrit etj. Polloja u përfol për marrjen e “taksave” nga Drejtorët e Drejtorive të Arsimit që kishte emëruar.

Skandali i korruptimit të tij u shtua kur u përfol se kishte humbur sasira të mëdha kursimesh të vendosura në bankat e Qipros, kur ndodhi katastrofa financiare e Qipros dhe depozitave bankare. Sigurisht duke pasur domen vetëm Ministrinë e Arsimit dhe ndonjë investim tjetër të hershëm, Polloja nuk ishte në nivelin e “grabitësve” të tjerë të krahut të djathtë si fëmijët e Berishës, Ridvan Bodeja e të tjerë. Por kontrolli mbi PD-në e Korçës i pat mbetur edhe pas rënies të Berishës më 2013. Sipas Mero Bazes, që është njohës i mirë i figurave rrreth Berishës se ka qënë deri në vitin 2006 shumë pranë tij, Polloja ka urdhëruar dorëheqjen e Manos dhe anëtarëve të tjerë të kryesisë së PD-së në Korçë për të tronditur më thellë pozitat e Bashës.

Eshtë një spjegim shumë I llogjikshëm, që 13 anonimë partiakë të ngrihen në grup kundër liderit.

A i shërben PD-së dhe shoqërisë shqiptare kjo lëvizje eunukësh “kundër klientelizmit”?

Kuqalashi “blu” në shumë pikpamje nuk është më i mirë se Basha, por është më i zoti dhe me lidhje më të mira në BE. E megjithatë shanset e tij për të rrëzuar Bashën për mendimin tim janë shumë të vogla, sepse forca e Berishës plak dhe Berishëve të tjerë brenda PD-së është shumë e madhe. Edhe për kryesinë e PD-së në Korçë ata do gjejnë shumë shpejt eunukë të tjerë.

Por Polloja e di që pa u përpjekur nuk mund të bëhet gjë ndaj e bëri edhe këtë provë.

Tuesday 27 July 2021

Ditë e zezë për PD-në në Korçë


Ditë e martë (që një orë ters e ka) dhe mbi të gjitha 13(numuri më ters) pjestarë të udhëheqjes (lidershipit thuhet tashmë në anët tona) së Degës së Partisë duke përfshirë kryetarin dhe sekretarin kanë dhënë dorëheqjen e parevokueshme nga funksionet e tyre.

Tersi është për PD-në, për Lulëzim Bashën, Sali Berishën dhe ndoshta edhe për Korçën, por tashmë e bëra nuk zhbëhet. Dorëheqja është e parevokueshme. Pashë emrat e firmëtarëve dhe njihja vetëm dy prej tyre, por meqë kam 24 vjet i larguar nga Korça dhe njëkohësisht i brezit në prag pensioni është e natyrshme që të mos i njoh.

Kryetarin e dorëhequr e kam takuar një herë, kur pija kafe me Niko Peleshin dhe erdhi u ul me ne. Atë kohë, me sa kujtoj, ishte në Partia Aleanca Demokratike ndërsa Peleshi e kishte bërë kalimin nga PD-ja në PS. Nuk mund të më them se më la ndonjë përshtypje veç flokëve të mbajtura me kujdes me xhel.

Korça si qytet ka qënë ndër të parët ku mbështetja për PD-në ka qënë shumë e madhe e megjithë lëkundjet dhe problemet e mëdha që ka pasur mes grupimeve fetare brenda PD-së, gjithnjë ka vazhduar të mbështesë PD-në thuajse në mënyrë të barabartë me PS-në. Por varësia nga Tirana ka qënë gjithnjë totale. Eshtë nga cilësitë ligjzbatuese të ne korçarëve; është nga që kanë qënë të pakët burrat dhe gratë me integritet që të rezistonin presionet e SHQUP-it; është se intelektualët dhe njerëzit me peshë janë larguar apo të gjitha së bashku këtë duhet ta dinë ata që e kanë ndjekur PD-në në vite. Vetëm më bije në sy që asnjëri nga firmëtarët nuk ka vendosur titullin shkencor apo akademik para emrit, gjë që më bën të dyshoj nëse kanë të tillë.

Se si janë përzgjedhur para do kohësh anëtarët e kryesisë është diçka që dihet në rrethet e PD-së dhe nuk mund të ve në dyshim aftësitë e tyre apo njohjet me “të deleguarit” nga Tirana. Por është fakt i njohur, që qysh prej vitit 1997 në degën e Korçës vendoste Ritka nga Rakicka (Ridvan Bode) dhe pas vitit 2013 Genc Polloja, deri sa dhe ai e humbi ndikimin dhe PD-ja u kthye në “klienteliste”. “Klientelizmin”, këtë dukuri të re dhe shumë të rëndë, nuk mund ta durojë dot as Andrea Mano, as Devis Osmani dhe as 11 anëtarët e kryesisë, që mbushin numurin ters të 13-tëve në këtë të martë me një orë ters dhe të nxehtë afrikan.

Monday 26 July 2021

Këpucët e dhëndërisë


Nesër bëhen 35 vjet nga dita e dasmës sime, që do të thotë se si sot, para 35 vjetësh kam dhëndëruar në Shkodër. Ishte vapë si ç’mund të jetë në korrik në Shkodër edhe pa ngrohje globale dhe unë duhet të dhëndëroja e nuk kishte rrugë kthimi pas. Po të paktën kisha këpucët. Kisha arritur t’i merrja vetëm një ditë më parë pasi pata bredhur me biçikletë nga magazinat e riparim-shërbimeve tek zyrat, nga ku më kishin dërguar përsëri në dyqani i speciales, ku kishin disa muaj që më kishin gënjyer dhe më në fund më kishin thënë se nuk m’i kishin bërë, por mund të më gjenin një palë të tjera, të cilat nuk ishin kafe si i kisha porositur, por ishin këpurë të bëra në reparti I speciales. Pata protestuar i përmbajtur, se nuk kishte as kohë dhe as mundësi që të gjeja një palë këpucë të reja të denja për “dhëndëri” se ishte viti 1986 dhe në dyqane mund të gjeje vetëm këpucë të zeza me të poshtme gome.

Unë kisha porositur një model, të cilin Ndërmarja e Riparim Shërbimeve e kishte ekspozuar në Ekspozitën e Kulturës Popullore, me interieret e së cilës isha marrë dhe më ishte thënë që do bëheshin gati një javë para dasmës. Nuk di edhe sa dhëndurë, të fejuar dhe krushq të tjerë prisnin për të marrë këpucët e porositura, se të them të drejtën nuk më kujtohen shumë gra të prisnin brenda dyqanit të “speciales”, i cili ishte dy dyqane më poshtë se apartamenti ku rrija. Por afërsia me dyqanin nuk të ndihmonte aspak se mund të ishe i pari në rradhë dhe të të theshin që pritej të vinte një “shavro” e veçantë, ose boja e lyerjes, ose specialist që po merrej me këpucët tënde ishte me grip në mes të korrikut. Të shtunë me autobuzat e orës tre të mëngjesit duhet të niseshim për në Gur të Kuq, ku do merrnim trenin që do na shpinte deri në Vorë, dhe ku do prisnim një tjetër tren që do na shpinte drejt e në Shkodër. Po duheshin këpucët! Kostumin e kisha marrë para disa ditësh dhe çorape kisha një palë që ja kishin sjellë babajt nga Amerika dhe që mamaja I kishte ruajtur në sirtar për ndonjë rast të veçantë. Dhe më të veçantë se dasma ime nuk kishte! Kisha mbushur 27 vjet, kisha dy vjet i fejuar, dy vjet në punë dhe askush në qytet nuk e dinte se isha arkitekt. Dasma ishte rasti më i mirë për tu bërë i njohur, se kisha ftuar (për vizitë) edhe gjithë arkitektët e qytetit, të cilët nuk ishin të shumtë, por kishin nje emër për të pasur zili.

