Thursday 23 February 2017

Arkitekturë e Keqe



Fotot, janë ndërtime, ose projekte të konsideruara në Britani, si “Arkitekturë e Keqe”. Nuk janë as në qendër të qyteteve dhe kryesisht janë investime private. Disa janë ndalur, në një vend ku inisiativa e lirë në ekonomi inkurajohet.
Ne vërtet nuk jemi Britania, por përsëri jemi në shekullin e XXI. Krahasoni monstrën ngjyrë “plehu” që po na shesin për Qendër Kulturore, me këto, që konsiderohen “garbage” në arkitekturën e Ishullit Britanik.
Si mundemi të lejojmë edhe pas një “idiotësie” si Kulla, që i njëjti arkitekt, ora e të cilit ka mbetur në vitin 1960 të lejohet të projektojë në qendër me paratë e taksapaguesve?!
Si mundet, ne që dikur ju jepnim “ujë në bisht të lugës” jo vetëm atyre që vinin nga qendrat e Vilajeteve, por edhe nga Stambolli, Athina dhe Roma, sot të na japin mend për Korçën, ca Artan Lamra e ca Shkrdhela?!!
Ku humbi fisnikëria e mënçur e Fundove, Mytevelinjve, Turtujve, Merdanëve, Manollarëve, Kajnove, Tuxharëve, Pilikave dhe sa e sa familjeve të mëdha të sojme e të shkolluara?!!
Korça është e të gjithëve! Edhe e këtij “grupi me lanxhukë“, që po e drejton tash 10 vjet, po çdo gjë e ka një kufi!
Tregojuni që jeni të mençur dhe kini ende gjak korçari në rremba!
I hidhni në gjyq!
Ka mundësi që nga arrogance të kenë shkelur edhe vendime, që kanë marrë vetë!
Nëse nuk ka mundësi ligjore, bëni një peticion, ku shumica do ju ndjekë!
Nëse nuk mblidhni dot firma, gozhdojuni bashkë me fëmijët që do ju heqin nga puna, para llamarinave të valëzuara që kanë rrethuar atë qendër të vyer!

Nëse nuk e bëni dot edhe këtë, më thërrisni edhe mua e të marrim nga një lugë, e t’i futemi të hamë të gjithë këtë “bajgë “ të madhe që po bëjnë në mes të ditës në mes të meidanit!

Wednesday 22 February 2017

Ku ka shkuar “rebelizmi” intelektual i Korçës?


Një “mëkat” po aq i rëndë sa ngritja e Kullës Vrojtuese po nis të ndërtohet në qendër të Korçës. Qytetarët janë kureshtarë, por dhe disi të ngurosur. Intelektualët dhe specialistët parapëlqejnë të flasin në rrethe të ngushta, ose para filxhanëve të kapuçinove, por hezitonë të hapin bisedën, kur kanë pirë disa dopio raki se tremben mos ju ndizet gjaku dhe dalin e protestojnë para Bashkisë. Ndonjë portali me qendër në qytete, duket që i është “zënë gryka” me ndonjë kockë të hedhur nga zv.kryeministri.
Korça duket më e pafuqishme se kurrë!
80 vite më parë, proejkti i Bashkisë, i finanacuar nga Qeveria e Mbretërisë, i ishte besuar arkitektit Italian Florestano Di Fausto, një arkitekt i mirë në vendin e tij dhe me shumë projekte në Tiranë. Ishte projektuar me frymën e neo-klasiçizmit, sikundër janë ministritë në Tiranë dhe me një dekoracion arkitetkturor më të rënduar, që e bënte të ngjashëm me neoklasiçizmin e mëvonshëm sovjetik, që në Tiranë e ka shembullin në Komitetin Qendror.
Nuk përputhej me frymën lakonike dhe më moderne të ndërtimeve të Korçës.
Në Këshillin Bashkiak, e hodhën poshtë trajtimin e jashtëm dhe kërkuan, që për të njëjtën planimetri, të formuloheshin fasada më të kohës dhe në përputhje me racionalizmin e arkitekturës korçare. Ashtu u bë!
Sot, kemi Pallatin e Kulturës , që shumë shpejt do rikthehet në Bashki.
Pas tetë dhjetvjeçarëve, të gjithë jemi bërë dele, që na “bie me stap” një çoban në Tiranë dhe na shpie në gojën e ujkut Pitë Uillsën.
Një volum i panevojshëm, i gabuar, tejet i shëmtuar po ngrihet jashtë çdo logjike urbanistike, me qëllimin e vetëm, që disa fonde të akorduara nga Qeveria të sjellin një rotacion të çuditshëm të institucioneve.
Po pse është i gabuar vendosja e këtij vëëlimi në Qendër?
Ajo pjesë e Qendrës së qytetit është e formuluar dhe qoftë mirë apo disi jo keq, nuk mund të mbajë më volume të mëdha të përhershme. Ndërhyrjet mund të jenë ose me elementë arkitekturorç tç përkohshëm, ose me struktura transparente, që gjithsesi nuk bëhen dominuese.
Vëllimi i ri, bllokon pamjen e Katedrales kur njerëzit shëtisin në bulevard Republika drejt jugut, duke pasur një mbivendosje të pakëndshme të dy elementëve arkitekturorë të ndryshëm.
Edhe në drejtimin tjetër, eliminohet pamja e një zgjidhje të logjikshme urbanistike, e arritur me projektin e banesës së shkallëzuar, që shkrihej gradualisht me ndërtimet e ulta të qytetit dhe një kohesisht lejonte të soditej lindja e diellit mbi Moravë.
Ka edhe të tjera faktorë arkitekturorë dhe urbanistikë, që e bëjnë të gabuar këtë ndërhyrje.
Edhe në vetë projektin e firmës gjermane në vitin 2009, nuk kishte një vëllim të kësaj madhësie në atë vend.
Mbi gjithë këto, trajtimi arkitekturor është jashtë çdo standarti bashkëkohor. Të kujton projektet e zyrave nëpër kooperativat e mëdha dhe Ndërmarjet Bujqësore të periudhës së Diktaturës. I gabuar, i varfër, shterp!
Mbase ka ende kohë kohë për ta ndaluar!
Mos i besoni më Bashkisë!
Mos lejoni Pit Uillësn të lerë një “bajgë“ tjetër në Korçë!
Mos u gënjeni nga ata që thonë lart e poshtë se Muzeu u nominua si projek i vitit 2017!
Do na kushtojë shumë më shumë t’i prishim nëse do jemi në gjendje t’i prishim ndonjëherë!
Arkitektë, dehuni njëherë kolektivisht dhe bëhuni burra si ata të viteve ‘30!

Lidhuni për dore në qendër të qytetit tonë dhe ndalini!

Tuesday 21 February 2017

7 këshilla për të qënë “nacionalisht korrekt”


Pas disa sulmesh nga anonimë dhe joanonimë, (që janë po njëlloj se kanë emra të rremë), mësova se ç’duhet të bësh për të qënë “nacionalisht korrekt” në atdhe, se “politikisht korrekt” është tmerrësisht e vështirë t[ jesh. Për t’ju ardhur në ndihmë edhe të tjerëve, që shkruajnë ose hyjnë në debate patriotike në kafetë e ish-Bllokut, të Ksamilit apo të Kaçinarit, pas shumë studimesh të frymës sonë patriotike në vite, u mundova të përpiloj një doracak me 7 pika të domosdoshme për tu zbatuar:
1.       Vishu kombëtarçe- Të paktën një herë në javë dhe gjatë festave fetare dhe kombëtare të përdoret në veshje një takie, plis, xhamadan ose xhubletë. Shenja e shqiponjës para gjoksit, të bëhet rregullisht në udhëtimet brenda dhe jashtë vendit. Për sezonin e plazhit rekomandohen tatu të përkohshme ose të përhershme  të shqiponjës dykrenare në pjesët më të dukshme pa përjashtuar edhe ato erotike.
2.       Urre fqinjët- Edhe nëse vërtet nuk i urren, thirrë me zë të lartë, që sërbët janë kriminelë të lindur, grekët shovinistë të paepur dhe dembelë, maqedonasit kokëtrashë dhe pa identitet, shkjajtë malazezë të pagdhendur dhe barbarë, rumunët të pabesë dhe Italianët breshkaxhinj e mafiozë.
3.       Ngri në qiell Skënderbeun- Sa herë të përballesh me turqit, ose të diskutosh për ta, kujto se si i shpartalloi Skënderbeu për 25 vjet dhe kërkoju dëmshpërblim për 5 shekuj robërie edhe pse nuk di nëse ishim mëveti 600 vjet më parë apo ishim njëlloj të robëruar.
4.       Sulmo të dobtit- Konsidero si qënie inferiore jevgjit, ciganët, çeçenët ujgurët, kurdët, afganët, sirianët, afrikanët dhe të gjithë hallexhinjtë e tjerë që kapërcejnë male e dete për të shpëtuar dhe mos lerë rast pa i fyer dhe përbuzur. Homoseksualëve dhe transgjinorëve bëj përpjekje t’ju hiqet nënshtetësia shqiptare.
5.       Këndo çdo mëngjes “O sa mirë me ken shqiptar” – Menjëherë pas larjes së dhëmbëve he bërjes së gargarës, fillo të këndosh “O sa mirë me ken shqiptar”, në vargjet e të cilës ke dhe kuptimin e thellë se pse je patriot.
6.       Protesto çdo nëntor për çmimin Nobël në letërsi- Si pjesë e ndërgjegjes sonë kombëtare duhet të jetë protesta ndaj Akademisë së Stokholmit për mosdhënien e çmimit Nobël, të shkrimtarit më të madh në botë, Ismail Kadaresë paçka në i kemi lexuar apo jo ndonjë rrjesht.
7.       Kujto me mall kur ishim “fanar ndriçues për gjithë botën” – Kujto me nostalgji kohën kur ishim në qendër të vëmendjes botërore dhe ju jepnim mend të gjithëve, ndersa popujt nëpër botë na shikonin me admirim. Eshtë shkalla më e lartë e patriotizmit

