Wednesday 29 February 2012

Nje tjeter ritem i Bodlerit.

KUPIDI DHE KAFKA
Bazament i një llambe të vjetër.


Mbi Kafkën qëndron Kupidi,
Të Njerëzimit,
Dhe në atë fron i pacipi,
Shkrihet gëzimit.

Flluska rrethore nxjerr buzësh,
Që ngjiten në ajri,
Botë të ra të gjejnë udhës,
Në Pafundësi.

Sfera e ndritur, e brishtë,
Bëhet e zjarrtë,
Djeg e lëshon shpirtin e hijshëm,
Si ëndërr të artë.

Por ndjehet i Kafkës ankim,
Sa her' del sfera,
"Ky rit i vrazhdë, pa kuptim,
Do jet' ngahera?

Ajo ç'ka buzëve mizore,
Lëshon ti nga pak,
Eshtë truri im, indet mishtore,
Eshtë i imi gjak.

Tuesday 28 February 2012

Mesim i Sharlit per te qene 'humble".


NDESHKIM KRENARISE


Rrëfenjat tregojnë se kohë më parë,
Kur në lulëzim ishin shkrimet fetare,
Një i ditur shëronjës bëri për vehte,
Shumë shpirtra të qashtër e indiferente;
Duke rrëmuar në ndërgjegjet e errta,
Duke i lartuar lavdeve të qiellta,
Duke i hallakatur në të fshehta shtigje,
Ku veç Fryma Hyjnore mund të gjej' përgjigje,
Si ai që dridhet se kapi shumë lart,
Prej djallit pushtuar zu klithi përçart:
"Krisht, i vogli Krisht! Unë të vura brerore!
Por po qe se bëja ç'farë më vinte dore,
Të dëshmoja turpin, si lavdin' ku t'kam ngritur,
S'do ishe tjetër veç një embrion i shpifur!"

Atë çast fatkeq, mendja e la menjëher',
Një vello e errët mbi diellin u nder,
Rrëmuja pushtoi në ditën e mjegullt
Vatrën e mendimit, dikur plot me rregull.
Errësira e plotë u shtrua serbes,
E ktheu tek ndriste rrezja në mëngjez,
Në qilar të zbrazët, ku s'ka mbetur verë.
Plot ngut sorrollatej si një qen pa erë,
Endej lart e poshtë fushave të gjëra,
S'dinte në qe dimër, apo digjte vera ,
Gjithë zhul e zhele, i ndarë nga shokët,
Rrugëve t'qytetit e tallnin çamarrokët.

Bodleri kishte mace apo macok?


MACOKU


Eja maç, tek shpirti i dashuruar,
Urtë, thonjtë mos m'i shtjerë,
Lemë të kridhem në sytë e shkruar,
Argjend dhe rubin përzjerë.

Kur lehtë me dorë të përkëdhel,
Zverkun, kurrizin harkuar,
Fijet e trupit që dridhen si tel,
S'di sa më kanë mrekulluar.

Thellë shpirtit e kqyr shoqen time.
Ngulët, plot dyshim e ftohtë,
Më shigjeton si tëndet vështrime;

Nga thonjtë deri në flokë,
Një erë prehëse, ajër i mistershëm
I pështjell trupin e zeshkët.

Monday 27 February 2012

Ne origjinal "Elevation".


FLUTURIMI


Matanë liqenesh, luginash e pyjesh,
Tutje malesh, resh dhe më larg se dielli
Ku nuk duken detet edhe fund mer qielli,
Tek mbaron efiri dhe s'ka dritë yjesh,

Lirisht krahët ke nderë o shpirti im,
Si ngrihet mbi valët notar i sprovuar,
Tejshkon hapësirat, që s'kan' të mbaruar,
Me një të paparë, ngjethës ngazëllim.

Fluturo më tej, kapto të kthjellat vise
Dliru i gjithi në atë eter sipëror,
Përpije të pastrin nektar qiellor,
Atë flakë rrezear të Pafundësisë.

Leri pas dyshimet, brengat e trazuara,
Që rëndojnë jetën dhe errin vështrimin,
Lum kush ka flatra të marë fluturimin,
N'ato fusha të qeta, magjisht të ndriçuara;

Lum kush mendimet askurrë s'i rreshtën
T'i shigjetojë larg drejt agimit qiellor,
- Që ngrihet mbi jetën dhe krejt thjeshtë, pa zor,
Flet të luleve gjuhë dhe lexon heshtjen.

Sunday 26 February 2012

Nje nga sonetet e shumte te Bodlerit.

MUZA E SEMURE


E mjera Muza ime! Sot ku ke qënë ?
Me sytë pa ndriçim, hije nate veshur,
Rradhë i shoh në të zbehtin që t'ka rënë
Marrinë, terrorin, ftohtësinë e heshtur.

Mos jeshilja flloçkë me djallin kuqalosh
Prej enësh magjike dhan' frikë e dashuri?
A mos është Makthi mizor e shpirtbosh
Që thellë, thell' të zhyt, në atë moçal të zi?

Gjoksit do të doja, t'vërshojë frymë e pastër,
Të lartat mendime atje të bëjnë vatër,
Dhe gjaku yt kristian të ketë atë rrjedhë

Që dikur dëgjohej vargjeve të vjetër,
Thurrur nga Apoloni, i këngëve Gjeni,
Dhe nga i madhi Pan, i t'korrave Zotni.

Nje tjeter Bodler shume i ndjere.

RREFIM



Njëherë, vetëm njëherë o vajzë e ëmbël,
Të butën dorë ndjeja
Në krahun tim, ( gdhendur ka ngelur në zemër
Dridhja që fali prekja).

Ishte shumë vonë dhe si një medalion
Gjithdriste hëna e rrumbullt,
Madhërishëm heshtur ajo natë e jonë,
Parisit të përgjumur.

E ndanë shtëpive, nën arkadat e hapura
Kotelet rrëshqisnin shpejt,
Veshë ngritur, më mirë...si hije të dashura
Na ndiqnin me çap të leht'.

Papritur, mes të ëmbëlve çaste intime
Prej drit'hënës praruar,
Nga ti o vegël që krijon tingëllime,
Plot hare e të gëzuar,

Nga ti me temp e vrull si nga një fanfarë,
Posa ra e agut drit'
Një notë ankuese, një tingull i vrarë,
Shpëtoi, në eter u ngjit.

Si një fëmijë i pisët, i shëmtuar, i metë,
I familjes turp i gjallë,
Që prej botës e kanë mbajtur të fshehtë,
Në kthinën nënshkallë,

I gjori ëngjëll klithi me zë gërvishtur
" E sigurt nuk është asgjë,
Ndonëse me tepër kujdes është stisur
Egon njeriu s'e lë;

Nuk është e leht' një femër e ndjeshme të jesh,
Veçse e bën parreshtje,
Valltarja e natës, të cilës mund t'i blesh,
Të rremen buzëqeshje;

Dhe ç'ka thellndjehet në shpirt është e kotë,
Si çdo gjë dhe ndienja kris,
HICI e bluan dhe e zhduk nga kjo botë,
Në t'Pafundmen e degdis."

