Thursday 31 October 2013

Bulevardi i fëmijërisë sime.(3)

(vijim) Në ato vite, bulevardi ishte një lloj shëtitore mikse, me institucione administrative e kulturore, si dhe shumë dyqane të llojeve nga më të çuditshmet, sa që sot jam kureshtar të di se cila mendje në seksionet e tregëtisë, kishte përcaktuar atë larushani shitoresh. Pasi kaloje Gastronomin, që ishte një lloj supermarket ushqimor, fillonin një dyqan fotografësh, një kinkaleri e vogël, një mobileri, këpucëndreqës(deri në atë kohë quheshin ende mballomaxhinj), restorant, berberhanë, llustraxhinj, bar, kinkaleri, bonboneri, bulmetore, dyqan këpucësh e mbyllej me dyqan vere dhe uthulli! Ndërsa në krahun tjetër, veç magazines popullore që përmbante nënndarjet e qelqurinave, materialeve të ndërtimit, kinkalerisë, këpucëve, metrazheve dhe veshjeve, ishin një Parfumeri dhe kinkaleri. Mbyllja, bçhej me dyqanin ushqimor të Esatit.(Në atë kohë dyqanet vazhdonin të quheshin me emrat e shitësve, si ndodhte vite më pare me emrat e pronarëve.) Viti 1964 kishte sjellë mbylljen përfundimtare të sektorit privat dhe tashmë të gjitha shitoret ishin prone të dy ndërmarjeve tregëtare NTLUS e NTLAP dhe Ndërmarjes të Artizanatit, e cila u kthye më vonë në Riparim Shërbimet. Shumë pronarë të vegjël ishin tashmë të detyruar të punonin edhe në moshë të shtyrë, për të siguruar vjetërsi pune në shtet, e cila mund t’ju siguronte në pleqërinë e vonë një gjysëm pensioni. Kjo ishte arsyeja(veç asaj të optikës së fëmijës), që gjithë burrat që shërbenin në njësitë e bulevardit më dukeshin pleq. Dhe jo vetëm Tasi Fotgrafi dhe Gaqo Treska, por thuajse të gjithë berberët duke nisur me Bikmën(Ibrahim Xholi) dhe Kamber Pepellashin e duke përfunduar me Nasi Donikën(Grabocka) dhe Rropin e Dadës. Të moshuar ishin kamarierët e “Krimesë” dhe “Bar-Korçës”, deri sa pas 1966-ës, u shfaqën grate e para kamariere, të gjitha të reja e pa asnjë përjashtim të ardhura nga fshati. Në atë kohë, ende konsiderohej si punë e një morali të dyshimtë për grate. (Nuk èshtè se tè ardhurat nga fshati kishin tè tjera parime morali, por pèr to ishte domosdoshmèri largimi nga puna e rèndè nè bujqèsi dhe atdhja nè qytet. Si u pa mè vonè, puna e kamariereve ishte edhe njè nga mè fitimprurèset nè atè sistem), Ndryshe ishte puna e shitseve, sidomos në dyqanet me mallra industriale, ku thuajse të gjitha ishin gra. (vijon)

Monday 28 October 2013

Bulevardi i fëmijërisë sime.(2)

(vijim) Në bulevardin “tim” të famshëm, thuajse nuk mbetej pa kaluar njëherë në ditë, thuajse çdo pjestar i popullsisë të qytetit. Ai jo vetëm lidhte(dhe lidh) dy sheshet kryesore të Korçës, por në një gjatësi prej jo më shumë se 400 metrash, kishte në vitet ‘60 kishën e Shën Gjergjit, Pallatin e Kulturës, MAPO-n dhe hotelin më të madh të qytetit, si dhe të çonte tek i vetmi teatër dhe e vetmja bankë, që kishte Korça. Në vitet ’70 u shtuan edhe hoteli i turizmit dhe vendin e Shën Gjergjit e zuri Biblioteka e Re. Në atë pjesë të shkurtër të qytetit, të parat kalonin grate e trikotazhit dhe ndërmarjeve të tjera, që zbrisnin e ngjiteshin nga vendet e tyre të punës, më vonë nëpunësit dhe nxënësit e shkollës Themistokli Gërmenji, dhe më pas pensionistë apo njerëz të tjerë të ngeshëm që shkonin gjatë ditës në Pazar ose vërtiteshin Mapo-s dhe shitoreve të tjera. Pasditeve ishin të pranishëm artistët amatorë, që hynin e dilnin Pallatit të Kulturës deri sa fillonte "xhirrojaÈ, e cila shpesh e mbushte plot hapësirën e bulevardit dhe trotuareve. Mëngjeseve të gjysmës së dytë të viteve ’60, para godinës së Bashkimeve Profesionale(tani vonë ka qënë selia e PD-së)kishte edhe një shfaqje të shkurtër qesharake 20 minutëshe. Nëpunësit me kostume të komitetit të Partisë, të komitetit të qytetit, të Bashkimeve Profesionale dhe gazetës “Përpara”, bënin gjimnastikën e mëngjesit ala-sheshi Tien Ian Men. Edhe çinovnikët e gjorë nuk kishin asnjë zell për të bërë atë rit të panatyrshëm për shoqërinë e asaj kohe dhe sidomos për vendin tone. Për ta nuk zgjati më shumë se dy tre vjet, ndërsa në shkolla mbeti e detyruar për një kohë të gjatë. Sigurisht, që ishte një pamje e lezetshme(sot i quajnë surreale), të shihje në një hapësirë të vogël, Maçukën dhe Dhiogjen Naken të skuqur që uleshin e ngriheshin nën komandën një-dy, e disa hapa më tej nxënësit e vonuar për në shkollë dhe ndonjë kalimtar i ngeshëm, që pyeste Riko Avramushin, i cili mbante në sqetull një tufë të gazetës lokale “Përpara”, -Riko sa e ke atë përpara?, e Rikua i shkretë i përgjigjej pa prishur terezinë “Tre lekë”. Të gjitha këto disa metra larg ndërtesës së shkollës së pare shqipe, e cila atë kohë vazhdonte të ishte shkollë fillore dhe oborrin e kishte të rrethuar me një avlli të lartë. Po me avlli rrethohej edhe shtëpia e Themistokli Gërmenjit, me ndryshimin, që një pjesë të madhe të saj e zinte një Stendë e madhe emulacioni socialist, ku ekspozoheshin foto të ndryshme duke filluar me ato të novatorëve çdo 11 shtator e duke përfunduar me ato të luftës në Vietnam...

Thursday 24 October 2013

Taip mos na hip në qafë!

Taipi na i paska hipur dje të tërëve duke deklaruar me dashamirësi dhe djallëzi, që "Kosova është Turqi dhe Turqia Kosovë". Një valë zemërimi ka shpërthyer mes shqiptarëve patriotë, se na ka prekur pikërisht atje ku na dhemb- Në prapambetjen në të cilën na la Turqia! Po qe se Kamerunsi do vizitonte Kosovën e do thoshte të njëjtën shprehje të stërpërdorur nga politikanët demagogë "Vendi juaj(Kosova) ështe vendi jonë(Anglia) dhe vendi jonë është i juaji" të gjithë do ishim hedhur përpjetë nga gazi. Po Turqisë këtë nuk ja lejojmë se ka pesë shekuj gjynahe mbi kurrizin tonë! Ah pushtuesit! Ah të huajt! Ah armiqtë! Sikur mos kishim pasur rrotull të tillë, ne do ishim Zvicër e kaluar Zvicrës se jo vetëm kemi malet dhe trimërinë, fushën dhe mençurinë, por kemi edhe detin që Zvicra nuk e ka! Po ç'kemi qënë ne para se të vinte Turqia, se se ç'jemi tani e dimë dhe se ç'do bëhemi jo Sami Frashëri që nuk e gjeti dot, por nuk ka Nostradamus ta gjejë! Ne ja kemi fshehur vetes të vërtetën shekullore, që jemi nga të paktët popuj të vjetër, që i kemi rezistuar shekujve pa gjuhë të shkruar, pa krijuar shtete të forta dhe pa ndërtuar qytete të mëdha. Ka ndodhur kjo për shkak të terrenit të thyer e mungeës së komunikimit, për shkak të dembelizmit a të kokëtrashësisë, për të gjitha bashkë apo edhe për shkaqe të tjera që si spjegojmë dot( ndikime qiellore, eksperimente alienësh a kushedi se ç'farë), por e vërteta është që nga ilirët e më vonë, i kemi dhënë Njerëzimit më pak se ç'i kemi marrë. Edhe sllavët barbarë, të ardhur mijra vjet pas nesh në këto toka, krijuan shkrimin e gjuhës së tyre, mbështetur në grekët e ardhur po pas nesh. Turqit, barbarët që na lanë të prapambetur, erdhën jo vetëm me gjuhën e tyre të shkruar, me përvojën e një shteti të organizuar mirë dhe me një kulturë jetese shumë më të lartë se tonën. Ende sot, shumicën e fjalëve të sendeve shtëpijake duke filluar nga jastëk e dyshek e duke përfunduar në tenxhere e ibrik, i kemi nga gjuha e atyre që i sollën për herë të parë në trojet tona të prapambetura. Turqia duke mbetur në vend vetë, në shekullin e revolucionit industrial, detyrimisht s'kishte se si të na zhvillonte ne, që do kishim mbetur po aq prapa e në mos më shumë edhe pa ta. Le t'i kthehemi vetes e të shohim se c'kemi bërë keq e ta ndryshojmë! Koha e Rilindjes Kombëtare, kur për hir të krijimit të ndërgjegjes kombëtare thurreshi rrena për bëmat dhe cilësitë e shqiptarëve ka kaluar. Tani duhet të jemi të vetdijshëm që fajin nuk na i kanë të tjerët! As Taipi me musteqe!