Monday 20 February 2017

Aleksandra


 Duhet të kishte qënë e bukur në të ri të saj. Edhe e mënçur. Fliste shtruar, me fjalë të renditura mirë dhe që peshonin edhe pse zërin nuk e ngrinte kurrë. E veshur me sqimë dhe flokët gjithnjë të rregulluar bukur prapa. Dukej sikur nuk mund të gabonte kurrë. As mund të ngutej. Trupin e mbante drejt edhe pse i kishte kaluar të shtatëdhjetat.
Aleksandra Ilon, të vegjël e njihnim si teta Sanda, e zonja e shtëpisë të pazakontë, që kishim përballë pallatit ku jetonim. Ndryshonte nga gratë e tjera të veshura me të zeza. Kishte rreth vetes një lloj brerore thjeshtësie dhe fisnikërie, që të bënte të ishe më i kujdeshëm kur t’i kërkoje leje për të hyrë në oborrin e saj për të pirë ujë. Sigurisht, që me dashuri ajo na lejonte në atë oborr të pastër, ku edhe pse rrinin edhe disa familje të tjera nuk ndeshje në sendet e rëndomta që kishte jo rrallë në oborret e shtëpive korçare. Ne nuk dinim se cila ishte teta Sanda, pasi ajo jo vetëm nuk kishte nipër e mbesa në vërsën tonë, por edhe kur ngjiteshim nëpër apartamentet tona, nuk pyesnim prindrit për të.
Kur u rritëm, e pamë edhe të punonte ndonëse e shtyrë në moshë. Vinte çdo ditë një veturë, që e shpinte në Maliq, ku ju përkthente disa specialistëve gjermanë, që punonin për Kombinatin e Sheqerit. Admirimi për të na shtohej. Gruaja fisnike, që zotëronte disa gjuhë të huaja dilte e veshur si një zyrtare e një vendi Perëndimor, hynte me kujdes në ndenjësen e parë të makinës, në Korçën e viteve ’80, ku ishim mësuar të shihnim disa gra funksionare, që binin në sy me ca “tajere” të shëmtuara dhe me një dosje të madhe në dorë.
Edhe pse kisha hyrë me qindra herë në oborrin e saj, ku veç hardhive kishte edhe një pjeshkë edhe një fik, nuk kasha pasur rastin të hyja brenda shtëpisë . Nga jashtë, i njihja çdo cep, se edhe çatinë me “luspa” metalike e shihnim nga tarraca e pallatit ku jetonim. Ishte ajo shtëpi me dyqane në katin përdhe, pjesë e rëndësishme e fëmijërisë dhe rinisë sonë. Në verë, kalonim me orë të tëra të paradites në sofatet e gjëra dhe të freskëta të pjesës perëndimore të saj, nga ku mund të shihje gjithë njerzit që “vozitnin” bulevardit, që aso kohe mbante emrin e Leninit.
Teta Sanda nuk ankohej kurrë për zhurrmën që bënim duke u grindur a duke u hargalisur edhe pse dritaret e dhomave ku rrinte binin mbi vendin ku “zdërhalleshin” një “lukuni” studentësh dhe gjimnazistësh, që ngacmonin njëri tjetrin. Shtëpia përcillte të njëjtën qetësi dhe fisnikëri si e zonja e saj. Më pati bërë përshtypje një herë, kur dikush nga fëmijët e mëhallës thërriste “Mama, mama!” dhe Aleksandra, që ndodhej pranë nesh shqiptoi qetësisht me vendosmëri “C’është kjo mama, mama! Ne kemi fjalën tonë të bukur Nënë!”
Kishte jetuar bashkë me burrin e saj Tashko Ilo, më shumë jashtë Shqipërisë se brenda saj dhe ishte aq e shqetësuar për fatin e shqipes.
Në një bisedë të gjatë, verën e vitit 1983, kuptova diçka më shumë se cila ishte Aleksandra.
Në temën e diplomës, që më ishte caktuar nga Katedra e Arkitekturës, duhej të studioja ndërtimet dhe ndërhyrjet urbanistike në Korçë, prej fillimit të shekullit të XX e deri në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore. Një nga ndërtimet më të spikatura, ndërtesa e stilit bizantino-rumun e Aleksandras, do përfshihej në studim. I kërkova teta Sandës të shikoja shtëpinë dhe të më tregonte për historinë e ndërtimit të saj. Më ftoi në dhomën e saj të ndenies dhe më tregoi historinë e jetës së saj me bashkëshortin Tashko Ilo, mes Vjenës dhe Bukureshtit, përpjekjeve për Shqipërinë dhe dëshirën për të jetuar në Korçë. Fliste shtruar dhe rrjedhshëm e nuk më mbetej veç të dëgjoja, një novelë të romantizmit të Rilindasve nga goja e një gruaje shqiptare të shkolluar dhe të sojme. E ndoqa pas, në disa nga ambientet e shtëpisë(të tjerat ishin të zëna nga qeramarrësit e future nga shteti) dhe me krenari më tregoi kompletin e bardhë të dhomës së gjumit, të cilin, pas vdekjes ja kishte kushtuar organizatës së gruas në Korçë. Shtëpinë ja kishte lënë trashëgim qytetit.
Më befasoi modernizmi i brendshëm i atij projekti, që dallonte shumë nga vilat e mëdha korçare të ndërtuara në fundin e viteve ’20. Arkitekti rumun kishte ditur të harmonizonte një planimetri të kohës me stilin e jashtëm bizantino-rumun, që dukej se i përkiste dekadave të mëparshme. Ishte padyshim projekti më bashkëkohor i ndërtuar deri ato vite në Korçë. Një fletë planimetrie të instalimeve të ngrohjes, që më dha teta Sanda e ruaj ende.
Atë kohë,  mendoja se si do ishte Korça e njerëzve si Aleksandra dhe Tashko Ilo, nëse nuk do ishte izoluar për dekada nga lidhjet me botën, lidhje që e kishin bërë të ishte ai qytet aq perëndimor në vitet ‘30. Nuk kisha imagjinatë shumë të fortë, se edhe qytetet e botës i kisha parë vetëm nëpër revistat e arkitekturës dhe filmat që jepte TV Skopje.
Korça e ëndrrave të patriotëve të fisëm mbeti në vend.
Aleksandra, kjo korçare e pazakontë, nuk la pas trashëgimtarë. Edhe ëndrrat i mori me vete.
Nuk di nëse në atë xhevair që i la qytetit kanë vënë një pllakë të thjeshtë ku të lexohet:
“Kjo banesë është dhuratë për qytetin e Korçës nga fisnikët Aleksandra dhe Tashko Ilo”

Nëse nuk ka diçka të tillë, më bëni me faj edhe mua!

Saturday 18 February 2017

Ua si ikin vitet!


