Friday 31 March 2017

El Comandante


Ed Rama është përfundimisht Komandant. Njëlloj si Komandanti i lavdishëm, por këtë rradhë, i njohur nga shteti, që për Shqipërinë ka qënë gjithnjë sinonimi i Europës.
“E ka bërë frëngu!”, kjo shprehje është një garanci e padiskutueshme, për cilësinë e mallit, që këtë rradhë është në formën e Komandantit.
Unë nuk dua të bashkohem me korin e lehësve, që bëjnë gam-gam, kur karvani i udhëhequr nga Komandanti shkon përpara. (Për hir të së vërtetës, karvani i Komandantit ka më shumë qenër me vete, që lehin për të dhe nuk lenë të dëgjohen anti-lehësit.)
Dua vetëm të kuptoj, se përse vendi numur 2 i Europës, dekoron me urdhrin më të lartë, një politikan kontrovers, që drejton vendin më të varfër dhe një ndër më problematikët e Europës.
Disa mund të thonë, se Rama ju ka dhënë avantazhe të mëdha firmave franceze dhe sidomos atyre të gazsjellësit. Po gazsjellësi nuk kalon vetëm në Shqipëri dhe favore firmave franceze ju bëhen edhe në vende të tjera të pazhvilluara.
Ka të tjerë, që thonë, se socialistët e Hollande, që nuk kanë për të ardhur në pushtet edhe për një dhjetvjeçar, kanë këmbyer “dhurata” me Edi Ramën. Edhe kjo ka pak gjasa të jetë e vërtetë, se edhe pse ka shumë korrupsion në politikën europiane, lëvizje të mëdha parash, në emër të ofiqarëve apo të afërmve të tyre, nuk janë aq të lehta për tu kryer.
Ka nacionalistë, që e justifikojnë me politikën tradicionale proserbe të Francës dhe duke përmendur edhe një pjesë të motivacionit, ku flitet për përmirësimin e marëdhënieve me Sërbinë, e gjejnë lehtë dekorimin, si shpërblim, për lëshimet, që Rama po ju bën sërbëve!
Edhe kjo është plotësisht fallco, sepse orientimi pro-sllav i francezëve, ka perënduar qysh në kohën e paqes të madhe me gjermanët dhe krijimin e Europës së Bashkuar. Francezët, po aq sa gjermanët kanë qënë kundër Rusisë së Putinit në këto 15 vjet.
Dhënia e dekoratës më të lartë ndaj një kryeministri, vetëm dy muaj para zgjedhjeve, gjë shumë e rrallë në praktikën e shtetve të mëdha me tradita demokratike, duket se mund të spjegohet vetëm me dëshirën e Europës, për të pasur edhe 4 vite të tjera, si partner në Shqipëri, Edi Ramën. Dekorimi mund të ishte bërë më parë, ose mund të shtyhej për disa muaj.
Simpatia për Ramën është shprehur këto vite jo vetëm nga Hollande, por sidomos nga Merkeli dhe me rradhë Renci e të tjerë kryeqeveritarë që janë “pro-establishment”. (Këtu sigurisht hyjnë gjithë burokratët e lartë të Brukselit.) Në një farë mënyre është promovimi i modelit, që duhet të kenë qeveritarët e vendeve të ish-Bllokut Komunist, por edhe të tjerët. Në një kohë kur politikanët e tipit të Najxhëll Farazh dhe Boris Xhonson, arritën të nxirrnin Britaninë nga Europa e Bashkuar, duhen goditur të gjithë “populistët”, që kërkojnë një Europë më të drejtë dhe kërcënojnë se po të vijnë në fuqi, do ndryshojnë monedhën ose do kërkojnë populli të vendosë për qënien ose jo në Europë.
Franca nuk mund të bëjë Komandant të Legjionit të Nderit as Bepe Grillon, as Pablo Turrion të Podemos, as Orban të Hungarisë, bile as Cipras të Greqisë.
Dekorimi i një politikani të përfolur gjërësisht për korrupsion në shifra të llahtarshme, mund të spjegohet vetëm me faktin, se në këto kohë të vështira për Europën, në krye të Legjioneve të vegjël, asaj i duhen të tillë Komandantë, që bëjnë atë që kërkon Brukseli në çdo rast. Se njeriu Rama vetëm për Nder nuk mund të dekorohet. Ai dhe Nderi janë dy drejtëza të kithta.
Por le t’i kthehemi Legjionit shqiptar, që nëse nuk do pranojë Komandantin e sugjeruar nga Europa, duhet të ketë një tjetër “El Comandante”.
A ka tjetër më të mirë?
Duhem se tani për tani nuk ka.
Atëhere le ta përdorë edhe disa vjet, dekoratën e lartë, për të mbuluar pjesët e tij të turpshme, që nuk e ka zor t’i nxjerrë në publik.

Se për të mbuluar zullumet e këtyre 15 viteve, nuk do i mjaftojnë edhe gjithë “nishanet” e kësaj bote!

La muse venale (Ch. Baudelaire)

Muza e shitur


O Muzë e zemrës, pallatesh dashuruar,
Do gjesh dot Janarit, kur netësh akulluar,
Era e Veriut fryn si e shkalluar,
Pak prush për të ngrohur, këmbët drunjëzuar?

A mund të fundit rreze, grilash depërtuar,
Supet t’i ringrohin, gjoksin drithëruar?
Pallati jot i zbrazët, si kuleta e shpuar,
Dot do ketë sërish tavanet e praruar?

Të përmbrëmshen darkë, në tryezë për t’shtruar,
Si djali i altarit, që temjanicën luan,
Te Deum* fort këndon, edhe pse beson pak,

Ose si i urituri, arlekini plak,
Qesh dhe thith lotin, që buzëve i qaset,

Që të shpërthejë hareja, vulgu të gajaset.

Thursday 30 March 2017

Po "gjene" në ne o Zot?!


“Kataklizmoja” pritej të fillonte diku në veri të lumit Jordan, por edhe shkrimet e shenjta gabuan. Nostradamus-i, po ka kohë, që është përgënjeshtruar në çështjen e fundit të botës.
Ndoshta, përllogaritjet kozmo dhe astrologjike, nuk kanë përfillur shtimin e vrullshëm të popullsisë botërore pas zbulimit të naftës, që solli edhe një rritje të çmendur të veprimtarisë njerëzore, shtimin e CO2 në atmosferë dhe mbi të gjitha, pjerrësimin prej 0.67 të gradës, të boshtit manjetik të globit.
Dhe jo më në veri të Jordanit, po bash në veri të burimeve të Osumit, në komunën e Lekasit të Qarkut të Korçës, ndodhi e papara, e padëgjuara, e paimagjinuara.
Fshatarët e varfër të komunës, në pranverën e parë të vitit të gjashtëmbëdhjetë, të mijvjeçarit të tretë, hodhën farë jonxhe rrëpirave dhe ju doli pas dy muajsh…kanabis.
Zot i madh përse na zgjodhe pikërisht ne?!
Ne, oparakët e përvojtur të Karbanjozit dhe Lavdarit, që të kemi qëndruar gjithnjë besnikë?!
Ne nuk kemi prodhuar CO2 (përjashto këtu atë që nxjerrim pasi hamë fasule, se kemi qënë gjithnjë të varfër), se deri vonë transportin e bënim me gomerë.
Këtu e gjetën të nisnin ndryshimet klimaterike?
Po ndoshta e ka gabim edhe Perfekt Konomi dhe mund të jetë thjesht një gabim i atyre që bëjnë farëra të modifikuara gjenetikisht.
Le të na sjellin farë kanabisi sivjet dhe të na mbytë jonxha!
Se edhe Perfekti mund të mos jetë aq perfekt dhe damkosemi kot në jetë të jetëve si ata që filluam “Qametin”.

Të paktën ka një haber të mirë: Shtabi është mbledhur!

Të ngazëlluarit

Nën të pastrin qiell,
(Brenda tij më mirë)
Dy të ngazëlluara qënie,
Nga ato,
Që nuk mund të nisen dot flur
Por peshë ngrihen nga ëndrrat,
Duart puqur,
Puqur edhe zemrat.
Fëmijë janë?
Të përjetshëm fëmijë,
Të së Mirës,
Me gishtërinj të vegjël,
Të parritur gjinj,
Rrëzën e këmbëve ja u mbulojnë
Kindat e këmishës.
Ecin pa parë horizontet
Në pafajësinë e tyre
Të së madhes tokë kërthij,
Sikur vijëzojnë mbi të një buzëqeshje të qashtër,
Përjetësisht të lidhur,
Pa dashur të bëhen të rinj,
Dy të ngazëlluar,
Nën një qiell të pastër.

Wednesday 29 March 2017

J'aime le souvenir de ces époques nues (Charles Baudelaire)

Nuk kishte faj edhe Sharli i shkrete. Do kete pare ne plazhet e Frances Delina Ficon.


