Wednesday 31 May 2023

Amerika e gjithëfuqishme dhe ne (fund)

 

(vijim)

Eshtë e natyrshme që politikanët dhe diplomatët tanë të bëjnë gabime. Nuk mund të krijohet një traditë vetëm në 30 vjet. Edhe në kohën e Zogut, marëdhëniet e tij “të ngrohta” vërtiteshin sa tek Sërbia dhe Jugosllavia, pa krijuar lidhje të forta e të shëndosha me Anglinë dhe Francën, që ishin dy shtetet më të interesuara në fatet e  Ballkanit në përgjithësi dhe të Shqipërisë në veçanti. Krijimi i aleancave vetëm me vendet ballkanike dhe fqinje (përjashtuar Greqinë) e lanë pa mbështetje Ahmet Zogun në vitin 1939. Prej atij shteti nuk trashëguam asnjë miqësi, veç asaj me Turqinë dhe Egjiptin.

Pa shkolla të mira dhe pa lidhje të shëndosha shumëdekadëshe, politikanët tanë të pas vitit 1991 u munduan të improvizonin në fushën e marëdhënieve ndërkombëtare duke “u përkulur” para Amerikës, por duke vazhduar të “flirtonin” herë me Greqinë, herë me Turqinë dhe tani edhe me Sërbinë e Vuçiçit. Madje kur për gabimet e tyre të rënda nuk kishin mbështetjen e Uashingtonit, si Berisha më ’96 dhe ’97, fillonin akuzonin “lobin grek” dhe “komunistët e Klintonit” për shkrehjen e shtetit në vitin 1997. Sigurisht që amerikanët i dinin dhe nuk i harronin lehtë këto akuza edhe pse të dhëna nën zë.

Për më tepër edhe pse e quajnë Aleatin tonë më të madh dhe më të rëndësishëm, të gjithë kryeministrat shqiptarë asnjëherë nuk i kanë kushtuar vendin e duhur Uashingtonit. Të gjitha vendet e mëdha demokratike dërgojnë në kryeqytetin amerikan si ambasador jo vetëm diplomatin më të mirë, por thuajse të gjithë syresh janë kthyer më vonë në vendet e tyre si ministra të jashtëm, kryeministra dhe madje edhe presidentë. Për arsye të pakuptueshme (kryesorja është mbajtja e monopolit të politikës së jashtme për veten e tyre si krerë qeverie) në ambasadën tonë pranë Shtëpisë së Bardhë kanë kaluar emra, që janë harruar të gjithë. (tani së fundmi po caktojnë Ervin Bushatin që nuk e njeh kërkush.) Po njëlloj edhe me përfaqësuesit tanë në OKB. Nuk ka asnjë të vetëm të ketë qënë pas viteve të Uashingtonit pjesëmarrës në ndonjë qeveri shqiptare. I vetmi emër që mund të kujtojmë është ai i Faik Konicës, që edhe pse ishte kundërshtar i Zogut, si njeri i rëndësishëm dhe erudit ishte caktuar ambasadori ynë në Uashington.

Si mund të merremi ne seriozisht nga amerikanët, kur në Superfuqinë e vetme botërore kemi shpënë përfaqësues, të cilët nuk i respektojmë vetë? Vazhdojmë në të njëjtën mënyrë që veprojnë shtetet totalitare, që në Uashington dërgojnë “papagajtë“ e kreut të shtetit.

Duke qënë të tillë nuk kemi krijuar dot lidhje të forta me njerëz të rëndësishëm të politikës amerikane. Deri para një viti, kongresmeni më i rëndësishëm dhe kompetent për çështjen shqiptare ishte kongresmeni Engel, që nuk kishte asnjë peshë në Kongres edhe pse kishte disa mandate atje. Nuk ka lënë gjurmë s ndonjë lidhje me njerëz të rëndësishëm të administratave të Klintonit, Bushit, Obamës apo Trumpit. Ndaj gjithshka në marëdhëniet me Amerikën është eskluzivisht maëdhënia e kryeministrit me ambasadorin amerikan të rradhës në Tiranë.

Por edhe e gjithë shoqëria shqiptare, e cila hiqet si pro-amerikane e zjarrtë, vitet e fundit ka dhënë prova, që nuk është aspak e tillë. Një pjesë e mirë e shqiptarëve mbështetin ende Berishën, i cili është shpallur “non grata”. Jo pak mbështesin Tom Doshin, një tjetër “non grata”, ndërsa në Durrës 60% e durrsakëve votuan për bashkëpunëtoren e Vangjush Dakos, një tjetër “non grata” edhe ky. (Po të ishte kandidat Dako mund të kishte marrë edhe 70% të votave.) Ndaj duhet ta shohim të vërtetën në sy dhe mos kujtojmë se ja u hedhim amerikanëve, kur i biem gjoksit se “lemë kokën për Amerikën”. Kokën vërtet e lemë, po qe se vendi i madh dhe i pasur na pranon të bëhemi banorë të tij!

Në përfundim të këtij shënimi, dua të them se as Amerika nuk është e gjithëfuqishme, por më tepër ne nuk kemi mundur të marrim maksimumin e ndihmës së saj për shkak të sjelljes si “dinakë“, qoftë e politikanëve tanë, por edhe e gjithë shoqërisë. “Hiletë“ nuk të shpien larg dhe sa për “hile”, amerikanët dinë më shumë të tilla se ne.

Tuesday 30 May 2023

Amerika e gjithëfuqishme dhe ne (2)

 


(vijim)

Shpesh thuhet se ambasadorët amerikanë sillen si guvernatorë të Shqipërisë dhe jo si diplomatë. Deri diku kjo është e vërtetë, por për këtë përsëri nuk kemi përse t’ja u vemë fajin amerikanëve. Kjo gjendje është krijuar prej fillimit të viteve ’90, kur politikanët tanë kishin të njëjtën përshtypje se Amerika ishte “shkopi magjik” i çdo gjëje që ndodhte në Europë. Si në vitet e para të pasluftës, kur shumica dërmuese e komunistëve të kupolës ankoheshin për njëri tjetrin tek ambasadorët jugosllavë dhe sovjetikë, po ashtu u veprua gjatë viteve ’90. U rrëfye çdo gjë që ndodhte jo vetëm në sjelljet dhe prirjet politike , por dhe private të njëri tjetrit. Më pas, kur fituan përvojën e tyre dhe vizituan disa herë Shtetet e Bashkuara dhe e kishin më të qartë fuqinë, por dhe kufizimet e shtetit amerikan, ata u munduan të “reklamonin” lidhjet e tyre me politikanët amerikanë thjesht për opinionin e brendshëm, që mbetej po njëlloj “i mahnitur” nga forca dhe ndikimi amerikan në botë.

Ende sot vazhdojnë “mburrje” të tilla me foto me senatorët amerikanë, që ç’është e vërteta nuk kanë ndonjë gjë të jashtëzakonshme në dorë për politikën e jashtme, që është ezkluzivitet i ekzekutivit në Amerikë. Të tjerë njerëz të painformuar, si Spartak Ngjela e ndonjë tjetër, shpjegojnë nëpër ekranet shqiptare se ç’mund të bëjë Amerika, FBI-ja, CIA dhe institucionet e tjera të sigurisë amerikane për Shqipërinë dhe politikanët shqiptarë duke ekzagjeruar deri në marrëzi. Njerëzit, që nuk njohin organizimin e shtetit amerikan, kujtojnë vërtet se FBI-ja do verë dorë mbi Ramën a Veliajn, kur ky institucion merret vetëm me krimet federale, që ndodhin në Amerikë ose ndaj shtetasve amerikanë. CIA, por dhe shërbimet të tjera inteligjente nuk kanë aq personel që të merren me politikanët shqiptarë, kur ka qindra të tillë rusë, kinezë, brazilianë apo të vendeve të tjera të mëdha, që kanë edhe politika antiamerikane.

Po pse sillen ambasadorët amerikanë si “guvernatorë“ në një vend sovran?

Duhet thënë se për çdo diplomat karriere, Departamenti i Shtetit vlerëson se sa dëgjohet Amerika në jetën politike të një vendi të caktuar dhe se sa ndihmohen interesat amerikane në atë vend. Ndaj dhe jo rrallë shihet prirja e tyre për protagonizëm. Në rast se ambasadorët do ishin vërtet “guvernatorë“ pjesën dërmuese të tenderave të mëdha publike, apo sektorët e rëndësishëm ekonomike do ishin në duart e korporatave amerikane. Kjo nuk është aspak e vërtetë, se tek ne ka më shumë kompani turke dhe arabe se sa amerikane. Ka patur edhe disa raste që kompanitë amerikane janë nxjerrë pa të drejtë jashtë loje, gjë që ka bërë që ambasadorët të përpiqen të sqarojnë edhe ligjërisht këto probleme. Nxitja e bizneseve amerikane në Shqipëri është prioritet i punës së tyre dhe jo sjellja e demokracisë në Shqipëri apo krijimi i elitës politike.

Po sa duhet t’i dëgjojmë si shoqëri ambasadorët amerikanë dhe emisarët e tjerë të shtetit më të madh demokratik në botë?

Pa besuar se çdo gjë që del prej gojës së tyre është e kulluar dhe njëkohësisht pa shpresuar se ata kanë fuqi të rregullojnë çdo gjë që shkon keq në Shqipëri, nuk ka arsye, që të jemi dyshues ndaj tyre. Përvoja e miqësisë me ta, me ndonjë përjashtim të vogël, ka qënë shumë pozitive për shoqërinë shqiptare. Duke nisur me mbrojtjen e Mëvetësisë së saj nga Presidenti Uillson dhe duke vazhduar me shkollat e hapura nga misionarët amerikanë gjatë shekullit të XX-të dhe duke kulmuar me mbështetjen e armatosur që dhanë për të ndalur genocidin në Kosovë. Ne nuk jemi si vendet e Amerikës Latine apo Greqia dhe Turqia, ku amerikanët kanë mbështetur hapur forcat fashiste dhe kanë mbyllur sytë para krimeve të tyre. Ndaj s’ka përse mos jemi dashamirës dhe njëkohësisht të besojmë tek ta. Por besimi nuk duhet të jetë symbyllaz dhe t’i përulemi edhe në raste kur amerikanët kërkojnë të kryejmë veprime, të cilat cënojnë interesat tona në arenën ndërkombëtare. Një nga këto raste flagrante është pranimi në territorin shqiptar i opozitës iraniane MEK, që na armiqësoi me një vend të rëndësishëm si Irani dhe me të cilin nuk kemi asnjë dobi të prishemi, sikundër ndodhi vitin e kaluar kur dëbuam ambasadën e tyre.

(vijon)

Monday 29 May 2023

Amerika e gjithëfuqishme dhe ne


Në shoqërinë shqiptare ekziston një mendësi, se Amerika është aleatja jonë dhe se “po të dojë“ mund të bëjë çudira për ne. Dhe në “çudirat” përfshihen nga “forcimi ekonomik”, tek “heqja e Ramës”, “krijimi i një elite politike të pakorruptueshme”, “mbështetja për bashkimin me Kosovën” e të tjera më pak të rëndësishme.

