Thursday 30 September 2021

A rrezikon PD-ja të kthehet në një lëvizje Trumpiste?


Nuk është e pamundur dhe nëse ndodh që të bëhe një Kuvend Kombëtar e të përjashtohet Basha, gjasat janë të mëdha. Jo se Basha po e mban PD-në në një orientim konservator në përputhje me Partitë e djathta europiane, por se ka të ngjarë që mungesa e kandidatëve me peshë, të sjellë në krye Evi Kokalari- Angelakis. Kuptohet nëse kjo e fundit është e gatshme të lerë për disa kohë biznesin e saj në SHBA, gjë që nuk më duket fort e mundur. E megjithatë përvoja e Bashës me një këmbë në Shqipëri dh e një në Holandë nuk e përjashton edhe këtë pandehmë.

Tashmë u bë e qartë se në Shqipëri nuk ka asnjë parti me një profil të përcaktuar ideologjik. Partia Socialiste nuk është një parti e majtë, por është partia e Ramës dhe Partia Demokratike nuk është një parti e djathtë, por parti me dy pronarë, Lulëzim Basha dhe Sali Berisha. Lufta mes tyre është se kujt i takon tapia e PD-së.

Rrezikun e kthimit në një Lëvizje Trumpiste nuk e sjell vetëm Evi, sepse brenda PD-së është shfaqur prej kohësh një simpati e madhe për Trump. Jo se është republikan, por pikërisht se është “The Donald”, që drejton në mënyrë populiste, authoritative dhe pa asnjë parim Partinë Republikane të Amerikës. Teoritë konspiracioniste të ushqyera nga Trump, gëluan brenda PD-së gjatë viteve të Presidencës së tij dhe më vonë. Më shumë po shprehen gjatë foltoreve të Berishës, ku nuk mungojnë thirrjet për të rrëmbyer kallashët.

Berishës i intereson kaosi, që është gjëja e fundit që ju intereson shqiptarëve. E ka provuar më 1997-ën që nga kaosi mund të shpëtojë dhe një gjë të tillë e kërkon edhe tani. Me idetë e “budallaqes” Kokalari-Angelakis, se “ja sa të bëhen zgjedhjet ndërmjetëse për Kongresin dhe Senatin në Amerikë më 2022 dhe të fitojmë shumicën”, Berisha ka ende shpresë se sa më shumë rrëmujë të ketë në PD dhe në Shqipëri aq më shumë shtohen shanset e tij për të shpëtuar fëmijët. Dhe në këtë luftë ai është i gjithi me kokë e me këmbë dhe do pranojë të ndodhë çdo lloj e papriture në Shqipëri.

Lëvizja Trumpiste është modeli më i përshtatshëm për qëllimet e Berishës. Këtë e konfirmoi përpjekja për të pushtuar Kapitolin më 6 janar të këtij viti. Dhe nëse në krye të Lëvizjes shqiptare vihet një Trumpiste si Evi, atëhere është akoma më mirë se tregon edhe fytyrën gjoja amerikane të PD-së.

Evi Kokalari nuk ka asgjë amerikane. Ose më mirë ka në mendjen e saj atë pjesë më të keqe të Amerikës që është babëzia për para, ngushtësia mendore dhe mungesa e parimeve. Eshtë shumë larg nga e djathta europiane madje edhe nga ekstremesitët si Mari Lë Pen.

A është më mirë që PD-ja të ndahet në pjesë?

Eshtë më mirë se të përfundojë si Levizje Trumpiste nën drejtimin e Kokalarit.

Monday 27 September 2021

Shirat

Ju ruhem shirave,

Atyre të butë dhe të rrebeshtëve.

Trembem se më marrin edhe të fundit grimë

Të aromës që le në trupin tim.

Netëve

Dhe ditëve pambarim.

Nuk do e bëja

Nëse vinin prej vendit tënd.

Do dilja cullak të qullesha,

Të thithja stërkalat pas pllaquritjeve,

Le të thonë se jam i krisur,

Le të pëshpërisin se më ke lënë pa mend.

E di se nga vijnë,

Gjumi netëve nuk më ze

Dhe me sy ndjek retë,

Kjo nuk ndodh një natë a dy a tre,

Ka nisur qyshkur më le vetë.

 

 

Sunday 26 September 2021

Cila jeni ju Evi Kokalari-Angelakis?


Në skenën politike shqiptare u shfaq këto ditë edhe agjentja e shitjeve të pasurive të patundshme në Nju Jork, Evi-Kokalari Angelakis.

Nuk dua të shpreh asnjë dyshim për atdhedashurinë e saj, si dhe për ndjenjat antikomuniste, se vjen nga familja me emër e Kokalarëve të Gjirokastrës, që u përndoq shumë nga Enver Hoxha. Nuk ve në dyshim edhe se është një shqiptaro-amerikane e pasur dhe e suksesshme. Pak rëndësi ka edhe se si e ka arritur suksesin dhe fushën ku e ka arritur, sepse fituesit nuk duhet të gjykohen. Gjithashtu Evi mund të ketë ardhur për pushime në Shqipëri dhe meqë u ndodh në kohën e vorbullës Berisha –Basha-Basha-Berisha mori pjesë edhe në Foltoren e Berishës në Vlorë, ku shprehu mbështetjen për Berishën.

Po cilat janë pikpamjet e përgjithshme filozofiko-politike të Evit:

Evi është mbështetëse e përkushtuar e Trump – Dhe këtu nuk ka asgjë të keqe

Evi është kundër vaksinave Covid-19 – Dhe këtu është një e keqe jo e vogël

Evi beson një pjesë të mirë të teorive komplotiste që trumbeton Q-anon – Dhe kjo është një e keqe akoma më e madhe.

Po me ç’farë mandat vjen agjentja imobiliare Kokalari në Shqipëri, që i drejtohet demokratëve dhe shqiptarëve se do kenë mbështetjen e Partisë Republikane?

Me mandatin e rremë të një agjenti që shet shtëpi, që si profesion ka t’i bëjë reklamë edhe shtëpisë më të shkatërruar që I kanë besuar të shesë. Kokalari jo vetëm që nuk ka asnjë funksion shtetëror apo partiak, por është si të gjithë ata mijra amerikanë, që duan të merren me pak politikë, të dalin në televizion kur ju jepet mundësia dhe të bëjë fotografi të panumurta me kongresmenë e senatorë. Dhe që të bësh një foto me këta të fundit është gjëja më e lehtë në Amerikë. Eshtë shumë herë më e lehtë se të duash të dalësh foto në Shqipëri me Grida Dumën apo Taulant Ballën.

Ky angazhim i Evit e ndihmon për biznesin e saj në Nju Jork ndaj ajo ka për të bërë ç’është e mundur që të dalë në tv jo vetëm si mbështetëse e Trump, por edhe si eksperte e punëve shqiptare. Një nga marrëzitë më të mëdha të saj ishte përpjekja online për të organizuar inagurimin e Trump si President në të njëjtën ditë, kur bëhej ceremonia e inagurimit të Biden.

Do kisha patur dëshirë që dikush nga gazetarët e mirëinformuar rreth saj t’i bënte pyetjen:

Cila jeni ju zonja Evi-Kokalari Angelakis?

Më pas, për të informuar publikun shqiptar, të rrjeshtonte të bërat dhe të pabërat e saj, që kam frikë se nuk janë shumë të pastra.

Saturday 25 September 2021

Kristo Floqi, Korça dhe KOKO festival.


Na kishte mbetur për vite të tëra një lloj përçmimi për figureën e Kristo Floqit, më shumë të ndikuar nga vargjet e Nolit “Topi i Klosit po pëlcet/ Fyti i Floqit po këlthet/ C’është ky sheqer kësmet/Hallvaxhinë e pamë mbret…” Nolin e besonim shumë më shumë se propaganduesit e Diktaturës ndaj mësuam fare pak se kush ishte në të vërtetë Kristo Floqi dhe se ç’farë vlerash kishte si dramaturg.

Kristoja ishte djali i dytë i një familje të pasur korçare, e cila banonte në lagjen Mantho, një nga “mëhallat” e vjetra rreth Mitropolisë. I jati, Vasil Floqi, lindi në Floq dhe prandaj mbante si mbiemër emrin e fshatit si shumë korçarë të shekullit të XIX. Ishte një nga familjet me kontribut shumë të madh patriotik dhe vetë Kristoja pat bërë shumë për Shqipërinë me gjithshka që kishte.

Po a e kujton Korça si duhet këtë korçar të madh?

Për fat të keq, në qytet ka një inerci postkomuniste për vlerësimin e figurave të lëna në heshtje nga Diktatura. Ndoshta jo për arsye politike, por nga padija dhe sepse nuk ka të afërm të Kristo Floqit të trokasin dyerve të Bashkisë për të pasur të paktën disa veprimtari në kujtim të tij. Në një shkrim të mëparshëm rreth emrit të teatrit të Korçës kam përmendur se Kristo Floqi duhet të jetë një ndër emrat që duhen konsideruar kandidatë për emrin e Teatrit, krahas Xhon Belushit, Sokrat Mios, Vangjush Furrxhiut, Pandi Raidhit, Piro Manit, Ruzhdi Pulahës etj.

Po a mund të bëhet kjo pa e njohur publiku korçar veprën e Floqit? Eshtë e pamundur.

Kristo Floqi ka shkruar dhjetra drama dhe komedi dhe është padyshim dramaturgu shqiptar më prodhimtar i para Luftës së Dytë Botërore dhe ndër më prodhimtarët e të gjithë kohërave, i krahasuar vetëm me korçarin tjetër, Ruzhdi Pulaha dhe Fadil Krajën. Nuk di nëse në ndonjë nga edicionet e KOKO festival është përmendur ndonjëherë Floqi, se për vënie në skenë të ndonjërës nga komeditë e tij nuk bëhet fjalë.

Festivali i Komedisë në Korçë duhet patjetër të përmbajë një komedi të Kristo Floqit në edicionin e tij të ardhshëm. Drejtuesit, regjisorët dhe aktorët e kanë për detyrë të njihen me veprat e tij, të ndërhyjnë artistikisht edhe në ndonjë pjesë të tyre që nuk i qëndron kohës për ta sjellë para publikut korçar dhe të gjithë teatërdashësve në trojet shqiptare. Nuk do i bëjnë nder Kristo Floqit, pasi figura e tij i bën nder Korçës dhe Festivalit të saj të Komedisë.

Mjafton pak më shumë njohje dhe vullnet i mirë.

Thursday 23 September 2021

“Gomari i ngordhur” nuk është zënë akoma


Më 14 prill 2018 pata shkruar rreth  urdhër-arrestit për ish Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla me theksin se etusiazmi për ndjekjen e tij penale ishte i tepruar dhe kishte arsye propagandistike. Shkrimi titullohej “Adriatik Llalla nuk është “peshk i madh”, por “gomar i ngordhur”. Më poshtë është linku:

https://kuendemi.blogspot.com/2018/04/llalla-nuk-eshte-peshk-i-madh-por-gomar.html

Fakti që Llalla i zvarriti kaq gjatë gjyqet dhe ishte edhe në gjendje të largohej nga vendi për të kërkuar azil politik ose për t’i shpëtuar burgut në Shqipëri, tregon se ka një problem të madh me Reformën në Drejtësi. Në 3 vjet e gjysëm as Llalla dhe as Saimir Tahiri nuk janë futur pas hekurave edhe pse akuzat e tyre janë thjeshtuar shumë nëse krahasohen me ato fillestare.

