Friday 31 March 2023

Ditë zie për arkitekturën shqiptare


Si shumë kolegë të tjerë, sot mora një lajm tejet të hidhur dhe shumë të papritur. Eshtë larguar nga ne pas një infarkti arkitekti i mirënjohur Vladimir Bregu. Më dukej se nuk kisha as një javë, që kisha folur në telefon, por pasi kontrollova, biseda kishte qënë e datës 13 mars.

Një bisedë e qetë dhe e shtruar rreth arkitekturës, si kishin qënë përgjithësisht bisedat me kolegun e shquar. Ladi nuk ngutej dhe i shprehte qartë mendimet e tij. Mendime të konsoliduara rreth artit dhe profesionit tonë

Ishim njohur vonë, ndoshta prej rrethanave të çuditshme, që na kishin mbajtur larg, se ishim rritur në banesa vetëm 200 metra larg në vijë ajrore nga njëra tjetra. Ladi ishte vërtet 5 vjet më i madh se unë dhe në shkolla të tjera, por kisha njohur shumë moshatarë të tij, kurse atij vetëm i kisha dëgjuar emrin kur kisha nisur studimet në arkitekturë. Përgjithësisht dëgjohet emri i të talentuarve. Lad Bregu ishte më i talentuari i një brezi të tërë dhe ndonëse e kishin emëruar në Zyrën e Urbanistikës në Ersekë, ata, të cilët ja njihnin talentin dhe aftësitë e mbanin të punonte në Tiranë nëdrsa vazhdonte të paguhej në Ersekë. Korça (më mirë zyrtarët e saj )nuk kishin ditur ta vlerësonin e ta merrnin për të kontribuar për qytetin. Ndodh jo rrallë  me të shkëlqyerit.

Në këtë ditë dhimbjeje, kur mendja nuk largohet nga kjo ndarje kaq e parakohëshme, në fototekën e mendjes rikthehen çastet kur pata takuar për herë të parë dikë, që e admiroje pa e njohur. Ishte pranvera e vitit 1993, kur një klient i joni, për një vepër të rëndësishme të tij, kërkonte përfshirjen në grupin e projektimit të Ladi Bregut. Kur e takova para Ministrisë së Arsimit, bashkova figurën e një njeriu që e kisha parë shpesh në Korçë me veprat e rëndësishme, të cilat kishte projektuar.  Më kishte lënë përshtypje të veçantë projekti i tij i diplomës, të cilin e studioja në Arkivin e Universitetit dhe natyrisht Pallati i Kongreseve dhe Piramida, në të  cilat kishte qënë autori kryesor.

Vite më vonë, kur e kisha takuar disa herë në Toronto dhe në Tiranë, mundohesha të zbërtheja enigmën "Ladi Bregu", që ishte aq i qetë dhe konservator në dukje dhe aq shpërthyes dhe emocional në arkitekturën e tij. Të befasonte vazhdimisht me ato, që projektonte dhe dukej se nuk kënaqej kurrë ndaj dhe gërmonte edhe më thellë profesionit. Kishte një gërshetim të talentit me një edukatë të lavdërueshme pune, që gjithmonë shpije në sukses. 

Arkitektura e Ladit nuk njihte stanjacion. Ishte gjithmonë në rritje dhe kërkim. Nuk ishin cilësi këto që ai i deklaronte në biseda, por dukeshin në punët e tij gjatë viteve. Ata, të cilët kanë pasur fatin të punojnë me të, i njohin më mirë këto. Konstatimet e mija janë nga ato që kam parë në veprat e tij në Shqipëri dhe që ndoshta nuk i njoh të gjitha.

Njeriu dhe profesionisti, kanë raporte të ndryshme me familjen, miqtë, kolegët, profesionin dhe atdheun. E përbashkëta në ditën e sotme është Zija. Më shumë për njerëzit e afërm, por unë do e rendisja shumë pranë edhe Zinë për arkitekturën shqiptare. Arkitektë si Lad Bregu nuk dalin çdo vit. Janë të rrallë. Ndaj edhe pse veprat e lëna janë të shumta, boshllëkun që lenë në arkitekturën e një vendi ështëi pazëvendësueshëm. Ladi ishte në fundin e të 60-ve dhe sikurse bëmë shaka në bisedën e fundit duke cituar Renco Pianon "Arkitekti mund të quhet i tillë kur ka mbushur 70. Atëhere nis të projektojë si duhet."

Do kishte bërë shumë për Tiranën dhe qytetet e tjera të Shqipërisë (përfshi edhe Korçën e tij) nësefati i keq nuk do e kishte marrë kaq shpejt.

Përulem me shumë dhimbje para teje i dashur Ladi!

Wednesday 29 March 2023

Një fjalim elitar

 

Unë nuk kam provuar ndonjëherë nga këto “elitarkat”, por duke u habitur shpesh me mënyrën se si flasin politikanët, analistët dhe juristët (dhe jo vetëm ata) në Shqipëri thashë të provoj njëherë. Të më ndjejnë ata, që nuk janë elitarë se mund të kenë vështirësi në kuptimin dhe zbërthimin e ideve që do shpalos më poshtë:

“Nga i gjithë këndvështrimi objektiv dhe bashkëkohor, që do i qasem problematikës në fjalë do varen edhe përfundimet që gjithkush mund të nxjerrë ose të interpolojë midis rrjeshtave, në rrjeshtat dhe në kombinimin e tyre të ndërsjelltë. Nëse aksentimi paraprak, që do zhvendosë fokusimin e përgjithshëm në disa prej pikave më të errëta të lokacioneve të ndryshme, të cilat përfaqësojnë zhvillimin vertikal dhe të inklinuar, do na ndihmojë në klarifikimin e disa prej mjegullnajave paragjykuese, ne do jemi në gjendje në këtë epokë të dixhitalizuar të determinojmë prioritetet.

Cdo gjë ka një pikënisje fillestare tek habitati i vet dhe vetëm me një transformim të organizuar në mënyrë spirale ne do hamendësojmë se ndryshimi mjedisor në pikpamjen e tij më elokuente mund të bëjë të mundur lëvizjen nga pika A në B, kur sikundër përmendëm pika A është habitati dhe pika B është synimi dinamik i finalizimit të objeksionit. Atëhere le të ndalemi fillimisht në pika C, që si ndërmjetësim tranziciomal merr një rëndësi të dorës së parë dhe gjithkuptimore sepse pikërisht aty gërshetohen trajektorja, mënyra e zhvillimit, metodat e përdorura dhe të gjithë faktorët e tjerë minorë, të cilët si do shohim më poshtë do jenë determinues për të gjithë procesin kryesor.

Po pse ndërmjetësimi tranzicional, që mishërohet në Pika C, që në këtë rast humbet funksionin e saj si pikë sepse merr atributet e procesit, ka rëndësinë filozofike të evolucionit, ndërsa dy gjendjet e tjera, të cilat deri vonë konsideroheshin si prioritare dalin thjesht si ndihmëse të ngarkesës emotive të procesit?

Ne jemi të lidhur pafundësisht ngushtë me habitatin sepse konjicioni ynë ze fill racionalisht dhe emocionalisht atje, por njëkohësisht na shërben si një platformë shtytëse drejt një trajektoreje të re, që jo vetëm I ngjan flurudhës të një procesi balistik, por synimin e ka të na shpjerë mendërisht atje ku nuk kemi qënë. Tek e panjohura. Pra e panjohura merr në vetevete vlerën e dyfishtë të qëllimit dhe të zeros duke bërë në këtë rast ngjizjen e dy ekstremeve më të papranueshme teorikisht, të cilat janë Hiçi dhe Infiniti. Domethënë në një anë kemi platformën, që po braktisim për një rrugëtim shumëfunksional mes një morie kodesh dhe algoritmesh alternative, dhe në anën tjetër kemi Zeron, që mbart njëkohësisht tërë kualitetet e të Pafundmes.

Le ta fusim një herë veten në trenin imagjinar të Ainshtajnit, edhe pse problematika që po prekim është e natyrës filozofike-sociologjike dhe jo e fizikës kuantike, ndaj si e tillë edhe pse po përdorim analogjinë klasike të përdorur nga gjigandët mbi shpatullat e të cilëve qëndrojmë, nuk mund ta thjeshtësojmë në nocionet bazë të shpejtësisë së dritës. Pra treni edhe është se ne jemi brenda tij, por në të vërtetë nuk ekziston se është I zëvendësuar nga një media tredimensionale, që nuk mund të mbahet në binarë të caktuar. Pikërisht ky është procesi dhe nëse kemi kuptuar këtë do jemi në gjendje të demostrojmë edhe rezultatet e përgjithshme dhe ato individuale, të cilat rrjedhin në përfundim të tij, jo sepse duam ne ose se kemi arritur qëllimin, por pikërisht se duke dashur të përdorim opsionet alternative gjatë trajektores ne kemi arritur, tek ajo ç’ka kishim synyar që  kaherë. Zëvendësimin e habitateve me procesin.

Ju faleminderit.

 

Të ndodhur mes shiut dhe breshërit, shqiptarët zgjedhin…La Manshin


Eshtë vërtet paradoksale gjendja në të cilën ndodhen votuesit shqiptarë para këtyre zgjedhjeve vendore. Në njërën anë janë kandidatët e qeverisë më të korruptuar, që ka parë deri tani Shqipëria dhe në anën tjetër qëndrojnë kandidatët e Berishës dhe Metës. Edhe pse mund të flitet për cilësi të veçanta të kandidatëve të veçantë, edhe pse disa prej tyre mund të jenë vërtet njerëz të zotë dhe të mirë, edhe pse mund të thuhet se këto nuk janë zgjedhje politike, ajo që dihet nga kushdo është - Në Shqipërinë e tranzicionit të gjitha zgjedhjet janë politike.

Duke parë me syrin jo thjesht të së mirës së vendit, por përgjithësisht të së mirës së shumicës, të duket se pushteti autokratik i Ramës duhet kufizuar. Dhe për këtë është mirë t’i jepet një sinjal i fortë me marrjen e sa më shumë bashkive nga opozita. Kjo do shtonte mundësinë, që në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025, Rama të largohej nga qeverisja.

