Saturday 26 August 2023

Gushti i zjarreve


Eshtë vera më pak e nxehtë nga të tjerat që presim të vijnë dhe kryefjala në lajmet botërore janë zjarret. Zjarre në Mesdhe, zjarre pranë Vankuverit, zjarre në ishujt Havai, zjarre në...

Me "zjarrin" e një rakete, Putin përvëloi kundërshtarin (krijesë të tij) Prigozhin me disa bashkëpunëtorë. 

Bota e kësaj vere të kujton ferrin. 

Një betejë e "zjarrtë"sa ka nisur për zgjedhjet presidenciale amerikane dhe ish-presidenti Trump arrestohet në Xhorxhian e nxehtë dhe i bëjnë edhe foton e arrestimit {mugshot) ku nuk harron të mbajë kravatën dhe xhaketën. (Nuk ngjan me një foto arrestimi dhe për më tepër Trump po nxjerr mijëra dollarë fitime duke shitur bluza, filxhanë dhe dhurata të tjera me atë foto.)

Arrestime "të nxehta" vazhdon të bëjë SPAK-u i Tiranës, që është përgëzuar nxehtësisht edhe nga kryeministri Rama, të cilit duket se nuk i djeg aspak prapanica nga arrestimet pranë tij.

Por reagimi i parë i turmave ndaj zjarreve dhe të nxehtit "të paparë" nuk është alarmi apo paniku, por përpjekja për të pushuar pranë ujërave të kripura dhe të ëmbla. Këtë "vrapim" drejt plazheve e kanë kuptuar prej disa javësh pronarët e zonave turistike, që janë përgjigjur përgjithësisht me çmime të kripura. Duket si një lloj histerie me sloganin KCK (kap ç'të kapësh) në çdo vend.

Parandjenjë se nuk do rezistojmë dot edhe shumë vera më të nxehta? 

Po mësohemi me temperatura pranë të 40-ve dhe duket se si qëniet që përshtaten më lehtë se të tjerat do gjejmë mënyra edhe për të përballuar ato mbi 40 (nën hije).

Meqënëse kemi dështuar të ndërtojmë parajsën në tokë, le të përshtatemi për të përballuar ferrin.

(Rizgjedhja e Trump do jetë një nga shënjat.)

Thursday 24 August 2023

Bisht cigareje në breg

 Unë jam një bisht cigareje

Që u tymos për të fundit herë dikur.

I flakur në bregdetin e mendimeve,

Ku më shumë leshterikë pështillen këmbëve,

Se sa gjemba iriqësh të ngulen tabanit.

Mbeturinë e një qytetërimi të shpifur,

Që gjallesat ka zhbërë,

Që ndjenjat ka kthyer në zhurr,

Mes guraleceve rrekem era mos më marrë

Fshehur si një barkë e vjetër në cep të limanit.

Dikush më thithi gjithë forcë,

Avujt e dalë nga prushi i dyshimeve,

I mundimeve për të zbuluar të fshehtat,

I përvëlimeve në kërkim të dritës,

I rrekjeve për të thënë të vërtetat,

Në një të vetme mbrëmje të drithërimeve.

Tymthithësi humbi në një tjetër Gjithësi,

A ndoshta helmuar kokën pështeti mbi një gur.

Unë jam një bisht i lagur cigareje

Ku nuk ka mbetur shënjë ADN-je,

Se u përthith shumë vite më parë,

Në një pjesë kohe,

Që quhet Dikur.

Sunday 20 August 2023

A mund të sjellë SPAK demokracinë?


Ka një lloj entusiazmi në Shqipëri, se Demokracinë e shumëpritur dhe të munguar në vendin tonë do e sjellë SPAK. Eshtë një mendim tejet naiv, që tregon se sa pak kemi kuptuar se ç'farë është Demokracia dhe se ndërtimi dhe funksionimi edhe perfekt i një institucioni nuk mund të jetë shënjë se Demokracia më në fund mbërriti.

