Friday 29 August 2014

Fundgushti dhe Spleen

SPLEEN

Jam bërë  si mbret i një vendi të begatë
Rinosh por i plakur, zengjin por i paaftë.
Që përbuz përuljet e të tijve mentorë
Mërzitur nga lehjet e besnik[ve langorë
Që nuk zbavitet më nga gjahu, skifterët
Nga turma që gajas kur vrasin të mjerët
Nga këngët gazmore të më t’mirit bufon,
Përçartjet e marra të dikujt që lëngon;
Sarkofag ju kthye i madhërishmi shtrat
Zonjushat e ngjyera  nuk e lenë rehat
Dhe s’dinë  si ta joshin me të tyret veshje
T’i marrin fantazmës të fundit buzëqeshje;
Alkimisti që nxjerr dhe nga gurët flori,
Më kot përdor tretësa të gjejë mendjes së ti;
Dhe as banjot plot gjak ku romakët e vjetër
Lakuriq futeshin, që të zgjatnin jetën,
Nuk ja ringjallin dot trupin e zalisur,

Në rremba ujë rrjedh prej Lithit, Ferrit nisur.

Tuesday 26 August 2014

Nje tjeter Spleen e Bodlerit

SPLEEN

Më se njëmijë vjet mënjanë kam kujtime
Boro plot sirtarë, të mbushur me shënime,
Me vargje, thirrje gjyqi, letra dashurie
Krrela flokësh pështjellë me fletë llogarie,
Mbajnë më shumë të fshehta se truri im i brishtë.
Si një piramidë, zbrazëti e trishtë,
Si varr i përbashkët,  plot kufoma mbushur
-Jam vec një varrezë nga hëna përbuzur
Ku të gjetët vargje si pendimi zvarrgur
Hanë pa mëshirë të vdekurit e dashur.
Jam buduar i vjetër plot lule të tharra
Me petka démodé, ndrresa të palara
Me Bushe të zbehta, pastele vajtonjës,
Vetëm, të spërkatur" parfum kutërbonjës.

S’ka gjë më të gjatë se të zvargurat ditë
Kur nën flokët e rëndë të t’brymosurit vit,
Mërzia, kjo pljellë e kureshtjes së vdekur
Të përjetshmen arrin në kët bot’ të mekur.
-Tashmë më nuk je e gjallë krijesë!
Veë një bllok i gurtë n’Saharën pa vesë,
I gjithi pështjellë nga tmerre dyzuar
Një i plakur Sfinks nga bota harruar,
Mes nayrës së egër, prej hartës i fshirë,

Kur dielli zë e fshihet, i bie tëndes lirë

Monday 25 August 2014

FEJA DHE MORALI (A janë klerikët ruajtësit e Moralit?)

A janë klerikët ruajtësit e Moralit?


Besoj se nuk ka mes miqve të mij ndonjë, që do i përgjigjej kësaj pyetje me PO. Jo vetëm nuk janë, por asnjëherë nuk kanë qënë.
Si të tillë ne nuk kemi pse të identifikojmë moralin e një shoqërie apo të një organizimi fetar, apo edhe të një sekti, me veprimet e klerikëve.
Nga shprehjet e para, që kam dëgjuar i vogël rreth priftërinjve ortodoksë, ka qënë shprehja “Bëni si them unë, por mos bëni si bëj unë“. Edhe pse nuk dua ta përgjithësoj, për gjithë priftërinjtë tanë të themi të 100 viteve të fundit, përsëri një të vërtetë të madhe ka në këtë thënie. Dhe kjo jo sepse në natyrën e klerikut është karakteristikë kryesore hipokrizia, por se standartet e moralit të predikuara në Kishat dhe tempujt e tjera fetare kanë qënë gjithnjë të larta dhe të vështira për tu plotësuar nga të gjithë klerikët. Gjithashtu, shpesh “profesioni” i priftit, hoxhës apo i babait të teqesë, konsiderohet jo i vështirë dhe që mund të sigurojë një jetë mbi mesataren ndaj jo të gjithë ata që ju futen studimeve fetare kanë vokacionin e duhur për tu bërë mësues dhe udhëheqës shpirtërorë të një bashkësie.
Ndaj me të drejtë flitet për skandalet e priftërinjve katolikë, ortodoksë, të rabinëve apo myftijve, për mashtrimet e televangjelistëve e të tjerë. Faji i tyre është moralisht dy herë më i dënueshëm, sepse mbi ta bie edhe faji i hipokrizisë.
E megjithatë, po e përsërit , që nuk duhet të ngatërrojmë veprimet e një prifti pedofil apo të një imami luftënxitës, me doktrinën fetare. Për më tepër duhet të pranojmë, që në fushën e Moralit, doktrinat fetare jo vetëm i kanë paraprirë shoqërisë, por edhe nëse në aspekte të caktuara të tij kanë mbetur pas zhvilimeve shoqërore, institucionet fetare kanë ditur t’i përshtatin. Sigurisht , që jo të gjitha institucionet fetare apo sektet kanë të njëjtin fleksibilitet kur bëhet fjalë për pranimin e ndryshimeve.
Ka raste ekstreme të “mbrojtjes së moralit”, si psh të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, që del rrugëve dhe ndëshkon të rinjtë që vishen ndryshe nga normat e përcaktuara nga Ajatollahu, por kjo ka ndodhur edhe në regjimet totalitare e sidomos në ato komuniste. Të ngjashme ishin daljet e Mehmet Shehut dhe instruktorëve të rinisë në Tiranë, që ndalnin të rinjtë flokëgjatë apo vajzat me minifunde në vitet ’70. Më në masë ishin veprimet e Gardistëve të Kuq në Pekin e Shangai. Të gjithë këta i atribuojnë vetes cilësinë e Rojeve të Moralit qoftë ky shiit, komunist apo i ndonjë ideologjie tjetër. Këta, por edhe gjithë të tjerët, që pretendojnë këtë gjë, nuk janë gjë tjetër veç kopje të këqija të së Pamoralshmes.

Sot flitet shumë rreth rolit ‘regresiv” të predikonjësve islamikë në xhamitë e qyteteve europianë dhe të Amerikës së Veriut. Edhe pse nuk dua ta mohoj këtë fakt, se nuk di përqindjen e predikuesve, që kërkojnë kthimin e Sheriha-s apo edhe Xhihad-it kundër të pabesëve, në raport me ata , që predikojnë paqen dhe virtytet morale universal, theksoj se nuk duhet të ngatërrojmë klerikët me Islamin. Në fillimin e Luftrave Botërore edhe pse Kishat nuk ishin nismëtaret e konflikteve të përgjakshme, krerët e tyre i bekuan trupat e krishtera austriake, gjermane, ruse, franceze, angleze, amerikane, kanadeze, etj. për të vrarë njëri tjetrin në e mër të Zotit dhe Kombit. 

Sunday 24 August 2014

Kur i numuronte asnjë nuk i shkonte.

Kjo më shkoi në mendje, kur lexova sot lajmin se Ad Fulloni do i numurojë gjithë paratë e Bankës Kombëtare, se duket se janë mangut më shumë se ato 7 milion dollarë të vjedhura. Personi i Ad Fullonit më ka bërë gjithnjë të ve buzën në gaz, për shkak të një historie , që tregohej kur ishim në vitet e para të Universitetit. Atë kohë, Fulloni ishte pjesë e një grupi të rinjsh simpatikë, që kryhesoheshin nga Piro Koleka(basketbollisti i njohur) dhe që rrinin çdo darkë në sofatet e sipërme në Kafe Gjirokastra. (Besoj se pak vetë e kujtojnë edhe këtë nofko-toponim të Tiranës. Kështu quhej në vitet 50-60 lulishtja pas Skënderbeut, se në të mblidheshin shumë gjirokastritë, që nuk donin të prishnin para kafeneve.)
Grupi i Piro Kolekës binte në sy, se ishin djem, që kishin mbaruar universitetet dhe rrinin të veshur mirë. Ishin si tip “beqarë të pëlqyeshëm” për atë kohë. Ad Fulloni ishte një biond simpatik, pak i fryrë, të cilin dukej që e ngacmonin dhe ngacmonte. Historia, që erdhi deri tek veshët e brezit tonë, që ishim rreth 6-7 vjet më të rinj se ata ishte kjo:
Në ato vite, besoj se gjithë e kujtojnë, se të rinjtë bënin më shumë dashuri jashtë, se ishte shumë e vështirë të kishe shtëpinë “bosh”. Një apartament i një familjeje në plazh, ose në një dasmë diku larg, ishte një “asset’ I pacmuar për të rinjtë, që mund të kishin “akses”. Natyrisht, nuk ishte  e pazakonshme, që pas një pasditeje apo paraditeje dashurie, djemtë, ashtu si tek kënga e famshme e Mia Martinit, t’ju tregonin shokëve me hollësi për aventurën e dashurisë. Fulloni kishte disa ditë, që kërkonte një çelës apartamenti ‘bosh” për “njonën, që sa kishte rregullu”. Më në fund, njëri nga të rinjtë e grupit i dha për një pasdite të vetme çelësat e apartamentit të tij. Në darkë, në vendin e zakonshëm përballë Bashkisë së sotme, Ad Fulloni gjithë entusiazëm u bashkua me grupin he pas pyetjes së zakonshme “E Fullono si dole?” filloi të tregonte plot ngjyra dhe humor gjithë aventurën erotike, mes komenteve dhe pyetjeve të shokëe të tij. Pas më shumë se një gjysëm ore tregimi pikant, i zoti i apartamentit ju drejtua Ad Fullonit duke i thënë: “Bjer mr dreq çelsat se jan t’komodinës!”