Për të arrestuar tëë tjerë “të mëdhenj” nuk bëhet fjalë deri më tani edhe pse gazetarët që ndjekin SPAK-un të entusiazmuar deklarojnë se ka 47 dosje të rëndësishme, 4-5 janë shumë të rëndësishme dhe një vilë shumë e njohur në Shqipëri së shpejti do rrethohet me shiritat “ndal policia”.

Meta është ende president, Rama u rizgjodh kryeministër, Ahmetaj u ngrit në detyrë dhe fëmijët e Berishës nuk kanë pësuar asgjë veç shpalljes “non grata”nga SHBA.  

Eshtë e vërtetë se edhe në vende me më shumë përvojë dhe personel prokurie më të madh punohet me muaj dhe me vite për një dosje, që të jetë “antiujë“, por të tilla tejzgjatje kur shumë dallavera janë bërë hapur dhe njëkohësisht ekzistojnë provat material si shtëpi, truaj apo makina që nuk justifikojnë të ardhurat, jan[ absurd. Dosjet “e nxehta” duhet të shkojnë më shpejt para gjykatës.

Gazetarët e mirëinformuar flisnin dje në televizion se në dasmën e një ose më shumë prokurorëve, kolegët e ftuar kishin hedhur mbi njëqindmijë euro gjatë vallzimit të nuses dhe dhëndërit. Një tjetër rast i provuar ishte për një gjykatës, që vetëm në një fundjavë jashtë shtetit kishte blerë mallra me vlerë mbi 200 mijë euro. A është kaq e vështirë për t’i ndjekur penalisht?

Vila e Metës ka shumë vjet që ka dalë edhe në emision televiziv dhe për më tepër ekzistojnë me dhjetra dokumenta që implikojnë Ilir Metën në korrupsion të habitshëm. Duhet të pritet që ta shpallë SHBA “non grata”?

Nëse përdorim për analogji proceset Llalla dhe Tahiri, atëhere edhe sikur procesi Meta të nisë para fundit të këtij viti, do zgjatë me vite deri më sa ai bashkë me familjen të kenë siguruar strehim politik në një shtet ku nuk është e vështirë të korruptosh drejtuesit e shtetit. Edhe për 4-5 vite të tjera do dëgjojmë dënglat nëse ishte apo jo i korruptuar apo përndiqet nga Sorosi?

Me të drejtë njerëzit që presin në pastrimin e politikës i pushton pesimizmi dhe duan të largohen nga vendi. Po i gëzojnë paratë e shumta të korrupsionit Nanoja, Angjeli, Fullani dhe shumë të tjerë. Të krijohet përshtypja se edhe për dhjetë vjet të tjera nuk do ketë të arrestuar veç ndonjë “gomari të ngordhur”, që do bëjë pak burg për të mos tradhëtuar ata që e kanë urdhëruar.

 

 

28 mijë arkitektë


Në Shqipëri, sipas të dhënave statistikore jo të konfirmuara nga Instituti I Statististikave, ka 28 mijë arkitektë. Një arkitekt për çdo kilometër katrore. Mund të duken shumë, por nuk janë shumë se edhe të përpiqesh për të transformuar një kilometër katrore hapësirë nuk është e lehtë.

Problemi qëndron në faktin se nga këta 28 mijë as një e njëzeta nuk punojnë dot në profesion. Megjithë vendet e tejmbushura me arkitektë në Bashkitë e Shqipërisë, përsëri pa pasur zhvillim të madh të studiove private të arkitektëve, të ndërmarjeve të prodhimit të paisjeve ndërtimore, të industrisë së mobiljeve, të firmave private të gjelbërimit etj., nuk mund të ketë as punësim të të gjithë arkitektëve dhe as “vjelje” të aftësive të tyre profesionale në dobi të Shqipërisë.

Më të shumtit e të posadiplomuarve punojnë shoferë taksie, kamarierë, në center-call ose në të tjera lloje punësh, të cilat ju ofrohen. Pasioni dhe talenti i mijra të rinjve i shkuar kot. Zhgënjimi i tyre dhe i familjeve gjithashtu i madh pa llogaritur dëmin financiar.

E gjitha kjo ndodh për shkak të neglizhimit të qeverisë, të lakmisë financiare të universiteteve dhe të peshës së papërfillshme të Shoqatës së Arkitektëve.

Nuk ka asnjëë orientim nga qeveria dhe institucionet qeveritare se cilat janë profesionet më të kërkuara në tregun e punës. Universitetet nga qëndra të dijes dhe studimit janë kthyer në institucione të babëzisë finanaciare dhe mund të hapin kurse pambarim nëse kanë kërkesa nga maturantët.

Por një rol të madh duhet të ketë Shoqata e Arkitektëve, e cila ka për detyrë mbrojtjen e interesave të profesionistëve dhe krijimin e kushteve për të rikualifikuar arkitektët që praktikojnë profesionin dhe të ndihmojë të rinjtë që aspirojnë të bëhen të tillë. Ndoshta ka pengesa ligjore dhe statusi që i jep ligji nuk ja krijon këto mundësi, por gjithshka duhet bërë për të ndryshuar ligjet që lidhen me profesionin e arkitektit. Shembuj ka në të gjithë botën nëse do të mësosh, por jo nëse vendin në shoqatë e sheh si trampoline për të qënë në rrethe VIP-ash apo për të siguruar pprojekte.

Fakt është që profesioni i arkitektit në Shqipëri është në krizë. Askund nuk flitet për të në 28 mijë kilometrat tona katrore.

Wednesday 22 September 2021

“Kur t’ka dash Korça, t’ka dash gjith’ bota!”


Ishte nëntori i vitit 1994, kur në një podium para Luftëtarit Kombëtar, Sali Berisha i drejtohej të pranishmëve me fjalët: “Kur t’ka dash Korça, t’ka dash gjithë bota!”. Kaloja me një shok para dyqanit të Bopit dhe na erdhi për të qeshur me thirrjet e Berishës dhe brohoritjet e ndjekësve të tij. Nuk kisha marrë kurrë pjesë në mitingje, që prej kohëve kur na nxirrnin me detyrim dhe i fundit duhet të ketë gjatë vizitës së Ramiz Alisë në Korçë pasi ishte zgjedhur Sekretar i Parë.

Simpatia për Sali Berishën na ishte fashitur prej verës së vitit 1992, kur dëboi nga Partia mocionistët, sepse na u duk një veprim krejt i kundërt nga ai që prisnim nga demokratët. Ishte tërësisht i kopjuar nga Partia e Punës. Gjatë fushatës për Kushtetutën e Re, jo aq nga fuqitë që po përpiqej të merrte, por nga skizofrenia e mitingjeve të tij, nuk i dëgjonim më lajmet.

Dukej që në qytet shumë njerëz ishin zhgënjyer nga Berisha, se edhe në tubimin në fjalë nuk kishte masë të madhe njerëzish edhe pse Partia Demokratike kishte edhe Bashkinë edhe Komitetin e Rrethit. Ndjehej një frymë qytetare në Korçë, që edhe pse kishte votuar dy vjet më parë për demokratët, ishte shumë kritike ndaj veprimeve të tyre në qendër dhe në qytet.

Gjatë ditëve të Referendumit kalova shumë mbrëmje me të ndjerin Piro Kasati, trajnerin e famshëm të atletikës, që si gjithnjë ishte në një humor që më bënte të gajasesha. Më vinte çudi që ishte kundër Salës dhe Referendumit, sepse e kishte pësuar shumë nga Diktatura dhe nuk kishte qënë asnjëherë pro socialistëve. Komentet e tij për fushatën e Saliut përshkrueshin nga një humor i mrekullueshëm, që rrallë e kam dëgjuar prej asaj kohe. Kasati duhet të dinte diçka më shumë se unë sepse ishte kategorik kundër ndryshimeve në Kushtetutë. Unë i kundërshtoja për ta ngacmuar dhe ai vazhdonte komentet e tij pikante dhe të qëlluara. U takuam edhe ditën e shpalljes së rezultatit dhe më theshte: “Njëra nga arsyet që humbi Saliu ishte nga që tha – Kur t’ka dash Korça t’ka dash gjith’ bota!”

Më vijnë në mendje këto ngjarje komike, tani që shumë demokratë nga Korça deklarojnë se “Berisha është i mirëpritur të bëjë Foltore në Korçë dhe ne jemi me të.”

Mos ndoshta kjo dashuri konfirmon fundin e Salës?

PS. Demokratët deklarues quhen Gjergji Papa, Agron Azisllari ose Goneja i Gjykat[s dhe Andrea Mano ose Mandoja.

Tuesday 21 September 2021

Përsëritja e historisë 60 vjet më vonë


Ka një ngjashmëri edhe pse jo të plotë mes prishjes së Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik dhe shpalljes së Berishës “non grata” nga Amerika me gjithë pasojat në Partinë Demokratike të Shqipërisë.

Në të dyja rastet i është mëshuar dhe i mëshohet shumë sovranitetit. “Ne jemi një Parti Komuniste e një vendi sovran dhe nuk ju përulemi presioneve”- ishte përafërsisht përgjigja që i jepte Enver Hoxha Hrushovit më 1961. “Me përjashtimin tim nga grupi parlamentar humb sovraniteti i Partisë Demokratike dhe i Shqipërisë“- është përafërsisht ajo ç’ka thotë Sali Berisha.

Enver Hoxha nuk ju përulej presioneve të Hrushovit, të cilat kishin të bënin me largimin e tij nga posti i Sekretarit të Parë. Sali Berisha nuk e ka luksin t’i rezistojë presionit amerikan, sepse çelësat e Partisë ja ka dhënë dikujt tjetër, të cilin mendonte se do ta kishte gjithnjë marioneteë.

As ngjarja traumatike e vitit 1961 nuk kishte të bënte me sovranitetin e Shqipërisë edhe pse është paraqitur si e tillë nga propaganda komuniste dhe nga letërsia shqiptare ku kryesojnë veprat e Kadaresë: romani“Dimri i Madh” dhe poema “Viti 1960”. Por Enver Hoxha kishte në dorë propagandën dhe letërsinë ndaj historinë mund ta bënte si të deshte vetë. Partia Komuniste nuk kishte qënë asnjëherë një parti sovrane e një vendi sovran. Kjo për dy arsye kryesore, se klika që drejtonte pas luftës ishte e paaftë për të drejtuar vendin dhe kryesorja që i duheshin patjetër ndihma ekonomike për të mbajtur njerëzit me punë dhe bukë. Nuk kishte qënë sovrane as ndaj Titos, që nuk e ndihmonte ekonomikisht, por e xhvaste Shqipërinë.

