Friday 30 June 2017

Mediokriteti, që ndoshta “vrau” Emilin


Përurimi i Teatrit të Korçës të rimodeluar në mjediset e tij të brendshme më sjell në mendje një korçar të talentuar dhe inteligjent, por që nuk arriti të shkëlqente plotësisht në fushën e artit, për shkak të largimit të parakohshëm nga jeta.
Quhet Emil Bibolli dhe nuk mund të harrohet nga korçarët edhe pse pak përpjekje bëjnë zyrtarët për ta kujtuar.
Në vitin 1993, këngëtari Ardit Gjebrea jepte një koncert në sheshin kryesor të Korçës dhe para se të këndonte një këngë të tij me vargjet e Ditëroit, tregoi se kishte shkuar në mëngjes në varrezat për të vënë lule në varrin e Emilit. Mes ngjethjes së turmës, të gjithë shpërthyen në duartrokitje. Ishin për korçarin me talentin më të spikatur në vitet ’80.
Emilin e kam njohur, kur erdhi të punonte si regjisor i teatrit, por për të kisha dëgjuar shumë, që në kohën kur ishte student. Ishte regjisori më premtues i brezit të tij dhe në Tiranë kërkohej nga teatri dhe Kinostudioja, por pas këmbënguljes së zyrtarëve korçarë, e sollën në tetatrin e Korçës, që prej Mihallaq Luarasit nuk kishte pasur regjisor të diplomuar.
Emili kishte trashëguar talentin e prindërve. Flora, që për një kohë të gjatë ishte spikerja kryesore e Radio Korçës, kishte qënë edhe një valltare shumë e mirë. Kiçoja edhe pse më shumë kishte punuar në arsim, ishte shumë i tërhequr nga bota e teatrit dhe për një kohë kishte qënë edhe drejtor i tij. I vëllai, Iliri, mund të iste bërë një nga aktorët më të suksesshëm shqiptarë nëse nuk do kishte zgjedhur karrierën e mjekut.
Talenti i Emilit i tejkalonte ato të familjarëve të tij. Kishte shkëlqyer në Teatrin e Kukullave, por shkëlqimi në Akademinë e Arteve kishte qënë i pazakontë. E quanin e ardhmja e regjisurës shqiptare.
Fati i keq e solli në Teatrin e Korçës, i cili ishte në një rënie të vazhdueshme prej viteve 1973-74. Largimi i Vangjush Furxhiut dhe Minella Borovës, si dhe përfshirja e Llazi Sërbos dhe Jani Rizës kryesisht në filma, kishte dobësuar trupën aktoriale më të mirë në Shqipëri (pas asaj të Teatrit Popullor). Një klimë prapaskenash kishte detyruar edhe mënjanimin e Raqi Cilit dhe Petraq Marjanit.
Idealizmi artistik i një të riu inteligjent dhe me ide për një teatër bashkëkohor dhe të shkëputur nga ideologjija sunduese u përball me mediokritetin e drejtuesve të teatrit, një mediokritet, që kishte përfshirë edhe gjithë trupën “e njrëzve me dosje”. (Në vitet ’80, thuajse të gjithë aktorët meshkuj, nën shembullin e drejtuesit të tyre, silleshin bulevardeve me nga një dosje në dorë. Brenda saj, me siguri, që kishin fletët e shaptilografuara të pjesës, që po vihej në skenë, se shënime të tjera, a “larg qoftë“ libra, si zor të kishin.)
Ndonëse brenda trupës kishte nga ata , që shpresonin në talenti i regjisorit të ri dhe i dëshëronin suksesin, “atmosfera e helmuar” gati ja sabotoi shfaqjet, që vuri në skenë.
Emili u largua për në Selanik, pas hapjes së rrugëve, që solli ndryshimi i sistemit. Teatri i Korçës nuk kishte as hapësirën dhe as nivelin e duhur për të.
U kthye, jo me këmbët e tij, në një ditë, kur shiu nuk kishte të pushuar.
Korça, mbase padashje, kishte larguar  dhe “vrarë“ edhe një artist tjetër.

Kishte vite, që qyteti ishte në dorën e mediokërve, bile të të pazotëve.

Tuesday 27 June 2017

Unë do shkoj në plazh

 “Who cares!” do hidhet menjëherë këshilltari juridik i avokatit tim, për të mos thënë troç atë shprehjen e anëve tona, që shkon në këtë rast.
E megjithatë unë do shkoj në plazh se është sezoni, se zgjedhjet u mbyllën dhe se në vapë është e vështirë të shkruash poezi apo të bësh përkthime.
Unë do shkoj në plazh me gjithë deputetët  në ikje dhe ata në ardhje e sipër, se pavarësisht nga gjendja psikologjike, plazhi ju duhet të gjithë parlamentarëve të rraskapitur në këtë fushatë për hallet e popullit.
Do shkoj edhe me gjithë gjykatësit, prokurorët, avokatët, që janë rrekur sallave të gjyqeve, restoranteve, kafeneve dhe pikave të basteve, të japin sa më shumë drejtësi për ata, që kanë të drejtë, por edhe pa harruar palën, që nuk ka të drejtë, se në fund të fundit Drejtësia nuk është shkencë ekzakte.
Do shkoj edhe me një tufë profesorësh të universiteteve, nga ata, që jo vetëm kanë pasur “stresin” e provimeve të studentëve, por nuk i lenë as “gojët e liga” të thellohen në karrierën e tyre akademike.
Do mundohem të gjej edhe ndonjë vend pushimi, ku të ketë nga mjekët tanë, që nuk punojnë spitaleve private, se “helbete”, nuk jam më i ri dhe mund të më duhet një ndihmë mjekësore, për të cilën nuk kam nevojë të sigurohem, se jap ndonjë “bakshish”.
Shpresoj të takoj edhe ndonjë koleg arkitekt, që ka “akses” në Rama dhe Peleshi, se të tjerët duhet të jenë “pak si hollë“ këtë verë.
Duhet edhe të shmang plazhet ku shkojnë “gazetarët gjobitës”, se edhe mund të më ndodhë, që të më bien rrobat e banjës, kur hyj në ujë dhe hajde kërko kredi bankave, që t’ju japësh “njerëzve të medias” mos të të nxjerrin foton portaleve.
Do shkoj në plazh!
Eshtë “trendy” i VIP-ave dhe po të jesh pranë tyre, mund të përfitosh edhe ndonjë birrë pa para.

(Apo e kanë zët të paguajnë?)

“Ankandi” i votës


Ka shumë njerëz, të cilët dëshmojnë ose ankohen, se votat në një masë të madhe u blenë nga PS-ja dhe LSI-ja. Ka , që hedhin akuza të rënda ndaj atyre që kanë shitur votën dhe të tjerë, që akuzojnë më shumë blerësit.
Eshtë e mira të dallojmë dy gjëra. Anën ligjore dhe morale të dukurisë.
Të blesh apo të shesësh votën dënohet me ligj. Por deri më sot edhe pse ka pasur shitblerje votash askush nuk është dënuar për këtë krim.
Shitblerjen nuk e shpiku as vetëm PS-ja dhe as vetëm LSI-ja. Ky system i qelbur dhe kriminal, nisi pas votimeve të majit 1996 dhe pikërisht nga Partia Demokratike. Të mundur në referendumin për Kushtetutën dhe pas mosmiratimit nga SHBA, të zgjedhjeve të vjedhura të vitit 1996, kryesisht me paratë e firmave piramidale u blenë votat në zgjedhjet vendore të vjeshtës 1996. PS-ja nuk kishte burime financiare për të blerë vota dhe LSI-ja nuk ekzistonte.
Ndaj PD-ja nuk ka asnjë të drejtë morale të ankohet për diçka , që e ka krijuar dhe e ka aplikuar në të gjitha fushatat elektorale.
Poshtërsia më e madhe është të akuzosh ata, që e shesin votën.
Në përgjithësi këtë e bëjnë shtresat më të varfra të popullsisë. Dhe të quah “të pandershëm” fshatarët e varfër, romët, të këputurit e qyteteve, se shesin votën e tyre për 50 euro apo më shumë, është krim.
“Të pocaqisurit” e shesin votën jo se nuk janë të ndershëm apo nuk kanë bindje politike, por se nuk shohin dallim mes politikanëve hajdutë.
“Të pocaqisurit” e shesin votën edhe për të siguruar dy javë të ekzistencës së tyre të mjerë.
“Të pocaqisurit”  veprojnë po njëlloj si ata, që bojkotojnë votimet, por i bojkotojnë në mënyrën e lipsarit, sepse kështu i ka katandisur qeverisja.
Tre partitë e mëdha e njohin thellë këtë sistem, se kanë kontribuar për ta përsosur këto 20 vjet.
Votat do blihen edhe shiten edhe në fushatat e ardhme.

Deri në atë kohë, kur këto tre parti të zhytyra thellë në krim, të mos kenë fuqinë e plotë për të vendosur fatet e Shqipërisë.

Monday 26 June 2017

Ku shkon Shqipëria ime?

4 vjet të panisura nën drejtimin e një egomaniaku, që me arrogancën dhe amatorizmin e tij nuk dihet se drejt çfar[ orientimi do e mbajë vendin. Thotë, që e shpie drejt Europës së Bashkuar, por edhe ai vetë nuk e beson. Ndoshta drejt një “toke të premtuar”, që për të është Ramaland.
Por nuk është e keqja vetëm tek ky kapiten, që vendos për navigatorë dhe nostromë njerëz, që nuk i kundërshtojnë, për çdo lloj kursi, që do urdhërojë.
Në postin e Presidentit ndodhet njeriu sinonim i korrupsionit, që u kap “me bllok në dorë“ duke abuzuar me shifra të mëdha dhe nuk u dënua. Mbi të gjitha është një i korruptuar, që nuk e njeh frikën dhe për të mos hyrë në burg, mund të heqë maskën e “bektashiut të mirë“ dhe të fusë vendin në luftë.
Në rolin “e kryeopozitarit” nuk duket kush, i papërlyer dhe karizmatik. Ikën apo nuk ikën Basha ka pak rëndësi. Në partinë më të madhe opozitare nuk ka figura, që mund të ngjallin besim as tek “antikomunistët” dhe jo më tek njerzit pa parti.
Përpjekjet për parti të reja dështuan dhe të rinjtë janë pak të interesuar për lëvizje të fuqishme politike.
Shenjat e alarmit janë dhënë dy vitet e fundit.
Shumica dëshëron të largohet nga vendi.
Popullsia po plaket.
Numuri i vetvrasjeve në rritje të frikshme.
Të gjitha dëshmojnë për një krizë të madhe të besimit, pa të cilin gjendja e vendit nuk shëndoshet dot.
A i ka shoqëria shqiptare “antitrupëzat” për të luftuar edhe 4 vite të tjera lëngate?

Le ta mbajmë këtë shpresë gjallë!

Kur përplasen tre vezë…dy thyhen!

