Sunday 31 October 2021

Puna e vështirë e politikanëve


Këtë javë disa vetë kanë trokitur në derën time dhe më kanë spjeguar shkurt se janë pjesëmarrës në garën e zgjedhjeve për këshilltarë në Bashkinë e qytetit. Në Kanada nuk ka fushata të partive në zgjedhjet bashkiake. Individët futen të vetëm në garë dhe nuk kanë mbështetje nga pas edhe pse mund të kenë ndonjë lidhje me partitë kryesore. Nuk di nëse kjo është më mirë apo më keq se në Europë, por kështu është.

Kandidatët më kanë spjeguar shkurt se cilët janë, sepse kanë parë edhe padurimin tim për t’i dëgjuar dhe më kanë lënë në dorë nga një broshurë të vogël, të cilat i kam hedhur menjëherë në koshin e riciklimit. Nuk kam ditur asnjëherë se ç’bëjnë këshilltarët bashkiakë dhe kryetarët e bashkive dhe nuk jam rrekur të mësoj. Kjo nuk do të thotë, që nuk e di se është i gabuar ky qëndrim.

Por ky shënim I shkurtër ka të bëjë me punën e politikanëve, të cilën shpesh herë e kritikojmë me lehtëi, por që është vërtet e vështirë, gjë që shpie edhe në korrupsionin e tyre, i cili haset edhe në vendet e zhvilluara. Kandidatët për postet publike dhe politikanët e karrierës duhet të takojnë me mijra njerëz, të trokasin në qindra dyer, të bëjnë dhjetra selfie me të panjohur, të përsërisin vazhdimisht të njëjtat fjalë që ja kanë dëgjuar vetes me mijra herë.

Eshtë vështirë të thuash: E dashuroj një punë të tillë!

Ata që e thonë ose gënjejnë, ose vijnë nga një univers i ndryshëm nga i joni, ose kanë disa difekte të mëdha në personalitet. Kjo është të paktën idea ime për një politikan, që i ka kaluar të dyzetat.

Gënjejnë më shumë akoma politikanët tanë, të cilët thonë se këtë e bëjmë për hir të popullit!

Ndaj edhe tundimi për të marrë rryshfete drejtpërdrejt ose në mënyrë të tërthortë, është aq i përhapur në jetën politike. I drejtpërdejti është shumë i pranishëm në vendet e Europës Lindore dhe në vendet e tjera në zhvillim, por i tërthorti ndodh shumë shpesh  në vendet e zhvilluara.

Nuk ka kongresmen amerikan, që kur i ka mbaruar karriera si përfaqësues I popullit ka pasur të njëjtën pasuri vetiake të para karrierës ose më pak. Shumica e funksionarëve të lartë shtetërorë kanë përfunduar më vonë ose si biznesmenë, ose si anëtarë të dhjetra bordeve me shpërblime të mëdha.

Në shumicën dërmuese të rasteve janë këto motive që i shtyjnë njerëzit të përqafohen me mijra të panjohur, të puthin bebet e të tjerëve më shumë se fëmijët e tyre gjatë fushatave dhe të puthin edhe “menderet” e miliarderëve për të siguruar fonde dhe mbështetje.

Eshtë një punë aspak e lehtë!

Saturday 30 October 2021

Lëvizja “Foltore” ndihmon ngritjen e një opozite të vërtetë


Ndonëse e karakterizuar fund e krye nga demagogjia, lëvizja e fundit e Berishës po i sjell një të mirë demokracisë shqiptare. Po trondit Partinë më të madhe opozitare dhe po nxjerr në shesh “shumë lakra” të cilat edhe pse diheshin nuk përmëndeshin hapur nga protagonistët demokratë. Pas kësaj tronditjeje të madhe PD-ja nuk mund të jetë më as e Bashës dhe as e Berishës, ndaj ose do ndahet në dy pjesë ose do duhet të reformohet plotësisht pas largimit të të dyve. Nuk ka të ngjarë edhe sikur të ndodhë një Kuvend në dhjetor, që partia e ashtuquajtur anti-komuniste të kthehet në një parti anti-amerikane duke zgjedhur në krye të saj Sali Berishën.

Foltoret dhe reagimet e kampit tjetër nxorrën në pah problemin e madh të partive shqiptare, që janë reparte që kontrollohen nga komandanti dhe posa del një rival tjetër humbasin edhe koherencën edhe çdo lloj etike që duhet të paktën të ruajnë njerëzit e të njëjtit grupim politik. Fillojnë akuzat me tradhëtarë dhe të shitur. Kështu ndodhi pas pëplasjeve Berisha-mocionistë, përplasjeve Nano-Meta, përplasjeve Gjinushi- Laço e me rradhë. Berisha-Basha është e përplasja e sotme, por ka rëndësi sepse mund të shënojë fillimin e pastrimit të politikës dhe lindjen e një opozite më të kulluar.

Kushtet janë të tilla. Ekzistenca e SPAK, (edhe me problemet e tij), vetingu në sistemin juridik, që mund të kopjohet edhe për politikanët, shpallja e disa njerëzve të politikës shqiptare “non grata” nga amerikanët e kanë përmirësuar frymën anti-korrupsion në shoqërinë shqiptare. Edhe pse nuk mund të presim një ndarje me thikë nga e kaluara, koha e qeverive Nano, Meta, Berisha dhe Rama-1 dhe 2 ka përfunduar. Ai lloj korrupsioni nuk mund të përsëritet më. Ish-ministra dhe funksionarë të tjerë të lartë kanë nisur këshillimet me avokatët e tyre, sepse janë në dijeni se shumë dosje i kanë në SPAK dhe të tjera denoncime i presin.

Edhe pse i drejtë, padurimi i shqiptarëve për të përmbysur regjimin e Ramës është i pafrytshëm. Frika nga përplasjet Basha-Berisha bashkë me thirrjet për unitet të PD-së janë gjithashtu të gabuara. Qeveria Rama 3 sa ka filluar mandatin dhe koha është e mjaftë për të ringritur një opozitë, që mund ta shpjerë vendin në zgjedhje të parakohshme para mbylljes së tij. Duhen vetëm energji të kanalizuara mirë dhe një ose disa udhëheqës të pakoprometuar dhe me synime të qarta, qoftë edhe sikur të jenë jashtë parlamentit.

Koha nuk punon për të korruptuarit sado të pasur të jenë bërë!

Friday 29 October 2021

“Shqipëria e Madhe”- një e ardhme e afërt (fund)

 


(vijim)

Ngjarjet e trazuara politike në Shqipëri në vitet ’20, mbështetja që kishte marrë Zogu nga Pashiç, e bënin të pamundur ngritjen e çështjes së Kosovës dhe territoreve të tjera shqiptare nga shteti shqiptar. Ajo u bë e mundur vetëm gjatë pushtimit italo-gjerman gjatë Luftës së Dytë, kur u krijua edhe Shqipëria e Madhe, por ishte një gjë e përkohshme dhe e mbështetur nga Boshti, i cili e humbi luftën. Edhe nëse komunistët do e ngrinin çështjen e Kosovës dhe Camërisë në Konferencën e Parisit, nuk kishin për të fituar gjë, se Shqipëria nga shumë vende quhej si aleate e Italisë, që i kishte shpallur luftë fqinjëve, të cilët ishin në krahun e aleatëve.

Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë rektifikimi i kufijve europiane ishte një “tabu” dhe vetëm përmbysja e sistemit komunist në Lindje solli ribërjen e hartës së Europës dhe të Ballkanit, sidomos në shtetet e ish-Jugosllavisë. Lufta e Kosovës dhe mbështetja amerikane dhe e NATO-s ishin ngjarja më e rëndësishme në çështjen shqiptare, që prej Shpalljes së Pavarësisë dhe Konferencës të Parisit 1918-1920. Edhe pse këmbëngulet nga Bashkimi Europian që kufijtë e Ballkanit mos ndryshohen, bashkimi idy shteteve shqiptare është i pashmangshëm. Eshtë vetëm çështje vitesh, sepse nuk ka asnjë logjikë, që i njëjti popull, që e do bashkimin të jetojë në dy shtete të ndryshme.

Më e komplikuar është çështja e territoreve shqiptare të Maqedonisë, sepse një përpjekje e popullsisë shqiptare për t’ju bashkuar shtetit amë mund të sjellë prishjen e një shteti, që është krijuar për të balancuar Bullgarinë, Sërbinë, Greqinë dhe Shqipërinë.

Sa ju përket territoreve shqiptare në Greqi dhe Mal të Zi, apo edhe Luginës së Preshevës në Sërbi, ato mund të mbrohen vetëm si minoritete brenda shteteve ku janë tani. Ndryshime të mëdha demografike kanë ndodhur dhe sidomos Greqia ka ndjekur një politikë të ashpër përjashtimi dhe asimilimi të shqiptarëve dhe maqedonasve. Nëse çështja e pronave të çamëve duhet ngritur me forcë sipas ligjeve ndërkombëtare, kthimi i tyre në vendbanimet e hershme, apo përpjekja për t’ju bashkuar Shqipërisë duket utopike.Historia duhet parë pa e injoruar edhe realitetin. Italianët janë pajtuar me humbjen e Nisës në Franca, austriakët me humbjen e Tirolit në Italia, gjermanët me humbjen e Alzasës në Franca, hungarezët me humbjen e Transilvanisë në Rumania e me rradhë.

Nuk mund të ketë zgjidhje ideale të kufijve ndaj paqja duhet të mbizotërojë mbi grindjet e përhershme – “kjo është timja dhe nuk është tëndja!”

Ndonëse është e vështirë të parashikosh se kur mund të ndodhë bashkimi i Republikës së Shqipërisë me Republikën e Kosovës, sepse shumë gjëra varen edhe nga e ardhmja e Bashkimit Europian, mendoj se brenda një dhjetvjeçari do të kemi një shtet të vetëm. Nuk ka pse të quhet “Shqipëri e Madhe”, se nuk duhet të bëhet paralelizëm me “Bullgarinë e Madhe”, “Sërbinë e Madhe” apo me Megaloidenë. Minoritetet sërbe, greke, malazeze dhe maqedonase do vazhdojnë të jenë shumë të vogla nëse krahasohen me minoritetet shqiptare në shtetet e sipërpërmendur.

Shqipëria pas bashkimit mund të jetë një faktor stabilizues në Ballkan nëse do vazhdojë të jetë e orientuar ndaj Amerikës dhe Perëndimit dhe do frenojë prirjet islamike apo ato pro-turke të cilat nuk janë të pandjeshme në Shqipëri dhe Kosovë. E megjithatë, rreziku që “të fryhesh” pasi ndjehesh më i madh në popullsi dhe në ekonomi ekziston edhe në rrethet shqiptare, të cilat kanë një popullsi të madhe agrare dhe të paarsimuar mirë. Janë këto shtresa të popullsisë në Sërbi, Greqi, Mal të Zi dhe Maqedoni që përkrahin më shumë ekstremet e djathta.

Le të bashkohemi njëherë! Koha do tregojë nëse kemi nxjerrë mësime të vlefshme nga historia.