Pas prishjes me Titon, për 13 vjet PKSH-ja varej plotësisht nga ndihmat e Moskës për të zhvilluar vendin ndaj edhe pas Kongresit të XX edhe ndaj Stalinit u mbajt i njëjti qëndrim si i partive të tjera. Hoxhës nuk i bëhej vonë për Stalinin, por kur erdhi puna që ju rrezikua vendi i Liderit atëhere u përball me Hrushovin deri në prishjen e marëdhënieve.

Edhe Sali Berishës nuk i bëhet vonë as për sovranitetin e Shqipërisë dhe as për partinë Demokratike.  Edhe proamerikanizmi i tij, që trumbetohet me të madhe nga ata, që i shkojnë pas ka qënë i detyruar sepse nuk ka patur mundësi të tjera. Proamerikani Sali ka shumë vite, që le deklaron se Sorosi “bën ligjin” në administratën amerikane, duke qënë i ndërgjegjshëm se gënjen dhe njëkohësisht njollos politikanët e vendit aleat. Në vitin 1997 nuk linte gjë pa thënë mes të tijve për Klintonin dhe “komunistët” e Partisë Demokratike të SHBA.

Në krahasimin e këtyre dy ngjarjeve vlen të përmendet shprehja e njohur e Marksit : “Historia përsërit veten në fillim si tragjedi dhe herën e dytë si farsë“. E para ishte tragjedia e popullit shqiptar, i cili kaloi edhe njëzet vjet pas saj nën Diktaturën më të ashpër komuniste. Këtë rradhë farsa e sovranitetit e Saliut vetëm sa zbavit publikun shqiptar dhe ndërkombëtarët.

 

Monday 20 September 2021

Ti frigesh XXVII

Hëna më pranë se kurrë ishte mbrëmë

Me sy i shquaje dunat e saj.

Pyesje veten:

“Atje nuk ka erë

Si ajo që më bën të dridhem

Se vjen prej tij?

Si mund të krijohen dunat?”

Kodrat e rërës nga dhimbja mblidhen

Edhe nga frika,

Ashtu si ti trembesh nga të shtunat.

Mos prit edhe shumë hënë të tjera,

Shtratit të akulluar t’i vidhesh,

Eja këtu ku e ngrohtë është era

Dhe do ndjesh se më s’do frigesh!

 

Saturday 18 September 2021

Si e legjitimojmë të Keqen


Disa vite më parë, një miku im ishte në mëdyshjen nëse duhet të pranonte apo jo një dekoratë, që i ishte akorduar nga Presidenti Meta. Ceremonia parashikonte një udhëtim në Uashington dhe dhënien e dekoratës a të titullit nga Ilir Meta në mjediset e ambasadës shqiptare.

Mëdyshja kishte të bënte me faktin, që miku im jo vetëm e dinte se sa i korruptuar ishte Meta, por edhe e kishte shprehur në biseda me shokë dhe të afërm. Standartet e tij morale janë shumë të ndryshme nga ato të Presidentit shqiptar. E megjithatë shkoi në ceremoni duke justifikuar veten se “Respektova institucionin e Presidencës!”

Nuk është rasti i vetëm dhe ka shumë njerëz të nderuar, që nuk pajtohen me korrupsionin e politikanëve shqiptarë, por presin për vizita Ramën, Metën, Berishën dhe plot “krokodilë tahmaqarë“ edhe pse e dinë se cilët janë dhe se ç’farë i kanë bërë vendit.

Por a qëndron justifikimi: “Respektova institucionin!”?

Gjatë katër viteve të administratës së Trump pati shumë raste kur ekipe sportistësh ose të tjerë njerëz të shquar ishin ftuar të priteshin nga Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe refuzuan sepse ishin kundër qëndrimeve të tij raciste ose përçmuse ndaj minoriteteve. Dhe duhet përmendur që ftesa për të vizituar Presidentin në Shtëpinë e Bardhë konsiderohet si nder shumë i madh në Amerikë.

Dhe kjo ka ndodhur edhe ndaj presidentëve të tjerë dhe në vende të tjera të botës.

Njerëzit e mirë nuk e legjitimojnë të Keqen.

Ilir Meta është zgjedhur President në mënyrë të ligjshme. Por (dhe është një por i madh) aferat e frikshme korruptive të tij, i kanë parë njerëzit në video. Nuk është sekret dhe as mund të dyshohet për thashethem. Nëse e fton në shtëpi dhe e ve në krye të vendit atëhere bën me krahë hajdutin Meta me bandën e tij dhe dëshpëron me dhjetra njerëz, që presin që e keqja të ndëshkohet.

Pas kësaj humbet e drejta morale për të folur kundër korrupsionit.

 

A ka të bëjë ideologjia në shpalljen“non grata” të Berishës? (fund)

 


(vijim)

Shpesh bëhet pyetja: Pse pikërisht tani dhe jo më parë, Berisha u shpall “non grata”?

Arsyeja është vetëm një:

Berisha thuajse kontrollonte sistemin shqiptar të drejtësisë dhe bëri ç’kishte në dorë të pengonte projektin amerikan për Reformën në Drejtësi. Në shënjestrën e Departamentit amerikan ai ishte që në kohën e ambasadorit Donald Lu sëbashku me Ilir Metën. Jo për korrupsionin e llahtarshëm të tyre, por për sfidën që po i bënin amerikanëve për të realizuar projektin. Për të njëjtën sfidë në listën “non grata” përfundoi i pari Prokurori I Përgjithshëm Adriatik Llalla. Fundi i Llallës ishte i shpejtë, por nuk mund të bëhej e njëjta gjë për një ish-kryetar partije dhe një President. Vendime të tilla janë delikate për Departamentin e Shtetit, i cili duhet njëkohësisht të përballet me opozitën në Amerikë për të argumentuar që vendimi nuk është arbitrar. Njëkohësisht gjendja e brishtë politike në Shqipëri, me largimin e opozitës nga Kuvendi e bënte një vendim të tillë të paarsyeshëm për tu bërë në atë kohë, ndaj dhe propozimi as nuk shkoi në tavolinën e Pompeit për ta firmosur.

Po përse u shpu të firmosej, kur erdhi Blinken dhe pikërisht pas zgjedhjeve të 25 prillit?

Amerikanët kanë investuar kohë dhe para në projektin “Shqipëri me Drejtësi të reformuar”. Nuk duan që ky projekt të dështojë dhe Sali Berisha është një nga pengestarët e tij. Por më tepër se kaq, duke parë se ende nuk ndjehej efikasiteti i Qeverisë dhe i SPAK-ut për të hapur procese ndaj “peshqve të mëdhenj”, amerikanët e humbën durimin dhe bënë atë që duhet ta bënin shqiptarët. Paralajmëruan klasën politike shqiptare se nëse vazhdojnë me korrupsion dhe të sfidojnë projektet amerikane do “digjen” përfundimisht. Paralajmërimi është për Ramën dhe Bashën dhe për këlyshët e tyre të korruptuar. Ndaj edhe pse më të tremburit “për momentin” duken Berisha, Meta dhe Kryemadhi, nga politika amerikane e të shpallurit “non grata” janë frikësuar edhe Rama me Bashën. Eshtë kjo arsyeja që ky i fundit e “dorëzoi” Berishën.

Po le të supozojmë një çast se nuk do kishte fituar në zgjedhje Biden por Trump. A do ndodhte shpallja “non grata”? Administrata e Trump, më shumë se republikane tradicionale ishte një administratë “allo soj”, e cila vepronte shumë sipas impulsive të Presidentit dhe këshilltarëve të afërm të tij. Fakt është që në kohën e Trump, Shqipëria nuk zinte shumë vend në projektet amerikane dhe ishte e mundshme që Reforma në Drejtësi të zvarritej. Por duhet thënë se Berisha kishte disa vite që nuk shkonte dot në Amerikë dhe një përfshirje në “listën e zezë“ e kishte edhe pse jo zyrtare.

Ndaj për të ardhur në përfundim të këtij shënimi:

Berisha në raport me amerikanët ishte “kartë e djegur” dhe kjo nuk kishte të bënte me ideologjinë, ose më pak akoma me Sorosin, Delina Ficon dhe Ramën. Ajo që ndodhi në maj ishte përjashtimi i plotë nga politika shqiptare, që edhe me përpëlitjet e Saliut nuk mund të zgjatë më shumë se edhe disa muaj të tjerë.

Friday 17 September 2021

A ka të bëjë ideologjia në shpalljen“non grata” të Berishës?


Qarkullon në Shqipëri idea se Demokratët amerikanë, si parti e qëndrës së majtë janë më të prirur të godasin Berishën e të mbështesin Ramën. Argumenti që japin shumë njerëz është se po të ishte në pushtet Partia Republikane Berisha nuk do shpallej “non grata”.

Unë nuk mund të them me siguri se çdo bënte një administratë republikane ndaj Berishës, por për një gjë jam i sigurt, që nuk ka asnjë afëri ideologjike mes krahëve politike në Shqipëri dhe  Amerikë. Ose të shprehem më saktë- Lidhjet e krijuara nga parti të caktuara ose individë të caktuar shqiptarë me krahët politikë ose përfaqësues të tyre amerikanë nuk janë të natyrës ideologjike.

Në kohën e ndryshimit të sistemit në Shqipëri, të gjithë politikanët amerikanë mbështesnin forcat antikomuniste, pra Berishën me shokë. Mbështetja ishte më e madhe nga Partia Republikane, sepse shqiptarët në Amerikë ishin më të afërt me këtë parti. Ndoshta në këtë kishte ndikuar fakti, që lobi grek dhe ai sërb ishin më të afërt me Partinë Demokratike në Amerikë ndonëse nuk mund të thuhet se të gjithë grekët dhe të gjithë sërbët votojnë për demokratët. Ndër shqiptaro-amerikanët më aktivë të asaj kohe ishte Ekrem Bardha, por edhe biznesmenë të tjerë shqiptarë dhe kosovarë ishin përkrahës të Bushit(atit). Ndaj edhe lidhjet e Berishës në Amerikë ishin kryesisht me politikanë republikanë.

Gjërat ndryshuan në lobimin shqiptar gjatë luftës së Kosovës, se çuditërisht republikanët, duke përjashtuar senatorin MekKein, ishin kundër administratës së Klintonit për bombardimin e Sërbisë. U shtuan mbështetësit shqiptaro-amerikanë të Partisë Demokratike dhe njëkohësisht po shtoheshin edhe marëdhëniet e afërta të politikanëve shqiptarë me politikanët e majtë amerikanë. Përsëri Berisha dhe të tjerë përfaqësues të së djathtës kishin lidhje më të forta, sepse socialistët shiheshin ende me dyshim në Uashington.

