Wednesday 31 March 2021

ABC-ja dhe Universiteti “Fan Noli”


Më njoftuan se në shkrimin tim të fundit, gabimisht kisha përmendur Ali Jasharin si rektor i Universitetit “Fan Noli”, kur në të vërtetë ai ka disa muaj , që është në pension. 

Pension të mbarë ish-rektor Ali!

Mundohem të kem sa më pak pasaktësira në shkrimet e mija dhe ndërsa e shkruaja, e verifikova në Wikipedia se kush ishte rektor i “Fan Nolit”. Nuk ishte ndryshuar emri – Ali Jashari. Shkrimi që po bëj është edhe një lloj korrektimi, ndonëse në thelb nuk ndryshon ndonjë gjë e madhe. Edhe si gjuhëtar, Aliut i takon të bëjë një përpjekje për Mësonjtoren, nëse e ka kuptuar edhe më parë rëndësinë e saj. 

Pa Mësonjtore nuk do kishte Universitet të Korçës dhe pa të Aliu nuk do kishte qënë ndonjëherë rektor!

Por problem nuk është as Aliu, as Jashari dhe as kush e ka zëvendësuar apo do e zëvendësojë Aliun. Nga disa pedagogë të Universitetit kam dëgjuar ankesa se në shkrimet e mija rreth Universitetit i kam quajtur pa të drejtë “mediokër”. Nuk kam dëgjuar asnjë prej tyre të ngerë zërin për Mësonjtoren, ose më parë për probleme të mëdha të arsimit, kulturës dhe bashkësisë të Korçës, së cilës i përket Universiteti.

Nuk dua as të bëhem “i mirë“ dhe të thurr lavde për pedagogët tanë të ndritur, jo sepse mendoj se nuk ka të tillë në “Fan Noli”, por se e gjykoj që nuk i sjell dobi kujt. Pedagogët më mirë se kushdo i njohin studentët dhe ata ja u kanë vënë notat pa u ndikuar nga kritikat e mija. Të shkëlqyerve nuk ja u heq dot shkëlqimin askush!

Ajo ç’ka kam menduar se duhet të ishte trupa mësimore e Universitetit për Korçën, merrte shkas nga ajo ç’ishte trupa mësimore e Liceut Francez për qytetin tonë. Duke nisur nga profesorët francezë dhe duke vazhduar me më të mirët tanë, ata ishin jo vetëm “ajka” e qytetit të Korçës, por e gjithë shoqërisë shqiptare.

Nuk di se kush jep histori dhe gjuhë shqipe në Universitetin e Korçës, por që tempulli ku nderohet Dija, Mësonjtorja e Parë, të mbetet në duart e Niko Kotheres, për këtë nuk mund të fajësosh vetëm politikanët. C’farë bëje ti Ali? Po ti Jashar? Po ti Pëndavinji e kush e di sa emra emra të tjerë mund të rendit.

Ju mund të thoni që sa herë kalonit në Pedonale ju vinte keq për atë ç’ka kishin bërë , por kështu e ka politika!

Mos gënjejmë veten kot se Korçën e kanë dëmtuar politikanët.

Kazmën e vërtetë ja kemi vënë të gjithë ndërsa mbajmë sehir dhe në kokë bluajmë me inat fraza të forta kundërshtimi!

 

  

Mbi Mësonjtoren ra muzgu i harresës


Ndoshta nuk e deshën që në fillimet e saj. Ndaj edhe shkollat nuk u quajtën më kurrë Mësonjtore. Ka mësues, shumë mësues, por vetëm një Mësonjtore. Ndoshta edhe mësuesve nuk ju duhet më as ajo dhe as misioni i saj. Në fund të fundit ishte shkollë private.

Dikur, kur punonim me Klitin për Muzeun, vinte dhe shikonte me kureshtje edhe mësuesi i atëhershëm i gjuhës, Ali Jashari, sot rektor i Universitetit “Fan Noli”. Ndoshta vinte për t’i rënë në sy eprorit të tij Gjergji Cikopana (i cili vërtet ishte shumë i angazhuar), se tani që është drejtues i institucionit arsimor më të fuqishëm të qytetit nuk bëzan për atë ç’ka ka ndodhur me Mësonjtoren. Ndaj edhe një peticion për rikthimin e merit të saj ështe firmosur nga jo më shumë se 2500 vetë. Universiteti ka mbi 4000 studentë.

Në bangat e “Mësonjtores së Parë Shqipe” (asaj që nuk ja kanë ndruar emrin ende) kanë kaluar mijra nxënës. Disa janë funksionarë të arsimit, disa të tjerë politikanë, disa historianë dhe disa edhe arkitektë. Asgjë nuk ngacmon ndërgjegjen e tyre, kujtesën e tyre për abetaren, mallin e tyre për mësuesit e parë. “Cështja Mësonjtore mund të më ngatërrohet kot nëpër këmbë gjatë kësaj fushate”- thonë me siguri shumë syresh.

Dhe ndërsa shumë ‘të devotshëm” thonë se do prononcohen posa ta vizitojnë e shtyjnë vizitën për vitin tjetër deri sa zhurrma të jetë “platitur”, ose kur gërmat e gurta t’i ketë mbuluar bari.

Ka shumë në Shqipëri, të cilët duan që “Mësonjtorja” të mbetet një dukuri lokale. Në Shkodër, Mirditë, Elbasan e gjetkë, kanë qarkulluar gjithnjë teoritë, se Mësonjtorja nuk është vendi i parë ku është mësuar shqipja. Ali Jashari, ky gjuhëtar me tituj, I njeh këto teori, por parapëlqen të heshtë, se në fund të fundit do të jetë në një linjë me Udhëheqësin Suprem dhe officerët e tij.

“ Le të mos zemë emra!” mund të hidhet ndonjë “bonist” i përhershëm. Por Pandeli Sotiri, Petro Nini, Nuçi Naçi, Mandi Tërpo dhe të tjerët kishin emra, i kishin përmendur ndaj dhe nuk i kemi harruar. Ndaj dhe i përmendim vazhdimisht, që “muzgu i qëllimshëm” i hedhur mbi ta mos “pastrohen” nga historia.

Korça nuk ka dalë ende nga letargjia e këtij dimri të vështirë.

Uroj të zgjohet sa nuk është tepër vonë!


Shenim: Videoja eshte pjese e nje "Tryeze" online e organizuar nga nje shoqate me qender ne Zvicer. U ftova nepermjet nje shkolle private ne Tirane. Ne Korce asnje nuk ndjehet.

Tuesday 30 March 2021

Mars…pa vaksinë


Ja edhe marsi po na i “lë shëndenë“ me një dorë të madhe me lëkurë të mbledhura dhe vaksina e shumëndërruar nuk po na vjen. Dhe në prill nuk di se ç’të “gjëmosh” më parë.

Përfundimisht AstraZeneca do ndalohet në Kanada për të rinjtë nën 55 dhe do lejohet vetëm për “gërxhot”. Le të mbijetojë më i forti! (Nuk dimë ç’ka thënë Darvini për vaksinat dhe nëse ndihmonin apo e ngadalësonin evolucionin. Ndoshta në Galapagos nuk bënte njeri vaksina.)

“Miu i Gjirizave” ose nuk ka bërë vaksinën dhe nuk prek tastierën e kompjuterit për të mos u infektuar, ose është aq i plakur sa përton të shkruajë. Video nuk mund të dërgojë se i hiqet maska e miut dhe po të dërgojë vetëm audio ka hall se i dallohen notat fallco prej kontrabasi.

Të vjen keq të të zerë tani Covid-19 se është edhe dy vjet demode. Të paktën të të mbërthejë ndonjë nga këta versionet “afrikankajugore” ose “brazilianka”, që të provosh tamam se sa je forcuar nga vitaminat C, D, F, U dhe Zinku që ke përdorur pa kursim në këtë djallo dimër. “Mos e ndill!” do thonë më supersticiozët mes lexonjësve të mij, por unë ndjek shëmbullin e “The Donald”, që e ndolli dhe e kaloi pa asnjë komplikacion. Madje punonte edhe në spital mbi dosjet më delikate të politikës amerikane.

(Për Trump më ka marrë malli më shumë se për Miun e Gjirizave. E dëgjoja gojëhapur. Nuk ka për të ardhur ndonjëherë President si ai as në Shtëpinë e Bardhë, as në Shtëpinë e Verdhë, as në Kremlin dhe as në Elizje. I papërsëritshëm, argëtues, buzëmbledhës, nofkëvënës, cipëplasur, dërdëllitës, përsëritës, fjalorpakët dhe llafeshumtë, e të tjera e të tjera, që nuk i sërit dot se ishin pafund. Në vend të tij erdhi Xhoja, që i mbahet goja, që rri pak dhe dremit, që bie kur ngjit shkallët e avionit dhe që harron ç’do të thotë.)

E mos u bëj antikinez po të duash!

Po mos lejoheshin të therreshin kafshët e egra në tregun e Wuhan-it nuk do kishte dalë virusi dhe po mos kishte dalë virusi ekonomia e Amerikës do shkonte veç përpjetë, dhe po të shkonte ekonomia veç përpjetë  në nëntor Trump do fitonte më shumë se 90% të votave dhe pas një referendumi, do bëhej edhe Lider Suprem deri në një vdekje të largkohëshme.

Unë nuk do i hiqja kanalet televizive dhe do shikoja ditë e natë Supremin deri sa largqoftë t’i prishej “tupeja” dhe t’i dilte në shesh tulla e njëjtë me tullën time.

Ndaj pëlqej vetëm kinezët e Taivanit dhe Hong Kongut, që nuk janë të indoktrinuar nga komunizmi dhe nuk hanë kafshë të egra të pazjera. Gjithnjë fajin e kanë komunistët!

Komshiu po krastit si çdo vit një “mollë shpifkë“, që bën ca kokrra të shëmtuara dhe me siguri nuk i hanë as rakunët. Po rakunët më duket se i hanë në Wuhan. T’i urresh rakunët nuk ka pse të quhet  racizëm?! Edhe të kesh mall për Miun e Gjirizave dhe Trump nuk ka pse të quhet perservitet!

Helbete mars është dhe as jam i vaksinuar.

Monday 29 March 2021

Ta bëj a mos ta bëj...


Vava më tha që nuk e bën vaksinën, jo se është antivaksinist apo ndjekës i Alfred Cakos, por se nuk i beson qeverisë së Ramës dhe cilësisë të vaksinave që sjell.

Nuk ka faj!

Të njëjtën gjë po mendoj edhe vetë, tani që një lloj komisioni në Kanada po sugjeron që vaksinat AstraZeneca të mos bëhen për ata që nuk i kanë kaluar të 55-at. Unë sa i kam kaluar vetëm 7 vjet më parë dhe jo vetëm që ndjehem më i ri se 55, por edhe kam të drejtë të pyes si zgjidhet ky numur. Ka të bëjë me gazetën “55” të Fahri Balliut? Ka të bëjë me moshën e pensionit të mësuesve në kohën e Diktaturës? Si u gjetën këto dy 5-a dhe ne që i kemi kaluar duhet të rrezikojmë të na bëhet ndonjë trombozë?

Ja sa lehtë nga një përkrahës i Bill Gates, unë mund të kthehem në kundërshtar i tij i flakët. Mbase Billi nuk ka faj, po mua më vjen t’i shkrehem : Të kam dhj… mu në AstraZeneca, mu në Oksford, mu në Organizatën Botërore të Shëndetsisë dhe mu në Fondacionin që ke me gjithë Melisan!....hë se harrova edhe mu në doktor Fauçi!

Se kur vjen puna në by… vetiake nuk më bëhet vonë as për ato që kam shkruar dhe as për ato që kam thënë!

Prej gjaku jam dhe unë! Dhe në gjak kam edhe trombocite, të cilat mund të më kthehen në tromboza!