Nuk më kujtohet mirë këmisha, por me siguri duhet të ishte nga ato të bardhat kineze me pak shkëlqim, që të mbushnin me djersë sa i vishje dhe jo më po të hidheshe mes të nxehtit në vallen e Napolonit. As sjell dot në mendje nëse ishte moda të vije kanatiere poshtë apo jo. Kanë kaluar shumë vjet. Kravata ishte bezhë se e kisha “kombinuar” me kostumin dhe nevojë për lidhëse nuk kisha se këpucët ishin me llapë. Vërtet shumë të kollajshme për t’i veshur, por duhet të t’i jepnin, se nuk i kishin bërë akoma. Të gjithë të enjten e kalova nga dyqani i speciales tek zyrat e ndërmarjes dhe isha me fat se mund të vërtitesha tërë ditën, pasi nuk kishte nevojë të shkoja të merrja pajën, si ishte zakon të enjteve të dasmës në anët tona. Janë avantazhe që t’i sjell fejesa në distancë. Të premte në mëngjes u zgjova i vendosur që do shkoja të takoja vetë Drejtorin e Riparim Shërbimeve për të marrë këpucët e porositura. Prita në dera e Ndërmarjes që më shtatë të mëngjesit dhe drejtori hijerëndë, të cilin e kisha takuar dy tre herë hyri në zyrë. Më priti, më dëgjoi me vëmendje dhe thirri dikë që mund ta zgjidhte punën e këpucëve të dhëndërisë. Nëse unë do isha në gjendje të merrja nga Ekspozita e Kulturës Popullore këpucën e majtë të ekspozuar, ata do përpiqeshin të gjenin në magazine këpucën e djathtë, që e kishin mbajtur për çdo eventualitet! Me një shënim nga shefi i furnizimit se këpuca do zëvendësohej pas disa javësh shkova të merrja të majtën në Ekspozitë, e cila për fat të mirë administrohej nga një shoku im dhe me të majtën në dorë dhe me shënimin e shefit shkova në një magazinë të ndërmarjes, kur pas shumë kërkimesh këpucët u çiftuan! Fitorje, fitorje, fitorjeeee!

Asgjë nuk mund të më ndalte më nga dita e shumëshënuar e çiftimit tim!

Këpucët ishin një numur më i vogël.

Pak fonde i shtrenjti Niko, të lutem nga bucela!


Posa përfundoi në Korçë veprimtaria muzikore ndërkombëtare muzikore ose e quajtur ndryshe MIK –Festival e organizuar nga Bashkia e Korçës dhe sopranoja Inva Mula , që është edhe drejtoresha e veprimtarisë. Edhe pse jo i përvitshëm, festivali është për të përshëndetur se sjell në qytet muzikë klasike(dhe jo vetëm atë), për të cilën Korça ka qënë e dëshëruar qysh në vitet ’20 të shekullit të kaluar. Ishin korçarët Kristaq Antoniu, Tefta Tashko, Kristo Kono, Jorgjia Truja, që bënë të mundur të jepeshin koncerte të njëjta me ato të qyteteve europiane perëndimore të asaj kohe.

Edhe pse Inva nuk është nga Korça, ka gjetur një atmosferë mikpritjeje për këtë lloj muzike, si dhe dashamirësi nga pushtetarët vendorë, për të financuar koncertet disa ditore në qytet. Eshtë një traditë shekullore në Korçë që muzika klasike të studiohet, të ekzkutohet me orkestrina të vogla si muzikë dhome dhe të përcillet edhe me zëra këngëtarësh klasikë, për të cilët Korça është shquar mbi të gjitha zonat e tjera të Shqipërisë. Lista e tenorëve, sopranove, baritonëve dhe mexosopranove korçarë është shumë e gjatë.

Veprimtari të kësaj natyre ka në gjithë botën. Edhe pse ndërkombëtare, peshën e koncerteve e mbajnë kryesisht artistët që vijnë nga ajo zonë nëse jetojnë apo jo atje. Cuditërisht këtë rradhë (dhe ndoshta edhe më parë)mes emrave të artistëve nuk arrita të dalloj asnjë korçar dhe më duhet të them që është për të ardhur keq, që shumë prej tyre shkëlqejnë sot në botë dhe nuk ftohen të interpretojnë në qytetin e tyre. Po nis nga violonçelisti Edison Pashko i Orkestrës Filarmonike të Vienës dhe po vazhdoj me violinistin Kristi Gjezi në Francë, pianisten Eglantina Grapshi në Francë, violonçelistin Edevaldo Mulla në SHBA, violinistin Gjergji Ziçishti në Greqi, pianisten Ida Tili në SHBA, violinistin Aurel Qirjo në Londër, violinistin Marenglen Koçibelli në Gjermani, mexosopranon Viku Kamenica në Tiranë dhe shumë të tjerë artistë korçarë të sukseshëm në shtetet ku jetojnë dhe që unë nuk i njoh.

Vërtet veprimtaria mund të jetë ideuar nga Inva dhe organizohet nga ajo, por nuk është i natyrës së koncerteve “Inva dhe miqtë“, që të jetë vetëm me të ftuar të saj.

Dyshimi rreth veprimtarisë më lindi në prillin e këtij viti, kur në kulmin e fushatës zgjedhore, Inva bëri një video në mbështetje të hapur të Niko Peleshit, ku përmendte edhe MIK-un, video që u shpërnda në të gjitha mediat proqeverisë. Deklarata të tilla mbështetëse të artistëve të njohur shihen me dyshim në të gjithë botën, por e vërteta është se ndodhin edhe gjetkë. Puna është mos jenë të natyrës “quid pro quo”, që mund të përkthehet “më jep pak ujë nga bucela të të mbështes në fushatë“.

“Po normal” mund të hidhet një artdashës apo Peleshdashës.

Jo nuk është normale edhe kur bëhet fjalë për veprimtari artistike të një niveli të lartë, sepse është korrupsion i pastër, sidomos kur dihet që veprimtaria nga Inva nuk bëhet për bamirësi, por për një “goxha llokmë“, e cila del nga xhepat e taksapaguesve korçarë.

Të paktën në mbyllje të veprimtarisë sopranoja jonë e shquar të këndonte një arie nga opera e Moxartit “Cosi fan tutte”.