I dua ato vlera të kohës së shkuar


I dua ato vlera të kohës së shkuar
Apolloni shtatoret kur pati praruar.
Djemtë edhe vajzat gjithë lirshmëri,
Lodronin pa droje dhe pa turp në sy,
Ndërsa dielli ëmbël, u ledhatonte supet,
Trupin ju ndriçonte bashkë me virtytet.
Sibela* ato kohë, pjellore dhe bujare
Për bijtë e tokës lodhje s’ndjente fare,
Por, plot kënaqësi, me shpirt në të gjitha
Gjithësinë mendte me të sajat thitha.
Njeriu i bukur, i fortë, i drejtë,
Krenar i hireve të denja për  mbretër;
Fruta të arrira, përsosur n’bukuri,
Gojën ftojn’ ti prekë, t’ju thith’ atë ëmbëlsi!

Poeti i sotëm. kur do të përshkruajë
Të hershmet hijeshi, në vendet ku luajnë,
Djem e vajza zhveshur, e kap një e ngjethur,
Sikur shpirti pështillet nga një re e dendur
Para pamjes së errët përplot me llahtarë.
O ju shtrembësira, që teshat keni qarë!
O trungje qesharakë! Gjokse për tu fshehur!
O trupa të mjerë, të dhjamur, të zverdhur,
Që zoti i Dobisë, pa droje, i qetë,
Në shpërgej ju lidhi me të bronxtë fletë!
Dhe ju femra, o zot! Si dylli të zbehta,
Që shthurrja ha dhe tret, e ju virgjëresha
Në ndjekjen e përjetshme të mëkatit të parë,
Dhe gjithë ndyrësive të mbetjes me barrë!

Gene bastarduar, jemi me t’vërtetë,
Të çuditshme hire, për popujt e vjetër:
Fytyra dërmuar nga të zemrës spazma,
Hire të kapitura, prishur metastazash;
Por shpikjet e ndjera, të Muzës së vonë
Racën e sëmurë nuk mund ta pengojnë,
Që  Rinisë t’i thurrë lavde plot nderim,
-          Të shenjtës rini, ballëlartë, me shkëlqim,
Syve tërë dritë, ku një e paqtë rrjedhë,
E pandalshme mbi çdo gjë derdhet,
Si zogjtë e lulet, si e qiellit kaltërsi,

Aromat dhe këngët, e ëmbla ngrohtësi!

Tuesday 28 March 2017

Vetëm një Kadare…dhe sa shumë Brando!


Ne jemi aktorë të lindur. Ka kohë, që më është mbushur mendja “rrëckë“. Dhe kur të mbushet mendja “rrëckë“ nuk ka vend për asnjë njohuri shtesë, që mund të të bëjë të ndryshosh mendjen.
Dikur, teksa lexoja një letër të një emigranti si unë, që shkruante “ e vogla është dalluar si talent i padiskutueshëm në acting”, mendoja se ishte një ekzagjerim i natyrshëm i një prindi mbetur pa atdhe, por më vonë kuptova, që ka shumë talent aktrimi tek ne shqipot.
Diçka duhet të lidhet edhe me sho Enver. Para tij për shembull kishim vetëm Moisiun dhe Elena Qiricin(jo deputeten), kurse pasi e mori pushtetin, pushti bukurosh gjirokastrit, talentet e nivelit botëror, arritën në numura të papame.
Vetë ai ishte një aktor, para të cilit Klark Gejbëll dhe Grigori Pek do dukeshin si duket sot Mat Dejmën para Rasëll Krout. Për fatin tonë të keq, nuk ja mbushi mendjen njeri të shkonte në Hollivud, ku jo vetëm do ishte bërë famshëm dhe i pasur, po do na kishte lënë edhe nam të mirë, se do thoshim “jemi nga vendi i Enver Hoxhës”. Tani ç’ta zemë në gojë!
Ishte i gjatë, i pashëm, me zë baritoni të plotë dhe dinte edhe të këndonte. Për të luajtur teatër e filma i vetmi! Si baba i dhemshur, si shpëtimtar, si kapiten anije, si gjykatës, si mendimtar, si hero, si profesor, si shtetar servil, si prift i përdëllyer, si komisar e ç’role të tjera nuk mund të luante përsosmërisht ai!
Ai na mbushi mendjen të gjithëve edhe që ne kishim aktorë të klasit botëror. Duhet të ketë qënë andej nga viti 1974, kur e tha, por tani pas dyzet e ca vjetësh, botërorë, janë jo vetëm ata, që zuri ai në gojë, por edhe qindra të tjerë, që kanë luajtur me dhjetra role në teatër e filma dhe që po të dinin ca gjuhë të huaja më shumë, sot do ishin nëpër studiot më të mira botërore.
Aktori i madh, gjigandi i filmave, artisti gjenial, princesha e ekranit, i jashtëzakonshmi, diva e filmit shqiptar, miti i skenës, dhe sa e sa superlative të tjera dëgjohen shpesh dhe së fundmi edhe në debatin(e kotë) rreth filmit shqiptar.
Po si është e mundur, që ky vend ka nxjerrë vetëm një Kadare dhe kaq shumë Marlon Brando!
Nga që jemi gënjeshtarë dhe aktrimi ka të bëjë cazë me gënjeshtrën?
Po rumunët nuk janë më pak gënjeshtarë se ne. Edhe gjithë ballkanasit e tjerë.
Mbase jemi më të pashëm.
Ja dhe këta, që kemi përditë televizioneve mund të kishin bërë “birinxhi” karrierë, po të kishin shkuar në Hollivud.
Edi Rama për shembull në rolin e një artisti rebel, Lulëzim Basha si biznesmen, që tradhëtohet nga e shoqja, Niko Peleshi në rolin e “njeriut që ngërdheshet”, Ilir Beqja në interpretimin e një handikapati , që me përpjekje arrin të diplomohet etj. (Ilir Meta nuk do e kalonte dot kinoprovën.)
Po të gjithë këta “dinsëzë“ nuk zgjodhën karrierën aq të lakmuar të aktorit, por i hynë politikës. Për të zezën tonë!

Dhe për fatin e keq të filmit ndërkombëtar.

Au lecteur (Charles Baudelaire)

Lexonjësit


Marria, dështimi, mëkati, kopracia,
Na gjallojnë trupin dhe pushtojnë shpirtin,
Të ëmblat keqardhje ne vetë i rritim,
Siç i ushqen morracaku, morrat e tij.

Të mëdha mëkatet, të zbehta pendesat
Kujtojmë se do na shpëtojë rrëfimi,
Me gaz rikthehemi tek llumi e dëfrimi,
Thua njollat lahen nga lotët e dënesat.

Mbi shtratin e së keqes ësht’ Djalli Trismegist*
Që shpirtin e magjepsur na e ledhaton,
Ndërsa metalin e fortë të vullnetit tonë,
Të gjithin ai e tret, i egri alkimist.

Eshtë ai Satan, që për fijesh na heq!
Në të pista lojra ne gjejmë ngazëllim
Drejt Ferrit zbresim çdo ditë me nxitim,
Pa ju trembur territ, që kutërbon aq keq.

Si endacaku kripë, që kafshon duke puthur
Të dërmuarin gjoks, të një kurve të vjetër,
Kalimthi rrëmbejmë, një kënaqësi të fshehtë
Gjë si lëm’ pa thithur, si limon të shtrydhur.

Kapluar, ngërthyer, si milion’ shushunja
Një lukuni me djaj në tru na gëlojnë,
Dhe kur marrim frymë, brenda gjoksit tonë,
Vdekja zbret, e heshtur, me ankime të shurdh’ta.

Nëse dhuna dhe plumbi, pelini dhe thika,
Ende s’kanë humbur të bukurën ngjyrë,
Në tablonë gjith’ pluhur me tonën fytyrë,
Vjen se nga joni shpirt nuk u largua frika!

Ta dish mes hijenash, mes panterash, çakejsh,
Akrepash, nepërkash, krimbash, gjarpërinjsh,
Lemerish që klithin, ulërijnë‘ ngjethmërisht,
Mbretëris’ të errët, t’kafshërisë brenda nesh,

Eshtë një më tinzare, djallushe se të gjithë,
Që aspak nuk këlthet, nuk tund duart në erë,
Por ajo botës mund t’i prishë çdo vlerë
Dhe globin e tërë në çast ta gëlltisë,

Eshtë Mërzija! Sy ndër lotë pa pushim,
Llullën thith e trekëmbëshave ëndërronjëse
Këtë monstër të hajthme e njeh ti lexonjës

Hipokriti lexues- vëlla- shëmbëllimi im.

Monday 27 March 2017

Hajde shkojmë njëherë nga sinemaja!