Pas më ndjek shpesh ajo Hënë gjithë dritë,
Thellheshtja e ai trishtim,
Dhe e vërteta plot tmerr që u pëshpërit,
Nga i shpirtit tim rrëfim.









Saturday 25 February 2012

Nje poezi e Bodlerit.

DON ZHUANI NE FERR

Sa zbret Don Zhuani në lumin e nëndheshëm
Dhe monedhën Karonit i jep për të kaluar,
Një zhelan i pisët, me vështrim të tmerrshëm,
Dy rremat e barkës i bllokon me duar.

Me gjokset e varur dhe rrobat e shqyera
Femra që përpëliten nën qiejt e errët.
Nga fytet e ngjirur të grave të përlyera,
Një gulçimë ankuese përmbi avuj nderet.

Sgaraneli kërkon pagën gjith' ngërdheshje,
Ndërsa Don Luisi zgjat gishtin tregonjës,
Që ta shohin të pacipin me të bardhë veshje,
Të vdekurit në brigjet e lumit mundonjës.

Pikëlluar Elvira, e krruspur dhe e zbehtë,
Pret nga zuzari, që përherë e pat' dashur,
Të marë vetëm një buzëqeshje të thjeshtë,
Balsam të vonuar për zemrën e plasur.

Një vigan armëngjeshur, në gur i gdhendur,
Në ballë qëndron e të errtën rrjedhë ndan,
Por gjunjas mbi shpatë heroi i patrembur,
Shikon proçesionin e vështrimin tej mban.

Thursday 23 February 2012

Gervishtje ne ajer

Ti erdhe tepër vonë.
Pasi kisha pritur edhe një ditë më shumë
Se vitet e pritjes.
Gërvishtje në ajër kishe lënë,
Që kishin mbetur veç shënja
E s'i kuptoja dot unë.
Prita dimrin
Për t'i parë të brymëzuara
Me shpresën të gjeja në to
Dhimbjen
Që nuk më arrite.
Po shumë i butë ishte ai dimër
Sa s'ishte parë në vite
E gërvishtjet nuk u ndruan
Në hieroglife
E për çudi as në lotë
Por mbetën gërvishtje.
A thua se e gjitha thonjsh ishe kthyer,
Larg nga e imja botë,
Ti,
Endrra ime e vyer.

Larg

Ne larg kemi qënë gjithmonë
Dhe rrallë,
Si fundi i një komete
Flokët e tu prekin ditët e mia.
I lenë në to të rremet jone,
E nuk i shquaj dot ç'ndjesi më dhanë
Në marshin e krijimit.
E ti nuk dallon dot se sa jone
Humbe netëve të të tjerëve,
Që të pafundme ishin.
Krejt ndryshe nga orbita jote
Kthjellët projektuar
Hapësirës së përkulur,
Edhe pse,
Në fundin e një shtëllunge pa trajtë.
Nuk vonon të arrish në të pritshmen natë
Pas dy dhjetëvjeçarësh
Jonet e rreme tek unë të lesh,
E grimat e fundit të qënies të marësh.

Friday 17 February 2012

Ndonjehere poezite nuk pranojne titull.

Pas vitesh të tëra pritjeje
Zbriti ajo natë,
Të cilën nuk doje ta çirrje të gjithën
Për të mos  zbuluar Enigmën.
Dhe mbaje një pjesë terri
Me grep thurrur,
Përreth kërthizës
Si për të mos më treguar gjithshka,
Ndonse ishe e imja,
E gjitha e imja prej vitesh
A ndoshta edhe më parë,
Shumë më parë se ajo pjesë e errët kohe
Ku mes të linjta muajsh dhe ditësh thurrur,
Qiellit marë,
Mbushur me pendë të shkulura ëndrrash,
Symbyllur prej lakuriqësisë lëbyrëse
Të skuqur turpit dhe epshit,
Dëshirës hyrëse,
Përthithjes së tjetrit,
Gjithshka bëmë fli
Mes rrathësh ekstaze, gjumi e jete prapë;
Të porsalindur,
Unë e ti.


Sa Akademik si je!!



Një nga dukuritë më të çuditshme, që kam hasur këtë vitin e fundit në shtypin shqiptar, është një klasifikim interesant i njerëzve të shkolluar. Nuk di nëse e kanë bërë gazetarët, apo përballja me CV-ra, të cilat janë të mbushura tituj doktorësh, profesorësh, masterash, asistent masterash, ndihmës doktorësh, kandidatë shkencash etj. e bëjnë të domosdoshme, që edhe njerëzit që kanë mend, shesin mend, ose japin mend të ndahen në disa grupe.
Një lloj grupimi, ai i intelektualëve, ishte krijuar që në vitet '80. Ndoshta me insistimin e lukunisë të të diplomuarve, fillouan që të quheshin intelektualë të gjithë ata që kishin mbaruar një shkollë të lartë. Më vonë, në këtë grupim u përfshinë edhe ata me të mesme, që shkruanin ndonjë vjershë, lyenin pankartat në raste festash, apo luanin valle në festivalet folklorikë.
Tani, në Tiranë nuk është më e vështirë të jesh intelektual. Bile të mos jesh i tllë është e zorshme pas gjithë atyre universiteteve që janë ngritur dhe gjithë atyre diplomave on-line që janë marë. (Nuk po përmend këtu diplomat fallco se me ato automatikisht quhesh intelektual fallco.) Tani flitet për një elitë intelektuale, që do të thotë më gjenijtë mes gjenijve, që për fatin tonë të mirë edhe këta nuk janë të pakët. Për ta ka filluar të përdoret cilësimi Akademik dhe i tillë mund të jesh edhe pa qënë antar Akademie, apo njeri me kontibut të gjatë e të shquar në mësimdhënie në Universitete serioze.
Detyrimisht, me gjithë këtë arradhë akademikësh do duheshin edhe Akademi të reja, si ajo e Shkencave dhe Arteve, që u krijua para disa javësh, e mbase të tjera do vijojnë pas saj.
Në fund të fundit jemi një popull Akademik! Dhe mendo, që kemi humbur edhe një pjesë të mirë të të shkolluarve për shkak të emigrimit, si ju ka ndodhur edhe gjithë vendeve të tjera ish-komuniste.
Po ç' të mirë kemi që kemi gjithë këta Akademikë?
Ndoshta janë të mira që hë për hë nuk i kuptojmë, po me siguri pas disa vitesh, do i vjelim frytet e këtij Akademizmi të pafre. Dhe atëhere plot dashamirësi do i drejtohemi njëri tjetrit në bisedë, pas çdo ideje të ndritur që do artikulojmë, me shprehjen:
Sa akademik si je!!!