Unë, sipas Vavës, kam 20 vjet që rroj qelepir. Jetëgjatësia mesatare në kohën e Zogut ishte 38 vjet, ndaj e quaj me fat veten, që mbusha 58. Nga këto i kam 32 vite nën Diktaturë, 20 vite Mërgim dhe 6 Tranzicion. Po të kishte nëpër këmbë malarie, tuberkuloz, sifiliz dhe të tjera sëmundje , që kapnin masat popullore para Luftës së Dytë do kisha jetuar vetëm nën Diktaturë dhe Tranzicion pa e provuar Mërgimin, por ja që Partia nuk mund t’i bënte të gjitha sëprapi, se i luftoi që herët sëmundjet që bënin kërdinë dhe mesatarja e jetëgjatësisë u rrit. (Që të jemi të drejtë, këto sëmundje bënin kërdinë në gjithë Mesdheun dhe u zhdukën edhe atje ku nuk kishte Parti të lavdishme si kjo e jona, por le t’ja lemë këtë meritë.)
Një shoqe e shkollës 8 vjeçare, më tha njëherë “Po ti pse e shan Enver Hoxhën?! Ai të bëri me universitet!” dhe kjo më tronditi, se nuk dua të jem mosmirënjohës në jetë, por edhe këtë pasi e mendova gjërë e gjatë, më doli që edhe ca kushërinj që kisha në Stamboll dhe në Boston kishin mbaruar universitetin edhe pa pasur sho Enver. (Sigurisht që një të mirë duhet t’ja di se në atë kohë nuk kishte nga këto universitetet private, në të cilat e merr diplomën edhe pa shkuar asnjë ditë në leksion, por u diplomova në UT, që sipas Anas së Gjatë, është “flori e shkuar floririt”)
Pastaj hyra në punë.
Dhe Partia kishte siguruar punë për të gjithë dhe jo si sot, ku gjysma e rinisë është pa punë, Bile Partia të shpallte “parazit” po të mos hskoje në punë,dhe larg qoftë e merr prapë në dorë, tërë këta që vërtiten rrugëve në burg do përfundojnë, Dhe për të burgosurit Partia kishte shpikur punë nga më të dobishmet.
“Po ç’kërkon o kodosh!” më vjen shpesh t’i kthehem vetes. TBC nuk u bëre, malarja nuk të zuri, u diplomove, të futën edhe në punë, si nuk e the një fjalë të mirë për atë sistem!
E sjell rreth e rrotull në mendje dhe ndonjë të mirë të madhe nuk kujtoj, veç më vjen në mendje ajo barcoleta e dy gjermanëve para se të binte Muri i Berlinit.
“Një perëndimor bënte debat me një gjermanolindor dhe i përsëriste se sa keq ishte në Gjermaninë Lindore, ku mungonte liria e fjalës, ku po qe se flisje keq për Sekretarin e Parë përfundoje në burg. Lindori si u mendua ca e pyeti:
-          Bën dot dashuri ti në orar të punës?
-          Si o do bëj? Më pushon Bosi!- u përgjigj gjermani i Perëndimit.
-          E po ç’më krisi mua të shaj Sekretarin e Parë! Unë dua të bëj dashuri në orarin e punës.”
Si kanë ikur vitet!
Sa shumë ndryshime kanë ndodhur!

Friday 17 February 2017

E drejta për të protestuar

Ka një përgatitje disa javore për një protestë masive antiqeveritare, për të rrëzuar qeverin, edhe pse teknikisht ajo do “rrëzohet” pas tre muajsh. Qeveritë tona, gjithnjë kanë pasur shumë kusure dhe protestat e vogla e të mëdha, të organizuara nga opozita apo nga grupet e interesit duhet të kishin qënë pjesë e pandarë e jetës politike shqiptare. Për fat të keq, për shumë arsye, që nisin me mungesën e përvojës demokratike dhe përfundojnë me manipulimin e protestave nga forcat politike, tek ne, më shumë ka pasur protesta të gabuara ose të dështuara. Mund të kujtojmë protestën masive për vjedhjen e votive në majin e vitit 1996, kur pasi kishte braktisur në ditën e zgjedhjeve elektoratin e saj, Kryesia e PS-së mundohej të mbulonte fajin e saj të madh duke nxjerrë njerzit në shesh.
Më vonë erdhi protesta-grusht shteti pas vrasjes së Azem Hajdarit, greva absurde e urisë për hapjen e kutive më 2010 dhe demonstrate e 21 janarit, që jo vetëm nuk rrëzoi qeverisjen e korruptuar Berisha-Meta, por solli edhe 4 të vrarë nga absurditeti dhe mizoria e politikës shqiptare.
Përse do protestohet më 18 shkurt?
Edhe më optimistët mes militantëve të PD-së dhe partive të tjera opozitare e dinë se qeveria nuk mund të bjerë edhe sikur në shesh të dalin 500 mijë vetë, të cilët kanë votuar për opozitën në zgjedhjet e fundit.
Le të themi se është e mundshme dhe një protestë e zgjatur, mund të sjellë presion të ndërkombëtarëve, që për të garantuar zgjedhje të lira, PS-ja duhet t’i hapë rrugë një qeverije teknike. Edhe?
Qeveria teknike, që do garantojë zgjedhje të lira nga do i gjejë këta teknikët e paanshëm?
Apo do vendosin Polenakun Faqekuq, Kukurecin dhe Meribanin të garantojë një rezultat të drejtë dhe të ndershëm?
Forcat e djathta(nëse vërtet janë të djathta) po tregojnë përfundimisht, që janë të varur nga Berisha dhe nga fati i familjes së tij.
Protestat ndaj qeverisë Rama dhe përpjekjet për ta rrëzuar duheshin bërë dy-tre vjet më parë. Tani tingëllojnë të manipuluara dhe për rrjedhim edhe të pashpresa.
Të interesuarit kryesorë për to janë banda e Berishës, banda e gjykatësve dhe prokurorëve, banda e Ilir Metës.
Rama ka qeverisur shumë keq!
Opozita ka qënë thuajse në të njëjtin nivel.
Nëse nuk ka një shpërndarje të votive në shumë parti, përfshi edhe të rejat, Shqipëria do vendnumurojë edhe për 4 vjet.
Nesër do ndodhë “gjurulldia” e zakonshme, ku turmat ndjekin pas 50 hajdutë me kostume. Edhe turma I di që janë hajdutë, port hotë të paktën këta janë hajdutët tanë!

Shumë shtetarë - shumë pak shtet!


Çështja nëse ka pak shtet apo shumë shtet tek ne është shumë e diskutueshme dhe varet shumë nga interpretimi i fjalës “shtet”.
Tek ne ka institucione të strukturuara sipas modeleve të demokracive evropiane, të cilat janë përbërësit kryesorë të shtetit dhe megjithatë “shteti” nuk funksionon si duhet.
Se nuk mund të quhet “shtet” kur njerëzit sorollaten zyrave për të mbaruar punë, kur janë të detyruar të paguajnë rryshfet për të marrë një provim, kur kodrave dhe maleve “harbohet” kanabisi, kur pacientët paguajnë nën dorë për një vizitë mjekësore në spitale që financohen nga shteti, kur gjykatësit lirojnë nga burgu kriminelët se i kanë paguar mirë, kur deputetët bëjnë biznese nëpërmjet familjarëve të tyre duke përdorur statusin që kanë, kur ministrat akuzojnë njëri-tjetrin se kanë vjedhur, etj.
Këtë mund ta quajmë “Shteti shqiptar”, por është larg të qënit shtet.
Nga ana tjetër, ky “shtet” është shumë i fuqishëm, sepse qeveria ka përqëndruar çdo gjë në duart e saj, se emrat e deputetëve i vendos i pari i partisë, se legjislativi pushton ekranet e kanaleve kombëtare jo vetëm të enjteve, por gjithë javën, se nuk meremeton dot çatinë po nuk pagove lekë direkt ose indirekt në Bashki, se gjykatat nuk marrin vendime të formës së prerë për të zgjatur “mjeljen” e të pandehurve apo palëve të interesuara, se mund të të kalbin në dru po i the ndonjë fjalë më tepër përfaqësuesit të shtetit, qoftë ky edhe një polic i thjeshtë. Mbi të gjitha, po punove në “shtet” ke rrogë edhe më të mirë se në sektorin privat.
Për këtë lloj “shteti” kanë dhënë kontributin e tyre disa “shtetarë“ dhe jo vetëm Edi Rama, sikundër mëton në intervistën e fundit prof. Rexhep Qosja. Sipas tij, shtetari Rama e mori shtetin nga një gjendje autarkie dhe anarkie dhe po e bën me të vërtetë shtet.
Nuk di se kur përdor fjalën shtetar për Ramën, Qosja shqipëron “homme d’état” nga frëngjishtja apo “statist” nga anglishtja. Mes tyre ka ndryshim të madh.
Për mendimin tim, Edi Rama i përafrohet më tepër një shtetari “statist”, se për të qënë burrë shteti është shumë larg,
Dhe statistë janë ata që kërkojnë një kontroll sa më të madh të shtetit (në këtë rast të ekzekutivit) në të gjitha çështjet shoqërore dhe ekonomike të një vendi. Një “shtetar” i tillë nuk është shumë larg një autokrati. Për më tepër, “shtetarët” tanë kanë prirje të identifikohen me shtetin dhe kështu ka ndodhur me Berishën, Nanon, Metën dhe tani me Ramën.
Shqipëria, që vinte nga një “supershtet” i Diktaturës, ku nuk kishte asnjë lloj inisiative private, të drejtat e njeriut ishin të stërnëpërkëmbura, nuk ka nevojë për shtet të këtij lloji, që kanë ndërtuar katërshja e sipërpërmendur dhe që, të fundmit për nga radha, tashmë i thurren lavde nga Rexhep Qosja.
Shqipëria ka nevojë për decentralizim, për eliminimin e pengesave ndaj inisiativës private, për mbrojtje të lirive të individit, për ndarje të qartë të pushteteve, për zvogëlim të administratës shtetërore, për llogaridhënie të politikanëve ndaj atyre që i kanë sjellë në pushtet, për një peshë sa më të vogël të shtetit në kurriz të taksapaguesit.
Rama nuk po e bën dhe as ka dëshirë ta bëjë këtë. Për të mos hedhur poshtë të gjitha që ka bërë, ai nuk ka penguar Reformën në Drejtësi, ka favorizuar investitorë privatë, ka rritur disiplinën në administratë, ka tentuar të bëjë reforma në arsim.
E megjithatë është larg të qënit shtetar, edhe në kuptimin “statist”.
Shtetarët tanë e duan shtetin si një makinë të pasurimit të shpejtë të tyre dhe të njerëzve që kanë përreth, ndaj e duan “fuqiplotë“, por edhe “të brishtë“.
Fuqiplotë për të drejtuar si duan ata, por edhe të brishtë për të mos u ndëshkuar vetë për paudhësitë e tyre.
Viti 1997 është ilustrimi më i qartë i shtetit të plotfuqishëm, që u kthye në kaos.
Edhe në këto 20 vite nuk është bërë shumë shtet për të parandaluar një çmenduri të tillë.
Optimizmi i prof. Qoses i përngjan më tepër optimizmit të një tifozi, që entusiazmohet nga lojtari i zemrës edhe kur ai luan keq.

