Friday 30 April 2021

Qifja Shqipërinë …e do!


Një miku im me më shumë përvojë jete se unë, që nuk i honeps dot Ramën dhe Peleshin, më pyeti këto ditë : “Po si do bëhet?” Nuk priste ndonjë përgjigje të men]ur nga unë, se ai e njeh më mirë Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare, por ndoshta dëshironte një lloj ngushëllimi. I thashë që nuk është shumë për tu ]uditur, se PS-ja(të pasurit rreth saj) ka shumë para dhe mundësi të tjera për t’i blerë votat. Për më tepër dhe opozita nuk ofron ndonjë ekip më të mirë për të drejtuar një vend, i cili ka nevojë për luftë ndaj korrupsionit dhe reforma kryesisht ekonomike.

Për të zgjeruar përgjigjen që i dhashë mikut tim dhe disa miqve të tjerë, që kanë një pështjellim në mendje për të ardhmen e Shqipërisë, dua të shtoj edhe disa mendime se pse edhe për një legjislaturë tjetër ose edhe më shumë, politika shqiptare nuk mund të ndryshojë.

Së pari duhet të heqim nga mendja idenë se ne nuk bëhemi se jemi një vend ku fiton Qifja me Tom Doshin. Realiteti i jonë (si gati i gjithëvendeve të Europës Lindore) është ky, ku edhe Qifja edhe Toma jo vetëm që e duan Shqipërinë, por kanë edhe shumë përkrahës. E them me seriozitet që Qifja Shqipërinë e do, se jeton atje, ndërton biznese, ndihmon njerëz dhe ju ha hakun të tjerëve, përpiqet për fisin e tij dhe ata që i quan miq. Nuk ka kuptim që ta përjashtojmë atë nga realiteti shqiptar, ose të themi se ku ka katandisur Shqipëria. Qifja dhe Qifet kanë qënë dhe do të jenë dhe nëse ne nuk jemi në gjendje të shpijem në Parlament më të mirë se ata, nuk kemi pse t’i bëjmë fajtorë. Ata edhe duke patur vështirësi (si presioni i amerikanëve ndaj Doshit) kanë luajtur sipas rregullave të pashkruara të lojës politike dhe arritën të fitonin.

Situata politike në Shqipëri tani është më e thjeshtëzuar se më parë. Ka mbetur vetëm kampi Rama përballë kampit anti-Rama. Por kampi anti-Rama që të fitojë duhet të heqë dorë nga Qifet e tij. Pra ose PD-ja reformohet plotësisht me njerëz të pastër, të palidhur me krimin e organizuar dhe me parallinjtë me të shkuar kriminale, ose një grupim i ri me anti-Qife duhet të krijohet dhe brenda katër viteve të arrijë të krijojë një alternativë politike të besueshme antikorrupsion.

“Një fjalë goje” do më thonë miqtë e mi që jetojnë në Shqipëri dhe që me të drejtë janë më pesimistë se unë. Por nuk ka asnjë zgjidhje tjetër. Nëse e para është shumë e vështirë për shkak të përlyerjes së PD-së dhe ndikimit të madh të klanit Berisha atëhere të pakënaqurit duhet të ngrihen për të krijuar të të dytën.

Eshtë tejet e vështirë se shumë figura më pak të përlyera si Bojaxhiu, Blushi, Topalli, Patozi dhe të tjerë janë përpjekur gjatë viteve të krijojnë alternativa të tilla, por kanë dështuar që në embrion.

Por nëse rri në shtëpi dhe lodh kokën duke dëgjuar Top-in, Klan-in, Syrin apo ku di unë se ]’televizone të tjera ka dhe “shkrofëtin” “Ky vend nuk bëhet!” edhe ti ke pjesë dhe ndihmon në këtë mosbërje.

E kam përmendur disa herë një thënie të Xhorxh Gaber, që ndoshta gjithashtu e ka të huazuar: “Demokracia është pjesëmarrje!”

Nëse nuk e kuptojmë këtë ose bëjmë sikur nuk e kuptojmë se “na volet” atëhere lerini Qifen të bëjë Shqipërinë si e mendon ai!

Thursday 29 April 2021

A do e shkarkojë Rama Ilir Metën?


Për mendimin tim shanset janë një zero e madhe!

Dy ditë më parë, kur dukej se PS-ja po fitonte mendova shpejt e shpejt se “çdo e keqe e ka një të mirë“ duke gjykuar se 4 vitet nën regjimin e Edi Ramës do sillnin të paktën largimin e Ilir Metës nga politika dhe ndoshta edhe përballjen e tij me Drejtësinë shqiptare.

Mendimi i shpejtë nuk ishte tërësisht naiv, sepse merrja në konsideratë jo dëshirën e mirë të Ramës, por marëdhëniet e këqija në vazhdim të Metës me ambasadorët amerikanë dhe shkallëzimin e fundit me absurditetet “ata që flasin anglisht por mendojnë sërbisht” dhe “po të dojë të më vrasë SHBA(me dron) të paktën të më thonë të shkoj në mali me Gropa”.

Që amerikanët e duan largimin e Metës nga Presidenca si dhe dënimin e tij për korrupsion, për këtë nuk kam asnjë dyshim. E megjithatë, jo vetëm se në këtë vend marrja e vendimeve bëhet nga Kryeministri shqiptar, por edhe sepse largimi i Metës nuk është prioritet për amerikanët, Ilir Meta do vazhdojë të jetë President deri në skadimin e afatit.

Rama nuk ka asnjë interes të largojë Metën nga Presidenca.

Duke qënë i qetë pas fitimit të mandatit të tretë Ramës i intereson tashmë vetëm të retushojë portretin e tij prej autokrati para të huajve, qofshin ata europianët e BE-së apo amerikanët. Faktorët e brendshëm për të tani nuk kanë asnjë lloj force apo rëndësije. Ai mund të ndjekë me vëmendje zhvillimet në PD, ku ndoshta preferon të mbetet Basha në krye, por edhe në rastin e ndryshimit të kreut të PD-së shqetësimi i tij nuk është i menjëhershëm.

LSI-ja ka vetëm 4 deputetë dhe asnjë peshë në Parlamenin e ardhshëm dhe Meta nuk ka asnjë forcë të kthejë ligjet e miratuara nga PS. Mbi kokën e tij rri shpata e shkarkimit ndaj Meta në pamje do jetë një dash pa brirë dhe në prapaskena do nisë (nëse nuk ka nisur ende) negociatat me miq, para dhe këmbime të tjera me Ramën.

Për të gënjyer socialistët dhe për t’ju hedhur hi syve të huajve, Rama do vazhdojë të shtiret se do të heqë Metën dhe të luftojë korrupsionin, por ndaj të huajve do justifikohet se teknikisht është e vështirë dhe njëkohësisht dëshiron të jetë Kryeministër i të gjithë shqiptarëve.

Rrezikun brenda vendit Ramës i vjen vetëm nga Rama. Nëse do pëlcasin skandale të aferave të mëdha të korrupsionit, ai për të shpërndarë vëmenjen nga to mund të merret edhe me Metën edhe me ndonjë tjetër më pak të rëndësishëm, por hë për hë do shijojë pranverën dhe verën e fitores.

Dimri i shqiptarëve vazhdon dhe do bëhet më i acartë, por asnjë rreze shprese, as edhe shkarkimi i Metës nuk ka për të ndodhur.

Wednesday 28 April 2021

Zgjedhjet në Shqipëri të para me tejqyrë (2)


(vijim)

Pra lufta në zgjedhjet në Shqipëri përqëndrohet në dy pjesët e elektoratit gri, që ndoshta përbëjnë 40% të të gjithë elektoratit shqiptar. Unë besoj se pjesa që e shet votën është më e madhe e megjithatë është e vështirë të ndash në përqindje për të bërë llogaritje përafërsisht të sakta. As partitë nuk kanë statistika të qarta për to, se janë pjesë popullsie shumë “të lëvizshme”. Fakti i ekzistencës së “patronazhistëve” të PS-së e ilustron mirë kët ide. Pra PS-s[ i duhej një punë kapilare për të identifikuar se cilët mund të blihen thjesht, cilët mund të tundohen me vende pune dhe cilët duhen “goditur” me reklama televizive dhe me informacione të rreme.

Duke i patur në dorë të gjitha, shumicën e mediave tradicionale, fuqinë e administratës, një pjesë të mirë të biznesmenëve që kërkojnë “statukuonë“, lekët e ardhura nga shumë burime për të blerë të varfërit, policinë dhe prokurorinë që bën goditje të përzgjedhura, Partia Socialiste kishte shum gjasa të fitonte dhe të fitojë edhe në zgjedhjet lokale dhe më vonë.

Nuk mjafton që shumica e popullsisë të jetë e pakënaqur me Ramën.

Që opozita(dmth PD-ja) të mundë PS-në në zgjedhjet e ardhëshme duhet të plotësohen disa kushte të tjera ve] atij të përmendur më sipër:

·         PD-ja duhet të tërheqë pas vetes të gjithë pjesën e elektoratit gri, e cila voton për bindje dhe për interesat e saj dhe që nuk mund të blihet. Për këtë nuk duhet vetëm një program i mirë, por duhet që këta njerëz të të besojnë se si Parti je e ndryshme nga PS-ja dhe kur të vish në pushtet nuk do qeverisësh njëlloj, pra të vjedhësh. Të dy rotacionet e pushtetit të vitit 2005 (anti-Nano) dhe 2013(anti-Berisha) u bënë vetëm duke përdorur sloganin e “luftës kundër korrupsionit”. Në vitin 2021 një slogan i tillë nuk mund të funksiononte më, jo sepse Rama është më pak i korruptuar, por se luftën anti-korrupsion nuk mund ta bësh me Berishën, Metën dhe edhe me vetë Bashën. Sado e dobët të jetë kujtesa e elektoratit gri, emrat nuk të ndihmojnë për të ardhur në pushtet.

·         Edhe një PD apo opozitë e bashkuar me emra të rinj, e ka të vështirë të fitojë po qe se nuk përcakton më mirë dhe më qartë rregullat për zgjedhje “thuajse të ndershme”. Shitblerja e votave nuk mund të eliminohet për shkak të varfërisë, si dhe kulturës politike të shoqërisë shqiptare. Ekziston në masë edhe në vende më të pasura se ne. Edhe zërat se do e ndalim me “struktura të posa]me” janë jo vetëm ide boshe, por edhe të rrezikshme se krijojnë struktura paramilitare, që rrezikojnë jo vetëm demokracinë por largojnë elektoratin gri nga votimet. Opozita duhet të këmbëngulë në një monitorim më të mirë të të huajve dhe sidomos në votimin e shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë, të cilët nuk mund të blihen. Vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet të fitojë disa bashki në zgjedhjet e ardhshme dhe fitoren e votës popullore në total, që do jetë premis[ për të fituar më 1925.

Zgjedhjet e vitit 2021 morrën fund! Por nëse nuk kanë kuptuar se karriera politike do durim dhe është një luftë e gjatë, ata që duan të rrëzojnë Ramën për të jetuar më mirë vetë, për të jetuar më mirë fëmijët e tyre dhe për të bërë shqipërinë një vend nga ku njerëzit nuk ikin vazhdimisht duhet punë e vazhdueshme dhe durim. Nëse durimi ju mungon se mendojnë se po ikin “thelat” e koncensioneve dhe tenderave atëhere nuk kanë për të fituar as në zgjedhjet lokale as edhe më 2025.

Dy rotacionet e pushtetit të viteve 2005 dhe 2013 kanë treguar se “regjimet” mund të rrëzohen me votë. Por për fat të keq, këtë rradhë nuk funksionoi dot parrulla e zakonshme e njohur edhe në vendet perëndimore se “do zemë hundët dhe do votojmë edhe këtë që kutërbon erë, për të larguar të keqen e madhe, që është Rama me kompani.”

