Tuesday 31 August 2021

Ortodoksët komunistë ishin komunistë ortodoksë?


Duket si e palogjikshme të kërkosh një marëdhënie mes besimtarëve të krishterë ortodoksë dhe komunistëve, por historia jonë dhe ajo e vendeve të tjera të Europës Lindore ka treguar se nuk është një kërkim tërësisht absurd. Nuk ka pse të kërkosh rregulla ose ligjësi, sepse historia e komunistëve shqiptarë është një histori e shkurtër dhe njëkohësisht shumë e çuditshme, ndaj duhet të jetë e vështirë për tu krahasuar me bullgarët, rusët, grekët, rumunët apo sërbët dhe maqedonasit.

Komunistët shqiptarë ishin komunistë shqiptarë dhe ndoshta pjesa më e madhe e tyre nuk ishte e ndërgjegjshme se ç’ishte komunizmi dhe nëse vuloste ky botkuptim identitetin e tyre. Në këtë shënim dua të merrem kryesisht me komunistët që u bënë me vetdije të tillë, pa u marrë pushteti nga Partia Komuniste Shqiptare.

Në Historinë zyrtare të përpunuar disa herë nga Instituti i Nexhmijes, komunizmi në Shqipëri quhet “ i hyrë“ me formimin e Grupit Komunist të Korçës më 1929. Deri në atë kohë kishte patur parti dhe organizata të majta si “Partia e Popullit” dhe “Bashkimi”, por nuk bëhej fjalë për njerëz me pikpamje të mirëfillta komuniste. Të parët që i thanë vetes “jemi komunistë“ ishin një tufë me të rinj korçarë, të cilët kishin bërë nga pak kurbet dhe dinin se ç’ndodhte në rrethet e punëtorëve në vendet e zhvilluara të botës. Thuajse asnjëri prej tyre nuk kishte qënë komunist “i pagëzuar” në ndonjë parti të madhe europiane. Asnjë prej tyre nuk kishte qënë në Bashkimin Sovjetik. Ishin bërë komunistë duke lexuar gazetat dhe “literaturën komuniste”, që kishte sjellë Sotir Vullkani fshehurazi. Nuk është shumë e qartë se në ç’gjuhë ishte “literatura” dhe kush ja u përkthente se këpucari Miha Lako, hekurxhiu Pilo Peristeri, Titanët, gurgdhëndësi Kiço Shamblli dhe shumë komunistë të tjerë të Grupit Komunist të Korçës nuk dinin ndonjë gjuhë të huaj.

Komunistët e Korçës ishin një lloj “prototipi” se si do ishin më vonë shumica e komunistëve shqiptarë. Njerëz me pak shkollë, me shumë pak dije rreth filozofisë dhe ideologjisë komuniste, ndaj dhe lehtësisht të përdorshëm nga krerët e tyre. Bije në sy se thuajse të gjithë ishin nga familje të krishtera ortodokse edhe pse Korça kishte gjysmën e popullsisë të fesë myslimane. Duket që më shumë se një organizatë, Grupi Komunist ishte një lloj “tarafi” miqsh dhe kushërisnjsh të lidhur më shumë nga afëria e dyqaneve dhe shtëpive. Ishte që në formim tepër i mbyllur që binte në kundërshtim me internacionalizmin proletar, se nuk ishte në gjendje as të “hapej” në lagjet e tjera të qytetit e jo më në viset e tjera shqiptare. Vërtet që ndikonte fakti që propaganda komuniste dënohej me ligj, por regjimi i Zogut nuk ishte një diktaturë e mirëfilltë e djathtë dhe ligji nuk parashikonte dënime të rënda për të pasur një lloj “izolimi” të tillë.

Në vitet ’30 komunistët korçarë e shtrinë ndikimin e tyre në disa organizata si “Shoqëria Puna” dhe “Rinia Korçare”, e para e natyrës sindikaliste dhe e dyta kulturore-sportive. E para arriti të fitonte edhe shumë vende në këshillin bashkiak në zgjedhjet e vitit 1937 dhe si rrjedhojë Koçi Xoxe i Grupit Komunist u zgjodh nënkryetar i Bashkisë së Korçës. Tek e dyta, një pjesë e mirë e anëtarëve ishin kthyer në “ateistë“ dhe ishin të vendosur të mos “vinin kurorë“ kur të martoheshin dhe mos pagëzonin fëmijët. Vetëm ndonjë individ i veçantë e mbajti premtimin, se gjithë të tjerët nën trysninë e familjeve u martuan me prift dhe i pagëzuan fëmijët.

(vijon)

Monday 30 August 2021

Sherifi


Sherifin nuk e kisha parë, por ja kisha dëgjuar zërin disa herë në Radio. Im arë më kishte thënë që Sherif Merdani ishte korçar dhe ishte këngëtari më i mirë i muzikës së lehtë mes burrave. Vendi i parë mes grave kishte vite që i takonte pa asnjë diskutim Vaçes. Ndaj kisha një simpati shumë të veçantë për Sherif Merdanin në fundin e viteve ’60 dhe prisja të fitonte në festivalet e këngës. Sherifi duartrokitej shumë, por nuk fitonte çmime të para, se ato vite ato rezervoheshin për këngët për Partinë dhe heronjtë e punës , që kishin humbur jetën aksidentalisht. Ishin vite që biografitë nuk shiheshin me skrupulozitet dhe njëkohësisht, nën parullën e goditjes së “zakoneve të vjetra” kishte më shumë nxitje për rininë dhe këngët rinore.

Kisha dashur ta shihja Sherifin në Korçë, por më kishin thënë se punonte si mësues në Prrenjas dhe vinte shumë rrallë në qytetin e lindjes. Duhet të ketë qënë festivali i 9-të, kur e kam parë për herë të parë në televizor dhe të bënte të ndjeheshe krenar, se ishte edhe shumë i pashëm.

Për rreth 5-6 vjet Sherif Merdani ishte më i preferuari i të rinjve dhe këngët e tij buçisnin në Radio dhe në gjithë koncertet e grupeve amatore. Nuk di nëse mund ta krahasoj me ndonjë këngëtar të muzikës së lehtë të asaj kohe në Itali apo në Francë, sepse Sherifi kishte një timbër zëri të veçantë dhe njëkohësisht nuk di në se imitonte ndonjë nga të mëdhenjtë e muzikës së lehtë europiane. Ndoshta kishte preferencat e tij për këngëtarët anglezë dhe amerikanë, se në të vetmin rast kur e kam parë në skenë këndoi “Dhjetë kitarat” e Engelbert Humperdink. Nuk kam qëlluar të dëgjoj në intervistat e tij të pas vitit ’90 se cilët kishte këngëtarët më të preferuar.

Si shumë fëmijë i kisha mësuar thuajse të gjitha këngët e Sherifit dhe më pëlqente t’I këndoja edhe jashtë shtëpisë. Veçanërisht më pëlqente “Fqinja” e Kastriot Gjinit, por edhe “Të pres në tetor” kompozitorin e të cilës nuk e di, por teksti ishte i Kadaresë, që ishte një tjetër idhull i fëmijërisë sime. Në një konkurs të “zërave të rinj” që zhvillohej çdo vit në Shtëpinë e Pionierit pa tjetër që do këndoja një këngë të Sherifit dhe atë vit ishte shumë e suksesshme “Nëna”. “…Në rrudhat e tyre ne pamë/ Shtigjet tona…” e këndoja me pathosin e një fëmije 11 vjeçar, i shoqëruar me fisarmonikë nga kompozitori i ardhshëm Josif Minga. Më vunë ta këndoja edhe në një koncert për 8 marsin dhe ndoshta në çdo notë, që arrija me vështirësi mundohesha të imitoja Sherif Merdanin. “Nënat tona kush i ka vallë?/Shqipërisë i rrinë yll në ballë…” ishte edhe refreni i fundit që këndova para qindra spektatorëve, sepse më vonë e kuptova që nuk kisha zë për tu bërë këngëtar e të ngjasoja me Sherif Merdanin.

Më pas erdhi “ i mallkuari” festival I 11-të, ku Sherifi ishte I vetmi këngëtar, që kishte dy këngë. Më pas shkatërrimi dhe dhimbja. Nuk pata rastin ta takoja Sherifin pasi kishte dalë nga burgu edhe pse e shihja shpesh në Korçë, ku nuk ndenji më shumë se dy tre vjet.

Mbeti për mua këngëtari i ëndrrave, dikush që i përkiste eterit dhe më pas ferrit dhe për të cilin nuk e shprehje dot dhimbjen në sytë e njerëzve edhe pse ishe i sigurt që e kishin burgosur kot.

Tani është më qiellor dhe i etertë se kurrë!

Lamtumirë Sherif!

Thursday 26 August 2021

Dështimi ndaj pandemisë si “sukses” i Ramës


Covid-19 gjunjëzoi shumë qeveri të vendeve të fuqishme europiane dhe amerikane. Trump e pësoi me humbjen e zgjedhjeve, Konte me humbjen e postit, Makroni dhe Bolsonaro i Brazilit me rënien e madhe të popullaritetit. Në pozita të palëkundura mbetën Putin, Lukashenko, Erdogan dhe të tjerë udhëheqës autoritarë, që kontrollojnë çdo gjë dhe gënjyen paturpësisht për viktimat dhe problemet e tjera që lidhen me shërbimin shëndetsor.

Edi Rama  jo vetëm nuk i humbi zgjedhjet pas dështimit të plotë me përballjen me Covid-19, por tani që po nis edhe vala e katërt në Shqipëri, e paraqet si sukses të qeverisë luftën kundër virusit vrastar.

Po si është e vërteta, që edhe ne , si të gjithë popujt nën trysninë e propagandës dhe që nuk kanë opozitë të besueshme, e harrojmë?

Në Shqipëri nuk u deklaruan si vdekje nga Covid-19 rreth 10 mijë të vdekur më shumë se një vit më parë. Këtë gjë e konfirmoi Instituti i Statistikave të Shqipërisë.  Mosraportimi i vdekjeve ishte njëra nga mënyrat për të fshehur gjendjen shumë të keqe të spitaleve shqiptare dhe qeverisjen e keqe të Ramës. Vetëm në spitalet shqiptare ka ndodhur që gjatë pandemisë, të shtruarit të vetvriten, të tmerruar nga kushtet tmerrësisht të këqia dhe nga mungesa e efikasitetit në shërim.

Nuk janë publikuar të dhëna të sakta për numurin e shqiptarëve, të cilët u kuruan me pagesë në spitalet private të Turqisë dhe Italisë, por dihet se mesatarja e kostos të kurimit ishte diku rreth 30 mijë euro. Kishte njerëz, që shkuan sapo patën shenjat e para të Covid, për të shmangur koston e avionit çarter, që vinte për të marrë të sëmurët në gjendje më të rëndë.

Në ndryshim nga vendet e tjera, Rama lejoi që në kanalet televizive private proqeverisë, të shfaqeshin vazhdimisht propagandues të “antivax” dhe të teorive komplotiste rreth pandemisë. Me një mendje diabolike, që do të paraqesë shpërndarësit e këtyre ideve si kundërshtarët e tij politikë, ai ndihmoi në “mbjelljen” e idesë se virusi është i krijuar, se nuk është aq i fuqishëm sa pretendohet e të tjera idiotizma të tilla, që sollën humbjen e jetëve mes njerëzve të keqinformuar. Rama kishte në dorë të urdhëronte ndalimin e këtyre lloj emisionesh dhe nuk e bëri.

Mes popujve europianë, shqiptarët ishin më keq të informuar edhe për trajtimin jashtë spitalor të sëmundjes. U shitën në masa të mëdha antibiotikë, kur dihet që ata nuk kanë asnjë efekt në sëmundjet virusale, por përgjithësisht kanë efekt të kundërt se dobësojnë sistemin imunitar.

Ky ishte “suksesi” i qeverisë Rama në përballjen me pandeminë.

Për fatin e keq të shqiptarëve, lufta me pandeminë nuk ka mbaruar dhe asgjë nuk ka ndryshuar në sistemin tonë shëndetsor dhe njëkohësisht shumica e mediave janë në kontrollin e qeverisë.