Kjo puna e dynënshtetësisë më jep dorë, se mund të nisem për në sheshi Skënderbej dhe të bëj vaksinën kineze, po kam edhe frikë se mos më bëjnë për budalla. Mund të thonë edhe që po shkoj të votoj kundër Peleshit, kur unë nuk kam asgjë kundër tij , Xhaçkës, Spiropalit apo heqimit që dikur shiste celularë. Aq më pak ndaj Marenglenveras, e cila më sjell ndërmend edhe internacionalizmin, që më vlon në deje.

Të vaksinohem apo mos vaksinohem, kjo është çështja!

Mbase duhet bërë durim sa të vijë ajo Xhonson dhe Xhonson dhe Xhonson sërish. Eshtë dhe me një dozë dhe si do që të vijë puna, është si ajo shprehja “në kokë e në gropë“. Këto të tjerat kanë edhe torturën që duhet bërë prapë pas dy muajsh dhe nuk di as nëse ke imunitet, as nëse do kokëlosesh herën e parë apo herën e dytë dhe se ç’do ndodhë në periudhën midis dy dozave.

Dikush me të drejtë mund të më thotë ‘ti e ken grënë kullotën tani” ndaj mos e vri mendjen shumë. Po kjo puna e kullotës qënka sa më shumë ta hash dhe aq më shumë nuk të iket. Di dhe dy 90-vjeçarë, që nuk e bëjnë vaksinën se mund t’ju fusin “chip”. Përse do ja u futin? Të zbulojnë se ku do shkojnë së shpejti në parajsë apo në ferr? Tani me GPS çdo gjë gjendet.

Ja në këtë sëkëlldi jam! Dhe po mos ja u rrëfeja juve, që prisni të bëni vaksinën nuk më rrihej. Mos thoni që “Po atij ç’i duhej mos e bënte!”

-Kam dyshimet e mija!- po ju them që nga kjo anë e së përtejshmes.

Sunday 28 March 2021

Kotësi idesh

Uji është gjithnjë poshtë,

I rëndë,

Si i vdekjes mendim.

Po aty e gjej më të lehtë pështjellimin,

Lehtë,

Pa mundim,

Të kristaltë e pa zgjidhje,

Ndër leshterikë psesh.

Kridhem,

Peshën e humb

Pa patur frikën e kohës se do rrjedhë;

Veç plluskon,

Në këtë kotësi idesh,

Që pikëlojnë në ajrinë mes nesh

Këtë të djelë.

E djelë e qullur lotësh

Mbetur pranë pjatës së paprekur,

Ndërsa dy gishta të tejzgjatur metali

Marrëzisht duan të kapin shiun,

Diku për ta mbjellë,

Larg në shkretimin e mekur.

 

 

 

Zum zum


Këtë emër ka patur dikur një bar në bllok, që rrinte hapur 24 orë. Nuk di të them me saktësi se në cilën rrugë, se shkoja vetëm natën atje, por kujtoj se diku pranë, përballë tij ishte një tjetër bar, që quhej “Carlsberg”. Blloku i vitit 2004 duhet të ketë ndryshuar shumë. Ishte kakofonik edhe atë kohë, por tani frigem se duhet të jetë rritur dendësia dhe me të edhe rrëmuja.

Në barin “Zum Zum” atë dimër të largët merrja zakonisht një “çokollatë të nxehtë“, që ndryshon shumë nga e zakonshmja “chocolat chaud”, që është ajo që ne e quajmë kakao. Cokollata e nxehtë e atyre kohëve ishte një pllakëzë çokollate e shkrirë dhe shpesh në të dukeshin edhe lajthitë, ose ndonjë lloj mbushje tjetër prej fabrikimit. Ishte e shijshme dhe me shumë kalori. Në “Zum Zum” mund të dëgjoje nga gjithë llojet e muhabeteve dhe dialekteve. Më të shumtit ishin të rinj gjysëm të dehur, që pasi ishin mbyllur baret, ku kishin qënë, përfundonin në “Zum Zum”.

“…e kam msu dje. Ke Zoguzi po bajn nji si tip kalimi apo ur a si di]a ndërtimi qi me e pa prij avionit u dukte si gërma E dhe R…e kupto…Ed Rama. E nuk o kaq, se ma posht po e bojn i tip kompleksi qi dukshe si Z dhe V po n’fakt osht N dhe V, e kur e shikon nga sateliti t’katra bashk u dukte si ENVR…me ni fjal o vazhdimi…e kupto…”

Një kokë me një palë sy të mbyllur tundej në shënjë pohimi para të riut që tregonte se ]’po ndodhte në Zogu i zi. Nga tryeza më tej dëgjohej një zë i trashë burri, i cili fliste për di]ka të panjohur, të cilën ose të cilin i përsëriste shpesh:

“…panjohur si një top futbolli nga një qoshe në një qoshe dhe…kur kam qënë i vogël e dinja mirë që…panjohur dukej sikur zbriste nga mali…kur nuk është karakteristike ska pse të thuash se gjoja stili e ku e di unë…panjohur se Shekspiri nuk i binte kontrabasit dhe as ndonjë vegle tjetër, pork jo s’do të thotë se nuk…i panjohur në lidhje me larjen e levenxeve, që të duket sikur një mësues për 40 vjet me rradhe duke qënë përfaqësuesi i fëmijëve dhe të rriturve…kur në atë vend janë futur ca kioska që ku di unë se nga i gjejnë dhe nuk marrin parasysh…dhe pa njohur atë që e thotë edhe Ni]eja në një vënd që tani nuk më kujtohet…”

Bashkëbiseduesi i tij ishte një burrë i zbërdhyltë me një kokë të tejxgjatur dhe shpatulla të ngushta që bluante vazhdimisht me dhëmbë fara luledielli dhe lëvezhgat e tyre i nxirrte me kujdes me majën e gjuhës dhe I kapte me dy gishtat e dorës së djathtë për t’I futur më pas në një qese të dytë. E ndërpreu ritin kur dëgjoi “Ni]eja” dhe ]akarriti sytë, por më pas vazhdoi me qetësi të mblla]itej pa u tutur shumë.

Ndoshta në të njëjtin paraagim apo disa ditë më pas, një zë autoritar gruaje dëgjohej mbi zërat e dy shoqeve të saj, që rrëkëllenin gota  me martini, pasi kishin lëpirë më parë gjithë shije ullinjtë e shkuar në një bigëzë plastike:

…e ka thon shum bukur Pjetri qi kta jan specialista dhe jo socialista, se me kishin kjen socialista do kishin ba di]ka për socialen. Por po ta shikosh socialja osht përtok e osht i fush ku ne si organizat joqeveritare duhet të delegojmë gjithë kontributin bashkëkohor tonin…”

“…po normal” u përgjigj një nga lëpirset e ullinjve dhe vazhdoi me martinin ndërsa folësja vazhdonte:

“…se trysnia e kondicionuar nga të gjitha rrethanat social-ekonomike mund të rrëzojë jo vetëm Kryetarin e Bashkisë, por edhe Kryeministrin, Presidentin e më gjërë…e kini parasysh se përse e kam fjalën…ndërkombëtarët…” dhe ju shkeli syrin pas syzeve me skelet të madh shoqeve joqeveritare.

Kështu gdhiheshin netët në barin “Zum Zum”, diku në bllok, deri sa një pragmëngjesi, një djalë i gjatë i shoqëruar nga dy vajza fundshkurtra, nxorri një pistoletë Zastava dhe ja vuri në kokë një djali, që duket se kishte zgjatur më shumë se duhej një vështrim të pacipë në këmbët e vajzave fundshkurtra. Ishte hera e fundit e imja në atë bar, të cilin e kujtoj gjithnjë me shumë mall. Sa shumë mësova rreth jetës së Tiranës, ato orë të shtyra të nat]s, duke rrufitur lëngun viskoz të ]okollatës së shkrirë, që në një bar të vogël të një mikut tim në Kor]ë, e bënte vetëm banakieri i turnit të dytë.

Saturday 27 March 2021

Përse “ndjenja e të drejtës” është në interes të çdokujt


Diçka ka ndodhur në Korçë, që ndodh shpesh në Shqipëri, në Europën Lindore dhe në shumë vende të botës. Bashkia (dmth shteti), pasi ka shpronësuar disa vite më parë pronarët e një trualli në afërsi të stadiumit, ja jep një pjesë të tij një investitori privat për të ndërtuar një hotel. Me siguri duhet të jetë e bazuar ligjërisht dhe ndoshta hyn në praptikat “partneritet privat-publik” ose PPP.

Nese e thjeshtojmë pak veprimin e vendorëve në bashkëpunim me investitorin është si më poshtë: “Sipas ligjeve të shtetit shqiptar, le të shpronësojmë pronarët në një vend të mirë për investim dhe t’ja u japim miqve tanë për pak para.” Ide nxitëse, e menduar mirë, me koncept të qartë ekonomik në fitim të publikut, investitorit dhe ofiqarëve. Pra të gjithë mbeten të kënaqur…veç pronarëve të ligjshëm të trojeve. Por ata janë një pakicë!

E bëra këtë hyrje , jo për tu marrë me “akrobacitë“ e Ramës dhe “kukullave” të tij në rrethe, por për të hapur një temë rreth raporteve të “ndjenjës së të drejtës” me “interesin vetiak”.

Një miku im i kohëve të rinisë, kishte një raport pakëz të çuditshëm me “ndjenjën e të drejtës” dhe “interesin vetiak”. Sipas tij e para ishte shumë e përkulshme dhe ishte e dyta, e cila mbizotëronte. Për shembull, një shef seksioni I njohur për padrejtësitë e tij, mund të quhej “i mirë dhe i drejtë“, sepse i kishte bërë mirë mikut tim dhe pak rëndësi kishte opinion I përgjithshëm. Rastet e ngjashme ishin të shumta dhe jo vetëm për gjykimin e njerëzve.

Po le të vimë tek ngjarja e fundit e Korçës dhe pse mendoj, që “ndjenja e të drejtës” nuk është diçka “në hava” apo “idealiste”, por që ndikon drejtpërdrejt në interesin vetiak të çdokujt.

Kur u shpronësuan pronarët e ligjshëm tek stadiumi, le të themi në vitin 2017, pa e ditur me saktësi, të gjithë e kuptuan dhe e dinin , që nuk ishte aspak e drejtë edhe pse ishte e mbështetur në ligj. Njerëzit indinjoheshin, hamendësonin se pse bëhej, ju qanin hallin pronarëve, por thuajse të gjithë “mbanin sehir”. Ndoshta një pjesë jo e vogël ndjente atë gëzimin e lig, që haset jo rrallë në vendet e Ballkanit “E o mirë ja u bënë që ja u morën!” Ndaj askush nuk bëri përpjekje të solidarizohej, të ngrihej në protestë ndaj atij vendimi, të tregonte forcën e Bashkësisë dhe të vinte në vend “Të drejtën”.

Tani përsëri publiku e merr vesh se ç’ka ndodhur. Të gjithë indinjohen, bile edhe ata, të cilët ishin gëzuar nga shpronësimi. Në mënyrë të ngjashme mendojnë me zili “ Po ce ja dhanë fistëkut që do nxjerrë tërë ato leka!” Dhe përsëri thuajse të gjithë nuk solidarizohen, nuk bëzajnë publikisht, nuk ngrihen për të kundërshtuar këtë aferë korruptive.

Për fat të keq, një ditë ju vjen rradha, ndoshta jo me pronën e tyre, por me lulishten publike, me kodrën e Belvederes, me sheshin para teatrit, me rrugën para shtëpisë, me ajrin e ndotur, me antenat emetuese të valëve të rrezikshme dhe me shumë gjëra të tjera, që ju cënojnë lirinë, shëndetin, sigurinë dhe mirëqënien e tyre dhe të fëmijëve.