E para, ne jemi vetëshpallur si aleatë “kyç” të amerikanëve, sepse historikisht jemi lëkundur nga një Fuqi e Madhe tek një tjetër. Bashkëqeverisës me otomanët dhe më pas armiq të tyre, aleatë me austro-hungarezët dhe gjermanët deri sa ata humbën luftërat botërore, vartës të Bashkimit Sovietik dhe më pas aleatë të Kinës dhe pas viteve ’80, mbështetësit më të flakët të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Endërra se do ishim të privilegjuarit e shtetit më të fuqishëm në botë u shfaq tragjikomikisht gjatë vizitës së Sekretarit Bejker, ku turmat i puthnin makinën, si dhe gjatë vizitës së Bushit të vogël, kur e gjithë Europa ose nuk e priste, ose e priste me demonstrata për shkak të luftës në Irak.

Ne harrojmë se jemi një vend i vogël dhe se “I gjithëfuqishmi” (që sheh vetëm interesat e tij) do na kushtojë aq vëmendje sa na takon si një vend i vogël që jemi. Për fat të mirë, interesat tona kombëtare përputhen me interesat e SHBA-së në rajonin tonë, por ky është i vetmi avantazh. Dhe duhet të mos harrojmë edhe se interesat e Amerikës nuk janë të pandryshueshme. Në varësi të marëdhënieve me fuqitë e mëdha (veçanërisht me Rusinë) edhe raportet me ne mund të ndryshojnë një ditë.

Në politikën e jashtme amerikane, interesat e SHBA mbizotërojnë mbi gjithshka tjetër. Sigurisht mbi përhapjen e demokracisë apo mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të minoriteteve apo individit. Tek Shqipëria, Amerika do të shohë një shtet të qëndrueshëm, që bën reforma dhe administrohet mirë dhe që dëgjon thuajse çdo gjë që thotë Amerika. Dhe këto të treja janë kushtet themelore, të cilat do i lejonte edhe sikur vendi të sundohet nga një autokrat, si Rama. Për më tepër, mes politkanëve që ata njohin, nuk ka të tillë që të mos kenë prirje autokratike dhe njëkohësisht të kenë mbështetje në elektorat. Nëse do kishte të tillë patjetër që do i mbështesnin gradualisht deri sa të shihnin, që do ishin kandidatë të mundshëm për të qënë kryeministra.

Edi Ramën nuk e kemi peshqesh nga Amerika. Madje një kohë amerikanët kishin dyshime ndaj tij për shkak të karakterit të paparashikueshëm dhe zërave se ishte përdorues kokaine. Mund të ketë qënë edhe kjo një nga arsyet, që Rama nuk e fitoi dot pushtetin më 2009 edhe pse drejtonte partinë me elektoratin më të madh. Se sa i rëndësishëm është kryeministri I Shqipërisë (dhe vetë Shqipëria) për Amerikën, e tregoi viti 2016, kur me mendjelehtësi Rama sulmoi kandidatin Trump në CNN gjatë fushatës elektorale. Një gafë e madhe politike dhe diplomatike, që nuk bëhet as nga politikanët më amatorë. E megjithatë, gjatë 4 viteve të presidencës të Trump nuk pati asnjë ndryshim në politikën e jashtme amerikane në lidhje me Shqipërinë apo ndonjë shënjë hakmarrjeje për Ramën. Në hartën gjeopolitike të SHBA, Shqipëria dhe kryeministri i saj kanë një vend fare të vogël.

(vijon) 

Sunday 28 May 2023

Piktorja

Ajo pikturonte ëndërrat

Në kanavacet e prera agimeve.

Dhe nxitonte,

Nxitonte,

Që ngjyrat e asaj ç’kishte parë

Mos zbeheshin.

Si në afresket,

Kur gipsi mpikset shpejt

E nuk mund të bësh më korrigjime.

E tillë jeta është,

Një vrap i çmendur drejt të pafundmes,

Kur arti të pushton të gjithin

Dhe më s’ka kohë për dëfrime.

Në katedralen e madhe të Gjithësisë

Ajo rreket të mbushë me ngjyra niken e saj.

Akuarel,

                Pastele,

                                Akrilik,

                                                Vaj

Nuk ka kohë të zgjedhë.

I rrëmbyer është përroi i jetës së saj,

I vrullshëm,

                Ndjesi mbushur;

I tillë vazhdimisht do rrjedhë.

Saturday 27 May 2023

“Soshëllistët” tanë nxitojnë të urojnë Kizingerin


Sot Henri Kizinger mbushi 100 vjet. Diçka e rrallë për një politikan dhe një njeri, që është mësuar të shijojë “qejfet” e kësaj jete. Edhe pse nuk jam ndonjë simpatizant i tij dhe i doktrinave të tij, përsëri gëzohem , që njerëzit që kanë kaluar “strese mendore” të arrijnë të kenë një jetë të gjatë.

Përvjetorin e tij jubilar e mësova nga socialistët tanë Rama dhe Ditmir Bushati, që nxituan të shprehnin entusiazmin e tyre për një politikan dhe diplomat tepër konservator. U mundova të gjej ndonjë artikull në gazetat e njohura amerikane, por nuk ka të tillë. Ne jemi gjithnjë më katolikë se Papa, më amerikanë se amerikanët dhe më Ruajalistë se britanikët. Ndoshta se mbartim kompleksin e provincialit, që do të tregohet se njeh dhe ka takuar njerëz të rëndësishëm gjatë jetës së tij.

Edhe pse i vlerësuar për përvojën e tij si politikan dhe diplomat, Kizingeri është një nga figurat më të errëta të jetës politke amerikane dhe nga ata që kanë ndikuar më shumë negativisht në ngjarjet politiko-shoqërore në botë. Pjesë e kabinetit të Niksonit për të dy mandatet e tij, ai ka kontribuar në strukturimin e politikave reaksionare dhe agresive ndaj Kilit, Kamboxhias, Laosit, Greqisë, Bangladeshit etj. Niksoni, bosi i tij, njihet si presidenti më i diskretituar amerikan, aq sa u braktis edhe nga senatorët republikanë dhe u detyrua të jepte dorëheqjen.

Vrapimi i “soshëllistave” shqiptarë është edhe njëherë një tregues , që filozofia e tyre nuk ka aspak të bëjë me social-demokracinë, por me ekonominë e ashpër të tregut dhe me drejtimet autoritare, të cilat predikonte Kizinger. Në kohën e grushtit të shtetit në Kili, ai shihte si rrezik përhapjen e “eurokomunizmit” të Berlinguerit dhe Marshesë, po njëlloj si despotët e Moskës apo Diktatorët e Kinës dhe Shqipërisë. Miqtë më të afërt të diplomatit të shquar nuk kanë qënë kurrë politikanët e njohur për koncepte të mirëfillta demokratike, por diktatorët e tipit Markos, Pinoshe etj.

Në rrethet e majta kudo në botë, Kizinger quhet deri në kriminel lufte, madje një rezolutë e shtruar në Parlamentin Zviceran për ta shpallur “non grata” nuk u miratua vetëm për pak vota. Kështu shihet në rrethet e Socialistëve Europianë (ku bëjnë pjesë edhe “soshëllistët” tanë), diplomati 100 vjeçar.

Megjithatë, Kizinger është ku e ku më i butë, se krimineli Enver Hoxha, për të cilin kanë ende simpati Ed Rama dhe Ditmir Sul Bushati.

I ngujuar

I ngujuar pres vetë.

Ndoshta diku sillesh në ajri,

E brishtë porsi pranvera,

Në të majit ditës së tetë.

Unë nuk di se ç’pres

Edhe pse nuk ndjehem si në dramë absurde.

Ndoshta i tillë është maji

Shpresa bulëzuar

Drejt asnjë qëllimi,

Si në një strehë të vjetër mbuluar me furde,

Kur drita bije

Mbi një të varfër sofër,

Mbuluar nga një tis pikëllimi.

Përreth janë malet me brenga.

Prej tyre asgjë nuk mund të zbresë

Veç një trishtimi të mjegullt.

Hiçi pasqyrohet mbi të barit vesë

Pa asnjë tingull,

                Ngjyrë,

                                A trajtë

Në këtë ditë kur nuk di se ç’pret

Rrethuar nga një  kotësi e pashëmbullt.

Friday 26 May 2023

E ndjej që po jap shpirt

E ndjej që po jap shpirt

Ndërsa pezull jam mes tokës dhe erës.

Degët e kërleshura të panjës,

Gota e përmbysur e verës

Dhe melodia e dasmës,

Diku në një sallë mjerane

Nuk mund të më mbajnë më lidhur.

As kujtimi i hidhur

Si tingëllim i përmortshëm këmbane

S’më mban dot në fund të këtij deti ajri.

Më patën mësuar të mos bëja të Ikarusit marri

Për t’ju qasur diellit.

Por pa liri,

Pa marrë dot fluturime,

Nuk mund ta ndrydh dot shpirtin

Brenda qënies sime.

Ndaj ai gjen më të shkurtrën udhë

Për të dalë prej meje,

Të lerë trupin të nderë,

Pa më të voglën rrudhë

Për të fundit larje gati.

E ndërsa ai nuk di se për ku do ja mbajë,

Një tokë me gurë përzjerë do jetë shtrati

Për të mbeturin trupin tim,

Mbi të cilin dikush do qajë,

Pa kuptuar se trupi nuk jam unë.

Unë jam shpirti që doli mes buzësh,

Në ditën që e fundit quhet,

Por e fundit s’është

Dhe hapësirave kam për t’u endur

Deri sa misterisht të shkrihem

Në të një komete bisht,

A në një fjalë ende të pagjetur.

Thursday 25 May 2023

25 maj 1989


Mëngjesi ende nuk ishte ardhur, madje duhet të ishte diçka pas mezit të natës, kur u ngrita se nuk mbushesha dot me frymë. U lehtësova kur pashë se vështirësia në frymëmarrje më ishte shkaktuar se isha shtrënguar mes dy trupave të tjerë, edhe ata të veshur me kapota të trasha ushtarake. Dola nga çadra ku flinim përdhe, ne, oficerët rezervistë të brigadës së Mborjes. Qëndrova pak pranë një zjarri ende të ndezur, ku rrinin disa rezervistë të Ndërmarjes Metalike, duke menduar se a do më jepnin leje “të mëdhenjtë e brigadës”.

Ime shoqe ishte e shtruar në maternitet në pritje të fëmijës së dytë, ndërsa unë isha në grumbullimin vjetor ushtarak, në një pyll midis Gjonomadhit dhe Voskopojës. Më kishin ardhur në majë të hundës zboret, NATO-ja dhe Traktati i Varshavës, oficerët kokëkatrorë të Brigadës së Artilerisë, por ende nuk kisha kurajon e duhur për të zbritur në Korçë pa leje. Mund ta pësoja keq për “dezertim”.

Ishte një kohë kur flisnim kundër sistemit, por ende nuk ishim të bindur se nuk do e kishte të gjatë. Pas rrjeshtimit të mëngjesit, oficeri nga i cili varesha, më njoftoi se më kishin dhënë gjysëm dite leje dhe më darkë duhet të isha në vendgrumbullim. Ika me ngutje “si qen i lëshuar nga zinxhiri” dhe pas disa qindra metrave në një rrugë pylli dola në rrugën automobilistike. Vazhdoja teposhtë me nxitim, duke kthyer herë herë kokën në me shpresën e ndonjë makine, që do ma shkurtonte kohën për të arritur në maternitet. Kisha shqetësimin, që çdokush ka kur pret që gruaja të lindë. Asokohe, lindja e një fëmije ishte një proces gati misterioz për burrat, të cilët nuk lejoheshin të hynin në maternitet.