Sunday 25 July 2021

“Farat” mbijnë në një shoqëri të kalbur


Në një shkrim të viteve më parë, me të qeshur(gjysma e të vërtetës), e kam përfshirë këngëtaren Eli Fara në tre korçarët më të klikuar në Facebook, krahas Niko Peleshit dhe Kastriot Myftarajt. Ndoshta vërtet pata hasur në një lajm të tillë, por më shumë më pat pëlqyer kombinimi i të treve, personazhe të ndryshëm nga fusha të ndryshme të veprimtarive jetësore.

Nëse Peleshi dhe Myftaraj me bëmat e tyre kanë vërtet një përbërës tepër qesharak, drenovarja Eli Fara ka një karrierë shumë të gjatë dhe të plotë në artin e të kënduarit. Përsa i përket jetës së saj personale as nuk ja njoh mirë dhe as nuk duhet t’ja njoh mirë unë dhe cilido nga shqiptarët, nëse ajo vetë nuk e dëshëron këtë.

Klikimet rreth emrit të saj janë shtuar çuditërisht ditët e fundit, kur në portale dhe në media është botuar një lajm rreth posteve të saj në dy ministritë e drejtuara dikur nga Fatmir Mehdiu, kryetari i Partisë Republikane.

Pa dashur të shkoklavit atë që nuk ka se ç’të shkoklavitet po them edhe një herë me bindje:

Shoqëria shqiptare është një shoqëri e kalbur.

Nuk jam i sigurt se kur ishte Fatmir Mehdiu për herën e fundit ministër, por ka të ngjarë që pas Gërdecit ai nuk pati më poste qeveritare. Bëhet fjalë për marsin e vitit 2008. Tani, pas mëse 13 vjetësh, shoqëria jonë, përfshi mediat dhe gjithë njerëzit që nuk lenë gjiriz pa futur hundët paskan zbuluar se Mehdiu jo vetëm ka pasur një marëdhënie jashtëmartesore me Elin, por i ka dhënë edhe poste me rëndësi në ministritë e tij dhe si rrjedhim edhe rrugë jashtë shtetit e privilegje të tjera?!

Nuk ka asnjë rëndësi nëse është i vërtetë apo jo ç’ka qarkullon këto ditë në media. As prishja apo jo e qetësisë shpirtërore të këngëtares Fara nuk ka ndonjë rëndësi, se asaj po i shtohen klikimet dhe si thuhet në Hollivud “ reklama për njerëzit e artit nuk është asnjëherë e keqe”.

Ministrat e martuara me të dashura (hapur në publik) kanë qënë dhe janë një dukuri e rëndomtë shqiptare. Të dashurat kanë qënë pjesë e korrupsionit, përfituese nga korrupsioni, motivuese për më shumë korrupsion. E tillë ka qënë dhe mbetet shoqëria jonë dhe nxjerrja e këtyre fakteve (apo thashethemeve) pas 13 vjetësh nuk ndryshon asnjë gjë, veç ve më shumë në dukje hipokrizinë tonë. Thua se ky ka qënë sekreti më i madh në Tiranën e 15 viteve më parë dhe tani po del në dritë falë ca hetimeve të mirëorganizuara!

Në pleh dhe në të tjera kalbësira “Farat” mbijnë dhe harlisen pa kufij.

 

Saturday 24 July 2021

Kodra e Belvederes dhe “blloku i të pasurve”


Një lexues i rregullt i blog-ut më dërgoi dje një foto, ku tregohej ndërtimi i një blloku me vila në kodra e Belvederes në Korçë dhe më pyeste nëse mund të kategorizohet si “shkatërrim”.

Po I jap një përgjigje publike, pa pasur njohuri të plota rreth projektit dhe duke u përpjekur të rri larg emocioneve, të cilat lidhen edhe me fëmijërinë time, si të çdo korçari në brezin tim.

Më vjen keq që nuk e di se si quhej kodra para vitit 1964, kur nisi të ndërtohej Belvederja. Di vetëm që për fëmijët e qytetit ishte pylli më i afërt, ku shkonim plot kureshtje për të parë se ç’kishte pylli, për tu ngjitur majë kodrës dhe tarracave të Belvederes për të parë qytetin dhe fushën e Korçës, si dhe për të gjuajtur zogj me llastikë. Nuk duhet të le pa përmendur edhe gështenjat e buta që rriteshin në kodër, po ato sikur ruheshin me roje dhe nuk rrezikonim shumë për të mbledhur gështenja.

A duhet ndërtuar një bllok me vila tek kodra e Belvederes?

Përgjigja e menjëhershme është “Jo”, sepse në një qytet ku popullsia po tkurret nuk ka kuptim të preken sipërfaqet e gjelbëruara. Por nëse investitori ndërton me kujdes dhe njëkohësisht pas ndërtimit parashikon edhe një plan të mirë gjelbërimi të gjithë bllokut, nuk duhet të nxitohemi me përgjigjen “jo” apo më keq akoma të themi se është “shkatërrim i mushkërive të qytetit”.

Me sa di porositësi i projektit dhe njëkohësisht drejtuesi i tij është Zamir Mane, i njohur si njeriu më i pasur në Shqipëri. Projekti është hartuar nga zyra e arkitekturës që ai ka në pronësi dhe ka shumë të ngjarë, që pronarët e ardhshëm të vilave të jenë të tjerë pasunarë shqiptarë, të cilët i kanë borxhe Zamirit, ose ky ju ka borxhe dhe ja u kthen në vila 500 mijë euroshe. Për fat të mirë pasunarët duan të jetojnë në kushte të mira ndaj edhe blloku me vila nuk ka për t’i ngjarë bllokut mbi Shën Triadhë, i cili u ndërtua 25 vjet më parë.

Zamir Maneja ka qënë shumë i tërhequr për të investuar në Korçë edhe pse është lindur dhe rritur atje. Investimi i tij është një shenjë e mirë për të ardhmen ekonomike të qytetit. Nëse në gjithë këtë investim ka disa prapaskena, pjesëmarrje të kryeministrit Rama apo të tjera “allishverishe”, kjo është një çështje tjetër, por një ndërtim i tillë jo vetëm nuk është problematik si rasti i Kullës Vrojtuese, i Bibliotekës së Re apo ndonjë ndërtimi tjetër në Qendër, por nëse bëhet me mençuri dhe pa kursyer paratë mund t’i shtojë vlerat qytetit.

Le të presim e të shohim dhuratën që po i bën Korçës Zamiri i Bitijes!

(Dhe mos akuzoni kot Peleshin dhe Ligavecin Gollash, se ky projekt dhe njerëzit e përfshirë janë më të fuqishëm se ta.)

 

 

Friday 23 July 2021

Peshku tek Voda, tigani me vaj te nxehtë në SPAK


Një miku im në Itali më akuzon se unë jam xhusticialist(giustizialista), që pak a shumë më kualifikon si një njeri që mendon për funksionimin e shpejtë të drejtësisës, të themi si në kohën e Diktaturave. E vërteta është shumë më larg, se jo vetëm mendoj që Drejtësia duhet të ndjekë rrugën e saj normale, si në sistemin anglo-sakson, por jam edhe për shmangien e dënimeve maksimale, sidomos në rastin e krimeve jo të dhunshme.