Nësee nuk bëhet fjalë që Kryemadhi dhe Meta të largohen nga partia e tyre private, largimi I Bashës nga kreu i PD-së është kushti i parë dhe i domosdoshëm. Lënia në hije e Berishës dhe e klanit të tij është kushti i dytë dhe më i vështirë të realizohet, por me një udhëheqje të re, njerëzit do e pranojnë edhe ndikimin e tyre në PD, mjaft të mos jetë vendimmarrës.

A do ndodhë një gjë e tillë?

Përvoja e Shqipërisë ka treguar se kryetarët nuk shkulen dot nga vendet e tyre edhe pas humbjeve. I vetmi që ka bërë përjashtim, Nanoja, ndoshta është penduar që e ka bërë.

Nëse kërkon që njerëzit të të besojnë se je për reforma demokratike duhet ta nisësh nga vetja dhe nga partia që kryeson. Nëse kërkon që këtë gjë ta bëjë kryetari I një partie edhe gjithkush tjetër duhet ta bëjë në qelizën që drejton qoftë kjo familje, biznes apo institucion.

Prej aty fillon Demokracia dhe jo prej politikanëve.

Tuesday 27 April 2021

Zgjedhjet në Shqipëri të para me tejqyrë


Nuk jam i sigurt nëse largësia më ndihmon apo jo për t’i parë mirë se ç’ndodh me zgjedhjet në Shqipëri. Po të isha atje vërtet informacioni do ishte më i hollësishëm dhe më i besueshëm, por ndoshta do kisha më shumë ndikim emocional, që mund të ma bënte më të pështjelluar gjykimin.

Le të mundohem ta spjegoj me sa e njoh elektoratin shqiptar për të pasur më të lehtë të operoj me një zbërthim më pranë të vërtetës me atë që ndodhi gjatë këtij procesi zgjedhor.

Unë mendoj që elektorati shqiptar është i ndarë në tre grupe të mëdha.

I pari është ai i lidhur me PS, ku përfshihen nostalgjikët e periudhës së komunizmit dhe ata të lidhur për interesa me partinë e ashtuquajtur të së majtës në këto 30 vjet dhe që tani nuk kanë as arsye dhe as mundësi të shkojnë në një parti tjetër.

I dyti është elektorati kundër PS,  ku përshihen anti-komunistët tradicionalë dhe ata të lidhur me interesa të forta me PD-në dhe që nuk kanë se si të ndrojnë më parti. Ky grup ka qënë që prej vitit 1994  më i vogël se grupi i parë.

Grupi i tretë dhe më i madhi është i ashtuquajturi elektorat gri, që është një konglomerat, që përbëhet nga disa nëngrupe. Njëri është grupi stabël i LSI-së, që nuk ka asnjë lloj parimi dhe ideologjije, por veç të përfitojë sa më shumë nga pushteti dhe nga lidhjet me të. Grupi tjetër, më i madh se i pari është ai i njerëzve që nuk kanë asnjë interes të merren me politikë dhe që duan që vendi të qeveriset mirë dhe mund të votojnë herë në një krah e herë në një tjetër, por duke pasur bindje për këtë. Pjesa tjetër, po aq e madhe dhe ndoshta më e madhe është ajo që e shet votën për arsye të varfërisë, se nuk i bëhet vonë për poltikën ose se nuk ka besim tek asnjë lloj politikani.

Nuk futa si pjesë të elektoratit njerëzit që nuk votojnë sepse është një grup që nuk ka një përqindje të caktuar dhe herë shtohet dhe herë zvogëlohet, sipas klimës politike.

Që prej vitit 1997 lufta e partive politike është drejtuar ndaj grupit që quhet “elektorati gri”. Dy grupet e tjerë që janë bërthamat e elektoratit të dy partive kryesore nuk luajnë asnjë rol se ato dihen se si do votojnë dhe se në ç’përqindje do shkojnë për të votuar.

Drejt grupit më të madh të popullsisë partitë përdorin disa metoda për t’i angazhuar në favor të tyre. Premtojnë para, vende pune në administratë, favorizime në tendera dhe gjëra të tjera kësaj natyre , që pushteti i ka në dispozicion. Partia(ose partitë) që janë në pushtet e kanë më të lehtë ta realizojnë sepse i kanë këto gjëra në dorë dhe nuk ka grupe “watchdog”(qen roje) apo edhe legjislacion që t’ja u ndalojë ta bëjnë këtë haptazi. Partitë e opozitës e premtojnë se po të vijnë në pushtet do i bëjnë, ndërsa atë pjesën e blerjes së votave tek shtresat më të dobëta e bëjnë po njëlloj.

Në këtë mes, rregullat’e pashkruara” të lojës janë të njëjta dhe të gjitha palët i kanë pranuar në heshtje. Në 15 vitete fundit kampionët e blerjes së votave me të gjitha mënyrat ishin LSI-stat e Metës, të cilët në zgjedhjet e fundit arritën të shtriheshin në shumë pjesë të Shqipërisë dhe të merrnin një numur të konsiderueshëm votash, që ishte shumë më tepër se mbështetësit e tyre. Fakt është që këtë vit, kur nuk arritën ta bëjnë dot në të njëjtën masë, si dhe patën largime të dy blerësve të tyre si Koka në Durrës dhe Naço në Berat, LSI-ja katandisi të ketë vetëm një mandate më shumë se partia e Tom Doshit.

(vijon)

Monday 26 April 2021

PSD – Partia Socialiste e Doshit


Se në ç’gjendje është politika shqiptare kuptohet mjaft të shikosh se rezultatin që ka në zgjedhjet e fundit Partia e Tom Doshit.

Toma, njeriu më i përfolur në vitet 2014-15 për shkak të disa përgjimeve, që përfshinin Mark Frrokun, Ilir Metën, Saimir Tahirin, Adriatik Llallën dhe një vrasës me pagesë është një “mender-biznesmen” shqiptar i përfshirë në politikë prej të paktën 12 vitesh. Tomës për veprimtari kriminale i ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe hapur ambasadorët amerikanë kanë kërkuar që ai të përjashtohet nga jeta politike shqiptare.

Por Toma në sajë të lidhjeve, të ndereve të bëra dhe parave të paguara, jo vetëm ka arritur të mbijetojë në zonën e tij në Shkodër, por të fitojë edhe vota në Tiranë. Një bandit që nuk ka përse të jetë pjesë e tre bandave kryesore, se mund të hyjë në parlament vetëm duke pasur bandën e tij të vogël. Këtë e pat kuptuar 4 vjet më parë politikani cinik dhe mendjemprehtë Skënder Gjinushi, që e afroi dhe i dha Tomës çelsat e partisë, që kishte mbajtur fort për gati 30 vjet. Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Tom Doshi. Nuk ka se si të sintetizohet më mirë politika shqiptare se sa lidhja e kësaj dysheje.

Ka të ngjarë që Toma të vendosë fatet e Shqipërisë për 4 vjetët e ardhshëm. Fitores, dorëheqjes dhe përfshirjes së tij së mundshme në një qeveri të ardhme nuk ka se ç’i bën as ambasadorja amerikane Kim, që është shprehur hapur dhe pa asnjë ekuivok për largimin e Tomës nga jeta politike shqiptare. Por duket edhe ajo i ka rrënë “roma për toma”, se Toma duket se do jetë ai që do vendosë nëse Rama do ketë edhe një mandate të tretë.

Para disa ditësh qesha, kur pashë se Toma po bënte fushatë elektorale edhe në Korçë, por e kuptoj se qesha para kohe dhe “Toma po qesh tani mirë me mua, me elektoratin shqiptar dhe me ambasadoren Kim”.

Toma ka edhe mbështetjen e Papa Françeskos dhe një dore me kardinalë. Se Shqipërisë i duhet Toma i shumënjohur për t’i prekur plagët që ka, pa të bindet.

Dhe Shqipëria ka shumë plagë. Tom Doshi është një ndër plagët mahisura të saj, që nuk ka antibiotik ta shërojë!

Sunday 25 April 2021

Shitblerja e votës


Vota nuk është një send. Eshtë një shprehje e vullnetit të një qytetari. E megjithatë jo vetëm sendet shiten dhe blihen. Shprehjet e vullnetit ashtu si dhe shërbimet janë në gjërat që blihen dhe shiten rëndom në botë.

Ka një stigmatizim të madh të njerëzve që shesin votën në Shqipëri. Edhe pse dihet që janë pjesa më e dobët e shoqërisë shqiptare. Ata, të cilët nuk kanë të hanë, nuk kanë një punë ose punojnë për një rrogë minimale dhe 100 euro ose edhe 50 ju mbyllin një vrimë sado të vogël. Ata nuk mund të ofrojnë asnjë gjë për të shitur në tregun e madh të ligjshëm dhe të paligjshëm të shoqërisë shqiptare. Kanë vetëm Votën. Po të kenë 3-4 të rritur brenda familjes mund të blejnë diçka me ato 300-400 euro dhe të shtyjnë edhe një muaj mjerimin e tyre.

Nëse do pranonin të shisnin vajzat e tyre trotuareve të Europës nuk do kishin nevojë të shisnin votën.

Nëse do kishin pjestarë të familjeve në trafikimin e drogës nuk do kishin nevojë të shisnin votën.

Nëse do kishin një vend pune në Bashki votën e kishin shitur më parë në këmbim të atij vendi pune.

Nëse do kishin një deputet në familje do kishin shitur më parë jo vetëm votat por edhe shpirtin ndaj “djallit të parasë“.

Ndaj më vjen veçanërisht keq, për njerzit, që nuk kanë të hanë, që nuk e dinë se sa ditë mund të shtyjnë, që nuk kanë besim tek asnjë politikan, që nuk kanë asgjë ç’të shesin, jo vetëm të fyhen nga politikanët, ambasadorët dhe mediat, por edhe të ndiqen penalisht.

Shitja e votës është e njëjtë me abstenimin. Ashtu sikundër ai që nuk shkon të votojë se nuk beson tek asnjë parti, atë mosbesim tregon edhe jevgu i shkretë, që ka një karvan me fëmijë për të ushqyer dhe e jep fletën e votimit për një kartmonedhë duke përbuzur edhe atë që ja ofron.

Ndaj atyre që shesin votën nuk duhet të ketë penalizim!

E gjithë shoqëria ju detyrohet shumë që nuk arrin dot t’i mbajë mbi nivelin e varfërisë.

Ndaj mbaheni gojën ju zyrtarë që kini shitur by… për të zënë një vend ku kini në dorë tendera, ju policë që kini paguar para për të zënë një vend pune në polici, ju mjekë që merrni para nën dorë, ju punonjëse të OJQ-ve që flini me shefat për një rrogë të mirë pa bërë asnjë punë, ju pedagogë universiteti që shisni notën e provimeve.

Në Shqipëri votat nuk do shiten e do blihen atëhere kur më të varfërit të kenë një standart të pranueshëm jetese!

Dhe kjo ndodh kur I themi “mos vidh” hajdutit që kemi përkrah!

Friday 23 April 2021

“Tërbimi” që po i sjell fundin Metës


Pas shumë e shumë marifeteve në vite, të nisura që me protestën e Poliçanit të vitit 1993, Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta është sot figura më tragjikomike në Shqipëri. I konsideruar nga shumë përkrahës së tij, si “gjeni” i politikës, Ilir Meta edhe pse me një nisje modeste, arriti të kthehej në aktori nr. 3 stabël i politikës shqiptare, pas dyshes Nano-Berisha dhe më pas pas asaj Rama-Berisha.