Thursday 28 October 2021

“Shqipëria e Madhe”- një e ardhme e afërt (4)


(vijim)

Fundi i shekullit e gjeti çështjen shqiptare më të kristalizuar dhe me më shumë mbështetje në popullsinë vendase. Lidhja e Pejës e vitit 1899 dhe traktati politik i Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhet” i botuar në të njëjtin vit dëshmuan se shkëputja nga Turqia ishte e pashmangshme. Tashmë rrezik më të madh se Perandoria Otomane përbënin fqinjët , të cilët kishin pretendimet e tyre për trojet e katër vilajeteve shqiptare.

Historia e Ballkanit gjatë mesjetës ka qënë e tillë, ku fise të tëra shpërnguleshin për shumë arsye nga një principatë në një tjetër dhe formonin vendngulimet e tyre. Ndaj ka edhe shumë “mbivendosje” të popullsive në zona të veçanta. Fshatra shqiptare gjen deri në Ukrainë dhe Rumani, ashtu si gjen edhe fshatra sërbe, greke, maqedonase dhe bullgare në zonat me shumicë të popullsisë shqiptare. Problemi i autoktonisë është më i komplikuar se sa duket dhe askush nga popujt ballkanikë nuk mund të mburret si autokton i vërtetë në trojet ku jeton. Kjo ka sjellë edhe viktimizimin e të gjithë ballkanasve që bërtasin se ju është mohuar e drejta nga Fuqitë e Mëdha të kenë territoret e tyre të plota. Problemi ka qënë shumë i vështirë edhe për diplomacitë europiane, pa dashur t’i lehtësojmë ato nga përgjegjësia se kanë parë thjesht interesat e vendeve të tyre.

Ndaj edhe luftrat ballkanike të viteve 1911-1913 ishin të pashmangshme, por ishin njëkohësisht edhe  një situatë që ndihmuan manovrimet diplomatike të Ismail Qemalit dhe shqiptarëve të tjerë për të mundësuar atë që quajmë Shpallje të Pavarësisë. E quajmë të tillë si akt simbolik, se njohja e Pavarësisë së Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha, që është Pavarësia e vërtetë, i përket vitit 1920.

A ishte i padrejtë Traktati i Londrës i vitit 1913 ndaj Shqipërisë?

Më shumë se i padrejtë Traktati I Londrës mund të quhet një kompromis i Fuqive të Mëdha për të lejuar formimin e shtetit shqiptar, që mbështetej nga Austro-Hungaria dhe Italia, por kundërshtohej me forcë nga Rusia, Greqia, Sërbia, Bullgaria dhe Mali i Zi. Duhet thënë se ndërsa zhvillohej Konferenca e Londrës, shteti i posashpallur shqiptar kishte në kontroll Vlorën, Beratin dhe Myzeqenë dhe i gjithë territori ishte i pushtuar nga sërbët, malazezët dhe grekët. Britania e Madhe dhe Gjermania qëndruan neutralë ndaj çështjes shqiptare, gjë që ndikoi në zgjidhjen e arritur, që janë pak a shumë kufijtë e sotëm të Shqipërisë.

Nga Traktati i Londrës mbetën të pakënaqur të gjithë vendet ballkanike të interesuar, të cilët paraqiten edhe sot e kësaj dite si viktima të Fuqive të Mëdha. Edhe pse Shqipëria humbi Kosovën, që ka qënë në qëndër të betejave për Pavarësi, për mendimin tim, Traktati i Londrës shënon një hap para në çështjen shqiptare, sepse njeh të drejtën e shqiptarëve për të krijuar shtetin e tyre. Dhe në fillimet e tij ky ishte një shtet i dobët, pa financa dhe pa ushtri dhe me praninë e forcave të huaja në vend. Kjo vazhdoi gjatë gjithë kohës së Luftës së Parë, kur shteti shqiptar ishte jo-ekzistent dhe i gjithë vendi ishte nën kontrollin e ushtrive sërbe, greke, austro-hungareze, italiane, franceze, malazeze dhe bullgare.

Fundi i Luftës së Parë me humbjen e Gjermanisë dhe Austro-Hungarisë solli humbjen e aleatëve më të mëdhenj të çështjes shqiptare ndaj në Konferencën e Parisit ne ishim thuajse pa aleatë, me një delegacion të përçarë dhe me një kryeministër të plakur si Turhan Pashë Përmeti. Nëse gjatë Konferencës nuk do mbizotëronte idea e Presidentit Uillson “e drejta e vetvendosjes së kombeve”, si dhe trysnia e madhe e bashkësisë shqiptaro-amerikane ndaj administratës amerikane, rrezikoheshin edhe troje të tjera shqiptare t’ju jepeshin fqinjëve. Konferenca e Parisit është pikë kyçe në historinë e Shqipërisë, që konfirmoi zyrtarisht ekzistencën e shtetit shqiptar. Më 1920 nis jeta e tij brenda kufijve të sotme.

(vijon)

Wednesday 27 October 2021

“Shqipëria e Madhe”- një e ardhme e afërt (3)


 (vijim)

Kongresi i Berlinit i drejtuar nga Bismarku ndali vrullin rus për të përparuar dhe dominuar Ballkanin. Ndërkohë shqiptarët patën krijuar Lidhjen e Prizrenit në qershor të atij viti, që do mbronte me armë tokat shqiptare nga bullgarët dhe sërbët, bazuar në traktatin e Shën Stefanit. Lidhja e Prizrenit ishte një mbledhje e krerëve të krahinave shqiptare (bejlerëve), që kishte edhe ndihmën (jo të hapur) të Portës së Lartë. Ndaj edhe kërkesa e saj fillestare ishte për një vilajet të vetëm shqiptar dhe jo për autonomi, si kishte sugjeruar në Stamboll Pashko Vasa. Abdyl bej Frashëri, përfaqësues i Janinës ishte një nga udhëheqësit kryesorë të Lidhjes së Prizrenit.

Pjesëmarësit e Kongresit të Berlinit ishin Gjermania, Rusia, Turqia, Austro-Hungaria, Anglia, Franca dhe Italia. Si dëgjues ishin të ftuar edhe Rumania, Sërbia, Greqia dhe Mali i Zi. Ka të dhëna se në Kongres morën pjesë edhe Abdyl Frashëri dhe Jani Vreto, por nuk dihet me siguri nëse kishin shkuar si përfaqësues të shqiptarëve, pjesë e delegacionit turk, apo është vetëm një spekullim.

Harta e Ballkanit , që u miratua në Kongres ishte shumë më e ndryshme se ajo e dalë nga traktati i Shën Stefanit, por edhe pse një hap përpara nuk merrej me çështjen e territoreve shqiptare vetëm se i linte ato përsëri në kontrollin e Turqisë dhe i jepte Ulqinin, Plavën dhe Gucinë mbretërisë të Malit të Zi.

Nga ana jonë vazhdimisht është folur e shkruar për padrejtësitë e mëdha që na janë bërë nga Fuqitë e Mëdha, por duhet pranuar se ne nuk ishim gati për të krijuar një shtet shqiptar më 1878 edhe sikur të kishte vullnet për të nga të huajt. Ende nuk kishim dëshmuar unitet të plotë për shkëputjen nga Turqia dhe njëkohësisht nuk kishim një gjuhë të shkruar. Nuk kishim një projekt të qartë se si do e ndërtonim një shtet shqiptar. Sigurisht këtu ndikonin negativisht edhe Perandoria Ruse dhe Otomane, si dhe shtetet e sapoformuara ballkanike, të cilat sa kishin nisur të mëkëmbeshin.

Interesant është qëndrimi i pafuqishëm i Vatikanit ndaj çështjes shqiptare. Ndërsa bashkësia katolike shqiptare e udhëhequr nga klerikët ishte shumë aktive në çështjen e Kombit shqiptar, ndikimi i Papës në periudhën e Kongresit të Berlinit ishte thuajse i papërfillshëm. Kjo besoj se spjegohet me pozitat e vështira të shtetit papal gjatë lëvizjeve garibaldine për bashkimin e Italisë.

Në të kundërt, Patriarkana e Stambollit mbështeste hapur interesat e shtetit dhe kishës greke edhe pse nga bashkësia ortodokse shqiptare ishin një numur i madh rilindasish dhe disa nga krerët më të rëndësishëm të saj.

Vendimet e Kongresit të Berlinit sollën një shumëfishim të përpjekjeve për të bërë Shqipëri. Ishte tashmë e qartë se duhej treguar forca e shqiptarëve nëpërmjet rebelimeve të armatosura, hapja e menjëhershme e shkollave shqipe dhe një diplomaci dhe propagandaë aktive ndaj Europës. Në ato vite nisi botimi i shumë gazetave shqip në Ballkan dhe në Itali, si dhe u formuan disa shoqëri të rëndësishme, si “Shoqëri e të shtypurit shkronja shqip” në Stamboll më 1875 e cila siguroi dhe lejen për hapje e shkollës private shqipe Mësonjorja e Parë në Korçë. Të asaj periudhe janë edhe botimi i dhjetra librave mësimorë dhe artistikë në gjuhën shqipe.

Nëpunësit shqiptarë në Stamboll ishin gjithashtu të shumtë dhe në pozita të larta shtetërore dhe pararendës të liberalizimit të jetës politike turke. Ibrahim Temo, kunati i vëllezërve Frashëri ishte themelues i Komitetit për Bashkim dhe Përparim, parti politike turke, e cila udhëhoqi lëvizjen xhonturke. Dhjetra personalitete shqiptare ishin anëtarë të asaj partie në të gjithë Ballkanin.

(vijon)

Tuesday 26 October 2021

“Shqipëria e Madhe”- një e ardhme e afërt (2)


 (vijim)

Karakteristika e Rilindjes Kombëtare është se fillon në qendrën e Perandorisë në Stamboll dhe në kolonitë shqiptare në Ballkan dhe Egjipt si dhe në botën arbëreshe. Eshtë e kuptueshme sepse në kryeqytetin e Perandorisë ndodhej elita e shqiptarëve të shkolluar ndërsa në kolonitë shqiptare, veprimtaria për shkëputje nga perandoria ishte më pak e rrezikshme.

Rilindasit patën kuptuar se për tu ulur në tryezën ku vendoseshin fatet e kombeve duhet të paraqesnin tre gjëra të domosdoshme: 1. Dëshirën dhe kryengritjet e shqiptarëve për tu vetqeverisur, 2. Dëshim historike se ishin në gjendje për shtetformim dhe vetëqeverisje, 3. Se kishin një gjuhë të shkruar me anë të së cilës do funksiononte shteti dhe administrata.

Për të parën duheshe krijuar një ndjenjë e fortë kombëtare e cila nuk kishte se si të ekzistonte deri në atë kohë, sepse edhe vetë nocioni i Kombit nuk kishte më shumë se 50 vjet që qarkullonte në Europë. Shtetet ishin thuajse të gjithë monarki dhe principata dhe idea e shtetit-komb ishte në hapat e para edhe në vende si Gjermania. Në Perandoritë as që bëhej fjalë për komb ose kombe.