Por (dhe ky është një por i madh), fitorja e opozitës në shumë bashki, ose një rezultat shumë i mirë në totalin e votuesve do “çimentonte” Berishën dhe Metën si krerët një koalicioni që mund të qeverisë në të ardhmen. Kjo do të thoshte një zhgënjim të plotë të amerikanëve dhe europianëve, të cilët duan largimin nga skena politike të këtyre dy politikanëve të korruptuar dhe kundërshtarë të reformës së domosdoshme në fushën e Drejtësisë.

Votuesi i shkretë shqiptar është në një mëdyshje të madhe nëse duhet të votojë për “monstrën” që është duke qeverisur, apo për rikthimin e dy “monstrave”, të cilat shpresonte se do ishin larguar njëherë e për gjithmonë. Vetë mbijetesa e këtyre të dyve në politikë tregon se sa e fuqishme është paraja, që klanet e tyre kanë grumbulluar. Ndaj mëdyshja është thuajse tragjike, sepse një votë sërish për klanin e Rilndjes do të thotë edhe më shumë para për ta dhe një jetëgjatësi më të madhe në politikë. Instiktivisht, i ndodhur para breshërit në një anë dhe shiut nga ana tjetër, i riu shqiptar zgjedh të rrezikojë jetën duke kaluar me gomone La Manshin.

 Për ata që nuk ikin dot në Angli me gomone, gjithsesi duhet të  bëhen sa më pragmatistë dhe mes dy të këqijave duhet të zgjedhin më të voglën. Dhe jo se Berisha me Metën dhe klanet e tyre janë më pak të këqinj se Rilindasit, por mosha e shkuar e Berishës e bën më pak të rrezikshëm se Rama. Meta i vetëm nuk ka elektorat, që mund t’ja zgjatë pafundësisht mbijetesën.

Ndaj edhe pse të pashpresë, votuesit shqiptarë duhet të zenë hundët, që mos ndjejnë erën e qelbur të Berishë-Metës, të mbyllin sytë për të mos parë portretet e tyre të pështira, të zenë veshët për të mos dëgjuar thirrjet e tyre histerike dhe të votojnë kundër Ramës, Veliajve dhe kompani.

Eshtë domosdoshmëri!

 

Plakush

Plakush ti më thërret

Dhe nuk kuptoj nëse të më fyesh do

A të më përkëdhelësh.

Unë nuk të them – Jo,

Me frikën se dëshira të shtohet

Dhe për të më ngacmuar

Të njëjtin rromuz gjithnjë do hedhësh.

Le të bëjmë dashuri,

Mos trembemi nga kërkush!

“Po ti nuk ke ç’të humbësh,

Kurse unë shumë,

Mbaje në mendje plakush!”

Kështu pëshpërit pa vendosmëri

Se ka diçka të ëmbël

Tek fajësia për të bërë provën e re,

Trillin e bukur,

Që nuk e provon gjithkush.

Të bësh dashuri pa droje,

Pa menduar,

Pa dashur asnjë përfitim veç çastit,

Kur më përkëdhel

Dhe më quan:

“Plakush!”


Tuesday 28 March 2023

Patri-al


Një i njohuri im, të cilin e vlerësoj shumë, më quajti Patri-al, që sipas tij është shkurtimi i “Patriot portalesh”, një cilësim që unë e kuptoj si “ata që bëjnë gam gam portalesh dhe që nuk ju bëhet vonë për Shqipërinë se jetojnë gjetkë“.

Unë e kam theksuar disa herë, që nuk jam patriot. Nuk jam nga ata , që bëjnë me pëllëmbë para gjoksit simbolin e shqiponjës. Madje as jam në gjendje të votoj për zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore edhe pse jam ende i rregjistruar familjarisht si votues. Dikush ndoshta edhe e hedh votën në emrin tim.

Shqetësohem edhe për dikë që përdhunohet në Bangladesh, edhe për dikë që pengohet në kufirin mes Kanadasë dhe Amerikës dhe për dikë, që vritet në Brazil. Por më shumë shqetësohem për ato që ndodhin në Shqipëri, sepse atje kam jetuar dhe kam ende të afërm dhe miq. Eshtë kjo gjë, që më shtyn të shkruaj dhe asnjë mllef personal ndaj Ramës, Peleshit apo ndaj ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit. Kur vizitoj Shqipërinë ndjehem keq për të njohurit e mij, që nuk janë në gjendje të thithin ajrin e Lirisë, sikundër e thith unë dhe plot shqiptarë të tjerë, që jetojnë në vendet e zhvilluara perëndimore. Jo se në vendet tona nuk ka padrejtësi, korrupsion dhe shpërdorim të pushtetit, por janë ku e ku më të pakëta se në Atdhe.

Të gjitha këto që po përmend marrin minimumin e përpjekjeve të mia. Nuk më kushtojnë as një qindarkë dhe nuk më venë para asnjë lloj rreziku. Ndaj nuk mund ta quaj veten altruist. Në të kundërt do isha nisur të jetoja në Shqipërija dhe të vija çdo gjë që kam në përpjekjet për të përmirësuar shoqërinë shqiptare. Nuk e bëj këtë sepse më mungon ndjenja e fortë e patriotizmit dhe se kam kuptuar që jetojmë vetëm një jetë. Nuk jam i gatshëm ta jap për Shqipërinë!

Por nuk mund të rri mënjanë, pa u përfshirë qoftë edhe cektësisht, në ato që ndodhin në vendin tim dhe kryesisht në qytetin tim. Sepse thellësisht besoj se ato që mendoj dhe shkruaj janë shumë pranë të vërtetës dhe mund të ndihin qoftë edhe shumë pak në përmirësimin e gjendjes së shoqërisë shqiptare. Por edhe nëse nuk ndihin aspak, nuk kanë asnjë efekt në mendjen e atyre që lexojnë shënimet e mia, kanë një rëndësi personale. Mund t’i them vetes: “Unë nuk heshta!”

Edhe pse “nuk heshta!” nuk e dëgjon kush kur ja them vetes, sërish shpresoj që jehona në mijëra kthinat e Internetit, të mund të dëgjohet nga një adoleshent, vajzë a djalë, që do kuptojë se heshtja është gjëja më e keqe në kët univers dhe që vret më shumë edhe se veprimet agresive të keqbërësve.

  

Roja i shkretë i TOP Chanel


Dje është vrarë nj burrë, që mezi shtynte ditët e tij dhe të familjes duke punuar natën. Nuk ishte punonjës i “gjigandit” të Medias, por punonjës i një firme private rojesh nga ato, që i quajnë me emrin e madh “Security” dhe që ju japin rojeve edhe më pak se 300 mijë lekë. Nuk ju kanë as të siguruar jetën në rast se vriten. Shumë nga këta punonjës, që gdhihen e ngrysen në diell dhe shi, shpesh herë punojnë edhe më shumë se 10 orë për të njëjtën pagë. Sepse është e vështirë të gjesh punë në Shqipëri kur I ke kaluar të 50-tat.

Dy javë më parë ishte vrarë një banakiere, që ndoshta paguhej edhe më pak. E kishte vështirë të paguante qeranë e shtëpisë.

Për këta viktima duhet të vihet kuja nga e gjithë shoqëria dhe jo për sulmin ndaj TOP-it. Nuk ishte një sulm për të terrorizuar mediat. Ishte një sulm për të terrorizuar pronarët e saj, për afera , që nuk kanë shkuar mirë.

Ka qëlluar, që këto ditë, qeveria vagabonde e Edi Ramës ka sulmuar Hysenbelliun e një tjetër media televizive dhe të shkruar. Edhe pse është e turpshme, që qeveria përdor arbitrarisht forcën e saj për hesape personale politike unë nuk jam as në anën e Irfanit.

Mediat e mëdha shqiptare kanë vite, që kanë dhënë prova se janë pjesë e një makine të shëmtuar politikë-biznes-krim, që si rrjedhojë do ketë edhe ngjarje të tilla të shëmtuara.

Nëse fle me qentë do gdhihesh me pleshta. Dhe pa ditur në hollësi se ç’prapaskena ka bërë Vjollca e TOP-it, dihen fare mirë lidhjet e Hysenbelliut me Metën dhe me plot maskarenj të tjerë të botës së mbidheshme dhe të asaj të nëndheshme shqiptare. Edhe gjuha e përdorur prej tij në intervistat e javëve të fundit ishte gjuha e një njeriu ordiner të pasuruar vetëm duke bërë lloj lloj horrlliqesh.

Rastësisht gjatë këtyre ditëve është bërë publike edhe një bisedë e gazetarit të Bolinos, Adriatik Dostit, që dëshmon se si funksionon media shqiptare në shërbim të pushtetit dhe të bandave duke vënë gjoba. TOP-i i Vjollca Hoxhës ishte mbështetës i incerenatorëve, ndërsa Ben Blushi (atë kohë drejtues i tij) ka qënë përfitues i drejtpërdrejtë nga bizneset e fëlliqura të djegësve të plehrave.

Për të gjitha këto arsye sulmi i botës së krimit ndaj një ose disa mediave nuk ishte i papritur. Ato kanë kontributin e tyre në krijimin e një situate të tillë në Shqipëri, ku nuk je në gjendje të dallosh politikanin, gjykatësin dhe gazetarin nga krimineli.

Por përsëri viktimat e vërteta janë ata, të cilët qëndrojnë në shkallët e fundit të shoqërisë, si i shkreti roje, që humbi jetën i ndodhur në zjarrin e mesazheve që këmbejnë kriminelët e fuqishëm. Për jetën e tij po derdhin lotë krokodili, të gjithë ata, që nuk kanë asnjë dhembshuri për jetën e njerëzve të të thjeshtë. Në të kundërt do kishin bërë diçka, që të dobëtit të ndjehen më të sigurt në Shqipëri.

Monday 27 March 2023

Hermafroditja Niqi

 

Dikush, që e ka të lehtë Fotoshopin ka krijuar një bashkim të dy porteteve për të thënë qartë se kush e drejton Bashkinë e Korçës. Një mikja ime bashkoi rrokjet e dy emrave të Niko Peleshit dhe të Raqi Filos ( si bëhet jo rrallë në lindjen e një fëmije) dhe konkludoi se kjo krijesë “sunduese” duhet të quhet Niqi. Niqi është një emër që në anët tona përdorej për gratë dhe nuk di të ketë patur ndonjë Niqifor, të cilin shkurtimisht ta quanin Niqi. Ndoshta kjo, a ndoshta tiparet femërore në portretet e të sipërpërmendurve, e bëjnë të goditur gjetjen NIQI. (Me përkëdheli në rreshtat e mëposhtëme do e quajmë edhe Niqka.)

