Friday 31 October 2014

Nje monument Idiotësisë!

Pasi të hiqen skelat e kompanisë “Skela Syla”, Kulla vrojtuese
do shfaqet sikundër e prisnim me shumë nga kolegët e mij. Dominuese, brutale, e pavend.
Një monument kushtuar Idiotësisë!
Ka patur diçka, në natyrën e korçarëve, që e ka bërë edhe arkitekturën tradicionale të qytetit aq të harmonishme.
Vetpërmbajtja.
Ajo jo gjithmonë është një faktor nxitës për arkitekturën, por në rastin e Korçës ka funksionuar për bukuri. Kemi pasur deri vonë një opinion , i cili kërkonte ‘vetpërmbajtje” dhe kjo ka bërë , që të gabohet më pak se në qytetet e tjerë.
Duket, që gjithë marrëzitë e bëra dhe të pabëra të këtyre 23 viteve post-diktaturë u sintetizuan më në fund në Kullën Vrojtuese me një ‘kafene të kuqe në qiell”.
Nga çdo anë që ti sillesh( kam parë këto ditë foto nga të gjitha këndet), kjo pikë e re“fatkeqe” referimi e Korçës duket ashtu sikundër nuk duhet të ishte
IDIOTE.
Tani nuk mbetet gjë tjetër, veç ditës së përurimit, kur pushtetarët bashkë me “profesionistët zvarranikë“, që i rrethojnë të ngjiten të pinë kafen e parë e të thërrasin:

“O njerëz, po a e dini sa i madh ishte sheshi para Cajupit?’

Thursday 30 October 2014

T’marr t’pëlcas brenda!

Thënia e famshme e disa të Plotfuqishmëve të lagjeve, me të cilat qeshnim kur vinin të na ngrinin nga sofatet e Bonbonerisë mu kujtua në këtë valë arrestimesh të vjedhësve të energjisë elektrike, ndërtuesve, që ndërtojnë pa leje dhe shoferëve, që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor apo mundohen t’ju japin rryshfet policëve.
Shteti Ligjor po ndërtohet më në fund!
“T’marr t’pëlcas brenda!”
Ky kërcënim i ardhur nga “Shteti i fortë“ të bën të dridhesh, jo sepse burgu është i tmerrshëm, por pas tij fillojnë shumë halle me para, nga ato, që do ju japësh gardianëve për ndonjë favor, tek paratë për avokatin dhe llokma më e madhe, që duhet për gjykatësin.
“Po mirë të të bëhet!”- mund të hidhen të gjithe. “Mos e vidh energjinë!”
Vërtet , që energjia nuk duhet vjedhur, si nuk duhen vjedhur fondet e tenderave publike, si nuk duhen vjedhur paratë e studentëve për të marrë provimet, si nuk duhen shitur ilaçe të skaduara, e si nuk duhen bërë sa e sa marifete të tjera për të mbushur xhepat.
Vetëm një gjë nuk arrij të kuptoj. Nuk është në gjendje ERE, të bllokojë furnizimin me energji në lidhjet e paligjshme? Nuk mund të aplikohen gjoba të mëdha, të cilat I bëjnë njerëzit të mendohen dy herë para se të bëjnë lidhjen e kundërligjshme?
Në atmosferën e helmuar shoqërore në Shqipëri, ku shumë njerëz ushqejnë zili për ata , që janë pasuruar, këto lloj fushatash sjellin një dëm të madh edhe psiko-edukues. Sjellin gëzime të fshehta dhe të hapura të shtresave të varfra, që ngazëllehen kur dëgjojnë për arrestime dhe thonë “Mirë t’ja u bëjnë!” Të tilla pati menjëherë pas luftës, kur tregëtarët apo pronarët e pasur i fusnin brenda dhe i shtronin në dru deri sa të tregonin florinjtë. Nuk them, që vjedhësit e energjisë janë në të njëjtat pozita me tregëtarët e ndershëm të atyre kohërave, por masa të tilla si këto të javëve të fundit nuk janë të natyrës të një shteti ligjor demokratik.
Të shpien dalëngadalë në të tjerë lloje shtetesh.
Ata të tipit:

“T’marr t’pëlcas brënda!”

Tuesday 28 October 2014

Rreze drite për Drejtësinë

Kam qënë shumë pesimist për mundësinë e reformimit të Sistemit të drejtësisë në Shqipëri, për të paktën një ose dy dekada. Këtë bindje e kam pasur duke konsideruara vetëm dy gjëra: Nivelin e ulët intelektual dhe arsinor të juristëve tanë dhe korrupsionin stërmadh brenda sistemit. Pa përmirësime të ndjeshme në sistemin e përzgjedhjes të studentëve , arsimimin e tyre si dhe një kontrolli sistematik të sistemit nga Institucione Juridike Europiane nuk mund të ketë shpresë. As mund të bëhet  fjalë , që politka e pareformuar shqiptare të jetë në gjendje të reformojë Drejtësinë.
Ky shënim, që nuk thotë asgjë të re në këtë drejtim, mori shkas nga një CV, e botuar në shtypin tonë dje. Eshtë CV-ja e një kandidateje të PS-së për të zëvendësuar njerëzit e PD-së të hequr nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Kandidateja është juristja Albana Shtylla, e cila sot mban detyrën e Sekretares së Përgjithshme të Kuvendit Popullor.
Sigurisht, që nuk ka njeri të lexojë CV-në e saj, e cila është plot 8 faqe dhe me “spacio” të ngushtë. Duket mbresëlënëse nga gjithë ato gjëra, që ka mundur të bëjë një juriste shqiptare në moshën 44 vjeç. Dhe një juriste, e cila ka kryer shkollën nga shtatori I vitit 1988 e deri në qershorin e vitit 1992, kohë kur në Tiranë nuk “merrte vesh qeni të zotin” e jo më pak të mësohej në universitete apo të ndryshoheshin programet nga ato të sistemit juridik revolucionar socialist në një system juridik normal.
“Normal” do thotë këshilltari juridik i avokatit tim edhe pse nuk e përdor këtë fjalë të stërpërdorur në atdhe. “Vetëm një jurist, që i njeh bazat e sistemit si dhe të sistemit pa sistem mund të jetë e aftë t’I japë drejtim punëve në Drejtësi.”- do shtojë. Por le ta “gjykojmë“ juristen Shtylla sipas parimit të njohur juridik “ konsiderohet e pafajshme”, sepse nuk mund të hedhim në një kosh gjithë juristët, të cilët morën diplomat në ato vite rrëmujë. Për më tepër, Shtylla ka bërë Master dhe është(sipas CV) edhe kandidate për PhD! Ky është një nocion krejt i panjohur për mua, por pyeta edhe njerëz të studiuar në Amerikë dhe Kanada, të cilët mohuan se ka një ‘status’ të tillë. O ke PhD ose nuk ke. E megjithatë po të shohësh numurin e diplomave dhe të çertifikatave të marra nga juristja Shtylla më e pakta, që mund të thuash është “i papam”. Diploma të Harvardit, universiteteve të Greqisë, Cekisë, Hungarisë, Italisë e plot të tjera. Duket, që juristja në 20 vjet pas diplomimit ka mbetur me valixhe në dorë universiteteve dhe aeroporteve të botës. Ndaj edhe pse nuk ka akoma PhD, me ato çka ka studiuar s’ka pse mos i jepet automatikisht. Dhe akoma nuk kam përmendur botimet e saj shkencore, ku nuk është përfshire edhe Cv-ja prej 8 faqesh.
-Po kujt i vlejnë këto paragraphë?- do më pyesë një miku im, që ka thuajse të njëjtën linjë me këshilltarin juridik të avokatit tim.
Mbase edhe kanë.
Ndoshta këto fjalë të hedhura në erë, lexohen nga disa të rinj shqiptarë, që kanë hyrë në rrugën e bukur e të vështirë, që një ditë të bëhen gjykatësa. Mbase mësojnë nga këto fjalë se ç’farë nuk duhet të bëjnë gjatë kësaj rruge.

Të paktën të mos mbushin 8 faqe me ‘spacio” të ngushtë për të rrëfyer bëmat e tyre.