Këtij njeriu i dhamë shumë vite më parë çelësat e Bankës së Shtetit!

Saturday 23 August 2014

FEJA DHE MORALI (Morali i Muhametit dhe ndikimi në Shqipëri.)

Morali i Muhametit dhe ndikimi në Shqipëri.

Ballkani jetoi 5 shekuj nën qeverisjen e Turqisë, si dhe pati edhe disa dhjetra vjet më parë, kontaktet me fenë islame dhe me moralin, që rridhte prej saj. Nuk jam njohës i mirë i Kuranit, por me sa di nga librat e studiuesve të paanshëm, me përjshtime të vogla përmban të njëjtat parime morale me judaizmin dhe deri diku edhe me fenë e krishterë.
Eshtë interesante ngjashmëria që ka Muhameti me Budën, Shën Agustinin dhe Shën Franceskun përsa i përket kthimit në një jetë shpirtërore dhe shumë të moralshme duke u larguar nga jeta “e suksesshme”.
Të gjithë patën “iluminime” të çastit, që sollën ndryshime diametrale në jetën e tyre. Vërtet, që përhapja e fesë islame në Gadishullin Arabik nuk u arrit vetëm nëpërmjet predikimit, por pati edhe konfrontime të armatosura me kundërshtarët paganë, por kjo më tepër në sajë të përndjekjes së dhunshme, që i bënë kundërshtarët Muhametit dhe pasuesve të tij.
Ka shumë debate sot në Botën e përparuar si dhe në Shqipëri, që duan të paraqisin fenë islame s një besim fetar të prapambetur, apo edhe agresiv e të pamoralshëm, por e vërteta nuk është ashtu. Ndryshimet në moralin e të krishterëve dhe myslymanëve në Shqipëri nuk kishin thuajse asnjë ndryshim. Edhe rastet e poligamisë(të lejuar në fenë islame, për kushtet e Arabisë të Mesjetës)në Shqipëri ishin shumë të rralla. Ka qënë ky moral i njëjtë, që ka sjellë atë që quajmë tolerancë fetare, se sa për tolerancë ne Ballkanasit apo edhe Mesdhetarët nuk shquhemi.

Spekullohet edhe me të metat e popullit tonë apo edhe të Ballkanasve të tjerë, se ato janë si rezultat i prapambetjes, që la tek ne Turqia apo feja islame. Ne ndryshojmë shumë pak nga Kalabria dhe kalabrezët apo edhe zona të tjera të Mesdheut ku nuk ka shkelur këmbë turku. Edukata e punës, solidariteti mes njerëzve, raporti me institucionet gjyqësore e të tjera gjëra të ndryshme me Europën Veriore nuk i kanë rrënjët thjesht në islamizmi, por më shumë në kushtet klimaterike dhe në morali i katolikëve dhe ortodoksëve, që ka ndryshim me atë të protestanëve.

Friday 22 August 2014

FEJA DHE MORALI (Morali i të krishterëve të para-Konstantinit.)

Morali i të krishterëve të para-Konstantinit.

Ka një periudhë prej tre shekujsh, deri në momentin, që feja zyrtare e Perandorise Romake u be feja e krishterë. Qe prej kryqëzimit të Krishtit, në dhjetra vendbanime të Mesdheut, dishepujt e tij dhe të tjerë pasues përhapën me ngulm dhe vetmohim mësimet e tij.
Pa u ndalur në mesazhin tepër revolucionar dhe të veçantë të ideve të Jezuit duhet thënë se të krishterët e parë jo vetëm u përndoqën dhe u vranë e burgosën vetëm për mesazhin, që jepnin, por jeta tyre ishte shembull i një jete të pastër dhe plot altruizëm. Në dallim nga jeta epikuriane e qyteteve të botës romake dhe asaj helenistike, të krishterët predikonin një jetë me moral të lartë dhe plot virtyte larg lakmisë, grykësisë, seksualizmit pa fre, orgjive. Bënin një jetë të thjeshtë, me një ndienjë të fortë të bashkësisë së tyre, vlerësonin gratë dhe fëmijët etj. Ishte kjo një nga arsyet kryesore, që edhe pas treqind vjet persekutimesh, në gjithë Perandorinë Romake numuri i të krishterëve sa vinte e shtohej deri sa arriti të shpallej feja zyrtare e Perandorisë. Duhet thënë se nuk ishte Perandori Konstantin i pari , që e bëri fe zyrtare. Mbretëria e Armenisë, kishte 20 vjet, që e kishte bërë zyrtare. Dua të them, që përhapja nuk ishte rrjedhojë e përqafimit të fesë nga Konstantini dhe shteti ja u imponoi njerëzve. Eshtë e kundërta. Numuri i krishterëve ishte vazhdimisht në rritje dhe solli zyrtarizimin e fesë. Dhe këtë misionarët e parë, që ishin apostujt, si edhe ata që erdhën pas tyre e bënë me fjalë dhe me shembullin e një jete të devotshme. Nuk përdorën as thika, as shpata dhe as mashtrime.
Sigurisht, që në përhapjen e Krishtërimit ka luajtur rol edhe ideja bazë e Ringjalljes dhe e një bote të përjetshme. E megjithatë kjo nuk ishte një ide e re apo që nuk përmbahej në fetë politeiste. Tek njerëzit përreth Mesdheut, u gërshetuan me Zotin e Plotfuqishëm mësimet e barazisë mes njerëzve, të kërkimit të vlerave shpirtërore dhe jo vetëm material, të dashurisë të tjetrit po njëlloj si veten, të faljes, të kundërshtimit të dhunës, të respektit për të moshuarit, të mbrojtjes të të dobëtve, të gjetjes të së qashtrës tek fëmijët, të vlerësimit të grave, të ndihmës edhe ndaj të huajit etj.

Mësime të tilla morali dhe shembuj të një jete bazuar mbi këto mësime ishin arsyet pse krishtërimi dominoi mbi doktrinat e tjera fetare të asaj kohe.

Thursday 21 August 2014

FEJA DHE MORALI (Morali i qytetërimeve antike të zhvilluara)

Morali i qytetërimeve antike të zhvilluara

Sigurisht, që ndikimi i Dekalogut të Moisiut nuk kishte në 1400 vitet e para, të njëjtin ndikim që ka në botën e sotme. Arsyet janë të shumta dhe më kryesorja është ajo, se ende nuk kishte dalë në botën ]ifute(dhe jo vetëm në të) një profet i përmasave qiellore dhe me një mesazh shumë të ndryshëm nga ]’ka kishte parë deri në atë kohë bota rreth Mesdheut dhe rreth lumenjve Tigër dhe Eufrat.
Ka patur disa qytetërime të zhvilluara. Pa përjashtim të gjithë kishin pasur Fenë në përbërjen e tyre dhe gjithashtu edhe Moralin e tyre. Më të njohurit dhe më të fundit ishin ai Grek dhe Romak. Ka një prirje në historiografinë materialiste, që të ekzagjerojë ndikimin e Botëve antike Greke dhe Romake në qytetërimin e m[vonsh[m dhe sidomos në atë modern. Nuk dua të zgjatem shumë në këtë temë, sepse më intereson më tepër raporti ndërmjet Fesë dhe Moralit.
Jo vetëm në Greqinë pre-Homerike, e sunduar nga përzjerja e moralit me politeizmin, por edhe në Greqinë më të zhvilluar të kohëve të Sokratit , Perikleut, Platonit dhe Aristotelit kishte shumë barbarizëm dhe moral larg atij të kohës së sotme. 25 vitet e luftës për Trojën, të përshkruara në Iliada, janë të mbushura me krime nga më barbaret, që fillojnë me sakrifikimin e të bijës së Agamemnonit në tempull e mbyllen me vrasjen e grave dhe fëmijëve Trojanë dhe pla]kitjen e Trojës. Sakrifikimi i njerëzve dhe skllavëria janë dy nga gjërat kryesore të pamoralshme, që vazhduan deri në perëndimin e qytetërimit grek. Një lloj tjetër “skllavërimi” mes qytetarëve të lirë grekë, është ai i marëdhënieve seksuale mentor-nxënës shumë i përhapur në disa nga qytetet shtete të Greqisë së Lashtë. Ishte inkurajim i pedofilisë dhe për fat të keq ka prekur shumë mendje të ndritura të antikitetit grek.