Bebja Mbretnore

Jetojmë vërtet në një shoqëri të tejdukshme. Doemos, jo në një shoqëri qëniesh të tejdukshme, por kur të gjithëve ju thuhen të gjitha, në mënyrë të gjithformshme pa ju fshehur as edhe një gjë. Edhe sallonet më më të larta, atje ku dikur edhe drita e diellit nuk mund të hynte pa leje, tani janë bërë pronë e të gjithëve falë hapjes së shoqërisë dhe mjeteve moderne të informacionit. Cdo gjë, edhe ato më privatet janë të hapura për publikun e nuk them veç banjot e Kardashiankave apo të Vilës në Arkore, por edhe sallat e larjes së Naltmadhnive. Dje ose sot(i ngatërroj ditët tani që vjen kjo koha e ndrimit të orës) pashë për herë të parë vaskën e Dukës Bill dhe Dukeshës Keit, me të tre Naltmadhnitë brenda. Cullak. Thashë me vete "Vërtet jemi në një mijëvjeçar tjetër!" Tani të gjithë mund të shohin sa të jashtëzakonshëm e sa të thjeshtë njëkohësisht janë mbretnorët. Të gjithë mund të shohim qartë, që edhe pse me gjak blu, mbretnorët kanë të njëjtën lëkurë si tonën. Dhe lahen edhe bashkë në vaskë. (Mu kujtua edhe tekniku Çile, që i theshte të shoqes "hajde të lahemi njëherë bashkë", po ajo e kundërshtonte duke i thënë, që s'ka lezet se janë fëmijët e rritur.) Në krahët e prindërve lakuriq e të mrekulluar Xhoxhi i Shtatë disamuajsh. (E shkruaj Xhoxhi jo thjesht për ta sjellë më natyrshëm mes nesh, por edhe se r-ja kur e shqiptoj nuk dëgjohet për shkak të një difekti të lindur në të folur. I imi. Jo i Xhoxhit. Uroj dhe që vogëlushi mos i ngjajë katragjyshit Xhoxhi i Gjashtë, i cili po të ishte nga Jugu i Shqipërisë do e thërrisnin Xhoxhi Gagaçi, ndërsa po të ishte verior do e quanin Xhorxh Belbcaku, që si gjithmonë tingëllon më poetike.) Nuk ka foto më të bukur! Asnjë kompani që prodhon sapunë nuk do ishte në gjendje të paraqiste kaq mrekullisht çastet e lumtura në ujë të ngrohtë, të prindërve të dashuruar, që mbajnë me delikatesë frutin e dashurisë së tyre! Mallëngjenjëse! Sublime! Eh sa të rëndësishme do jenë ato që i quajnë këtej PR (nuk e di nëse edhe në shqip i quajnë "public relations", se gjithnjë këto të flamosura fjalë anglisht sepse tingëllojnë bukur.) në këtë mijëvjeçar! Të gjithë do e kujtojnë se ku kanë qënë, kur panë për herë të parë Dukën, Dukeshën e Xhoxhin cullak! (Për hir të së vërtetës, duhet thënë që Dukeshkës ja kanë parë njëherë cicet në ato revistat e thashethemeve, por ato foto nuk ishin shumë të qarta dhe për më tepër të paautorizuara.) Tani mjeshtrat e PR të Oborrit, ja u dogjën kartat në dorë tërë paparacëve, që do mundohen të ndjekin familjen plazh më plazh, e ishull më ishull. Fotot e videot e jetës të Naltmadhnive do jenë pronë e popujve. Të gjithë do mësojmë edhe hollësitë më të vogla të jetës së bebes, që do jetë një ditë Xhoxhi i Shtatë, Mbreti i Anglisë. Dhëmbin e parë, hedhjen e hapave të para, kremtimin e ditlindjeve, ditën e parë të shkollës. E të gjithë do lumturohemi ashtu si Duka e Dukesha! (Të më japë Perëndia hymër, e të arrij të shikoj videon kur Xhoxhi do t'i bjerë me dorë për të parën herë!)

Wednesday 23 October 2013

Vjeshtë e dytë

Vjeshta e dytë sa filloi dhe duket sikur kemi qënë gjithë kohën në dimër. Mbase, si thotë një miku im, stinët nuk janë jashtë, por brenda vetes sonë. Vetë nuk e kuptoj pse më duket errët e ftohtë, sepse nuk kam qënë pas Berishës, bile kam menduar, që ai duhej dënuar të paktën me 25 vjet burg për 1997-tën. Nuk di se sa Pranverë ju duket atyre që shpresojnë në Rama, por kam frikë se do zhgënjehen shpejt. Pas rikthimit të Berishës në pushtet më 2005, kjo është ngjarja më e keqe politike në Shqipëri. E kuptoj se nuk kishte alternativë më të mirë ndaj bëhem edhe më pesimist. Kur do kemi alternativën, që pas "vrasjes" të Sezeka 1 mos vijë Sezeka 2? Duket shumë e largët. Ndaj ndjehemi gjithë kohën në dimër. Dhe jemi ende në vjeshtën e dytë.

Tuesday 22 October 2013

I ardhi rradha Tymshperndarses!

(vijim) Po e mbyll këtë shkrim rrokopujë rreth autobiografisë të posabotuar të Ismailit, sepse është krejt i pavlerë. Të them të drejtën, më dhimbet shkrimtari ynë më i mirë, që ka katandisur në këtë gjendje të mjeruar, për të paraqitur një histori të tij, të letrave shqipe e të Shqipërisë krejt ndryshe nga ajo e vërteta. Zaten, Ismailin e kemi pëlqyer jo vetëm për shqipen e kultivuar mirë, figurat e përdorura, befasitë në ngjarjet e përshkruara, analizat psikologjike të arrira e disi të veçanta, por edhe se kemi menduar se shkruante të vërtetën. Kjo ka ndodhur edhe më vonë, kur kemi kuptuar, që frymëzimet e tij kishin zanafillën në një ideologji të rreme dhe I kishin shërbyer shpesh Diktaturës. Me të tjerë miq, dashamirës të Ismailit, kemi diskutuar e thënë se s’mund të bëhej më shumë, se ideologjia e ekstremit të majtë në vitet ’60 nuk kuptohej nga të gjithë në botë si regresiste dhe se në atë frymë kanë shkruar edhe shumë shkrimtarë, që jetonin në Botën e Lirë. Letërsinë e Ismailit nuk e ul dot kush nga vendi që ka zënë në letrat shqipe. Edhe pse mund të ketë skarcitete, prapëseprapë në numurin e madh të veprave të tij ka pasazhe e kapituj vërtet gjenialë. Duhet pranuar edhe largësia e tij cilësore nga shkrimtarët shqiptarë bashkëkohës, si edhe duhet nënvizuar mungesa e një tradite voluminoze të shkëlqyer në Letërsinë Shqipe. Për sa i përket krahasimit me më të mirët e shekullit të tij në botë, mendoj se Ismaili qëndron larg Olimpit dhe jo sepse nuk ka marrë çmimin Nobël. Librat e fundit biografike thjesht njollosin figureën e tij duke lënë një shije të keqe mes publikut letërsidashës shqiptar. Ndoshta sjellin më shumë shitje të gazetave e ndoshta edhe të veprave të tij, por ky çmim moral që po paguan Kadareja, nuk besoj se justifikohet me ato pak kacidhe që do përfitojë nga shtëpitë botuese të Hudhrit dhe Kullës. E ndjej që jam lodhur edhe vetë dhe ndoshta kam bezdisur edhe ata pak miq, që më ndjekin në blog duke diskutuar rreth marrëzive të kësaj Tymnaje. Pleqëri të mbarë Is!