Në krye kam shkruar se “tërbimi” po i sjell fundin, por në të vërtetë është se ai e ndjen “fundin” e keq dhe kjo i sjell “tërbimin”. Pas shumë vitesh me marëdhënie të këqija me ambasadorët amerikanë, i konstatuar si “penguesi kryesor i reformës në drejtësi”, e vtmja shpresë e fundit e tij është që të djelë, LSI-të fitojë mbi 5% të votave dhe PS-ja mos ketë shumicën me të cilën të mundë të krijojë qeverinë. I trembur se kjo nuk do arrihet, pas shumë “marrëzive” me thirrje për “cfurqe e kosore” dhe “prerje duarsh ndaj atyre që blejnë votat”, Ilir Meta sonte akuzoi hapur ambasadoren amerikane Kim për ndërhyrje në punët e brendëshme të Shqipërisë.

Akuzat e tilla ndaj ambasadorëve janë bërë edhe më parë nga drejtuesit e partive kryesore, por ata kanë pasur një elektorat stabël pas dhe kontroll të plotë të drejtimit të partisë së tyre. Ndaj edhe kanë arritur të mbijetojnë “përplasjen me amerikanët”.

Ilir Meta nuk ka elektorat stabël dhe të madh. I kanë firuar edhe mjetet me të cilat ishte në gjendje të blinte vota, që nga paratë, tenderat dhe deri në emërimet në administratë. Presidenti është në gjendje të një dëshpërimi të plotë dhe ka edhe frikën se nëse nuk arrin një numur të caktuar deputetësh, që mund t’i shërbejnë për tu bërë pjesë e qeverisë e ardhmja e tij është përballja me SPAK.

Po a ka ndonjë përfitim shoqëria shqiptare nga tretja e LSI-së dhe fillimi i një procesi gjyqësor në të ardhmen për Metën?

Një përfitim të vogël e ka edhe pse nuk është Meta “peshku më i madh”. Por është një peshk i madh, që jo vetëm nuk e ka fshehur korrupsionin, por ka qënë ndoshta edhe më i lidhuri me krimin e organizuar mes aktorëve kryesorë të politikës shqiptare.

Nëse në rrjetat e drejtësisë nuk mund të bien Rama dhe Berisha, le të kënaqemi me Metën. Ndoshta do jetë shënja e parë se diçka po ndryshon.

Po nëse LSI-ja arrin të fitojë 6-7% të votave ose edhe më shumë çdo bëhet?

Bota do vazhdojë të rrotullohet rreth diellit dhe shqiptarët do kenë disa fije shprese më pak për të ardhmen e tyre.

Thursday 22 April 2021

Emrat shqiptarë dhe domethënia e tyre


Diku kam shkruar se ne mbajmë rekordin Guiness për shumëllojshmërinë e emrave të të porsalindurve. Nuk ka vend në botë, që të ketë emra nga Rivelinjo tek Asamble, nga Timoshenko në Sose dhe nga Hitler tek Tërmet. Nuk kemi lënë mbiemër të huaj dhe fjalë të shqipes pa ja u vënë pasardhësve tanë pa menduar se emri do i shoqërojë gjithë jetën dhe shumë do e kenë vështirësi të shkojnë e ta ndryshojnë në gjykatë.

Një miku im që ka qejf të më kundërshtojë, e cilëson shumëllojshmërinë e emrave (ose trendin “emër shumë i veçantë”) me përpjekjen për të zhdukur zakonin prapanik të nofkave, sepse një emër i rrallë dhe sidomos qesharak nuk ka nevojë për një nofkë pas, pork jo është një teori e paprovuar, të cilën ai e ka krijuar për të hedhur poshtë shkrimin tim “Qyteti i Nofkave”.

Sigurisht që baballarët (më shumë këta se nënat e tyre) mendohen para se t’ju venë fëmijëve emrin. Ka raste që e bëjnë edhe të ndikuar nga avujt e rakisë, që kanë pirë kur kanë marrë lajmin e lindjes të trashëgimtarit apo të trashëgimtares, por gjithsesi mendojnë. Një tifoz i gjermanëve ja ve djalit pa një pa dy emrin Rumenige dhe kur e provon edhe me mbiemrin e tij Bregu, thotë i sigurt që Rumenige Bregu tingëllon mirë.

Më të menduarit kanë qënë emrat e shtyrë nga idetë politike që kishte babai i dashuruar me politikën. Kështu u vunë emrat Hitler (se Adolf nuk kuptohej tamam se për ç’drejtim ishte) Vladimir, Budion, Timoshenko, Capajev, Millianov dhe Marenglen.

Meqë dolëm tek ky i fundit, dua të bëj një saktësim, se në disa shkrime të mëparshme, gabimisht kam shkruar se një kandidate e PS-së në zgjedhje e ka emrin Marenglenvera, që përfshin Marksin, Engelsin, Leninin dhe Enverin. Sipas fletës së votimit, babai i devotshëm marksist-leninist Vehbi Furrxhi, fëmijës së tij të parë ja ka vënë emrin Enslemvera. Pra është Enveri me pak S-talin, pak L-enin, pak E-ngels dhe pak M-arks. Me mendjelehtësi pata menduar se dikush që kishte qënë mësues letërsije, do përdorte formulën e njohur Marenglen dhe ti shtonte edhe Enver-an.

Më kujtohet, që emir ju solli “rropullitë në goja” shumë njerëzve, që e mësuan në atë kohë, por duket se Vehbiu ishte shumë largpamës. Jo vetëm që kauza marksiste-leniniste do mbetej e fuqishme në botë, por emri mund të ishte edhe një ndihmë në karrierën politike të Enslemveras.

Duhet t’i kërkoj ndjesë kandidates për deputete, se nuk është faji i saj për “idiotllëkun” e të jatit dhe nuk e njoh se ]’vlera përfaqëson. E megjithatë, nëse e di mirë kuptimin e emrit të saj bën mirë ta ndryshojë edhe pse është mbi të 30-tat, se shumë zgjedhës së saj kanë vuajtur shumë nga ai, të cilit i mban emrin. Se ata që kanë vuajtur nga Lenini dhe Stalini në fund të fundit janë në Rusi.

I dashur votues voto edhe për deputeten me mbiemrin Zake, por më parë merr garanci që nuk do kthehen hijet e klasikëve të komunizmit sidomos ajo e Diktatorit Enver!

Wednesday 21 April 2021

Struktura e Mbrojtjes së Votës = Këmishëzinj ose këmishëkafe


Në Elbasan është vrarë një njeri dhe janë plagosur katër të tjerë. Pas një përplasje me armë midis dy grupime militantësh.

Nga deklaratat e të pranishmëve dhe udhëheqësit politik të PD për Elbasanin del se njeriu që ka vrarë, Arbër Papleka, ka qënë në kushtet e vetëmbrojtjes dhe anëtar i Strukturës së Mbrojtjes së Votës për Elbasanin?!

Po ç’është kjo Strukturë e Mbrojtjes së Votës e PD? A është e ligjshme dhe kush e ka krijuar?

Nga sa kuptohet, për të mbrojtur votat nga vjedhjet ose nga presionet e bandave të PS-së, PD-ja dhe ndonjë parti tjetër kanë krijuar një formacion me ish-policë dhe ish-ushtarakë, të armatosur ose jo, që të balancojnë mbështetjen që mund të japin forcat e policisë ndaj Partisë në pushtet.

E logjikshme?

Aspak e tillë bile kriminale. Unë nuk e ve në dyshim se policia mund të jetë e njëanshme gjatë procesit të votimit. Ka 25 vjet që kjo ndodh në Shqipëri me qeveritë e ndryshme dhe me policitë e komanduara prej tyre. Por askush nuk i jep të drejtë opozitës të krijojë struktura paralele edhe sikur t’ju verë çdo lloj emri nga ato të mbrojtjes së votës e deri tek të Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut. Në këtë rast këto janë vetëm grupe paramilitare, që i shërbejnë një partije, sikundër ishin dikur këmishëzinjtë në Itali dhe këmishëkafet në Gjermani.

Këto janë metoda që shpien në fashizëm edhe sikur të duash të justifikohesh se po i përgjigjesh fashizmit të Ramës me të njëjtën monedhë.

Eshtë në njëfarë mënyre, ajo ç’ka ndodhi më 1996, por në një formë tjetër. Partia Socialiste i braktisi zgjedhjet, me pretendimin se gjoja mund të vriteshin njerëz dhe e la popullin shqiptar në mëshirën e një Parlamenti pa opozitë, që solli si rrjedhim vitin 1997.

Këtë rradhë, PD-ja e uritur për të ardhur në pushtet nuk është në gjendje të mbrojë votat me mënyrat që pranohen nga ligji, por krijon struktura të tilla të dyshimta, të cilat jo vetëm sjellin përplasje me armë, por rrezikojnë zhvillimin normal të zgjedhjeve.

Në rast se je i bindur që zgjedhjet do vidhen ose manipulohen mos hyrë në to, por denoncoi paraprakisht.

Këtë gjë nuk e bëri PS-ja 25 vjet më parë dhe mbolli “shkatërrimin” e Shqipërisë. Në një mënyrë tjetër këtë po bën PD-ja dhe rrezikon të sjellë një tjetër shkatërrim.

Votat i mbrojnë njerëzit vetë, por atëhere kur besojnë në Partitë dhe në programet e tyre. Kur votat I mbron me banda të armatosura kundër bandave të armatosura, atëhere njerëzit do largohen edhe një herë tjetër të zhgënjyer, se në Shqipëri nuk ka ndryshuar asgjë.

I vetmi ndryshim- e reja Strukturë e Mbrojtjes së Votës.

 

Të këqija bimë

Dita ditës shkul të ligat bimë,

Që nuk di pse i quajnë të tilla;

Nuk pyes:

“Pse kaq pak dimë?

                Nga kush e mora këtë të drejtë

Disa t’i vdes e të jetojnë të tjera të le

Unë,

Vdekëtari si këto bimë,

Unë

Si to i dalë nga ky dhe.

Më pas kuptoj,

Se mijra të këqija bimë,

Mbjellë rrudhave të trurit i kam.

Nga duar dinake pareshtur farat hedhur,

Për të më vjedhur;

Për të më mbajtur ngrehur

Në prodhimtarinë që sjell robëria;

Për të jetuar për ta;

Për të mos qënë ditëve të mia.

 

Tuesday 20 April 2021

“Po punohet itensivisht për…”


Sa herë dëgjoj ose lexoj këtë shprehje, me “itensivisht” apo pa të, më krijohetë një si boshllëk në aparatin tretës dhe më duhet të sulem të ha ndonjë pjatë me supë për ta mbushur sa më shpejt. Më shumë e përdorin në Shqipëri subjektet shtetërore, por edhe kontraktuesit privatë dhe ndonjëherë edhe OJQ-të.

Boshllëku nuk më krijohet thjesht, si reagim ndaj përpjekjes që po bëjnë për të na “ngopur me lugë bosh”, por edhe nga frika se ajo që pres të bëhet nuk do ndodhë kurrë. Pikërisht papërcaktueshmëria e bën më të frikshme dhe më marramendëse.

Dikush mund të sugjerojë po pse nuk vazhdon me pyetje për të përcaktuar se kush po punon, si po punon dhe deri kur do punojë. Edhe mua dhe të tjerëve që janë ndeshur me këtë shprehje ju ka shkuar në mendje dhe kanë vazhduar me pyetje zhbiriluese, por subjektet shtetërore, kontraktuesit privatë dhe ngandonjëherë edhe OJQ-të janë bërë mjeshtra për përgjigjet bllokuese, ndaj kur i pyet: “po ka ndonjë afat përfundimi?” të thonë: “shumë shpejt do ju bëjmë të njohur rreth afatit”. Mund të guxosh të vazhdosh edhe me pyetjen llogjike “C’kuptoni me shumë shpej?”, por gati është përgjigjja standart “Si e thotë qartë edhe shprehja, “shumë shpejt” do të thotë “shumë shpejt”!”