Monday 27 October 2014

Simbolet

Po mundohem të kujtoj, se ç’gjëra “pa shpirt” kishim të ‘shenjta” në fëmijëri, kohë kur në trurin e njeriut vendoset një raport fetishizues ndaj simboleve. E kam të vështirë. Ndryshe nga shumë shtëpi ku kisha hyrë, ne nuk kishim “korë“, pranë të cilës të digjej kandili dhe t’i drejtoheshim me lutje gjatë ditës. Dy sende ishin më të rëndësishmet. Biblioteka “e vjetër”(kështu e quanim pas vitit 1971, kur blemë të renë) dhe një fotografi shumë e madhe e gjyshit dhe gjyshes, që ishte në dhomën ku flinin prindërit. Në mure kishte të varura edhe foto të tjera, por asnjër syresh nuk kishte madhësinë, që mund të krahasohej me foton e Stambolit të prindërve të babajt.
Biblioteka e vjetër, në dhomën ku flija me motrën, ishte një raft i madh librash, në të cilin librat ishin të vendosurnë dy “sërë“ njëri pas tjetrit dhe kishin bërë të përkuleshin dërrasat e rafteve, që i mbanin. Nuk mbyllej me çelës, por librat nuk I preknim pa pyetur babanë. Librat tona si dhe periodikët e fëmijëve ishin në një pjesë të “garderobit” ku mbanim edhe veshjet tona si dhe shumë gjëra të tjera, nga ato, që ka çdo shtëpi. Në një sirtar poshtë ishin disa dekorata dhe medalje të babajt, që më ngjallnin kuriozitet, po që nuk më dukej se atij i bënin përshtypje, se nuk kisha parë të vinte kurrë të tilla, si kisha parë të mbanin burra të tjerë në rast festash. Pranë bibliotekës rrinte në kuti makina e shkrimit Everest, për të cilën ai kujdesej veçanërisht dhe që shpesh gjatë natës kur punonte, bezdiste me çak-çukun e saj ata , që rrinin poshtë nesh.
Në shtëpi nuk kisha dëgjuar kurrë përbetime apo ngritje dollish. Kur i mendoj tani, them që jeta në shtëpinë tonë duhet të ketë qënë pa synime dhe objektiva të qarta. Ne nuk kishim ndonjë nderim të veçantë për asnjë lloj gjëje pa shpirt, si dhe për asnjë figureë patriotike apo politike, që kishte vdekur. Deri sa u bëra 10 vjet nuk kishim as fotografi dhe as vepra të Enver Hoxhës. Kishim disa vepra të Marksit dhe Leninit në frëngjisht, të cilata babai duhet t’i kishte blerë në vitet e para të luftës ose në ndonjë nga dy vizitat , që kishte bërë në Jugosllavi. Edhe në kutinë me fotografi, të cilën e hapja shpesh në dimër, kishte vetëm foto të familjes, të të afërmëve dhe një foto e Alqi Kondit, me të cilin babaj kishte punuar disa muaj në Tiranë para se  të ndodhte aksidenti me motoçikletë në të cilin djali i vogël i Kondëve humbi jetën.
Pra ne nuk kishim idhuj as simbole të cilave t’ju drejtoheshim me adhurim ose të betoheshim mbi to.

Por prej vitit 1962 e deri më 1966, unë kaloja një pjesë të mirë të ditës në kopësht ndaj më duhet të them, që ‘propaganda” me simbole nuk ishte shumë e fuqishme edhe atje. Më tepër se këngë për Partinë dhe Enverin, atje na mësonin këngë partizane dhe edhe pse kishte thuajse 20 vjet, që kishte mbaruar lufta, dashuri-urrejtja jonë ishte akoma në “kudhrën” partizanët kundër gjermanëve dhe fashistëve Italianë. Nuk përmendeshin kërkund grekët apo sërbët, si dhe Kosova apo Shqipëria Etnike ishin nocione joekzistente. Diçka përmëndeshin fqinjët në një këngë patriotike të quajtur “Kënga e alfabetit”, ku betoheshim , që “shkronjat turçe dhe greqishte nuk i duamë…kemi tonatë“.
(vijon)

Sunday 26 October 2014

Eja hënë!

Dua t’i flas hënës,
Hënës së hajthme e të verdhë,
Si n jë vajzë që të hajë ka frikë.
-Eja- Dua t’i them - në vjeshtë tonë
Plot ngjyra dhe begati
Ku dhe ata që stonojnë
Këngë thurrin;
Ata që këmbën heqin një çikë
Valleve fluturojnë.
Ku dhe ato, që era e mushtit i deh,
Me gota të mëdha verën e pinë;
Ku dhe më të turpshmit fëmijë,
Mendojnë për dashurinë,
Buzët çikin,
Lirishteve vrapojnë
Duart zënë.
Eja në të begatën vjeshtën tonë
Kryen e sofrës do kesh deri vonë pas agut.
Eja hënë!

Thursday 23 October 2014

E frikshme qetesi

A është rrafsh
Apo një tjetër hapësirë misteri,
Kjo ku endemi të dy
Dhe tallemi me hijet tona?
Puthemi e përsëri puthemi,
Shihemi në sy,
Në një të çuditshëm rrotullim,
Ku edhe pse këndojmë zëlartë,
Tek ne më nuk kthehet jehona.
Sa shumë qetësi!
E frikshme qetësi
Që më bën të pëshpërit:
-Të dua!
Ndërsa tingulli nuk shkon kërkund,
Por lehtas rëshqet trupave tanë të lakuriqtë
E mbetet përgjithnjë

Tek ti.

Lubonja dhe Ballist Morina

Ballist Morina veçse tifoz i çmendur mund të jetë edhe nacionalist i zjarrtë, gjë që e bën të largohet nga mënyra se si e shikoj unë Atdheun dhe Botën në të cilën jetojmë e megjithatë në këto dhjetë ditë është shqiptari, që më ka ngjallur më shumë simpati dhe them pa frikë që duhet të shpallet njeriu i vitit në trojet shqiptare.
Fatos Lubonjën e konsideroj intelektualin më të pavarur dhe më të mençur të Shqipërisë, dhe opinionet e tij rreth shoqërisë shqiptare në të shumtën e rasteve përputhen me të mijat. por jo vetëm, që nuk më krijon simpati në komentet e tij rreth nacionalizmit, që gjeneroi ndeshja Sërbi-Shqipëri, por më ve në dyshime nëse konceptet e tij rreth lirisë janë vërtet në shkallën në të cilën ai pretendon se i ka.
Duke ju referuar veprimit tani të famshëm të Morinës, Lubonja jo vetëm e quan akt të dënueshëm, port hotë se e gjithë shoqëria shqiptare(përfshi dhe shtetin) duhet ta dënonte.
Po le t’i kthehemi edhe njëherë “prank-ut” të Ballist Morinës dhe nëpërmjet tij dhe asaj ç’ka ka bërë edhe në Slloveni, të hulumtojmë reth koncepteve që ka Morina rreth lirisë.
Morrina është një shtetas italian, që ushqen ndjenja të forta për futbollin dhe kombëtaren e vendit të tij. Janë me mijra në botën perëndimore të tillë. Në një ndeshje me Slloveninë, kishte menduar të ngjitej mbi një barrierë shumë të lartë teli dhe të ecte mbi të i mbështjellë me flamurin shqiptar. E realizoi dhe askush nuk u kujtua të fliste për të as për mirë as për keq. Të njëjtën gjë nuk mund ta bënte në Beograd, sepse atje nuk do lejoheshin shqiptarë dhe simbole shqiptare dhe edhe nëse mund të hynte në stadium, nu do arrinte të bënte “show-n” e shumëëndërruar. Ndaj si një qytetar i lirë i Botës së lirë përgatiti dhe realizoi idenë e tij në një mënyrë shumë origjinale, që ka entusiazmuar gjithë tifozët e futbollit në botë dhe sidomos ata të rinj, që mund të japin gjithshka për “15 minuta famë“. Koncepti i Lirisë i Morinës është jo vetëm i shekullit të 21-të, pork u e ku sa më i përparuar se koncepti i Lubonjës. Ky i fundit flet për “vetëdije politike dritëshkurtër të tifozëve”, që “nxit vaë antishqiptare atje ku jetojnë shqiptarët dhe na ve në vështirësi me Evropën.”!? Për fat të keq, kjo lloj “logjike”(aspak e logjikshme) ju ngjet si pikë uji orientimeve të sekretarëve të partisë për sjelljet e shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, që të dëshmonin jo vetëm “vetëdije politike” por edhe përputhje të plotë me “Mësimet e Partisë“.
Shtuar  një lloj “antiamerikanizmi”, që Lubonja shfaq jo rrallë në analizat e tij, kjo lloj përulje ndaj “burokratëve të Brukselit”, të bën të mendosh, se edhe pse antikomunist Lubonja është “proestablishment”.

Në të kundërt nuk kam se si spjegoj mllefin e tij ndaj lirisë të Ballist Morinës.