Ndaj rilindasit rritën artificialisht legjendat rreth Skënderbeut, sepse kishte zona të tëra të banuara nga shqiptarët ku Skënderbeu nuk njihej ose ishte harruar. Me principatën-shtet të Kastriotëve njëkohësisht edhe dëshmonin para të huajve se shqiptarët nuk ishin fise dhe tribu që nuk kishin idenë e shtetve modern. Problemi i gjuhës ishte edhe më i mprehtë, sepse edhe pse kishte patur përpjekje në Mesjetën e vonë për një shqipe të shkruar, shqiptarët ishin i vetmi popull në Europë, që nuk kishte përkthyer Dhjatën e Vjetër dhe të Re, të cilat janë të parët libra të shkruar në shumicën e gjuhëve europiane.

Një komb pa një gjuhë të shkruar dhe pa traditë shtetformuese nuk kishte për tu njohur nga Fuqitë e Mëdha si  Shtet-Komb.

Për fatin tonë të mirë, në shtetet e Europës Qëndrore si Gjermania dhe Austro-Hungaria shihej me frikë përparimi I rusëve drejt Perëndimit pas një rënieje të Perandorisë Osmane. Edhe pse në gjysmën e parë të shekullit të XIX nuk pati ndonjë ndihmë të drejtpërdrejtë të tyre ndaj shqiptarëve, shumë intelektualë austriakë dhe gjermanë u nxitën të tregonin interesa historike dhe gjuhësore për popullin e veçantë që jetonte në Ballkan. Kjo rriti jo vetëm interesimin e opinionit publik në këto vende, por dha edhe një ndihmë të madhe në zhvillimin e gjuhës shqipe.

Një tjetër karakteristikë e Rilindjes është se ishte e përhapur në të katër vilajetet shqiptare- të Shkodrës, Shkupit, Janinës dhe Manastirit. Në të katër këto zona administrative me shumicë të popullsisë shqiptare shprehej hapur pakënaqësia ndaj administratës turke dhe dëshira për të patur një administratë shqiptare dhe mundësisht një shtet shqiptar. Përpjekje të mëdha pati nga rilindasit për të bashkuar të katër në një vilajet të vetëm, gjë që do e ndihmonte shumë identitetin kombëtar dhe krijimin e një shteti komb por kjo u refuzua vazhdimisht nga Porta e Lartë, madje edhe në çastet që ata e shihnin çështjen shqiptare si pengesë për përparimin e sllavëve dhe grekëve në territoret e Perandorisë.

Traktati i Shën Stefanit në vitin 1878 ishte një goditje e madhe ndaj idesë kombëtare shqiptare, që mund të sillte zhvillime luftarake të ashpra në territoret shqiptare nëse nuk do ishte mbajtur në fund të të njëjtit vit Kongresi i Berlinit.

(vijon)

Monday 25 October 2021

“Shqipëria e Madhe”- një e ardhme e afërt


Që Ballkani është i koklavitur, kjo dihej që para Kongresit të Berlinit të vitit 1878, kur Perandoria Otomane kishte filluar të tatëpjetën e saj. Formimi i shteteve-kombe ishte në rend të ditës në të gjithë botën gjatë shekullit të XIX dhe Ballkani nuk kishte se si të mos e ndiqte atë rrugë. Brenda tij, nën thundrën e dy Perandorive, asaj otomane dhe austro-hungareze, jetonin bullgarët, boshnjakët, grekët, kroatët, malazezët, rumunët, sërbët, sllovenët dhe shqiptarët. Kishte edhe popuj nomadë si arumunët, ciganët dhe romët.

Shqiptarët ishin i vetmi popull, që nuk kishte mbështetje nga fuqitë e mëdha dhe kjo për disa arsye.

·         Nuk kishim asnjë lidhje gjenetike apo gjuhësore me asnjë etni tjetër.

·         Kishim një histori të varfër të shtetformimit dhe të principatave shqiptare nëse krahasoheshim me popujt e tjerë.

·         Na mungonte gjuha e shkruar.

·         Një pjesë e mirë e popullsisë ishte kthyer në myslimane dhe bashkëqeveriste me otomanët në Perandori.

Grekët kishin fituar pavarësinë në vitin 1821, sepse kishin pasur mbështetjen e Francës, Anglisë dhe Rusisë. Gjithashtu principatat gjermane e patën mbështetur Revolucionin grek. U quajt i tillë edhe pse pjesëmarrës ishin po aq shqiptarë dhe vllehë, që jetonin në gadishull dhe në ishujt e Greqisë së sotme. Të gjithë ishin mbledhur një flamuri, që kishte besimin ortodoks në qendër të bashkimit.

Sërbët, malazezët dhe bullgarët kishin mbështetje të hapur nga Rusia. Sërbët ishin të parët që u ngritën kundër turqve me 1804, por vetëm më 1830 mundën të fitonin autonominë dhe Pavarësinë nga turqit e shpallën më 1869.

Malazezët kishin patur periudha autonomie dhe nënshtrimi ndaj turqve, por më 1858 arritën të fitojnë pavarësinë dhe njohjen nga Fuqitë e Mëdha.

Kryengritjet bullgare i përkasin kryesisht gjysmës së dytë të shekullit dhe autonomia e Bullgarisë u arrit vetëm pas fitores të rusëve kundër turqve dhe firmosjes së traktatit të Shën Stefanit më 1878. Fuqitë e mëdha nuk e njohën territorin stërmadh të Bullgarisë sipas traktatit, por njohën një shtet më të vogël bullgar në Kongresin e Berlinit në fund të vitit 1878.

Historia e formimit të mbretërisë rumune dhe njohjes së pavarësisë së saj nga Kongresi i Berlinit i vitit 1878 ka qënë më komplekse, sepse territore të tëra të Rumanisë së sotme kanë qënë autonome me parë, ose nën kontrollin e Fuqive të mëdha.

Zgjimi i shqiptarëve nuk ishte më i vonuar se I të tjerëve, por luftrat dhe kryengritjet duan armë dhe mbështetje të madhe financiare, të cilat shqiptarëve ju mungonin. Në dallim nga të tjerët, shqiptarët u bazuan vetëm në rritjen e ndërgjegjes kombëtare nëpërmjet ideologjisë së Rilindjes, manovrimet diplomatike dhe kryengritjet e financuara nga vetë prijësit shqiptarë me ndihma të vogla nga fqinjët sipas interesave të këtyre të fundit.

(vijon)

Sunday 24 October 2021

Ruzhdiu

 

Punët e Ruzhdi Goskovës i kisha parë në ekspozita më parë se të njihja vetë Ruzhdiun. Piktori duhet të ishte kthyer në Korçë rreth mesit të viteve ’60 pasi kishte mbaruar Liceun Artistik “Jordan Misja” dhe kishte kryer shërbimin ushtarak. Më vonë, pasi kisha dëgjuar për temperamentin e tij prej artisti nga im atë, e shihja shpesh para Pallatit të Kulturës në grup me artistë të tjerë duke diskutuar me zjarr dhe duke qeshur me të madhe. Ishte simpatik, me flokë të mbajtura me kujdes dhe rrinte i veshur mirë.

Në vitin 1978, kur punova në Ndërmarjen Artistike të Korçës e njoha më nga afër. Ishte i hapur, i drejtpërdrejtë dhe i dashur. Nuk mbahej kurrë në të madh edhe pse ishte piktor i talentuar. Kishte zjarrin e brendshëm të një artisti që përpiqet për artin e tij, por nuk është kurrë i sigurt në suksesin e veprës. Deri në ato vite kishte punuar kryesisht në vaj, por në fillimin e viteve ’80 u përqëndrua në gjininë e akuarelit dhe krijoi qindra peisazhe dhe portrete shumë të arritura. Ishte ndoshta gjinia që i përshtatej më shumë karakterit të tij të vrullshëm. Ato vite hapi disa ekspozita individuale në Korçë e në Tiranë dhe u bë shumë i njohur në të gjithë vendin.

Ishte më i qetë dhe i sigurt dhe buzëqeshja nuk i ndahej nga fytyra. Takoheshim shpesh dhe flisnim për pikturën, për Korçën dhe bënim shaka edhe për absurditetet në botën e administratës dhe artit. Megjithëse njiheshim mirë, vinte me shumë droje të më kërkonte letra “palladio”, të cilat ato vite nuk mund tiI gjeje më në shitje. Ishte një letër speciale për akuarel, që përdorej shumë edhe në projektet e arkitekturës. M’i tregonte me pasion në studion e tij punët, por pa u mburrur dhe duke kërkuar me sy edhe mendimin tim. Kishte shumë energji pozitive Ruzhdiu, të cilit I drejtoheshim si ishte zakon në anët tonat “Rushkë“.

E takova, kur isha para tre vjetësh në Korçë dhe ishte në humor të mirë. Kujtuam edhe një të njohurin tonë, të cilit ai ja kishte ngjitur me dashamirësi nofkën “i pamëshirshmi”. Mendoja se do e takoja përsëri bulevardit, kur të vija në qytetin tonë, por dje është larguar nga jeta duke lënë pas qindra vepra në pikturë dhe dashurinë për artin dhe jetën tek ata që e kanë njohur.

Prehu në paqe Rushkë!

Saturday 23 October 2021

E rëndë është gjëma e mëkatit?


Po përdor titullin e një tregimi të gjatë të mrekullueshëm të Kutelit për të përsiatur rreth rolit që ka ndërgjegja në jetëgjatësinë e individëve. Mora shkas nga një lajm, që ishte ndarë nga jeta në moshën 98 vjeçare Aranit Cela, ish-Prokuror i Përgjithshëm dhe ish-Kryetar i Gjykatës së Lartë të Diktaturës.

Cela nuk është i vetmi përfaqësues i lartë i Diktaturës që ka rrojtur deri afër një shekull. Nexhmije Hoxha jetoi për 99 vjet, Pilo Peristeri 100, Rita Marko 98, Spiro Koleka 93, Vito Kapo 98 e me rradhë. Asnjëri prej tyre nuk kërkoi falje si bashkëfajtor për krimet e kryera nga Diktatura e egër komuniste. Patën mundësi të reflektonin në gjyqet e zhvilluara ndaj tyre, në kohën që kaluan në burg, por asnjëri nuk pat ndjerë mëkate në ndërgjegjen e vet dhe edhe nëse pat ndjerë nuk pati kurajon dhe ndershmërinë të theshte se ishte penduar.

Dhe mëkatet e tyre nuk ishin të pakta si ato kolektive dhe individuale.

·         Kishin izoluar të paktën për 30 vjet një popull të tërë.

·         Kishin zhytyr në varfëri, shpesh deri në kufijtë e urisë, pjesë të mëdha të popullsisë shqiptare.

·         Kishin dënuar me mijra shqiptarë vetëm se mendonin ndryshe nga ata.

·         Kishin dënuar me vdekje dhe kishin ekzekutuar qindra shqiptarë për qëndrime politike të ndryshme.

·         Kishin futur në burg dhe kishin pushkatuar shokët e tyre më të afërt.