Por nuk ka shumë rëndësi se ç’mendon miku im për mua dhe se ç’mendoj unë për veten dhe funksionimin e sistemit të Drejtësi, pasi as ai dhe as unë nuk kemi gjë në dorë, se jemi jashtë këtij sektori. Unë ndikohem në mendimet e mija nga funksionimi i sistemit të Drejtësisë në Amerikë dhe në Kanada dhe si kam shprehur edhe në shkrime të tjera nuk kam besim tek sistemi i Drejtësisë Shqiptare për shkak të mungesës së traditës, nivelit shumë të ulët të shkollave juridike, si dhe mungesës së pavarësisë. Këto janë faktorët kryesorë, por edhe një tjetër i rëndësishëm është niveli i ulët kulturor i shoqërisë shqiptare, e cila në përgjithësi ende mendon se mënyra më e mirë për të ulur kriminalitetin është ndëshkimi i rëndë i fajtorëve.

Le të shohim arrestimet e fundit të SPAK-ut dhe reagimin e mediave dhe shoqërisë shqiptare për to. Janë arrestuar kryetari I bashkisë së Lushnjës me një tufë nëpunësish dhe një biznesmen për një tender kanali; një drejtoreshë prokurimesh në Ministrinë e Brendëshme me një tufë nëpunësish për një tender uniformash policie; një ish-zëvendër ministre për ndërhyrje për një vend pune në këmbim të një dhurate. Një pjesë e madhe e të arrestuarve janë në burg dhe nuk ju është ndryshuar masa e arrestit e propozuar nga SPAK. Asnjë nga të akuzuarit nuk ka kryer ndonjë krim të dhunshëm edhe pse kanë vjedhur në bashkëpunim fonde publike.

Rasti i Rovena Vodas është akoma më flagrant. Ajo akuzohet se ka marrë një dhuratë prej afro 3 mijë eurosh, ku përfshihet edhe një arkë me peshk e vlerësuar mbi ]mimin në treg. Eshtë absurd të mbash një njeri për një “krim” të tillë, nga natyra e krimit, nga masa e korrupsionit, nga rrezikshmëria e autores apo nga mundësia për të zhdukur provat. Peshku ose është ngrënë ose është qelbur ndaj tigani torturues me vaj të nxehtë i SPAK nuk ka asnjë vlerë! Edhe sikur të jetë e sigurt se Voda ka qënë e korruptuar dhe mund të nxjerrë edhe peshq të tjerë. Për mendimin tim ajo as duhet të ishte arrestuar për kaq.

Në media reflektohet zilia e njerëzve mendjengushtë shqiptarë rreth arsyeve shëndetsore , që po paraqesin të akuzuarit për korrupsion për të mos qëndruar në arrest në burg, por të ndiqen në gjendje të lirë. Eshtë dëshmi e qartë e prapambetjes së shoqërisë sonë, që kërkon vuajtjen për të korruptuarit në një kohë që shumica e saj është e korruptuar. Edhe pse mund të duket qesharake që Fatos Tushja tani rendit një sërë sëmundjes si zemra, diabeti, tensioni i lartë, gurë në veshka dhe majasëll për tu ndjekur në gjendje të lirë, kryetari i bashkisë së Lushnjës duhej që në fillim të ishte në arrest shtëpiak.

Nuk ka arsye që të gjithë ata që akuzohen për korrupsion të mbahen në arrest burgu. Natyra e krimit të tyre, pozita që kanë në shoqëri nuk duhet t’i shpjerë pas hekurave para se të dënohen në formë të prerë. Përjashtime mund të bëjnë vetëm rastet kur akuzohen për ndihmë ndaj krimit të organizuar, por deri tani SPAK nuk ka akuzuar asnjë prej tyre për këtë lloj krimi.

Shoqërisë shqiptare nuk i vlen ky lloj xhusticializmi, që të kujton kohët e: “merri plasi brenda se atje pastaj e tregojnë edhe qumështin e nënës”. Eshtë kthim pas në konceptet e demokracisë, tolerancës dhe të pandehjes së pafajësisë.

“Vaji i nxehtë“ i SPAK , që po përvëlon tani Vodan dhe Tushen po djeg edhe atë pak shpirt të tolerancës së shoqërisë shqiptare.


Shenim: Avokati im ne Gjermani nuk ka ndikuar ne perpilimin e ketij shkrimi

Thursday 22 July 2021

Rreth kufizimeve në arkitekturën e qytetit të Korçës (fund)

 


(vijim)

Duke hequr periudhën 40 vjeçare të Diktaturës, kur mungonin edhe liria e projektimit dhe begatia e qytetit dhe si rrjedhim arkitektura do ishte e zbehtë, e thjeshtëzuar dhe anakronike, pas fundit të viteve ’80 filluan të ndërtohen banesa individuale me projekte më të kohës edhe pse mund të kishte një përzjerje stilesh dhe prirjesh. Ishte e kuptueshme një “çoroditje” e tillë në atë fazë të tranzicionit, kur po hynin materiale të reja dhe kishte shumë më pak kufizime në projektim. Por në vend të lejohej që dukuria e raporteve të arkitekturës së traditës me atë modern të evoluonte natyrshëm, pas vitit 1997 u vendosën kufizime të panevojshme në pjesën e qytetetit të ndërtuar para Luftës së Dytë. Pa hyrë në hollësi nëse motivet ishin të paqta apo të turbullta, unë i qëndroj mendimit, që duke përjashtuar monumentet e veçanta ose komplekset arkitekturore të një rëndësie të veçantë historike, nuk ka pse të ketë rregulla të ngurta për të gjithë pjesët e qytetit. Mjaft që proceset e dhënieve të lejave të jenë transparente për publikun dhe kushdo të ketë mundësi të kundërshtojë kur shkelen hapur disa nocione bazë. Për shembull edhe në një kompleks të formuar mirë si shëtitorja “Republika” nuk është e thënë që të gjitha ndërtimet e reja apo shtesat e objekteve të jenë domosdoshmërisht me elementë të neoklasiçizmit apo me rrethimet karakteristike me gurë dhe kangjella. Edhe ndërtime nga më bashkëkohoret mund të qëndrojnë shumë mirë krahas ekzistueseve mjaft të ndiqet një “bon sens” arkitekturor, të cilin zakonisht e kanë arkitektët e mirë.

Kufizimet e shumta venë burokratin mbi investitorin dhe më shumë akoma mbi profesionistin. Mund të thuhet se edhe nëpunësit që kontrollojnë dhe vendosin për projektet janë profesionistë, por në asnjë vend në botë nuk ndodh që më të mirët e arkitektëve të punojnë në Bashki apo në Institute Studimi. Ajka e profesionistëve është në sektorin privat. Por në Korçë si kudo në Shqipëri edhe për probleme me të cilat duhet të merren profesionistët merren Kryetari i Bashkisë dhe ndonjë bashkëpunëtor i ngushtë i tij. Dhe e gjitha bëhet për të përqëndruar kompetenca, pushtet dhe mundësi për të shfrytëzuar këtë pushtet politikisht apo ekonomikisht.