I ngjashëm ishte barbarizmi romak(pavarësisht nga arritjet në kulturë dhe art, apo dhe ndërtime të tij). Skllavëria, ekzekutimet në masë, por edhe sakrifikimi i njerëzve në tempuj vazhdoi. Si kurrë ndonjëherë, vrasja e njerëzve me njëri tjetrin apo me kafshët ishte zbavitja kryesore e ‘të qytetëruarve”. Qindra objekte të ngjasme me Koloseun u ndërtuan përreth Mesdheut dhe në Europën Qëndrore, ku jepeshin shfaqjet “makabre” të përleshjeve të gladiatorëve.

Wednesday 20 August 2014

FEJA DHE MORALI (Moisiu dhe Gonet)

Po përpiqem të hedh disa faqe me një gjuhë të thjeshtë, se si e kuptoj unë raportin mes Fesë dhe Moralit, që na kanë mësuar qysh në fëmijëri dhe, që e kemi plotësuar nën ndikimin e mësimeve, të cilat i jep në mënyra të ndryshme shoqëria njerëzore. Më shtyn ta bëj jo vetëm rasti i Abuzuesit të Sarandës, por të gjithë rastet , që tregojnë për bjerrje të moralit në Shoqërinë Shqiptare. Eshtë Bashkësia Njerëzore, të cilën e njoh më mirë. 

Moisiu dhe Gonet

Edhe pse në familjet ku u rritëm unë dhe shokët e shoqet moshatarë me mua, nuk flitej për Perëndinë apo nuk na mësuan të luteshim, mësimet për Moralin vinin nga Dekalogu i Moisiut. Askënd mos e gënjejë mendja, se nëse prindrit i kishte ateistë, apo edhe shumë të kënduar, morali i tyre apo ato ç’ka i përcillnin, vinin nga Rusoj, Marksi, Darvini apo nga Makarenkoja. Për rreth 3500 vjetët e fundit të Shoqërisë njerëzore, jo vetëm vendet përreth Mesdheut dhe popujt, që jetonin në to, por gati i gjithë Globi ndjek parimet bazë të Morali, të sjella të gdhendura në pllaka guri nga mali Sinai.
Mbase Moisiu, i lodhur nga “Gonet”, që vidhnin, vrisnin, flinin me gratë e të tjerëve, gënjenin në gjyqet e tribusë, ndenji 40 ditë majë malit për t’i gdhendur pllakat me 10 parimet pazë të Ligjit të Cifutëve duke menduar se kjo ishte mënyra më e mirë, që turmat të ndërtonin një shoqëri të shëndetshme. T’i paraqiste si ligje të shkruara nga gishti i vetë Zotit. Dhe kishte shumë të drejtë, se në 40 ditët që ai nuk ishte mes”grigjës” së tij, turma, përfshi këtu edhe të vëllanë Aron, ksihte filluar të derdhte një statujë të Viçit të Artë, që do ishte Perëndia e re.
Sigurisht, që morali ynë i sotëm përmban shumë më shumë parime se ato dhjetë bazë të Moisiut. Ka edhe një parim shumë të rëndësishëm, atë të Lirisë së Mendimit dhe të Respektimit të Ideve, Besimit të tjetrit, ku hyn edhe e drejta për të mosbesuar as tek Zoti, as tek Bibla dhe as tek Moisiu. Por , që Morali ynë i sotëm i ka rrënjët në Besimin Monoteist Cifut kjo është një e vërtetë e padiskutueshme. Pa të do kishte edhe më tepër barbari, edhe më tepër luftra edhe më tepër perversitete. Jo se historia e Njerëzimit në këto 3500 vjet nuk ka të tilla, por do ishte shumë më e ndryshme nëse nuk do kishte formuluar Moisiu ato dhjetë Porosi. Ende në pjesën më të madhe të Globit do kishte tribu kanibalësh, që vrisnin, hanin njeri tjetrin dhe e skllavëronin. Me një fjalë Globi do ishte dingë me Gone.


Tuesday 19 August 2014

A është Komandant Goneja ateist?

I kam dëgjuar dy bisedat e rregjistruara të Kom Gones dhe sepse janë të pazakonta, kam dashur të kuptoj se ç’mund të ketë në kokën e tij. Më është krijuar bindja, që komandanti nuk është thjesht pedofil. Më tepër do ta cilësoja si një maniak seksual ose “koleksionist aventurash seksuale”.
Rasti I Komit duket se është pjesë e psikologjisë të shoqërisë shqiptare të burrave macho, të cilën e kam prekur dikur në shkrimin “E kam ferru këtë!” Komandanti nuk ndjehet i turpëruar(aq më pak I tmerruar) nga fakti, që E.G. ka vënë në dijeni për kërkesën e tij, shokun e tij Kostaq. Nuk ka në reagimin e tij asnjë ndienjë dyshimi a keqardhjeje apo pendimi. Komandanti bile mburret se ka të dashura, që “po t’I shohësh të ik mendja”.
Më kujtohet një episod i 30 viteve më parë, kur një i njohur i martuar më mburrej se kishte tre të dashura. Njëra syresh dukej si burrë, e dyta kishte një dorë të cungët dhe e treta ishte vartëse e tij. Epëria e burrit që mburrej kishte të bënte me pushtetin mbi to dhe me një psikologji të prapambetur e të një njeriu, që mendon se në këtë botë duhet të sundosh dhe të të sundojnë, nënshtrimin e tre “gati handikapateve” e quante kulmin e burrërisë.
E lidha këtë ngjarje të së shkuarës me Kom Gonen dhe me ateizmin edhe pse mund të duket se nuk kanë asnjë lidhje. Ose më mirë le të themi me ateizmin e prapambetur komunist të periudhës së Diktaturës.
Në atë system “pa din e pa iman”, ata që dinin më mirë se si funksiononte sistemi  ‘vasalizmit” me peqe-lepe ndaj shokëve Lart dhe duke shtypur shokët poshtë. Ata , që kishin më pak frikë dhe as një fije morali “shtypnin” sa mundnin edhe shoqet poshtë. Të gjithë i kanë dëgjuar “bëmat” e Feçor Shehut, që kur kishte qënë Kryetar Dege në Shkodër e deri sa u arrestua si Ministër i Brendshëm. Bëmat faqezeza të disa sekretarëve të Partisë në Korçë nuk ishin sekret gjithashtu. Mes viktimave kishte edhe gjimnaziste. Abuzimi me pushtetin për përfitime seksuale edhe me minorene, ka qënë jo pak I përhapur në kohën e Diktaturës dhe më të shquarit ishin Partiakët e Lartë dhe Degaxhinjtë.
Komandant Goneja është mashkulli tipik karrierist i kohës së Diktaturës. Sa më lart drejt majës së Piramidës për të patur më shumë përfitime, përfshi këtu edhe pushtet mbi gratë.
Ateizmi i Gones së sotëm dhe i Goneve të atëhershëm ka të bëjë me mungesën e dy gjërave kryesore. Dashurisë për Lirinë dhe Pasjes të gjërave të shenjta. Një njeri I Lirë nuk abuzon kurrë me pushtetin. Në jetën e tij mund të ketë edhe shumë lidhje me gra(edhe në të njëjtën kohë), por janë të bazuara në vullnetin e lirë të çdokujt për të bërë atë që i pëlqen. Kom Goneja nuk ka asgjë të shenjtë, se në të kundërt do e bënte të dridhej vetëm idea se mund të bënte seks me dikë, në moshën e nipërve dhe mbesave të tij.
Për fatin e mirë të vajzës, nëna e saj nuk u nënshtrua por e denoncoi Gonen.