Nuk ka qeveri në botë, që të mbetet më këmbë me këtë gjendje spitalesh si e jona, por ne mbetemi sërish “të veçantë“, “as Lindje as Perëndim”, të plogështuar nga shprehja “si të jetë e shkrojtur!”

Wednesday 25 August 2021

Ministrat e qeverisë Rama? Kujt i …


E kam fjalën për shiptarët e thjeshtë, për Bashkimin Europian dhe Amerikën, si dhe për ata që merren me Shqipërinë, por nuk kanë ndonjë interes. Emrat e qeverisë Rama 3 janë të rëndësishme për grupet ndërluftuese brenda PS-së, për mediat që duan të ngjallin kureshtje për të pasur më shumë klikime dhe shikues, si dhe për vendet fqinjë, që duan të kenë ndonjë spiunin e tyre në qeveri.

Rama ka treguar gjatë 8 viteve se qeveris i vetëm, me një lloj manaxhimi të detajuar dhe me peqelepista. Nuk ka asnjë droje të ndryshojë zv/kryeminstrat se i ka edhe pa merita edhe pa ndonjë mbështetje të madhe në PS. Drejtimi I tij që në kohët kur ishte Kryetar Bashkije ishte i tillë. Mbante pranë vetes njerëz kokëulur, që I raportonin për çdo gjë, që nuk kundërshtonin dhe ishin të gatshëm edhe të merrnin mbi vete përgjegjësitë për urdhrat që kishte dhënë Edi Rama. Egoist, narcisist dhe mosmirënjohës, ai nuk e ka të vështirë të emërojë në poste kyçe njerëz të panjohur, ashtu si mund të flakë njerëz me stazh pune dhe me vlera intelektuale.

Ndaj më duket qesharak kureshtja se cilët do jenë minstrat e rinj. Emra mes besnikëve të provuar si Ahmetaj, Gjiknuri, Xhaçka, Cuçi, Peleshi dhe Spiropali; ndonjë kosovar për të treguar se i “digjet barku” për Kosovën dhe disa emra çupurlinash të panjohura, të cilat do e adhurojnë për lartësitë ku i ngre dhe do përgjërohen për të. Ashtu si idhulli i tij, Enver Hoxha, Rama ju trembet tarafeve brenda partisë dhe mundohet t’i mbajë në balancë dhe kontroll duke i lënë të hanë kokat me njëri tjetrin.

C’mund të thuhet për qeveritë Rama, kur askush nuk kujton emrat e ministrave të Jashtëm, ku i vetmi “i njohur” mes ministrave të tij të Brendshëm është Saimir Tahiri i përzjerë në trafiqe droge dhe kur zv/kryeminstrat kanë në dorë vetëm për të firmosur dekrete dhe vendime, për të cilat Rama nuk do të mbajë përgjegjësi ligjore në ndonjë gjyq të mundshëm.

Në rrethet e socialistëve në Tiranë dhe në qarqet e Shqipërisë së jugut do ketë interesime se “do ketë ndonjë nga tanët në qeveri?”, qarqet e Veriut do ankohen se nuk përfaqësohen si duhet në qeveri dhe mediat proqeveritare do mundohen të ndikojnë indirekt për ndonjë emër që mund t’i favorizojë në tendera.

“Tutto il resto e noia!”- këndonte Kalifanoja I famshëm, që në rastin e këtij shkrimi mund të përkthehet “Qeveria është Rama dhe vetëm Rama!”


A është Shqipëria e 2021 më mirë se ajo e 2011?


Vlerësimi nuk mund të jetë absolut as nga unë, që jetoj jashtë Shqipërisë, as nga ata që jetojnë brenda saj, por në një mënyrë apo në një tjetër janë të përzjerë me politikën dhe as nga analistët e huaj. Në pozita më të favorshme janë analistët e huaj, të cilët kanë jetuar në Shqipërinë e dhjetë viteve më parë dhe jetojnë edhe sot atje.

Sigurisht më mirë ose më keq lidhet me sigurinë për të jetuar, me sigurinë financiare, me shpresën për të ardhmen dhe me gjendjen e institucioneve të drejtësisë, shëndetsisë dhe arsimit. Janë këto kriteret kryesore, që përcaktojnë edhe në botë situatën e vendeve dhe të qyetetve të veçantë.

Le të kthehemi në vera e vitit 2011 dhe të kujtojmë se cilat ishin karakteristikat kryesore të shoqërisë shqiptare, gjendja e shtetit shqiptar dhe marëdhëniet me rajonin.

Vendi qeverisej nga Sali Berisha dhe ishte në “turbullimin” e madh të asaj se si kishte reaguar qeveria ndaj korrupsionit të faktuar të Ilir Metës, që solli edhe vrasjen e katër shqiptarëve të pafajshëm në janar të atij viti. Korrupsioni ishte i madh dhe Drejtësia kontrollohej nga Sali Berisha, duke u përjashtuar këtu Prokuroren e Përgjithshme, e cila paturpësisht u cilësua nga kryeministri si “lavire bulevardi”. Arroganca e politikanëve ndaj njerëzve të thjeshtë ishte në shkallën, që këta të fundit përdhoseshin si “alabakë dhe kokëpalarë“. Ekonomikisht njerëzit e zakonshëm nuk ishin shumë mirë dhe dëshira për të emigruar ishte e madhe. Mediat ishin të ndara në pro-qeveritare dhe pro-opozitë me qëndrime diametralisht të kundërta. Marëdhëniet me fqinjët ishin as shumë të acaruara, por edhe të shkëlqyera nuk ishin.

Këtë verë shtetasit shqiptarë janë po aq të varfër dhe dëshira për tu larguar nga Shqipëria është e njëjtë. Korrupsioni po ashtu i madh, por Sistemi i Drejtësisë është pastruar nga më të korruptuarit dhe paratë nuk jepen më hapur. Rama është arrogant dhe autoritar me partiakët e tij, por nuk ka kurajën të quajë popullin që e kundërshton “kokëpalarë“. Mediat janë më të korruptuara dhe të kontrolluara nga qeveria dhe bizneset e mëdha të lidhura me politikanët. Dy politikanë të tridhjet viteve të fundit- Sali Berisha dhe Ilir Meta janë thuajse “karta të djegura”. Marëdhëniet me fqinjët janë “të çoroditura”, se mbi të gjitha janë shumë të lëkundura marëdhëniet me qeverinë e Kosovës. Sistemi shëndetsor dhe arsimor janë në të njëjtën gjendje të mjeruar dhe kriminaliteti është rritur.

Sipas logjikës sime gjendja në Shqipëri është më e mirë se ajo e para dhjetë vjetëve edhe pse nuk mund të them se ndryshimi është i madh dhe cilësor. Shumë vite më parë e kam quajtur Ramën më të rrezikshëm se Berishën për Shqipërinë, sepse ishte më i ri në moshë, por sot duhet të pranoj, që frika e Ramës e bën atë më pak të rrezikshëm se vendosmëria vrasëse e Saliut.

Kam bindjen që pas dhjet vjetësh Shqipëria do jetë më mirë dhe shqiptarët nuk do përballen çdo ditë as me portretin e vrerosur të piktorit të dështuar dhe as me portretin prej skileje të pështirë të Erion Veliajt.

2031 është ende shumë larg!

Ti frigesh XXVI

Shkumba mbi valët tek unë të sjell

Ndërsa e mërzitur ti rri në karrigen plastike.

Afshet e nxehtë të gushtit

Bashkë me bisedat e përsëritura përbri

Ngathët të mbytin

Të lektisin,

Aq sa mos hedhësh dot sytë tek bari ku unë rri,

Duke kapërdirë pelinin e një dite tjetër të humbur.

Nuk më josh lakuriqësia e të tjerëve trupa,

Në plazhin ku të pres prej vitesh.

Syzet fshehin shikimin tek ti,

Si dhe lotët,

E di se sa do të jesh me krahët rreth meje,

Por ti aq shumë frigesh!

Tuesday 24 August 2021

Arkitektët piktorë


Nuk di se sa e saktë është nëse them, që brenda shpirtit të çdo arkitekti ruhet një dëshirë e fshehtë për të qënë edhe piktor. Megjithatë, për të qënë më i sigurt, po e thjeshtoj tek “shumica e arkitektëve shqiptarë“. Ka të bëjë me Berninin, Mikalenxhelon dhe Da Vinçin, si edhe me më modernët Lë Korbyzje dhe Zaha Hadid, ndikimin e tyre tek çdo arkitekt dhe tek shkollat e arkitekturës, të cilat në përgjithësi i kushtojnë rëndësi vizatimit të lirë.

Arkitektura nuk hyn në artet vizuale edhe pse perceptohet kryesisht prej shqisës të të parit dhe për habinë e atyre që nuk e njohin teorinë earkitekturës, është më e afërt me muzikën se me pikturën. E megjithatë arkitektët dëshërojnë të jenë piktorë, si dhe të përfshijnë vepra të pikturës, instalacione dhe krijime më moderne të arteve vizuale brenda veprave të tyre. Janë gjithashtu edhe frekuentuesit më të rregullt të ekspozitave të pikturës dhe skulpturës.

Shumë nga kolegët e mij, jo vetëm që ruajnë punime të tyre individuale në akuarel, grafikë, laps, akrilik dhe vaj, por nuk janë të pakët ata që kanë hapur edhe ekspozita vetiake me punimet e tyre. Dhe kjo ka ndodhur qysh në kohët e Diktaturës dhe më shumë më vonë.

Kur isha student kam pëlqyer ekspozitën me peisazhe të studentit të arkitekturës Koço Kaskaviqi, i cili pati më pas edhe një karrierë të arritur si arkitekt. Për peisazhet e tyre shquheshin arkitektët Arben Golemi dhe i ndjeri Agron Jano, ndërsa më vonë hapën ekspozitat e tyre në Shqipëri dhe në botë arkitektët Ilir Fico, Maks Mitrojorgji dhe Piro Stefa. Më i njohuri nga publiku shqiptar mbetet arkitekti Maks Velo, edhe pse për fat të keq krijimtaria e tij u ndal në periudhën e burgosjes dhe përndjekjes së tij pas burgut.

Peisazhi i mësipërm në vaj është vepër i arkitektes Nensi Bregu-Karanxha, e cila i përket një brezi shumë më pas se brezave të të sipëpërmëndurve. Nensin e kam njohur kur ishte në vitin e fundit të gjimnazit dhe dëshëronte të studionte për arkitekturë. Më lanë shumë mbresa punimet e saj me laps dhe isha i sigurt se do e fitonte konkursin për të hyrë në degën e arkitekturës. Më pas ajo u vendos bashkë me bashkëshortin dhe kolegun tonë Klarens Karanxha në Boston, ku vazhdoi krahas arkitekturës të ushtronte edhe pasionin tjetër, atë të pikturës.

Disaa vepra të fundit që më dërgoi më habitën për nivelin e lartë që kishte arritur edhe pse ja njihja talentin. Mund të përfaqësohet me dinjitet jo vetëm krahas peisazhistëve më të mirë shqiptarë, por edhe artistëve botërorë të shkollave të lindjes dhe të perëndimit. Paleta e saj ka shumë ngjyrë, nerv, trille lëvizjesh dhe kontrastesh dhe gjithashtu vizatim të mire. Do i shkaktonte zili çdo piktori dhe do bënte të ndjehej krenar çdo arkitekt. Punimin e kam vendosur pa dijeninë dhe lejen e saj, që është një shkelje e të drejtave të autorit, por e kam bërë si nderim ndaj Berninit, Hadid, Maks Velos dhe gjithë arkitektëve piktorë që nuk janë më por na kanë mrekulluar me punët e tyre.

Faleminderit Nensi!