“Sinemaja” ishte vërtet e rëndësishme për brezin tonë dhe më shumë akoma për brezat para nesh, se ishte një formë shumë demokratike “kseasjeje”. Edhe ata, që nuk shkelnin kurrë në teatër, opera, koncert sinfonik apo edhe në stadium, në kinema shkonin.
Deri vonë, në vitet’70, përdorej shprehja “andej nga sinemaja”, që i kishte rrënjët jo vetëm në kohën e francezëve, por edhe se një pjesë e mirë e vendeve të Ballkanit e përdornin variantin francez të fjalës, sepse ishin vëllezërit Lumiere ata, që kishin shpikur artin e ri të “sinematografisë“.
Në kohën tonë “Lluksi” ishte djegur dhe kishte mbetur vetëm “Majestiku”, që  çuditërisht kishte shpëtuar pa ndonjë emër rus, por e kishin quajtur “Morava”. Të martave na shpinin “me kopshtin” dhe zakonisht shikonim “Skënderbeun” ose “Vallzimi i Shqipeve”, që ishin dy filma , të cilët “i dinim më gojë“, se vazhduan të shfaqeshin edhe për shumë vite të tjara, të djelave në mëngjes, në “kinema me 5 leka”.
Morava” dhe “Verorja”, mbetën për disa dhjetvjeçarë, vendi kryesor i argëtimit të qytetit. Edhe pas fillimit të viteve ’70, kur aparatet televizive filluan të hynin në masë, përsëri kinemaja ishte një vend takimi, argëtimi, ëndërrimi dhe “parade”. Edhe pse llozhat ishin prishur më 1966, përsëri kishte rëndësi nëse do gjeje dot bileta “të mira” apo akoma më tepër po ishe me fat të gjeje edhe në llozhën e vetme, që kishte 4-5 rradhë.
Psherëtinim me fatet e Antonela Lualdit, Alida Valit, Raf Valones në melodramat italiane; qeshnim me Mastrojanin dhe Sofia Lorenin në komeditë e neorealizmit dhe “indinjoheshim” ndaj prapaskenave borgjeze në “Rrëfimet e komisarit të policisë“, “Cështja Sabiel”, "Ne Santiago bie shi" apo “Zeta”. “Sinemaja” ishte bota jonë “alternative”, ku shihnim pamje të qyteteve të huaja, si visheshin e si kriheshin bashkëkohësit tanë në Europë, se si ju hipnin makinave dhe “fluturonin” në rrugë të gjëra e të drejta. Deri sa të gjithë kishin nga një tv në shtëpi dhe më të rëndësishëm se Kiçi i Gjatë, Comeja, Kiçi Zëçka dhe Gaqoja i kinemasë, u bënë Rrapi i televizorëve, Mandi dhe Mihallaq Mançka.
E megjithatë, nuk kujtoj të kemi mbajtur rradhë, për të parë ndonjë film shqiptar. Sigurisht, që për ta nuk kishim të njëjtën përbuzje, që kishim për filmat kinezë, por nuk kishim etje të shkonim, që t’i shihnim sa dilnin për tu shfaqur.
Nuk di se kush i shikon sot në Shqipëri, kanalet televizive, që shfaqin filma shqiptarë, por nëse vërtet mund të ekzistojë një “publik” për to, besoj se sallat e kinemave të kryeqytetit nuk do hezitonin t’i shfaqnin.
Në kohën tonë, s’besoj se theshte njeri, “hajde shkojmë nga sinemaja se ka dalë filmi “Prita”.

Vetë do kisha dëshirë të rishikoja vetëm një film të kinostudios “Shqipëria e Re”- “I teti në bronx. Bile tama tamam vetëm një pjesë të tij, atë ku “mësuesi” i bën atentat Lefter Lefterit. Në skenën e rrëmujës, kur të pranishmit dalin me nxitim në shkallët e “Valbonës”, mes figurantëve është edhe Peçi Bajamka.

Wednesday 22 March 2017

Pranverë

Ishim ne 
Apo ishte koha,
Që papritur ndroi të njohurën rrjedhë?
Rrugëve më gjatë rrinte lloha,
Lëvrimi i gjymtyrëve për lojra,
Hundët pas dritares ngjitur,
Shkrepëtimat zhgënjyese pas reve,
Një pritje pafund për pranverë.
Dua padurimin fëminor,
Ta shtroj mbi të afërtën luginë,
Ku sytë ditën mbaj,
Ndërsa dëgjoj “Një botë me ty”,
Ty, që vonohesh por vjen,
E imja ti “pranverë”,
Bashkë me rininë.

Tuesday 21 March 2017

Një Republikë e Re me “filozof mbret”?

Image result for images of platoPo abuzohet shumë me termin Republikë e Re, një term i huazuar kryesisht nga ngjarjet politike të Italisë së fillimit të viteve ’90, kur për shkak të proceseve të “Duarve të Pastra” si dhe rënies të sistemit komunist, partitë kryesore, të cilat kishin mbizotëruar jetën politike të pasluftës, u shkatërruan. Termat e Republikës së re, asaj të dytë, të tretë apo edhe të pestë janë përdorur në Francë, Greqi dhe në shumë vende të tjera, por kuptimi i tyre dhe lidhja me ngjarjet historike në këto vende është shumë i ndryshëm nga ai i Italisë. Për shembull në Francë, vetëm kalimi nga Republika e Katërt në atë të Pestë, ka të bëjë me ndryshime rrënjësore konstitucionale, se të gjitha të tjerat lidhen me ndryshime të sistemit, ose me pushtime disavjeçare të vendit.
Për analogji të Italisë, ne jemi në Republikën e Parë, sepse ajo e formuara më 11 Janar 1946 vetëm emrin kishte Republikë, sepse qe Diktaturë e Proletariatit.
Po si do jetë Republika e Re dhe pse duhet të ndryshohet Republika që kemi?
Përmendet, që në Republikën e Re(të Dytë) nuk do ketë korrupsion dhe kriminelët nuk do kenë më vend në politikë. Dhe kjo do arrihet nëse do bëhen zgjedhje të ndershme, që do garantohen nga një qeveri teknike. Pra ajo, që quhet misioni i qeverisë teknike, do jetë vetëm kujdesi për të mos u manipuluar zgjedhjet. Nuk përmenden as ndryshimi i ligjit zgjedhor dhe jo më të flitet për ndryshime thelbësore në Kushtetutë.
Asgjë më tepër.
Edhe pse Republikën e Re e përmendin jo vetëm politikanët e opozitës, por edhe analistët e atij krahu si dhe deri në figura, që deri tani nuk kanë qënë të rrjeshtuar hapur në njërin nga krahët e politikës, askush deri më tani nuk ka hedhur as në vija të trasha se si do jetë kjo Republikë e Re, që po i shitet konsumatorit politik shqiptar.
Edhe filozofi Artan Fuga, që i është vetofruar politikës shqiptare si kryeministër i qeverisë teknike, ka parashtruar vetëm 11 kushte për zgjedhjet e reja, që duhet të jenë vetëm synimi i “teknikes”, por jo platforma e saj dhe aq më pak platforma e Republikës së Re.
Për të mos arritur në përfundimin e shpejtuar se termi “Republika e Re” është thjesht një slogan propagandisti, sikundër kanë qënë “shteti ligjor” i Berishës, “katharsisi” i Nanos dhe “Rilindja” e Ramës, le të pranojmë se institucionet e shtetit demokratik janë sot më të mëpërkëmbur se kurrë, ndaj duhen reformuar totalisht.
Por pikërisht këtu “ngec” ideja e Republikës së Re të Bashës. Ai po pengon me dashje apo pa dashje, realizimin e Reformës në Drejtësi, që duhet të jetë një nga shtyllat e Republikës së Re. Edhe pse pretendohet, se krahas sistemit të drejtësisë, pastrimi duhet të bëhet edhe mes politikanëve, pengimi i “pastrimit” të sistemit juridik i bie ndesh kësaj llogjike. Nuk flitet as për largim të kastës së vjetër të politikanëve të të gjitha partive, as për mandate të kufizuara të deputetëve apo ministrave, as për shkurtime të mëdha në pushtetin qëndror dhe vendor dhe as për largimin e militantëve të pazotë nga postet drejtuese.
Duket se “Reëpublika e Re” do jetë vetëm Republika e sotme e Shqipërisë pa Kanabis.
Por njerëzve nuk ju mjafton vetëm kjo. Në rast se mijra të tjerë po largohen dhe nuk kanë shpresë se Shqipëria bëhet, kjo nuk vjen se i tremben 4 viteve të tjera të Ramës. Po të ishte kështu, fare lehtë, me vota njerzit do e largonin nga pushteti edhe sikur t’ju ofroheshin para të shumta nga “kontrolluesit” e kanabisit.
Njerzit nuk besojnë se Basha mund të bëjë Republikë të Re po aq sa nuk besojnë se Rama vërtet nuk do e luftojë kanabisin.
Nuk besojnë as njërin dhe as tjetrin, edhe sikur për President, të vendoset “mbreti filozof” Artan Fuga.
Eshtë i njëjti “protagonizëm” i udhëheqësve të pagabueshëm, që sulmojnë egër kundërshtarëtpër të njëjtat gjëra, të cilat i kanë bërë edhe vetë.
Mjaft të shikosh, se si sulmon me fjalorin më të ulët, ata të cilët e kritikojnë, akademiku Artan Fuga. Një diplomat (të nderuar ose jo) e quan qen, një botues e quan gënjeshtar dhe pervert e me rradhë. Me të njëjtën gjuhë, që përleshen në foltoren e Kuvendit deputetët e Republikës së Parë.
Me këtë mentalitet do ndërtohet Shqipëria e Mirë e republikës së “filozofit mbret”?
Në një vend të tillë, ku “elitarët” flasin me gjuhën e “llumit” ka vetëm dy alternativa:
Ose iket nga sytë këmbët, ose i vihet fshesa tërë kastës së vjetër, që është formuar nën rregjimin e Partisë së Punës dhe që ruan të njëjtin mentalitet.