Atëhere duhet të zgjedhësh ose të shtiesh si i paditur dhe të thuash “Domethënë javës tjetër?” ose të bëhesh i bezdisur e të këmbëngulësh, që do një datë të caktuar. Edhe pa pasur nevojë për një protokoll të shkruar, mjeshtrat e “hazër xhevapit” për rastin e parë do të thonë “Le të mos spekullojmë për një përcaktim tjetër veç atij “shumë shpejt”!” ndërsa në rastin e dytë do të thonë “Nëse do kishim një datë të caktuar sigurisht që do ja u kishim bërë të njohur” dhe do i venë kapakun me “Faleminderit për mirkuptimin!”

Në atë moment të vjen të klithësh me fjalët më të ndyra të Fjalorit të Ri shqip, të atij të Aleksandër Xhuvanit si dhe të fjalorit tregjuhësh të Kavaliotit, por duke ditur që nuk ke asnjë dobi mërmërit nëpër dhëmbë “mirkuptimin e satëme!” dhe bije në dëshpërim. Kthehesh në shtëpi dhe gruas dhe fëmijëve që presin përgjigje ju thua “po punohet për të“ duke hequr fjalën “itensivisht” se e di që me të apo pa të të kanë gënjyer sërish dhe në sy të familjarëve nuk do të dukesh si Llosh.

Në fund të fundit një shpresë ta kishin dhënë se mund të të thoshin edhe:

“Kjo që kërkon s’ka për tu bërë kurrë se të interesuarit e tjerë kanë paguar që të mos bëhet!”

 

Monday 19 April 2021

"Korça e Niko Peleshit"


Nuk dita nëse duhet të qeshja në fillim me thënien marroke të Ed Ramës “Korça e Niko Peleshit”, ta analizoja me mend, apo ta injoroja, sikundër bëj me shumë marrëzi të tij.

Pa dashje nisa të mendoj se nëse gjatë 300 viteve të fundit ka pasur ndonjë figureë, e cila mund të “barabitej” me emrin Korçë. Nuk gjeta asnjë për be edhe pse mund të rendit me qindra gjenij, që kanë vrarë gjunjët në fëmijëri kalldrëmeve të saj.

Dhe kjo vjen se Korça ka qënë për Shqipërinë e madhe, e bukur, e përparuar, e fisme, e pastër, e dlirë, e zjarrtë, e devotshme. Dhe bijtë e bijat e saj sado të shkëlqenin brenda dhe jashtë vendit do ishin gjithnjë Themistokliu i Korçës, Sevastia e saj, Fundot e Korçës, Mytevelinjtë e saj, Naum Bredhi i saj, Tefta Tashko e saj, Kristo Floqi i saj, Dritëroi i saj, Miot e saj, Merdanët e saj, Belushët e saj dhe qindra e qindra të tjerë. Korça ishte nëna e tyre, përkundësja e tyre, muza e tyre, mësuesja e tyre, ëndrra e tyre, guri i parë dhe i fundit që do preknin.

Thënia “idiote” e Ramës është më shumë perverte se sa marroke, sepse dëshmon se si e shikon ai dhe Peleshi Korçën.

Për ta ajo është një grua e bukur, e cila mund t’ju sjellë vota dhe të tjera të mira materiale, përfshi këtu edhe relaksimin dhe argëtimin. Ndaj edhe Rama e mendon se Peleshi e ka bërë më së miri detyrën si “kodoshi” i kësaj gruaje të bukur. Ka luftuar të marrë fonde, i ka mbytyr zërin e protestës, i ka bërë tualetet e nevojshme që t’ju duket e mirë turistëve, i ka tharrë shpirtin e saj kryengritës, është përpjekur ta shndrojë në një dame, si ato që rrinë e tregon hiret në vitirinat famëkëqija të lagjeve të dritave të kuqe të Amsterdamit.

Prandaj dhe e thotë me mburrje se “Korça është e Niko Peleshit!”

Por Korça ka parë shumë si Rama, Peleshi dhe lapangjozët e tjerë që ju rrijnë pas. Eshtë një Zonjë e Madhe, që mund të lejojë ca kohë të nëpërkëmbet edhe nga fëmijët e saj tahmaqarë dhe teveqelë.

Por më pas i flak!

Se nuk duron dot që bastardët të lidhin emrin e tyre me emrin e ndritur të saj!

Kjo është Korça jonë e bukur!

Sunday 18 April 2021

Uljanovi më i njohur


Për dreq nuk e kujtoj dot se ku dhe kur kam dëgjuar për herë të parë për Leninin. Në kopështin me drekë të fëmijëve? Nuk besoj. Atje na mësonin vjersha për Enverin dhe Partinë, por nuk kujtoj të përmëndeshin Lenini dhe Stalini. Mbaj mend që na mësonin edhe shumë këngë partizane, mes të cilave më linte një shije të tmerrshme ajo me vargjet”..ngrehu Qemal nga balta/ C’bën tek Varri i Bamit!”, por nuk kujtoj asgjë rreth Vollodjas.

Ndoshta do e kem parë në revistat dhe gazetat për fëmijë, që vinin rregullisht në shtëpi, por nuk kam të fiksuar se si dhe se kur.

Më vonë mësova shumë gjëra rreth tij, që kishte gënjyer vetëm dy herë në jetë, që kishte udhëhequr Revolucionin e tetorit më 7 nëntor dhe që e kishin balsamosur. Për mospërputhjen tetor/nëntor e kujtoj që kisha pyetur babanë dhe ai më kishte spjeguar se në atë kohë në Rusi ishte në fuqi kalendari I vjetër, që kishte një mospërputhje prej dy javësh me të riun. Më kishte ardhur zor ta pyesja se si ishte e mundur që kishte gënjyer vetëm dy herë, se duhet të pranoja që vetë kisha gënjyer me dhjetra herë pa hyrë ende në klasën e parë.

Po edhe im atë më kishte gënjyer për Leninin se nuk më kishte thënë ndonjëherë, që Uljanovi nuk e kishte për gjë të të vriste dhe që kishte urdhëruar vrasjen e gjithë familjes së Carit, mes të cilëve edhe pesë fëmijë.

Në kokën time prej fëmije dhe adoleshenti, Lenini ishte babai i thjeshtë i punëtorëve të të gjithë botës, që i kishte ngritur të kërkonin të drejtat e tyre duke folur nga një podium dhe në dorë mbante kasketën e tij të rrudhur. Më ishte forcuar bindja se ishte “i paprekshëm” se edhe revizionisti tullac Hrushov, që kishte djegur Stalinin sipas një kënge tjetër makabre “Hrushovi me tradhëtarë/ O baba Stalin/Kockave ju vunë zjarrë/O baba Stalin!”, Leninin e kishte lënë në Mauzoleumin në Sheshin e Kuq.

Më vinte keq që Lenini nuk i kishte kaluar të 60-tat, që atë kohë më dukej tamam pleqëri. Për këtë bëja me faj “agjenten e imperializmit” Fani Kapllan, që e kishte plagosur rëndë Iliçin në një atentat, megjithëse nuk kuptoja pse imperialistët kishin zgjedhur një grua si atentatore. Shumë vonë mësova se Fani ishte një revolucionare, që e quante Leninin “tradhëtar të Revolucionit”. Revolucioni vetë (që në fëmijëri më tingëllonte sin jë gjë e shenjtë) kishte mbetur në duart e sigurta të Stalinit, të cilin, për të qënë I sinqertë dhe jo për të demonstruar ndonjë lloj dissidence, nuk e shihja me të njëjtin sy se në foto ishte ushtarak. Ushtarakët nuk i kisha për zemër.

Në qytet kishte shumë Vladimirë, që i thërrisnin Ladi. Më të shumtët ishin fëmijë oficerësh dhe mbanin pantallona jeshile të bëra me stof ushtarak, që ishte stof i mirë. Asnjë nuk thirrej Vollodja. Ladit e shumtë kishin edhe nga një nofkë nga pas , që bënte t’i dallonim nga njëri tjetri. Nuk e kuptoja pse kishte aq shumë Vladimirë në brezat para meje dhe shumë pak Josifë. Asnjë Karl apo Frederik. Edhe mes klasikëve të marksizëm-leninizmit, shqiptarët bënin diferencime. Ende sot në Shqipëri mund të ketë po aq Vladimirë sa ka edhe Muhametë, Alinj dhe Kristo.

Në shkollë mësonim se në cilën ditë kishte lindur Uljanovi, por jo se në ç’ditë kishte lindur Skënderbeu, madje as ditën e lindjes së Naim Frashërit që ishte jo thellë në shekuj. Një shok i fëmijërisë ishte i lumtur se kishte lindur më 22 prill, në një ditë me Vollodjan, gjë që nuk na ngjallte zili. Më të fituarin quanim një shok tjetër, i cili kishte lindur më 1 maj dhe e festonte në një ditë pushimi zyrtar, që do të thoshte se do kishte më shumë vizitorë dhe më shumë dhurata.

Në rini na ra adhurimi për Leninin, se propaganda zyrtare kishte mbajtur të fshehta historitë e tij të dashurisë para dhe pas martese. Madje nuk i përmendin ato edhe ata që ishin kundër pushtetit. Lenini ishte një figurë e përkryer, që nuk interesohej aspak për seksin, madje i kushtuar ndaj çështjes së Revolucionit nuk kishte bërë as fëmijë. Tani mësojmë që Lenini ka patur edhe sifilis, që nuk ishte krejt e panatyrshme për ata që rrinin në internim apo në emigrim të përkushtuar ndaj çështjeve filozofike dhe shoqërore.

Mendoj se këtu ka qënë një nga gabimet më të mëdha të historiografisë komuniste, që kishte mbajtur të fshehur fëmijët ilegalë të Marksit, sevdatë e njëpasnjëshme të Leninit, zuzarllëqet me vajza të reja të Stalinit dhe aventurat me femra të Enverit në Francë dhe në Shqipëri. Komunizmi do ishte bërë më njerëzor, më i kapshëm dhe më qejfndjellës. Nuk kishte as pse të përdorte parrullën e “lugës së artë“, po mjaft të propagandonte “seks për të gjithë pa dallim feje, krahine dhe ideje”.

Pas disa ditësh komunistët kudo në botë do festojnë 151 vjetorin e lindjes së Leninit, Vladimirit që ndryshoi botën. Një Vladimir tjetër, shumë i fuqishëm është në pushtet në Kremlin, që pëlqen të jetë i plotfuqishëm si Uljanovi, por nuk i bëhet vonë për punëtorët.

Po Uljanovi më i njohur vërtet mendonte aq shumë për punëtorët, apo të tjera impulse të fuqishme i jepnin energjitë me të cilat solli atë përmbysje?


Saturday 17 April 2021

E shtunë, e shtatëmbëdhjeta ditë


Eshtë e shtatëmbëdhjeta ditë e këtij muaji dhe dita e 22777-të që marr frymë. E shtunë. Ditë e shtënë kur për 7 miliard njerëz që marrin frymë njëkohësisht me mua, gjëja më e rëndësishme në lajmet ndërkombëtare është varrimi i një 99-vjeçari, që afërsisht ka jetuar 36 mijë e 177 ditë në planetin Tokë.

Diçka na fshehin se nuk ka mundësi që mos ketë gjë më të rëndësishme se varrimi i Filipit. Thuhet edhe që kanë vdekur 3 milion njerëz nga Covid-19, por jo vetëm sot. Deri më sot. Që prej lakuriqit të natës të therrur në një treg të Wuhan-it.