Sovrani foli.
Edi Rama ka të drejtë të shijojë fitoren e mandatit katërvjeçar dhe Basha “ka të drejtë“ të dorëhiqet nga kreu i PD-së.
Ilir Meta është e mira të kthehet në President dhe të lerë gruan të bëjë një opozitë të fortë.
Beteja treshe elektorale dhe rezultati I saj, dha një konfirmim të mungesës së dëshirës së elektoratit shqiptar, për tu ndarë nga votimi “pro dhe kundër”. Mungesa e programeve të qarta bashkë me mungesën e shtjellimit të tyre, e reduktoi fushatën e të tre kryesorëve në metaforat e shpifura të “timonit, tepsisë, shoferit, kazanit”. Kaq. Asnjë debat televiziv ndërmjet kandidatëve për kryeministra, apo “të projektuarve” për ministra të ekonomisë, shëndetsisë, arsimit etj.
Edhe pse ende mund të ketë ndonjë të papritur koalicionesh, duket se Rama do formojë qeverinë i vetëm dhe dy partitë e tjera do përbëjnë një “opozitë të çuditshme”, se sipas profileve, njëra duhet ta sulmojë qeverinë nga e majta dhe tjetra nga e djathta. Nëse Rama do miklojë partinë e çamëve, bashkë me votat e tyre dhe të Tom Doshit do jetë gati i pathuyeshëm. Nëse Gramoz RuçI do ja mbajë “granizonin” e disiplinuar, atëhere vetëm Rama mund ta rrëzojë Ramën.
Votimet dëshmuan edhe një gjë tjetër. Pa mbështetje të fortë financiare është shumë e vështirë të fitosh edhe një mandate të vetëm në Shqipëri. Libra, Sfida dhe Tom Doshi, janë ilustrimi më i mirë për këtë dukuri.
Tani të gjithëve (përveç Edi Ramës) ju duhet shumë punë. Më së shumti PD-së, që është humbësja më e madhe. Por edhe atyre, që nuk kanë mundur të hyjnë në parlament. Lufta politike nuk është vetëm betejë fushatash. Eshtë një shumatore betejash të vogla të përditshme.
Rama mund të shijojë më së miri pushimet, sepse edhe projektin qeverisës e ka gati. Koordinatorët mund t’i kthejë ministra dhe të qeverisë po njëlloj, sikundër ka qeverisur. Në fund të fundit nuk premtoi asgjë më shumë.
Diçka e ngjashme me atë që i ka ndodhur Merkelit, Putinit dhe Erdoganit i ka ndodhur edhe Ramës. Pas 4 vite qeverisjeje atij i është rritur popullariteti. Dhe si për çudi, ndërsa tre të tjerëve ju rrit për shkak të rritjes së dukshme ekonomike, kryeministrit tonë, edhe me stanjacion ekonomik ju rrit përkrahja në popull. Nuk mund të qortohet për këtë.
Ndoshta, mënyra se si u qeveris me ministrant teknikë, mund të shërbejë për një disiplinim politik të administratës edhe pse për këtë kam shumë dyshime.
Por le të shpresojmë për mirë.
Veza e fortë, që theu dy të tjerat duhet uruar.

Suksese në qeverisje zoti kryeministër, për hir të Shqipërisë!

Sunday 25 June 2017

Eja në tropik

Diçka e magjishme ndodh në tropik,
Ndersa grimcat e rërës
Gicilojnë trurin e lodhur.
I dorëzohemi lagështisë,
Dhe kthehemi në fëmijë,
I jepemi pa frikë,
Lëngut të panjohur.
Dhe një ngathësi e ëmbël,
Na bën të përulemi ngadalë,
Ngadalë mbi gjelbërimin e palmës,
Që betonin çan,
Që duket si e nisur drejt të oqeanit valë.
Do kemi forcë edhe ne,
Drejt valëve të shkojmë,
A në të përndezurin beton,
Nga harlisja e bimëve rrethuar,
Ku plasaritja e vullnetit,
Sërish ka të forcës jetë,
Mes paradoksit të prehjes
Dhe gjallimit
Do qëndrojmë?
Një buzëqeshje e pastër,
E pahabitur nga stepja jonë,
Na fton drejt palmave ku varet një “hamok”,
Por ne nuk dimë a duhet të përkundim,
Endrrat,
            Spitullimin,
                        Arratisjen,
Apo mendimin,
Më të mirin shok.
Më tej është gogësitja e valëve,
Që mpin të gjithë bregun,
Dielli nga zeniti përton të zbresë,
Mbi kristalet e përjetshme,
Me kujdes,
Ne shtrojmë zhegun.




            *          *          *

Saturday 24 June 2017

Teatri i kukullave dhe regjisore Drita


Këto ditë, në mjediset e Teatrit të Korçës është përuruar edhe salla e tetrit të kukullave. Eshtë salla e tretë, pas asaj të aneksit të Pallatit prej mesit të viteve ’60 dhe deri në vitin 1972, si dhe sallës mbi “Bar-Republika”, që qëndroi gjatë, deri në kthimin e saj tek pronarët e ligjshëm.
Teatri i Kukullave i Korçës lidhet tërësisht me emrin e Drita Kallamatës. Ekzistonte edhe para se ajo të vinte në Korçë, por në një nivel shumë të thjeshtë, me kukulla “petrushka” dhe me dekore të varfra për fantazinë e fëmijëve. Prej vitit 1968 dhe deri kur doli në pension më 1985, regjisore Drita e transformoi atë në një teatër, që afronte nga niveli me atë të trupës profesioniste të Tiranës.
Kam qënë bashkë me shokët e mij për 5 vjet pjestar i trupës amatore të teatrit nën regjinë e regjisores. E thërrisnim gjithnjë regjisore, se kështu e kishim gjetur, që e thërrisnin edhe brezat para nesh.
Kishte pasionin dhe përkushtimin e një artisteje të vërtetë. Bënte gjithshka vetë, ndonjëherë edhe duke thirrur, por duke menduar çdo çast për përmirësimin e shfaqjes. Kërkuese në kollonën zanore të shfaqjeve, ndriçimin e tablove dhe sidomos në dekoret, Drita Kallamata, jo vetëm e njihte mirë psikologjinë e fëmijëve, por gjatë provave dhe shfaqjeve dukej se edhe vetë mbarte gëzimin dhe mrekullimin e tyre. Clodhej duke ndezur një cigare “Partizani”, të cilat nuk i ndau gjatë jetës së saj, që u pre shumë herët.
Kishte punuar si aktore në Teatrin Popullor dhe më vonë, qysh në krijimin e Teatrit të Kukullave në Tiranë, ku e deshin shumë dhe ishte gjithnjë e mirëpritur. Nuk arrij ta mendoj dot dinamizmin e saj në kohën e Teatrit të Tiranës, se kur filluam ne, ishte 45 vjeçare dhe kishte energjinë dhe dinamizmin e një 25 vjeçareje. Shpesh ne të rinjtë i dukeshim sikur “flinim” gjatë interpretimit dhe regjisorja vinte e na “shkundte”.
Më kujtohet në pranverën e vitit ’75, kur Beni me droje më tha, nëse mund të shkonim të bëheshim pjesë e teatrit, se disa djem ishin larguar në universitet, ose kishin shkuar ushtarë. Ishim adoleshentë dhe të dy, kishim një lloj turpi për të interpretuar në publik. Ngushëllimi ishte se do ishim pas “paravanit”. Sot, kur kemi kuptuar shumë gjëra nga ajo kohë, nuk jam i sigurt nëse regjisorja kishte vërtet nevojë për aktorë meshkuj, apo donte “të kishte një sy mbi ne”, për të na shpëtuar nga ndonjë “marrëzi” e mundshme në ato vite terrori.
Ishte inteligjente, e kulturuar dhe mbi të gjitha me një pasion të pabesueshëm. Nuk kënaqej kurrë nga interpretime mediokre edhe pse kishte të bënte me adoleshentë, që jo vetëm nuk kishin përvojë aktrimi, por edhe shumë vështirësi në lëvizjen e marionetave. Kishte hequr , që në fillim “petrushkat” dhe kishte futur “marionetat nga poshtë“, që kanë mbetur kukullat klasike në gjithë teatrot e Shqipërisë.
Na deshte të gjithëve si fëmijë dhe bënte gjithshka, jo vetëm për ne, që hynim e dilnim në shtëpinë e saj, por për të gjithë aktorët. Ishte e njohur për bujarinë, por për këtë, ndoshta do më duhet të shkruaj më gjatë.
Drita Kallamata ishte dhe është Teatri i Kukullave i Korçës. Ndoshta në jetën e saj ka edhe shumë vepra të tjera, por edhe vetëm kjo, është e mjaftë për të hyrë në rradhën e më të mirëve të Teatrit të Korçës.

Regjisorja e kukullave – regjisorja e fëmijëve.

Friday 23 June 2017

Si do doja të ishte rezultati i së djelës


Në shikimin tim të paanshëm(ose të anshëm) si i interesuar në rezultatin e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, do doja të kishte balancë dhe shpërndarje të votave.
Do mundohem ta spjegoj më poshtë, se pse e gjykoj, që është kështu më mirë për Shqipërinë.
Them se ka dy gjëra shumë të rëndësishme, që duhet të ndodhin në harkun e një viti, ose një viti e gjysëm. E para është Reforma në Drejtësi dhe e dyta është dobësimi i tre Partive të mëdha.
Reforma në drejtësi do marrë kohë se ka shumë forca, të cilat e pengojnë dhe më kryesoret janë krerët e inkriminuar të tre partive kryesore edhe pse Rama hiqet “se i digjet barku për Vetingun dhe Reformën në Drejtësi”. Viktimat e para, të një Drejtësie të pavarur dhe të pakorruptuar duhet dhe do jenë Ilir Meta, familja Berisha dhe Edi Rama, për të vazhduar me më të vegjlit Bode, Beqaj, Haxhinasto e ndonjë tjetër. Ndaj nuk duhet të na gënjejë mendja, se kjo do ndodhë shpejt dhe pa përplasje. Për deri sa tre partitë e mëdha të jenë nën kontrollin e Ramës, Metës dhe familjes Berisha, periudha në vazhdim do jetë “tranzicioni i tranzicionit”. Ndaj shpresoj, që ç’ka u fillua nga Blushi, Gjergj Bojaxhi dhe Shinasi Rama, të ndiqet nga të tjerë në periudhën që vjen. (E domosdoshme është një lëvizje e rinisë studentore, që çuditërisht po duket ende e plogët në Shqipëri.)
Një fitore e madhe e Ramës do e linte vendin në vendnumuro politikisht edhe pse mund të sillte dobësimin e LSI-së. Ndërsa një koalicion PS-PD, do ishte një “çoroditje e plotë e spektrit politik shqiptar”, por që mund të sillte vetëm pas 4 vjetësh, një forcë të madhe opozitare si ajo “En marche” e Makron-it në Francë.
Për mendimin tim, skenari më i mirë do ishte një fitore e PS-së jo më shumë se 65 mandate dhe qeverisja e saj me një ose dy aletaë të vegjël deri në zgjedhje të parakohshme në vjeshtën e vitit 2018.
Pse mendoj se i bën mirë vendit.
Një periudhë e tillë do sillte forcimin e Libra-s, Sfidës , si dhe hyrjen në skenë të Shenasi Ramës, që deri tani duket politikani shqiptar i pakorruptuar dhe me një vizion perëndimor. Edhe të tjerë më të rinj, idealistë apo pragmatistë, por të papërlyer do hidheshin në betejën politike, kur të ndjenin se “tre peshkaqenët” janë më të dobët. Njëkohësisht, një frymë kritike do zhvillohej edhe brenda PD-së dhe PS-së, që deri tasni janë si parti-garnizon.
Për rrethin e Korçës, që për fat të keq në këto 27 vjet ka shpënë në Parlament vetëm deputetë eunukë, do dëshëroja të kishte përsëri shpërndarje të votave dhe PS-ja mos kalonte numurin 5 të mandateve. Mirë do ishte, që “banda e Nikos”, të kishte më pak deputetë të tipit Pëndavinji, që jo vetëm nuk kanë se ç’thonë për qytetin tonë në Parlament, por edhe kur shkojnë në banjë, i dërgojnë SMS Nikos ta pyesin, nëse duhet të urinojnë në pisuar apo në klozet.
Jashtë Parlamentit është mirë të mbetet edhe Balliu zhunior, ndonëse fokusi i tij është Pogradeci dhe jo Korça. Mirë do ishte, që Pepivani, vajza e dy korçarëve me emër të mirë të bënte pjesë në Parlament edhe pse nuk di se sa luftarake do jetë për qytetin tonë.
E di, që edhe Basha edhe Blushi janë lyer në afera korruptive, kur kanë qënë ministra. I vetmi avantazh “moral” i tyre ndaj Ramës dhe Metës është, që nuk kanë qënë kryeministra dhe shifrat për të cilat janë përfolur janë më të vogla. Të parit nuk do ja jepja votën, ndërsa për të dytin do bëja sipas thënies së Montanelit “do zija hundët” dhe do e votoja. Për hir të shpërndarjes së votave dhe që duket se ka kuptuar, që me një sistem të korruptuar si i sotmi nuk mund të vazhdohet më.
Dikush mund të më thotë me plot të drejtë :”Ti jeton larg dhe nuk të bëhet vonë të shkojmë edhe mot në zgjedhje, por kusuret e fushatave i kemi ne.”
Nuk kam përgjigje për këtë.
Cka shkrova ishte e vetmja shpresë e imja, se punët mund të marrin për mbarë.