Wednesday 15 February 2017

Eja në ujëvarë

Sot dua të qullemi nga nga dashuria,
Brezin e Perëndisë ta përkulim,
Mbi kryet tona brerore ta vemë,
Të ndrisim veten dhe të tjerët,
Një cast të vetëm,
Pastaj me turp,
Sytë t’i ulim,
Të kuptojmë se zhveshur,
Botës përreth nuk mund të dalim,
(Mëkat është!),
Edhe pse si ëngjëj ndjehemi,
Mes këmbësh bekimin tokësor kemi,
Atë më të zjarrtin,
Që nuk mundemi dhe nuk duam të ndalim.
Por kaq shumë dua,
Ndaj nën shtëllungat që bien me vrull,
Të ndezim dhe të shuajmë zjarrë,
Eja nga dashuria të bëhemi qull,

Për krahësh të futemi në ujëvarë.

Tuesday 14 February 2017

Më vish me të kuqe

Ti thua me të kuqe më vish ,
Në këtë valle bore të bardhë
Të feks mes rrëzëllimit të kristaleve,
Si një shëmbëllim perish,
Të Mesdheut të largët të dukem,
Peritë që ngjiten majave mbi det,
Duke kënduar,
            Shtatpërkundura në rradhë.
Mbi këmishë,
Më pri një pjesë të ngjajë si zemër,
Sa gjoksin që pëlqen ta shohësh;
Dy xinxifilet do të le t’i prekësh,
E me dhelet e tua ti më tej të më joshësh.
Më pas zjarri i shenjtë t’na përfshijë,
Si i ëmbli lëng që del hardhish,
Të puthemi,
            Të dehemi,
                        Të rregëtijmë;

Të gjithën me të kuqe ti më vish!

Monday 13 February 2017

Gaqo Peci, intelektuali i shquar patriot korçar


40 vjet më parë, në qytetin e Korçës, luhej një nga tragji-komeditë më të errëta të kohës së Diktaturës. Gjykoheshin për veprimtari kundër pushtetit popullor dhe dënoheshin me dënime të rënda piktori Vangjush Tushi, gjuhëtari Gaqo Peci, muzikanti Kiço Venetiku dhe motra e tij Krisanthi. Të tre të parët intelektualë të klasit më të lartë. Të tre kishte kohë që i kishin kaluar të pesëdhjetat.
Gaqo Peci ishte një nga njerëzit më të nderuar në qytet. Gjuhëtar dhe mësues i frëngjishtes, i gjuhës dhe letërsisë, gëzonte respektin jo vetëm të nxënësve, por edhe të gjithë njerëzve të arsimit dhe të kulturës. Ishte një burrë i pashëm, i shtruar , me njëë ballë të madh, që dëshmonte urtësi. Në fytyrë i dallohej edhe një nishan i madh, që ndihmonte të mos e harroje portretin e tij të veçantë. Respektohej për gjithshka që kishte arritur vetë edhe pse ishte djali i madh i njërit prej patriotëve më të shquar shqiptarë, Sotir Pecit. Nuk shoqërohej me këdo dhe nuk ishte i ngutur në të folur. E patën arresuar për të shtuar terrorin dhe për t’ju treguar të gjithëve, që asnjë nuk mund t’i shpëtonte “tehut të mprehtë të shpatës së Diktaturës së Proletariatit”, as mësuesi i shquar gati 60-vjeçar, pjesëmarrës në luftën e dytë në anën e fituesve, pasardhësi i atyre, që kishin bërë Shqipërinë.
Korça e atyre viteve ishte nën terror, pas një vale të madhe arrestimesh dhe internimesh. Njerzit nuk dinin më kujt t’i besonin dhe me kë mund të flisnin qoftë edhe për të komentuar një libër apo një film të huaj. Arrestimi i këtyre intelektualëve të nderuar i kishte bërë të ndjeheshin të gjithë të trembur. Njerëzit prisnin me ankth gjyqin e tyre.
Muzikantin Venetiku(bashkë me të motrën e moshuar) e kishin mbajtur nën tortuar për një vit e gjysëm, piktorin Tushi nuk e kishin kursyer edhe pse shumë i sëmurë, ndërsa gjuhëtari Peci kishte arritur ta përballte më mirë hetuesinë edhe pse si dëshmon në librin e tij “Në panxhat e Sigurimit”, kishte tentuar të vriste veten në qeli.
Farsa e gjyqit ishte kurdisur në një bashkëpunim të Sigurimit me Komitetin e Partisë, ku veç dëshmitarëve(njerëz të degjeneruar ose nën presionin e Sigurimit), ishin detyruar të komentonin në fund edhe njerëz të artit e të kulturës, për të demaskuar idetë liberale të të pandehurve dhe për të mbrojtur “metodën e realizmit socialist”. Ide e partiakut më të pamoralshëm që ka njohur Korça, Enver Halilit, e sinkronizuar me sigurimin e shokut të tij të ngushtë, Feçor Shehut.
Aq absurd ishte teatri i kurdisur nga këta “fëlliqësira amatore” të asaj kohe, sa një nga të pranishmit, aktori në pension Aleko Skali, nuk duroi dot po u ngrit dhe tha , që “qytetari luajal Gaqo Peci nuk e ka vendin në bankën e të akuzuarve!”
Të katër të akuazuarit morrën dënime të rënda dhe vetëm Gaqoja doli i gjallë nga burgu.
Dëshmia që kushtëzoi dënimin e tij, ishte një nga letrat, që i kishte dërguar Nasho Jorgaqit, ku fliste me përçmim për gjendjen e letërsisë shqiptare dhe metodën e Realizmit Socialist. Kishte besuar tek studiuesi Jorgaqi, i cili i kërkonte vazhdimisht materiale nga kontaktet dhe letërkëmbimet e Sotir Pecit me Nolin. Besimin e tepruar e pa në formën e “provës së shkruar” në tavolinën e trupit gjykues.
Gaqo Peci ka vite, që është larguar nga Korça dhe më pas edhe nga jeta. Sa vijnë dhe rrallohen ata, që e kujtojnë me respekt, dhimbje dhe dashuri.
Duket, që edhe nëse nuk përndiqet më e kanë dënuar me harrim, atë dhe dhjetra studime mbi gjuhën, kumtesa dhe referate mbi arsimin në Korçë, analiza dhe kritika të letërsisë shqipe dhe të huaj.
Asnjë gjurmë të tij nuk ka në Universitetin Fan Noli të Korçës, edhe pse ve] kontributit në lëmin e gjuhës, ai ka ndihmuar në zbulimin e plotë të figurës së Nolit të madh.
Për ironi të fatit, Universiteti i Korçës, i dha disa muaj më parë, çmimin “Honoris Causa”, atij që e “dërgoi “ në burg duke depozituar në hetuesi letrën e tij, studiuesit Nasho Jorgaqi.
Ndoshta trashëgimtarët e atyre, që e dërguan në Spaç, po mundohen tani të vrasin edhe kujtesën tonë për të nderuarin Gaqo Peci.
Korça i detyrohet shumë njërit nga të fundmit intelektualë patriotë dhe njerëz me dinjitet të patundur.

Sunday 12 February 2017

Myfto dhe Velinovska për Peleshin (5)


Një nga pjesët më të rëndësishme të raportit të sipërpërmendur na ka rënë në dorë këto ditë. Duket, që hamendjet janë të mbështetura edhe me dokumenta dhe foto të personazheve të përmendura.