Le të supozojmë se SPAK është ndërtuar në mënyrë gati të përkryer dhe po funksionon më së miri. Piksëpari SPAK-u është vetëm një pjesë e një sistemi të madh, që është Sistemi Juridik dhe që të funksionojë në mënyrë të përkryer duhet që edhe i gjithë sistemi të jetë i tillë, gjë nga e cila jemi shumë larg. Por dhe nëse për hir të analizës do pranonim se sitemi juridik është shumë i mirë, që të kishim Demokraci duhet të kishim një sistem politik shumë të mirë, të përbërë nga pushteti legjislativ (Kuvendi) thuajse i përkryer, një pushtet ekzekutiv (qeveri) të devotshme dhe pas tyre edhe një pushtet të mediave të pavarur, që mbikqyr gabimet e mundshme të pushteteve të tjera.

Në fakt ne kemi një sistem partish politike të kalbur, që kontrollohen me dorë të hekurt nga drejtuesi i sejcilës, një Kuvend me deputetë që vijnë nga këto parti "të kalbura" (dhe që veprojnë në sintoni të plotë me mendjen e liderit) dhe një Qeveri që drejtohet me dorë të hekurt nga drejtuesi i partisë më të madhe që ka fituar shumicën evotave në një mënyrë të dyshimtë. Sa për mediat, është fakt i njohur përzjerja e tyre në biznese, që varen nga dhe rrjeshtimi i tyre kryesisht në krahun e qeverisë.

Në këtë gjendje, që është shteti dhe shoqëria shqiptare, ç'farë mund të bëjë një SPAK "i përkryer"?

Më e madhja që mund të bëjë SPAK është dhënia fund e "mosndëshkueshmërisë". Por kjo nuk është një tregues i demokracisë. Në sisiteme diktatoriale apo autoritative ndodh edhe që luftohet korrupsioni, apo funksionon dhe ndëshkimi në nivele të larta dhe vetë vendet janë larg të qënit vende demokratike. 

SPAK-u jonë është një institucion "amalgamë" që ka segmente të prokurorëve ndëshkues të shteteve diktatorialë dhe të tjerë që plotësojnë "orekset" e politikanëve në pushtet. Eshtë ende larg nga të qënit institucion juridik i saktë i një vendi demokratik. Në më të mirën e rasteve, nga zelli, disa prej prokurorëve të tij mund t'i ngjajnë magjistratëve italianë të kohës së "mani pulite", por që janë larg tyre nga edukata juridike. Dhe magjistratët italianë nuk sollën demokraci në vendin e tyre, por e dëmtuan atë.

Arrestimet me burg të SPAK (jo rrallë të tepruara) sjellin kënaqësinë e pjesës primitive të shoqërisë (ja po ndëshkohen edhe të pasurit) por nuk përcjellin frymën që është e nevojshme në shoqëritë e përparauara "më mirë dhjetë të fajshëm jashtë burgut, se sa një i pafajshëm brenda tij". Ndaj duhet të mos ekzaltohemi se po bëjmë hapa para në demokraci kur  dçgjojmë kërkëllitje e prangave, se jo rrallë ato janë tregues i të kundërtës.

Po a duhet toleruar korrupsioni?

Jo, por korrupsioni nuk luftohet me zell dhe dëshirë për "ndëshkime", por me qetësinë dhe vendosmërinë e zbulimit të fakteve. Kur këto nuk janë të mjaftueshme, ose nuk je në gjendje t'i gjesh, është demokratike të lesh edhe një funksionar të korruptuar jashtë burgut. Kjo është Demokraci. 



Wednesday 16 August 2023

"Gjyqi" i opinionit publik


Opinioni publik të gjykon. Dhe kjo është një e drejtë e fituar prej mijëra vitesh të përvojave të shoqërive njerëzore. Duam apo nuk duam. Na vjen mirë apo na vjen keq. Eshtë nga veçoritë kryesore dhe të pandryshueshme të të gjitha bashkësive: të përparuara apo të prapambetura, të varfëra apo të pasura, të arsimuara apo analfabete. 

Përgjithësisht opinioni rrallë herë është në një mendje i gjithi. Ka dy ose tre lloj opinionesh për një çështje të rëndësishme politike apo ligjore. Në çështjet e skandaleve të figurave të rëndësishme (të famëshmit VIP-a)më së tepërmi është bardhezi dhe anon nga përpjekja për t'i denigruar.