Fotografia e gjyshit dhe nënës


Një foto e madhe me një kornizë të bukur zinte gjithnjë murin më “të rëndësishëm” të shtëpisë sonë. Ishin prindërit e babajt të dalë në një studio me emër në Stamboll disa vite para lindjes së tij. Fotografia kishte ardhur bashkë me gjërat më të rëndësishme në Korçë më 1937 dhe ishte ruajtur gjithnjë me kujdes nga babai. Ishte e madhe dhe e rëndë, si dhe imponuese për mua, kur isha fëmijë. Nga fotoja më shihnin dy njerëz shumë të rëndësishëm, të cilët nuk i kisha njohur, sepse ishin larguar nga jeta para se të përfundonte Lufta e Dytë Botërore.

Ishin të veshur mirë, madje shumë mirë, sa po të mos e dija historinë e tyre do mendoja se i përkisnin aristokracisë të Europës Lindore të fillimit të shekullit të XX-të. Ndoshta të gjithë ata, që kishin mundësi financiare mesatare ose diçka më shumë parapëlqenin të fotografoheshin si pjestarë familjesh të rëndësishme. Gjyshi  i veshur me një kostum të zi, këmishë të bardhë, kravatë dhe mban edhe qostek ndërsa nëna me një fustan të stilit viktorian, që nuk kuptohet se në ç’ngjyrë është dhe një gjerdhan floriri mbi të. Flokët gjithashtu “të ujdisura” sipas modës së kohës, ndërsa gjyshi mustaqet e përdredhura dhe me xhel në majrat e tyre.

Babai i adhuronte dhe kjo përcillte tek unë nderimin e mistershëm ndaj këtyre paraardhësve të panjohur, që kishin qënë për babanë aq të dashur sa ishin për mua ai dhe mamaja. I shikoja gjatë, por nuk lexoja dot gjë në sytë e tyre. Më dukej se nëna kishte një lloj trishtimi dhe në fytyrën e saj gjeja më shumë ngjashmëri me tiparet e mia, kurse gjyshit i mbaja emrin dhe nuk dija nëse do rritesha një ditë duke patur të njëjtin qëndrim plot vetbesim si të tijin.

Kur isha më i rritur pata mësuar se nuk kishin bërë më shumë se shkollën fillore, por kjo nuk i pat shvleftësuar në sytë e mij. Ishin seriozë, të rëndësishëm dhe diku në një kohë e në një vend të mjegullt. Kishin rritur babanë tim, që për mua ishte më i mençuri dhe më i drejti në botë. (Edhe sot mendoj të njëjtën gjë edhe pse kam lexuar për shumë të mençur e të drejtë të tjerë dhe kam mësuar diçka më shumë rreth relativitetit.)

Nuk kam biseduar as me zë dhe as me mendje me ta edhe pse kam qënë shpesh vetë në shtëpi dhe i kam soditur. Më është dukur e pakuptim. Ndoshta nga që nuk I kam parë të gjallë, nuk janë shfaqur as në ëndrrat e mija. Mbase janë në një qoshe të subkoshiencës, se jam i sigurt që pjesë të tyre fizike dhe mendore i kam në trupin tim.

Ai quhej Naum Andon Mara dhe ajo Vasiliqi Naum Leço. Ishin martuar me mblesëri në vitet e para të shekullit të XX-të, kur nuk kishin plasur luftërat ballkanike, kur përgatitej revolucioni i parë rus, kur çështja Dreyfus nuk ishte zgjidhur përfundimisht, kur nuk kishte akoma Shqipëri, por kishte shqiptarë.

Tani prehen pranë njëri tjetrit në varrezat e Shën Triadhës në Korçë dhe emrat në gur shohin diellin kur lind mbi Moravë. Ka patur fëmijë të farefisit që çuditeshin kur shikonin emrin e gjyshit, që ishte jo vetëm i njëjtë me timin, por edhe kishte të njëjtin emër babaj. E dinin që unë nuk kisha vdekur, por varri me emrin tim i ngatërronte.

Ndoshta në Gjyqin e Fundit do më duhet të pres kur të dëgjoj të thërresin emrin tim, sepse do jetë rradha e gjyshit. E di që nuk do pres shumë se ka pasur pak mëkate, sikundër kishte pak babai im.

Monday 23 August 2021

Ekspozita kineze


Në vitin 1969 , kur miqësia shqiptaro-kineze ishte në ditët e saj më të mira, në qytetin tim u ndërtua një ndërtesë e pazakontë 4 katëshe, e cila për një kohë u quajt “Ekspozita kineze”. Më vonë u kthye në Ndërmarjen e Prodhimit të Veshjeve, ose si njihej nga të gjithë NPV-ja.

Them “e pazakontë“ se dukej që ishte një ndërtim industrial, por shumëkatësh, i ndryshëm nga të gjitha veprat industriale të ndërtuar në qytet, që kishin shtrirje horizontale. Unë isha 10 vjeç, pa ndonjë ide të qartë rreth botës dhe njerëzve, por si gjithë fëmijët i prirur për të qënë miqësor ndaj njerëzve dhe të huajve, ku atë kohë hynin vetëm “shokët kinezë“ me uniforma doku dhe kapele, të cilët i ndiqnim pas të na jepnin ndonjë “stemë me Mao Ce Dun”, të cilën më pas e kapardisnim në anën e majtë të gjoksit. Kinezët ishin gjithnjë të qeshur, ose na dukeshin ashtu për shkak të syve të tyre gati të mbyllur. Dilnin në qytet në grupe dhe të gjithë i përshëndesnin me kokë, por pa hyrë në bisedime me ta, se askush nuk dinte kinezçe dhe dukej që edhe vetë kinezët kishin udhëzime të mos përzjeheshin me vendasit.

“Shokët kinezë“ banonin në një pallat të tyre, që edhe sot quhet pallati i kinezëve dhe që bashkë me kopështin japonez, kodrën e Kenedit, shkollën e Maltës, shkollën greke janë të vetmet toponime me ngjyrim ndërkombëtar të Korçës. Korçarët kanë qënë veçanërisht patriotë se në kohët e marrëzisë socialist-patriotike ndryshuan edhe emrat e fshatrave të zonës së banuar nga maqedonasit nga Pustec në Liqenas e me rradhë.

Pallati i kinezëve ishte përballë ekspozitës kineze, e cila kishte ngjallur shumë kureshtje në popullsinë e një qyteti të izoluar nga Diktatura, që nuk këmbente dot me Greqinë fqinjë për shkak të mungesës së marëdhënieve diplomatike dhe ku vizitat e të afërmve nga Amerika ishin të rralla, po për shkak të mungesës së marëdhënieve diplomatike.

Legjendat rreth durimit kinez, gjenialitetit krijues të popullit kinez, fitoreve të Revolucionit Kulturor, devotshmërive ndaj marksizëm-leninizmit dhe unitetit të dy popujve tanë kishin kohë që qarkullonin në vend dhe ne ndjeheshim me fat që nuk ishim 2 milion shqiptarë, por 602 milion revolucionarë, se Kina kishte kohë që nuk e jepte numurin e saktë të popullsisë, po e mbante në 600 milionshi. Ndaj dhe ekspozita, që pritej të kishte prodhime kineze në një kohë që po zhdukeshin nga shitoret këpucët çeke, fësh-fëshet rumune, biçikletat gjermano-lindore, ishte ishulli i shumëndërruar i prodhimeve “të jashtme”. Brenda vendit po prodhohej thuajse gjithshka, prej atleteve “të shpifura”  dhe sandaleve plastike të Durrësit, kaminetove me vajguri të Gjirokastrës, batanijeve të Beratit, fanellatave të kombinatit “Stalin”, bluzave të pambukta dhe të brendëshmeve të trikotazhit të Korçës dhe deri tek këpucët e zeza që të shtrëngonin këmbën të fabricës së këpucëve të Tiranës.

Ekspozita u përurua dhe rradha për ta vizituar ishte e gjatë. I ngjante një tregu të madh shumë katësh, si ata që quhen “department store” në Amerikën e Veriut. Ishte vërtet interesant jo vetëm për ne fëmijët, por edhe për të rriturit, që edhe pse kishin akoma kujtimet e “tregut të lirë“ të paraluftës, kishin 25 vjet që nuk kishin parë artikuj të përdorimit të përditshëm aq të shumtë e të larmishëm. Ndoshta cilësia nuk ishte si e prodhimeve perëndimore, por ishte shumë më lart se cilësia e mallrave të vendit. Kishte edhe televizor, që shumë korçarë e shihnin për herë të parë. Spjegimet jepeshin sipas sektorëve nga vajza gjimnaziste të veshura hijshëm, që ndoshta edhe paguheshin për orët e punës në ekspozitë. Ekspozita kishte qënë e hapur më parë në Tiranë, në mjediset e ngritura enkas pranë Lanës, ku më vonë u ngrit ekspozita “Shqipëria sot”. Më pas ishte ndarë në dy pjesë dhe njëra ishte ekspozuar në Korçë.

Ndoshta pas 6 muajsh ekspozita u mbyll dhe mallrat përfunduan magazinave ose në shtëpitë e atyre që ishin më të lidhur me pushtetin dhe me Ministrinë e Tregëtisë së Jashtme. Ndërtesa e financuar nga kinezët mbeti dhe për dy dhjetvjeçarë punuan në të qindra gra korçare dhe një pjesë e prodhimeve eksportoheshin nga një biznesmen holandez, që kishte marëveshje për prodhim konfeksionesh me shtetin shqiptar. Në vitet ’70 në vend kishte shumë mallra kineze, një pjesë e të cilave i kishim parë në ekspozitë dhe që shiteshin jo lirë. Deri sa pas dhjetë vitesh nga hapja e ekspozitës, marëdhëniet me Kinën u prishën dhe çdo send e “prodhonim si në rrethim” dhe kur je në rrethim, i izoluar nga e gjithë bota, merret me mend se ç’mund të katranosësh. Fabrikat që na kishin falur shokët kinezë vazhduan të prodhojnë dok, plastikë, plehra kimike, trikotazhe, traktorë, hekur ndërtimi, çimento, tela bakri, llamba, televizorë dhe radio, si dhe aspirina e ilaçe të tjera. Shokët tradhëtarë kinezë i mallkuam për të gjitha dështimet tona ekonomike, ashtu si i kishim ngritur në qiell për 20 vjet.

Ndoshta në ato vite u mbrujt plotësisht karakteri i jonë mosmirënjohës në sajë të Partisë dhe të shokut Enver. Ajo që vazhdon është historia jonë e urrejtjes dhe mosmirënjohjes ndaj të huajve.

 

Ne foto Pallati i Kinezeve dhe ne te djathte te saj duket pjeserisht ndertesa e ekspozites.

Sunday 22 August 2021

Lotët e provokuara nga “gazi lotsjellës”


Në Korçë qanë disa adoleshentë shqiptarë, disa fëmijë shqiptarë dhe u ndjenë të pasigurt në një festë edhe dhjetra e dhjetra prindër. Por gazi lotsjellës i hedhur nga “Tifozët Kuq e Zi” ose nga mbështetësit e Vetvendosjes, cilitdo qofshin këta, të çdolloj krahine, besimi fetar apo orientimi politik, duhet të na bëjë të gjithë të qajmë. Korçarë, tiranas, prishtinas, vlonjatë, gjakovarë, tropojanë, gjirokastritë, elbasanllinj dhe kuksianë. Në festën e një qyteti, disa individë vendas ose të ardhur e prishin gëzimin sepse i ftuari i nderit është një këngëtar sërb, i cili nuk ka dënuar(as përkrahur) krimet sërbe në Kosovë!

Duhet vërtet të qajmë me shtatë palë lotë, se sa të përçarë jemi, se sa mendjengushtë jemi, se sa të nxituar jemi, se sa dashakeqas ndaj njëri tjetrit jemi. Kjo çështje nuk është më një çështje patriotizmi dhe marëdhëniesh me fqinjët, por është çështje e ligësisë që ndjejmë ndaj njëri tjetrit.

Ndoshta po të qajmë me ngashërim dhe të derdhim me lot gjithë brengat që kemi mes nesh do bëhemi më të arsyeshëm dhe të gjejmë “Përse arritëm deri këtu?” Kemi kaq shumë dasi krahinore, fetare dhe politike? Nuk e gjemë dot gjuhën me njëri tjetrin edhe për çështje festash, për të cilat organizatorët duhet të përgjigjen vetëm ndaj popullit të qytetit që i ka zgjedhur dhe jo ndaj çdo mendjeje të sëmurë në çdo qoshe ku jetojnë shqiptarët?