Perëndia qoftë me ne!

Kulla Vrojtuese nuk është shurrtore

Dje, më kapi syri, një diskutim mes Shkullakut dhe Ramës rreth Rilindjes Urbane, ku përmendej Kulla e Korçës, që sipas Shkullakut “ishte kthyer në shurrtore”. Rama, si gjithnjë alergjik, kur zihet në gojë Kulla e Pit Uillsën i tha: “Po lere Kullën se nuk e kuptoni ju atë!” dhe me kaq u mbyll debate, rreth një objekti, që sa më shumë kohë kalon, aq më pak njerëz, që e mbrojnë ka.
Por problemi i vërtetë i Kullës, nuk qëndron në kthimin e saj në “vend urinimi”, ose “grafitesh”, apo edhe thjesht mospërdorimi i saj, sikundër u shpreh Shkullaku. Kulla mund të funksionojë edhe mirë(nëse e pranojmë si funksion ngjitjen në të dhe vrojtimin e tarracave të pallateve apo edhe të peisazhit të Moravës), dhe mund të mirëmbahet e të ketë po të njëjtën pamje si në ditën e përurimit.
E keqja e saj qëndron në funksionin urbanistik, që i ka atribuar projektuesi Pit Uillsën, atë të “ankorës” së dytë, që mbyll pedonalen.
(Arkitekti argumenton, që Qendra e qytetit të Korçës kishte nevojë për dy ankora, një Katedralja dhe tjetra Kulla, a thua se kjo hapësirë më e rëndësishmja e qytetit, është një tel ku ndehen rrobat dhe duhet kapur në dy shtylla vertikale.)
Nga pikpamja urbanistike, Kulla “shkatërroi” përfundimisht idenë e hedhur nga italianët për një shesh rrethot apo oval, ideja e të cilit nisi të realizohej me ndërtesën e Bankës, që është një nga ndtertimet më të shkëlqyera të Korçës.
Objekti i ri, bashkë me ato rrethuese, solli një shkallëzim absurd në një hapësirë, që ishte një nyje nevralgjike e lëvizjes së këmbësorëve drejt tregut të Korçës.
Vizualisht, e dëmtoi hapësirën jo stërmadhe rreth saj dhe kjo në një qytet me dendësi të madhe, i cili ka nevojë për hapësira.
Nga ana arkitekturore, po përsërit shkurtas, ato, që kemi thënë më parë me një grup kolegësh, që Kulla i përket një stili të dalë mode të 40 viteve më parë - Arkitekturës brutaliste. Komentohet sikur është kopjuar nga një Kullë në Japoni, por veç një ngjashmërie rastësore në siluetë, Kulla Vrojtuese nuk ka asgjë të afërt me objektin japonez.
Krueministri këmbëngul, që Kullën nuk mund ta kuptojnë analistët. Më parë, e ka quajtur si mjet terapeutik, për arkitektët dhe artistët , që vuajnë nga formimi i Socrealizmit.
Që prej qershorit 2014, kur kam parë skicën e parë, i jam kthyer dhe i jam vërtitur projektit dhe objektit dhe vërtet nuk e kam kuptuar.

Nuk kam kuptuar, se si një arkitekt mund të projektojë diçka kaq absurde për Korçën dhe si piktori Rama dhe pasuesit e tij, jo vetëm e lejuan të ndërtohej, por nuk kanë edhe kurajon të thonë : “Gabuam, se edhe ne njerëz jemi!”

Teatri dhe një kujtim për Aleko Skalin


Me teatrin e Korçës më lidhin shumë kujtime, që në fëmijërinë e hershme dhe deri në ndryshimin e sistemit. Më pas, kam parë veç një shfaqje të Shekspirit “Endrra e një nate vere”, rreth vitit 1994 dhe jam larguar nga salla në mes të shfaqjes.
Shfaqjet e teatrit në vitet ’60 ishin një gjë shumë e rëndësishme dhe serioze për qytetin. Piro Mani, kishte vënë në skenë “Pamje nga ura” të Millerit, për të cilën flitej shumë mirë, si dhe kishin patur sukses “Nata e Dymbëdhjetë“ e Shekspirit, “Hijet e natës” e Vedat Kokonës dhe të tjera pjesë teatrale.
Aktorët e teatrit ishin njerëz që gëzonin respekt edhe pse në vitet ’60, asnjëri syresh nuk kishte studiuar për aktrim ose ndonjë shkollë tjetër të afërt. (Të parët aktorë të shkolluar në Institutin e Arteve ishin Vangjush Furrxhiu dhe Sotiraq Cili). Lekoja(Aleko Skali) ishte i vetmi, që kishte mbaruar Liceun Francez. Nuk kujtoj ta kem parë në ndonjë rol kryesor, pasi në fundin e viteve ’60 dhe në fillimin e viteve ’70 e aktivizonin vetëm në ndonjë rol episodik. Të mënjanuar atë kohë kishin mbetur edhe Trajçeja, Nuçi Shedollari, Vangjel Grabocka ndërsa të tjerë si Spirku Karanxha, Dhimitra Mele apo Stavri Shkurti aktivizoheshin në estradë, pas shpërndarjes së famshme të gjithë trupës së estradës në mesin e viteve ’60. Nga aktorët e brezit të parë shkëlqenin Pandi Raidhi dhe Thimi Filipi, të cilët kërkoheshin shumë edhe nga regjisorët e Kinostudios.
Prej vitit ’72, Lekoja vinte më shpesh në shtëpinë tonë, pasi ishte edhe shumë i apasionuar pas futbollit dhe ndiqte ndeshjet, që jepeshin në televizionin jugosllav. Kishte një natyrë shumë të ndryshme nga babai im dhe shpesh çuditesha se si kishin bashkëpunuar për libretet e operas “Lulja e Kujtimit” dhe operetës “Së bashku jeta është këngë“. Ishte i pamartuar dhe nuk dukej se ishte më i interesuar për një jetë familjare. E dëgjoja me vëmendje, kur tregonte histori të paraardhësve të prindërve të tij, që vinin nga dy familje të njohura korçare. Gjeografia e jetës së paraardhësve shtrihej nga Misiri e deri në Las Vegas. Ishin histori të treguara me pasion, por edhe me shumë vërtetësi.
Atë kohë më kujtohet, që e pata pyetur për teatrin dhe rolet, që kishte luajtur. Mu përgjigj me një psherëtimë, që i dilte thellë shpirtit: “Eh, atëhere kam qënë violinë e parë!” dhe nuk shtoi të tjera fjalë, por u zhyt në mendimet dhe ndoshta në ëndrrat e parealizuara.
Sigurisht, që Lekoja, si gjithë aktorët, që formuan bërthamën e parë të teatrit, e kishin mësuar artin e aktrimit duke parë filmat e Hollivudit deri në pushtimin e vendit më 1939 dhe ato italiane më vonë. Lekon e ndihmonin edhe leximet dhe talenti i tij si vjershëtor dhe prirja për të ëndërruar. Duhet të ishte pak futurist. Në një pjesë me një akt, që kishte shkruar në vitet ’50, ngjarja zhvillohej në një stacion metroje në Korçë. Ndoshta ëndërronte, që qyteti të kthehej në metropol.
Tani ndodhet në “metronë“ e Korçës, ku të gjithë janë të barabartë. Të famshmit dhe të panjohurit. Ata, që ju dhanë të tjerëve dhe ata, që ju morën.

Aleko Skali (Leko Micaku si e thërrisnin shokët) ju ka dhënë të tjerëve.

Thursday 22 June 2017

Nuk mund të mbroj fjalën time të lirë, po qe se i mbyll gojën, qoftë dhe anonimëve

Unë jam i lirë, që atë ditë, kur nisa të mendoja lirisht ndaj çdo dukurie, sendi apo njeriu që më rrethon. Për lirinë e mendimit kanë folur në shekuj, me qindra njerëz të mençur, që kanë bërë hije mbi këtë dhe. Shumë prej tyre edhe janë sakrifikuar, që vetë dhe të tjerët të mendojnë të lirë dhe më shumë akoma, të mos dhunohen për shprehjen e mendimit të tyre.
Mund të duket, që gjithkush është në gjendje të mendojë lirisht. Por nuk është kështu. Në sisteme, kur shoqëria, shteti, kisha apo familja vendosin korniza pas kornizash të mendimit, gardhe pas gardhe skrupujsh moralë dhe ideologjikë, njeriu nuk mund të mendojë i lirë, sado i mençur dhe i kënduar të jetë. Sistemi ka vendosur brenda tij (në rastin kur nuk është bërë shpëlarja e plotë), një lloj labirinthi tredimensional, ku mendimi, pasi përplaset mureve, mund të shkojë vetëm në disa drejtime të caktuara. Ky është një nga krimet më të mëdha, që bëjnë Dikaturat, mbi njerëzit, që sundojnë.
Të jesh i lirë në të menduar(kuptohet në varësi të kapacitetit intelektual dhe të njohurive, që ke futur në qypin tënd) është njëri aspekt. i dyti, ai më i rëndësishmi, është të shprehurit e mendimit të lirë gojarisht, me të shkruar, apo me forma të tjera të komunikimit.
Nuk është thjeshtësisht e lehtë.
Ka shumë arsye , që njeriu do t’i fshehë ato, që mendon nga të tjerët. Mund të jetë nga mungesa e besimit në vetja, nga vështirësia në të shprehur, nga hezitimi se mos lëndojë të tjerët, nga frika se mund t’a sulmojnë duke i nxjerrë “skeletet, që ka në sobalkë“. Këto edhe të tjera të ngjashme, përbëjnë atë, që quhet autocensurë dhe , që në një shkallë apo në një tjetër, ndeshet tek të gjithë ata, që shkruajnë.
Në vendet më të zhvilluara, ka edhe një lloj tjetër “autocensure”, që përkufizohet me shprehjen, “të flasësh ose të shkruash politikisht korrekt”. Në vendin tonë kjo është më e pakët, sepse atje njerzit tremben të flasin apo të shkruajnë për arsye jodemokratike, si janë humbja e vendit të punës, “belatë“ me administratën apo inspektorët e taksave, kërcënimet nga “bota e krimit”, e të tjera si këto, që në vendet me demokraci të zhvilluar dënohen me ligj. Me dhjetra janë rastet e njerëzve, që më kanë shkruar, se “mendojmë po njëlloj, por nuk mund të shprehemi, se ti e ke të lehtë, pasi nuk jeton këtu”.
Pra le të kthehemi në “robërit”, të cilët pengojnë fjalën e lirë të të tjerëve.
Këta janë kryesisht njerzit e veshur me pushtet, të cilët blejnë gjithë kopjet e një gazete, ku ka një shkrim kundër tyre, kërcënojnë ose heqin nga puna njerëz, që shprehin idetë e kundërta, venë njerëz të përgjojnë mediat sociale, se kush komentoi dhe kush bëri like e të tjera si këto. Këtyre ju duket vetja si Roje të fjalës dhe mendimit, por në të vërtetë këta janë të Burgosurit.
Nuk mund të jesh i lirë, por nuk respektove lirinë e shprehjes të tjetrit.

Kjo është përgjigja e ime ndaj dy tre vetave, që më sugjerojnë të fshij komentet negative të një anonimi në blogun tim. Atë çast, që do e bëj atë gjë, do cënoj lirinë time të shprehjes, të cilën e kam dëshëruar, që në fëmijëri, por kam mundur ta gëzoj vetëm sot, kur jetoj në një vend të lirë, ku mendimi i lirë respektohet dhe mbrohet me ligj.