Por përveç se është fakt, a është i dobishëm "gjyqi" i opinionit publik për skandalet dhe sidomos për çështjet penale, që kanë marrë rrugën brenda sistemit institucional hetimoro-gjyqësor?

Pyetja nuk mund të gjejë një përgjigje të thjeshtë dhe të menjëhershme, sepse brenda ka një sërë faktorësh duke nisur me nivelin e sistemit juridik, me zhurrmën e mediave, me njerëz që kanë prirje të shpjegojnë çdo gjë me komplote dhe deri me konfuzionin që shkaktojnë mediat sociale,

Në shoqëritë e prapambetura (ku hyn edhe e jona) çështja vështirësohet akoma më shumë për shkak të prirjessonë për të arritur fët-fët më konkluzione.

Të nisesh nga kronikat më të thjeshta ditore, kur dikush njofton se ka vdekur dikush me infarkt. Menjëherë një "shpjegues" ngutet të thotë "Ai pinte!", një tjetër e bën të sigurt se i ka ndodhur për shkak të divorcit të të birit dhe një i tretë do i hedhë fajin menjëherë mungesës së kardiologëve të mirë në qytet.

Askush nuk bën një pauzë e të mendojë se shkaqet e një infarkti mund të jenë nga më të ndryshmet, se shpesh vdekjet nuk janë të parandalueshme dhe në shumë raste është më mirë të mos nxitohesh në marrëzinë për të gjetur shkakun dhe për të bërë dikë me faj.

Përmenda një rast të tillë (që ndodh shpesh) për të krahasuar me problemet komplekse të një ngjarjeje penale, e cila mund të jetë vrasje, mund të jetë një veprimtari e krimit të organizuar, sikundër mund të jetë edhe një aferë e madhe korruptive, ku përfshihen deri tek qeveritarët më të lartë në vend.

"Gjyqi" i opinionit publik ze fill në mediat tradicionale, të cilat ose për të pasur një 'scoop", ose nga mungesa e eksperiencës, nuk i lenë vend analizës së paanshme të fakteve. Shpesh në to sheh njerëz me një përgatitje ligjore gjysmake, ose që kanë edhe mungesë të aftësisë për t'i parë gjërat me dyshim, që me kompetencë të plotë rradhitin se si janë zhvilluar ngjarjet dhe se në cilin nen hyn vepra penale e X-it. Në një kanal tjetër televiziv, të tjerë analistë me përgatitje "gjysmake" flasin me siguri se faktet flasin për diçka tjetër dhe si përfundim opinioni publik, që përgjithësisht është i paarsimuar juridikishtvendos për dënimin me aq edhe kaq të të pandehurit ose të grupit të të pandehurve.

Këto lloj konkluzione kompetentësh më sjellin ndërmend një episod të vogël në Nju Jork, të cilin ndoshta e kam përmendur edhe më herët në blog. Shoferi i autobuzit me origjinë nga Vlora, më tregonte me siguri të plotë, se lufta në Irak ishte nisur për të përfituar 6 miliard dollarë, të cilat u ndanë në tre pjesë të barabarta mes Bushit bir, Dik Cenit dhe Donald Ramsfeld. Kur e pyeta nëse i kishin dhënë ndonjë gjë edhe Sekretarit të Shtetit, më pa me përçmim si dikë që nuk ja kisht haberin nga politika dhe e Drejta Ndërkombëtare.

Edhe shoferi me origjinë nga Vlora ishte pjesë e opinionit publik.


Tuesday 15 August 2023

Të bukurat "konkubina"


Në Shqipëri po rritet një brez me vajza të bukura. I sheh të lirshme në kafet dhe klubet e shumta të qyteteteve, të veshura me marka nga më të shtrenjtat. Ka një shqetësim të përgjithshëm, që shumë nga këto femra "të shkujdesura" janë kthyer në "golddigger"(ndjekëse të parave do ishte përkthim jo i keq në shqip). Nuk janë të interesuara për të pasur një karrierë në jetë, por vetëm të kenë partnerë shumë të pasur, të cilët ju blejnë "çanta e k'puc", ju sigurojnë pushime jashtë (mundësisht në jahte) dhe ju paguajnë edhe ndonjë ndërhyrje kirurgjikale estetike në klinika me emër të mirë.