Por nuk arrijnë të kuptojnë(si dikur miku im i rinisë), që “E Drejta”, më shumë se një kategori morale apo ligjore, është e dobishmja për gjithsejcilin. Ndaj kurrë nuk duhet thënë:

Po mua ç’më hyn në qese kjo punë?! 

Friday 26 March 2021

Edhe për një “kauzë të humbur” më shumë!

 


Përpjekjet e mija për të kritikuar “restaurim-riorganizimin” e fundit të Mësonjtores së Parë, më sjellin në mendje “dështimet” e protestave për Kullën Vrojtuese, Studimin për Qendrën e Korçës, Bibliotekën e Re dhe ndonjë ndërtim tjetër të këtij shekulli në Shqipëri.

A kam mësuar gjë prej tyre dhe pse vazhdoj me këtë qëndrim donkishotesk?

Diku në blog, kam spjeguar se nuk është gabim të luftosh për një çështje të rëndësishme edhe kur e di se është e kotë. Ata të cilët kanë vendosur të bëjnë diçka në kundërshtim me opinionin e përgjithshëm apo me interesat e publikut të gjërë edhe pse do realizojnë atë ç’kanë vendosur duhet të ndjejnë trysni. Eshtë shumë më ndryshe se kur të gjithë heshtin. Pa le të thonë “superinteligjentët”- Po thamë ne bre , që kot e kini! Eshtë vulosur ajo punë!

Edhe puna e Mësonjtores mund të jetë “vulosur” dhe pas disa javësh çdo gjë do harrohet, por “ofiqarët” do mendohen më shumë për të bërë “paudhësinë“ tjetër.

Nuk di ta spjegoj mirë, se pse nuk ka një reagim të përgjithshëm pro-Mësonjtores dhe pse heshtin edhe partitë opozitare. Lidhet me fushatën elektorale, me një ndienjë anti-korçare, me frikën, me cinizmin, me shikimin se është një gjë e vogël apo me të gjitha së bashku, nuk arrij ta kuptoj. Eshtë e çuditshme se si një nismë e nisur nga një shkollë private në Tiranë nuk gjen asnjë mbështetje jo vetëm nga shkollat publike ne Korçë, por as dhe nga një shkollë private.

“Molepsja” e shoqërisë sonë është e thellë. Do kohë për tu pastruar dhe asnjë lloj “ajrisjeje” nuk mund të lehtësojë dot erën e rëndë të këtij myku indiferonto-korruptiv.

E megjithatë ja vlen të përpiqesh. Ja vlen të kujtosh diçka të harruar. Ja vlen të thuash diçka që nuk dihet nga të gjithë. Ja vlen të shkundësh edhe mikun tënd dhe t’i thërresësh:”Nuk dua të të le të shkosh pafund teposhtë!”

Ndaj le të jetë edhe “një kauzë e humbur” më shumë.

Kur një ditë të kaloj para Mësonjtores së Parë nuk do i them vetes: “Edhe ti heshte!”

Wednesday 24 March 2021

Rëndësia e Mësonjtores së Parë Shqipe

(Për ata që nuk e dinë dhe për ata që shtiren se nuk e dinë)


Ka një difekt të trashëguar nga historiografia e periudhës së Diktaturës, të cilin kam frikë se nuk e kanë korrigjuar ende historianët shqiptarë të sotëm. Ka të bëjë me rëndësinë e Mësonjtores së Parë Shqipe në formimin e shtetit shqiptar.

Për tu treguar të drejtë me veten tonë, me paraardhësit dhe me fëmijët tanë, ne kemi qënë të vonuar në të shkruarën e gjuhës sonë. Kombe më të rinj se ne e patën bërë shekuj më parë.

Këtu del pah gjenialiteti i Rilindjes tonë Kombëtare, e cila edhe pse e nënvizuar gjatë periudhës së Diktaturës së Proletariatit është paraqitur në një dritë si ju kishte interesuar Clirimtarëve.

Fuqitë e Mëdha nuk do njihnin kurrë pavarësinë e një kombi në Europë pa dëshmuar dy cilësi:

E para, që kishte aftësi shtetformuese dhe vetëqeverisëse.

E dyta, që kishte një gjuhë të lëvruar mirë dhe që shkruhej.

Këto dy gjëra, më shumë se dëshira për të qënë “më vete”duheshin për tu paraqitur në tryezat ku vendoseshin fatet e kombeve të vegjël. Ne të dyja nuk i kishim. Ndaj Rilindasit “ngritën në qiell” epopenë e Skënderbeut dhe njëkohësisht u nxituan të bënin të shkruar gjuhën shqipe dhe të krijonin arsimin në këtë gjuhë.

Refreni i komunistëve se “Populli jonë e ka çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë“ është pjesërisht i vërtetë dhe theksohej për të justifikuar marrjen e pushtetit nga ana e tyre me pushkë.

Shqipëria nuk u bë nga pushka! Përpjekjet e armatosura gjatë luftrave ballkanike ndihmuan për të arritur Mëvetësinë, por ajo nuk do arrihej dot kurrë pa Mësonjtoren e Parë Shqipe.

Shteti Shqiptar hedh hapin e parë të tij, atë mëngjes kur fëmijët e parë korçarë hynë në atë prag të shenjtë!

Jo të gjithë e dinë këtë, por problem më i madh është me ata, të cilët e dinë dhe për një qëllim apo tjetër, qëndrojnë në heshtje për mos i dhënë rëndësinë që ka.

Diku duhet të jenë historianët e shquar të këtij vendi, ndoshta edhe në Akademinë tonë të Shkencave, që bëjnë sikur nuk dëgjojnë, rreth përçudnive të fundit ndaj tempullit të gjuhës, arsimit dhe Mëvetësisë shqiptare.

Mos heshtni të dashur akademikë, që nuk e kini për gjë të “therreni” ndonjëherë edhe për mustaqet e Celo Picarit!

Shenim: Pikture ne vaj e Celo Picarit me mustaqe jo bige.

Tuesday 23 March 2021

Ne, “dezertorët” e Luftës Patriotike


Një reagim i “muzealistit” Niko Kotherja rreth kritikave të një mjeku korçar në Itali, më sollën në mendje reagimet “peleshfansave” në vitet kur kritikoja Kullën dh endërtimet e tjra të gabuara në Korçë. Argumenti më “gojëmbyllës” ndaj korçarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë është “Po ta deshit kaq shumë Korçën pse nuk rrinit këtu, ose të vini tani dhe të bëni ato që thoni!” Nëse do thuhej vetëm nga papagajtë e Niko-Raqkës do kishte pak vlera të merresha me të. Por diçka të ngjashme më ka thënë ato vite edhe një kolegu im: “Ne e kemi humbur të drejtën morale të kritikojmë, se jemi larguar nga Korça!”

Unë nuk e di se kush ma ka dhënë mua të drejtën morale të kritikoj Trump, Bajden, Ramën, Kadarenë, Berishën, Peleshin, Butros Butros Butros Galin, Putin dhe mijra të tjerë. Eshtë një e drejtë e cilitdo, që merr frymë dhe mendon. Nuk ka pse “të aplikojë“ për “të drejtë morale” në asnjë lloj zyre në botë, nëse ekzistojnë zyra të tilla.

Një tjetër “peleshfan”(ose “antipeleshfan”, që është e njëjta gjë), me pseudonimin “Miu i Gjirizave”, komenton në të njëjtën frymë me Kotheren, rreth “korçaroligësisë“ sime, rreth “dezertimit” apo cilësisë së dobët të shkrimeve, sa herë këto prekin ndërtimet në Korçë.

Ndërtimet janë të lidhura me paratë dhe prandaj shkrimet ndaj tyre janë shumë shumë “ngacmuese”. Mund të të “hidhen në grykë“ për dashakeqësi, për inkompetencë, për dezertim, për nihilizëm, për “mosecje me kohën”, për interesa politike dhe deri në bashkëpunim me shërbimet e huaja. Dhe atëhere e kupton se ke njëfarë të drejtë, ose je në një linjë me opinionin e përgjithshëm të qytetarëve të Korçës. Në të kundërt askush nuk do përpiqej të të “mbyste”.

Diku kam shkruar për gabimet e bëra në ndërtimet në Montreal apo në Milano. Nuk jam i sigurt nëse kam shkruar edhe për Athinën, për të cilën kam opinionin se nuk është ndërtuar mirë. Dhe kështu, jo vetëm si arkitekt, por edhe si njeri i thjeshtë, kam të drejtën morale të shpreh mendimet e mija për hapësirat ndërtimore, të cilat më pëlqejnë ose jo. A kam dhënë ndonjë argument rreth tyre? Me sa di dhe sa më mundet jam pëprjekur të spjegoj “pse” dhe jo të them “më pëlqen” ose “nuk më pëlqen”. Dhe i përmenda këto për të thënë se kur shkruaj për Korçën, nuk është se kam një të “drejtë morale” më të madhe apo më të vogël. Thjesht e njoh më mirë.

Unë nuk e fus veten në patriotët apo atdhetarët. Madje shpesh herë kam përmendur se flamujt më sjellin bezdi. Ndaj edhe mund të “akuzohem” si dezertor i Luftës Patriotike, ndonëse unë dhe ata që mund të më akuzojnë nuk e kemi të qartë se ç’është kjo luftë. Globi, hapësira e përbashkët e gjithë njerëzve, duhet trajtuar me dashuri dhe kujdes se është Mëmëdheu i të gjithëve. Ka një pjesë më të veçantë të tij për cilindo, që e sheh gjithnjë ëndrrave.

Për mua është Korça. Por ajo vjen vetë në ëndrrat e mija thuajse çdo natë dhe jo se e ftoj unë.

Monday 22 March 2021

Arkitektura “mashtruese”


A ka arkitekturë mashtruese?

Ndoshta është një term i sforcuar, por nuk gjeta më të saktë, për të përcaktuar një lloj “stili”, i cili po imponohet në Tiranë nga Rama dhe arkitektët e huaj, të cilët “ i vinë pas hyqeve”.

Janë në ndërtim e sipër dy vëllime stërmëdha, njëri që ka për fasadë kryesore hartën e Shqipërisë dhe tjetri portretin e Skënderbeut.

Ide më naïve nuk ka, por nuk hasen për herë të parë në arkitekturë. Ndodhin në vende të botës së tretë.

Edhe pse dyshoj shumë në shijet arkitekturore të kryeministrit shqiptar, mendoj se në këto dy raste, por edhe të tjera të pazbatuara, më shumë se difekti në “shijet” është një lloj mashtrimi për publikun, me vepra gjoja kombëtare, për të justifikuar stërmadhësinë e tyre. Një lloj “kitch” arti folkloriko-patriotik, që bëri edhe ish-kryeminstri maqedonas Gruevski në Shkup.

“Nënshtrimi” i arkitektëve të huaj për këtë lloj stili, ka të bëjë shumë për mendimin tim me nënvleftësimin që i bëjnë projektuesit e huaj Tiranës. Ata nuk janë naivë, por kuptojnë se “ç’mall” kërkon kryeministri për “t’ja shitur” më lehtë popullit të tij.

“Superbinaja”, që ka hartën e Shqipërisë po ndërtohet nga Grupi Kastrati dhe është 40 kate mbi tokë dhe një vllim jo vetëm stërmadh, por dhe I shëmtuar. Edhe pse heshtin arkitektët shqiptarë, sidomos ata që jetojnë në Tiranë, janë të tmerruar nga ky ndërtim. I ngjashëm do jetë dhe ai me portretin e Gjergj Kastriotit dhe nëse Rama nuk do ndeshet me reaksion të fortë dhe do jetë ende kryeminstër, ka rrezik të ndërtohen “qiellgërryeset” me fytyrën e Ismail Qemalit, Adem Jasharit dhe ndoshta edhe të tijën. Për portretin e Kadaresë ndoshta do zgjidhet jo një “superbina”, por diçka më pranë kulturës, që edhe Is mos reagojë me përçmim.