Ka dhjetra vajza, që sot janë gra ose gjyshe, të cilat janë mashtruar nga Gonet e Diktaturës dhe askush jo vetëm është dënuar, por as ka kërkuar falje për to. Janë viktima, që nuk mund tëpërfitojnë as kompesime, si të persekutarit e tjerë.

Sunday 17 August 2014

Kur lexon shume shtypin shqiptar

Trokita në derën ku shkruhej Burimet Njerëzore dhe pasi dëgjova një zë burri, që tha “Hyrë!”ula dorezën dhe u ndodha në një  zyrë të mobiluar mirë me një tavolinë të madhe dhe një burrë afër të 60-ve. “Qënka i brezit tim” mendova dhe u ndjeva i lehtësuar edhe pse nuk e njihja. Burim Njerëzorsi më ftoi me dorë të ulesha dhe pyeti:
BN- Përse kini ardhur zotëri?
NM- Po…kam sjellë Cv-në time, sipas shpalljes nga Bashkia për një vend pune për arkitekt.
BN- Ok. Nëma ta shikoj.
Ja zgjata Burim Njerëzorsit, afër të 60-ve, të cilin nuk e kisha parë ndonjëherë, por isha i sigurt që do bënte diçka të mirë për mua.
BN- Ju kini qënë në Kanada.
NM- Po.
BN- Pse je kthyer apo nuk i kishe kartrat në rregull.
NM- Jo i kisha, por arsye familjare. Mendova dhe tani, që iku Berisha mund të ketë më shumë mundësi investimesh dhe punë edhe për mua.
BN- Ke qënë në PS?
NM- Jo nuk kam qënë asnjëherë nëpër Parti.
BN- C’do të thuash me këtë?
NM- Po…si të them….unë anoj nga e Majta po nuk kam hyrë ndonjëherë në parti…kam ikur më ’97tën.
BN- ..He…ju vajtën shtatë atëhere tërë ju gurëve të lehtë…Tani e kuptuat që guri rëndon në vendin e vet.
NM-…E drejtë, po edhe frikë ishte…ishim me fëmijë të vegjël…
BN- Dhe tani i doni qofte hë?. Ke ndonjë rekomandim nga ndonjë shok i PS-së?
NM-…JO…po kam një foto me Aleko Përgjikën e PS-së. E mbaj me vete.
BN- Nuk na duhet. Ke Master?
NM- Jo…në kohën tonë nuk kishte mastera…
BN-…e je me të vjetrën…gjërat mor zotëri kanë ndryshuar…Sa vjet ke që nuk ke qënë këtu?
NM- Më shumë se tre vjet.
BN- Oho nuk di ti sa kanë ndryshuar…po diçka mund të bëhet..
NM- Faleminderit…
BN- Prit prit se ti nuk e ke shumë të qartë se ç’ka ndryshuar..
NM- …po nuk e di,  po kanë ndryshuar…
BN- ..Se ti vërtet 55 me sa shikoj në CV…po mbahesh mirë…
NM- Ashtu është. Jam ca mbipeshë dhe me kolesterol të rritur po pa ndonjë problem tjetër.
BN- …Se këtu gjërat kanë ndryshuar…jemi tamam Perëndim tani…Mund t’ju thërres Maqkë?
NM- Po si jo.
BN- E kështu ti Maqkë, se gjërat domethënë janë të lidhura dhe me orientimin …kupton?
NM- Po unë nga e Majta anoj , po…
BN-..atë e mora vesh unë ti Maqkë, por është fjala edhe për orientimin kupton, që edhe unë të shkel disa nga rregullat e mia…
NM- …të them të drejtën nuk po ju kuptoj…
BN- E po se kanë ndodhur shumë ndryshime ti Maqkë…tani…nëpër vendet e punës ne kupton, marrim më shumë femra nën 18 vjet dhe burra….ka ikur koha e prioritetit ndaj grave kupton…
NM- Po ky është një avantazh për mua si kandidat burrë apo jo?
BN- …sigurisht Maqkë, për më tepër, që më dukesh edhe si tipi im dhe i Kryetarit të Bashkisë?
NM – C’doni të thoni me këtë?
BN- (duke mu afruar)..bëjmë edhe orgjira vetëm me burra…të gjithë cullak….

(U ngrita i mbytyr në djersë. Endrra më e tëmerrshme, që kam parë gjatë këtyre viteve të Emigrimit. Duhet të mos lexoj më Gazeta Shqiptare!)



Po jo në trapezë de!

Në fillimin e viteve ’80, në Tiranë qarkullonte një histori e shkurtër. Disa vite më parë, një punonjës Partie jo me shumë eksperiencë jashtë shtetit ishte emëruar ambasador në Hungari. Ditëtë e para, një nga sekretarët e kishte nxjerrë nëpër Budapest dhe ambasadorit të pamësuar, i kishte rënë në sy që çiftet e rinj jo vetëm putheshin rrugëve por dhe e tepronin në përkëdheljet ndaj njëri tjetrit. Kishte pyetur sekretarin dhe kishte marrë përgjigjen “Kështu është këtu!”. Në një shëtitje në një park të Budapestit, pa edhe me të rritur, që bënin të njëjtën gjë, bile disa nga çiftet gati kryenin aktin seksual pa ju bërë vonë për të tjerët. I tronditur, i tha me gjysëm zëri sekretarit “E po kur është kështu edhe ju  s’kini si bëni ndryshe.” Punonjësit e ambasadës, të inkurajuar nga qëndrimi liberal I ambasadorit, me sa mundën u lëshuan të shijonin lirinë seksuale në shtetin komunisto-liberal të Kadarit. Pas disa muajsh, ambasadori e thirri në zyrë sekretarin, të cilit I kishte dhënë orientimin e gabuar dhe I tha “po unë vërtet ju thashë, që të bënit ca qejf, po jo që ta nxirrnit atë mikun mbi trapezë!”
Në Shqipëri ka kohë , që sistemi i Ekonomisë së Tregut apo Demokracia është kuptuar si “euro” dhe “nxjerrje mbi trapezë“. Jo vetëm maniakë seksualë apo pedofila si ish-komandanti i brigadës, që është arrestuar dje, por pjesa dërmuese e burrave, që punojnë në zyrat e shtetit apo edhe ata , që drejtojnë biznese, nëse nuk vuajnë nga ndonjë formë e rëndë diabeti apo ED do ju kërkojnë seks vartëseve apo hallexheshave në këmbim të favoreve. Le të më thotë cilido nga sahanlepirësit e pushtetarëve, që e shoh realitetin me syze të zeza apo me “elektrik blu”. Nga njerëz më se të besuar, nga te njohura të mijat, edhe nga gojët e vetë atyre që i bëjnë, kam mesuar se historitë e “ hajde në zyrë pasdite”, apo “po të tregohesh edhe ti e mirë“, apo “kur do pijmë ndonjë kafe jashtë qytetit” e dhjetra më të hapura e më të fëlliqura se këto janë refreni i zyrave në Mëmëdhe. Lapangjozë, që në rininë e tyre nuk ju afrohej asnjë vajzë, se ishin të pështirë, tani mund të të mburren se kanë shkuar nëpër duar edhe miss-e.
Kur fenomeni është kaq në masë, shoqëria vuan shumëfish, sepse fillon e quhet si “e po normal do shkosh me shefin se ke fëmijë për të studiuar”.
Nuk është “normal”!

Eshtë “i papam”, “i fëlliqur”, “i rrezikshëm”. Eshtë më keq se tek Sodoma e Gomorra. Atje të paktën perversiteti ishte përqafuar nga të gjithë dhe jo për të siguruar vendin e punës.