I gjithë ky shqetësim shpesh kthehet në përbuzje të një "lloji" femrash, një lloj përbuzje e ngjashme me atë të shprehur nga Marko Mazini në këngën e viteve '90 "Bella stronza". Nëse duam ta shohim më realisht këtë dukuri, e cila është gati epidemike, jo vetëm duhet ta quajmë të natyrshme këtë "materializëm të çmendur", por duhet të bëjmë me faj shoqërinë maskiliste dhe kryesisht meshkujt që sundojnë në shoqërinë e korruptuar shqiptare. Në një shoqëri ku nuk sundojnë vlerat intelektuale, apo talentet e tjera, qoftë të biznesit etj., ndjekja e një tipi të tillë nga vajzat e reja është një formë e "të mbijetuarit". Në shoqërinë "macho" ku politikanët që kanë në dorë janë vetëm meshkuj, ku tregëtinë e drogës e bëjnë vetëm meshkujt, ku tenderat e mëdha dhe aferat korruptive i kontrollojnë meshkujt nuk ka se si mos krijohet ky tip konkubinash. Nëse hapësirat për karrierë mbi bazë meritash janë tërësisht tëzvogëluara, (edhe këto të varura nga meshkuj që duan të të kenë në shtrat) atëhere alternativa mbetet të shfrytëzosh bukurinë dhe "sex appeal" për të pasur një jetë të rehatshme, mundësisht edhe një apartament të dhënë "free" ose që ta paguan çdo muaj mashkulli i pasur.

Thuajse në të gjithë mjediste mashkullore në Shqipëri (më shumë në Tiranë ku krijohet "arketipi") flitet për "pjeshka", si të sigurosh vazhdimisht të tilla, mundësisht edhe dy-tre "jashtë kurorës". Eshtë një hedonizëm jashtë çdo logjike të shëndoshë, që nuk i ndih krijimit të një shoqëria liberale, por të shëndetshme të bazuar në puna, meritat dhe talentet. Këtë gjë e kanë nuhatur që nga "pjeshkat dinake"(të cilat ekzistojnë në çdo shoqëri), dhe deri tek ato që nuk do ta donin këtë varësi, por nuk kanë nga ja mbajnë ndryshe. Të kalojnë "shtretërve" ju kërkohet që në universitet dhe më vonë për të siguruar një vend pune apo për të bërë karrierë.

Problemi sa i sotshëm aq është edhe i të ardhmes. C'lloj filozofie të jetës do përcjellin këto nëna tek djemtë dhe vajzat e tyre. T'i nënshtrohen kësaj filozofie të një shoqërie të prapambetur, ku për të pasur nën "kontroll" mashkullin e pasur mund të përdorësh vetëm marifetet e vjetra seksuale?  Të luftosh për një shoqëri të të barabartëve? T'i nënshtrohesh kësaj lloj jete sepse "kështu ka qënë dhe kështu do mbetet"?

E vërteta është se një dukuri e tillë në masë është kryesisht në vendet e Europës Lindore dhe në ato të vendeve në zhvillim. Shoqëritë e përparuara skandinave, të cilat kanë korrupsion në nivele minimale, kanë njëkohësisht edhe thuajse një barazi mes femrave dhe meshkujve. Kjo lloj barazie e bën të panevojshëm krijimin e shtresës së "konkubinave".

Ndoshta një ditë do e shohim edhe ne... diku nga fillimi i shekullit tjetër.