Për fat koha ishte e mirë edhe pse ende freskët dhe pas një ore e gjysëm arrita në maternitet. Para se të ikja ajo kishte qënë në një dhomë në katin e parë dhe përsëri në atë dritare trokita. “Të të rrojë vajza!” më tha një grua që më njohu. “Jot shoqe nuk është kthyer ende në dhomë, por është mirë!”

U qetësova, por nuk mund të them se u ngazëlleva. Do kisha dashur të ishte djalë. Nuk dija më se kë mund të pyesja për ndonjë hollësi ndaj shkova në shtëpi. Të mijtë, që e dinin se çdo gjë kishte shkuar mirë, më përqafuan dhe uruan dhe me ta i kalova dy- tre orë. Isha bërë për herë të dytë baba. Babai im do i vinte emrin Rezana më vonë dhe më pas ajo do bëhej dikush, që nuk do e ndërroja me asnjë djalë të kësaj bote.

Pasdite mora rrugën për t’u ngjitur në Voskopojë, me disa ushqime në çantë dhe dy shishe me raki për t’i pirë me kolegët, me të cilët flinim në një çadër dhe qeshnim me absurditetet e grumbullimeve ushtarake. Pas dy orëve arrita dhe u mblodhëm rreth zjarrit. 6 muaj më vonë do rrëzohej Muri i Berlinit.

Rezana kishte ardhur me këmbë të mbarë!

 

Wednesday 24 May 2023

Duhet të kenë turp homoseksualët apo...?


Në vazhdim të shkrimit “Turpi u bë Nder!”, po prek një temë të veçantë, që tregon se si ka evoluar qëndrimi i shoqërive në veprime, që dikur quheshin të turpshme dhe të dënueshme me ligj.

Po e hap duke shkruar se ata, të cilët duhet të kenë turp, janë ata që i persekutojnë dhe i përbuzin haptaz.

Natyrisht, që ky nuk është një qëndrim shumë i hershëm i imi, sepse jam rritur në një kohë, që edhe pse shumë njerëzve mund t’ju dukej i paarsyeshëm dënimi me burg, përsëri e konsideronin homoseksualizmin  një gjë tejet të turpshme. Në mjediset e qytetit ku jam rritur, edhe pse ata/ato , të cilët përfliteshin si homoseksualë ishin shum të pakëti, i gjithë opinion ishte i ashpër me atë dukuri. Sigurisht që feja ka luajtur një rol në të dhe çuditërisht edhe pse e quanin veten komunistë, banda që drjtonte shtetin i dënonte edhe me ligj marëdhëniet midis njerëzve të të njëjtit seks.

Ende sot, edhe pse me një qëndrim krejt të ndryshëm nga ai i para viteve ’90, ndërsa dëgjoj për dikë të njohur, që ka dalë hapur si I tillë nuk jam plotësisht neutral. Por logjika më kujton se edhe pse mund të mos jetë një lajm shumë i gëzueshëm për çdo familje shqiptare, njëkohësisht nuk ka përse të jetë i hidhur. Dhe për fat të keq, ende shumë familje shqiptare, të cilave ju ndodh që një pjesëtar i tyre t’ju thotë se është gay, ju duket se do ishte më mirë t’ju kishte ndodhur një gjëmë tjetër, por jo kjo. Ka dhe deri në qëndrimet ekstreme të “të bërit hasha” të djalit apo vajzës.

Duhet të pranojmë se kjo dukuri është e vjetër sa edhe njerëzimi. Ende nuk është e shpjeguar shkencërisht se sa ndodh për shkaqe objektive dhe sa për ato subjektive, por fakt është që një pakicë e njerëzve orientohen seksualisht ndaj seksit të njëjtë. Këtu nis raporti i shumicës me pakicën homoseksuale. Nëse këtë e pranojmë si të natyrshme, nuk ka as dhe arsyen më të vogël se pse duhet t’i nënvleftësojmë, t’i përbuzim dhe akoma më keq t’i persekutojmë. Gjithsejcili është në të drejtën e tij të ketë opinion për këtë çështje, të shoqërohet ose jo me homoseksualë, por s’ka të drejtë t’ju thotë as një çerek fjale, veç nëse do të shfaqë hapur injorancën dhe anakronizmin e tij/saj.

Shoqëria shqiptare ka ndryshuar në disa aspekte. Tashmë është e turpshme të vesh në lojë njerëzit me të meta mendore, apo handikapatët, gjë që ndodhte shpesh në brezin tonë. Por në ]ështjen e trajtimit të minoriteteve (ku hyjnë edhe homoseksualët) është përsëri shumë prapa. E dëshmojnë edhe komentet fyese dhe agresive në rrjetet sociale, atje ku edhe shfaqen më mirë karakteristikat morale të një shoqërie të caktuar.

Eshtë koha për t’ju thënë “Turp!” atyre që vrasin me fjalë njerëzit, të cilët nuk ju kanë asnjë faj!

Tuesday 23 May 2023

Mozaiku i Agim Nebiut


Kështu e quanim mozaikun e Muzeut Kombëtar në kohën kur po realizohej. Nebiu (më ngjan me origjinë nga Kolonja) ishte artisti i mozaikëve dhe të tjerët ishin bashkuar për të krijuar kompozimin e një vepre veçanërisht të rëndësishme të karakterit monumental. Kur u zbulua, nuk na la ndonjë përshtypje si vepër arti, por ajo që vlerësohej ishte vështirësia për të realizuar një vepër të përmasave të tilla.

Në debatin e sotëm rreth restaurimit të tij, i mëshohet idesë se veprat krijohen në një kohë të caktuar dhe për këtë arsye ,kur restaurohen ju duhet ruajtur plotësisht natyra e tyre. Lihet mënjanë edhe cilësia artistike si dhe mesazhi kryesor që përcjellin.

Për mua nuk do ishte problem, që mozaiku të restaurohej në gjendjen fillestare nëse ishte në një mur mbajtës përgjatë një autostrade. Nuk do prishte punë as ylli i madh, as ai në flamur dhe as libri i Historisë së Partisë në dorën e punëtorit. Brezat e rinj dhe të huajt mund ta shihnin me kureshtje dhe edhe mund të qeshnin me të. Por ai është në qendër të kryeqytetit të Shqipërisë dhe njëkohësisht pjesë e Muzeut Historik Kombëtar. Për këtë arsye jo vetëm çka u hoq u bë mirë (mendo një vepër monumentale në qendër të Berlinit me swastika-n dhe me një ushtar që mban në dorë “Mein Kampf”), por i gjithë mozaiku duhej të hiqej nga fasada.

Si vepër artistike, mozaiku vuan edhe nga konceptimi si një vepre arti e gërshetuar me objektin arkitekturor. I ngjan më shumë një pikture në një “billboard”, që shërben për reklamimin e një produkti. Vetë tonet koloristike të veprës nuk kanë asnjë lidhje me ngjyrat e përdorura në Muzeu. Si e tillë, do i shërbente arkitekturës së objektit një trajtim i ri i pjesës murale ku është sot mozaiku. Mund të kishte një konkurs për rikonceptimin arkitekturoro-artistik të fasadës kryesore të Muzeut.

Për arsye të koservimit të veprave të artit të çdo kohe, mozaiku duhej të ringrihej në një kapanon gjigand, që mund të shërbejë si Muze i Artit të Realizmit Socialist dhe ku mund të futen dhe të ekspozohen një pjesë e veprave, që janë hequr nga piedestalet e tyre, ku mund të përfshihej edhe ndonjë nga monumentet e realizuara mirë artistikisht të Hoxhës. Një lloj Muzeu-ekspozitë i natyrës së tillë do kishte karakter studimor dhe do ngjallte interes tek të gjithë ata që interesohen se ç’lloj denatyrimi merr arti në vendet totalitare. Nuk do prishte punë edhe sikur disa nostalgjikë të shkonin e ta shihnin herë pas here dhe t’i gëzoheshin Komandantit duke thënë: “Sa i bukur ishte!”

Një Muze i tillë do shpëtonte nga “fshehja” shumë vepra arti të një periudhe 40-vjeçare, e cila ka qënë periudha më prodhimtare në artet figurative të Shqipërisë. Kjo për shkak të investimeve të mëdha të shtetit për të nxjerrë artistë, që do krijonin vepra në shërbim të tij. Në të do ketë edhe vepra artistikisht të arrira, mbase edhe kryevepra, sepse shumë artistë edhe pse përballë kufizimeve ideologjike ishin në gjendje të krijonin art.

Monday 22 May 2023

Shqipëria ka nevojë për një parti të Majtë dhe një të Djathtë


Ka shumë analistë, që flasin se e Djathta duhet riorganizuar, në mënyrë që e Majta e Ramës mos mbetet e përjetshme në pushtet. Shumë përmendin kohën e rotacioneve, si një  periudhë të rëndësishme dhe normale, të ngjashme me atë të demokracive perëndimore.

E vërteta është krejt e ndryshme.

Në Shqipëri nuk ka pasur as Parti të majta dhe as të djathta.

Dy forcat kryesore politike, të cilat kanë qeverisur, kanë qënë dy organizime njerëzish me mendësi komuniste, njëra e përbërë nga “antikomunistët” dhe tjetra nga nostalgjikët e Partisë së Punës dhe interesaxhinjtë.

Partia Socialiste, që në kohën e Nanos nuk ka qënë e Majtë si simotrat e saj në Europë dhe as Partia Demokratike nuk ka qënë parti e djathtë. Në të gjitha praktikat e tyre qeverisëse ata kanë pasur praktika të ngjashme, që kanë qënë hallakatje mes ideve ekonomike të së majtës dhe të djathtës klasike. Nën drejtimin e dy udhëheqësve ekzistues, ato u kthyen në Partia e Ramës dhe Partia e Berishës në një luftë të egër mes tyre për pushtetin që jus jell para në xhepat e tyre.

Për fat të keq të shqiptarëve, të dy këto organizime, të cilat vendosin për jetën e njerëzve në Shqipëri nuk mund të çlirohen nga udhëheqësit-sundues dhe njëkohësisht nuk mund të çlirohen nga mendësia e tyre që i ka rrënjët në komunizmin anadollak të kohës së Hoxhës.

Në se duam të shpresojmë në një të ardhme me një politikë normale, është një nevojë urgjente e organizimit të partive të vërteta të Majta dhe të Djathta. Njëe Majtë që do luftojë për organizimin e Sindikatave dhe të rritjes së peshës së tyre në jetën e shoqërisë shqiptare, për mbrojtjen e më të dobtëve dhe minoriteteve si dhe një të Djathtë të vërtetë, që të ketë në bazën e platformës së saj zvogëlimin e rolit të shtetit në jetën shqiptare dhe nxitjen e inisiativës së lirë.

Po kush t’i krijojë?