Tymnaja na e shpuri vallen në Sokaku i të Marrëve.

(vijim) Falsifikimi i historisë, i bërë në mënyrë monstruoze në ditët e regjimit të Hoxhës vazhdon edhe sot, për gjëra më të vogla nga Ismaili dhe ata që shkruajnë në shërbim të tij. Biografia e autorizuar e Kullës, nëpërmjet citimeve të veprave të fundit, të cilat nuk kam pasur rastin t’i lexoj, më jep një tablo më të qartë rreth asaj që Ismaili e ka nisur tek “Pesha e Kryqit” apo në intervista lart e poshtë dhe ka vazhduar me librin e famshëm të Lenit. Nuk arrij ta kuptoj këtë zell të tij për falsifikime, se është aq i shpërdoruar sa e dëmton figurën e tij shumë më shumë se çdo pranim i “gjynaheve”. Tek “Pesha e Kryqit”, cituar nga Kulla në biografi, përmendet fillimi i karrierës qeveritare të Komandantit legjendar si dhe raportet farefisnore të mbajtura sekret të Kadareve me Hoxhat. Në të thuhet si hap i parë(kjo për lexuesin mesatar perëndimor, që ha çdo broçkull rreth Stalinit e komunizmit) për të treguar autoritet si udhëheqës, E.Hoxha do sakrifikonte kunatin Bahri Omari, në të njëjtën mënyrë, si kishte sakrifikuar Stalini të birin! Krahasimi nuk është aspak i denjë për tu bërë nga një njeri i lexuar si Kadareja. Eshtë i qëllimtë. E para, vetvrasja e të birit të Stalinit, ka ndodhur gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur Stalini ishte më se i konsoliduar në pushtet e nuk kishte nevojë për flijime të afërmish. Në se E.Hoxha kishte në dorë ta shpëtonte Bahriun dhe vërtet e bëri për qëllime politike, kjo ndodhte pikërisht se nuk ishte i konsoliduar. Në Pleniumin e Beratit gati e kishin hequr dhe po të mos kishte bërë një autokritikë të thellë nuk do ishte as kreu i Qeverisë. Në ditët kur u mor vendimi për pushkatimin e Omarit, pozitat e tij për të qënë në krye të një pushteti ende të pasigurt ishin më se të dobta. Ai e dinte që falja e të kunatit do i mbahej “këngë” nga gjithë kundërshtarët e tij Brenda Partisë, që luftonin për të kapur kreun. I njëjti keqinterpretim i historisë, lidhet me mohimin nga i jati i Ismailit, për lidhjen e largët farefisnore me Kryetarin e Ri të Qeverisë, sapo kishte mbaruar lufta. E besoj se ajo ngjarje vërtet ka ndodhur, por hezitimi i Halit Kadaresë edhe pse mund të ketë patur si shkak “ figurën dendi” të Enverit, nuk është qëndrimi i njeriut që mohon lidhjen farefisnore me Diktatorin. Hoxha i fundit të 1944 ose edhe i viteve të tjera të pasluftës nuk ishte ende Diktator. Ishte Kryetari i një Qeverie të Përkohshme, që proklamonte se do ndërtonte një Demokraci Popullore pasi të bëheshin zgjedhjet e lira. Në një kohë rrëmuje në Europë, me shtete dhe kufij ende të papërcaktuar qartë, me Fuqitë e Mëdha ende të pranishme, asnjë i shkolluar si Halit Kadareja, nuk mund ta mendonte të plotfuqishëm dhe të përjetshëm E.Hoxhën. Si edhe në raste të tjera, me dashje Ismaili përdor optikën e viteve ’80 për të dëshmuar rreth raporteve të tij me regjimin dhe me vetë Komandantin. (vijon)

Monday 21 October 2013

Tymnajë dhe valle të rrjedhurish.

(vijim) I kam hyrë një valleje shumë qesharake, e cila pot ë krahasohet me “devolliçen”, që hoqa në shkrimin “Sa burrë i mire ky Drejtor Agolli!” mund të quhet pa frikë vallja e të rrjedhurve. Një tjetër marrëzi e Is-Kullës është botuar në Panorama. Në të përshkuhet rivaliteti ndërmjet Belishovës dhe Nexhmijes, i cili shfaqet hapur në çështjen e poemës “Princesha Argjiro” të botuar më 1958! Duhet thënë, që poema e Kadaresë ishte një poemë për fëmijë dhe si e tillë, po të mos ishte letra e Lefter Dilos, që e quante si shtrembëruese të së vërtetës historike të krijimit të Gjirokastrës, as kishte për tu diskutuar e përmendur në qarqet e larta të Partisë. Poema e kishte kaluar sitën e çensurimit, që bëhej në shtëpinë botuese dhe nuk kishte asnjë problem të karakterit ideologjik. As kishte ndonjë arsye që krijimi modest i 22 vjeçarit gjirokastrit të analizohej me lupë, se ku deshte të dilte apo se çdo krijonte në të ardhmen e pas studimeve ne BS! Ka edhe një të vërtetë tjetër, rreth Liri Belishovës, e cila shpesh përmendet nga Kadareja, si intelektuale, viktimë e Diktaturës. Liri Belishova nuk ka pasur asnjë ndryshim nga përfaqŝuesit më të lartë të Diktaturës si Mehmet Shehu, Hysni Kapo apo Nexhmije Hoxha. Bile në rrethet e BRASH-it të pasluftës, ku bënin pjesë Ramiz Alia, Fadil Paçrami, Nexhmije Hoxha, Pirro Kondi e të tjerë, Liria(e quajtur pas krahëve Qorrja) konsiderohej më e ashpër edhe harbute se bashkëshortja e Hoxhës. Pas mënjanimit dyvjeçar, që ju bë pas vetëvrasjes së Nakos, Liria bashkë me Bedri Spahiun, Hysni Kapon dhe Mehmet Shehun, ishin mbèŝhtetèŝit kryesorë të Diktatorit për pastrimin e Koçi Xoxes me kompani. Ishte pikërisht Hoxha që e ngriti Lirinë deri në nivelin e figures së tretë të sistemit(pas tij) dhe kur ja desh puna ta sakrifikonte për hir të kinezëve e përjashtoi nga Partia duke e quajtur hrushoviane. Deri në kohën e largimit, Liria vriste e priste si gjithë të tjerët dhe kishte vënë Ministër të Bujqësisë burrin e saj të dytë, i cili nuk shquhej as për intelekt e as pèr aftësi drejtuese. I shkreti Maqo Çomo e pagoi me burg të gjatë martesën me punisten e flakët e të pamëshirshme Belishova. Pra i gjithë rivaliteti Nexhmije-Liri më 1958 për Kadarenë apo edhe probleme të tjera, është tërësisht i sajuar nga Ismaili, i cili përfiton nga injoranca e Kullës dhe të tjerëve, për të treguar të paqëna të kohës kur Liri Belishova ishte në apogjeun e saj e përkëdhelur dhe e mbështetur plotësisht nga Enver Hoxha. Edhe pse nuk di hollësi rreth historisè të shkruarjes e të botimit të kësaj biografie, dyshoj se pas janë historitë e treguara nga Kadareja në vilëne tij të plazhit, ku njerëz më se mediokër si puna e Kullës e dëgjojnë me gojë hapur duke besuar çdo përrallë me komplote titistësh e me zili të shtresave ordinere gjirokastrite(Hoxha) ndaj sojlish gjirokastre(Kadareja) dhe të zezat e Damës së Zezë, që e ka urryer Ismailin, që në vjershat e para e deri në Gjyqin e viteve të fundit! (vijon)