E gjithë kjo dëshmon për një qëndrueshmëri të fortë kriminale. Këta njerëz jo vetëm kishin bërë faje për të cilat koha i kishte bindur se kishin qënë të tilla, por nuk kishin cilësinë e domosdoshme për çdo njeri, që të vinin në pikpyetje ato që kishin bërë. Që t’i analizonin duke marrë parasysh pasojat tragjike që kishin lënë në familje të tëra. Që t’i krahasonin me ato që kishin ndodhur në vende të tjera më normale se vëndi jonë.

Ndoshta është e nxituar t’i quajmë të gjithë psikopatë edhe pse përmbushin kushtet kryesore të kësaj sëmundje psikike që janë mungesa e keqardhjes për të tjerët dhe e pendimit për veprimet e kryera, të qënit manipulues dhe të pashpirt. Mbase ishin të prekur nga një lloj psikopatie kolektive, e cila u zhvillua gradualisht në ta për shkak të sistemit të egër që kopjuan nga Stalini. Mbase disa prej tyre kishin lindur psikopatë. E megjithatë të gjithë të sipërpërmendurit u larguan nga jeta si ateistë, besnikë të idealeve të tyre vrasëse dhe pa kërkuar që të faleshin nga viktimat e tyre ose nga të afërmit e tyre.

Ndoshta ateizmi i ka bërë si i quante dikur populli “njerëz pa din e pa iman”. Askush prej tyre nuk pati faza të rënies shpirtërore, por vazhduan të manipulojnë opinionin publik me “gabime të bëra nga vartësit”, me mburrjet për zhdukjen e analfabetizmit dhe elektrifikimin e vendit, me rrugët dhe hekurudhat e ndërtuara me punë vullnetare (skëllevërish) e të tjera si këto.

Aranit Cela ishte i fundit nga “dinosaurët e rrezikshëm”. Le të shpresojmë mos nxjerrim më të tillë!

  

20 gishta të ndarë

Muzgut,

Vështrimin vara tek dielli në zhytje,

Me sytë gjysëmmbyllur ndjeja magjinë,

I shkëputur nga gjithshka,

Rëra,

                Pemët,

                                Njerëzit

Edhe nga ti që prisje më tutje.

Freskia e errësirës më përmëndi

Dhe ndjeva se të humba.

Diku mes trokitjes të gotave,

Aromave të parfumeve

Dhe djersës së çifteve që luanin rumba.

Prita  të dëgjoja tingujt e qetësisë

Dhe mëngjesin që vjen pa zhurrmë.

Në vetminë e një plazhi të humbur

Prita rrezet të ngjyrosin kujtimin

E ne të dyve,

Në të njëjtin vend dikur puthur. 

Friday 22 October 2021

Amerikanët e kanë të lehtë të “qeverisin” në Shqipëri (fund)


 (vijim)

Le të kthehemi në “governanca” e ambasadorëve amerikanë në Shqipëri dhe a e cënon ajo sovranitetin e vendit tonë.

Politikanët dhe diplomatët përgjithësisht kërkojnë të jenë protagonistë. Eshtë në natyrën e punës së tyre dhe ju shërben në karrierë. Gjithashtu në natyrën njerëzore është shumë e përhapur prirja për të patur pushtet dhe për të qënë pranë vendimmarrjes. Ndaj në sjelljet e ambasadorëve amerikanë në Shqipëri, sidomos e atyre që janë në mes të karrierës, vihet re angazhimi i tepruar në të gjitha proceset politike dhe shoqërore të vendit tonë. Për më tepër “oreksin” e ambasadorëve amerikanë e kanë shtuar qëndrimet e politikanëve shqiptarë në këto 30 vjet, sepse të gjithë shkojnë dhe “rrëfehen” në Rrugën e Elbasanit për të minuar rivalët dhe për të fituar pikë për veten.

Asnjë diplomat i huaj nuk do refuzonte këtë sjellje servilash, sepse është brenda detyrës së tij të grumbullojë sa më shumë informacion për gjendjen politike dhe të ketë edhe sa më shumë pushtet. Duke qënë njerëz që gabojnë, edhe ambasadorët amerikanë jo rrallë kanë gabuar edhe për interesat e Amerikës, sepse gabimet për interesat shqiptare nuk kanë pse t’i quajnë të tilla.

Politikanët shqiptarë me sjelljet e tyre jo vetëm se kanë cënuar sovranitetin e shtetit shqiptar, por kanë humbur edhe respektin e funksionarëve amerikanë, një gjë e domosdoshme për marëdhënie të shëndetshme reciproke midis dy vendeve pavarësisht nga forca ekonomike dhe politike.

Nga kjo kanë rrjedhur edhe kërkesat e shumta amerikane për çështje komplekse dhe delikate, që përgjithësisht kanë gjetur përgjigje pozitive nga qeveritë shqiptare edhe pse nuk kanë qënë në interes të vendit tonë.

Qeveria socialiste miratoi kërkesën e amerikanëve më 2002 për të marrë pjesë në koalicionin ushtarak në ndërhyrjen në Irak, gjë aspak e mirëpritur në botë, në kundërshtim me politikën europiane dhe as në interesin e Shqipërisë. Asgjë nuk na detyronte ne, që aspironim për të hyrë në Europën e Bashkuar dhe kërkonim njohjen e Kosovës, të merrnim këtë vendim kontrovers.

Një qëndrim i përafërt është ai i qeverisë demokratike për të pranuar në territorin shqiptar opozitën iraniane, që ishte e detyruara të largohej nga Franca. Pavarësisht nga opinioni që kemi për regjimin reaksionar të mullave në Iran, nuk është në interesin tonë të jemi objektiv i një shteti terrorist, duke ditur edhe që e ardhmja e një opozite të pafuqishme iraniane për tu kthyer në vendin e saj është shumë e largët.

Vërtet si një vend i vogël dhe jo me shumë aleatë, je i detyruar të sillesh si “vasal”, por është në interesin tonë të sillemi si “vasal” dinjitoz dhe që nuk bindet për çdo trill të “zotërisë“ së tij. Në këtë mënyrë edhe përfitimet tona do jenë edhe më të mëdha. Greqia është një vend jo shumë më i madh se ne, por edhe së fundmi ka përfituar shumë nga Shtetet e Bashkuara edhe pse njihet për qëndrime jo të rralla anti-amerikane. Vetëm një në tre grekë e shohin Amerikën si vend mik dhe megjithatë ata sapo arritën një marëveshje bilaterale ushtarake edhe pse janë vend i NATO-s.

Ne duhet të përfitojmë më shumë nga përputhja e interesave me Amerikën që ze fill më shumë se 100 vjet më parë. Pa presidentin Uillson dhe pa bashkësinë shqiptare në Amerikë mund të kishim përfunduar në një vend edhe më të cunguar se sa jemi, në Konferencën e Paqes në Paris 1918-1920.  Pa vendimin e Klintonit për të sulmuar Sërbinë nuk do dihej si do ishte sot fati i Kosovës. Për këto dhe shumë të tjera duhet të veprojmë në favor të interesave amerikane, por pa cënuar interesat tona.

Thursday 21 October 2021

Amerikanët e kanë të lehtë të “qeverisin” në Shqipëri


SHBA përgjithësisht ndërhyn në punët e brendëshme të të gjithë vendeve të botës, nëse nuk futim këtu Korenë e Veriut dhe ndonjë vend tjetër të izoluar. Ndërhyrja bëhet për interesat e ekonomisë ameriakne dhe të dominimit amerikan në botë, por në më të shumtën e rasteve këto ndërhyrje kanë qënë edhe në favor të vendeve ku janë  përzjerë. Sigurisht që po qe se do flitet për periudhën 75 vjeçare nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, ka edhe shumë raste të ndërhyrjeve brutale dhe në dëm të interesave të popujve, sidomos në Amerikën Latine.

Po le të merremi me rastin e Shqipërisë dhe Ballkanit, dhe sidomos me ndërhyrjet amerikane në këtë shekull.

C’farë kërkojnë amerikanët nga vendet Ballkanike?

Uljen e ndikimit të rusëve, kinezëve dhe turqve dhe mundësi për investime amerikane dhe për blerje të produkteve amerikane. Nëse vendet e Ballkanit mund të ndikojnë në politikat pro-amerikane të Bashkimit Europian aq më mirë.

Tradicionalisht për Shqipërinë, interesat amerikane kanë qënë në përputhje me interesat tona. Kjo është arsyeja që ne jemi vendi më pro-amerikan në Ballkan dhe në të gjithë Europën. Dhe kjo e ka bërë edhe më të lehtë për përfaqësuesit amerikanë të “ndërhyjnë“ në “punët tona të brendshme”. Kjo ka bërë edhe që amerikanët të këmbëngulin për një demokraci të vërtetë në Shqipëri. Në rast se do kishte rryma të ndryshme edhe anti-amerikane dhe pro-ruse e të tjera, ata mund të favorizonin udhëheqës autokratë, mjaft të ishin në krahun e tyre, por të tillë nuk ju duhen në Shqipërinë pro-amerikane.

Duke qënë të informuar mirë se demokracia çalon kryesisht prej korrupsionit të lartë dhe dobësive të mëdha të sistemit juridik, amerikanët ndërtuan projektin e Reformës në Drejtësi. Për më tepër ju shërbente edhe interesave të tyre, sepse investitorët amerikanë nuk qasen në vende ku investimet pengohen nga burokracia dhe nga korrupsioni i gjykatave. Ndaj dhe ata investuan burime njerëzore, kohë dhe fonde financiare për të realizuar projektin e tyre.

Kishte vetëm një pengesë! Politikanët e korruptuar shqiptarë të cilët kontrollonin sistemin juridik dhe mbi të cilët shquheshin Sali Berisha dhe Ilir Meta. Gjatë mandatit të Donald Lu, ata bënë ç’ishte e mundur që të dështonte miratimi i paketës së ligjeve për Reformën në Drejtësi. Të korruptuarit socialistë kishin interesat e tyre jo se vërtet duan një sistem juridik të pastër, por donin të hiqnin Drejtësinë nga duart Berisha –Meta.

Këtu është rrënja e shpalljes së Berishës “non grata”, sepse ai jo vetëm ishte pengesë e projektit në fazën e parë, por nuk do ngurronte edhe të bëhej pengesë gjatë zbatimit në fazën e dytë. Për më tepër, amerikanët e patën të qartë, që edhe “Drejtësia e Re” nuk ishte në gjendje të godiste Berishën. Sepse as ingranazhet e saj nuk janë plotësisht të pavarura dhe as plotësisht të fuqishme dhe kompetente.

Njerëz të ndryshëm në të gjitha mediat kritikojnë projektin amerikan dhe sidomos pranojnë “përrallën” se Berisa po goditet nga Sorosi etj. etj. Një pjesë e tyre kërkojnë me “idiotizëm” që amerikanët të paraqesin fakte për korrupsinin e Berishës dhe familjes së tij.

Vendimi i Departamentit të Shtetit nuk është një vendim gjykate, ku vendimmarrësit janë të detyruar t’ju paraqesin palëve apo të interesuarve të tjerë fakte. Eshtë vendim -“unë nuk të pranoj ty në shtëpinë time se ke një emër jo të mirë.” Nëse Berisha dhe mbështetësit e tij këtë e quajnë si njollë për Berishën, ky nuk është problem i Departamentit të Shtetit dhe këtë njollë nuk ka asnjë “laborator i pastrimit kimik” që ta pastrojë.