Niqka erdhi si një dukuri e freskët dhe shpresëdhënëse në Korçën e drejtuar jo mirë nga paraardhësit. Duhet theksuar se të dy ishin qytetarë dhe djem, që kishin mbaruar mirë shkollimet e tyre, pavarësisht se ka kundërshtarë që e quajnë Peleshin “njeri me diplomë të blerë“. Dhe në dy vitet e para 2007-2009 u ndje një përmirësim në administrimin e qytetit. Por shumë shpejt filloi të ndjehej arroganca e Niqit, e cila vazhdoi të rritej pas transferimit të Peleshit në Tiranë.

Nisën përplasjet me arkitektët dhe biznesmenët, tenderat përfundonin të gjitha në klientët e Niqit, vendet e punës në çdo institucion shtetëror vareshin nga kjo krijesë. Si përfundim, në qytetin që ka ndjerë më parë se të tjerët frymën e demokracisë, lirisë së tregut dhe lirive të tjera (qysh në fillimet e shekullit të XX) liria qytetare u zëvendësua nga sundimi i Niqkës. Kishim të bënim me një Niqkë arrogante me profesionistët dhe njerëzit e thjeshtë dhe totalisht të nënshtruar ndaj Ramës. Si rrjedhojë erdhën një pas një vepra të përçudnuara arkitekturore si Kulla Vrojtuese, Biblioteka pranë Katedrales, kompleksi i banesave tek Trikotazhi dhe tani vonë edhe kompleksi tek Belvederja. Niqka me para dhe me kërcënime, arriti të mbyllë gojën e një qyteti, i cili ka qënë i njohur për skepticizmin e tij. Vetëm lavdithurrësit dilnin fushatave për të bërë hosanna për Niqkën.

Për shkeljen e shpirtit rebel dhe liridashës të korçarëve, për përçudnimin e natyrës së shoqërisë korçare (që përgjithësisht ka vlerësuar të zotët dhe jo sahanlëpirësit), për të ndalur fajet e tjera të mëdha në urbanistikën dhe arkitekturën e Korçës, Niqi duhet larguar nga pushteti. Nëse vazhdon edhe 4 vite të tjera do kemi të bëjmë me një Korçë që nuk do e njohim më.

Sigurisht që nuk ësht e lehtë se Hermafroditja Niqi, veç ndihmës nga pushteti qëndror ka dhe aftësitë e saj elektorale në intriga dhe manipulime, si dhe deri në blerjen e votave. Por nëse e lemë të “shijë“ edhe për 4 vite diçka nuk shkon edhe në ndërgjegjet tona. Tregon se kemi frikë nga Niqka!

Sunday 26 March 2023

Shokët që donin të bënin TEC në Korçë paskan qënë kundër TEC-it!


Megjitëse në Shqipëri nuk ka zyrtarisht një shkollë të demagogjisë është për t’u habitur, se në ç’lloj kursesh të hapura dhe të fshehta e mësojnë demagogjinë politikanët e qëndrës dhe ata vendorë. Në një pronocim të fundit televiziv, një përfaqësuese e Bashkisë deklaroi se Bashkia ka qënë kundër ndërtimit të TEC-it ndaj dhe ai projekt nuk do realizohet. Diçka më dukej se nuk shkonte dhe kur kontrollova blog-un gjeta shkrimin tim të prillit 2018 – “A duhet të gëzohemi për ndërtimin e TEC-it të Korçës?”, shkrim ky kundër planeve të qeverisë dhe pushtetit vendor për të na shitur sapunin për djathë.

http://kuendemi.blogspot.com/2018/04/a-duhet-te-gezohemi-per-ndertimin-e-tec.html

Nuk kam ndjekur me vëmendje se ç’i ka detyruar shrlatanët socialistë të mos ndërtojnë TEC-in, por ç’farëdo që ka ndodhur është mirë për qytetarët korçarë.

Tani “vendorët” e Di Lanas po mundohen të shesin një tjetër prodhim për djathë, të cilin pa dashje e kanë quajtur “gazifikimi i Korçës”. “Gazifikimi” o qypa të Bashkisë së Korçës është procesi i kthimit të materialeve që kanë për bazë karbonin në gaze!

Ju vërtet që jeni në gjendje të transferoni paratë publike dhe t’i bëni të kthehen në gaz, por edhe nëse doni nuk mund ta ktheni Korçën në material të gaztë. Jini tepër të vegjël për ta bërë këtë!

E kuptoj që është edhe një gabim i zakonshëm nga ai që bëjnë injorantët, kur duan të gjejnë fjalë interesante dhe që kanë një kuptim tjetër për tjetër. Rilindasit duan të bëjnë furnizimin me gas të banesave dhe bizneseve në Korçë me qëllimin për të zgjidhur përfundimisht problemin e përhershëm të ngrohjes së Korçës.

Premtimi duket shumë ambicioz dhe kam dyshime se nuk është i mbështetur në fonde të mjaftueshme për t’u realizuar. Megjithatë le t’ju japim japim shansin për të na shpjeguar me hollësi për fondet, afatet e realizimit dhe se sa do ju kushtojë në të ardhmen qytetarëve ky vendim. Le të shpresojmë që këtë rradhë nuk po na mashtrojnë si mashtruan me TEC-in që na e paraqitën para 5 vjetësh si një “mrekulli që vinte nga qielli” dhe që do furnizonte me ujë të nxehtë gjithë qytetin për ta ngrohur.

Duhet të pranojmë edhe diçka tjetër. Nuk kemi qënë në gjendje t’i vemë para përgjegjësisë për të gjitha “produktet e gazta” që ju kanë dalë nga prapanica dhe goja e tyre tash e 15 vjet.

 

Muzeu i Rakisë


Një nga premtimet e Raqkës për të fituar zgjedhjet vendore është dhe ngritja në Korçën e Madhe (Greater Korça) të Muzeut të Rakisë. Eshtë caktuar edhe vendi, që mendohet të jetë diku mes Drenovës, Boboshticës dhe Qatromit, që tamam tamam i bie të jetë në Sallxhas. Me premtimin për Raki-Muze garantohen votat e të gjithë sarahoshëve, që jetojnë në Bashkinë e Korçës, gjë që siguron fitoren e Raqkës pas vështirësive të zgjedhjeve të vitit të kaluar, kur diferenca me opozitën ishte e vogël. Pra një veprim shumë i mençur elektoral. Të gjithë pijanecëve më të njohur ju janë kërkuar fotografi me premtimin se do jenë në stendat e Muzeut të Ri. E kush nuk do të hyjë në histori!

Po si lindi idea e Muzeut të Rakisë?

Ishte një tetëdhjetvjeçare nga Boboshtica, e cila kishte në qilaret e saj raki të dhjetvjeçarëve të kaluar, madje edhe një të zjerë për fejesën e saj, që sipas llogaritjeve të përafërta duhet të ishte një raki 63 vjeçare. Pasi Niko-Ministri piu një gotë nga kjo raki pati një ndriçim në mendje për të hapur një Muze, sepse Festat dhe Festivalet ishin të zëna nga produktet e tjera gastronomike. Ja caktoi detyrën për studime më të thella Niko-Studiuesit dhe platforma e Muzeut tashmë është e gatshme.

Nën logon “Ta kisha çezmën me raki”, brenda vitit 2024 do hapet Muzeu, i cili do ketë 4 pavione. “Lëngu magjik, që vjen nga thellësitë e historisë“, “ Pushtuesit turq dhe prohibicioni”, “Diktatura dhe përdorimi i rakisë për agjitacion e propagandë“ dhe “Rilindja e distiluar”.

Niko-Studiuesi ka qysh tani në koleksionin e tij një enë balte të zbulimeve të Maliqit, që përdorej për fermentimin e rrushit, fermanin e Sulltan Mehmetit të Tretë, që ndalonte prodhimin e rakisë në trevat shqiptare, një llulla bakri që daton përpara periudhës së hekurit dhe opingën me të cilën kishte pirë raki Osman Takeja para se të luante vallen e famshme në tepsi pesqindshe. Po sigurohen dora dorës eksponate të vjetra damixhanesh, plloskash, shishesh, faqorkash disa të mbushura me raki mani, rrushi, kumbulle, thane, frutash të periudhave të ndryshme kohore. Rakia e dëllinjës nuk do lejohet të ekspozohet sepse Europa e Bashkuar e quan xhin.

Ka ende diskutime nëse duhet të ketë apo jo një stendë për Luftën nacional çlirimtare, sepse raki pinin kryesisht përfaqësuesit e Ballit Kombëtar, ndërsa partizanët nuk e vinin në gojë. Ata shokë të udhëheqjes, që më vonë të thanin për raki, e mësuan pas luftës kur “jetonin, mendonin, punonin dhe pinin si revolucionarë“.

Lajmi ka ngjallur interes të madh në botë dhe sipas agjensive turistike, që tani kanë filluar prenotimet për tetorin e vitit 2024, kur mendohet të hapet Muzeu, periudhë që përkon edhe me nxjerrjen e rakisë së re. Do ketë nevojë të madhe për guida turistësh, pasi mendohet se të gjithë të huajt e trullosur nga rakia e Muzeut dhe kioskave përreth do kenë vështirësi për tu kthyer në bujtinat e tyre.

Se helbete  në Sallxhas nuk punon as GPS!

Saturday 25 March 2023

Peshku i “Vangjelizmos”


Salmoni , që hengra këtë ditë mes kreshmës sepse më binte erë shqerrë. Nuk kishte asgjë fetare as nga sakrifica e Abrahamit dhe as nga çdo rit tjetër judeo-kristian që lidhet me delet. Ndoshta nga që kisha kohë pa ngrënë proteina shtazore.

E hëngra peshkun i dëshëruar edhe pa e ditur se pse lejohej këtë ditë, edhe pse nuk më bëhet vonë për Festën e Greqisë, që u arrit në sajë të piratëve shqiptarë të ishujve të Egjeut. Eshtë një festë e rëndësishme për Ballkanin se shënon fillimin e shturrjes së Perandorisë Osmane në trevat me shumë popuj dhe me pak njerëz të mençur, por kur mban kreshmë nuk të hyn në sy rëndësia e festës. Eshtë barku që dikton çdo gjë.