Vetëm atëhere, njerzit do kenë shpresë se Shqipëria mund të bëhet!

Një Ministër i pacipë më shumë


Po i rikthehem për të tretën herë(shpresoj të jetë e fundit), jetëshkrimit dhe “bëmave” të Fatmir Xhafajt, se është jo vetëm i brezit tonë, por moshatar me mua.
Që një ministër shqiptar i tranzicionit është i pacipë, kjo nuk është për të shënuar. Madje, që të jesh ministër i postkomunizmit shqiptar, them se një nga kushtet kryesore duhet të jetë mungesa e “turpit dhe cipës”.
Në deklaratën e djeshme, ministri Xhafaj gënjen në të njëjtën mënyrë, sikundër gënjejnë ata, që e sulmojnë nga kampi kundërshtar. Dhe për gjëra, që jo vetëm janë lehtësisht të verifikueshme në dokumenta, por që mund të dëshmohen nga qindra të gjallë, punonjës të Degës së Punëve të Brendshme apo edhe njerëz të zakonshëm të Krujës, Tiranës dhe Vlorës.
Xhafaj edhe pse pranon që ka qënë hetues, hiqet sikur nuk ka pasur të bëjë me Ministrinë e Punëve të Brendshme, në një kohë, që as formalisht nuk ishin të ndarë dhe jo më praktikisht.
Në vitet për të cilat ai bën fjalë, nuk kishte Ministri Drejtësie dhe Hetuesia edhe nëse ishte organ më vete, ishte vegël e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Duke dashur të minimizojë kohën si hetues, Xhafaj fsheh edhe qënien e tij si kandidat partie dhe stazhin e partisë si komunist, por e paraqet si stazh në prodhim.
Po përse e fsheh Fatmir Xhafaj të qënit si anëtar(kandidat) partie në vitin 1984.
Se të hyje në Parti, në atë kohë për një 25 vjeçar ishte turp!
Le të hidhet e të thotë kushdo ndryshe për ato vite. Ishte turp(dhe të gjithë i shmangeshin) qënies në funksione të larta rinie dhe më turp akoma të hyje në Parti. Edhe pse nuk mund të thuhej hapur.
Janë me dhjetra bashkëmoshatarët e mij, shokë të afërt dhe të njohur, të cilët edhe pse i kishin baballarët komunistë, nuk pranuan të bëheshin antarë partie.
Me përjashtime shumë shumë të rralla(kur rrethanat kanë qënë tejet të vështira)mund të kenë hyrë të lindur të vitit 1959, me universitet ose jo në Partinë e Punës.
Legenat po!
Njerëz të kallëpit të Koço Kokëdhimës(i lindur po më 1959 dhe antar partie që kur ishte 19 vjeç) të Fatmir Xhafajt e të “zarbave” të tjerë.
Unë vërtet nuk i besoj gënjeshtrat se “ju fuste vezë të zjera” apo “ju shkulte thonjtë“, por hetues ka qënë dhe uroj mos ketë qënë i tipit të Reshat Leskajt apo më keq akoma i Nevzat Haznedarit.
Se për karrierë, fytyra të tilla bëjnë gjithshka!

Monday 20 March 2017

Comme tois (J.J.Goldman)


Shpesh e kap veten duke pyetur “Përse shkruan me ashpërsi?”, një pyetje kjo, që ndoshta e mendojnë edhe shumë njerëz që më duan. Mbase shkruaj me ashpërsi kundër arrogancës të fuqiplotëve, edhe që fëmijt në Shqipëri mos e kenë fatin e Sarës. Mos ju duket shumë shumë e largët!


Porsi ti

Porsi ti, porsi ti, porsi ti, porsi ti
I kishte sytë e kaltër
Dhe petkun kadife
Në prehrin e së ëmës,
O me familjen ku qe,
Pa mendje pozonte,
Nën qiellin pa re.
Fotot nuk janë mir’
Por dallohet aty,
E saja mirësi,
Embëlsia në sy.
E donte muzikën,
Shuman dhe Moxartin,
Porsi ti, porsi ti, porsi ti, porsi ti.
Porsi ti, porsi ti, porsi ti, porsi ti.

Si ti që nga poshtë i sheh të gjith’
Që fle dhe në ëndrra c’sheh kush e di?
Porsi ti, porsi ti, porsi ti, porsi ti,
Porsi ti, porsi ti, porsi ti, porsi ti.

Në shkollë me dëshir’,
Në fshatin më poshtë,
Librat i lexonte,
Mësimin e thoshte,
Për bretkun që kuak,
Netëve me yje,
Bukuroshen e fjetur,
Në të lashtat pyje.
Kukullat i donte,
Shokët s’kish’ se si
Ruthin edhe Anan,
Më shumë Zheremin.
Do vloheshin një dit’,
N’Varshav’ padyshim.
Porsi ti, porsi ti, porsi ti, porsi ti,
Porsi ti, porsi ti, porsi ti, porsi ti.

Si ti që nga poshtë i sheh të gjith’
Që fle dhe në ëndrra c’sheh kush e di?
Porsi ti, porsi ti, porsi ti, porsi ti,
Porsi ti, porsi ti, porsi ti, porsi ti.

Emrin Sara kishte
Tetë s’kishte mbushur
Qielli i pastër,
Jeta ishte e bukur.
Për të tjerë njerëz,
Ajo duhej zhdukur.
Sytë tënde kishte
Edhe tëndet vite,
Vajza jetëkëputur
Që priste të rritej.
Se nuk u lind si ti
Në kët’ vend dhe tani,
Porsi ti, porsi ti, porsi ti, porsi ti,

Porsi ti, porsi ti, porsi ti, porsi ti.

Saturday 18 March 2017

Rrogeçët


Të vishesha “rrogeç”, ka qënë një ëndërr e bukur e imja, që u bë realitet vetëm dy herë, se Karnavalet u ndaluan disa vjet para para Letrës së Hapur të Komitetit Qëndror të 6 shkurtit 1967, që solli përfundimisht mbylljen e institucioneve fetare.
Më nuk kisha mundësi as të bëja mustaqe me bojë këpucësh dhe as të vishja, rroba kalorësi apo brekushe turku, gjë sot nuk e bëj se në dhe të huaj më vjen turp. Nuk do e bëja dot as në Korçë, po të isha, se për arsye turistike, a për harmoni fetare, Karnavalet e Korçës bëhen në qershor dhe jo para fillimit të kreshmëve, sikundër janë bërë për qindra vjet.
Dhe nuk e di se edhe nëse do bëheshin si gjithnjë në shkurt ose mars, seç’mund të ishte veshja që do më përshtatej më mirë si “rrogeç”. (Kuptohet, që edhe të njohurit mos më njihnin, se i gjithë kuptimi i të veshurit “rrogeç” humbet pastaj.)
Ndoshta si “grua me barrë“ edhe mund të vishesha, se barkun e kam si në “të shtatë“, por për këtë do më duhej të hiqja mjekrën dhe për gëzimin e të qënit “rrogeç” për një ditë, nuk do rruhesha e kruhesha kaq shumë.
Mbase si shimpaze mund ta kisha më të lehtë. Një shimpaze në moshë dhe që nuk hip nëpër pemë. Kuptohet, po të gjeja ndonjë kostum majmuni nga ato të qëmotshmet të Shtëpisë së Pionierit të Nafiz Sulit.
Dhe do bridhja tërë gaz lart e poshtë Këmbësores(të cilën e njoh me pëllëmbë edhe pse nuk kam punuar në shtrimin e saj me gurë), si një shimpaze në moshë, që entusiazmohet nga arritjet  nën udhëheqjen e Partisë, nga dëfrimet pakufi në rastin e lidhjes së mishit dhe nga pikat e larta, që i janë shtuar horizontit qytetit. Se një shimpaze, gjithmonë ju gëzohet lartësive dhe nuk do lija rast pa u ngjitur në Kullën Vrojtuese, të cilës, për rastin e Karmavaleve i duhen lidhur me doemos ca litarë, ku mund të kacavirren, gjithe ata, që janë veshur si majmunë.
E do përshndetja tërë gaz, të njohurit e të panjohurit rrogeçë, ata që i njihja dhe ata, që nuk do i dalloja dot. “Ej Peshkaqeni!”, “Ku je Zorro”, “Tëçkën si je veshur o Turi, mam si Madam de Pompadur!”, “O Cili, dukesh që një orë larg, sado që je veshur si pirat”.
Edhe me një grup rrogeçsh të veshur si kryeministra, prefektë, kryetarë bashkie, deputetë do përshëndetesha plot ngazëllim.
Se është ëndërr e cilitdo fëmije , që një ditë të vitit të jetë “rrogeç”!
Lum ata, që janë të tillë çdo ditë!