Kam kaluar të paktën dy herë në ditë pranë Këndit të Lojrave për fëmijë, ku sot po ngrihet “përbindëshi Shqipëri” dhe e kuptoj se ç’lloj ndjesie të jep prania e tij. Nuk di historinë e kthimit të pronave në atë “rrip lulishte”, por që aty nis rrugëtimi i “monstrës” të miratuar nga piktori i dështuar Edvin. Ndoshta kthimi i pronave ka të bëjë me Berishën, Metën ose me hajdutë të tjerë. Por “vjedhja” shpirtërore që ju bën banorëve të Tiranës Rama, për të mbushur xhepat e Kastratëve dhe pak edhe xhepat e tij është të paktën shekullore. Më pas ndoshta do vijnë njerëz, që jo vetëm do qeshin me “idiotllëkun tonë memec”, por edhe do i pastrojnë këta “dinosaurë të arkitekturës mashtruese” të Ramës dhe miqve të tij të huaj.

Lum kush të rronjë! 

Sunday 21 March 2021

Kujtime "te gervishtura" nga nje mekat (fund)

 


(vijim)

Javën e fundit filloi një ciknë e madhe dhe ishim të detyruar të sillnim (nuk di se prej ku) termoventilatorë të fuqishëm për të tharrë muret e porsalyer dhe për të patur kushte pune për disenjatorët dhe gjithë punonjësit e tjerë, që punon njëkohësisht. Kishim kaluar “me sukses” edhe vizitën e Sekretarit të Parë, Mihallaq Qiriakos, që duhet thënë se ishte një njeri i thjeshtë, i ndryshëm nga kapadaijtë, për të cilët kisha dëgjuar më parë. Erdhi një mbrëmje dhe e shoqërova vetëm, se nuk qëlloi as ndonjë punonjës i muzeut apo historian. I spjegova se ç’ishte bërë dhe ç’kishte mbetur dhe nuk bëri asnjë vërejtje, përveç se duke dalë, i zyri syri një gdhë të hequr në një dërrasë të dyshemesë, që kishte lënë një vrimë. “Zerreni atë vrimën!” më tha me seriozitet dhe unë i premtova, që vrima do mbushej shumë shpejt. Qeshja me vete dhe nxitova t’ja tregoja të parit që takova.

Ditët e fundit “u gdhimë“ dhe shkonim të flinim për dy tre orë në shtëpi. Për fat ishte afër me apartamentin tim dhe mëngjesave të pazbardhur përshëndetesha me fqinjët, që kishin zënë rradhë për qumësht në dyqanin përballë Mësonjtores. Nuk më kujtohet se ç’farë haja në mëngjes, por e di që ishte shumë e vështirë për vezë dhe bulmet dhe ato pak që ishin i ruanim për gruan time, që priste fëmijën e parë. Isha i gëzuar se do bëhesha baba dhe po aq të gëzuar ishim të gjithë në shtëpi. Mësonjtorja dhe gjithë “shpura” që pritej të vinte nga Tirana për përurimin e saj, ishin shumë pak të rëndësishme. E tatëpjeta e sistemit kishte nisur dhe edhe pse nuk dukej e afërt përmbysja, njerëzve ju kishte ardhur në majë të hundës prej kufizimeve në ushqime.

A pata ndonjë emocion gjatë përurimit dhe vizitës së Ramiz Alisë me kompani?

Asnjë veç lehtësimit, që kishte përfunduar. Një ditë më parë kishin ardhur për kontroll të hollësishëm njerëzit e sigurimit të udhëheqjes dhe një farë kontrolli trupor me paijse elektronike na i bënë edhe mëngjesin e 7 marsit. Pritëm disa orë brenda duke kontrolluar edhe hollësitë e fundit dhe më pas dolëm të prisnim edhe ndonjë gjysëm ore në hyrje, në një të ftohtë të hidhur. Alija i shoqëruar nga Adil Carcani, Foto Cami, Nexhmije Hoxha dhe plot të tjerë, më duket se erdhën rreth orës 11-të të shoqëruar edhe nga “shokët e rrethit”. Nuk mund të them se më dukej një farsë, por nuk kisha asnjë ndjesi të mirë për ata njerëz, që kishin vrarë shokët e tyre. Isha 28 vjeç dhe kuptoja më shumë nga jeta. Më kishin mësuar që mos përulesha dhe lutesha para asnjë autoriteti, sado i lartë të ishte dhe për më tepër, për burrat me pallto të zeza, që kisha pranë gjatë asaj vizite nuk kisha as respektin më të vogël. Kujtoj vetëm që shkruan nga një fjalë në pllakat e mësimit, kur u ulën në bangot e shkollës. Edhe ata kishin mall për fëmijërinë e tyre. Më pas kujtoj vetëm, që Alija në një foto të luftës përmendi disa emra shokësh dhe mes tyre edhe Vaskë Kolecin, që kishte qënë në burg dhe I kishte shpëtuar “retushimit”. Po nuk dukej me ndonjë mllef. E kishte kuptuar absurditetin e fshirjes së pjesëmarësve nëpër fotot historike.

Këto ishin një pjesë e kujtimeve të atyre muajve, që “u ngacmuan” nga “transformimi” jo për mirë i Mësonjtores së Parë, gjatë këtij dimri.

A kanë ndryshuar njerëzit që punojnë për muzeumet dhe ata që drejtojnë, pas 34 vjetësh dhe pas ndryshimit rrënjësor të sistemit?

Në përgjithësi mendoj se sjelljet e njerëzve janë në varësi të sistemit ekonomiko-shoqëror. Atë kohë punonim, ashtu si punonim, jo se ishim më të zotë dhe më të përkushtuar, por se të tilla ishin kushtet. Mundoheshim të bënim më të mirën që dinim. Mësonim duke punuar dhe nëse punët dilnin mirë, jo vetëm ndjenim kënaqësi, por edhe kishim më shumë mundësi për të punuar në vepra të tjera.

Sot synimet e atyre që punojnë janë të njëjta, por të shoqëruara me një prirje (që e ka gjithë shoqëria shqiptare) për të nxjerrë përfitime materiale “ekstra”. Kjo shpie në një shpërndarje jo të mirë të punëve dhe natyrisht jo sipas meritave. “Banda projektuese” të caktuara krijohen pranë çdo Ministrije dhe çdo klani politik, të cilat ndajnë paratë me ofiqarët dhe ndërtuesit. Ndaj edhe pse materialet janë më të mira dhe njëkohësisht nuk ka pengesa ideologjike, cilësia e projekteve me fonde shtetërore bije dhe në rastin e Muzeve, çalon edhe konceptimi historik dhe ai i prezantimit të fotove, eksponateve dhe veprave të artit. Kjo ka ndodhur edhe me Mësonjtoren e Parë dhe do vazhdojë të ndodhë edhe me muzeume të tjera kudo në Shqipëri. Mund të shpëtojnë objekte që ose bijen rastësisht në duar të mira, ose kanë fonde shumë të mëdha, ku ka “të vidhet dhe të mbeten”.

Në Korçë ndodhën shumë raste të tilla, sepse edhe u akorduan një sasi e konsiderueshme fondesh gjatë 8 viteve të fundit. Pa e parë muzeun e Gjon Millit mendoj se ka të njëjtat problem si Mësonjtorja. Gjithashtu të panevojshme ishin kthimi i Bibliotekës në Bashki, ngritja e Kullës së Sahatit dhe rikonstruksioni i ish-Shtëpisë së Kulturës. Por gabimet më të rënda arkitekturore, me pasoja për disa dhjetvjeçarë, janë ngritja e Kullës Vrojtuese dhe e Bibliotekës së Re. Thellë kam dashur të jem tërësisht I gabuar në gjykimet, që kam dhënë për to në momentet kur kam parë projektet dhe prisja të thoja “nuk qënkan edhe aq keq!” Kur i pashë në qytet, nisa të mos shkoja më në rrugët pranë tyre për t’i evituar.

E megjithë abuzimet, Korça ka shumë “vlagë”, se jo vetëm është ndërtuar mirë në vitet midis dy luftrave botërore, por dhe se është në shpirtin e korçarit, që do ta ketë shtëpinë e bukur. Dhe banesat private kanë qënë dhe do të jenë gjithnjë shumica e ndërtimeve të Korçës.

Ndaj dhe ajo do mbetet ndjellëse, e bukur dhe me cilësitë e një femre pak të ftohtë, por që di të mbahet mirë.

Saturday 20 March 2021

Kemi mbetur…për një Kothere


Nuk është e udhës të stigmatizosh persona të caktuar për shkak të emrit, mbiemrit, apo më keq akoma për shkak të ndonjë kusuri fizik. Por mendja, për fat të mirë ose të keq, shoqërizon fjalë të caktuara, që janë në dukje pa lidhje, por për shkak të dykuptimeve, tre kuptimeve apo multikuptimeve (kjo fjalë është tamam për trend tiranas)shkojnë në një shkrim.

Një shembull mund të merret nga sulmet bajate, që i bëhen për shembull Ministrit të Mbrojtjes për mbiemrin e tij. “Pe leshi” në zhargonin e Korçës ka kuptime nga më ekstremet. Një stofë “pe leshi engleze” ka qënë nga gjërat më të çmuara të periudhës para “çlirimtarëve”, por njeri “pe leshi” ka kuptimin e një njeriu fare kot.

Kështu mund të vazhdohet me mbiemrat “Bufi”, “Lepuri”, “Hoxha”, “Zhurri”, “Pula”, “Daci”, “Prifti”, “Kuke”, “Qyqja” dhe deri në mbiemri im- “Mara”. E udhës nuk është, por buzëqeshje tek lexuesit ndjell. Dhe një buzëqeshje nëse nuk është e ligë, ju bën mirë të gjithëve. Sirano De Berzherak theshte për hundën e tij stërmadhe “Një hundë e madhe mund të jetë tregues i një shpirti të madh”. Kështu edhe një mbiemër i dyshimtë mund të jetë tregues i një shpirti skeptik dhe dyshuesit janë ata, të cilët e kanë shpënë shkencën dhe teknologjinë para.

Pra le të vijmë në Kotherja, që rastësisht është adash i Nikos tonë zulmëmadh, i cili jo vetëm do na forcojë pozitat në NATO, por në bashkëpunim me ushtrinë e Erdoganit, mund të realizojë ëndrrën e madhe të Rilindasve për të ndarë Greqinë. Ne marrim Janinën, Camërinë, rrethinat e Athinës dhe ishujt pranë Peloponezit, e Turqit le të marrin Rodosin, Kretën, Adrianopojën dhe Selanikun. Athina me Spartën le të mbeten qytete-shtete.

Por për të patur një platformë të fuqishme historiko-politike, duhet historian-muzealisti Niko Kotherja. Vetëm me materialet, që ai ka shkuar në dorë, ne mund t’i mbushim mendjen Amerikës, Gjermanisë dhe Francës, për të drejtat tona të patjetërsueshme ndaj trojeve të banuar brez pas brezi nga arvanitët.

Në vitin 1939, historian korçar Petraq Peppo, pati guximin t’i thoshte në një mbledhje të madhe Jakomonit, se ne shqiptarët jemi më të vjetër se romakët. Ishte Petraq Peppoja ama!

Tani kemi mbetur me Kotheren, thuajse Kothere dhe për një Kothere.

Por duke ju kthyer edhe një herë Siranosë, nuk është e thënë që mbiemri “Kothere” të jetë tregues i një shpirti kothere. Dëshmi e sigurt për të provuar këtë është Nikoja-ministër, i cili është korçari “më i plotësuar” i shekullit XXI. Dhe diçka të vlefshme ai e ka zbuluar tek Kotherja.