Një korçar i shkëlqyer


Votimet (dhe jo vetëm ato) më sjellin në mendje Piro Kasatin, trajnerin e famshëm, por mbi të gjitha një korçar i devotshëm në çdo qelizë të tij.
Pirua rrinte larg politikës, por kishte opinionin e tij për gjithshka dhe nuk nguronte ta shprehte, pa dorashka dhe me një humor të jashtëzakonshëm. Kishte humorin tipik korçar të viteve ’30, që për mendimin tim është shkalla më e lartë e humorit në Shqipëri, por që degradoi keq në Estradën e Korçës të kohës së Diktaturës.
Gjatë referendumit të famshëm të Sali Berishës të vitit 1994, Kasati ka bërë komentet satirike më të goditura, për një fushatë me “lule në thile”, që “Saliu e nisi duke vënë trendelina dhe e bitisi me lule basani, se e përdorte edhe për gargarë, kur i ngjirej zëri”.
Kishte një humor pozitiv e të shëndetshëm, ashtu si ishte edhe vetë, optimist për të arritur të pamundurën. Do duhen faqe të tëra për të rrëfyer një pjesë të anekdotave të tij jetësore dhe të batutave, që përsëri nuk mund të kenë tingëllimin plot gaz, si të treguara nga vetë Piroja.
Do kisha dashur të ishte ende mes nesh dhe ta dëgjoja, kur të komentonte edhe fushatat qesharake elektorale të këtij viti.
Kasati ishte nga ata njerëz, që këtej i cilësojnë “larger than life”(më të mëdhenj se jeta). Dhe në qendër të jetës së tij, më shumë se çdo gjë tjetër ishte Korça dhe Shqipëria.
Ndoshta Parkut Olimpik të shumëpërmendur, është mirë, që në vend ta quajnë me emra bosh si “Planeti”, t’i venë emrin e Piros. Salla e mbuluar e atletikës, që nuk arriti të përfundohej dhe po rindërtohet tani ishte investim i siguruar vetëm nga Piroja, në sajë të sukseseve ndërkombëtare të arritura nga Pavlina Evro dhe vajzat e tjera.
Pirua ishte sinonimi i sportit, kulturës, humorit dhe atdhedashurisë.
Sigurisht, që nuk ishte “i bindur” dhe mund të krijonte edhe probleme me autoritetet, si në atë kohë, por edhe sot.

Ishte një korçar i shkëlqyer, që vinte Korçën mbi gjithshka.

Wednesday 21 June 2017

Dyshka


Dyshka nuk ka qënë një numur me emër të mirë në Korçë. Në kohën kur sistemi i vlerësimit në shkollë ishte me notën maksimale 5, “dyshka” të linte në klasë. “Dyshkanjos” ishte një nofkë që të dëshpëronte jo pak. Bile aq me përçmim shihe numuri “dy”, sa edhe për paratë thuhej se “kam mbetur pa një dyshkë në xhep”, që ishte fundi i fundit të fukarallëkut, se dihej që me një dyshkë nuk blihej dot gjë.
Të vetmet raste të rralla, kur “dyshka” përmendej pozitivisht ishin në bisedën e përditshme si psh “Bobo Dyshkë sa e mirë je bërë!” ose “Mbrëmë isha nga Parku Rinia me Dyshkën.”, që kishin të bënin me vajzat, që quheshin Dallëndyshe, Menduje, Dyrmishe dhe që me përkëdheli i thërrisnin Dyshkë. Nuk ishin te shumta.
Edhe shprehja “C’më je bërë kështu si dyshkë maço!”, që e ka zanafillën nga letrat e bixhozit është ku e ku më e rëndë se “Na u bëre si Fandi spathi”.
Me një llaf në Korçë, po dëgjuan “dyshkë“, në përgjithësi nuk ndjehen mirë.
Por ja vlen të përmendet, që edhe kryeministri ynë, që shëtit lart e poshtë Republikës me dyshkë në bark e në kurriz nuk e ka zgjedhur vetë këtë numur. Se vërtet është vezir, po jo të tëra gjërat i ka në dorë.
Dyshka është numuri i Partisë Socialiste në skedën e votimit dhe mund të ishte çdo numur tjetër me një apo dy shifra. Gjithashtu nuk është e thënë, që të njëjtin kuptim negative, që merr në Korçë “dyshka”, ta marrë edhe në rrethet e tjera, ku sipas dialekteve quhet edhe “dishi”, “dysh”, “dysho” apo edhe “dor”.
Ndaj le ta marrim me sportivitet, sikundër e ka marrë edhe kryeministri jonë në bluzat e ti sportive gjatë fushatës dhe të djelë të votojmë mr motot:
“Voto Edi Dyshkën, që nuk e ka bërë kurrë fjalën dy!”
“Voto Edi Dyshkën, që t’ju lerë në xhep edhe një dysh!”

“Voto Edi Dyshkën, për ta ngrënë edhe më dysh!”

Pse nuk besoj se Peleshi mund ta kthejë Korçën në qytet të rëndësishëm kulturor.


Nikoja po bën disa premtime, si bëjnë rëndom politikanët në raste fushatash.
Njëri syresh, që duket se po “ngjit” edhe në mendjen e atyre, që janë “politikisht neutralë“, është ai “që do e kthejë Korçën në një qendër të rëndësishme kulturore në Ballkan”.
Do mundohem ta spjegoj se përse ambicia është tejet e paarritshme edhe sikur Peleshi të jetë edhe për 4 vite të tjera zëvendës kryeministër, si edhe 4 vjet kryeministër pas tyre.
Nuk dua edhe të jem i padrejtë ndaj tij, se prej kohës kur është zgjedhur kryetar bashkie, ka ndihmuar artistët korçarë dhe është përpjekur për të gjetur investime në sektorin e kulturës.
Por le të supozojmë se Niko Peleshi do kthehet në një “patron” i kulturës dhe arteve, si Mediçit e Firences dhe në Korçë do gëlojë kultura dhe arti.
Në rradhë të parë, burimi kryesor i artit dhe kulturës janë njerëzit dhe jo institucionet. Klima pozitive ndaj kulturës dhe artit krijohet duke ju dhënë liri të plotë të gjithë kategorive të studiusve pavarësisht nga bindjet e tyre partiake. Baza duhet të jetë diskutimi artistik dhe shkencor dhe jo marëdhënia me grupin e caktuar politik apo me drejtuesin e Bashkisë.
Ka disa raste, që dëshmojnë se Peleshi e injoron këtë gjë. Në vitin 2011, ai ju kundërvu të gjithë arkitektëve korçarë, duke i denigruar për ato ç’ka kishin projektuar, vetëm se nuk “i shkonin pas ujrave”. E njëjta gjë u përsërit në rastin e Kullës Vrojtuese, kur zv.kryeministri as denjoi t’ju përgjigjej kritikave në shtyp të profesionistëve apo njerëzve të kulturës.
Një ttjetër tregues është vendosja e “peqelepistave” në krye të institucioneve kulturore ekzistuese. Lorenc Gliozheni mund të jetë një djalë shumë i mirë dhe i papërtuar, por nuk është as historian, as studiues arti dhe as njeri i kulturës dhe i letrave për të drejtuar prej vitesh një nga Muzeumet më të rëndësishme të Shqipërisë.  E njëjta gjë mund të thuhet edhe për drejtuesen e Teatrit apo atë të Bibliotekës. Në një qytet, ku drejtuesit vendosen për shkak të bindjeve politike apo të marëdhënieve me Peleshin, kultura rri larg dhe njerëzit e kulturës ose rrinë fshehur ose largohen.
Kam përmendur në një shkrim rastin e një njeriu tejet të kulturuar, që jeton vetëm 2 orë larg Korçës dhe ka përkthyer Iliadën. Quhet Ilia Ballauri dhe askush nga Bashkia nuk rreket ta ftojë ose të propagandojë punën e tij. Por kjo ndodh edhe me përkthimet e Leko Ballaurit, me punët e skulptorit Vladimir Kaçaku dhe plot të tjerëve, që nuk janë pro “socialistllëkut” të Peleshit.
Një tjetër dukuri, të cilën mund ta dalloj shkarrazi nga larg, është konceptimi sipërfaqësor i punës kulturore. Ndjehet, që veprimtaritë bëhen më shumë për “show” dhe për të tërhequr turistë dhe jo si veprimtari të mirëfillta dhe të thella kulturore, të cilat shpesh nuk kanë nevojë për bujë, por tërheqin studiues dhe artistë nga Tirana, Kosova apo vende të tjera ballkanike. Kjo ka të bëjë edhe me filozofinë e Peleshit për reklamim dhe me njohuritë e tij të cekta kulturore. Nuk është e thënë, që një politikan apo administrator të jetë shumë i kulturuar, por ai nuk duhet të imponojë filozofinë e tij të sipërfaqshme në veprimtaritë kulturore.
Korça, për arsye të centralizimit në kohën e Diktaturës, e nisi degradimin e saj kulturor pas viteve ’60 dhe për këtë nuk ka asnjë faj Peleshi, i cili nuk ishte lindur në atë kohë. Eshtë e mirë për Korçën ambicia e tij. Por duhet të kuptojë, që kultura e vërtetë nuk është as në serenatat, as në festën e lakrorit, as në Karnavalet e Qershorit dhe as në koleksionet e pikturave të atyre, që nuk dinë se kush është Ticiani, Shpataraku apo Tuluz-Lotreku.
Kultura rritet në një qendër banimi duke afruar të mençurit, të kënduarit, ata që e shkojnë jetën librave dhe jo kafeneve, duke i nxitur, duke ju krijuar kushte materiale, duke “i begenisur” dhe duke ju vënë pas të rinj, që të mësojnë prej tyre.

(Dhe duke mos ju kërkuar të votojnë për Partinë e Peleshit.)

Tuesday 20 June 2017

A do qajë Rama si në qershorin e 2009-ës apo do fluturojë nga gëzimi si në qershorin e 2013-ës?


Viti 2016 tregoi se sa e vështirë është të parashikosh në ngjarjet e mëdha politike, ndaj më mirë është të bëjmë krahasime se sa parashikime, që edhe në vendet, ku njerëzit janë të sinqertë në sondazhet, nuk dalin.
Nisur nga ato ç’kam ndjekur në mediat “online”, qershori i vitit 2009 kishte disa ngjashmëeri me qershorin e sivjetëm. Rama ndjehej i sigurt në fitore dhe në prill i kishte bërë disa lëshime “qeverisë Berisha” në ligjin elektoral dhe disa ligje të tjera. Dukej se pas fitores, lëshimet ndaj Berishës do ishin “lëshime, që i kishte bërë vetes.” Meta dukej i acaruar në pakufi, por më i dobët se sa ndjehet sot.
Në krah të Ramës ishin “Shekulli”, “Gazeta Shqiptare” e Bolinos, ndërsa më të egrit kundër tij ishin “Tema” dhe “55”.
Ajo, që ndodhi është analizuar mirë e mirë nga analistët e varur dhe të pavarur dhe po të sintetizohet së tepërmi, mund të shprehet me një fjali “Tradhëtia Ilir Metës”. Megjithatë, gjatë “oi-ve” të tij në orët e para pas zgjedhjeve, Rama shante dhe përshante Fatos Nanon dhe askënd tjetër.
Në qershorin e vitit 2013, pas shumë ngjarjesh dramatike dhe humbjes së ngushtë në garën për Tiranën, Edi Rama pat bërë aleancën me Metën, me ndërmjetësinë e Kokave të Durrësit, të njohur si njerëz të afërt të Nanos.
Në krah të tij, veç “Shekullit” të Kokëdhimës dhe “Shqiptarja” të Bolinos, ishte rrjeshtuar armiku i tij i egër Mero Baze me “Temën” e tij. Përballë ishin “55” e Balliut dhe “Mapo” e Cilit.
Fitorja ishte e bujshme dhe si ndodh rëndom me narcisistët, Rama nuk ja blatoi as Metës dhe as Nanos, por “udhëheqjes së tij”.
Këtë qershor, Rama vjen me një eksperiencë drejtuese katërvjeçare dhe me një njohje të mirë në arenën ndërkombëtare. Pas kapërcimit me një “marëveshje të fshehtë“ të krizës, të krijuar nga çadra e opozitës, ai ndjehet tepër i sigurt në fitore. Me qëndrimin e tij, të le përshtypjen se edhe Bashës, ja ka hedhur me marëveshjen e asaj nate.
Në ngjashmëri me vitin 2009, përballë ka një Metë të egërsuar, që duket se po bën një fushatë elektorale “për jetë a vdekje”. Në mënyrë disi të çuditshme, ka kundër veç “55”-ës edhe Shekullin e Kokëdhimës, ndërsa ndihmësit e tjerë “online” si “Javanews”, “Konica.al” ju janë shtuar “Temës” dhe “Shqiptarja”. Ka ndryshuar edhe qëndrimi i “Mapo”-s ndaj tij, ndërsa portalet “Lapsi” dhe “Syri” i ka kundër.
Shpesh herë, udhëheqësit e fushatave elektorale “i mund” vetësiguria e tyre. Ata harrojnë të jenë “të përunjur” dhe “kokëulur”, kur i kërkojnë votën zgjedhësve. Ka një pjesë të “elektoratit gri” kudo në botë, që urren pikërisht kapadaillëkun e kandidatit. Nuk është e sigurt se sa do “e ndëshkojë“ Ramën kjo pjesë e elektoratit shqiptar.
Ndoshta mes “të qarit” dhe “fluturimit nga gëzimi”, 25 qershori mund të rezervojë edhe një gjendje tjetër, që mund të jetë “buzëqeshja e dëshpëruar” e Ramës, kur do i duhet të kërkojë me ngulm bashkëqeverisjen me PD-në.