Gjatë administratës së Bushit marëdhëniet Shqipëri-Amerikë u bënë edhe më të afërta, sepse qeveria shqiptare mbështeti luftrat në Afganistan dhe në Irak, në ndryshim nga shumë vende të tjera europiane. Proamerikanizmi shqiptar ishte edhe arsyeja e vizitës së Bushit në Shqipëri, ku ju rezevua një pritje që nuk e kishte parë as në Amerikë. Në çdo vend tjetër Europian Bushi i vogël ishte pritur me protesta dhe fyerje. Ishte presidenti amerikan më i papëlqyeshëm për europianët.

Berisha vazhdoi t’i konsolidonte marëdhëniet e tij personale me politikanët amerikanë, duke ju dhënë mundësira biznesi ose pagesa të drejtpërdrejta, si ishte rasti i republikanit Tom Daschle. Në Shqipëri gjithashtu të djathtët përhapnin legjendën se Berisha ishte i preferuari i Amerikës. Sidomos pas qëndrimeve të ambasadorit Arvziu pas vrasjeve të 11 janarit 2011.

Duhet nënvizuar një faktor, që u përmend dje nga ambasadorja amerikane në intervistën e dhënë në Zëri i Amerikës.

Ambasadorët amerikanë mbështesin qeveritë e zgjedhura në mënyrë të ligjshme, se pikërisht për këtë janë dërguar. Të mbrojnë pranë qeverisë së një vendi interesat e shtetit amerikan.

Në këtë këndvështrim duhen parë edhe qëndrimet e Mariza Linos, edhe ato të Arvziut edhe të Donald Lu edhe të Yuri Kim dhe gjithë ambasadorëve të tjerë.

Ambasadori amerikan nuk ka për detyrë të bëjë as gjykatësin dhe as arbitrin në çështjet e politikës shqiptare. Edhe nëse ndërhyjnë më shumë se sa na duket ne “normale” nuk ka pse t’i bëjmë me faj. Janë duke bërë punën e tyre brenda hapësirës që ju lejojmë ne.

(vijon)

 

 

Thursday 16 September 2021

Ben Blushi dhe Alfred Cako


Në mënyrë të turpshme dhe më keq akoma, kriminale, Top Channel vazhdon t’i lerë hapësirë Alfred Cakos në çështjen e vaksinimit kundër Covid-19.

Nuk ndodh në asnjë vend të zhvilluar perëndimor.

Ben Blushi nuk është idiot, ndonëse e di veten pak më të ditur dhe të sofistikuar se ç’është. Por nuk ka asnjë spjegim logjik që emisionet e televizionit që drejton ftojnë gjithnjë Cakon me idetë e tij komplotiste dhe sidomos kundër vaksinimit. Edhe nëse do mundohet të justifikohet me Lirinë e fjalës apo edhe me ndjekjen nga dëgjuesit, Blushi e ka të qartë që po bën të kundërtën e asaj që bëjnë kanalet televizive serioze në botë dhe gjigandët e mediave sociale.

Në një vend të varfër, me sistem shëndetsor të cilit njerëzit nuk i besojnë, me një popullsi të madhe në fshat që e ka më vështirë të informohet, t’ju lesh vend marrëzive të Alfred Cakos është kriminale!

Unë nuk besoj se e bën për të rritur numurin e shikuesve.

Një spjegim më i logjikshëm është që Blushit kjo i kërkohet nga Rama, i cili është i interesuar të “turbullojë“ opinionin publik shqiptar, nga ku mund të paraqitet më serbes si mbështetës i shkencës, si i përparuar dhe njëkohësisht të mund të hedhë fajet për dështimet në fushatën anti-Covid tek popullsia që ngurron të vaksinohet.

Të dy janë diabolikë dhe duket që e kanë rifarkëtuar prej disa kohësh miqësinë e tyre të hershme djallëzore për tu pasuruar “mbi kurrizin e të paditurve shqiptarë“.

Sot u duk qartë fytyra hipokrite e Blushit, që bën Top-in të parin institucion të medias që do kërkojë vaksinim të detyruar për punonjësit e tij.

Njerëz që nuk e njohin fjalën e thjeshtë shqipe me katër gërma: T-U-R-P

 

Wednesday 15 September 2021

Një administratë palaçosh


M’u kujtua sot shprehja e një mësueses time, e cila i drejtohej Edi Ramës në prani të Niko Peleshit: “E kam thënë unë që vetëm Edi Rama mund ta bëjë Shqipërinë!” Kjo duhet të ketë ndodhur në fushatën zgjedhore të vitit 2017.

Si për ironi të fatit, disa muaj pasi kishte fituar zgjedhjet, i vetmi Shqipëribërës mori një vendim, ku në listëne Muzeve Kombëtarë nuk përfshihej më Mësonjtorja e Parë Shqipe. Mësuesja ime dhe shumë mësues të tjerë nuk kishin si ta mësonin këtë, pork orçari Niko Peleshi ishte anëtar i asaj qeverie. (Të tjera mësuese në të njëjtën drekë falas gjatë zgjedhjeve të 2017-ës patën ngritur në qiell Nikon.)

Nuk di si ndjehen sot, ose si u ndjenë gjatë diskutimeve për Mësonjtoren në mars këtij viti mësueset pensioniste, por gjykoj se kanë ndjerë një dhimbje në shpirt për vlerat e nënçmuara tç Mësonjtores.

Vendimin e Këshillit të Ministrave të 17 majit 2018 nuk e kundërshtoi as Bashkia e Korçës, në interes të së cilës është fuqizimi i institucionit, por ndoshta në Bashki nuk e lexon njeri Gazetën Zyrtare, ose mendojnë se “i di më mirë Edi me Nikon këto punë!”

Për tre vite të tjera, Mësonjtorja pati një status të dyfishtë edhe Muze Kombëtar sipas VKM.nr 13 të janarit 1997 dhe jo pjestare e listës së Muzeve Kombëtarë të majit 2018. Ndërkohë Muzeu vazhdonte të degradonte deri sa pas tërmetit u rrezikua edhe gjendja konstruktive e tij. Bashkia nuk kishte pse të merrej me të se nuk e kishte në varësi, ndërsa Ministria e Kulturës nuk e kishte Muze Kombëtar, por një muze të zakonshëm.

Deri sa më në fund gjendja po bëhej më e rëndë, po afroheshin zgjedhjet e përgjithshme, ndaj u mendua që me një gur të vriteshin disa zogj “Muzeu të meremtohej, populli i Korçës të gëzohej dhe grupi Rilindas që do realizonte projektin të nxirrte ndonjë të shkoqur.”

Kjo është e gjithë historia e një administrate qëndrore dhe vendore kllounësh, të cilët po bëjnë Shqipërinë duke zhbërë vlerat!

Do vazhdonte Mësonjtorja me të njëjtin status “as mish as peshk”, po të mos kishin ndodhur kundërshtimet gjatë përurimit të këtij marsi. Më pas kujtohen ministrat të ujdisin këtë “çorbë të qelbur” duke bërë një vendim të ri të Këshillit të Ministrave ku përcaktohet statusi më i ulët dhe shfuqizohet VKM e vitit 1997. Tani Mësonjtorja është në periudhë “tranzicioni” dhe administrohet nga Muzeu Mesjetar. Se ç’lidhje ka Muzeu Ikonografik me Mësonjtoren këtë e dinë vetëm “ronxhobonxhot” që drejtojnë këtë shtet dhe përdorin paratë e taksapaguesve si ja u do “e zeza zemër”!

Tuesday 14 September 2021

Ne i dimë të tëra!


Jo vetëm që i dimë të tëra, por sidomos dimë ato që nuk dimë. Këtë sjellje tipike shqiptare më solli në mendje sot kryeministri Rama gjatë konferencës së shtypit me kancelaren Merkel, të cilën rastësisht e pashë drejtpërdrejt në youtube.

I mungonte thjeshtësia.

I mungonte durimi për të dëgjuar.

I mungonte të qënit i kujdesshëm në ato që thoshte.

I mungonte gjithshka që duhet të ketë një drejtues i men]ur.

Këto nuk janë cilësi jo vetëm të një mendjeje të madhe, por as edhe të një mendjemadhi. Janë cilësi të njeriut, që ka frikë se të tjerët mund të kujtojnë se nuk di. Eshtë një frikë, që për fat të keq e kanë edhe shumë bashkëatdhetarë që jetojnë në Shqipëri.

Nuk është turp mos i dish shumë gjëra. Janë të mjafta ato që di nëse i di mirë. Shumë të tjera i mëson ]do ditë, nëse i mban veshët ngritur, ke durim të dëgjosh të tjerët dhe njëkohësisht ve dhe mendjen në lëvizje.

Nuk e ve në dyshim që Rama e ve mendjen në lëvizje, por druaj se kohën më të madhe ja kushton mendimeve për intriga, makinacione, manipulime, gënjeshtra dhe përfitime vetiake. Gjithashtu shumë kohë kalon në rrjetet sociale.

Ndaj nuk mund të jetë një udhëheqës i urtë dhe i ditur. Edhe pse mund ta dijë veten se është mbi Makronin, Dragin dhe i barabartë me Merkelin.

Monday 13 September 2021

Në fillim ishte fotografia


Muaj më parë, në një ditë të ftohtë marsi, një mik më dërgoi një foto të gërmave të hequra në grupin skulpturor të ABC-së në oborrin e Mësonjtores së Parë Shqipe, të lëshuara “më këmbë“ mbi baltë.

Shkrojta diçka dhe ju bashkova shumë zërave të qytetarëve korçarë që ankoheshin.

Pastaj nisën të shkruanin edhe shumë të tjerë dhe edhe unë shkrojta të tjera.

Pastaj protesta u gjallërua dhe në të u përfshinë edhe shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë.

Pastaj Muzeu u përurua, por pati shumë kundërshtime në Korçë sa u desh të përfshihej edhe kryeministri Rama e të bëheshin ca ndryshime e të përurohej prapë.

Pastaj shumë intelektualë korçarë dhe jokorçarë u përfshinë në një ose dy emisione televizive, në një video konferencë, ku shprehnin indinjatën dhe vendosmërinë për të rikthyer statusin kombëtar të Mësonjtores dhe për të bërë korrigjimet e domosdoshme pas rifreskimit “shkel e shko” që kishte bërë Ministria e Kulturës.

Pastaj u bënë zgjedhjet…

Bashkë me disa shokë të mij pamë që nuk na përgjigjej njeri më e-maileve, që shumë personalitete ishin shumë të zënë, që Kombi në maj nuk ishte po aq i rëndësishëm sa në mars dhe që të gjithë në Shqipëri po bëheshin gati të shkonin në plazh.

Pritëm shtatorin dhe hapëm një faqe për Mësonjtoren në Facebook të vendosur për të shpënë deri në fund përpjekjen për rikthimin e Statusit Muze Kombëtar. Synojmë të bëjmë ç’është e mundur për të ndryshuar mendjen e një administrate, që ka nxjerrë një Vendim të Këshillit të Ministrave, ku Mësonjtores i është hequr statusi që gëzonte. Ju desh edhe Rilindasve dy vjet që prej marrjes së lejes për hapjen e shkollës e deri në atë 7 mars të bekuar. Edhe ne do përpiqemi me këmbëngulje dhe durim. Faqja në FB është :

https://www.facebook.com/Statusi-i-Mesonjtores-se-Pare-Shqipe-109491241473844

Na mbështesni dhe mbase një ditë do jemi në gjendje të gjithë të themi:

“Në fillim ishte një faqe në Facebook.”