Autotymnajë mbi Kadarenë

(vijon nga postimi i mëparshëm) Si më ndodh shpesh me ngjarjet në Shqipëri, pasi shkrojta pjesën e pare të shkrimit, mësova se Ndriçim Kulla paska shkruar një biografi të Kadaresë dhe shkrimi, që kisha cituar ishte pjesë e librit. Sot lexova një pjesë tjetër nga libri të botuar po në Shqiptarja. Vazhdon i njëjti shtjellim i shtrembër i fakteve dhe ndoshta kemi të bëjmë me një biografi të autorizuar, gjë e cila e bën më me faj Kadarenë. Përsëri, qëllimisht përzjehen kohët dhe situatat. E them qëllimisht për Kadarenë, se Ndriçim Kulla nuk ka idenë e viteve 60 të Shqipërisë. Duhet të përsëris edhe diçka që duhet ta kem përmendur në blog, që një gjë të tillë Ismaili e ka përdorur edhe me njerëz të tjerë duke shitur “sapunin” e persekutimit pas 1982 për djathë safi. Po le të rikthehemi viteve 60, që kanë qënë vite me shumë ngjarje në jetën shqiptare, por edhe vite të një diktature më të butë. Prej dënimit të Liri Belishovës më 1961 nuk pati asnjë grup që të goditej brenda Partisë I pari do ishte grupi Paçrami-Lubonja më 1973. Në ato vite, në sajë të ndihmave kineze pati edhe një përmirësim ekonomik të jetës së shqiptarëve. U hoq përfundimisht sistemi i triskëtimit dhe filluan të ndërtohen më shumë vepra se në kohën e ndihmave sovjetike. Partia kishte marrë revan, sa në vitin 1966 filloi procesin e revolucionarizimit të gjithë fushave të jetës. Dhe duhet pranuar që tek njerëzit e sidomos të rinjtë zotëronte një lloj entusiazmi jo i shtirur, si ai i detyruari i viteve ‘70 dhe ‘80. Pikërisht në këto vite, pasi ishte kurorëzuar si poeti(jo shkrimtari) më i mirë i vendit, Kadareja kishte botuar poemat “Enderr Industriale” dhe “Përse mendohen këto male”, të cilat edhe pse nuk përmendnin në çdo varg Partinë, ishin të përshkruara nga ideologjia partiake e çastit. (Ideologjia e PPSH, ka qënë gjithnjë e ndryshueshme, në shërbim të pushtetit personal të Hoxhës.) Në fushatën e krijimit të heronjve të rinj të socializmit, më 1967 Kadareja botoi një poezi të gjatë për Fuat Çelën. Sipas Kullës, pikërisht më 1967, diktatori filloi të dërgojë me të tretë, mesazhe kërcënimi nëse Kadareja do hezitonte ende të shkruante një poemë për të në prag të 60-vjetorit! Por para vitit 1967, Kadareja kishte botuar poemen e tij Viti gjashtedhjete, e cila prekte pikerisht temen, qe do shtjellonte me vone ne Dimrin e Vetmise se Madhe, pra mosnenshtrimin e Enverit ndaj diktatit te Moskes! Edhe pse Ismaili sot eshte distancuar nga krijimtaria e tij poetike, duhet thene qe pikerisht nëpërmjet poezive dhe poemave, ai zuri një nga vendet e kryes në sofrën letrare të viteve të Partisë, sofër që mbikqyrej e kontrollohej nga Diktatori. Ishte pikërisht telefonata përgëzuese e Hoxhës për poemën Përse mendohen këto male më 1964, që i jepte vulën e të talentuarit 28 vjeçarit nga Gjirokastra. Dhe kjo për mesazhin e poems, i cili ishte – Vetëm nën udhëheqjen e Partisë, Shqipëria e çoroditur në histori, mundi të gjejë rrugën e saj të shpëtimit. Por përse E.Hoxha telefonte Ismailin dhe jo poetë të tjerë, që thurrnin ditirambe për Partinë dhe të në ato vite. Pikërisht se Ismaili ishte më i talentuari mes tyre dhe i njëjti mesazh tingëllonte patetik në poemat e Llazar Siliqit, Vehbi Skënderit, Fatos Arapit dhe deri diku edhe në “Devoll Devoll”, të Dritëroit. (vijon)

Saturday 19 October 2013

Tymnajë mbi Kadarenë

E përdora këtë fjalë ala-Kadare, e cila edhe mund të jetë në Fjalorin e Ri të shqipes, për të përcaktuar diçka që nuk i ngjan aq shumë mjegullës, por është një lloj mjegulle e nxehtë që del nga zjarre të ndezur e shuar kushedi se ku. Ndoshta disa të vegjël janë ndezur edhe nga vetë Ismaili. Kur lexoj në shtypin shqiptar rreth tij, has në emra profesorësh e studiusis si Sadik Bejko dhe Ndriçim Kulla ose gazetarësh të kallëpit të Myftarajt. Ndoshta ka edhe emra të tjerë, të cilët më kanë shpëtuar në periudhat kur nuk lexoj në internet shtypin tonë. Një artikull të studiuesit e botuesit Kulla lexova dje në Gazetën Shqiptare. Titulli ishte intrigues: Kadareja ndërmjetës i Hoxhës me Perëndimin. Edhe pse e di që abuzohet me emrin dhe veprat e Ismailit, përsëri mora ta lexoja, duke menduar se do mësoja diçka. Dhe vërtet mësova që studiuesit dhe gazetarët shqiptarë jo vetëm nuk njohin Historinë e Shqipërisë dhe të letërsisë shqipe, por nuk dijnë edhe nëse pas vitit 1961 vjen 1962, 1967 apo 1973. Po përse duhet harxhuar kohë të shkruash rreth broçkullave të botuara nga njerëz, të cilët nuk kanë idenë e viteve? Bile si mund t’i shkohet deri në fund një artikulli të tillë? Ajo që më bëri të lexoja deri në fund, ishin pikërisht citimet nga të thënat e viteve të fundit të Kadaresë, që përdoreshin për të sulmuar Kadarenë Dallova mes tyre pasaktësi dhe interpretime të dyshimta, që më bëjnë të shkruaj çka di (dhe që e dinë mirë qindra të tjerë)rreth marëdhënieve të Ismailit me rrethet letrare dhe me ato politike në vitet ’60 dhe ’70. Artikulli i Kullës(që ose është cunguar ose është vijim) fillon me pohimin që në Francë po bëheshin pyetje këmbëngulëse se pse Kadareja nuk udhëtonte në Francë apo në Perëndim. Dhe kjo sipas Kullës para se të ishte përkthyer Kadareja në Francë!! Pyetjet ishin aq të vazhdueshme sa për atë i duhej të merrej vetë Enver Hoxha! Po të pranojmë vitet ala Kulla, këto ngjarje kanë ndodhur rreth gjysmës së dytë të viteve ’60. Në ato vite, regjimi i Hoxhës e kishte humbur plotësisht shpresën se mund t’i bëheshin lëshime nga Perëndimidhe ishte në varësi të plotë të ndihmave kineze, të cilëve ju mjaftonte vendi jonë si një lloj altoparlanti në Europë, për të treguar për të treguar brenda e jashtë se kishin mbështetje nga vende si Shqipëria dhe Rumania, dhe nuk ishin të izoluara në kampin komunist. Përpjekjet për të fituar një status të ngjashëm me atë të Titos kishin përfunduar më 1961, ndaj për të mbetur në fron E.Hoxha kishte zgjedhur rrugën e stalinizmit kinez, të quajtur gjoja “marksizëm-leninizëm”. Në po të njëjtën periudhë, Franca e DeGolit kishte treguar shenja kryeneçësie ndaj amerikanëve duke tërhequr trupat e saj nga NATO dhe duke larguar Shtabin e Alencës Atlantike nga Franca. Ishin vite të një politike franceze më të butë ndaj gjithë vendeve komuniste. Për më tepër, partitë Komuniste në Francë dhe Itali ishin të forta e fitonin një përqindje të lartë në zgjedhjet. Kjo ishte në vija të trasha situata e përgjithshme politke e atyre viteve dhe po t’ju shtojmë edhe lëvizjet studentore të vitit ’68, askush në botë nuk parashikonte si të shpejtë rënien e komunizmit. Ndaj hamendja se Perëndimi interesohej përKadrenë për të hapur “konservën”shqiptarenëpërmjet Francës ose se Hoxha donte t’i lëshonte sinjale Perëndimit nëpërmjet Kadaresë është krejtësisht jashtë historisë europiane dhe botërore të viteve ’60. (vijon)