Po Shqipërisë i bëhet më mirë , që kryeministri në fuqi të qajë apo të qeshë?

Teatri i Korçës


E titullova këtë shkrim pa emrin e teatrit, sepse ka shumë vjet, që e quaj të palogjikshme, të mbajë emrin e Andon Zako Cajupit, (që nuk e lidh gjë me Korçën) në një kohë , kur edhe teatri i Gjirokastrës ka të njëjtin emër. Personalitete të teatrit dhe varietesë, korçarë dhe me origjinë korçare ka me dhjetra, duke filluar me vëllezërit Belushi, Viktor Eftimiun, Sokrat Mion, Eleni Qiricin, Pandi Raidhin, Mihallaq Luarasin dhe duke përfunduar me Pirro Manin,Vangjush Furxhiun, Ruxhdi Pulahën e të tjerë. Duhet një ndryshim, i cili mund të shoqërohet edhe me veprimtari të tjera, përveç festivalit KOKO.
Teatri ka dhe faqen e tij në Wikipedia, shumë të shkurtër, që për çudi në të vetmin paragraf ka edhe fjalinë “Today there are famous actors and directors such as: Zamira Kita, Sotiraq Bratko and Qendrim Rijani.
I njoh dy “të famshmit” Bratko dhe Kita, por nuk di se cili eshte Qëndrim Rijani.
(E hapa Wikipedian për të kontrolluar vitin e ndërtimit, se rreth tetarit si ndërtim, dua të hedh disa rrjeshta.)
U ndërtua në fundin e viteve ’50, si kino-teatër, me një projekt sovjetik, se në atë kohë edhe në Institutin e Projektimeve në Tiranë nuk kishte arkitektë, që të kishin përvojë në projektimin e tetrove dhe kinemave. I njëjti projekt u zbatua edhe në Vlorë dhe ka mbetur nga jashtë në të njëjtën gjendje, sipas një neo-klasiçizmi të thatë sovjetik.
Ndërtimi edhe pse një vëllim i madh dhe me thyerje interesante, që japin mundësi për arkitektët, të krijojnë vepra të larmishme, ishte i trajtuar si një fasadë plan, simetrike dhe aspak ndjellëse. Më interesant ishte kinemaja “Majestik” e projektuar dhe zbatuar 30 vite më parë edhe pse me fasadë-plan.
Në fund të viteve ’60, sipas idesë të Todi Lubonjës për “modernizimin” e fasadës, u bë ndërhyrja e parë në arkitekturën e teatrit. Nuk jam i sigur, nëse projekti ishte i Koço Koçiut, i cili ishte e vetmi projektues, që mbulonte arkitekturën në Korçë në ato vite. Trajtimi i ri i fasadës, të krijonte përshtypjen e një vëllimi të madh, por duke  qënë vetëm ndërhyrje në një plan, nuk mund të bënte më shumë se krijimin e një holli të ndriçuar dhe mbulimin e hyrjes me një “pensola” të madhe, të mbajtur asimetrikisht me një kollonë në njërin krah. Objekti u lidh edhe me dy pasazhe me banesat ngjitur, dhe njëri krah i shërbente teatrit si sallë provash.
Fasada e re, nuk u prit keq nga opinioni, sepse e para nuk kishte asnjë element të përbashkët me arkitekturën e Korçës dhe sidomos me ndërtimet përreth. Atë kohë ishte ndërtuar edhe hotel turizmi, që ishte gjithashtu asimetrik ne konceptim. Deri atë kohë, teatri e ruajti edhe funksionin si kinema dhe herë herë përdorej si e tillë.
Nga sa kam biseduar me drejtuesit e teatrit në vitet ’80, ai kishte mangësi në ambjente ndihmëse , sidomos në dhoma për aktorët. Gjithashtu mungesat e vendeve për vendosje projektorësh, kishin qënë të dukshme, që më parë, ndaj dy anët e ballkonit, përdoreshin si vende ndriçuesish të skenës. Përgjithësisht atij i mungonin ambjente për prapavijë, për të pasur shfaqje të shumëllojshme dhe të nivelit. Për këtë, në fundin e viteve ’80 ju akordua një fond për shtesë. Ishin vitet e fundit të diktaturës dhe gjendja e materialeve të ndërtimit ishte më e dobët se kurrë. U mora me atë projekt, që u realizua pjesërisht dhe kujtoj, që mungonte tërësisht projekti i parë rus. Nuk gjendej as në arkivat e Ndërmarjes së Ndërtimit. Po atë vit, bënim ecejake me të ndjerin Stavri Shkurti në zdruktarinë “Midhi Kostani”, për të siguruar në kohë poltronat e reja të teatrit, të cilat ndoshta mbetën deri në rikonstruksionin e fundit.
Teatri i Korçs ka patur disa periudha të lavdishme, kulmi i të cilave ka qënë fundi i viteve ’60 dhe fillimi i viteve ’70, kur regjisor ishte Mihallaq Luarasi.
Rikonstruksioni i fundit, e gjen teatrin në pikën më të ulët të tij, duke nisur me nivelin e aktorëve dhe duke përfunduar tek drejtuesit artistikë. Megjithatë, një rikonstruksion ka qënë i domosdoshëm dhe ndoshta i kudogjenduri Pit Uillsën, ka gabuar më pak këtë rradhë.

Gjithsesi, më duhet të kërkoj ndjesë ndaj Qëndrim Rijanit, talentin e të cilit nuk kam pasur rastin ta shoh, se sa për ”të famshmit” Bratko dhe Kita, që merren edhe me politikë, e di se sa ju vlen “lëkura e tyre artistike”.

Monday 19 June 2017

Putanat plaka

Qëlloi të vizitoja Parisin, për herëtë parë, kur zhvillohej fushata elektorale për President e vitit 2007. Qyteti ishte i mbushur me postera. Për mua është qyteti më i bukur në botë dhe nuk më “hynin në sy” posterat elektorale. Por ndërsa kaloja në një rrugë, që quhej nga vendasit “rruga e turqve”, pashë disa prostituta të shkuara në moshë, që prisnin në mes të ditës “gjahun” e tyre. Nuk kisha parë gjë të ngjashme në ato qytete perëndimore, që kam vizituar. Ndërsa zbrisja poshtë rrugës për të shkuar drejt Senës, sepse në mendje, pamja e tyre “surreale” u lidh me kandidatët për President të Francës. Kështu lindi poezia “Putanat plaka”, e përfshirë në përmbledhjen me poezi “Endem”, që më duket se  shkon në çdo fushatë  elektorale.


Ato shfaqen ditën,
Veshur çuditshëm,
            Me flokët “ala garson”
Në rrugën që zhurrmon nga turqit;
Në rrugën ku gjithkush shkon.

Njëra duket si manekin
Me dorën mbështetur tek vitrina,
Sytë e tejlyer
            Dhe gjoksin nxjerrë.
Të vdekur i ka sytë;
Nuk di më sheh mua
            Apo kërkon të tjerë.

Dy të tjerat më poshtë
Me fundet e shkurtër,
            Por barkun mbuluar
Të fshehin të lindjeve shenja.
Thua fëmijët e rritur
I bëjnë të ndjehen më pak të denja.

Për kë votojnë putanat,
Putanat e gjora, mplakur në trotuar?
(Për vota klithin kandidatët
Shqyejnë shoq’-shoqin
            Në të nderit Pazar.)

A thua jeta i ka dërmuar,
A ndoshta s’kanë më besim;
Disa klientë i kanë patur,
Ndaj s’shkojnë kurrë në votim?

Mos ndoshta mbrëmjeve
            Përgjumur,
                        Lodhur,
Kur tmerri, frika
            S’ka fund,
                        S’ka anë,
Në dhomat pisë,
            Jo mirë ngrohur
Thonë:

            “Kjo jetë është putanë!”?

Ed Jorgani


Nuk është faji im, nëse nga veshja me pizhame gjatë fushatës, Ed Rama më bën të mendoj se sa ka dalë nga nën jorgani. Ka një prirje të tij të tregojë, se çdo gjë e ka të lehtë, edhe qeverisjen, edhe fushatën elektorale, edhe manipulimin e mediave, edhe “futjen në thes” të kundërshtarëve, edhe bërjen për vete të grave të moshuara.
Por nëse për Edin, të bërit politikë është një gjë fare “tabako”, votimet, për shumicën dërmuese të popullsisë janë një gjë tejet serioze. Po kështu për shumicën e popullsisë të çdo  vendi demokratik. Ndaj edhe në botë, politikanët edhe nëse ju duket e lehtë, e marrin seriozisht fushatën, vishen në mënyrë serioze, flasin me seriozitet dhe i lenë “batutat e kripura” për dreka e darka mes miqve dhe bashkëpunëtorëve të tyre.
Por ka edhe diçka tjetër, që më bën të lidh Edin me jorganin. Nën një jorgan(elektoral) ka futr edhe ministrant e sukseshëm, edhe të korruptuarit, edhe bibat edhe patokët, edhe të panxënët edhe profesorët, mjaft të mos ja bëjnë fjalën dy.
Por më tepër “kompleksi i jorganit” lidhet me të me kohn, kur për shkak të vështirësiveë  ekonomike nën Diktaturë, jorganët ishin të masave standart dhe Edit, si shumë i gjatë i mbeteshin këmbët gjithnjë jashtë jorganit. I mësuar në adoleshencë dhe në rininë e hershme, që edhe po t’i shtrinte këmbët më shumë nuk e gjente gjë, kryeministri i jonë e zbatoi të kundërtën e parimit të njohur ekonomik në shpenzimet publike. Në katër vitet e tij, paratë u hodhën për lyerje, objekte pa funksione, palma, vijëzime, hedhje objektesh në erë, veliera betoni, kulla për të parë armikun dhe plot idera të tjera shterpo-artistike. “Këmbët” u shtrinë ku e ku më gjat; se sa mbulon jorgani- buxhet i shtetit dhe për këtë, sa më shumë afronin zgjedhjet, afatet e përurimit, u morën të tjera borxhe mbi borxhe.
Shqipëria, tani është me një “jorgan”, që i ngjan më shumë sutjenave, por nën hijen e palmave ama!

Në sajë të Ed Jorganit.