Ka një vështirësi të madhe, sepse kjo duhet të përkojë me një “shpëlarje” të të gjithë kastës politike ekzistuese, e cila nuk mund të heqë dorë lehtësisht nga fitimet që i sjell politika qoftë në pushtet e qoftë në opozitë. Gjithashtu shoqërisë shqiptare i mungon stofi i nevojshëm për të sjellë një rigjenerim të plotë moral. Por njerëzit e papërzjerë, ata që nuk kanë se ç’humbin dhe të rinjtë, që gjithnjë ëndërrojnë “të ndryshojnë botën” nuk duhet të presin që ndryshimet t’ju vijnë nga jashtë ose më keq, t’ju bien nga qielli.

Vetëm në këtë mënyrë nuk do kemi më zgjedhës anti-Ramë dhe zgjedhës anti-Berishë, por njerëz që besojnë se programi në të cilin besojnë mund t’ju sjellë një jetë më të mirë.

A është kjo një ëndërr e një nate maji?

Mundet, por nëse nuk mund të ëndërrosh se një ditë mund të shpëtosh nga e Keqja do të thotë se je bërë pjesë e saj.

 

Sunday 21 May 2023

“Turpi u bë nder!” (fund)

 


(vijim)

Edhe pse emrat e përmendur i përkasin vetëm politikës, nuk dua të them se ata janë të vetmit protagonistë të punëve “të turpshme” (të paligjshme), por duke qënë në njerëzit që zenë më shumë vend në mediat tradicionale dhe njëkohësisht njerëzit e pasuruar pa “ju rënë bretku në punë“, sigurisht që janë modeli më ndikues dhe më i keq në shoqërinë shqiptare. “Mafia e jakave të bardha” është ku e ku më e rrezikshme për shoqërinë se sa ajo e botës së nëndheshme. Janë ata, të cilët jo vetëm që ndikojnë në jetën e përditshme të të gjithë njerëzve, por më keq akoma ndikojnë në formimin psikologjik të të rinjve dhe të fëmijëve. Në mjediset tona universitare, ku duhet të vlonte dëshira për të reformuar Shqipërinë, mbizotëron dëshira për të ndjekur shembullin e “politikanëve të suksesshëm të tipit Rama dhe Veliaj”. Eshtë me të vërtetë një gjendje e keqe me pasoja për disa dhjetvjeçarë.

Disa nga politikanët tanë kryesorë (por edhe ndonjë biznesmen shumë i suksesshëm) më kujton famëkeqin Jeffrey Epstein, i cili vrau veten në burg, ku pritej të dënohej për marëdhënie me të mitura dhe përdhunim. Në fillimet e karrierës së tij në Uoll Strit, dikush që e kishte rekomanduar për një post në një punë të dyshimtë financiare kishte thënë: “Ai është adapt për atë punë se nuk ka asnjë lloj parimi moral!” Sigurisht, pasi u bë miliarder ai kishte “miq me kokë“ nga Princi Andrew tek Klintonët, por edhe nëse do donte të kishte një zyrë të lartë shtetërore nuk mund të zgjidhej. Pa mohuar faktin se në administratat  perëndimore ka “të pacipë“, ndryshimi me shoqërinë tonë është se ka një kufi, i cili nuk mund të kalohet.

Në të kundërt me Perëndimin, zvetënimi moral është shumë i përhapur në vendet e ish Kampit Sovjetik. Ngjashmëria e shoqërive të tyre me shoqërinë shqiptare është evidente. Ndoshta për shkak të izolimit dhe të varfërisë ne ja u kemi kaluar në “mafiat e diasporës”, por edhe kjo është deri diku rrjedhojë e korrupsionit të politikanëve shqiptarë, sepse një mirë e mirë e parave të drogës pastrohen në Shqipëri. Ekonomia e vendit është mjaft e varur nga paratë e pista të trafiqeve.

Një bjerrje e përgjithshme e moralit të shoqërisë të le përshtypjen e parë se gjendja është e pashpresë dhe sa vjen e do keqësohet. Edhe pse mund të ketë një shkallëzim të rënies morale në dy-tre dhjetvjeçarë, me “trupin” e shoqërisë ndodh diçka e ngjashme me trupin e qënieve të gjalla. Aktivizohen “antitrupëzat”, të cilat luftojnë nga brenda sëmundjen dhe e rishëndoshin organizmin. Një gjë e tillë do ndodhë edhe në Shqipëri se nuk mund të shkohet pafundësisht thellë së Keqes. Që tani ka shënja në të rinjtë, që kërkojnë një rikthim të moralit jo vetëm në politikë por edhe në gjithë jetën e vendit. Nëse “namuzi” hë për hë është kthyer në diçka “anakronike”, nuk mund të vazhdojë gjithnjë kështu. Njerëzit po e ndjejnë që diçka thellësisht e keqe po e kërcënon jetën e shoqërisë shqiptare.

Ndoshta në 4-5 vitet e ardhme, e “Keqja” e mishëruar në lidhjen e Ramës, Veliajt e kompani me botën e krimit (direkt dhe indirekt) do jetë në zenithin e saj, por pas majave gjithnjë fillon e tatëpjeta, e cila merr kohë, por ndodh.

Atëhere elita shqiptare do ketë edhe shumë njerëz, të cilët skuqen kur bëjnë gjëra të turpshme.

Friday 19 May 2023

“Turpi u bë nder!”

 

“Turpi u bë nder!”, ishte një shprehje, që mëma ime e përdorte shpesh. Duket dhe ajo e kishte dëgjuar shpesh nga të parët e saj dhe ndoshta edhe ata prej parardhësve të tyre. Kjo nuk dëshmon se “turpi” është një kategori, që ka karakter historik, por që me ndryshimin e kohëve, shumë veprime, që mund të quheshin të turpshme më parë, më vonë bëhen të natyrshme madje edhe të lavdërueshme. Për shembull jo më larg se 100 vjet më parë ishte e turpshme t’ju ktheje fjalën prindërve, kurse tani psikologët e nxisin një shfaqje të personalitetit të adoleshentëve madje edhe të fëmijëve, kur mendojnë se kanë të drejtë.

Mund të merren me dhjetra shembuj të tillë të historisë sonë jo të largët, nga mbajtja e kokës të mbuluar me shami të grave, në fundet, që duhet të ishin poshtë gjurit e deri daljen në skenë për të kënduar apo aktruar, në ushtrimin e grave të profesioneve të kamerieres e të tjera të ngjashme. Sot mund të duken absurditete të tilla mendësi, por kanë ekzistuar në shoqëri me njerëz me intelekt të njëjtë me tonin.

Por nëse shoqëria nuk “shthurrej” as nga heqja e ferexheve apo shamive, as nga gjallërimi i jetës artistike, as nga evolucioni në marëdhëniet seksuale, as nga banjat e diellit me gjoks të zbuluar të burrave dhe grave dhe as nga puthjet në praninë e të tjerëve, shoqëria shthurret, kur gjërat e paligjshme dhe të pamoralshme nuk shihen më si të turpshme, por krijohet në masë një mendësi, që këto i bëjnë të zgjuarit, të shkathëtit dhe të suksesshmit. Dhe kjo nis me kontrabandën, falsifikimin e vizave dhe pashaportave, shfrytëzimin e pozitës zyrtare, ofrimin e seksit në këmbim të favoreve, mashtrimin me qëllime fitimi, dhënien borxh me interesa shumë të larta , dhënien e vendimeve gjyqësore në varësi të atij që paguan më shumë dhe deri në trafiqet e drogës dhe të njerëzve. Të gënjyerit në mënyrë të vazhdueshme ka kohë që ka dalë nga kategoria e gjërave të turpshme.

Në kohën e sotme, kategoria e atyre që dikur quheshin “namuzqarë“ klasifikohet më shumë si “të mefshtë“ dhe “naivë“, ndërsa “të nderuarit” janë ata që njëkohë quheshin “namuzsëzë“. Dhe kjo nuk ka të bëjë as me zhvillimin, as me orientimin euro-atlantik dhe as me shkëputjen nga “ndikimi” i dëmshëm i pushtimit otoman”. Ka shumë të bëjë me edukimin materialist-ateist të viteve të Diktaturës, mbylljen e institucioneve që predikonin moralin, varfërinë materiale dhe shpirtërore dhe me një përqafim të menjëhershëm të të metave të shoqërive të përparuara perëndimore, por jo të vlerave të tyre.

Dhe në “të paturpshmit” tani nuk hynë ata, të cilët nuk “kanë se ç’të turpërojnë“ (po përmend vetëm Veliajt, Salillarët, Metajt, Ahmetajt), por edhe të tillë që vijnë nga familje intelektualësh e emër si Rama, Beqaj, Blushi, Pollo e të tjerë. Pra dukuria është jo vetëm e gjërë, por edhe gati gati gjithpërfshirëse. Kjo e bën edhe më të rrezikshme dhe më afatgjatë. Edhe pse nuk besoj në një ndarje të shoqërisë në kasta (sojsëzë dhe sojllinj), përsëri nuk mund të mohohet rolin që luan tradita familjare në formimin dhe në sjelljen e njerëzve. Ndaj të rriturit në një mjedis familjar me parimet e fitimit me çdo kusht, të pabesisë nëse interesi tënd ta kërkon, të përuljes para të fuqishmëve dhe shtypjen me këmbë të më të dobëtve, nuk ka se si të mos jenë “të pacipë“. (Mungesa e cipës të shpije jo rrallë tek suksesi, por edhe shpesh tek burgu.)

(vijon)

Thursday 18 May 2023

“Flokët e Frejas”


Redaktori im i përhershëm (shoku im më i mirë), Riku, më njoftoi se së shpejti do dalë nga shtypi përmbledhja ime me poezi, e titulluar “Flokët e Frejas”. Një rastësi disi e çuditshme, plot mall dhe e bukur se përkon me ditët e takimeve të para me miken time Ruth, të cilës i është kushtuar libri.

Përpos dyshimeve, ironive, stepjeve apo dhe përçmimeve të dikujt (“Ky paska rrjedhur në pleqëri!”) unë vendosa të botoj një përmbledhje të dytë pas asaj të para 15 viteve, e titulluar “Endem”. Për t’i dhënë kurajë vetes kam menduar se është më mirë të botosh një libër me poezi, se sa të humbasësh kohën duke u “përkëdhelur” pas njerëzve të fuqishëm, të cilët mund të të futin në një bord, të të japin një honorar si këshilltar arkitekture në këmbim të “thurrjes lavde” ndaj bëmave të tyre. Eshtë edhe më mirë se të kalosh orë të tëra klubeve duke u ankuar për të këqijat e kësaj bote.

Të thurrurit e vargjeve (edhe pse jo i detyruar) më ka dhënë kënaqësi dhe kur mendoj se edhe dy tre vetë të çdo moshe, do gjejnë diçka me vlerë në to, diçka të ngjashme me ato që kanë ndjerë gjatë dashurive të tyre, kjo ma shton ngazëllimin.

101 poezitë e përmbledhjes janë shkruar në periudhën 2014-2022 dhe një pjesë jo e vogël e tyre janë postuar në blog në kohën kur i kam shkruar. Por ka edhe shumë të tjera, që nuk janë të njohura nga lexuesit e blog-ut. Përgjithësisht janë lirika ose përsiatje rreth raporteve mes dashurisë së njerëzve dhe universit. Tek to është “melodia” që troket brenda tëmthave të mija, kur kam përjetime të fuqishme, ose kur i sjell ndërmend.

Më vjen keq që mikja ime Ruth nuk mund t’i lexojë dot. Ajo flet një tjetër gjuhë.