Thursday 17 October 2013

Bulevardi i fëmijërisë sime

Dje pashë disa foto të bulevardit ku jam rritur. Në ato kohë quhej Lenin e tani i është kthyer emri i vjetër Shën Gjergji. Fotot më befasuan jo për mire edhe pse nuk kam qënë kundër idesë për tu kthyer në shëtitore këmbësorësh. Në fund të fundit, i tillë ka qënë deri në fund të viteve 80. Edhe në orët kur lejohej qarkullimi i makinave, rrallë shihej ndonjë Ifkë e NTSHAP-it, që furnizonte dyqanet ushqimore, karrocat e plehrave si dhe Pandi Këndezka, që me karrocën e dorës merte e shpinte filmat në agjensinë e udhëtarëve. Rrallë kalonin edhe GAZ-et e ofiqarëve apo ato famëkeqët e Degës së Brendshme. E vetmja makinë private që qarkullonte ishte Moskoviçi ngjyrë bezhë i Dr.Polenkës. Ky ishte bulevardi i qetë i fëmijërisë sime, në të cilin vraponim herë me sandale plastike e here me këpucë të zeza, që na futnin ujë. Dyqanet në të cilat futeshim më shumë ishin Bonboneria, Kinkaleria e Demirit dhe Mapo-ja, por si fëmijë të mëhallës ishim të mirëpritur edhe në Berberat e në Llustron e Neke Vërdinit. Më vonë, në vitet 70 filluan rradhët e famshme në dyqanet ushqimore dhe pas shkolle ose në pushimet verore, mbetëm me orë të tëra në dyqanet e bulevardit duke pritur furnizimet me qumësht, djathë dhe zarzavate. Mbrëmjeve bulevardi kishte shumë gjallëri, se shumë njerëz shëtisnin për orë të tëra dhe mund të shihje gjithë qytetin duke nisur nga Sekretari i Parë e deri në Pandi Gjiza dhe Peçi Bajamka. Në atë bulevard kam parë për here të parë Çu En Lain, Vaçe Zelën, Loro Boriçin, Nina Mulën, Ismail Kadarenë, Skënder Sallakun, Sandër Prosin, Nih Çin Çinin, Agim Fagun dhe plot personalitete të famshëm të viteve 60 dhe 70. (vijon)

Wednesday 16 October 2013

Vdiq, po na e la Shqipërinë çorbë derri.

Kjo datë nuk kalon pa na e kujtuar Udhëheqësin e Lavdishëm. Edhe pse ka diskutime për datën, kur Haneja solli në jetë shqiptarin që kushtëzoi jetët tona edhe më shumë se prindrit tanë, unë i qëndroj besnik 16 tetorit. Sot, në Itali mbase do e varrosin më në fund nazistin Priebke, por kjo rastësi as e ngre dhe as e njollos figurën e Komandantit tonë. Gjithë historia shqiptare e shekullit të kaluar, u përcaktua nga dy vetë Mbreti dhe Komandanti. I dyti jo vetëm për 40 vjetët që sundoi por edhe 15 vitet e para të pasvdekjes, si dhe këto 13 vjet të shekullit të ri. Personalitete e tjera si Ismail Qemali, Fan Noli, Avni Rustemi, Faik Konica, Mehdi e Mithat Frashëri, Esat Toptani, Mehmet Shehu, Ramiz Alia e të tjerë kanë luajtur role të dorës së dytë. Të sotmit Nano, Berisha, Rama janë thjesht “peshqeshe” të epokës së lavdishme enveriane. Ka raste që më vjen çudi me veten, që sa më shumë lexoj rreth tij, aq më tepër më mjegullohet karakteri dhe cilësitë e tij. Duhet pranuar që është një figureë tepër komplekse dhe mungojnë librat objektivë të shkruar nga njerëz që e kanë njohur shumë mirë. Diku në blog kam shkruar rreth 100 pyetje rreth tij, por kur I mendoj, jo vetëm nuk jam në gjendje t’ju jap sot përgjigje, por mbase duhen shtuar edhe 100 të tjera. Dikush mund të më pyesë se ç’dobi ka, por më duket e papranueshme për veten, të mos njoh thellë se ku kam jetuar dhe në ç’kohë kam jetuar dhe për të njohur këtë duhet të mësoj më shumë të vërteta rreth Komandantit. I Lavdishmi shkatërroi shumë jetë. Sigurisht, që përmirësoi edhe shumë jetë njerëzish, sepse nën asnjë lloj pushteti, edhe në atë më të keqin, nuk mund të shkatërrohen të gjithë. Kjo dhe jo vetëm trushpëlarja spjegon pse ka nga ata që e kujtojnë me mall. Më e keqja është se la pas jo vetëm një strukturë shoqërore dhe ekonomike anormale, por edhe një mënyrë të të bërit politikë me prapaskena e likuidime. Shqipëria do kohë të marrë veten nga trauma e rëndë që kaloi për 45 vjet. Do duhen të paktën edhe 45 vjet të tjerë, që përkojnë me 127 vjetorin e lindjes të atij që nuk deshte të merrte nga ditët tona. I mjaftonin jetët!

Monday 14 October 2013

¨¨Statusi¨¨ i arkitektit

Pikërisht në tetor të dhjetë vjetëve më parë, hasa në togfjalëshin “statusi i arkitektit”. Bisedoja në Tiranë me një kolegen time për gjendjen e arkitekturës dhe të arkitektëve shqiptarë dhe papritur ajomë tha “Cdo gjë do jetë ndryshe sa të miratohet statusi i arkitektit”. E pyeta se ç’kishte të bënte statusi i arkitektit me ndryshimin e gjendjes së arkitekturës, qoftë nga ana teknike, por edhe nga ana e biznesit dhe kolegia, më me përvojë se unë, më pa e çuditur si për të më thënë ‘ti nuk ja paske idenë!” Kanë kaluar kaq vite dhe nuk kam pyetur më nëse është miratuar apo jo Statusi I Arkitektit, sepse më është dukur një gjë absurde. Vite më vonë hasa në një nëpunës, të krekosur, të cilin pasi e pyeta për emrin shtoi edhe që “kishte statusin e nëpunësit civil”. Kisha dëgjuar për “statusin e ushtarakut”, atë të veteranit, të policit e ndoshta në Shqipëri ka edhe plot statuse të tjerë, të miratuar ose në miratim e sipër. Të them të drejtën, më ka ardhur zor ta pyes, kur qethem, berberin tim në Korçë, nëse gëzon “statusin e berberit”. Po le të kthehem në profesionin, që ushtrova për një kohë në atdhe, pa patur statusin.Më duhet të shkruaj disa rrjeshta, për arkitektët e rinj, që sa kanë hyrë në rrugën e profesionit. Kam ndjekur me shqetësim dhe jam shprehur edhe në shtypin shqiptar për dy probleme që lidhen me arkitektët e posadiplomuar. E par është cilësia e shkollave shqiptare të arkitekturës, të cilat për shumë arsye kanë vuajtur nga mungesa e traditës, e kuadrit dhe e programeve bashkëkohore mësimore. E dyta dhe që ka pasur mundësi të kontrollohet, ka qënë numuri i studentëve, të cilët studiojnë arkitekturë në universitetin publik dhe në ato private në Tiranë. Në mënyrë të papërgjegjshme për të mos e quajtur të poshtër, këto universitete për të fituar sa më shumë e sa më shpejt, kanë abuzuar me endrrën e të rinjve, që një ditë të ushtrojnë profesionin e nderuar të arkitektit.Nisur edhe nga një bum projektesh e ndërtimesh në Shqipëri në fund të shekullit të kaluar dhe në fillimet e shekullit të ri,qindra familje shqiptare kujtuan se mund të kishin bijtë e tyre projektues. Dhe askush, as Ministria e Arsimit apo ajo e Ekonomisë nuk orientuan njerëzit e interesuar se cilat janë mundësitë e punësimit të arkitektëve në të ardhmen. Ka vite të tëra që të rinjtë e diplomuar nuk gjejnë dot punë dhe përsëri vazhdon prodhimi i mbi 500 arkitektëve të rinj në vit, pa llogaritur këtu ata që diplomohen jashtë. Janë mbi 5 mijë të diplomuar vetëm në këto 13 vjet, që ju shtohen mijra të tjerëve të diplomuar 30 vitet e fundit të shekullit të XX-të. Vërtet, probleme me punësimin e arkitektëve ka edhe Italia, që ka numurin më të madh të tyre për banorë se gjithë vendet e zhvilluara Europiane, por në këtë masë dhe me këtë cilësi të dobët, që shkollohen tek ne, besoj se nuk gjenden as në ish-republikat sovietike të Azisë. Shkolla shqiptare e arkitekturës ka qënë e dobët për shkak të sistemit diktatorial, por të ashtuquajturat katedra të arkitekturës në universitetet private, ku japin mësim kolegët e mij të dalë nga Universiteti i Tiranës, janë edhe më të dobëta. Kalimthi këtë e kam konstatuar nga kontaktet e pakëta që kam pasur në Shqipëri me arkitektë të sapodiplomuar. Pjesa dërmuese e tyre jo vetëm do e kenë vështirë të punësohen apo të licensohen, por ndoshta nuk do kenë kurrë fatin të projektojnë. Për të mos folur për të pasur “statusin magjik”, që as të bën arkitekt dhe as të mbron dot nga lukunia e të talentuarve dhe të patalentuarve!