Sunday 13 August 2023

Ndërtimi

Gjithshka është tek ndërtimi. Ndoshta treguesi më i qartë i përparimit. Madje edhe mjaft pozitiv. Ne themi bëjmë një debat konstruktiv (nuk themi një debat ndërtues) duke i theksuar kahjen mjaft pozitive debatit. Një debat i frytshëm, pa harxhime të kota, pa zënka dhe nga i cili nuk doli një "mi", por diçka tepër e dobishme. (Mbase një "mal")

Ndërtimin e duan të gjithë. Jep ndjenjën e fitores, të përjetësisë, të përmasave edhe mbinjerëzore dhe mbi të gjitha jep njç kënaqësi "bajagi" materiale për ndërtuesin. (Asnjëherë nuk kam kuptuar se përse në ndërtim përqindja e fitimit është shumë më e lartë se në industritë e tjera, gjë që tërheq në gjithë botën drejt tij grupet mafioze. Avokati im do hidhet e thotë se po ta kishe kuptuar me kohë nuk do largoheshe nga vendi dhe sektori i ndërtimit e të merreshe me broçkulla, por dhe ai jo gjithnjë ka të drejtë, se këndvështrimet e tij janë kryesisht ligjore.)

Më ra në sy në Tiranë, se jo vetëm ndërtohej shumë, por dhe në disa biseda me njerëz pa lidhje me ndërtimin, shprehej dëshira e madhe "le të ndërtojmë diçka për të fituar!"

Nëse e sheh me syzet e errëta të nihilistit, këtë mund ta quash makutëri, por nëse e sheh me syzet ngjyrë trëndafili të optimistit, kjo është përpjekje për zhvillim.

Shoqëria shqiptare kërkon të zhvillohet

Nuk ka pse mos kemi edhe ne "qiellzhvatëset"tona! Nuk mund të qëndrojmë gjithnjë në bisht të karvanit të qytetetërimit.

Sigurisht që nuk mund të ndërtojnë të gjithë. Sepse në të kundërt mjalti do qelbej!


Do ndërtojnë ata që janë brenda politikës, shokët e mediave, që i shërbejnë politikës, të lindurit për tregëti që e mësojnë shpejt ndërtimin dhe në fund edhe inxhinierët dhe arkitektët. Natyrisht edhe këta jo të gjithë, sepse janë diplomuar shumë gjatë dhjetëvjeçarëve. Do ndërtojnë më të aftët (jo domosdoshmërisht) dhe ata që janë në gjendje të bëjnë kompromise.

Se të hysh në sërën e ndërtuesve, në fillim duhet të "ndërtosh" brenda vetes atë që quhet "ndërtues". Përgjithësisht fillon me disa kompromise të vogla, vazhdon me krijimin e lidhjes materiale me politikanët dhe punonjësit e administratës , që kanë në në dorë lejet dhe pjesa e fundit është justifikimi i vetes se "të gjithë bëjnë kështu!"

Pra e gjitha sërish ka të bëjë me një proçes tepër konstruktiv. Do mbyllësh pak sytë rreth kapjes së sipërfaqeve të gjelbëruara, rreth ndotjes të mjedisit, rreth ngarkimit të trafikut, por do i thuash vetes: "në mos do e ndërtoja unë do e ndërtonte një tjetër". (Rastësisht këtë justifikim përdorin edhe ata qëmerren me tregëtinë e drogës).

 Pasi i shkrojta këto rrjeshta edhe unë e humba fillin e asaj që doja të shkruaja në nisje. 

Duhet të ndërtojmë apo nuk duhet të ndërtojmë?

Kjo është një pyetje tejet destruktive, sepse përgjigjen e ka marrë me kohë kudo në Shqipëri.

Saturday 12 August 2023

Gjithshka tjeter Merzi (Tutto il resto e noia - Franco Califano)

Po vërtet i pari takim,

Një emocion tronditës brenda teje

E fton për darkë diku ku ka klas,

Mjekrën për bukuri e ke rruar,

Makina vazhdon të lajë dhe atë çast

Do të jesh i përkryer atë mbrëmje

Mirë, kështu është, po më pas.


Gjithshka tjetër Mërzi

Jo, jo nuk thash' gëzim

Po mërzi, mërzi. mërzi.

E kobëshmja mërzi.


Po, vërtet puthja e parë,

Bën zmrën mos pushojë së dridhuri,

Përqafimi i gjatë si ëndërr të mituri,

Që nuk do jetë thjesht një aventurë.