Kujtime "te gervishtura" nga nje mekat (3)


 (vijim)

Nuk jam i sigurt se pse Kliti vendosi të mbushte bodrumet e ndërtesës. Ishte ndoshta një këshillë konstruktorësh, se ai në përgjithësi kërkonte të ishte sa më pranë ndërtimit fillestar.  Me sa kujtoj ato ishin hapësira me gjysëm lartësie, nga ku në kohët e funksionimit origjinal, duhej të hyej me qepek dhe ndoshta shërbenin vetëm për mbajtje ushqimesh. Ndërtesa kishte patur shumë transformime në vite dhe hyrja e saj me erker të mbajtur nga kollonat e gurit, duhet të ishte e viteve ’30, pas tërmetit të madh. Shkalla gjithashtu nuk duhet të ishte në atë vend, se nga fotot e vjetra ishte zbuluar se ndërtesa kishte një erker në anën perëndimore, i cili nuk ekzistonte më. Erkeri ja shtoi shumë vlerat ndërtesës, sidomos në pamjen nga bulevardi, se më parë kishte qënë një faqe monotone muri e rrafshët me shumë dritare. Erkeri detyronte zhvendosjen e shkallës, të cilën u munduam ta zgjidhnim, edhe në funksion të skemës së Muzeut, se nuk kishte asnjë lloj shenje se ku dhe sim und të kishte qënë. Ndërtesa të asaj tipologjije nuk ishin të shumta në Korçë për të përdorur metoda krahasuese. Pra për të vendosëm të kishte dy rampa të vogla, në mënyrë që të lehtësohej lëvizja nga e majta në të djathtë për të vizituar pavionet. Idea ishte që si vizitohej pavioni i par, dy dhomat e bashkuara të krahut të majtë në hyrje, ngjiteshe në katin e dytë dhe filloje nga e majta në të djathtë të vizitoje pavionet dhoma, që ishin ndarë në Pavarësia, Periudha e Mbretërisë, Lufta nacional-clirimtare dhe Vitet e para pasluftës. Pastaj zbritej poshtë dhe vizitohej Socializmi, që ishte një pavion me dy dhoma të bashkuara. Ky ishte skematikisht Muzeu.

Pavioni i Parë,ai i Mësonjtores ishte më I rëndësishmi dhe më tërheqësi. Paraqiteshin në fillim përpjekjet që shpunë në Shkrimi i shkruar, që sollën hapjen e Mësonjtores dhe hyej në këndin e saj mësimor me një rrjesht bangosh të vjetra me një dërrasë të zezë druri dhe në çdo bangë kishte nga dy pllaka me nga një peronkoll sikundër mendohej se ishte bërë mësimi në ato kohë. Bangot ishin ekzistuese dhe duhet të jenë realizuar në fund të viteve ’60, kur ishte bërë për herë të parë shkolla-muze. Eksponatet origjinale nuk ishin të shumtë, e megjithatë projektuam vitrine për ekspozimin e tyre në çdo pavion, dhe me sipërfaqe të madhe, për të dhënë mundësi të shtimit të eksponateve në të ardhmen.

Për të pasur disa pika tërheqëse vendosëm, që edhe pse të kursyera të kishim 3-4 vende më të dukshëm, që të tërhiqnin vëmendjen e vizitorit. I pari dhe më i domosdoshmi ishte ai që u quajt me shaka “momenti kryesor”, në të cilin duhej si kusht të vendosej fotografia e madhe e Enver Hoxhës. Nuk donim të ishte thjesht fotografia e tij, sepse kështu bëhej në çdo lloj ekspozite, por ne donim të kishte një specifikë të lidhur me gjuhën shqipe dhe u mendua të krijohej një lloj instalacioni i fotografisë me elementë të tjerë qeramike ose guri, që të simbolizonin se si u arrit nga përpjekjet për karaktere të hershme të huazuara nga shkrimet arabike e cirlike në karakteret latine. Kliti u mor gjatë me “momentin kryesor” deri sa u arrit në një nivel të pëlqyeshëm dhe paraprakisht u realizua në masën 1:1 në polisterol e më vonë u realizua në gur shtufi i mbajtur nga një konstruksion metalik. Mbi të varej me profile të lehta metalike fotografia e Enver Hoxhës me një nxënëse në një sfond pleksiglasi, që nuk bllokonte pamjen e perspektivës të zhvillimit të shkronjave. Për fat të keq kam parë që atë instalacion e kanë nxjerrë tashmë jashtë ndërtesës në një vend ku as lexohet dhe as kuptohet.

Përsëri në hyrje, në të majtë, realizuam një faqe muri me gurë çmërçI dhe shtufi, ku ishin gdhendur shenjat e para të gjetura në tumat ilire, për të treguar që përpjekjet e shqiptarëve autoktonë për të shkruar kishin qënë që në antikitet. E më pas vazhdohej me Mesharin e Buzukut e me rradhë. Kur pata hyrë më 2004 në hyrjen e Muzeut, pa patur dëshirë të shikoja lart, pashë se holli i hyrjes kishte mbetur i pandryshuar. Kuptohet që kishte nevojë për rifreskim dhe ndoshta edhe për rikonceptim të përgjithshëm që mund të ndryshonte gjithshka dhe edhe unë po të isha ngarkuar për të, pas 20 vitesh do synoja për një Muze të konceptuar totalisht ndryshe. Muzeu nuk kishte sipërfaqe për të qënë “Muze i Arsimit Kombëtar”, por duhej të përqëndrohej vetëm në përpjekjet për gjuhën dhe arsimin shqip deri në formimin e Shtetit Shqiptar. Për arsimin shqiptar mund të ngrihej një muze i madh gjetkë, ose të ishte i shpërndarë në muze Universitetesh, e në çdo mënyrë që mund të konceptohej i copëzuar në shtëpi muze.

Për tu kthyer në “historia” e vitit 1986-87, në muajt janar dhe shkurt puna “ndërtimore” u itensifikua se jo vetëm punimet restaururuese nuk ishin mbyllur, por duheshin bërë rashinimet e dyshemeve, lyerjet e gjithë siperfaqeve të drunjta me vaj lini dhe mureve me bojë, për të mundur të nisnim montimin e stenda-vitrinave dhe gjithë fotografive të mëdha dhe veprave të artit , që ishin menduar. Ato muaj u realizua edhe ABC-ja e njohur, e cila për fat ishte jashtë dhe nuk ndikonte në punimet e interiereve.

Kam shkruar që idea ime në fillim kishte qënë, që në një piedestal të ulët, si ai ku u vendosën gërmat, të ngriheshin shtatoret e bronxta të tre mësuesve të parë. E shihja të domosdoshme, jo vetëm për të nderuar emrin e tyre, por edhe për të dhënë një atmosferë të ditës së parë, se si i kishin pritur të parët fëmijë korçarë. Muri I avllisë tashmë ishte prishur dhe kishim vendosur të rrethohej me rrethimin me gurë e kangjella, që del nga natyra e restaurimit, por krijonte një pamje më të mirë të objektit dhe në kompleks futej edhe oborri me pusin, si dhe grupi skulptural. Kliti në rrethimin me kangjella donte të kishte statueta metalike mbi kollonetat metalike, ide e krijuar bashkë me skulptorin Ladi Kaçaku, por mua më dukej e panevojshme dhe që dilte nga natyra e ndërtimeve të Korçës dhe ai u tërhoq. Idea për tre mësuesit e parë u kundërshtua çuditërisht nga Avni Bilbili, i cili vinte në takimet ku diskutoheshin idetë e para, bashkë me Cikopanin dhe Kico Melon. “Mos bëjmë këtu Oborrin e vjeljes së taksave” tha Avniu, duke ju referuar një kompleksi të madh skulpturor kinez dhe ne nuk këmbëngulëm. Më vonë, kur mendoja se pse Avniu, që ishte pro skulpturave edhe si artist, por edhe si punë e shpërblyer për skulptorët korçarë e kundërshtoi me forcë. Spjegim tjetër nuk gjeja veç, një gjë që nuk na thuhej nga funksionarët, që për miratimin e shtatoreve në mjedise publike duhej miratimi i Komitetit Qëndror të Partisë.

Atëhere diskutuam se ç’mund të vinim në hyrje që të simbolizonte përpjekjet e para për gjuhën shqipe dhe rëndësinë e gjuhës së shkruar. Kliti hodhi një ide fillestare, e cila ishte shumë larg të sotmes dhe më pas përgatitëm skicat finale të kompleksit që u realizua. Kliti e ndoqi me shumë përkushtim realizimin e pendës dhe bazamentit, se për gërmat dhe kallamarin ishte më e lehtë të bëheshin nga Taqi Veriga dhe grupi i gurgdhëndësve të komunales, që kishin shumë përvojë. Për pendën patëm kërkuar si karpentier Pavllo Papën, me të cilin kisha bashkëpunuar në Lapidari i Cifligut dhe ja njihja aftësitë prej karpentieri artist. Nuk di se në ç’objekt ishte i angazhuar Pavlloja dhe i vëllai i tij Ligori, që nga Ndërmarja e Ndërtimit na u dha një karpentier tjetër, po që ishte vërtet karpentier i mirë. Grupi skulpturor doli shumë mirë, veç një gabimi që bëmë, se gërmat nuk i fiksuam në bazament dhe shpesh herë, nëpër vite, shihja që i kishin lëvizur edhe pse ishin shumë të rënda. Problemi tjetër i oborrit , që nuk e zgjidhëm dot, ishte ai i shtrimit me pllaka betoni, se nuk gjendeshin dot plloça guri, të cilat ishin karakteristike të oborreve të Korçës dhe që e konsideronim të domosdoshme. Nuk kishte më kavë për atë lloj guri ndaj u bë zgjidhja me pllakat e prodhuara nga Komunalja, të cilat i kam patur peng sa herë i shihja.

(vijon)

Friday 19 March 2021

Kujtime "te gervishtura" nga nje mekat (2)


 (vijim)

Atë vjeshtë dhe dimër ndjehesha mirë, se sa isha martuar dhe babaj e kishte kapërcyer depresionin. Nuk ishte gjetur ende punë për bashkëshorten time, por ishte një vend i hapur për pedagoge në Institutin Bujqësor, ku mes kandidatëve inxhinierë hidroteknikë ishte e vetmja, që plotësonte kushtin e mesatares së notës. Rektor atë kohë ishte Ylli Manoku, që ma kishte bërë të qartë që i duhej burrë për atë vend, sepse kishin edhe componentët e tjerë të ttrekëndëshit revolucional Mësim-Punë-Mbrojtje. Ende shpresoja se në Ministrinë e Arsimit, nga varej Instituti do kishte njerëz që do ndiqnin kriteret. Pas 7 muaj të dasmës, më në fund e emëruan si mësuese në shkollën e ndërtimit, një vend për të cilin më kishte njoftuar miku im i gjithë kohëve Fredi Bitincka. Ndoshta edhe nën presionin e punëve për Muzeun, Gjergji Cikopani, atë kohë i plotfuqishëm në sektorin e arsim kulturës, por dhe të kuadrit, e pranoi kërkesën time të ligjshme.

Cikopani ishte një nëpunës i llojit të veçantë për atë kohë. Ambicioz dhe me vullnet, ai angazhohej në maksimum në gjithë sektorët e jetës së qytetit dhe rrethit. Edhe pse nuk ishte anëtar partie, kishte një forcë të madhe në veprimtarit[ e qytetit. Përveç një “fërkimi” me të sa isha emëruar në Qendrën e Arsimit, gjatë vitit 1984, pas punës për Lapidarin e Cifligut, Galerinë e Arteve dhe Muzeun e Sportit, kishim krijuar marëdhënie të mira, kuptohet duke ruajtur distancën, si Sekretar i Komitetit Ekzekutiv. Gjergji ishte “bosi” i “bosit” tim, të ndjerit Kiço Melo. Gjatë vitit 1986 ai na kishte mbështetur shumë për punën në Ekspozitën Popullore të Arsimit dhe nuk kujtoj ndonjë rast, kur të na kthente “bosh” mua dhe Klitin.Kliti kishte pavarësi nga Komiteti Ekzekutiv, se varej nga Tirana, por puna e lidhte shumë me ta dhe të dy palët ishin të interesuara për marëdhënie të mira.