Friday 15 August 2014

Në kokë nuk ka vend bosh

Dikur, një thënie përafërsisht e tillë i atribuohej Leninit dhe me të theksohej rëndësia për të përvetësuar marksizëm-leninizmin. Disi më saktë citati ishte “Nuk mund të ketë vend bosh për ideologjinë në trurin e njeriut. Vendin e një ideologjie do e zerë medoemos ideologjia tjetër.”
Dukej një ligj thuajse absolut, në përputhje me ligjet bazë të natyrës.  Me atë të ndryshimit të formës së energjisë, të moshumbjes dhe moskrijimit të materies e deri tek ligjet më të thjeshta të lëvizjes së ajrit nga vende me presion më të lartë tek ato me më të ulët. Mjeshtrit e propagandaës sovjetike dhe nxënësit e tyre në Shqipëri kishin gjetur me efikasitet jo vetëm të detyronin të rinjtë të studionin filozofinë marksiste, por edhe t’ju futnin frikën për të lexuar gjëra , që nuk përputheshin me të, sepse edhe vendin më të vogël bosh po të gjente ideologjia borgjeze do depërtonte si lëngjet dhe do mbushte skutën e zbrazët të kafkës së tyre jo të vogël.
Serbi Vitomir ka lindur në Sarajevo dhe është martuar si shumë boshnjakë me një grua myslymane po nga Sarajevo. Ka qënë lojtar i dëgjuar hendbolli në rininë e tij dhe ka shijuar vitet ’70 si çdo i ri i një vendi pjesërisht të lirë. Pa kokëçarje, pa u marrë me politikë dhe me shoqëri e vajza. Tani nuk I pëlqen të vizitojë qytetin e tij të lindjes e të burrëërimit, sepse çdo gjë i duket e ndryshuar dhe jo e drejtë. Mes të tjerave thotë “Gjithe të Kuqtë, ata që ishin anëtarë të flakët të LKJ-së janë kthyer tani ortodoksë të zjarrtë, myslymanë të betuar dhe katolikë të devotshëm. Po e shkatërrojnë me urrejtje atë vend” E ka fjalën për kroatëtë, serbët e boshnjakët e kohës së tij.
E njëjta dukuri ndodh edhe në vendin tim. Diku kam përmendur një komunist të vjetër të kthyer në psallt, një agjitator të Bashkimeve Profesionale të veshur prift dhe shumë komunistë të tjerë fanatikë, që tani bëjnë be e rrufe jo “Për ideal të Partisë!”, po “Për atë Zot!”
E gjitha kjo, në vend të më shpjerë më pranë teorisë leniniste të mungesësë së vakumit në ideologji, më bën të mendohem mirë e të them se shoku Vladimir Iliç e ka parë pak si bardhë e zi. Ose më mirë shokët komunistë të asaj kohe e kanë marrë si “kallëp” dhe e zëvendësuan menjëherë ideologjinë komuniste me atë fetare. Se njeriu mund të jetojë nën këtë diell edhe pa pasur kokën “dingë“ me ideologji dhe të jetojë mirë, mos ju bjerë më qafë të tjerëve dhe mos flasë marrëzira.

Dhe nuk ka asnjë arsye të quhet Kokëbosh!

Monday 11 August 2014

Historia “mesjetare” e Muzeut të Artit Mesjetar

Një mik më dha një lajm të mirë. Më në fund do zgjidhet problem i Muzeut të Artit Mesjetar. Eshtë objekti më i rëndësishëm i qytetit tim. Më në fund u zgjidh ngërçi 6 vjeçar i një ndërtimi, i cili ka brenda dëshirë të mirë, por edhe shumë hilera.
Ndërtimi I Muzeut të Artit Mesjetar, i cili filloi të ndërtohej në lulishtja përballë Spitalit, u nis me fonde të një fondacioni qeveritar(ose jo qeveritar) grek. Në historinë e miratimit të projektit u përfshiva edhe unë, pasi projekti i paraqitur nga përfaqësuesi shqiptar i Fondacionit, ishte tepër i dobët dhe nuk miratohej nga KRRT e Bashkisë Korçë. Në bazë të kërkesës së Kryetarit të atëhershëm të Bashkisë, së bashku me dy kolegët e mij(ark. Matilda Pando dhe ing. Ferdinand Kosti) përpunuam nga fillimi projektin grek dhe projektit tonë ju dha leja e ndërtimit. Për një fazë të mëtejshme, punuam edhe për një shtesë të mëvonshme, që do përmblidhte gjithë vlerat muzeore artistike të qytetit.
Këtu filloi hileja e parë “bizantino-anadollake” e përfaqësuesit shqiptar, i cili kontrollonte fondet dhe projektin. Në kundërshtim me ligjin dhe me mbështetjen e heshtur të Bashkisë ai filloi të zbatonte projektin e pamiratuar. Fondet greke u “gëlltitën” dhe për disa vite me rradhë mbeti skeleti b/arme. Gjatë një vizite në Korçë mbeta i habitur nga një hile kaq e shëmtuar dhe shqetësimin tim e shpreha në shtypin shqiptar.
Problemi mbeti pa zgjidhje deri në kohët e fundit, kur më thanë , që në faqen FB të Kryetarit të ri të Bashkisë është paraqitur një projekt i ri i Muzeut.
Me sa arrij të kuptoj, është një përshtatje e projektit të nisur grek. Nuk dua të hyj në analizën e projektit, i cili është i detyruar nga një “fakt i kryer”. Eshtë ndërtuar në kundërshtim me ligjin një projekt i dobët dhe i pamiratuar. Për më tepër s’ka asnjë lloj transparence se ku ikën fondet e fillimit. Tani, për t’i dhënë zgjidhje, dyshja Pelshi-Filo, të ndërgjegjshëm dhe jo pa gisht në gjithë meselenë e shumë viteve më parë, përshtatin një projekt të cungët, i cili dyshoj se do plotësojë kërkesat e atij fondi të jashtëzakonshëm ikonash dhe objektesh të tjera.
(Sa për problemet e autorësisë, para çështjes së madhe të Muzeut të Artit Mesjetar, për mua janë minore. Në një kohë të caktuar, autoritetet përdorën projektin tonë dhe emrin tonë për të arritur diçka. Tani mund të përdorin projekte të tjera dhe emra të tjerë. Prandaj e kanë “gurin dhe me të i bien arrës dhe e thyejnë.“)



Vjedhje ne Banke (2)

(vijim)
Dikush, që mund të jetë më “puritan” se unë, do hidhet të më sulmojë e të më thotë, që vjedhja është vjedhje edhe kur ja vjedh “hajdutit”. Do i përgjigjesha, që nuk është ekzaktësisht e njëjta gjë. Edhe ligjërisht nuk është e njëjta gjë dhe jo më pastaj moralisht.
Sistemi financiar, që ekziston sot në Botën e Lirë(dhe ku n jë pjesë e mirë përbëhet nga bankat) është hajduti më i madh, që ka ekzistuar ndonjëherë nën diell. Bile duke qënë tepër global, tani i kryen veprimet njëkohësisht edhe nën hënë. Ky sistem(duke përjashtuar këtu bankën Grameeen të Mohamed Jusuf) i ka duart në mënyrë të “ligjshme” në xhepat e të gjithë atyre që janë të detyruar “me hir e pahir” t’i nënshtrohen sistemit. Bile në njëfarë mënyre, sistemi financiar është sistemi i sotëm shoqëror.
Vërtet duke goditur lart, në majën e sistemit, humbet idea e “moralitetit” të atyre, që vjedhin bankat(pa dhunë).
Le të merremi me një “hajdut” ideal, i cili nuk i vjedh individit, qoftë edhe pasunar, por do vetëm të vjedhë bankat. Eshtë në prag të të tridhjetave dhe edhe pse me plot talente nuk arrin të bëjë një jetë, si bashkëmoshatarët e tij, që i kanë baballarët drejtues bankash. Mendon edhe se jeta është e shkrutër dhe rinia më e shkurtër dhe nuk e ndjen se duhet t’i bashkohet Lëvizjes “Të pushtojmë Uollstritin”. Në shkollë ka mësuar se energjia nuk humbet, por vetëm transformohet dhe duke e konsideruar edhe paranë një lloj energjie ai vendos të vjedhë në burimi i saj, ose atje ku magazinohet. Po sigurisht, që nuk është e lehtë të vjedhësh në Bankë e sidomos kur je jashtë saj. Edhe për “hackerat”, rreth të cilëve mund të mendohet se e kanë të lehtë, që nga dhoma e gjumit apo bodrumi, të hyjnë në sistemin e stërmbrojtur informatik të bankës dhe prej llogarive të transferojnë shuma në llogaritë e tyre, duhen vite të tëra studimi dhe këmbëngulje për të thyer “çelësat” e për të kapërcyer “muret”.
Përpjekjet e këtij njeriu, së bashku me talentin dhe kohën, që harxhon apo ka harxhuar për të studiuar, pa llogaritur këtu shqetësimin, që mund të ketë po u kap, janë shumë më shumë se sa paguhet për një vit apo dy një CEO i një Banke të madhe apo edhe anëtarët e Bordit. Përse në një botë ku vlerësohet talenti dhe puna Drejtori i Bankës duhet të shpërblehet ndërsa “I talentuari” duhet të ndëshkohet? Sepse ajo , që bën “hajduti i talentuar” është e paligjshme ndërsa ajo ç’ka bëjnë grupi i “hajdutëve të patalentuar’ është e ligjshme? Atëhere ka diçka që nuk shkon  tek ligjet. Janë kundër Natyrës.

