Saturday 23 July 2011

Fashizmi.

    RREZIKU I FASHIZMIT BRENDA NESH

            Sot, pati dy atentate, me siguri te ekstremit te djathte ne nje vend thuajse te paprekur nga turbullira te tipit terrorist. Në ditët që do vijnë, me siguri do bëhen të qarta shkaqet dhe autorët, por ngjarja është e mjaftë, për të reflektuar për farat e fashizmit, që ekzistojnë në mendjen e të gjith neve dhe mund te gjallërohen e të lulëzojnë një ditë.
            Po a është real rreziku, apo thjesht ekziston në imagjinatën time ose të disa studiusve të politikës në Europë? A mund të ndodhë në Shqipëri, ku nuk ka patur kurrë një Parti Fashiste? A ja vlen të mendojmë rreth një rreziku imagjinar? Do mundohem të flas rreth të treja pyetjeve njëkohësisht, pasi nuk e kam të lehtë, të jap përgjigje të qarta e të skta duke i marë në analizë një nga një.
            Ka vite, që në Europë janë në lulëzim Partite e Ekstremit të Djathtë ose ato ksenofobike. Në 20 vjetët e fundit Lega nord në Itali, Partia e Haydenit në Austri, Fronti i Lë Penit në Francë, e të tjera parti nacio-shoviniste europiane të Lindjes e Perëndimit, kanë rritur numurin e antarëve dhe mbështetësve. Kriza ekonomike ,që filloi 4 vjet më parë, e nuk duket të mbarojë, sigurisht që e favorizon forcimin e ndienjave nacionaliste, anti-emigrantësh, kundër racave të tjera, kundër besimeve të tjera fetare. Në disa vende, janë akoma të ngritura, ose ruhen kujtimet e reparteve të organizuara paramilitare ose terroriste, si ato që sunduan Italinë gjatë viteve të plumbit, zonat Baske në Spanjë apo gjithë territorin e Irlandës së Veriut në vitet '60 deri '80.
            A mund të jetë Lindja e ish-komunizmit apo Perëndimi, vendet që kaluan diktatura fashiste apo vendet e vegjël, që mund të preken më shumë? Sigurisht, duhen hamendësime, se për këto lloj analizash duhet shumë informacion dhe njohje e thellë e shumicës së vendeve europiane. Nga ato pak vende që njoh më mirë, them se rreziku i të djathtës ekstreme është më i vogël në vende si Gjermania, Spanja, Portugalia apo Greqia, të cilët patën Diktatura fashiste në historinë e tyre të shek XX. Përjashtim nga to bën Italia, tek e cila fermentet e fashizmit, separatizmit apo të nacionalizmit ekstrem, janë më të fuqishme se në të tjerat e sipërpërmendura. Për mendimin tim, më i madh është rreziku në shoqëritë postkomuniste dhe sidomos në ato sllave dhe të Ballkanit. Rusia është a para në këtë listë.
            Ka një arsye, që më bën të mendoj se është më e mundshme në shoqeritë tona, të kthyera rishmë në Ekonominë e Tregut dhe rritjen e lirive. Shoqëritë e mbyllura e të izoluara, për shumë shkaqe, kanë më lehtë mundësi të orientohen drejt krahut tjetër ekstremist dhe jo drejt ekstremit tjetër, i cili është Liria pa caqe, Toleranca ndaj gjithshkaje që nuk është kriminale, Dashuria për tjetrin.
            Per fat të keq, këto parime të humanizmit të zhvilluar mungojnë tek ne, brezat qç kemi kaluar një kohë të gjatë të jetës nën një Diktaturë të majtë. Dhe jo për fajin tonë, por sepse në atë mënyrë e formonte njeriun(e Ri ose te së ardhmes) e gjithë shoqëria që funksiononte nën Diktaturë. Kam hasur shpesh, tek shumë njerëz të afërt, bile dhe ng ata që kanë vite të tëra jete në Perëndim, që demostrojnë hapur prirjet për të dashr një sistem qeveritar të dorës së fortë. Dhe janë njerëz të shkolluar, që nuk kanë asnjë veprimtari agresive ose brutale ndaj të tjerëve. Ata shpesh shprehin dëshirën për një sistem gjyqësor të fortë, rivendosjen e dënimit me vdekje, përbuzjen ndaj homoseskualëve, përcmimin ndaj dembelëve, indiferentizmin ndaj fesë apo organizimeve fetare e të tjera të këtij lloji, të cilat duken normale për të gjithë ne. Dhe janë vërtet njerëz të mirë. Shpesh e kap veten në pozitat e tyre dhe indinjohem ndaj mosdënimit të një krimineli nga sistemi juridik anglo-sakson, kam dëshirën e hakmarrjes ndaj njerëzve me pozitë, të cilët abuzojnë me pushtetinn ose dëmtojnë duke qënë të ndërgjegjshëm interesat e një grupi të tërë shoqëror. Deri vonë, kam uruar me gjithë shpirt, që Berisha ta gjejë nga Perëndia ose nga njerëzit, për ato ç'i ka bërë Shqipërisë më '97 e më vonë. Shpesh, i kundërvihem vetes duke kujtuar një film italian të viteve '70 ma Enrik Maria Salerno në rolin e komisarit. Filmi, titullin e të cilit nuk e kujtoj, kishte në qendër organizimin jashtë sistemit ligjor të Antikrimit, një organizatë që donte një Romë të pastër, pa kriminalitet, pa perversë etj. Antikrimi godiste dhe asgjesonte kriminelët e mëdhenj e të vegjël, të lënë të lirë për shkak të impotencës të sistemit gjyqësor apo të korrupsionit. " E ku mbaron kjo?-i thotë komisari përfaqësuesit të Antikrimit në një takim të fshehtë- në instalimin e Fashizmit."
            Ndonëse i largët, rreziku i Fashizmit është iminent për vendet e Europës Lindore. E ndjej edhe në biseda me rusë, serbë apo rumunë të shkolluar. Ka shumë të bëjë me formimin tonë materialist dhe spjegimin e fenomeneve shoqërore me Materializmin Historik. Ka shumë të bëjë me Darvinizmin tonë, i cili kur aplikohet si  social është thjesht fashizëm. Ka të bëjë me mosnjohjen  dhe mospraktikimin e feve. Ka të bëjë me sensin tonë të Drejtësisë, i cili përjashton faljen ose parimin "Më mirë njëqind fajtorë jashtë, se një i pafajshëm brenda." Ka të bëjë me ruajtjen me çdo kusht të ndienjës kombëtare të fortë, si shenjë besnikërie dhe karakteri. Sidomos kjo e fundit, të shpie shpejt tek urrejtja, racizmi dhe egërsia ndaj atyre që nuk janë si ti. Njoh njerëz, që janë therrur me të afërmit e deri me prindrit për arsye ordinere, por që të vrasin për Kombin. Njoh njerëz që ju duket trimëri dhe karakter të fyejnë hapur Perëndinë apo Perënditë. Njoh njerëz, që punojnë shumë dhe janë kundër ndihmave që ju jepen dembelëve. Njoh njerëz që nuk e fshehin përbuzjen që kanë për të zinjtë apo indianët. Njoh njerëz, që mund të votojnë për internimin apo izolimin e homoseksualëve. Dhe të gjithë këta që njoh janë njerëz jo vetëm normalë, por njerëz të mirë. Ndaj edhe i trembem Fashizmit brenda nesh.
Ndoshta nuk i dhashë përgjigje pyetjeve që shtrova në hyrje, por mbase ju kujtova se Fashizmi nuk është aq i huaj dhe i largët sa na duket.