Unë jam i zënë për dore me 7 miliard njerëz, që mundohen të mësojnë se ç’po ndodh dhe si do na vejë filli. Do e pësojmë nga Covid, nga vaksina anti-covid, nga ngrohja globale, nga kriza e papritur e bursave, nga kufizimi i ardhshëm i ushqimeve, apo nga pakësimi i rezervave botërore të ujit të pishëm.

Fqinji në të djathën time më pyet “C’kemi ndonjë të re?” dhe unë pasi i përgjigjem “Hiç”, kthehem t’i bëj të njëjtën pyetje fqinjit në të majtën time, që ngre supet.

“Hiç”, “niente”, “nothing”, “nada”, “rien”, “nishta”, “tipota”, “një mut- do theshte plot inat pijeshitësi Pavlivec”.

Diçka të madhe fshehin dhe ne e dimë që e fshehin, por nuk dimë ata që e dinë, si dhe nuk dimë se pse e fshehin. Veç kur të pëlcasë!

Një shok më pyet me mesazh nga një target në Mesdhe, nëse kam patur të njëjtat fantazi me Ramën, për Mrika Kodhelin dhe e kuptoj që dhe ai s’di se ç’bëhet në botë. Se po ta dinte nuk kishte pse të më bënte këtë pyetje tërësisht absurde. Thua se flitet për Bardonë apo Kardinalen.

Pas 6 orësh do mbyllet edhe dita e shtatëmbëdhjetë e muajit dhe do i jem dorëzuar gjumit, ku të paktën endem botëve ireale ku ndodh diçka edhe pse tërësisht e pakuptueshme dhe e fshehtë.

Mbase diçka ndodh ndërsa unë dhe një e treta e globit fled he do e mësojmë kur të zgjohemi. Nëse zgjohemi në ditën e tetëmbëdhjetë të muajit!

Friday 16 April 2021

Fatkeqja Liri Belishova


Eshtë jo e lehtë të shkruash pa e njohur personalisht, rreth një figure të trazuar të një kohe shumë të trazuar. Liri Belishova është pikërisht një nga figurat e pakta të dimensioneve të trazuara tragjike të kohës së Luftës së Dytë dhe më tej e Periudhës së Diktaturës, por edhe pas saj, në sistemin që në Shqipëri quhet Demokraci. Pas Liri Gegës, ka qënë funksionarja më e lartë e Partisë Komuniste Shqiptare.

Jo rrallë bluaj në mendje, se cila ishte në të vërtetë Liri Belishova dhe a ishte viktimë e idealizmit të saj.

Për të dhënë një përgjigje duhet më parë të mbushim mendjen nëse Liria ishte idealiste apo ishte një karrieriste e ngjashme me shumë komunistë që patën ngjitur shkallët deri sa ishin fare pranë Diktatorit Enver Hoxha. Për shkak të përndjekjes së saj që prej vitit 1961, si dhe fatkeqsisë të humbjes së vajzës në moshë fare të re, shtypi i periudhës post-Diktaturë e ka trajtuar me shumë simpati Belishovën. Në të kanë ndikuar edhe qëndrimet e saj të drejta në demaskimin e krimeve të Hoxhës dhe të komunizmit në përgjithësi. Nga ato shkrime të krijohet përshtypja se Liria ishte disidente dhe i përkiste rrymës së butë komuniste, që po qe se do kishte “rrëzuar” Hoxhën në fillimin e viteve ’60 do kishte ndryshuar historinë e Shqipërisë.

Meqënëse jam skeptik në interpretimin e fakteve, si nga kundërshtarët e komunizmit dhe më shumë nga përkrahësit e Diktaturës, dua ta analizoj në mënyrë të thjeshtë jetën dhe karrierën e saj të pasluftës, bazuar mbi datat, që pranohen si të padiskutueshme nga të gjitha palët.

·         Në shkurt të vitit 1944 pushkatohet Ramize Gjebrea, e fejuara e Nako Spirut. Ndoshta është shkruar diku se kur ka lindur dashuria mes Nakos dhe Lirisë, por le të supozojmë se i përket fundit të vitit 1944 dhe ndoshta më ’45 ose më ’46 ata martohen. Ishte e natyrshme, që të tërhiqeshe nga personaliteti i Nakos, i cili gëzonte një popullaritet të madh mes të rinjve antifashistë.

·         Në nëntor 1947 Nako Spiru vret veten dhe menjëherë Liria shkarkohet nga postet e saj në udhëheqjen e BRASH-it.

·         Një vit më vonë, në nëntor të vitit 1948 figura e Nako Spirut rehabilitohet dhe Liri Belishova zgjidhet anëtare e Byrosë Politike. Diçka që mbetet e errët ka ndodhur mes Lirisë, Enver Hoxhës, Nexhmijes dhe ndoshta edhe Mehmet Shehut. Me siguri me bekimin edhe të ambasadorit rus të asaj kohe, që ishte i plotfuqishëm në Shqipëri. Duhet thënë se Lirija ishte në dijeni të kontradiktave të mëdha, që kishte Nakoja me Enverin që prej luftës dhe që arritën kulmin në pleniumin e 8-të dhe sollën vetvrasjen e Nakos.

·         Në vitin 1952 Belishova rizgjidhet anëtare e Byrosë Politike dhe shkon për studime në Shkollën e Partisë në Moskë. Pas kthimit nga Moska dhe rizgjedhjes në Byro në Kongresin e III të vitit 1956 është zyrtarisht figura e katërt në hierarkinë komuniste pas Hoxhës, Shehut dhe Kapos. Ishte e vetmja mes tyre që dinte rusisht dhe kishte përfunduar një shkollë të lartë edhe pse kjo ishte shkollë partije. Marëdhëniet me sovjetikët i kishte të mira, por askund nuk është përmendur se ç’qëndrim ka mbajtur rreth Konferencës së Tiranës.

·         Më 1960 përgatitet ulja graduale disajavore e Belishovës deri në internim. Gruaja më e fuqishme në Shqipëri në moshën 34 vjeçare dhe me dy fëmijë të vegjël dërgohet të punojë e të jetojë në fshat. Pas pak kohësh, i shoqi Maqo Como, të cilin Liria e kishte vënë Ministër të Bujqësisë, arrestohet dhe futet në burg. Sipas historiografisë komuniste, Liri Belishova kishte kundërshtuar vendimin e udhëheqjes së lartë(nënkupto Enver Hoxhës) për t’ju kundërvënë Hrushovit dhe për të mbajtur vijën e ashpër staliniste. Nuk ka asnjë grup armiqësor, asnjë përpjekje për të marrë pushtetin dhe as gjyq ndaj Liri Belishovës. Për të mjaftohen me internim të gjatë dhe nuk i lejojnë as fëmijët të vazhdojnë universitetin.

Po cila është arsyeja e vërtetë e likuidimit politik të Liri Belishovës? Po largonte Hoxha nga udhëheqja e lartë një “kalë Troje” në kohën e vështirë të ndërprerjes së marëdhënieve me Bashkimin Sovjetik? E rrezikonte Belishova pushtetin absolut të Enver Hoxhës në ato vite?

Ka diçka shumë të sigurt në qëndrimin e Hoxhës ndaj Hrushovit në vitin 1960. Ai nuk ishte i garantuar prej këtij të fundit se do qëndronte në krye të Shqipërisë edhe po të tregonte “fleksibilitetin” e duhur në qëndrimet ndaj Stalinit, Titos, dënimeve të vijës së ashpër, rehabilitimeve të të pushkatuarve etj. si këto. Enver Hoxha kishte dëshmuar se mund të merrte kthesa 180 gradëshe nëse ishte i sigurt se mbetej në pushtet. Hrushovi nuk ja garantoi këtë gjë asnjërit nga udhëheqësve Stalinistë të vendeve të Lindjes dhe fundi i Enverit, nëse qëndronte nën ombrellën sovjetike ishte i afërt. Për fatin e mirë të tijin dhe të keqin e Shqipërisë, e njëjta gjë po ndodhte me Kinën e Maos, e cila i dha garanci udhëheqjes shqiptare për ndihma ekonomike, në shkëmbim të mbështetjes së qëndrimit kinez.

Hesapet e Enverit me Lirinë ishin të vjetra dhe një njeri i njohur për intriga nga më perfidet, nuk kishte se si të besonte në devotshmërinë e saj. As Liria nuk kishte si ta deshte njeriun që kishte shkaktuar vetvrasjen e burrit të saj. Qëndrimi i saj pro-sovjetik (ndoshta i vetmi qëndrim i drejtë politik i gjithë karrierës së saj) ishte rasti më i mirë për të hequr qafe dikë, të cilën e di që nuk ka se si të të dojë dhe një ditë prej ditësh do hakmerret për atë që i ke shkaktuar.

Fati i keq i Belishovës ze fill në ato ditë të vitit 1948, kur “bëri paktin me djallin” dhe pranoi të ngjitej në majat më të larta të udhëheqjes komuniste shqiptare. Këtu nuk mund të bëhej fjalë as për ideale dhe as për gabime të moshës. Liri Belishova dinte në hollësi se ç’prapaskena ishin zhvilluar dhe vazhdonin të zhvilloheshin në zyrat e larta të politikës shqiptare. Për mungesë largpamësije, për prirje karrieriste, për mungesë parimesh apo për të gjitha sëbashku, vajza inteligjente nga Mallakastra shkatërroi “ pa dashje” jetën e saj dhe të të afërmëve të saj.

Fatkeqja Liri Belishova, e cila me kokëfortësi nuk arriti të pranonte se cilat ishin gabimet e rënda të saj!

Wednesday 14 April 2021

Mjekët e Mëmëdheut, që nuk thonë dot “s’di”


Duhet të kisha shkruar më parë për të përgëzuar mjekët shqiptarë, që kanë qënë në frontin e pandemisë Covid-19. Shumë syresh kanë humbur jetën dhe të tjerë janë sëmurur dhe kanë rrezikuar familjarët e tyre. Ndaj ky shkrim kritik nuk ka përse të përgjithësohet. Eshtë një reagim i imi nga shumë histori të njohurish e miqsh që jetojnë në Shqipëri. Ka të bëjë me diçka, që ndodh edhe me shumë profesionistë të tjerë, por që në rastin e mjekëve dhe farmacistëve bëhet më delikat se ka të bëjë me jetë njerëzish.

Reagimi im (aspak profesional se jam shumë larg sektorit të shëndetsisë) vjen nga një krahasim që jam në gjendje të bëj me qëndrimet e përgjithshme të mjekëve shqiptarë në kohën time dhe atyre që kam gjetur tek mjekët kanadezë, kur kam patur të bëj për vete apo për anëtarët e familjes. Janë dy qëndrime diametralisht të kundërta:

Mjekët tanë ishin të bindur në diagnostikimin dhe kurën që jepnin, ndërsa mjekët e këtushëm me shumë thjeshtësi të thonë se është e mundshme kjo lloj diagnoze dhe mund të provohet një lloj terapie e caktuar.

Sigurisht që nuk kam ndërmend të sugjeroj ndryshime thelbësore në sisitemin mjekësor shqiptar, në shkollimin dhe në psikologjinë e mjekëve. Por ajo që dua të theksoj në këtë kohë të Covid-19 është siguria me të cilin japin trajtime me antibiotikë kundër Covid-19. E kam fjalën jo për mjekët e spitaleve dhe ata specialistë, por për mjekët e zakonshëm, që këtu quhen mjekët e familjes dhe ndoshta në Shqipëri quhen mjekët e bllokut ose të lagjes.

“Provo këtë antibiotik!”, “Shko në filan farmaci se atje kanë nga ky lloj!”, “Filloni merrni dhe ju të tjerët për t’i dalë të keqes përpara antibiotikë“ janë disa nga thëniet e mjekëve në Shqipëri. Tregojnë mosnjohje, mungesë përgjegjshmërije dhe korrupsion.