Tuesday 21 October 2014

Teoritë komplotiste

C’fshihet pas një veprimi? Cilat janë motivet? C’farë e shtyn të shkruajë posaçërisht për këtë?
Për fat të keq, formimi ynë materialist dhe këmbëngulja në marëdhënia shkak-pasojë, na ka bërë, që të jemi të apasionuar ndaj “teorive komplotiste”. Mbase ka të bëjë edhe bindjen tonë të patundur, se çdo gjë në shoqërinë njerëzore mund të spjegohet. Të frymëzuar nga tregimet e revistës “Në shërbim të popullit”, romanet e Simenonit dhe filmat majtistë francezë të viteve ’70, ne shtrydhim e stërshtrydhim mendjen tonë, se ç’fshihet pas këtij veprimi apo deklarate politikani, atij shkrimi të një analisti të njohur ose jo dhe sidomos ndaj ngjarjeve me rëndësi ndërkombëtare. Më “kompetentët” prej nesh i kanë të gatshme zgjidhjet me “US ex machina”, lobin çifut, masonët, Klubin e Bilderbergut, Vatikanin,  lobin grek në Amerikë e deri në Illuminatit. Të gjitha spjegohen thjesht pastër dhe pa asnjë ngecje.
Për ngjarjet në botën shqiptare e kemi më të lehtë, se mund të përdorim spjegimet me kunetër, dashnore, baxhanakër e kushërinj të parë. Përshembull, dikush më bënte be e rrufe, që një shkrim i një analisti kundër një një njeriu të njohur ishte bërë me porosinë e të vëllait të analistit, për të përmirësuar marëdhëniet e prishura dikur midis zv.kryeministrit dhe analistvëllait!
Këto më kujtojnë një tregim të paharruar në tren në vitin 1984. Një grua durrsake afër të 50-ve, tregonte për bëmat famëkëqia të Mihahallaq Ziçishtit , kur ishte Sekretar i Parë në Durrës, mes të cilave “më e rrezikshmja” kishte qënë tentativa për t’i vënë zjarrin shokut Rita Marko. Armiku i Partisë Ziçishti kishte përfituar nga që shoku Rita kishte veshur një këmishë sintetike dhe me shkrepse gati i kishte vënë zjarrin, po të mos kishte qënë vigjilenti Hekuran Isai!
Nuk është e panatyrshme, që një pjesë e mirë e ngjarjeve të rëndësishme shoqërore apo politike, si dhe shkrimet rreth tyre apo që ju paraprijnë, të kenë prapaskena ose të jenë edhe të ndërtuara me njëfarë skenari. Por prirja e një pjese të mirë njerëzish, që të zbulojnë “komplotin” pas çdo ngjarjeje sado të thjeshtë, në rastin më të mië mund të quhet “nxjerrje e nxituar e një konluzioni”(jump in conclusion) se në përgjithësi fsheh injorancë dhe deri në paranojë.
Nuk do merrem me ngjarjet më të bujshme, që kanë dhjetra variante teorish komplotiste, si 11 shtatori, vrasja e Kenedit apo Protokolli i Pleqve të Sionit, por me ngjarjet më të thjeshta, që lidhen me vendin tim apo edhe me jetën e përditshme të shoqërisë shqiptare.
(vijon)



A duhet të pranojmë të pashmangshmen? (3)

(vijim)
E gjithë shtresa , që po përmend(edhe pse nuk është tërësisht e pastër, sepse në të ka edhe pjesë, që kanë një farë lidhje me politikën) mbetet tërësisht inaktive në jetën shoqërore dhe politike të vendit, përsos blerjes së gazetave, dëgjimit të televizioneve dhe sharjes në kafene të politikanëve të të dy krahëve. Pra edhe nuk e do pjesëmarrjen, por nuk është aspak indiferente ndaj politikës. Eshtë një shtresë amorfe, që nuk është në gjendje të “luftojë“ për të drejtat dhe interest e saj, por është dorëzuar dhe mjaftohet vetëm me sharje dhe shprehje të pakënaqësisë dhe mosbesimit. Duket se kjo shtresë nuk do të bëhet “armike” me të dy krahët, për të mos ndjerë në kurriz të  plotë  “zemërimin” e klasës politike. Cmimi , që paguan, është pasiguria, mungesa e prosperitetit, falimentimi. Pra ka fituar vetëm “përkrahjen zyrtare” nga politika, por dëmin e ka po të njëjtë.

“Falimentimi” i shtresës së  mesme ndaj politikës, është  më  i dukshëm në  Europën Lindore se në  Perëndim dhe akoma më  i theksuar në  Shqipëri. Këtu ka rol mosbesimi tradicional tek politika, mungesa e një  shteti demokratik në  100 vitet e ekzistencës të  shtetit shqiptar, vrasjet e shumta të  politikanëve duke filluar me Esad Pashë n dhe Avni Rustemin e duke pë rfunduar me Kadri Hazbiun dhe Azem Hajdarin etj. Thuajse në  gjithë  brezat e shekullit të  XX-të  mbizotë ronin porosityë  e të  vjetë rve: “Mos u merrni me politikë !” apo “Politika është  kurvë .” Politkia ishte një  profesion i lodhshë m dhe i rrezikshëm, të  cilës vetëm një  pakicë  “ja kishin parë  hairin!” Ndaj orientimi për të  rinjtë  ishte drejt profesioneve dhe bizneseve të  vogla. Ky mentalitet i shoqë ruar edhe me armiqësinë  ndaj shtetit ka bërë , që  një  pjesë  e mirë  e “popullsisë  të  ndershme” të  rrijë  larg politikës. Në  ndryshimin e sistemit, drejt partive vërshuan arrivistë , batkçinj, ish –spiunë  dhe një  numur idealistësh, por kategoritë  e para shijuan frytet e të  marrit me politikë  dhe në  këtë  shekull raporti i njerëzve me politikën ka ndryshuar. Sigurisht jo për mirë . Mund të  gjesh tani një  përqindje të  madhe të  rinjsh, të  interesuar të  hyjnë  në  politikë , të  nxitur edhe nga familjet e tyre me qëllimin e vetëm të  zenë  një  post sa më  të  lartë  në  administratë  “për të  bërë  para!”.
(vijon)

Monday 20 October 2014

Të shkojë apo mos shkojë?

Kjo është çështja.
Ka dhjetë ditë, që gazetat tona janë të mbushura me artikuj rreth vajtjes së Ramës në Beograd. Për të shkruajnë analistët e politikanët e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë. Të gjithë kanë një opinion të caktuar dhe te argumentuar mirë, që Rama duhet ose nuk duhet të shkojë. Mungon opinion i tretë, ose i quajtur opinioni-Qeleshi: Po edhe mund të shkojë  dhe mund të mos shkojë.
Duhet të pranoj, që në këtë çështje të politikës pallkanike apo europiane, unë jam fare i padijshëm(tingëllon më bukur se injorant). Edhe pse nisa të lexoj disa artikuj pro dhe po aq kundër dhe asnjërit syresh nuk I shkova deri në fund, nuk arrita të kuptoj, që ç’mund të fitojmë nga e vajtura apo nga e mosvajtura.
Do tregohemi më europianë nëse shkon?
Fiton çështja kombëtare dhe sidomos ajo e Kosovës?
Thyejmë “këmbën e shejtanit”?
E vetmja gjë, të cilën arrij të kuptoj është që Perëndimi do, që Rama të shkojë dhe të takohet me Vuçiç. Eshtë tamam si një mësues, që jut hotë dy fëmijëve gridavecë :“Jepini dorën njëri tjetrit dhe mos u zini më!” Po nëse dy gërrmërristat do i japin dorën me pahir njëri tjetrit, nuk di se si mund të kenë dobi popujt që i kanë në krye. “Mësuesi” do fitojë, se do ketë një telash më pak në “sepetkën” plot me problem të tij, si dhe dy kryeministrat mund të fitojnë një lloj kredie në sytë e tij. Kjo pak a shumë përkthehet, që populli shqiptar dhe populli sërb do e ketë më vështirë t’i heqë qafe dy politikanët e korruptuar, agresivë dhe të paskrupullt Rama dhe Vuçiç. ata mund të marrin nga një cilësim pozitiv si ‘burra shteti” nga Brukseli dhe Uashingtoni, gjë që do e venë si dekoratë në gjoks  dhe do e përdorin në fushatat e ardhme elektorale.
Po a duhet të shkojë?
Ja përsëri u kthyem në pyetjen e parë, të cilës do i përgjigjesha:
“Rama le të shkojë dhe asgjë nuk do ndryshojë në Ballkan dhe ju të dashur zotërinj të Medias, mjaft na çatë b…  me analizat dhe zhurrmën rreth kësaj dileme kot!”

(Njerëzit në Tiranë dhe Beograd kanë nevojë për vende pune.)

Sunday 19 October 2014

Portret ne te kalter te trishte

Ai dukej i trishtuar. Kishte një zgjatje në fytyrën e tij të bardhë, q ë i jepte atë, të cilën prozatorët e sprovuar e quajnë hije trishtimi. Kishte tipare, që të mbeteshin në mendje dhe thuhej se gratë me njëfarë përvoje në dashuri bënin ç’ishte e mundur t’I afroheshin. Por ai mbetej i palëkundur në trishtimin e tij dhe në pasigurinë, që përcillnin sytë e tij të kaltër. edhe pse kapelen e peisbollit e kishte vënë si dymbëdhjetvjeëarët, me strehën pas ishte i  pasigurt. Ishte i gjatë dhe pa bark. I drejtë. Veshur nga kapelja e beisbollit e deri mbi noçka me xhinse “Levis”. Noçkat I dukeshin se pantalllonat ngjyrë të kaltër i kishte të përveshura dhe brenda sandale-këpucëve të zeza nuk kishte çorape. Mbase kishte kërkuar më kot të gjente të tilla xhinse atje ku kishte blerë edhe këmishën në blu të errët edhe xhaketën në një lloj të kaltre në gri.