Njerëzit “vdesin” për telenovela


Ndodh jo vetëm tek ne. Edhe në vendet më të përparuara. Lidhet me psikologjinë e njeriut, me dëshirën për të parë se sa të këqij janë të tjerët, me ankthin që krijon dashuria e kthyer në urrejtje, prerja në besë, intrigat pas krahëve etj.etj.

E kam fjalët për “telenovelat” politike.

Mendoja se do kalohej më lehtë në Shqipëri “çështja Berisha”, se prej majit ai ishte “një politikan i vdekur”, por nuk qënka kështu.

Berisha tani gëzon më shumë simpati edhe nga ata që nuk e kanë dashur. “Telenovela” e fundit e tij edhe pse i mungon “seksi” është bërë interesante për publikun shqiptar dhe pasqyrohet në të gjitha televizionet dhe gazetat.

Pabesia e Bashës, trimëria e Berishës, vrasja e babajt, mos kafsho dorën që të ushqen, armiku i Ramës kundër të shiturit tek Rama, kush e merr PD-në apo u shkatërrua PD-ja, duhet t’i kishte thënë para se ta vriste apo duhet ta vriste pa i thënë, Brutus apo Judë e deri në të gjitha stërhollimet mitologjike, folklorike, biblike, ku është arritur deri në krahasimin e Bashës me Akilin, që heq zvarrë kufomën e Hektorit para mureve të Trojës.

Përr të shtuar edhe ndonjë element paksa “erotik”, si personazh i dorës së tretë përzjehet edhe Tritan Shehu, sa për t’i kujtuar publikut “do thashetheme” me vaska me hidromasazh të 28 viteve më parë.

Para telenovelave të tilla të gjithë mrekullohen dhe nuk duan të dinë se çdo ndodhë gjatë vjeshtës dhe dimrit në spitalet tona shtetërore “të pëgëra”, se ç’do ndodhë me borxhin e madh publik dhe me çmimet që rriten dita ditës. Mjaft që telenovela “Berisha” të zgjasë edhe disa seri të tjera, ku mundësisht të dalë edhe ndonjë personazh tjetër veç Soros, Blinken dhe Kim.

Ne nuk jemi të interesuar as për të ardhmen tonë, as për idetë që mund ta përmirësojnë atë dhe as për reformat që duhet të merren. Na mjafton të kënaqemi me dramat individuale, me pabesitë e njerëzve (që ne nuk do t’i bënim kurrë), me kush i tha dhe kujt i tha dhe s’i ja tha.

Përpara një ekrani, me një gotë raki ose filxhan kafe mbi tryezë dhe me cigare në dorë!

(Për ata që kanë humbur episodet e mëparshme: Blinken e shpalli “non grata; më pas hyri në lojë Kim me trysni ndaj Bashës dhe të gjithë janë marioneta të Soros. Ndiqni episodin e ri…)

Sunday 12 September 2021

Unë votova për Marikan


Pardje votova para kohe në zgjedhjet e përgjithshme për Parlamentin Kanadez. Votova sepse ndjehem i lirë dhe njëkohësisht i detyruar të mbaj një qëndrim politik që shpreh idetë dhe interesat e mija. Edhe mund të mos votoja dhe do i bashkohesha një çerekut ose një të tretës të kanadezëve që nuk votojnë. Por nuk do ndjehesha mirë me veten.

Votova për Marikan.

Nuk e di se kush është dhe nga portreti që kam parë nëpër rrugë të ke përshtypjen se është biblotekare ose mësuese filloreje. Me një palë syze të mëdha dhe e krehur “allosoj”, Marika është kandidatja e Partisë së Re Demokratike (NDP) në qytetin tim. Do votoja për çdo kandidat të kësaj partije, si kam votuar edhe më parë, jo se ja njoh mirë programin dhe as se ja pëlqej shumë kryetarin, por është një parti që mbron interesat e minoriteteve, të të varfërve, emigrantëve dhe të më të dobtëve. Ndoshta Marika është me origjinë rumune, por kjo as prish dhe as ndreq për mua ndaj edhe nuk jam munduar ta mësoj. Më pëlqen edhe se NDP nuk vjen dot në pushtet dhe mund të shaj me mendje mbarë e prapë Trudonë liberal ose O’Toole konservator, cilido të fitojë.

NDP ka si kryetar Sing, një indian sikh, që nuk e ka hequr akoma çallmën, por unë s’kam asnjë lloj kompleksi për çallmën e tij. Për të qënë plotësisht i sinqertë do preferoja dikë, të bardhë ose aziatik, afrikan ose arab, po të mos kishte çallmë apo hixhab, por përderisa e kanë zgjedhur të tijtë them se duhet të jetë më i miri mes shokëve dhe shoqeve.

Fushatat zgjedhore në Kanada nuk zgjasin asnjëherë më shumë se 6 javë dhe nuk kanë mitingje. (Ose më mirë të them, jo nga ato të mëdhatë, që bllokojnë rrugët e duhet të kalosh 50 kilometra më tutje që të shkosh në shtëpi.) Gjithashtu nuk të troket njeri në derë e të të thotë  të votosh për filanin, për fistëkun, ose për atë që është kundër edhe filanit edhe fistëkut. Rrugëve venë foto që mund t’i shikosh nga makina dhe që nuk i heqin ata të partive kundërshtare. Edhe teleizionet i pasqyrojnë fushatat me karar. Ndonjëherë edhe mund të mos e marrësh vesh që ka zgjedhje.

Marika nuk ka për të shkuar në Parlament se gjasat janë fituesja të jetë nga Blloku i Kebekut, që është një tjetër grua, myslimane nga Afrika e Veriut ose nga Lindja e Mesme.

Dita zyrtare është 20 shtatori dhe të nesërmen merret vesh kryeministri i ri. Cmimi i bukës mbetet po njëlloj!

Mëngjesi pas 11 shtatorit


Nuk e kujtoj mirë se si fjetëm atë natë, por sikundër kam shkruar më parë, vetë u ktheva pas orës 1.00 në shtëpi, pasi kisha pritur në qendër të Torontos një familje shqiptare, e cila emigronte nga Greqia në Kanada. Sulmi mbi Kullat Binjake dhe Pentagonin kishte detyruar shumë avionë të mos uleshin në aeroportin e Torontos, por në atë të Montrealit.

Torontoja ishte thuajse e vdekur, si pas një evakuimi të të gjithë qytetit. Vetëm makinat e policisë të kujtonin se bota ishte ende në lëvizje. Kishim shkuar me dy makina me një shokun tim pranë një hoteli në qendër, ku pritej të vinte autobuzi nga Montreali me pasagjerët e avionit. E dinim që ata që vinin për herë të parë kishin edhe shumë valixhe e çanta me vete. Nuk mund të imagjinonim se si ishte Nju Jorku atë natë, kur një qytet i madh i një vendi tjetër, 800 kilometra larg, ishte aq i frikësuar.

Të djeshmen, punën e kishim ndërprerë para pushimit të drekës dhe na kishin thënë që do na lajmëronin nëse do punonim të mërkurë. Ishim  më shumë të trembur se sa të çuditur? Nuk di nëse vërtet kishim frikë, sepse ne disa vjet më parë kishim kaluar tmerret e 1997-ës në Shqipëri, por ishim të mbërthyer para televizorit duke u përpjekur të kuptonim se çdo bëhej në Amerikë. Shifrat e viktimave ishin akoma kontradiktore, por po zbrisnin nga 30 mijët e thënë në fillim.

Shkruhet shpesh se që atë ditë bota nuk është më njëlloj. Nuk di të them nëse kjo thënie është e vërtetë, sepse ndryshimi më i madh ka qënë nëpër aeroporte. Tronditjen e madhe e patën vendet që u shkatërruan nga lufta pas 11 shtatorit, Afganistani dhe Iraku. Perëndimi dhe Lindja e Largët nuk patën ndryshime të mëdha në jetën e përditshme. Vendet e pasura vazhduan të pasurohen edhe nga dy luftrat, dëshira për të emigruar nga vendet e varfra u rrit dhe tregjet e aksioneve vazhduan ciklet e tyre të ulje ngritjeve, nga të cilat përfitojnë gjithnjë super të pasurit.

Mëngjesi i pas 20 viteve është i qetë për ata që jetojnë në vendet e zhvilluara, i frikshëm për ata që jetojnë në Irak, Siri dhe Afganistan dhe jo i sigurt për ata që jetojnë në vende me qeveri të korruptuara.

“ E megjithatë rrotullohet!”

Saturday 11 September 2021

Soros, ky shtrigan magjistar plak


Xhorxhi i Sorosëve është personazhi më i famshëm i huaj jo vetëm në Hungari, ku është lindur dhe rritur, por edhe në Shqipëri, të cilën e ka vizituar vetëm dy herë. Në Amerikë, ku jeton dhe ku ka bërë miliardat, shumica e popullsisë nuk ka idenë se ç’është.

Xhorxhi ose Gjergji (për ta shqipëruar pak) është 91 vjeç, ka miliarda dollarë dhe i ka vënë qëllim vetes të shkatërrojë Hungarinë, Shqipërinë dhe presidentin Trump. Ambicie të mëdha të një shtrigani magjistar, që e di se nuk do jetë edhe shumë kohë rreth e rrotull kësaj dynjaje.

Që është “magjistar” i financave , kjo dihet prej kohësh, se është cilësuar si “financier që grabiti bankën e Londrës”, përpos edhe shumë aventurave të tjera financiare në tregjet e aksioneve.

Po ne nuk na bëhet vonë se ç’i bën Londrës, Amerikës apo Hungarisë, po me ne ç’ka shtrigani? Dhe tamam tamam ç’ka me Berishën?

Përralla shqiptare rreth Sorosit, e stisur nga folkloristët primitivë të së Djathtës dhe e shfrytëzuar edhe nga folkloristëtë primitvë të së Majtës është e thjeshtë: Sorosi për të patur fitime kolosale në Shqipëri si dhe në vende të tjera të Europës Lindore, mbështet pranë administratës amerikane Ramën dhe soroistë të tjerë dhe godet ata që janë proamerikanë dhe shqiptarë të flakët! Kjo është përralla e rapsodit Berisha tash e 10 vjet, pasi e kishte mburrur më parë Sorosin si mik të Shqipërisë.

Shqiptarët që nuk e njohin Sorosin, nuk e kapërdijnë menjëherë këtë përrallë dhe pyesin: Po si ka kaq ndikim në administratën amerikane? Përrallërrëfyesit e kanë në majë të gjuhës përgjigjen: Paguan miliona për Partinë Demokratike dhe i ka në thes tërë demokratët.