Avantazhi në punën me Gjergjin për Muzeun e Arsimit ishte se nuk “afrohej” njeri nga Komiteti i Partisë. Sekretar i parë ishte atë kohë Mihallaq Qiriakoja, ish drejtor i NB Plasë dhe për çështjet e ideologjisë, Spirku Dhimitri, i cili ishte i butë dhe nuk donte të përzjehej. Kjo na e lehtësonte shumë punën dhe pavarësinë. Nuk na bëhej vonë të punonim me orë të zgjatura, por mjaft të mos kishim “çekanë mbi kokë“.

Platforma e muzeut , e punuar nga Institutin e Historisë ishte e detajuar mirë dhe nuk kërkonte praninë e ndonjë “historian të bezdishëm” korçar, gjë që na dukej e mirë dhe drejtori i Muzeut, i sapoemëruari Bujar Goxhaj nuk ndërhynte për asgjë, veç shkonte të zgjidhte ndonjë problem administrativ. Historiani nga Instituti, Myslim Islami, që ishte thuajse gjithë kohën pranë nesh ishte një njeri shumë pozitiv dhe me “bon sens”.

Këta ishin njerëzit, ndaj duhej vetëm ca kohë më shumë për të projektuar më mirë, gjë që nuk e kishim. Në dhjetor, do vinte grupi i Ministrisë i drejtuar nga Tefta Cami, për të parë projektet dhe për t’i miratuar. Ndërkohë restaurimet vazhdonin sipas projektit fillestar të Klitit, por duke ditur natyrën e restaurimeve, shumë gjërai shin të papritura dhe Klitit i duhej t’I zgjidhte në vend dhe me inisiativë. Herë pas here vinin edhe inxhinierë nga Instituti i Monumenteve për të parë dhe dhënë ndonjë këshillë, por e gjithë puna drejtuese varej nga Kliti. Për fat , kishte një vit që kishte nisur si teknik në Atelie Ladi Katroja, që ishte teknik ndërtimi shumë i mirë dhe me përvojë shumë të madhe nga Ndërmarja e Ndërtimit. Ladi e njihte mirë ndërtimin dhe se ç’specialistë duheshin kërkuar për punime të veçanta, që nuk i bënte dot brigada e Ateliesë.

Në dhjetor ekipi “i madh” nga Tirana arriti dhe ndonëse nuk i kujtoj të gjithë, por veç Camit dhe zv.ministrit Nazmi Skuqi ishin Hamit Beqja, Shefik Osmani, Teuta Hoxha. Këtë të fundit e kujtoj se jo vetëm ishte e paraqitshme, por dihej edhe që ishte e shoqja e Ilir Hoxhës dhe bëri një pyetje delikate, të cilës as unë dhe as Myslim Islami nuk dinim si t’i përgjigjeshim. Pyeti pse nuk ishte pasqyruar roli i Faik Konicës dhe sidomos i revistës së tij “Albani” në gjuhën dhe arsimin kombëtar. Ne ngritëm supet dhe u munduam ta justifikonim me “platformën” e miratuar, e cila nuk e përmbante Beun e famshëm. Dikush, ndoshta Hamid Beqja i pëshpëriti diçka dhe të gjithë e “hoqëm qafe” Konicën. Ndërsa spjegoja mbi një maket të hapur të të dy kateve të ndërtesës, se si do ishte i organizuar Muzeu, më binte në sy vështrimi pa asnjë ngjyrë i Tefta Camit. Mu duk që nuk kuptonte asgjë.

Projekti u miratua se duhej miratuar dhe koha nuk priste. Miqtë nga Tirana ikën dhe ne “duhej ta ngrinim Muzeun”. Në dy muaj e gjysëm dimri, duhej bërë njëkohësisht edhe përfundimi i restaurimeve edhe punimet për interieret e Muzeut. Nuk ndjenim ndonjë “frikë“ se të gjithë e dinin që puna nuk na ishte dhënë në kohën e duhur. Shpesh qeshnim me të madhe, me anekdotat kundër sistemit, që na tregonte piktori Dhimitraq Kolevica, i cili vinte herë herë të na vizitonte bashkë me Vasin. Nuk mbaj mend me saktësi nëse këtij të fundit i kishim dhënë të bënte ndonjë reliev në qeramikë për Muzeun, por ndoshta dy pjata të mëdha me portretet e motrave Qiriazi, për t’i realizuar bashkë me Ladi Topin.

Kam harruar të përmend piktorin Raqi Kuqali, i cili ishte punonjës i Muzeut të Korçës dhe natyrisht që ishte pjesë e grupit. Raqi ishte njeri fjalëpak dhe shumë i mirë, ndonëse pak i trembur, nuk e di pse. Na tregonte nën zë, se si e kishin detyruar në fillimin e viteve ’70 të lyente tegelat e xhinseve me bojëshkrimi, se i kishte të çelura dhe ju dukeshin instruktorëve të partisë si imitime pantallonash të kaubojve amerikanë. Raqi punonte pa u ndjerë dhe e bënte punën me shumë merak. Ishte një atmosferë e mirë pune, ku shkëmbeheshin mendime pa u imponuar dhe pa ngritur zërat. Herë herë ngacmonim Koço Ristanin të na tregonte nga përvoja e tij në Muzeun Kombëtar dhe ai nuk hezitonte të tregonte se si ishin realizuar në atë muze pavionet e ndryshme.

(vijon)

Thursday 18 March 2021

Kujtime te “gërvishtura” nga nje mëkat


Po bëhen 35 vjet, kur nisëm punën për Muzeun e Mësonjtores së Parë. Kishim nderim të përzjerë me frikë prej saj. Flas më shumë për atë, që ndjeja vetë në atë kohë, por po e përgjithësoj edhe për të tjerët. Them një lloj frike, që më kishte mbetur prej vegjëlisë nga “mistika” e rëndësisë së saj. Kur isha 7 vjeç, kishat u mbyllën dhe u anatemuan, ndaj Mësonjtorja kishte krijuar tek unë ndienjën e qiellores. Ndoshta ma kishte krijuar edhe im atë, që e deshte veçanërisht Korçën dhe përpjekjet e saj për të bërë Shqipëri.

Nuk jam I sigurt, se pse ngritja e Muzeut mbeti tek ne dhe nuk u angazhua njeri nga Tirana, duke qënë se ishte Muze Kombëtar. Mbase koha e shkurtër dhe mungesa e dëshirës për të punuar në Korçë duhet të ketë ndikuar më shumë se marrja përsipër nga autoritetet e rrethit. Megjithatë ne kishim patur një përvpjë të mirë gjatë atij viti, kur Ekspozita e Kulturës Popullore fitoi çmimin e parë në Konkursin Kombëtar të vitit 1986. Ndoshta kjo ka ndikuar në vendimin e përbashkët midis Ministrisë së Arsimit dhe Komitetit Ekzekutiv për tu projektuar i gjithë Muzeu në Korçë. Ndoshta edhe pse një “armatë“ me arkitektë në Tiranë kishin nisur punë për interireret e Piramidës, që do hapej më 1988. Kliti ndërkohë si punonjës i Monumenteve kishte punuar për projektin e restaurimit të Mësonjtores.

Kliti nuk ishte korçar dhe kishte ardhur nga Tirana në vitin 1968, por kishte krijuar një lidhje shumë të fortë shpirtërore me qytetin, ndërtesat dhe njerëzit e tij. Në vite u bë ndoshta “më korçar se korçarët”, ndoshta edhe pse nga ana e Dritas, nënës së tij, ishin të gjithë voskopojarë. I bashkëngjitëm grupit edhe disa miqtë tanë artistë, duke nisur me Koço Ristanin, nipin e At Vasilit të shquar. Gjithashtu skulptorin e talentuar Ladi Topin, piktorin Berti Plumbi dhe teknikun e ateliesë Dhimtraq Kotin. Na mungonte koha e mjaftueshme dhe mjetet për të realizuar një vepër, që mendonim se meritonte Mësonjtorja e Parë. Patëm ndihmën e pakursyer të Gjergji Cikopanit dhe Kiço Meles, por edhe të dardharit Niko Llaci në Ministrinë e Kulturës.

Ende kujtoj nderimin për Korçën dhe shkollën e Parë, nga dy durrsakë të thjeshtë, magazinierë në Depot e rezervave në Durrës, Osmani dhe Rexhepi, që i drejtoheshin njëri tjetrit në dialektin e Shqipërisë së Mesme, me “superlativa” për Korçën. Aty patëm shkuar për të gjetur ndonjë material importi, të mbetur nga koha e Muzeut Kombëtar. Duhet të them se nuk kishim as rapidografë për të punuar për projektet dhe mezi morëm dy komplete një për mua dhe një për Klitin.

Kështu nisi në vjeshtë dhe për fat, Natyra na ndihmoi me një dimër të butë për të realizuar punimet për përgatitjen e Muzeut më 7 mars 1987. Kush ka punuar në atë kohë në objekte, të cilat kanë një datë të caktuar përurimi, e dinë që edhe nëse punohet me 3 turne, deri sekondën e fundit kur pritej shiriti, në dhomat e fundit mbërthesheshin gozhdët e fundit. Dhe ishte një ciknë tre ditët e fundit, që “prisnim gozhdë“ ndërsa pritej të vinin “të mëdhenjtë“.

Ngritja e Muzeut kishte problem të mëdha, që lidheshin edhe me një shikim “të dyfishtë“ për kohën kur bëheshin. Akujt po shkriheshin dhe të gjithë flisnim më hapur për “marrëzitë e sistemit”. Ndaj edhe pse kishim një platformë të miratuar, u munduam të theksonim sa më shumë pjesën e “vjetër” të Muzeut, që ishte “jo propagandistike” dhe periudhës së socializmit t’i kushtonim më pak rëndësi. Edhe historianët e ardhur nga Tirana na mbështesnin. Na dhanë një laborator të shkollës Themistokli Gërmenji, që të punonim të gjithë si grup. Dy muajt e fundit afruam edhe arkitektin Ilia Lera, që atë kohë sa ishte diplomuar dhe nuk e kishin emëruar akoma. Nga Tirana kishin sjellë edhe dy specialistë që kishin punuar për Muzeun Kombëtar, piktorin Hiqmet Agolli dhe një dizenjator, të cilin Berti Frashëri e quajti “Muku i Vogël”, se ishte i shkurtër , i shpejtë dhe zhdukej vetëtimthi pa bërë ndonjë gjë. Kjo ishte në fazën e realizimit të stendave dhe vitrinave, që u krye në sallën e gjykatës së re, shtesë e bërë tek ndërtesa ku ishte dikur Muzeu i Korçës.

(vijon)

Wednesday 17 March 2021

Kapini hajdutët!


Më në fund pashë emisionin e Top Channel për Mësonjtoren e Parë. Pashë gjashtë shqiptarë të arsyeshëm, që me të drejtë pyesnin dhe diskutonin me qetësi rreth një problem jo të vogël dhe dy funksionarë, që “të zënë me presh në dorë“ ishin tepër agresivë në përgjigjet dhe komentet e tyre. Ishin dy drejtorë institucionesh kulturore (aspak të kulturuar), Niko Kotherja dhe Arta Dollani.