Wednesday 15 February 2012

Kreu VIII i Perdhunimit

                                    PROJEKTI “WHITE CITY”

           


Bojaxhiu Fat dhe ndihmësi i tij Vath e kishin filluar ditën në mëngjezoren “Freskia”. Atje kishin ngrënë mëngjesin dhe kishin rrëkëllyer nga një dopio raki. Ndihmësi Vath kishte pirë dhe një të dytë e më vonë një të tretë duke përsëritur “Me tre e ka lali. I do tre dopio Lali të fillojë punë. Se edhe furça nuk ecën mirë po nuk u ngjye pak në raki.” Pastaj ishin nisur të lyenin. Të lyenin me të bardhe pallatin ku rrinte Nevila. Të dy kishin më shumë se gjashtë muaj që çdo ditë (përfshi këtu dhe të dielat) lyenin fasadat e ndërtesave të qytetit me të bardhë. Në kuadrin e projektit “White City”. Të financuar nga qeveria e SHBE-së, Banka e Detit të Zi dhe Fondacioni për Qytete të Pastër e të Pakorruptuar.
            Por kjo lyerje nuk ishte krejt njëlloj me ç'ka kishte bere Fati deri atëhere. Në fillim u duhej të pastronin të gjithe muret e katit përdhe nga balta e tharrë dhe pluhuri i bërë njësh me suvanë ose veshjen e gurtë. Javët e para kishin përdorur ujë me presion, por më vonë, për shkak të ndërprerjeve të shpeshta të furnizimit me ujë dhe sidomos për vështirësitë, që sillte shqitja e dheut nga mbështjellësja e ndërtesës, ju dhanë të përdorin një makinë me rërë të trysnuar, e cila pastronte më mire dhe nuk kishte nevojë për ujë të vazhdueshëm. Më të veshtira paraqiteshin ndërtimet e pasuvatuara, që ishin ndërtuar disa dhjetra vjet më pare. Në to ishte e vështirë të ndajë ç’ishte baltë e shtresuar nga llaçi lidhës apo nga tullat e papjekura mirë. Kur kishin për të lyer ndërtesa të tilla, ndihmësi Vath pinte katër dopio të mira para se të fillonte punë. Pastaj zinte të shante e përshante sistemin e vjetër që kishte ndërtimet e pasuvatuara dhe tullat e papjekura mirë. ”…O të dhjefsha diktaturën, le që na le të paveshur dhe pa u mësuar mirë, po dhe këto mut mure deshe t'i lije të ngordhnin. Të kursejmë, të kursejmë kudo, në çdo gjë dhe vazhdimisht, në çdo gjë, tulla, llaç, bojë e tani hamë dynjanë ne për t’i pastruar. Të kam thënë Fato, në fund prapë ne hamë dynjanë; ai Qorri i Bashkisë i do të Bardha se i shkojnë me kostumin, pastaj vjen tjetri e i do me bojna, e shih kur pas dhjetë vjetësh t’i pastrojmë nga e para se gjoja jane antike”. Fati i përsëriste për të kushedisatën herë, që nuk i bëhej vonë se ç’ngjyrë do t’i lyenin, veë t’i bojatisnin gjithmonë, të gjitha dhe sa më shpesh. Të nxirrnin edhe ata ndonjë lekë nga lyerja e fasadave. Jo vetëm Qorri i Bashkisë.
            Gjithë paraditen kishin mbetur majë skelës për orë të tëra duke lyer dhe shkëmbyer rromuze. E vetmja ndërprerje ishte bërë rreth orës 10 e 45, kur Vathi i kishte thirrur ustajt të shihte gjoksmadhen lakuriq në një nga dritaret e katit të tretë. Fati i tha të mos ndjehej shume, se thuajse lakuriq e shihte çdo ditë në televizor kur këndonte, e se nuk donte të hynte në telash me atë prokurorin a gjykatësin, a ç’djall ishte ai që flinte me të. Ndihmësi kishte mbyllur gojen duke mbajtur sytë dhe mendjen nga dritarja e këngëtares, me shpresë se diku thellë dhomës do dukej serish figura e xhveshur. Kështu deri sa filloi shiu. Kur e panë, që nuk kishte të mbaruar mblodhën veglat dhe u nisën sërish për tek “Freskia”. Rrugës, Fati i kërkonte ndihmësit Vath të tregonte edhe njëherë atë meselenë e “shiut vu”. Vathi qeshte më të madhe dhe përsëriste "…e shiu vuuu…dhe ajo kishte veshur çorapet setapura… hahaaa… e shiu vuuuu… edhe kepucët e mira me taka, ato llustrafinat....hahahaaaaaaa. Kujtonte se e kisha me gjithe mend… budallaqjaaaa….e shiu vuuuuuuuuu… obobobo ç’ma kujtove… o s’më del nga mendja… o, o, o….e shiu vuuu…" Duke qeshur hynë në mëngjesore.
            Askush nuk ju kushtoi vëmendje kur hynë. Të gjithë rrinin me sytë e mbërthyer lart në televizorin e vetëm të “Freskisë”.
            - C’ka bo vaki çuna?- thirri duke qeshur Vathi.
            - Kanë përdhunuar Leon Gurazin- shpjegoi kamarieri Vendim.
            - …Perdhunuar, ca o Leon Gurazi, politikan; t’gjith politikanët janë putana …e putanat nuk i ze njeri me zor, shkojnë vetë….”; vazhdoi të zgërdhihej ndihmësi Vath, por pa se askush nuk po shpinte buzën në gaz, ndaj i shkeli syrin Fatit. Bojaxhiu dukej më i vrerët se të tjerët. Në buzë, veç një lloj dridhjeje të lehtë, i nderej një trishtim i murrëtyer. U mbështet në banak, si për të rregulluar drejtpeshimin dhe mbështeti ballin mbi duart e ashpëruara nga të lyerit.
            - C’a pate Fato?- pyeti Vathi, por nuk mori përgjigje.
            Fati heshti nje cope herë, pastaj, pa ju drejtuar njeriu tha nëpër dhëmbë ”…Leon e kam njohur që femijë. Në fillore ishim bashkë; është alamet çuni.” dhe befas brofi me këmbë dhe ju drejtua kamarierit, duke nxjerrë një copë letër nga xhepi i këmishës:
            - Bjeri pak këtij numuri!- dhe mëpas mori në dore aparatin e vogël Nokia, që i zgjati tjetri.
            - Alo…Manaxheri Teknik…ti je? …jam Fati….bojaxhiu i Konstruksionit Real 99… për sot do ndërpritet lyerja….pse?… kam hall… pastaj edhe lagështia është mbi normalen…si?… kështu më kanë thënë… të të njoftoj ty për çdo problem teknik… teknik është… thuaji kujt të duash… kujt?… e kam dhjerë atë, bojën e bardhë dhe ty bashkë…-  dhe i dha pa e mbyllur telefonin kamarierit. Nga aparati dëgjohej një si lloj zukatje e pandërprerë, nga e cila mund të kuptoheshin vetëm: "…gjegjësia…shkia… nik… xheri… jekti… nëntë… efi… jekur… alo… alo… shkia…"  Ishte Arkitekti i Përndjekur.
            Ndërkohë Fati kishte dalë rrëmbimthi nga mëngjesorja duke lënë edhe më të habitur ata që rrinin me sytë ngultas tek i vetmi televizor.