Wednesday 17 May 2023

“Ngjashmëria” në numurat

 

Si një lloj “humori i zi”, në këtë shkrim po prek disa “përputhje” në vitet e Komandantit tonë legjendar, me “Skënderbeun e sotëm” të Spiropalit. Ndoshta edhe Spiropalseja këtë ngjashmëri ka pasur në mendje, por përdori emrin e Skënderbeut për të qënë “politikisht korrekt”.

Mendja tek përputhjet, më shkoi se në vitin 1968, kur “Enveri ynë“ mbushi 60 vjet dhe ishte i konsoliduar në pushtet, u mendua që kishte ardhur koha, që fotoja e tij të ishte në gjithë shtëpitë shqiptare, duke përjashtuar këtu ato të armiqve të klasës. U bënë foto të bukura, ku Udhëheqësi i qetë dhe i buzëqeshur, qëndronte i patundur në kolltukun e tij para disa kaçubeve landro. Fotot ishin të përmasave të ndryshme dhe ju shpërndaheshin kryefamiljarëve, bazuar në rëndësinë që kishin në punë. Piramida funksiononte në këtë mënyrë. Fotot më të vogla “13x18” ju jepeshin punëtorëve të thjeshtë. Të gjitha duhej të vendoseshin në vendin më të dukshëm në dhomën më të mirë të shtëpisë.

Edi Rama po i afrohet përvjetorit të 60-të dhe në pushtet është më i fortë se kurrë. Mund të realizohet mot, më 4 korrik, një cikël me fotot e tij në Vilën e Surrelit dhe t’ju shpërndahen shqiptarëve. Pas posterave të mëdha dhe fotove të kudondodhura në gjithë rrjetet sociale, nuk ka pse mos kenë nga një foto në dhomën e ndenies jo vetëm aktivistët, por edhe të gjithë shqiptarët që e duan dhe i besojnë.

Por ka edhe disa numra të tjerë, që përkojnë mbase jo në mënyrë të frikshme, por që ja vlen të përmenden. Duken si një formë parodike e fatit të shqiptarëve. Rama u angazhua në karrierën politike në vitin 1997, kur ishte 33 vjeçar, po aq sa ishte edhe "Legjendari", kur u afrua nga Koço Tashkoja në mbledhjen e fshehtë të nëntorit 1941. Ramën e afroi Fatos Nano, që mendonte se mund ta përdorte si vegël të efektshme ndaj kundërshtarëve të tij politikë.

Më pas, me të njëjtin talent intriganti, Rama ngjiti shkallët drejt pushtetit absolut, duke përdorur çdo mënyrë që i jepte avantazh ndaj shokëve të një “ideali”. Duke përdorur presionet, shpënien e fjalëve në vesh, shitjen e të tjerëve, lulet në spitale dhe dhuratat në ditlindje dhe gjithfarë makinacionesh, që nuk janë as në librin “Princi”, po njëlloj si Komandanti, në moshën 40 vjeçare, ai shtiri në dorë kontrollin e Partisë. “Koço Tashkoja- Fatos Nano” ishte penduar që kishte sjellë “Përbindëshin” në Parti, por ishte tepër vonë.

Sigurisht, që ligjet e sistemit të ri, nuk e lejojnë Edi Ramën as të pushkatojë shokët dhe as të izolojë vendin. 

Kur ishte 53 vjeç, Enver Hoxha e mbylli plotësisht Shqipërinë për shqiptarët, ndërsa në moshën 53 vjeçare, kur mori mandatin e dytë qeverisës, Rama filloi t’i detyrojë shqiptarët në masë të madhe të largohen nga vendi. Pra bëri të kundërtën e Heroit të tij. E vetmja ngjashmëri qëndron në lidhjen që ka forcimi i pushtetit në dorën e një njeriu me rritjen e paranojës.

Në pragun e mbushjes 60 vjet, Edi Rama ka pushtetin më absolut, që ka pasur gjatë karrierës së tij dhe  është bërë më paranoiak se kurrë. E dëshmon në afrimin që bën në sferat e larta qeverisëse të shumë njerëzve jo brilantë dhe “peqelepista”. Ata , të cilët fillojnë “të rrisin ambiciet” i ul disa shkallë më poshtë duke ju kujtuar të gjithëve, se në Olimpin e Partisë Socialiste ka vend vetëm për Zeusin. Të gjithë të tjerët janë të skartueshëm. Aq të qartë ja u ka bërë vartësve të tij këtë, sa shumë prej ministrave e përsëritin vetë këtë refren.

Edhe pse nuk shkon t’i urojmë “Rrofsh sa malet tona!”, nuk është as e udhës të grishim “Forcat e Mbinatyrshme” ta marrin një orë e më parë.

Në fund të fundit nuk është faji i tij. Thjesht një ngjashmëri numurash.

Monday 15 May 2023

“Demokracia e kontrolluar”


Sigurisht , që Shqipëria është një vend demokratik. Ka qënë e tillë, që në krijimin e saj, pas Luftës së Parë Botërore. Nisi si një “demokraci monarkike”, vazhdoi si “demokraci proletare” dhe tani nuk është as “demokraci e pjesshme”, as “demokraci hibride”, por një “demokraci e kontrolluar”.

Themelet e kësaj demokracie u hodhën diku rreth vitit 1994, kur Berisha kërkonte me ndryshimin e Kushtetutës fuqi, që e kalonin edhe atë të një Republike presidenciale, por u çimentuan gjatë 10 vjetëve të sundimit të Ramës. Tani kemi me të vërtetë një “demokraci të kontrolluar”, e cila ka gjasa të qëndrojë gjatë në Shqipëri.

Faktori kryesor mendoj se është, që shoqëria shqiptare nuk është gati për një demokraci perëndimore. Mungon në një pjesë të mirë të njerëzve prirja për të dëgjuar tjetrin, për tu pajtuar me humbjen, për të mos u joshur nga pushteti, për të pranuar gabimet, për tu solidarizuar me më të dobëtin, për të jetuar në një vend ku sundon mendja dhe jo forca. Ndaj është shumë i përhapur korrupsioni, servilizmi, prirja për të bërë dallavera, nënshtrimi ndaj të pushtetshëmve dhe të fortëve. Eshtë kjo , që i ka dhënë dorë ngjitjes në majat e politikës të shumë njerëzve tepër të korruptuar dhe qëndrimit të gjatë në skenën politike të tre përfituesve më të mëdhenj nga korrupsioni.

Edi Rama dhe Sali Berisha janë dy njerëzit më tipikë, që nuk mund të qeverisin dot pa sunduar. Në mendjen e tyre (më e sigurt në subkoshiencën e tyre), qëndron figura e qeverisësit më jetëgjatë në Shqipëri, ajo e Enver Hoxhës. Dikur kam shkruar se Edi Rama është më i rrezikshëm se Berisha për shkak të moshës së tij më të re dhe kjo mbetet një e vërtetë e rëndësishme. Ai arriti me të gjitha mënyrat të kontrollojë plotësisht Partinë e tij dhe tanimë të gjithë jetën shqiptare.

Asgjë nuk ndodh më në Shqipëri pa dëshirën e Ramës!

Por në këtë kanë kontribuar të gjithë, prej “pasunarëve” intersaxhinj, mediave të shitura, të ashtuquajturve opozitarë dhe deri në OJQ-të dhe segmentet “ e pavarme” të pushtetit juridik. I janë nënshtruar për interesat e tyre nga ato madhore dhe deri tek më meskinet, një njeriu, i cili padashje edhe përdor fraza të Enver Hoxhës, kur e quan opozitën “një shportë me karavidhe”.

Ka kontribuar gjithashtu edhe i ashtuquajturi “elektorat gri”, i cili zgjedh të mos shkojë në zgjedhje se sa të përpiqet për të krijuar forca të reja politike apo të mbështesë figura të panjollosura si Arlind Qorri.

Por ky është tashmë realiteti shqiptar dhe ndaj realitetit nuk ke përse të revoltohesh nëse nuk je në gjendje të bësh përpjekje për ta ndrequr.

Mund të pajtohesh me të duke thënë: “Po normal, edhe unë po të isha në krye një demokraci të kontrolluar do dëshiroja të kisha!”

Me këtë thënie dëshmon që as kupton se ç’është demokracia dhe as ke dëshirë të jetosh në një sistem të tillë.

Sunday 14 May 2023

Mamoja


Ajo ishte e qetë. Veçanërisht e qetë. Ndoshta kjo ishte arsyeja, që nuk kishte rrudha në fytyrë. Flokët i kishte të thinjura, por nuk kishte rrudha edhe pse dukej që ishte e shkuar në moshë. Gjithnjë duke u kujdesur për një nip apo mbesë të vogël. E veshur me të zeza dhe me flokët e lidhur pas kokës. Nuk kujtoj nëse ishte një lloj gërsheti që mbahej me “mashka” përreth vëllimit të rregullt të kokës së saj. Të gjithë e thërrisnin Mamo. Dukej sikur ishte mëma e të gjithëve. E të mëdhenjve dhe të vegjëlve. Mund të shkoje dhe ti rrëfeje për një hall që bluaje dhe të të dëgjonte me qetësi e të të jepte shpresë.

Ishte lindur në një nga fshatrat e veçantë të rrëzës, dhe ishte martuar në fshatin tjetër të ngjashëm. Thuhej se ato dy fshatra ishin ngritur në thellësitë e shekujve nga të rinj të ardhur nga jugu i Polonisë. Banorët flisnin veç shqipes edhe një gjuhë tjetër që të tjerët e quanin bullgarçe, por ndonëse një dialekt sllav, ndoshta nuk ishte tamam sllavishtja e bullgarëve. Ishte martuar tek Stavret e Asdrenit me nipin e tij. I shoqi kishte kohë që kishte vdekur. E kishte lënë me 7 fëmijë. Djemtë i kishte gjithnjë pranë vetes. Edhe të martuar dhe me fëmijë. Të bijat vinin dhe e shikonin, ndoshta më shumë për të gjetur mbështetje në mirësinë e saj. Nuk ankohej kurrë. Priste të tjerët të vinin e të ankoheshin tek ajo dhe t’ju lehtësonte plagët. Ishte një lloj melhemi njerëzor.

Në dimër, kur kthehesha nga shkolla dhe nuk kisha çelësin e apartamentit, trokisja në derën e saj dhe Mamoja më merrte në apartamentin e saj të madh. Rrija e prisja i mbështjellë nga një qetësi dhe prehje, ndërsa ajo kujdesej që nipi i vogël mos zgjohej nga gjumi. Ishte një qetësi e qashtër, me një dritë të pastër që vinte nga dera e madhe e ballkonit në veri. Një qetësi shekullore që të bënte të ndjeheshe i përjetshëm dhe jashtë çdo rreziku.

Nuk e kujtoj kur iku Mamoja për të mos u kthyer më. As se si iku. Ndoshta me të njëjtën qetësi, si kishte jetuar. E rrethuar nga dashuria e shumtë, që kishte dhënë. Në mendje herë herë më vijnë vargjet, që ndoshta i thurrte vetë ndërsa vinte të nipin të luante me një lepur llastiku në dhomën tonë të ndenies. Ishin vargje të thjeshta të një shqipeje të pastër:

Lepur je po ç’je!