Dhe thua gjërat e duhura në çastin e duhur

Mendon se po shkon mirë, nuk ka më bukur

Mirë, kështu është, po më pas...


Gjithshka tjetër Mërzi...

.....


Më pas nata e parë e dashurisë

Pasdite dhoma duhet rregulluar,

Të linjtat gri në shtrat shtruar,

Cdo gjë në kohe sa mbrëmja të nisë.

Natën e parë duhet të tregosh ti

Se je më i sosuri në botë për dashuri

Kështu është vërtet, po më pas..


Gjithshka tjetër Mërzi...

.....


Dhe pasi kalon viti i parë

Entusiazmi që brenda të ka mbetur,

Kur kujton fillimin të duket i fjetur,

Zenë fill tashmë mbrëmjet pa fjalë.

Sajon festa të kesh plot të ftuar 

Kështu diçka bën mendimet për të larguar,

Vërtet kështu, po më pas...


Gjithshka tjetër Mërzi...

.....




Tuesday 8 August 2023

Ndjenja "e dobishme" e vrasjes


"...apo ky vend ka mbaruar! Nuk ka më Vasil Laçi dhe Avni Rustemi!..."
 - pjesë bisede e kapur kalimthi mes dy burrash ulur në stolin e një lulishteje.

*        *        *

Ne duam të vrasim. Duam të vrasim gruan, vjehrrin, komshiun grindavec, avokatin e palës kundërshtare, numuruesin e votave në komision, por mbi të gjitha duam të vrasim politikanët. Ndaj dhe në historinë e 100 viteve të fundit, më të shumtët e njerëzve kujtojmë vetëm Avni Rustemin që vrau Esad Pashën dhe Vasil Laçin që donte të vriste Perandorin e Etiopisë dhe Mbretin e Italisë dhe Shqipërisë Viktor Emanuelin e Dytë. Nuk besoj se thotë më njeri : "Apo nuk ka më Migjen dhe Mitrush Kutel!"

Shqiptarët duan vrasje, të cilat si me magji mund t'ju rregullojnë çdo problem të jetës së tyre, madjendonjë vrasje shumë e bujshme mund të rregullojë edhe problemet e Ballkanit! Askush nuk mund të thotë se ç'ndryshime historike solli vrasja e Esad Pashës. Shqipëria nuk u bë as më e mirë dhe as më e mosvarme.

Atentati i Vasil Laçit ishte një episod edhe më i dëshpëruar, që nuk nxiti asnjë revoltë kolektive kundër italianëve.

Por vrasja e "të fuqishmëve" ju jep një nxitje psikologjike vdekëtarëve të zakonshëm, se edhe për të fuqishmit ka një fund. Ndoshta edhe kënaqësinë perverse, se dikush jashtë rrethit familjar dhe shoqëror, vritet.{Diçka do ketë bërë që e vrasin...nuk të vret njeri kot!)

Po a është dëshira e nëndërgjegjes së shqiptarëve, që dikush të vrasë një të fuqishëm, sa marrëzi aq edhe dinakëri dembele, për të të shpëtuar dikush "tak fak"?

Ka më shumë mundësi të jetë e dyta. Ne përtojmë të mblidhemi, të organizohemi, të solidarizohemi për diçka të mirë, në mbrojtje të interesit të të gjithëve ose të një grupi të caktuar. Ndaj edhe pse e dimë që (larg qoftë!) një atentat i sukseshëm ndaj Ramës, Berishës apo Metës, si dhe të treve sëbashku, nuk do na ndryshojë gjë, përsëri në kafenetë e shumta dhe në stolat e shtrenjtë të parqeve (nga vjedhjet në tendera) ne vazjdojmë të themi :

"Ah si nuk ka një Vasil Laçi a një Avni Rustemi!"

Primitivizëm i rehatshëm në shekullin e Inteligjencës Artificiale!



(Mbase na bën derman ndonjë AI i programuar si Rustem.)