Ishte për të qarë dhe për të qeshur dhe më vinte keq për moderatorët, të cilët po përpiqeshin të bënin punën e gazetarit pa asnjë lloj tendence. Vetëm të informonin publikun.

Ajo që vinte pas pyetjeve ishte një qëndrim i egër refraktar dhe dizinformues i Kotheres dhe Dollanit. Po ç’farë fshihnin?

Fshinin të vërtetën e madhe, që tek Mësonjtorja është vjedhur duke gabuar, ose më mirë është vjedhur duke falsifikuar. Falsifikohet historia e ndërtimit, falsifikohet edhe vetë historia e shkollës dhe arsimit, falsifikohet edhe historia e gjatë e krijimit të muzeut.

Dhe fakti më konkret ishte që dy drejtorët nuk jepnin emrat e projektues-zbatuesve të restaurimeve dhe njëkohësisht të Muzeut. (Përsëri fjala muzealizim e përdorur nga njerës të panxënë, që ju duket sikur thonë fjalë të mëdha kur përdorin marrëzira.)

Më dukej se tre gazetarët, duke përfhirë këtu edhe Fatmir Nikollën, ishin gati të thërrisnin “Na thoni emrat e hajdutëve!” Por Rilindasit Kotherja dhe Dollani ju rezistuan edhe torturave dhe nuk i treguan shokët.

Kjo është e vërteta e thjeshtë e Mësonjtores së Parë në vitet 2020-21.

Vjedhje dhe falsifikim!

Të gjithë penalistët e mirë e dinë se këto dy krime thuajse gjithnjë janë bashkëudhëtarë, sidomos në ato që quhen “krime të jakave të bardha”.

Grupi skulpturor i ABC-së nuk është instalacion


Nga padija, nga dëshira për të përdorur fjalë të mëdha, nga përçmimi ose nga prirja për të imituar Nanon dhe Ramën në fjalorin e tyre bombastik, çuditërisht, ABC-ja quhet nga shumë njerëz në diskutimin e sotëm instalacion.

Kush e njeh artin e di që instalacioni, është një lloj arti i veçantë, që përzjen pikturën, me skulpturën, me fotografinë, me video e gjithshka tjetër, që nuk ka qënë përfshirë më parë në gjinitë akademike të arteve figurative. Për shembull, Elva Margariti dhe Niko Kotherja, mund të justifikoheshin fare mirë se ABC-në po e kthenin në instalacion, nëse përreth saj do luanin teatër, aktorët militantë të Korçës duke nisur me dy Nikot, Raqkën e të tjerë funksionarë apo aktorë profesionistë dhe të duartrokiteshin nga militantë të tjerë në shkallët e atij “gjoja” amfiteatri që kanë bërë.

Që në fillimet e saj, në hyrjen qëndrore të oborrit kishim menduar të vendosej një kompleks skulpturor. Ideja e parë ishte të ngrinim në bronx shtatoret në madhësi reale të tre mësuesve të parë, Pandeli Sotirit, Petro Ninit dhe Nuçi Naçit duke pritur nxënësit e parë, ide të cilën na e hodhën poshtë me “marifet”, se dukej që për to duhej marrë miratim në Komitetin Qëndror të Partisë. Më pas u realizua, po si grup skulpturor, këtë rradhë në gur dhe pak beton dhe metal, sepse penda ishte e vështirë të realizohej thjesht në gur.

Kliti ka meritën e veçantë të ideve fillestare dhe sidomos të ndjekjes me shumë rigorozitet të realizimit të saj, në bashkëpunim me skulptorin Taqi Veriga dhe me karpentierin e talentuar Guri, të cilit për fat të keq nuk i kujtoj mbiemrin, por që korçarët me siguri e njohin. Penda dhe bazamenti në trajtën e fletës u realizua me granilin e bardhë të Pogradecit, me pak armim në hekur dhe çimento të bardhë. I pranishëm dhe i përkushtuar ka qënë edhe miku im Vladimir Katro, i cili ndiqte punimet e restaurimit dhe të gjithë ndërtimeve të rrethimit të objektit, i cili u bë krejt I ri.

A ka rëndësi nëse e quajmë gabimisht instalacion?

Eshtë pak a shumë, si t’i quajmë tavolinat që ka futur Kotherja në Muze, bangot e vërteta të kohës së drejtorit Pandeli Sotiri.

Tuesday 16 March 2021

Barrë e rëndë për supet e brishta të “muzealistit” Kotherja


Lexova një intervistë të zotit Niko Kotherja, i cili me sinqeritet merrte përsipër gjithshka është bërë për riorganizmin e Muzeut të Arsimit Kombëtar, ose si njihet më thjesht nga të gjithë-Mësonjtorja e Parë Shqipe.

Dua ta përgëzoj zotin Kotherja për punën e madhë që ka marë përsipër të bëjë. Rezultatet e saj mund t’i gjykojnë historianët dhe gjuhëtarët shqiptarë. Nuk po hyj në përmbajtjen e Muzeut se nga mijra kilometra larg, si dhe nga spjegimet e historianit Kotherja nuk mund të krijoj ndonjë ide as edhe të mjegullt.

Kam punuar për ngritjen e Muzeut më 1987 dhe duhet të them që për platformën e tij (rreth 300 faqe) kishin punuar shumë historianë dhe gjuhëtarë të Institutit të Historisë dhe Gjuhësisë në Tiranë. Dy prej tyre qëndruan gjithë kohën prej 5-6 muajsh pranë grupit tonë të projektimit dhe të realizimit. E përmend këtë për të thënë se përpjekja e Kotheres ka qënë vërtet titanike. Druhem se kështu ju ndodh amatorëve, të cilët marrin përsipër më shumë se ju mbajnë supet e tyre.

Kur them amator, nuk dua të ul pasionin ose njohuritë e historianit në fjalë, por veç të theksoj se pasioni i madh i amatorëve, shpesh bën “t’I hyjnë detit më këmbë“. Ka dhe një arsye tjetër që më  bën të dyshoj për amatorizmin e tij, se përdor fjalën “muzealizim”(e re në shqip) të Muzeut, që nëse i referohemi gjuhëve të huaja nga e ka sjellë, ka kuptimin që e bëri gati Muzeun për ta futur në Muze.

Po a është tërësisht i sinqertë Kotherja?

Kam frikë se jo.

Nëse do kishte përvojë nga ngritja e muzeve, duhet të dinte se historianët punojnë krah për krah me arkitektët dhe nuk e ndajnë përgjegjësinë. Janë të parët që vendosin se si do shpërndahen eksponatët, se cilat do jenë pikat që do theksohen, se si duhet konceptuar ndriçimi, se cila materiale duhet të përdoren etj.,etj. Për më tepër nuk mund t’i largohet përgjegjësisë se si historian duhet të dijë domosdoshmërinë e ruajtjes së vlerave historike të Mësonjtores së Parë si ndërtesë. Ndaj duhet të kishte ndalur dorën e ]do arkitekti të papërgjegjshëm, nëse e quan veten “muzealist”, korçar dhe historian.

Pa dashur të akuzoj pa të drejtë zotin Niko Kotherja për ndonjë “abuzim” me fondet financiare të Muzeut, po i them, se mbajtja në një rreth të ngushtë njerëzish, pa konsultime, pa angazhuar historianë dhe gjuhëtarë korçarë, që janë gjallë, shpie në “afera” të dyshimta historian-arkitekt-zbatues.

Dhe së fundi, por jo e dorës së  fundit!

Ju zoti Kotherja, që e njihni mirë Korçën, historinë e saj dhe Muzeun, e dini fare mirë se kush ishte marrë për 40 vjet me restaurimet dhe me historinë e ndërtimeve në Korçë, përfshi këtu edhe Mësonjtoren. Quhej Kliti Kallamata, nga i cili ju nuk u munduat të përfitonit ide dhe këshilla sa ishte gjallë.

Ndaj para se të na përqafosh të gjithëve, është mirë që me modesti dhe përulje para korçarëve të thuash “aq dita dhe aq bëra”!

Nëse ke bërë shumë dhe mirë janë korçarët që do të të vendosin në piedestalin nga ke hequr gërmat!

Monday 15 March 2021

Mall për “Miun e Gjirizave”


Më shumë se mall është shqetësim për Miun e Gjirizave, në këtë kohë të Covid-19 edhe pse ai dha garanci një vit më parë, se nuk do prekej nga virusi, se ishte i imunizuar nga kontakti inçestor me kushërirën e tij, Lakuriqen e Natës.

Por nga të gjitha studimet serioze të botuara, nuk ka asnjë të përmëndë inçestin si faktor të rritjes së imunitetit. Dhe nuk dihet nëse Lakuriqja e Natës ishte vërtet një kushërirë e afërt e Miut tonë, apo e jëma e saj i kishte dredhur më shumë se duhet flatrat gjatë fluturimeve nokturne.

Po si mund ta ndjell Miun tonë të Gjirizave, për të qënë i qetë se jo vetëm e ka kapërcyer me sukses një prekje të mundshme nga Covid, por ka bërë edhe vaksinën.

Si copë kaçkavalli mund të përdor një shkrim kundër “Beqir Ballukut”, por posti i Ministrit të Mbrojtjes ka të bëjë drejtpërdrejt me Sigurinë Kombëtare dhe në këtë pragzgjedhjesh, gjëja që na duhet më shumë është “ të jemi rreth Flamurit të përbashkuar”.

Nëse do shkruaj për kandidaten Marenglenvera Furxhi, që sjell pranë nesh “klasikët kryesorë të marksizmit” Marksin, Engelsin, Leninin dhe Enverin, jo vetëm do rrëfenja se më karakterizon një “maçoizëm i padurueshëm”, por mund të fyenja edhe profesoren e “Baza Themele” të kohës së studentllëkut, Luli Bozo, që me plot të drejtë tha pardje se: “Po të vemë në kandar Enverin me Nexhmijen, kandari anon nga Enveri”. Dhe Luli për llogaritje ngarkesash dhe forcash është Njëshe.

Ndaj po e përfshij edhe Miun në Thirrjen time patetike drejtuar kolegëve arkitektë dhe resturatorë, që të mos lejohet zënia me gërmat e gurta të Mësonjtores e vrimave t[ bashtës, se që atje mund të dalin jo vetëm minjtë e arave, por edhe I shumëdashuri jonë, Miu I Gjirizave.  Aty pranë kalon edhe kolektori i madh i mbledhjes të ujrave të zeza të Korçës.

Bashkoju edhe ti në përpjekjen tonë të kotë, o Mi i lavdishëm i Gjirizave!

Sunday 14 March 2021

Ku ishit ju arkitektët?


Do i përgjgigjem vetë kësaj pyetje, që ne ishim dhe jemi kudo. Që kur Gropius na mësoi se mund të projektonim “prej lugëve dhe deri tek aeroplanët” ne jemi të kudondodhur. Doni apo nuk doni ju të dashur lexues të pakët, por besnikë, ne jemi kudo.

Një kolegu im, shumë më i ri se unë, më spjegonte me durim para disa javësh, që nëse projekton di]ka në një zonë të mbrojtur, apo muzeore, rritet vështirësia për miratimin e lejes së ndërtimit, sepse procedurat e shtetit shqiptar parashikojnë miratimin në një Këshill të rëndësishëm, i cili ose kryhesohet ose në të bën pjesë edhe ministri i kulturës i Shqipërisë. Mbledhja e Këshillit është e përmuajshme.

Sigurisht, që në Këshill do ketë arkitektë, jo vetëm se duhet të jemi, por se ne ndodhemi kudo. Për fatin e mirë tonin, të ndërtuesve, të popullit shqiptar dhe diasporës së tij, Ministrja e Kulturës “për momentin” është edhe vetë arkitekte. Nuk jam I sigurt si quhet, por di që është jo vetëm arkitekte, por brez pas brezi, nga i gjyshi i saj Anton Lufi dhe më tej, nëna e saj Mira Lufi dhe dajoja,( profesorin im i nderuar Agron Lufi) janë arkitektë.