Friday 16 June 2017

Pas 100 vjetësh


Si do jetë Korça pas një shekulli?
Vështirë është ta parashikosh, sepse këtë mijëvjeçar jeta rrjedh me ritme shumë herë më të shpejta se ka rrjedhur mijvjeçarin e kaluar. Në teknologji, në llojet e punësimit, në mënyrat e shfrytëzimit të energjisë, në arkitekturë.
Por nuk e kanë të vështirë ta parashikojnë njerzit “me vizion” të Partisë Socialiste.
Niko Peleshi, me bindje dhe krenari të plotë, siguron zgjedhësit se janë pjesë e një “kohe të madhe, me të cilën korçarët e pas 100 viteve do mburren!”
“Bobo sa mirë i ke llafet!”- do thoshte një i njohuri im, që entusiazmohet shpejt nga deklarata të këtij lloji.
Nuk di nëse kjo periudhë, pas 100 vjetësh do quhet “periudha e Peleshit”, “periudha e Raqkës”, apo “periudha e socialistëve pa dallim ideje”, por është e sigurt, që stërnipat tanë do krenohen. Se si do jetë mënyra e shprehjes së krenarisë pas 100 vitesh edhe kjo nuk është e sigurt, se sot psh çdo gjë bëhet me celular dhe shprehet në mediat sociale.
Mund të arrihet më 2117, që celulari të komandohet me mendje dhe sa të kujtosh Peleshin, një aplikim në celular të të gufojë gjoksin, të të shpjerë shikimin drejt horizontit dhe të të ngrerë ballin lart?
Ndoshta do jenë arritur edhe mënyra të tjera më të sofistikuara.
Për shembull, një lloj sintetizimi i asaj, që një i njohuri tjetër i imi, që shkruan vargje “part-time”, i drejtonte Nikos “je nga ata, që lenë gjurmë në histori”. Nuk ka se si të ketë më Wikipedia pas një shekulli, por me të shtypur emrin në celular, ndriçohen vetë objektet“gjurmë të Peleshit” në qytet, nga Kulla Vrojtuese, Biblioteka e Re, Muzeu i Artit Mesjetar dhe ato, që do ndërtohen legjislaturën që vjen.
Edhe pse vështirë të parashikohen ato, që do sjellë e ardhmja, për disa mënyra tradicionale të nderimit, që përdoren deri tani, është e mira, që Bashkia të mendojë e t’ju paraprijë.
Për shembull vendosja e një piedestali prej guri në krah të Themistokli Gërmenjit, ku mund të vendoset në të ardhmen shtatorja e Nikos. Eshtë përballë edhe me një vepër “bajagi të goditur” të arkitekturës, banesën shumëkatëshe të investitorit “Goneja i Zapeve”.
Banesa e Nikos nga vreshtat mund të shpallet, që tani muze dhe të vizitohet gjatë ditëve të javës nga nxënësit e shkollave dhe turistët dhe të mbyllet në fundjavë, kur Nikoja kthehet në vendlindje.
Gjithashtu mund të mendohet, që si emër të dytë Korça të ketë Pelesh-city, sepse jo vetëm e meriton ta ketë, por mbyllen edhe diskutimet akademike nëse origjina e emrit të qytetit vjen nga “gjorixhe”, “korica”, “gorricë“ apo “dardha fice”.
Një këngë himn?
Kjo nuk besoj se do jetë e zorshme, se shumë poetë kanë thurrur vargje për këtë ekip fitues dhe vizionar dhe nuk do jetë e vështirë, të hidhet në nota nga vëllezërit Prifti, Gena apo nga kantautori Maksi Kulla.

Mund të titullohet edhe “Për ty Parti, për ty Pelesh.”

Thursday 15 June 2017

“Iliada“ dhe Ilkë Ballauri


  Duket, se në botën e sotme të informacionit, mund të mësosh çdo gjë rreth njerëzve të njohur të qytetit tënd. Nuk qënka kështu.
Megjithëse mundohem të lexoj lajmet, që lidhen me Korçën, më kishte shpëtuar një lajm, që duhet të ishte përsëritur dhe ripërsëritur në të gjitha mediat shqiptare, se është diçka që ndodh shumë rrallë.
Ilia Ballauri ka përkthyer dhe botuar (me shpenzimet e tij) “Iliadën”.
Një gjë e tillë vlen në opinionin tim, sa dhjetra kulla të ndërtuara, apo shfaqje të dhëna në Pazar.
Sa e mësova dhe nuk di as se ku ta kërkoj librin dhe edhe nëse do e gjej nuk di nëse do jem në gjendje ta lexoj të gjithin. Nuk e kam lexuar të gjithë as përkthimin e Shllakut edhe pse e kishim në shtëpi.
Duhen përpjekje titanike për ta botuar dhe Ilkës kjo nuk i ka munguar. 
Ilka ka jetuar rreth 100 metra larg apartamentit ku jam rritur dhe e kam parë, që në adoleshencën e tij. Ka pasur një “posture” të veçantë, të ndryshme nga të vëllezërve të tij Leko dhe Taqkë. Më vonë e kam njohur pak dhe rrallë ka qëlluar të flasim për letërsinë apo historinë. Di , që kishte një dashuri të veçantë për Korçën dhe në fund të vitit1996 më erdhi në zyrë, se mendonte të ndërtonte një shtëpi të re. Kishte me vete një projekt të punuar me shumë kujdes nga një inxhiniere greke, e afërme e tij. Më erdhi keq, që i ndërpreva entusiazmin, duke i thënë, që mbase nuk ishte ide e mirë të ndërtonte në Shqipëri. Disa muaj më vonë filloi kaosi, i ngjashëm me rrëmujërat antike, që ka përkthyer tek Homeri.
Para 6 vjetësh e pashë duke fotografuar shtëpitë karakteristike të qytetit, por ishte i përqëndruar dhe nuk e pyeta nëse e ndërtoi apo jo shtëpinë e re në Korçë.
Ilkë Ballauri është tani në moshën e pensionit, por unë përsëri pëlqej ta quaj si “një nga djemtë më të mençur të Korçës”. Iku në Selanik menjëherë pas ndryshimit të sistemit, por është me zemër dhe mendje në Korçë më shumë se qindra korçarë, të cilët jetojnë atje.
Me përkthimin e “Iliadës” ai futet në një rradhë me profesor Kondën, Vangjush Mion, Petraq Pepon, fotograf Sotirin, Qemal Butkën, Tefta Tashkon, Zai Fundon, Aleko Mingën, Petraq Kolevicën, Edison Pashkon, këta korifej të artit, historisë dhe letrave shqipe, që janë rritur kalldrëmeve të qytetit të Korçës.
Ndaj “Iliadës” të përkthyer nga Ilka ka pasur heshtje. Nga Bashkia, ndoshta nga Biblioteka e qytetit, mbase edhe nga Universiteti Fan Noli, ku Ballauri ka studiuar.
Ndoshta Ilka është “i vështirë“ për autoritetet, se nuk besoj se e ka thirrur ndonjëherë kush nga çdo krah politik, për t’i propozuar të bëhet deputet apo edhe vetëm rektor i universitetit.
Askush nuk është kujtuar, të bëjë një mbrëmje me recitime të “Iliadës” në teatër, në Pazar, apo në “Parku Rinia”.
“Iliada” është shumë e vjetër dhe po i tillë duhet të jetë mentaliteti prej “intelektuali të kulluar” i Ilia Ballaurit.
Bashkisë, Universitetit dhe Teatrit nuk i duhet Homeri.

Ju mjaftojnë Nasho Jorgaqi dhe disa poetucë, që shkruajnë vjersha për Niko Peleshin dhe Partinë Socialiste.

Wednesday 14 June 2017

Jashtë një kut, brenda….!


 Eshtë një shprehje vulgare e anëve tona, por e goditur dhe që në dallim me popullsitë e qyteteve të tjera, zbatohej nga shumica e popullsisë korçare dhe ka krijuar ato tradita tashmë të njohura.
Shprehja kishte të bënte me disiplinimin e shpenzimeve “për tu dukur” me shpenzimet e rëndësishme të jetesës dhe sidomos me paraqitjen e hijshme të interierit të banesave korçare. Jo më kot, në pajët e nuseve korçare nuk ju kushtohej rëndësi “bizhuterive apo stolive të tjera”, por qilimave, kuvertave, mbulesave të shtretërve etj.etj.
Po përmend këtë fakt të thjeshtë, të njohur nga të gjithë korçarët, që janë lindur e rritur në Korçë, për dy arsye. E para, është një koncept i gabuar, i shprehur nga disa njerëz , që nuk kanë lidhje me Korçën, se “ korçarët dilnin në rrugë me frak” e dëngla të këtij lloji, të shprehura edhe nga kryeministri Rama gjatë kësaj fushate elektorale.
E dyta, ka të bëjë me aplikimin e parimit të “Rilindjes Urbane”, “që të bëjmë sa më shumë për qendrat e qyteteve”, që të duken të bukura, të rinovuara dhe tërheqëse për turistët.
Edhe në fushatën që po bën Peleshi, edhe pse kam kapur pak grimca të saj, theksohen dhe ritheksohen rikonstruksioni i Teatrit, rikonstruksioni i Bashkisë, një park “fantastik olimpik”, “biblioteka europiane, që po ngrihet” dhe të tjera të ngjashme, që përbëjnë një devijim nga “filozofia tradicionale korçare”, për të konsoliduar fillimisht ekonominë “e familjes” dhe në fund t’i kushtohet vëmendja luksit dhe shpenzimeve “për tu dukur”.
Sigurisht, që investimet publike në qytet, restaurimi i Pazarit, tërheqin turistë, si dhe krijojnë një gjendje më optimiste për qytetarët (nuk di se sa është përqindja e korçarëve, që duan të ikin nga Shqipëria, se në rang republike është 56%), që mund të sjellë rritje në investimet e vogla. Por, a kthehen këto shpenzime “kozmetike”, në shtytësa të ekonomisë të qytetit?
Po bëhet shumë zhurrmë për rikonstruksionin e Teatrit. Bile, Rama tha, “që për herë të parë luhet në Korçë balet!”, a thua se fliste për Moglicën. (Në Korçë ka pasur shkolla dansi para 90 vjetësh dhe balerinë e balerina të nivelit pas Luftës së Dytë.)
Po a është rikonstruksioni, që i mungon Teatrit të Korçës, apo diçka më thelbësore, që quhet Kulturë dhe Cilësi?
Mos është “të lyerit e të ngjyerit” e qyteve një aplikim i filozofisë së Ramës, që i shërben më shumë “shitjes të produktit elektoral” se sa vetë jetës së njerëzve?
Dua të theksoj, që nuk di se ç’ka është më e rëndësishmja në administrimin e qytetit. Trashë trashë, do thoja, tërheqja e investitorëve, qëë do hapin vende pune, duke ju krijuar lehtësira në taksat dhe shpejtësi në realizimin e projekteve.
Nuk di edhe se sa e ka bërë dot administrate e Filos këtë dhe se sa e ndihmon legjislacioni shqiptar për ta bërë.
Pas saj vjen mirëmbajtja e qytetit dhe krijimi i një mjedisi sa më të mirë.
Investimet publike për sektorët, që dalin me humbje(kultura, sporti) vijnë pas krijimit të një baze të shëndoshë ekonomike, sepse janë sektorë, që do kërkojnë vazhdimisht para dhe nuk dihet se si do jetë nesër buxheti i shtetit.
Kjo është logjika e investimeve publike në kapitalizëm. E ndryshme nga ajo, kur “shoku Enver” përuronte pallate e vatra kulture dhe në sheshe hidhnin valle grupet profesioniste dhe amatore.

Jashtë çdo gjë dukej një kut, në darkë në tavolin kishim…!