Tuesday 14 February 2012

14 Shkurti- Dita e te dashuruarve.

Nje mikja ime kishte vene ne FB nje ekuacion per Diten e Shen Valentinit te ketij viti, qe e barazvleronte me 0. (14-2-12=0) Nje shaka me numura, qe do jete 0 vetem kete vit. Ne vitet qe vijne i njejti ekuacion do jete i vlefshem por negativ.
Festat jane festa edhe pse tregetare. Eshte e cuditshme ky festim i dashurise, por po aq te cuditshem eshte edhe Dita e Nenes apo Babajt. Dite qe nuk kane kuptim nje here ne vit edhe nese ben dhuratat me te qelluara.
14 Shkurti, nga menyra se si festohet ne qytetet ku jetoj apo kam jetuar, sepse me kujton nje kenge te nje filmi neorealist italian " Kur mbremja bie lehte/ Posa Hena ka ndricuar?/Dalin lepujt nga pylli/ Dy nga dy te dashuruar." Nuk i shpetoj dot kesaj figure kur mendoj qe gradualisht, lokalet do mbushen nga "]iftet e dashuruar", qofshin ne momente lumturie apo krize te ciftit. Ne kete dite, ndienja e tyre, qe eshte gjeja me me rendesi qe kane ne kete bote, eshte me shume se kurre prone e te tjereve dhe jo e tyre. Qe dje e sot , ne vendet ku punojne a mesojne, te dashuruarit, duhet t'ju tregojne edhe te tjereve per planet qe kane per festimin e dashurise. Nuk mund te mbajne edhe meri me njeri tjetrin edhe nese jane grindur, sepse "ata- te tjeret", qe nuk kane hic te bejne me ndienjen e tyre do i shikojne me dyshim.
Gara vazhdon neser, sidomos ne rrethet e femrave. Neser krahasohen dhuratat dhe lokalet e mbremjes, e ne nje fare menyre i vihet vlera e vertete te dashurise!
" E une nuk dua te te sjell lule
As te te puth si bejne te tjeret
Mbremjes se mbushur kristale;
Ne gjunje te perulem
A qafes lehte te ve perla,
Nuk mund te blej oret qe me fale
Kur mbyllej e shtuna e niste e diela.
Dua
Te perndahem i gjithi imtas,
Te jem mbremjeve kur s'me ke pran',
Si nje tis ndienje qetesisht trazuar,
Qe te peshtjell,
Te zgjon,
Por edhe ngrohte te mban."

Sunday 12 February 2012

Shkretetira

SHKRETETIRA


- Aq shumë të desha,
E ti më shkrumbove!
Më more lëngun e jetës,
            Limfën e dashurisë.
Shpirtin imët ma bluajte në rërë
            Pafundësisht rërë,
Me tekën tënde të nxehtësisë.

E s'më mbetet veç të gjalloj kur ti ik.
Yjeve t'ju falem,
E të shtriqem druajtur ftohtësisë së natës,
Pa pritur vesën
(E fundit ishte mijra vjet më parë).
Dhimbjen ta përndaj grimcave,
Mos shdëfrej dot duke qarë.

Kreu VII i Perdhunimit.