Absurde janë edhe arsyetime të tjera si “Rama është më i korruptuar, pse nuk e shpallin non grata?”, ose “Berisha ka 8 vjet që nuk ka asnjë pushtet, pse duhet të shpallej tani?” Berisha kishte pushtet edhe në këto 8 vjet prandaj edhe u morrën me të. Berisha kontrollonte Partinë Demokratike dhe mbi të gjitha kontrollonte një pjesë të mirë të sistemit juridik. Amerikanët nuk denojnë të merren me njerëz që nuk kanë gjë në dorë.

(vijon)

Wednesday 20 October 2021

A ka një bazë sekrete aeronautike në Surrel?


Banesa e çuditshme e tipit “bunker” e Ramës në Surrel ka lënë shpesh herë vend për spekulime. Eshtë folur për kasaforta stërmëdha betonarmeje ku ai fsheh kartmonedhat e shumta të përfituara gjatë 23 viteve si Kryetar Bashkie dhe pjesëtar i qeverisë. Por ndoshta ndërtimi i çuditshëm, i mbrojtur nga Garda e Shqipërisë mund të ketë edhe qëllime të tjera, të cilat nuk na i kap dot mendja.

Deklaratat e fundit të përsëritura të Ramës për lëshimin e dy satelitëve në hapësirë, që janë pritur me gajasje në rrjetet sociale, mbase japin ndonjë spjegim të mundshëm. Deri më tani askush nuk e ka pyetur Edi Ramën se që kur ka nisur programi shqiptar i “sputnikëve”, nga kush financohet, sa kushton dhe nëse po na ndihmon ndonjë agjensi e huaj e hapësirës. Janë pyetje më të llogjikshme se sa të shprehësh hapur mosbesimin dhe të tallesh me delirin e madhështisë së kryeministrit shqiptar.

Ndoshta Rama si egoist megaloman, tani që ka krijuar një pasuri të konsiderueshme mund të ketë zili Bezos dhe Musk dhe nëse nuk ka kapitale të mjaftueshme për të siguruar një program për të dërguar veten në hapësirë mendon që t’ja fillojë me satelitët. Mburrja nëpër botë se është kryeministri më i gjatë nuk mund të jetë e mjaftë për të. Kërkon të jetë kryeministri i parë që fluturon në hapësirë dhe për këtë duhet të nisë nga provat më të thjeshta deri sa të arrijë në lëshimin e anijeve kozmike me veten astronaut.

Nuk është i pari njeri i pasur me ide idiote të fluturimit në hapësirë. Për më tepër nëse nuk i dalin paratë e mbledhura me kursim gjatë viteve mund të futë duart në buxhetin e shtetit ose të marrë fonde nga Erdogani.

Ndoshta në banesën-bunker të Surrelit të gjitha eksperimentet po shkojnë mbarë. Edhe ne do kemi me se të krenohemi gjatë vitit të vështirë 2022.

Tuesday 19 October 2021

Lakçeja dhe Shën Gjergji


Emrin e Lakçes e kisha dëgjuar që në fëmijëri, por ishte i lidhur me varrin e tij në Shën Gjergji dhe mbetej i rrethuar me një vello mistiçizmi për mendjen e një fëmije, si dikush i pazakontë, i varrosur jo si të tjerët në Shën Triadhë. Nuk dija nëse kishte qënë dhespot dhe nuk kisha guxuar të pyesja për të. Fantazma e tij sikur sillej rrotull edhe kur luanim mbi gurët e mëdhenj të kishës që po prishej. Kisha hyrë vetëm një herë brenda kishës së Shën Gjergjit kur ishte mbyllur, se edhe pse e kishim pranë sht[pis[, mamaja shkonte në kisha e Mitropolisë dhe më kishte marrë ndonjëherë me vete. E kujtoj ende ndjenjën e frikës në atë hapësirë aq të lartë me një kupolë dhe afreske në kulm. Kisha nuk ishte një vend ku mund të shkoja me dëshirë.

Cuditërisht Anastas Lakçeja pak zihej në gojë pasi ishte prishur Shën Gjergji. Duket që qëndrimi zyrtar ndaj tij e kishte bërë të vetën në popull. Të pasurit duhet të përmendeshin vetëm për keq dhe Lakçeja kishte qënë më i pasuri mes korçarëve të pasur.

Edhe pse u mora me kishën e Shën Gjergjit gjatë temës të diplomës, nuk shfletova gazeta të periudhës para Pavarësisë, sepse koha që studioja përfshinte vitet nga 1912-1944. Ndaj dhe kur prekja karakteristikat arkitekturore të kishës u mjaftova me të dhënat e përgjithshme të kohës kur u ndërtua dhe drejtuesin e punimeve. Nuk mësova dhe as e vrava mendjen se kush ja kishte dhuruar qytetit atë kishë madhështore. Ishte viti 1982 dhe për kishën mund të flisje vetëm në mënyrë teknike, si dhe mund të lavdëroje mjeshtërinë e gurgdhëndësve, muratorëve dhe karpentierëve. Anastas Lakçe ishte i fshirë nga librat e historisë.

Ende nuk di shumë rreth tij, por di që bëri shumë për bashkësinë shqiptare në Rumani, bëri shumë për mësimin e gjuhës shqipe dhe për Mësonjtoren dhe bëri akoma më shumë për qytetin e lindjes, të cilit i la trashëgim jo vetëm Kishën e Shën Gjergjit, por edhe gjithë pasurinë e tij.

Në traditën e lënë nga dhuruesi i saj, Shën Gjergji, që në përurim më 1905 u kthye në vatër të edukimit kombëtar. Atje meshoi për herë të parë në shqip Imzot Fan Noli. Shën Gjergji ishte tempulli më i madh i ortodoksisë kombëtare shqiptare.

Po pse u prish Shën Gjergji, kur nuk kishte njeri në Korçë, besimtar dhe ateist, mysliman dhe i krishter, që nuk e quante gabim të rëndë? Lista me objektet fetare që duhet të mbroheshin si monumente kulture pat hyrë dy herë në Byronë Politike për miratim dhe të dy herët Shën Gjergji ishte në listë.

Ku ishte mllefi I Enver Hoxhës për Kishën e  Shën Gjergjit, të cilën ai e njihte mirë? C’farë donte të fshinte nga historia? Anastas Lakçen? Kontributin e shqiptarëve ortodoksë për çështjen shqiptare?

Asnjëherë nuk kemi për ta mësuar, por për fat të keq diçka ka arritur. Anastas Lakçes nuk i dihet varri dhe pakkush kujtohet për të. Sivjet ishte 200 vjetori i lindjes dhe mbase u përmend në ndonjë veprimtari të Muzeut Mesjetar.

Shtatorja e Lakçes duhet të ishte në qëndër të Korçës. Ose të paktën një basoreliev bronxi i tij duhet të jetë në muret e Bashkisë. Pikërisht atje ku bleu truallin për tu ndërtuar Shën Gjergji dhe ku preheshin dikur eshtrat e tij.

Korça nuk duhet t’i harrojë bijtë e saj më të mirë!

Pemët e çveshura

Më vjen keq për pemët,

Që qajnë këtë fund vjeshte.

Shiu i ka qullur dhe lotët ju pikojnë,

Por nuk bëzajnë,

Gëlltiten në heshtje.

“Pse nuk binte shi kur ishim të veshura?”

Më pyesin dhe nuk gjegjem dot.

“Më shumë se unë duhet të dini,

Këtu keni qënë kur nuk kisha lindur

Dhe këtu do jini sot e mot!”

Ato nuk fshijnë dot trupit

Ujin që ju kullon,

Stepen;

Nuk di pse më duket

Se kanë një shikim të bindur.

Do ik poshtë në jug,

Atje ku ka palma

Dhe pemë të qeshura plot gjelbërim.

Pranverës do kthehem tek të mijat pemë.

Më dhimben kështu të qullura,

Të çveshura nën shiun që bie pa pushim.

 

Monday 18 October 2021

Ende pas 50 vjetësh nuk ka tren ekspres


“Të pres në tetor të vish me trenin ekspres” fillonte një poezi e Kadaresë e fundit të viteve ’60, e cila u kthye edhe në këngë në një nga festivalet e Radio-Televizionit të atyre viteve. Ishte një poezi dashurie, që kishte edhe një tingëllim pak futurist, që dëshmonte se po bëheshim europianë. Ishte drejt përurimit hekurudha Rrogozhinë-Fier dhe ishte shpallur se do niste shumë shpejt edhe ajo Elbasan-Librazhd.

Në vitet ’70 transporti i udhëtarëve me tren ishte transporti më masiv dhe kur nuk kishte data të mbingarkuara, me tren bëhej një udhëtim komod, jo i prapambetur nëse krahasohej me trenat e vendeve fqinj.

Për fat të keq, ndërsa e gjithë Europa, përfshirë këtu edhe fqinjët e përmirësuan transportin hekurudhor duke bërë trena më të shpejtë, vagona dykatësh dhe më komodë, në Shqipëri transporti hekurudhor është në gjendjen më të keqe të të gjitha kohëve. Si rrjedhojë shtohen bllokimet e automjeteve në arteriet kryesore, rritet numuri i aksidenteve automobilistike dhe ndotet mjedisi më shumë. Transporti më i pastër, më i sigurt dhe më i shpejtë tokësor thuajse nuk ekziston më në Shqipëri.

Më e keqja është se duket se askujt nuk i bëhet vonë për trenat. As opozitës as medias dhe as klasës së pasur shqiptare. Ndoshta askush nuk sheh ndonjë përfitim financiar, që të propagandojë nevojën për investime të mëdha në rikthimin e transportit hekurudhor të pasagjerëve.

Ndoshta do vijë një ditë, kur shqiptarët e moshave të mesme dhe të shtyra të lodhen në trafikun e ngarkuar dhe njëkohësisht të rrezikshëm e të kërkojnë nga qeveria “rilindjen” e trenave. Ndoshta pasi të kemi lëshuar në hapësirë edhe satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2”.

Atëhere mund të mërmëritim mes dhëmbësh “Të pres në tetor të vish me trenin ekspres!” për të marrë pjesë në “Përputhen 40+”.

Indiferenca

Grabitqarët e presin përhumbjen

Indiferencën,

                Mungesën e dëshirës,

                                Dremitjen

E presë së tyre.

Ndodh

Sepse në mes të së keqes e të mirës,

Mes bukurisë dhe mënxyrave

Nuk mund të jetohet vetëm duke vrojtuar.

Mes tufave të gjallesave,

Shumë syresh

Mendjejetësia dhe gjumi kapluar

Drejt gojës grabitqare i shpie.

Të habitur pyesin veten:

-Ne nuk dilnim shtëpie

Askënd s’kemi trazuar,

Pse duhet kështu të mbyllim jetën?

Lakmitarët ngrehur kishin lakun,

Por nuk ju a lidhën ata tek fyti,

Ndërsa të përhumbur thurrnin ëndërrat

Dhe njëri tjetrin vetë lanë,

Indiferenca ngadalë i mbyti!