Ka një çerek të vërtete në këtë përgjigje, se vërtet Sorosi dhuron shumë për fushatat elektorale në Amerikë, por ai nuk është as donator më i madh i Partisë Demokratike dhe as i vetmi. Janë me dhjetra miliarderë, disa prej tyre që japin më shumë se ai dhe ndonëse mund të kenë ndikim, nuk “i kanë në thes” ligjvënësit dhe  ekzekutivin amerikan.

Po le të mbetemi në krahun e përrallaxhinjve dhe të themi se Sorosi nuk kontrollon të gjithë administratën amerikane, por vetëm Departamentin e Shtetit dhe kështu ja doli mbanë, që të vetmin pengues të planeve të tij djallëzore për Ballkanin, Sali Berishën, ta bënte “non grata”. Në përrallat tona, ka gjithmonë forca të mbinatyrshme, që bëjnë zgjidhje të jashtëzakonshme, por nuk ka në to mungesë të logjikës ose kundërthënie. Plani për ndarjen e Kosovës i ideuar nga Sorosi sipas Saliut, u formulua dhe po vihej në jetë nga Grenell i emëruar nga Trump dhe besnik i Trump, që Sorosi do “ta shkatërrojë“. Ambasadorja Kim, që bën hapur presion ndaj Berishës është e emëruar nga Pompei, Sekretari i Shtetit i administratës Trump.

Shtrigani magjistar 91 vjeçar, sipas Berishës i bëri presion “të papam” Bashës dhe ai nuk dha dorëheqjen, por dorëzoi Berishën, bashkë me të sovranitetin e PD-së dhe si rrjedhojë edhe sovranitetin e Shqipërisë. Tani Shqipëria nuk është më vend Sovran, por sundohet nga Soros me mëkëmbësin e tij Ramën. Pak a shumë si më 1939, kur një dorë me “patriotë“ shqiptarë i dhanë kurorën e Skënderbeut Viktor Emanuelit dhe ky ja dha ta përdorte Jakomoni.

Pasazhi i fundit i përrallës me Soros është optimist. “O Soros ç’i bëre vetes!” po thërresin besimtarët e përrallës, që po shohin se Berisha po ngrihet pas 7 plagëve të marra për të luftuar shtriganin dhe për të mos lejuar që të na marrë 40 berra dhe 40 vasha. 

Dhe vërtet Berisha do luftojë deri në pikën e fundit të gjakut, se një gjë që përralla nuk e thotë, është se 40 berrat dhe 40 vashat i ka marrë Zeni me Argitën.

Friday 10 September 2021

A është kjo rradha e spastrimeve?


Një miku im që e ndan vitin mes Tiranës dhe Torontos më theshte para disa muajsh, që amerikanët e kanë seriozisht me ne dhe do i spastrojnë një nga një të korruptuarit dhe se pas gjykatësve dhe prokurorëve rradha ju vjen politikanëve. Unë nuk jam aq optimist sa miku im dhe dyshoj se amerikanët bashkë me europianët do jenë në gjendje të spastrojnë korrupsionin që ka prekur çdo qelizë të jetës shqiptare. Nëse do bëja një krahasim vulgar të korrupsionit me kancerin do thoja se ai ka prekur trurin e Shqipërisë, mëlçinë, stomahun, mushkëritë, shtyllën kurrizore, gjakun dhe organet riprodhuese. Me operime nuk bëhet dot “derman”, por mrekulli mund të sjellë vetëm rritja e jashtëzakonshme e sistemit imunitar.

E megjithatë nga pesimizmi nuk vjen asnjë e mirë veç paralizimit edhe të forcave që duan të luftojnë sëmundjen ndaj duhet parë si shumë pozitive shpallja “non grata” e Berishës dhe fundi shumë i shpejtë në të ardhmen i Metës dhe Kryemadhit. Miku im thotë që rradhën në vitin 2022 e ka Rama dhe nëse kjo ndodh do jetë vërtet një ndërhyrje kirurgjikale me vlerë.

Po a është e lehtë të zëvendësosh menjëherë një klasë politikanësh të korruptuar dhe t’i zëvendësosh me të tjerë të aftë dhe të pastër?

Eshtë një operacion që do kohë se nuk mund të bëhet me transplatim. Duhen pastruar Lulëzim Basha, Erion Veliaj, Arben Ahmetaj, Niko Peleshi, Genc Pollo, Mirela Kumbaro e me rradhë e me rradhë shumë të tjerë. Menjëherë duhet bërë zëvendësimi me politikanë “higjenikë“, të cilët nuk janë të shumtë as në rradhët e pozitës dhe as të opozitës.

Berisha, Nano, Meta, Rama, Basha u kujdesën që “fidanishtet” e partive të ishin plot me fidane të modifikuara gjenetikisht, që përmbanin genin e “peqe-lepes” dhe të korrupsionit. Ndaj dhe zëvendësimi i klasës politike, në rast se pastrimi do shkojë mbarë do dojë një dhjetvjeçar.

Por le të ndodhë pastrimi!

Ndoshta kjo është rradha që parashikon me optimizëm miku im. 

Thursday 9 September 2021

Më skuthi mes skuthave


Ngjarja e sotme politike në Shqipëri, ndonëse nuk ngjallte ndonjë kureshtje për mua, më solli në mendje pranverën dhe verën e vitit 1997, kur Sali Berisha ishte autori i vetëm përgjegjës për shkatërrimin e Shqipërisë dhe rreth tij në Parti i patën mbetur një dorë me kriminelë dhe skutha.

Debatoja me një çift të njohurish atë verë rreth Sali Berishës, por nga që ata për arsye ideologjike, thuajse ideologjike ose aspak ideologjike ishin mbështetës të flakët të Berishës, debate mbyllej shpejt se nuk merreshim vesh se cilën do quanim të bardhë dhe cilën të zezë. Mesa argumentesh tepër të llogjokshme ata paraqisnin teorinë :“ Berisha e kishte në dorë shtetin ndaj s’kishte pse ta shkatërronte!”, “Kishte përreth intelektualë mes të cilëve shquante Genc Pollo” dhe “Bashkim Gazidede ishte burrë shumë i mirë dhe i ndershëm!”. Kishte dhe argumenta të tjera më pak serioze si homoseksualiteti i Spartak Ngjelës, marëveshja e Nanos me grekët, komunistët e Vlorës dhe të tjera të ngjashme të prodhuara nga makina propagandistike e Saliut.

Unë kisha bindjen se Saliu jo vetëm ishte fajtori kryesor, por se përreth kishte vetëm kriminelë dhe skutha, se njerëzit më të saktë të PD-së ose ishin larguar prej kohësh nga politika, ose u larguan kur panë gjëmën e madhe të vitit 1997.

PD-ja vazhdoi të ishte parti e kriminelëve dhe skuthave (flas për ata që zgjidheshin deputetë ose ishin në vende drejtuese) dhe vazhdoi me gjëmën e grushtit të shtetit pas vrasjes së Hajdarit (edhe pse i ndjerë duhet të them se Azemi nuk ishte skuth, por kriminel) dhe skuthat ja bënë të gjatë jetën Berishës në politikë duke shpresuar që ai të godiste rivalët e tyre dhe ata të bënin karrierë të përkthyer në para. Të tillë ishin dhe janë Polloja, Genc Ruli, Tritan Shehu, Jemin Gjana, Xhozefina Topalli dhe në prag të zgjedhjeve të vitit 2005, në vendet kyçe të PD-së u afrua dhe skuthi Lulëzim Basha.

I detyruar nga presionet e ndërkombëtarëve Berisha pas 2005 filloi të largonte një pjesë të kriminelëve nga postet drejtuese dhe të shpërblente skuthat. Basha kishte avantazhin se njihej me Argitën, ja dedikonte të gjithë rritjen në PD Berishës dhe mendohej se me përlyerjet në tendera do ishte deri në fund besnik i familjes. Dhe Basha ishte dhe është i tillë, jo sepse është natyrë besnike dhe mirënjohëse se skuthat nuk mund të jenë të tillë, por se dinte se kush e kontrollonte në të vërtetë PD-në. Por përballë Amerikës nuk kishte ç’të bënte tjetër veçse të vepronte skuthërisht duke pritur deri në minutën e fundit se diçka në interes të tij mund të ndodhte pa u përplasur ai vetë. Asnjë meteor nuk e goditi tokën, Berisha nuk pati ndonjë atak kardiak dhe as Kina nuk e sulmoi Amerikën. C’të bënte?

Veproi si të gjithë skuthat. Si ata që e kishin mbështetur Saliun më 1997, si ata që e mbështetën më 2011, kur në mënyrë të ndërgjegjshme urdhëroi të vriteshin njerëz. E mbështetën sepse ishte i fuqishëm. tani që i shkanë këmbët, sigurisht që do e braktisnin.

Nuk di nëse në vite, çifti i të njohurve ka ndryshuar mendjen rreth Berishës, Pollos dhe skuthave të tjerë. S’di as nëse kanë qënë apo janë pjesë e PD-së.

Veç kam mësuar një gjë nga jeta, që shtrembërimi I të vërtetës për hir të interesit personal të bën skuth. Më vonë edhe kriminel.

 

 

Viti 2022 dhe kriza ekonomike shqiptare


Jeta parlamentare, që pritet të nisë së shpejti në Shqipëri nuk paraqet ndonjë interes të madh për shqiptarët, sepse PS-ja jo vetëm ka numurin e duhur të deputetëve dhe thuajse asnjë rrezik, që disa prej tyre të firojnë, por edhe opozita duket e dobët dhe jo e qartë se ç’luftë do bëjë ndaj qeverisjes së Ramës. Ndeshja parlamentare do jetë mes një partie në fuqi të kontrolluar mirë nga kryeministri dhe një opozite anemike, që gërryhet nga problem i madh i të padëshëruarve nga Amerika- Berisha dhe Meta.

Për shoqërinë shqiptare dhe problemet e mëdha të saj, shfaqjet e grindjeve pozitë-opozitë në Parlament nuk sjellin asgjë të mirë, se ajo për të cilën është e interesuar, reformat për përmirësimin e jetës së njerëzve, nuk duken se kanë për tu ngritur me forcë nga opozita. Ndaj ka shumë të ngjarë, që qeverinë ta hanë nga brenda dy krimbat e rrezikshëm: korrupsioni dhe defiçiti i madh buxhetor i vendit.

Ka disa tregues shumë të dallueshëm, që të bëjnë të mendosh se vendi është para një krize të madhe ekonomike:

·         Borxhi shumë i madh publik.

·         Papunësia e lartë sidomos mes të rinjve.

·         Dëshira në rritje për tu larguar nga Shqipëria.

·         Rritja e çmimeve ushqimore dhe të konsumit të përditshëm.

·         Rritja e çmimeve të banesave në kryeqytet.

·         Shtimi kredive të këqija në bankat e nivelit të dytë.

Sipas shumë analistëve të huaj të ekonomisë, ka të ngjarë që shtatorin e ardhshëm të ketë një rënie të madhe të tregjeve të aksioneve në botë. Nëse kjo ndodh, ato që dëmtohen më shumë dhe hyjnë në një gjendje katastrofike, janë ekonomitë e vendeve të vogla, të cilat kanë një borxh publik shumë të lartë. Ndodhi me Greqinë, Portugalinë, Spanjën dhe Italinë në krizën e vitit 2008 dhe më e rëndë do jetë për Shqipërinë dhe vende të tjera që kanë situata të ngjashme  ekonomike.