Saturday 12 October 2013

Delenxhinjte

E vura këtë titull se doja të shkruaja për ta dhe në çast kuptova, që nuk ja di kuptimin fjalës. Po tani nuk kam ndërmend ta ndryshoj dhe do shkruaj për atë kategori njerëzish, të cilët i mendoj si të tillë. (Në mendje e kam patur si punë zhambazë bagëtish, por mbase është ndonjë fjalë turke që nuk ka lidhje me bagëtitë e imta e sidomos me të urtat dele.) Një miku im, kategorinë për të cilën po shkruaj, i quan tregëtarë lëkurësh. Mos e tjerr shumë gjatë do filloj "t'i sulmoj me gjithë frymën e ambicies sime personale"! Po sa bëhem të nis sulmin, më vjen zëri i një të njohurit tim që më thotë "Po ç'ke o me delenxhinjtë? Të gjithë armiq do i bësh? Do vijë një ditë që do kesh nevojë e do trokasësh në një delenxhi-derë." Po edhe pse mund të vijë një ditë e tillë, unë do parapëlqeja të mos trokisja në atë derë, se sa të humbas lirinë e të thirrurit delenxhiun, me emrin që i takon. Nuk e di nga se më vjen kjo dëshirë "perverse", por ja që të tillë e kam dhe nuk jam në gjendje të përqëndrohem në anët pozitive të delenxhiut dhe të jetoj i lumtur duke thithur të njëjtin ajër pranë tij. Po kërkoj në mendje ndonjë personazh të letërsisë sonë dhe botërore, që përmbledh me saktësi natyrën e tij por nuk po sjell dot ndërmend. Delenxhiu psh është edhe intrigant por Jagon nuk e quajmë dot delenxhi. Nuk mund të quajmë as Tartufin, ndonëse delenxhiu është edhe mashtrues. Hipokrizia është pjesë e karakterit, por nuk mund të themi që Uriah Hipi është "delenxhi par excellence". Po të hidhem në delenxhinjtë që kam njohur gjatë jetës, besoj se duhet të bëhet një listë e gjatë, ndaj është e mira të heq të vdekurit, krushqit, klerikët, farefisninë, politikanët, kolegët dhe mësuesit. Të përqëndrohem në disa tipikë syresh, ose në të kundërt do më duhet t'i thërres me "sodonime"(Kjo e fundit do më bëjë të fitoj vetë statusin kandidat delenxhi ndaj po e skartoj.) E shoh që lista po ngushtohet se në të nuk mund të përfshihen as Juli e Ilir Mashtruesi për shkak të statusit të tyre(jo atij të të përndjekurit), as Ilir "Uriah Hipin" dhe as avokatin Syrja, "që humbi gjyqin po fitoi të drejtën e ankimit". (vijon)

Friday 11 October 2013

Cmimi Nobel për letërsinë

Sivjet u fitua nga një shkrimtare e vendit ku jetoj, nga e cila jo vetëm nuk kam lexuar asnjë rrjesht, por as e kam dëgjuar si emër. Sigurisht, kjo nuk ja ul vlerat kanadezes dhe aq më pak çmimit Nobel, që mbetet më i rëndësishmi në letërsi. Nuk di nëse Ismaili kishte shpresa në këtë "vit ters 13", të merte të shumëpriturin çmim, por në Shqipëri dhe në rrethet shqiptare dukej se pritej me ankth. Diku kam shkruar, që Kadaresë nuk ka për t'ju dhënë Nobeli, sepse nuk përmbush kriteret, e lëna nga i ndjeri Alfred. E megjithatë, edhe unë nuk mund të them që jam 100% i sigurt. Këtu dua të shkruaj se ç'mund të ndryshojë në jetën apo në imazhin e shqiptarëve çmimi Nobel në letërsi, po qe se një ditë jo të largët do i jepet Kadaresë. ASGJE! Veç kënaqësisë që do na sjellë, si shqiptarë, që kemi mes nesh edhe një shkrimtar të konsakruar mes më të mëdhenjve, asgjë tjetër nuk do ndryshojë në jetën, por edhe në paraqitjen tonë në botë. Mbase, për dy tre muaj, politikanët mund ta përdorin në bisedat me të huajt dhe kaq. Të gjithë do vazhdojnë të shohin Shqipërinë edhe shqipëtarët, sikundër i kanë parë deri më sot. Psikologjikisht, mendoj se ne shqiptarëve na vlen më shumë mosdhënia e çmimit sesa dhënia e tij. Dhe jo vetëm se na plotëson atë dëshirën e mbrapshtë për të parë mossuksesin tek anëtari i të njëjtës bashkësi, por kryesisht, se mund ta përdorim ditë e natë si shenjë të padrejtësive e komploteve, që na janë bërë në jetë të jetëve. Europa "kurvë", fqinjët shovinistë dhe tani edhe vikingët e kryqëzuar me serbë!

Thursday 10 October 2013

U largua edhe një Rilindas.

Mëngjesi i sotëm u hap me një lajm të hidhur. U nda nga jeta historiani prof. Koli Xoxi, babai i shokut tim Robin. Hapa shpejt në internet disa gazeta shqiptare, kureshtar se ç'shkruanin për Kolin, por nuk gjeta gjë. Mbase ndonjë ish-student apo koleg i tij do shkruajë këto ditë, se nuk pres të ketë shkrime të njerëzve të llojit të profesorit. Ata njerëz janë të pakët ose janë në zhdukje e sipër në Atdhe. E quajta Koli Xoxin Rilindas,(edhe pse sot abuzohet me këtë term) për filozofinë dhe karakterin e tij. Ishte intelektuali i mençur dhe me zemër të madhe, që nuk "honepste" padrejtësitë dhe gënjeshtrat. Këto cilësi i kishin sjellë jo pak probleme në jetë, deri sa përfundoi karrierën e tij të mësimdhënies jo në katedrën e Historisë, ku kishte qënë për dekada, por në shkollën 8-vjeçare të Divjakës. Kishte qënë pjesë e antarëve të partisë së organizatës Universitetit, të goditur në fund të viteve '60 nga Nexhmije Hoxha e "kompania bella". Vite më vonë, e patën rikthyer pranë Akademisë së Shkencave, duke ja njohur cilësitë e tij prej studiuesi të zotë e shumë prodhimtar. Edhe pse kam biseduar rrallë me të, më kanë rënë në sy jo vetëm kultura dhe ndershmëria intelektuale, por dhe një lloj stoicizmi. Ishte i zoti, i ndershëm dhe i papërkulshëm Koli! U largua kur kishte mbushur 90 vjet e kishte bërë shumë për familjen, miqtë dhe Shqipërinë. Prehu tani profesor!