Korça, Rama dhe Greqia

Ishin dy shkrime në internet, aspak të lidhur me njëri tjetrin, por që më sollën në mendje marëdhëniet tradicionale të Korçës me Greqinë dhe rëndësinë e tyre për të ardhmen. Shkrimi i parë, bënte fjalë për komente të ministrit të jashtëm grek rreth marëdhënieve të sotme (jo të mira) me Shqipërinë, gjatë një fjalimi në Universitetin e Kozanës.
I dyti, ishte intervista e një të moshuare me origjinë nga Leskoviku, që ishte arrestuar nga gjermanët në magazinat e partizanëve në Osojë dhe pasi kishte kaluar javë në burgun e Selanikut bashkë me 4-5 vajza të tjera, ishte dërguar në kampet e përqëndrimit. Ajo dëshmonte jo vetëm për solidaritetin e grave greke në burg, por për ndihmat dhe vizitat e shpeshta, që ju bënin banorët e Selanikut për t’i ndihmuar materialisht dhe shpirtërisht.
Nuk prirem të besoj politikanin Kocias, sepse e di , që i përket të njëjtës racë të ndyrë të politikanëve të Ballkanit, por e besoj plotësisht dëshminë e gruas nga Leskoviku, që dikur ishte internuar sepse ndihmonte forcat nacional-çlirimtare.
Marëdhëniet e trevave të Korçës me Greqinë, kanë pasur ulje dhe ngritje, si kanë gjithmonë marëdhëniet mes fqinjëve gjaknxehtë, zemërakë, të panxënë dhe fodullë. Në periudha të zhvillimit të njërës anë, arroganca është shtuar tek “më zengjini”, e megjithatë, me ta kemi bërë tregëti, kemi ngrënë dhe pirë dhe kemi lidhur edhe krushqira.
Për Korçën Greqia dhe sidomos pjesa “maqedonase’ e saj ka qënë shumë e rëndësishme dhe anasjelltas. Në perëndim të Selanikut, Korça është qyteti me popullsinë më të madhe ndaj është i rëndësishëm edhe për ekonominë e Greqisë Veriore.
Por ka edhe një faktor tjetër shumë të rëndësishëm për Qarkun e Korçës, që lidhet me shtetin fqinj. Mbi 40 mijë korçarë, kolonjarë, devollinj jetojnë në Greqi. Shumë prej tyre kanë marrë edhe nënshtetësinë greke, por kjo nuki bën më pak shqiptarë dhe as më pak të interesuar për ngjarjet në Shqipëri dhe sidomos për marëdhëniet me shtetin grek.
Në mënyrë të pajustifikuar (për të mos e quajtur absurde), në 4 vitet e qeverisjes së Edi Ramës, marëdhëniet me Greqinë kanë shkuar në pikën më të ulët të 20 viteve të fundit. Pa dashur të shfajësoj qeverinë e Cipras-it, që nuk ka se si të shpëtojë nga dritshkurtësia dhe megalomania, që kanë qënë karakteristika të diplomacisë greke në marëdhëniet me fqinjët, përsëri, vetë fakti, që ekonomia greke është prej një kohe të gjatë në krizë, e bën Greqinë më pak arrogante.
Por arroganca (kjo karakteristikë thelbësore e Ramës), ka karakterizuar tashmë marëdhëniet tona me fqinjin lindor. Vizitat e nivelit të lartë kanë munguar tërësisht dhe Rama “flirton” hapur me Erdoganin, duke i lënë të kuptojë Greqisë, se mund të vihet në “një darë“ edhe në lindje edhe në perëndim. Edhe pse ne nuk kemi pse të armiqësohemi me Turqinë, pasi interesat kombëtare e duan një marëdhënie të mirë me të, “armiqësimi” me Greqinë, që jo vetëm është fqinj më i afërt, jo vetëm që është një antar i Bashkimit Europian, por është edhe atdhe i dytë për mijra shqiptarë është joproduktiv dhe i dëmshëm, por do e quaja edhe antishqiptar.
Eshtë e lehtë t’ju biesh “daulleve të nacionalizmit” dhe të bësh njerzit të ndjehen të rëndësishëm edhe pse shumë herë marrin ushqime me listë. E ka bërë për 45 vjet Enver Hoxha. Korçarët, që jetojnë në Greqi (dhe jo vetëm ata) e dinë se sa e rëndësishme është për ta që marëdhëniet me Greqinë të jenë të shkëlqyera. “Hakmarrja” ndaj arrogancës së grekëve që shprehej në operacionet “Fshesa”, ajo e “prishjes së kompjuterave në kufi” për ditë të tëra, e përbuzjes së “allvanosëve”, me të njëjtën monedhë është hakmarrje primitive.
Nuk është aspak e rastit, që ka një rritje të mbështetjes ndaj LSI-së në Korçë. Edhe pse e dinë se cili është Ilir Meta, ka shumë korçarë, që vlerësojnë prirjen e tij për marëdhënie të mira me Greqinë.
Por këtë gjë, nuk është në gjendje t’ja spjegojë aventurierit Rama, as Niko Peleshi, që personalisht ka pasur dhe ka marëdhënie shumë të mira me fqinjët tanë.
Në qarkun e Korçës nuk ka pasur kurrë as edhe një fshat të vetëm me popullsi greke.

Por grekët, me të mirat dhe dobësitë e tyre, i kemi mirëpritur në sofrat tona dhe po ashtu na kanë mirëpritur edhe ata. E di që Edi Ramës nuk i bëhet vonë për këtë, por ndoshta do i bëhet vonë kur të shikojë, që do i firojnë votat në Korçë.

Tuesday 13 June 2017

Mbaje këtë dashuri

Mbaje larg këtë dashuri,
Nga ujrat e kënetës,
Që me të ëmblën jeshile
Të qeta duken,
Mbaje lart këtë dashuri,
Nga e buta baltë e ngrohtë,
Ku të kthjelltit zaje të forcës,
Një çast qëndrojnë
Dhe thellë saj zhduken.
Mbaje në dritë këtë dashuri,
Edhe kur errësira gjykimin të pështjell.
E lagët,
           E shurdhët
Eshtë errësira;
E mpak të bukurën,
Që shëndrit nën diell.
Mbaje të kthjellët këtë dashuri,
Përmes saj shih ku ishe
Dhe ku shkon.
Në vend të mban
Dhe kohrave të shëtit,
Kjo ndjenjë e të përjetshmes rini,
Që mbi krye na zbriti
Dhe gjithshkanë shndron.

Monday 12 June 2017

Kush e solli “Kashein e Pavdekshëm” në Korçë?


Në këtë kohë duhet të ketë qënë 8 vjet më parë. Mesjetologu ynë i shquar i letrave, me siguri do e lidhte me solsticin, me konfliktin në Dafur, me shkëputjen e akullnajës A16 nga brigjet perëndimore të Groenlandës, por unë mund të përmend vetëm faktin, që në qershor të vitit 2009, dikush e solli në vithe të kalit apo në ndenjësen e ngushtë të një avioni “Kashein e Pavdekshëm”.
Nuk ka të bëjë aspak me mitin e njohur të Dhoqinës, e cila ishte e trevave tona dhe e kishin martuar larg. Pitë Uillsën ndoshta nuk kishte dëgjuar kurrë për Korçën deri sa rastësisht, e pat zbuluar ndonjë vasal i Edi Ramës.
Korça nuk është dalluar për “import” ndërtuesish, mjeshtrash, kallfësh apo arkitektësh. Në të kundërt, specialistët e trevave tona thuhet që kanë ndërtuar mrekullira deri në Taxh Mahal. Disa projekte private të arkitektëve grekë, rumunë dhe italianë, janë zbatuar në vitet ’20 dhe ’30, por peshën kryesore e kanë mbajtur vendasit ing.Pilika, ark. Qemal Butka,  kallfët Misto dhe Koço Koçiu etj. Pas Luftës së Dytë, shkëlqyen Petraq Kolevica, Koço Comi, Valentina Pistoli e deri në më të rinjtë.
Vonë, në mijëvjeçarin e ri, jo për arsye të mungesës së arkitektëve korçarë të aftë në Korçë dhe në Tiranë, por për disa arsye artistiko-korruptive-mistike, “mbiu” ky arkitekt australian, i cili mori “eskluzivitetin” e projektimit në Korçë.
Jam i ashpër në fjalët ndaj tij, jo se mendoj se është komplet faji i tij, por arkitektët e vendeve të zhvilluara perëndimore kanë një kod etik dhe profesional, i cili duket se i mungon arkitektit Uillsën.
Arkitektët seriozë, të studiove serioze, tërhiqen kur dyshojnë se ka afera korruptive.
Arkitektët seriozë të studioe serioze, fillojnë venë në dyshim, kur një numur i madh i investitorëve privatë trokasin në dyert e tyre dhe ju thonë “na kanë dërguar të bëjmë tek ju këtë projekt”.
Arkitektët seriozë të studiove serioze, marrin në konsideratë edhe shoqatat e arkitektëve në vendet ku jetojnë dhe mundohen të aplikojnë tarifa të përafërta me mesataren e tregut.
Pitë Uillsën nuk i bën të gjitha këto, ndaj nuk kam pse të kursej asnjë fjalë të ashpër ndaj tij.
Po kush e solli Kashein, që po bëhet i Pavdekshëm me numurin e madh të veprave vetëm në Korçë në këto 8 vjet?
Nikua…Raqka?
Jo asnjëri prej tyre nuk ka patur atë kohë as njohje dhe as predispozicion për të sjellë në qytet idetë e tij të viteve ’60-‘70.
Bile Peleshi, me të drejtë admironte arkitektin shumë të mirë korçar Vladimir Bregun, të cilit pa frikë mund t’i lihet në dorë projektimi i Korçës.
Si në Mesjetën e Dhoqinës dhe Kasheit, atë e solli feudali Edi Rama dhe e “emëroi” “arkitekt të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë“ të kazasë të Korçës. (Nuk është krejt jashtë këtij emërimi edhe deputeti Blushi, që ka qënë anëtar i Jurisë të  qershorit 2009 dhe megjithëse nuk ka lënë gjë pa thënë për Ramën, asnjëherë nuk ka përmendur ndërtimet skandaloze të projektuara nga Pitë Uillsën.)
Korça i ka rezistuar zjarreve, tërmeteve, diktaturës ndaj do kalojë edhe këtë periudhë, kur në mënyrë të fajshme i janë dhënë fuqi të plota projektimi, dikujt, që po le plot vepra të dobëta apo mediokre.

E mira është t’i ndalet dora sa më parë!

Qershor 1997 (fund)

(vijim)

Java e fundit e qershorit ishte java e zgjedhjeve parlamentare. Dukej, që Saliu me “qëndrestarët” e tij do humbisnin. Nuk kisha asnjë simpati për socialistët dhe as për Nanon, që kishte qënë në burg. E kisha ndarë mendjen për të votuar një parti të tretë, sepse për socialistët nuk e mendoja kurrë të hidhja votën, ashtu sikundër nuk mund ta hedh edhe sot. Ajo parti kurrë nuk u shkëput nga trashëgimija e së kaluarës kriminale.
Vendosa të votoja për PBDNj-në, sepse e ndjeja , që duhet të bëja diçka edhe për shokun tim Gjergji Lekën. Nuk më kishte kërkuar kurrë të votoja për ta dhe as ka ditur ndonjëherë se mund të kem votuar për atë parti. Kujtoja duke qeshur edhe shprehjen e famëmadhit Nandi Qirici, që theshte: “E o për të Drejtat e Njeriut do votoj! Ka më mirë se të Drejtat e Njeriut!”
Të nesërmen ose të pasnesërmen e zgjedhjeve, ndërsa vërtitesha në të zakonshmen Valbona-Ushtari i Panjohur –Turizmi, takova Niko Peleshin dhe Raqi Filon, pranë Mësonjtores së Parë, të cilët ishin të shqetësuar për rezultatet e referendumit dhe rrëmujën e atyre ditëve në Pallatin e Kongreseve. E dija, që ishin me Partinë Demokratike, por nuk e mendoja se mund të arrinin deri në absurditetin, që të besonin “përrallën e fitores së monarkisë“. Fillova t’i ngacmoja, se i njihja si djem me mend dhe nuk e prisja, që simpatija për të djathtën , t’i shpinte deri në besimin e dëshpëruar, se kishte ende shpresë, që Saliu mos humbiste përfundimisht. Nikoja nuk duroi shumë dhe më tha” Qënke gëzuar më shumë se Niko Faberi!” Qesha me të madhe dhe i thashë, që vërtet isha i gëzuar, “se largimi i Saliut ishte një imperativ dhe jo se fituan socialistët!’ Raqka, si më i përmbajtur, më tha, që kishin aq prona për të marrë, sa interesi ja u donte të ishin me të djathtën. Nuk di në ishte takimi i fundit me ta para largimit, por më mbeti në mendje, se i kisha njohur për të rinj të mençur dhe jo fanatikë në politikë. Koha e tregoi, që për të dytën kisha patur të drejtë. Nuk ishin fanatikë. Politika i ndihmonte për të përparuar në fushat e tyre dhe vërtet kanë qënë të suksesshëm edhe në biznes, por akoma më shumë në politikë.
Raqi është një administrator i talentuar dhe skrupuloz, ndërsa Nikoja një politikan i lindur! Besoj se të dy do kenë një karrierë të qëndrueshme në politikë.
Në fund të qershorit nisa të paketoj gjërat e shtëpisë. Vëllimin më të madh e zinin librat e babajt, të cilat i ndava në tre kategori. Koleksionin e plotë të revistave “Nëntori” mendova t’ja falja Bibliotekës, por atje nuk treguan ndonjë interes ndaj i lashë brenda kutive.
Ndoshta kishin të drejtë.
Në qershorin e vitit 1997, pjesa më e madhe e të njohurve të mij, shikonin mundësitë se si të largoheshin nga vendi. Askujt nuk i binte ndërmend për libra!
Mes gjërave, që shpërndava, ishte dhe një karabinë pa gushë, të cilën ma pati sjellë një kushëriri im në fund të marsit, për të patur edhe unë një armë në shtëpi. Veç gushës nuk kishte as fishekë. Time bija ende e kujtojnë atë si gjë të pazakontë dhe të frikshme, nën krevatin tim.
Një karabinë e tipit Simonov me kalibër 7.62 mm, pa gushë.
Një burrë afër të 40-ve, që hiqte pas edhe katër të tjerë dhe që po mbetej pa atdhe.