Për fat të mirë Festa e Korçës nuk u kthye në mort. Ka edhe ekstremistë kriminelë, që do ishin gëzuar edhe po të kishte patur të vrarë, sidomos mes artistëve sërbë.

Korçës ju vu një njollë, se do kujtohet si vendi ku u hodh gazlotsjellës gjatë një koncerti dhe atje ku hidhet gaz lotsjellës mund të hidhen edhe bomba, mund të kërcasin edhe kallashët.

Para qytetarëve të saj dhe të gjithë Shqipërisë duhet të japin llogari kokëulur edhe organizatorët e koncertit, edhe Ministria e Brendëshme dhe Shërbimi Inteligjent. Ishte një krim i paralajmëruar dhe askush nuk ka të drejtë të justifikohet.

Edhe një ditë tjetër, që nuk më bën të ndjehem krenar për vendin tim, por më bën të përlotem!

 


-Moj Mace!


Para disa ditësh kam shkruar rreth një aplikimi shumë interesant të krijuar nga një shqiptaro-amerikan, që nuk do të bëhet hë për hë i njohur. Kush i ka ndjekur shkrimet e mija besoj se e kupton që është fjala për portalin Macebook, për të cilin edhe vetë nuk kam qënë plotësisht i bindur nëse vërtet funksionon.

Pasi provova disa herë të hyja në portal nëpërmjet kompjuterit, Ipad-it dhe celularit dhe dështova, i kërkova spjegime në telefon të njohurit tim. Ai më spjegoi se që të kem “akses” duhet të plotësoj një formular online dhe të atashoj një dokument që provon se jam pronar i një maceje ose maçoku. Unë nuk kam një dokument të kësaj natyre dhe programuesi autor më siguroi që nuk mund të jetë e vlefshme as fotoja e urithit Hugo, që ka folenë në bashtën time.

Nuk është se s’mund të jetoj dot po qe se nuk hyj në Macebook, por doja të verifikoja se sa i vërtetë është. Dhe e vetmja mënyrë e mundshme për mua që nuk ja them shumë nga kompjuterat, programet, aplikimet, portalet, uebet, tre dubëlvërat e të tjera gjëra të komplikuara të internetit, ishte të gjeja sebep e të vizitoja sërish bashkëatdhetarin tim në Vermont. Nuk e kam larg dhe malli na merr të flasim nga pak shqip pas një jave pune në gjuhë të huaj.

Më priti bujarisht dhe më nxorri edhe një tas të madh me hashure, se e ka porosi nga i gjyshi, që kur është festa e hashures të bëjë një kazan të madh dhe ta ndajë me të njohurit. Hashurja ishte shumë më e mirë se ato të NTSHUS-it të Tiranës, që hanim kur ishim studentë, por unë e kisha mendjen në Macebook. “Hashure hanim kur i binim maces me lugë.”- i thashë si për t’ja sjellë rrotull dhe ai me plot dëshirë më tha nëse doja të ndiqja përsëri bisedën online të dy Dacëve. Këtu dyshova, që duhet të ishte diçka e sajuar dhe i kërkova që mundësisht të ndiqja dy mace, ose një çift të përzjerë, ose më mirë akoma ndonjë grup ku mace dhe maçokë me interesa të caktuara diskutojnë me njëri tjetrin.  Ma plotësoi dëshirën menjëherë dhe në katin nëntokë, ku mban serverin, filluam të ndiqnim këmbimet e grupit “Mjaullij macërisht”.

-O dac!- ishte përsëri kuqaloshi.

-O dac!- ja ktheu dhe hirnoshi dhe kjo më futi thellë në dyshime, gjë që më ka mbetur që prej firmave piramidale. “Po të më kërkojë para të dhuroj për portalin, nuk do i jap” mendova i vendosur duke ndjerë që po bija pre i një skeme të programuar mirë.

Kur papritur në ekran u shfaq edhe një maçok vëngërosh, të cilin nuk ja gjykoja dot moshën. Ai filloi të shkruante me shpejtësi për rëndësinë e macërishtesh në një botë, ku minjtë po shtohen në progresion gjeometrik dhe kur është mëse i nevojshëm jo vetëm uniteti mace-maçokë, por edhe hapja me të gjithë llojet e tjera të minjngrënësve. Kuqaloshi u shpreh me entusiazëm, kurse hirnoshi ishte më i rezervuar, sidomos për aleancën me gjarpërinjtë. Vëngëroshi vazhdonte të mburrte idenë e tij gjithpërfshirëse duke dhënë mundësinë e ndërtimit të programeve për mësimin e macërishtes edhe nga reptilët, por hirnoshi tundte kokën e madhe prej daci i menduar. Deri sa në bisedë, për lehtësimin tim u përfshi edhe një mace laramane, me sy të mëdhenj. “Qënka diçka e vërtetë“ mendova i bindur dhe nisa të ngjisja shkallët për të dalë në katin mbitokë, ndërsa dëgjoja tingëllimat e mesazheve të maçokëve:

-          Moj Mace! - Moj Mace!  -Moj Mace!

Mitingu i Trump “Të shpëtojmë Amerikën!”


Rastësisht kapa dje në Youtube një transmetim “live” të orëve para një mitingu të “The Donald” në Alabama. Slogani ishte “Të shpëtojmë Amerikën”

Koha kur nisa ta ndiqja ishte 3 e pasdites dhe mitingu do niste në orën 7 në një mjedis jashtë, por të rrethuar. Nuk kishte asgjë qesharake në mijra njerëz që prisnin në rradhë për të hyrë në mjedisin ku do mbahej. Kishin disa orë që prisnin dhe do rrinin edhe të paktën 4 orë të tjera deri sa të mbahej fjala e hyrjes dhe më tej fjalimi i zakonshëm i Trump. Ishin 99.99% të bardhë, të varfër, të veshur jo mirë me shpresën se një miliarder i bardhë do e shpëtojë Amerikën. Nën atë diell të jugut të SHBA, askush nuk tregonte ndonjë shenjë bezdije edhe pse tundnin për tu freskuar ç’ka kishin në dorë.

Unë kam dëgjuar disa herë fjalimet e Trump, që të bëjnë të qeshësh për varfërinë e fjalorit, për përsëritjen e fjalive dhe për gënjeshtrat nga më të pabesueshmet. Por nuk ka tjetër politikan në Amerikë, të cilin me mijra njerëz mund ta presin gjatë gjithë ditës në mes të gushtit, për ta dëgjuar se çdo thotë. Madje jo tamam me kureshtje për atë që do ju thotë, se edhe ata vetë e dinë “refrenin” e tij, por vetëm për ta dëgjuar dhe për tu ndjerë të udhëhequr, plot shpresë për të ardhmen. Të gjithë të ardhur me vullnetin e tyre, të lirë, të padetyruar.

C’farë ndodh me masat e njerëzve kryesisht ata të varfër në Amerikë?

Eshtë e lehtë dhe njëkohësisht e gabuar t’ju vesh epitete “injorantë“, “qafëkuq”, “fshatarë“, “të pagdhendur”, “fanatikë“ e të tjera më të rënda, që shpesh nuk ja u kursejnë kundërshtarët e tyre politikë. Ata janë njerëz të lirë, të një vendi të lirë, që ndjehen të tradhëtuar dhe të mëpërkëmbur nga elitat liberale. Propaganda nga e gjithë makina politiko-mediatike e djathtë i ka bindur se Amerika po ndryshon për keq dhe ata janë çdo ditë e më shumë të rrezikuar jo vetëm ekonomikisht, por edhe të humbin plotësisht statusin e tyre si amerikanë të bardhë të lirë. Kanali “Fox” është i vetmi kanal televiziv që ndjekin dhe duhet thënë se shumica dërmuese e tyre nuk lexojnë libra, duke përfshirë këtu edhe Biblën, për të cilën janë të përkushtuar. Eshtë masa e njerëzve që manipulohen më lehtë dhe besojnë të gjitha teoritë konspirative që nisin me “deep state” dhe përfundojnë tek “vaksinat me çip”.

Po ç’duhet të bëhet me ta? Të lihen përfundimisht nën ndikimin e trumpizmit dhe të ideologjive më ekstreme të djathta si nazizmi?

Pjesët më të arsimuara dhe më liberale të shoqërisë amerikane ende nuk dinë se si të merren me to. Një ndryshim i madh duhet të ndodhë në jetën politiko-shoqërore amerikane, për të ndalur rrezikun e fashizmit dhe për t’i nxjerrë këta njerëz nga varfëria dhe injoranca. Por diçka e tillë nuk duket në horizont.

E kërkova përsëri kanalin e youtube që jepte mitingun në orën që ai pritej të fillonte dhe Trump dukej që do vinte me shumë vonesë dhe nuk kisha as kureshtje dhe as dëshirë për ta dëgjuar. Mitingu u hap nga një pastor, që ju bëri thirrje të pranishmëve të theshin lutjen ndaj Perëndisë, vazhdoi me një betim ndaj Kombit dhe Flamurit, si dhe me Hymnin Kombëtar. Të gjithë ndjeheshin patriotë, e shprehnin hapur se ishin patriotë dhe betoheshin që do e shpëtonin Amerikën nga administrata që kishte vjedhur zgjedhjet. Nuk e ndoqa më tej, sepse më vinte keq për ata njerëz të ndikuar nga një propagandë e keqe, por edhe se nuk kisha në kokë asnjë përgjigje se ç’mund të bëhet për ta.

Dikush duhet t’i shpëtojë duke shpëtuar edhe Amerikën nga një rrezik i madh i përmbysjes së Demokracisë.

Saturday 21 August 2021

Rama do më bënte të ndjehesha krenar, po…të mos vidhte


Në mesin e zjarreve të këtij gushti, kur qeveria shqiptare u gjunjëzua dhe dëmet ishin të jashtëzakonshme, Edi Ramës i erdhën në “ndihmë“ dy ngjarje, njëra rajonale dhe tjetra ndërkombëtare, që e shpëtuan nga dhënia llogari para shqiptarëve se pse shteti ka mbetur pa mjete për të përballuar emergjencat.

E para ishte “debati i pabukë“ rreth Bregoviçit dhe e dyta ishte dështimi i qeverisë amerikane për largimin e rregullt nga Afganistani. Rama mori në dorë flamurin e “shpëtimtarit të afganëve” dhe krijoi një debat tjetër të kotë në Shqipëri, nga ku përfiton vetëm ai, ndërkohë që kundërshtarët e tij diskretitohen.

Rama nuk e ka në natyrën e tij të jetë humanitar, madje ka një urrejtje për njerëzit, sidomos të varfërit dhe të pambrojturit, por në këtë rast qëndrimi i tij përputhet me qëndrimin më të mirë të shoqërive humaniste perëndimore. Ndaj dhe ai dha intervista në të majtë e në të djathtë në mediat europiane dhe me siguri po pret edhe për tu intervistuar në mediat kryesore amerikane.

Dikush me banim në Angli ka shkruar se Rama e ka bërë të ndjehet krenar,pasi ka parë intervistën e tij në BBC rreth pritjes së afganëve. Do më bënte krenar edhe mua, po të mos dija mirë se cilat janë motivet e tjera të Ramës për pritjen e afganëve, veç dëshirës për marëdhënie shumë të mira me amerikanët.

Pritja e refugjatëve, sidomos pas kërkesës të një vendi të zhvilluar, është një “biznes” i përmasave të jashtëzakonshme. Ka mijra fakte rreth kësaj dukurie, që prej korrupsionit të madh në organizmat e OKB-së, që merren me refugjatët e deri tek fondet stërmëdha që mori shteti grek nga Bashkimi Europian për lejimin e shqiptarëve të punoni pa dokumenta në territorin e Greqisë. Në një bisedë telefonike që mafiozi roman Masimo Karminati bënte me një bashkëpunëtor të tij në vitin 2014, e cilësonte kontrollin e kampeve të regugjatëve në Romë si më fitimprurës se trafiku i drogës. Sigurisht që kontrolli I fondeve për refugjatët nga Mafia Kryeqytetase bëhej në bashkëpunim me Bashkinë e Romës, ato vite nën kontrollin e të Djathtës ekstreme italiane.