Asnjëherë nuk kam ditur pse festohet kjo ditë dhe përse shkojmë vizita në ata që kanë emrat Vangjel, Vangjush, Van, Gjela, Gjeli, Gela dhe Vançi. (Ky i fundit ka të ngjarë të rrjedhë nga emri Jovan dhe jo nga Vangjel, por nuk prish shumë punë.)

Nuk ka shënjtor me emrin Vangjel, por kjo ditë është e rëndësishme se shënon për Ortodoksinë ditën e Lajmit, që ëngjëlli Gabriel i dha Shën Mërisë se do lindte një fëmijë, që për At kishte vetë Perëndinë. Një miku im, që është militant ateist do refuzojë të hajë peshk këtë ditë pikërisht për të kundërshtuar konceptin se Virgjëresha Maria mbeti shtatzënë nga Fryma e Shënjtë. Por ky është problem i tij si dhe i të gjithë atyre , të cilët nuk hanë ashure për Sulltan Novruz, ose mish qëngji Ditën e Pashkës, pikërisht se janë ateistë dhe se bindjet e tyre nuk ju lejojnë, që të ndjekin ritet fetare.

Unë jo vetëm që i ndjek me përpikmëri “recetat ushqimore”, që këshillohen nga traditat fetare, por ndjej që ato më bëjnë më pak patriot, më të dhembshur dhe më të thjeshtë. Nuk më shkon mendja as për Revolucion, as për Grusht Shteti, as për të shkuar vullnetar në luftë kundër Putin. Ndoshta këtë kishte parasysh edhe Marksi, kur shkruante “feja është opium për popujt”. Dhe gjëndja pasi pi opium është bajagi e këndshme thonë ata , që e kanë provuar. Unë ende nuk kam patur guximin e nevojshëm për ta provuar.

Po le të kthehemi në peshku i Vangjelizmoit, që duhet të ketë një lloj origjine në Mesdhe. Rekomandohet të haet bakalaro, por unë preferoj të ha salmon. Ndoshta nga që salmoni është peshk që noton kundër rrymës. Peshk i vullnetshëm, rebel dhe i vendosur dhe për më tepër edhe me goxha Omega 3. Por që këtë rradhë se pse më mbante erë shqerrë. Ndoshta në subkoshiencën time , të çoroditur nga pritja e ethshme e të Djelës së Pashkës, çdo ind shtazor më duket sikur është prej deleje. (Peshku sikur nuk është shtazë.)

Nesër do i rikthehem kërpudhave, boronicave, xhinxherit, spinaqit, kales, asparaguve, domateve dhe lakrave të Brukselit duke mbajtur thellë në stomah kujtimin e bukur të peshkut të Vangjelizmoit.

 

QKK korrigjon Himnin e Fushatës për Raqkën


Pas sqarimit të situatës së turbullt për kandidatin për Kryebashkiak të Korçës, tashmë që PS-ja vendosi për Raqkën e Melkës, edhe Qendra e Kulturës Korçës korrigjon Himnin e fushatës. Kjo pas kritikave, se tekstet e paraqitura m[ parë nuk pasqyronin folklorin autokton të zonës, por ishin imitime të bejteve të grupeve të Bënçës dhe të Pilurit. Pra këngë me iso labe.

Mes këngës me motive serenate të paraqitur nga grupi i “4 Vaskave” dhe këngës me motive popullore të paraqitur nga grupi i Dovoranit, Ministri i jonë i Mbrojtjes, që është edhe i deleguari i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i PS-së për Qarkun, vendosi për këtë të fundit. Argumenti i tij ishte se kënga tip-serenate kishte shumë fjalë “raki” dhe “syçka” të cilat nuk përputhen me figurën intelektuale të Sotiraq Filos.

Kënga e grupit të Dovoranit titullohet “Sotiraq Filo- ky djalë trim” dhe më poshtë është teksti:

 

Ministri e Mbroj’ moj e Mbrojtjes

Na mori Pelesh’ o Peleshin

E qaj moj zem’, zemra ime

Kemi ne Raqin.

 

Lëng i rrjedh nga go’ o moj nga goja

Jargët kurrë s’i fshi’ o moj s’i fshin

E qaj moj zem’, zemra ime

Për këtë djalë trim.

 

Japim votat ton’ o moj tona,

T’marrim tender’ o moj tenderin

E qaj moj zem’ moj zemra ime

E dim kush e përpin.

 

Do na bëj stadiu’ o moj stadiumin

Pastaj dhe pishi’ o moj pishin.

E qaj moj zem’ moj zemra ime

Mortja që s’na fshin!

 

 

 

Friday 24 March 2023

Aktivisti ose AGBV


“Aktivisti” ose platforma online e Partisë Socialiste, ku rregjistrohen anëtarët dhe simpatizantët e saj, si dhe ata që punojnë në administratën shtetërore nuk është një shpikje e Ramës. Eshtë kopjuar nga kohët e hershme dhe të errëta të Diktaturës, ku “aktivistët” i përkisnin kryesisht Frontit Demokratik dhe “aktivizoheshin” në blloqe dhe lagje, si dhe në organizimet e ngjashme në fshatra. Një pjesë e tyre ishin gjithashtu “Anëtarë të Grupit të Bashkuar Vullnetar”, që përgjithësisht ishin spiunë pa para. Një pjesë e tyre më vonë edhe mund të miratoheshin si bashkëpunëtorë me pagesë të Sigurimit, por nuk mund të mbanin më shiritin e kuq ku shkruhej AGBV, sepse do “demaskoheshin”.

Mes aktivistëve të lagjes anëtarët e partisë ishin të pakët. Ndoshta disa pensionistë, që nuk shkonin dot në kafene se paratë ja u mbanin gratë. Pjesa tjetër ishin ndër fundërrinat e shoqërisë, që donin të ndjeheshin të rëndësishëm, sepse mund të merreshin me telashet e njerëzve, që trokisnin në “këshillë“. Kishte mes tyre kandidatë për spiunë, dembelë që nuk bënin dot gjë tjetër veç futjes së hundëve në punët e të tjerëve, ndonjë të persekutuar që mundohej të rregullonte biografinë nëpërmjet aktivizimit, disa torollakë dhe sigurisht edhe dy-tre të përdala, por jo nga ato që shkonin me para.

Ishin këta njerëz të pranishëm në të gjitha veprimtaritë politike dhe shoqërore. Këta na zgjonin herët në mëngjes të “djelën e votimeve” që “ të votonim të parët për t’ja u kaluar qëndrave të tjera të votimit”, na drejtonim se si të votonim, rregjistronin emrat dhe kujdeseshin që asnjeri mos hynte në dhomën e fshehtë, por të hidhte menjëherë fletën e votimit në kuti.

Aktivistët ishin falangat e para të Partisë për të “sulmuar” prirjet e individualizmit të njerëzve. Ishin ata që merreshin me të gjitha llojet e thashethemeve në pasditet e vona dhe mbrëmjeve në “Këndin e Kuq” të Bllokut dhe Lagjes. Ishin ata që bënin karakteristikat për nxënësit, që duhet të shkonin në shkollë të lartë, për ata që donin të futeshin në Parti apo për gjykatësit dhe prokurorët. Vigjilenca e Partisë niste tek ky grup i madh “ronxhobonxhosh”, që kishin në dorë të të bënin keq.

Dhe bënin keq pa patur asnjë lloj përfitimi. Ndonjëherë mund të arrinin të siguronin ndonjë të drejtë studimi për shkollat e mesme profesionale për fëmijët e tyre “ronxhobonxho”, ose dhe mund të mernin ndonjë autorizim për televizor apo frigorifer, por nga që ishin shumë aktivistë dhe pak televizorë edhe këto nuk i merrnin dot. Po qe se kishe marrë damkën “ky është nga ata të lagjes” dihej mirë se ç’kategorie i përkisje dhe nuk hyje tek njerëzit mesatarë. Ishe pak më i rrezikshëm se “ata të Degës”, por përsëri nuk ishe dikush që doje të kishe hyrje-dalje. Ndoshta edhe ata vetë nuk donin se ishin shumë të ngarkuar me “punët e lagjes” dhe me bisedat me të ngjashmit e tyre.

Edi Rama kërkon të bëjë sa më të gjallë këtë kategori njerëzish. I duhen për të mbajtur në kontroll njerëzit që kanë integritet. I duhen për të zgjatur sa më gjatë pushtetin e tij të ngritur mbi poshtërsitë, injorancën dhe rryshfetet.

Thursday 23 March 2023

Meditim para frigoriferit


E hap derën dhe e mbyll prapë. Nuk ka asgjë të shijshme brenda tij edhe pse nuk është bosh. Më kujtohet dollapi i vogël bukës i fëmijërisë (frigoriferët dolën në fillimin e viteve ’70) dhe ishte shumë më tërheqës se ky “gardhirob” i akullt me gjëra me ngjyra brenda. Tek i vogli i vegjëlisë kishim vazhdimisht djathë, gjalpë, vezë dhe sallam, gjithashtu edhe reçel shtëpie. Këtu ka brokol, karrota, xhinxher, avokado, sallatë jeshile, panxhar të kuq, qepë të njoma, kungulleshka, domate dhe piperka. Të gjitha më duken njëra më e shpifur se tjetra. Më shkon mendja për një “rryqe buke” të shtruar mirë e mirë me gjalpë dhe një copë të madhe me djathë të bardhë, që ta ha si e haja edhe pas pjatës me gjellë, po nuk mund të ha dot. Në vend të djathit të bardhë ka “tofu”, që konkuron për vendin e parë mes të pështirave.

-          Po ç’pate që do të hash në mënyrë të shëndetshme tani, kur ke marrë të tatëpjetën? – pyes veten

Dhe kur mendohem thellë thellë, më duket vërtet paradoks, që unë, nip malësorësh nga Opari dhe Vakëfet, ku hahej vetëm mish “i rudë“ dhe  kur tiganiseshin vezët me gjalpë mbante erë tërë mëhalla, kam katandisur të ha “tofu”, se vallaha të bën mirë për qarkullimin e gjakut. E si mund të të qarkullojë gjaku mirë, kur nuk ke kënaqësinë e të ngjyerit të bukës së bardhë në gjalpin pak të djegur dhe më pas në të verdhën e vezës! Pa le të kishe para një tigan plot me oshmare.