Përgjegjësia e Medias para lexuesve


Gazetaria jonë,  është më larg tipit “fake news”(edhe pse ka raste të tilla), se sa është e një tipi tjetër që do e quaja: “shkel e shko”. Në përpjekje për të paraprirë me lajme të bujshme, jo vetëm që nuk bëhen verifikime nga burime të tjera(që duhen të jenë serioze), por gazetarët dhe redaktorët nuk marrin mundimin të bëjnë as verifikimet për emrat, lidhjet, vendndodhjet edhe pse në internet sot mund të verifikosh gjithshka në një kohë rekord.
Ka raste kur mungesa e përgjegjësisë është aq flagrante, sa që në komentet e para të lexuesve online, gazetari ose gazetarja del zbuluar. Lexuesi i sotëm nuk është më ai i viteve ’50 të shekullit të kaluar, kur “Zëri i Popullit” mund të shkruante edhe “fluturojnë gomerë në qiejt e Ballkanit” dhe një pjesë e mirë e lexuesve ta besonin.
Faktorët e “shkel e shko”-së mund të jenë të shumtë, që variojnë nga nxitimi në të shkruar, në mungesa e kulturës së gazetarëve dhe redaktorëve e deri në pagat e vogla të shumicës së gazetarëve, por asgjë nuk justifikon mungesën e respektit për lexuesin, që në vetvete është edhe mungesë respekti për veten. Pa asnjë verifikim, lajmi apo shkrimi merr udhën duke u kopjuar në gazeta dhe portale të tjera dhe lexuesi mesatar në shumë e shumë raste ushqehet me “lajm gazetarisht të modifikuar”, që nuk është gjë tjetër veç lajm i shtrëmbëruar .
Dikush shkruan se i jati i Adriatik Llallës u dënua më 1947 si agjent i CIA-s dhe askush nuk merr mundimin ta vejë në dyshim këtë fakt. CIA më 1947 nuk ishte formuar akoma.
Një gazetare e shumëpërmendur, në një shkrim për dashnoret e ministrave shkruan “elegji” në vend të “apologji” dhe shkrimi me të njëjtën gafë përsëritet në disa gazeta dhe askush nuk e korrigjon, gjë që dëshmon padijen e një grupi të gjerë redaktorësh dhe gazetarësh.
Askush nuk e rreket të saktësojë një fjali të një gazetari tjetër të njohur se si “Odisea që zuri veshët me dyllë para circeve”, kur është njohuri elementare, që Odisea nuk i zuri veshët me dyllë  për të mos dëdjuar këngën e sirenave se e dinte që përsëri do e dëgjonte, por kërkoi ta lidhnin pas direkut të anijes dhe gjithashtu Circeja, është në një pjesë tjetër të udhëtimit të tij.
Më flagrante janë lajmet bombastike për ngjarje matanë oqeanit, që lidhen ose jo me Shqipërinë, si shkrimet e disa ushtarakëve amerikanë kundër Donald Lu-së, apo takimet në trotuare të politikanëve tanë me njerëz me peshë apo pa peshë të jetës politike amerikane.
Në këtë “lëmë“ lajmesh, “të shtënat që në brez” arrijnë kulmin.
Një gazetar me përvojë, që pretendon të jetë shumë i kënduar,  shkruan për të mirënjohurin Ralf Nejdër (Ralph Nader), një nga njerëzit e politikës dhe njëkohësisht autorët më me peshë në Amerikë, se “ zgjedhjet Al Gore i humbi për shkak të një ekologjisti, që më duket se quhej Nader”.
Të tjerë gazetarë tjerrin hollësisht me siguri për lobe greke dhe serbe pranë politikës amerikane dhe për kushtëzimin, që i bëjnë politikës së jashtme të Amerikës ndaj Shqipërisë, pa patur idenë nëse vërtet janë këto lobe dhe sa është në të vërtetë pesha e tyre.
Të gjithë indinjohemi, kur mësojmë se në bodrumet e Tiranës, prodhohen dhe magazinohen ushqime të falsifikuara dhe me të drejtë kërkohet arrestimi dhe dënimi i autorëve. Por edhe “ushqimi” që del nga penat dhe tastierat e gazetarëve nuk është më pak i rëndësishëm për njerëzit dhe shëndetin mendor të tyre. “Ushqimi i kalbur” vret neuronet e mijra mendjeve të paformuara mirë, por edhe të atyre të formuara.
Ndaj dhe përgjegjësia e Medias është jashtëzakonisht e madhe.
Edhe pse në rrethet e medias nëpër botë, ka shumë diskutime rreth “rregullave të arta” të gazetarisë, shumica e autorëve pajtohen për pesë prej tyre, rregulla këto, që çdo gazetar duhet t’i ketë të shkruara në mendje dhe për t’I kujtuar , kur e rrëmben shkrimi, ti ketë edhe të shkruara në ekranin e kompjuterit. Ato janë(pa I kushtuar shumë rëndësi renditjes):
  • Vetëm faktet zonjë!
  • Njih mirë lexuesit dhe shikuesit
  • Përmend burimet ku ke gjetur faktet
  • Përqëndroju në historia që po tregon
  • Apliko piramidën e përmbysur(faktet më me rëndësi në fillim të shkrimit).
Për gazetarët tanë, që rrëmbehen, do shtoja edhe një të gjashtë:
·         Mos ja fut kot!

Thursday 16 March 2017

Shtojcë për “Unë isha atje! (2)”


Më kujtohej, që para 3-4 vitesh, kisha shkruar diçka për Fatmir Xhafajn në blog, brenda një cikli shënimesh për deputetët e Partisë Socialiste, që diheshin si të lidhur ngushtë me Diktaturën.
E gjeta dhe kur e lexova pashë, që kishte një pasaktësi. Kisha shkruar, që në Kongresin e Rinisë në tetor të 1982, Fatmiri ishte zgjedhur Sekretar i Parë i KQ të BRPSH, por në fakt, ai ishte zgjedhur vetëm sekretari parë për Tiranën. Një vend, që gjithsesi premtonte karrierë dhe që me pak mund e përkushtim do ta bënte pas disa vitesh edhe antar të KQ të Partisë.
Por duket, që lufta e brrylave, a ndonjë faktor tjetër, i njohur vetëm nga Nomenklatura, e ka larguar Fatmirin nga posti “jo me zarar” I drejtuesit të rinisë, në një sektor jo të këndshëm për gjithë juristët e asaj kohe, në hetuesi. Për hir të së vërtetës, nuk ishte një vend që lakmohej nga të posadiplomuarit e Juridikut. Kjo ishte edhe arsyeja, që thuajse asnjë anëtar i Byrosë Politike nuk i dërgonte fëmijët të studionin në Juridik. Filluan të bënin përjashtime fëmijët “qypa” të baballarëve “më qypa”, të cilët u bënë antarë ose kandidatë pas 1980, si Qiriako Mihali, Shenka Cuko dhe ndonjë tjetër.
Juridiku ishte dega, ku përfundonin fëmijët me mesatare jo të lartë të funksionarëve të niveleve të dyta e të treta, që nuk ishin në gjendje të mbaronin as degën e Merceologjsteveisë, se kishte pak matematikë. Nuk ishin njerëz të këqij, veç në shumicën dërmuese të rasteve të pazotë. Më vonë, në punët që kryenin si hetues, prokurorë apo gjykatës, kishte shumë syresh, që niseshin nga e mira. Sidomos pas vitit 1982, kur me orientim nga lart, pati shumë më pak përndjekje për agjitacion dhe propagandaë.
Nuk e ve dorën në zjarr, por Fatmir Xhafaj mund të ketë qënë edhe përjashtim. Garanci politike familjare ka pasur, por mund të ketë qënë edhe nxënës i mirë në të mesme. Ato vite,  Vlora ishte rrethi, që kishte më tepër vështirësi për të drejta studimi dhe në universitet mund të shkonin vetëm nxënësit me mesatare shumë të lartë dhe të mos kishin vëlla ose motër, që të kishte mbaruar universitet.
Po shkruhet shumë në shtyp rreth “krimeve” të Fatmir Xhafajt në hetuesinë e Krujës, të cilat, më duket e çuditshme, që nuk kanë dalë në kohën kur u emërua ministër i Drejtësisë.
Gjithsesi, “i rruari dhe i krruari” Fatmir, mbetet karrieristi tipik, që di të bëjë atë që i kërkojnë zotërinjtë. Në çdo lloj sistemi do bënte karrierë, se ka cilësitë e “yesman”, të shoqëruara me një përmbajtje para mediave. Këtë rradhë, shërbimi i tij ka përkuar në një drejtim pozitiv për Shqipërinë- në Reformën për Drejtësi.
A duhet të jetë Ministër i Brendshëm?
Përgjigja ime është : Absolutisht Jo!
Fatmir Xhafaj duhet të ishte i përjashtuar nga funksionet e larta publike, për shkak të lidhjeve të tij me Diktaturën.
“Përlyerja” e tij është më e madhe se e Nanos, Gjinushit, Kokëdhimës.
Por, kur në funksione të larta të Shqipërisë post-komunistet  kanë qënë Gramoz Ruci, Servet Pëllumbi, Namik Dokle dhe ndonjë tjetër, prania e Xhafajt është e justifikuar.

Në fund të fundit “të gjithë me zemër ishim me Partinë“.

A është më i rrezikshëm Aldo B. apo Aldo B.?