Pandemia Covid-19 ka shumë e shumë të panjohura, sepse është një sëmundje e re dhe diskutime dhe polemika rreth terapive ka në të gjitha nivelet e mjekësisë botërore. Por pas më shumë se një viti është provuar që antibiotikët dhe shumë kura të tjera nuk luajnë asnjë rol në trajtimin e sëmundjes. Nuk mund të vazhdohet më me të njëjtën papërgjegjshmëri që ka treguar Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Shëndetsisë edhe nga mjekët dhe farmacistët.

Shqiptarët kanë shumë pak besim tek sistemi shëndetsor, jo vetëm për faj të funksionarëve, që kanë lënë spitalet në gjendje të mjeruar, por edhe për shkak të korrupsionit të mjekëve dhe farmacistëve. Dhe të mos kesh besim tek sistemi që mbron jetën do të thotë se je plotësisht pa rrugëdalje, se nuk ke ku përplas kokën, sidomos në kushtet e pandemisë, kur edhe kufijtë janë thuajse të mbyllur.

Nuk është turp të thuash “këtë nuk e di se është sëmundje e re”, por është turp të mos kërkosh në informacionin e bollshëm online dhe sidomos është kriminale, që në mënyrë të ndërgjegjshme të sugjerosh ilaçe që nuk bëjnë asnjë të mirë, të blihen tek farmacisti me të cilin ndan paratë. 

Monday 12 April 2021

Fyfy dhe epshet e tij rotariane


Përcjellja e vizitës sime tek farmacisti D’Artanjan dhe përmendja e netëdaljeve të Fyfy dhe kërkimeve shumëorshe të Zhan Poli-t ka ngjallur indinjatën tek Rotarianët shqiptarë. Avokati im në Tiranë më dërgoi e-mailin e mëposhtëm qortues:

“E konsideroj të nxituar, të dëmshme për çështjet tona dhe ligjërisht të diskutueshme përcjelljen , që i ke bërë vizitës tek D’Artanjanët dhe bisedave me ta. Në një kohë që unë me stafin tim po përpiqemi t’i japim një zgjidhje përfundimtare “çështjes Ushkurov” duke i mëshuar linjës Rotariane, ti boton një tregim plot insinuata për moralin e kreut të Klubit Rotarian të Sherbrooke. Vetëm dje kam marrë disa mesazhe nga miqtë e mij në Korçë dhe Berat, ku përshkruhet zemërimi i disa rotarianëve dhe mundësia e hartimit të një peticioni drejtuar Rotarianëve të Kanadasë, për të prapësuar vendimin e anëtarësimit tënd në Klub. Gjithashtu ka zëra se edhe Shoqata e Farmacistëve Shqiptarë ka shprehur pakënaqësi rreth postimit të fundit. Të këshilloj të ndërpresësh menjëherë të gjitha shkrimet që kanë të bëjnë me Klubin Rotarian dhe që lidhen me drejtpërsëdrejti me “procesin Ushkurov”.”

Unë nuk doja në asnjë mënyrë të prekja ndjenjat e vëllezërve të mij dhe motrave të mija të Klubit. Përmendja e bisedës ishte për të spjeguar se edhe Rotarianët më të fuqishëm janë njerëz si ne, me të mirat dhe të metat, me komplekset dhe transgresionet, me virtytet e përjetshme dhe veset e përkohëshme. Nuk është aspak në interesin tim të krijoj një imazh të keq të atyre, me të cilët më lidh ideali i lartë rotarian. Dhe kur, pikërisht tani, kur po e ndjej veten si anëtar i Tryezës së Rrumbullakët të mbretit Artur.

Nëse unë përmenda detajin e syshkeljes ndaj farmacistit Zhan Pol, kjo ishte si të thuash një lloj solidarizimi mes meshkujsh, si për të thënë që i kuptoj daljet nokturne të Fyfy, sepse ashtu si maçoku edhe unë jam mashkull vetë. Fakti, që farmacisti ka dobësi për maçokun e tij dhe prish gjumin e pasmesnatës, nuk ka pse të ngjallë asnjë lloj indinjate , por vetëm admirim për të, si dhe për mua, që në mënyrë të tejdukshme e përcolla të gjithë bisedën përfshirë edhe “gjuhën e trupit”(body language). Për më tepër nuk kuptoj dot pakënaqësinë e Shoqatës së Farmacistëve, pasi shkrimi nuk prek asnjë praktikë të dyshimtë mjekësore apo tregëtare të rrjetit farmacistor në Shqipëri dhe më gjërë.

Aq më pak kanë të drejtë të ankohen animalistët, se përshkrimi im i Fyfy dhe i epsheve të tij rotariane(këtë e kam shkruar në kuptimin ciklike) ka qënë realist dhe i paanshëm. Bile edhe me një lloj dashurie, se më kujtonte maçokun tim Miko, i cili gjatë dimrit 2004-05, dilte vazhdimisht netëve dhe zihej me me maçokë të tjerë pullazeve të Misissagas.

Nuk them se e kam të pamundur, që mos shkruaj më në blog, se me sa kuptoj këtu është edhe rrënja e problemeve të mija sociale , ekonomike dhe ligjore, por nëse nuk do shkruaj, edhe kjo mund të keqinterpretohet si “heshtje pas anëtarësimit në Klub”, ”Omerta e Rotarianëve”, “Cështja ballkanike Ushkurov mbyll përfundimisht një blog 10 vjeçar” ose “blogeri i djathtë detyrohet të mos flasë më para 25 prillit”. Ndaj sa të mbij flokë në tullën time mbi dhjetvjeçare unë heq edhe skalpin tim mediasocialist. Avokati im i bije shkurt duke marrë parsysh vetëm anën teknike ligjore dhe mbylljen sa më shpejt të padisë bullgare, por heshtja ime e plotë mund të komplikojë paditë e tjera ligjore, të cilat me siguri kanë për të mbirë si kërpudhat pas veskave pranverore, menjëherë sa të ndal shkrimet. Dhe kërpudha-paditë nuk kanë ç’më duhen edhe sikur të jetë e sigurt se me kundërpaditë do arrij të fitoj shuma të mëdha. Procesi gjyqësor Korçë-Tiranë-Stratsburg dhe kthim është i gjatë, i lodhshëm dhe i pasigurt.

E sigurt është vetëm Llomotitja!

Sunday 11 April 2021

Rotariani Zhan Pol D’Artanjan

Pasi i rrashë ziles në Portën e madhe me kangjella, në tabelën e së cilës shkruhej “Një për të gjithë, të gjithë për një“, ajo u hap ngadalë dhe me kujdes i hodha hapat drejt hyrjes së Vilës. D’Artanjan është një farmacist i njohur në qytet dhe jo rrallë mund ta shohësh në një nga tre farmacitë e tija. I ka kaluar të 70-etat, por mbahet mirë. I gjatë, fytyrë ngjyrë ulliri dhe flokë gri. Në krah ka të shoqen, Silvin, edhe ajo e gjatë, fytyrë ngjyrë ulliri dhe flokë gri. Silvi mban syze, por jo Zhan Poli, që i kapsallit sytë shpesh.

Më pritën në dhomën-bibliotekë dhe më treguan të ulesha në një ndenjëse pranë një globi të madh. Ju spjegova që isha ngutur të bëja atë vizitë kortezie për diçka që lidhej me takimin e të martës. Të dy ndërhynë shpejt duke thënë se nuk ishte aspak një vizitë e ngutur, dhe se ata kishin disa ditë që mendonin të më ftonin për të më njohur, se ishin shumë kureshtarë të njihnin dikë nga Shqipëria. Më pas në dhomë hyri një maçok gri dhe i bardhë, për të cilin më shpjeguan se ishte anëtari i tretë i familjes dhe quhej Fyfy.

“Zhan Pol çmëndet po qe se Fyfy nuk është në shtëpi. Shtëpia është shumë e madhe për ne të tre dhe ka shumë vrima dhe Fyfy është çapkën. Ka patur disa raste që ka dalë natën jashtë dhe Zhan Pol ka shkuar për orë të tëra në qytet ta gjejë dhe asnjëherë nuk është kthyer pa të. Unë nuk mund ta le shtratin pas mesnatës edhe sikur ta di që Fyfy mund të rrijë dy ditë jashtë. Por jo Zhan Pol!”

Unë nuk dija ç’të thoja dhe mërëmërita diçka për lidhjen e fortë shpirtërore që krijojmë me kafshët shtëpiake, por dukej që zëri më dridhej se farmacisti po më zhbirilonte. Ndoshta dyshonte se unë nuk isha shumë i bindur në devotshmërinë e tij ndaj Fyfy-it dhe mendoja se ai dilte pas mesnate për qëllime të errëta, por mua nuk më shkonte aspak në mendje kjo, se kisha hallin në pjesët e njohura që duhet të luaja në piano ditën e martë.

“Në rini kam luajtur “Fugën e maçokut” të Vivaldit, por vitet e fundit, për shkak të një artriti të parakohshëm në dorën e djathtë nuk mund të luaj si më parë!”

“Jemi të sigurt që performanca juaj do jetë e nivelit!”- tundi kokën i sigurt D’Artanjani.

“Do kisha dëshirë që në takimin e parë të dëgjoja dikë tjetër, për të njohur nivelin e anëtarëve dhe marëdhëniet e tyre me muzikën e dhomës. Duke i njohur fenomenet edhe çdo gjë do jetë më e lehtë. Ja psh tani e di që Fyfy, ndonëse rrallë, por ka raste që largohet natën në një drejtim të paditur dhe kjo njohuri do më ndihmojë të krijoj raporte të drejta me të“ -thashë me zë të zvargur dhe kur Silvi nuk kishte mëndjen i shkela syrin Zhan Polit. Nuk më kthehu sinjalin kuptimplotë por pas disa çastesh tha:

“E vure re besoj tabelën në hyrje dhe duhet ta dish se nuk e kam shkruar pasi lidhet me mbiemrin dhe Dyma-atin, por se është lejtmotivi i jetës sime dhe të Silvit, si dy Rotarianë të vërtetë. Shpresojmë edhe ti të bëhesh i tillë!”

Më pas vazhduam me biseda reth udhëtimeve, politikës ndërkombëtare, vaksinimit dhe teorive komplotiste, Shqipërisë dhe vendit të saj në Ballkan, artritit dhe shkaqeve të tij, dietave të shëndetshme dhe pemëve gjenealogjike dhe e mbyllëm me arkitekturën Mesdhetare dhe rolin e Rotarianëve në zhvillimin e saj. Në fund bëmë disa fotografi të tre dhe një bashkë me Fyfy-n.

U largova plot optimizëm nën tingujt e “Fugës së Maçokut”, të cilën e kishte gjetur Silvi në youtube dhe vuri për nder të vizitës sime dhe lidhjes së fortë që krijova me maçokun dhe “prindërit” e tij.

Saturday 10 April 2021

Të gjithë për një, një për të gjithë


Asgjë nuk mësova dot me youtube. Një miku im kishte mësuar dikur kitarën, por ai kishte vullnet dhe kitarë. Unë nuk kam as vullnet dhe as piano. Bëra sipas udhëzimeve në youtube tastierën e pianos në një fletë të madhe kartoni, por dështova. Të ble një piano të përdorur kushton më shumë se të marr për dy muaj mësime në piano. Dhe po se mësova për dy muaj nuk e mësoj dot kurrë. Mu kujtua meseleja e qëmotshme e Koci Pacalanit, që kishte gjetur punë në Pallatin e Kulturës, ku do i binte pianos, por dhe ajo ishte një histori që nuk kishte pasur fund të mirë.