Sunday 17 October 2021

Sa e rëndësishme është kujtesa?


Ka që thonë është shumë shumë e rëndësishme. Pa kujtesë, ose më mirë pa aftësinë e trurit të “human sapiens” për të grumbulluar informacion dhe të dhëna nuk do kishte shoqëri njerëzore si kjo që njohim dhe njerëzit nuk do ishin sundimtarët e globit. Pra bota do ishte shumë më ndryshe. Nuk do kishte as qytete, as avionë, as piramida, as ura, as transatlantikë dhe as telefonë celularë.

Por po aq e mirë sa kujtesa është edhe harresa. Nëse nuk do harronim do ishim çmendur të gjithë brenda një kohe të shkurtër ose do kishim plasur nga dhimbjet që na krijojnë ngjarjet e rënda dhe humbjet e mëdha.

Unë i kam zili njerëzit që harrojnë dhe që harrojnë më shumë se mesatarja. Nuk zilepsem aspak për gjenijtë apo për njerëzit që kanë një kujtesë të përsosur. Njerëz që kujtojnë qindra numura telefonash, se në cilin sirtar kanë lënë dokumentat, e sata është në raft e varur kravata me pika, se në ç’minutë e shënoi Panajot Panoja golin e dytë kundër Dinamos më 1972 e të tjera gjëra që ne vdekëtarët e zakonshëm nuk kemi mundësi t’i kujtojmë dot.

Shpesh mërzitem edhe me veten, që pjesë bisedash pa rëndësi më kanë mbetur në mendje dhe jo vetëm pjesëmarrësit në bisedë, por edhe vendi, peisazhi, moti dhe veshjet e të pranishmëve. Do doja që në tru të kishin mbetur plazhet e bukur, dallgët të cilave ju futeshim poshtë kur ishim fëmijë, aromat e gjellëve të preferuara të gatuara me përbërës të pamodifikuar gjenetikisht, buzëqeshjet e vajzave të klasës që ndoshta donin të na thonin diçka, por nuk i kuptonim dhe shumë e shumë mbresa të tjera të bukura.

Për shembull kujtoj që dy më të mëdhenj se unë, njohës të mirë të letërsisë parapëlqenin njëri Kadarenë dhe tjetri Dritëroin. Shumë vite më vonë, edhe njëri dhe tjetri nuk pëlqenin më as Kadarenë dhe as Dritëronë se kishin lexuar shumë më shumë dhe veprat e tyre nuk i zinin më me dorë. Unë rrija dhe i dëgjoja dhe më dukej si e çuditshme, se  lexoja vetëm shqip dhe përkthime të të huajve në shqip. Pasi kishin lexuar akoma më shumë, qëlloi që një ditë ai që dikur parapëlqente Kadarenë e pyeti atë që parapëlqente Dritëronë nëse kishte patur rastin të pinte ndonjë kafe me Ismailin. Tjetri ju përgjigj me përbuzje se nuk kishte pasur ndonjëherë dëshirë të pinte kafe me të.

Unë vazhdoja t’i dëgjoja me habi, se vetë do kisha pirë me shumë dëshirë kafe edhe me njërin edhe me tjetrin, edhe pse duhet të paguaja unë në të dy rastet se Kadareja është gjirokastrit, ndërsa devolliut të madh nuk i mbetej ndonjë lek se i prishte të tëra.

Por jo shumë e shumë vite më parë, ai që parapëlqente Dritëronë dhe që më pas nuk pëlqente asnjërin dhe nuk kishte asnjë dëshirë për të pirë kafe me Ismailin, zbuloi se Kadareja është jo vetëm shkrimtar shumë i madh, por duhet të kishte marë disa herë çmimin Nobël. Nuk di se ç’ndodhi me tjetrin se nuk jam në këto mediat sociale.

E ç’farë dobi kam nga kujtimi I bisedave të të tjerëve? Shijet janë të ndryshueshme, truri vetë është elastik dhe të dy diskutantët ndoshta nuk kujtojnë hiç se ç’kanë thënë mes tyre kur flisnin për letërsinë. Se si thotë një shprehje amerikane “Mendjen nuk e ndryshojnë vetëm të vdekurit dhe budallenjtë“ Dhe të dy njohësit e letërsisë nuk janë as budallenj dhe as kanë vdekur.

Ndaj e dua aq shumë harresën!

“Frika” e Ramës nga Ministrat e Jashtëm


Në vendet demokratike, në kohë paqeje, posti më i rëndësishëm në qeveri pas kryeministrit është ai i ministrit të jashtëm. Shembujt janë të panumurt të ministrave të jashtëm, që jo vetëm kanë patur një karrierë stabël në qeverisje edhe pas ndryshimit të qeverive, por shpesh janë bërë kryeministra ose presidentë të vendeve të tyre. Personalitete të shquar si Vili Brand, Xhulio Andreoti, Kizinger, Alen Zhupe, Lord Kerrington dhe shumë të tjerë kanë qënë ministra të jashtëm të qeverive të vendeve të tyre.

Akoma më i rëndësishëm është roli i kryediplomatit në demokracitë e vogla, të cilat varen shumë nga aleancat me Fuqitë e Mëdha, ose spirojnë të hyjnë në organizime politike ndërkombëtare, si është rasti i vendit tonë.

Në të kundërt, shtetet me qeveri autokrate, ministrat e jashtëm i kanë përgjithësisht “zëdhënës” të kryeministrit apo presidentit, që përsërisin si papagaj ato që thotë kreu i shtetit të tyre. Me një fjalë politikanë të dorës së dytë, pa integritet dhe pa personalitet të fortë. Kjo ndodh kryesisht nga paranoja e autokratëve, se mos ministrat e jashtëm i tradhëtojnë në bisedime me të huajt.

Edi Rama është autokrati tipik, që jo vetëm me ministrat e jashtëm, por me të gjithë ministrinë sillet sikur ajo është një aneks i Kryeministrisë apo i Partisë Socialiste. Pasi vendosi në fillim si ministër të jashtëm Ditmir Bushatin, politikan dhe diplomat krejt i panjohur, si dhe me lidhje familjare me kupolën e Partisë së Punës, e zëvendësoi edhe atë me Gent Cakaj, një tjetër i panjohur nga Kosova dhe së fundmi vendosi Olta Xhaçkën, e cila nuk ka asnjë lloj eksperience në diplomaci dhe në politikën e jashtme.

Rama është vetë mikromanaxhues i të gjithë veprimtarive që lidhen me jashtë dhe kryediplomatët e tij vetëm “de jure” janë të tillë. Tërësisht i ngjashëm me Enver Hoxhën, i cili pasi hoqi dorë nga posti i Ministrit të Jashtëm dhe largoi edhe Behar Shtyllën, la për 23 vjet në krye të ministrisë mediokrin Nesti Nasse. Pasi e futi edhe atë në burg vendosi një tjetër mediokër, Reiz Malilen. Asnjëherë ministrat e jashtëm shqiptarë të kohës së Diktaturës nuk kanë qënë anëtarë të Byrosë Politike.

Paranoja e Ramës të le të kuptosh se ai do largohet nga posti I kryeministrit vetëm nëse humb  zgjedhjet dhe edhe pas humbjes do e mbajë sërish kreun e PS-së. Eshtë një plan ekzistencial për të shpëtuar nga çdo proçes ligjor i mundshëm deri sa të ketë kaluar të 70-tat. Ajo që po i ndodh tani Berishës është përforcues i idesë “mos përgatit pasardhës për kreun e PS-së“.

Kjo është edhe arsyeja kryesore e vendosjes së “gjuhëprerëve” në postin e Ministrit të Jashtëm.

 

 

 

Saturday 16 October 2021

“Pashallarët e kuq” si bumerang


Historia e Diktaturës ka shumë ngjarje paradoksale. E kuptueshme, sepse sistemi vetë ishte një paradoks dhe drejtimi i gjithë jetës së vendit varej thuajse totalisht nga humori i mirë apo i keq i Enver Hoxhës.

Një nga këto ngjarje është edhe “saga” e poezisë të Ismail Kadaresë “Në mesditë Byroja Politike u mblodh“ ose si quhej në popull “Pashallarët e kuq”.

E kam dëgjuar në atë kohë interpretimin e njerëzve të afërm rreth poezisë. Babai erdhi një ditë në shtëpi dhe tregoi se Ismaili kishte shkruar një poezi për puçistët e ushtrisë ku i cilësonte si “pashallarë të kuq”. Shtoi se duhet të kishte patur problem ideore, se ishte hequr menjëherë nga botimi me porosi nga lart. Më kujtohet që ne të tjerët ishim plotësisht në mbështetje të Ismailit, madje mamaja i tha “po tamam ja u ka shkruar se ktëta të gjithë si pashallarë na janë bërë“. Më vonë u mësua që Kadareja nuk i kishte punët mirë, por nuk dihej me siguri nëse ishte thjesht për poezinë apo po rihapeshin “avazet” e “Dimrit të vetmisë së madhe” dhe “Nëntori i një kryeqyteti”.

Shumë vite më pas historia e poezisë ishte harruar dhe unë kam mundur ta lexoj vetëm para 5-6 vjetësh dhe jam habitur.

Poezia është shkruar për të përkëdhelur sedrën e Enver Hoxhës, por efekti që bëri tek ai ishte krejt i kundërt. Sipas kujtimeve të sekretarit të tij, Hoxha u tërbua dhe nga ai tërbim mund t’i vinte fundi Kadaresë, po të mos ishte portreti që I kishte bërë Sekretarit të Parë në librin “Dimri I Vetmisë së Madhe”. Futja e Kadaresë në burg, që mezi pritej në rrethet e Partisë, Ministrisë së Brendëshme, por edhe në rrethet e shkrimtarëve do të thoshte heqjen nga qarkullimi të të gjithë veprave të tij dhe kryesisht “Dimrit…” dhe poemave “Viti 60” dhe “Shqiponjat fluturojnë lart”, ku ishte ngritur me art figura e Enverit.

Eshtë folur edhe për një stepje për shkak të njohjes së Kadaresë në Europë, por Enver Hoxha më 1974 nuk deshte t’ja dinte për Europën. Ishin vite të izolimit të plotë, të terrorit më të madh dhe si do ndodhte në ato vite me pushkatimin e zv’kryeminstrave, Hoxha nuk do kursente Kadarenë edhe pse i njohur në Francë dhe në vende të tjera europiane.

E gjithë ngjarja e poezisë është qesharake. Ismaili e shpie ta botojë në “Drita” atë lloj traktati politik për të fituar pikë në sytë e Hoxhës, kryeredaktori i gazetës ja tregon Dritëroit që ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, Dritëroi dyshon në “pastërtia” e saj dhe ja përcjell Duro Mustafajt të Komitetit Qëndror që e pengon botimin. Por ndalimi është një lloj “pezullimi” sepse dihej simpatia që kishte Hoxha për Kadarenë dhe sidomos miqësia e shkrimtarit me klanin Shehu. Ndaj edhe vetë Ramiz Alia nuk di si të bëjë , por ja shpie poezinë Enver Hoxhës, për të parë se si mund të jetë qëndrimi i tij. Ky i fundit e shpreh hapur pakënaqësinë që Ramiz Alia nuk ishte në gjendje të vendoste vetë!