                        GRUPI SPECIAL I HETIMIT



            Në orën 12.45 arriti edhe nëntoger Ilir Zina. Ishin të gjithë në mbledhjen e parë. Major Kaçi hodhi njëhere sytë nga Fredi dhe pasi pa që ai dicka skiconte në bllokun e tij nisi të flasë:
            - Përgjegjësia mbi shpatullat tona është historike. Nga zgjidhja që do i japim këtij krimi varet e ardhmja e vendit. Të gjithë e dimë se marëdhëniet Pozitë-Opozitë janë të tendosura në ekstrem. Prandaj na duhet nje veprim energjik, i koordinuar dhe efikas. Vetëm kështu mund të parandalojmë rritjen e ortekut politik të ngjarjeve, i cili mund të shpjerë në një prishje të ekuilibreve politike në vend, rajon edhe më gjërë.- Më pas mori frymë thellë, i kenaqur nga hyrja e shkurter dhe domethënëse, që kishte bërë dhe vazhdoi:
-..mund të fillojmë me raportimin për detyrat, që dhamë në mëngjes. Toger Afrim Shano.
            - Së bashku me Aldan morëm në pyetje 24 persona, të cilët ndodheshin mbrëmë në Hotel. 18 prej tyre nuk dinë se ç’ka ndodhur dhe nuk e kanë parë ndonjëherë Leon Gurazin. Tre të tjerë, që kanë fjetur në hotel gjatë ditëve të fundit, thanë se e kanë parë mëngjeseve në restorant dhe janë këmbyer disa herë shkallëve(Fredi mendoi si mund të këmbeheshin në ato shkallë), por veç përshendetjeve nuk kanë kanë folur me të. Diçka më tepër di roja, por deshmia e tij është  kontradiktore. Herë thote se flinte dhe nuk dëgjoi gjë, here qe bente sikur flinte, se e dinte qe Leo dilte jashte ne ate ore zakonisht per te percjelle ndonje vizitore. Pyetjes sone nese njihte gruan ose grate qe percillte Gurazi, ju pergjigj se pikerisht per kete shtirej se flinte. Mos I vinte ato ne siklet dhe mos I dinte cilat ishin… Mendoj që duhet pyetur sërish, ndonëse është tip shumë i çuditshëm. Te dyshimtë na u dukën çifti, qe flinte mbreme ne dhomen ngjitur. Nuk pranonin të jepnin shpjegime pse kishin fjetur në hotel. Te dy jane banorë të këtushëm. Vajza duket më e trembur, kurse djali jep përgjigje të shkurtra vetëm për gjëra pa rëndësi. Të dy nuk kanë qënë të dënuar më pare, por djali është arrestuar një herë para dy vjetesh nën akuzën bashkëpunim me organizatën terroriste “Drejtësia e Vonuar”. Eshtë liruar pas 3 javësh nga Prokuroria për mungesë provash… Ada thotë, që në atë kohë u fol rreth një shumë të madhe qe ishte dhene per lirimin e tij. Quhet Ad Shulku. Ndërsa vajza Elinda Teli.
            - Këta të dy dhe rojen do t’i pyesim menjëherë. Ndërkohë, të mbahen këtu të gjithë ata që janë rregjistruar në hotel dy ditët e fundit. Të tjerët mund të largohen. C'mendim kini zoti Metani?
            Fredi pohoi me kokë.
            - Nga tetë punonjësit e hotelit, që kanë qënë dje në punë, vetëm sportelistja e turnit të paradites e ka parë. Sipas saj, Gurazi ka hyrë rreth orës 10.45' ose 11.00 dhe nuk ka dalë më nga dhoma. Si gjithnjë, e kanë vizituar shumë persona, mes të cileve ka patur edhe të tillë, që nuk i kishte parë ndonjëherë. Por, më shumë kanë qënë antarët e stafit, të cilët hyjnë dhe dalin vazhdimisht në dhomën 34. Nuk i kujtohen cilët kane qënë të fundit që kanë hyre ose kane dalë gjatë turnit të saj. Sportelistja e pasdites, tha se nuk i kishte rënë në sy ndonjë gjë jo normale, vetëm se rreth orës 15 e 35', Leo e kishte njoftuar që të mos lejonte njeri të ngjitej në dhomën e tij. Kjo gjë kishte ndodhur edhe herë të tjera kur ai donte të punonte pa u shqetësuar.
            - Pra diçka kemi të qartë për momentin. Leon Gurazi ka hyrë në hotel rreth orës 11 të paradites. Prej orës 3 e gjysëm të pasdites deri më 5 pa një çerek të mëngjesit ka qënë në dhomë. Nuk ka të dhëna nëse ka dalë për të ngrënë drekë ose darkë. Pra ka drekuar vetëm ose me të tjerë në dhomë dhe e njejta gjë ka ndodhur gjatë darkës. Për çudi në dhomë ka vetëm një shishe të gjysmuar rakie. Pra mbetet që Gurazi të mos ketë ngrënë, ose të ketë dalë pa u parë nga njeri jashtë. Që ata që ishin me të në dhomë të kenë marë me vete mbeturinat e ngrënies është e pamundur se ata nuk kanë patur kohë te fshehin gjurmët. Po ju Bert, ç’morët në Spital?
            - Mora raportin Mjeko-Ligjor. Opinioni i Kryekirurgut është se veprimi mund të ketë qënë i qëllimshëm, por nuk përjashtohet edhe ai aksidental. Nuk ka shenja të dukshme, që të mund të konkludohet se Leon Gurazi ka rezistuar me të gjitha forcat ose  është torturuar sistmatikisht. Ka vetëm disa hematoma në gjoks, në rrëzëkofshën e djathtë dhe rreth qafës. Gjendja e përgjithshme paraqitet pa rrezik për jetën, por nuk mund të thuhet se ç’dëmtime mund të jenë shkaktuar në tru, për shkak të hemoragjisë të stërzgjatur. Gjithshka pritet të sqarohet pasi të dalë nga koma.
            - Atehere nuk bëhet fjalë për të patur shpejt dëshmine e të vetmit njeri që ka qënë në dhomën 34, në këto momente. Cdo enigmë duhet ta zgjidhim vetë. Vazhdo nëntoger Zina.
            - Për vetë pozicionin që mu dha, në fillim krijova raportet me stafin e viktimës Leon Gurazi. Kërkova të më kalohej i gjithë dokumentacioni përkatës dhe më pas do vazhdohej me pyetjet përkatëse ndaj antarëve. Përsa i përket anës së tyre pozicionale, mund të them se nuk gjeta bashkëpunimin e duhur si për kalimin e dokumentacionit ashtu edhe për dëshmitë rreth raporteve të tyre me viktimën. Ndaj mendoj për rishikimin e anës sonë pozicionale në raport me stafin e Gurazit. Në të kundërt, pozicioni i drejtuesve të Telecel-it ishte teper bashkëpunues. Kjo eshte lista e telefonimeve të dy ditëve të fundit.
            Fred Metani vuri re lëvizjet e prera, që kreu nëntogeri për t'i dorëzuar listën Majorit dhe mendoi që Zina duhet të kishte punuar për një kohë të gjatë si instruktor qitjeje në ushtri. Ndryshe, nuk mund të shpjegoheshin gjithë "pozicionet" dhe "anët pozicionale" të tij, mendoi duke qeshur me vete dhe shënoi në bllokun e tij”…gjej pozicionin më të pershtatshem për IZ”.
            Majori i hodhi një sy listës dhe ju drejtua të gjithëve:
            - Nëse nuk ka pyetje mund të fillojme me përcaktimin e pistave. C’mendim keni zoti Metani?
            Hetuesi vazhdoi të shkruajë në bllok, për të fituar kohë që të jepte një përgjigje të kujdesshme. Nuk ishte koha për të hyre në debat me Major Kaçin.
            - Le të jape çdonjëri mendimin e tij rreth pistave, bazuar në ato që posa dëgjuam. Si thoni Bert?
            Berti u kap në befasi nga pyetja e hetuesit dhe pasi mblodhi buzët nisi të fliste ngadalë:
            -…Mendoj…është ende shpejt për të arritur në çfarëdolloj konkluzioni. Kemi shumë pak fakte që të çojnë diku.
            Toger Afrimi dhe Alda tundën kokat duke miratuar thënien e Bertit.
            - Po ju nëntoger Zina?
            - Per vetë anën pozicionale, që kam në Grup, mendoj që pistat përkatëse mund të përcaktohen kur gjerat të jenë më të faktuara.
            “C’mendim keni ju Major?” ju drejtua së fundi Fredi bashkëkryetarit të Grupit.
            Major Kaçi mezi përmbahej të mos shpërthente, gjë që nuk shpëtoi pa rënë në sy.
            - Me këtë ritëm pune nuk kemi gjë në vijë. Sytë e të gjithëve, e të gjithë kombit do thoja, janë drejt nesh. Presin, presin të përcaktojmë drejtimet e hetimit, presin që Grupi Special i Hetimit të jetë efikas e të dalë me përfundime sa më parë… Ne kemi më se shtatë orë pune dhe nuk jemi në gjendje të përcaktojmë dy-tre drejtime.
            - Mbase ju dhe unë kemi opinionet tona për pistat. Të tjerët i dhanë mendimet e tyre. Eshtë rradha jonë tani.- foli qetë Fredi.
            - Unë i qëndroj mendimit që ju shpreha më parë. Dy janë për mua pistat e mundshme.
            - Deri diku edhe unë bashkohem me ju. Duket që janë dy ose më shumë pista. Tani për tani na duhet më tepër informacion për të arritur në perfundime. Mendoj të takohemi po këtu pas 3 orësh. Berti përgatitni shpejt një raport mbi ç’u gjet në dhomë, dëmtimet e viktimës dhe përfundimet e raportit mjeko-ligjor. Nëntoger Zina bëj një kopje të listës së telefonimeve nga celulari i Leon Gurazit dhe pyeti në Zyrën Elektorale  ata që kanë biseduar me të. Kërkoju hollësi në varësi të kohëzgjatjes së bisedave. Toger Afrimi, hetoni rreth njerëzve që jane në listë dhe përgatitni një raport të shkurtër me hollësi rreth punëve që bëjnë, marëdhënieve me Gurazin dhe nëse kanë patur probleme me rendin më parë. Ju lutem, gjeni menjëherë dhe silleni këtu Pjetër Dinin. Ti Alba bëj një përmbledhje të gjithë hetimeve të kryera. Ne po vazhdojmë të pyesim ata që kanë më tepër lidhje me ngjarjen… Në rregull Major?
            Ndërsa Major Kaçi heshte me nofullat e shtërnguara, të tjerët filluan të dalin nga dhoma, për të shmangur praninë në sherrin mes bashkëkryetareve. Të dy, nuk shihnin më njeri tjetrin, por dukej sikur përpinin me sy emrat në listën e telefonimeve nga numuri 016781433.