Dikur kishte humbur gruan pas 6 vitesh martese. Kishin qënë shumë të dashuruar dhe të gjithë e dinin që nuk grindeshin kurrë. E kishte humbur papritur. Pas një mëngjesi në një nga ato bujtinat e vogla në një qytezë turistike. Bujtinë nga ato V&V, që donin të ndryshonin nga të njohurat ndërkombëtare B&B edhe pse ishin thuajse njëlloj.  V-të përfaqësonin Vendfjetje dhe Vezë. Silla e mëngjesit ishte gjithnjë vezë. Të gatuara në mbi njëzet e ca mënyra të njohura të vendit, por edhe ndërkombëshe. Pronarët krenoheshin me më të famshmen e tyre, vezë pate brenda lëkure gamileje të pjekura mbi gurë të nxehur. Sigurisht , që shërbeheshin vetëm vezët dhe lëkura ruhej edhe për pesëmbëdhjetë gjashtëmbëdhjetë herë të tjera. Deri sa ronitej. E megjithatë, më të kërkuarat ishin vezë tigani të përzjera me llukanikë fshati dhe “San Benedikt”. Ajo kishte porositur të njëjtën sillë, si një mjek radiolog, që posa ishte kthyer nga Zelanda e Re dhe mendonte të kthehej sërish atje, sepse kishte pësuar një magjepsje të “papame” nga peisazhet. Vezë tigani të përzjera me llukanikë fshati. Prej atje kishte filluar humbja ,që kishte qënë e rrufeshme, por dhe shumë e dhimbshme. Dy muaj më pas kshte ikur bashkë me mjekun në zelandën e re, ndërsa një bujtinë   V&V, rreth 30 kilometra larg asaj të vezëve të patës, ishte shkrumbuar brenda disa orësh. Ai kishte humbur të vetmen dashuri të fortë dhe njëkohësisht kishte fituar trishtimin. Ishte i trishtuar.

Friday 17 October 2014

Festa e Flamurit me dron

Me plot dëshirë, nëse do kisha një revistë me emër në botën shqiptare, personazhin e vitit do shpallja Ballist Morinën. Me një veprim jo të dhunshëm, të menduar dhe të realizuar në mënyrë të përsosur, djaloshi nga Tetova ‘çorbaviti” gjithë ballkanin dhe ju prishi gjumin jo vetëm politikanëve serbë dhe shqiptarë por edhe Papuliasit, Venizellosit, baroneshës Ashton, Platinisë, Blaterit, Kristiano Ronaldos, e ndoshta edhe deri tek Vladimiri i Tmerrshëm, që pritet këto ditë në Beograd. Reagimet dhe jehona i tejkaluan ato ç’mund të kishte menduar ‘bubuleshi” nga një qytet shqiptar, ku të drejtat e shqiptarëve janë shkelur vazhdimisht.
Po le t’i lemë të huajt në marrëzitë apo gjakftohtësinë e tyre dhe le të merremi me festën e politikanëve tanë të asaj nate dhe të ditëve në vijim.
Po a kishte për të festuar mbrëmjen e 14 tetorit? C’farë festohej në Tiranë, ku nxituan të mos mbeten pas edhe politikanët tanë?
Sipas autorit të rrymës së “nacionalizmit elokuent”, Spartak Ngjelës është festa e “…një epoke të re e cila ka nisur me flamurin real shqiptar, territorin real shqiptar dhe me dy figurat e historisë reale të Shqipërisë moderne: Ismail Qemali dhe Isa Boletini, të valëvitur në Beograd. 
Me një fjalë, ne nuk festuam as lojën e mirë të kombëtares sonë, as sjelljen e qytetëruar të futbollistëve, as mbrritjen e tyre shëndoshë e mirë në aeroportin e Beogradit, por “epokën e re me flamurin real”!
Këtë kanë pasur në mendje edhe qeveritarët , që nxituan në Rinas, Basha që ju në mes të natës një titull nderi dhe Nishani, që i priti menjëherë, pa ju bërë kurrë më parë pritje. Të gjithë “Nastradinët” e politikës shqiptare nxituan të hyjnë në strehën komode të nacionalizmit. Harruan, që pamjet e festimeve, stonojnë me sjelljen e matur të futbollistëve tanë në Beograd. Për më tepër, mund të shërbejë si shkas, që politikisht të vlerësohemi po njëlloj si Sërbia, kur kjo e fundit me politikanët e saj miopë dhe të tërbuar, la një përshtypje gati mesjetare tek opinion ndërkombëtar.
E megjithatë, nuk do merakosesha kaq shumë nga sjelljet e politikanëve tanë, të cilët dihen se cilët janë dhe nuk mund të presësh prej tyre as gjykim të ftohtë dhe as vetpërmbajtje. Me përjashtime të rralla, gjithë gazetarët dhe analistët i rëndojnë ngjyrave emocionale të “shqipeve”, ‘simboleve”, “serbëve vrasës” e të tjera si këto. Por edhe në mediat sociale ka thirrje të hapura nacionaliste, ekzaltim, cilësim të sërbëve si “barbarë“ apo “të mbetur në epokën e dyndjeve”, evokim të padrejtësive, që na janë bërë në shekuj e broçkulla të tjera si këto, me të cilat janë mbushur gjithë tekstet e historisë të shkollave bullgare, serbe, shqiptare, greke, maqedonase, malazeze, rumune e kroate.

Flamuri me drone “ i emocionoi” të gjithë. Sidomos ata që emocionohen lehtë se duan apo se nuk kanë shumë mend, por vetëm instikte.

Thursday 16 October 2014

Kush është kryeministri sërb?

Në një foto gjatë një deklarate rreth ndeshjes Sërbi - Shqipëri, kryeministri sërb, mu duk sin jë “igavec gollash” nga pamja dhe nga ato ç’ka thonte rreth ndeshjes. Edhe pse nuk kam idenë e jetës politike në Sërbi, nisur nga komentet e sërbëve dhe boshnjakëve, që kam njohur këtej, di që politikanët e Ballkanit kanë pak ndryshime nga njëri tjetri ndaj mund të krahasohen lehtë e treshen tonë Berisha- Meta- Rama. Megjithatë u bëra kureshtar, sepse deklaratat e tij dhe ministrit të tij të jashtëm ja u kalonin nga papjekuria të gjitha deklaratave rreth politikës së jashtme, që kanë bërë politikanët tanë këto 20 vitet e fundit.
Vuçiç, qënka një avokat 44 vjeçar, që s’ka punuar asnjë ditë si avokat, por tash 20 vjet merret me politikë. Nuk ka asnjë diplomë nga ndonjë universitet i huaj, bile ka qënë një nga më aktivët në partinë ultra-nacionaliste të Sheshelit. Më pas, ka ndjekur presidentin e sotëm tomiç në formimin e një partie të djathtë, që është më pro-europiane se e para. Mbrojtës i hapur i kriminelit të luftës Ratko Mladiç dhe i gjithë ultranacionalistëve sërbë. Kur ka qënë ministër informacioni, ka qënë mbytës i shtypit të opozitës, deri sa është akuzuar edhe për vrasjen e një gazetari të njohur.
Por partia e drejtuar prej tij ka fituar zgjedhjet dhe ai vetë, në sajë të ‘propagandës antikorrupsion”(si Berisha dikur), ka sot një përkrahje prej 70% mes sërbëve.
Po le t’I lemë të qetë zgjedhësit sërbë në preferencat e tyre, se ndoshta edhe ata, sikundër ne nuk kanë shumë opsione se nga të “përplasin kokën”. Le të shohim shkurtimisht, deklaratën e tij dhe atë ç’ka ndodhi në Beograd.
Kryeministri i një prej vendeve më të mëdha në Ballkan, thotë se “ka njoftuar BE, tre orë para ndeshjes, se shqiptarët po përgatisin diçka shumë të rrezikshme dhe provokuese”.
Unë nuk e di se cili burokrat europian ka qënë në anën tjetër të telefonit dhe nuk I ka thënë, “po ç’ke bërë ti në lidhje me këtë informacion, që ke nga shërbimet tënde sekrete?” (Kam shumë dyshime edhe në sjelljet dritshkurtra të burokratëve të Brukselit, që përkrahin të tillë udhëheqës në Ballkan, mjaft të mos jenë pro-Putin.) Dhe këtë marrëzi, jo vetëm e ka bërë, por dhe e thotë faqe popullit të tij, të cilët shumë mirë mund t’I thonë, “Jep dorëheqje, ose shkarko ministrin tënd të rendit!”
Tërbimin, që nuk kanë qënë në gjendje të ndalojnë një “drone me flamur” të Ballist Morinës edhe pse kanë pasur mijra forca policie në afërsi të stadiumit dhe njëkohësisht nuk kanë lejuar të afrohen shqiptarë, Vuçiç e përcjell në një deklaratë mëse prej kalamani. Ana më negative, është se dhe një zyrtar i lartë futbolli si Platini ngre pyetjen “po sikur në vend të flamurit të ishte një bombë?!”
“Uiiiiii, mësjë Mishel, edhe ti duhet të kërkosh dorëheqjen e kryeministrit sërb se mund të ishte edhe bombë dhe autoritete serbe nuk ishin në gjendje ta ndalin!”