Duket një pyetje absurde, por nuk është krejtësisht e tillë,
Një Aldo B. i famshëm, pasi ka pasur nën thundrën e tij një qytet të tërë për dy tre vjet, ndodhet tani pas hekurave. Ka urdhëruar vrasjen e shumë njerëzve dhe ka bërë edhe plot të tjera krime,
Një Aldo B. më pak i famshëm, ka qënë dikur ministër i drejtësisë dhe sot është edhe deputet. Në ndërgjegjen e tij rëndojnë disa mbulime krimesh, mes të cilëve, më i njohuri është ai mosdëshmisë, për çka dinte rreth përfshirjes të Zen Berishës në biznesin e Gërdecit.
Do të rendis më poshtë, se pse Aldo B. më pak i famshëm, është më i rrezikshëm për shoqërinë shqiptare se Aldo B. i famshëm.
Aldo B. më pak i famshëm mund të krijojë me ato , të cilat bën dhe ato që nuk i bën një, dy , dhjetra Aldo B. të famshëm.
Eshtë tipiku i njeriut të mefshtë, që hyn në politikë, për përfitime personale dhe që për të  garntuar karrierën dhe përfitimet, mundet:
  • Të gënjejë
  • Të mbyllë sytë para krimeve
  • Të ndërhyjë për të lehtësuar kriminelët e krahut të tij politik
  • Të falsifikojë dokumenta
  • Të përpilojë ligj amnistimi për kriminelët
Ka edhe plot mëkate të tjera Aldo B. më pak i njohur, një pjesë e të cilave mund të klasifikohen si krime dhe një pjesë jo. Aldo B. më pak i famshëm është krimbi , që grryen shtetin, nga dobësimi i të cilit përfiton më pas Aldo B. i famshëm.
Si qytetar i thjeshtë unë ndjehem më pak i kërcënuar nga bota e nëndheshme e Aldo B.-së, që mund të dalë nesër nga burgu, se sa nga pushteti në dritën e diellit, i Aldo B.-së, që është ministër ose deputet dhe nuk ka hyrë kurrë në burg. Botës së të parit mund t’i shmangem fare lehtë nëse kam vetëm një punë, që më siguron pak të ardhura dhe nëse nuk merrem me politikë.
Me botën e të dytit, më lidh çdo hap i jetës, duke nisur me shkollën ku shpije fëmijtë në mëngjes dhe nuk ngrohet se nuk ka fonde se i ka përpirë shoku a familjari i Aldo B.,  duke vazhduar me spitalin ku mund të vdes se mungojnë paisjet dhe duke e mbyllur me mbrëmjen, kur nuk mund të shikoj dot tv, se të gjithë kanalet kanë intervistën me Aldo B. më pak të famshëm.
Aldo B. më pak i famshëm është rrënja, prej të cilës rritet fruti i hidhur i Aldo B. të famshëm.
Nëse shoqëria nuk do të provojë këto frute të hidhura, duhet të nxjerrë nga toka rrënjët

Tuesday 14 March 2017

Eh, këta cinikët!


Kur dëgjoj cinikë, menjëherë me shkon mendja padashje në qumështi i ciknosur. Eshtë diçka që nuk ka asnjë lidhje me të, se e vetmja lidhje e cinikëve me sisoret ëshë me qenin dhe në gjuhën e popullit tonë legjendar, nuk ka asnjë shprehje, që lidhet me qumështin e qenit, apo të buçës. Ndaj të qënit cinik, lidhet thjesht nga tingëllimi me qumështin e ciknosur.
Këtë të fundit nuk e pëlqen askush. Nuk kemi dëgjuar ndonjëherë të thuhet “Ah sikur ta ciknosnim ca qumështin sot!” ose “Karidhatoja me arra bëhet shumë e shijshme me qumësht të ciknosur”. Shkurt, askush nuk e do të ciknosurin.
Po nuk mund të thuhet e njëjta gjë për cinikët. Ka edhe që i pëlqejnë. Mua më le pa mendje Diogjeni, më i madhi i cinikëve. Edhe sot, mund të dalë me një fener në mes të ditës Diogjeni , në kërkim të një njeriu të ndershëm, në çdo qytet të botës.
Një “imitim” shumë modest i Diogjenit në kushtet e Diktaturës, ishte Gaqkë Inxhinieri, që bridhte rrugë ve dhe kafeneve të Korçës me dhinë e tij Nora. Gaqka tallej me hipokritët, aq sa të mos rrezikonte burgosjen, sikundër tallej Diogjeni me Aleksandrin e Madh.
Kur rrinte pak minuta në trotuar me mua(zakonisht nuk zgjaste më shumë muhabetet me asnjë) mundohesha të kuptoja të vërtetat, që fshiheshin pas talljes së tij me të gjithë dhe sidomos me shtirjet e të fuqishmëve.
Në Korçën e ditëve tona, Gaqka do kënaqej(dhe vuante) pa masë me “theatrot”, që luhen çdo ditë. Sidomos do ngazëllehej me shkëlqimin e vdekur të Pazarit, se atje kishte kaluar gjithë adoleshencën dhe rininë e tij.
Niko Peleshi i ka zët cinikët. Bile edhe i akuzon, se nuk lejojnë njerzit e tjerë të Korçës të mbushen plot me optimizëm për të ardhmen.
Edhe Diogjeni i Sinopit do e kishte të vështirë të jetonte në Korçën e Pelesh-Filos, se jo vetëm kishte hyqin e keq të flinte në një voze të madhe qeramike (shumë më e madhe se ato të Muzeut Arkeologjik në shtëpia e Lipe Kotës) dhe në Pazarin e sapo restauruar nuk mund të lejohej asnjë zbatharak , që të flinte në voze, por Diogjeni herë herë bënte edhe veprime të turpshme në mes të miletit, pasi nuk e kishte të vështirë të fuste duart mes leckave, që i mbulonin trupin dhe të arrinte thellë mes këmbëve të tij.
Në Korçën e Pelesh-Filos, virtyti është mbi të gjitha. Asgjë e turpshme nuk mund të bëhet në sytë e të gjithëve.
Gaqka mund ta kishte më të lehtë. Ai vërtet nuk do kënaqej dot me mrekullitë e Parkut Rinia, se i pëlqente më shumë të vrojtonte sjelljet e shtirura të njerëzve se të rrinte të çlodhej në gjelbërimin e Parkut, ku mund t’i fusnin edhe ndonjë gjobë për Noran, që do hante barin e blerë kushedi në cili kontraktues i Bashkisë, por në Pazar do vërtitej. që nga Hani i Vasil Papajt dhe deri në dyqani i Vëllazërisë Qiriaku.
Do kujtonte edhe të famshmin Vasil Avrami, kryetarin e Bashkisë së shumë viteve, në shtëpinë e të cilit, Niko Peleshi dha lejen , që Goneja i Zapeve bashkë me Sandër Frangajn, të ndërtonin një “bina”, që e hijeshon bulevardin. Me siguri do tallej me Vasil Avramin, se si mund të tallej me Nikon, Gonen apo Sandrin. Do tallej se ishte cinik. Dhe cinikët janë ata, që pengojnë përparimin. Ose dhe kur nuk arrijnë ta pengojnë, ulin optimizmin e qytetarëve.
Nuk do rrinte pa hipur edhe në Kullë, megjitëse do e kishte vështirë të hiqte “osh” Noran deri në majë të shkallëve, se ashensorët, si cinik që ishte nuk i përdorte. Në Kullë do hipte, nga që e quajnë Kulla Panoramike dhe kur të zbriste do theshte “Dëgjo, pashë një panoramë, që tani…do ja u le amanet, kur të vdes të më digjni dhe hirin të ma hidhni në 360 gradë“.
Ç’e do që ishte cinik!
Dhe cinikët nuk i le cinizmi të shohin bukuritë e 360 mijë metro katror kalldrëme, 45 mijë metro kator trotuare të gdhendura nga të dy anët, 735 mij metro katrore lulishte, 564 mijë metro katrore park olimpik sportiv, 864 mijë metro linear tubo të shtruara nga tre herë dhe 6 mijë ikona të varura në 120 metro karre mure.
Eh cinikët, që tamam si qumshti i ciknosur nuk na lenë të shijojmë ëmbëlsinë e kësaj turte, që quhet Korçë!

Monday 13 March 2017

Gjithëblerësit


Në mesnatë erdhën
Të më blinin shpirtin.
T’ju shihja fytyrat kisha kureshtje
Ata prisnin në të thellë heshtje,
Sa vlente donin të dinin.

E unë qeshja si i marrë
Me marrëzinë e tyre të errët,
Me shpirtin tim që nuk vlente një dysh,
Bërtisja: “Mu hiqni sysh
Pjella të përdala skëterre!”

Jashtë frynte era e dëshpërimit,
Ajo që lulëzimin le në mes,
Që bën të klithësh der’ në ngjirje,
Të stërpërdorurën patetike thirrje
“Shpirtin nuk e shes!”

Cfarë blihej atë natë?
Vetëm gjërat pa vlerë,
Stolitë që nuk shiteshin,
Lulet që përfundimisht vyshkeshin,
Kërthijtë ende pa lerë?