NDERKRERESE  2


LISTE E BISEDAVE TELEFONIKE TE NUMURIT 016781433



   Nr      Abonenti                     Hyrëse             Dalëse             Koha                  Kohëzgjatja

  1. Kris                             016795522                              15.22/02/02/                01’28”
  2. Zyra Elektorale LG                         6793444            15.18/02/02/                00’36”
  3. Ndërkombëtare            15243086217                          15.07/02/02/                03’49”
  4. Zyra Elektorale LG            6793444                                  15.02/02/02/                02’36”
  5. Edvin Lohja               017536989                              14.49/02/02/                04’23”
  6. Alda Melsi                                        01635726            14.23/02/02/                02’55”
  7. Kryesekretaria e PV                         6428889            14.06/02/02/                01’16”
  8. Ziso Fanti                                       6354781            13.34/02/02/                04’03”
  9. Atmir Beli                  016713403                              13.09/02/02/                11’17”
  10. Zyra Elektorale LG            6793444                                  12.44/02/02/                04’33”
  11. Zyra Elektorale LG                         6793444            12.18/02/02/                00’42”
  12. Nanita Mane                                       01684219            11.55/02/02/                03’27”
  13. Alda Melsi                01635726                                11.36/02/02/                04’09”
  14. Kabina 618                  5332618                                  11.16/02/02/                02’55”
  15. Edvin Lohja               017536989                              10.48/02/02/                05’13”
  16. Zyra Elektorale LG                         6793444            10.42/02/02/                01’47”
  17. Ndërkombëtare            453726852                              10.29/02/02/                05’38”
  18. Demosten Duma                          01674423            10.12/02/02/                03’48”
  19. Ramadan Xhezi            016734686                              09.42/02/02/                16’24”
  20. Kabina 618                  5332618                                  09.27/02/02/                02’28”
  21. Jorgo Gurgullima            016935353                              09.20/02/02/                05’14”
  22. Zyra Elektorale LG                         6793444            09.13/02/02/                04’31”
  23. Edvin Lohja                                       017536989            08.58/02/02/                06’22”
  24. Kabina 618                  5332618                                  08.16/02/02/                02’41”
  25. Ndërkombëtare                                  15243086217            04.56/02/02                 03’24”
  26. Demosten Duma            01674423                                10.12/01/02/                02’19”
  27. Edvin Lohja               017536989                              09.38/01/02/                04’55”
  28. Alda Melsi                                        01635726            09.03/01/02/                02’07”
  29. Nanita Mane                                       01684219            08.43/01/02/                05’13”
  30. ……………………………………………………………………………………………….
             


           

Saturday 11 February 2012

Megallomania e Ballkanasve.



Kriza e sotme Europiane, mes shumë "të palarash" të tjera, nxori në pah një nga cilësitë shumë të dëmshme për shoqëritë e Ballkanit. Atë të megalomanisë. U shfaq më hapur dhe në mënyrë më dramatike në shtetin më të përkëdhelur Ballkanik- Greqinë.
                        E kam vizituar fqinjin tonë për herë të parë në gusht të vitit 1992(ishte vizita ime e parë jashtë vendit) dhe më la përshtypje të pashlyeshme. Sidomos Athina, edhe pse qëllova në një kohë kur bënin grevë punonjësit e pastrimit të plehrave dhe kishte mbingarkesë mbeturinash në vendet e depozitimit. U trishtova për prapambetjen e vendit tim dhe rininë tonë të humbur brenda një sistemi të mbyllur dhe absurd. Mendova që grekët kishin qënë me fa që nuk fitoi EAM-i pas Luftës së dytë dhe nuk ju bashkëngjitën qerres të Bashkimit Sovjetik. Dukej si një shoqëri që funksiononte mirë dhe njerëzit që ishin kthyer nga "kurbetet" e rënda të Gjermanisë apo vendeve Skandinave, po ndërtonin një jetë të mirë për vete dhe fëmijët e tyre. Mu duk e çuditshme që më shumë se gjysma e popullsisë së Greqisë jetonte në Athinë, e megjithatë, duke mos pasur ndonjë njohje të ekonomisë të kapitalizmit(veç asaj që më kishte mësuar Dalip Cota)kujtova se i tillë është Qytetërimi. Njerëzit jetojnë në qytete.
Një vit më vonë, krahas Greqisë, pata mundësinë të vizitoja edhe vende të tjera në të dy anët e Atlantikut dhe të bëja një lloj krahasimi(të sipërfaqshëm) mes shoqërive perëndimore dhe shoqërisë greke. Shumë athiniotë jo vetëm ngjisnin me ne shqiptarët, por më dukej se ngjisnin shumë me atë pjesë të shqiptarëve që  ju themi "e kanë gjoksin me gropë".  Mendoja që kushtet klimaterike, deti Mesdhe, ushqimi, testosteroni, i bëjnë njerëzit e këtyre trevave të jenë krenarë deri në arrogancë dhe debatues deri në nxjerrje thikash. Kishte filluar edhe të shprehej hapur një përbuzje ndaj të huajve dhe sidomos shqiptarëve, nga njerëz që kishin jetuar në emigracion dhe kishin ndjerë në kurrizin e tyre të njëjtën përbuzje. Por më shumë se çdo gjë që më binte në sy për keq, sidomos edhe pas vitit 1997, ishte një lloj jete pushimesh e rinisë të Athinës. Klubet ishin plot me të rinj nga mëngjezi deri në darkë, të rinj që pinin frape e luanin tavëll. Disa herë pyeta grekë ose shqiptarë që jetonin aty "Si është e mundur?" dhe përgjigjeshin pa shumë kokëçarje "Kështu është në Greqi! Një punon dhe dy rrinë e shikojnë!" dukej se çdo gjë do vazhdonte ashtu pa bërë shumë përpjekje, më në fund edhe ne ballkanasit të jetonim si "pasha".
Megallomania e grekërve kishte arritur kulmin që më 1993, kur kërkonin që Lojrat Olimpike të 2000 të mbaheshin në Greqi, gjë që arritën ta fitonin më 1997. Në një vend prej 10 milionësh, me ekonomi të pastabilizuar dhe me një shtet që nuk vilte dot taksat. Qindra mijra Euro po ju paguheshin sportistëve shqiptarë, rusë, bullgarë, ukrainas të stërviteshin në Greqi dhe për Greqinë në sporte që nuk sjellin asnjë lloj fitimi. Pa pritur e pakujtuar Greqia po kthehej edhe në një Fuqi Olimpike. Përse? Për të treguar që rrjedhin nga Perikleu, Aristoteli, Platoni, Fidia, ndonëse nuk kanë asnjë lidhje gjenetike me ta. C'i shtyn këta pasardhës të tribuve shqiptare, greke, vllehe e sllave të shiten më shumë se ç'janë? Mentaliteti i tyre ende bajraktar?
Mendoj se PO.
Rrënimi ekonomik i sotëm i Greqisë, është i ndryshëm nga kriza ekonomike e Islandës apo Irlandës. Ka rrënjë të thella në megalomania jonë Ballkanike.
Ndoshta do shërvejë si mësim i mirë për shqiptarët, rumunët serbët e bullgarët, të mos bëjnë marrëzitë vetëshkatërruese të Greqisë..