“…Në përpunimin që bëri ambasada gjermane të të rinjve intelektualë shqiptarë pas rënies së murit të Berlinit, për të siguruar agjentë të përgatitur mirë, të cilët do të merrnin në dorë fatet e Shqipërisë pas ndryshimit të sistemit dhe përfundimit të Luftës së Ftohtë nr 1 u përfshinë dy kategori të rinjsh. Të përzgjedhurit e parëdo futeshin më 2 korrik 1990 në ambasadën gjermane dhe prej këtu, të përzjerë edhe me njerëz të pakënaqur nga pushteti, ish të persekutuar, emigrantë ekonomikëdo kalonin për trajnim në kampet e Shërbimit Sekret gjerman dhe do përdoreshin si falanga e parë e sulmit drejt ndryshimeve dhe dominimit gjerman në Ballkanin Perëndimor. Këtu hynin vëllezërit Pazar(Kimi, Niku dhe Doni)i, të cilët pas mbrritjes në Gjermani refuzuan tëvazhdonin stërvitjen e rëndë në kampin e Binkelfaumit dhe vazhduan jetën e tyre private në afërsi të Këlnit, si dhe agjenti “Lekja”, i cili më vonë u martua me një agjente franceze 36 vjet më të madhe se vetja dhe përfundoi si agjent i dyfishtë i Shërbimit Sekret Gjerman dhe atij Francez, me detyrë speciale në konfliktin libian, ku ka luajtur një rol shumë sinjifikativ në nxjerrjen nga tombinoja e rrugës e kolonel Gadafit. “Lekja” kishte mbaruar inxhinieri miniera disa vjet para Mero Bazes, që dyshohet të jetë një tjetër agjent i dyfishtë gjermano-amerikan. Në grupin e dytë të quajtur “elitashfahen”, ishin përzgjedhur të rinjtë më inteligjentë, të cilët do shkonin në Gjermani të padokumentuar për t’i shpëtuar ]do lloj zbulimi nga ana e UDBsë dhe Sigurimit Shqiptar, që si dihet ishin në bashkëpunim të ngushtë.

Këshut, në verën e vitit 1991, Nikollaq Aleks Peleshi,la Tiranën ku kryente studime në Degën e shumë lakmuar të Elektronikës dhe nisi  rrugëtimin, e përcaktuar më parë nga eprorët e tij, pasi kaloi nëpërmjet Greqisënë Turqi dhe prej aty në Ukrainë dhe duke ndjekur “udhën e patateve” në Poloninë Lindore arriti në Drezden, prej nga i shoqëruar nga tutori i tij, filloi veprimtarinë e tij stërvitore-agjenturore në kampin e regugjatëve Tempelhof, ku sipas sugjerimit të tutorit të tij, kolonelit Franc Von Kakenbauer, hyri në marëdhënie me emigranten boshnjake, avokaten Semiha Gorovac,(të cilën e thërriste me përkëdheli Semi) e cila gjithashtu i përkiste grupit “elitashfahen” të Bosnjës dhe që më vonë u kthye në Sarajevo, ku shërbeu për disa vjet edhe si Kryetare e Bashkisë së Sarajevos…”

Friday 10 February 2017

Kalorësi me fytyrë të vrerosur



Ai vetëm fytyrën ka të vrerosur, ndoshta nga gjendja, ku ka katandisur Shqipëria, për të cilën ai ka dhënë 25 vitet më të mira të jetës së tij. Në shpirt mund të ketë edhe gëzim.
Nuk i ngjan aspak (edhe gjatë këtij viti), kalorësit të famshëm me fytyrë të vrerosur të Servantesit, Don Kishotit të Mançës.
Atëhere përse e quan “kalorësi me fytyrë të vrerosur”, mund të më pyesni me plot të drejtë.
Po pasi provova politikani me fytyrë të vrerosur dhe shkrimtari me fytyrë të vrerosur, si dhe ministri, prefekti dhe gazetari, asnjëra syresh nuk më tingëlloi më mirë se Kalorësi.
Bile edhe vetë ai besoj se e mendon veten si një Kalorës të Demokracisë ose si Kryqtar i Përparimit, ose si Misionari i të Vërtetës ose si Mosheja i të Padjallëzuarve.
Dikush me Mision. Ndoshta jo i dërguari i Qiejve, por i Dërguari i Librave, ashtu sikundër ishte edhe i Famshmi i Mançës, I Shumëfrymëzuari nga librat e Kalorësve të Tryezës së Rrumbullaktë.
Edhe Lëvizja që po udhëheq në Moçalin e Politikës Shqiptare është e tillë. Një lloj Tryeze Rrumbullake gjigande, ku të gjithë kanë të drejtë të jenë në Krye, sepse pikërisht Krye kjo Tryezë nuk ka. Vetëm e ka zgjedhur në bojë të verdhë, që ja bën edhe më të Vrerosur fytyrën e tij. E megjithatë Boja nuk është problem. Sidomos në Shqipëri.
(I fusim i t’krume t’verdhës, ene  i heqim dy duar boj patëllxhani ene bohet e papame!)
Nesër, në Tryezën Rrumbullake të Librave votohet për Bërthamën.
(Ja kjo është politikë e re. Nis me emrat.)
Pastaj rreth e rrotul Bërthamës është Fruti. Fruti është më I rëndësishëm se Bërthama se Fryti haet, por Bërthama është njëkohësisht më afatgjatë se Fruti, se edhe nëse nuk haet, përdoret vitin tjetër për një Parti ose Lëvizje të Re.
Sa larg shef Misionari i Librave!

Veç nuk kuptoj, për hir të Shqipërisë e mban fytyrën e vrerosur apo ky është trendi në botën e politikës në Europë?

Thursday 9 February 2017

Antiamerikanizmi i Lubonjës


“Antiamerikanizmi” nuk është një “sëmundje” ideologjike apo politike, si të themi “antisemitizmi”, “populizmi”, “radikalizmi”, apo më keq akoma, “shovinizmi”, “fashizmi”, “komunizmi” etj.
Eshtë një qëndrim, që varion nga kundërshtimi i politikave dominuese amerikane në botë, e deri në mohimin e çdo vlere të shoqërisë amerikane. Eshtë i njohur në rrethet intelektuale europiane dhe sidomos në Francë, sikundër përmendet jo rrallë nga filozofi francez Bernar Henri Levi. Rrënjët janë të vjetra dhe dukuria është shumë komplekse dhe jo krejtësisht negative, por ekziston. Dhe gjithkush, edhe në Shqipëri ka të drejtë të jetë edhe antiamerikan.
Konstatimi im për Fatos Lubonjën vjen nga disa qëndrime të përsëritura të tij, por sidomos nga sulmet e 10 muajve të fundit ndaj ambasadorit Lu dhe rolit të tij në vënien në lëvizje të mekanizmit të ndryshkur shtetëror shqiptar për të miratuar Reformën në Drejtësi. Zoti më ruajt, nuk dua të tingëllojë sikur po e ve analistin Lubonja të dëshmojë para komisionit për veprimtari antiamerikane të kohës së MeKarthit, por mendoj se antiamerikanizmi i tij, qoftë edhe beninj, i turbullon gjykimin për çështjen e Reformës. Në fund të fundit është më mirë për ta quajtur pak antiamerikan se sa t’a akuzoj se është në një front dhe ka të njëjtat qëllime si “krokodilët”, që nuk e duan reformën në fjalë. 
Ka kohë, që Lubonja jo vetëm shpreh hapur dyshimin e tij për motivet e ambasadorëve për Reformën, për qëllimet që do të arrijë dhe vënien në jetë të saj, por e ka paraqitur, sikur Rama “i ka futur në thes ambasadorët” dhe po mundohet “të kapë“ pushtetin ligjor, i cili deri tani është “i kapur” nga Berisha.
E vetmja e vërtetë në supozim-dyshimet e Lubonjës, është që motivi I Ramës nuk është Ndërtimi I një Pushtetit Gjyqësor të pavarur, por shkëputjen e tij nga kthetrat e Berishës, për të mos qënë as në duart e kundërshtarëve të tij. Por edhe s’kemi të bëjmë me idealizëm, ky motiv i Ramës është për tu përshëndetur, sepse është në interesin e publikut.
Argumenti tjetër i Lubonjës i para disa muajve, ishte vënia në dyshim e sinqeritetit të Lu-së për Reformën në Drejtësi, pasi ai ka heshtur rreth kanabizimit të Shqipërisë, që për Lubonjën është një problem edhe më I madh se Reforma në Drejtësi. Meqënëse për këtë janë përgjegjës Rama dhe Tahiri, sipas Lubonjës, heshtja e ambasadorit e bën edhe këtë të fundit në mos bashkëfajtor, “të kapur”.
Ka një logjikë, në përpjekjet e ambasadorit amerikan(do i quaja titanike) për miratimin e Reformës në Drejtësi. Ka qënë objektivi kryesor I punës së tij dhe jo pak “I kanë bërë zbor” politikanët shqiptarë të të gjithë krahëve. As “zbori”, që ju bë austriakut Vranicki më 1997 nu ka të krahasuar me atë, që ju bë Donald Lu-së kryesisht nga Berisha, Basha, Meta dhe Llalla gjatë verës së kaluar. Thënie dhe kundërthënie, drafte mbi drafte, përpjekje për konsensus dhe mosdhënie të votave, premtime për kompromis dhe kërcënime me rrëzim qeverie etj etj, që Lubonja i di fort mirë. Sigurisht që ambasadorit nuk i pëlqen kanabizimi, por energjitë jo vetëm kanë një kufi por ka edhe një taktikë për realizmin e qëllimit kryesor. Dhe duke përdorur metaforën e “peshqve dhe peshkaqenëve” të Lubonjës, me reformën në Drejtësi, Luja po krijon edhe një rrjetë të saktë për të kapur edhe ‘kanabistat”. Me rrjetën e kalbur të Drejtësisë së sotme, nga e cila kanë shpëtuar “peshq dhe peshkaqenë“ duke nisur me Lul Berishën e duke përfunduar në Fullani dhe Meta, nuk mund të kapen as ata që kanabizuan Shqipërinë në këto 20 vjet.
Analisti Lubonja, akuzon Donald Lu-në jo vetëm për “futje të hundëve” me të tepërt në punët e shtetit shqiptar, por edhe për arrogancë në revokimin e vizave duke krahasuar me arrogancën e Tramp-it. Krahasimi jo vetëm që çalon, sepse nuk po i ndalohen vizat një kategorie njerëzish, por Donald Lu as nuk po tejkalon kompetencat e tij. Në rregullat e Departamentit të Shtetit, jo vetëm ambasadori dhe konsulli kanë të drejtë të mosjapin apo të refokojnë vizat, por edhe oficerët e thjeshtë të kufirit, kur konstatojnë se njeriu, i cili kërkon ose ka marrë vizë mund të përbëjë rrezik për SHBA, ose thjesht mund të zhvillojë veprimtar të paligjshme ose edhe vetëm të qëndrojë në Amerikë për të punuar ose duke kërkuar azil politik.
Në një kohë, kur për shkak të Vetingut, shumë prokurorë dhe gjykatës mund të mbeten pa punë, nuk është e çuditshme, që të përdorin vizat amerikane për të ndenjur në Amerikë si të përndjekur, ose për të shijuar lekët e fituara me mund dhe pa mund. Kjo “arrogancë“ e shërbimit konsullor amerikan duhet duartrokitur.
I fundit dhe më i rrezikshmi është konkluzion-parashikimi I Lubonjës se Reforma në Drejtësi do shkaktojë padrejtësi më të mëdha.
Pyetja e parë që më shkon në mend është: Mund të ketë një drejtësi më keq se kaq?!
Le të themi se Reforma nuk mund të bëjë mrekullira, se çdo lloj reforme do jo vetëm kohë të zbatohet, por edhe ndryshime në kulturën e të gjithë popullit, që është detyruar dhe mësuar ta blejë Të drejtën.
Porn jë mrekulli e ka bërë që tani dhe që syzet e antiamerikanizmit nuk e lenë Lubonjën ta shohë.
Ju ka hyrë lepuri në bark jo vetëm prokurorëve dhe gjyqtarëve por edhe politikanëve të të gjitha ngjyrave.
I dashur Lu-bonja, bon’ mir t’i kërkosh të falur dhe t’i heqësh kapelen Lu-së!