Mund të zgjatem edhe më me përsiatjet e mia anti-bankë dhe anti-sistem pa i mbushur mendjen kujt. (I vetmi , që është plotësisht në një mendje me mua, në këtë pikë, është një mik i imi me shumë talente. Dhe ështe e vetmja pikë ku jemi në një mendje. Edhe pse nuk ma këshillon “t’i bie bankës”, jo se është kundër parimisht, por se e di që më mungojnë aftësitë për ta bërë.)

Sunday 10 August 2014

A duhet kulturë e përgjithshme për arkitektët?

Përgjigja e menjëhershme është PO.
Ndoshta jo gjithmonë duhet përgjigjur menjëherë dhe e mira është të pyesësh në fillim se ç’kupton me kulturë të përgjithshme.
Le të pranojmë, për të mos u zgjatur shumë, që me kulturë të përgjithshme do quajmë njohuritë bazë në gjuhë, letërsi, filzofi, histori, gjeografi, ekonomi dhe arte. Diçka më shumë se sa përfiton një nxënës, i cili mbaron shkollën e mesme në Shqipëri. Në këtë rast edhe përgjigja ime është PO edhe pse mund të bëhen përjashtime për talente të jashtëzakonshme.
Fjalën e kam për arkitektë të cilëve ju duhet të kenë një studio të tyre apo të drejtojnë një grup projektimi. Mundet që brenda një grupi projektimi të ketë edhe arkitektë me një kulturë të cungët, por me një formim teknik të mirë, të cilët mbajnë një barrë të madhe të projekteve. Të parët e kanë të domosdoshme për të komunikuar idetë e tyre tek klientët, publikun, autoritetet që do miratojnë projektet e deri tek kontraktorët , që do e realizojnë. Një arkitekt i mangët ngaa pikpamja kulturore është i destinuar të dështojë.
Nuk përmenda se ç’farë u bë pikënisja e këtij shënimi, i cili mbase do përsërisë gjëra të thëna në shkrimin “Shkolla Shqiptare e Arkitekturës”. Ishte një shkrim i një arkitekteje të re, që lexova disa ditë më parë, si dhe vendimi për mbylljen e shumë universiteteve në Shqipëri. (Me vendimin për mbylljen e universiteteve jam plotësisht në një mendje edhe pse dyshoj në motivet dhe nëse do realizohet mbi kritere vetëm profesionale.)
Shkrimi i koleges sime të re ishte postuar në faqen personale Fb të zv.kryeministrit të qeverisë, që posa mbylli universitetet, dhe ishte paraqitur si një “esse” brilante.
Nuk më çuditi mungesa e njohurive bazë të vajzës së re. E kam konstatuar edhe 10-15 vjet më parë, kur arkitektë të posadiplomuar nuk dinin se cili ishte Gropius apo edhe BAHAUS.
U çudita nga kurajoja e koleges për të shkruar me vetëbesim për gjëra disi delikate, në hapat e para të karrierës si dhe në ‘shitja” si brilante , që i bënte shkrimit numuri 2 i qeverisë shqiptare. Duket, që atij ose i mungojnë këshilltarët e mirë për urbanistikën dhe arkitekturën ose nuk merr mundimin të këshillohet më parë me ta. Gjithsesi, po uroj që kolegia të ketë më pak mundësi të dëshmojë kurajën e saj në punët publike në Shqipëri, por të ketë mundësi të fitojë njohuri gradualisht sepse është vetëm 26 vjeç.
Problem më i thellë dhe që le pasoja për shumë breza është ai i programeve të arkitekturës në Universitete. Vazhdojnë të jenë shumë të cekëta ose tepër të papërcaktuara, njohuritë, që jepen rreth raporteve hapësinore dhe sidomos raporteve të njeriut me hapësirën apo objektet. Pedagogët e urbanistikës duhet të ndjehen të turpëruar nga shprehje si Gjithmone ka një objekt të rëndësishëm, dominues, ku hapësira e madhe e sheshit lihet qe ti ta perceptosh objektin edhe bashkë me të ndjesinë e jonjerëzores…” e shkrimit  të sipërpërmendur(duhet thënë se shumë të posadiplomuar nuk janë as në gjendje të formulojnë një paragraf qoftë edhe të gabuar). Jo më pak të rëndësishme janë nocionet rreth arkitekturës së shekulit të XX-të apo asaj bashkëkohore. Nuk është çështje vetëm e një diskutimi teorik. Të quash një objekt të viteve ’30 si Banka e Korëçs, si objekt të Neoracionalizmit italian, i cili filloi vetëm pas viteve ’60 do të thotë të mos njohësh as arkitekturën shqiptare dhe as atë botërore. Pa shtuar edhe “shpikjen” e Realizmit Socialist në arkitekturë, po në të njëjtin shkrim.
Diskutimet në arkitekturë dhe në urbanistikë nuk mund të jenë si diskutimet në matematikë, kimi apo në të tjera shkenca të sakta. Në to ka vend për argument e kundërargumenta, për prirje dhe shije, për teori të provuara apo edhe për ide eksperimentale. E tillë është natyra e këtij “lëmi”.
Por që të hysh në tryezën e rrumbullakët të këtyre diskutimeve duhet të kesh njohuritë fillestare bazë. Dhe këto për fat të keq, nuk i jep sistemi universitar i sotëm, të cilin e quan “skemë piramidale”, po i njëjti qeveritar, i cili quan brilante essenë e arkitektes, që posa ka dalë nga ky sistem.
Shqipëria ka vite, që po i ndjen “kusuret” e shkollimit të cungët në arte dhe arkitekturë të kohës së komunizmit. Edhe më tepër janë thelluar në këto 24 vitet e fundit pasojë edhe e krijimit të universiteteve private pa një bazë të mirë mësimore si dhe trupa mësimdhënëse të pakualifikuara.

Për fat të mirë apo të keq, veprat e arkitektëve janë të dukshme dhe qëndrojnë gjatë mes njerëzve. Një bashkim i qeveritarëve anti-kulturë me arkitektë të pakulturuar rrezikon të lerë monstra në qytetet tona.

Friday 8 August 2014

Dielli lindi ne Jutika (kreu 2c)

(vijim)
Ajo po vazhdonte me shpejtësi. Tashmë kishte hyrë në rrugëshpejtën 476 dhe makinat ishin rralluar. Asfalti dukej më i zi se në 76-ta. Ndoshta kishte humbur hëna. Tek 76-ta e kishte ndjekur në dritaren e djathtë. Ndërsa tani vetëm një siluetë e pandërprerë e një pylli të zi. Dritat e makinas ndriçuan vetëm një tabelë të madhe ku shkruhej STACION SERVISI 12 MILJE. Ndërkaq, në korsinë e shpejtë e parakaloi një njollë e madhe e verdhë, që i tërhoqi vëmendjen. Makina në disa çaste ishte larguar aq sa ajo nuk mund të dallonte nëse ishte e njëjta fuoristradë me targën me flamurin gjerman të paraluftës. Ndjeu një këputje në pulpët e këmbëve dhe padashur kishte  ulur shumë gazin. Disa makina rrjesht, mes të cilave edhe një autoçisternë e madhe e parakaluan duke ju rënë burive dhe ajo u shty në korsinë e djathtë të rrugëshpejtës. Ju duk se po të shtypte fort pedalin e gazit do rriste edhe rrahjet e zemrës së saj. Ndjeu frikë. Më mirë të kthehej në servisin, që po afrohej dhe të qetësohej atje. Të ishte sa më larg makinës së verdhë. Me dorën e djathtë, që i dridhej lehtë shtypi tastat “Po ndal 10’ në servis”.
Ai i hoqi sytë nga deviza e pa deshifruar, kur pa dritëzën që pulsonte dhe u ndje i lehtësuar nga mesazhi, që lexoi. U përgjigj me “OK” dhe vazhdoi të bluante në kokë, se në ç’gjuhë tjetër mund të ishte shkruar “sudoku”. Gërmat m, o dhe x nuk theshin asgjë. Fare thjesht mund të ishin zëvendësuese të të tjerave.  Shenjat \ dhe / edhe pse ngjanin si kriptografi kuantesh mund të ishin bashkëtingëllore të përmbysura b dhe d apo edhe p dhe q. Cila gjuhë veç latinishtes mund të kishte fjalë të rëndësishme, ku përdorej q?
Para kishin mbetur edhe dy makina për tu kontrolluar.