Unë po i dërgoj sinjale të gabuara trurit, sistemit limfatik, pa le florës së zorrëve, që është çorientuar plotësisht nga këto prodhime që i has për herë të parë pas 60 e kusur vitesh. U trullosën bakteriet e shkreta se nuk dinë se nga ju vjen e keqja. Mikroorganizmat e gjora!  Xhinxher, tofu, boronica, pordhë me rigon!

Tani që mund të haje tërë lezet copkat e fundit të pastërmasë, ca cigaridhe të mbetura dhe një copë kasher të mbytyr në gjalpë në tigan! C’ne unë karkalecë deti! Për herë të parë kam ngrënë kur isha student në restorant “Peshku” në Tiranë dhe m’u dukën si krimba! Midhje të zjera ala New Brunswick! Të tjera gjëra të palezeçme, që mund të hahen një herë në 6 muaj, kur të është mërzitur mishi i shqerrës.

E ndjej që po humb identitetin dhe më është lëkundur edhe ndjenja patriotike. Se nuk të kap ai damari patriotik për t’ja “u lëruar” tërë fqinjëve shovinistëve po mos jesh darkuar mirë me mish me pilaf dhe ndonjë ëmbëlsirë të mirë. Si do e mbrosh atdheun kur ke ngrënë xhinxher, e djegura e të cilës të ndjek pas edhe tre-katër ditë.

Të ngrënit e “shëndetshëm” me siguri e kanë shpikur masonët, Iluminati dhe tërë këto grupet e fshehta që kontrollojnë botën për të dobësuar ndjenjat patriotike. As më shkon në mendje për Asociacionin e komunave serbe, tani që po ha nga këto gjërat e shpifura. Nuk revoltohem dot as ndaj padrejtësive!

Ja bëra vetë gojës, stomahut dhe kokës!

Mos e bëni gabimin tim ju, të pakëtit lexues besnikë të blog-ut!

Wednesday 22 March 2023

A masturbonin partizanët?


Duket si një pyetje idiote dhe se përgjigja e natyrshme është :”Sigurisht.” Por meqënëse kjo pyetje më përshkoi mendjen në një moshë të mbrame dhe nuk më kishte shkuar më parë ka deri diku të bëjë me falsifikimin, që i është bër një periudhe të rëndësishme të historisë së Shqipërisë. Ndoshta asnjëherë nuk kemi për të pasur një ide plotësisht të qartë se si ishte jeta në formacionet partizane. Pjesëmarrësit në atë luftë po shuhen dita ditës dhe kujtime serioze nga njerëz të asaj kohe nuk ka. Dokumentat gjithashtu janë zhdukur ose falsifikuar.

Pyetja ka të bëjë me vënien e një fytyre më njerëzore të një përpjekjeje të organizuar burrash të rinj për të larguar nga vendi pushtuesit dhe për të marrë pushtetin në dorë. Sigurisht që kishte edhe gra, por ato ishin shumë më të pakëta në numur. Deri vonë, në vija të përgjithshme, lufta partizane është përshkruar si një lëvizje të rinjsh patriotë dhe idealistë, që ishin të gatshëm të sakrifikonin jetën për lirinë e atdheut dhe që karakterizoheshin nga një disiplinë e hekurt dhe parime morale të palëkundura. Diçka jashtë përmasave të së mundshmes, sepse të thuash , që në një masë prej 20-30 mijë luftëtarësh ishin brymosur të tilla virtyte nuk e beson askush, që ka njëfarë përvoje nga jeta.

Eshtë tashmë e provuar se në një lëvizje qoftë revolucionare qoftë patriotike, motivet për të marrë pjesë në të janë nga më të ndryshmet, që nisin nga dashuria për atdheun, xhelozia se vajzat më të bukura po shkojnë me pushtuesin, vaniteti, oportunizmi, dëshira për të përmbysur gjendjen ekonomike vetiake apo të familjes, se kështu bënë edhe shokët tënd etj., etj. Motivet seksuale nuk janë për t’u injoruar në raste lëvizjesh të kësaj natyre. Në ditët e Revolucionit të Tetorit kishte një liri seksuale të paparë deri në atë kohë. Marëdhëniet kryheshin hapur trotuareve të Shën Petërburgut.

Nga formacionet ushtarake , që morrën pjesë në territoret e Shqipërisë dihet se ushtria italiane e kishte zgjidhur deri diku plotësimin e nevojave seksuale të ushtarëve duke ngritur shumë shtëpi publike me protistuta të sjella nga Italia dhe vendase. Gjermanët gjithashtu bazoheshin mbi shtëpitë publike në Shqipëri, por duhet thënë se në ushtrinë hitleriane kishte edhe shumë marëdhënie homoseksuale. Ka qënë e dokumentuar se luftëtarët e Ballit Kombëtar kanë bërë kryer përdhunime në zonat, që konsideroheshon se mbështetnin Frontin.

Mbetet kështu vetëm ushtria partizane e cila nuk kishte një strategji të qartë për “shfryrjen” e instikteve të pjesëmarrësve në Luftë, kur dihet se psikologjia e kufirit mes jetës dhe vdekjes e rrit së tepërmi libidon. Edhe pse kishte vajza nbë rradhët e partizanëve, ato ishin shumë të pakëta dhe disiplina i kufizonte në maksimum marëdhëniet e këtij lloji. Rasti i Ramize Gjebresë dhe Zaho Kokës është një nga shembujt e dënimit maksimal, që jepej në raste të tilla.

Llogjikisht e vetmja dalje ishte masturbimi. A kishin rol komisarët dhe komandantët në edukimin seksual të të rinjve, që kishin rekrutuar, kjo nuk haset në asnjë dëshmi të kohës. Ishte lënë që gjithkush të gjente zgjidhjen e tij personale, mjaft që mos angazhohej në marëdhënie të tilla me zor apo dëshirë me popullin, kjo i përket një studimi të thellë e të gjithanshëm. Nuk di nëse do kemi rast se do mësojmë ndonjëherë nëse edhe partizanët masturbonin sikundër luftëtarët e tjerë të Aleatëve, që vizitoheshin herë herë nga yjet e Hollivudit.

“Viktimat”, që kishin shkaktuar viktima

 

Ka një përpjekje, ndoshta të qëllimshme dhe ndoshta jo, për t’i paraqitur funksionarët e lartë të Nomenklaturës, të cilët u burgosën ose u pushkatuan nga Diktatura si viktima të drejtpërdrejta të Enver Hoxhës dhe të atij sistemi. Nuk mungojnë fjalët e mira dhe deri në superlativa për Liri Belishovën, Fiqrete Shehun, gjeneralët me në krye Beqir Ballukun madje deri tek Feçor Shehu, Kadri Hazbiu dhe Mehmet Shehu. Botohen pa asnjë kontroll (ose të paktën koment redaksional) kujtime të miqve dhe të afërmve të tyre, të cilat jo vetëm nuk pasqyrojnë të vërtetat e asja kohe, por kryesorja është, që viktimizojnë njerëz, të cilët i kanë pasur duart e lyera me gjak.

E vërteta bazë e asaj kohe është se thuajse të gjithë të dënuarit me burgje apo vdekje pas vitit 1960 kishin mbi kurrizin e tyre krime të mëdha. Madje dhe ata, të cilët nuk kishin urdhëruar drejtpërdrejt vrasje njerëzish si ishin Koço Theodhosi dhe Abdyl Këllezi dhe që çuditërisht preken më pak se të gjithë të tjerët në mediat e tyre. Edhe Theodhosi dhe Këllezi kishin ngritur dorën për tu shpallur “tradhëtarë“ dhe për tu pushkatuar shokët e tyre. Ndaj edhe nëse nuk duhet të dënoheshin me vdekje, në ndërgjegjen e tyre rëndonte krimi i rëndë i vrasjes së shokëve për të lënë mënjanë ngritjen e duarve për miratimin e vrasjes së qindra të pafajshmëve.

Rastet e Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut, Feçor SHehut dhe Mihallaq Ziçishtit janë ku e ku më flagrante se duke punuar në organet e Sigurimit ata kishin vrarë njerëz me duart e tyre. Edhe pse u dënuan për gjoja “tradhëti” ndaj Enverit ata meritonin dënimet kapitale për krimet që kishin kryer gjatë 25-30 vjetëve.

Në rastin e grave të “kupolës” do i rendisja Belishovën dhe Sanxhaktarin po njëlloj si Nexhmije Hoxhën. Me të njëjtat krime në kurriz, me të njëjtat të meta të mëdha në karakter, me ndryshimin e vetëm se duke qënë më e fuqishmja, Nexhmija mbijetoi, ndërsa dy të tjerat vuajtën një pjesë të jetës së tyre. Belishova nuk mënoi të vraponte drejt pushtetit dhe të bashkohej me Enver Hoxhën, kur e dinte fort mirë se ai kishte qënë njeriu, që e shtyri në vetvrasje Nako Spirun.

Sanxhaktari, dëshmitare e krimeve të Brigadës së Parë dhe Mehmet Shehut nuk hezitoi, që për të shpëtuar lëkurën e saj të pranonte “komplotin” e trilluar nga Sigurimi, se Mehmet Shehu kishte urdhëruar Llambi Ziçishtin të vriste Enver Hoxhën duke e helmuar?! Kjo akuzë e rremem e Fiqretes e shpuri Ministrin e Shëndetsisë para togës së pushkatimit, në një kohë kur ishte njeriu më pak i përlyer mes të arrestuarve. Ata që paraqesin Fiqreten si viktimë, mundohen ta paraqesin këtë si përpjekje për të mbrojtur djemtë, por në atë kohë djali i madh kishte vrarë veten dhe dy të tjerët ishin të burgosur dhe pranimi i një komploti nuk shpëtonte askënd veç shoqes Shehu nga pushkatimi.