Duke bërë analogji me krizën ekonomike të Greqisë të vitit 2008, në Shqipëri mund të rritet më shumë papunësia, të shkaktohen probleme me kursimet e njerëzve nëpër banka, të ulen ndjeshëm çmimet e pasurive të palujtshme dhe si rrjedhim të rriten taksat dhe të ketë shkurtime në shërbimet sociale. Një skenar i tillë nuk është i pamundur dhe të gjithë nuk duhet të mendojnë me mendjelehtësi se ekonominë e brishtë shqiptare mund ta shpëtojnë të ardhurat nga droga dhe trafiqet e tjera të paligjshme, apo dërgesat e emigrantëve për familjet e tyre në atdhe.

Ndaj kundërshtimi që duhet e gjithë shoqëria shqiptare t’i bëjë Ramës duke nisur sa më parë duhet të ketë vetëm një refren:

“ Ekonomia, ekonomia dhe përsëri ekonomia!”

Wednesday 8 September 2021

Sa në “gone” e ka!


Goneja me theksin në e-ja është një vegël marangozësh, që përcakton këndin e drejtë. Ndërsa shprehja “anakronike”: “E ka vënë në gone!” në zonat e tjera të Shqipërisë është “E ka m’terezi!”, “O bo rehat!” dhe të tjera të përafërta.

Shpesh herë mëngjesave, ndërsa lexoj lajmet nga Shqipëria më vjen në mendje kjo shprehje. Nuk di nëse duhet të lumturohe, të ndjej zili apo të shqetësohem. Më pas i them vetes se ç’ka shkruhet në media nuk është ajo që vërtet e preokupon popullin shqiptar. Në të kundërt do ishte vërtet për të qarë hallin.

Gjatë gjithë fundit të korrikut dhe në pjesën më të madhe të gushtit, të gjithë mediat, duke përfshirë edhe ato sociale, u morën me Goran Bregoviçin. “Të këndojë në Korçë, të mos këndojë në Korçë; ka kënduar në Tiranë më parë ku nuk duhet të këndonte, por tani nuk duhet të këndojë se situata është më e komplikuar; po të kishte denoncuar dhunën e sërbëve në Kosovë mund të këndonte, por ka mbajtur qëndrim asnjëanës dhe kjo e bën të dyshimtë; po mos ishte “Open Balkan” edhe mund të bëhej ndonjë lëshim; nëse koncerti ishte në Vlorë ndryshonte puna, po në Korçën që anon nga grekët nuk shkon; ta lemë të këndojë por të bojkotojmë “Birrën Korça” ose për ata që nuk pinë dot birrë tjetër të bojkotojnë koncertin!” e gjithfarë variantesh të marra të a tjera a thua se jeta dhe e ardhmja e shqiptarëve varej nga këngët e grupit “Orkestër për dasma dhe funerale”.

Dhe virusi për t’u përzjerë në një çështje kot është aq ngjitës, sa dhe unë që shkruaj këto rrjeshta u përfshiva në opiniondhënie me shkrim, duke i mëshuar idesë gjeniale se “Muzika i zbut popujt, miqtë dhe armiqtë ndaj le ta lemë të këndojë po me kusht të mos fallcarë!”

Tani nuk ka më Bregoviç, as problem të çmimeve të larta, të papunësisë, të Covid-19, të emigrimit të të rinjve, të ujit me orar, por një dhe vetëm një: “A duhet të hyjë Berisha në Parlament!” Nyja gordiane, që nuk e zgjidh dot njeri megjithëse po merren me të të majtë e të djathtë, asnjëanës dhe militantë, opinionistë dhe përkrahës të teorive komplotiste, vendas dhe ndërkombëtarë.

“ E ka zgjedhur populli po nuk e do Amerika; ka të drejtë të hyjë por më mirë është të mos hyjë; po të jetë i korruptuar të na tregojnë faktet, po mos jetë nuk na duhen faktet; po të kishte fituar PD-ja do ikte vetë, por ja që ndodhi masakra elektorale dhe tani nuk ikën dot; këtë e ka bër Sorosi që trembet nga Berisha dhe ne vërtet kemi frikë nga Amerika po nuk duhet ta bëjmë veten; po të flasë Basha mund të ndahet PD-ja, por  po mos flasë është më keq; Berisha duhet të kishte ikur më 2013, po tani që ndenji le të rrijë edhe ca; po të mos hyjë ç’do bëhet me kontributet e tij për demokracinë; a të ishte akoma Trump!; amerikanët nuk dinë ç’bëjnë se shpallin “non grata” më proamerikanin mes shqiptarëve!; Zeni mund të ketë vjedhur, po Rama ka vjedhur më shumë ndaj le të jetë Saliu pranë Ramës; le ta bëjnë si u bë në Gjermani me Kohl-in, po për këtë i duhet llogari sekrete bankare; po mos jetë Saliu kush do denoncojë skandalet e Rilindjes ndaj nëse nuk e lenë të hyjë duhet të mos bëjnë skandale…” dhe lista e ideve, njerëzve, artikujve, argumentave është e pafund.

Tregon një farë luksi në shoqërinë shqiptare, të cilën nuk e kanë vendet e tjera. Po t’ja u spjegosh të huajve, që për një gërxho 78 vjeçar të shpallur “non grata” nga Amerika, po preokupohet e gjithë Shqipëria nëse duhet të hyjë ose jo në Parlament, do të të shohin si të “luajtur nga fiqiri”.

Le t’i lëmë të huajt në të zezat e tyre se ne…e kemi në gone!

Tuesday 7 September 2021

Polena, petët binjake dhe 11 shtatori


Ndoshta idea nuk është aq polenake se sa e sektorit të turizmit të Bashkisë së Korçës për të organizuar në Polenë më 11 shtator festën e Lakrorit me dy petë binjake.

Më tingëlloi si më pa lezet se herët e tjera kjo ide e Bashkisë, që ka gjetur pikërisht në ditën e përkujtimit të rrëzimit të Kullave Binjake në Nju Jork të bëjë këtë ahengun e petëve binjake. Nuk them se e gjithë bota nuk duhet të festojë atë ditë, por mund të ishte festuar gjatë një fundjave tjetër. Atë ditë festojnë me revani, hallvë, kabuni dhe pekmez në komunat e Rripit të Gazës, Arabisë Saudite, Jemenit, Afganistanit Pakistanit dhe Indonezisë ata që u ngazëllyen ditën e 11 shtatorit të vitit 2001. Nuk është shumë e mençur të festohet me dy petë binjake dhe ca gjellë në mes në Korçë dh e veçanërisht në Polenë. Për më tepër në një kohë që e gjithë bota i ka sytë në krimet që po bëjnë Talibanët ndaj afganëve properëndimor.

Polena është një fshat shumë i çuditshëm. Banorët e saj gjithnjë janë njohur si shumë punëtorë, të krishterë të palëkundur dhe në 50 vitet para Rënies së Murit të Berlinit si shumë të lidhur me Partinë Komuniste. Ka qënë  vërtet e çuditshme bashkëjetesa e ateizmit me të qënit fetarë, ose më mirë anëtarësimi në një parti komuniste duke qënë të krishterë ortodoksë të thekur. Pas ndryshimit të regjimit, ndoshta polenakët u morrën më pak me politikë, por shumica nuk e braktisën të majtën dhe Partinë Socialiste.

Lidhjen e fortë me kishën ortodokse ja u njihte edhe shteti grek dhe në vitet ’90, banorët e Polenës paiseshin menjëherë me viza greke e ndoshta shumë prej tyre kanë marrë edhe nënshtetësinë helene.

Po pse më 11 shtator këta mjeshtra të gurit dhe të krishterë fanatikë, kanë pranuar të kenë Festën e Lakrorit, që është një festë e sajuar dhe disi qesharake, këtë nuk jam në gjendje ta kuptoj?! Ndoshta përdorin kalendar të vjetër dhe 11 shtatori bie pas dy javësh, se dhe karnavalet i festojnë në një ditë jo si gjithë të tjerët.

Gjithsesi të vështirë do e ketë ideatori i LakrorFest, Niko Peleshi të përkujtojë edhe 11 shtatorin pranë ambasadores Kim dhe në të njëjtën kohë të dëndet me lakror dhe birrë në Polenë.

Monday 6 September 2021

Sa i vlerëson Rama gratë?


Ndërtimi i një kabineti qeveritar me shumicën dërmuese gra ka tërhequr vëmendjen jo vetëm të publikut shqiptar, por edhe të mediave europiane, të cilat shprehin admirimin që vendi më i varfër në Europë dhe me shumicë të popullsisë myslimane, ka më shumë gra ministresha se vendet skandinave.

Edhe njëherë hapet diskutimi se cili është raporti i Ramës me gratë në përgjithësi dhe me ato shqiptare në mënyrë të veçantë. Në dallim nga të huajt, shqiptarët e dinë që Edi Ram nuk është kaq i emancipuar sa të kalojë në këtë drejtim edhe politikanët më të emancipuar. Ata që e kanë njohur nga afër dhe kanë punuar me të e dinë se sa arrogant është Rama me vartëset e tij dhe se ç’lloj fjalori përdor, që do tmerronte edhe përbuzësist e seksit të bukur.

Po përse do Edi Rama të drejtojë një kabinet të tejmbushur me femra?

Nga përvoja e tij 25 vjeçare në administratë, Rama ka mësuar se gratë në funksione të larta e kanë më të vështirë “të rebelohen” dhe “të dalin jashtë kontrollit” se sa homologët e tyre burra. Ato janë pjesë e një shoqërie maskiliste e cila psikologjikisht ndikon në sjelljen e tyre më të bindur. Gjithashtu ato e kanë më të zhvilluar ndjenjën e mirënjohjes ndaj liderit dhe si rrjedhim edhe besnikërinë ndaj tij. Një tjetër cilësi e grave tona është që ato krijojnë shumë herë më pak “tarafe” se burrat, gjë që përkthehet në më pak “grupe armiqësore” kundër pushtetit të Ramës.

Rama nuk i do femrat si politikan europian i emancipuar, por si një maskilist anadollak, që kërkon t’i lajnë këmbët, t’i sjellin peshqirin, t’i fërkojnë supet dhe njëkohësisht t’i bëjnë edhe gjithë punët për të cilat ka nevojë shtëpia. Ka në ADN-në e tij edhe nga e njohura e burrave të Bregut, që rrinin në kafene e merreshin me politikë, ndërsa gratë punonin tokat dhe bënin dru pyllit.

Nëse do kishte edhe fijen më të vogël të repsektit për gratë e zonja, Rama nuk do largonte nga politika Ermelinda Meksin, Mimi Kodhelin, Valentina Leskajn, Mimoza Hafizin dhe të tjera gra profesioniste të zonja.