Në sfond, tërë ato ditë, dëgjoheshin këngët e filmit “Flokët”.

Sunday 11 June 2017

Zëvendës çuni më i mirë i Shqipërisë


Pardje, bash në Pazarin e Korçës (nuk di përse e quajnë në shtyp Pazari i Vjetër), Niko Peleshi bëri deklaratën e famshme: “Edi Rama është çuni më i mirë në Shqipëri.”
Ishte një lëvizje e zgjuar e Nikos, se ndërsa shpërndante nga pjatanca ushqim për mësueset në pension, njëra prej tyre (jo për të përfituar më shumë ushqim) tha, që “Nikoja është djali më i mirë në Shqipëri.” Nikoqiri i drekës elektorale, duke e njohur shefin e tij, reagoi menjëherë dhe e përgënjeshtroi. Historia me mbështetjen e Nanos e më pas të Blushit, nuk harrohet kollaj nga hakmarrësi dhe mosmirënjohësi Edi Rama, ndaj edhe pse i ka shërbyer devotshmërisht në këto katër vite, Peleshi e di , që Rama nuk e ka për gjë të të flakë. Tamam në momentin, kur i duket se ti “i bën ndonjë prapaskenë“, ose edhe thjesht mendon “se je më i zoti, apo më i mirë“.
“Cuni më i mirë i Shqipërisë“, ka një histori të gjatë me “shkelje” të shokëve dhe miqve. Bile ka shkuar aq larg në mirësinë e tij, sa ka akuzuar në gjyq gruan, “që Gregun e ka konceptuar me skulptorin Rama dhe jo me piktorin Rama”. Ndaj “shkelmimi” i Lubonjës, Blushit, Zhejit, Kokëdhimës, Doshit dhe plot të tjerëve vetëm plotëson “modelin” e “princit të mosmirënjohjes”, Edvin Kristaq Rama.
“Në politikë nuk ka mirënjohje” mund të hidhet çdo politilog amator apo profesionist. Ka interesa të vendit, të grupit dhe të individit. Interesi ja ka dashur Ramës t’i flakë dhe i ka flakur, ashtu sikundër interesi ja do Peleshit ta quajë “the best çuni” dhe e quan. (Normal, do të shtonte çdo politolog amator.)
Po ç’na “hyn në qese” ne nëse Peleshi gënjen pa ju dridhur qerpiku për “the best çuni”?
Ndopak na intereson.
Nëse “çuni më i mirë i Shqipërisë“ do zgjidhet kryeministër i vendit (gjë që ka shumë të ngjarë) “zëvëndës çuni më i mirë“ do jetë përsëri Peleshi. Investimet për Korçën do rriten, jeta kulturore do gëlojë dhe një ditë mund të gdhihemi në Kryeqëndrën Kulturore të Ballkanit.

(Paçka se “the best çuni”, në Qarr i kishte thënë zëvëndësit të tij “Mjaft na ngute, le t’presin edhe pak për drekë ato plakat! Falas e kanë!)

Saturday 10 June 2017

Bejte e ditëve të fushatës

Nga çadra doli vetetimthi,
Haberin mua më dha krushka,
E hodha menjëherë në blog,
Porse në grykë mu hodh Mushka!

-Asgjë në jetë nuk ke bërë,
Gërmuar ke vëra, vërushka,
Sulmon ti vetëm nga inati,
Se di se ku të shpije mushka!

Vërtet inatin kam me Pitin,
E mbaj sa mund në grykë të pushkës,
Më duket kallfë i dështuar,
Por nuk ja mbush dot mendjen Mushkës!

Po ç’ke – më hidhet avokati,
Në xhep ti nuk fut asnjë dyshkë?
Më mirë merru me Bodlerin
Dhe mos u bëj kot kokëmushkë.

Të njëjtën gjë përsërit Beni,
Dhe shton- S’je mirë nga trutë!
I gjegjem- Do i bie legenit,

Se mushka kështu i do drutë!

Lartësia e ndërtimit dhe Hapësira


Ka një keqkuptim të madh në konceptimin e qyteteve, por edhe në diskutimin e njrëzve lidhur me lartësinë e objekteve apo me vëllimet e tyre.
Modelimi i Hapësirës në bazë të rregullave të Urbanistikës dhe Arkitekturës nuk është një shkencë ekzakte. Eshtë shumë më pranë Artit dhe shkencave empirike. Sigurisht, për të mos gabuar rëndë, shoqëria ngarkon specialistët të përgatisin një tërësi rregullash, mbi bazën e një filozofie të caktuar ekonomike, ndërtimore, mjedisore etj.
Cështja e ndërtimeve të larta, të quajtura qiellgërvishtëse, lidhet me Amerikën dhe me shpikjen e ashensorit, por ndërtime të larta, të quajtura në formë Kulle, ka pasur që në kohë të hershme dhe disi më shumë në Mesjetë.
Në Historinë e Arkitekturës ka shembuj të shumtë, të ndërtimeve të larta elegante, të atyre të zakonshme si edhe të të shëmtuarve. Arkitektura Moderne sipas parimeve të Lë Korbyzjesë, tentoi të shmangte në maksimum ndërtimet me theks vertikal, por si u vërejt pas shumë vitesh të aplikimit të saj ndërkombëtar, njerëzit kanë nevojë të “emocionohen” në hapësirë, në mënyra sa më të larmishme. Ndaj gjenialiteti i korifejve të arkitekturës është gjetja e vëllimit më të mirë të mundshëm, në një hapësirë të caktuar dhe në përputhje me “xhepin e investitorit”. As ka pse me zjarr të mbrohen apo të luftohen ndërtimet vertikale, ashtu si po njëlloj nuk duhet kaluar masa me ato horizontale, me format e pastra gjeometrike e kështu me rradhë.
Receta fatmirësisht ose fatkeqsisht nuk ka.
Për ta hedhur këtë diskutim në një “terren” konkret, po ndalem në një “hapësirë të formuluar”, të cilën e njoh më mirë dhe që është qyteti im i lindjes.
Si shumë qytete të tjera të Ballkanit, ai kishte një prirje të vëllimeve me theks vertikal më shumë se sa horizontal. Nuk e kam fjalën pë minaretë, këmbanoret apo Kullën e Sahatit, por për banesat. Banesat njëkatëshe, me oborre të mëdha thuajse nuk kanë ekzistuar në Korçë. Banorët kanë pasur prirje për zhvillimin e ndërtesës në lartësi dhe theksimin e vertikalitetit me dalje me erkera në katet e sipërme. Shembuj të tillë kanë zanafillë në shekullin e XIX dhe vazhdojnë më tej me ndërtimet e shekullit të XX-të (Majestiku, Pallasi. Farmacia Cekani etj).
Gjithashtu janë pranuar si të pëlqyeshme banesa e 7-katëshit e Kolevicës, Hotel Turizmi i Koço Comit, kompleksi i banesave në Pazari i Ylli Nashit, godina e Postës e Aleko Papakozmajt etj. Jo i njëjtë ka qënë opinioni për banesën me karakter horizontal në posta e vjetër, vepër e arkitektes të shquar korçare Valentina Pistoli, apo të tjera vëllime të kësaj natyre përgjatë arterieve kryesore.
I përmenda këto shembuj të ndërtimeve para viteve ’90, për të theksuar idenë, se problemi i ndërtimeve të reja në Korçë nuk është tek lartësia e tyre, por në raportin me ndërtimet ekzistuese, në elegancën e vëllimeve, si dhe në materialet e përdorura. Vetë kam bindjen se në vende të caktuara të qytetit, qoftë dhe në qendër, nuk ka pse të ketë kufizim në kate. Gjithshka varet nga mënyra se si proporconohet vëllimi dhe nga materiali i përdorur.
Problemi i Kullës Vrojtuese me të cilën jam marë shumë herë nuk është tek lartësia. Ai qëndron tek zënia e panevojshme e një hapësire jo “gjigande”, në mungesa e funksionit, në konceptimin  e saj “fortifikues” dhe në materialet e përdorura. Biblioteka e re është tërësisht horizontale, por ka të meta të mëdha në konceptimin vëllimor dhe trajtimin arkitekturor. Për më tepër nuk ka asnjë lloj harmonizimi me objektet , që e rrethojnë. E njëjta gjë thuhet pa hezitim edhe per Muzeun e Gjon Milit.
Ka një shembull shumë sinjifikativ, të ndërtimit të një Kulle, në një qytet të vogël, ku ndërtimet nuk i kalonin të tre katet. Eshtë “Price Tower” e Rajtit (Frank Lloyd Wright) në Bartlesville, Oklahoma. Edhe pse objekti në fjalë, është 19 kate, jo vetëm nuk prish siluetën e qytetit, por e pasuron atë, duke u konsideruar gjithashtu si një nga veprat më të arritura të Rajtit. Në kohën e ndërtimit, qyteti kishte vetëm 30 mijë banorë, pra më I vogël se Korça.
Për më tepër sot, kur metali dhe “muret e qelqta”, krijojnë mundësi për vëllime tërësisht të lehta dhe më të larmishme në forma, nuk ka pse t’i trembesh lartësisë.
Ajo nga e cila duhet të ketë frikë çdo investitor dhe projektues është nxitimi në projektim, etja për të shfrytëzuar në maksimum sipërfaqen e truallit dhe përdorimi i materialeve me kosto të ulët, që sjellin fitim të madh.
Duke ju rikthyer edhe një herë projekteve të arkitektit Uillsën, ato, për fat të keq, vuajnë nga këto tre karakteristika të përmendura më sipër.
Në Korçë është projektuar me elegncë në ditët e saj më të mira dhe duhet të bëhen përpjekje për të projektuar sipas të njëjtës filozofi.
Pa dashur të fyej Shijakun apo Peqinin, por duke qënë hapësira të një konceptimi të një natyre tjetër, mendoj se pikërisht atje duhet të orientohet nga Kryeministria për të projektuar Profesori Uillsën.



 (Në foto janë Price Tower e F.LL.Wright 1956, “Marylin Monroe Towers” Mississauga 2006 MAD Architects, Cinnamon Tower Hamburg e “Bolles+Willson” 2016)