Korça ka shumë të ngjarë të mos zgjerohet më. Mund të ketë komplekse të reja vilash në kodrat e qytetit, si kanë filluar të ndërtohen në zonën e Belvederes, ose dhe në pjesë të tjera të pëlqyeshme si zona e Shetros, por për shkak të rënies së vazhdueshme të popullsisë, pjesa më e madhe e ndërtimeve do vazhdojnë të bëhen në pjesët e vjetra të qytetit. Ato do vazhdojnë të mbeten më të lakmuarat për vila, apo banesa kolektive me dimensione mesatare. Por të detyrohen nga administrata projektet t’ju shëmbëllejnë projekteve si ky në foto do të thotë që një shekull më vonë të ndërtojmë me të njëjtën logjikë projektuese. Kjo e mban qytetin të mbërthyer në vizion të tejkaluar, i cili edhe për kohën e tij ka qënë i prapambetur. Një shoqëri do reflektojë në ndërtimet e saj nivelin kulturor dhe filozofinë që ka për jetën. Kësaj nuk i shpëton dot asnjë qytet në botë. Por nëse nuk mund të jemi në një nivel me shoqëritë skandinave, nuk do të thotë se duhet të imponojmë shijet dhe filozofinë e pjesës më të prapambetur të shoqërisë sonë sikundër ndodh tani në Korçë. Shembuj të mirë ka në shumë zona të Shqipërisë, atje ku ka një përkrahje të studiove më kompetente arkitekturore. Janë ata që duhen ndjekur dhe jo konceptet e gjymta të Peleshit, Filos apo të Dollanit të IKMT-së.

Kohë më të begata po vijnë, por Liria në projektim duhet të ndjekë Begatinë

Wednesday 21 July 2021

Rastësitë kobndjellëse në historinë tonë.


Në një intervistë për gazetën italiane “Arte”, Edi Rama përmendi një fakt jo shumë të njohur më parë, që pasi ishte i stabilizuar në një koloni artistësh në Paris, erdhi në Shqipëri për funeralin e të jatit dhe gjatë vizitave të ngushëllimit i propozuan të bëhej ministër i kulturës në qeverinë e Fatos Nanos. C’ndodhi më pas është historia e këtij vendi në fundin e shekullit të kaluar dhe e gjithë këtij shekulli që po jetojmë.

Kur e lexova u trondita dhe menjëherë më shkoi mendja në një pasdite të vjeshtës të vitit 1941 dhe rastësia që u bë vendimtare për jetën e brezit tim dhe e e brezit të prindërve të mij. Si është treguar shumë herë në mediat shqiptare, më 8 nëntor të vitit 1941, Koço Tashkoja duhet të shkonte në mbledhjen e “pajtimit të Grupeve Komuniste shqiptare nga e cila mund të krijohej Partia Komuniste. I shqetësuar se njëri nga përfaqësuesit e grupit të tij, që duhet të ishte në mbledhje nuk kishte ardhur ende nga Korça për shkak të vështirësive të transportit, qëlloi që takoi në rrugë Enver Hoxhën dhe e pyeti se ç’kishte në plan për të bërë atë darkë. “Nuk kam ndonjë gjë të madhe, se nuk do shkoj në Rrugën e Brrakës ku shkoj zakonisht darkave.”- ju përgjigj ish-pedagogu i Liceut të Korçës. “Cingeneja me të cilën kaloj mbrëmjet ka bestytni dhe nuk punon natën e Shën Mëhillit…Paragjykime të kota, po kuptohet niveli!”

Enveri pranoi të shkonte në mbledhje, atje u pëlqye nga Miladini dhe si përfundim ne “u shojtëm nën diktaturë“, për të mos përmendur me mijra të pushkatuar. Nga që rrugët nuk ishin të ndërtuara mirë, nga që Koço Tashkoja nuk u vërdallos ca më shumë në Pazarin e Tiranës, ose më mirë nga që jevga e rrugës së Brrakës ishte supersticioze dhe bënte pushim natën e Shën Mëhillit, që merr shpirtrat.

Dhe ja një rastësit jetër e kobshme , që po dërrmon brezin e fëmijëve të mij dhe të fëmijëve të tyre dhe nuk dihet se kur do mbarojë. Kristaq Vlash Rama takohet me Krijuesin pikërisht kur Nanoja nuk kishte se kë të vinte Ministër të Kulturës. Edi po ndiqte në Paris karrierën e shumëndërruar të piktor-skulptorit dhe në vend të kishim në Qytetin e Dritave një tjetër autoritet të artit botëror në rangun e Kadaresë rastësia e sjell të kemi Ramën për kryeministër për disa dhjetvjeçarë. (Nuk është çudi edhe që të mos ketë qënë plotësisht i rastësishëm largimi i parakohshëm nga jeta i Kristaq Ramës, se kreu i socialistëve kishte kohë që nëpërmjet Ben Blushit rrekej t’i mbushte mendjen Edit të kthehej nga Parisi, por pa fakte nuk mund të hedhim këtë akuzë të rëndë në shpatullat e ngushta të djalit të Thanasit.)

Po ç’i kemi bërë Perëndisë që na kurdis të tilla lojra kaq të kobshme rastësish mbi rastësi?

Një dandy i viteve ’30 le Parisin ku jetonte për mrekulli pa punë e pa zanat dhe kthehet si “Taras” në Shqipëri dhe një ekzibizionist le Parisin e viteve ’90 për tu kthyer si “Taras 2”  

 

 

Rreth kufizimeve në arkitekturën e qytetit të Korçës (2)

 



(vijim)

Arkitektura me elementë të neoklasiçizmit në Korçë është më larg arkitekturës modern, por edhe asaj bashkëkohore nëse e krahasojmë me arkitekturën e quajtur arkitekturë popullore, ose më mirë të themi arkitektura e shek XIX. Në të gjen më shumë lirshmëri në skema, më tepër asimetri, si dhe më shumë “purizëm” në trajtimin e eksteriereve, që e bëjnë më të afërt me arkitekturën modern të shekullit të XX-të në botë. Në të ka shembuj të përshtatjeve shumë interesante me parcelën, me rrugën dhe me ndërtimet përreth. Nuk është e rastit që ajo lloj arkitekture tërhiqte syrin edhe të piktorëve të njohur shqiptarë të peisazhit si është rasti i Vangjush Mios. Në peisazhet e tij në Korçë nuk gjen asnjëherë ndërtimet me elementë të neoklasiçizmit.

Por nuk është fjala që të detyrojmë ndjekjen e një tipi të arkitekturës ekzistuese apo tjetrës. E gabuar është detyrimi. Eshtë absurditet të detyrosh përdorimin e një tipi të caktuar çatie, apo që dritaret mos kenë gjërësi më të madhe se 120 cm dhe të tjera kërkesa të ngjashme. Harmonia me ndërtimet ekzistuese nuk është e vetmja mënyrë për të bërë arkitekturë të goditur. Eshtë njëra nga mënyrat dheduhet thënë se është ajo më e thjeshta. Gjithashtu përmban rrezikun e kalimit në një lloj uniformiteti, i cili e “vret” bukurinë e një vendbanimi.