Edi Rama do verë menjëherë në lëvizje “tigrin” Ahmetaj, që do kontrollojë fondet e dhëna nga NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara dhe nuk do e vrasë mendjen shumë për zhurrmën e atyre që e kritikojnë si “lider global” dhe nuk përqëndrohen në korrupsionin e tij.

Afganët do ikin pas disa muajsh ose disa vjetësh se askush nuk do të qëndrojë në një vend prej ku largohet rinia. Të gjithë ata do jenë me Viza Speciale nga Departamentit të Shtetit për të vazhduar procesin e aplikimit për Green Card në SHBA.

Tek ne do mbetet kujtimi i keq i racizmit të shprehur nga disa pjesë të shoqërisë, si dhe kryeministri i korruptuar, që do vazhdojë të rrahë gjoksin si humanitari më i madh shqiptar (pas Enver Hoxhës).

 

 

“Heroi i heshtur” Kadri


Kadri Hazbiu për brezin tim ishte sinonimi i “heroit të heshtur”. Nuk fliste nëpër mitingje, rrinte në një cep të tribunës pa shumë lëvizje të trupit e të fytyrës dhe përfaqësonte gjithë frikën që kishim nga Ministria e Brendëshme dhe Sigurimi i Shtetit, këto armë të dashura të Partisë dhe Popullit. Të pakët ishin ata prej nesh që dinin në fëmijëri dhe rini se kush ishte Prokurori i Përgjithshëm apo Kryetari i Gjykatës së Lartë, por shokun Kadri me profilin e tij prej skifteri, urithi apo prej laraske e njihnim mirë. Të gjithë kishin frikë prej tij.

Këtë muaj mediat shqiptare (që kopjojnë njëra tjetrën) botojnë kujtimet e sigurimsit Gani Kodra nga gjyqi i Kadri Hazbiut i vitit 1983, ku sho Kadri paraqitet si njeri i drejtë dhe i zoti dhe njëkohësisht viktimë e një komploti të sajuar nga Enver Hoxha dhe njerëzit shumë të afërt me të. Ganiu vetë ka qënë vartës i Kadriut dhe njëkohësisht pjesë e grupit të të dënuarve. Ganiu ka të drejtë kur thotë se i gjithë gjyqi për të cilët u dënuan të akuzuarit me në krye Kadriun ishte i sajuar dhe i shërbente Enverit për qëllimet e tij politike. Por harron të thotë (ose thotë të kundërtën), që Kadriu dhe shokët e tij të Sigurimit jo vetëm nuk kishin nam të mirë dhe mbështetje në popull, por urreheshin nga shumica e tij. Mbi kurrizin e të pushkatuarve Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Peçini dhe të dënuarve Mihallaq Ziçishti, Gani Kodra e të tjerë, rëndonin shumë krime për të cilat do I dënonte çdo gjykatë edhe në vendet më demokratike dhe më liberale në botë.

Eshtë interesante të kuptosh karakterin dhe mentalitetin e “heronjve të heshtur” nga qëndrimi i tyre në gjyq. Të duket se vetëm Mihallaq Ziçishti kishte kuptuar nga përvoja e tij si zëvendës ministër i brendshëm, se ç’duhet të bënte për të shpëtuar lëkurën. Të pranonte çdo gjë që i servirnin dhe mundësisht të shtonte edhe diçka tjetër për të shpënë ujin atje ku e deshte Enver Hoxha.

Në të kundërt, Kadri Hazbiu edhe pse kishte qënë për mbi 20 vite ministër i brendshëm dhe ishte pjesë e grupit që sajonte proceset kundër Todi Lubonjës, Fadil Paçramit, Beqir Ballukut, Petrit Dumes, Hito Cakos, Koço Theodhosit dhe Abdyl Këllezit (për të përmendur vetëm gjyqet e shokëve të kupolës), kujtonte se duke kundërshtuar akuzat dhe duke i nxjerrë gënjeshtarë dëshmitarët do merrte pafajësinë nga Enver Hoxha! Cili instikt i të mbijetuarit vepronte tek ky njeri që kishte shpënë para togës së pushkatimit me qindra shqiptarë, nga të cilët shumë kishin qënë shokë të tij?

Kadriu nuk kishte pasur ndonjë karrierë të lavdishme gjatë luftës. Mes antarëve të Byrosë Politike ai kishte pasur gjatë saj detyrat dhe gradat më të ulta. Mund të kishte “shkëlqyer” gjatë përndjekjes së kundërshtarëve të Frontit prej vitit 1945, kur ishte pjesë e Batalionit të Mbrojtjes, ndoshta edhe gjatë studimeve në kurset për “çekist” në Moskë, por diçka e tij e kishte bërë Enver Hoxhën që ta mbante për gati 15 vjet kandidat të Byrosë Politike edhe pse e kishte emëruar MInistër të Brendshëm. Dukej që të dy mirëkuptoheshin për rolin dhe sjelljen e tij si “hero i heshtur” dhe jo si udhëheqës partie. Ai ishte në dijeni të mijra urdhrave të dhëna nga Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu për të vrarë njerëz, për të arrestuar e dënuar, për të internuar, për të vrarë jashtë territoreve të Shqipërisë dhe këto jo vetëm nuk i dëshmoi gjatë gjyqit të tij, por nuk tha asnjë fjalë kundër Enver Hoxhës. Edhe n[ pleniumin e Komitetit Qëndror, ku do e përjashtonin dhe do e arrestonin, “heroi i heshtur” mbajti një qëndrim patetik, deri sa edhe vetë Diktatori e cilësoi si “mi gjirizash”.

Dënimi i Kadri Hazbiut dhe sigurimsave të tjerë nuk ngjalli asnjë keqardhje në popull, por u pa si ogur i mirë, që terrori dhe lufta e klasave do të ulej ashtu sikundër ndodhi. Njerëzit shprehën keqardhje vetëm për pushkatimin e ministrit të shëndetsisë Llambi Ziçishti, që ishte i vetmi njeri në atë gjyq që nuk kishte krime mbi shpinë. E megjithatë, njerëzit u prekën nga fati i familjeve të tyre dhe sidomos nga vetvrasja e Gon Dautit (djalit të Kadriut) në internim, që njihej si futbollist dhe djalë i mirë në Tiranë.

Sigurisht që kujtimet e Gani Kodrës do shkruhen sipas mendjes dhe këndvështrimit të Gani Kodrës. Por edhe atje nuk shikon atë që duhet të jetë reflektimi i një njeriu të shekullit të XX. “Ne kishim bërë gabime dhe faje të rënda dhe krejt papritur, Ai të cilit i kishim shërbyer, na shpërbleu në mënyrë mosmirënjohëse me plumb dhe me burgime të gjata!”

Vetëm kështu njerëzit mund të falin me gjithë shpirt edhe Kadriun edhe Ganiun.

 

Friday 20 August 2021

Dështimet e qeverive (fund)


 (vijim)

Shpenzimet stërmëdha për luftën janë në themel të dështimeve të qeverive. Të gjitha shpenzimet gjithnjë në rritje për mbrojtjen do cënojnë pjesët e tjera të buxhetit, mes tyre shëndetsinë dhe arsimin, gjë që solli edhe dështimet e mëdha në përballjen me Covid-19. Ka një relacion që nuk vihet në dukje mes përqindjes së shpenzimeve për mbrojtjen dhe përballjes së pandemisë. Më keq kanë qënë Amerika me respektivisht rreth 4% të buxhetit për luftën, Britani me 2.2%, Franca me 2.1%, Italia me 2%. Më mirë e luftuan Japonia që shpenzon vetëm 1% dhe Gjermania me 1.4% (edhe kjo p[rqindje në sajë të presionit shumë të madh të Trump, se më parë Gjermania shpenzonte më pak.)

Dështimet gjatë pandemisë ishin pasojë e drejtpërdrejtë e problemeve të sistemeve shëndetsore dhe atyre të kërkimit shkencor në vendet e zhvilluara. Një pjesë e tyre lidhen me mungesën e fondeve, por një vend kryesor ze edhe keqpërdorimi i fondeve të arsimit dhe shëndetsisë në të gjitha vendet e zhvilluara. Buxhetet janë të mbushura me programe pa vlerë, të cilat janë siguruar nga institucione të ndryshme në varësi të lidhjeve që kanë me qeveritarët. Në vende si Italia shumë fonde përfundojnë në xhepat e qeveritarëve të korruptuar.

Por edhe qeveritë e djathta, të cilat kanë si bazë ideologjike inisiativën e lirë private dhe qeveri dhe programe qeveritare më të kufizuara kanë dështuar po njëlloj dhe në disa drejtime edhe më keq. “Sëpata” e qeverive të djathta bie kryesisht mbi arsimin e shëndetsinë dhe programet e tjera si ndihma sociale. Nuk ka asnjë parti konservatore në botën e qytetëruar që të kërkojë uljen e buxheteve për mbrojtjen ose për rendin.

Duket si një “qorrsokak”, se alternativat e tjera janë shtetet autoritare ose më keq akoma Diktaturat, të cilat në disa drejtime duken më efikase sepse përdorin mënyra të ashpra për realizimin e programeve qeveritare dhe kanë më shumë centralizim. Për shembull udhëheqës si Putin apo Xi i Kinës qeshin me paaftësinë e Bajden për të realizuar një dalje nga Afganistani pa kaos, por shtetet dhe qeveritë e tyre janë shembulli më i keq se si duhet të qeverisen bashkësitë e njerëzve në vende të caktuara.

Eshtë sigurisht shumë e vështirë të gjesh receta për qeverisje të mirë duke nisur me formimin e institucioneve, raportet mes centralizmit dhe fuqive të pushtetit lokal, kriteret fiskale për nxitjen e  ekonomisë, rëndësinë e programeve sociale dhe arsimimit e të tjera plot. Institucionet nga më të fuqishme studimore në botë nuk kanë arritur të sugjerojnë modele të sakta e të qëndrueshme, sepse jo vetëm që lundrohet në “ujra të panjohura” dhe vazhdimisht të ndryshueshme, por edhe se është e vështirë të edukosh njerëzit me të njëjtën qëndrim ndaj lakmisë, egoizmit, sakrificës për tjetrin, respektit për ]ka është e përbashkët dhe vizionit ndaj të ardhmes. Edhe në shoqëritë më të vogla dhe më homogjene, si dhe të zhvilluara si janë vendet skandinave, Zvicra, Taivani apo Singapori, që konsiderohen më të suksesshme, dështimet e qeverive nuk janë të rralla.

Dështimet e qeverive mbartin edhe rrezikun e madh të zhgënjimit të njerëzve nga demokracitë liberale dhe pjesë të caktuara të shoqërive të orientohen gjithnjë e më shumë ndaj ekstremeve të majtë e të djathtë. Eshtë di]ka që ndodhi në masë në vitet ’20 të shekullit të XX-të, por nuk është e pamundur, që të ndodhë në vende të caktuara edhe në periudhën që po jetojmë. Fitorja e Trump më 2016 dhe revoltat e krijuara në Amerikë pas humbjes së tij në fillim të këtij viti ishin shenjat më flagrante të rrezikut që i vjen vendeve perëndimore nga mungesa e efikasitetit të qeverisjeve.

Në Itali ky rrezik ishte më i madh para 4-5 vitesh por revoltimi ndaj qeverisjes së keqe u kanalizua në lëvizjen “Cinque Stelle”, e cila e shpëtoi vendin nga mundësia e një përmbysje sociale nga ekstremi i djathtë. Edhe “Cinque Stelle” dështuan në qeverisje sepse si e përmenda më sipër nuk ka receta të sakta për të qeverisur mirë, por shërbyen si sinjal që Italianët duhet të marrin masa për të shpëtuar demokracinë.