Rreth një ndeshje futbolli po bëhet shumë politikë. Dhe kjo ndodh, si e përmenda në një shkrim të mëparshë, që në Ballkan sundojnë huliganët me costume!  Të përkrahur edhe nga burokratët dembelë të Brukselit.

Wednesday 15 October 2014

Huliganët

Ballist Morina nga Tetova, bashke me disa shokë të tij, bënë atë , që ndodhi mbrëmë në stadiumin “Partizani” të Beogradit. Në botën anglo-saksone quhet një “prank” ndërsa në botën balkanase mund të quhet provokim, thirrje për luftë, përdhosje e simboleve, krenari kombëtare, fluturimi i shqipeve dhe çdo lloj marrëzie tjetër.
“Pranku” i Ballist Morinës, ishte vërtet një sfidë elegante, që i bëhej një atmosphere absurd kontrolli, ndalimesh, rrethimesh policore, nga ana e shtetit ballkanik të Sërbisë. Nuk ka as pse ta ndëshkosh dhe as pse ta bësh me faj për atë që ndodhin. Të illa ndodhin shpesh në ngjarjet sportive, të cilat ndiqen nga një numur, ku njerëz me mesazhe politike apo shoqërore i shpëtojnë kontrollit dhe prishin për disa minuta atmosferën sportive. Ballist Morina arriti më shumë se ç.mendonte të arrinte në disa javët e planifikimit të ngritjes së flamurit me hartën e Shqipërisë Etnike. Jo vetëm prishi ndeshjen, por bëri të veprojnë me të njëjtën logjikë dy shtete. Të vetmit “viktima” ishin aktorët e një ndeshje futbolli- futbollistët shqiptarë dhe serbë. Të dy palët(përjashto këtu rezervat e Sërbisë) treguan se janë profesionistë dhe të qytetëruar. Por jo e njëjta gjë ka ndodhur me shtetet dhe mediat, sidomos me shtetin serb.
Shteti ballkanik serb dështoi plotësisht në organizimin e një ndeshjeje futbolli, duke filluar me përgatitjen psikologjike të tifozëve të tij dhe duke përfunduar me forcat e shumta policore, të cilat nuk ishin në gjendje të ndalonin hooliganët serbë të hynin në fushë dhe të godisnin lojtarët shqiptarë. Edhe pse i ishte pranuar kërkesa për të mos lënë tifozë shqiptarë në stadium. Më tej, me deklaratat e përfaqësuesve të tij të lartë, tregoi se nuk ka mësuar asgjë nga politikat dhe sjelljet europiane. Fajësoi shqiptarët për prankun e Ballist Morinës!
Po njëlloj reagoi shteti ballkanik shqiptar dhe mediat ballkanike shqiptare. Në vend të vinin theksin mbi gjakftohtësinë që treguan futbollistët tanë dhe të përcilnin me reagimet e tyre të njëjtën gjaftohtësi, vazhduan me euforinë pseudo-nacionaliste, që ngre në qiell veten dhe nuk le fjalë pa thënë për “armikun”. Se pse duhej të shkonte zv-kryeinistri shqiptar në Rinas pranë një turme, që thërriste “vdekje serbëve!” këtë e di vetëm Kryeministri shqiptar, që e ka urdhëruar ta bëjë. Shkrimet në gazeta janë njëri më armiqësor se tjetri ndaj serbëve.
Megjithatë nuk ka se si të ndodhë ndryshe. Në të dy shtetet veprojnë politikanë dhe pronarë mediash të lidhur me krimin e organizuar, të cilët mundohen të rrisin popullaritetin mbi emocionet negative të njerëzve. Nuk kanë shumë ndryshime nga huliganët serbë apo nga “Ivani i tmerrshëm”. Kam parë të qeshurat plot kënaësi të zv.kryeministrit, kur në stadiumin e Korçës, thirrej në kor “Të shkërdhefsha Fierin!”
Për fat të keq Ballkani sundohet nga huliganët me kostume!
Zotërinjtë e vërtetë dje ishin futbollistët profesionistë, që do kenë kujtime të hidhura nga ndeshja e djeshme.
Po, fituesi i vërtetë është Ballist Morina!



Tuesday 14 October 2014

Nobeli per Letersine dhe zhurrma jone (2)

(vijim)
Në optikën negative dhe disi cinike të Ismailit, një rol të madh ka luajtur negativizmi dhe fryma luftarake e shoqërisë shqiptare në vitet ’50-’80. Tek brezi i mesëm dhe i ri i asaj kohe, kishte hyrë fryma e luftës, e prishjes me të tjerët për hir të parimeve,e urrejtjes ndaj kapitalizmit, borgjezisë dhe shtresave të pasura. Në një shoqëri të tillë “revolucionare” është zor, me censurë apo pa censurë të shpalosës h ide apo ndienja në shërbim të Njerëzimit. Nuk duhet të lihet mënjanë edhe veçoria e karakterit të Ismailit, për të qënë kritikues, shpesh karikaturizues i personazheve edhe pse sot ai e justifikon këtë me kundërshtitë e tij ndaj Heroit pozitiv të Realizmit socialist.
Tek “Gjenerali”(për mendimin tim romani më i arrirë artistikisht i Kadaresë), interpretimi më i favorshëm, që mund t’i bësh mesazhit, është “klasa politike, që shpie ushtarët në luftë detyrohet psikologjikisht të pranojë antihumanizmin e saj dhe të xhvishet nga fodullëku”. Po i le mënjanë interpretimet e vetë ismailit apo të kritikës së kohës, të cilat i rëndonin “nacionalizmit” apo “fateve të pushtuesve”.
Pa llogaritur dot, se sa e ka “ndrydhur” apo “përdredhur” veprën e tij për ta bërë të botueshme, në roman sundon “përçmimi” dhe “grotesku” për misionin e gjeneralit dhe priftit. Në episodet e çvarrimeve në stadium, në lojën mes generalëve me eshtrat e ushtarëve, apo në flakjen në lumë të eshtrave të kolonelit Zampa, cinizmi që përcjell autori është i hapur dhe antinjerëzor.  Romani mund të vlerësohet për origjinalitet, për larmi figurash, për gjuhë të pasur dhe fantazi, por aspak si një roman, që ju bën jehonë idealeve të Njerëzimit. Ndoshta tek ky cinizëm mund të jenë edhe shkaqet e dështimit të filmit megjithë angazhimin e aktorëve Marçelo Mastrojani dhe Mishel Pikoli.

Po le të themi, që në historinë e Nobel-it, ka edhe autorë, të tjerë, që nuk i kanë shpëtuar cinizmit apo mesazheve jo thellësisht njerëzore në një ose disa nga veprat e tyre. Për mendimin tim, problem i ismailit qëndron në faktin, që “negativiteti”, thirrjet për luftë, nacionalizmi ekstrem mbizotërojnë në veprën e tij. Sidomos po të mos shkëputim veprën e tij poetike nga vepra e plotë. Evokimi i përmbysjeve komuniste tek “Shqiponjat fluturojnë lart”, i luftës mes dy kampeve tek “Endërr Industriale”, i “nacionalizmit socialist” tek “Përse mendohen këto male” e të tjera si këto, nuk mund të mbeten jashtë vëmendjes të Akademisë Suedeze, që akordon çmimin.
(vijon)

Sunday 12 October 2014

A duhet të pranojmë të pashmangshmen?