Ka disa arsye që vendosen kritere të tilla kufizuese. E para dhe më e gabuara është që institucionet që janë të ngarkuara nga ligji për të dhënë lejat e ndërtimit kanë prirjen që ta bëjnë sa më të vështirë dhënien e lejes. Kjo ka të bëjë me dëshirën për të kontrolluar sa më shumë, për të pasur sa më shumë pushtet dhe për të nxitur korrupsionin. Nuk ka asnjë arsye , që për lagje të tëra të qytetit duhet të marrësh leje për të ndërtuar edhe tek IMKT (dikur Instituti i Monumenteve). Kujtoj që mbi 15 vjet më parë më pyesnin nëse mund të përdoren gurë të një tjetër lloj se ato të kalldrëmeve tradicionale. Kishte një konfrontim mes institucionesh lokale dhe qëndrore për këtë çështje. Ju spjegova që kalldrëmet e qytetit ishin ndërtuar në atë mënyrë se ajo ishte më e thjeshta dhe gurët gjendeshin lehtë në shtratin e Lumit të Korçës dhe në përrenj të tjerë, por nuk ishte as mënyra e vetme dhe as më e mira për të bërë kalldrëm.

E përmenda këtë fakt për të thënë se nëse nuk bëhet fjalë për monumente të caktuara ose ansamble të caktuara me vlerë veçanërisht të shquar historike apo arkitekturore, këmbëngulja për të përdorur materiale të caktuara ose teknika ndërtimi specifike, jo vetëm është i panevojshëm, por është absurd.

Arkitektura e Korçës me elementë të neoklasicizmit u zhvillua në një kohë, kur pati një pasurim të shpejtë të tregëtarëve korçarë, si dhe kthimit të shumë kurbetlinjve nga Amerika, që donin të ndërtonin shtëpi më të mira nga ato që kishin. Të dy këto shtresa kishin një karakteristikë të përbashkët, që ishte mungesa e shkollimit dhe dëshira për të ndërtuar si të pasurit në vendet e huaja. Kjo solli edhe planimetritë simetrike me hyrje prezentuoze si të një pallati aristokratësh, me korridore të mëdha dhe dhoma në të dy krahët, që të krahasuara me planimetritë e banesave individuale që ndërtoheshin atë kohë në vendet e përparuara nuk ishin aspak racionale dhe funksionale. Pjesa dërmuese e këtyre banesave i kishte nyjet sanitare jashtë dhe ju mungonin sistemet e ngrohjes, por zakonisht ngroheshin me vatra ose me pore. Në rastet e familjeve më të pasura kishte vatër në çdo dhomë. Të gjitha ju janë nënshtruar rikonstruksioneve më vonë duke siguruar minimumin e komoditetit që kërkohet në kohët moderne dhe që janë nyjet sanitare brenda shtëpisë, uji i ngrohtë i vazhdueshëm dhe mundësisht ngrohja qendrore.

Në të njëjtën kohë në Europë ndërtohej Vila Savoja e Korbyziesë dhe në Amerikë Vila mbi Kaskadë e Rajtit, për të përmendur vetëm dy kryevepra të arkitekturës botërore të shekullit të XX-të. Nëse nuk ndryshojmë dot konceptin arkitekturor të ndërtimeve midis dy luftrave botërore në Shqipëri dhe veçanërisht në Korçë, kjo nuk do të thotë që atë lloj arkitekturore ta trajtojmë me superlativa dhe njëkohësisht ta përdorim si model për parimet e projektimit në lagjet e vjetra të qytetit.

(vijon)

Tuesday 20 July 2021

Rreth kufizimeve në arkitekturën e qytetit të Korçës


Arkitekturën e qyteteve e krijon Liria dhe Begatia.

Ndoshta po them diçka që nuk do shumë mend, ose e kanë thënë edhe qindra para meje, por po e nënvizoj, për të shtjelluar më poshtë disa mendime rreth arkitekturës së qytetit tim dhe se si mund të përmirësohet duke ndjekur gjithnjë hapin e kohës.

Ka një prirje në rrethe të caktuara qoftë projektuesish, qoftë restauratorësh dhe më shumë akoma politikanësh, për të përcaktuar një lloj “profili arkitekturor” dhe urbanistik, të cilin duhet ta ruajë qyteti. Nuk dyshoj se në shumicën e rasteve qëllimet janë të mira, por mund të gabohet edhe kur qëllimi është i mirë. Kuptohet, që gabohet më shumë kur qëllimet janë të errëta.

Historia e vënies në mbrojtje të zonave të caktuara të qytetit është jo shumë e hershme. Ka filluar rreth fillimit të viteve ’70 dhe ka qënë një ide e mirë, pavarësisht nga gabimet e bëra nga centralizimi i institucionit të mbrojtje-restaurimit. Pra ka rreth 50 vjet përvojë në këtë drejtim dhe jo vetëm që nuk ka pasur koncepte të përcaktuara mirë (si çdo gjë e re), por sidomos në 30 vjetët e fundit, për të është kaluar nga një ekstrem në tjetrin, sipas koniukturave politike dhe njerëzve, të cilët janë marrë më shumë me këtë sektor të ndërtimit.

Korça ka patur historikisht disa periudha lulëzimi në ndërtimet, ndër të cilat ka dalluar periudha e viteve ’20 të shekullit të kaluar. Janë ndërtimet e asaj periudhe, të cilat i kanë dhënë tiparet kryesore arkitekturore, për të cilat vlerësohet sot nga vendasit dhe të huajt.

Por rregullat e ndërtimit në atë periudhë nuk kanë qënë të ngurta, por shumë liberale. Ka pasur 4-5 kushtëzime urbanistike dhe njerëzit ndërtonin si ju pëlqente dhe si ju dukej më bukur. U krijua një shije e përbashkët dhe rastësisht u ndërtuan “ansamble arkitekturore” pa pasur një dorë të caktuar, apo të projektoheshin nga të njëjtit arkitektë. Madje as nuk kishte arkitektë të projektonin banesat në Korçë, sepse shumica e projekteve bëheshin nga “kallfët”. Të vetmet projekte, që mbanin firmat e arkitektëve dh e inxhinierëve ishin disa hotele, kinema “Majestiku”, të projektuara të gjitha jashtë vendit. Lartësitë e godinave, materialet e përdorura i përcaktonte “teknologjia” ekzistuese e ndërtimit dhe as Bashkia dhe as ndonjë institucion tjetër.

Në të njëjtën kohë me gjithë ndërtimet, të cilat futen sot në një lloj “neoklasiçizmi” (që nuk është përcaktim plotësisht e saktë)u ndërtuan edhe banesa e Tashkove e stilit bizantino-rumun, ajo e Kol Rrodhes me elementë të arkitekturës austro-gjermane dhe nisi të ndërtohej banesa-klinikë e Polenkës, që ishte një përzjerje eklektike stilesh ndërtimore. Në rast se nuk do kishte liri ndërtimi, por kufizimet administrative të sotme, ato dhe plot ndërtime të tjera të Korçës nuk do ishin realizuar dhe qyteti do t’i kishin munguar shumë objekte me vlera. 