Brumbulli i kuq ndërkohë kishte dalë nga rrugë shpejta dhe arriti në parkingun e madh të Stacionit Servis. Ajo ndenji disa minuta brenda makinës për të renditur në kokë gjithë ngjarjet, që kishin rrjedhur pas atij vendimi krejt të papritur. “Veç “tom”askush nuk dinte për nisjen time…Për kthimin tek “Korbi” nuk dinte as ‘tom”. Askush nuk më pat ndjekur deri sa parkova pranë Shoqatës Gjermanike…Ose nuk më ka rënë në sy. Ka disa vjet, që nga policia gjermane nuk më dërgojnë më njoftime…Ndoshta “tom”ka zgjidhur sudokun? Nuk është e mundur, Do më kishte shkruar.” Fërkoi me dorën e majtë ballin e qullur dhe vendosi të dalë nga makina për të shkuar në banjë. Në fund të parkingut shqoi autoçisternën, që e kishte parakalur. ”Nuk ka gjë ku të mos ketë naftë“ mendoi dhe hyri në ndërtesën e madhe. Në të vetmin banak të hapur të KFC, një djalë i ri gati dremiste. Ajo vazhdoi në të majtë drejt shenjës “njeri me fustan” e ndjekur nga trokitja e takave të saj. “Duhet t’i kisha ndruar këto dreq këpucë“ mendoi ndërsa trokitja duket se e zgjoi djalin, që dremiste. Në ndarjen e madhe të banjava hapat e saj u dëgjuan edhe më fort. Vetëm njëra nga dyert e nëndarjeve ishte e mbyllur. E fundit, ku ajo shkonte zakonisht. Hyri në një nga të hapurat dhe pasi u ul filloi të mendonte nëse duhej të kthehej. Ndërkaq nga fundi u dëgjua shkarkimi I ujit në wc dhe ajo u drodh. Priti të dë gjonte hapat e dikujt, që dilte, por pas pak u dëgjua edhe një shkarkim i dytë. Më pas edhe një i tretë. Qetësi dhe kur ajo mendoi se më në fund dikush, ndoshta një maniake pastërtie do dilte nga nëndarja e fundit, shkarkimi u dëgjua edhe një herë. I zuri veshët, por ju duk se dikush, një zë burri foli në gjermanisht ‘achtung”, por nuk ishte më e sigurt për asgjë.
(vijon)

Tuesday 5 August 2014

Dielli lindi ne Jutika (kreu 2b)

(vijim)
Kishte humbur më shumë se 20 minuta dhe shpejtoi në spërdredhjet e rrugëshpejtës për të fituar disa minuta. E dinte, që do i duheshin disa orë për të zëvendësuar kohën e humbur dhe nuk dinte se ç’pjesë të rrugëve në veri të Pensillvenias ishin duke u riparuar. “Tom” nuk kishte shkruar ndaj mendoi se ishte rradha e saj të dërgonte diçka. “Jashtë Filadelfias në 76”.
            Ai u përgjigj menjëherë. “Duke ju afruar doganës. 6 sportele” Ndaloi në vargun e gjatë me makina dhe u hamendësoi sa kohë mund të duhej për të kontrolluar 8 makina, që ishin para tij në rradhë. Ishte vapë dhe nga dritaret e hapura të dëgjoheshin radiot. Mbylli dritaren e tij dhe hapi ajrin e kondicionuar dhe mendoi, që ishin metrat e fundit në vendin e tij. Edhe pse shkonte shpesh në Shtetet Poshtë ai e ndjente gjithnjë e më tepër veten të huaj. Tani duhet të takohej me një amerikane, që e shihte botën në mënyrë të ngjashme me të, por rreth të cilës nuk  dinte më shumë se kishte udhëtuar në shumë vende dhe i interesonin legjendat dhe shkrimet e fshehta. Nuk kishte mundur të  zgjidhte ende “sudokun” me gërma, që ajo i kishte dërguar tre ditë më parë . “Këtu fshihet deviza ime në  jetë “ i kishte shkruar. Në fillim i ishte dukur një  kriptogram i thjeshtë , të  cilin mund ta deshifronte edhe një  fillestar, por pas dy orësh kishte menduar të  përdorte një  nga programet e instaluara në  kompjuter. Kishte hezituar për një çast, pastaj i ishte dukur se po fillonte duke mashtruar në një marëdhënie, e cila po e tërhiqte fort. E kishte në  çantën e dorës, një  nga kopjet e shumta, mbi të  cilat kishte shkarravitur mundësitë  e zgjidhjeve dhe u zgjat dhe e mori.


m




6



2






3
1










x


\







o









2





6
m







/





o
x






/



I rihodhi një sy të shpejtë dhe ju duk se gjithshka kishte mbetur në vend, ashtu si në orët e par pasi ‘eliksir” e kishte dërguar. Ishte i sigurt vetëm se në atë , që ishte shkruar kishte vetëm 9 gërma të kombinuara midis tyre. Po në ç’gjuhë vallë? Kishte provuar  në latinisht, si gjuhë devizash, por e vetmja, që i afrohej disi zgjidhjes ishte “abusus non tollit usum”1. Ishte menduar disa orë rrjesht, se pse duhet të ishte deviza e saj në jetë. C’ka ishte përdorur keq, që në fillim nga “eliksir” apo të tjerët, që lidhej me të dhe ishte e vërtetë, e qashtër, si drita?
(vijon)

Vjedhje në Bankë

Unë i simpatizoj ata , që i vjedhin Bankat pa dhunë. Dhe nuk e them as me shaka dhe as për të qënë kundër rrymës. Ndoshta ka më shumë se 40 vjet, që i kam të preferuar filmat dhe historitë rreth atyre që vjedhin me zgjuarsi bankat dhe kazinot. Ndër 10 personazhet më simpatikë të shekullit të kaluar do fusja pa hezituar Alber Spaxhiarin(Albert Spaggiari), hajdutin e famshëm të bankës së Nisës në vitin 1976.
Sigurisht hajduti, që mbante çelësat e thesarit të bankës Kombëtare Shqiptare nuk është pranë inteligjencës dhe nivelit krijues të francezit, por gjithsesi ka arritur të vjedhë jo pak dhe në një kohë relativisht të gjatë. Francezit ju desh kohë e gjatë planifikimi, ngritje ekipi dhe të gjithën këtë e bëri pa pasur ndonjë ndihmë nga brenda. Hajduti ynë Bitraj kishte çelësat dhe kohën e mjaftueshme për të gjetur dobësitë dhe vrimat në sistemi e përgjimit dhe kontrollit. Gjithashtu u kap se nuk kishte nga shpëtonte, kurse Spaxhiari u kap vetëm nga kallzimi i një pjestari të grupit.
U zgjata me një krahasim të dy “keqbërësve” shumë të ndryshëm pa spjeguar se pse i simpatizoj ata që vjedhin bankat.
I urrej bankat!
Nuk di nëse është urrejtje klasore, zili e atij që s’ka ndaj atyre , që kanë shumë apo ndonjë lloj kompleksi tjetër. Di, që i urrej.

Zyrat e Bankave i kam parë si zyra, ku acarohem më shumë se kudo. Në 10 këshilltarë banke vetëm 9 nuk dinë se ç’bëjnë ndësa i dhjeti mund të të mbarojë punë për 5 minuta. E keqja është , që shanset kur nisesh të mbarosh një punë në bankë janë vetëm 10%.  Krizë pa krizë, bankat dalin me fitime të mëdha dhe kur gabojnë ndonjëherë rëndë, ju gjendet dermani se ato nuk mund të lihen të falimentojnë! Dhe ç’është më e rëndësishme, bankat e kanë në dorë të bëjnë ligje, që unë, individi i thjeshtë, të mos jetoj dot pa to. Dua apo nuk dua, jam i detyruar të kem llogari bankare dhe Banka të “më rrjepë“ me lezet, në mënyrë konstante çdo muaj, kam apo nuk kam para në llogari.
(vijon)

Monday 4 August 2014

Përse duhet luftuar edhe në një betejë, që dihet se është e humbur (2)

