Wednesday 29 November 2023

Mortja

Një ditë të vrenjtur në fundin e vjeshtës,

Nga ato kur dielli kurrë s'ka dal',

Ajo papritmas u shfaq para meje,

Ndërsa i vetëm pija një gotë mezkal.

"Jam Mortja" tha dhe unë ndjeva lektisje,

Nga ajo qënie e hajthme,

E zbehtë

Dhe e tejpashme.

Flokë të gjata pa ngjyrë,

Sy të perënduar,

Buzë bojëqielli nga rridhte

Një e folur e ngadalshme.

Rrokjet e theksuara qartë

Teksa bëheshin bashkë më rënqethnin.

Ishte e vërteta më e kthjellët,

E papërzjerë,

Ndriçuese

E njëjtë si rrezja që përshkon qiellin.

"Me ty kam qënë që kur linde

Dhe në çdo hap jam përkujdesur,

Më shumë se të gjithë,

Të dashurit e shtrenjtë,

Miqtë,

Shokët,

Vajzat me të cilat kaloje netët xhveshur.

Ndaj mos më shih me frikë

Pranë teje do jem gjithmonë,

Më tej se çasti kur do bashkohemi në ekstazë,

Dhe si një mori tingujsh do i drejtohemi amëshimit

Duke u përplasur mureve të Gjithshkasë,

Dhe të kthehemi në të përjetshme jehonë."


Tuesday 7 November 2023

Putheshim prapë

Ne duheshim dhe grindeshim dhe duheshim sërish

Ndoshta shpesh ndodh kështu në kësi dashurish

Përzjerë ëmbëlsia me gjithfarëlloj marrëzish

Dhe putheshim prapë.


Askurrë nuk kishim gjetur tek njerëz të tjerë,

Kaq lloj vogëlësirash, kaq gjëra pa vlerë,

Që na sillnin hare, nuk ndjeheshim të mjerë;

Ndaj putheshim prapë.


Dhe fundi i jetës dukej shumë e shumë i largët,

Dhe dhimbja më e madhe në shpirt ndjehej e mpakët,

Acari i janarit nuk ishte aq i mardhët

Se putheshim prapë.


Tashmë mollëzat rrudhosur nga lotët që janë derdhur,

Kujtimet zënë ç'ngjyrosen në një album të zverdhur,

Dhe zëri i Muskurit më tingëllon i mekur

Më s'puthemi prapë.

Friday 3 November 2023

"Nëntori i kuq"


Vite më parë tek ne nëntori ishte i kuq. Se si mund të kenë ngjyrë muajt e dinin ata që e kishin quajtur të tillë. Ndoshta e kishin huazuar nga vendi i Sovjetëve.

Tek ne ishte i kuq për shkak të Revolucionit të Tetorit (që binte në nëntor), për shkak të "lindjes" së partisë së kuqe më 8 nëntor, për shkak të ngritjes së flamurit  të kuq në Vlorë dhe mbi të gjitha se më 29 nëntor (që ishte kryefesta), të kuqtë na kishin çliruar nga gjermanët dhe gjithë bashkëpunëtorët e tyre!

Nuk di nëse bashkëmoshatarëve të mij nëntori ju dukej i kuq, por mua më ngjante se ishte muaji më i trishtë i vitit. Dhe jo për arsye politike.

Nëntori në Korçë për adoleshentët ishte muaji më i keq i vitit. Nuk luaje dot shpesh futboll apo basket për shkak te shirave që i kishin kthyer fushat me dhe në fusha me baltë; ishte muaji i tretë i shkollës dhe pushimet e dimirt dukeshin larg si dhe të vinte rradha më shpesh për tu ngritur në mësim; e ftohta të hynte në palcë ndërsa rrije me shokët strehëve dhe këpucët e zeza prodhim vendi thithnin gjithë ujin e mjedisit. (Ndoshta në nëntor kishte kaluar në anët tona një gazetare e huaj, që e kishte karakterizuar shoqërinë shqiptare të viteve '70 si "këpucë të zeza, dhëmbë të prishura dhe uri seksuale në sytë e meshkujve").

Kishte edhe më pak njerëz në xhirron e famshme dhe shumë të rinj e kalonin kohën në kafenetë e pakta para ndonjë gote alkoli apo ndonjë ëmbëlsire, Me siguri në nëntor ishte shpikur edhe loja që të futje kutine e shkrepseve në gotë, duke  i rënë me gishtin e madh nga cepi i tavolinës. Për të vrarë sa më shumë kohën. I vetmi ngushëllim i nëntorit ishte kanali televiziv i Shkupit, ku mund të shihje se ç'bëhej në botë dhe të dëgjoje më pak "lart e lart o shokë flamujt e Kongresit".

Tani e kuptoj se në nëntor, më shumë se në çdo muaj, ne ishim kthyer në "mendimtarë zombi". Nuk ishim në gjendje të mendonim me guxim se kishte diçka që thellësisht nuk shkonte mirë në Shqipëri. Nuk na pëlqente propaganda e shpifur e partisë dhe e organizatave të masave, por nuk kishim as guximin të kërkonim më shumë për të hapur sytë. C'farë ishte bota? Përse ishim të varfër dhe të izoluar? 

Ishim pajtuar me atë mpirje të një stine pragdimri, dhe nuk donim të kuptonim se gjithshka ishte stisur keq. Nuk ishte faji vetëm i "fuksave", por i atyre që kishin krijuar "sistemin e fuksave" që na mbante të terrorizuar.

Më qeshet hidhur kur dëgjoj ndonjëherë se si diskutojnë me zjarr bashkëmoshatarët për "qejfet" dhe "gallatat" që bënim ato kohë në shkollë dhe në kohën e lirë.

Ishte një kohë m... dhe pikë!

Dhe veçanërisht gjatë "nëntorit të kuq"!