Lepur jam po ç’jam!

Ke veshë apo s’ke?

Kam, po nuku s’kam?!

 

Friday 12 May 2023

Hajdutët nuk mund të jenë patriotë!


Fredi Bejleri, një minoritar me dy nënshtetësi, papritur është vënë në qendër të vëmendjes jo vetëm në mediat shqiptare dhe greke, por edhe në shumë zyra të Bashkimit Europian. Kandidati i Opozitës është arrestuar mbrëmë për shitblerje votash dhe kjo ka koinçiduar me një sulm të ashpër, që i bëri Rama në emisionin “Opinion” duke ju drejtuar personalisht se do merrej me të pas zgjedhjeve.

Unë e besoj që Bejleri ble vota, sikundër kanë bërë edhe shumë kandidatë në zgjedhjet e kaluara në Shqipëri. Ndjej edhe një lloj neverie për të, se përdor gjuhë anakronike përçarjesh mes etnive, gjë që e ve në pozita të favorshme me ekstremistët në të dy anët e kufirit. Por kaq vlen për Bejlerin. Rama e sulmon se ai nuk është kandidati i tij dhe jo sepse Rama është një atdhetar i kulluar. Në Himarë ka shumë e shumë përplasje intersash për prona të zaptuara dhe të tjera të moskthyera tek pronarët, ndaj dhe Rama , apo kundërshtarët e tij aktivizojnë Bejlerin dhe antiBejlerët. Nëse PBDNJ do ishte në krahun e Ramës, këtij të fundit nuk do i bëhej vonë për Fredin, madje do e quante një biznesmen të suksesshëm. Po njëlloj si bënë sivjet Berisha me Metën, të cilët para shumë vitesh edhe mund ta kishin futur në burg Bejlerin.

Pra le të kthehemi në pika kryesore, se a mund të jesh njëkohësisht edhe hajdut edhe atdhetar. Eshtë e pamundur. Hajnat nuk kanë atdhe, por njohin vetëm përfitim e lehtë përmes grabitjes. Janë ndërkombëtarë njëlloj si piratët. Kriminelët mund të jenë atdhetarë, por hajdutët jo! Janë dy kategori njerëzore, të cilat nuk përputhen.

Në emisionin e Fevziut, Rama shpërtheu në një tiradë fyerjesh për Bejlerin, që tregonte se i trembej një fitoreje të mundshme të tij. Në të kundërt mund ta injoronte dhe të përmendte vetëm veprimtarinë antishqiptare, e cila ve në rrezik marëdhëniet me fqinjët. Jo. Rama shpërtheu me urrejtje ndaj tij, duke dashur me një gur të vriste dy zogj; të inkurajonte votuesit antiBejler të Himarës dhe të tregohej patriot i flakët para shqiptarëve.

Por ata që e plaçkisin Shqipërinë nuk mund të jenë patriotë, sado të rrahin gjoksin! E them këtë edhe për Berishën edhe Metën, që vazhdojnë të lëshojnë lot krokodili për Shqipërinë. Ata kanë zgjedhur politikën për të pasuruar familjen dhe klanet e tyre dhe kanë zgjedhur të qëndrojnë në Shqipëri , sepse atje e kanë më të lehtë që të vjedhin.

Nga veprimi prej lakejsh të verbër i Cuçit me shokë, Bejleri ka për tu zgjedhur kryetar bashkie. Madje si hajdut votash (dhe jo vetëm votash) ka për ta gjetur pas pak kohësh gjuhën e kompromisit me Ramën.

Kështu ka ndodhur vazhdimisht në rrethet e hajdutëve!

Ne dhe këngët romishte


Flitet shumë për Qytetin e serenatave, por pak përmenden bashkësitë rome dhe egjiptiane, të cilat kanë pasur një rol jo të vogël në zhvillimin e instrumentistëve dhe këngëtarëve korçarë. Në kohën e fëmijërisë dhe rinisë të brezit tim, mbi 90% të orkestrave të vogla ishin me pjestarë të këtyre bashkësive. Gjithashtu pjesa dërmuese e orkestrës frymore të qytetit ishte prej romësh dhe egjiptianësh, përfshi këtu edhe drejtuesin e saj. Estrada e qytetit kishte pasur vazhdimisht një orkestrinë të përbërë nga anëtarë të këtij komuniteti dhe për disa dhjetvjeçarë edhe dirigjentët e orkestrinës.

Nuk po përmend emra, se ndoshta një pjesë e mirë e tyre ende ndjejnë përçmimin, që ka pasur bashkësia edhe pse e ka zënë me meritë vendin e saj në muzikën e qytetit të Korçës.

Lagja e qytetit, ku jetonin këto dy bashkësi, ishte lagja më e varfër, por dhe me shumë gaz dhe hare. Kur kaloje në të dëgjoje vazhdimisht prej Pazarit dhe deri tek Fabrika e Fajancës, grupe që këndonin këngët e tyre të veçanta, që kanë pasur diçka të përbashkët me ritmet e këngëve indiane të filmave të Bollivudit. Pa dyshim që rrënjët e këtyre bashkësive janë në Indi. Në ato kohë i quanim “këngët e evgjitëve”, por ndoshta sot duhet të përdoret një term më i moderuar dhe që ta vret më pak veshin – mbase “këngët romishte”.

Një pjesë syresh i kishim më suar dhe i këndonim gjysëm me të qeshur , për shkak të varfërisë së gjuhës së teksteve, ose një lloj mospërputhje të ritmit të vrullshëm me tekstin pikëllues si tek “Të qan nëna o Baki/Të qan shoqëria…”

Ishte kjo qasje e çuditshme ndaj jetës, që nuk i linte asnjëherë të shkurajoheshin, që na bënte t’I shihnim si të veçantë romët. Jetonin çastin duke ngrënë brenda ditës paratë që kishin nxjerrë, duke kënduar dhe duke u dehur, pa menduar shumë se çdo sillte e nesërmja. Dhe në ndryshim nga grupet popullore të fshatrave, nuk bënin këngë me përmbajtje politike veç njërës, që kishte një spërdredhje të pazakontë : “Të rrojë Enveri, të rroj’ Partia/ Që na bëri me shtëpia/ Të rrojë Partia, të rrojë Enveri/ Se Mehmeti deç na therri!”

Këngët romishte ishin kryesisht këngë dashurie, pabesish në dashuri, braktisje të familjes dhe falje të gabimeve. E tillë ishte ndoshta e gjithë bota e tyre. Si tek : “Të thirra Nafije, /Po ti s’mu përgjigje/Fëmijët e tu po qajn’ me lot/ Kërkojn’ Nafijen s’e gjejn’ dot/ Kërkojn’ Nafijen s’e gjejn’ dot/ Nafija iku dhe na la/ Moj Nafije moj qejflijeeee…” Nuk ndjehej dëshpërim edhe në braktisjet, edhe kur qanin me lot. Ritmi ishte i njëjtë, që të ftonte të kërceje e të gëzoje jetën. Në ndryshim nga këngët e seranatave, kur autori me dhimbje qan se është braktisur, romët e merrnin me qetësi edhe pabesinë si tek “Lagjen tënde u ispozova/ Me ty Mira s’përfundova/ Mira, Mira, Mira e pabes’/ Mira , Mira un’ për ty do vdes!”

Këto ishin disa këngë të kohës sonë, që ende më bëjnë të qesh kur më kujtohen ndërsa ngas makinën në rrugët e pafund të një vendi tjetër. “Neve u ndam’ me dëshpërim/ Me syçkat mbushura me lot’…”

Thursday 11 May 2023

“Big Brother” dhe “Vagabondi”


Disa nga miqtë e mij të mençur në Shqipëri janë çuditur me “paralizimin” e jetës shqiptare në kohën kur transmetohej “Big Brother”. Gjithashtu edhe me “histerinë“ e shumë njerëzve, përfshirë edhe mediat, me veprimet e Luizit nga Shkodra dhe dashurinë e tij me Kiaran (shpresoj mos gaboj emrin e saj).

Unë nuk e kam shumë të qartë se si funksionon “Big Brother”, sepse asnjëherë nuk kam ndjekur ndonjë reality-show, por di që ndiqet në shumë e shumë vende të botës, si kjo shfaqje televizive ashtu edhe shumë të tjera të kësaj natyre. Dukuria ze fill në mesin e viteve ’90 dhe duket që publiku mbarëbotëror që ndjek televizionin ishte i lodhur me filmat, dokumentarët dhe varietetë, dhe kërkonte të shihte gjëra më pranë jetës të rëndomtë, të mbushura me thashetheme dhe palavira, për mos u ndjerë inferior, si mund të ndjehej kur shihte një film të moralshëm apo një shfaqje artistike yjesh.

Por tek ne, për shumë e shumë arsye, të cilat nuk jam në gjendje t’i hulumtoj, por besoj se janë varfëria morale dhe ajo kulturore, prirja për të ndjekur shfaqje të rëndomta është e hershme.

Filmi që është shfaqur më shumë herë në kinematë shqiptare në të gjitha kohërat është filmi indian “Vagabondi”.

Eshtë shfaqur me muaj të tërë në gjithë kinematë shqiptare në fundin e viteve ’50. Tregonte rreth një historie të rëndomtë dashurie mes Raxh Kapurit dhe Ritas dhe ka qënë një film veçanërisht i dobët artistikisht. Edhe pse në Shqipëri nuk lejoheshin filmat amerikanë, përsëri ka pasur plot filma europianë dhe sovjetikë, që renditen sot në 100 filmat më të mira të të gjitha kohëve, por nuk kishin as një të dhjetën e ndjekjes të historisë së Raxhit.

Ndaj nuk ka pse të çuditemi se pse u ndoq kaq shumë Raxhi nga Shkodra, që për më tepër është dhe shumë simpatik e ndoshta edhe i squt. (Nuk kam dëgjuar ndonjëherë ndonjë fjalë nga goja e tij.)

Realiteti shqiptar ka qënë i tillë dhe vazhdon të jetë i ngjashëm. E keqja është se për të bërë para nga reklamat, edhe institucionet e ashtuquajtura kulturore, tani vrapojnë rreth shfaqjeve të tilla, që ngrejnë në piedestal vulgun. Dhe vulgu i bën të ndjehen psikologjikisht mirë të gjithë, edhe të mençurit, sepse mund t’i krehin bishtin vetes e të thonë: “Eh sa lart jemi ne!”

Wednesday 10 May 2023

Silicon Valley …në Qatrom?!


Shprehja : “Ai t’a sjell Stambollin në Barç!” është tipike korçare, sepse nuk ka fshat tjetër në Shqipëri apo në Ballkan që quhet Barç. Si dihet nga të gjithë është një përmbledhje e karakterit dhe veprimtarisë të një mashtruesi tipik të anëve tona. Dikush që premtonte të të rregullonte gjithshka në kryeqytetin e Perandorisë Otomane, thuajse e kishte diku pas kodrës së Belvederes.

Raqkë Melka Filka nuk premton më Stambollin, (pas shumë e shumë premtimeve për aeroport, TEC, dronë taksi etj.), por ka gjetur një premtim shumë “bashkëkohor”. Do ndërtojë një lagje të re teknologjiko-informatike diku pranë Qatromit. Për herë të parë dhe më e madhja në Ballkan! Vendi ku të rinjtë do kërkojnë avenirin e tyre! Risia më e madhe në fushën e nanoteknologjisë! E të tjera e të tjera dëngla si këto. Me një fjalë Silicon Valley i Ballkanit do ndërtohet tek SouthGate e Korçës dhe pikërisht në Qatrom!