Friday 4 August 2023

Librat, sendet e çuditshme


Ndoshta nuk jam krejtësisht gabim nëse them se, kur ishim fëmijë dhe na dhuronin ndonjë libër për ditlindje, me mendje theshim: "Pfff...libër...kujtoja se ishte ndonjë gjë më interesante!" (Fjala vjen ndonjë lodër). Dhe nuk e kishim "bezdinë" nga librat, por senë raftet e librarive mungonin titujt interesantë si "100 përrallat", "Na ishte njëherë", apo edhe "Tregime të moçme shqiptare". Nuk mund të ngazëlleheshe nëse të dhuronin " Cuku dhe Geku", "I vogli mund të madhin" apo "Princesha Argjiro".

Ama lodrat ose dhe dhuratat e tjera për fëmijë ishin të shtrenjta dhe ndoshta kjo e bënte më të volitshëm dhurimin e librave, që shoqërohej nga mendimi me 'pfff" i dhuratëmarrësit.

"Steriliteti" i shumicës së librave për fëmijë (por edhe për të rritur) i kohës së Diktaturës ka qënë faktori kryesor i "ftohjes" së shqiptarëve me librat. Në shumë qytete të Shqipërisë, edhe pse librat nuk ishin të shtrenjtë, blerjet ishin të pakëta. Gjithashtu anëtarësimi nëpër biblioteka ulej nga viti në vit. Ishte preludi i një "abandonimi shoqëror" të librave në të ardhmen.

Tani është më delikate se kurrë t'i dhurosh dikujt një libër. Dyshimi i parë në shoqërinë materialiste të fitimit, të këmbimit të përfitimeve, të "kafeve" dhe "kollitjeve" është :"ç'interes ka ky që po më dhuron këtë libër?"

Dyshimi i dyti dhe më i natyrshmi është ai i impenjimit.

" A do më duhet ta lexoj? Unë nuk kam as kohë dhe as dëshirë të lexoj libra!". Dhe me të vërtetë dhurimi i një libri dikujt që nuk ka dalë në pension, do i zerë disa orë nga koha e "relaksit" në kafenetë e shumta shqiptare, ku flitet përgjithshka dhe ndonjëherë edhe për libra. 

Por edhe dhurimi ndaj një pensionisti, që ka kohë të lirë me bollëk dhe njëkohësisht mjete financiare të kufizuara për të shijuar gjatë "relaksin" e kafeneve i shtohet problemi tjetër: "Ku do ta ve edhe këtë libër? Unë dua t'i hedh edhe ata që kam? Nuk është një vazo e punuar bukur, që të të këndellë vështrimin. Janë disa marrëzira në formë fjalish, vargjesh ose dialogjesh, ku e ku sa më poshtë se muhabetet nën hijen e tendave të kafeneve tona të bukura!" 

Matësi kryesor i vlerave në shoqërinë tonë është- luksi i aksesorëve. Për fat të keq, librat, këto sende të çuditshme nuk janë aksesorë. 


Thursday 3 August 2023

A do japë Rama ndonjëherë dorëheqjen?


Disa vite më parë, kur pata shkruar shkrimin "Po i vjen rradha edhe Tigrit", ndonëse nuk kisha përmendur se pas tij e ka rradhën Rama, mendoja se pas "dominosë" Ahmetaj do i vinte rradha të binte edhe eprorit të zv.kryeministrit, pra Edit. Më dukej e pashmangshme, që pas një veprimi financiar tejet të nxituar dhe makut, kreu përgjegjës të mos jepte të paktën dorëheqjen. Ishte një vështrim tjetër i gabuar i imi, bazuar në idenë se edhe sikur demokracia në Shqipëri të veprojë në masën 10-15% të demokracive normale, një skandal i tillë duhet të sjellë rënien e qeverisë.

Ne nuk jemi një shoqëri normale dhe mbi të gjitha kemi një kryeministër tmerrësisht amoral. Nuk duket asnjë shënjë që të ketë trysni brenda partisë së tij për këtë skandal. Edhe ata që mund të mos e duan Ramën, presin duke fërkuar duart se cili rival i tyre i drejtpërdejtë do ketë fatin e Ahmetajt. Pyetjet më të shpeshta në baret e Tiranës janë: "Do ketë arrestime tek Bashkia e Tiranës?,"Do e hajë Balluku?" "Po Gjiknuri?" dhe të tjera të ngjashme.