Mot janë zgjedhjet e përgjithshme në Brazil, të cilat rrezikojnë të kthehen në burim trazirash të ngjashme me ato të 6 janarit në Uashington. Demokracitë e Amerikës Latine mbeten më të brishtat. Por ato që do tregojnë se sa e qëndrueshme është demokracia liberale në botë, janë zgjedhjet e ndërmjetme të vitit 2022 në Shtetet e Bashkuara. Nëse Trumpizmi do fitojë në ato zgjedhje, rreziku i përhapjes edhe më shumë i modeleve populiste në Europë dhe në botë do jetë edhe më i madh. Dështimet gjatë pandemisë, kufizimet e lirive për shkak të saj, nëse shoqërohen edhe me një rënie të ndjeshme të ekonomisë mund të sjellin ndryshime negative shumë të mëdha me të cilat bota e zhvilluar do përballet në vitet ’30 dhe ’40 të këtij shekulli.

Dështimet e qeverive


Kaosi në rrugët e Kabulit dhe në aeroportin e Afganistanit është dështimi i fundit qeveritar i 20 muajve të fundit. Gjatë vitit të kaluar dhe fillimit të këtij viti dështuan me pasoja të mëdha njerëzore gjatë përballjes me pandeminë qeveritë e Italisë, Spanjës, Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Suedisë, Brazilit, Kanadasë, Francës, Belgjikës, Hollandës dhe Meksikës, për të përmendur vetëm një pjesë të vendeve të zhvilluara të botës. Dështimi i qeverive të korruptuara në vendet e pazhvilluara është një problem i përhershëm dhe nuk ka pse të përmendet në këtë shënim të shkurtër.

Po pse dështojnë qeveritë e vendeve të zhvilluara? A dështojnë më shumë qeveritë e majta, të djathtat apo koalicionet?

Përgjigja është e vështirë dhe shumë e zorshme “të pritet sipas një kallëpi të vetëm”. Në shtetet e sipërpërmendur, që i përkasin të gjitha sistemit kapitalist ekonomiko-politik, ndryshimet janë të mëdha nga madhësia e vendit, forma e organizimit qeveritar dhe nga tradita qeverisëse.

Por ka diçka të përbashkët, të cilën ne që kemi jetuar dhe punuar nën një sistem ku çdo gjë ishte pronë shtetërore e dimë mirë: Askujt nuk i bëhet vonë për paratë dhe pronat e shtetit!

Si lidhet kjo me dështimin në Afganistan?

Amerikanët filluan një ndërmarje shumë të vështirë në Afganistan që në tetorin e vitit 2001, por deri diku ishin të detyruar nga sjellja e Talibanëve, që nuk dorëzonin Osaman dhe bashkëpunëtorët e tij. Dëshira për të mos humbur prestigjin në botë i çoi në vendimin e ngutur, që të hynin ushtarakisht me trupa në Afganistan dhe dihet se kur e pushton një vend atëhere do detyrohesh ta administrosh. Janë paraqitur nga kundërshtarët e Amerikës lloj lloj teorish për gjoja interesa strategjike, për burime gazi e nafte etj., por asnjë nga këto nuk qëndron, se amerikanët kishin plot mënyra që të justifikonin ndërhyrjen në Afganistan prej vitit 1996 dhe nuk kishin pse të prisnin vitin 2001 dhe rrëzimin e Kullave Binjake. Afganistani ishte një vend i lënë nën ndikimin e Pakistanit përderisa nuk paraqiste rrezik që në të të ndikonte armiku i SHBA-së, Irani.

Kështu nisi “dështimi i paralajmëruar” sepse amerikanët hodhën në Afganistan miliarda dollarë në armatime, programe për ndërtimin e shtetit, investime në rrugë, shkolla e spitale si dhe para të thata jo vetëm për pagesat e ushtrisë afgane, por edhe për të bërë kundër Talibanëve krerët e fiseve në zona të ndryshme të vendit. Ishin të gjitha para të taksapaguesve amerikanë. Pjesa më e madhe shkuan në xhepat e kontraktorëve amerikanë të armatimeve, ndërtimeve dhe “programeve studimore”, por një pjesë jo e vogël përfunduan edhe në xhepat e administratës afgane të korruptuar.

Amerika nuk mund ta zgjaste këtë dështim edhe 20 vite të tjera se ishte një absurditet që nuk mund të pranohej më nga askush.

Finalja e këtij dështimi, që po zhvillohet para syve tanë dhe ka tërhequr gjithë mediat botërore është pjesa më e vogël e tij. Eshtë dështimi teknik i një administrate që megjithëse ka mjete financiare pakufi, shërbime inteligjente të sofistikuara, nuk arriti të parashikonte se ushtria afgane do ikte në shtëpi para se amerikanët të largoheshin. Duket si më spektakolarja dhe më tragjikja sepse pasqyrohet në mediat vizive, por në Afganistan prej 20 vitesh janë vrarë njerëz çdo ditë, kanë ndodhur skandale nga më të mëdhatë financiare dhe bota nuk ka mësuar gjë ose ka m[suar pak. Ashtu si nuk informohet më se ç’ndodh në Irak, që prej ditës kur amerikanët u larguan.

(vijon)

  

Thursday 19 August 2021

O dac!


Ne, qëniet që sundojmë këtë planet, kujtojmë se jemi mendërisht më lart se kafshët e tjera, si për shembull gjitarët, të cilët janë më të afërt me ne. Por studimet e fundit kanë treguar se shumë prej kafshëve shtëpiake dhe jo shtëpiake, jo vetëm komunikojnë në mënyrë të zgjuar me njëra tjetrën, por disa prej tyre janë në gjendje edhe të përdorin teknologjinë e sofistikuar të shekullit të XXI. Një informaticien shqiptaro-amerikan, që ka vënë re prej kohësh këtë dukuri, ka krijuar edhe portalin ku komunikojnë felinët shtëpijakë, portal të cilin e ka quajtur Macebook.

Një ditë më ftoi në shtëpinë e tij, ku ka edhe serverin e portalit dhe më tregoi se sa i madh ishte numuri i maceve dhe i maçokëve, që komunikonin me njëri tjetrin nëpërmjet kompjuterave të të zotërve të tyre. Isha sshumë dyshues dhe kujtoja se po më punonte ndonjë reng ndaj nisa t’i bëja pyetje se si macet i krijojnë profilet e tyre dhe se në ç’farë gjuhe komunikojnë, por ai i ra shkurt, duke thënë se nuk mund t’i tregojë të gjitha sekretet e zbulimit të tij. Sipas tij flasin gjuhën e maceve, ose macishten.

Për të më mbushur mendjen se kjo ishte e një e vërtetë e pakundërshtueshme, hyri mes bisedës macore të dy maçokëve dhe filloi të më tregonte se ç’po theshin. Kishte në këndin e djathtë të ekranit të madh një aplikim të tij që kthente në shqip bisedën e dy maçokëve.

Këta të dy janë dy maçokë të shkuar në moshë, që grinden shpesh, por nuk ndahen nga njëri tjetri”- më tha.

Vashdova të mos besoja, se këta programuesit e sotëm mund të krijojnë çdo lloj animimi dhe unë vërtet shihja dy maçokë pranë vatrave të tyre që diçka shtypnin nëpër tastierat e laptopëve, por kjo mund të ishte e gjitha e krijuar.

-O dac! – shtypi në tastierën e tij maçoku kuqalosh.

-O dac!- u përgjigj maçoku i hirtë.

E pyeta programuesin pse nuk i drejtohen me emër njëri tjetrit dhe ai më sqaroi se në botën e maceve nuk ka emra, por i drejtohen njëri tjetrit vetëm me “o mac” ose “o dac” dhe nga tonaliteti i mjaullimës kuptohet se kujt i drejtohen. Pastaj më spjegoi se kuqaloshi ka prirje të shkojë e të përmiret në shumë livadhe për të patur sa më shumë territore, kurse hirnoshi është më dembel. Unë edhe isha skeptik, por njëkohësisht edhe kureshtar ndaj e pyeta se a kanë ndonjë lloj botkuptimi për jetën në përgjithësi. Më sqaroi se janë felinë fanatikë dhe mbajnë të shtruar në vendin e fjetjes një lloj batanije me një tigër në mes. Gjithashtu me tregoi se kuqaloshi edhe pse nuk ha më minj, por vetëm “whiskas” është i vendosur që minjtë duhen zhdukur nga faqja e dheut, kurse hirnoshi është më paqedashës dhe kërkon që për minjtë të merren masa ekstreme vetëm kur të afrohen në vendin e fjetjes dhe të prishin gjumin.

Unë nuk shihja asgjë të tillë në ekran, por bashkëatdhetari im kishte muaj që ndiqte “maçokllëkun” e tyre dhe nuk kisha si ta kund[rshtoja.

“Po për macet bisedojnë?”- e pyeta.

“Jo. Janë të tredhur.”- më tha

Mora të largohesha jo i bindur, por edhe shumë i befasuar, ndërsa në qoshen e ekranit vazhdonte të përsëritej:

-          O dac!

-          O dac!

“Canta e kpuc”


Këtë togfjalësh ma ka spjeguar një mikja ime, si një shprehje që përcakton “botën intelektuale” të shumë grave dhe vajzave në kryeqytetin tonë. Thuajse të gjithë burrat e brezit tim (këtu përjashtoj një kolegun tim që nuk ble mbathje më të lira se 100 euro) nuk arrijnë të kuptojnë thelbin e kësaj shprehjeje kaq filozofike. Ne kemi zero njohuri rreth cilësive të çantave dhe këpucëve të grave, firmave dhe statusit shoqëror, që përcaktojnë ato. Mikja më pat treguar edhe se çantat duhen jo vetëm prej firmash të shtrenjta, por duhet të mbahen në një pozicion të tillë (sidomos në fotot e mediave sociale) që të duken mirë se ç’lloj statusi përcaktojnë.

Sigurisht që “trendi” i kryeqytetit zbret shpejt edhe në qytetet e tjera shqiptare dhe dje më ra në sy një foto e nënkryetares së Bashkisë së Korçës Benila Tërova, që fliste në një skenë duke mbajtur në pozicionin klasik të dukshëm çantën e saj. (Qëmoti çantat e kësaj madhësie quheshin torba, por kohët kanë ndryshuar dhe duke qënë se një grua modern ka shumë e shumë gjëra që duhet të mbajë me vete- tre celularë, dy komplete makiazhi, kutitë me vitamina, ndërresa rezervë etj etj, çantat lukso-sportive janë të mëdha.)

Benilan nuk e kam njohur, por kam punuar me të ndjerin babanë e saj Naumin, pak kohë në Bashkinë e Korçës kur drejtohej nga PD-ja dhe ishte një burrë shumë i mirë, i çiltër dhe i preokupuar për punën. Më erdhi shumë keq kur u largua nga jeta me Covid në pranverën e këtij viti.

Benila ra në sy në mediat shqiptare gjatë këtij gushti të nxehtë, për një intervistë rreth çështjes Bregoviç. Ose si përgjegjëse e organizimit të Festivalit, ose sepse çështja ishte shumë delikate, Ligaveci Gollash me porosinë e Nikos e vuri Benilan e shkretë para mediave për të përfaqësuar Bashkinë. Dhe Benila këputi plot mufka, që i nxorri nga çanta e saj e shtrenjtë e tejmbushur, ose nga mendja e saj jo shumë e mbushur. Mes të tjerave lidhi problemin e ftesës për Bregoviçin me trimërinë e shqiptarëve dhe mosshuarjen e zjarreve, gjë që ndolli qindra të shara në drejtim të Korçës dhe të korçarëve dhe doemos edhe të Bashkisë.

Korça mund të marrë shembull nga Tirana. Edhe në vendosjen e funksionareve të larta “biba”, sikundër bën Edi Rama për të bërë ç’ti dojë qejfi në administrimin e vendit. Por e mira është që këto funksionare të rrinë në zyrë dhe të blejnë online (pasi të kenë kërkuar gjatë gjithë orarit të punës) “çanta e kpuc” dhe të mos nxirren të përfaqësojnë qytetin e Korçës. Qyteti im ka patur dhe ka shumë gra me një barrë mend.