Natë e shitblerësit terror,
E matrapazëve të ëndrrave dhe arit,
E xhambazëve të gjinjve të vënë,
E kambistëve të fjalës “nënë“,
Tregëtarëve të jetës tej varrit.

“I joni është koleksioni i shenjtërive:
Ja- Përdëllimi i murgeshës;
Ja- Soneti i bardit të verbër;
Ja- Dashuria për birin e vetëm;
Ja-Himeni i virgjëreshës.

Të gjitha, të gjitha i blemë!
Tonat janë deri në amëshim.
Nuk ka asgjë që s’ka një vlerë,
Që shpejt a vonë në dorë mos na bjerë,
E zhveshur nga çdo përkushtim!"

Ndërsa flisnin fytyrat shqova,
Sy të vdekur që kurrë s’patën qarë,
Mbi buzët e holla dhëmbët e nxjerra,
Qënie pa ngjyrë, tmerrësisht të mjera,
Robër të koleksionit të tyre llahtarë.

Prane Shën Françeskut

Unë ec në pakuptueshmërinë e të bardhës,
Nën erën që do të më kujtojë
Se larg ka pranverë,
Dhe se fishkëllimi mardhës,
Do ndalë një herë,
Pas përcjelljes së polenit në pistil.
Dua t’i flas Shën Françeskut,
Por ai edhe pse gjysëm i ngrirë,
Veshur tebdil,
Me të akulluara dantella,
Korbave ju flet.
Unë përulem,
I pëshpëris në vesh,
Ndërsa ai në të thella
Me shenja ju bën drenushave të fshehura.
Ti prêt.
Në qiellin e murrëtyer të rikrijimit,
Lajmin të sjellin patat e vëna varg,
Kumtin e jetës që Shën Françesku më përcjell,
Me gishtat e rreshkur dhe të ngrirë.
Nuk do të jesh në errësirë,
Edhe pse larg.

Sunday 12 March 2017

Javë e çuditshme


Kjo ka qënë java më e çuditshme e këtij viti në Shqipëri.
Më datën 7 mars, Rama festoi 130 vjetorin e hapjes së Mësonjtores në Korçë, jo me libër në dorë, por me dyfek, në krah të djalit të Agron Cibukut, që në vend të paraqitej paqësor si i jati ishte veshur komit. Inskenimi ishte menduar nga Kotherja, që përgatit rubrikën Amarcord të Kryeministrit.
Më 8 mars, ditë që në Tiranë duhet të niste me tufat e mimozave, u sulmua pas krahëve Elvi Fundoja nga njerëz të urdhëruar nga klanet e medias së drogës. Të gjithë politikanët kryesorë veç Metës e dënuan aktin, bile Saimir Tahiri, edhe pse atë ditë kishte vënë një grua në krye të policisë, shkoi në spital dhe i premtoi Elvit, që do i gjejë autorët. Festa e grave vazhdoi me orgjira me striptistë edhe pse njerzit ankohen për mungesë të lekëve dhe striptistëve në Shqipëri. 8 marsi dëshmoi të kundërtën.
9 marsi duhet të quhet dita e territ mediatik, se Artan Fuga nuk kishte shkruar asnjë rrjesht në Fejsbuk, gjë që çorientoi jo vetëm forcat politike dhe mediat e vendit, por krijoi edhe përshtypjen e rreme, se është gjetur ilaçi shërrues për sëmundjen e “diarrhesë të tastierës”, nga e cila vuan tash sa vjet filozofi Fuga.
10 marsi ishte xhuma dhe si çdo ditë të tillë, besimtarët shkojnë e falen në xhami, ndërsa jobesimtarët lëshohen për të bërë fundjavën nëpër pika turistike. Ata, që mbeten shkojnë e futen në Cadrën e Lirisë, që të lozin me letra dhe të shikojnë pallton, që fsheh hiret e gruas së Lul Bashës. Këtë të xhuma ajo nuk erdhi nga Hollanda, pasi mund të qëllonte në një avion me Ramën, që kthehej nga Gjermania.
Fundi i javës, ishëte tamam kapaku i artë i çudive. U shkarkua Saimir Tahiri, në kundërshtim me thashethemin e përhapur dy javë më parë nga Berisha, se do shkarkohej Saje Qorri. Të gjithë analistët mendojnë se arsyet janë tre- Meta, Opozita ose Shërbimet sekrete gjermane dhe askus nuk përmend faktin, që Tahiri mund të jetë shkarkuar se vizitoi në spital Elvi Fundon.
E djela u hap me shkarkimin e të gjithë ministrave me emrin Blendi. Rama është shumë i pakënaqur “me performanceën e emrit të tyre”. Nuk dihet nëse do zëvendësohen me personalitete, që kanë emrin ose mbiemrin Nikolla, pasi dihet që ministrja Nikolla është ministrja më e mirë e kabinetit dhe Niko Peleshi, zv.kryeministri më i mirë. Në zyrat e PS-së po kërkohen urgjentisht CV-të e militantëve me emra Niko, Nik, Besnik, Nikoleta, Nikita, Nikolla, Koli, Kol, Sokol, Nike dhe Niki. Me ta do formohet qeveria tek-Nike.
Të shohim çdo sjellë java që vjen!

Do Zoti, jo si kjo!

Friday 10 March 2017

“Derri i Lerosur”


Nuk di pse kur e pashë për herë të parë projektin e ri të Bibliotekës, mu duk si një derr, që sapo kishte dalë nga lluca. Ndaj dhe e kam quajtur “Derri i Lerosur”, pa menduar hollë hollë, se nuk jam i treguar aq i drejtë me derrin. Objekti, tepër i papërshtatshëm për vendin, por dhe si projekt në vetvete do duket më keq se një derr i lerosur, kur të përfundojë.
Korça ka një raport tepër të veçantë me Bibliotekën,
E para, e dhuruar nga filantropi Thoma Turtulli, ishte në përurimin e saj një ndërtesë e bardhë e hijshme, që të kujtonte një tempull grek. I përkiste neo-klasiçizmit në arkitekturë, por i një krahu më racional dhe më pak të ngarkuar me detaje. Ishte e para bibliotekë publike në Shqipëri. Kishte edhe shumë lexues.
Në fillimin e viteve ’70, për të justifikuar prishjen e Shën Gjergjit, u vendos nga lart të ndërtohej Biblioteka e Re dhe për fat, prokjekti ju ngarkua Petraq Kolevicës. Duke marë nisje nga disa projekte në Suedi (arkitekturës së të cilës Petraqi i ishte referuar shpesh, kur projektonte për Korçën), ai mundi të projektonte dhe të merrte miratimin për projektin më modern të lejuar deri atë kohë në Shqipëri. Ndërtimi u tejzgjat për shtyrje të fondeve dhe në fund u “masakrua” me hapjen e dritareve të mëdha në katin e sipërm, i cili ishte i projektuar “I verbër” dhe do kishte një basoreliev të madh. Hapja e dritareve u bë me urdhër nga më të plotfuqishmit e Tiranës, megjithëse ndriçimi natyral ishte projektuar dhe realizuar me “shede” në tarracë. Ishte projektuar sipas parimit bazë të “arkitekturës moderne”- “planimetri e lirë“ dhe mund të ndërtohej pa frikë në çdo qytet të madhësisë së Korçës në çdo vend europian. Kushtet e ndriçimit dhe ruajtjes dhe vendosjes së librave ishin nga më të mirat për mundësitë, që kishte ajo kohë. Padyshim ishte biblioteka më e mirë në Shqipëri.
Projekti i sotëm i të ashtuquajturës “Rilindje Urbane”, që në vetvete është një term politiko- komercial, që nuk ka të bëjë me Urbanistikën dhe Arkitekturën, nuk erdhi krejt rastësisht dhe nuk është thjesht një ide e grupit Peleshi.
Degradimi i Bibliotekës dhe i raporteve të korçarëve me Bibliotekën ka nisur , që në vitet ’80, kur Korça kishte një nga vendet e fundit në Shqipëri në shitjen e librave dhe po afër fundit në frekuentimin e Bibliotekës. Kjo rënie vazhdoi në vitet ’90 për vetë rrëmujërat e ndrimit të sistemit dhe nuk arriti të ngrihej edhe më vonë. Në një vizitë para 6 vitesh, e pashë të sistemuar mirë brenda , por thuajse bosh. Nuk ishte më institucioni i kulturës, që kishin ëndërruar korçarët, që kishin hapur bibliotekën e parë. Me daljen në pension të Klara Celës, dukej që ishte larguar edhe e fundmit bibliofile dhe bibliografe e qytetit.
Sot Korça ka numurin më të madh të profesorëve, kandidatëve të shkencave, doktorëve të shkencave, profesorëve të asociuar, që ka pasur gjatë gjithë historisë së saj, por duket se askujt nuk i bie ndërmend për Bibliotekën. Ndoshta e konsiderojnë një magazineë librash, që mund të shkojë kudo në qytet.
Proejkti i ri, ka një sipërfaqe në total më të ulët se I pari edhe pse parashikon të “strehojë “ atje edhe Galerinë e Arteve dhe nje "berthame" te kultures, qe nuk  dihetse sa kulturore do jete.
Tregëtarët e tij, mund t’ja u shesin me plot terma bashkëkohore, me përmbajtje sallash polivalente, me fonde gjithëfunksionale, që aksesohen lehtësisht nga përdoruesit, me holle bashkëkohore të internetit të të ardhmes etj. etj. Janë të gjitha dëngla!
Të njëjtat dëngla, që përdorën për të shitur Kullën Vrojtuese.
Qëndra e Re kulturore, një tjetër “mëngë në kurriz” për Korçën!