I martuar vetëm për tu bërë kryeminstër, sepse sipas këshilltarëve të tij të huaj, pa një hap të tillë nuk mund të fitonte zgjedhjet, Rama është kryeministri shqiptar dhe europian, që shfaqet më pak nga të gjithë bashkë me gruan. Në asnjë udhëtim jashtë shtetit në këto 5-6 vitet e fundit, ai nuk e ka përkrah Lindan e tij. Narcisisti Rama është po aq përbuzës ndaj grave sa edhe politikanët autokratë që simpatizon nga Putin dhe Erdogan tek Lukashenko dhe Orban. Veç është më frikacak se ata dhe kjo e bën që t’ju trembet komploteve të burrave dhe të mbushë qeverinë me gra.

A i bën mirë vendit?

Edhe pse nuk i pj… për vendin dhe shoqërinë shqiptare, padashje i bën një të mirë të madhe. Gratë në poste po frymëzojnë një brez vajzash të reja të merren me politikë.

 

 

Sunday 5 September 2021

Brezi im i pafat (fund)


(vijim)

Aq pafat ishim, sa dhe Muri i Berlinit, që kishte kohë që lëkundej nuk ra tre vjet më parë, por pikërisht kur ishim bërë të tërë me nga dy fëmijë. Ose Kadareja që kishte menduar dy tre herë të arratisej, nuk vendosi ca vjet më parë dhe me atë ngjarje do rrëzohej Diktatura në Shqipëri e ne do ja kishim mbathur nga sytë këmbët, beqarë, plot energji dhe me dëshirën për të parë me sytë tanë se si vuanin popujt në botën kapitalisto-revizioniste. Muri u rrëzua, Kadareja iku, doli Saliu dhe u gëzuam, por nga t’ja mbanim?! Fëmijkat që mezi i kishim ngritur më këmbë me qumshtin që me zor e gjenim, na shikonin të trishtuar sa dallonin në sytë tanë dëshirën për tu bashkuar me “eksodin”.

Me që ra fjala për “eksodin”, brezi jonë provoi në kurriz gjithë fatkeqsitë biblike, që çifutët i kishin kaluar në tremijë vjet. “Lufën e kllasave”, persekutimet, ngrënien e bretkocave, qethjen e detyruar, ndëshkimin e homoseksualëve, internimet, privilegjin e fëmijës së parë, ndarjen e familjeve, armiqësinë për vdekje me popujt fqinjë, shënjimin e portave të të privilegjuarve, gjimnastikën e detyruar në grup të mëngjesit, punën skllavo-vullnetare, ndërtimin e Piramidës dhe ja më në fund edhe “eksodin”.

Në fillim ikëm ne burrat, sa të gjenim punë se nuk kishim dokumenta, pastaj morëm gratë dhe fëmijët i lamë me prindërit sa të zinin punë edhe gratë që të mund të paguanin qeranë dhe ushqimin e t’ju dërgonin ca valutë prindërve që na mbanin fëmijët. Pastaj u bashkuan me ne dhe fëmijët dhe u gëzuam në kulm, por u kujtuam që nuk kishim dokumenta dhe në vendet ku jetonim përbuzeshim. Nuk ishte i tillë eksodi i çifutëve në Bibël. Merreni me mend se sa pafat kemi qënë dhe jemi. Cifutët kudo i lanë të lirë të ushtronin fenë e tyre dhe të ngrinin edhe sinagoga, kurse ne na detyruan të ndryshonim emrat, të pagëzoheshim dhe të ndyshonim edhe kombësinë.

Po edhe ata që ndenjën në atdhe nga të pafatët e brezit tim, megjithëse ishin në moshën më të mirë për të drejtuar vendin, nuk arritën të kishin ndonjë pozitë drejtuese veç disave që kishin qënë komunistë para ndryshimit të sistemit, ose spiunë të Sigurimit. Politikanët më të susksesshëm të brezit tim të pafat mbetën famëkeqët e kohës së studentllëkut Fatmir Hoxha dhe Koço Kokëdhima. Në cili prej tyre ta përplasje kokën?! I vetmi i saktë, Dash Shehi që arriti deri zv.kryeministër, u la më pas të drejtonte një parti me 20 antarë të pafat dhe të akuzohej për “ngrënie plëndsi” nga kryeministri Rama, që i përket pikërisht brezit pas nesh, që mund të konsiderohet me fat se ka nxjerrë dhjetra ministra dhe ministresha, disa kryeministra dhe një qerre me deputetë.

Të parët e “brezit më të pafat”, ata të lindur në vitin 1956, po dalin në pension dhe kudo që të jenë kanë vetëm gjysëm pensioni se nuk kanë punuar vitet e duhura në asnjë vend. Gjysma e pensionit në Shqipëri është diçka më pak se 100 euro, që jo vetëm nuk mjaftojnë për të dhënë rryshfet gjykatësit më “të lirë“ në çështjen më të thjeshtë gjyqësore, por nuk arrijnë as për një kurë fallco një javore ndaj Covid, që zakonisht ta sugjeron farmacisti sharlatan i mëhallës. Ata mes “të pafatëve” që janë më me fat, nëse sëmuren nga virusi vrasës shpëtojnë shpejt e shpejt pa shumë shpenzime dhe nisen drejt banesës së fundit, ndërsa ata më fatkeqët cfiliten nëpër spitalet vendase dhe të huaja dhe ikin pas dy tre muajsh duke lënë të afërmit edhe me një barrë me borxhe. Këtë “kolerë“ biblike nuk e kishim provuar deri më tani dhe që mos na mbetej asnjë merak, po e provojmë syptarembur, stoikë dhe dinjitozë. Të varfër të këputur, por kokëlartë dhe plot imunitet.

C’kemi hequr dimë dhe se ç’na pret nuk e dimë, po si e kemi shkuar deri më tani si zor të kemi fat në të ardhmen. Shpresën e kemi për në botën tjetër, por dhe atje si zor të na pranojnë në xhehnem, se kemi qënë një kohë të gjatë ateistë! 

Brezi im i pafat (2)


 (vijim)

Po mungesa e fatit “in extremis” për ne do vazhdonte në vitet ’70, kur paraardhësit tanë po argëtoheshin “allaevropiançe” për shkak të një liberalizmi të shkurtër, me të cilin Komiteti Qëndror donte të justifikonte mbylljen e institucioneve fetare. Adoleshentët para brezit tim mundën të mbanin flokë të gjata, minifunde, pantallona kauboj, mustaqe dhe favorite të gjata, por sa filloi ne të na dirste mustaqja erdhi pleniumi I IV. Jo më muzikë xhaz apo rok, jo më minifunde dhe flokët ishte e mira t’i qethje “ballaboks” ose “karre kinezçe”, që të mos bije pre e grupeve të kontrollit punëtor-fshatar. Në mbrëmjet e vallzimit nuk mund të luaje më i paçiftuar dhe jashtë pozicionit “tango-vals”, gjë që nuk ishte shumë e këndshme për vajzat, se kishte adoleshentë “seksualisht të uritur”, të cilët i shtrëngonin pak si shumë pranë vetes. Nisën edhe “dezhurnet” 24 orëshe, që ishin ruajtja e shkollës nga “hasmi që nuk flinte”. Në të vërtetë hasmi flinte që ç’ke me të se as I binte ndërmend për ne, por “heronjtë e heshtur” shkruanin vetë parrulla kundër pushtetit, për të terrorizuar njerëzit dhe për të ushtruar sa më egër luftën e klasave.

Brezi im ishte i vetmi që pësoi eksperimentet e mësimit ushtarak gjatë një dite të plotë të javës, stazhin në punë para studimeve universitare për djemtë dhe drejtorëve “gdhënj” të shkollave të mesme. Nuk u morr vesh kurrë se për ç’arsye u propozuan dy të parat, të cilat qëndruan në fuqi vetëm për 6-7 vjet sa ishte brezi i jonë i pafat, por e fundit, ajo e vendosjes së arsimtarëve më të paarsimuar në drejtimin e shkollave të mesme mbeti në fuqi deri sa u ekzekutua Caushesku. Ne kishim drejtor në gjimnaz dikë që kishte mbaruar për rusisht si i fundit I kursit, kurse gjimnazi tjetër një specialiste që qepte kopsat në NPV. Mesazhi për të pafatët ishte “nëse doni të bëheni të parët duhet të jini të fundit!” Dhe kjo na la në fund.

Për brezin e “të pafatëve” ishte rezervuar edhe gjendja më e rëndë e buxhetit të arsimit dhe si rrjedhojë edhe numuri më i vogël i të gjitha kohrave i të drejtave të studimit. Nuk mund të studioje po të ishe fëmija i tretë i familjes që kishte dy fëmijë të studiuarnë universitet dhe po të ishe fëmija i dytë që nuk i kishe të gjitha notat dhjeta dhe nuk kishe shkëlqyer edhe në punë vullnetare. Dhe kjo për ata që e kishin “biografinë pa cen” se kush kishte pasur të afërm të pasur, me Ballin, Legalitetin, kulak, xhandar, me nënë ruse, të arratisur, me grupin antiparti të Koçit, Tukut,  Todit, Beqirit apo Abdylit as në ëndërr nuk i shikonte dot studimet e larta edhe po të kishte marrë medalje të arta në të gjitha ciklet shkollore.

“Bëmë me fat dhe hidhmë në pleh!” thotë populli , por ne na kishin hedhur në pleh dhe nuk kishim as fat. Dhe më keq se të tërë që na rrethonin, sa mbaruam maturën u prishëm edhe me shokët kinezë, që do të thoshte se do mbroheshim të vetëm ndaj koalicionit NATO-Traktat i Varshavës. Bash në kohën që ishim në moshën për në front. Po më e keqja ishte se prishja me kinezët solli tallonat dhe kur hymë në punë kishim ca leka nëpër duar po nuk kishim për të ngrënë. Mishi ishte më me kët se çdo gjë, po nuk gjeje dot as bulmet, as fasule dhe as kafe, përveç pijeve alkolike, të cilave ju drejtuan shumë djem të brezit tonë, sidomos ata që punonin në fshatra dhe kantiere. Edhe sot e kësaj dite mes kujtimeve të një pjese nga nesh zenë vend tregimet “kur u bëmë tapë një ditë me ponç portokalli!” Të pangrënë, gjysëm të dehur dhe duke mos patur ç’të bënim duhet të martoheshim. Dhe si më fatkeqët e të gjitha kohrave mund të martoheshim vetëm me bashkëpatriote dhe bashkëpatriotë. S’kishte më as greçka, as ruska, as bullgarka dhe as polake si kishin marrë një herë e një kohë shqiptarë të tjerë. Vajzat e gjora të brezit tim gjithashtu nuk ëndërronin dot për ndonjë francez, gjerman, italian apo suedez nga ata të romaneve, se dhe turistët e rrallë që hynin në vend nuk i përshëndetje dot as me kokë. Nga pas i ndiqnin një tufë të rekrutuarish nga Sigurimi, që ishin dhe ata te brezit tonë të pafat.

(vijon)