Edhe pse që prej vitit 2011, kur nisi të diskretitonte arkitektët, unë e kam quajtur Ligaveci Gollash, përsëri mendohem për këtë premtim të tij, të materializuar edhe në projekte. Se duhet ta pranojmë, që ai ka njohuri të mira në fushat e informatikës dhe të elektronikës edhe pse zgjodhi t’i futej politikës.

Po përse nuk e aplikoi prej vitesh këtë ide, për të cilën edhe mund të bënte diçka për qytetin?

Përse duhej që Korça të kthehej “pëllëmbë e bujtinë“ (këtë me bujt nuk e kemi as të dialektit) dhe tani pronarët nuk dinë ç’të bëjnë me to?

Nuk mund të orientoheshin njerëzit, që Korça ka një kapacitet të caktuar shtretërish për turizëm dhe është e kotë të hidhen para për të ndërtuar me tepri bujtina dhe hotele?

Apo Bashkisë i mungonin programet kompjuterike për të llogaritur se a mund të mbahej qyteti me turizëm dhe tani të kujtohen për të hyrë në shekullin e XXI?

Pavarçsisht nga disa arritje, Korça është administruar keq në këto 10-12 vitet e fundit. Mungesa e një ideje të qartë për zhvillimin e saj ekonomik ka bërë që njerëzit të largohen vazhdimisht dhe qyteti të mpaket. Kjo ka qënë më e dëmshme se abuzimet që janë bërë me lejat e ndërtimit dhe të tjera përçudnime në pika të caktuara të qytetit. Nëse njerëzit dhe veçanërisht të rinjtë do gjenin punët që ju takojnë , qyteti do vibronte edhe pa investimet e bëra me kredi ose me paratë e taksapaguesve.

Ndaj si nuk kanë besuar të parët tanë se Stambolli është në Barç, kështu nuk ka si të besojmë edhe ne se do na e sjellin Silicon Valley-n në Qatrom!

Partitë shqiptare, pronë e kryetarëve

 

Mënyra si funksionojnë partitë shqiptare më kujton një ngjarje komike, që më tregonte dikur një miku im gjatë një provimi në Shkollën e mesme ekonomike. Ishte provimi i Ekonomisë Politike të socializmit dhe kooperativistja, që përpiqej të zinte një vend pune si normiste apo llogaritare në kooperativën e saj nuk ja theshte shumë për t’u përgjigjur për tezën. Për ta kaluar, miku im i bëri pyetjen “Kush e ka pronë kooperativën? (ndryshimi mes pronës shtetërore dhe asaj kooperativiste). Pa një a dy ajo u përgjigj “Kryetari i kooperativës.” Duke mbajtur të qeshurën, profesori e pyeti “Po nënkryetari ka edhe ai ndonjëçikë?” E skuqur dhe në mëdyshje, nxënësja u përgjigj:”…po ka dhe ai ca.”

Edhe pse qesharake, përgjigja e kooperativistes përmbante një të vërtetë të hidhur, që kooperativistët, ose pronarët e kooperativës ishin pronarë vetëm në statut se gjithshka ishte në dorën e shtetit dhe përfaqësuesi i shtetit (kryetari) bënte ç’i deshte qejfi, sidomos ata që ishin më arrogantë dhe më batakçinj.

Tanimë, kur kooperativat janë harruar, ka disa forma të tjera organizimi, që t’i sjellin ndërmend dhe që janë partitë politike. Sipas statuteve dhe ato janë bashkime vullnetare njerëzish të barabartë rreth një programi politik, që përpiqen të qeverisin vendin në gjithë nivelet e pushtetit. Aktualisht ka tre parti të rëndësishme (ose më mirë dy e gjysëm) dhe të treja këto janë pronë e kryetarëve. Rama, Berisha dhe Meta vendosin për çdo gjë dhe jo vetëm që nuk ka vendime kolegjiale me një pjesëmarrje të gjërë, por as të tilla nga një grup i kufizuar drejtuesish. Madje nuk ka as drejtuesa, por një dhe vetëm një- KRYETARI. Rreth tij janë një grup me bufonë, që përsëritin fjalët e tij dhe që mundohen të fitojnë simpatinë e tij në garë me lolot e tjerë. Më besnikët shpërblehen me poste dhe të mira materiale.

Eshtë kjo pasojë e mendësisë patriarkale, e kohës së gjatë nën Diktaturë apo nga një përzjerje e të dyjave, kjo është një fushë studimi gati e pacak. Unë mendoj, që fatkeqsia jonë qëndron edhe në faktin e njerëzve të caktuar, që arritën në krye të partive të kohës së pluralizmit. Nëse flasim për ndikimin e Diktaturës, duhet të themi se Partia Socialiste, që ishte trashëgimtarja e drejtpërdrejtë e Partisë së Punës, deri ë vitin 2003 kishte më shumë kolegjialitet në vendime dhe garë brenda saj se partitë e tjera të formuara në vitet e tranzicionit. Duke përjashtuar Ilir Metën, i cili krijoi një “parti private” kur u përplas me Nanon, kontrolli i PD-së nga Berisha dhe i PS-së nga Rama, vjen kryesisht nga mendjet e tyre djallëzore, që mund të përdorin çdo mënyrë për të vënë nën kontroll një organizëm të mijra vetëve. Dhe këta të dy vijnë nga formime krejt të ndryshme familjare. Nëse mund të themi që Berisha sjell mendësinë patriarkale të zonës dhe familjes së tij, Rama është rritur në një mjedis krejt tjetër shoqëror dhe familjar. Por të dy veç mendjeve perfide dhe “unit” të pakufi, kanë edhe energji të pashtershme për të realizuar ambiciet që kanë, ndaj dhe kemi arritur në këtë gjendje paradoksale, kur njerëzit vazhdimisht kërkojnë të largohen nga Shqipëria.

A mund të sjellë e ardhmja monstra të tjera si këta të dy?

E vështirë të parashikohet.

Tuesday 9 May 2023

Kërcen Rama nga belaja!


Kryeministri fodull dhe arrogant shqiptar, nuk e ka pasur për gjë të kthehet në një “palaço popullor” gjatë kësaj fushate elektorale, duke luajtur valle, duke u tundur pas tingujve të tallavasë dhe duke vënë qeleshe në kokë. Nuk e ka bërë më parë dhe tani nuk e bën se po “eksperimenton” artistikisht, por se duhet të ketë një ose disa halle jo të vogla.

Halli i parë është rezultati  i paparashikueshëm në këto zgjedhje vendore (që asgjë vendore nuk duket se kanë). Duket që sondazhet e fshehta të Ramës nuk ja paraqesin gjendjen mirë

Në rast se humbet Durrësin dhe Elbasanin, që janë dy bashkitë ku vërtet socialistët rrezikojnë të humbasin, atëhere këmbanat e humbjes në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme do nisin e të dëdgjohen akoma më shumë. Durrësi veçanërisht është një bashki kyç, sepse lidhet edhe me investimin e madh të dyshimtë të portit të jahteve, projekt të cilit mund t’i dalin të palarat nëse  Rama nuk kontrollon bashkinë.

Po njëlloj do ndikojnë edhe fitoret e ngushta në Tiranë dhe në Korçë, të cilat priten të fitohen nga kryetarët aktualë. Nga këto dështime fytyrën e njollosur të Ramës nuk mund ta pastrojë dot as një humbje e ngushtë e Benet Becit në Shkodër.

Nëse këto ndodhin (mundësia është shumë e madhe) do të thotë se edhe me një PD të përçarë, edhe se bashkimi opozitar drejtohet nga dy figura të diskredituara si Berisha dhe Meta, edhe me gjithë qeverinë dhe administratat lokale pas, Rama nuk durohet më nga shumica e popullit shqiptar. Skandalet janë të shumta, korrupsioni i tejskajshëm dhe varfëria në rritje. Duke mos patur alternative shumë të besueshme, e gjithë vota pro-opozitare është votë kundër Ramës. Edhe ata që nuk votojnë përsëri janë kundër Ramës.

Kjo është “belaja” kryesore e Ramës që e bën të kërcejë dhe të marrë gjithë barrën e fushatës mbi kurrizin e tij dhe jo të kandidatëve për kryetarë bashkie. Megjithatë duhet thënë se Rama nuk është “politikan kumarxhi” nga ata që marrin përsipër fushatën dhe japin dorëheqjen pas humbjes. Ai merr përsipër vetëm dafinat e fitores dhe në rast të humbjes do ju shkarkohet të gjithë puthadorësve që ka përreth. E tillë është partia që ai ka.

Por Rama kërcen edhe nga një “bela” më e vogël. Fuqizimi me para i klanit “Veliaj”, që po përgatit në hije një zëvendësim të mundshëm të kryeministrit më 2025. Ndaj edhe posterat në gjithë Tiranën kanë fytyrën e tij dhe jo të Lalit , që dikur shiste fiq. Një fitore e ngushtë e Tiranës do ishte edhe një gjysëm fitoreje për Ramën për goditjen e “grupit antiparti Veliaj”, nëse “e dredhin bishtin shumë”.

Rama ka shumë ç’të humbë në këto zgjedhje, nëse humbet disa qytete të mëdha dhe rezultati total është shumë i afërt me atë të opozitës. Ai e di që në dy vjet asgjë nuk mund të përmirësohet veçse do hapen më tepër “plagët” e inceneratorëve, përfshirjes në pastrimin e parave të pista e të tjera si këto. Ka shumë të ngjarë , që kërcimet e tij në këtë fushatë t’ju ngjajnë atyre të Bilbilejve para vdekjes, me ndryshimin e madh se ato ishin kërcime heronjsh, kurse kërcimet e tij janë të një hajduti.

Monday 8 May 2023

A do e fitojë “hermafroditja” Niqkë mandatin e 5-të?


Në vitin e largët 2007, pasi kishin braktisur partinë e pronarëve, sepse mendonin që mund të bëheshin më lehtë pronarë majtas, Nikoja i Peleshëve dhe Raqka i Meleve, u instaluan për të parën herë në bashkinë e Korçës. Kishin fituar më parë një betejë të vështirë brenda PS-së për kandidaturën (për hir të së vërtetës Raqka nuk ishte anëtarësuar ende në PS) dhe arritën të mposhtin kandidatin e PD-së.

Një çift interesant, i përbërë nga një ekstrovert (Nikoja) dhe një introvert (Raqi). Në kompozimin Niqi, Nikoja bën punët propagandistike dhe negociuese, Raqi mbështetjen në legjislacion dhe shikimin e mundësive për të bërë dallavera pa e shkelur ligjin haptazi. Me një fjalë “Ni” e sjell Stambollin në Barç,ndërsa “qka” shikon mundësitë dhe hapësirat ligjore, që Barçin ta quajë Stambolli i Vogël. Por gjatë mandatit të parë, Niqka drejtoi, përfitoi dhe i forcoi pozitat në raport me Ramën, i cili e shihte me dyshim për shkak të “dashurisë së hershme” të Niqkës me Fatos Nanon.