Wednesday 8 February 2017

Ik o pirdhu!


Ti vjen më thua se si të hapen dyert dhe se po të bësh një telefonatë mund të zgjidhësh çdo hall dhe unë të përgjigjem- Ik o pirdhu!
Ti pasi më ke bërë pas krahëve një marifet më thua: “Po jemi shokë o burr’ i dheut!” dhe unë të them me plot gojë - Ik o pirdhu!
Ti më kujton se dikur të kisha thënë, që “kisha nisur të ndjeja për ty”  dhe unë të them- Ik me pirdhu, se doja vetëm të flija një natë!
Ti më tregon gjërë e gjatë se si një politikan që ke mik, kishte biseduar tre orë me zëvëndës Presidentin e Bashkimit Europian dhe unë të them – Ik o pirdhu me gjithë Bashkimin Europian!
Ti më sjell ndërmend kohën kur ishim “disidentë” se luanim poker në Universitet, kur Sigurimi na ndiqte dhe unë të them – Ik o pirdhu me gjithë disidencën tënde dhe timen!
Ti më rrëfen se si e gjen frymëzimin për të shkruajtur poezi të ndjera për ata që lenë gjurmë në histori dhe unë nëpër dhëmbë them – Ik me pirdhu!
Ti vjen gjithë optimizëm e më thua se është e sigurt, që këtë rradhë do e rrëzojmë Qeverin dhe unë pa mbaruar fjalën të them- Ik o pirdhu!
Ti vjen e më mburresh se dikur i hodhe në qafë një kavo shtatores dhe e rrëzove dhe unë të them – Ik o pirdhu se kavon tani ja ke vënë si kravatë qafës tënde!
Ti më këshillon të mos shkruaj kundër zv.kryeministrit se edhe mund të më duhet ndonjë ndihmë ndonjë ditë prej ditësh dhe unë të gjegjem – Ik o pirdhu!
Ti vjen me gjithë të dashurën tënde dhe më thoni se kini gjetur shumë njerëz të ndershëm me të cilët mund të ngremë menjëherë Partinë e së Vërtetës dhe unë ju bërtas – Ikni o pirdhuni!
Ti më shkruan se këtë rradhë nuk ma boton dot shkrimin për shkak të disa komplikimeve ndërkombëtare, që kanë efekt në gjithë Ballkanin perëndimor dhe unë them me mendje – Ik o pirdhu!
Pastaj më vjen përballë një fytyrë gati identike me timen, që më pyet nëse ka dështuar apo jo dhe unë i klith me gjithë frymën time – Ik o pirdhu, akoma nuk e ke kuptuar?


Tuesday 7 February 2017

Dija, injoranca dhe interesat

 Ka një konsensus të shqiptarëve në debatin Lu-Llalla në përkrahje të ambasadorit amerikan, po të përjashtojmë këtu Shoqatën e Gjyqtarëve, Ilir Metën, Rovena Gashin, Frrok Cupin, Fatos Lubonjën e ndonjë tjetër, që nuk ka guxuar të flasë hapur.
Po le ta shikojmë një këndvështrim më të ngushtë, duke patur parasysh më shumë dy individët dhe interesat e tyre dhe jo të shteteve apo institucioneve, që përfaqësojnë.
Donald Lu - ka studiuar gjithë kohën në Universitetin e Prinstën(Princeton University), që jo vetëm është në Ajvi Lig(Ivy League)por nga të gjithë vlerësuesit e njohur të universiteteve, futet në 7 universitetet më të mirë në botë dhe në 3 më të mirët në Amerikë. Studentët shqiptarë, që studiojnë në Amerikë e dinë se çfarë “kalibri” dijesh duhet të kesh për tu pranuar në atë Universitet. Mes të shquarve, që kanë studiuar në në prinstën është edhe I madhi Udrou Uillsën, Presidenti amerikan, të cilit Shqipëria i detyrohet aq shumë. Në këtë vatër të dijes është kalitur për 8 vjet Donald Lu dhe më pas i ka hyrë karrierës si diplomat. Si I tillë ka punuar në Azi dhe Kaukaz, ku ka patur të bëjë me të gjithë “mjeshtrat” e mashtrimit në politikë, në Indi, Pakistan, Gjeorgji, Azerbaxhijan etj.
(Duhet të pranojmë se djallushët e politikës së këtyre vendeve janë më marifet]inj se këta tanët.)
Sigurisht, që interesi I parë I tij është të ketë një karrierë sa më të sukseshme si diplomat karriere. Këto janë ambiciet personale të një diplomati amerikan, që do t’i shërbejë vendit të tij. Për fatin tonë të mirë, interesi I SHBA-së, është që të jemi një vend aleat i tyre me një demokraci të stabilizuar. Për interesat “e fshehta” të tij nuk kemi si të dimë, ose dhe ata, që e akuzojnë se ka të tilla nuk kanë sjellë ndonjë provë.
Adriatik Llalla - është diplomuar dhe ka marrë titullin Master në Universitetin e Tiranës. Para studimeve universitare ka mbaruar shkollën e mesme të natës në Gramsh. Edhe pse të gjithë studentët tanë nuk ja kanë idenë se sa e vështirë është të mbarosh të mesmen natën në Gramsh, ndoshta po ta venë në lëvizje fantazinë mund ta marrin me mend. Ka punuar në Lushnjë, Fier dhe Tiranë. 
Eshtë një jurist karriere dhe interesi kryesor i tij, është të jetë sa më i suksesshëm dhe t’i shërbejë me devotshmëri Atdheut.
Për interesa “të fshehta” nuk mund ta akuzojmë sepse edhe në thëniet e ambasadorit amerikan, veç përmendjes se është bërë pengesë e reformës, nuk zihet në gojë se për çfarë interesa.
Në këtë përballje individuale, Llalla i jonë nuk del dhe aq mirë, e megjithatë vetëm dijet edhe përvoja nuk mund të jenë kusht “sine qua non”, për të pasur të drejtë në një debat “të nxehtë“, ku mund të ketë ndikime të interesave të fshehta, mund të ketë njolla në ndërgjegje, komplote ndërkombëtare, ose sikundër aludoi Ilir Meta, “një i çmendur po e çmend këtë vend”.
Më e mundshmja është, ajo që Kryeakuzatori jonë , jurist i karrierës, e formuloi si qënie “sorosian” e ambasadorit Donald Lu. Por nëse juristi jonë i karrierës arrin të provojë, që Donald Lu është anëtar i këtij “sekti”, duhet të fusë një herë në burg gjithë “sorosianët”vendas (Meta me përkëdheli i quan “sorrat”) dhe pastaj të shpallë “non grata” ambasadorin amerikan. Ose të provojë, që Lu ka marrë “ryshfet” nga Banker Petrolum, ndaj ndërhyn për të mbyllur dosjen. Në të kundërt tregon që vetëm jurist nuk është.
Unë dua kaq shumë të ketë të drejtë Kryepokurori Llalla në këtë debat. Fshati ku ësht lindur im gjysh është më pak se 15 km në vijë ajrore nga vendlindja e Adriatikut.
Vendlindja e Lu-së është aq e largët dhe për më tepër është edhe gjysëm korean.
Por nuk arrij dot ta bëj ambasadorin amerikan as të paditur, as të korruptuar dhe as të çmendur.
Sa për Tikun…nuk e ve dot dorën në zjarr!