 

Wednesday 18 August 2021

Ku po shkoni shokë afganë?


Reagimi i nj pjese të shoqërisë shqiptare ndaj pranimit të një numuri familjesh dhe individësh afganë në Tiranë, të cilëve ju rrezikohet jeta në Afganistan është më tepër se shokues. Ndoshta nuk ka familje shqiptare pa njerëz që jetojnë jashtë Shqipërisë si emigrantë politikë, ekonomikë, refugjatë, me viza e pa viza, me dokumenta të rregullta dhe të parregullta dhe përsëri një pjesë e tyre këlthet: C’na  sillni këta afganë?

Vetëm një javë më parë u përurua në Bari një rrugë e quajtur “Sono persone”(“Jan[ njer[z”) për nder të qëndrimit të autoriteteve të Barit, të cilat 30 vjet më parë nuk kthyen pas anijet e stërmbushura me djelmërinë shqiptare, që i ikte varfërisë dhe pasigurisë të Shqipërisë. Fotot e atyre ditëve u ribotuan në të gjitha mediat shqiptare vetëm një javë më parë.

Dhe këto ditë njerëz me emra të “mëdhenj”, të vegjël dhe anonimë mbushin mediat tradicionale dhe ato sociale me thirrje dyshuese, paralajmëruese, këshilluese, bile dhe raciste ndaj afganëve të shkretë.

“S’ka pse t’i përulemi Amerikës që dështoi në Afganistan!”, “Kujdes vajzat e xhveshura se do i përdhunojnë afganët e zhurritur për femra!”, “Do na përzjehet raca!”, “Na mbytën islamikët!”, “Le t’i marrë Amerika, ç’punë kemi ne!” lexon kudo, pa përmendur poshtërsira dhe idiotizma më të mëdha.

Edhe njëherë shoqëria jonë del zbuluar sap o vihet para një sprove, e cila nuk është as sprovë e madhe. Ne kemi pritur e na kanë pritur, që në agun e historisë, se e tillë ka qënë jeta e njerëzve, që lëviznin, përndiqeshin nga armiqtë, ju iknin përmbytjeve dhe fatkeqsive të tjera natyrore. Eshtë mëse e natyrshme të ndihësh tjetrin dhe nuk ka as nevojë të mburresh se je humanist. Shembulli i romëve, ciganëve, vllehëve dhe popujve të tjerë, të cilët janë pjesë e popullsisë shqiptare dëshmon më së miri se kjo ka qënë historia e çdo vendi në glob. Në ishujt e Greqisë gjen arvanitasit, në Kalabri e Siçili arbëreshët dhe gjithashtu deri në Zelandën e Re ka qindra e qindra shqiptarë.

Nuk është e nevojshme të thuash se afganët që po presim janë pjesa më e përparuar e shoqërisë afgane. Por edhe nëse duhet të strehonim për arsye humanitare talibanë, apo luftëtarë të ISIS, edhe këtë duhet ta bënim, sigurisht duke vendosur rregullat tona për të mos u dëmtuar vetë. Europa dhe vendet e tjera të zhvilluara kanë plot kampe për refugjatë.

Ne nuk mund të quhemi europianë nëse nuk veprojmë në të njëjtën mënyrë si ata.

Ndoshta afganët që po vijnë nuk e dinë reagimin e një pjese prej nesh, se ndryshe do pyesnin veten: Ku po shkojmë ta futim kokën?

Tuesday 17 August 2021

“Plakë e gjorë, e mbetur pa atdhe!”


Fjalët e mësipërme i përkasin librit “Dimri i vetmisë së madhe” të Kadaresë, dhe paraqiten si mendime të Enver Hoxhës gjatë diskutimit të Dolorez Ibarurit në mbledhjen e 81 Partive Komuniste në Moskë. Nuk di nëse Ismaili i kishte menduar vetë, apo i kishte përcjellë “mot a mot”, sipas përshkrimit që Enver Hoxha i kishte bërë për disa orë në vilën e tij gjatë një vizite.

Edhe pa ditur se cila ishte “Pasionarja”, që në leximin e parë që i kam bërë, i gjithë pasazhi më kanë lënë një shije të keqe, e cila nuk më është ndarë sa herë dëgjoj të flitet për Dolorez Ibarur. Ishte një koment cinik për një grua komuniste, e cila ishte përpjekur gjithë jetën për një kauzë në të cilën besonte dhe po qe se kthehej në Spanjën e saj të dashur do pushkatohej nga regjimi i Frankos. Për komunistët-nacionalistë Enver Hoxha dhe Ismail Kadare (ky i fundit ishte anëtar i Partisë së Punës në kohën që shkrojti librin dhe deri në rënien e Murit të Berlinit), kjo ishte mënyra më e mirë për damkosjen e një gruaje gati 70 vjeçare, që po mbronte një formë më të moderuar të komunizmit, që ishte ai i Hrushovit.

Mu kujtuan këto fjalë ndërsa lexoja përsiatjet e një “ëndërronjësi të darvinizmit social”, të cilat m’i dërgoi për të më shuar kureshtjen një miku im. Eshtë pak a shumë e njëjta damkosje, jo ndaj një individi, por që i drejtohet një grupi më të madh njerëzish, të cilët “përsiatësi” i përcakton si “njeriu sorrosian pa rrënjë“. (Ka bajagi anti-semitizëm në këtë përcaktim.) Miku im më pyeste nëse e fusja edhe unë veten në “njeri sorrosian pa rrënjë“ dhe unë megjithëse nuk kam aspak të bëj me Sorrosin, si qënie njerëzore nuk kam pasur kurrë nevojë për rrënjë, sepse jam i lindur i tillë.

Po le të themi se emigrantët në përgjithësi, ose kozmopolitët në veçanti, janë “njerëz sorrosianë pa rrënjë“ në kuptimin figurativ të rrënjëve.  (Kuptohet që sikundër “përsiatësi” unë fus këtu jo ata emigrantë që mbajnë në kokë qeleshe, pështillen me flamurin kuq e zi, ose dalin në foto shpesh duke bërë shënjën e shqiponjës me dy duart para gjoksit.) Po flas për ata, që sikundër edhe unë, mendojnë se Globi është i të gjithëve dhe për të gjithë. Eshtë e kuptueshme, që gjuha, kujtimet, emocionet, ëndrrat, të lidhin shumë më fort me Shqipërinë se të themi me Arqipelagun e Kaledonisë së Re, të cilin nuk e kam vizituar ndonjëherë, pork jo nuk do të thotë se po të jetoj për 6 muaj atje nuk do të ndjehem se jam ky që jam, apo më keq akoma se jam “dikush tjetër” në një tokë “armike”.

Por për “përsiatësin”- “Atdheu është mundësia për të jetuar vetveten, për tu realizuar si një qënie e plotë dhe unike. Gjithshka tjetër është gënjeshtër, vetmashtrim dhe hipokrizi!”

Natyrisht që nuk është e nevojshme të kërkoj ndihmë tek Xhojsi, që vinte nga një vend i mbushur me nacionalistë-idiotë, sepse “përsiatësi” është shumë larg nivelit intelektual të irlandezit të madh. Por nuk mendoja se afëria me mendimet e ekstremit të djathtë mund ta shpinte deri në humbjen e logjikës. Sipas mendimeve të tij të konsoliduara edhe me një pikçuditëse në fund, çdo “njeri pa atdhe” nuk jeton veteveten, por dikë tjetër. Dhe më shumë akoma, ai jo vetëm gënjen vetveten, por është edhe hipokrit. Këto dy sjellje nuk mund të ndodhin një kohësisht, se dikush që ka gënjyer vetveten nuk mund të jetë hipokrit. Por sikundër të tjerë ushtrues Diktaturash apo përkrahës të tyre edhe “përsiatësi” do të gjejë cilësitë më të ulëta për të dërmuar karakterin e “njeriut të mbetur pa atdhe”.

Nga njerës të tillë, që tundin flamujt e Atdheut, botës i kanë erdhur shumë të këqija. Ndoshta ata vërtet e kanë jetuar vetveten si patriotë dhe kriminelë, janë ndjerë të plotë dhe unikë dhe kanë përbuzur dhe vrarë të tjerët.

Për fat të mirë, dëshira e përsiatësit për të vrarë, ka mbetur një dëshirë e parealizuar.

 

Krahasimi dashakeq anti-amerikan i Shqipërisë me Afganistanin


Vendi im ka shumë e shumë probleme. Ka 30 vjet që drejtohet nga një klasë politikanësh të korruptuar të cilët lejuan, që korrupsioni të depërtonte në çdo qelizë të jetës shqiptare.

E megjithatë Shqipëria nuk është Afganistan! Nuk ka qënë kurrë e tillë as në ditët më të këqijat e saj dhe më të mirat e Afganistanit, në fundin e viteve ’70, kur në Kabul drejtonte një qeveri pro-sovjetike.

Afganistani është një nga vendet më të varfër dhe të prapambetur të Azisë, që shkoi edhe më prapa në mesin e viteve ’90, kur pjesa më e errët e shoqërisë afgane mori në dorë drejtimin e vendit. Në ato vite nuk kishte vend në botë me të cilin ta krahasoje. Hyrja e amerikanëve më 2001, e detyruar nga mbrojtja që Talibanët po i bënin Bin Ladenit e shpëtoi vendin përkohësisht prej tyre, por edhe pas 20 vjetësh Talibanët treguan se kishin mbështetje në popull dhe përkrahje nga Pakistani dhe ekstremistët islamikë kudo në botë dhe arritën të imponohen ndaj amerikanëve për t’i marrë në konsideratë si partnerë në bisedime.

Kjo është shkurtimisht historia e 30 viteve të fundit të Afganistanit, të cilën disa analistë anti-amerikanë në Shqipëri po mundohen ta paraqesin si dështim të amerikanëve sepse këtë të fundit mbështetën udhëheqësit e korruptuar. Sipas tyre i njëjti skenar do ndodhë edhe në Shqipëri sepse amerikanët mbështesin politikanët e korruptuar dhe në rastin konkret Ramën!

Krahasimi dhe përfundimi “logjik” është jo vetëm absurd, por edhe shumë dashakeq. I gjithi drejtohet kundër angazhimit të ambasadores amerikane Kim në problemet kryesore të Shqipërisë, si dhe në shpalljen nga Departamenti i Shtetit “non grata” i Berishës.

Në Afganistan jo vetëm nuk ka pasur një klasë politikanësh (t’I quajmë normalë), por atje vendi dhe shoqëria drejtohen nga të mëdhenjtë e fiseve ose nga ata që quhen “zotër-lufte” (warlords), që ngjanë pak a shumë me bajraktarët dhe bajraqet tona të shekullit të XVIII. Në luftën për dobësimin dhe zhdukjen e Talibanëve, amerikanët detyrimisht do mbështeteshin në “tipa” të tillë, se alternativa tjetër ishin ekstremistët islamikë. Korrupsioni ishte galopant që me Presidentin e parë pro-amerikan dhe vazhdoi deri në ditët e fundit, sepse në një shoqëri aq të varfër dhe aq të prapambetur nuk kishte se si të ndodhte ndryshe.

Për fatin tonë të mirë, shoqëria shqiptare është europiane, pro-europiane dhe pro-amerikane dhe edhe pse me probleme të mëdha të vjedhjes së fondeve publike dhe korrupsionit në drejtësi nuk është tjetërsuar. Edhe mbështetja e Amerikës ndaj PS-së dhe Ramës ka të bëjë pikërisht me ndaljen e këtij tjetërsimi. Amerikanët e dinë se cili është Rama, por në dallim nga Berisha dhe Meta, ai nuk doli hapur kundër Reformës në Drejtësi, por e mbështeti atë.

Ndaj për ata që e quajnë ambasadoren Kim “guvernatore e Shqipërisë“ duhet të them se jemi me fat që kemi një “guvernatore” të tillë dhe nuk kemi Monika Kryemadhin apo ndonjë shoqen e saj në krye të vendit.