…Enver Hoxha, syri i tij i mprehtë,/ Ishte i pari që dyshoi për ta/Dhe atëhere në themelet e shtetit/ Zbriti si në baladat e mëdha./Një pishtar të kuq mbante në dorë./Dheu dridhej,/ Flaka mbi ta ra./Dhe i pa tek prishnin gjakun e dëshmorëve/ Tek ndanin mantelet seç i pa…

Këto ishin disa nga vargjet me të cilat Ismaili donte të tregonte madhështinë e Hoxhës dhe vigjilencën e tij ndaj puçistëve dhe burokratëve, por në poezinë-traktat kishte disa të vërteta, që i takonin pikërisht bandës së Enver Hoxhës dhe që Ismaili nuk mendonte se mund t’i shkaktonin tërmetin.

Ishte e vërtetë që Enver Hoxha kishte tradhëtuar që në hapat e para idealizmin e dëshmorëve të rënë dhe të luftëtarëve të tjerë, si dhe ishte e vërtetë, që i kishte të lyera duart me gjak. Por nuk ishte kjo që donte të thoshte poeti ynë i madh. Ai kërkonte mbështetjen e Diktatorit për të mos ndjerë bezdisjen e sigurimsave dhe fanatikëve partiakë.

Kjo ishte dhurata që donte t’i bënte Enverit në përvjetor, por që për pak i kushtoi burgimin e gjatë.

 

 

 

Friday 15 October 2021

Një “parti” e kalbur më mirë të prishet


Edhe pse titulli është për PD-në dhe situatën e saj të kalbëzuar , që duket qartë gjatë dy muajve të fundit, duhet të them se të gjitha partitë shqiptare janë të kalbura.

Deklarata as është më e fortë se sa duhet dhe as jashtë realitetit. Partitë shqiptare janë “të kalbëta” sepse ju mungon “oksigjeni i debatit demokratik”. E tillë është PS-ja si “pronë“ e Ramës, PD-ja si “pronë“ e Berishë-Bashës, LSI-ja e Metës dhe me rradhë. Eshtë absurde të mendosh se këto parti, të cilat nuk e kanë normë jetën demokratike brenda tyre mund të demokratizojnë shoqërinë dhe jetën shqiptare.

Por partitë janë këto që janë dhe duhet të merremi me këtë realitet politik dhe të hamendësojmë se ç’farë e mirë mund të ndodhë në të ardhmen, duke bërë analogji me vende të tjera të Mesdheut.

Partitë në Mesdhe nuk janë të përhershme!

Në ndryshim me vendet e mëdha me demokraci të zhvilluar, si Amerika, Anglia, Kanadaja, Gjermania etj., “toka politike” në vendet mesdhetare është e paqëndrueshme. Në Itali u tretën parti të fuqishme si ajo Demo-Kristiane, Socialiste, Republikane, Aleanca Nacionale dhe u krijuan nga hiçi Lëvizje si Forza Italia, Lega Nord apo Cinque Stelle. Në mënyrë të ngjashme në Greqi, u zhduk PASOK-u dhe u krijua Syriza, ndërsa në Francë erdhi në pushtet një parti e posakrijuar si “Republika Marshon!” e Makronit.

Sa më i ulët të jetë besimi i njerëzve tek politikanët dhe formacionet politike, aq më i mundshëm është zëvendësimi i një partie nga një parti tjetër e t[ nj[jtit krah.

Por tek ne pluralizmi politik jo vetëm që është foshnjor, por gjatë 25 viteve të fundit ka bërë hapa prapa. Kishte më tepër debat demokratik gjatë viteve ’90 se sa ka sot dhe kjo për merita të veçanta të Sali Berishës dhe të Edi Ramës.

Por edhe debatet e fundit brenda PD-së nuk janë debate demokratike. Ngjanë me shpërthime aromash të ndenjura në një formacion që po kalbëzohet. Të gjithë pjesëmarrësit në debate me “dinakëri anadollake” mundohen të përshtatin argumentat në favor të së ardhmes së tyre politike. Askush nuk është në gjendje të dalë hapur kundër Berishës dhe t’i thotë se ai është përgjegjësi kryesor për gjendjen e PD-së. Ai dhe vetëm ai e ktheu në një repart ushtarak dhe kur i erdhi mosha të hiqej mënjanë nuk mendoi për të ardhmen e partisë, por vuri në krye dikë që mund ta kontrollonte.

Demokratët çirren nëpër foltore dhe televizione se “PD-ja është pasuri kombëtare”. E bëjnë Bashistët, Berishistët dhe centristët.

PD-ja dhe PS-ja nuk janë pasuri kombëtare, por dy struktura me database dhe prona të paluajtshme, që i binden kreut, i cili mund t’i hedhë në kanal në çastet kur do largohet dhe nuk ka më interesa.

Ndaj skenari më i mirë për Shqipërinë është që PD-ja të çahet dhe edhe brenda Kuvendit Popullor të jenë dy grupe opozitare të besueshëm!

Rama mund të sundojë më mirë duke patur si opozitë një PD në “unitet” por të kalbëzuar.

Ne u harruam pyllit të vjeshtës

Ne u harruam pyllit të vjeshtës,

Në shtrojet shumëngjyrëshe fjetëm gjatë.

Jermet nga kërpudhat dhënë,

Na shpunë përrallave me flloçka,

Me xhuxhër dhe lisa të lartë.

Mbulesa me gjethe të rëna

Na mbajti ngrohtë

Pa na rënduar.

S’dinim se si kishim ardhur,

Prej ku,

Dhe as sa kohë kishte shkuar.

Krakaritjet e korbave na kujtuan shtrigën,

Në kasollen e errët mbuluar me ferra,

Me oxhakun që nuk rrjesht tymin e zi,

Ku zjehen eliksiret,

Helmet,

Pikëllimet,

Dhe gjithë mallkimet e tjera.

Pse nuk e lënë të qetë pyllin

Njerëzit e trembur të qyteteve?

Duke dashur të fshehin ç’ka ndodh pallateve,

Të virgjërën natyrë përdhosën,

Kështu bënë dikur,

Bëjnë dhe sot,

Dhe në jetë të jetëve. 

Thursday 14 October 2021

500 euro


Para do kohësh, dikush më tregonte se sipas doracakut të pashkruar të rryshfeteve në fushën juridike, një prokurori ose gjyqtari nuk mund t’i jepje një rryshfet më të vogël se 500 euro, sado e vogël të ishte çështja. Rryshfeti nën 500 ishte fyes, përçmues, prosvalës, jo i nivelit dhe mund të shkaktonte efektin e kundërt, ku jo vetëm nuk e fitoje dot gjyqin, por mund të përfundoje shumë keq.

Kur e d[gjova mendova se ka një spjegim të llogjikshëm- “gjyqtari ose prokurori lyhet që lyhet me të pëgërë, le të marrë një llokmë që t’i bëjë punë, se me 500 euro nuk i ble dot gruas çantë firmato dhe as të dashurës një gjerdan të sojmë.” Kuptohet që e kam fjalën për gjyqtarët dhe prokurorët që nuk kanë vëllezër të pasur, gjyshër me shumë prona, apo baxhanakë biznesmenë, që ju dhurojnë troje, makina dhe apartamente.

Si çdo gjë e logjikshme, edhe shifrën 500 e pata harruar shpejt, deri sa ma zuri syri dje në një deklaratë të Ministrit tonë të Mbrojtjes. Duket që Ministria e Mbrojtjes duhet të ketë në kompetencat e saj edhe mbrojtjen e rrogës minimale, se në të kundërt duket e palogjikshme deklarata e Peleshit : “Ngritja e rrogës minimale në 500 euro do ishte një katastrofë për ekonominë shqiptare!”

Dhe këtë e thotë ministri  i një qeverie socialiste, që në bazën e saj duhet të ketë interesat e punonjësve të mesëm dhe të varfër. Se edhe me një rrogë 500 euro në Shqipëri je i varfër. Edhe nëse ke apartamentin tënd dhe nuk paguan qera. Edhe nëse me kursimet e shumë viteve ke arritur të blesh një makinë. Edhe nëse shkon t’i blesh ushqimet në tregun me shumicë dhe rrobat në gabi. Je i varfër se nuk të arrijnë për të përmbushur nevojat bazë të jetës së sotme për një familje, që janë ushqimi, ngrohja, kanalet televizive, celularët dhe interneti.

Qeveritë socialiste (më shumë se ato demokrate) kanë hedhur para për projekte të kota ndërtimesh, për PPP-ra, për aeroporte qoshe më qoshe të vendit. Po mburren edhe se do lëshojnë vitin e ardhshëm edhe dy satelitë në hapësirë dhe mund të falimentojnë po të ngrenë rrogat dhe pensionet!

Më shumë se 500 euro vlen një biftek në restorantet e shtrenjta ku i shpien ata me të cilët ndajnë paratë dhe ju erren sytë nëse kjo pagesë minimale duhet të bëhet me ligj si niveli më i ulët i varfërisë.

500 vjet nën Turqinë mësuam vetëm se si të marrim rryshfete dhe të vjedhim buxhetin e shtetit!

Poezia nuk vritet dot

Më shumë se urrejtja mes nesh,

Kjo grimcë natyre,

As organizëm as valë,

As eter as mineral

Ka vrarë.

Më të thellë ndarjen na ka bërë,

Të shihemi shtrembër,

Tek gjithshka të dyshojmë,

T’ju nënshtrohemi bestytnive

Më shumë se kurrë.

Më tepër se në gjoks

Në kryet tona ka hyrë,

Në kryet e sëmurë.

Por diçka të magjishme,

Që sillet mes nesh,

Nuk e cik dot virusi që prek mushkërinë.

Solli brengë dhe lot,

Vuajtje dhe shkretim,

Por nuk e vrau dot poezinë.

 

Wednesday 13 October 2021

“Faltoret” e demo-shqiptarëve


Saliu me shpurën e tij po financon disa mbledhje me anëtarët e PD-së në bazë, të cilat i ka pagëzuar “foltore”. Nuk sëhtë e qartë se sa emra të tjerë kanë qënë në tufën e përzgjedhur në fillim, prej nga ka dalë emri “foltore”, që nuk është në fjalorin bazë të gjuhës shqipe. Megjithatë mund të barazohet të themi me “pulpit” të anglishtes, ose “chaire” të frëngjishtes, që përkufizojnë një vend të lartë prej ku flet prifti, pedagogu ose një tjetër predikues.

Foltore – Saliu mund ta ketë zgjedhur edhe për të tingëlluar e afërt me “faltore” si për këmbëmbarësi për rritjen e sektit Berishian në PD. Megjithatë këto janë vetëm spekullime të mijat dhe fakti i vetëm është që po zhvillohen mbledhjet në bazën e PD-së nga Saliu dhe shumë anëtarë të PD-së po shkojnë të entusiazmuar ta dëgjojnë, ta mbështesin edhe të flasin nga salla sepse në foltore qëndron i ulur Saliu me ca vajza të reja nga pas.