Wednesday 9 October 2013

Shprese e rreme

Një fjali e një personaliteti ka fuqinë të ngjallë shpresat më të mëdha si dhe t'i përmbysë ato. Kjo e fundit, më ndodhi pasi lexova një fjali të Nolit, shkruar 98 vjet më parë. Ishte pjesë e një shkrimi lavdërues per ate që 7-8 vjet më vonë, do bëhej armiku numur një i Hirësisë, Mbretin e ardhshëm të shqiptarëve. Zhgënjimi nuk ka të bëjë me karakterin e Nolit, i cili nuk kishte se si të dinte më 1915, se ç'cilësi do shfaqte më vonë Ahmet Zogolli. Ka të bëjë me një përcaktim të shpejtuar të Uratës, që hodhi në erë ëndrrat e mia e ndoshta e shumë të tjerëve. "Ky djalosh i imët e i gjatë me flokë të verdha, nuk ju ngjet malësorëve të egër, por duket më shumë inglis ose skandinav." E kishte bërë këtë qëllimisht Noli nga Amerika, për të ngjallur shpresat e vegjëlisë, apo për t'ju thënë Fuqive të Mëdha që ne kemi aftësi shtetformuese dhe nuk jemi një vend me njerëz të egër, këtë nuk kemi për ta mësuar kurrë. Ajo ç'ka është dëshpëronjëse, është fakti që ne kemi patur në krye një skandinav për gati 20 vjet dhe për më tepër beqar gjithë dydekadshin. Beqar dhe zuzar. Dihen një pjesë e mirë e aventurave të mbretit, si dhe vazhdimisht është folur për pasardhës ilegalë të tij me zonja të nderuara të oborrit mbretnor. (Nuk e kam fjalën në thashethemet e shtypit rreth atësisë së Kristaq Ramës, por për shumë emra të tjerë të përfolur si bij e bija të Zogut në Tiranë e Korçë, 70 -80 vjet më parë.) Pra skandinavët (si alienët) kanë qënë gjithnjë mes nesh dhe përsëri nuk mundëm të përparonim. A është kjo pjesë e një plani të madh eksperimentimi të jashtëtokësorëve për të ardhmen e Njerëzimit? Nuk kam se si ta di. Veç ndjehem thjesht i zhgënjyer. Nga një fjali e shkruar pa u peshuar mirë nga më i mençuri i shqiptarëve të qindvjeçarit, që shkoi.

Tuesday 8 October 2013

Nga Hil Mosi ne Ardit Konomi

Nga Hil Mosi në Ardit Konomi Intelektuali patriot Hil Mosi ka qënë në prefektët e parë të Korçës. Bile edhe pa u krijuar shteti shqiptar. Ndër meritat që i atribuoen, është krijimi i të parës shoqëri kulturore-sportive "Vëllazëria" më 1909, që ishte e para në Shqipëri si dhe organizoi shumë veprimtari kulturore e sportive, në një qoshe të prapambetur të Perandorisë Otomane. Hil Mosi ishte shkodran, por la gjurmë në qytetin tonë. Deri në fund të vitit 1944 edhe shumë prefektë të tjerë kanë kaluar në qytet. Edhe pse unë nuk kujtoj ndonjë syresh, duhet të ketë patur mes tyre edhe njerëz të tjerë të shkolluar e të përkushtuar. Fotot e të gjithë prefektëve janë sëritur në hollin e Prefekturës(ish-Komiteti i Partisë). Pas vitit '90, institucioni i Prefektit u rivendos në sistemin administrativ shqiptar dhe emra të tjerë të emëruarish nga Pushteti Qendror u bënë prefektë. Më kujtohet njëri prej tyre, një bashkëqytetar i Hil Mosit, i cili si gjurmë la disa anekdota erotike dhe një lloj arratie në marsin e 1997. Quhej Pjerin Kiri. Prefekti që largohet është një farë Andrea Mano, i pazoti dhe i korruptuar, ndërsa prefekti i ri quhet Ardit Konomi. Nuk do i kisha shkruar këto rrjeshta, po qe se emri i prefektit të ri nuk do më kishte ngjallur ndonjë kujtim. Pikërisht dy vjet më parë hasa në këtë emër, në një diskutim në Fejsbuk, rreth mundësisë të kandidimit për Presidente të Shqipërisë, të një bashkënxënëses sime të quajtur Shpresa Prifti(Kureta). Ishte një nismë e nisur pa ndonjë shpresë, por për të provuar se sa gati ishte shoqëria shqiptare të mirëpriste lëvizje të tilla politiko-shoqërore në internet. Në janar të atij viti, pranvera arabe kishte nisur e ishte "galvanizuar" pikërisht në Internet. Në grupin e njerëzve në FB, që mernin pjesë në atë diskutim, pati tre (të antarësuar pa dijeninë e tyre prej miqve të tyre), të cilët shprehnin hapur pakënaqësinë, për marjen e postimeve që bëheshin. Pasi dy të parat(dy mësuese) ishin sqaruar se nuk ishte nevoja të protestonin duke thirrur, se ishte fare e lehtë të largoheshin nga grupi dhe nuk mernin më postime, u shfaq me shumë zhurrmë emri i Prefektit të sotëm. Me sa më kujtohet, ju drejtova që sa të deklaronte me të madhe para 300 vetëve "se sa gomar ishte", ishte më e lehtë me një klik të largohej nga grupi ku e kishte anëtarësuar një shoku i tij. Pas postimit tim , filloi një lumë fyerjesh dhe histerizmi ndaj u interesova më tej se kush ishte ky njeri. Mësova që ishte një jurist nga Korça ,djali i dy të njohurve të mij. Diskutimi nuk u mbyll menjëherë deri sa pas kërcënimesh se do më hidhte në gjyq ose se do nisej për në Toronto "për të më bërë namin", mendova se ishte e kotë të meresha me të. Bëhej fjalë për një produkt të politikës e medias shqiptare, që fliste me gjuhën e Ramës e të politikanëve të tjerë bastardë shqiptarë, e mbi të gjitha nuk kishte as idenë e sistemit juridik dhe aq më pak të etikës së sjelljes në publik. Sot, kur mësova që është prefekti i ri i Korçës, më erdhi edhe njëherë më tepër keq për qytetin tim. Kuptova edhe motivet e histerizmit të Konomit dhe rrahjes të gjoksit, "që në Shqipëri ka djem e vajza, që mund ta bëjnë ndryshime e nuk ka nevojë të na jepni mend ju nga jashtë". A mund të ketë gjetur Ardit Konomi, mendtë që nuk i kishte në tetor 2011? Në Shqipëri gjithshka është e mundur. Ndoshta pushteti të bën edhe me mend. Nuk ishte kështu një shekull më parë, kur Hil Mosin e vinin Prefekt, pikërisht se i kishte.

NE EMIGRANTET (n+1)

NE EMIGRANTET Më kujtohet dikush në Atdhe, "Ju emigrantët u bëtë njerëz!" Unë nuk i kundërshtova, jo pse më erdhi mirë, por se më dukej si e kotë t'i përgjigjesha, që jemi i njëjti brumë dhe cilësia e "furrës" nuk mund të sjellë ndryshime kaq të mëdha, sa nga "bagëti" të na kthejë në njerëz. Sigurisht që ndonjë gjë të re e kemi mësuar dhe ndonjë tarbiet të mirë e kemi marë, por mbetemi ata që kemi qënë, sidomos ata që kanë emigruar pasi kanë mbushur të tridhjetat. Në mjediset kolektive të emigrantëve shqiptarë gjen të njëjtën aromë "rakie", parfumesh të lira dhe bisedash "gozhdë-potkonjëse", si në kafenetë e qyteteve të Atdheut. Mbi të gjitha, veç krenarisë dhe patriotizmit, ne emigrantët rrezatojmë kompetencë. Dhe jemi në gjendje jo vetëm që fenomenet shqiptare t'i aplikojmë në dimensione superfuqish, por edhe të bëjmë analiza makro-shoqërore dhe gjeopolitike të kontinenteve ku jetojmë si dhe më gjerë. (Në postimet e këtij blogu ata që e ndjekin mund të gjejnë plot analiza të këtij karakteri të bëra nga emigranti Naum.) Psh një shofer labo-amerikan i linjës "Greyhound", një ditë më zbërtheu me detaje se si luftën në Irak e kishte nisur Bushi, Dik Ceni dhe Ramsfeld për të përfituar 600 miliard dollarë, të cilat i ndanë më tresh. (Mua nuk më bëri përshtypje se si mund të kishte një informacion kaq të brendshëm shoferi lab, por zemërgjerësia e Bushit që edhe pse president kishte marë pjesë të barabartë me dy vartësit e tij.) Dy vjet më parë, pasi kisha rreth 14 vjet që jetoja në Kanada, nga një grup korçarësh në Toronto mësova se ky vend sundohet nga çifutët. Kjo më tmerroi, se 80 vjet më parë, gjyshi në Stamboll kishte falimentuar, i mashtruar nga ortaku i tij çifut. Mendova që ky paska qënë fataliteti i Marave. Të mos ngrenë dot kokë ekonomikisht për shkak të zionistëve! Për të mësuar më shumë se ç'kishin në dorë çifutët dhe se si mund t'ju shmangesha i pyeta bashkëqytetarët, se në ç'fusha të jetës shtrihej ndikimi i çifutëve. "Në të tëra" më thanë. "Nuk i njeh çifutët ti?" Unë ca i njihja, se dentistin, doktorin dhe një bos i kisha pasur çifutë, por si duket ata më kishin mashtruar se nuk më ishin dukur shumë të këqinj. Por edhe këtë shqetësim ma fashiti një bisedë e mëvonshme me një korçaro-amerikan, i cili kishte mësuar për një zbulim të fundit, që banorët e fshatit Treskë të Korçës janë çifutë të ardhur nga Selaniku. Meqënëse mëma ime i ka të dy prindrit nga ky fshat dhe të qënit çifut varet nga mëmësia, unë mund të përfitoj statusin "jahudi" dhe t'i jap fund halleve. Thjesht do më duhet një rrethprerje. Se dy tre fjalë bazë i kam mësuar. Kishte të drejtë bashkëatdhetari që më tha dikur që Emigrimi të bën Njeri!