Në shtator, duarfërkuesit do presin se ç'ndryshime në qeveri do bëjë Rama dhe nëse do i përfshijë ata ose ndonjë të "tarafit" të tyre për të përfituar nga ç'ka të jep pushteti në Shqipëri.

Kur japin dorëheqje udhëheqësit autokratë? Kjo është pyetja e përgjithshme për rastin e liderëve të tipit të Ramës.

Këta lloj udhëheqësish bien kur ka trysni të mëdha nga forca politike që drejtojnë, trysni nga një kombinim i një opozite të fortë me mediat e pavarura, nga trysnia e një aleance të fuqishme ndërkombëtare.

Organizimi politik që drejton Rama është krejtësisht i kalbur dhe i pafuqishëm të ushtrojë trysni mbi Udhëheqësin e tij. Vetë Rama ka bërë të mundur që ata pak socialistë të papërfshirë në korrupsion të mos kenë asnjë mundësi të organizojnë ndonjë fraksion që ta rrezikojë. Të tjerët, edhe nëse do duan të marrin drejtimin e PS-së janë aq të përlyer sa është e pamundur të mund t'i dalin përballë Ramës dhe t'i thonë: "Shef, është koha të largohesh!"

Një bashkëpunim i opozitës me mediat e pavarura gjithashtu nuk mund të ushtrojë trysninë e duhur, sepse opozita është e dobët dhe e përçarë dhe mediat e pavarura nga qeveria janë gjithashtu shumë të pakëta.

Mbetet trysnia e amerikanëve dhe europianëve, e cila gjithashtu, për situatën në të cilën është politika



shqiptare është vështirë të thuhet se mund të ndodhë.

Në vende si i joni, me një demokraci hibride dhe të brishtë, Ndërkombëtarët nuk janë të interesuar për përmbysje të mëdha, të cilat nuk dihet se ku shkojnë ndonjëherë. Në interesin e tyre është që qeveria të jetë pro euro-atlantike dhe të ketë mundësi të funksionojë. Në morinë e problemeve që ka shoqëria shqiptare sipas këndvështrimit të tyre, korrupsioni i Ramës është njëri prej tyre dhe jo domosdoshmërisht më i madhi. Për më tepër, brenda dy organizimeve kryesore politike, nuk ka individë të shquar, të cilët ata mund t'i mbështesin për tu bërë kryeqeveritarët e së ardhmes.

Edhe pse në dukje situata është rënduar për Edi Ramën, nuk besoj se ai do japë dorëheqjen. Kjo mund të ndodhë vetëm se dikush nga ata që janë në burg, ose pritet të shkojnë në burg, do flasin duke treguar gishtin tek Rama si ideator dhe përfituesi kryesor i skemës së vjedhjes nëpërmjet plehradjegësve. Në të kundërt shpresa është po e njëjtë me atë që :"Një herë në 100 vjet, fluturon nga furra një patë e pjekur!"


Wednesday 2 August 2023

Nuk ka (ke, kam, kanë) shans!



Bisedë normale:


= Më jep edhe një shans të dytë!

- Nuk ke shans!


Bisedë e pazakontë:


- Mund të lemë takim pune nesër më 11 e gjysëm?

- Nuk ka shans!

- Eshtë e domosdoshme dhe nuk kam asnjë orë tjetër të lirë.

- Të thashë që nuk ka shans! E gjithë axhenda "full".

- Më duhet t'i tregoj klientit modelet e reja...Si bëhet?

- Modelet e reja nuk kanë shans të vijnë para të hënës...Kot!

- Atëhere ta lemë për tëhënë?

- Nuk di a do ketë shans të arrijnë? S'ka shans!



Bisedë e sajuar:


- Shkove në shtrat me ndonjërin prej tyre?

- Nuk kan' pas patur shans! Të rëndomtë!

- As me kreun e tyre?

- Gjall' në botë se mund të kishte shans! Ai ishte copë-copë...

- Invalid?!

- Je idiot! Nuk ke shans të më ndjekësh në bisedë!