Tuesday 7 February 2012

Vazhdon rrugetimi i Olsit dhe une jam me konfuz se Olsiprinder


Olsi fillon të marë që në vegjëli, pa hyrë në shkollë, mësimin e gabuar të dy botëve. Njëra e sigurta, ku hyn ai vetë me prindërit dhe të afërmit që i vizitojnë rrallë, edhe kushërira e tij Ana, me të cilën ka përmjerë disa herë në të njëjtën banjë, dhe ajo bota tjetër, e madhja, e frikshmja ku hyjnë miliardat e mikrobeve dhe insekteve, kafshëve të egra veç elefantit, burrat e bardhë që vërtiten të vetmuar lulishteve publike, të rinjtë me ngjyrë që shpërndajnë diçka të ndaluar dhe të gjithë të tjerët që ecin me dy, katër dhe me shumë këmbë. Për ata që ecin me karrige me rrota i kanë thënë që të mos i ketë frikë, por ata e trembin më shumë Olsin. Në botën tjetër hyn edhe dentisti që i buzëqeshte të jëmës, kur Olsi rrinte thuajse i shtrirë në ndenjësen e klinikës dentare dhe me syze të errëta, që ja kishte vënë ndihmësdentisteja.
Tani, prindërit e tij, që e kishin paralajmëruar shumë herë të mbrohej nga miriadat e mikrobeve, insekteve dhe burrave të bardhë që ecnin të vetmuar lulishteve publike, do e shpien në një pjesë të bukur të asaj botës tjetër, me shumë fëmijë me syze dhe pa syze, si dhe me gra tërë tule që do e duan shumë e do i mësojnë gjithë ato gjëra të reja.
Olsi ka kureshtje por edhe frikë nga ajo tërësi dhomash e korridoresh, në të cilën mund të të shfaqen krejt papritur gjithfarë mostrash dhe ai do e ketë të vështirë të largohet nga izolimi në atë ishull, ashtu si e ka të zorshme të largohet nga Morrowind, në lojëvideon Elderscrolls III.
Për më tepër, ai trembet kur dëgjon një bisedë të Olsiprindër, që flasin për një komanderos në një vend shumë të largët, që ka ngritur të gjithë pinguinët për të protestuar kundër shitjeve të shkollave, të cilat duhet t'ju ndahen në pjesë të barabartë të gjithë pinguinëve. Ai e ka të vështirë ta mendojë veten mes një turme të pafund pinguinësh, megjithëse ata janë më miqësore se mostrat e videolojrave. Nuk arrin të kuptojë edhe përse e jëma, duke përmendur vazhdimisht shembullin e komanderos së re, ngul këmbë që edhe Olsi të shkojë në një shkollë private. Më mirë të flerë sa të bëhet dita e barabartë me natën dhe atëhere mund të kuptojë më mirë se sa e frikshme do jetë bota e huaj me një shkollë në mes të saj.

Prit deri ne pranvere.

PRIT DERI NE PRANVERE


Asnjë nuk ishte larguar në dimër.
Në fund të verës kishte ndodhur më shpesh;
Pasi gjithshka kishim pirë,
Kur s'kishte mbetur më
Prej nektarit të puthjes,
            Drithërimave të prekjes,
                        Cuçuritjeve përkëdhelëse në vesh.

Kurse ti ikën jashtë në të ftohë,
Larg shtratit të ngrohtë të ëndrrave
Dhe qan bashkë me këtë erë,
Që kuit hapësirës së rrafshët boshe.
Nuk mendon që shpejt lulet do çelin;
Nuk shpreson se mund të ketë pranverë.

Unë prek tingëllimin pa ngjyrë të heshtjes
Dhe ndalem tek dera.
Trembem të shoh shpinën tënde të akulluar,
Që s'mundem më ta ngroh,
            As t'i rikthej drithërimin.
Belbët shqiptoj:
-Do vinte pranvera.
            Do e përndante hidhërimin!







Sunday 5 February 2012

Kreu i VI i "Perdhunimit"


