Saturday 28 March 2020

Edhe nje pyetje ne kete krize


“…Gjatë natës ka vetëm një mjek specialist reanimacioni, që duhet të ndjekë të gjithë pacientët. Abby (mjekja)do ta ketë të pamundur të harrojë se si një 38 vjeçari  i vënë plotësisht në ventilator(oksigjeni) dhe që ishte hipoksik në 70%, pasi u bë një kërcim i menjëhershëm në 88%, më vonë vdiq vetëm se nuk kishte personel të mjaftueshëm për të kontrolluar vazhdimisht nivelin e furnizimit me oksigjen…”
Eshtë një pjesë e vogël e shkëputur nga nje e-mail i gjatë, që tregon për problemet e mëdha në një spital të Nju Jorkut gjatë këtyre ditëve të Covid-19.
Historira të tilla ka me mijra në Itali, Spanjë, Francë, Angli dhe vende të tjera të zhvilluara për të cilat kemi menduar se kanë një sistem shëndetsor të përparuar ose të paktën optimal.
Mes mijra pyetjeve nga më të thjeshtat e deri në filozofiket, që na shkojnë nëpër mendje gjatë kësaj krize të Njerëzimit, është edhe një, më e thjeshta dhe njëkohësisht më e komplikuara për tu përgjigjur “C’farë bëjmë keq?”
Nuk është koha për t’ju hedhur fajin të tjerëve (si bëjmë rëndom edhe nëpërmjet teorive konspirative) politikanëve apo forcave të errëta, por për të menduar thellë se c’bëjmë vetë për të mbrojtur shëndetin e vetes, familjes dhe bashkësisë ku jetojmë. (Nuk e kam fjalën për masat higjenike personale.)
Ne nuk dimë se si funksionojnë sistemet shëndetsore në vendet tona. Nuk dimë se si planifikohet paratë e taksave për këtë sektor dhe se si shpenzohen ato. Nuk dimë se cilat janë nevojat e infermierëve dhe mjekëve, të cilët janë rojet e të gjithëve para se të na hapen portat e xhenetit apo të xhenhemit. Nuk dimë se cilat grupime politike dhe cilët kandidatë për qeveritarë janë më të prirur për të mbështetur sektorin e Mbrojtejes së Jetës. (Jo sektorin e ashtuquajtur të Mbrojtjes, por që në të vërtetë është i luftës.) Sepse nuk dimë ndaj dhe nuk jemi në gjendje për të bërë më të thjeshtën që mund të bëjmë: Të zgjedhim për të qeverisur ata që janë më njerëzorë e që mund të bëjnë më shumë për të mbrojtur jetët e njerëzve.
Një zyrtar i lartë i Shëndetsisë në Angli, sot kishte deklaruar se “po të kemi 20 mijë të vdekur në fund të kësaj epidemia, duhet të jemi të kënaqur”. Si të bëhej fjalë për 20 mijë portokaj të prishur apo për presh të kalbur.
Eshtë si t’ju kujtosh përditë njerëzve, sidomos më të dobëtve dhe më të varfërve, që nuk jini gjë tjetër veç numura, pa jetë pa histori, të vlefshëm vetëm për disa formularë statistikorë në sirtarin e një burokrati.
Por faji nuk është vetëm tek ky zyrtar. Eshtë po aq edhe tek unë. Po aq edhe tek ti që lexon këto rrjeshta.