Eshtë një pyetje, që nuk ka të bëjë me të pashmangshmen si kategori filozofike, por me të pashmangshmen ne politikën shqiptare.
Kemi pas 24 vitesh pluralizëm dy kampe politikë. Të dy shtiren se i përkasin njëri modelit të partive Popullore Europiane ndërsa tjetri atij të Social- Demokracisë. Edhe pse mund të kenë ndryshime në program, të dy kampet nuk ndryshojnë as nga mënyra si udhëheqin, as nga politikat e caktuara. Ndodh jo rrallë, që ligje me prirje të Djathtë sillen nga Qeveritë e Majta dhe kundërshtohen nga Opozita e Djathtë dhe anasjelltas. Synimi i vetëm është qëndrimi sa më gjatë në pushtet dhe ka pak politikë të jashtëzakonshme, aspak politikë të ndershme dhe shumë pak edhe nga ajo, që në Perëndim e quajnë Realpolitika. Ka një lloj tjetër Realpolitik alla Lindje, që ka vetëm pjesën e ushtrimit të pushtetit nga ai, që e fiton me vota.
Problemi, që dua të trajtoj është se si mund të merren shtresat e popullsisë, të cilat janë të painteresuara të ushtrojnë pushtet(lexo-sundojnë allashqiptarçe)me forcat politike, që ndeshen në fushën politike. Për të mos e mbajtur fare të papërcaktuar shtresën, po themi shtresa e mesme e popullsisë së vendit, e papërfshirë në grupime politike.
Nëse vitet nga ’99 deri në ’07 mund t’i quajmë vite të një rritjeje ekonomike dhe ngjallje të shpresës për shqiptarët, me fillimin e krizës ekonomike europiane, optimizmi u bjerr dhe duket , që kjo shtresë është e shtrënguar vetëm midis dy alternativave: të emigrojë ose të pajtohet me fatin që sjell  pushteti i alternuar i dy partive-banda.
Alternative e parë është kufizuar në maksimum. Vetëm gjatë 4 viteve të fundit, në Shqipëri janë kthyer 140 mijë shqiptarë nga Greqia dhe Italia, gjë që e bën absurd të mendosh se mund të gjesh punë në këto dy vende europiane thellësisht në krizë. Mbeten vetëm Europa Veriore, Amerika e Veriut dhe Australia, vende të cilat marrin një numur të kufizuar emigrantësh. Le të shohim alternativeën e dytë. T’i nënshtrohesh fatit përderi sa nuk do të përfshihesh në luftën politike. Të mundohesh të përfitosh sa më tepër të jetë e mundur nga koniukturat, lidhjet fisnore dhe shoqërore për të pasur një punë të mirë ose një biznes të vogël të stabilizuar.
Po a ka stabilitet kjo lloj jete?
Sigurisht që jo. Qytetarët apo edhe fshatarët, që nuk duan të merren me politikë dhe të përfitojnë prej saj, kanë nevojë për një vend  me ligje të qarta, ku vijat politike të grupit në fuqi janë të përcaktuar dhe ata vetë mundohen të ndërtojnë jetën e tyre mbi bazën e politikave ekonomike dhe sociale të ndjekura nga qeveria.
Një gjë e tillë nuk ndodh tek ne.
Le të marrim një vendim të vetëm të qeverisë, për të bllokuar deri në përfundimin e zgjedhjeve lokale të gjitha lejet e ndërtimit, që jepen nga bashkitë apo komunat.

Eshtë një veprim jo vetëm arbitrar dhe absurd por edhe me pasojë ekonomike mbi të gjithë vendin. Sidomos rëndon mbi shtresën e mesme. Janë mijra projektues, firma të vogla ndërtimi, kompani të prodhimit të materialeve të ndërtimit etj., që bllokohen për një vit në veprimtarinë e tyre. E çuditshme është, se edhe opozita, që bën zhurrmë për dasmat e kundërshtarëve politikë apo për cic-mice të tjera, nuk kundërshton me forcë këtë vendim. Sigurisht, vendimi nuk është thjesht për të përqëndruar kompetencat në duart e Kryeministrit, por edhe në interes të firmave të mëdha ndërtuese për të stabilizuar tregun e banesave pa ulur çmimet, se në të kundërt nuk ka se si spjegohet ky vendim kaq anti-produktiv.
(vijon)

Saturday 11 October 2014

Nobeli për Letërsinë dhe zhurrma jonë

Edhe këtë tetor nuk shpëtuam dot pa zhurrmën rreth çmimit Nobël. Pas shpalljes, një pjesë e ithtarëve të Ismailit përsëritën sulmet ndaj Akademisë Suedeze. Disa, si Rudolf Marku, arrijnë deri sa nuk deklarojnë, që Kadareja nuk ka nevojë për Nobelin, por është pikërisht çmimi, të cilit i bën nder Kadareja.
Që “Nobel” është çmimi më i rëndësishëm për Letërsinë, këtë nuk e ve në dyshim kush. Me përjashtime të vogla(si rasti i Sartrit) askush nuk e ka refuzuar nderin, që i bëhet me dhënien e çmimit. Ismaili vetë do ndjehej I nderuar po qe se nga i nominuar me dhjetra herë do ishte më në fund një laureat.
Gjithashtu nuk vihet në dyshim, që si çdo sistem i krijuar nga njerëzit dhe i zbatuar nga njerëzit, do ketë gabimet e tij, sidomos në një fushë si Letërsia, ku ka vështirësi për të përcaktuar vlera absolute. (Nuk bëhet e njëjta zhurrmë për çmimet në Fizikë, Kimi dhe Mjekësi.)
Grindjet rreth çmimit në Shqipëri(debate ka kudo në botë) sillen rreth Ismailit më shumë se sa vepërës së tij. Thuajse të gjithë e gjykojnë si një vepër cilësore dhe në nivelin e Nobelit. Ithtarët(ata që e krahasojnë Kadarenë me Tolstoin, Cehovin apo Prustin) bëjnë me faj Akademinë Suedeze dhe e akuzojnë atë për prirje të majta liberale, për lojëra diplomatike e deri nën ndikimin e një lobi serb. Kundërshtarët e Kadaresë, merren me cilësimet ‘jo disident”, “shkrimtar oborri”, “njeri i vogël” etj etj.
Pakkush përmend një cilësim të Nobelit në testamentin e tij “Cmini t’i jepet autorit, që ka veprën më të shquar drejt një rruge ideali;”, përcaktim ky , që i shtohet atij më të përgjithshmit për të pesë çmimet“…që ka dhënë më shumë në favor të Njerëzimit”.
Krahasuar me fushat e tjera të mendimit njerëzor, duket që letërsia është favorizuar. Ndoshta Nobeli mendonte të përfshiheshin brenda saj edhe veprat filozofike dhe filozofët. Gjithsesi, para se të paragjykosh Akademinë Suedeze për “kompllote”, “inate”, “diskriminim të një populli apo letërsie” duhet të pyesësh “A plotëson njëra nga veprat e Ismailit, ose të gjitha bashkë kriterin e testamentit?”

Nëse i referohemi veprave të tija më të suksesshme(të cilësuara të tilla edhe nga kritika botërore) “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, “Kronikë në Gur”, “Kështjella”, “Dimri i Vetmisë së Madhe”, “Pallati i Endrrave” dhe “Prilli i Thyer”, unë nuk gjej në asnjërën prej tyre “një vepër të shquar drejt një rruge ideali”.
(vijon)

Thursday 9 October 2014

Dashuri e marre

I shkatërrova të gjitha.
Pianon e vogël,
                Peisazhin e varur në mur,
Pallton e madhe të dimrit,
Pjergullën e posaçelur,
Lëndinën e fqinjit.
Tani nuk kam ku të luaj,
As sytë ku t’i preh.
Nuk mund të mbështillem netëve të acarta,
As verë dot nxjerr,
Nuk kapërxej dot gjerdheve.
Mbi të shqyerën tastierë të gjoksit
Me rripa kanavaceje gjithë ngjyra do mbuloj plagët,
Dhe me të mbeturat gjethe të hardhisë,
Se nuk mund të shkatërroj edhe veten,
Gjithë ditën duke qarë,
Ndoshta një ditë do kem edhe shpëtim,
Larg shtëpisë,
Larg nga dashuri e marrë.


Wednesday 8 October 2014

Per dore

Ecim për dore,
Në një nga rrugët e pashtruara,
Ku thëngjijtë e shuar të dashurive të përvëluara
Ende tymosin
Acidin e kujtesës
Të avllive mbuluar bore.
Këndojmë një këngë
Me nota pentagramesh spërdredhur,
Si kokrra të posangrira lotësh të derdhur,
Që lehtë godasin
Cipën e ndjeshme,
Posa ka zënë një brengë.
Presim një shënjë
Qiellit të altruizmit tonë
Në këtë mrekulli të ardhur kaq vonë,
Befas të shfaqet,
Tokës ta hedhim
Të lëshojë rrënjë.



Tuesday 7 October 2014

Edgar Allan Poe

Sot behen 165 vjet, qe Poe nuk eshte me. Duket se duan ta kene te gjithe mes tyre e te mburren me te: Baltimora, Filadelfia, Bostoni. Ne foto eshte nje skulpture e posa peruruar e poetit ne Boston, qytet ku u lind 205 vjet me pare. 
Po ve nje perkthim, te cilin e kam postuar edhe para nje viti.


PER ENIN


Falë zotit, që kriza,
                Rreziku u mund,
Dhe i gjati lëngim,
                Mbaroi më në fund
Ethja  qojtur "Jetë",
                U mposht më në fund.

I trishtë se e di
                Forca m'ka lënë
Dhe gisht dot s'lëviz
                Gjërë e gjat' rënë
Por s'prish punë!- e ndjej
                Më mir' jam i rënë.

Dhe jam aq i ngrirë
                Në të drunjtin shtrat,
Sa kush të më shohë,
                Do thot' kaq e pat,
Ta ngremë në krahë
                Se ky kaq e pat.

Rënkimet, afshimet,
                Cfilitjet, ankimet
Tani kanë rreshtur,
                Me ato drithërime
Të zemrës- oh tmerr,
                O tmerr drithërime!

Sëmundja, përzjerja,
                Therrësja dhembje,
U ndalën me ethen
                Që më lojti mendjen,
Ethen qojtur "Jetë"
                Që zhurriti mendjen.