Në garën e vitit 2011, edhe pse kishte bërë plot dallavere me ndërtimet dhe me planin e qendrës, gjë që kishte ngritur gjithë arkitektët kundër saj, Niqka mbijetoi dhe njëkohësisht fitoi besimin e plotë të Ramës, që dy vjet më vonë mendoi që të ndryshonte emrin e Kryetarit të Korçës nga Niqi në Rako duke marrë Ni-në në qeveri. Por emri Niqkë kishte ngjitur dhe gjithashtu zv.kryeministri nuk mund të linte timonin në duart e kryetarit, që e mban gojën hapur si guak, ndaj mbeti Niqi.

Më pas nuk kishte forcë, e cila mund të përballej me Niqin, që kishte përsosur “të bërën e njëmijë e një të zezave” për të qëndruar në pushtet për hir të së ardhmes së Korçës. Pjesa ekstroverte e Niqkës kishte mësuar të fliste edhe kurbatçe edhe romçe për të marrë votat e minoriteteve; turizmi në Korçë ishte gjallëruar dhe në krahun tjetër ishte një opozitë e përçarë edhe në sajë të diversionit të Niqkës.

Kështu arritëm në vitin 2023, kur Niqka kërkon mandatin e 5-të duke tundur flamujt e gazifikimit të Korçës dhe të stadiumit të ri. (Ndonëse ka mbaruar gjimnazin me medalje ari, Niqka nuk e di se gazifikim është procesi i kthimit në gaz i materialeve që kanë në përbërje karbon.)

“Gojët e liga” (në Korçë ka pasur të tilla) thonë se Niqka i ka tundur vithet pakëz  si shumë dhe jo se ndërroi partitë, por ka bërë shumë e shumë shkelje për përfitime, gjë për të cilat duhet të proçedohet penalisht. Unë nuk e ve dot dorën në zjarr për moralin e Niqkës, sepse kam edhe shumë pak njohuri për mënyrën se si sevdalliset një hermafrodit. Por nëse janë të vërteta ca “shaetheme” për pronësinë e Terminalit të autobuzave, lejet e ndërtimit, tenderat pa garë dhe ca punë të tjera jo të pastra, atëhere Niqi duhet të japë shpjegime dhe të jetë transparente para korçarëve. Eshtë mashkull apo femër; është e përkorë apo batakçeshë; gënjeshtare apo e virtytshme.

Edhe…të na sqarojë nëse do i hedhin edhe disa kate asaj Kullës Vrojtuese këtë mandat, që ta kemi mendjen top kur t’ja japim votën!

8 maj

Më pas se një pikiatë avioni,

Unë ngjitem lart pa mund,

Mes qiellit

Dhe një piste betoni,

Të gjatë po aq sa pritja,

Ty të kërkoj,

Por nuk të gjej kund.

Diçka është përzjerë,

Tmerrësisht ngatërruar

Tek nisjet dhe të beftave mbërritje.

Pranvera gjithshka ka bulëzuar

Mendjet e njerëzve,

                Të qiejve rregullatorë,

                                Të këtij shekulli vite.

Duke dihatur i ngjitem të Paqes Urë,

Me shpresën se atje do jesh,

Duke u mbrojtur nga të shoferëve shikime,

Për të mbajtur të fshehtë,

C’ka ka ndodhur mes nesh,

Diçka që nuk ishte parë kurrë.

Mbuluar nga bulëzat e djersës,

Dhe nga i rralli shi,

I ngujuar pres vetë,

Ndoshta diku sillesh në ajri,

E brishtë porsi pranvera,

Në të majit ditës së tetë. 

Sunday 7 May 2023

Arkitektët e jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë!

 

Në Shqipëri janë disa të tillë. Të gjithë të huaj. Të gjithë të emëruar nga Rama pa dekret zyrtar. Me porosi me gojë. Një prej tyre quhet Peter Uilson, është Australian dhe ka në kontroll të plotë arkitekturën në Korçë. Tjetri është belgu Xaveer De Geyter, që është fuqiplotë në Vlorë. Të tjerët, për shkak të kohës, po i lemë t’i zëmë në gojë njëherë tjetër.

Dje, pasi shkrimi “Stadiumi “klandestin”” u lexua nga një numur njerëzish, mësova diçka që nuk e dija se do e kisha shkruar ndryshe atë shkrim të karakterit të një observimi profesional. Nga disa burime të afërta me klanet e PS-së mësova se në rastin më të mirë, firma daneze “CERBA” ka si mentor famëziun Uilson, ndërsa në rastin më të keq, ai është autori i vërtetë i projektit fitues. “Socialistët e rëndësishëm” e dinin projektin fitues, sepse mentor-autori ishte dhe në Juri! Gjithshka e përcaktuar që më parë në korridoret e errëta  dhe paradhomat e kryeministrisë.

Po normal!” – do vijë përgjigja më idiote dhe më justifikuese shqiptare. “Kryeministri i ka paratë e qeverisë dhe ai do vendosë për projektet.”

Nuk është normale! Eshtë e fëlliqur! Eshtë fyerje për popullin e Korçës, por edhe për gjithë studio e tjera të huaja (shqiptaret i kanë asfiksuar me kohë) që morrën pjesë në këtë të ashtuquajtur konkurs.

“Po le të kishin bërë një projekt të saktë pa do ja u kishim falur edhe m..sillëqet!” – do thoshte dikush që do të zbutë gjakrat dhe unë do pajtohesha edhe me të. Edhe pse po të kisha në dorë nuk do e lejoja Uillsonin të afrohej deri në Plloçë!

Nuk është çudi që ai palo-arkitekt të ketë gisht, sepse kompleksi të kujton idenë e tij për një kompleks të natyrës mesjetare rreth Katedrales të paraqitur më 2009. Për fat të mirë, edhe puthadorësit e Ramës , Blushi dhe Peleshi, atë kohë në Juri, kërkuan që qendra të modifikohej. I njëjti koncept arkitekturor vjen tani në një zonë sportive, që duhej të karakterizohej nga hapësirat, gjelbërimi dhe vëllimet e harkuara.

Rreth 40 vjet më parë, mendohej që stadium “Skënderbeu” të rikonstruohej dhe për këtë u angazhua arkitekti Aleko Papakozma. Ndonëse me pak përvojë projektuese dhe në kushtet e materialeve të ndërtimit tepër të kufizuara, projekti i tij “mbante më erë“ stadium se ky konglomerat mesjetar. 40 vjet më vonë të arrihet në absurditete të tilla duke ju lënë dorë të lirë arkitektëve me shije arkaike si Uilson. Eshtë për të vënë kujen.

Diçka e ngjashme po ndodh edhe në Vlorë, ku specialistët janë të indinjuar dhe thonë hapur se studioja belge po shkatërron perlën e bregdetit. I njëjti arkitekt “i jashtëzakonshëm” edhe pse i padëdëshëruar në Vlorë, fiton projektin e stadiumit me një sërë kullash përreth, ndonëse projektet e tjera ishin më të mirë.

Po përse imponon Rama të tillë “komisarë arkitektë“?

Në regjimet autokratike gjithnjë gjenden arkitektë, që kuptojnë shijet e autokratit dhe projektojnë si kërkon ai. Përgjithësisht ky lloj specialisti është diçka tek niveli i mediokrit, ose një sharlatan, që nuk e ka për gjë të shkelë mbi parimet kryesore të arkitekturës së sotme europiane. Ndoshta, me dinakërinë e tyre ata kuptojnë mllefin e “piktorit të dështuar”, që nuk do të shohë të suksesshëm bashkëmoshatarët e tij shqiptarë. Eshtë i njëjti mllef, që kishte Rama ndaj artistit Kristaq Rama, të cilit nuk ju afrua dot kurrë për nga niveli profesional.

 

*Në foto është renderi i firmës Bolles+Willson, që donte të kthente qëndrën e Korçës në qëndrën e një qyteze mesjetare.

Saturday 6 May 2023

Stadiumi “klandestin”


Ndonëse me shumë skepticizëm e mora në fillim lajmin për konkursin ndërkombëtar të stadiumit në Korçë (krahas) atyre të Vlorës dhe Durrësit) kam qënë kureshtar për projektet konkuruese dhe veçanërisht për atë që do ndërtohet në Korçë. Projektet e stadiumeve këto 20 vitet e fundit kanë evoluar shumë në botën perëndimore, por edhe në vendet aziatike. Ato janë nga shembujt më të përparuar të arkitetkturës bashkëkohore, sepse natyra e stadiumit e ofron një mundësi të tillë. Objekt i madh, me vëllim të spikatur në 360 gradë, me mundësi për të luajtur me forma të larmishme gjeometrike, si dhe përdorimin e strukturave interesante mbuluese dhe veshëse. Shembuj të shkëlqyer të arkitekturës të këtij shekulli i gjen nga vendet me futboll të zhvilluar dhe deri tek ato, që mbase nuk e kanë të tillë, por aspirojnë ta kenë.

Projekti fitues i studios daneze është një zhgënjim i plotë.

Vetë studioja apo ata që e kanë shpallur fituese, si dhe klakerët e përhershëm, mundohen ta paraqesin si një projekt të frymëzuar nga arkitektura e Korçës ndonëse nuk ka asgjë të tillë.

Arkitektura e Korçës, në ndryshim nga ajo e qyteteve të tjera shqiptare është një arkitekturë e hapur dhe elegante, e cila nuk fshihet pas avllive të larta dhe dyerve të mëdha prej druri. Ndërsa stadiumi “Skënderbeu” është pikërisht një objekt “ i fshehur” midis dis andërtesave me vëllime të çuditshme, që mund të të kujtojnë qytetet nordike të Europës, por nuk kanë lidhje as me Korçën dhe as me një objekt sportiv si stadiumi.

Ky duket një stadium ‘klandestin”, për të cilin duhet të kesh shumë shigjeta dhe shënja të tjera njoftuese, që ta gjesh. Nuk di se si e lidhin me Korçën, se të vetmin shpjegim llogjik të këtij objekti të “mçeft” do ja bëja me Skënderbeun e Mesjetës. Duket që Kadareja ka shumë ndikim në arkitektët e huaj dhe pasi ata janë mrekulluar nga romani “Kështjella” e vendosin edhe “Skënderbeun” e Korçës të fshehur pyjeve për të sulmuar natën kampin turk.

Nuk jam në gjendje të përcaktoj se ku ze fill faji i detyrës së projektimit dhe ku ai i projektuesve danezë, se një gjë të tillë të panjohur në botën e sotme projektuese e has dhe në projekti fitues i Durrësit. Edhe ky stadium i rrethuar me ndërtesa zyrash dhe hotelesh.

Firma daneze “CERBA” është jo vetëm një firmë e re (vetëm 20 vjeçare), por në ekspertizën e saj nuk ka asnjë objekt të vetëm sportiv, gjë që duhet të ishte kushti i parë për tu kualifikuar si pjesëmarrëse në një konkurs të një objekti të rëndësishëm. Përpjekjet për t’i bërë “ndërkombëtarët” si “zhenij” edhe kur nuk janë e ka dëmtuar jo pak Korçën dhe Shqipërinë. Nuk është faji i danezëve që eksperimentojnë. Eshtë faji jonë, që pranojmë të trajtohemi si një vend afrikan, vetëm e vetëm se kryeministri mendon se sundon mbi në popull skllav.