Edhe pa ditur me saktësi se ç’farë kufizimesh ndërtimore ka në zonat muze dhe ato të mbrojtura të qytetit, sipas bisedave që kam bërë duke qënë larg, në shumë lagje janë përcaktuar numuri i kateve që mund të ketë një ndërtesë, hapësira ndërtimore që do kapet në varësi të dimensioneve të parcelës dhe deri në trajtimi i jashtëm i detajeve arkitekturore dhe dimensionet maksimale të gjërësisë së dritareve. Kushtëzime urbanistike dhe arkitekturore ka në gjithë qytetet e Mesdheut, por çështja qëndron nëse duhet imponuar një logjikë e caktuar arkitekturore dhe a i bën kjo mirë qytetit apo jo.

(vijon)

Monday 19 July 2021

1800 kalori, jo më shumë


Unë nuk e kam pëlqyer kurrë parrullën e “çlirimtarëve” menjëherë pas luftës –“ 8 orë punë, 8 orë gjumë, 8 orë dëfrim”. Ishte një ndarje arbitrare e ditës së njeriut në tre pjesë të barabarta dhe i jepte përparësi punës ndaj gjumit dhe dëfrimit edhe pse orët i linte njëlloj. Më pas edhe Partia(komuniste) e kuptoi që ishte e gabuar, se pjesën e dëfrimit jo vetëm nuk mund t’ja u garantonte njerëzve, por nuk i nxirrte dot as në aksione dhe në punë vullnetare dhe nuk la asnjë orientim në këtë pikë.

Unë jam për një liri të plotë të të gjithëve, që të punojnë sa të duan, të flenë sa t’ju dalë gjumi dhe të dëfrejnë aq sa t’ju dëfrehet. Mjafton të kontrollojnë kaloritë, që të mos dëmtojnë shëndetin. Eshtë një si formulë e lirisë së kufizuar, të cilën mund ta quajmë “liri-kalori”, por është racionale, shkencore dhe lehtësisht e zbatueshme.

Një mashkull mesatar i një moshe mesatare me një zhvillim mendor më se mesatar nuk ka përse të marrë më shumë se 1800 kalori në ditë. (Kuptohet nëse do të mos trashet dhe të krijojë probleme të diabetit, tensionit të lartë arterial dhe deformimit të koskave.) Vetë nuk plotësoj vetëm kriterin e moshës mesatare e cila sillet diku rreth të 40-ve, por mund ta ndjek pa u shqetësuar jetesën tip ‘jo më shumë se 1800 kalori në ditë“. Po si mund t’ja arrijë në një ditë të mbajë këtë rregull një mashkull i zakonshëm në një vend të zakonshëm si Kanadaja, ose edhe në një vend të jashtëzakonshëm si Shqipëria?

Nëse marrim si rast tipik, Olsin në Shqipëri, 40 vjeçar dhe që punon si inspektor tatimesh është shumë e lehtë të bësh një llogaritje trashë trashë. Olsi fle 8 orë dhe harxhon 550 kalori në gjumë, punon kryesisht në zyrë dhe në kontrolle biznesesh(ku shkon me makinë) që do të thotë 650 kalori dhe rri në kafene ose shikon tv në shtëpi duke harxhuar dhe 600 kalori të tjera, që rezultojnë ekzaktësisht në 1800 kalori. Nëse do meditonte për 5-6 orë do harxhonte 150 kalori më pak, por Olsi nuk ka dëshirë të meditojë dhe kjo është e drejta e tij.

Le të vimë në kaloritë që merr Olsi gjatë një dite më se të zakonshme. Nuk ha mëngjes dhe pi një kafe në lokali pranë shtëpisë kështu që deri në orën 10 nuk merr asnjë kalori. E nis me një Heineken më 11.00 në lokalin ku kontrollon tatimet dhe deri më 14.00 ka ngrënë një drekë të bollshme dhe ka pirë edhe dy Heineken të tjerë. Të gjitha bashkë kanë kaluar 1850 kalori dhe çfarëdo që të futë në stomah inspektori i taksave Olsi do i kthehet në dhjamë kryesisht rreth barkut të tij që ka nisur të bëhet i rrumbullt. Në rastin më të mirë do hajë një pjatë kos në shtëpi, por mund të hajë edhe një picë jashtë me bashkëshorten e tij të dashur, ose të shtrohet me verë dhe pjatanca me mish në një lokal në periferi të qytetit me shokët e tij.

Me të drejtë mund të shtrohet pyetja se a mund të jetë e gjithë veprimtaria ditore vetëm punë, gjumë dhe e ngrënë? Po dëfrimi i Olsit? Po veprimtaritë fizike të tij?

Eshtë e vërtetë që në një ditë të zakonshme Olsi luan edhe një orë bilardo, por gjatë saj ai pi dhe një birrë tjetër, që ja balancon atë që harxhon ekstra. Kjo i ndodh edhe kur bën seks me të dashurën, se pas seksit ha edhe një “t’omël”, që ka më shumë kalori se sa ka djegur.

Ndaj është thuajse e pamundur për Olsin dhe Olsët në atdhe të mos venë bark nëse nuk stërviten të paktën dy orë në palestër ose të punojnë në ndërtim.  E para është e vështirë ndërsa e dyta është e pamundur. Të hajë më pak, të vrapojë dhe mos pijë alkol? Kjo do të thotë që të jetojë në një vend  të zakonshëm.

 

 

 

 

  

Më mirë një drejtues që fle se një drejtues i çmendur


Shteti amerikan është një makinë stërmadhe e çuditshme dhe që nuk ngjan me asnjë shtet tjetër në botë. Makinë jo e përsosur, por shumë e fuqishme dhe njëkohësisht e vështirë për tu manovruar.  Me “dhëmbë“ shumë të fuqishëm për vendet e tjera dhe sidomos ato kundërshtare, por me një liri të pazakontë për vendasit. Eshtë tejet e vështirë për tu kuptuar nga ata , të cilët jetojnë brenda Shteteve të Bashkuara dhe jo më për ata, që jetojnë jashtë saj. Disa vite më parë, filozofi francez Henry Bernard Levy, në një intervistë theksonte faktin se në Francë janë të pakët ata që dinë se ç’është në të vërtetë Amerika.

Edhe pse një vend demokratik dhe me ndarje të qarta të pushteteve, roli i Presidentit, si drejtues i kësaj makine stërmadhe është shumë shumë i rëndësishëm. Aq të mëdha janë fuqitë e tij jo vetëm ekzekutive, por edhe ligjëvënëse, sa brenda një mandati të vetëm 4 vjeçar me grupin e tij ai mund të ndryshojë së tepërmi Amerikën dhe njëkohësisht edhe globin. 4 vitet që shkuan me drejtuesin Trump, Shtetet e Bashkuara thuajse u kthyen në një shoqëri dhe shtet të ndryshëm nga ai që njihte bota deri në atë kohë.