Monday 6 February 2017

Kur je në politikë…ke ca info më shumë!


Në fund të kësaj fjalie ka edhe një shkelje syri, por duke mos qënë shumë i mësuar me këto “emoxhis” po e le pa një të tillë, por vetëm me pikëçuditëse (shenjë pikësimi kjo që është shumë në modë në Atdhe).
Unë mbetem i pashpresë se nuk kam për të hyrë kurrë në politikë dhe e gjithë shpresa për ca “info më shumë“ ose për “info bio”(edhe kjo pjesëza e fundit ka zëvëndësuar tani “normal” dhe “e papame”), e kam në miqtë e miqve të mij që merren me politikë. Dhe meqë politikat kombëtare janë të ndërthurura edhe me ato ndërkombëtaret, kam shpresë të mësoj më shumë rreth Trampit, Merkelit, Putinit, Erdoganit, Berishës, Ramës, Bashës, Bodes, Blushit, Braçes, Rucit, Dades, Dudit, Didit dhe Xhaçkës.
Për shembull, krejt rastësisht, nga një shofer vlonjat i autobuzit të linjës Nju Jork-Baffalo mësova se luftën në Irak e kishin filluar Bushi, Dik Ceni dhe Ramsfeld për të fituar 6 miliard dollarë, të cilat i ndanë mes tyre. Kur e pyeta, nëse i ndanë në mënyrë të barabartë, më tha që i “mbrendshmi” deri më kaq i kishte thënë.
Nga politika shqiptare mund të mësosh edhe më shumë, se jemi vend i vogël dhe kemi shumë shokë e kushërinj, që kanë shumë shokë e kushërinj të tyre, në vende pune që lidhen me shokë e kushërinj të atyre që janë në politikë e që kanë, “goxha info më shumë“.
Po të kisha ndonjë shok ose kushëri të tillë, unë do hiqja dorë përfundimisht nga leximi i gazetave dhe portaleve, se ato jo vetëm, që dizinformojnë sipas interesave, por zakonisht të nesërmen përgënjeshtrojnë atë , që do thonë të pasnesërmen. Nuk ju ze dot besë!
Unë ju zura besë për sondazhet e zgjedhjeve në Amerikë dhe rrashë brenda kokë e këmbë!
Po të kisha dëgjuar një shokun tim, të cilit i kishte thënë i kushëriri, se një shoqe e tij në Tiranë, e cila megjithëse ka një surrat prej shitëseje metrazhi, është në politikë dhe kishte “ca info nga brenda që fitonte Trampi”, jo vetëm që do kisha shkruar javë më parë në blog për fitoren e tij, por mund të konsiderohesha edhe si Naumdamus.
Kur je në politikë ose ke ndonjë “të brendshëm fare”, merr edhe nga ato “infot pikante”, se kush shkon me këtë e atë, cili politikan është “gej i mçeft” dhe cili hiqet si homoseksual edhe pse nuk është, kë ka lënë shtatzënë kryetari i partisë “Lumi” ose pse nuk mban tanga kryetarja e partisë “Lugina”, pse nuk pjell e shoqja e sekretarit të partisë “Mullari” ose në ka vënë cazë silikon në kraharor deputetja e partisë liberale “Brazda”. Dikujt këto mund t’i duken si të parëndësishme para programeve të partive, por nëse politikanëve ju njeh jo vetëm dhëmbë e dhëmballë, por ju di edhe “bojën e brekëve” atëhere je Mbret I Informacionit. Dhe informacioni në këtë shekull është pushtet më tepër se kurrë. 
Tërë kjo javë më iku pa asnjë “info” të re.
Mësova vetëm që Tik Llalla e ka mbaruar të mesmen natën.
Po se mos e ndritëm ne që e mbaruam ditën!


Sunday 5 February 2017

Reflektim në largimin e Dritëroit

Ditëroi u largua si zotni. Ishte i tillë edhe kur pinte, tregonin ata, që shtroheshin me të dhe bisedonin gjatë. Nuk mërzitej. I donte njerëzit dhe e donin.
Nuk e kam takuar kurrë. Dy herë që kishte ardhur në shtëpi, një herë për 60 vjetorin e babait dhe një herë tjetër për të ngushëlluar për ikjen e tij, nuk kam qënë në shtëpi. 
Kam lexuar pothuajse të gjitha vargjet e tij, të krijuara para vitit ’90, por në prozë, vetëm Zylon dhe ndonjë tregim. Gjithmonë e kam konsideruar poet edhe pse si të tillë, kam pëlqyer më shumë Kadarenë.
Një herë, kur bënte në teatrin“Cajupi” një takim me zgjedhësit(ishte deputet i zonës ku jetonim ne), kam recituar “Krevatin e Perandorit”sepse më kishin vënë ta recitoja dhe jo se kisha shumë dëshirë. Isha në prag të adoleshencës dhe kishte filluar të më vinte turp të dilja në skenë.
Më pëlqenin disa nga poezitë e tij, ndonëse, në atë kohë pëlqeja shumë Majakovskin, që kishte forcë të ndryshme dhe varg shumë të ndryshëm nga Dritëroi. “Nënë Shqipëri”, më dukej në më të shumtën e saj, si një histori e PPSH-së e vargëzuar.
Dritëroin e kanë dashur thuajse të gjithë. Ka qënë vërtet njeri i populllit dhe që jepte dashuri. Ndryshe, vetëm me propagandaën e Partisë së Punës, nuk ka se si të spjegohet popullariteti i tij i pazaknshëm. Ishte shqiptar në palcë dhe një lloj shqiptari nga ata të mirët e Rilindjes Kombëtare. I mençur dhe i butë. Dëgjues i shkëlqyer i rrëfimeve të të tjerëve. Të ishin akademikë të letrave apo devollinj kokëtrashë. Cilësi e rrallë kjo për njerëzit e shquar.
Pesë, vjet më parë, ndoshta në 80-vjetorin e tij, mora shkas për një shkrim të gjatë rrith dritë-hijeve të Dritëroit, kryesisht filozofisë së tij për “të bërë mirë“. E bëra për rrethin e ngushtë të miqve tim dhe e vura në blog të titulluar “Sa burrë i mirë, ky Drejtor Agolli!” (Drejtor Agolli, ishte një “shpikje” e PeçI Bajamkës, i cili i kishte miq të gjithë njerëzit e rëndësishëm dhe shumicës ja u thoshte emrat sipas mendjes së tij të turbullt.)
Më vjen shumë keq që iku dhe akoma më keq, që nuk do kem kurrë rastin ta dëgjoj në një bisedë.
Ta gjej në rrjeshtat e librave të tij?
Kjo është poezi për Sadijen dhe jo për lexuesit.
Ndonjëherë, mund të më marrë malli të rilexoj Zylon.
Tani, që jam duke shkruar këto rrjeshta mbase janë nisur për ta mbuluar.
Dheu të qoftë i lehtë Dritëro!