Dhe nga gjith' torturat
                Ajo më e keqja
Ka rreshtur- e merrshmja
                Torturë nga etja
Për lumin e helmët
                Mallkimin tek vetja-
Kam pirë të tillë ujë
                Që të shuhet etja;
Një ujë që buron
                Nanurit me nge,
Nga burimi vetëm
                Dy pash' nënë dhe
Nga një guvë thellë,
                Dy pash' nënë dhe.

Dhe kurrë s'do thënë,
                A folur përçart,
Pa dritë kam dhomën
                Të ngusht' timin shtrat,
Se gjithnjë njeriu
                Fle në atë shtrat,
E të flesh do dergjesh,
                Në të tillë shtrat.

Shpirti i dërmuar
                Këtu prehet qetë,
Lënë, po jo penduar
                Për gulçet në jetë,
Ato shpupurisje,
                Si të gonxhes fletë.

E tani i shtrirë,
                I qetë më ngjan,
Se e shenjtë aromë,
                Erë jargavan,
Rozmarinë erë,
                Përzjer' jargavan,
E pështjell të gjithin,
                Kjo erë jargavan.

E zhytet i lumtur
                Ujrave t'Edenit,
N'ëndërr mirësie
                Bukuri të Enit;
Fundosur i gjithi
                Krrelave të Enit.

Ajo më puthi ëmbël,
                Më ledhatoi pastaj,
I përkundur u ndjeva
                Të fle në gjoks të saj
Në thellëgjum' të bie,
                Qiellorit gjoks të saj.

Kur ditën mundi nata,
                Më mori në mbrojtje,
Dhe ëngjëjve ju lut
                Të mos kisha vojtje,
Më të madhit ëngjëll,
                Të më bënte mbrojtje.

Dhe jam aq i ngrirë
                Në të drunjtin shtrat,
(Me dashurinë e saj),
                Ju thoni kaq e pat;
Po jam aq i lumtur
                Në të fortin shtrat
(Me të në kraharor)
                Ju thoni ky e pat;
E dridheni të m'shihni
                Kujtoni kaq e pat.

Por të zemrës dritë
                As qiellit s'e gjeni
Më e fortë se yjet
                Se ndriçon nga Eni;
Më ndrit me shkëlqimin
                Që buron nga Eni;
Nga i syve ndriçim,
                I të mirës Eni.








               



Kali i Ikjes

Ajo i hipi kalit të ikjes
Dhe cipën e errët të natës
Plot zjarr e çorri.
I artë ishte çili
Si flokët e saj dhe jelet e tij,
Të mëdha flegrat,
Thundrat e praruara
I hedhur e gjithë muskuj
Kraharori.
E ndërsa i pambathur
Cirrej në të zezat shkrepa të territ,
Ajo valëviste të bardhën dorë të saj
Ishte fundvera e ndarjeve.
Koncerti i Lamtumirës,
Në të Përzjerin Pyll
Nuk ishin më në maj.
Trokthi i çilit të çmendur,
I mbyste ngashërimat.
Nuk kishte rrugë,
Vetëm një hon i zi,
I thellë dhe i patrajtë,
Grisur nga shkrepëtimat.
I lënë krejt i lirë
Në të tijin fluturim,
I grahur në errësirë
Nga i dhimbshmi ngashërim.
Hamshori i artë të ngushtit shteg ju turr
Atje ku veç të zonjën merrtë
Ku s’mund të shkonte flur,
Por ku thirrja e shpresës e ftonte
Ku nata dukej më pak e errët,
Ku mbase dhe drita mund të çelej,
Kur e dendura errësirë të shkonte.
Lehtas vithet i ngriti
Flokverdhën butë dërgoi mes shtegut,
Të trembur edhe njëherë prej braktisjes,
Ndërsa vetë i gjymtuar tek gryka mbeti,
I miri, i arti kali i ikjes.









Monday 6 October 2014

Ne, viktima të imazheve. (II)

Duam apo nuk duam, ne jemi kafshë, që në ndryshim nga të tjerat ndikohemi shumë nga imazhet. Thuhet , që qentë i perceptojnë të mirën e të keqen, rrezikun apo mikun kryesisht me anë të nuhatjes, lakuriqët e natës me ultratinguj ndërsa shumë insekte nëpërmjet dëgjimit.
Dizavantazhi jonë është, që imazhet evoluojnë shumë më shpejt se aroma, përgjigja që merr ultratingulli apo zëri. Imazhet na ndihmojnë të mbrohemi, por shpesh edhe na i çorbavitin të gjitha.
Po jap një shmbull të thjeshtë të hasur gjatë rutinëa sime ditore.
Në kafenenë, ku jam mësuar të marr çdo ditë “dozën e nevojshme të kafeinës” vijnë rregullisht disa gra, që kanë dalë në pension. Më të rregulltat janë Karol dhe Shirli. Të dyja vendase me rrënjë britanike. Shirli është më e re. Eshtë martuar me një emigrant nga Lindja e Mesme dhe është konvertuar në myslymane dhe duket pak a shumë si gruaja me shami në foto. Shirli, duhet të ketë qënë shumë e bukur e re dhe vazhdon të vishet me veshje të kohës, të cilat i rrinë bukur.
Para se t’i njihja, edhe pse përshëndetesha përzëmërsisht me to, mendoja “Oh Karol pse? Pse nuk vishesh dhe ti si Shirli?” E megjithatë pamja bëhet pak a shumë e njohur deri sa arrin, që nuk mendon më për fatkeqësinë e Karol, që “është kthyer pas në kohë“ dhe për shpirtin bashkëkohor të Shilrit të shprehur edhe në veshjen e saj. Kohë më vonë, qëlloi të kisha disa biseda të veçanta me sejcilën prej tyre. Gra të dashura dhe të dhemshura. Karol fliste rreth fëmijëve, historisë, krahasonte vlerat e vendeve islamike me ato të zhvilluara, dinte diçka edhe rreth Shqipërisë.
Nga ana tjetër, Shirli fliste për familjen, për forcën e besimit fetar, për rreziqet që sjell Islamizmi dhe rëndësinë, që ka paraqitja e femrës në shoqëri.
Hë po.

Nuk ishte e sigurt nëse Dielli rrotullohej rreth Tokës apo ishte e kundërta.

Petku gri

Hiqe këtë petk!
Shumë ngjyra ka dhe si gaztor dukesh;
Në moshën tënde grija shkon.
Në ballë mos dil,
Kur duhet të strukesh;
Më gjatë mendohu,
Ashtu nuk gabon.
Në sfondin zbërdhyl të kohës,
Në do të mbijetosh, përshtatu;
Fol mirë,
                Buzëqesh.
Dhe pak mënjanë rri;
Pas vitesh,
Kur të gjith’ t’kujtojnë se je tulatur;
Me pak fat mund t’bëhesh

Dhe “eminenca gri”.

Friday 3 October 2014

Virgjëria dhe Morali

Para një jave, lexova shkarazi një debat të zjarrtë, rreth Virgjërisë së femrës dhe ndëshkimit të saj në Dhjatën e Vjetër. Si gjithë debatet rreth Fesë, ai niste në gurëzimi i vajzës “që kishte humbur nderin” dhe përfundonte në hollësi filozofike apo sharje për mosdije, që kishin pak të bënin me pasazhin e Biblës, të shkruar mbase 3000 vjet më parë.
Fëmijëve tanë, një debat i tillë do ju dukej krejt absurd, por brezi i jonë nuk është dhe aq larg nga “gurëzimi me fjalë“ i vajzave, që kishin patur marëdhënie seksuale para martesës.
Në një shënim të djeshëm, kam përmendur, se shoqëria jonë është ende një shoqëri “maçiste injorante” edhe pse sot ka rënë tabuja e marëdhënieve seksuale para “fejesës”.
Mud të vemë plotësisht fajin për të mentalitetit të prapambetur, si dhe tre feve kryesore të vendit tonë, të cilat kishin formuar moralin e shoqërisë shqiptare. Megjithatë, ka patur disa zakone shumë të çuditshme në vendin tonë, të cilat varionin nga mbajtja e dylberëve dhe deri në fejesat në djep, të cilat i përkasin më shumë botëve pagane se atyre të feve monoteiste.
Por të kthehemi në tema e “virgjërisë së vajzave” dhe bota jonë shqiptare. Edhe pse një shoqëri e izoluar dhe shumë e fragmentuar, qytetet shqiptare nuk ishin të shkëputur plotësisht nga qytetet e tjera të Ballkanit. E megjithatë edhe në periudhën e e para Luftës së Dytë Botërore, ne ishim në këtë drejtim shumë më pas Rumanisë, Bullgarisë apo Sllavëve të Jugut. Dy tre rumunë, që kam njohur këtej, më kanë përmendur “namin” , që gëzonim ne shqiptarët “si njerëz, që i shtronim në dru gratë“. Bota jonë edhe pse gjeografikisht më pranë Vienës dhe Romës ishte shumë larg po të krahasohej me vendet e ballkanit lindor. Dhe jo vetëm në zonat e banuara nga popullsia myslymane, por edhe në ato të banuara nga të krishterët. Edhe në Korçë, i konsideruar si qytet shumë më i përparuar nga qytetet e tjera shqiptare “miti i virgjërisë“ mbeti shumë i rëndësishëm deri në vitet ’70, ndërkohë që në pjesët e tjera të botës ishte në kulm “revolucioni seksual”.
Sikundër dihet nga të gjithë, breza të tëra vajzash, ishin të detyruara të ndrydhnin ndienjat e tyre, për t’I shpëtuar damkosjes si ‘vajzë jo e mirë“. Edhe pse një nga popujt më të vjetër në Europë ne ishim shumë prapa në raportet natyrore të “homo sapiens”. Arrihej deri sa pjesëmarrja e vajzave në luftë sulmohej nga kundërshtarët politikë si “shthurrje morale”. Por edhe marrja e pushtetit nga e Majta ekstreme nuk solli të njëjtin “clirim seksual”, që kishte sjellë 30 vite më parë në Rusi ose më vonë nëvendet e tjera. Në vitet ’50 vajzat e qytetit ende pengoheshin nga familjet të kryenin studime universitare, në vitet ’60 dhe ’70 nuk lejoheshin të punonin si kamariere a në të tjera punë, ku ju rrezikohej emri i mirë dhe si përmenda më lart deri në ato vite “virgjëria” konsiderohej “virtyt” dhe si rrjedhojë kishte qindra histori nga më të dhimbshmet e deri në qesharake. Kjo ishte shoqëria shqiptare edhe pas ndalimit me ligj të feve.
I shkrojta këto rrjeshta për të nderuar shoqet e brezit tim dhe sidomos ato vajza, që e kanë vuajtur më shumë absurditetin e një mentaliteti të stërprapambetur e denigrues, që edhe pse i pamoralshëm shitej si mbrojtës I Moralit.