“Cmenduria” e Trump nuk mund të futet në kornizat e një “çmendurie” të zakonshme. Karakteristika kryesore e saj ishte paparashikueshmëria e veprimeve, veprimi në kundërshtim me vlerat tradicionale të demokracisë amerikane, drejtimi i makinës shtetërore si një biznes dhe vënia e “egos” në qendër të thuajse çdo veprimi politik. Në planin ndërkombëtar Trump jo vetëm inkurajoi udhëheqës diktatorë si Kim Xhong Un i Koresë apo Princi Bin Salman i  Arabisë Saudite, por tregonte edhe një lloj zilie që nuk kishte pushtet të pakufizuar si ata. Dhe kjo ndikonte dukshëm edhe në “drejtimin” e Shtëpisë së Bardhë apo sip o e quajmë në këtë shënim “makina e shtetit amerikan”. Nisur nga përzgjedhja fillestare e bashkëpunëtorëve dhe më tej në shkarkimet dhe zëvendësimet e shpeshta, Trump e faktorizoi disa herë çmendurinë në drejtim. Si asnjë president tjetër i kohëve modern Trump gjatë katër viteve ndrroi pesë shefa të kabinetit të tij, katër këshilltarë të Sigurisë Kombëtare dhe tre sekretarë të Mbrojtjes. Këtu nuk përfshihen dhjetra poste të tjera më të ulta. Ndër të paktit këshilltarë, që nuk lëvizën për katër vjet ishin vetëm Ivanka dhe dhëndri Kushner.

Unë kam pasur gjithnjë rezerva për aftësitë personale të Xho Bajden, sidomos në këtë moshë të shtyrë, por Bajden po tregon se “makina” mund të drejtohet mirë vetëm nëse zgjedh ndihmësa të mirë dhe i le të bëjnë punën e tyre ashtu sikundër dinë. Shtëpia e Bardhë tashmë është si në një “autopilot” dhe Presidenti mund t’ja futë gjumit. Kuptohet që jo çdo gjë mund të shkojë vaj dhe politikat do jenë të ngjashme me ato të presidencave të Klintonit dhe Obamës, që favorizuan korporatat e mëdha, por mbajtën nën kontroll ekstremet e djathta dhe nuk shkatërruan komplet programet sociale të shtetit amerikan.

“Shoferi i çmendur” ende nuk është larguar nga skena politike dhe gëzon shumë popullaritet në ata që mbështetin tradicionalisht të djathtën. Zgjedhjet e ndërmjetme të vitit të ardhshëm do përcaktojnë më qartë nëse ekziston rreziku i kthimit të Trump në pushtet në vitin 2024. Por rrezik më i madh do jetë dalja e një politikani të ri republikan, që do të përdorë të njëjtin populizëm të “The Donald”, por me nuanca më të lehta dhe më shpresëngjallëse për ekstremin e djajthtë, që duket më i tulatur pas asaj që ndodhi më 6 janar të këtij viti. Një “Trumpist” në moshë të re mund të përmbysë “normalitetin” e administratës së Gjumashit Xho. 


Sunday 18 July 2021

Ana do vijë (Pino Daniele)

Ana do vijë

Me mënyrën e saj thellë për të të parë.

Thuaj kjo luftë fund kur do marrë?

Se duhet të ndryshojmë botën që zjen,

Sepse kur shohim detin sërish na ngazëllen.

Ana do vijë

Dhe do jetë një ditë plot diell,

Ndaj edhe do rrekem ta gjej

Ndoshta për të ëndërruar ende,

Ende,

O Ana më thuaj sa larg është ai det!

Ana do vijë.

Me mënyrën e saj që të rrëmben zemrën

Me buzëqeshjen për lirinë që gjetëm.

Se duhet ta ndryshojmë këtë botë të marrë

Ndaj shohim pas mos gabojmë si më parë.

Ana do vijë

Do dalim të mbledhim rrugës qentë

Për të krijuar di]ka tjetër,

Që mos ndjehemi më vetëm,

Vetëm…

Ana do vijë.

 

 

  

“O Sali o hero, Shqipëria ty të do!”


Histeria e Kuvendit Kombëtar të PD-së, kur në sallë hyri Sali Berisha dëshmoi se Rama jo vetëm do qeverisë i qetë edhe për katër vjet të tjerë, por do vazhdojë zullumet e korrupsionit sëbashku me “Rivjedhësat” e tij. Opozita jo vetëm nuk do jetë në gjendje të ketë zërin e saj të fortë në Parlamentin shqiptar, por nuk ka për të pasur as mbështetjen e administratës amerikane. Një opozitë anemike, e diskretituar, e manipulueshme nga ai që e shkatërroi 24 vjet më parë pasi shkatërroi edhe Shqipërinë.

Jo vetëm brezi i jonë dhe ai poshtë nesh, por edhe brezi i tretë, që nuk ka jetuar asnjë ditë nën Diktaturë e vuan kompleksin e adhurimit të Liderit të përjetshëm.

Eshtë shumë i qartë edhe në forcën tjetër politike, atë që është pasuesja e drejtpërdrejtë e Partisë së Punës.

Ngjarja e djeshme më solli ndërmend një kategori politikanësh të djathtë, të cilët me mendje i kam quajtur përgjegjësit kryesorë të zgjatjes së pafund të tranzicionit në Shqipëri.

U vetëquajtën “Qënderstarët” e vitit 1997 dhe disa viteve më tej. Ndonëse nuk i kujtoj të gjithë emrat ishin Azem Hajdari, Genc Pollo, Jozefina Topalli, Sokol Olldashi, Astrit Topuzi, Jemin Gjana, Blerim Cela, dhe shumë të tjerë, që në dallim nga të djathtët me njëfarë logjike, jo vetëm nuk e kritikuan Berishën për katastrofën në të cilën e futi Shqipërinë në muajt e parë të vitit 1997, por e mbështetën të mbetej në krye të PD-së përjetësisht. Shumë prej tyre mbetën të pakënaqur prej tij më vonë dhe u larguan në një mënyrë apo në tjetrën duke dëshmuar se nuk ishin aspak “qëndrestarë“, por një racë karrieristësh, të cilët donin me çdo kusht të ishin sa më pranë kreut të PD-së duke luftuar me njëri tjetrin.

PD-ja në vitin 1997 e humbi shansin të ndahej nga Berisha dhe të krijohej si një forcë politike me tipare perëndimore, ku do funksiononte demokracia e brendëshme, që do ishte mirëpritur nga shoqëria shqiptare dhe do ndihmonte rritjen e kulturës demokratike në Shqipëri. Tani, edhe 30 vjet më pas nga lëvizja antikomuniste në Shqipëri, demokracia shqiptare është jo në gjendjen e saj foshnjore, por në atë të paralindjes. Klithmat pro-Berishës së përmbysur më sollën ndërmend fshatarët e Korçës, që i sollën me kamiona në shkurt të vitit 1991  për rivendosjen e bustit të Enver Hoxhës në qendër të qytetit. Fshatarët e gënjyer thërrisnin “Kush s’e do Enverë sytë le të nxjerrë!” duke i bërë karshillëk qytetarëve të Korçës, të cilët i shihnin me përçmim, se disa ditë më parë kishin vrarë frikën duke rrëzuar statujën e Diktatorit.

Tani “kooperativistët e PD-së“ i bëjnë karshillëk Amerikës duke klithur: “O Sali o hero Shqipëria ty të do!”