Friday 3 February 2017

MAM


Dje mora një mesazh nga një mik i imi me këto fjalë: “Dr. Glozheni po thotë në tv, që Mam ka hyrë në veprat më të mira për 2017”.
Menjëherë më shkoi ndërmend doktori gjinekolog, që bën bebe në epruvetë në Tiranë, por nuk arrija të kuptoja se ç’ne, që një nga mamit e bebeve duhet të hynte në veprat më të mira? E pyeta, se kush ishte Dr. Glozheni dhe mu përgjigj shkurtimisht “Lenci”.
E kuptova, që nuk bëhej fjalë për ndonjë bebe apo Mami të jashtëzakonshme , por për Muzeun e Artit Mesjetar. Diku në shtyp më kishte zënë syri, për një nominim të Muzeut, por nuk e kisha lexuar në hollësi se e di që në shtyp, ja futin shpesh kot.
Lencin, edhe pse më i madh se unë, e kujtoj mirë, që në adoleshencën e tij, kur megjithëse rondokop ishte një atlet i mirë në 200 metra. U gëzova edhe , që në finishin e karrierës së tij ka marrë edhe titullin Doktor, me siguri i Shkencave Filologjike. Duke besuar në fjala e Lencit, i hodha një sy uebsajtit të “Bolles+Wilson”, për të mësuar më shumë rreth nominimit, se ndienja ishte e dyfishtë: Gëzim për këtë vlerësim ndaj Muzeut, por edhe dyshim për shkak se e dija mbi ç’projekt ishte filluar Muzeu që edhe Mikelanxheloja sikur të fuste duart, do e kishte shumë të vështirë ta kthente në një vepër dinjitoze, të denjë për një çmim botëror.
Pashë që nominimi nuk ishte nominim, por një “hyrje” e projektit në konkursin e një webi të arkitekturës të quajtur ArchDaily. Nuk kisha dëgjuar për të, e megjithatë padija ime nuk ja ul vlerën Uebit. Eshtë relativisht I ri(hapur më 2008) dhe njihet kryesisht në Europë dhe Kinë. Praktika e konkursit është e tillë: Firmat e projektimit ose arkitektë të veçantë, paraqesin foto të projekteve të realizuara dhe pas një përzgjedhje të parë (që zakonisht skualifikon vetëm “plehrat”) projektet hyjnë në listën e konkuruesve. Me një fjalë, edhe ark. Lyti nga Kukësi,(Lyti është një i njouri im, që nuk më mërzitet) mund të dërgojë një foto të një vepre të realizuar dhe shanset janë të mëdha për të qënë në listë.
Shembulli më I qartë, është një vepër tjetër që Bolles+Willson ka future këtë vit dhe po ashtu është në listë- Një banesë shumëkatëshe që quhet Kulla Kanellë (Cinnamon Tower) në Hamburg, që kur e sheh, të bën mos vesh kanellë në gojë edhe për 20 vite të tjera.
MAM është vërtet një dhuratë e madhe për Korçën. Edhe pse ka një histori me shumë ulje- ngritje, përplasje dhe prapaskena, premtime dhe dallavera, unë the që korçarët duhet t’I jenë mirënjohës Niko Peleshit, që nuk e lejoji koleksionin të rrëmbehej nga Tirana dhe i siguroi një strehë sado modeste. Ai është një thesar përrallor, që meritonte një Muze të projektuar nga Renzo Piano apo Frank Gehry, por të tilla janë mundësitë tona dhe le të themi që pas 25 vitesh më në fund ikonat shpëtuan nga prishja.
Këto përrallat me “nominime”, të sajuara nëpër zyra, ku duan të justifikojnë angazhimin e tepruar të Pit Uillsën në Korçë, sa shpojnë më shumë historitë, “që mbajnë erë“ në ndërtimet e Qendrës, që prej vitit 2010.
Sa për Dr. Lencin dua të shtoj, që gjithmonë ka rendur dhe është përpjekur për më të mirën në vendet ku ka drejtuar, qoftë shkollë fshati apo një muze si MAM.
Atletët rendin tërë jetën!


Wednesday 1 February 2017

Korça ime ( e Nikos dhe Pitit)

(Vijim)
Prej vitit 2013, Korça po kalon një periudhë “gjallërimi”, kryesisht në sajë të fondeve të dhëna nga qeveria socialiste, zv.kryeministër I të cilës është korçari Niko Peleshi. E vura në thonjza Gjallërimin, sepse personalisht mendoj, që rritja e investimeve në një qytet, duhet të vijë nga rritja e përgjithshme e ekonomisë së tij dhe si në planin privat*që duhet të përbëjë shumicën) dhe gjithashtu edhe në atë publik. Kur investimet publike bëhe nga dhurime, apo më keq nga marrje kredish, ato kthehen në “barrë“ në kurriz të qytetarëve dhe të ekonomisë, se pikërisht nga taksat do dalë kthimi I tyre.
Po le të themi, se meqë Nikon e kemi në Qeveri, ai i akordon Korçës fonde të mëdha duke “ju hyrë në hakë“, qyteteve të tjera. Ndaj dhe vjen kjo rritje në investimet publike, ku mund të përmenden ndërhyrjet në Qendër, hapja e rrugës të planifikuar si vazhdim i bulevard Republikës, rifreskimi i Parkut Rinia,e të tjera ndërhyrje, të cilat janë më të vogla dhe unë nuk kam mundur t’i mësoj nëpërmjet shtypit.
Përsëri, si në 50 vitet e Diktaturës, investimet shtetërore mbeten në një zonë shumë të ngushtë, duke mos I dhënë asnjë hapësirë Korçës, por duke e përqëndruar akoma më shumë në një trekëndësh, I cili nuk I kalon dimensioned e brinjëve më shumë se 800 metra. 
Lagjet e “përtej Lumit”, vazhdojnë të mbeten si geto, se në to thuajse mungojnë tërësisht investimet, prej “fitores së çlirimtarëve” më 1944.
Ndërtimet në Qendër arritën absurditetin e tyre, me ndërtimin e Kullës Vrojtuese, që është “mëkati” më I madh urbanistiko- arkitekturor, që në krijimin e Korçës dhe që  mund të barazohet vetëm me prishjen e Kishës së Shën Gjergjit më 1968. Për ironi të fatit, të dy objektet në fjaë, janë 50 metra larg (kuptohet me themelet e Shën Gjergjit, sepse asgjë nuk ka mbetur më nga ndërtimi më i mirë i Korçës në shekullin e XX-të).
Edhe disa paragrafe, për Planin e fundit rregullues, të cilin nuk duhet ta paragjykoj se kam pare shkarazi vetëm disa materiale, të cilat lidhen me të.
Pas planit të firmave greke dhe izraelite duket i dyshimtë, hartimi i një Plani të Ri Rregullues, ndonëse besoj se ideatorët janë kujdesur ta justifikojnë ligjërisht me Reformën Territoriale dhe krijimin e e një Bashkie të madhe, e cila ka tani brenda shumë ish-komuna.
Dyshimi shtohet me dhënien e Planit të ri, në duart e një profesionisti arrogant dhe të papërgjegjshëm, arkitetktit australian Pitë Uillsën, bashkëpronari I firmës gjermane të përmendur më lart.
Përshtypja, që kam pasur nga projekti I tij I vitit 2009(projekt fitues I konkursit për Qendrën e Korçës), ka qënë tronditëse. Nuk di se mbi ç’parime urbanistike, ai kishte parashikuar ndërtimin e një “Piramide” tregëtare në vendin ku sot është ngritur Kulla, rafshimin e shkollës  “Themistokli Gërmenji”, ngritjen e disa vëllimeve të mëdha në zonën e qendrës në fqinjësi të Pazarit e gafa të tjera më të vogla, por që flisnin jo vetëm për mosnjohje të Korçës, por edhe për keqformim profesional të tij. Vërejtjet, që shpreha zyrtarisht por edhe privatisht në autoritetet, por edhe në kolegët e mij, morën si përgjigje “po ky ishte projekti më I mirë!”.
E keqja më e madhe ishte se jo vetëm që ai u shpall fitues për atë projekt, por prej 2009-ës e deri më sot I janë dhënë të gjitha projektet e rëndësishme në Korçë, përfshrë këtu edhe Plani i Ri rregullues. Ky arkitekt ose ka gjetur “shesh dhe po bën përshesh” në Shqipëri duke qënë i favorizuar nga Nikoja ose shefi i tij, ose ka diçka më të thellë dhe më të dyshimtë. “Sahati” i tji profesional, nga ato që i kam parë të projektuara(përfshi edhe skicat e dorës) ka mbetur në vitet ‘50-’60 të shekullit të kaluar.
Ndaj, vërejtjet, që kam dëgjuar për ndërtimet e larta në Qendër të parashikuara në Planin e Ri, po I marr të mirëqëna se e di, që ark Uillsën nuk ka as aftësi profesionale mbi mesataren dhe aq më pak ndërgjegje profesionale, për një vend, që me siguri e konsideron të Botës së tretë.
Dhe këtu I rikthehem të gjithë kolegëve, dhe jo vetëm atyre, të lindur e të rritur në Korçë, të cilët heshtin dhe vazhdojnë të heshtin ndaj “masakrimit” të Qytetit tonë, nga lapsi i një profesionisti të dyshimtë.
Dhe kam parasysh edhe autoritete në fushën e projektimit, duke nisur me Piro Thomon, Gjergji Kotmilon, Vladimir Bregun, Andrea Maliqarin, Aleko Papakozmanë, Koço Kaskaviqin e plot të tjerë.
Nëse Korça nuk është më “Qyteti im”, por “i Nikos dhe Pitë Uillsën”, një barrë e rëndë faji është mbi të gjithë ne. 
Korça është nëna, bashkëshortja, motra jonë.
Mos e lini “ta përdhunojnë”!