Ndoshta do më duhet të bisedoj ballaz me Presidentin e rradhës të Rotarianëve të qytetit ku jetoj, Zhan Pol D’Artanjan për t’i spjeguar situatën time tejet të koklavitur.

Ndërkohë avokati më njoftoi për një padi tjetër që po ngrihet në Korçë nga “3 Raqat”. Sipas tij unë pa patur asnjë fakt, kam pretenduar se në fund të dhjetorit 2020 kam marrë mesazhe urimi për Ditën e Emrit, nga 3 Raqa të rëndësishëm të fushave të biznesit, të së drejtës ligjore dhe të pushtetit lokal.

Në fillim u tremba shumë se kujtova se mos ishte padi për shpifje nga trashëgimtarët e Raqi Gripit, Raqi Groshkës dhe Raqi Korminës, të cilët i kam përmendur në shkrimin “Qyteti i Nofkave”, gjë që mund të krijojë një precedent për një numur të pafund padish, duke nisur me trashëgimtarët e Koci Pacalanit dhe duke e përfunduar me ata të Pano Gudulimës.

“S’le njeri pa i vënë një nofkë!” më akuzoi dikur një i njohur i vjetër, por unë me durim i spjegova se unë kam autorësinë vetëm të nofkës Ligaveci Gollash, e cila tamam nuk hyn as në modelin korçar të nofkave se është dyfjalëshe dhe nuk “ngjit”. Nuk ka në historinë 600 vjeçare të qytetit njeri me nofkë dyfjalëshe. Ndaj jo vetëm që nuk mund të akuzohem si “nofkëngjitës”, por as si “nofkolog”, se kam një njohje të cekët të historisë së krijimit të nofkave, teknikave të përdorura dhe synimeve përse ishin krijuar.

E megjithatë avokati im në Tiranë (për të cilin nuk ka pasur ndonjëherë nofkë) më paralajmëroi që jo vetëm mos bëj shkrime rreth nofkave, por të evitoj shkrime ku përmenden njerëz realë, që jetojnë ose kanë vdekur, se rreziku i padive është në rritje. Ndaj nëse nuk heq dot dorë për disa kohë nga blog-u, duhet të shkruaj vetëm “shkrime neutrale”, poezi rreth natyrës dhe shkrime teknike rreth arkitekturës. Kjo deri sa të dalë edhe studimi i plotë ekonomik nga ekonomisti në pension S.H., emrin e të cilit për arsye të pakuptueshme, avokati nuk ma thotë.

Ndërkohë po dal të kaloj një herë nga vila e Presidentit Rotarian Zhan Pol D’Artanjan, në hyrjen e të cilës është një tabelë e madhe ku shkruhet:

Një për të gjithë, të gjithë për një.

Friday 9 April 2021

Thjesht…jam i pafat!


Mora në email ftesën për takimin e parë të Klubit Rotarian të firmuar nga vetë kryetari i rradhës, Zhan Pol D’Artanjan. Takimi do bëhet të martën më 13 prill, në dhomën e konferencave të hotelit “Regal” prej orës 5 deri më 7 të pasdites. Do jetë e natyrës “pasdite ]aji”, por pjesa më e sikletshme, që i përmbys të gjithë ëndrrat e mija rotariane është se gjatë pasdites “do luhen në piano pjesë të njohura klasike nga anëtari i posapranuar Naumaq Mara.”

F..f…f…!

Po ]’ne unë pjesë të njohura në piano?! Vërtet kur mbusha aplikimin për anëtarësim, pas pyetjes “C’vegël muzikore luani?” unë shënova –piano-, por kjo nuk do të thotë se vërtet di t’i bie pianos. Unë kam bërë dy vjet në Shtëpinë e Pionierit me të ndjerin Sami Bujari, po nga ajo kohë mbaj mend vetëm dy arpezhe dhe “Serenatën e gomarit”, të cilën e kam mësuar në mënyrë autodidakte. C’janë këto pjesë klasike që të luaj?

Avokati im në Tiranë më këshillon ta marr me qetësi, se deri të martën në orën 5 edhe mund të mësoj dy të njohura të shkurtra me mësues privat. Po ku ka mësues që të më futë “drejt e në thelat” e të më mësojë Mozartin apo Shopenin. Për më tepër gishtat më janë bërë si babucka gjatë kohës së izolimit, se ja kam sëlluar me të ngrënë.

Të them të drejtën që kam gënjyer në aplikim, kam frikë se më përjashtojnë. Nuk e di sa e vlerësojnë sinqeritetin mes Rotarianëve, se nuk kam as ndonjë listë të rotarianëve të Kor]ës për të parë nëse ka ndonjë që gënjen ndocazë. Kam dëgjuar që është anëtar Behari i Fekaleve, por nuk kam konfirmim nga avokati im. Behari kishte gënjyer një herë në kohën e Diktaturës, kur raportoheshin sasitë e plehut organik të kompostuar dhe për këtë kishte bërë 6 muaj burg. Po më vonë bënte be e rrufe që e gjitha kishte qënë e sajuar nga Sigurimi i Shtetit për të njollosur figurën e tij fisnike. Dhe e njollosën se i mbeti nofka i Fekaleve.

Avokati im në Tiranë e kundërshtoi kategorikisht rrëfimin tim të sinqertë, sepse sipas tij nuk mund të bëhesha kurrë Rotarian. Ai solli disa shembuj Rotarianësh, për të cilët gënjeshtra ishte jo vetëm një gjë e ulët, por e pakonceptueshme që të ndodhte. Më tipiku sipas tij ishte një Rotarian që kishte lindur në një ditë me më të famshmin e Uljanovëve dhe pikërisht nën shembullin e këtij të fundit, kishte gënjyer vetëm dy herë gjatë gjithë jetës së tij. Dhe vetëm më 1 prill.

Ka qëlluar keq edhe mbyllja e kufijve me Amerikën se i di 3-4 mësues pianoje në Masa]usets, që mund të më mësonin fët e fët dy-tre pjesë sa për të hedhur lumin rradhën e parë. Dhe nëse nuk arrij të mësoj dot gjë deri të shtunë më darkë, duhet t’I bëj ndonjë derman dorës. Se aksidente ndodhin shpesh me të moshuarit , që jetojnë vetë në shtëpi dhe ju duhet të bëjnë ]do lloj pune! Si për ironi të fatit, përsëri rikthehemi tek Zheljko Zhinukov dhe “mentorizmi” i tij. Po t’I kisha kushtuar më shumë vëmendje mësimeve të pianos dhe këshillave të Samiut “studio, studio, studio” nuk do kisha arritur deri këtu.

Tani më duhet të demosntroj se di të luaj në piano ose... Unë vetëm doja të tregoja si kisha ca kulturë të përgjithshme. 

Thursday 8 April 2021

Ja pse u shpik…rrota!


Lajme të mira nga avokati im, që ishte në Korçë për të studiuar terrenin ligjor për kundërpaditë.

Cështja ligjore në Madrevo mund të zgjidhet pa gjyq. Nga kontaktet e tij me Rotarianët e Korçës kishte mësuar se Rotarianët janë shumë të fuqishëm në Madrevo dhe në Dobruxhë. Ka të ngjarë, që edhe ndonjë Ushkurov të jetë anëtar i Klubit. Pas bisedës me një Rotarian me origjinë nga Boboshtica, i cili me siguri duhet të dijë bullgarisht dhe latinisht, avokati kishte marrë premtimin që çështja mund të zgjidhej vetëm me një kusht:

-Unë të bëhem Rotarian.

Po bëhem në sekondë i thashë, po të më pranojnë. Unë rrotë kam qënë tërë jetën pa pasur ndonjë fitim dhe jo mos bëhem tani që shpëtoj nga një bela e madhe ligjore. Ndaj dhe nxitova të anëtarësohesha në Klubin e qytetit ku jetoj dhe ata më pritën krahëhapur. Jam i pari shqiptar që kërkoj të anëtarësohem dhe më përgatitën menjëherë kartën e anëtarësimit me foton përkatëse. (Në foto nuk dukem një Rotarian i vërtetë, por e rëndësishme është që jam pranuar.)

Kuotizacioni nuk është i madh dhe duhet çdo të martë të shkoj në një mbledhje me të gjithë anëtarët, po unë ku ta gjej, se këtu flas tërë kohën me vete. Deri të martën që vjen duhet të mësoj të këndoj këngën “Frere Jascques”, e cila është kënga e këtij 6 mujori e Rotarianëve të Sherbrooke. Si fillestar më thanë, që të mësoj të bëj zërin e dytë, se mund të kem vështirësi në notat lart. Po ç’më duhet zëri i parë! Unë edhe me të dytin stonoj.

“Frere Jacques, frere Jacques/ Dormez-vous, dormes-vous…” nuk është shumë e vështirë dhe kam 6 ditë kohë ta mësoj. Në youtube tani i kanë me së dhe me fjalë të shkruara dhe nuk është zor, si në kohët kur mësonim këngët me të gjorin Pavllo Sholla, që përpiqej shumë dhe kur këndonim të intonuar harronim fjalët, kurse kur i theshim llafet tamam, fallcarnim.

Nuk duhet të isha demoralizuar dhe nuk duhet të kisha rënë viktimë e “boboshtarka59”, por të kishe besuar më shumë në largpamësia, syçelësia, njohja e kodit penal, civil dhe administrativ e avokatit tim në Tiranë. Në sajë të kontakteve të tij mbitokësore, mbiujore dhe ajrore, u kthye në e zgjidhshme “çështja Ushkurov”. Mendo sikur ai të kishte edhe nëntokësore dhe nënujore. Do isha i pamposhtur!

Për më tepër tani jo vetëm që jam, por edhe ndjehem Rotarian! Jam i mbushur me një ndjenjë krenarie, përmbushjeje, misioni, përkatësije, vëllazërimi dhe paqedashjeje, që nuk e kam provuar kurrë më parë. Mezi e pres ditën e martë, kur të mblidhem me Rotarianët e tjerë dhe të këndojmë sëbashku “Frere Jacques”! Do jem pjesë e një vëllazërimi ndërkombëtar, me degë në të gjitha kontinentet, shtetet dhe qytetet kryesore të botës. Ndjej sikur kam bërë shpikjen më të madhe të të gjithë kohërave.

Kam shpikur Rrotën!

Mos u bëj rrotë k…!- sa më dërgoi sms avokati im, që e ndjeu ekzaltimin tim të parakohshëm Duhet ta dëgjoj!

Wednesday 7 April 2021

Mes Shillës dhe Karibdës


Nuk është e thënë të fle një natë më shumë se dy orë. Në orën 1 (7 e mëngjesit në Tiranë) avokati im dërgoi emailin e mëposhtëm:

U befasova nga fakti, që nuk më shkrojte mua më parë, por shkarkimin tim e bëre publik në blog-un tënd. Ndjej keqardhje!

Pa dashur të di në hollësi se cilat ishin arsyet e vërteta të këtij shkarkimi, po të bëj të njohur, që në studiot ligjore të qytetit të Korçës po përgatiten një sërë padish kundër teje për shpifje dhe cënim të personalitetit, të cilat do rregjistrohen në Gjykatën e Faktit menjëherë pas 25 prillit. Po të përmend vetëm disa prej tyre: Tre Nikot, Katër Vaskat, Ali Jashari, Jashar Aliu, Vehbi dhe Marenglenvera Furrxhi, Ligaveci Gollash dhe Miu i Gjirizave.

Unë po planifikoja që gjatë gjithë 6 mujorit të dytë të vitit 2021 dhe  gjithë vitit 2022, sudioja ime ligjore të merrej me paditë dhe kundërpaditë, që lidhen me blog-un tënd. Bile për të llogaritur raportin mes fitimeve dhe shpenzimeve financiare prej tyre, do punësoja ekonomistin e njohur S.H., i cili tani është në pension, por ka përvojën e duhur në llogaritje të këtij lloji.