Friday 4 October 2013

Josariani mbi spitalin dhe vdekjen.(Pjese e kap 17)

Josariani ja mbathi drejt e në spital, këtë rradhë i vendosur të rrinte më mirë tërë jetën aty se të bënte qoftë dhe një fluturim më shumë se ato tridhjetedy, që kishte plotësuar. Dhjetë ditë më vonë, kur ndroi mendje dhe doli, koloneli e kishte rritur numurin e fluturimeve në dyzetepesë, kështu që Josariani ja mbathi prapë për në spital, këtë rradhë i vendosur të mos bënte asnjë fluturim më shumë se ato gjashtë, që kishte bërë pas tridhjetedyve. Mund të shtrohej sa herë të donte për shkak të mëlçisë ose të syve; doktorët nuk ja gjenin dot se ç'kishte mëlçia dhe nuk e shihnin drejt në sy, kur ju theshte që i dhembte. Po qe se në pavionin e tij nuk kishte ndonjë të sëmurë rëndë, ai ishte birinxhi në spital. E kishte sistemin mendor të aftë për të përballur malarien dhe gripin tek tjetri pa i bërë syri tërr. Mund të kalonte operimin e bajameve të tjetrit pa pasur stresin e pasoperacionit, si dhe mund të kapërcente dhjamët e suadhet e të tjerëve me pak të përzjerë të rropullive. Por vetëm kaq mund të përballonte pa u sëmurur. Po të kishin probleme më të mëdha duhej të ikte nga sytë këmbët. Në spital mund të rrinte e të qetësohej se askush nuk priste ndonjë gjë prej tij. Ajo që pritej ishte të vdiste ose të bëhej më mirë dhe përderisa ai s'kishte gjë prej gjëje më e lehtë ishte të bëhej më mirë se sa të vdiste. Të rrije në spital ishte më mirë se të fluturoje mbi Bolonjë, ose mbi Avinjon me Haplin dhe Dobsin në kabinën e komandimit dhe Soudenin, që jepte shpirt në fund të avionit. Zakonisht në spital nuk kishte më shumë të sëmurë se sa Josariani kishte parë jashtë dhe shumë pak syresh ishin vërtet të sëmurë rëndë. Vdekshmëria brenda spitalit ishte shumë më e ulët se sa jashtë dhe për më tepër ishte një vdekshmëri cilësore. Shumë pak vdisnin pa qënë nevoja. Njerëzit që punonin aty dinin më shumë se si vdiset, kështu që për të bënin një punë të pastër. Vërtet Vdekjen nuk e vinin dot në zap edhe në spital, po e detyronin të sillej më mirë. I mësonin tarbiete më të mira. Jashtë spitalit nuk e linin dot, ama kur të hynte brenda duhej të sillej si zonjë. Njerëzit aty jepnin shpirt me delikatesë dhe plot nur. Nuk ngjiste aspak me atë shfaqjen e shëmtuar të të vdekurit jashtë spitalit. Askush nuk bëhej copë në ajër si Krafti apo si i vdekuri në çadrën e Josarianit dhe as nuk vdiste nga të ftohtit në mes të beharit, si Snoudeni pasi i kishte rrëfyer sekretin Josarianit në fund të avionit. - Kam ftohtë- dridhej Snoudeni-kam ftohtë. - Ja aty, aty- mundohej t'i jepte zemër Josariani- ja aty, aty. Brenda spitalit as nuk zhduken në mes të një reje si u zhduk Klevingeri. Nuk shpërthejnë si fishekzjarrë gjaku dhe indesh. Nuk mbyten në ujë apo goditen nga rrufeja, nuk japin shpirt të grirë nga makineritë apo të fundosur nga rrëshqitjet e tokës. Nuk pushkatohen në rradhë, nuk i mbytin pas përdhunimit, nuk ju çajnë barkun me thikë në bilardo apo t'i lakarosin me sëpatë njerëzit e shtëpisë. Qoftë edhe çdo lloj tjetër akti i mbylljes së jetës me bekimin e Perëndisë. Askujt nuk ja marrin shpirtin me ibret. Njerëzit vdesin si xhentëlmenë nga hemoragjia brenda sallës së operimit ose s'marrin më frymë pa bërë as çak me tubot e oksigjenit në hundë. S'ka në spital nga ato marifetet që ndodhin përditë jashtë "po unë sa e pashë- si vdiq" apo "tani jam e për një çast jam i ikur". Nuk ka vdekje nga uria apo përmbytjet. Fëmijët nuk vdesin nga të lidhurit shtrënguar në djep apo nga rrotat e makinave. Askënd nuk e vdesin në dru.

Thursday 3 October 2013

Raqi vs Raqi

Raqi vs Raqi Nuk munda të rrija pa shkruar për këtë garë mes dy të njohurve të mij, për tu bërë qytetari i parë i qytetit tim. (Titulli më kujton një mesele të 30 viteve më parë, kur një baba që trembej se i biri mund të kthehej sarahosh, i tregonte të shoqes i shqetësuar "Eshtë Raqi me Raqin në kafene. Por kjo nuk ka lidhje me dy kandidatët tanë, të cilët i qëndrojnë larg alkolit.) Duhet të them që në fillim, që të dy kandidatët vijnë nga familje shumë të mira korçare, kanë qënë studentë shumë të mirë dhe kanë qënë prej fillimit antikomunistë. Kandidati Stratobërdha u përfshi shpejt në politikë dhe ishte deputet, që në legjislaturat e para ndërsa kandidati Filo, 10 vjet më i vogël ishte simpatizant i PD-së deri në fillimin e këtij shekulli, kur filloi të merte vende pune të rëndësishme nga PS-ja. Po pa hyrë në detajet e jetës dhe veprimtarive politike e profesionale të kandidatëve duhet shkruar se si duhet të jetë një Kryetar Bashkie i një qyteti të vogël të Ballkanit. Vizionar, administrator i mirë apo një njeri politik i lidhur me pushtetin qendror? Ndoshta është shumë e vështirë të gjendet një njeri që t'i ketë të trija këto cilësi ndaj mendoj që për këto dy vjet të mbetura nga kjo legjislaturë, Korçës i duhet një administrator i mirë, për të balancuar buxhetin dhe për të mos hyrë më thellë në borxhe. Edhe pse e kam quajtur disa herë "ligavec gollash" them që kandidati Filo i përmbush më mirë këto kushte. Jo se kandidati Stratobërdha ka më pak aftësi administrative, por nisur nga përvoja e 6 viteve të Filos dhe sidomos nga kundërvënia që mund t'i bëjë zv.kryeministri Stratobërdhës, them se për qytetin edhe në një periudhë afatshkurtër, por edhe afatmesme, më mirë është të ketë një kryetar bashkie të PS-së. Sa për cilësitë morale të Stratobërdhës, them se ato janë superiore po të krahasohen me kandidatin tjetër, i cili mbetet një burokrat i dyshimtë në hije, pra një "ligavec gollash" i vërtetë. Por edhe pastërtia e Stratobërdhës nuk mund të bëjë të ndryshojnë gjërat rrënjësisht, sepse edhe ai mbetet përfaqësues i një Partie tejet të korruptuar. (Në Qytetin e Nofkave, ku kanë jetuar të ndjerët Raqi Groshka, Raqi Gripi, Raqi Domuzi e shume të tjerë, kryetar këtë rradhe do zgjidhet Raqi Ligaveci Gollash.)