(vijim)
Po pse vlen të luftosh edhe një “betejë“ të humbur?
Tingëllon si patetike, por jeta dhe historia të mësojnë, që jeta është një zinxhir i pandërprerë, ku ngjarje të caktuara edhe pse duken se pak mund të ndikojnë tek njëra tjetra, kanë një ndërlidhje. E di , që shokët e mij, ata që janë shumë racionalë janë kategorikisht kundër shpenzimit të padobishëm të energjive. Ende një pjesë “i tremben” kthimit në qesharak pas një ose më shumë “betejave” të humbura. Edhe pse në dukje racionale, filozofia e tyre është më e prapambetur se e imja apo e Benit. Jo vetëm në natyrë, por as në jetën shoqërore nuk mund të gjenden apo krijohen makina të tipit “perpetum mobile” e llojit të katërt apo të pestë. Shpesh herë jo vetëm do harxhosh energji, por do i harxhosh edhe kur e di se në një çast kohe apo edhe periudhë të shkurtër janë të “hedhura në erë“.
Debati i fundit me autoritetet apo dhe me prof. Wilson i shërben “mosbindjes” qytetare apo profesionale. Ju duhet bërë e qartë autoriteteve (atyre që nuk i kanë plotësisht të dyllosur veshët) dhe profesionistëve vendas, që nuk ka vend për “mithin” e projektuesve të huaj. Rasti i firmës gjermane Bolles+Wilson është dëshmi e mungesës jo vetëm të vizionit, por edhe të profesionalizmit apo edhe të etikës së biznesit. “Biznesi” i arkitekturës ndryshon nga të tjerët. Duke përjashtuar arkitektët Italianë të viteve ’30 (autorë të projektit të Bankës, Shtëpisë së Pionierit dhe disa banesave individuale) thuajse të gjithë projektuesit e tjerë të huaj kanë injoruar fizionominë arkitekturore të Korçës. Në një qytet me një zhvillim të ngadalshëm ose në një gjendje stacionare nuk ka nevojë të projektojnë të huaj dhe sidomos arkitektë, që priren drejt eksperimentimeve. Qytete të tilla kanë nevojë për rifreskim, modernizim dhe konsolidim të vlerave, që kanë arritur në “bumin” e zhvillimit të tyre.
Dobia tjetër është për të treguar, që opinion publik edhe se në një stad foshnjarak, nuk është lehtësisht i manipulueshëm nga Partitë apo mediat në shërbim të tyre. Gjatë debateve publike në Shqipëri rreth ndërhyrjeve të rëndësishme në qytete(rasti Piramidës në Tiranë etj.) thuajse të gjitha palët, me profesionistë apo intelektualë, sulmojnë apo mbrohen nga pozitat e Klanit, të cilit i përkasin. Kjo ndodhi edhe tre vjet më parë me diskutimin për Qendrën e Korçës dhe Pedonalen. Kjo ka bërë , që njerëzit të dyshojnë në qëllimet e atyre që fillojnë e përfshihen në debate. Ndaj diskutimet rreth Kullës, që linin jashtë sulmet për korrupsion, si dhe nuk injoronin ato ç’ka ka bërë administrate e Peleshit për qytetin, i shërbejnë pikërisht ndihmës në forcimin e opinionit publik të pavarur.
Ka edhe një arsye tjetër, e cila edhe pse mund të mos jetë aq e dobishme për shoqërinë ka vlerë për psikologjinë individuale. Eshtë përballja me ndërgjegjen, në çastet kur pyet:
-Po unë ku isha dhe ç’bëra?

Eshtë më e lehtë t’i përgjigjes vetes, që “unë luftova sa mundesha dhe humba”, se sa t’i thuash “unë ndenja duarkryq”.

Sunday 3 August 2014

VAJZA E GJASHTE

Strehët qanë,
Jo për lindjen time,
As për të atit tim pikëllim,
Po se ngrohtë ishte atë dimër.
S’bënte acar,
                Nuk binte borë,
                                S’frynte thëllim.
I rrallë gaz,
Në një stinë tjetër,
Po më përcillnin tek i blerti jaz.
Do lija fshatin dhe strehën e vjetër,
Do shkoja larg në botën plot drita,
Edhe pse vetëm gjashtëmbëdhjetë.

Nuk ishte pranvera që lashë,
Tek fshati me jazin e blertë.
Shpirti më mbeti varur degës së kajsisë.
Në dhomat luks, që grilat i mbajnë errët
I brishti trupi im i xhveshur dridhet,
Përreth asgjë s’i ngjan shtëpisë.

Shpatullat jashtë,
S’mund të valëvit mjerimin tim,
Unë vajza e gjashtë.
Drejt rrugës tretet i imi vështrim,
Asnjë rrotë pranë meje s’ndalet.
Eshtë acar,
                Bie borë,
                                Fryn dhe thëllim.



























Saturday 2 August 2014

Përse duhet luftuar edhe në një betejë, që dihet se është e humbur

Me këmbimet e fundit me autorin e projektit së Kullës së Korçës, profesorin australian Peter Wilson mori fund edhe “beteja” e disa kolegëve arkitektë dhe miqve të mij shkrimtarë dhe artistë rreth ndërtimit të ri në sheshin e Teatrit. Ishin jo më shumë se dy javë me shkrime dhe diskutime, kryesisht në FB, me dy pika kulmore, një letër tepër qytetare e Benit(gazetari Arben Kallamata) drejtuar firmës Bolles+Wilson dhe një letër e hapur drejtuar Niko Peleshit nga 7 arkitektë korçarë, që punojnë në Amerikën e Veriut. Të dyja letrat u botuan nga e përditshmja shqiptare MAPO.
Synimi i “betejës” ishte të “galvanizonte” opinionin publik në Korçë dhe jashtë saj për të bërë ç’është e mundur, që të ushtronte presion mbi autoritetet qëndrore dhe lokale, të ndalnin realizimin e objektit deri në ndryshimin e tij.
Vetë isha i ndërgjegjshëm, që beteja “donkishoteske” me mullinjtë me erë (Kulla vërtet po ti shtohësh vetëm një helikë me tre krahë duket si Mulli me erë) ishte e humbur edhe pse kisha një fije të vogël shprese, që dikush diku lart në Qeveri, për të mos pasur “avaze” kot mund të ndryshonte diçka. Gjithashtu kisha edhe një fije më të vogël shprese, se në këtë sezon plazhi, në Korçë mund të kishte një përpjekje solidarizimi me ndonjë lloj peticioni apo ndonjë manifestim të thjeshtë të “mosbindjes qytetare”.
Nga ai informacionët i pakët , që kam rreth objektit si dhe nga ntyra e debatit, më duket se ndërtimi nuk është një rast i pastër korrupsioni. Një objekt prej rreth 40 m2 në plan edhe pse mund të ngrihet deri 9-10 kate, nuk le ndonjë gjë të madhe për tu fituar nga fondi prej 2.5 milion dollarë. Me një fjalë, qëndresa e patundur e autoriteteve për ta realizuar nuk është e motivuar kryesisht nga qëllime fitimi. Gjithashtu nuk besoj se kokfortësia dritshkurtër e profesorit Wilson i detyron ata “që kanë në dorë“ të mos lejojnë asnjë ndryshim.
Ata , që u morën me nxjerrjen e fondeve dhe tenderin e objektit, kishin një lloj “frike” rreth reagimit të opinionit publik, se e mbajtën të fshehtë për muaj. Për fillimin e ndërtimeve, zgjodhën ditët e kampionatit Botëror dhe sezonin e plazheve, kur çdo gjë shtyhet për tu diskutuar në shtator. Në fillim, kjo të linte përshtypjen, se diçka e madhe fshihej, por me kalimin e ditëve u kuptua, që ishte vetëm dëshira për të ndalur protestën e korçarëve sepse të njëjtin hezitim kanë pasur edhe vetë për projektin.
Po përse nuk bënë as përpjekjen më të vogël për tu përgjigjur, për të bërë një pezullim disa ditor apo për të dhënë spjegime?

Duket, që Peleshi, i cili ka luftuar në Qeveri për nxjerrjen e fondeve të këtij objekti nuk do të japë shenja lëkundje faqe shefit të tij, ose e gjykon që injorimi është forma më e mirë për të platitur gjërat.
(vijon)

Friday 1 August 2014

Pse nuk shkruan më vargje?

“Pse nuk shkruan më vargje?”
Ti pyete ndërsa më kishe qafuar
Dhe gjoksi jot i bukur
Ndeshte kraharorin tim.
“Ashtu si më fute ti në magje,
Parnasit të mjegulluar
Dua të të shpie
Të gjesh frymëzim”
Unë heshta një çast të vetëm
Me trupin turbulluar
Nga e ëmbla ngrohtësi
Që gjoksi jot aq shumë mban.
Më pas u belba i hutuar:
“Të dua,
                Të puth,
                                Bëjmë dashuri…
Dhe skuq dy vezë në tigan.”