 

 

Thursday 12 August 2021

“Open Balkan” dhe Goran Bregoviç


Unë nuk i njoh dokumentat që lidhen me të ashtuquajturin “Minishengen ballkanik” dhe as me nismën “Open Balkan” të firmosura para dy-tre javësh nga kryeministrat Rama, Vuçiç dhe Zaev. “A priori” nuk besoj tek asnjeri prej tyre sepse i përkasin klasës së politikanëve të korruptuar ballkanas. Gjithashtu e paragjykoj marëveshjen për faktin se nga 6 vendet e Ballkanit perëndimor në të kanë marrë pjesë vetëm gjysma e tyre. Sidomos flagrant është rasti i dy shteteve shqiptare që nuk janë në një mendje me njëri tjetrin për këtë marëveshje.

Duke e përsëritur, që nuk di në hollësi se përse bëhet fjalë, nuk mund të them as nëse ka të drejtë Rama apo Kurti, ose të dy gabojnë pjesërisht. Por fakt është që nëse shqiptarët nuk janë në gjendje të shkojnë si çift në këtë “dasëm ballkanike” nuk duhet të shkonin fare. Eshtë në logjikën më të thjeshtë të marëveshjeve ndërajonale.

Por çështja duhet parë edhe realisht, se më pëlqen apo nuk më pëlqen mua, Rama, Vuçiç dhe Zaev janë krerët e zgjedhur me vota të vendeve përkatëse. Edhe shumë vendime ndërajonale do merren prej tyre qofshin pozitive apo jo për Shqipërinë dhe gjithë rajonin. Ndaj edhe etiketimet si “të shitur” apo “tradhëtarë“ nuk vlejnë, ashtu si nuk vlejnë elozhet për kryeministrin shqiptar, i cili njihet për amatorizëm në marëdhëniet ndërkombëtare.

Mbështetësit e Ramës sulmojnë Kurtin, duke e paraqitur marëveshjen “Open Balkan” si të sugjeruar nga Amerika dhe Bashkimi Europian dhe Albin Kurti po prish marëdhëniet e Kosovës me Amerikën dhe BE-në. Por edhe nëse Amerika dhe BE duan t’i japin një zgjidhje sa më të shpejtë çështjes së Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor, kjo nuk do të thotë se është zgjidhja që duhet të pranojnë domosdoshmërisht shqiptarët e Kosovës. Të Mëdhenjtë shpesh shohin sim und të jetë zgjidhja më optimale dhe jo ajo më e drejta. Për Kosovën për shembull u gabua shumë në marëveshjen e Dejton-it mes administratës së Klinton dhe Millosheviçit.  Edhe gabim të jetë Kurti, ai përfaqëson vullnetin e më shumë se gjysmës së elektoratit të shtetit të tij. Dhe vullneti i kësaj gjysme duhet të pranohet se për çështje të rëndësisë kombëtare ka shumë rëndësi që konsensusi i popullsisë të jetë sa më i gjërë.

Por në gjithë këtë mesele, muzikanti boshnjak Goran Bregoviç nuk hyn fare. Edhe sikur ftesa e tij të jetë pjesë e një “plani djallëzor të paramenduar” të Ramës për të goditur Kurtin. Reagimi “patriotik” i mbështetësve të Albinit në Kosovë dhe kundërshtarëve të Ramës në Shqipëri në rastin më të mirë duhet quajtur “idiot”, kurse në rastin më të keq “zjarrvënës në marëdhëniet mes shqiptarëve”.

Në vitin 1981 instrumentistët e Filarmonisë së Izraelit kishin votuar në favor të luajtjes të një pjese të Vagnerit gjatë një koncerti, gjë që kishte 40 vjet që konsiderohej tabu në Izrael për shkak të antisemitizmit të Vagnerit dhe faktit që ishte kompozitori i preferuar i Hitlerit. Zhurrmën më të madhe në sallë, që solli edhe ndërprerjen e koncertit, e shkaktuan një numur i vogël spektatorësh dhe më së shumti dy nga punonjësit e sallës që merren me prerjen e biletave dhe tregimin e vendeve. Të gjithë izraelitët e apasionuar pas muzikës klasike dhe sidomos muzikantët mbetën thellësisht të zhgënjyer nga një shfaqje kaq ekstreme ndaj artit të madh.

Edhe nëse kriminelët e kampeve të përqëndrimit frymëzoheshin nga muzika e Vagnerit para se të fusnin njerëzit në dhomat e gazit, përsëri për këtë nuk ishte faji i muzikës dhe as i Vagnerit. Për më tepër, shumë nga të mbijetuarit e kampeve tregonin se zakonisht SS-ët gjermanët dëgjonin valset e Shtrausit dhe këngë operetash.

Arti i vërtetë nuk shijohet dot as nga kriminelët dhe as nga nacionalistët. Për ta janë krimet dhe sherret.

 

Kush ishte Qorri i Bibes?


Në të tatëpjetën e viteve time, më ze gjithnjë e më shumë malli për Korçën dhe për personazhet me të famshme të saj, ata që kam patur fatin t’i njoh dhe ata që s’i kam njohur po ju kam dëgjuar “zërin”. Papritur dje e gjeta veten duke kërkuar diçka që e kisha para dhe e shava veten: “Po para syve e kishe o Qorr i Bibes!” Nuk është një shprehje ta kem dëgjuar nga të tjerë veç korçarëve. Dhe më zuri malli për sokakët, sofatet, nofkat dhe vrava mendjen si nuk kam pyetur se kush ishte Qorri i Bibes. Bile duhet të kisha pyetur më parë se cila ishte Bibja.

Që ose Bibja ose i biri i saj, të cilin nuk e thërrisnin me emër, po me togfjalëshin “Qorri i Bibes” duhet të ketë qënë të famshëm në anët tona kjo nuk mund të vihet në dyshim.. Nuk di nëse mund ta krahasoj me popullaritetin që ka sot Fredi i Pemes apo Nikoja i Peleshëve, po që ka qënë i pari mes atyre me problem shikimi, kjo është mëse e qartë.

Kërkova edhe në faqet e “Këtu mbledhim materiale për Korçën” (që më tingëllon si parrulla në dyqani i Takas – “mbledhim shishe, letra dhe kartonë“) por nuk ka asnjë shkrim, dokument dhe as përmendje të Qorrit apo Bibes. E vetmja e dhënë që më kujtohet është që djali i Bibes ka patur vetëm një sy, por nuk ka informacion tjetër nëse kishte apo jo probleme të shikimit edhe në syrin që i kishte shpëtuar. Me siguri ka jetuar në kohën kur Korça nuk ka pasur okulistë.

Po si ta ketë pasur vallë Bibja emrin? Ishte e besimit të krishterë, myslyman apo ateiste? Sado që gërmoj në emrat e përhapura të shekujve më parë, në mendje më vijnë si të përafërt vetëm Bitije, Beatriçe dhe Bislime. Madje ky emri i fundit përdoret më shumë në Kosovë. Pa identifikuar Biben, mëhallën ku kanë jetuar dhe shekullin përkatës do jetë shumë e vështirë të identifikojmë Qorrin.

Koha ka bërë të sajën duke hedhur shumë mjegull mbi të kaluarën, qeramidhet, kalldrëmet dhe rrogoveckat e qytetit tim të dashur. Pak a shumë na ka lënë si Qorra të Bibes rreth historisë së qytetit dhe tashmë kam humbur besimin edhe në ndonjë shpluhurosje që mund t’i bënte Niko Kotherja. Ka vajtur me ngritje në Tiranë.

Ndoshta dikush, që di diçka, që mund të ketë dëgjuar ndonjë gjë nga gjyshërit, ose ka gjetur ndonjë libër të vjetër që ju ka shpëtuar koleksionistëve Artan Lame dhe Koço Kokëdhima, do më ndihë për të zbuluar diçka rreth historisë gojore të vendit ku më ka rënë koka.

Ndoshta edhe për ta shpallur “Nderi i Qytetit” (pas vdekjes).

 

Wednesday 11 August 2021

Zjarret, përmbytjet dhe vaksina ndaj Covid-19


Ndonëse duken sikur nuk kanë asnjë lidhje, por ka diçka që i lidh zjarret e fundit në brigjet e Mesdheut, përmbytjet në Gjermani dhe Belgjikë dhe protestat kundër vaksinimit në Francë dhe në vende të tjera të zhvilluara dhe më pak të zhvilluara. Eshtë mungesa e besimit tek autoritetet qeveritare dhe ato shkencore. Dhe nuk ka përse të fajësojmë për këtë njerëzit, por qeveritë, të cilat kanë krijuar këtë mungesë të plotë besimi tek ato vetë edhe tani që kanë të drejtë në masat që po marrin. Përsa i përket mungesës së besimit tek autoritetet shkencore, përsëri me faj bëj qeveritë, që duhet të rishikojnë programet arsimore dhe mundësitë e një arsimimi më të mirë të gjithë popullsisë.

Zjarret dhe përmbytjet të shkaktuara nga ngrohja globale nuk arrijnë të na mbushin mendjen të gjithëve se kriza e klimës është një krizë ekzistenciale dhe jo aq e largët sa mund t’ju duket shumicës të njerëzve që dinë të lexojnë. Të gjithë jemi përfshirë në filozofinë e “të shijuarit të jetës” pa menduar shumë se jeta hedonistike nuk të ngop kurrë dhe do vazhdosh të harxhosh prodhime të cilat duan energji, që krijohet kryesisht nga djegiet e naftës dhe qymyrit dhe që ka sjellë edhe zjarret dhe përmbytjet.

Por ndërsa skepticizmi ndaj ngrohjes globale lidhet edhe me filozofinë “ta shijojmë ne jetën pa…”, skepticizmi ndaj vaksinimit lidhet me filozofinë “të fut në trup unë këto që thonë këta?!”. E para ka të bëjë me momentin ndërsa e dyta me të ardhmen. Edhe pse të dyja kanë në qendër egoizmin dhe shpesh të lidhur me injorancën. Por duhet ta pranoj se ka edhe shumë nga miqtë e mij të mençur, që hezitojnë të vaksinohen për arsye më të forta se mbrojtja e lirisë së individit, se teoritë komplotiste apo mosbesimi tek shkenca, tek sistemi shëndetsor apo tek Bill Gates. Por këta janë një pakicë e vogël, që nuk e rrezikojnë “imunitetin e tufës”, e vetmja që mund të na normalizojë disi jetën.

Shumica e atyre që nuk vaksinohen në Amerikë, Kanada dhe në Europë janë nga shtresat më të varfëra dhe më pak të arsimuara, si edhe nga komunitetet fanatike fetare. Ndaj dhe nuk duhet të përbuzen duke i quajtur “injorantë“, “të pagdhendur”, “katunarë“ e të tjera cilësime të këtij lloji, sepse për gjendjen e tyre e ka fajin e gjithë shoqëria dh e veçanërisht qeveritarët.

Problemi kryesor i vendeve të zhvilluara dhe të atyre në zhvillim është arsimimi i rinisë.

Krizat e mëdha ekologjike dhe të pandemisë e nxorrën në pah këtë gjë. Dhe nuk ka se si të ketë arsimim dhe informim të vazhdueshëm në Amerikë, Kanada dhe Angli, ku arsimi i lartë përgjithësisht është shumë i shtrenjtë. Në vendet e tjera europiane, ku arsimimi në universitete nuk kushton diçka duhet bërë me shtresat, që nuk përfundojnë shkollat e mesme ose i mbarojnë dhe nuk duan më të prekin libra me dorë. Eshtë e drejta e tyre. Por duhen gjetur të tjera mënyra të “mbushjes së kokës”, që të mos bien pre e teorive komplotiste.

Ngrohja globale dhe refuzimi i vaksinimit janë problemet e mëdha të njerëzimit, sëbashku me rrezikun e mundshëm të një lufte bërthamore. Janë shumë më të rrezikshme se korrupsioni i politikanëve, nacionalizmi i verbër, racizmi edhe pse në njëfarë mënyre të ndërthurura me to.

Diçka duhet të bëjmë edhe unë, edhe ti, edhe ata që njohim para se të jetë shumë vonë.