Nuk po përmend këtu zërat për një sërë padish të pritshme në Gjykatën e Tiranës, sepse nuk i kam ende të konfirmuara nga tre burime. Jam i detyruara të të njoftoj për sa më sipër dhe të mos merrem fare me videon e anonimes “boboshtarka59”, që për hir të së vërtetës është e manipuluar.”

Si i numurova disa herë më dilnin 7 padi të mundshme, nëse Nikot dhe Vaskat i bëjnë kolektive, se në të kundërt numuri arrin në një dyzinë.

Të mbaj ‘boboshtarkën” dhe të shikoj për avokat tjetër? Po të gjithë juristët që kam njohur kur isha në Shqipëri kanë dalë në pension. Mbetet vetëm juristi Buke, po me sa di dhe ai merret vetëm me çështje noteriale.

Nuk di as se kush është ekonomisti S.H. Mbase ai mund të më bënte një llogaritje nëse më dilte më mirë të paguaj Mlladen Ushkurovin dhe të përqëndrohem në kundërpaditë ndaj 3 Nikove, 4 Vaskave dhe Ligavecit Gollash. (Për Miun e Gjirizave duhet më parë ta identifikoj ose unë ose avokati.)

Po nuk është vetëm çështje ekonomike. Eshtë etike, ligjore, ndërkombëtare, filozofike, sociologjike dhe në fund fare është financiare. Se të tërhiqem nga “çshtja Ushkurov” do të thotë jo vetëm të braktis rëndësinë e “mentorizmit” në jetë, por edhe të përkulem para “rrezikut bullgar” dhe pushtimit të Boboshticës. Cështjet e tjera janë të rëndësisë politike, gjenetike, ekologjike, artistike dhe krahinore.

Po nëse dua të kthehem në Itakën time duhet të kaloj mes Shillës dhe Karibdës. Problemi është tek Penelopa, që nuk ekziston, por ku dihet se ç’do sjellin ditët që do vijnë. Pas shumë vojtkave ndoshta do ketë një rreze drite edhe për mua!

Tuesday 6 April 2021

Ignorantus ignoranta ignorantum


Hyra për dhjetë minuta nëpërmjet një videoje të kryeministrit Rama në mjediset e Mësonjtores së Parë. Ajo çka dëgjova nga ministrja e kulturës dhe nga Niko Kotherja më bëri të thërrisja “Ignorantus ignoranta ignorantum”. O zot pse na ke dënuar kaq rëndë tani që kemi 134 vjet, që shkruajmë gjuhën tonë!

Tek Muzeu mungon shpirti i tij.

Arsimimi në gjuhën shqip, që ishte i domosdoshëm për tu bërë shtet shqiptar.

Askund nuk theksohet kjo rëndësi, askund nuk thuhet se sa e vështirë ishte, askund nuk përmendet, që Pavarësia shqiptare nuk mund të vinte pa patur gjuhë të shkruar shqipe.

Dy ishin kushtet e domosdoshme që të plotësonte populli shqiptar për tu vetëqeverisur.

Të dëshmonte se kishte traditë qeverisëse dhe që kishte gjuhë të shkruar. Nuk mund të kishte administratë shqiptare nëse nuk kishte gjuhë të shkruar shqip. Pikërisht këtu qëndron gjenialiteti i Rilindasve shqiptarë dhe kolonive korçare të Bukureshtit dhe të Sofjes që sollën shkollën e parë shqipe pikërisht në Korçë. Nëse nuk do ishte kjo periudhë 25 vjeçare e përpjekjeve për gjuhën shqipe nuk mund të kishte 28 Nëntor 1912.

Mëvetësia e Shqipërisë nuk mund të arrihej pa u hapur Mësonjtorja!

Por këtë nuk e di as Margariti dhe as Kotherja. Ata, të cilët e dinë dhe nuk janë korçarë, për njëmijë e një arsye rrinë të heshtur.

Përr fat të keq nuk janë mes nesh historianët Petraq Peppo, Ligor Mile dhe të tjerë korçarë që kanë luftuar për të vënë Mësonjtoren në piedestalin që meriton.

Nuk është më çështje e gërmave prej guri apo e bangove prej druri. Muzeu me gjithë kusuret e tjera të tij është pa emër dhe pa shpirt.

E vrau injoranca dhe dashakeqësia.

Nuk duhet të rrimë gojëkyçur dhe duarlidhur!


Rikthehet “boboshtarka59”


Sa më kishte kotur gjumi, kur mbiprehërësi tingëlloi dhe në “inbox” pashë “boboshtarka59”. E hapa menjëherë pa ndjekur “protokollin” e sugjeruar, kur email ka “attachment”. Mesazhi ishte: “Dil vetë në përfundim!”

Bashkëngjitur ishte një video prej 24 sekondash. Një kurriz i lakuriqtë i një këngëtareje, pranë profilit të një burri, që më ngjau me avokatin tim në Tiranë. Kur këngëtareja u kthye nga celulari që po e filmonte, dallova Anxhela Peristerin, e cila po këndonte një këngë bullgare në një lokal shumë modern.

Në ç’përfundim të dal?

Në një lokal diku në Ballkan, Peristeri këndonte për një grumbull njerëzish, që hanin e pinin dhe mes të cilëve ishte avokati im. Kënga ishte bullgare ndërsa veshja e këngëtares e vitit 2020. Anxhela Peristeri do konkurojë në Eurosong si përfaqësuese e Shqipërisë dhe ka dalë në foto me një veshje popullore që duket më shumë bullgare se shqiptare. Dhe mbiemrin nuk e mban Pëllumbi po Peristeri!

Nuk di ç’qëndrim të mbaj me avokatin?(Avokatin tim, jo Spartak Ngjelën.) Më vjen t’i them “Ja qëndrimi yt- ja dhe materialet video që më vijnë nga “boboshtarka59”!”

Të jetë lokali në Boboshticë apo në Dobruxhë? Se nga mesazhi “Të gjitha rrugët të shpien në Boboshticë“ me mesazhin “Dil vetë në përfundim!” është një kërcim shumë i madh. Aq më shumë nëse fusim në ekuacion edhe Roterdamin, ku do zhvillohet Festivali Europian.

Nuk mund t’i besoj më avokatit tim në Tiranë, se ai duket që është hapur në konflikt interesi. Nëse ai e lexon blog-un duhet ta kuptojë menjëherë që është i papërshtatshëm për të vazhduar mbrojtjen time. Kështu që situata bëhet tmerrësisht emergjente. Dhe situatat emergjente përballohen vetëm me një mobilizim emergjent. Nga ky hall mund të më nxjerrë vetëm e vetëm “boboshtarka59” të cilës duhet t’I drejtohem me zemër në dorë, si vëllai motrës, si hallexhiu hallexheshës, si bashkëatdhetari në Diasporë bashkëatdhetares në Mëmëdhe.

E nderuara Boboshtarka59. Më ke ndriçuar me videon e fundit që patët nderin të më dërgonit dhe arrita në përfundimin se duhet t’ju besoj Juve dhe vetëm Juve! Sikundër e dini, në një shkrim të ngutshëm, kam përmendur valltarin Ushkurov, por pa patur asnjë tendencë të ulja vlerat e tij si valltar popullor bullgar dhe për më tepër si mentor valltarësh popullorë bullgarë. Vetëm për të treguar rëndësinë e mentorëve dhe të të gjithë procesit mentorial, unë ju përcolla lexuesve të mij të pakët, atë ç’më kishte rrëfyer skenografi bullgaro-kanadez Zheljko Zhinukov. Ndoshta ndonjë ngjyrim negativ tregimi ka marë edhe pse kur e dëgjova isha duke rrëkëllyer një shishkë Kabërne nga ato që shërbeheshin në aviona, para se të merreshin masat anti-Covid 19. Do ndjek hap pas hapi të gjitha këshillat tuaja rreth kësaj çështje.”

E bera “send” dhe po pres tani zemërdridhur.

Sunday 4 April 2021

“Po normal…”


Kanë kaluar më shumë se dhjetë vjet, që e urrej këtë shprehje parazitare. Pa e menduar thellë, se më shumë se një shprehje e tillë, gjuhësisht e kotë, pa përmbajtje, papagallore, kjo shprehje është esenca filozofike e një brezi të tërë konformistësh në Shqipëri. Thuajse e të gjithëve.

“Më kanë kërkuar të firmos një peticion për ndryshimin e emrit të Mësonjtores dhe rikthimit të saj në Muze Kombëtar si e para shkollë ku u mësua gjuha jonë. Po ta firmos, kam frikë se i hapet ndonjë avaz vajzës, që punon mësuese në shkolla “Mësonjtorja e Parë Shqipe, ajo 9 vjeçarja më poshtë se Biblioteka e Vjetër.”

“Po normal…nuk ke si ta firmosësh!”

“Edhe ti kështu mendon?”

“Normal…nga peticioni s’fiton gjë!”

Kjo është një bisedë imagjinare, që mund të ndodhë në çdo kafene të qytetit të Mësonjtores së Parë. 135 vjet më parë, njerëz që nuk fitonin gjë, por që deshën të bëhej Shqipëri edhe pse jetonin në Stamboll, Bukuresht, Kajro dhe Sofje nuk e dinin shprehjen “po normal”. Ndoshta ishin “anormalë“. Njerëz që kishin mësuar në gjuhë të huaja, jetonin në vende të huaja, por kishin dinjitet dhe donin, që edhe vendi i tyre të bëhej një vend dinjitoz.

“E di që Mësonjtorja ka qënë shtëpi dhe i zoti kishte ikur në Bukuresht dha e fali të bëhej shkollë shqipe, se shteti ishte turk dhe nuk kishte ndërmend të vinte para që të mësohej gjuha jonë. Po ta dinte se sa vlerë do kishte sot kjo shtëpi në qendër pranë Pedonales, s’kishte për ta falur.”

“Po normal…si do ta falte! Ajo hiç hiç 800 mijë euro vlen sot me tërë atë vend!”

Edhe kjo bisedë imagjinare mund të ndodhë në çdo kafene të qytetit të Mandi Tërpos, burrit që fali shtëpinë e tij për tu bërë Shqipëri. Për bashkëbiseduesit Mandi Tërpoja jo vetëm që ka qënë “anormal”, por s’ka patur idenë e “ekonomisë së tregut”.

“E pe si a kanë bërë Mësonjtoren? Këta komunistat janë fare legena dhe desha t’ja u sëlloja në Facebook, po erdhi Luli për takim dhe nuk e zuri në gojë dhe thashë, po mua ç’më duhet. Kush e di sa e fellë është puna!”

“Po normal…që s’ke pse shkruan! Kur s’tha gjë i madhi!”

Të tilla biseda mund të krijoj me dhjetra dhe të jenë shumë pranë të vërtetës edhe pse nuk jetoj më në qytetin tim. Në qytetin tim “normal”.

A është hija e qytetit ku kam jetuar dikur dhe më ka bërë të ndjehem krenar për bëmat e të parëve të tij? Që nuk kanë mbizotëruar “normalët” për këtë jam i sigurt se ndryshe nuk do kishte pasur as Mësonjtore, as Miting të Shkronjave, as Shkollë të Vashave, as meshë në shqip të Fan Nolit, as Dëshmorë të Cifligut, as Republikë Autonome, as Ushtar të Panjohur e as, e as, e as pafund.

Tani “normal” që jemi kthyer në një qytet hanxhinjsh e ahengxhinjsh, që presim fundjavën të “na begenisin” parallinjtë e Tiranës, Durrësit e Fierit dhe ne t’ju këndojmë këngët e serenatave dhe pasi ata të na tregojnë se ç’është Bota dhe Shqipëria t’ju përgjigjemi:

“Po normal…”