Thursday 9 March 2017

Ishte mars, 40 vjet me pare


Ishte mars. Nuk kishte si të ishte një tjetër muaj. Në mars fillojnë gjithë marrëzitë. Edhe nismat.
Ata ishin menduar gjatë ditëve të shkurtra të dimrit, ndërsa rrinin kot dhe hargaliseshin në zyrat mbi një dyqan ushqimesh, ku mielli, fasulet, vaji i ullirit, makaronat dhe kafeja jepeshin me listë. Lista e ushqimores ishte një rregjistër i madh me shumë fletë, ku ishin emrat e gjithë kryefamiljarëve të renditur sipas bllokut dhe rrugës. Cdo muaj mund të merrje dy kile miell, një kile fasule, nje shishe vaj ulliri, një pako makarona spageti dhe një “kartushkë“ me kafe. 100 gramshe e pablojtur dhe e papjekur. Ushqimet e tjera nuk kishin kufizim.
Edhe ata vetë, që rrinin në ato zyra, që më parë kishin qënë banesë e një tregëtari, po me listë i merrnin ushqimet. Ndjeheshin më mirë se të tjerët, se ata që quheshin funksionarë nuk kishin ndonjë punë për të bërë, ndërsa ata që punonin nëpër fabrika, shpesh shkëputeshin për të shkuar nëpër mbledhje, konferenca dhe seminare. Ato kohë shkonin edhe nëpër shkollat e mesme për të kontrolluar djemtë që mbanin flokët e gjata dhe vajzat, që kishin rroba të modës. Nuk di se si e quanin veten, mbase shokët e rinisë, se ne, në rrethet e ngushta i quanim komsomolasit.
Herë pas here duhej të ndërmernin nisma, për të treguar që jo vetëm i konspektonin materialet e Partisë, por edhe i zbërthenin dhe i vinin në jetë. Ishin më të shumtit në fund të të njëzetave dhe shpresonin të ndërtonin familje. Sigurisht edhe një karrierë brenda partisë, ku vendet më të lakmueshme ishin ato të instruktorit të Komitetit të Partisë, ku nuk kishe asgjë për të bërë dhe ishe edhe i respektuar në qytet e në fshat. “Kishe në dorë“.
I madhi i tyre, që më parë kishte qënë drejtor i një shkolle të mesme, mëngjesin e nesërm, të ditës që na thanë se do shkonim në Opar, hipi në krye të shkallëve të shkollës dhe mbajti një fjalë të shkurtër, që duhej të ishte mobilizuese. Ishte marsi i vitit 1977 dhe sikundër na tha Sekretari, ne do shkonim si një brigadë luftëtarësh, për të ndihmuar Partinë në një çështje me rëndësi për kooperativat malore. Ishte marrë një vendim për tufëzimin e bagëtive edhe në kooperativat e zonave të thella.
Na qeshej se nuk dinim asgjë se ç’ishte tufëzimi dhe se pse ishte kaq mirë për fshatarët, por na pëlqente të mos bënim shkollë për dy tre ditë, sa ishte planifikuar kjo nismë. Ishim në vitin e tretë të së mesmes dhe mësuesit na thoshin , që ai ishte viti kur gjimnazistët “shkreheshin” më shumë. Ende nuk di nëse kishte lidhjen me një kulmim të hormoneve, se atë kohë askush nuk i zinte në gojë. Mësuesit që na mbanin më pranë, e spjegonin me familjarizimin me të mesmen dhe që ndryshonte më vonë në maturë, pasi të gjithë mobilizoheshin të nxirrnin një mesatare të lartë për të shkuar në universitet.
Në krah të Sekretarit të Parë të BRPSH-së rrinte sekretarja e rinisë e shkollës, një vajzë kokëulur, që gjithashtu nuk dinte asgjë rreth hormoneve, por mësoi më vonë dhe u apasionua ndaj hedonizmit, duke mallkuar ndoshta veten për besimin aq të madh që kishte pasur në normat e moralit komunist. Ishte mars dhe ne nuk ja kishim idenë e hormoneve.
Brigada jonë do “sulmonte” kooperativën e Lekasit, ku duket se punët e tufëzimit nuk po shkonin me ritmet e pritura nga Komiteti i Partisë i rrethit, ndërsa dy brigade të tjera maturantësh, do shkonin në zona të Gorës dhe të Moglicës.
Për fat të mirë ishte futbolli.
Atë pasdite, “Skënderbeu” luante kundër “17 Nëntorit” dhe ndeshja pritej me shumë interes, se që kur ekipi drejtohej nga Aleko Pilika, ishte bërë rival i vërtetë i ekipeve të Tiranës dhe Vllaznisë, që dominonin kampionatin shqiptar. Ndeshjen e pamë në vatrën e kulturës të Lekasit pasi kishim bërë disa orë rrugë më këmbë, por duke qënë të rinj, na dukeshin një shëtitje e bukur mes maleve. Për të ndjerë më shumë çlodhje, Vaskë Thimioja shënoi golin e vetëm të ndeshjes dhe fituam në mes të Tiranës. Mbrëmja erdhi shpejt dhe në errësirë ju ngjitëm të përpjetës të Tudasit, ku do flinim atë natë. Ndoshta na shoqëronte një mësues I histori-gjeografisë, por ato kohë, nuk flitej as për Muzakajt, as për fisnikun Tudor dhe as për kishën shumë të vjetër të fshatit. Historia, që mësonim në të mesme, niste me grupet komuniste dhe mbyllej me Kongresin e 7-të, që kishte zhvilluar punimet disa muaj më parë dhe në zbatim të rezolutave të të cilit, ne, një tufë me tetëmbëdhjetvjeçarë, me hormonet, që na gëlonin, por që nuk dinim asgjë rreth tyre, i ngjiteshim mbrëmjes një të përpjete të fortë në Ostrovicë.
Ishim vërtet të lodhur dhe u ulëm shesh, buzë një hendeku të cekët të rrugës për të pritur ata, që do na shpërndanin në bazat e fjetjes. Ishim shumë djem e vajza, por të ndarë në grupe dyshe dhe treshe sipas shoqërisë më të afërt që kishim. Unë isha me Benin (Kallamatën) dhe Mirin(Shehu), që ato vite të së mesmes, sepse parapëlqenim ta thërrisnim me emrin e të jatit, Adil.
Ndoqëm një nga të rinjtë e fshatit, që na shpuri në një shtëpi të ulët, brenda së cilës na priste një mesogrua. Nuk më kujtohet nëse kishte korridor prej nga hymë në dhomën ku do flinim. E zonja e shtëpisë po na tregonte dy shtretët ku do kalonim natën dhe e ngazëllyer fliste për të birin, që ishte ushtar dhe flinte në njërin prej tyre. Ishte e veshur disi në mënyrë të pazakontë, kur e krahasonim me gratë, që shihnim në pazarin e fshatarëve të djelave, ose në aksionet për mbjellje dhe vjelje misri, që kishim bërë shpesh ato vite. Ishte një lloj kombinimi i një veshje tradicionale, me një përparse në blu të errët, që i shkonte deri mbi çorapet e leshta dhe një këmishe të errët me kinda, pak të hapur në qafa. Kishte dëshirë të tregonte për djalin, që mbase kishte muaj pa e parë dhe duke buzëqeshur përmendte shpesh “Shipja, Shipja”, që duhet të ishte shkurtimi i emrit të tij. Shtretërit ishin të drunjtë dhe të mbuluar me disa mbulesa të thurrura në avëlmend prej shiritash të prera nga rroba të vjetra. Në truall nuk kishte gjë të shtruar. Hera e parë, që shikoja një dhomë pa dysheme. E gjithë shtëpia ndoshta ishte e tillë. Me truall të ngjeshur. Muret e shtrembër ishin të lyer me gëlqere dhe e vetmja gjë në to, ishte një portret i madh bardh e zi I Enver Hoxhës, nga ata, që shiteshin në librari, për institucionet. Duket, që mbulonte edhe vrimën e oxhakut të dhomës.
Kishim fjetur edhe herë të tjera fshatrave të Korçës, por atë natë “zbuluam” varfërinë e vërtetë. U shtrimë me gjithë rroba, të dy me Mirin, në krevatin më të gjerë dhe nën kokë vendosëm çantat e shpinës.
Beni, si më trupmadh, fjeti vetë në shtratin e Shipes së shkretë, që kushedi se në ç’pikë të kufirit i “rrihnin barqet”, për të mbrojtur pushtetin e njeriut, që na shikonte nga fleta bardhë e zi, pa kornizë, e mbërthyer në murin e dhomës, për të mbuluar birën e oxhakut.
Të nesërmen, duhet t’ju mbushnim mendjen këtyre fshatarëve të këputur, që ishte mirë, të tufëzonin edhe të paktat dhi që kishin.