Wednesday 24 April 2024

A po i kërcënon Rama grekët me "Kalin e Trojës"?


Më 12 maj kryeministri shqiptar Rama do marrë pjesë në një takim masiv me emigrantët shqiptarë në Athinë. Në pamje të parë duket e natyrshme një takim i kryeministrit me bashkëatdhetarët në një qytet ku mund të ketë gati 200 mijë të tillë.

Ajo që e bën të çuditshëm dhe gati delirant këtë ngjarje është fakti se do mbahet saktësisht një vit pasi me urdhër të Ramës u arrestua Fredi Bejleri, gjë që solli acarimin e thellë te marëdhënieve midis dy qeverive.

 Pavarësisht nga teprimet e qeveritarëve grekë në ndërhyrjet për "çështjen Beleri" (përfshi këtu edhe kryeministrin Micotaqis), zgjedhja e një mitingu të tillë (mundësisht i një entusiazmi të paparë) në një datë të tillë është jo vetëm karshillëk dhe tregues i delirit të Ramës, por edhe një thellim i krizës shqiptaro-greke. Nuk ju sjell asnjë të mirë as emigrantëve shqiptarë në Greqi.

Indirekt duket që Rama i thotë Micotaqisit, që unë do përdor "Kalin e Trojës" të mbushur me emigrantë shqiptarë për të të rrëzuar ty në zgjedhjet e ardhshme!

Provokimi është vërtet torollak dhe nuk ka asnjë të ngjarë t'i sjellë dobi dikujt, vec kënaqësisë prej egocentristi që do dëgjojë nga servilët e tij kur t'i thonë "Ca ja ke dhi n'mes të Athinës Micotaqisit! Po ja kalon edhe Odisese!" 

Emigrantët shqiptarë në Athinë dhe kudo në Greqi e njohin se kush është Rama dhe janë të pakënaqur nga gjendja e marëdhënieve të vendit amë me vendin ku jetojnë. Ata, më shumë se të gjithë janë të interesuar që marëdhëniet të jenë sa më të mira. Prej vitesh i shqetëson "dashuria" e madhe e Ramës për sulltan Erdoganin. Ata asnjëherë nuk kanë për t'i shërbyer delirantit Rama për të rrëzuar një qeveri greke që nuk i pëlqen kryeministrit shqiptar.


Thursday 11 April 2024

Të vjedhim çdo gjë, kudo dhe kurdoherë


Në fillimin e viteve '70, sektori i Komitetit Qendror që merrej me përpilimin e parrullave, sajoi si parrullë të rendit të ditës "Të kursejmë çdo gjë, kudo dhe kurdoherë". Parrulla përbënte politikën ekonomike të viteve '70, kur pas ftohjes me Kinën nga kupola dihej që burimet materiale dhe financiare do bëheshin gjithnjë e më të pakta dhe do fillohej racionimi në çdo gjë. Parrulla shënoi fillimin e rënies së sistemit socialisto-diktatorial, që do çonte në ndryshimin e sistemit 17-18 vjet më vonë.

Tashmë, sistemi i krijuar nga Nano-Berisha-Rama si parrullë për politikën ekonomike të vendit kanë krijuar parrullën që nuk thuhet hapur por nënkuptohet: "Të vjedhim çdo gjë, kudo dhe kurdoherë". I fundit i treshes krijuese, sipas teorisë materialiste të revolucionit permanent e ka ngritur aplikimin e parrullës në nivelin më monstruoz.

Por më e rrezikshme se sa mbushja e administratës me hajdutë nga Kryeministri dhe deri tek kryetarët e bashkive, është gjendja inerte e asaj pjese të shoqërisë e cila nuk vjedh. Eshtë e trembur, e demoralizuar apo e gjithë shoqëria është e mbushur me realistë, pragmatistë, indiferentë, çiqitëmistë, delenxhinj, mashtrues, oportunistë, peqelepistë dhe kategori të tjera të ngjashme sojsëzësh?

Ajo që të tremb është kur shikon se Kryetari i Bashkisë (hajduti Erion Veliaj) flet para nxënësve të shkëlqyer të një gjimnazi të Tiranës. Në mënyrë të ngjashme me kohën e Diktaturës, në vend që gjimnazistët të ngrihen e të reagojnë ndaj kryehajdutit, ata rrinë të heshtur dhe nuk arrin të kuptosh se ku nis frika dhe ku vazhdon pajtimi i të rinjve me modelin e "suksesshëm Rama-Veilaj".

Që të thuash se gjimnazistët e Tiranës nuk dinë se ç'ndodh në Tiranë dhe në Bashkinë e Tiranës është absurde. Atëhere shpirti rebel i adoleshentëve (gjë e njohur historikisht) ose është i fashitur ngafrika ose për ta është normale që të vjedhësh dhe më pas të mundohesh të mbulosh me deklarata vjedhjen.

Takimi i Erit me gjimnazistët, pavarësisht se bajat, mashtrues dhe i pështirë, është një sinjal pozitiv për Ramën dhe hajdutët e tjerë, se e kanë tashmë të qartë që nuk ka forcë në Shqipëri tani dhe në një të ardhme të afërt që t'i rrëzojnë.

Ndaj do vazhdojnë të vjedhin në çdo gjë.