Diktatura e Proletariatit ishte krijesë e një bande dhe jo e një njeriu të vetëm, ndonëse me të drejtë përgjegjësia kryesore për krimet i takon atij. Në krijimin e atij mekanizmi aq të panatyrshëm për një vend si Shqipëria, që solli humbjen e mijëra jetëve dhe shkatërrimin e jetës së të gjithë shqiptarëve kanë luajtur rol jo vetëm faktorët e jashtëm, jo vetëm Enver Hoxha, por edhe të gjithë ata karrieristë, që e ndihmuan të mbetej gjatë në fuqi, duke spiunuar njëri tjetrin tek Diktatori dhe duke pritur që shpata e tij të binte mbi kokën e rivalëve të tyre brenda Partisë. Ishin këta njerëz pa asnjë parim moral që vranë priftërinjtë katolikë, që urdhëruan burgosjen e të pasurve, që internuan mijëra familje të kundërshtarëve të regjimit, që izoluan vendin më të varfër dhe të prapambetur në botë.

Vetëm viktima nuk kanë qënë!

Tuesday 21 March 2023

Pa arsye

Ne u dashuruam

Sepse nuk kishte asnjë arsye për të rënë në dashuri.

Nga zgafellat e ferrit ngjitesha unë;

Nga një ditë e ftohtë arktiku

Me diell plot dhëmbë

Zbrisje ti.

E ndërsa nga shpejtësia marramendëse

E të lirës rënie,

Ti ndjeje pështjellim,

Nga befasia e dritës lëbyrëse

Dhe përkedhelja që i bënte poreve

Të mbetura jetësh në terr,

Unë ndjeja ngazëllim.

Përplasja e kuanteve të dritës

Në murrin e territ

Gjithshka përflaku.

Ne ishim tashmë në një ndërmjetëse hapësirë,

Të cilës fundi nuk i dukej,

Po aq sa nuk u kuptua ku ishte pragu.

Dhe ndërsa të cergosur,

Dergjeshim në atë mjedis të ri,

Ne mbetëm të dashuruar

Po aq sa të largët,

Se nuk kishte pasur asnjë arsye

Për të rënë në dashuri.

Monday 20 March 2023

Xhaxhi Markoja


Ai më fliste me ëmbëlsi “Naumaq…” dhe unë i përgjigjesha “Xhaxhi Marko…” Ishte i gjatë dhe i dobët dhe kokën e mbante pak ulur. Nuk di nëse e kishte nga thjeshtësia. Ishte i buzëqeshur dhe shumë i thjeshtë. Ndoshta nuk donte të binte në sy. I donte njerëzit pa dashur të ndjehej.

Unë e dija që e kisha të afërt, por nuk e dija tamam, se ishte i moshuar për mua. Gjysh nuk e kisha se gjyshërit nuk i kisha njohur. Marko Leçoja ishte vëllai i gjyshes sime. I veshur pastër, me një kostum të çelur dhe flokët e rralla të bardha të krehura mirë.

Kishte lindur në Karbanjos të Oparit,  atje ku njerëzit nuk kanë shumë, por janë shumë bujarë. Të japin gjithshka që kanë dhe kur ju duket se nuk të kanë dhënë sa duhet të falin buzëqeshje me të gjithë fytyrën. Malësorë të ndershëm dhe të butë. Jo shumë të ngjashëm me malësorët e përtej Ostrovicës. Në miqësi me të gjithë, deri në Berat dhe Myzeqe.

Xhaxhi Markoja pat shkuar i ri në Odesa për të bërë “prokopi”. Si të gjithë malësorët e tjerë. Qytetet kishin më shumë punë dhe tregëti dhe në Shqipëri ishin të pakët qytetet. Të mëdha nuk kishte fare. Oparakët shkonin në Misir, Stamboll dhe Odesa. Markoja kishte shkuar në Odesën e Carëve, ku bëhej shumë tregëti dhe kishte edhe shumë hebrej. Edhe oparakë. Deri sa erdhi Revolucioni i Tetorit dhe i tronditi të gjithë ndaj dhe shumë të huaj e lanë Rusinë. Me ta edhe Marko Leçoja. Me pak florinj në xhepa dhe me një gjuhë të huaj më shumë.

Nuk di se ç’punë kishte bërë në Odesa, por di që ishte i bindur se një ditë do bëhej i pasur. Ja kishte thënë një cigane, që i kishte parë dorën në qytetin e bukur të Detit të Zi. Ciganeja kishte qënë shumë e sigurt për atë dhe sigurinë ja kishte përcjellë edhe Markos. Në Odesa ishte bërë edhe fanolist i zjarrtë. Mbeti antizogist gjatë gjithë jetës, po aq sa hyri edhe në Partinë Fashiste Shqiptare për “inat të sime vjehrre”. Ndoshta dhe Revolucioni i Tetorit i kishte lënë ndjenja jo të mira për komunistët. I kishte fashitur edhe ëndërrën për tu bërë i pasur një ditë. Si i kishte thënë fallxhorja në Odesa.

Më pas kishte përkthyer për specialistët rusë, kur ndihmonin “shokët shqiptarë“ me Fabrikën e Sheqerit në Maliq. Ishte ende herët për kthimin e studentëve shqiptarë dhe ata që dinin rusisht në qytet ishin të pakët. Rusët e deshën edhe i donte. Edhe pse ata pinin dhe ai nuk vinte alkol në gojë. Rrallë gjysëm gote me verë. Pinte pak verë dhe buzëqeshte shumë. Nuk mërzitej me njeri. As me të shoqen, që edhe i thërriste ndonjëherë. Nuk u mërzit as kur ajo zuri shtratin dhe ai i shërbente për vite të tëra. I nënshtruar ndaj fatit të jetës dhe duke besuar se gjithshka është e shkruar. Mjaft të dish ta lexosh. Si ja kishte lexuar dikur fallxhorja në Odesa.

Një vit pasi i kishte ikur gruaja iku edhe vetë. Pa u ndjerë. Pa u ankuar. Me thjeshtësinë e një njeriu të mirë të mbrujtur me mësimet e thjeshta të Ungjillit. Mos vrit, mos vidh, mos lakmo gruan e tjetrit, mos jep dëshmi të rreme. Janë të pakët ata që e kujtojnë. Ndaj i shkrojta këto rrjeshta për xhaxhi Markon.

Saturday 18 March 2023

“Soshëllisti” Rama kujtohet për punëtorët

 

 Duhet të afrohen fushatat elektorale, që politikanët të kujtohen për njerëzit dhe meqë më të shumtët janë punëtorë të varfër edhe “socialisti” Rama po kujtohet për ta. Tashmë kur thika ka arritur në “asht” për të gjithë ata, që nuk janë në gjendje të kapërcejnë muajin me të ardhurat që kanë, Rama kujtohet t’ju kujtojë bizneseve të ngrenë rrogat?!

Qeveritarët nuk kanë nevojë të kërkojnë ngritje të rrogave në sektorin privat. Kanë në dorë ligje për të vendosur paga minimale, kanë në dorë të ushtrojnë politika qeverisëse, të cilat favorizojnë ngritjen e rrogave dhe përmirësimin e kushteve të punonjësve. Këtë ka mëse 100 vjet që e bëjnë qeveritë, të cilat i përkasin krahut të majtë në vendet perëndimore. Porse Rama deri tani mburrej para kryeministrave të huaj se në Shqipëri nuk kishte sindikata dhe për rrjedhojë ishte një vend i mirë për të investuar. Mbi të gjitha me këtë tregonte injorancën e tij ekonomiko-juridike, sepse investitorët në një vend afrohen kur plotësohen dy kushte kryesore- Qeveri sa më pak e korruptuar dhe Sistem juridik efikas. Këtë as mund t’ja u premtonte dhe as dëshëronte ta realizonte.

Edi Ramës i mungojnë dy cilësi kryesore për të qënë një kryeministër i mirë. I mungon kultura ekonomiko-juridike dhe gjithashtu i mungon dhmbshuria dhe dashuria për njerëzit. Ai i përket një grupi njerëzish narcisistë, që mendojnë e veprojnë me filozofinë se në këtë botë duhet të fitojnë pjesën e luanit ata që janë më të zotë dhe të cilët djersijnë më shumë. Ndaj as do që të jetë një politikan i së Majtës dhe as që dëshëron të ketë të Majtë në Shqipëri. Dhe në të vërtetë Partia Socialiste nuk është një parti e majtë në kuptimin klasik të kësaj fjale, por një konglomerat, që drejtohet nga një grup plaçkitësish me Ramën në krye. Ndaj nuk duan të kenë sindikata dhe nuk ju bëhet vonë për ata, të cilët djersijnë e megjithatë vuajnë.

Mungesa e të Majtës në spektrin politik shqiptar ka ndikuar drejtpërsëdrejti në moskrijimin e një “stofi” të shoqërisë shqiptare, i ngjashëm me ato të vendeve të tjera europiane. Edhe pse të pasurit e të pushtetshmit në vendet perëndimore janë zëri më i fuqishëm, prapseprapë nuk kanë plotuqishmërinë, që kanë në Shqipëri. Ndaj edhe rreziku që të kemi gjithnjë një qeverisje autarkike mbetet i pranishëm. Ndoshta e vetmja anë pozitive, që kishte Fatos Nanoja kur ishte në krye të vendit, ishte se kishte kuptuar domosdoshmërinë e ristrukturimit të shoqërisë shqiptare pas periudhës së Diktaturës. Berisha dhe Rama e minuan përfundimisht këtë.

Opozita ndaj qeverisjes nuk është thjesht opozita politike. Ajo nis me të gjitha grupet e shoqërisë, që të solidarizuar përpiqen të mbrojnë interesat e grupit, që si rrjedhojë ndihmojnë edhe funksionimin e një shoqërie demokratike. Tek ne këto janë thuajse joekzistente. Prej 20 vitesh në Shqipëri nuk ka asnjë grevë, veç gevave idiote të urisë. Nuk ka asnjë lëvizje studentore, asnjë lëvizje proteste ambientaliste, asnjë protestë etniko-kulturore. Më e madhja mbetet vetëm lëvizja për mbrojtjen e ndërtesës së Teatrit Kombëtar.

Në përpjekjen për nënshtrim të plotë të njerëzve dhe në apatinë e shtresave të popullsisë shqiptare qëndron i gjithë dështimi i shoqërisë shqiptare dhe përpjekjet e njerëzve për të ikur. Propaganda e Ramës do funksionojë edhe këtë rradhë, sepse nuk ka alternativeë tjetër të saktë politike. Por nuk mund të zgjatë pafundësisht.