Si politikan, Sali Berisha është një “i vdekur që ec”, por ai po mundohet t’i mbush mendjen shqiptarëve dhe të huajve se jo vetëm ec, por edhe flet dhe e dëgjojnë. Pra nuk është tamam tamam “i vdekur”. Të huajve, sidomos amerikanëve kjo nuk ju bën asnjë përshtypje, por mes shqiptarëve që aderojnë apo simpatizojnë PD-në, foltoret nuk është se janë jombresëlënëse.

Po pse shkojnë anëtarët e PD-së në foltore dhe a janë pjesa më e madhe e tyre “të çmendur”, si i cilëson ndonjë gazetar anti-Sali?

·         Demokratiksit, si të gjithë ne shqiptarët, duan të vinë sa më parë në pushtet për të gëzuar privilegjet që sjell pushteti në Shqipëri, që nisin me vende pune në administratë dhe përfundojnë me tendera rrugësh.

·         Demokratiksit, si të gjithë ne shqiptarët, duan të kenë shpresë edhe kur e dinë se i gënjejnë dhe vend më të mirë dhe gënjeshtar më profesionist se Berisha zor se gjen në krahun e djathtë të politikës.

·         Demokratiksit, si të gjithë ne shqiptarët, kanë dëshirë të kenë armiq të brendshëm, të jashtëm dhe koalicion armiqsh të brendshëm dhe të jashtëm dhe në rastin e foltoreve armiqtë janë pafund. Quhen Rama, Basha, Kim, Soros, Blinken, Don AgaçI, Vuçiç, Grida Duma, Dua Grida,  Putin Vladimir, Baze i Meros, Alba Malltezi, por jo Malltezi dhëndër e plot të tjerë.

·         Dhe e fundit, jo të gjithë mund të gjejnë bileta për në stadium që t’ju shtien me shishe kundërshtarëve, kur na bëjnë gol ndaj shkojnë në foltoret e Saliut dhe ju heqin mikrofonin nga dora atyre që i bëjnë “gol” Salës.

Këto janë arsyet që sallat e mara me qera me paratë e vjedhura nga Zeni me shokë mbushen me demokratiksa, që nxjerrin dufin dhe gënjejnë mendjen se këtë rradhë do pastrojnë jo vetëm Lulin dhe Edin, por do sjellin në pushtet edhe Trump në Amerikë.

Se kështu foli në faltore Saliu dhe ndjekësit e devotshëm thirrën- “Amin!“

Tuesday 12 October 2021

Shkolla shqiptare dhe feja (fund)

 (vijim)

Do tregonim naivitet nëse do njesonim rolin e institucioneve fetare në çështjen shqiptare. Gjeopolitika dhe lidhjet e institucioneve fetare të huaja kanë pasur rolin e tyre në çështjet e kombit dhe të gjuhës shqipe. Bashkësia katolike dhe kisha katolike kanë qënë në unison për çështjen shqiptare dhe në dobi të saj. Ndihmë për këtë kanë dhënë Vatikani dhe sidomos Perandoria austro-hungareze, e cila kishte katoliçizmin në themel të saj. Interesat e austro-hungarezëve ishin kundër pansllavizmit, gjë që e ndihmonte çështjen shqiptare.

Bashkësia myslimane sunite ka qënë më e ndarë, por duke mos pasur një organizim vertikal, hoxhallarët kanë pasur qasje të ndryshme ndaj çështjes së Kombit dhe të gjuhës shqipe. Ka patur prej tyre që kanë qënë në mbështetje të Portës së Lartë, por nuk ka dokumenta që dëshmojnë kundërvënien e hapur të klerikëve sunitë shqiptarë ndaj alfabetit shqip apo shkollës shqipe.

Në rastin e bashkësisë ortodokse ka patur mospërputhje të madhe. Kontributi i ortodoksëve jashtë Shqipërisë ka qënë i jashtëzakonshëm, ndërsa klerikët ose kanë ndenjur neutralë ose e kanë dëmtuar çështjen shqiptare. Ndaj priftërinjve shqiptarë atdhetarë janë marrë masa ndëshkimore deri në vrasje. Kjo ka të bëjë me ndikimine madh të fanatikëve grekë në Patrikanën e Stambollit, të cilët mundoheshin të kthenin shqiptarët ortodoksë në grekë. Ndikimi I Nolit dhe I bashkësisë ortodokse në Amerikë, solli një ndryshim shumë të madh në raportet e kishës ortodokse me çështjen shqiptare.

Bashkësia bektashiane ka qënë thuajse e gjitha në anën e Shqipërisë dhe të gjuhës shqipe. Teqetë kanë qënë qendra të shqiptarizmës. Kjo lidhet edhe me raportin që kishte sekti bektashian me Portën e Lartë. Një sekt shumë i moderuar, që propagandonte mes të tjerash edhe harmoninë mes feve, bektashianët u përndoqën nga turqit, gjë që solli vendosjen e Kryegjyshatës Botërore në Tiranë.

Po i tillë ka qënë kontributi i bashkësisë së vogël evangjeliste. Kjo lidhet shumë edhe me ndikimin e parimeve demokratike amerikane në Ballkan, ku roli i misionarëve ka qënë përcaktues edhe për shkak të peshës së madhe që kanë pasur dhe kanë evangjelistët në jetën politike amerikane. Puna e familjes Qiriazi dhe e Petro Nini Luarasit ka qënë e pakrahasueshme. Ata ndriçuan brezat e shqiptarëve më shumë se idetë përparimtare të iluministëve europianë. E gjithë puna e tyre ishte mbajtur e fshehtë dhe ishte denigruar nga Diktatura pas dëbimit të misioneve angleze dhe amerikane më 1947.

Rasti i Shqipërisë është vërtet shumë i veçantë në Europë. Megjithëse me disa besime fetare, shqipëtarët e gjetën gjuhën e përbashkët për tu bashkuar e për të bërë Komb. Nuk kishte në këtë lëvizje asgjë nga “luftrat e klasave” apo “ngritje të vegjëlisë“ si pretendonin komunistët-ateistë. Ishte I ndryshëm edhe nga ngritjet kombëtare të popujve të tjerë, të cilët pa përjashtim kishin patur në qendër të lëvizjeve të tyre kombëtare kishën përkatëse.

Rilindja Kombëtare shqiptare kishte si strumbullar gjuhën dhe identitetin kombëtar, por pa përjashtuar dimensionin fetar dhe duke mishëruar brenda saj parimet themelore të feve monoteiste. Cdo lloj përpjekje për të quajtur Rilindjen si kundërvënie ndaj institucioneve fetare është e pavërtetë dhe e rrezikshme. Ajo është një lëvizje e nisur nga elita shqiptare dhe e shpënë përpara prej saj. Vendin kryesor në elitën shqiptare e zinin klerikët e shkolluar. Njerëz të pasur dhe me ndikim, klerikë dhe intelektualë, njerëz të “oxhaqeve” dhe njerëz të thjeshtë bënë të pamundurën  për të patur ne një vend tonin dhe një gjuhë tonën.



Shkolla shqiptare dhe feja


Unë i përkas një brezi, që futi këmbët në shkollë atë vit kur u mbyllën kishat dhe xhamitë. Nuk kujtoj nëse në kopështin e fëmijëve flisnim rreth fesë, apo na mësonin se “feja ishte opium”, por kujtoj që me njëri tjetrin përmendnim Perëndinë, që ishte një nocion stërmadh dhe i stërfuqishëm i lidhur me qiellin dhe njëkohësisht i pakuptueshëm.

Më vonë nuk shikonim më rrugës as priftërinj me rraso të zeza dhe as hoxhallarë me xhybe, por nuk na dukej ndonjë mungesë e madhe. Dorë pas dore na mësuan se priftërinjtë dhe hoxhallarët gënjenin dhe se shkolla ishte e kundërta e xhamive dhe kishave. Kjo mbeti për një kohë të gjatë në mendjet tona “të shpëlara” nga propaganda e sistemit dhe ka nga ne që ende kanë në kokë këto ide të rreme.

Kur flasim për çështjet e Kombit dhe të gjuhës shqipe, si dhe të shkollës kombëtare shqiptare nuk mund të mos përmendim rolin e madh të institucioneve fetare. Dhe jo rolin negativ që propagandonin “çinovnikët” e komiteteve të partisë, por atë shumë të rëndësishmin në dobi të çështjes shqiptare.

Logjikisht nuk kishte se si të ishte ndryshe, sepse klerikët ishin njerëzit më të shkolluar dhe me më shumë ndikim në shoqërinë shqiptare të shekullit të XIX. Por udhëheqësit e bandës komuniste-anadollake që kishin marrë pushtetin kërkonin të rishkruanin historinë e Shqipërisë duke ulur sidomos rolin e klerikëve për të justifikuar krimet që bënë ndaj tyre menjëherë pas luftës dhe për të neutralizuar ndikimin në popull të udhëheqësve fetarë.

Eshtë pretenduar prej tyre se kjo bëhej në emër të bashkimit të popullit shqiptar, i cili ishte “i ndarë“ në disa besime fetare, por fshihej fakti që besimet fetare nuk e kishin ndalur bashkimin e shqiptarëve gjatë Rilindjes Kombëtare. Gjithashtu i mëshohej parrullës që “Liria fitohet me gjak dhe mbrohet me gjak”, që i shkonte për shtat ardhjes së tyre në pushtet dhe mbrojtjen e tij me zjarr dhe me hekur.

Kredoja e Rilindasve kishte qënë e ndryshme. Shumë më e mençur, më paqësore edhe pse nuk përjashtonte përpjekjet e armatosura për të fituar Mëvetësinë. Dhe krijimi i Shqipërisë në periudhën 1912 deri më 1920 është rrjedhojë e shumë përpjekjeve diplomatike, kërkesave dhe trysnive të bashkësive shqiptare pranë Fuqive të Mëdha shumë herë më shumë se përpjekjet e armatosura të çetave të komitëve ndaj Perandorisë Osmane apo ushtrive të fqinjëve. Sigurisht që ndikimi i ideologjisë fetare kundër dhunës ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në ideologjinë e Rilindjes. Betejat e shqiptarëve për Pavarësi janë të pakta dhe gjithashtu i vogël ka qënë numuri i dëshmorëve të Pavarësisë.

Në krye të lëvizjeve për identitet kombëtar të shqiptarëve, për shkrimin e gjuhës shqipe patën qënë ata që donin të përkthenin Ungjillin duke nisur me Dhaskal Todrin, Vangjel Meksi dhe Kostandin Kristoforidhi; klerikët Gjergj Fishta, Fan Noli, Dom Nikoll Kaçorri, bektashinjtë e shquar të Frashërit, misionarët evangjelistë të familjes Qiriazi. Edhe në periudhën e fundit të Rilindjes Kombëtare, kur komunizmi ishte gjallëruar si ideologji në Europë, nuk gjen mes shqiptarëve të shquar, ateistë ose propaganndues fanatikë të përdorimit të dhunës.

(vijon)