                                    MANAXHER TAFILI



            Sapo u hap dera e zyrës manaxher Tafili kërceu nga ndenjësja dhe fiku televizorin. Kishte filluar konferenca e shtypit e Kryetarit të Opozitës. Pastaj, si i zënë në faj, që po ndiqte rrjedhën e lajmeve, tani që ishte dëshmitari kryesor i krimit të dhjetëvjeçarit, ndoshta dhe të gjysëmshekullit, i buzëqeshi përulshëm Fred Metanit. Hetuesi nuk i kushtoi rëndësi buzëqeshjes, vetëm i dha dorën duke mërmëritur:      
            - Jam Fred Metani dhe do ju pyes  për ndodhinë e sotme. Mund të uleni.
            Tjetri u ul ngadalë në vendin e tij duke vazhduar të mbajë të njëjtën buzëqeshje në fytyrë.
            - Si quheni dhe kur kini lindur?
            - Tafil Bitri. Kam lindur më 18 Korrik 1954.
            - Profesioni dhe puna, që kryeni?
            - Kam mbaruar Shkollën Tregëtare dhe punoj si manaxher i hotelit. Jam bashkëpronar me Pjetër Dinin.
            Fredi pa me vëmendje fytyrën pa rrudha të Tafilit, që shkëlqente akoma më shumë nga drita e shumëfishuar në qelqet e trasha të syzeve. Ju duk se diku e kishte takuar, ose më mirë e kishte parë edhe herë të tjera. Tjetri, herë mbante pezull e herë rigjallëronte përulësinë në buzëqeshje.
            - Ne ç’orë kini hyrë mbrëmë në hotel?”
            - Duhet të ketë qënë rreth dhjetë e gjysëm. Ajo është zakonisht zakonisht ora kur filloj kontrollet e darkës.
            - C’fare kontrolloni në atë orë?
            - Të gjitha. Dhomat e lira, gjendjen e restorantit, përgatitjet e mëngjesit. Zakonisht zakonisht bëj edhe bilancin financiar ditor.
            - Po rojet i kontrolloni?
            - Sigurisht sigurisht.
            - Ju flini gjithmonë këtu?
            - Zakonisht zakonisht unë fle në shtëpi, paraditeve. Ndonjëherë fle këtu disa orë ndaj të gdhirë  .
            Fred Metanin kishte filluar të bezdisej nga shprehja zakonisht zakonisht, që përdorte manaxheri, ndaj vazhdoi me pyetje më të preçizuara.
            - C'farë të ra në sy gjatë kontrolleve të mbrëmshme?”
            - Cdo gjë ishte si zakonisht zakonisht. Vetëm më bëri përshtypje, që të gjitha dhomat ishin të shitura. Nuk ndodh zakonisht zakonisht në këtë periudhë.
            - Në ç’orë u kyç dera e jashtme?
            - Nuk e kycim kurrë.
            - Ka hyrje tjetër?
            - Dera e pasme e furnizimit.
            - Kur u mbyll mbrëmë?
            - Nuk e di saktësisht. Ishte e mbyllur gjatë kontrollit rutinë, që bëra si zakonisht zakonisht, më 2 pasmesnate.
            - Kush e mbylli ?
            - Shefi i kuzhinës besoj. Vetëm ai dhe roja kane çelës.
            - Te tjerë çelsa nuk ka?
            - Sigurisht kam një kopje unë dhe një kopje tjetër Pjetër Dini.
            - Pjetër Dini ka qënë mbrëmë në hotel?
            Buzëqeshja e manaxherit u shtri më shumë se zakonisht zakonisht, pas pyetjes për bashkëpronarin.
            - Ju nuk e njihni Pjetrin? E njeh i gjithë qyteti. E thërresin Pjetër Pokeristi…Ai thuajse nuk shkel ketu. Zakonisht zakonisht mbrëmjeve luan poker deri në të gdhirë.
            Fredi tundi kokën në shenjë pohimi. E njihte Pjetrin, por nuk e dinte që ishte pronar i këtij hoteli. Bile ju duk e çuditshme, që pas mijra orëve të humbura ne kumar, ai kishte patur mundesi të gjente kohë dhe para për të ndërtuar një hotel. Qoftë dhe të vogël si “Adriana”.
            - Nuk dëgjuat gjë të pazakontë midis orës 3 e gjysëm dhe 4 e 45?
            - Jo. Asgjë të pazakontë.
            - Pse hytë në dhomën 34?
            Manaxher Tafili e mblodhi buzëqeshjen dhe hetoi një çast fytyrën e Fredit.Nje cast te vetem dhe shume te shkurter,gati te pakapshem per nje sy te pastervitur.
            “Me 4 e  45 si zakonisht zakonisht u ngjita në katet lart, për të bërë kontollin rutine te pragmengjesit. Ne katin e dyte cdo gje ishte normale. Ne te tretin pashe te hapur deren e Leon Gurazit. I fola disa herë dhe pastaj, kur s’mora përgjigje hyra brenda dhe e gjeta te pergjakur.
            - Gjithmonë, kur nuk të përgjigjen klientët hyn në dhomë?
            - Si?- hezitoi të përgjigjej Tafili.
            “Ju pyeta nese zakonisht zakonisht, kur gjen deren e hapur dhe nuk te pergjigjen, hyn ne dhome per te pare c’ndodh.”
            Manaxheri u gëlltit disa herë.
            “Mbase s’ju kuptova mire…po …nuk kam patur raste te ngjashme, qe te them….pastaj Leon Gurazi ishte klient I vjeter dhe qeme gati si miq…”
            “Nuk ju shkoi ne mendje se mund te ishte ne banje…a mbase kishte dike tjeter brenda?”
            Befas kërciti dera dhe brenda hyri Major Kaçi. Tafili e pa me një lloj përdëllimi, si ti kishin sjellë urdhërin e faljes. Ndërkohë, që Majori zinte vend pranë tryezës, manaxheri vazhdoi me një zë më të sigurt:
            - Ne gjithmonë mendojmë për interesin dhe sigurinë e klientëve. Prandaj dhe me kontrollet rutinë që bejme zakonisht zakonisht, mundohemi te krijojme për ta kushtet me të mira.
            - Pra nuk ju shkoi ndërmend se mund të ishte në banjë ose me dikë tjetër?
            - Jo.
            - C’bëtë më vonë?
            - I kontrollova pulsin. E kishte shumë të dobët. U mundova ta përmendja dhe si e pashë që ishte e kotë telefonova major Kaçin.
            - Më tej?
            - Pastaj telefonova Ndihmën e Shpejtë dhe zbrita për të zgjuar rojen në holl.
            - Përse të duhej roja?
            - Po... mendova që do vinin shumë njerëz në hotel dhe dikush duhej t'i orientonte.
            - Sa kohë zgjatën të gjitha këto…afërsisht?
            - Ndoshta 4-5 minuta. Mbase pak më tepër..
            - Gjatë kësaj kohe askush nuk ishte në dhomë apo jo?
            - Si të thuash..une u ngjita shpejt lart, menjëherë sa zgjova rojen dhe i thashë shkurt se ç’kishte ndodhur.
            - A mundej që gjatë kësaj kohe dikush të largohej nga dhoma? Dikush i fshehur në banjë a diku në dhomë?
            - Absolutisht e pamundur. Dera e pasme ishte e kyçur. Në holl ndodheshim unë dhe roja. Nuk kishte se si të dilte gjatë asaj kohe.
            - Po nga ballkoni? Nëse ishte i fshehur në ballkon?
            Tafili i hodhi i shqetësuar sytë herë nga Major Kaçi dhe herë nga Fred Metani pa mundur të përgjigjej.
            - Dera e ballkonit ishte e mbyllur kur erdha unë- tha prerë Major Kaçi.
            - Edhe një pyetje kam për ju Tafil Bitri. A i lejoni rojet e turnit të natës të flenë?
            - …Zakonisht zakonisht ne i lejojmë të flenë nga pak në orët e vona pas mesnatës.- u përgjegj Manaxher Tafili dhe i veshtroi sërish të dy.
            - Faleminderit. Tani për tani mbaruam bashkë.- përfundoi Fredi dhe u ngrit. Major Kaçi qëndroi edhe disa çaste ulur.
                       






  


                                    NDERKRERESE 1

Pjesë të shënimeve  nga blloku i Fred Metanit.


3 janar...
Pas pyetjes së TB
-A përgjohej LG nga SHI-u?

-TB gënjen zakonisht zakonisht apo vetëm me raste?


-Kush ka urdhëruar të mënjanohet policia?
-A mund të jenë autorët ose autori në hotel?

-Të gjendet menjëherë PD.