 

 

 

 

Thursday 16 March 2023

Edhe Korça nuk mund të mbetet pas


Të frymëzuar nga ngjarjet e fundit në Vjosë si dhe nga fjalimet e shokut Edi, edhe Qendra Kulturore e Korçës po punon me itensitet për fushatën e zgjedhjeve. Dy grupe popullore po konkurojnë për këngën që do i kushtohet kandidatit, dhe meqënëse kandidati ende nuk është shpallur janë përgatitur dy variante, një për Kryebashkiakun Filo dhe një për Kryekadastristin Lame. Këngët janë dërguar për miratim në Tiranë. Tekstet janë këto:

Varianti 1:                                                                                            Varianti 2:

Shqipëria ngastra-ngastra                                                            Korçën vallë kush e stolisi

Punë të zorshme kish Kadastra                                                  Që ditën që punën nisi,

Por e bëri përsëmbari                                                                    Ndritën rruga dhe sokaku

Artan Lame kryetari.                                                                       Kur kalon Kryebashkiaku.

 

Artan Lames i shkon vula                                                              Ndër të parët e kësaj ane

Bëri Korçën me dy kulla                                                                 Gjyshi kishte shumë bostane

Të gjithëve ju erdh’ për shtat,                                                    Por për pronat nuk u zunë

Kishim mbetur pa sahat.                                                               Gjysh ke ti, e kam dhe unë

 

E nisi dhe e bitisi                                                                               Sytë i kemi ne në Raqka,

Ky Lame koleksionisti.                                                                    Cehreverdhë si maraqka,

Anambanë ka bërë emër,                                                            Cdo këshille i ve veshin

Porse Korçën ka në zemër.                                                          Por më shumë dëgjon Peleshin.

 

Ndaj Partia në pushtet                                                                  Hidhni votën pa merak                                                  

Që punon dhe pastaj flet                                                             Për këtë Kryebashkiak!

E caktoi si i ka hije                                                                            I prin Korçës porsi dash

Të zgjidhet i parë bashkije.                                                          Kot i thon’ Ligavec Gollash.

 

Do e bëjë përsëmbari                                                                    I shkon firma, i shkon vula,

Artan Lame kryetari,                                                                       Nuk ka frikë as nga pula

Se i bën punët e pastra,                                                                                Ndrit në tre legjislatura

Siç e ndriti në Kadastra.                                                                 Kur sheh Edin i shpëton shurra.

 

(Strofa e fundit përsëritet.)                                                         (Strofa e fundit përsëritet.)

 

 

 

 

Këngët popullore, që të bëjnë të qash

 

Ndoshta dhe fiset afrikane kanë të tilla zakone. Të këndojnë dhe vallëzojnë për udhëheqësit. Edhe për pushtuesit. Edhe për kolonizatorët. Edhe për ata, që sjellin para.

Kënga e grupit të Bënçës ishte kënga  më e fundit e një sërë klishesh, që mund të kenë nisur mbi 200 vjet më parë dhe jo vetëm në zonat e Jugut, ku këndohet me iso, ppor edhe në zonat e Veriut ku këndohet me çifteli dhe lahutë. Këngë ku ju thurren lavde patriarkëve meshkuj dhe që me siguri ju janë thurrur pashallarëve turq dhe më pas kanë vazhduar t’i këndojnë Esad Pashës, princit Vid, Sulejman Delvinës, Zogut, Musolinit, Jakomonit, Xhafer Devës, Enver Hoxhës, Mehmet Shehut, Ramiz Alisë,  Vehbi Alimuçës, Sali Berishës, Rrapush Xhaferin, Fatos Nanos, Erdoganit dhe tani për disa herë rrjesht Edi Ramës. Skandinavi Rama, që shtiret se nuk i pëlqejnë këto shfaqje anakronike të krijimit të një kulti, lejon që lakejtë e tij të rretheve të Jugut të kërkojnë që në rast festash dhe përurimesh të përsëriten kopjet e vargjeve, që ju janë thurrur të tjerëve më parë.

Më shumë se e turpshme, kjo dëshmon nxitjen e shpirtit prej skllavi të shqiptarëve.

Vetëm në vende ku ekziston ende skllavëria mund të hasësh dukuri të tilla të shfaqjes së adhurimit dhe përuljes ndaj krerëve. Në vende disi të zhvilluara ose të zhvilluara dalja e sharlatanëve të tillë, që thurrin hymne për pushtetarët është qesharake dhe e përbuzëshme. As guxojnë bejtexhinj (që ka në çdo vend) që të afrohen në ceremoni publike dhe të japin të tilla deklarata rropullindjellëse për të përfituar një vend pune ose ndonjë shpërblim në të holla.

Shfaqje të tilla nuk mund të etiketohen as si “folklorizëm” sepse cënojnë vetë imazhin e demokracisë, që duhet të jetë një sistem ku drejton me rradhë shumica bazuar në vota dhe ku ministrat dhe kryeministrat i shërbejnë taksapaguesve për të patur një mbarëvajtje të vendit. Në “palavinë“ e fundit të Bënçës, Rama cilësohet si “dhuratë e Perëndisë“, ashtu si cilësohej dikur Hoxha si “udhëheqës që e gjithë bota e kishte zili”.

Në një kohë jo të mirë për vendin, kur shqiptarët mundohen si e si të ikin nëpër botë, kënga popullore që duhet kënduar çdo ditë është “Mbeçë more shokë mbeçë“, por makina e Rilindjes nxit prodhimin e këngëve të tilla që të bëjnë më shumë të qash se sa të tallesh me to.

 

 

Wednesday 15 March 2023

Stoli me tre këmbë i pushtetit mafioz

 

Pushteti i të korruptuarve, që sundon Shqipërinë prej të paktën 20 vitesh, i ngjan një stoli të çuditshëm me tre këmbë jo të barabarta, por që gjithsesi e mbajnë më këmbë dhe të lidhur. Tre këmbët janë të njohura për të gjithë shqiptarët – i Gjati, i Egëri dhe i Shëmtuari dhe përkatësisht Rama, Berisha dhe Meta.

Këta tre personazhe janë të pranishëm në majat e pushtetit dhe të opozitës prej vitit 1997, kur nisi të konsolidohet pushteti thellësisht I korruptuar. Eshtë larguar vetëm këmba e katërt e stolit, që ishte Fatos Nano.

Të tre kanë pasuri të mëdha personale dhe familjare, lidhje të forta me bizneset, kontroll mbi mediat dhe lidhje e me segmente të caktuara të krimit të organizuar. Janë këto, që i mbajnë të patundur mbi partitë e tyre dhe njëkohësisht të pandashëm nga jeta politike në Shqipëri me gjithë gjynahet e mëdha që kanë.

Pikërisht për të nisur të çmontohej ky stol pushteti mafioz, u përpoqën prej disa vitesh më parë amerikanët duke u përpjekur të ngrinin një system Drejtësie të Pavarur, që të niste të godiste në fillim të korruptuarit e njohur Berisha dhe Meta, të cilët kishin edhe pushtet mbi Juridikun. Rradha e Ramës do vinte në një të ardhme pas rënies të dy të parëve. Por kjo nuk ndodhi ndaj dhe amerikanët, të zhgënjyer nga zhvillimet politiko-juridike në Shqipëri u detyruan të shpallnin “non grata” Berishën. Tashmë dukej se i Egëri dhe i Shëmtuari ishin përfundimisht jashtë politikës shqiptare, por nuk ishte e thënë. Paratë, kontrolli mbi partitë e tyre dhe lidhjet e nëndheshme ishin ato, që i mbajnë më këmbë. Njëkohësisht edhe dëshira e pashprehur e Ramës për të patur këta partnerë-kundërshtarë politikë.

Pa njohur thellësisht gjendjen politiko-mafioze në Shqipëri edhe unë brohorita për të disatën herë fundin Berisha-Meta, si shënja e parë për të ndryshuar klasa ekzistuese politike shqiptare. Burgosja e Metës dhe e Shkëlzen Berishës dukeshin si shumë pranë në horizont, por e vërteta është e hidhur dhe shumë larg asaj që mendoja unë dhe të tjerë.

Në Shqipëri ende nuk ka prokurorë dhe gjykatës, të cilët të jenë në gjendje të prekin Metën dhe Berishët.

Ky rreth vicioz shoqëri-politikë-juridik ka për të vazhduar gjatë dhe nuk duket se ka energji të brendëshme për ta këputur. Të huajt janë munduar më shumë se sa ju takon, sa nuk kanë munguar sulmet ndaj ambasadorëve amerikanë edhe nga analistë të cilët nuk i përkasin asnjë krahu të politikës.

Pork a diçka, e cila e mban të gjallë shpresën edhe pse shqiptarët pak besojnë në të ndaj dhe largohen vazhdimisht nga vendi. Në Historinë e Njerëzimit në përgjithësi dhe në historinë e Shqipërisë në veçanti, ndodhin ngjarje, të cilat përmbysin situata të pashpresa ose rrëzojnë udhëheqës, të cilët duken si të paprekshëm.

Kurdoherë mund të ndodhë diçka e tillë dhe stoli trekëmbor të marrë fund.

Tuesday 14 March 2023

Ca burg për shumë million euro

 

Ndonëse burgun nuk e do kush, formula që po ngjizet në Shqipëri “Ca burg për shumë milion euro të vjedhura” nuk është ndonjë e keqe e madhe. Këtij fati i janë nënshtruar tashmë disa politikanë të karrierës, që kanë qënë deri ministra dhe tani janë duke vuajtur dënimin ose duke pritur në burg zhvillimin e gjyqit. Llogaritje me mendje po bëjnë edhe shumë politikanë të tjerë, të cilët e dinë se janë nën hetim.

Unë nuk jam për procese gjyqësore revolucionare, që shpien politikanët në gijotinë, por ka diçka që cënon shumë funksionimin e ligjit në këtë lloj proçedure standarte, që nuk shkon dot thellë në hetimin e krimeve të kryera nga “jakat e bardha”. Ligjet kanë një arsye kryesore për të cilën krijohen dhe kjo është mbrojtja e shoqërisë.  Rrezikon që në Shqipëri të vazhdojnë të kultivohen breza politikanësh me grykësinë për t’u pasuruar shpejt duke marrë edhe në sy rrezikun “e keqja më e madhe nëse kapemi është të bëjmë një vit burg”. Për më tepër mund të përdorësh edhe justifikimet e zakonshme “mua më dënuan për arsye politike” ose “i gjithë procesi ishte i montuar politikisht”. Pas daljes nga burgu, ish nëpunësi i lartë del i pasur dhe i nderuar. Mund të vazhdojë jetën si pjesë e elitës shqiptare.