Thursday 2 October 2014

Tregojeni me gisht. Eshte pedofil! (2)

Edhe pse zakonisht, kapja dhe dënimi I pedofilëve si numur është maja e ajsbergut, përsëri duhet thënë, që shoqëritë e lira dhe të zhvilluara kanë bërë përparime në mbrojtjen e fëmijëve. Më keq është gjendja në shoqëritë e lira por, të pazhvilluara(si e jona), ku krimi edhe pse moralisht dënohet nga të gjithë, nuk dënëhet sa duhet nga institucionet ligjore dhe ka prirje edhe për mbulim nga segmente të caktuara të shoqërisë.
Për mendimin tim arsyet janë disa.  E para është, që për fëmijët dhe adoleshentët(si për të gjithë shtresat më të pambrojtura)nuk ka vlerësimin e duhur nga e gjithë shoqëria. Dhe ky fenomen nuk është i sotmi. Ka ekzistuar më parë, por edhe gjatë periudhës së Diktaturës, kur pushtetmbajtësit hiqeshin si kampionë të mbrojtjez së Brezit të ri. Rasti i djeshëm i kryetarit pedofil të Shoqatës së Jetimëve, më kujtoi mënyrën e keqe të trajtimit të fëmijëve në Shtëpitë e Fëmijës në kohën e Diktaturës. Dhe jo vetëm atje, por me përjashtim të qyteteve të mëdha, keqtrajtim të fëmijëve(dhe abuzime seksuale)ka pasur në gjithë shoqërinë. Rreth këtyre ngjarjeve, institucionet partiake dhe ligjore ishin të prirura t’I mbulonin nëse kryheshin nga edukatorët, të afërmit apo më keq akoma nga njerëz të veshur me pushtet.
Rasti i parë i “pedofilisë“, që kujtoj duhet të ketë qënë rreth vitit 1967 në një nga shkollat në qendër të qytetit. Ndaj mësuesit 19 vjeçar, që u kap në një kabinë të shkollës me një vajzë në klasën e tetë, autoritetet u mjaftuan me heqje nga mësuesia dhe dërgim në minierë. 14 vjeçarja mbeti përgjithnjë e damkosur si “e përdalë“. Raste të tilla nuk ishin të pakta. Diheshin plot mësuesë, trainerë sporti, kujdestarë konviktesh, funksionarë partie, sigurimsa, që kishin patur disa raste të marëdhënieve me të mitura, por jo vetëm nuk ju hynte gjëmb në këmbë, por shumë prej tyre(anëtarë partie) tundeshin e shkundeshin rrugëve dhe tribunave. Edhe vetë shoqëria kishte pjesën e saj të fajita, se vetë familjet e viktimave kur mësonin, ishin të prirura “të mbyllej çështja”, për të shpëtuar vajzën nga nami i keq.
Arsyeja e dytë është maçizmi injorant pjesës mashkullore të shoqërisë sonë.  Ende sot, të rinj apo burra nuk e kanë për turp të mburren kafeneve, se kanë të dashur ose kanë pasur marëdhënie me një 16 ose 17 vjeçare. As ju shkon në mendje , që është jo vetëm moralisht e ulët por është e ndëshkueshme nga ligji. Dhe kjo ndodh me njerëz , që e quajnë veten profesionistë apo biznesmenë. Për të mos folur për pjesët kriminale të shoqërisë, që kanë bërë, që për një kohë të gjatë të kishim numurin më të madh të prostitutava minorene në Itali dhe Greqi.
Jemi ende shumë larg një shoqërije të përparuar. E kemi më të lehtë të tregojmë me gisht dikë si biznesmen të sukseshëm, se sa edhe kur e dimë të themi:

-Ky është pedofil!

Wednesday 1 October 2014

Tregojeni me gisht. Eshtë pedofil!

Më duket se Amerika ka aplikuar metodën më të llogjikshme, për të trajtuar një pedofil pas kryerjes së dënimit. Atë të tregimit me gisht. Në shumicën e shteteve amerikanë, pedofilët janë të detyruar të venë në dyert e tyre shenjën “Këtu jeton një njeri i dënuar për pedofili”.
Eshtë e kotë të zgjatem me komentet e njërit prej fajeve më të rënda, që ekzistojnë sot në botë. Ka një shumicë dërmuese të njerëzve, që kërkojnë me të drejtë ligje edhe më të forta ndaj pedofilëve.
Dua të ndalem pak në raportet e Vatikanit me pedofilinë. Më shtyu informacioni i dhënë për arrestimin e peshkopit polak Vesolofski me urdhër të Papa Françeskos. Arrestimi i parë i këtij lloji.
21 vjet më parë, gjatë vizitës sime të parë në Boston, pashë në lajmet në tv, dy procese gjyqësore për pedofili ndaj dy priftërinjve katolikë. Kushëriri im, Johan Kolaci më tha” Lanë nam edhe këta priftërinjtë katolikë. Kanë shumë raste të tilla.” Vetë dija pak se deri në ç’masë arrinin abuzimet e njerëzve me veladon me vajzat e vogla dhe sidomos me “djemtë e altarit”. Tek ne feja kishte qënë e ndaluar dhe gjithashtu edhe rastet e pedofilisë, për disa arsye, që nuk i kam kuptuar edhe sot, mbaheshin të fshehta ose nuk dënoheshin sa duheshin. Dhe ata, që kanë punuar në sistemin shkollor në Shqipëri e dinë, që ka pasur jo pak mësues pedofilë.
Po le të kthehemi tek Vatikani.
Eshtë e papranueshme, që ky shtet/institucion fetar është kaq i vonuar në ndëshkimin e një krimi kaq të shëmtuar, që njëkohësisht është një gangrenë për gjithë sistemin kishtar katolik. Eshtë vazhduar për dhjetëvjeçarë të tërë, që skandale pas skandalesh të këtij lloji të mbulohen dhe jo që nuk ka dënime apo ç’kishërime, por ndaj klerikëve bëhej vetëm transferimi. Kjo heshtje dhe tolerim, ka ndihmuar në konsolidimin e një rrjeti të madh pedofilësh në botë, sot në periudhën e internetit. Nuk ka asnjë përpjekje të ndryshohet “celibasija”(celibacy), e cila për mua qëndron në rrënjët e skandaleve seksuale të klerikëve katolikë.
Komuniteti Ndërkombëtar nuk mund të mjaftohet më me “presionet e përmbajtura” ndaj Vatikanit për të ndëshkuar priftërinjtë. Eshtë e palejueshme, që të lejohen akoma mijra e mijra fëmijë të bien pre e “etërve shpirtërorë“ kriminelë. Eshtë e papranueshme, që policitë e vendeve të ndryshme nuk mund të veprojnë shpesh ndaj klerikëve me imunitet diplomatik, si ishte rasti i peshkopit Vesolovski. Ndaj pedofilëve (të fundit në shkallën morale edhe të një vendi si Burgu) duhen dënime të rënda dhe edhe pasi ti kryejnë të tregohen me përbuzje me gisht:
Ja ky, që shikoni është një pedofil!