Ndaj edhe pse mua më duket e pakuptim, që për lejen e ndërtimit të një shtëpie , të themi në Lagjen Kala të Elbasanit, hallexhiu elbasanlli duhet të presë miratimin në një mbledhje të kryesuar nga Ministrja e Kulturës, duke ditur profesionin dhe predispozicionin e saj, unë i them atij hallexhiu me plot gojë: Mos u tut! Projekti është në duar të sigurta!

Por (gjithnjë del një por për të na ngatërruar) edhe kjo puna e Këshillit të zonave të mbrojtura, apo sido që quhet, ka një “kle]kë“. (Këtu me vjen në ndihmë romani satirik “Catch-22”, të cilin përpiqem ta mbaroj së përkthyeri dhe nuk e sos dot. Pikërisht se jam arkitekt dhe duhet të jem kudo.)

“Kle]ka” ka të bëjë me faktin se qytetarit hallexhi i mblidhen të gjitha këmbët e familjes në një këpucë, kurse kur bëhet fjalë për mbrojtjen e objekteve në pronësi të shtetit, ministrja arkitekte ka pakëz tolerancë më të madhe. I le të lirë të livadhisin kolegët e saj arkitektë, pa marrë parasysh se kemi të bëjmë me monumentet e kategorisë së parë, apo edhe me ndonjë objekt nën mbrojtjen e UNESKO-s. (Këtë pjesën e fundit e shtova vetëm se më tingëllon mirë fjalia.)

Arkitektja-ministre, që rrjedh nga një familje e nderuar arkitektësh-striktë, e lëshon qesen e parave, si dhe zgjidh rregullat e restaurimit, për të bërë të “shkëlqejë“ Mësonjtorja e Parë Shqipe, në kuadrin e përurimeve plot shkëlqim, para fushatës së zgjedhjeve të përgjithshme. Brenda Monumentit të kategorisë së parë instalohen jo vetëm kaloriferët dhe aparatet e ajrit të kondicionuar, por mbulohen dyshemetë e drurit me rifinitura plastike dhe patinimet me gips (apo veshje me panele gipsi) bëjnë që gjithshka të jetë në një “gone” perfekte. Edhe me nivelë me lazer t’i kontrollosh nuk gjen as milimetrin e gabuar.

“Rilindja urbane” ka nxjerrë edhe pjellën më të re të saj, “rilindjen muzeore”. Mësonjtorja e Parë, ndërtesë e dhuruar nga patrioti Mandi Tërpo më 1887 është pjesë e Europës së shekullit të XXI. Le mos na futin tani po të duan!

Përurimi (kjo fjalë e shqipes duhet parë se më tundon të shkruaj “përmjerrimi”) nuk mund të bëhej me tam-tamet që meritonte rifreskimi, apo rikonstruksioni, apo aktualizimi i Muzeut Kombëtar të Arsimit, për shkak të Covid-19. Në të morën pjesë Ministri I Mbrojtjes dhe Ministrja e Kulturës, pikërisht se ky Monument Kulture, mbrohet nga shteti.

Nuk do ishte keq të thërrisnin edhe ca nga ne, të kudondodhurit, se me maska do ishim dhe mund të theshim nën zë “Të dashur ministra këtu e kini dhjerë!” E megjithatë ne jemi kudo, vigjilentë por të heshtur, të kudondodhur por eunukë, plot pathos por impotentë.

Ndoshta të tillë jemi gatuar.

Saturday 13 March 2021

Në qytetin e bukur të Prijësit


Kjo rrëfenjë kishte mbetur e shkruar në një rradhor të gjetur në një sëndyq të vjetër. Nuk dihet as se kush e kishte shkruar as edhe kur kishte ndodhur, nëse vërtet kishte ndodhur në një qytezë të bukur të Ballkanit Perëndimor. Gjetësi kishte qënë një ndjekës antikuarësh dhe ikonash, që shquhej për symprehtësinë në dallimin e shkrimeve të vërtetë nga ata të rremë. Pa hulumtuar kimikisht bojën, ai kishte arritur në përfundimin se rrëfenja ishte hedhur në rradhor thuajse në një kohë me Evëtarin e Naum Bredhit. Gabimi mund të ishte vetëm tre ose katër muaj hënorë para botimit të parë të atij libërthi të vyer. Përputhshmërinë e saj kohore me Evëtarin e kishte vënë në dyshim gjykatësi Ban, që gjithashtu ishte ndjekës dhe mbledhës arturinash të vjetra e të vlera, por në krahun e Gjetësit ishin rrjeshtuar dy albanologë me emër, një tipograf dhe një tregëtar sendurinash kancelerie. Ndaj dhe kur mu besua të merrja fotot e çdo faqeje të atij radhori dhe ta hidhja në gërmat e shqipes të kohës, unë nuk u mëdysha. Ndryshimet nga burimori janë aq të vocërra sa nuk ka kuptim as të turbulloj mendtë e lexonjësve me përmendjen e tyre.

“…që sa kishte dalë. Turqtë nuk e kishnë bërë dot të tyrin dhe ju kishin lënë qytetarëve të tij mëvetësinë me konditën që të pagojnë një herë në fund të beharit, taksën e të vjelave. Këta e kishnë pranuar po kishnë ngulur këmbët që ta shpinin vetë në Stamboll jo në monedhë floriri por në gjë të gjallë, bereqet dhe lesh.

Prijësin e zglidhte një herë në dy mot kryepleqësia që kishtërte 5 pleq të mbesimit orthodhoks, 5 pleq të mbesimit islame dhe një i mbesimit protestant. Kishnë 6 herë me rradhë që kishnë zgledhur të njëjtin që i binte të kishte një dyzinë motsh që i printe. Ishte ca më shumë se i mesëm së gjati dhe vinte I lidhur, esmer dhe i gjërë në supet. Poshtë fustanellës I dukeshin si dy shulakë këmbët e forta që e kishnë nxjerrë faqebardhë nga të ndjekurat e jeniçerëve. Mustaqelli dhe me mjekër të shkurtër të bënte të tijnë po të të jepte vështrimnë xixëllonjës. Vashat e deshnë po ai nuk i deshte shumë se mejtonte veçëm për qytetnë. Nuk zinte në gojë motet që kishte në kurriz, po ca thinjëza i kishnë dalë në baluket që i dilnin poshtë festes së bardhë si dëbora.Theshnë që ishte pjellë me këmishë po baboja që e kishte pritur kishte ndruar jetë ca ditë më pas dhe kish që e mbesonin punën e këmishës siç kish dhe nga ata që nuk e mbesonin.

-          Ti je pjellë me këmishë- i tha Shëronjësi që e mbante pas.

-          Nuk dihet- u gjegj Prijësi mbi shiltenë e dhirtë.

-          Ta dallonj në cipën e ballit.Ndrron boja nga e mëngjëra.

-          Lipset të mejtojmë për të tjera punë të mira. Moti nuk ish ai që deshmë dhe bereqeti nuk mjafton të nismë për në Stamboll.

-          Populli të ndjek. Do ju thuaç të japnë më shumë këtë mot. Beta shtojmë dhe më shumë lesh të plotësojmë taksën.

-          Leshtë nuk na i zunë në refene as motnë që iku. Thanë që karvani shkon anëve të lumenjve dhe përrenjve dhe  leshi rëndon më tepër. Nuk dua të zëmëronj Portën e Lartë.

Veqilharxhi ku shpiheshin dengjet me lesh dhe thasët me bereqet ishte grindur një mot më parë.Kështu i pat thënë Kryeqeraxhiu që shpinte mot mot detyrimet e qytetit. Prijësi e kishte mbesuar po në qytet kishte llafe se Kryeqeraxhiu shiste lesh udhëve dhe zglidhte vetë monopatet ndanë lumenjve dhe përrejve për të rënduar më shumë dengjet me lesh.

(vijon)

 

Friday 12 March 2021

A ju kemi prishur gjumin e përjetshëm stëgjyshëve?


Atdhetaria nuk është vetëm Flamuri.

Atdhetaria nuk është vetëm të rënit gjoksit se jam shqiptar.

Në rradhë të parë është gjuha. Edhe Bibla nis me: “Në fillim ishte fjala!”

E kishin kuptuar këtë stërgjyshët tanë, kur u ngritën në të madhërishmin “Miting i Shkronjave” në mbështetje të vendimeve të Kongresit të Manastirit të vitit 1908.

Mbi dhjetmijë korçarë të veshur më bukur se për dasmë u ngjitën një mëngjes të ftohtë shkurti në kodrën e Shën Dëllisë dhe të gëzuar e me pathos, folën për gjuhën dhe  kënduan “Këngën e Alfabetit”. Eshtë në atë Miting më shumë se në Vlorë, ngritja e Flamurit shqiptar. Të mençurit stërgjushërit tanë e dinin që pa gjuhë të shkruar nuk bëhej Shqipëri!

Dhe ja ku jemi ne, stërnipët e tyre bastardë!

Nuk e them vetëm për ata që  kanë përçudnuar ABC-në e bukur. Por për të gjithë ne që nuk ngrihemi e të shkojmë para atij tempulli e të këndojmë “Bë a ba, bë e be ba be, bë i ba be bi, bë o ba be bi bo…” si kanë kënduar të mallëngjyer disa breza korçarësh.

Shqipëria është Korça!

Na i kanë thënë stërgjyshët, na i kanë përsëritur gjyshërit, na e kanë pëshpëritur në vesh baballarët, me frikën se mos dëgjoheshin nga Diktatura.

Nuk duhet ta harrojmë këtë, për mos ju prishur akoma më shumë gjumin e përjetshëm të parëve tanë!

Thursday 11 March 2021

ABC-ja e hajdutllëkut


Në fushën e ndërtimit ka një “abetare” të vjedhjes së vazhdueshme të fondeve qeveritare. Quhet rikonstruksion i vazhdueshëm. Nuk e kanë shpikur në Tiranë apo në Korçë, por në vendet tona, si ndodh rëndom, mësimet e marra prej të huajve, çohen lart e më lart deri në kufijtë kur është e vështirë edhe ti quash “marrëzi”, se janë shumë më tutje, në hapësira të panjohura. Në Korçë e aplikuan me rikonstruksionin e Bibliotekës dhe me “rotacionin” e shumë institucioneve.

Tani, për të përfituar ca pak fonde shtetërore për t’i shpenzuar për pushimet e verës apo edhe për fushatën, disa drejtues të Bashkisë së Korçës apo të institucionit që administron Muzeun e Arsimit, e prishin kompleksin skulpturor të ABC-së, që është shndruar në një simbol të qëlluar të rëndësisë së alfabetit shqiptar dhe shkollës së parë shqipe.

Përse?

Për disa metra katror me pllaka, që kanë kërkuar një projekt ku vidhen paratë dhe zbatimin ku paratë vidhen edhe me më shumë lehtësi.

“Shkronjat tona janë të arta” janë mbjellë si presh në lulishten e objektit për tu rritur ose për tu mbuluar përfundimisht një ditë me dhe.

Piedestali i ulët, që ishte konceptuar si “kartë“ për të shkruar “gjuhën e artë“ është prishur përfundimisht dhe kallamari me penën gjithashtu janë ngulur në tokë, pranë rrethimit ekzistues.

Nuk mendoj se dikujt i vriste sytë kompleksi, por për “dy kacidhe” fyhen gërmat tona, gjuha jonë dhe përpjekjet e rilindasve? (Nuk e kam fjalën për këta “ridhjeresat” e sotëm!)

Hajdutët shqiptarë kanë kohë që kanë arritur tek ZH-ja e hajnisë.

Do shpikin vallë të tjera shkronja?