Në vetvete, ndëshkueshmëria e lehtë dhe jo e plotë e “jakave të bardha” i sjell më shumë dëme shoqërisë shqiptare se sa mosndëshkimi i hajdutëve ordinerë. Ka shumë të ngjarë, që një pjesë e madhe e adoleshentëve më të mirë në mësime, të motivohen për të “kapur” punë brenda administratës shtetërore, të lidhur me politikën për tu pasuruar mirë kur nuk kanë arritur ende mesin e të 30-tave. Dhe kjo do të thotë të vazhdosh të kesh elita “të kalbura moralisht”.

Problemi në vetvete është kompleks dhe nuk lidhet vetëm me mosfunksionimin e mirë të sistemit prokurori-gjykatë. Nuk lidhet as vetëm me rolin e Ramës dhe Rilindjes së tij, si mundohen ta paraqesin kundërshtarët e tij politikë. Ka shumë të bëjë me heshtjen e përgjithshme dhe pajtimin e shoqërisë me këtë dukuri. Nga mediat e deri tek përfaqësuesit e universiteteve, institucioneve shkencore etj., që nuk ngrenë zërin se shoqëria është duke shkuar drejt një katastrofe që është zor të korrigjohet.

Cilët janë modelet për të rinjtë e shoqërisë shqiptare? Kujt duan t’i ngjasin adoleshentët kur të rriten?

Edi Ramës, Ilir Metës, Shkëlzen Berishës, Belinda Ballukut, Elisa Spiropalit, Zamir Manes, Aleksandër Frangajt, Grida Dumës, Monika Kryemadhit, Erion Veliajt? Të gjithë emra të njollosur në mënyrë të pandreqshme dhe që për fat të keq zenë faqet e të gjitha gazetave dhe ekranet televizive. Shto këtu edhe Magjistaret dhe Gjonet, që ngrohnin dikur shtretërit e trafikantëve të drogës dhe është më se e qartë se ç’farë modelesh ju ofrojmë fëmijëve dhe të rinjve.

Diçka thellësisht e gabuar duhet korrigjuar dhe për këtë nuk ka as ndërkombëtarë, që mund të të ndihmojnë.

 

 

Zuzarë dhe zuzarka

 

Ne u rritëm në një shoqëri patriarkale, që kishte standarte të ndryshme për meshkujt dhe femrat. Meshkujt që kishin një numur të madh të dashurash në vite, konsideroheshin si të suksesshëm dhe në përgjithësis ishin modele për brezat më poshtë. Femrat me shumë të dashur në vite, cilësoheshin në rastin më të mirë si “të lehta”, por kryesisht si të përdala. Kishte një histori të tëre shekujsh si bazë dhe megjithëse shekulli i XX-të kishte sjellë ndryshime në shoqërinë shqiptare, përsëri femrat stigmatizoheshin menjëherë ndërsa meshkujt ngriheshin në piedestal.

Opinioni im i sotëm është që njerëzit as duhen paragjykuar dhe as duhen mbivlerësuar për virtytet apo veset e tyre. Ose më mirë të themi për prirjet individuale, se nuk di nëse të shkuarit me shumë partnerë është apo jo ves.

2% e popullsisë botërore jetojnë në poligami. Ky numur është për ata , të cilët jetojnë zyrtarisht me disa partnere (kryesisht janë burrat që jetojnë me disa gra) dhe nuk përfshihen ata, të cilët kryejnë marëdhënie jashtëmartesore. Ndaj prirjet për të qënë zuzar dhe zuzarkë janë në një masë të madhe të popullsisë dhe nuk mund të injorohen.  Në shumë vende të botës në zhvillim, burrat mburren se kanë edhe disa të dashura veç gruas, kurse “mburrja” e një gruaje për disa partnerë ndodh vetëm në vendet e zhvilluara.

Sigurisht që koncepti i “të nderçmëve” (meshkujt dhe femrat që nuk tradhëtojnë partnerët) ka karakter historik dhe është vendosur nga fetë monogamiste për të formuar shoqëri të forta të cilat mund t’ju rezistojnë sulmeve nga shoqëri rivale. Tipik ka qënë rasti i qyteteve të zhvilluara të Sodomës dhe Gomorrës, të cilët ranë për shkak të një liberalizmi të pakufi në marëdhëniet seksuale dhe në festat orgji. Por kushtet në botën e sotme janë të ndryshme ndaj edhe paragjykimi ndaj “të pandershmëve” ka ndryshuar. E megjithatë ekzistojnë dy forca të kundërta për kufizimin dhe nxitjen e zuzarllëkut. E para është ajo tradicionalja e feve, të cilat këmbëngulin që parimi biblik “mos tradhëto në martesë“ të jetë i detyrueshëm për të gjithë dhe nga ana tjetër është trysnia e tregut, që reklamon jetën e VIP-ave, industrinë e seksit dhe pornografinë.

Ende nuk ka studime të plota shkencore se si veprojnë marëdhëniet poligamiste në shëndetin fizik dhe mendor të atyre, që i kryejnë. Nuk ka të dhënë as për jetëgjatësinë e zuzarëve dhe zuzarkave. Ndoshta në të ardhmen njerëzit do jenë më të ndërgjegjgshëm të zgjedhin se cila është prirja e veçantë e tyre dhe se sa e favorshme është për një jetë të shëndetshme.

Deri në atë kohë mbetet universal thënia e një burri nga Gana, të cilin kur e pyesnin me qortim se përse kishte edhe një të dashur veç gruas përgjigjej:

Because is good!

Monday 13 March 2023

Mars 1992

 

Ishte një mbrëmje e ngrohtë ajo e datës së zgjedhjeve të përgjithshme. Nuk mund të flinim pa mësuar nëse po fitonte vërtet PD-ja si pritej. Zbritëm të shkonim pranë ndërtesës së Partisë opozitare, që kishte ngjallur shpresat e gjithë shqiptarëve. Cuditërisht në trotuarin para saj nuk kishte njerëz. Më vonë me ne u bashkua Ilkë Rrëmbeci me të shoqen. Veprimtarët e PD-së hynin e dilnin në ndërtesën, që ishte edhe shtabi elektoral i partisë opozitare. Nuk donim të hynim e të pyesnim se si ishin rezultatet për Korçën pasi nuk e ndjenim veten pjesë e asaj partie. Madje edhe veprimtarët na shihnin si me çudi se ç’bënim ne atje.

Për ne ishte një mbrëmjeshumë e rëndësishme se sillte largimin nga pushteti të një Partie famëkeqe, që kishte sunduar për gati 50 vjet dhe kishte sjellë edhe në krye të pushteteve lokalë gjithfarë njerëzish me karaktere të dobëta. Ndoshta edhe mendonim se po hidhej hapi i parë për t’ju bashkuar familjes europiane perëndimore. Na dukej edhe e habitshme se si “Korça flinte” atë natë natë të madhe. Ndoshta vazhdonte të mbetej e përmbajtur, pasi kishte bërë detyrën për të votuar opozitarët. Ndoshta se kishte parë shumë ndryshime pushtetesh të pafrytshme. Ndoshta se nuk emocionohej lehtë. U kthyem në shtëpi pasi mësuam që edhe një kandidat i PD-së në një zonë të thellë kishte fituar, që tregonte se shumica e deputetetëve ishin të opozitës. Televizioni vazhdonte të jepte rezultate për në zonat e tjera.

Të nesërmen në mëngjes u morr vesh se pushteti i takonte opozitës. Njerëz të shumtë kishte në sheshin kryesor, por jo të organizuar. Vetëm një letrar i moshuar kishte dalë me një parrullë pro fitores dhe ecte i vetëm mes shikimeve të turmës. Disa muaj më parë i kishin arrestuar të birin për një vrasje. Nuk dija se me kë ta ndaja gëzimin e madh që ndjeja. Në një lokal ku shkoja shpesh pashë një të njohur të PD-së, të cilin e njihja për idealist. E përqafova dhe i thashë me patetizëm: “Ne fituam përfundimisht! Këta ronxhobonxhot sot fitojnë nesër humbin se për interes kanë hyrë në politikë!” Tundi kokën në shënjë miratimi. Më vonë mësova se dhe “idealisti I butë“ merrte rryshfete të vogla në Gjendjen Civile.

Nuk kam arritur të kuptoj se përse “ujërat e vrullshme” të protestës gjithëpopullore antikomuniste sollën gjithë atë “baltë“ në krye të shoqërisë korçare në veçanti dhe shqiptare në përgjithësi. Kështu ndodh gjithmonë gjatë ndryshimeve të mëdha? Ishte shoqëria shqiptare tejet e infektuar gjatë viteve të Diktaturës?

Një vit më vonë, kur flisja për këtë problem me një jurist, i cili kishte qënë në një nga mbledhjet e para të formimit të PD-së, më tregoi se gjysma e sallës ishte me bashkëpunëtorë të sigurimit, që njiheshin si të tillë. Kjo e kishte bërë të largohej nga politika. Më tej u faktua, që dy kryetarët e parë kishin qënë të tillë dhe ndoshta edhe shumë të tjerë. Bashkëpunëtorët e Sigurimit nuk mund të ishin idealistë. Por idealistë nuk ishin edhe shumë batakçinj , të cilët panë mundësinë për të zënë poste dhe më vonë kërcyen nga një parti në një tjetër, për të mos u ndarë nga pushteti, që sjell vlera monetare.

Shoqëria shqiptare, duke përjashtuar këtu individë të veçantë, mbeti e drejtuar nga “llumi”. Këtu përfshij edhe njerëz , të cilët mund të kenë aftësi apo janë profesionalisht të zotët, por me deformime të mëdha në karakter, që i bën të afrojnë kriminelët në pushtet dhe të bashkëqeverisin me ta. E megjithatë, atë natë të ngrohtë marsi ndodhi një ndryshim i rëndësishëm. Njerëzit u ndjenë më të lirë dhe patën më shumë mundësi të zgjidhnin rrugët e jetës sipas cilësive të tyre.

Të paktën Diktatura nuk do kthehej më!